Normal view

Elon Musk parashikon një botë pa para deri në vitin 2036, deklarata ngjall diskutime

26 July 2026 at 22:44

Elon Musk beson se zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale mund të transformojë ekonominë në një mënyrë që paraja të mos ketë më rolin që ka sot. Sipas miliarderit, deri në vitin 2036 njerëzimi mund të hyjë në një epokë ku nevoja për para do të jetë shumë më e vogël, ose madje e panevojshme në disa aspekte.

Gjatë një diskutimi mbi të ardhmen e teknologjisë, drejtuesi i Tesla-s argumentoi se vlera e parasë lidhet me mundësinë për të siguruar produkte dhe shërbime si ushqimi, banesa, transporti apo argëtimi. Ai tha se nëse robotët humanoidë dhe sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale arrijnë të prodhojnë mallra dhe shërbime në sasi shumë më të mëdha se kërkesa, koncepti tradicional i parasë mund të humbasë rëndësinë.

Musk ka folur prej kohësh për potencialin e automatizimit, duke parashikuar se robotët dhe makinat autonome do të marrin përsipër një pjesë të konsiderueshme të punëve fizike dhe proceseve industriale. Sipas tij, kjo do të çonte në një rritje të ndjeshme të prodhimit dhe disponueshmërisë së burimeve.

Megjithatë, ky vizion nuk bind të gjithë. Ekonomistë dhe specialistë të teknologjisë theksojnë se edhe në një shoqëri të automatizuar do të mbeten sfida të rëndësishme, si shpërndarja e pasurisë, kontrolli mbi teknologjinë dhe mënyra se si qytetarët do të kenë akses te burimet.

Deklarata e Musk ka rikthyer në qendër të vëmendjes debatin për ndikimin që inteligjenca artificiale mund të ketë në ekonominë globale dhe nëse përparimi teknologjik do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si funksionon sistemi financiar në dekadat e ardhshme.

Irani pretendon se ka përparim në bisedimet me Omanin për Hormuzin

26 July 2026 at 22:16

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha më 26 korrik se është bërë “përparim” në diskutimet mes Iranit dhe Omanit, por nuk dha detaje të tjera.

Deklarata e tij erdhi pasi delegacioni i Omanit udhëtoi më 25 korrik për në Teheran për bisedime lidhur me menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit.

Baghaei tha se ditët e fundit në Teheran janë zhvilluar “disa runde bisedimesh” ndërmjet zëvendësministrave të Jashtëm të Iranit dhe Omanit, gjatë të cilave të dyja palët “shkëmbyen pikëpamje mbi parimet e përbashkëta dhe mekanizmat operacionalë për menaxhimin e kalimit të sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, duke respektuar të drejtat sovrane të dy shteteve”.

Megjithatë, ai shtoi se “aktualisht nuk ka pasur asnjë ndryshim në statusin e lundrimit përmes ngushticës”.

Irani dhe Omani janë dy shtetet që kufizohen me pjesën më të ngushtë të Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës rëndom kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz.

Menjëherë pas shpërthimit të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin në shkurt, Irani praktikisht ndaloi pjesën më të madhe të trafikut detar nëpër ngushticë, duke kryer sulme ndaj anijeve ndërkombëtare.

Sulmet ndaj anijeve në Hormuz kanë shkaktuar çrregullime në tregjet globale të energjisë dhe e kanë bërë rihapjen e kësaj rruge ujore jetike një nga çështjet kryesore të negociatave që pasuan mes SHBA-së dhe Iranit.

Javëve të fundit rinisën luftimet, pasi SHBA-ja e akuzoi Iranin për sulme ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit, sulme që zhbënë një marrëveshje armëpushimi që u arrit në muajin qershor.

SHBA-ja ka thënë se Irani po e përdor këtë ngushticë si mjet presioni, duke argumentuar se ajo është një korridor ndërkombëtar që mbrohet nga e drejta ndërkombëtare.  / abcnews.al /

Mbi 5.500 viktima një muaj pas tërmeteve në Venezuelë, dëmet arrijnë mbi 19 miliardë dollarë

26 July 2026 at 21:42

Një muaj pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën, numri zyrtar i viktimave ka arritur në 5.546, ndërsa 16.740 persona kanë mbetur të plagosur.

Dy tërmetet me magnitudë 7,2 dhe 7,5 goditën veriun e vendit natën e 24 qershorit, vetëm 39 sekonda larg njëri-tjetrit, në një fenomen të rrallë të njohur si “dublet sizmik”. Sipas autoriteteve, kjo është një nga fatkeqësitë natyrore më të rënda që ka përjetuar Venezuela në më shumë se një shekull.

Bilanci i përditësuar u publikua nga presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, i cili tha se numri i viktimave mund të rritet më tej, pasi vijon pastrimi i rrënojave.

Autoritetet nuk kanë përditësuar numrin zyrtar të personave të zhdukur që prej 25 qershorit, kur raportuan 157 persona të humbur. Ndërkohë, një nismë qytetare ka regjistruar rreth 29.500 raportime për persona, vendndodhja e të cilëve mbetet e panjohur, duke nxitur debat për mospërputhjen mes të dhënave zyrtare dhe raportimeve të qytetarëve.

Sipas vlerësimit të Bankës Botërore, dëmet fizike nga tërmetet arrijnë në rreth 19,6 miliardë dollarë. Prej tyre, rreth 9,3 miliardë dollarë janë dëme në banesa, 5,2 miliardë dollarë në infrastrukturën publike dhe afro 5 miliardë dollarë në ndërtesa tregtare dhe industriale.

Nga fatkeqësia kanë mbetur pa banesë 17.907 familje. Mbi 23.000 persona vazhdojnë të strehohen në 107 qendra të përkohshme në Karakas.

Ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po përfundojnë, autoritetet kanë kaluar në fazën e pastrimit të rrënojave dhe të rindërtimit. Sipas tyre, rikthimi i plotë në normalitet dhe rindërtimi i zonave të prekura pritet të zgjasë me muaj, ndërsa në disa raste edhe me vite.

Krimi i trefishtë në Roskovec/ Momenti kur RENEA negocion me 35 vjeçarin Nertil Buzi

26 July 2026 at 21:26

ABC News ka siguruar  pamje ekskluzive nga momenti kur forcat speciale RENEA rrethojnë automjetin e Nertil Buzit, pas pengmarrjes së 24-vjeçares Rozalinda Plaku në fshatin Vidhisht, Roskovec. Në vendngjarje ishin të pranishëm edhe prokurorët e Prokurorisë së Fierit, të cilët ndoqën nga afër operacionin.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të negociatorëve për t’i dhënë fund situatës pa pasoja të tjera, Nertil Buzi refuzoi të dorëzohej. Pas një operacioni të gjatë dhe delikat, 24-vjeçarja Rozalinda Plaku u lirua e padëmtuar dhe u dërgua në një zonë të sigurt. Negociatat e punonjësve të policisë me 35-vjeçarin vijuan edhe për disa orë me radhë, derisa ky i fundit i dha fund jetës brenda makinës.

Ngjarja e rëndë nisi që në orët e para të mëngjesit të së premtes, në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku Nertil (Refit) Buzi shkoi në banesën e ish-të fejuarës së tij dhe qëlloi me armë zjarri ndaj prindërve të saj. Si pasojë e të shtënave humbën jetën dy prindërit e 24-vjeçares, ndërsa më pas autori e mori peng të renë dhe u largua me automjet.

Për disa orë, dhjetëra forca policie, efektivë të RENEA-s dhe negociatorë zhvilluan një operacion të gjerë për lokalizimin dhe izolimin e autorit, duke bërë çdo përpjekje për ta zgjidhur situatën pa rrezikuar jetën e pengut. Pas lirimit të Rozalinda Plakut, operacioni mori fund me gjetjen e pajetë të 35-vjeçarit brenda automjetit.

Putin me deklaratë nxitëse: Ukraina do të ndahet në disa pjesë

26 July 2026 at 21:15

Presidenti rus, Vladimir Putin ka bërë deklarata të reja për territoret perëndimore të Ukrainës, duke pretenduar se këto zona mund t’i kthehen në të ardhmen vendeve që, sipas tij, i kanë pasur historikisht.

Gjatë një deklarate, Putin tha se disa territore në perëndim të Ukrainës iu dhanë shtetit ukrainas nga lideri sovjetik, Joseph Stalin pas Luftës së Dytë Botërore, por shtoi se kjo ishte bërë në kuadër të një shteti të vetëm sovjetik.

“Me sa duket, Stalini nuk e kishte menduar kurrë se mund të krijohej një situatë si ajo e sotmja”, deklaroi Putin.

Ai pretendoi se Ukraina “herët ose vonë” do t’i humbasë këto territore dhe se zonat që dikur i përkisnin Polonisë, Hungarisë dhe Rumanisë “do të kthehen historikisht në vendin e tyre”.

Putin gjithashtu përsëriti pretendimin e tij se Rusia nuk ka nisur luftën në Ukrainë dhe se nuk ka pasur agresion nga ana ruse.

“Ne po u përgjigjemi veprimeve të Ukrainës, e cila ka nisur armiqësitë me mbështetjen e Perëndimit”, tha ai.

Deklaratat e presidentit rus vijnë në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon dhe çështjet territoriale mbeten ndër pikat më të ndjeshme në çdo diskutim për një zgjidhje të mundshme diplomatike.

 

Shtëpia e perëndive greke hyn në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s

26 July 2026 at 20:55

UNESCO vendosi këtë të diel, 26 korrik, në Korenë e Jugut, që mali ikonik grek, ai i Olimpit, të shtohet në Listën e Trashëgimisë Botërore.

Pjesë e kësaj liste u bënë gjithashtu kryeqytetet e lashta japoneze, Asuka dhe Fujiwara, Peizazhi Migrator Boma-Badingilo i Sudanit Jugor, si dhe plazhet e zbarkimit të Luftës së Dytë Botërore në Francën Veriore.

Përpjekjet e Greqisë për Olimpin që prej vitit 2014

Me një lartësi prej 2.918 metrash, Olimpi konsiderohet në mitologjinë greke si froni i Zeusit, mbretit të perëndive, teksa njëkohësisht është një nga zonat me biodiversitetin më të pasur në Evropë.

Prej vitesh, Greqia i ka kërkuar UNESCO-s përfshirjen e Malit të Olimpit në Listën e Trashëgimisë Botërore. Aplikimi i parë u dorëzua në vitin 2014, duke u mbështetur si në rëndësinë e tij kulturore dhe mitologjike, ashtu edhe në vlerat e jashtëzakonshme natyrore.

Zona u shpall Parku i parë Kombëtar i Greqisë në vitin 1938, për shkak të peizazhit unik, që përfshin pyje të dendura, livadhe alpine, gryka, kanione dhe burime ujore, të gjitha shumë pranë bregdetit. Sipas Homerit, maja e Olimpit ishte “selia e të pavdekshmëve”, vendi ku Zeusi ushtronte pushtetin e tij.

Qyteti më i afërt me malin është Litochoro, vetëm pesë kilometra larg plazheve të Egjeut. Në vitin 1981, UNESCO e shpalli Olimpin Rezervë të Biosferës, ndërsa në vitin 2021 zona fitoi mbrojtje shtesë, duke u shpallur park kombëtar.

Vetëm vitin e kaluar, zona u vizitua nga rreth 500 mijë turistë, e tashmë autoritetet greke presin rritje të numrit të vizitorëve. Shkak për këtë rritje, nuk është vetëm futja e malit në Listën e Trashëgimisë Botërore, por dhe nga filmi “The Odyssey”, i regjisorit Christopher Nolan, një pjesë e së cilit u xhirua në shtetin fqinj.

Autoritetet greke kanë theksuar rëndësinë fetare të kësaj zone, për shkak të një shenjtëroreje në një nga majat më të ulëta të malit. Besohet se kjo është shenjtërorja e përshkruar nga Plutarku në shekullin II pas Krishtit, ku kryheshin flijime në nder të Zeusit.

Në malin Olimp ndodhet edhe kapela ortodokse e krishterë në lartësinë më të madhe në botë, ndërsa në shpatet e tij gjenden manastire bizantine dhe objekte të tjera kulti.

Plazhet që ndryshuan rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore

Përfshirja në listë përfshin pesë plazhet e zbarkimit në Normandi: Omaha, Utah, Sword, Gold dhe Juno, si dhe zonën e sulmit në Pointe du Hoc. Pikërisht në këto vende, më 6 qershor 1944, më shumë se 150 mijë ushtarë aleatë zbarkuan për të nisur ofensivën që çoi në çlirimin e Evropës Perëndimore nga pushtimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Këshilli Ndërkombëtar për Monumentet dhe Vendet (ICOMOS), organi që vlerëson kandidaturat për UNESCO-n, theksoi se këto zona ruajnë ende gjurmë të shumta të luftës, përfshirë fortifikime gjermane, peizazhe të dëmtuara nga bombardimet, struktura portuale të ndërtuara nga aleatët dhe anije të fundosura.

Sipas ICOMOS, këto vende përfaqësojnë një ngjarje që konsiderohet gjerësisht si momenti që bëri të mundur rikthimin e lirisë dhe hodhi themelet e një paqeje të qëndrueshme në kontinentin evropian.

ICOMOS bëri thirrje gjithashtu për forcimin e masave të monitorimit dhe mbrojtjes së këtyre zonave, duke paralajmëruar se ato përballen me rreziqe nga turizmi në rritje, ndryshimet klimatike, ngritja e nivelit të detit dhe zhvillimi i parqeve me turbina ere pranë tyre.

Asuka-Fujiwara, dëshmi e historisë së hershme të Japonisë

Siti Asuka-Fujiwara përbëhet nga 19 zona arkeologjike që datojnë nga shekulli i VI deri në shekullin e VIII dhe lidhen me kryeqytetet e lashta perandorake japoneze Asuka dhe Fujiwara. Këto monumente janë të shpërndara në fshatin Asuka dhe në qytetet Kashihara e Sakurai, në prefekturën Nara.

Kompleksi përfshin rrënojat e Pallatit Asuka dhe Pallatit Fujiwara, i cili pasoi Asukën si kryeqytet i Perandorisë Japoneze. Pjesë e tij është edhe varri Takamatsuzuka, i njohur për afresket e tij shumëngjyrëshe, të cilat janë shpallur Thesar Kombëtar i Japonisë.

Asuka-Fujiwara u përfshi në Listën Paraprake të UNESCO-s në vitin 2007. Megjithatë, u deshën vite për të dëshmuar “vlerën e jashtëzakonshme universale”, kriter ky thelbësor për t’u regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore, si edhe për të krijuar masat e nevojshme për mbrojtjen dhe ruajtjen e këtij kompleksi historik.

Boma-Badingilo, shtëpia e migrimit më të madh të gjitarëve në botë

Kjo zonë strehon migrimin më të madh të njohur të gjitarëve tokësorë në botë, ndërsa biodiversiteti i saj unik e bën një ekosistem me rëndësi të jashtëzakonshme globale.

Përveç vlerave natyrore, Boma-Badingilo pasqyron edhe diversitetin kulturor dhe gjuhësor të rajonit. Prej shekujsh, madje mijëvjeçarësh, disa grupe etnike kanë qenë kujdestarë të këtij peizazhi, duke jetuar përmes blegtorisë, bujqësisë dhe peshkimit.

Megjithatë, Komiteti i UNESCO-s ka ngritur shqetësime serioze për kërcënimet me të cilat përballet kjo zonë. Ndër rreziqet kryesore përmenden zhvillimi i infrastrukturës, gjuetia e paligjshme për qëllime tregtare, trafikimi i kafshëve të egra dhe tregtia e tyre, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në popullatat e mëdha të gjitarëve migrues.

UNESCO thekson gjithashtu se pasiguria e vazhdueshme në rajon, si dhe mungesa e kapaciteteve institucionale dhe financiare, e vështirësojnë mbrojtjen dhe ruajtjen efektive të kësaj pasurie natyrore me rëndësi botërore.

Zjarret masive përfshijnë Francën dhe Spanjën, mbi 320 mijë persona evakuohen nga banesat

26 July 2026 at 20:19

Franca dhe Spanja po përballen me një nga situatat më të rënda të viteve të fundit, ndërsa zjarre gjigante pyjore vazhdojnë të përhapen me shpejtësi.

Mbi 320 mijë persona janë detyruar të evakuohen nga banesat e tyre, ndërsa flakët në jugperëndim të Francës kanë arritur vetëm 15 kilometra larg qytetit të Bordeaux.

Sipas autoriteteve franceze, zjarri i madh në rajonin Gironde, pranë bregdetit të Atlantikut, është përhapur me shpejtësi gjatë natës dhe deri më tani ka djegur rreth 420 mijë hektarë tokë.

Megjithëse flakët ndodhen shumë pranë Bordeaux, kryebashkiaku i qytetit, Thomas Cazenave, deklaroi se për momentin nuk është marrë vendim për evakuimin e qytetit.

Qeveria franceze vlerëson se operacioni i evakuimit në zonën e Bordeaux mund të jetë më i madhi i zhvilluar ndonjëherë në Francë në kohë paqeje.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, tha se situata mbetet “shumë e vështirë”, pasi zjarri është bërë i paparashikueshëm, duke u përhapur drejt zonave të banuara.

Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar mbi 4.150 zjarrfikës, 18 avionë zjarrfikës, rreth 1.500 ushtarë, si dhe ekipe ndërkombëtare, përfshirë edhe një njësi nga Zvicra.
Autoritetet franceze paralajmërojnë se vala e re e të nxehtit që pritet javën e ardhshme mund ta përkeqësojë edhe më tej situatën.

Ndërkohë, edhe Spanja po përjeton një situatë kritike. Kryeministri Pedro Sánchez bëri thirrje për një marrëveshje kombëtare për përballimin e pasojave të ndryshimeve klimatike, duke paralajmëruar se vendin e presin ditë të vështira.

Rreth 75 mijë persona janë evakuuar nga zonat përreth Madridit dhe në rajonin e Valencias, ku erërat e forta po favorizojnë përhapjen e flakëve. Zjarret kanë shkatërruar rreth 250 mijë hektarë tokë në perëndim të kryeqytetit spanjoll.

Sekretarja e Përgjithshme e Mbrojtjes Civile të Spanjës, Virginia Barcones, deklaroi se vendi po përballet me një emergjencë kombëtare, me një front zjarri që shtrihet në rreth 280 kilometra, nga Komuniteti i Madridit deri në provincat Ávila dhe Toledo.

Edhe mbreti Felipe VI reagoi ndaj situatës, duke shprehur keqardhjen për humbjen e trashëgimisë natyrore të vendit. Ai tha se shumë familje janë detyruar të largohen prej ditësh nga shtëpitë e tyre, ndërsa të tjera kanë humbur gjithçka nga zjarret.

Autoritetet në të dy vendet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, pasi kushtet e motit dhe temperaturat e larta vazhdojnë të favorizojnë përhapjen e flakëve.  / abcnews.al /

Vatër zjarri në kodrat e Peshtanit, zjarrfikësit në vendngjarje

26 July 2026 at 20:09

Nje vater zjarri është shfaqur në kodrat e Peshtanit. Zjarrfikësit e Fierit po punojne per shuarjen e flakëve. Era e fortë favorizon përhapjen e flakëve. Dy vjet më parë ne këtë zonë u dogjën qindra ha. Zona është me pyllësi të dendur

Sulmi në “Paradën e Krenarisë” në Berlin/ Policia vret autorin e dyshuar

26 July 2026 at 19:46

I dyshuari për sulmin në aktivitetin e “Paradës së Krenarisë” në Berlin është qëlluar për vdekje nga policia gjermane, raportojnë mediat vendase.

Sipas transmetuesit rajonal Rundfunk Berlin-Brandenburg (RBB), personi i identifikuar si Abdul Ballout, 21 vjeç, u vra gjatë një operacioni policor në një kompleks kopshtesh në zonën Spandau të Berlinit.

Policia kishte nisur një operacion të gjerë kërkimi pas sulmit, me përfshirjen e qindra efektivëve.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të mbrëmjes së kaluar, gjatë një aktiviteti të komunitetit Pride në kryeqytetin gjerman.

Autoritetet gjermane më herët kishin deklaruar se Ballout, i lindur në Gjermani dhe me prejardhje libaneze, ishte i lidhur me atë që policia e përshkroi si “skena islamiste” në Berlin.

Hetimet për të zbardhur motivin e sulmit dhe rrethanat e plota të ngjarjes po vazhdojnë. Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të analizave të provave të mbledhura.

/ abcnews.al /

“Qytetarët kanë humbur besimin edhe te partitë e vogla”, Rada: Në protestë, elektorati gri

26 July 2026 at 19:40

Gazetari Ardit Rada ka komentuar pakënaqësinë qytetare dhe raportin e njerëzve me partitë politike, duke u shprehur se një pjesë e madhe e qytetarëve kanë humbur shpresën te partitë e mëdha, por edhe te ato të vogla.

Sipas Radës, këta qytetarë nuk po gjejnë një lidership që t’i organizojë në një forcë të re elektorale, ndërsa një pjesë e tyre zgjedhin të mos votojnë.

Sipas gazetarit, problemi qëndron te mungesa e një përfaqësimi të ri politik që të mund të kanalizojë këtë pakënaqësi qytetare.

“Në protestë, qytetarët atje e kanë humbur shpresën nga partitë e mëdha, por dhe të vogla, dhe nuk gjejnë dot një lidership për t’u organizuar në parti elektorale. Janë qytetarë që nuk votojnë, janë 20-23 për qind. Ka një qytet më i madhi i jugut, ku kryetarja është zgjedhur me 17 për qind të votave. Pakënaqësia popullore reflektohet në pjesëmarrjen në zgjedhje. Nuk e vendosim dot gishtin pse nuk keni përfaqësi.”

Protesta/ Gazetari Sadikaj: Ka fije të vogla apo të mëdha politike që nuk arrijnë të përfaqësojnë njerëz

26 July 2026 at 19:31

Gazetari Patrik Sadikaj ka komentuar zhvillimet e protestës, duke u shprehur se në fillim u krijua përshtypja e një momenti real thyerjeje, por sipas tij, situata më pas u devijua drejt elementeve dytësore.

Sipas gazetarit, pakënaqësitë reale lidhen edhe me çështje ekonomike, si rritja e çmimeve të karburanteve, kostot në bregdet dhe vështirësitë e përditshme të qytetarëve.

Ai vlerësoi se protesta, përtej zemërimit qytetar, mbart edhe elementë politikë që nuk arrijnë të krijojnë një përfaqësim të gjerë dhe se disa aktorë politikë po përpiqen të udhëheqin një lëvizje që nuk e kanë ndërtuar vetë.

“Në këndvështrimin e parë, u duk sikur kishte vërtet një thyerje, por më pas Rama e tërhoqi me lojën e tij, duke u marrë me gjëra të vogla të protestës, duke goditur elemente të caktuara. Në atë shesh nuk dalin njerëzit më të ndritur; më duket zbrazje e delirit të madhështisë. Thyerje mendoj se është dhe në aspektin ekonomik, rritja e çmimeve të karburanteve, çmimet në bregdet, frytet e përvitshme. Po të ishte një qasje e drejtë e protestës për këto problematika, votuesit thonë: ne të votuam, po e duam naftën kaq.

Kjo protestë, përveç pretekstit të zëmërimit, ka fije të vogla apo të mëdha politike që nuk arrijnë të përfaqësojnë njerëz, dhe i hipin një kali që nuk e shalojnë vetë.”

Silvio Gazzaniga, skulptori milanez që krijoi trofeun më të famshëm të futbollit botëror

26 July 2026 at 18:57

Pak njerëz e dinë emrin e tij, por miliarda tifozë në mbarë botën e njohin veprën që ai krijoi. Silvio Gazzaniga, skulptori italian nga Milano, është autori i trofeut të Kupës së Botës FIFA, simbolit më të lakmuar në futboll, i cili ngrihet lart nga kampionët e botës që prej vitit 1974.

Historia e këtij trofeu nisi pas Kupës së Botës 1970, kur Brazili fitoi për herë të tretë turneun dhe, sipas rregullave të asaj kohe, mori përgjithmonë trofeun origjinal Jules Rimet. FIFA vendosi të organizonte një konkurs ndërkombëtar për krijimin e një trofeu të ri dhe mes dhjetëra propozimeve u përzgjodh projekti i Silvio Gazzanigës, i cili në atë kohë punonte për kompaninë italiane të medaljeve dhe trofeve G.D.E. Bertoni.

Dizajni i Gazzanigës paraqet dy figura njerëzore që ngrihen drejt qiellit duke mbajtur globin e Tokës. Sipas vetë artistit, ideja ishte të përfaqësonte energjinë, përpjekjen dhe gëzimin e fitores, emocionet që kulmojnë në momentin kur një ekip shpallet kampion bote. Trofeu është realizuar me ar 18-karatësh, ka një lartësi prej 36,8 centimetrash dhe peshon rreth 6,1 kilogramë. Baza e tij është zbukuruar me gurin e gjelbër malakit, që simbolizon fushën e futbollit.

Silvio Gazzaniga nuk krijoi vetëm trofeun e Kupës së Botës. Gjatë karrierës së tij ai projektoi edhe disa nga trofetë më të njohur të futbollit evropian, përfshirë Kupën UEFA, Superkupën e UEFA-s dhe Kupën Ndërkontinentale. I diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura Brera në Milano, ai u shqua për aftësinë për të kombinuar elegancën artistike me simbolikën sportive.

Ndryshe nga trofeu i vjetër Jules Rimet, trofeu i krijuar nga Gazzaniga nuk mund të mbahet përgjithmonë nga asnjë kombëtare, pavarësisht numrit të titujve të fituar. Trofeu origjinal mbetet pronë e FIFA-s dhe ruhet në Muzeun e FIFA-s në Zyrih, ndërsa skuadrat kampione marrin një kopje zyrtare për ta mbajtur në koleksionet e tyre.

Silvio Gazzaniga u nda nga jeta në vitin 2016, në moshën 95-vjeçare, por krijimi i tij vazhdon të jetë një nga simbolet më të njohura të sportit botëror. Çdo katër vjet, kur kapiteni i skuadrës kampione ngre lart trofeun e artë, vepra e skulptorit milanez rikthehet në qendër të vëmendjes, duke dëshmuar se arti dhe sporti mund të bashkohen për të krijuar një ikonë të pavdekshme.

Zjarr në Gargano të Italisë, turistët evakuohen në anijet e Rojës Bregdetare/ Flakët përhapen drejt disa zonave të banuara

26 July 2026 at 18:30

Një zjarr në shkallë të gjerë ka shpërthyer në Gadishullin Gargano, në zonën rurale dhe periferike të komunës së Peschici-t, në provincën e Foggia-s, pranë Gjirit të Manaccorës.

Flakët arritën në zonat bregdetare të Peschici-t dhe Vieste-s, destinacione të njohura verore. Turistët u evakuuan nga plazhet me anije të rojes bregdetare, ndërsa sipas mediave vendase, nuk ka pasur raportime për të lënduar ose viktima.

Dy automjete zjarrfikëse Canadair, së bashku me personelin e mbrojtjes civile, po punojnë në vendngjarje për vënien e flakëve në kontroll.

Retë e tymit janë të dukshme nga dhjetëra kilometra larg bregdetit.

Flakët aktualisht po prekin edhe bregdetin e Molise-s së Poshtme, pikërisht në kufirin me Garganon. Turistët janë evakuuar nga kampingjet dhe vendpushimet në plazh. Njëzet e një të moshuar nga një azil pleqsh janë zhvendosur në ndërtesat e kishës dhe famullisë.

Flakët, të nxitura nga nxehtësia dhe erërat e forta jugperëndimore, kanë përpirë bimësinë natyrore dhe janë përhapur me shpejtësi drejt disa zonave të banuara dhe turistike, duke krijuar probleme për trafikun hekurudhor dhe rrugor për shkak të kolonave të larta të tymit.   / abcnews.al /

Shpërthen cisterna e naftës në Hormuz/ Dyshohet se u përplas me një minë nënujore

26 July 2026 at 17:56

Një anije cisternë nafte ka shpërthyer në Ngushticën e Hormuzit pasi dyshohet se është përplasur me një minë detare, raportojnë mediat iraniane. Ngjarja ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e një prej rrugëve më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, deklaroi se ka pasur përparim në bisedimet me Omanin për krijimin e mekanizmave që do të garantojnë trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit. Raportimet vijnë në një moment qetësie relative, pasi kanë kaluar dy net rresht pa sulme amerikane ndaj Iranit, pas gati dy javësh bombardimesh të ndërsjella. Teherani ka bërë të ditur se, në përgjigje të kësaj pauze, ka ndaluar gjithashtu sulmet hakmarrëse ndaj objektivave amerikane në rajon.

Megjithatë, tensionet mbeten të larta. Irani ka thirrur diplomatët ukrainas pas një sulmi ndaj një anijeje iraniane në Detin Kaspik, ku një marinar humbi jetën dhe një tjetër u plagos.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe strategjike, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimeve globale me naftë. Çdo incident në këtë zonë mund të ndikojë në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe të rrisë frikën për një përshkallëzim të ri rajonal.

 

Raketa ruse godet një lagje të Kharkivit, të paktën 12 të plagosur

26 July 2026 at 17:20

Të paktën 12 persona janë lënduar si pasojë e një sulmi raketor që goditi sot qytetin e Kharkivit në Ukrainë.

Sipas raportimeve të mediave lokale, raketa goditi një nga lagjet e qytetit, ndërsa në rrjetet sociale janë publikuar pamje që tregojnë pasojat e sulmit.

Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se, sipas të dhënave paraprake, 12 persona kanë mbetur të lënduar.

Ekipet e emergjencës kanë dalë në vendngjarje dhe po punojnë për ofrimin e ndihmës ndaj të prekurve, ndërsa dëmet materiale janë ende duke u vlerësuar.

Nuk janë bërë të ditura ende detaje të tjera mbi objektivin e goditur apo gjendjen e të lënduarve.

Kriza e luftës, bota po konsumon më pak naftë/ Kina dhe SHBA shfrytëzojnë rezervën strategjike

26 July 2026 at 16:58

Dy forcat kryesore që mbajnë në ekuilibër tregun botëror të naftës janë oferta dhe kërkesa. Por tani lufta mes Iranit dhe SHBA-ve i ka tronditur të dyja, ndërsa njëra prej tyre mund të jetë dëmtuar për një kohë shumë të gjatë.

Në anën e ofertës, situata mbetet kaotike. Teprica historike e naftës u shndërrua fillimisht në goditjen më të madhe të furnizimit të tregut. Më pas, në muajin qershor, në treg hynë sasi të tjera të mëdha nafte. Tani, përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka kufizuar sasinë e naftës që vjen nga vendet e Gjirit Persik, duke rikthyer pasigurinë në tregjet ndërkombëtare.

Por edhe më e vështirë për t’u kuptuar është situata në anën e kërkesës.

Gjatë pesë muajve të luftës, ekonomia botërore është përshtatur me mungesat në furnizim dhe ka mësuar të funksionojë duke konsumuar më pak naftë. Muajin e kaluar, qindra miliona fuçi që kishin mbetur të bllokuara në Ngushticën e Hormuzit dolën më në fund në treg, por u përballën me mungesë interesi nga blerësit. Një pjesë e naftës së Lindjes së Mesme u shit vetëm pasi çmimi i saj u ul ndjeshëm. Arsyet pse bota po blen më pak naftë janë të shumta dhe komplekse. Po aq e ndërlikuar pritet të jetë edhe zgjidhja.

Në tre javët e shkurtra gjatë të cilave Ngushtica e Hormuzit u rihap pjesërisht, ndodhi diçka e papritur. Mbi 200 milionë fuçi naftë, të bllokuara në Gjirin Persik, dolën shpejt në treg, por blerësit nuk reaguan.

Kompania Qatar Energy dhe kompania shtetërore e Emirateve të Bashkuara Arabe u detyruan të ulnin çmimin e naftës me 6 deri në 9 dollarë për fuçi, për të gjetur blerës në Azinë Juglindore.

Aktualisht, mbi 18 milionë fuçi naftë, që nuk i përkasin Iranit, ndodhen ende në cisterna jashtë Gjirit Persik, në pritje të blerësve. Ky është një nivel më shumë se dy herë e gjysmë më i lartë se ai para fillimit të luftës.

Edhe Irani ka hasur vështirësi shumë më të mëdha në shitjen e naftës së tij. Pas memorandumit të mirëkuptimit me Shtetet e Bashkuara, vendi arriti të eksportojë rreth 70 milionë fuçi përmes Ngushticës së Hormuzit. Megjithëse Uashingtoni dha një lehtësim të përkohshëm të sanksioneve, Kina mbeti praktikisht blerësi i vetëm.

Megjithatë, edhe Pekini uli ndjeshëm importet nga Irani. Sipas të dhënave të kompanisë Kpler, blerjet kineze ranë nga rreth 1.5 milionë fuçi në ditë në vetëm 630 mijë fuçi në ditë gjatë muajit të kaluar. Në nivel global, kërkesa për naftë vazhdon të mbetet rojnë pranë kapacitetit maksimal, veçanërisht pasi gjatë luftës Iranireth 4 milionë fuçi në ditë më e ulët krahasuar me periudhën para luftës.

Një nga arsyet kryesore është mungesa e kapaciteteve për përpunimin e sasive të mëdha të naftës. Rafineritë në shumë vende po punojnë pranë kapacitetit maksimal, veçanërisht pasi gjatë luftës Irani goditi rreth 30 rafineri në Lindjen e Mesme.

Shumica e analizave ia atribuojnë këtë ngadalësim Kinës. Dobësimi i kërkesës nga ekonomia e dytë më e madhe në botë ka ushtruar presion të fortë mbi çmimet ndërkombëtare të naftës. Kjo është edhe arsyeja pse çmimi i naftës nuk arriti nivelet rekord të vitit 2008 apo ato të krizës së vitit 2022, megjithëse tronditja aktuale e furnizimit është shumë më e madhe.

Kina mbështetet pothuajse plotësisht te importet për të siguruar nevojat e saj për naftë. Megjithatë, gjatë luftës, importet kineze ranë nga mbi 12 milionë fuçi rritën ndjeshëm dhe numri i tyre në qarkullim u shtua me rreth një të tretën. Në të njëjtën kohë, autoritetet vendosën kufizime të reja për prodhimin e benzinës, naftës në ditë në më pak se 8 milionë fuçi.

Një pjesë e kësaj rënieje mund të jetë afatgjatë. Gjatë konfliktit, shitjet e automjeteve elektrike në Kinë u rritën ndjeshëm dhe numri i tyre në qarkullim u shtua me rreth një të tretën. Në të njëjtën kohë, autoritetet vendosën kufizime të reja për prodhimin e benzinës, naftës dhe karburantit për avionë në rafineritë e vendit.

Megjithatë, analistët vlerësojnë se arsyeja kryesore nuk është braktisja e naftës, por përgatitja e hershme e Kinës për një skenar të tillë.

Përpara shpërthimit të luftës, Pekini krijoi rezerva të mëdha strategjike dhe, që prej asaj kohe, është mbështetur kryesisht te këto stoqe, duke ulur nevojën për importe.

Sipas bankës së investimeve Goldman Sachs, Kina po i konsumon rezervat me ritmin e rreth 2 milionë fuçive në ditë, por ende disponon rreth 1.9 miliardë fuçi naftë, të mjaftueshme për afro 117 ditë konsum.

Kur mund të rikthehet kërkesa?

Herët a vonë, Kina do të duhet të rimbushë rezervat strategjike. Kur kjo të ndodhë, kërkesa globale për naftë mund të rritet ndjeshëm dhe, bashkë me të, edhe çmimet.

E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me vendet e tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Rezerva Strategjike Amerikane e Naftës ndodhet në nivelin më të ulët që nga viti 1983. Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë përdori një sasi rekord prej 400 milionë fuçish nga rezervat emergjente për të përballuar krizën e furnizimit, duke krijuar një boshllëk që, në të ardhmen, do të duhet të plotësohet.

Megjithatë, askush nuk është në gjendje të parashikojë se kur do të rikthehet kërkesa.

Banka Goldman Sachs beson se kjo mund të ndodhë së shpejti, pasi Kina synon të ruajë rezerva të larta strategjike. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon rënie të kërkesës gjatë vitit 2026. OPEC pret rritje, ndërsa banka JPMorgan vlerëson se kërkesa do të mbetet pothuajse e pandryshuar.

Edhe vetë ekspertët pranojnë se parashikimi i kërkesës për naftë është bërë jashtëzakonisht i vështirë.

Situata në Lindjen e Mesme vazhdon t’i bëjë blerësit të hezitojnë të rikthehen në treg. Trafiku i cisternave në Ngushticën e Hormuzit ka rënë sërish, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të shtohen. Çmimi i naftës Brent u ngjit përkohësisht në 96 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në më shumë se një muaj.

Situata në tregun global të naftës ndërlikohet me tej pasi rebelët Huthi të Jemenit po zbatojnë një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite. Grupi militant goditi të enjten dy cisterna saudite nafte dhe vendos tani një pengesë të dytë për furnizimet globale me naftë, së bashku me mbylljen pothuajse të plotë të Ngushticës së Hormuzit nga Irani.

Militantët e Jemenit, të cilët kontrollojnë zonat pranë Ngushticës Babel-Mandeb në anën tjetër të Gadishullit Arabik nga Ngushtica e Hormuzit, thanë njoftuan më herët të hënën një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite, në atë që disa analistë e kanë parë si një veprim taktik nga Irani për të ushtruar ndikim në negociata.

Ngushtica Bab el-Mandeb, që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit, është një nga korridoret më strategjikë të transportit të naftës në botë. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, përmes saj kaluan mesatarisht rreth 4.2 milionë fuçi naftë dhe produkte nafte në ditë, ndërsa para sulmeve në Detin e Kuq ky volum arrinte në mbi 9 milionë fuçi në ditë.

Nëse kjo ngushticë mbyllet, anijet detyrohen të devijojnë rrugën përreth Kepit të Shpresës së Mirë në Afrikë, duke shtuar me javë të tëra kohën e transportit dhe duke rritur ndjeshëm kostot e transportit dhe sigurimit. Një bllokim i zgjatur do të kufizojë furnizimin me naftë në tregjet ndërkombëtare, duke ushtruar presion për rritjen e çmimeve dhe duke shtuar pasigurinë në ekonominë globale.

Sipas analistëve, rikthimi i kërkesës kërkon një zgjidhje të qëndrueshme mes SHBA-ve dhe Iranit, e cila t’u japë blerësve besimin se tensionet nuk do të rikthehen. Deri atëherë, shumica e vendeve do të vazhdojnë të mbështeten te rezervat e tyre strategjike, të paktën derisa ato të fillojnë të shterojnë.

Zjarr në Pyllin e Sodës/ Flakët përfshijnë sipërfaqe të konsiderueshme pyjore

26 July 2026 at 16:39

Një zjarr ka përfshirë pasditen e kësaj të diele pyllin e Sodës, pranë rrugës që të çon drejt plazhit të Zvërnecit, në Vlorë.
Flakët janë përhapur me shpejtësi të madhe, të favorizuara nga era e fortë, duke krijuar një situatë problematike në zonë.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për vënien e flakëve nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e tyre në sipërfaqe të tjera.

Vapa ekstreme vijon të përfshijë Francën dhe Spanjën, temperatura deri në 42°C

26 July 2026 at 16:15

Temperaturat e larta do të vazhdojnë të përfshijnë Francën dhe Spanjën edhe gjatë ditëve në vijim, pa asnjë shenjë freskimi. Sipas meteorologëve vendas, termometri pritet të arrijë deri në 42 gradë Celsius javën e ardhshme.

Parashikimet tregojnë se nuk priten reshje shiu në zonat më të prekura nga zjarret, si rajonet Ávila dhe Madrid në Spanjë, si edhe Gironde në Francë, duke rritur shqetësimet për përhapjen e flakëve.

Në rajonin e Madridit, temperatura maksimale për këtë të diel parashikohet të jetë 31 gradë Celsius, e ngjashme me një ditë më parë, ndërsa moti do të jetë i kthjellët dhe me diell.

Sipas Agjencisë Shtetërore Meteorologjike të Spanjës (AEMET), temperaturat do të rriten gradualisht gjatë javës, duke arritur deri në 39 gradë Celsius të mërkurën. Era pritet të fryjë me shpejtësi deri në 20 kilometra në orë, ndërsa reshje shiu nuk parashikohen të paktën deri të enjten, kur mundësia është vetëm 5%.

 

❌