Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

14:30 Shoferi ishte i dehur, detaje nga aksidenti tragjik ku humbi jetën 18-vjeçarja

Policia njoftoi mesditën e kësaj të premteje, 16 janar, se shkak për aksidentin e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së enjtes te Ura e Dajlanit në Durrës ishte gjendja e dehur e shoferit 26-vjeçar. Për këtë arsye është ndaj tij vendosur arrestimi në flagrancë. Ai ndodhet aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Po ashtu, policia thotë se dy këmbësorët të cilët mbetën të plagosur, pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, kanë lënë spitalin. Kujtojmë se nga aksidenti i rëndë, humbi tragjikisht jetën një vajzë 18-vjeçare.

“…Në përfundim të këtyre veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit në të cilin ishte pasagjere shtetasja V. G., shtetasi A. Xh., 26 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Nga hetimet rezultoi se 26-vjeçari ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, dhe si pasojë, automjeti është përplasur me barrierat anësore të urës dhe ka rënë nga ajo. 26-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 2 këmbësorët e dëmtuar kanë marrë asistencën mjekësore të nevojshme dhe janë larguar në banesa”, tha policia e Durrësit në një njoftim për media.
Aksidenti ndodhi rreth orës 22:15, të së enjtes. 26-vjeçari dhe viktima udhëtonin me një makinë BMW, dyshohet me shpejtësi tej normave të lejuara. Ata u përplasën fillimisht me trafikndarësen e më pas makina ra nga ura duke përfunduar në një dyqan lulesh, duke plagosur rojen dhe një tjetër person./kb

14:15 Liga e Kombeve, shorti hidhet më 12 shkurt

Kombëtarja, para se të luajë play-off për Botërorin 2026, do të njohë kundërshtarët për Ligën e Kombeve 2026–2027.

Shorti do të hidhet më 12 shkurt, ditën kur do të mbahet edhe Kongresi i zakonshëm i UEFA-s në Bruksel.

Shqipëria është në Ligën C.

Takimet e fazës së grupeve do të zhvillohen nga muaji shtator deri në nëntor.

Kuqezinjtë pritet të jenë kokë grupi, ndërsa Liga e Kombeve në këtë sezon vlen edhe si një mundësi më shumë për t’u kualifikuar në Euro 2028.

Ndeshjet e Kombëtares do t’i ndiqni si zakonisht në TV Klan./kb

14:00 Hakërimi i materialeve të SPAK, Berisha: Rama, personi që mund ta ketë urdhëruar

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur këtë të premte, 16 janar, konferencë me gazetarët nga selia blu.

Berisha u ndal tek hakërimi i materialeve të Prokurorisë së Posaçme, duke marrë për bazë një mesazh i ardhur tek kryedemokrati lidhur me “skemën e hakërimit”.

“Përshëndetje doktor, një informacion të veçantë tek dosja e hakërimit të sistemit të SPAK-ut. Hakëruesi përmend emrin e Ramës si personi që mund të ketë urdhëruar hakërimin.

Pjesë nga dosja: Me datë 12 shkurt 2025, ora 21:17, Arnold Rrokaj, i dërgoi Zambak Gjonit një foto që duket sifaqe interneti, e cila mund të aksesohen sistemet e SPAK-ut. Më pas, ai dërgon një sms me përmbajtjen ‘a mos e hapsha dot’. Më pas Arnold Rrokaj i dërgon sms Gjokajt se do t’i shkruajë Ramës ‘që hajt t’i bëjmë robt’”, lexon Berisha denoncimin./kb

13:45 Peleshi: Kuvendi do të ketë standard europian

Kryetari i parlamentit Niko Peleshi, në fjalën e tij përpara deputetëve të Partisë Socialiste, tha se Kuvendi do të ketë standard europian.

Peleshi u shpreh se Shqipëria ka pasur avancim rekord drejt integrimit europian. Sipas tij, objektivi i shpallur tashmë nga vendi është mbyllja e të gjitha kapitujve të BE-së brenda vitit 2027.

“Kuvendi do të ketë standard europian. Unë si kryetar i Kuvendit do të vazhdoj të përmbush detyrën që më keni besuar, duke pasur parasysh standardin etik. Integrimi europian duhet të jetë tek standardet tona. Shqipëria shënoi rekord për hapjen e negociatave për në BE. Objektiv tani ngelet mbyllja e negociatave, brenda 2027. Kemi shënuar rekord në avancimin e negociatave me BE-në.

Kuvendi përbushi detyrimet që ka ndaj partnerëve të saj. Kuvendi ka pasur gjithashtu bashkëpunim edhe me institucionet e pavarura. Zgjodhëm Avokatin e popullit dhe drejtues të disa institucioneve të pavarura. Buxheti 2026 kishte një rritje 11 përqind për institucionet e pavarura. Edhe buxheti për drejtësinë u rrit. Ligjet do të përmirësohen, për të qenë më pranë standardeve të BE-së”, tha Peleshi.

Më tej, Peleshi deklaroi se inteligjenca artificiale do të përdoret nga parlamenti, për të lehtësuar punët.  /kb

12:37 Rama e bën të qartë: Çdo draft që vjen nga BE nuk duhet diskutuar, por miratuar!

16 janar 2026 – Pas mbledhjes prej disa orësh me grupin e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama foli gjatë për procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Sipas tij, kur përfaqësuesit europianë bëjnë propozimet e tyre apo vendosin piketat, ato duhen miratuar.

Rama tha se nuk ka diskutime përtej kësaj…

“Kemi pasur deri më sot disa raste që në mënyrë të natyrshme, procesi i diskutimeve dhe miratimit të ligjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE është vonuar apo marrë lehtë si një proces ku ne kemi lirinë të fusim duart sipas opinioneve tona. Ne nuk e kemi këtë liri, që të jemi të qartë, kemi lirinë që të negociojmë me BE-në.

Nuk kemi lirinë që pasi negociojmë, të diskutojmë, që do të thotë negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizmin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit europian negociohet me Komisionin, I imponohet qeverisë dhe vjen në Parlament. Kur vjen, duhet miratuar, jo diskutuar! Sepse që t’i hyjmë diskutimit të një ligjit ë tillë, dujhet të diskutojmë a duhet të hyjmë në BE apo jo.”

Më tej, nënvizoi një “gabim” që sipas tij e ka bërë dhe vetë, bashkë me kolegë në politikë.

“Marrin një draft dhe i referohen vendeve të tjera në BE, shiko se Franca nuk e ka, Gjermania…Miqtë e mi, këtë gjë po e ndaj me ju si eksperiencë dhe duke shpresuar se ju e dini që unë nuk jam lehtësisht i përthyeshëm, ju ftoj të jeni të gjithë të përthyeshëm në këtë pikë. Sepse kur ngrihet kjo pyetje, përgjigja është se që ta bëni si Franca duhet të jeni Franca. Ju jeni Shqipëria! Kushtet janë këto, nëse doni. Nëse s’doni, mund ta bëni si të doni!”, argumentoi kryeministri./kb

12:27 Rama mblodhi sot grupin e PS: Evidentuam sfidat dhe vendosëm piketat për 2026!

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot grupin parlamentar ku ka bërë një përmbledhje të punëve dhe sfidave me të cilat grupi është përballur në sesionin e shkuar.

Ai ka deklaruar se janë vendosur disa piketa të përbashkët, kur puna që e pret qeverinë gjatë 2026 është e veçantë, për shkak të futjes së vendit tonë në negociata intensive me BE-në.

“Duke u përpjekur që bashkë të bëjmë një përmbledhje të punës dhe të sfidave që grupi i ri ka hasur në sesionin e mëparshëm që ishte edhe sesioni i parë i kësaj legjislature dhe nga ana tjetër për të vendosur disa piketa të përbashkëta në kushtet kur puna që kemi përpara është shumë e veçantë për shkak të futjes së Shqipërisë në fazën intensive të negociatave në BE dhe për shkak të domosdoshmërisë që në një hark kohor të shkurtër prej  2 vitesh Shqipëria të përmbushë të gjitha kushtet për të mbyllur negociatat e anëtarësimit, sikundër e kemi të qartë nga plani që kemi në tryezë”, tha Rama./kb

12:17 Mesazhi i Sekretarit Amerikan të Shtetit: Liria e shprehjes në Europë po gërryhet

 

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka ngritur një shqetësim, duke deklaruar se liria e shprehjes në Europë po gërryhet.

 

Mesazhin e tij të fortë e ka shpërndarë Ambasada e SHBA-së në Shqipëri duke ritheksuar se aleanca me partnerët europianë është ndërtuar mbi parimet e përbashkëta dhe një nga këto është liria e shprehjes.

 

“Aleancat tona me partnerët tanë europianë janë ndërtuar mbi parimet tona të përbashkëta, vlerat tona të përbashkëta… Një nga këto vlera dhe parime, shpresojmë, është liria dhe liria e shprehjes”, ka thënë në mesazhin e tij Rubio./kb

14:00 “Vendim i lidhur me qeverisjen e vendit”/ Muçollari, reagim për pezullimin e vizave nga SHBA-ja

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, ka reaguar pas vendimit të SHBA-së për të pezulluar procesin e dhënies së vizave ndaj Shqipërisë.

Në reagimin e Muçollarit në rrjete sociale, shprehet se ky vendim lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si qeveriset vendi. Ai thekson se emigrimi masiv dhe shpopullimi janë pasojë direkte e keqqeverisjes dhe korrupsionit.

Reagimi i Grigels Muçollarit:

Kufizimi i vizave amerikane për shtetasit shqiptarë nuk është një veprim i rastësishëm dhe as një problem thjesht diplomatik. Ai lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si qeveriset vendi. Korrupsioni i përhapur, kapja e institucioneve dhe mungesa e sundimit të ligjit kanë cenuar seriozisht besueshmërinë e Shqipërisë në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.

Ky realitet prodhon një zinxhir pasojash. Keqqeverisja sjell varfëri, mungesë perspektive dhe pasiguri sociale. Në këto kushte, largimi masiv i qytetarëve nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri. Shpopullimi i vendit është reagimi më i qartë ndaj një shteti që nuk u ofron qytetarëve të ardhme.

Emigrimi masiv dhe shpopullimi janë kështu pasojë direkte e të njëjtit shkak: keqqeverisjes dhe korrupsionit sistemik.

Fatura, së shpejti do t’i jepet kryeministrit për ta paguar sepse kur SHBA të heq vizën, në thelb nuk ka për qëllim të ndëshkojë Shqipërinë, por vjen si një reflektim i dështimit të një modeli qeverisës që po e zbraz vendin nga njerëzit e tij. /Kb

13:45 Kolonjë /Banorët e Taçit të Sipërm dhe Prodanit protestojnë kundër zaptimit të kullotave për panele fotovoltaike

Banorët e fshatrave Taç i Sipërm dhe Prodan në Kolonjë kanë protestuar ditën e sotme kundër zaptimit të kullotave të tyre. Ata pretendojnë se sipërfaqet kullosore u përkasin prej vitesh dy fshatrave dhe janë zaptuar nga një person i vetëm, i cili ka përfituar mbi 300 hektarë tokë.

Sipas banorëve, këto sipërfaqe pritet të përdoren për vendosjen e paneleve fotovoltaike, ndërsa kjo do të sillte pasoja të rënda për komunitetin, pasi burimi i vetëm i të ardhurave për familjet e zonës është blegtoria.

Një nga banorët shprehet se ka mbivendosje të hartave të pronësisë, duke u marrë edhe kullotat e përbashkëta të dy fshatrave.

“Zotëria që ka pronën ka bërë një mbivendosje në hartën e kullotës së fshatit Taç i Sipërm dhe Prodanit, duke marrë komplet zallin e të dyja fshatrave. Të dyja fshatrat merren vetëm me blegtori. Nëse bëhen këto panele, fshati ikën, sepse kullotat janë të vetmet të ardhura për familjet”, u shpreh banori.

Sipas banorëve, bëhet fjalë për një sipërfaqe që shkon deri në 340 hektarë, ndërsa punimet kanë nisur pa pasur lejet përkatëse.

“Ne jemi njohur me këtë situatë kur ata filluan punimet, duke bërë fizibilitetin e tokës. Të fillosh punimet pa pasur leje bashkie nuk e di si bëhet. A kanë leje mjedisi këta? Duhet të bëhet edhe studim arkeologjik, sepse nuk i dihet çfarë ka zona poshtë”,thanë ata.

Rreth 100 blegtorë nga të dyja fshatrat preken drejtpërdrejt nga kjo situatë. Banorët paralajmërojnë se humbja e kullotave do të sillte shpopullimin e zonës.

“Zona këtu merret vetëm me blegtori, janë të ardhurat kryesore. Do t’i shesim bagëtitë dhe do të ikim. Ky është shpopullim. Asnjë njeri s’po e vë ujin në zjarr”, shtoi një protestues.

Edhe kryeplaku i fshatit shprehet se prona është dhënë pa dëshmi ligjore dhe pa transparencë. Sipas tij, edhe juristë të institucioneve të kthimit të pronave kanë konstatuar parregullsi në dokumentacion.

“Jam banues dhe kryeplak i fshatit. Ne i kemi ndjekur procedurat ligjore në atë kohë dhe zotërisë iu dha prona pa asnjë dëshmitar. Kemi kërkuar matjen e sipërfaqes së pronës dhe askush nuk na e thotë. Juristi i kthimit të pronave na tha se prona është e juaja dhe ky gjyq hidhet poshtë sepse mungojnë dëshmitarët. Nëse merret toka, ne mbetemi në rrugë. Fëmijët na i përzunë, edhe dy pleqtë që mbetën do të na i përzënë. Ku do të shkojmë?”, tha kryeplaku.

Banorët u bëjnë thirrje institucioneve shtetërore dhe organeve ligjzbatuese që të ndërhyjnë urgjentisht dhe të rishikojnë dokumentacionin e pronësisë, duke kërkuar ndalimin e çdo punimi deri në sqarimin e plotë të situatës./Kb

13:30 Ambasadori i Holandës vizitë në SPAK/ Zhvillon takim me Klodjan Brahon

Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos së bashku ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë në Prokurorinë e Posaçme.

Sipas informacioneve, ambasadori ka zhvilluar një takim me kreun e SPAK, Klodjan Brahon. Ambasadori Vos shoqërohej edhe nga disa përfaqësues të tjerë të ambasadës holandeze.

Braho mori në dhjetor detyrën e re si kreu i Prokurorisë së Posaçme, duke pasuar Altin Dumanin./kb

13:15 Pezullimi i vizave amerikane, konsulentja: Aplikantët mos të ndërmarrin asnjë veprim!

Lajmi se Departamenti Amerikan i Shtetit ka pezulluar shyrtimin e vizave për 75 vende, përfshirë Shqipërinë e Kosovën, ngjalli një kaos në rrjetet sociale e një mori spekulimesh. Konsulentja Juliana Sokoli shpjegon për programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan se kategoritë e vizave që kanë pësuar pezullim të përkohshëm janë vizat e bashkimit familjar apo të punësimit afatgjatë. Vizat turistike nuk përfshihen.

“Bashkimet familjare hyjnë te vizat emigruese prandaj është e rëndësishme të kuptohet cilat janë ato viza, sipas medias ndërkombëtare, jemi akoma në kuadër të spekulimeve sa i përket kësaj mase që Shtetet e Bashkuara kanë marrë. Vizat e bashkimit familjar, vizat e punësimit afatgjatë, ato që të çojnë në marrjen e një lejeje të përhershme qëndrimi apo ‘green card’ siç jemi mësuar ta themi, janë këto lloj vizash të cilat mund të kenë një pezullim të përkohshëm që është për t’u parë pastaj cilat do të jenë teknikalitetet, do të ketë shtyrje, vonesa.”

Konsulentja thotë se intervistat nuk cenohen. Edhe sipas një publikimi në faqen zyrtare të ambasadës amerikane, thuhet: “Aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për këta shtetas gjatë kësaj periudhe pezullimi.”

Sokoli këshillon që personat që kanë aplikuar të mos bëjnë asnjë veprim tjetër.

“Të gjitëh personat që kanë aplikuar të mos ndërmarrin asnjë veprim përderisa nuk ka një njoftim zyrtar për këtë qëllim. Çdo person që ka aplikuar për një vizë emigruese apo turistike, pavarësisht se vizat turistike nuk janë të përfshira në këtë pezullim, duhet të presin njoftimin zyrtar nga autoritetet zyrtare përkatëse.”

Vendet e përfshira në listë janë: Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbajxhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje dhe Hercegovinë, Brazil, Birmani, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbër, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kubë, Republika Demokratike e Kongos, Dominikë, Egjipt, Eritre, Etiopi, Fixhi, Gambia, Gjeorgji, Ganë, Grenadë, Guatemalë, Guine, Haiti, Iran, Irak, Xhamajkë, Jordani, Kazakistan, Kosovë, Kuvajt, Republika e Kirgistanit, Laos, Liban, Liberi, Libi, Moldavi, Mongoli, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeri, Maqedoni e Veriut, Pakistan, Republika e Kongos, Rusi, Ruandë, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçia, Shën Vincent dhe Grenadinat, Senegal, Sierra Leone, Somali, Sudani i Jugut, Sudan, Siri, Tanzani, Tajlandë, Togo, Tunizi, Ugandë, Uruguai, Uzbekistan dhe Jemen.

“Emëruesi i përbashkët i këtyre vendeve është numri i lartë i vizave emigruese, bashkimit familjar, viza punësimi, viza të tjera se ka shumë kategori”, thotë Sokoli.

Veç vizave turistike, vizat studentore dhe afatshkurtra, sipas njoftimit, nuk preken nga ky pezullim./kb

11:08 Ambasada e SHBA në Tiranë: Nuk preken vizat turistike. Ndryshim politik për emigracionin e përhershëm

Përditësime mbi Përpunimin e Vizave Emigruese për Shtetasit nga Vendet me Rrezik të Lartë të Përdorimit të Përfitimeve Publike

Presidenti Trump ka bërë të qartë se emigrantët duhet të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë financiare për amerikanët. Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike.

Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të vendeve të mëposhtme:

Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbajxhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje dhe Hercegovinë, Brazil, Birmani, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbër, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kubë, Republika Demokratike e Kongos, Dominikë, Egjipt, Eritre, Etiopi, Fixhi, Gambia, Gjeorgji, Ganë, Grenadë, Guatemalë, Guine, Haiti, Iran, Irak, Xhamajkë, Jordani, Kazakistan, Kosovë, Kuvajt, Republika e Kirgistanit, Laos, Liban, Liberi, Libi, Moldavi, Mongoli, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeri, Maqedoni e Veriut, Pakistan, Republika e Kongos, Rusi, Ruandë, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçia, Shën Vincent dhe Grenadinat, Senegal, Sierra Leone, Somali, Sudani i Jugut, Sudan, Siri, Tanzani, Tajlandë, Togo, Tunizi, Ugandë, Uruguai, Uzbekistan dhe Jemen.

Pyetje të Shpeshta

Çfarë ndodh me takimin tim për intervistën e vizës emigruese?
Aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për këta shtetas gjatë kësaj periudhe pezullimi.

A ka ndonjë përjashtim?
Shtetasit me dyshtetësi që aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i listuar më sipër janë të përjashtuar nga ky pezullim.

A ndikon kjo në vizën time aktuale të vlefshme?
Asnjë vizë emigrimi nuk është hequr si pjesë e këtij udhëzimi. Për pyetje që lidhen me hyrjen në Shtetet e Bashkuara, ju referojmë te Departamenti i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara.

A zbatohet kjo për vizat turistike?
Jo, ky pezullim zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese. Vizat turistike janë viza jo-emigruese./kb

09:56 27-vjetori i masakrës së Reçakut, Begaj: Ndërgjegjësoi komunitetin ndërkombëtar për gjenocidin që po ndodhte në Kosovë

Last Updated on 15/01/2026 by Kesjana

Kosova shënon 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më tragjike në historinë e vendit. Më 15 janar 1999, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të Shtimes, një akt i tmerrshëm që tronditi jo vetëm Kosovën, por edhe botën.

Presidenti i Kosovës, Bajram Begaj, në një deklaratë për këtë përvjetor, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje për historinë e Kosovës, duke kujtuar se denoncimi i masakrës nga Ambasadori William Walker, 27 vjet më parë, bëri thirrje për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve dhe ndihmoi në përshpejtimin e rrugës drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Sot përkujtojmë masakrën e Reçakut dhe nderojmë martirët e saj. Denoncimi i saj 27 vite më parë nga Ambasadori William Walker ndërgjegjësoi komunitetin ndërkombëtar për gjenocidin që po ndodhte në Kosovë. Ndërgjegjësimi solli Konferencën e Rambujesë, ndërhyrjen e NATO-s, lirinë, shtetin e Kosovës dhe paqen që sot e gëzojmë bashkërisht. Kjo masakër nuk mund të harrohet! Thirrja për drejtësi nuk mund të shuhet! Nderim martirëve! Mirënjohje aleatit tonë strategjik, SHBA-së”, shkruan Begaj.

Aktivitete të ndryshme përkujtimore do të zhvillohen gjatë ditës për të nderuar viktimat e masakrës dhe për të theksuar rëndësinë e paqes, drejtësisë dhe kujtesës kolektive. Masakra e Reçakut mbetet një simbol i vuajtjeve të popullit të Kosovës dhe një dëshmi e rëndësisë së drejtësisë në rikthimin e paqes dhe lirisë.

Kjo ngjarje tragjike është një kujtesë për të gjithë se përpjekjet për drejtësi dhe paqe duhet të vazhdojnë, duke nderuar gjithashtu aleatët që qëndruan krah Kosovës në momentet më të vështira të historisë së saj./kb

09:35 Vizita e Carney-t në Pekin/ Kina thotë se është çelësi i ripërtëritjes së marrëdhënieve

Last Updated on 15/01/2026 by Kesjana

Kina vlerësoi vizitën e kryeministrit kanadez Mark Carney në Pekin këtë javë, duke e quajtur atë “të rëndësishme” në punën për të rikalibruar lidhjet pas muajsh riangazhimi intensiv.

Vërejtjet nga diplomati më i lartë i Kinës Wang Yi u bënë në një takim me homologen kanadeze Anita Anand, e cila është pjesë e delegacionit të Carney në vizitën e parë të një kryeministri kanadez që nga viti 2017.

“Kjo shënon vizitën e parë të kryeministrit kanadez në Kinë në tetë vjet, duke përfaqësuar një moment të rëndësishëm dhe të rëndësishëm për marrëdhëniet tona dypalëshe”, tha Wang.

Kina është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me Kanadanë duke eliminuar “ndërhyrjen”, shtoi Wang, por nuk e specifikoi burimin e ndërhyrjes.

Nga ana tjetër, Anand vlerësoi punën prapa skenave në organizimin e takimeve të afërta të Carney-t me udhëheqësit e Kinës për të “siguruar që këto takime të jenë të suksesshme”, tha zyra e kryeministrit kanadez në një deklaratë.

Që nga një takim pozitiv midis Carney dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut vitin e kaluar, vendet kanë shfaqur një dëshirë të përbashkët për t’i dhënë fund periudhave të tensionit që kanë prishur marrëdhëniet që nga viti 2017.

Tendosja më e fundit ndodhi pasi qeveria e ish-kryeministrit Justin Trudeau vendosi tarifa për automjetet elektrike kineze në vitin 2024, pas kufizimeve të ngjashme të SHBA-së.

Kina u hakmor marsin e kaluar me tarifa për më shumë se 2.6 miliardë dollarë produkte bujqësore dhe ushqimore kanadeze, të tilla si vaji dhe mielli i kanolës, duke çuar në një rënie prej 10.4% të importeve kineze të mallrave kanadeze në vitin 2025, të treguara në të dhënat doganore të mërkurën.

Riangazhimi me Kinën është nxitur gjithashtu nga një shtytje për të diversifikuar tregjet e eksportit, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump vendosi tarifa ndaj Kanadasë vitin e kaluar dhe sugjeroi që aleati i hershëm i SHBA-së mund të bëhet shteti i 51-të i vendit të tij.

Përpjekjet për të nisur një dialog të ri u shtuan që kur Carney mori drejtimin vitin e kaluar, me zyrtarë të lartë të të dyja palëve që caktuan takime dhe telefonata që hapën rrugën për takimin e udhëheqësve në tetor në Korenë e Jugut./CNA, përkthyer nga Reuters/kb

09:31 Kërcënimet e aneksimit nga SHBA përshkallëzohen/ Disa vende të NATO-s dërgojnë trupa ushtarake në Groenlandë

Last Updated on 15/01/2026 by Kesjana

Disa vende të NATO-s kanë vendosur të dërgojnë një numër të vogël personeli ushtarak në Groenlandë për të marrë pjesë në ushtrime të përbashkëta me Danimarkën, në një kohë që presidenti i SHBA-së Donald Trump shton kërcënimet e tij për të aneksuar me forcë ishullin Arktik.

Deklaratat e Trump e kanë futur në krizë aleancën e sigurisë të udhëhequr nga SHBA-të, duke rritur mundësinë që anëtari më i madh dhe më i fuqishëm i NATO-s të aneksojë territorin e një tjetri.

Danimarka, e cila është përgjegjëse për mbrojtjen e Groenlandës, ka paralajmëruar se një sulm ndaj Groenlandës do t’i jepte fund NATO-s dhe njoftoi të mërkurën se po zgjeronte praninë e saj ushtarake në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e NATO-s.

Gjermania, Suedia, Franca dhe Norvegjia kanë konfirmuar që të gjitha se do të dërgojnë personel ushtarak në Groenlandë këtë javë për një stërvitje të përbashkët me trupat daneze. Kanadaja dhe Franca kanë thënë gjithashtu se planifikojnë të hapin konsullata në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, në javët e ardhshme.

Nuk është e pazakontë që vendet e NATO-s të dërgojnë trupa për t’u trajnuar në vende të tjera të NATO-s, dhe ka pasur një shtytje prej vitesh nga aleatët, përfshirë SHBA-në, për të rritur stërvitjet e përbashkëta në Rrethin Arktik. SHBA-të kanë rreth 150 trupa të stacionuara në Bazën e tyre Hapësinore Pituffik në veriperëndim të Groenlandës.

Por, si koha ashtu edhe simbolika e njoftimeve të fundit nga kombet evropiane janë një shfaqje e rëndësishme solidariteti në një kohë tensioni të paparë brenda NATO-s.

Trump ka qenë jashtëzakonisht i zëshëm në lidhje me ambiciet e tij për të marrë kontrollin e ishullit më të madh në botë, përfshirë edhe me forcë nëse është e nevojshme, duke thënë se do të bënte diçka në Groenlandë, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo, gjatë një konference për shtyp me drejtuesit e naftës të premten.

Në një deklaratë të mërkurën, Ministria Gjermane e Mbrojtjes tha se po dërgon një ekip zbulimi prej 13 ushtarakësh në Groenlandë të enjten për një mision eksplorimi së bashku me vendet e tjera partnere, me ftesë të Danimarkës.

Suedia dërgoi gjithashtu një numër të paspecifikuar trupash në Groenlandë të mërkurën me kërkesë të Danimarkës, njoftoi Kryeministri Ulf Kristersson në X. Oficerët suedezë do të jenë pjesë e një grupi trupash nga vende të tjera aleate të cilët së bashku do të përgatiten për një stërvitje të ardhshme të quajtur Operacioni Arktik i Qëndrueshmërisë, shtoi ai.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Franca do të marrë pjesë gjithashtu në Operacionin Arctic Endurance.

“Njësitë e para ushtarake franceze janë tashmë në rrugë. Të tjerat do të pasojnë”, shkroi ai në X.

Norvegjia po dërgon gjithashtu dy personel mbrojtës në Groenlandë, konfirmoi për CNN një zëdhënës i Ministrisë Norvegjeze të Mbrojtjes. NATO, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, është një aleancë ushtarake e gjatë midis 30 shteteve evropiane, si dhe SHBA-së dhe Kanadasë. /Kb

07:46 “Robt ku t’i kesh…”, Shakohoxha ndan episodin me tifozin

Ish-komentatori sportiv Dritan Shakohoxha tregoi në “Opinion” një episod të çuditshëm, por dhe qesharak, me gjuhën e urrejtjes në rrjetet sociale. Edhe pse nuk komenton ndeshje prej tre vitesh, një tifoz i zemëruar  vendosi t’ia ‘numërojë’ të gjitha në Instagram: E nxore kokën, tifoz i Interit…

“Më ngrohen nervat, sa të duash. E di sa vetave u kam kthyer përgjigje?! U shkruaj, shpesh kam gjetur edhe kështu ironi. Kam historia nga më të ndryshmet. Unë nuk komentoj më ndeshje, kam tre vjet që nuk komnetoj më ndeshje dhe nuk kam më ndërmend që të komentoj më ndeshje. Dikush që punon në një televizion, ka një ngjashmëri me mua.

Vjet më shkruan dikush në Instagram, ti more që e nxore kokën që dole tifoz i Interit dhe nisi duke me sharë. Më shkruan, duke më sharë nga të gjitha anët: ‘ti more që e qite kokën, robt ku t’i kesh, e nxore që je tifoz i Interit’. Unë i shkruaj ‘ i nderuar zotëri unë kam tre vjet që nuk komentoj më ndeshje, por gjithsesi robt ku t’i kesh edhe ti’. Realisht njerëzit mendojnë se kanë të drejtë të të gjykojnë dhe të japin një mendim për ty”, tregoi Shakohoxha./kb

07:28 Kalifornia nis hetim ndaj Elon Musk për deepfake-t seksuale të Inteligjencës Artificiale

Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, ka nisur një hetim mbi përhapjen e imazheve seksuale të krijuara nga modeli i inteligjencës artificiale Grok, i zhvilluar nga kompania e Elon Musk, xAI.

Bonta tha se materialet “që shfaqin gra dhe fëmijë në situata lakuriqe dhe seksuale” janë përdorur për të ngacmuar njerëz online, duke e cilësuar situatën “tronditëse”. Ai bëri thirrje që xAI të ndërmarrë masa të menjëhershme.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e quajti vendimin e xAI për “të krijuar një ambient të favorshëm për predatorë” si “të neveritshëm”.

Musk, në reagimin e tij, deklaroi se Grok nuk prodhon imazhe të personave të mitur pa kërkesë të përdoruesit dhe akuzoi kritikët për motivime politike.

Hetimi i Kalifornisë vjen ndërsa Britania po përgatit ligje për ndalimin e imazheve intime të krijuara pa pëlqim, dhe Ofcom ka nisur gjithashtu një hetim mbi Grok.

Tre senatorë demokratë amerikanë kanë kërkuar largimin e X dhe Grok nga dyqanet e aplikacioneve, ndërsa platforma ka kufizuar mjetin e gjenerimit të imazheve vetëm për abonentët që paguajnë.

Debati thekson pyetjen ligjore mbi përgjegjësinë e kompanive për përmbajtjen e krijuar nga AI, pasi Seksioni 230 i ligjit amerikan nuk mbulon imazhet e prodhuara nga vetë platformat./kb

07:12 Nuk ka konsensus për Groenlandën

Takimi i Shtëpisë së Bardhë për Groenlandën nuk arriti të sheshojë dallimet që ekzistojnë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Danimarkës për ishullin më të madh në botë.

Pas takimit që patën me zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance, dhe Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës theksuan se mosmarrëveshjet mes palëve janë thelbësore.

“Nuk arritëm ta ndryshonim qëndrimin amerikan. Është e qartë se presidenti ka dëshirën për të pushtuar Groenlandën. Ne e bëmë shumë, shumë të qartë se kjo nuk është në interes të mbretërisë.”, tha Lars Løkke Rasmussen.

Sa i përket shqetësimeve të amerikanëve lidhur me sigurinë e Groenlandës, ministri i Jashtëm danez theksoi se kjo mund të adresohet përmes NATO-s, ndërsa hodhi edhe një herë poshtë çdo ide për blerjen e ishullit arktik.

Ndërsa ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, tha se vendi i saj dëshiron të forcojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, por nuk dëshiron të jetë pronë e SHBA-ve.

E ndërsa palët ishin në diskutime në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan nga Zyra Ovale theksoi gjithashtu se nuk do të heqë dorë nga Groenlanda, pasi ajo është shumë e rëndësishme për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, Danimarka nuk mund ta mbrojë Groenlandën përballë një pushtimi të mundshëm nga Rusia ose Kina./kb

❌