Normal view

Anëtarja e GjK partnere e Enkelejd Alibeaj, Sali Berisha kërkon përjashtimin e gjyqtares nga çështja e tij: Është në konflikt interesi

By: P. Gj.
24 October 2024 at 15:04

Në kohën kur gjykata kushtetuese ka njoftuar 19 nëntorin si datën e shqyrtimit të çështjes së Sali Berishës, ish-kryeministri ka bërë lëvizjen e radhës duke paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Marsida Xhaferllari.

Në dokumentin e dorëzuar nga ish-kryeministri tashmë i pandehur për korrupsion, thuhet se Xhaferllari s’mund të marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes, pasi është në konflikt interesi, përderisa është partnere e Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit, është është i vetmi deputet nga radhët e opozitës që mori pjesë në këshillin e mandateve dhe voto pro heqjes së mandatit për Sali Berishën në kohën kur u kërkua nga SPAK.

Së dyti argumentojnë avokatët ai ankimoi vendimin e vulës duke kundërshtuar Sali Berishën si kreun e PD-së.

Në përgjigje të interesimit të News 24, Kushtetuesja konfirmoi se kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Xhaferllari nuk është marrë ende në shqyrtim nga trupa gjyqësore.

Ish-kryeministri kërkon shfuqizimin e vendimeve të gjykatës lidhur me masën e parë të sigurisë atë të detyrimit për paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit, të cilën refuzoi ta zbatonte. Vendimet sipas tij janë marrë në shkelje të Kushtetues, pasi iu kufizua liria në një kohë që SPAK duhet të kishte marrë autorizim në Kuvend, për sa kohë ai është deputet.

Ndërkohë këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme seanca e parë paraprake për ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 persona të tjerë, nuk u zhvillua pasi u konstatuan problematike me njoftimet e të pandehurve. Seanca e radhës u shty për në datë 29 nëntor. Sali Berisha akuzohet për korrupsion në bashkëpunim me dhëndrin Jamarbër Malltezi lidhur me procedurat e privatizimit të ish-klubit sportiv Partizani.

Të pandehur janë edhe biznesmenët Xhimi Begeja, Fatmir Bektashi dhe juristja Andia Pustina.

The post Anëtarja e GjK partnere e Enkelejd Alibeaj, Sali Berisha kërkon përjashtimin e gjyqtares nga çështja e tij: Është në konflikt interesi appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Ilir Meta dhe shëndeti i tij pas arrestit, Tedi Blushi: Është në gjendje të shkëlqyer shëndetësore! Në rast se i ndodh gjë papritur, përgjegjësia do jetë e…

By: P. Gj.
24 October 2024 at 14:50

Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, në një konferencë për media, ka treguar se si është gjendja shëndetësore ish-Presidentit, Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli tek burgu 313-ta pasi GJKKO rikonfirmoi masën “arrest me burg” ndaj tij.

Blushi u shpreh se Meta ndodhet në gjendje të shkëlqyer shëndetësore.

Sipas tij, nëse kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i ndodh gjë e papritur, Blushi shprehet se “përgjegjësia do të jetë personale e Ramës.”

Tedi Blushi: Është në gjendje të shkëlqyer shëndetësore, më i fortë dhe më të freskët se kurrë. Në gjendje të shkëlqyer, në rast se Metës i ndodh diçka e papritur përgjegjësia do të jetë personale e Ramës.

Ilir Meta ka mbështetjen e të gjithë Partisë, të gjithë strukturave.

Kështu që mos lexoni këta debilat lart e poshtë. Mbështetja e Metës është e plotë, jemi në kontakt çdo çast me të. S’duhet ketë asnjë shqetësim për gjendjen e tij shëndetësor, zero. Do përballemi dhëmb për dhëmb e çdo çmim me këtë regjim.

The post Ilir Meta dhe shëndeti i tij pas arrestit, Tedi Blushi: Është në gjendje të shkëlqyer shëndetësore! Në rast se i ndodh gjë papritur, përgjegjësia do jetë e… appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

BIRN: Zgjidhet me kontestime kryetari i ri i KLGJ

By: P. Gj.
22 October 2024 at 19:42

Këshilli i Lartë Gjyqësor zgjodhi të martën përmes një procesi të kontestuar Ilir Rusin si kryetarin e ri në vend të Naureda Llagamit, ndërsa në pozicionin e zv.kryetarit u zgjodh anëtarja Yllka Rupa.

Kundërshtimi erdhi që në fillim të seancës nga anëtarja më e re e Këshillit, Violanda Theodhori, e cila deklaroi se ishte njoftuar vetëm të hënën për zgjedhjen e kryetarit të ri përmes një shkrese të panënshkruar dhe të dërguar me email. Sipas Theodhorit, duhen të paktën shtatë ditë nga momenti i hapjes së thirrjes, që kandidatët të paraqesin interesin e tyre.

Theodhori theksoi se këto rrethana e vendosin në pamundësi objektive për të kandiduar. Sipas saj, situata e krijuar është jo vetëm e paligjshme, por dhe i vendos kandidatët në kushte të pabarabarta. Ajo kërkoi që për shqyrtimin e pikës së dytë të rendit të ditës të caktohej një datë tjetër, ose të hiqej nga rendi i ditës.

Zëvendëskryetari Ilir Rusi ndërhyri duke nënvizuar se ishin duke vepruar sipas ligjit dhe se mbledhja prandaj ishte cilësuar si jo e zakonshme. Ai kërkoi vijimin e shqyrtimit të pikës së parë, ku u miratua deklarimi i mbarimit të mandatit të ish-kryetares Naureda Llagami.

Procedura e ndjekur u kontestua dhe nga anëtari tjetër jomagjistrat, Bledar Bajri. Ai tha se anëtarja më e re sapo kishte ardhur dhe nuk i është dhënë mundësia për të kandiduar. Bajri theksoi se e mbështet Theodhorin që të mund t’i jepet mundësia asaj dhe secilit për të shprehur interesin, nëse e vlerëson.

Bajri ngriti pikëpyetje mbi procedurën që po ndiqej. Ai e pyeti Rusin, se në rast të shprehjes së interesit për kryetar, a do të duhej të dorëhiqej si zëvendëskryetar dhe ta drejtonte mbledhjen anëtari më i vjetër, me qëllim që të mos kishte kontradikta në procesin e përzgjedhjes.

Rusi u shpreh se kjo nuk është mbledhja e parë e Këshillit dhe se e ka ai tagrin ta drejtojë si zëvendëskryetar, në mungesë të kryetares. Por, Bajri këmbënguli duke nënvizuar se mendonte se Rusi duhej të hiqte dorë, me qëllim që kandidimi të kryhej në mënyrë të barabartë.

Kërkesa e Theodhorit për shtyrje dhe Bajrit për dhënie kohe të martën, u rrëzua nga shumica e anëtarëve të KLGJ.

Në vijim, paraqitën interes për pozicionin e kryetarit, zëvendëskryetari Ilir Rusi që po drejtonte mbledhjen dhe anëtari Bledar Bajri. Dy kandidatët, pa paraqitur ndonjë platformë lidhur me vizionin dhe mënyrën për drejtimin e këshillit, u votuan nga gjithë anëtarët e këshillit.

Ilir Rusi mori 10 vota pro, ndërsa Bajri votoi veten.

Pasi u zgjodh si kryetar, Rusi tha se pozicioni i zëvendëskryetarit mbetet i lirë. Në vijim anëtari Klodian Kurushi propozoi që të shtohet në rend dite edhe zgjedhja e zëvendëskryetarit. Nga tre anëtarët që paraqitën interes për këtë pozicion, Violanda Theodhori, Albenc Tabaku dhe Yllka Rupa, u zgjodh kjo e fundit si zëvendëskryetare. Edhe tre kandidatët për zëvendëskryetar nuk paraqitën ndonjë platformë para Këshillit.

E pyetur nga BIRN lidhur me këtë rrethanë, koordinatorja për të drejtën e informimit, Blerta Ngucaj tha se ligji dhe rregullorja e këshillit, nuk parashikojnë që për zgjedhjen e kryetarit dhe zëvendëskryetarit, të paraqiten prej tyre platforma. Ajo shtoi se kjo praktikë është mbajtur.

Kryetari i ri i KLGJ-së, Ilir Rusi u zgjodh anëtar në mars të vitit 2022 nga radhët e pedagogëve të Fakultetit të Drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, me një mandat pesë vjeçar. Atëherë ai mori dhe funksionin e zëvendëskryetarit që e mbajti deri të martën.

Zëvendëskryetarja Yllka Rupa është zgjedhur si anëtare e KLGJ po ashtu nga radhët e pedagogëve, më datë 2 shkurt 2022.

The post BIRN: Zgjidhet me kontestime kryetari i ri i KLGJ appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

E akuzuar për aferën e inceneratorëve, Etleva Kondi kërkon ndyshimin e masës së sigurisë! GJKKO merr vendimin

By: gsh
22 October 2024 at 14:24

GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Etleva Kondit, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e inceneratorëve dhe që akuzohet për “Shpërdorim detyre”, për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj saj.

Kondi kërkonte zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, si një kërkesë e pabazuar në ligj dhe prova.

“U vendos rrëzimi i kërkesës së kërkueses Etleva Kondi, me nr. 593 regj., datë 21.10.2024, me objekt zëvëndësimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, si një kërkesë e pabazuar në ligj dhe prova”, thuhet në njoftim.

Vendimi është marrë trupi gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj.

Ajo akuzohet për përfshirjen në aferën e inceneratorit të Elbasanit.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Kërkuesja Etleva Kondi me datë 21.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimi i masës së sigurimit”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, bazuar në nenet 112, 228 e vijues, 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 593, datë 22.10.2024, vendosi:

1. Rrëzimin e kërkesës së kërkueses Etleva Kondi, me nr. 593 regj., datë 21.10.2024, me objekt zëvëndësimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, si një kërkesë e pabazuar në ligj dhe prova.

2. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

Tiranë, më datë 22.10.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

The post E akuzuar për aferën e inceneratorëve, Etleva Kondi kërkon ndyshimin e masës së sigurisë! GJKKO merr vendimin appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

U akuzua për fshehje pasurie, GJKKO pushon çështjen për ish-magjistratin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza

By: gsh
22 October 2024 at 14:10

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka pushuar me kërkesë të SPAK çështjen ndaj ish-magjistratit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, i akuzuar për fshehje pasurie.

“Pushimin e çështjes penale që i përket proçedimit penal me Nr.137/4 të vitit 2021, të rregjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të shtetasit Admir Thanza, për veprën penale penale “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

Problemet për ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza nisën gjatë vetingut të kryer ndaj tij, ku në përfundim të hetimit administrativ, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vlerësoi se ai kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë; kishte fshehur dhurata nga palët që kishte gjykuar; kishte kryer deklarim të rremë në formularin e dekriminalizimit; si dhe kishte kontakte të papërshtatshme.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar në KPK më 10 korrik 2018, përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit bëri të ditur se ishte zbuluar një dënim me 40 ditë burg për vjedhje në Itali në vitin 1999, të cilën Thanza nuk e kishte pasqyruar në vetëdeklarim. Vendimi i shkarkimit të Thanzës u gjet i drejtë dhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Paralelisht me procesin e vetingut, Thanza iu nënshtrua edhe një procesi penal për mosplotësimin e saktë të formularit të dekriminalizimin dhe u dënua me 9 muaj burg në maj të vitit 2019, që u konvertua në 18 muaj shërbim prove. Në vitin 2021, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme Kundër Kurrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata respektive vendosi sekuestrimin e banesës dhe të një garazhi të Thanzës.

 

NJOFTIM I GJKKO

  1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 30.09.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Pushimin e procedimit penal me nr. 137/4, të vitit 2021, në ngarkim të shtetasit Admir Thanza, për veprën penale “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal”.
  1. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Elsa Ulliri, bazuar në nenet 328 e vijues të K.Pr.Penale dhe nenin 257/a të K.Penal, me vendimin Nr. 117, datë 22.10.2024, vendosi:
  1. Pranimin e kërkesës.
  1. Pushimin e çështjes penale që i përket proçedimit penal me Nr.137/4 të vitit 2021, të rregjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të shtetasit Admir Thanza, për veprën penale penale “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
  1. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
  1. Kundër këtij vendimi lejohet ankim nga i pandehuri në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

Tiranë, më datë 22.10.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

The post U akuzua për fshehje pasurie, GJKKO pushon çështjen për ish-magjistratin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

U arrestua me urdhër të SPAK, Jurgis Çyrbja mbërrin në Gjykatë! Ish-deputeti pritet të njihet me masën e sigurisë

By: gsh
22 October 2024 at 08:35

Ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja ka mbërritur në ambientet e Gjykatës së Posaçme, ku pritet të njihet me masën e sigurisë.

Jurgis Çyrbja u arrestua të dielën (20 tetor) në Durrës, pak ditë pasi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, të cilin e mbante që nga viti 2017.

Sipas SPAK, ai akuzohet për tre vepra penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.

Mësohet se ndaj tij Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masen e sigurimit “arrest në burg”.

Ish-deputeti i PS, u vu në pranga pak ditë pasi dorëzoi mandatin dhe u mor i pandehur nga SPAK. Pas dorëzimit të mandatit të deputetit, Jurgis Çyrbja ka deklaruar se ky vendim nuk erdhi nga shqetësime të natyrës ligjore, por sepse kishte nevojë të kujdeset për shëndetin.

The post U arrestua me urdhër të SPAK, Jurgis Çyrbja mbërrin në Gjykatë! Ish-deputeti pritet të njihet me masën e sigurisë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

“U shkel detyrimi ligjor për ruajtjen e sekretit hetimor” -SPAK doli me njoftim zyrtar, Kryemadhi: Dosja me 167 faqe, nuk provohet të kem depozituar në mbështetje të aludimeve

By: P. Gj.
21 October 2024 at 20:44

Monika Kryemadhi ka reaguar sërish lidhur me aksionin e sotëm të urdhëruar nga GJKKO-ja, por këtë herë për njoftimin zyrtar nga SPAK-u, ku komunikohen 6 rastet e korrupsionit të kryera prej saj dhe kreut të PL-së, Ilir Meta, i cili u vendos nën pranga.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Kryemadhi u shpreh se është kryer shkelje e detyrimit ligjor për ruajtjen e sekretit hetimor.

“Sapo u njoha me deklaratën e SPAK për mediat dhe konstatoj me keqardhje mungesën e profesionalizmit dhe shkeljet e detyrimit ligjor që keni në funksion të ruajtjes së sekretit hetimor.

Këtë detyrim iu a imponon neni 279 i Kodit të Procedurës Penale. Këtë nen ka përdorur SPAK-u edhe për t’i mbyllur gojën gazetarëve kur kanë pasur material për të folur mbi korrupsionin apo krimet e qeverisë së Edi Ramës.”, tha ajo

Nga ana tjetër, ajo zbulon se dosja është 167 faqe. Sipas Kryemadhit, në këto faqe “nuk pasqyrohet në asnjë rresht, asnjë e dhënë lidhur me provat që unë kam depozituar në mbështetje të pretendimeve të mia, të cilat rrëzojnë aludimet e SPAK.”

 

Reagim i Kryemadhit:

Sapo u njoha me deklaratën e SPAK për mediat dhe konstatoj me keqardhje mungesën e profesionalizmit dhe shkeljet e detyrimit ligjor që keni në funksion të ruajtjes së sekretit hetimor.

Këtë detyrim iu a imponon neni 279 i Kodit të Procedurës Penale. Këtë nen ka përdorur SPAK-u edhe për t’i mbyllur gojën gazetarëve kur kanë pasur material për të folur mbi korrupsionin apo krimet e qeverisë së Edi Ramës.

Në këtë deklaratë, ndër të tjera bëhet me dije nga prokuroria e posaçme se kjo çështje është ende nën hetim, ndërkohë që prokuroria vetë ofron për publikun si ushqim të dhëna të pavërteta për mua dhe familjen time, për të cilat, unë gjatë hetimit kam arritur të vërtetoj të kundërtën nëpërmjet provave shkresore dhe aktit të ekspertimit kontabël të certifikuar, që kam depozituar pranë SPAK prej kohësh.

Çuditërisht, në 167 faqe vendim, me të cilin është disponuar caktimi i masës së sigurimit personal, nuk pasqyrohet në asnjë rresht, asnjë e dhënë lidhur me provat që unë kam depozituar në mbështetje të pretendimeve të mia, të cilat rrëzojnë aludimet e SPAK.

Ju sot ligjërisht më keni komunikuar faktin se ndaj meje në cilësinë e personit nën hetim të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale është caktuar një masë sigure, ndërkohë që edhe pse kam ende cilësinë e personit nën hetim, ju, xhelatët e bindur të Edi Ramës politikisht shpreheni se unë dhe familja ime akuzohemi, ndërkohë që këtë gjë në fazë të hetimit, nuk mund ta bëni as ligjërisht, as publikisht.

Deklarata e sotme e SPAK duket e shkruar në zyrën e Propagandës të Edi Ramës.

Pasi, për familjen time SPAK shkel çdo të drejtë të njeriut të mbrojtur nga Konventat Europiane dhe Kushtetuta, për një proces të rregullt ligjor, kurse për mafiozët në karriget e qeverisë dhe bashkëpunëtorët e tyre përulen dhe nuk shohin krimet e përditshme në kurriz të shqiptarëve.

Intimidimi i SPAK në bashkëpunim me Edi Ramën, ndaj gjyqësorit shqiptar, duke manipuluar opinionin publik përmes nxjerrjes së sekretit hetimor dhe duke paraqitur si fakte disa akuza të rreme dhe të pabaza, do të marrë përgjigjen e merituar në çdo shkallë të gjyqësorit brenda dhe jashtë vendit.

SPAK mund të bëjë akuzën, por kurrësesi gjyqin! Kjo i takon vetëm gjykatës dhe përballja e gënjeshtrave me motivacion politik, me të vërtetat do të jetë kudo dhe ndaj kujtdo, me të njejtën monedhë.

The post “U shkel detyrimi ligjor për ruajtjen e sekretit hetimor” -SPAK doli me njoftim zyrtar, Kryemadhi: Dosja me 167 faqe, nuk provohet të kem depozituar në mbështetje të aludimeve appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

“Nga janari-shtator kishim 4.5 mln vizitorë!” -Kumbaro në parkun Drilon-Tushemisht: Interesi i turistëve në zonat e mbrojtura është në rritje

By: P. Gj.
19 October 2024 at 14:46

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka qenë e pranishme në Parkun Natyror Drilon-Tushemisht ditën e sotme, së bashku me fondacionin Shqiptaro-Amerikan, nga ku foli për menaxhimin e zonave të mbrojtura në vendin tonë.

Kumbaro u shpreh se nga janari i këtij viti, e deri në fund të shtatorit zonat e mbrojtura janë vizituar nga 4.5 milionë turistë.

Sipas ministres, interesi për vizitën e zonave të mbrojtura është në rritje.

Mirela Kumbaro: Zonat e mbrojtura në Shqipëri kanë bashkëjetuar dhe janë të tilla falë njerëzve që jetojnë dhe punojnë në këto zona. Shqipëria është shumë e vogël për të pasur hapësira gjigante krejt të egërta pa ndërhyrje nga njerëzit. Njerëzit përmes traditës, zakoneve dhe artizanatit bujqësor apo urban kanë bërë që të kemi zona të tilla të mbrojtura siç është Tushemishti, Driloni. Një falënderim shumë të sinqertë për Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim. Nga janari deri në fund të shtatorit kemi pasur 4.5 mln vizitorë në zonat e mbrojtura të Shqipërisë. Është shifër e barabartë me totalin e vizitorëve në vitin e kaluar në këto zona që do të thotë interesi për vizitorët për zonat e mbrojtura është në rritje.

Ka qenë kryeministri Edi Rama i cili ka ndarë pamje nga vizita e Mirela Kumbaros, e cila përveçse Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, ka qenë gjithashtu e shoqëruar dhe nga Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Niko Peleshi.

Rama shkruan se ndërhyrja në Parkun Natyror Drilon-Tushemisht ka sjellë një ‘tjetër hov’ turizmit të natyrës.

Postimi i plotë i Edi Ramës:

Parku Natyror Drilon-Tushemisht tërësisht i rilindur, ku bashkë me Qendrën e re të Vizitorëve krijon një gjerdan të ri dedikuar ekoturizmit në Pogradec
Një shembull i shkëlqyer i forcës transformuese të projekteve të mira ku së bashku me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit i jepet një tjetër hov turizmit të natyrës, duke ndërhyrë me metoda miqësore ndaj mjedisit për të shtuar turistët në këto perla natyrore si mënyra më e mirë e arritjes së turizmit të qëndrueshëm dhe zhvillimit të komunitetit ️

The post “Nga janari-shtator kishim 4.5 mln vizitorë!” -Kumbaro në parkun Drilon-Tushemisht: Interesi i turistëve në zonat e mbrojtura është në rritje appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

“Plan i ri strategjik për Universitetin ‘Luigj Gurakuqi'” -Manastirliu në Shkodër: Do modelojmë ofertën akademike të saj

By: P. Gj.
19 October 2024 at 10:43

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ku deklaroi se do të hartohet një plan strategjik për zhvillimin e universitetit, i cili synon ta kthejë këtë universitet në një qendër strategjike rajonale të arsimit të lartë.

Gjatë takimit me rektorin, Prof. Dr. Tonin Gjuraj dhe pedagogët e universitetit, Manastirliu tha se do të nisë menjëherë puna për planin e zhvillimit të Universitetit të Shkodrës.

“Puna për planin e zhvillimit do të nisë menjëherë për strategjinë e re të Universitetit të Shkodrës 2030. Së bashku me stafin drejtues dhe pedagogët e këtij universiteti, por edhe me një ekspertizë nga diaspora akademike, do të modelojmë ofertën akademike për Universitetin e Shkodrës, për ta bërë më tërheqëse për të rinjtë e Shkodrës dhe më gjerë.”, tha ajo

Ajo u ndal edhe te investimet në infrastrukturën kërkimore shkencore për universitetet, te ridimensionimi i programeve të studimeve dhe roli i ekspertizës akademike nga diaspora në procesin drejt ndërkombëtarizimit të universiteteve tona.

“Ne sot jemi këtu jo vetëm për të parë nga afër investimet që kanë ndodhur, por edhe nevojën që kemi për të rritur investimet në universitet, qoftë përsa i përket laboratorëve të kërkimit shkencor, por edhe përsa i përket investimeve në raport me ndërkombëtarizimin, programet e përbashkëta, diplomat e dyfishta, të cilat kërkojnë një punë jo vetëm në aspektet e përmirësimit të mësimdhënies, por edhe në aspektet e zhvillimit të kërkimit shkencor dhe infrastrukturës shkencore në universitet. Kemi bërë të mundur ngritjen e këtij laboratori të ushqimit në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, por kjo është vetëm faza e parë sepse do duhet të vijojmë me fazën tjetër për të patur një laborator të akredituar, një qendër ekselence që i shërben jo vetëm kërkimit shkencor për universitetin, por pse jo, edhe për shërbime që u duhen të tretëve.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Ministrja tha se është gati një dokument strategjik për politikat e arsimit të lartë, i cili synon ta udhëheqë arsimin e lartë shqiptar në drejtim të ndërkombëtarizimit.

“Shumë shpejt kemi prezantimin e Dokumentit Strategjik për politikat e arsimit të lartë, që synon të udhëheqë institucionet e arsimit të lartë në rrugën e ndërkombëtarizimit, duke e bërë arsimin e lartë në Shqipëri konkurrues, me një ofertë akademike bashkëkohore.”, u shpreh ajo.

The post “Plan i ri strategjik për Universitetin ‘Luigj Gurakuqi'” -Manastirliu në Shkodër: Do modelojmë ofertën akademike të saj appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Vihen në pranga dy autorët e dy vjedhjeve në Korçë! Njëri prej tyre i shpallur në kërkim nga blutë e kryeqytetit, i dyshuar për…

By: P. Gj.
18 October 2024 at 09:52

Dy 35 vjeçarë janë arrestuar nga Policia e Korçës, pasi dyshohen të kenë vjedhur dy motomjete.

Në pranga kanë rënë shtetasit V.B., dhe L.R., të dy 35 vjeç dhe banues në Tiranë.

Dyshohet se ata kanë vjedhur motomjetin e një 69 vjeçari në fshatin Melçan të Korçës në datë 16 tetor ndërsa në datë 13 tetor kanë vjedhur motorin e një 16 vjeçari në qytet.

Uniformat blu njoftojnë se shtetasi L.R., është i shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës pasi dyshohet të jetë autori i disa vjedhjeve të motomomjeteve në kryeqytet.

Njoftimi i policisë:

Korçë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Repeat”, për zbardhjen e vjedhjes së 2 motomjeteve.

Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar të vjedhjeve. Njëri prej tyre, në kërkim nga Policia e Tiranës, për vjedhje motomjetesh.

Sekuestrohet një motomjet i dyshuar i vjedhur.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Repeat”. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera gjatë operacionit, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga autorët e dyshuar të 2 vjedhjeve, shtetasit:

V. B., 35 vjeç dhe L. R., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 16.10.2024, kanë vjedhur motomjetin e 69-vjeçari, në fshatin Melçan, Korçë, ndërsa më datë 13.10.2024, kanë vjedhur motomjetin e një 16-vjeçari, në qytetin e Korçës.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi L. R. ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 2 Tiranë, si i dyshuar për vjedhjen e disa motomjeteve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

The post Vihen në pranga dy autorët e dy vjedhjeve në Korçë! Njëri prej tyre i shpallur në kërkim nga blutë e kryeqytetit, i dyshuar për… appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Vrau me thikë 15 vjeçarin, lihet në burg autori bashkëmoshatar! Ja çfarë vlerësoi psikologu i të miturit

By: P. Gj.
17 October 2024 at 13:10

Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 15 vjeçarin Klodian Kolbuçaj, i cili vrau me thikë mbrëmjen e 14 tetorit bashkëmoshtarin e tij Emiljano Gjoni.

Bazuar në raportimet e burimeve bëjnë me dije se Kolbuçaj është vlerësuar nga psikologu se ishte në gjendje shoku psikologjik ndaj edhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë gjatë seancës për masën e sigurisë.

Ka qenë Prokurori i çështjes, Ndriçim Halilaj, i cili kërkoi masën “arrest në burg”. Kjo kërkesë u pranua nga gjyqtari Albert Keraj.

Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i Klodian Kolbuçajt kërkoi interesin më të lartë në shërbim të miturit që lidhet me vlerësimin psikologjik dhe gjendjen e tij.

 

 

The post Vrau me thikë 15 vjeçarin, lihet në burg autori bashkëmoshatar! Ja çfarë vlerësoi psikologu i të miturit appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Tentoi të kontrabandonte mallra të ndryshme, vihet në pranga 41 vjeçari turk në pikën kufitare të Kapshticës

By: P. Gj.
16 October 2024 at 14:52

Një shtetas turk është arrestuar në pikën kufitare të Kapshticës, pasi tentoi të kontrabandonte në Shqipëri mallra të ndryshme, duke i fshehur në bagazhin e autobusit që drejtonte.

Në pranga ka rënë shtetasi N.S., 41 vjeç.

Ai akuzohet për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Sakaq, mallrat janë sekuestruar nën cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Tentoi të kontrabandonte në Shqipëri, mallra të ndryshme, duke i fshehur në bagazhin e autobusit që drejtonte, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 41-vjeçari (shtetas turk).

Sekuestrohen mallrat.

Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në PKK Kapshticë, në hyrje të RSh-së, u kalua në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, autobusi me drejtues shtetasin turk N. S. Gjatë kontrolleve, në bagazhin e autobusit, u gjetën të fshehura mallra të ndryshme, të cilat shtetasi N. S. po tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.

Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin N. S., 41 vjeç, banues në Turqi, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”. Gjithashtu, sekuestruan në cilësinë e provës materiale, mallrat.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

The post Tentoi të kontrabandonte mallra të ndryshme, vihet në pranga 41 vjeçari turk në pikën kufitare të Kapshticës appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Këlliçi në “National Summit” në SHBA, demokrati: PD beson te Trump si kontribuues i paqes dhe sigurosë për rajonin tonë

By: P. Gj.
14 October 2024 at 10:43

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka qenë sërish i pranishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në konferencën “National Summit” të organizuar në Michigan.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Këlliçi shprehet se Partia Demokratike mbështet ish-Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump. Sipas tij, PD beson se Trump do të jetë një kontribuues i paqes dhe sigurisë për rajonin tonë.

Po kështu, Këlliçi sqaron se ky samit kishte folës kryesor Lara Trump, bashkëdrejtuese e Komitetit Kombëtar Republikan, Kongresmenët Darrell Issa dhe John James, e drejtues të ndryshëm të Partisë Republikane të zonës.

Postimi i plotë i Belind Këlliçit:

Privilegj të isha i ftuar në National Summit, konferencë e organizuar në Michigan, ku një nga çështjet që u trajtua ishte siguria në botë dhe paqja në Lindjen e Mesme.
Ky event kishte folës kryesor Lara Trump, bashkë drejtuesen e Komitetit Kombëtar Republikan (RNC) i cili është organi kryesor i Partisë Republikane Amerikane dhe është përgjegjës për zhvillimin dhe promovimin e platformës politike të republikanëve si dhe harton strategjinë elektorale.
Gjithashtu Kongresmenët Darrell Issa i Kalifornisë dhe John James i Michiganit, si dhe drejtuesit e Partisë Republikane në Michigan, konfirmuan se siguria është prioritet kryesor për Presidentin Trump dhe plani i tij është garanci për paqen e stabilitetin kudo në botë, në këto kohë të trazuara!
Partia Demokratike beson tek Presidenti Trump dhe alternativa e tij. Si kontribues i paqes dhe sigurisë ai do jetë një garanci dhe për rajonin tonë.
Rritja dhe konsolidimi i raporteve me partnerët strategjikë dhe me republikanët në veçanti si parti e jona simotër, ka një rëndësi të veçantë për vendin tonë dhe për forcën tonë politike

The post Këlliçi në “National Summit” në SHBA, demokrati: PD beson te Trump si kontribuues i paqes dhe sigurosë për rajonin tonë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Shtypi i ditës/ Lexoni faqen e parë të gazetës “Panorama” dhe “Panorama Sport”

By: P. Gj.
14 October 2024 at 08:10

Në faqen e parë të gazetës “Panorama” do të lexoni:gazeta

Titujt kryesorë:

Unaza e madhe/ Vlera e shpronësimeve arrin 4 miliardë lekë, përfituesit

“Jemi gati për shtet bektashi”, Baba Mondi tregon kërkesën që i është drejtuar qeverisë

“Asnjë emigrant s’mund të dalë nga Shëngjini dhe Gjadri”, Rama: Ç’ndodh nëse largohen nga kampi

Anija e pare me emigrante nga Italia mund te niset te mërkurën. Ministri Piantedosi: Nuk do te ketë ndonjë ceremoni inaugurimi

Procedura/ Ndryshon udhëzimi, si do të bëhen transferimet në gjimnaz

Nga 16-18 tetor/ Tri ditët e teatrit me “Agnesa e Zotit”, në Durrës

Historia e rrallë e “Nënat labe”, të Fatmir Haxhiut/ NGA UVIL ZAJMI

DOSSIER

Momentet e fundit të jetës së Migjenit, cila i qëndroi pranë “poetit të mjerimit”

OPINION

Për shkencën, investim të shumëfishuar e ligj konsensual/ NGA PROF. MYQEREM TAFAJ

“Inteligjenca Artificiale dhe fati i njerëzimit”/ NGA GJENERAL PIRO AHMETAJ

Në faqen e parë të gazetës “Panorama Sport” do të lexoni:gazeta1

Titujt kryesorë:

GJEORGJI-SHQIPËRI SOT 18:00 “Beteja e Tbilisit”, Silvinjo: Reagojmë ose jemi… jashtë

Ndryshimet me “pikatore”, si mund të luajno kuqezinjtë

Ismajli: Janë të fortë, ja dalim vetëm duke qenë grup

Skandali në Çəki, mungoi reagimi nga stoli dhe fusha

EKSKLUZIVE Ish-kapiteni analizon kuqezinjtë: Ekipit i mungon uria e kualifikueseve

“Absurde që Muçi dhe Hoxha luajnë pak, Silvinjo të jetë më i besueshëm”- Tare: Trajneri konfuz, kjo Shqipëri është në gjumë

Partizani, “SMS” nga stoli për Veselinoviçin

Tirana bën plane për janarin, ja çfarë synohet

Vllaznia, Patushi: Brdariç duhet të rregullojë mbrojtjen

Gjermani-Holandë, “premtohet” goleadë

Italia në fushë, Spaleti: Duhen 3 pikë për kreun

Spanja fiton me kosto, Jamal i alarmon të gjithë

Anglia bën tris, Grilish zbulon bastin 500 paund

Çimkë në dhomë, përgjohet fjalimi i Erik Ten Hag

The post Shtypi i ditës/ Lexoni faqen e parë të gazetës “Panorama” dhe “Panorama Sport” appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Ismajli në radarët e Juventusit, Empoli tani ngutet t’i rinovojë kontratën

By: I K
12 October 2024 at 20:50

Ardian Ismajli është kthyer në ditët e fundit në një protagonist të merkatos në futbollin italian. Paraqitjet e tij me skuadrën e Empolit, kanë bërë që shumë klube të mëdha të kthejnë sytë nga mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, i cili po kalon një moment të shkëlqyer të karrierës.

ISMAJLI

Më së fundmi, në listë është shtuar edhe Juventusi, i cili raportohet se po monitoron atë si zëvendësuesin perfekt për Bremer të dëmtuar. Një situatë që lehtësohet nga fakti se Ismajli është në vitin e fundit të kontratës së tij me Empolin. Marrëveshja e futbollistit përfundon në qershorin e këtij viti dhe largimi i tij do të ishte shumë më i thjeshtë.

Në këtë pikë, mediat italiane raportojnë se Empoli do të kërkojë menjëherë rinovimin e marrëveshjes që ka me futbollistin, duke e zgjatur atë. Në këtë mënyrë mund të përfitojë ekonomikisht shifra më të larta nëse Juventusi apo ndonjë klub tjetër do të trokasë në dyert e këtij klubi në janar për të transferuar mbrojtësin shqiptar.

PANORAMASPORT.AL

The post Ismajli në radarët e Juventusit, Empoli tani ngutet t’i rinovojë kontratën appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Ilirjan Celibashi letër partive politike për votimin elektronik! Ja ku do aplikohet votimi elektronik dhe dy datat e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës

By: P. Gj.
11 October 2024 at 13:48

Drejtuesi i KQZ-së, Ilirjan Celibashi i ka dërguar një letër partive politike lidhur me votimin elektronik, ashtu sikurse janë zbuluar dy datat e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare në vend.

Vetëm në dy qarqe do të zhvillohet votimi elektronik. Celibashi ka propozuar që kjo mënyrë votimi të bëhet në Elbasan dhe në Durrës.

Rekomandimi për Elbasanin ka ardhur pasi zgjedhjet e 14 maj 2023 janë bërë në këtë qark me votim elektronik, e bën sens që të vijojë në të njëjtën proces pasi votuesit janë mësuar me këtë votim.

Sugjerimi për Durrësin ka ardhur për lehtësi logjistike, për shkak të terrenit gjeografik, infrastrukturës rrugore si dhe distancës së saj nga kryeqyteti.

Lidhur me datat e mundshme të zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në vend, mund të jenë 20 prill 2024 ose 11 maj 2024.

Celibashi shprehet në letër se partitë mund të japin sugjerime dhe t’i përcjellin ato pranë KQZ-së, por jo më vonë se data 19 tetor 2024.

Letra:

Në vijim të komunikimeve të mëparshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me ju mbi mundësinë e zhvillimit të votimin elektronik në 5 qarqe, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2025, më lejoni t’ju sjellë në vëmendje se kjo mënyrë votimi në këtë numër qarqesh nuk mund të zhvillohet. Periudha nga sot deri në datën 20 Prill 2024 që është data e parë e mundshme e zhvillimit të zgjedhjeve në fjalë, apo deri në datën 11 Maj 2024 që është data e fundit e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve të vitit 2025, është e pamjaftueshme për përgatitjen e gjithë elementëve teknik dhe njerëzor për zhvillimin e këtij lloj votimi në këtë numër qarqesh. Gjithsesi duke vlerësuar interesin dhe dobinë për shtrirjen graduale të votimit elektronik, KQZ për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2025, propozon zhvillimin e kësaj mënyre votimi vetëm në qarkun e Elbasanit dhe në atë të Durrësit. Në qarkun e Elbasanit u zhvillua votimi elektronik për zgjedhjet e datës 14 Maj 2023 në shumicën e qendrave të votimit të këtij qarku, të cilat i përkasin bashkisë Elbasan. Ndaj nëse nga ana juaj vlerësohet me dobi dhe interes shtrirja e votimit elektronik, është me kuptim që më së pari ai të shtrihet në ato njësi zgjedhore ku një pjesë e votuesve të kësaj njësie e kanë një eksperiencë të mëparshme me këtë lloj votimi. Rekomandoj zhvillimin e votimit elektronik në qarkun e Durrësit, për lehtësitë logjistike dhe njerëzore që ofron ky qark krahasuar me qarqe të tjerë të vendit. Durrësi për shkak të terrenit gjeografik, infrastrukturës rrugore dhe asaj tjetër, distancës me Tiranën (KQZ-në), mundëson një përgjigje më të mirë nga ana e këtij institucioni për përgatitjen, zhvillimin dhe administrimin e votimit elektronik. Nga ana tjetër ky lloj votimi kërkon angazhimin e një numri të madh njerëzish në terren. Praktika e identifikimit elektronik ka treguar se për qarkun e Durrësit në përgjithësi rekrutimi i personelit të posaçëm për këto procese administruese zgjedhore është më pak sfidues se në shumë qarqe të tjerë. Numri dhe natyra e punës që kryen personeli që do të angazhohet me votimin elektronik është thuajse e njëjtë me atë të identifikimit elektronik. KQZ vlerëson të domosdoshëm një mendim të partive politike në lidhje me këtë propozim. Ndaj jeni të lutur ta përcillni atë pranë KQZ, jo më vonë se data 19 Tetor 2024.

The post Ilirjan Celibashi letër partive politike për votimin elektronik! Ja ku do aplikohet votimi elektronik dhe dy datat e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

VIDEO/ Xhamia e Namazgjasë e mbushur me flamunj shqiptarë dhe turq! Masat e rrepta të sigurisë për inaugurimin me Presidentin Erdogan

By: P. Gj.
10 October 2024 at 13:20

Teksa disa orë larg ndahen nga inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë, ku do të jenë prezent Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, kryeministri Edi Rama dhe vetë KMSH-ja, duket se godina është duke u ruajtur nga forca të shumta sigurie.

Siç shihen e në video, xhamia është e rrethuar nga rrjetë mbrojtëse, sikurse dhe forca sigurie të shumta.

Në orën 16:50, Erdogan pritet që të inaugurojë Xhaminë e Namazgjasë në kryeqytet.

Për mbarëvatjen e vizitës shtetërore të presidentit turk janë marrë masa sigurie.

Në total mbi 700 forca policie do të jenë të angazhuara për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë gjatë vizitës së Presidentit turk Erdogan.

700 forca policie, që përfshijnë Antiterrorin, Gardën, FNSH, RENEA, efektivë të rendit, por edhe të policisë Rrugore të Tiranës do të jenë të dislokuar në terren.

Po ashtu edhe SHISH do të kenë agjentë të shumtë në terren. Në terren nga policia do të jenë edhe grupet anti-eksploziv që vëzhgojnë rrugët kryesore dhe kanë në mbikëqyrje gjithë perimetrin e sigurisë.

Ndërkohë në çatitë e godinave pranë Xhamisë së Namazgjasë janë vendosur snajperistë.

Masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit janë në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese turke. Eskortimi i presidentit Erdogan dhe siguria e tij do të bëhet grupi i posaçëm i eskortës së tij të sigurisë, mbështetur edhe nga Garda e Republikës dhe RENEA. Ndërkohë që nga Ankaraja kanë mbërritur efektivë të Gardës turke e gjithashtu edhe shërbimet sekrete nga ky vend.

 

The post VIDEO/ Xhamia e Namazgjasë e mbushur me flamunj shqiptarë dhe turq! Masat e rrepta të sigurisë për inaugurimin me Presidentin Erdogan appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Më mirë me Policinë se sa me partinë

By: P. Gj.
10 October 2024 at 09:16

BESNIK BAKIU

Para disa ditësh isha i ftuar për të folur në promovimin e librit të profesorit dhe mikut tim, Bajram Yzeiraj, “Një jetë me Policinë e Shtetit”. Promovimi behej në Akademinë e Shkencave, ashtu siç i takonte profesorit tim të nderuar. Interesi ishte i madh, salla ishte e tejmbushur, kishin ardhur kolegë dhe ishkolegë, personalitete të politikës (ish-kryeministra, ish-ministra) dhe përfaqësues të organeve të larta shtetërore e publike, organeve të drejtësisë, drejtues aktual të Policisë së Shtetit, gazetarë, miq dhe të afërm të autorit. Madje, ishin prezentë edhe kryetari dhe zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave. Kjo ceremoni kishte edhe një koçidencë të bukur, pasi autori përveç gëzimit të botimit më të ri të tij, kishte edhe datëlindjen, bënte 75 vjeç. Profesor Bajrami si gjithmonë edhe në ftesat e shpërndara (siç tha edhe vetë në këtë ceremoni) është i vërtetë dhe i pakompromis, pasi nuk kishte ftuar asnjë nga ata (që megjithëse kishte punuar), nuk e meritonin të ishin.

Libri që u promovua, “Një jetë me Policinë e Shtetit” (Rrëfime të shefit të Policisë) është konceptuar si një libër që rrëfen në formë autobiografike, rrugëtimin personal të autorit së bashku me shoqërinë dhe organizatën e Policisë së Shtetit, nëpër 40 e ca vite në kohë shumë të vështira për të lejuar të jesh një shtetar i mirë, kalorës i ligjit dhe patriot. Pas leximit të këtij libri, unë sot e them me zë të lartë që autori ia ka arritur të jetë një i tillë. Lexuesi që shfleton faqet e këtij libri, shkruar nga një personalitet, i cili tërë jetën ua kushtoi çështjeve të sigurisë, policimit, dhe komunitetit, do të njihet së afërmi me shumë ngjarje nëpër të cilat ka kaluar shoqëria shqiptare dhe veçanërisht Policia në këto periudha të zhvillimit të saj. Libri është shkruar në një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme lehtë, ku gjen shumë përkujtime e përmbledhje të ngjarjeve konkrete nga viti 1970 deri në ditët e sotshme. Narracioni linear i kësaj vepre zë fill nga koha e fëmijërisë dhe përfshin udhëtimin e vështirë të një individi, që duket sikur ka lindur për të notuar gjithmonë kundër rrymës, e cila ka qenë e fuqishme, e rrëmbyeshme dhe e pamëshirshme. Është meritë e padiskutueshme e profesor Bajramit, që në asnjë moment të jetës dhe veprimtarisë së tij nuk ka bërë kompromis me antiligjin, frikën dhe padrejtësinë. Këtë ai e pasqyron me angazhimet e vështira, me veprimtarinë e tij për të mbrojtur jo vetëm rendin dhe sigurinë e qytetarëve, por edhe dinjitetin e vet, të kolegëve dhe gjithë organizatës të Policisë. Më mirë me Policinë se sa me partinë – ka qenë motoja e profesorit tim.

Me botimin e këtij libri, i cili është në vetvete edhe rrugëtimi i institucionit të Policisë së Shtetit, autori paraqitet si qytetar dhe si veprimtar shumëdimensional, me ndërgjegje e respekt për historinë. Këtë ai e ndien edhe si përgjegjësi e detyrë, për të sotmen dhe për të ardhmen. Me këtë botim, autori ka meritën e qëmtimit të dokumenteve e të literaturës së posaçme kushtuar ngjarjeve dhe ndodhive kryesore të kohës, madje ka depërtuar në masën e duhur edhe në jetën dhe karakteret e personazheve të kohës. Këtë e ka bërë për të dhënë të plotë dimensionet dhe karakteret njerëzore, që shpesh janë edhe çelësa për të kuptuar e shpjeguar ngjarjet apo edhe enigmat rreth tyre. Autori ka arritur të kapërcejë kufijtë e personales dhe të bëhet një realitet arkivor brenda telajos së madhe të historisë të shoqërisë shqiptare në këto vite.

Profesori im i nderuar, si makinë e të vërtetës, ka kurajën t’i verë emrin e vërtetë që meriton çdo personazhi që ka kontaktuar, apo ka qenë i detyruar të bashkëpunoj, qoftë ai politikan, shtetar i lartë apo drejtues policie. Unë si një nga bashkëkohësit dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë një periudhe të konsiderueshme kohe, jam plotësisht dakord me këto përcaktime. Autori në këtë libër, si një burrë shteti dhe ideolog vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetojë në pulsin e Policisë. Ai nuk mjaftohet me çfarë ka përjetuar, por me përgjegjshmërinë e ndjesës së profesionit vazhdon të hulumtojë dhe japë sugjerime mbi politikat dhe çështjet e sigurisë, për menaxhimin e ndryshimeve dhe sugjeron çfarë duhet ndryshuar. Të lexosh për triumfet, gëzimet, betejat dhe humbjet e dikujt është një përvojë e të mësuarit në vetvete dhe libra si ky kanë një vlerë unike: ato nuk janë thjesht histori të trilluara ose pjesë të imagjinatës, por llogari të vërteta që ndikojnë pozitivisht dhe fuqishëm te çdo lexues. Autori me këtë botim, ia ka arritur qëllimit t’i japë lexuesit jo një libër “të rëndë”, të stilit akademik, të mbingarkuar me analiza e hipoteza, por një narrativë të përzgjedhur nga përjetesa e tij personale dhe nga studimi i shume burimeve dhe dokumenteve arkivore të kohës, të cilat i ka shfrytëzuar deri në detaje. Kjo e bën të lehtë dhe tërheqës leximin e tij. Libri nuk është thjesht kronologji historike ngjarjesh që shoqëron zhvillimin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe Policisë së Shtetit në veçanti. Është edhe një galeri e jashtëzakonshme personazhesh historike të 40 e ca viteve të fundit në politikën dhe shtetin shqiptar.

Nëse shkrimi i librave shpesh frymëzohet nga ide dhe libra të veçantë, ky libër ka lindur nga rrethanat reale dhe ngjarjesh dramatike gjatë përmbysjes te një regjimi dhe ngritjes të një shteti të ri. Në fund nuk mund të mos nënvizoj vulën personale të rrugëtimit historik të autorit dhe këtu ai sjell një risi, që e ka origjinën në kulturën e tij si mësimdhënës. Në libër në shumë raste gjen momente të ndërthurjes të përshkrimit historik me përjetimet personale të tij, rreth ngjarjeve vite më vonë e deri në ditët tona. Ai krijon një lidhje organike mes historisë dhe aktualitetit, bën të flasin e shkuara dhe personazhet e saj me kohën e sotme e problemet e saj. Para se ta mbyll, nuk mund të rri pa përmendur pengun e profesorit për heshtjen që shoqëroi daljen në pension të tij nga Policia e Shtetit, duke kërkuar falje dhe ndjerë bashkëfajtor (pa faj). Bajram Yzeraj me karrierën e vet shumë të larmishme, nga A te ZH, nga punonjës policie i nivelit zbatues në drejtues i lartë policie, drejtor akademie deri në ministër dhe zëvendësministër, ka lënë gjurmën e vet. Për fat të keq, ky nuk është rast i veçuar në këtë organizatë, prandaj përfitoj nga rasti, duke besuar se flas edhe në emër të profesor Bajramit t’u apeloj drejtuesve të rinj të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë Përgjithshme të Policisë së Shtetit:

-Bëhuni avokatë dhe jo prokurorë të organizatës dhe punonjësve të saj, duke ndërtuar politika parandaluese dhe jo ndëshkuese, pasi në gjykimin tim, Policia e Shtetit (me gjithë problematikat e shumta që ka) në këto 30 e ca vite është organizata më e mirë në shoqërinë shqiptare dhe punonjësit e saj janë më të përkushtuarit ndaj detyrës si dhe më të vetësakrifikuarit.

-Luftoni për t’u dhënë të gjitha të drejtat që u njeh dhe u jep ligji punonjësve të policisë.

-Përpiquni ta bëheni sa më komunitare mes vedi këtë organizatë, duke qëndruar pranë njëri-tjetrit në të mirë e të keqe; në fillim pune, ecurie në karrierë e dalje në pension; në lindje, datëlindje apo vdekje, gjeste këto që do ta bënin edhe më humane organizatën tonë.

-Mos i dëgjoni “sirenat” e Odisesë, por verifikoni faktet dhe ballafaqoni çdo opinion e çdo pëshpëritje dashakeqe kundrejt punonjësve të Policisë së Shtetit.

-Përpiquni të krijoni kushte sa më dinjitoze të kuadrit ligjor dhe të mjediseve të punës për punonjësit e policisë, jo vetëm për pagat dhe uniformat, por edhe për kualifikimet dhe postet e punës, e çdo gjë tjetër që në dukje është vogëlsi, por që atyre u jep dinjitet.

Në përfundim dua të shpreh falënderimet edhe për shtëpinë botuese “Naimi” dhe mikut tim Naim Zoto, (i cili ka qenë edhe kryeredaktor i parë i gazetës ALBAPOL) për kujdesin e veçantë në botimin e këtij libri.

Jetë të gjatë Profesor!

/Gazeta Panorama/ 

The post Më mirë me Policinë se sa me partinë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Received — 9 October 2024 Gazeta Shqiptare

Vitamina kryesore për një kujtesë të fortë, ja cila është doza e duhur dhe ushqimet ku e gjeni

By: I K
9 October 2024 at 17:28

Pavarësisht të gjithë këshillave të mjekëve dhe ekspertëve për një dietë sa më të pasur ushqimore, duket se mungesat në vitamina janë ende prezente.

 

Këtë e pohojnë shumë mjekë të cilët shprehen se pavarësisht larmishmërisë në ushqime, jo gjithnjë njerëzit arrijnë të zgjedhin ato me më shumë vitamina.

Veçanërisht disa prej tyre të cilat duhet të konsumohen çdo ditë dhe në mënyrë të vazhdueshme.

Këto vitamina luajnë një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e të gjithë organizmit dhe trurit.

Me shfaqjen e shumë sëmundjeve të reja apo përhapjen e atyre të vjetrave nëpër të gjithë globin, mungesa e tyre pa dyshim që vihet re.

Në këtë artikull nga AgroWeb.org do të gjeni sasinë e duhur të elementit kyç që ju ndihmon të keni një kujtesë dhe tru më të fortë.

Vitamina Që Ju Duhet Për Shëndetin e Trurit

Quhet kolinë, ose ndryshe B4, dhe që prej vitit 1998 është renditur ndër nutrientët më të rëndësishëm për organizmin e njeriut.

Gjendet me shumicë tek vezët, mishi apo bulmeti, por megjithatë duket se shumë njerëz vuajnë nga mungesa e saj.

Kjo vitaminë është e rëndësishme për funksionimin e mirë të shumë organeve dhe veçanërisht trurit.

Sistemi nervor e përdor këtë vitaminë për të forcuar kujtesën, humorin dhe lëvizjen e mirë të muskujve.

Duke e kthyer kështu këtë nutrient ndër më të rëndësishmit për mbajtjen e trurit në formë.

Doza e Duhur Për Çdo Organizëm

Megjithëse mëlçia e prodhon vetë një sasi të caktuar të kolinës, pjesa më e madhe e saj duhet të merret nga ushqimet.

Për këtë rekomandohet konsumimi i një sasie të caktuar çdo ditë të cilën AgroWeb.org jua shpjegon më poshtë.

Mjekët prej 20 vitesh tashmë rekomandojnë një dozë ditore prej 550 miligramësh në për burrat dhe 425 mg për gratë.

Kjo dozë rritet për gratë shtatzëna të cilat duhet të marrin rreth 550 mg kolinë në ditë.

Marrja e kolinës nëpërmjet ushqimeve nuk është e vështirë pasi vetëm një vezë përmban 113 mg kolinë në çdo kokërr.

Mjekët rekomandojnë të mos konsumoni më shumë se tre vezë në ditë ndaj kolinën mund ta merrni edhe nga ushqime të tjera.

Sasi të mëdha të saj gjeni tek mishi apo bulmeti, në këtë mënyrë do të keni një dietë të shëndetshme.

Kjo vitaminë funksionon si një kurë parandaluese kundër plakjes së trurit apo sëmundjeve si Alzhaimer dhe Dementia.

Nëse merret në dozat e parashikuara nga mjekët kolina do të funksionojë si një mbrojtëse për qelizat dhe neuronet e trurit.

Në këtë mënyrë do të keni kujtesë më të fortë dhe tru më të shëndetshëm./AgroWeb.org

The post Vitamina kryesore për një kujtesë të fortë, ja cila është doza e duhur dhe ushqimet ku e gjeni appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Konsumoni një portokall në ditë për të marrë këto 7 përfitime

By: P. Gj.
9 October 2024 at 10:46

Portokalli është agrumja më e preferuar e miliona njerëzve në botë.

Një kombinim perfekt mes të ëmblës dhe athtësisë, portokalli është plot shije dhe mbi të gjitha plot vlera.

Ekspertët thonë se portokalli duhet ngrënë çdo ditë sepse prej tij organizmi merr 7 përfitime të menjëhershme.

Sy të shëndetshëm dhe shikim të mprehtë

Portokalli përmban shumë vitaminë  C ose përafërsisht 116% të vlerës së rekomanduar ditore.

Vitamina C është e dobishme për shëndetin e syve dhe ul rrezikun e perdes së syve, përmirëson qarkullimin e gjakut dhe ngadalëson progresin e sëmundjeve të syve si pasojë e moshës.

Portokalli përmban shumë betakaroten, që në organizëm kthehet në vitaminë A e cila na ndihmon të jemi ‘syshqiponjë’ edhe në errësirë.

Mungesa e vitaminës A është shkaktari numër një i problemeve me sytë.

Më pak rrezik nga ishemia

Këto agrume përmbajnë flavanonë që ulin rrezikun e ishemisë.

Përpos faktorëve të tjerë, femrat që konsumojnë shumë portokalle kanë 19% më pak gjasa të preken nga ishemia.

Për më tepër, vitamina C është parandaluese e hemoragjisë cerebrale.

Portokalli dhe oreksi

Portokalli është një burim shumë i mirë fibre. Një kokërr e vetme përmban 12% të dozës së rekomanduar ditore.

Fibra rregullon lëvizjen e zorrëve, ul kolesterolin, mban nën kontroll sheqernat në gjak, ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare.

Fibra ngadalëson tretjen ndaj ju do të ndiheni më të ngopur dhe për shumë gjatë.

Portokalli kundër radikaleve të lira

Fibra dietike që gjendet tek portokalli ul rrezikun e radikaleve të lira që dëmtojnë qelizat, ndërsa i gjithë fruti është i dobishëm kundër qelizave të dëmshme tumorale të mushkërisë, stomakut, gojës, laringut dhe ezofagut.

Lëkurë më e shëndetshme

Një portokall në ditë e bën lëkurën tuaj më të shëndetshme.

Portokalli përmban vitaminë C që e ndihmon organizmin të sintetizojë kolagjenin, një proteinë e dobishme për një lëkurë të shëndetshme.

Portokallët përmbajnë edhe betakaroten që transformohet në vitaminë A që ndihmon në rritjen e qelizave të lëkurës.

Marrja e vitaminës C çdo ditë ka shumë përfitime në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, sepse ruan shëndetin e enëve të gjakut.

Trup i shëndetshëm

Vitamina C tek portokallet është e rëndësishme për rritjen dhe rikuperimin e indeve. Vitamina C shëron plagët dhe ruan shëndetin e kockave.

Ajo është e rëndësishme për prodhimin e kolagjenit që nevojitet në çdo qelizë të trupit.

Studimet kanë zbuluar se konsumi i të paktën 400 mg vitaminë C në ditë përmirëson funksionet e muskujve dhe largon dhimbjet./AgroWeb.org

 

The post Konsumoni një portokall në ditë për të marrë këto 7 përfitime appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

❌