Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Redaksia qendrore miraton fjalësin përfundimtar të “Enciklopedisë shqiptare”

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Në Akademinë e Shkencave është miratuar fjalësi përfundimtar i projektit “Enciklopedia shqiptare”.

Me këtë miratim u përmbyll procesi i hartimit të fjalësit të “Enciklopedisë shqiptare”, për të kaluar në fazën e përcaktimit të madhësisë së artikujve e të autoreve deri në fund të marsit e pas kësaj fillon shkrimi i artikujve. Gjatë kësaj kohe, do të evidentohen dublimet në fjalës dhe do të sistemohet alfabetikisht e tërë lënda.

Miratimi u bë në mbledhjen e përbashkët, në Tiranë, mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).

Kryetarët e akademive, Skënder Gjinushi dhe Mehmet Kraja, falënderuan redaktoret e redaksive Tiranë-Prishtinë për bashkëpunimin, përgatitjen e takimit, dhe përgatitjen e materialeve përcjellëse.

Në takim ishin të pranishëm akad. Shaban Sinani, akad. Marenglen Verli, akad. Dhimitër Haxhimihali, akad. Sabri Hamiti, akad. Fejzulla Krasniqi, akad. Jusuf Bajraktari, prof. dr. Ajula Jubani, prof. dr. Valbona Toska, drejtori i Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike, Andreas Dushi dhe koordinatoret Drisela Diamanti e Enkelejda Misha.

Akad. Skënder Gjinushi u shpreh se materiali ishte përgatitur në zbatim të detyrave e rekomandimeve të përcaktuara nga redaksia qendrore në dy mbledhjet e mëparshme për paraqitjen dhe shqyrtimi e fjalësve përfundimtarë.

The post Redaksia qendrore miraton fjalësin përfundimtar të “Enciklopedisë shqiptare” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akile Tasi, intelektuali i shquar që vdiq në burgun e regjimit komunist

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot intelektualin dhe ministrin e shtetit shqiptar, Akile Tasi (1891-30 janar 1961).

Tasi lindi më 1891 në Leusë të Përmetit. Arsimin e mori në vendlindje dhe e përfundoi në Boston të SHBA, ku bashkëpunoi me Fan Nolin dhe Faik Konicën në federatën “Vatra”. Emri i tij lidhet edhe me gazetën “Dielli”.

Akile Tasi u kthye në Shqipëri më 1929. Për disa vite organizoi bibliotekën e Oborrit Mbretëror. Më 1932 u emërua drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe e drejtoi këtë institucion deri në vitin 1941.

U zgjodh deputet në Kuvendin Kombëtar në vitin 1943 dhe u caktua drejtues i gazetës “Bashkimit i Kombit”. Më 1944 u emërua Ministër i Kulturës Popullore.

Nuk pranoi të largohej nga Shqipëria. Në dhjetor 1944 u arrestua nga partizanët dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie nga famëkeqi Gjyqi Special. Dënimin e vuajti në kampin e Maliqit, Vloçishtit, Bedenit, si dhe në burgun e Burrelit.

Teksa vuante nga një gjendje e rëndë shëndetësore, atij iu refuzua çdo lutje me shkrim drejtuar autoriteteve. Ndërroi jetë më 30 janar 1961 në burgun e Tiranës. /j.p/

The post Akile Tasi, intelektuali i shquar që vdiq në burgun e regjimit komunist appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kishës Ortodokse i rikthehen 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë”

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joanin.

“Falë një operacioni të suksesshëm të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, u bë i mundur shpëtimi nga trafikimi i pasurive me vlera kulturore kombëtare”, tha ministri gjatë takimit duke shpjeguar më tej se, ekspertët identifikuan 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit, të cilat po i rikthehen Kishës Ortodokse pas 14 vitesh mungesë.

Ministri Gonxhja theksoi se, kthimi i këtyre pasurive kulturore është shembull domethënës që dëshmon se sa jetik është regjistrimi i pasurive kulturore si mjeti i vetëm dhe i besueshëm për identifikimin e origjinës së tyre, në rastet kur ato rrezikojnë të trafikohen apo humbasin.

“Ky rikthim nuk është vetëm një akt ligjor, por një akt drejtësie historike dhe shpirtërore”, tha Gonxhja.

Ministri siguroi se do të vijojë bashkëpunimi me Policinë e Shtetit, me kryepeshkopin Joan dhe të gjitha komunitetet e tjera fetare, me qëllim gjetjen dhe rikthimin e objekteve të tjera të deklaruara të humbura, në një angazhim të pa kompromis për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Kryepeshkopit Joan falënderoi të gjithë ata njerëz që i gjetën dhe i mblodhën 10 ikona shumë të bukura dhe shumë të rëndësishme për historinë tonë. Ai shprehu mirënjohjen ndaj ministrit, i cili pati angazhimin dhe dëshirën për t’ia kthyer përsëri Kishës Ortodokse, këto ikona.

“Ne jemi të gjithë të angazhuar për ta mbrojtur këtë kulturë e këtë identitet dhe kjo është një nga pasaportat tona edhe për identitetin tonë evropian, e të kulturës evropiane”, tha kryepeshkopi Joan. /j.p/

 

1 nga 4

The post Kishës Ortodokse i rikthehen 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Tish Daija i dha muzikës sonë dinjitet dhe përmasë ndërkombëtare

 

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, kujtoi në 100-vjetorin e lindjes kompozitorin Tish Daija duke e cilësuar si një nga figurat më themelore të kulturës dhe muzikës shqiptare.

“Tish Daija ishte kompozitor, akademik, pedagog dhe krijues vizionar, që vendosi gurë themeli në artin skenik e simfonik kombëtar”, shkroi ministri Blendi Gonxhja.

Me një krijimtari të jashtëzakonshme, nga baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, te operat, operetat, veprat simfonike, muzika e filmit dhe muzika e lehtë, Tish Daija ndërtoi ura mes folklorit burimor dhe shprehjes bashkëkohore, duke i dhënë muzikës sonë identitet, dinjitet dhe një përmasë ndërkombëtare.

Tish Daija ka qenë edhe drejtues i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe pedagog formues i brezave të tërë artistësh, duke mbetur pishtar i trashëgimisë dhe i shijes artistike shqiptare.

“Në këtë përvjetor jubilar, përulemi me mirënjohje përpara veprës së tij madhore, që vijon të frymëzojë, të edukoje dhe të përfaqësojë Shqipërinë me dinjitet në skenat e botës”, u shpreh kreu i MTKS-së. /j.p/

The post Gonxhja: Tish Daija i dha muzikës sonë dinjitet dhe përmasë ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tish Daija, mjeshtri i madh i muzikës shqiptare

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Më 30 janar të vititi 1926 lindi Tish Daija (1926-2003), kompozitor, Artist i Popullit, akademik, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Tish Daija lindi në Shkodër. Afrimi i tij me muzikën nisi në vitet e fëmijërisë: 6 vjeç këndonte në korin françeskan, më pas ishte anëtar i orkestrës frymore të Prenk Jakovës. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua për kompozicion në Konservatorin “P. I. Çajkovski” (Moskë, 1951–1956). Punoi në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës dhe si udhëheqës artistik i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore (1962–1980).

Fillimet kompozicionale i pati me disa këngë me stil popullor (“Çike, o mori çike”, “Me lule t’bukra” etj.) të cilat ndikoheshin nga muzika qytetare shkodrane. Në gjysmën e dytë të viteve ’50 krijimtaria e tij njohu zhvillime të mirëfillta profesioniste me vepra instrumentale dhe orkestrale, si Kuarteti i parë i harqeve (1955) dhe Suita orkestrale “Një ditë pikniku” (1955). Me operetën “Lejlaja” (1957) dhe operën “Pranvera” (1960) renditet mes krijuesve të parë të këtyre gjinive skenike; me baletin “Halili dhe Hajrija” (1962) u bë krijuesi i baletit të parë shqiptar.

Tish Daija kompozoi gati në të gjitha format e gjinitë muzikore, madje edhe muzikë filmi. Si një ndër përfaqësuesit më origjinalë të këngës shqiptare, Tish Daija shfaqi prirje të vërteta emancipuese për kohën me këngët “Erë pranverore”, “Natën vonë” etj.

Së bashku me Çesk Zadenë krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës.

/j.p/r.e/

The post Tish Daija, mjeshtri i madh i muzikës shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Diskutime mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, së bashku me kryetarin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, pritën në një takim të veçantë, kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Ministri bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë dhe mënyrat se si mund të pasurohet jeta kulturore e qytetit.

“Projekte interesante u paraqitën edhe për muzeun e ri të qytetit, një hapësirë që do të kontribuojë në rritjen e turizmit dhe do të sjellë më shumë vizitorë vit pas viti”, u shpreh ministri Gonxhja.

Ky takim vjen pas vendimit se MTKS do të investojë rreth 1.4 milion euro për rijetësimin e kinemave në vend, gjatë vitit 2026.

Synimi është të rikthehet magjia e filmit tek publiku anekënd vendit. Pritet që, 7 salla kinemaje të përfitojnë nga modernizimi i teknologjisë dhe ambienteve, duke krijuar një hapësirë më tërheqëse dhe komode për të gjithë shikuesit që duan të shijojnë artin e filmit.

/j.p/

The post Diskutime mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkolla e vizatimit, institucioni i parë i artit në Shqipëri

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Më 29 janar 1932 u çel e para shkollë arti në Shqipëri, Shkolla e Vizatimit.

Shkolla e Vizatimit, e çelur në Tiranë, ishte institucioni i parë i artit në Shqipëri, themeluar nga Andrea Kushi, Odhise Paskali dhe Abdurrahim Buza. Ajo synonte edukimin e talenteve të reja me realizëm dhe hodhi bazat e arteve figurative kombëtare, duke u bërë qendër e rëndësishme e realizmit kritik deri në mbylljen e saj më 1939. 

Në atë shkollë të mesme artistike me program të plotë arsimor të kulturës së përgjithshme dhe asaj profesionale, jepnin mësim Odhise Paskali, Andrea Kushi, Abdurrahim Buza dhe Mario Ridola. Ky i fundit, me urdhër të Drejtorisë Teknike Italiane, krijuar enkas pranë Ministrisë së Arsimit, qe emëruar drejtor i shkollës.

Pak kohë më vonë, me urdhër të ministrit të Arsimit Mirash Ivanaj, ai u zëvendësua nga Odhise Paskali. Shkolla e vizatimit kurorëzoi përpjekjet dhe aspiratat e forcave përparimtare për të vënë themelet e edukimit të talenteve të reja, mbi baza profesionale, kombëtare. Në këtë shkollë morën mësimet e para mjeshtrit e shquar të pikturës dhe skulpturës si: Ibrahim Kodra, Sadik Kaceli, Foto Stamo, Shefqet Agalliu, Filip Makoçi etj., që vijuan me sukses studimet më tej, në akademitë e Romës, Parisit, Athinës.

Programet mësimore dhe metodat e mësimdhënies të lëndëve profesionale ishin sipas modeleve të shkollave perëndimore, mbi bazën e studimit realist nga natyra, me kërkesa akademike, por ku ndjehej toleranca dhe shfrytëzimi i kulturës evropiane, futja e elementëve bashkëkohorë. Shkolla e Vizatimit u mbyll në vitin 1939. /j.p/

The post Shkolla e vizatimit, institucioni i parë i artit në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pikturat që u frymëzuan nga letërsia e Ismail Kadaresë

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) u prezantua mbrëmë albumi “100 imazhe – Vepra e Kadaresë në Artet Figurative”.

Albumi u prezantua në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit dhe dokumenton ndikimin e veprës letrare të Ismail Kadaresë në artin pamor shqiptar nga periudha e pasluftës deri në vitin 2025.

Aktiviteti bëri bashkë letërsinë, pikturën dhe reflektimin kulturor në një dialog të përbashkët. Albumi me parathënie nga prof. asoc. dr. Ermir Nika dhe me kurator prof. asoc. dr. Abaz Hado, dokumenton në mënyrë studimore ndikimin e veprës letrare të Ismail Kadaresë në artin pamor shqiptar, duke sjellë pikturat që u frymëzuan nga romanet e tij.

Ky është albumi i dytë në kuadër të projektit “Kadare në Artet Figurative”, pas botimit “100 Portrete”, të cilin UET Press e solli vitin e kaluar me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit të shquar.

Letërsia  e Kadaresë u shndërrua në një formë të heshtur rezistence gjatë komunizmit dhe në një burim frymëzimi në dekadat pasuese. /j.p/

“100 imazhe – Vepra e Kadaresë në Artet Figurative” në COD, foto: Andrin Hoxha
1 nga 14

The post Pikturat që u frymëzuan nga letërsia e Ismail Kadaresë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shtatore bronzi në përkujtim të Ismail Kadaresë

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Në ditën e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, në kafenenë e preferuar të tij, pranë parkut të Liqenit të Tiranës, është vendosur një statujë bronzi.

Vendosja e kësaj skulpture përkujtimore ka qenë një nismë e miqve më të afërt të shkrimtarit.

E pranishme ka qenë edhe bashkëshortja e tij, Helena Kadare e cila u shpreh për mediet se, kjo ditë ka një domethënie të veçantë për të.

“Kjo shtatore e mrekullueshme, në ditëlindjen e Ismailit, ishte një ndjenjë që të mbushte zemrën”, tha Helena Kadare, e cila kujton me mall se si Ismaili vinte çdo ditë në këtë vend, së bashku me botuesin e tij, për shëtitje dhe kafe.

Shtatorja është vepër e skulptorit Henri Mimani, i cili është kujdesur që figura e shkrimtarit të njohur të ishte sa më njerëzore. /j.p/

The post Shtatore bronzi në përkujtim të Ismail Kadaresë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“L’elisir d’amore” rikthehet në Teatrin e Operas pas 14 vjetësh

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit po përgatitet të vërë në skenë një nga operat më të famshme të Gaetano Donizetti-t, “L’elisir d’amore”.

Kjo opera lirike, e karakterizuar nga komiciteti dhe romantizmi, vjen në datat 11, 12, 13 dhe 14 shkurt. Ngjarjet zhvillohen në një fshat piktoresk bregdetar, ku shpaloset historia e Nemorinos, djaloshi naiv dhe i ndrojtur, i cili beson se një elikzir magjik do ta ndihmojë të fitojë zemrën e Adinës. Muzika e Donizetti-t e  shndërron elikzirin në simbol të shpresës dhe dëshirës njerëzore për t’u ndjerë i zgjedhur dhe i dashur.

“L’elisir d’amore” bashkon në skenë emra të spikatur të skenës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare, duke sjellë një larmi zërash dhe temperamentesh artistike, të ndarë në dy kaste.

TKOBAP bëri të ditur se, në këtë opera do të jenë edhe emra që janë bërë të njohur ndërkombëtarisht si Enkeleda Kamani dhe Gëzim Myshketa, të cilët i japin këtij produksioni një dimension të gjerë artistik dhe profesional.

Enkeleda Kamani dhe Nina Muho do t’i japin jetë Adinës me finesë vokale dhe ndjeshmëri skenike, duke nxjerrë në pah karakterin e saj të lirë dhe lozonjar. Në rolin e Nemorinos do të jenë Galeano Salas dhe Matteo Mezzaro me emocionin, butësinë dhe sinqeritetin e djaloshit naiv e të dashuruar.

Davide Luciano dhe Artur Vera interpretojnë rolin e Belcores me autoritet dhe prani të fuqishme skenike. Rolin plot ngjyra të Doktor Dulcamarës e mishërojnë Gëzim Myshketa dhe Matteo D’Apolito, me energji, karizëm dhe një sens të mprehtë komik që gjallëron çdo skenë. Ndërsa Ana Tafani dhe Greis Shametaj sjellin Gianettën me freskinë, hijeshinë dhe elegancën që e përfaqëson personazhin e saj, duke plotësuar kështu mozaikun e kësaj komedie lirike e plot jetë.

“L’elisir d’amore” rikthehet në skenën e TKOBAP pas 14 vitesh, me regjinë e Riccardo Canessa-s, dhe skenografi e kostume nga Alfredo Troisi. /j.p/

The post “L’elisir d’amore” rikthehet në Teatrin e Operas pas 14 vjetësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Light in the deep”, qeniet njerëzore mes dritës e hijes në veprat e Blerta Xhomos

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Blerta Xhomo me ekspozitën e saj “Light in the deep” sjell këtë fund janari në Galerinë FAB, një udhëtim “në brendësinë e njeriut” që kujton Danten, por të shprehur në mënyrë piktorike përmes një gjuhe që bashkon traditën e madhe të ekspresionizmit evropian me dramën e kompozimit barok.

Në ekspozitën “Light in the deep” (“Dritë në Thellësi”), Blerta Xhomo eksploron dualizmin në zemër të ekzistencës, të pazgjidhshëm të qenieve njerëzore midis dritës dhe hijes, të mirës dhe së keqes, materies dhe shpirtit, si dimensione kundërshtuese, por njëkohësisht thelbësore për arritjen e një ekuilibri më të lartë.

Teksti kuratorial i ekspozitës thotë se, qëllimi i këtij projekti, i përbërë nga një seri veprash të krijuara posaçërisht nga artistja, është të ofrojë një reflektim mbi kompleksitetin dhe kontradiktat e natyrës njerëzore, e cila mbetet vazhdimisht e ndarë mes dritës dhe hijes që e shoqërojnë në udhëtimin e saj, duke e bërë atë të pasigurt, të vështirë dhe të mbushur me rënie e fillime të reja.

Në disa vepra, dallohet edhe ndikimi futurist përmes vijave të fuqishme, që përcjellin ndjesinë e shpejtësisë dhe lëvizjes, të një energjie të brendshme që rrezaton nga figura drejt hapësirës përreth.

 

 

The post “Light in the deep”, qeniet njerëzore mes dritës e hijes në veprat e Blerta Xhomos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të Dhënave Personale

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Në vitin 2006, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës vendosi ta caktojë 28 janarin si Ditën e Mbrojtjes së të Dhënave. Kjo ditë tani festohet në të gjithë botën, nën emrin “Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të Dhënave Personale” ose “Dita e Privatësisë”.

Kjo ditë shërben për të rritur ndërgjegjësimin mbi nevojën për të respektuar dhe mbrojtur privatësinë e individit dhe duke theksuar rolin e Konventës 108 për fluksin ndërkufitar të të dhënave në botë.

Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale këtë vit ndodh në një moment kyç, pasi përparimet dhe inovacionet teknologjike kryqëzohen me mundësi të dobishme dhe sfida të reja nga perspektiva e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Autoritetet mbikëqyrëse të mbrojtjes së të dhënave dhe autoritetet e tjera kompetente rrisin përpjekjet e tyre si pasojë e zhvillimeve të reja teknologjike në fusha të tilla si Inteligjenca Artificiale dhe neuroshkenca për të përforcuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtën e privatësisë.

Gjatë 45 viteve të fundit, Konventa 108 ka kontribuar në zhvillimin e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë. Versioni i saj i modernizuar (i njohur si Konventa 108+) adreson sfidat gjithnjë e në rritje të botës digjitale për të ndërtuar një hapësirë ​​për transferimin e lirë të të dhënave, duke siguruar njëkohësisht dinjitetin njerëzor.

Në këtë 20-vjetor të Mbrojtjes së të Dhënave, Këshilli i Evropës (KiE) planifikon aktivitete online, ku autoritetet pjesëmarrëse do të kenë mundësinë të ndajnë iniciativat e dedikuara për këtë rast.

Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (NCPDP) do të organizojë, në kontekstin e marrjes së presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga Republika e Moldavisë, një konferencë kombëtare me titull “Zbatimi i kuadrit ligjor mbi mbrojtjen e të dhënave: sfidat, përfitimet, qëndrueshmëria”, në të cilën Sekretariati është gjithashtu i ftuar të kontribuojë. /j.p/

The post Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të Dhënave Personale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare në 90-vjetorin e lindjes

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës.

Në këtë 90-vjetor, ministri Blendi Gonxhja, duke e cilësuar si një kolos të letrave shqipe, shprehet se, gjeniu Kadare, la pas një testament të përjetshëm, një vlerë të paçmuar, shenjues të identitetit tonë kombëtar.

“Përulemi plot nderim përpara madhështisë së një prej shkrimtarëve më të shquar të letërsisë shqiptare. I paharruar”, shprehet ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

Ismai Kadare ishte shkrimtari shqiptar më i shquar brenda e jashtë kufijve të vendit. Me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” (1963), pena Kadaresë i kapërceu kufijtë e atdheut, megjithë izolimin komunist.

Karriera e Kadaresë shënoi kulme të tjera me “Kështjella”, botuar në vitin 1970, “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës, “Kronikë në gur” (1970),  “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), i cili veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.

Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar u bë anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Në tetor 2023 presidenti francez Emmanuel Macron, në Tiranë, e ngriti në gradën e Oficerit të Lartë, në Urdhrin e Legjionit të Nderit.

Ai u vlerësua me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj.), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera.

Veprat e tij janë përkthyer në 45 gjuhë të botës. /j.p/

 

The post Përkujtohet gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare në 90-vjetorin e lindjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konkurs Kombëtar i Pikturës për fëmijët 6-15 vjeç

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë fton fëmijët e talentuar në pikturë të marrin pjesë në edicionin e dytë të Konkursit Mbarëkombëtar të Pikturës për Fëmijë “Unë jam NGJYRA”.

Përveç çdo fëmije nga Shqipëria, në konkurs mund të bëhen pjesëmarrës edhe fëmijët e talentuar nga të gjitha trevat shqipfolëse.

Tema e edicionit të 2026-ës është “Zogjtë” dhe koha e pranimit të aplikimeve është deri më 13 prill 2026. Fëmijët pjesëmarrës në konkurs do të ndahen në tre kategori: 6-9 vjeç, 10-12 vjeç, 13-15 vjeç

Punimi i artistëve të vegjël do të duhet të dërgohet fizikisht ose me postë, te Teatri i Kukullave dhe mund të jetë punuar me teknikat: akrelik, akuarel, ngjyra druri, lapustila, pastel, grafikë, teknika mikse, etj, në formatin A3, letër kartoni.

Pas mbledhjes së punëve, një juri e jashtme profesionistësh do të përzgjedhë punimet më të mira nga secila kategori. Vetëm konkurrentët finalistë nga secila kategori do të njoftohen për të marrë pjesë në ekspozitën që do të organizohet me këtë rast në Tiranë.

Për secilën kategori moshe do të ketë nga 3 çmime të para. /j.p/

The post Konkurs Kombëtar i Pikturës për fëmijët 6-15 vjeç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Restaurimi shpëton Urën e Palecit të dëmtuar nga përmbytjet

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Sasia e madhe e reshjeve të rëna kohët e fundit, kishte dëmtuar Urën e Palecit, në fshatin Tozhar, komuna Tërpan, Poliçan.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat tha se konstatoi dëmtime në muraturën e gurit pranë harkut të djathtë të urës dhe vendosi të vinte në zbatim projektin e parashikuar për “Konservimin dhe Restaurimin e Urës së Palecit” për këtë segment.

Ndërhyrja konsistoi në restaurimin e murit të gurit, që solli stabilizimin e strukturës dhe parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme.

Ura e Palecit është pjesë e rrugës së karvaneve Berat – Skrapar – Korçë, në anën e majtë të Osumit, e cila fillimisht ka qenë me tri harqe, me trase të kurbëzuar.

Sot ruhen vetëm dy harqet e djathtë mbi tokë, ku njeri prej tyre është gjysmërrethor dhe tjetri anësor është me majë, punuar me tek qemer dhe sipër me kornizë rasë guri. Kjo vepër inxhinierike duhet të jetë ndërtuar gjatë shekullit XVIII. Pas dëmtimit të një pjese të urës (mungesa e një harku dhe mbështetësja anësore) është krijuar një pasarelë, e cila mundëson kalimin e njerëzve, nga të dyja anët e lumit. /j.p/

The post Restaurimi shpëton Urën e Palecit të dëmtuar nga përmbytjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dy javë me aktivitete kulturore nga Fondi Kulturor Zviceran

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Në Tiranë nisën aktivitetet e Javës Kulturore Zvicerane 2026 (26 janar-7 shkurt) e cila rikthehet me një program të kuruar ekspozitash, performancash, shfaqjesh dhe diskutimesh publike, duke vendosur kulturën në qendër të reflektimit mbi shoqërinë, kujtesën dhe të ardhmen e mundshme.

Në një program dyjavor janë parashikuar 10 projekte artistike: ekspozita, performanca dhe diskutime publike nga artistë shqiptarë. Aktivitetet nisën dje në Librarinë Valentini, e organizuar nga Ambasada Zvicerane dhe Fondi Kulturor Zviceran (SCF).

“Bashkëpunimi ndërkombëtar i Zvicrës e njeh kulturën si një mjet thelbësor për arritjen e qëllimeve të zhvillimit. Krahas mbështetjes sonë të vazhdueshme për demokracinë dhe ekonominë në Shqipëri, ne mbështesim gjithashtu sektorin e pavarur kulturor”, tha ambasadorja zvicerane, Ruth Huber, në hapje.

E pranishme në hapje ishte zëvendësministrja e Kulturës, Lira Pipa, e cila gjithashtu theksoi nevojat kryesore të sektorit kulturor në Shqipëri dhe shprehu falënderime për mbështetjen e partnerëve të tillë si ambasadat.

Ndryshe nga javët kulturore të organizuara nga ambasadat, ky program dallohet pasi paraqet vepra dhe shfaqje nga artistë shqiptarë.

“Ajo që është zvicerane në këtë javë, është vetëm mbështetja përmes programit të bashkëpunimit, ndërsa prodhimet dhe performancat janë të gjitha punë dhe ide të artistëve të pavarur shqiptarë”, tha ambasadorja.

Aktivitetet e mbështetura nga Ambasada Zvicerane, përveç Tiranës do të përfshijnë edhe qytetet e Elbasanit e Shkodrës.

Që prej 2017, Fondi Kulturor Zviceran ka luajtur një rol kyç në mbështetjen e artistëve të pavarur dhe praktikuesve të kulturës në të gjithë Shqipërinë. Aktualisht, SCF përqendrohet në shfrytëzimin e arteve dhe kulturës për të nxitur dialogë kuptimplotë mbi çështjet e zhvillimit, duke shfaqur aftësinë unike të artit për të frymëzuar reflektim dhe lidhje. Ai është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). /j.p/

The post Dy javë me aktivitete kulturore nga Fondi Kulturor Zviceran appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AQSHF përkujton Holokaustin me shfaqjen e “Rrethit të kujtesës”

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Në sallën e Kinemasë “Drita”, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, u shfaq filmi “Rrethi i kujtesës”, në kuadër të një aktiviteti përkujtimor me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Ishin të pranishëm edhe krijuesit e filmit: regjisori Esat Musliu dhe shkrimtarja Diana Çuli, autore e romanit me të njëjtin titull, mbi të cilin u bazua skenari i Roland Gjozës.

Filmi, prodhimi i vitit 1987, u ndoq edhe nga gjimnazistë të shkollës “Eqerem Çabej” si edhe studentë të Universitetit Europian të Tiranës, të cilët u bënë pjesëmarrës në bisedën mbi filmin, duke dëshmuar rëndësinë që temat e kujtesës historike kanë për brezat e rinj.
Shkrimtarja Diana Çuli dhe regjisori Esat Musliu ndanë me publikun detaje interesante mbi procesin krijues të veprës, sfidat e ekranizimit dhe mënyrën se si u trajtua një temë kaq delikate dhe e dhimbshme si ajo e kampeve të përqendrimit dhe eksperimenteve çnjerëzore naziste. Diskutimi solli jo vetëm kontekst historik, por edhe reflektime mbi përgjegjësinë morale të artit për të dëshmuar dhe për të mos lejuar harresën.

AQSHF tha se kjo shfaqje, më shumë se një ngjarje filmike, ishte një përvojë informuese dhe ndërgjegjësuese, ku filmi, letërsia dhe historia u ndërthurën për të rikujtuar se kujtesa është një akt i domosdoshëm njerëzor dhe shoqëror. /j.p/

The post AQSHF përkujton Holokaustin me shfaqjen e “Rrethit të kujtesës” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dorëshkrimet e dijetarëve mesjetarë në Bibliotekën Digjitale

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Në fondin e Bibliotekës Kombëtare gjenden dorëshkrime të rralla, që sjellin deri në ditët tona, dijen e përcjellë nga periudha e Mesjetës.

Një shembull i ekzemplarëve të rrallë, tashmë të digjituar, është një dorëshkrim i rrallë, “Elmülahhas fil heye” (Dije mbi yjet) i cili përmban të dhëna mbi astronominë, të shoqëruara me vizatime dhe skema shpjeguese, që tregojnë mënyrën se si konceptohej universi në traditën shkencore islame.

Vepra e Mahmûd b. Muhammed b. Ömer el-Çağmînî el-Hârizmî trajton strukturën e qiellit, lëvizjen e trupave qiellorë dhe parimet bazë të astronomisë klasike, duke shërbyer si tekst mësimor dhe referues për breza studiuesish.

Ekzemplari i dorëshkruar dallohet për kopertinën e gdhendur prej lëkure dhe për ruajtjen e elementeve autografe, të cilat ofrojnë informacion mbi përdorimin, transmetimin dhe qarkullimin e dijes shkencore në dorëshkrime.

Si dokument i trashëgimisë shkencore, ky dorëshkrim ndihmon të kuptojmë jo vetëm njohuritë astronomike të kohës, por edhe mënyrën se si dija vizualizohej dhe transmetohej përmes tekstit dhe ilustrimit.

Materiali është pjesë e fondit të dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe është i digjituar në Bibliotekën Digjitale. /j.p/

1 nga 5

The post Dorëshkrimet e dijetarëve mesjetarë në Bibliotekën Digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria, strehë për qindra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, organizata rinore digjitale “RinOn” dhe ambasada e Izraelit në Tiranë organizuan një event  për të sjellë në kujtesë strehimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Rejvi Dervishi, themeluesi i RinOn, u shpreh se është përgjegjësia jonë e përbashkët që të kujtojmë dhe të reflektojmë mbi tragjedinë që preu përdhunshëm fillin e jetës së gjashtë milionë të pafajshmëve, të cilëve iu rrëmbye e drejta e jetës.

Të rinjtë u bënë pjesë e një aktiviteti për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit në Piramidën e Tiranës, duke kujtuar si Shqipëria u bë strehë për qindra hebrenj, që gjetën mbrojtje dhe sigurisë në shtëpitë e shqiptarëve.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm anëtarë të trupit diplomatik izraelit, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi, drejtori i Arkivave Shtetërore Vendore në DPA, Lorenc Agalliu etj.

Zëvendësambasadori Gal Rudich tha se Shqipëria mbetet shembull që dëshmon se gjithçka mund të kishte qenë ndryshe.

“Ndryshe nga pjesa tjetër e Evropës, hebrenjtë e Shqipërisë u shpëtuan nga përndjekja dhe u mbajtën të sigurt gjatë luftës. Populli shqiptar zgjodhi të shpëtonte jetë të pafajshme duke rrezikuar jetën e tyre. Këtë nuk do ta harrojmë kurrë”, tha Rudich.

Ndërsa pedagogia dhe deputetja e PS-së, Luarasi kujtoi se holokausti nisi me barcaleta raciste, teori komploti dhe ligje diskriminuese që një pjesë e shoqërisë i pranoi si normale. “Indiferenca është gjithmonë një oksigjen për krime të tilla”, tha Luarasi.

Lidhur me tematikën e Holokaustit, DPA-ja ka prezantuar më herët ekspozita dokumentare dhe fotografike mbi përpjekjet e përbashkëta të shtetit shqiptar, të diplomatëve dhe të autoriteteve fetare, për mbrojtjen e komunitetit hebre nga terrori antisemit.

1 nga 5

/r.e/

The post Shqipëria, strehë për qindra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005 caktoi 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.

Kjo datë u zgjodh pasi përkon me përvjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit dhe vdekjes, Auschwitz Birkenau, më 27 janar 1945.

Mbi një milion njerëz u vranë vetëm në këtë kompleks të madh, shumica prej tyre hebrenj. Duke shënuar këtë përvjetor të rëndësishëm, UNESCO po organizon një sërë ngjarjesh që kujtojnë rëndësinë e vazhdueshme të mësimdhënies dhe të mësuarit rreth holokaustit, në nivel global.

Kjo ditë ndërkombëtare është një kujtesë globale për rreziqet e urrejtjes, fanatizmit dhe antisemitizmit. Dita është një thirrje për të kujtuar, reflektuar dhe ndërmarrë veprime për të siguruar që mizori të tilla të mos ndodhin më kurrë. Kjo ditë kremtohet me ngjarje dhe aktivitete përkujtimore në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork dhe zyrat e Kombeve të Bashkuara në të gjithë botën.

Kombet e Bashkuara u krijuan në përgjigje të tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe holokaustit.

Holokausti ka pasur një ndikim të thellë në Ligjin Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut, duke rezultuar në miratimin e dokumenteve themelore nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948: Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit. /j.p/r.e/

The post Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌