Prokuroria njoftoi se Stafa dhe Ristov po dyshohen për dy vepra të rënda penale

Kryeprokurori për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Islam Abazi dhe prokurorja Iskra Haxhi-Vasileva, deklaruan se hetimi për korrupsion të lartë në Gjykatën e Apelit filloi para 9 muajsh, pas denoncimeve për indice të forta për marrje ryshfeti deri në 100 mijë euro për të ndikuar në heqjen e masës së paraburgimit të Lupço Pecov nga lënda gjyqësore Zinxhiri, ku u kap në flagrancë ish-avokati i shtetit Fehmi Stafa.
Vasileva tha se përveç dëshmive tjera materiale dhe denoncimeve nga telefonatat e të burgosurve, lidhjet ndërmjet Stafës dhe Gjykatësit të Apelit Ristov kanë qenë të kahershme, që dyshohen për dy vepra të rënda penale.
"Bastisje janë bërë në tri lokacione që lidhen me hetimin e gjykatësit të apelit Gjoko Ristov, dhe tek për të dytën herë njësitet tona kanë shkuar në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë ku edhe kanë gjetur një ‘bunker’ në katin e parë, më saktësisht në kuzhinë, janë vërejtur rrethana të dyshimta për kryerjen e aktiviteteve ndërtimore (korrigjimi i pllakave të murit), pas së cilës, gjatë heqjes së një pllake qeramike të murit, është vërejtur një vrimë në të cilën ka pasur rrotulla alumini në formë cilindri, të paketuara në 13 pako individuale, në të cilat janë gjetur gjithsej 610 kartëmonedha në vlerë prej 500 eurosh dhe 225 kartëmonedha në vlerë prej 200 eurosh, ose gjithsej 350.000 euro. Duke qenë se ai ka një pushim mjekësor aktiv kemi vlerësuar se arresti me burg shtëpiak dhe sekuestrimi i dokumenteve të udhëtimit për momentin është adekuat për sigurimin e tij të mos lëshojë adresën e banimit dhe mos të rrezikojë arratisjen e tij, ndikimin në dëshmitarët apo përsëritjen e veprës. Madje përkohësisht i është ndaluar edhe ushtrimi i aktiviteteve gjyqësore. Për çështje sigurie nuk mund të tregohet adresa ku ai mbahet në arrest dhe se muret e asaj shtëpie janë kontrolluar", tha Vasileva.
Ajo shtoi se dje, Njësia për Korrupsion në Departamentin për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit ngriti një kallëzim penal kundër Gjoko Ristov 53 vjeç nga Negotina, me banim në Shkup, për shkak të ekzistencës së dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprave penale “fitim dhe fshehje e paligjshme e pasurisë” sipas nenit 359-a, paragrafi 3, përfshirë paragrafin 1 dhe “pastrim parash dhe të ardhurave të tjera nga një vepër penale” sipas nenit 273, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Gjoko Ristov në cilësinë e zyrtarit – gjykatës në Gjykatën e Apelit në Shkup, në periudhën nga 10.02.2020 deri më sot, në kundërshtim me detyrimin ligjor për të raportuar gjendjen e tij pasurore ose ndryshimin e saj, ka dhënë informacion të rremë në lidhje me pasurinë e tij dhe pasurinë e familjes së tij, e cila pasuri tejkalon shumë të ardhurat e tij të ligjshme.






































