Po i bëni pa vetëdije, por këto veprime tuaja ndikojnë tek sjellja e fëmijëve

Psikologia Jazmine McCoy, e cila njihet në rrjetet sociale si Psikologia e Nënës, ka zbuluar pesë gjëra që prindërit i bëjnë pa vetëdije, të cilat shkaktojnë sjellje të këqija tek fëmijët.
"Ne të gjithë jemi fajtorë për këto gabime si prindër, përfshirë edhe veten time. Kur bëj këto gabime, kjo ndodh sepse ndihem e mbingarkuar. Jam e stresuar dhe po përpiqem me të gjitha forcat ta kaloj. Mendoj se po ndihmoj, por shpesh thjesht e zgjas situatën e vështirë. Kam zbuluar se vetëm vërejtja e këtij modeli më ndihmon të ngadalësoj dhe të zgjedh atë që është më e mira", tha ajo. Gabimet më të zakonshme që bëjnë prindërit janë:
Nxitimi i fëmijës
Çdo prind e di sa frustruese është kur je vonë dhe fëmija yt vonohet shumë për të veshur këpucët ose thjesht refuzon ta bëjë këtë. Prindërit shpesh i nxitojnë fëmijët e tyre me gjëra të caktuara.
"Sistemi i tyre nervor nuk mund ta përpunojë mjaftueshëm shpejt. Nxitimi u shkakton stres", tha ajo. Në vend të kësaj, është më mirë t'i jepni fëmijës tuaj një paralajmërim pesë minutësh përpara se të largoheni.
Bërja e pyetjeve kur janë të mërzitur
Kur një fëmijë është i mërzitur dhe qan, prindërit duan ta zbulojnë menjëherë shkakun. Por të bësh pyetje të tilla si "Pse e bëre këtë?" nuk do të ndihmojë. Është më mirë t'i bësh të ditur se je aty për të dhe të flasësh më hollësisht më vonë.
T’i thuash fëmijës të qetësohet ose të relaksohet
Ajo gjithashtu këshilloi që të mos i thuash kurrë një fëmije të qetësohet ose të relaksohet kur është i mërzitur, sepse kjo ka të ngjarë të krijojë ndjesinë se ndjenjat e tij janë "të gabuara".
"Kjo vetëm sa e rrit turpin, shkëputjen dhe përshkallëzimin", tha ajo. Në vend të kësaj, thuaju atyre: "E shoh që je shumë i mërzitur. Jam këtu kur të jesh gati të flasësh. Do ta kalojmë këtë së bashku. Merr kohën tënde".
Jepini fëmijës suaj mundësi zgjedhjeje kur është i mbingarkuar
Është e zakonshme që prindërit t’i lënë fëmijët e tyre të marrin vendime për gjëra të vogla - si nëse duan të hanë një mollë apo një banane, etj. Ndërsa kjo mund të duket si një gjë pozitive, McCoy paralajmëron se mund të rezultojë në më shumë shpërthime të tërbimit nëse fëmijët janë të mbingarkuar.
Po përpiqesh t’i mësosh diçka fëmijës tënd ndërsa ai është ende i mërzitur
Kur fëmija juaj sillet keq, mund të dëshironi menjëherë t’i jepni një leksion. Megjithatë, është shumë e rëndësishme të prisni derisa të qetësohet përpara se të diskutoni se çfarë ka bërë gabim.






































