Normal view

Takimi Rubio-Lavrov në Filipine/ Kamberi: Zgjidhja e konfliktit është e largët. Shala: Nuk u dha një dritë jeshile

By: Rovena
23 July 2026 at 21:30

Në kuadër të samitit në Filipine, Sekretari i Shtetit amerikan Rubio dhe Ministri i Jashtëm rus Lavrov zhvilluan një takim diplomatik i cili shërbeu si platformë për të rihapur diskutimet mbi luftën në Ukrainë.

Gjatë këtij shkëmbimi, Rubio e cilësoi luftën si një “konflikt të pakuptimtë”, ndërsa Lavrov nënvizoi se armatimi i Ukrainës mbetet i papranueshëm për Moskën, e cila kërkon zgjidhje diplomatike vetëm sipas kushteve të saj.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Geron Kamberi vlerësoi se zgjidhja e konfliktit mbetet ende e largët për sa kohë mungon një tryezë e mirëfilltë negociatash gjithëpërfshirëse.

Nga ana tjetër, eksperti Xhavit Shala theksoi se, ndonëse takimi shërbeu për të mbajtur hapur kanalet e komunikimit për të ardhmen, ai nuk solli asnjë dritë jeshile apo zhvillim të ri konkret. Prania e qëndrimeve të tilla të prera tregon se atmosfera diplomatike rreth kësaj çështjeje vazhdon të mbetet tepër e paqëndrueshme.

Geron Kamberi: Takimi i sotëm në kuadër të samiti të vendeve Filipine, u përdor një platformë tjetër për të ringjallur diskutimin, por edhe një atmosferë që herë ngrohet dhe herë ftohet lidhur me luftën në Ukrainë. Nga deklaratat e tyre dukej që zgjidhja është e largët. Rubio e quajti një konflikt të pakuptimtë dhe nga ana tjetër kundërpërgjigjja e ministrit të jashtëm rus, Lavrov, ishte se për Rusinë ishte e papranueshme armatimi i Ukrainës. Për aq kohë sa konfliktit Rusi-Ukrainë nuk ka një tavolinë me katër këmbë unë e shikoj shumë të largët zgjidhjen e konfliktit.

Xhavit Shala: Lavrov e tha edhe në takim që ne jemi për zgjidhje diplomatike dhe politike, por sipas kushteve tona, të Rusisë. Takimi ishte një vazhdimësi, është mirë kur takimet diplomatike mbahen të hapura. Synimi këtu është tashmë që për ndonjë takim për të ardhmen. Por nuk ka ndonjë dritë jeshile, apo për diçka të re.

Kriza politike në Kosovë/ Krasniqi: Është një polarizim ekstrem. Ka një “luftë” të madhe brenda partive

By: Rovena
23 July 2026 at 17:41

Kriza politike në Kosovë vijon të mbetet pa një zgjidhje, ndërsa polarizimi mes forcave politike po thellohet.

Njohësi i zhvillimeve politike, Dardan Krasniqi, në një intervistë për “Balkan Update” vlerëson se vendi ka nevojë urgjente për institucione funksionale dhe stabilitet, por mungesa e besimit po pengon arritjen e një kompromisi.

Sipas tij, përplasjet brenda dhe mes partive politike po e rëndojnë situatën, ndërsa mungon një vullnet i sinqertë për tejkalimin e krizës. Krasniqi shprehet pesimist se palët do të arrijnë një marrëveshje në të ardhmen e afërt.

Është një polarizim ekstrem. Sot kur kemi shumë nevojë që vendi të ketë institucione dhe stabilizim, atëherë mosbesimi është shumë i madh. Unë besoj që arroganca ka një fund. Dhe në momentet e fundit të kemi një logjikë të kompromisit.

Deri tani nuk e kemi parë këtë dhe nuk jam optimist për më tutje. Janë dy pozicione të kundërta të LDK dhe të PDK. Në LDK kemi një luftë të brendshme. PDK ka bërë të qartë një qëndrim të tyre, i cili duket se ka ardhur pas diskutimeve që kanë bërë me Kurtin. Ka një luftë të madhe brenda partive. Më shumë bëhet beteja e vazhdueshme, sikurse dhe herët e tjera për të gjetur një fajtor për shkuarjen edhe një herë në zgjedhje, por nuk ka një zgjidhje të sinqertë për zgjidhjen e krizës politike”, tha Krasniqi.

❌