Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Horoskopi: 28 janar 2026

🌙 28 janari sjell një energji më të qetë, reflektuese dhe të fokusuar te stabiliteti emocional, marrëdhëniet dhe vendimet e menduara. Ja çfarë rezervojnë yjet për secilën shenjë.

♈ Dashi

Kjo ditë ju shtyn të merrni iniciativë, sidomos në punë dhe çështje personale që i keni shtyrë prej kohësh. Energjia është e fortë, por kërkon vetëkontroll për të shmangur përplasjet e panevojshme.

✨ Motivim: Guximi i vërtetë është të veprosh pa humbur qetësinë.

♉ Demi

Yjet ju ftojnë të fokusoheni te siguria, stabiliteti dhe mirëqenia personale. Një ditë e mirë për të ndërtuar, jo për të nxituar. Vendimet e vogla sot kanë ndikim afatgjatë.

✨ Motivim: Durimi është investimi më i sigurt.

♊ Binjakët

Komunikimi është pika juaj e fortë sot. Një bisedë e sinqertë mund të sqarojë keqkuptime ose të hapë një rrugë të re bashkëpunimi. Dëgjoni po aq sa flisni.

✨ Motivim: Fjala e thënë në momentin e duhur ndryshon gjithçka.

♋ Gaforrja

Marrëdhëniet familjare dhe emocionale janë në plan të parë. Mbështetja që jepni sot do t’ju kthehet shumëfish. Bashkëpunimi sjell më shumë qetësi sesa izolimi.

✨ Motivim: Forca jote është aftësia për të ndërtuar lidhje të forta.

♌ Luani

Përgjegjësitë profesionale kërkojnë vëmendje, por rezultatet nuk do të mungojnë. Mos kërkoni duartrokitje të menjëhershme, puna juaj po vihet re.

✨ Motivim: Shkëlqimi i vërtetë vjen nga përkushtimi, jo nga nxitimi.

♍ Virgjëresha

Një ditë ideale për organizim, planifikim dhe reflektim. Mendja juaj analitike është e kthjellët dhe ju ndihmon të merrni vendime praktike.

✨ Motivim: Kur ke qartësi, çdo hap bëhet më i lehtë.

♎ Peshorja

Energji që kërkon ekuilibër emocional dhe maturi. Mos lejoni që presioni i të tjerëve të ndikojë në vendimet tuaja. Qetësia është arma juaj sot.

✨ Motivim: Paqja e brendshme është zgjedhje, jo rastësi.

♏ Akrepi

Dita favorizon introspeksionin dhe pastrimin emocional. Është momenti për të lënë pas atë që ju rëndon dhe për t’u fokusuar te forca juaj e brendshme.

✨ Motivim: Çlirimi fillon kur ndalon së mbajturi barrë që nuk është e jotja.

♐ Shigjetari

Një ndalesë e vogël për reflektim ju ndihmon të riorientoni drejtimin. Mos kini frikë të ngadalësoni ritmin për të kuptuar më mirë veten.

✨ Motivim: Ndonjëherë rruga e duhur gjendet duke ndaluar për pak.

♑ Bricjapi

Puna dhe përgjegjësitë ecin mirë nëse nuk i vendosni vetes presion të tepërt. Qëndrueshmëria juaj është pika më e fortë sot.

✨ Motivim: Suksesi ndërtohet hap pas hapi, jo me nxitim.

♒ Ujori

Energjia e ditës ju favorizon në marrëdhënie dhe vetëbesim. Idetë tuaja dallohen, mjafton t’i shprehni me qartësi dhe bindje.

✨ Motivim: Besimi në vete është hapi i parë drejt çdo fitoreje.

♓ Peshqit

Një qetësi e rrallë ju ndihmon të shihni më qartë vendimet e rëndësishme. Ndiqni intuitën, ajo sot është aleati juaj më i fortë.

✨ Motivim: Kur mendja qetësohet, zemra flet më qartë.

The post Horoskopi: 28 janar 2026 appeared first on iconstyle.al.

“Kujdes mikrofonin”/ Sfida e rrezikshme e “BBV”, 7 orë me këmbët në ujë me akull dhe gjakderdhja që u fsheh nga kamerat

Ajo që u paraqit si një lojë brenda Big Brother VIP Albania, u shndërrua në një skenë shqetësuese që ngre pikëpyetje serioze për kufijtë e këtij formati. Sfida e ideuar nga Lori Caffe konsistonte në mbajtjen e këmbëve në një enë të mbushur vazhdimisht me ujë dhe akull. Kush rezistonte më gjatë, fitonte. Në letër, një provë durimi. Në praktikë, një eksperiment ekstrem mbi trupin e njeriut.

Shumë prej banorëve nuk arritën ta përballonin dhe e ndërprenë sfidën më herët, për shkak të dhimbjes dhe pamundësisë fizike. Pesë prej tyre, Brikena, Artan, Mal, Rogert dhe Anxhelo, vendosën të shkonin deri në fund, duke qëndruar plot 7 orë me këmbët në ujë me akull. Në atë pikë, sfida kishte kaluar çdo kufi normal dhe kishte hyrë në territorin e rrezikut serioz shëndetësor.

Pas përfundimit të sfidës, një nga banorët, Artan Kola, pati gjakderdhje nga këmbët. Lëkura ishte çarë dhe dëmtimin mund ta merrnim me mend.  Vetë banorët ishin ata që nisën të komentonin gjakderdhjen e tij. Por çfarë shtoi shqetësimet është mënyra se si kjo ngjarje u menaxhua brenda shtëpisë, nda produksioni. Banorët nuk u lejuan ta diskutonin hapur atë që kishte ndodhur. Kamerat u shmangën. Në një moment, teksa Stelina po përmendte faktin që Artanit po i dilte gjak nga këmbët, ndërhyrja ishte e drejtpërdrejt: “kujdes mikrofonin”.

Mbajtja e këmbëve në ujë me akull për një kohë kaq të gjatë sjell pasoja shumë të rënda.

Ekspozimi ekstrem ndaj të ftohtit ngadalëson qarkullimin e gjakut deri në pikën ku indet fillojnë të dëmtohen dhe të vdesin, duke rritur rrezikun për ngrirje të indeve. Nervat periferikë pësojnë dëmtime, çka mund të sjellë mpirje të zgjatur, dhimbje kronike dhe humbje ndjeshmërie që nuk rikthehet lehtë. Lëkura, e ekspozuar për orë të tëra në ujë të ftohtë, çahet, humb barrierën mbrojtëse dhe bëhet terren për infeksione serioze. Trupi humb nxehtësi në mënyrë të vazhdueshme, duke rritur rrezikun për hipotermi edhe kur pjesa tjetër e trupit është jashtë ujit. Në raste ekstreme, pasojat nuk janë vetëm afatshkurtra, por mund të lënë dëmtime të përhershme.

Nuk është më lojë dhe as show, në momentin kur shëndeti i njerëzve vihet realisht në rrezik. Argëtimi nuk justifikon dhimbjen, gjakderdhjen apo fshehjen e incidenteve që ndodhin para syve të publikut. Një format televiziv që merr përsipër të testojë kufijtë e banorëve ka detyrimin minimal të vendosë kufij të qartë, përpara se sfida të kthehet në një situatë që askush nuk duhet ta normalizojë. Kur kamerat fiken dhe mikrofonët “kujdesen”, të parët që duhet të bëjnë kujdesin më të madh janë produksioni dhe “Top Channel”.

The post “Kujdes mikrofonin”/ Sfida e rrezikshme e “BBV”, 7 orë me këmbët në ujë me akull dhe gjakderdhja që u fsheh nga kamerat appeared first on iconstyle.al.

Skandali Beckham nuk është vetëm familjar: Mbiemri është markë dhe e ka në dorë Victoria

Përplasja publike mes Brooklyn Beckham dhe prindërve të tij nuk duket më thjesht si dramë familjare. Në prapaskenë del një element që e bën gjithçka më të ftohtë, më të ashpër dhe shumë më të rrezikshme për imazhin e tyre: mbiemri “Beckham” nuk është vetëm identitet, është markë tregtare.

Sipas dokumenteve të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, Victoria Beckham ka marrë në dhjetor 2016 markën tregtare “Brooklyn Beckham”. Kjo markë mbulon kategori të shumta, nga kozmetika dhe produktet pas rrojës, te veshjet, këpucët, veshjet sportive, kapelet, lodrat, madje edhe përmbajtje si programe televizive dhe muzikë. Pra, jo një formalitet i vogël, por një kornizë që prek direkt përdorimin komercial të emrit.

Pika që i vuri flakën konfliktit është mënyra si Brooklyn e përjetoi këtë çështje. Në deklaratën e tij, ai pretendon se prindërit tentuan ta shtynin të firmoste një marrëveshje që do ta bënte të hiqte dorë nga të drejta mbi emrin e tij, me ndikim edhe për bashkëshorten Nicola Peltz dhe fëmijët e tyre në të ardhmen. Ai thotë se presioni u rrit para dasmës dhe se refuzimi i tij e ndryshoi përgjithmonë mënyrën si u trajtua nga familja.

Nga ana tjetër, burime pranë familjes Beckham e kanë quajtur këtë praktikë “standarde” dhe të lidhur me mbrojtjen e emrit të familjes, sidomos kur ka partnerë komercialë dhe marrëveshje biznesi ku “Beckham” si mbiemër ka peshë globale. Sipas kësaj logjike, marka dhe kontratat nuk janë për ta kufizuar Brooklyn-in, por për ta mbrojtur nga palë të treta dhe për të “siguruar” të ardhmen e fëmijëve.

Por ja ku bëhet vërtet bombë: Victoria nuk e ka bërë këtë vetëm për Brooklyn-in. Ajo ka regjistruar marka tregtare edhe për fëmijët e tjerë. Me fjalë të thjeshta, familja Beckham ka vepruar si një korporatë që mbron asetet e saj më të çmuara, emrat. Dhe kur emri bëhet aset, çdo ndjesi familjare rrezikon të kthehet në konflikt interesash.

Sot kjo histori po lexohet në dy mënyra: për disa, Victoria po mbron familjen nga shfrytëzimi dhe nga “grabitja” e emrit; për të tjerë, duket si një përpjekje për kontroll mbi identitetin komercial të fëmijëve, deri në pikën ku mbiemri shndërrohet në pronë.

Si mendoni ju?

The post Skandali Beckham nuk është vetëm familjar: Mbiemri është markë dhe e ka në dorë Victoria appeared first on iconstyle.al.

A kemi dalë nga patriarkaliteti, apo vetëm e kemi maskuar?

Historia Brikena-Mateo në Big Brother VIP Albania na vuri përballë një dileme më të thellë, që shoqëria shqiptare e shtyn prej vitesh. A kemi ndryshuar vërtet, apo vetëm kemi ndërruar gjuhën me të cilën ushtrojmë të njëjtin kontroll?

Mateo rrëfeu diçka që për shumë njerëz nuk tingëllon aspak e huaj. Ndërhyrje direkte nga familjarë, ndalim takimesh, thirrje në telefon, presion moral dhe një ndjenjë përgjegjësie që i vihet një të riu mbi supe, sikur një njohje e sapofilluar të ishte tashmë një çështje nderi. Ai foli për frikën, për ndjesinë se situata po shkonte drejt një fejesë apo martese pa qenë gati, thjesht që “të mos dalë nami”. Ky është një skenar që Shqipëria e njeh mirë, sepse e ka jetuar gjatë.

Për dekada me radhë, sidomos për vajzat, jeta personale nuk ka qenë kurrë vetëm personale. Ka qenë çështje familjeje, fisi, lagjeje. Çdo hap shihej, çdo afrim peshohej, çdo zgjedhje duhej justifikuar. Sot pretendojmë se kemi dalë nga ajo kohë, por raste si ky tregojnë se shumë nga mekanizmat janë ende aty, në çdo vend ku ka Shqiptarë. Ndoshta jo më me të njëjtën ashpërsi, por me të njëjtën logjikë.

Ajo që ka ndryshuar është forma. Patriarkaliteti nuk vjen më gjithmonë si urdhër i hapur. Shpesh vjen i veshur si mbrojtje, si kujdes, si frikë për imazhin. Vjen edhe në familje që duken moderne, në provinca, në qytete të vogla e të mëdha, madje edhe në ambiente publike dhe televizive. Dhe paradoksi është se sa më publike të jetë figura, aq më i fortë bëhet ankthi për kontrollin e saj.

Në këtë kuptim, reagimi për privatësinë, ndërkohë që jeta dhe imazhi janë ndërtuar në hapësirë publike, nxjerr në pah një tjetër kontradiktë. Duam lirinë e ekspozimit, por jo pasojat e saj. Duam modernitetin, por pa cenuar strukturat e vjetra që na japin ndjesi sigurie. Duam të dukemi të emancipuar, por reagojmë me të njëjtat reflekse si dikur.

A kemi dalë realisht nga patriarkaliteti, apo thjesht e kemi bërë më të pranueshëm, më të butë, më të fshehur? Dhe nëse ende shfaqet kaq qartë në marrëdhënie, në familje dhe në ekran, ndoshta nuk kemi ndryshuar aq sa na pëlqen të besojmë…

The post A kemi dalë nga patriarkaliteti, apo vetëm e kemi maskuar? appeared first on iconstyle.al.

A mund të indinjohesh për privatësinë, kur ke zgjedhur të jetosh para kamerave?

Debati i hapur së fundmi në Big Brother VIP Albania na rikthen te një pyetje që shoqëria shqiptare e shmang shpesh, por që në fakt është thelbësore. Ku mbaron privatësia dhe ku fillon përgjegjësia e të qenit person publik?

Në momentin që familja e Brikenës reagoi duke kërkuar respektimin e privatësisë, u krijua një kontrast i fortë. Nuk po flasim për një person anonim. Po flasim për të njëjtën vajzë që ka fituar Miss Kosova dhe ka përfaqësuar Kosovën në skena ndërkombëtare, duke e ndërtuar vetë identitetin e saj publik përmes ekspozimit, imazhit dhe vëmendjes mediatike. Ky është fakt.

Pyetja lind natyrshëm. A mund të kërkosh privatësi absolute, kur ke zgjedhur vetë rrugë që të bëjnë figurë publike? Kur merr pjesë në konkurse bukurie, kur ndërton profil publik, kur futesh në një format televiziv që jeton nga rrëfimet personale, emocionet dhe historitë intime, a nuk është kjo një marrëveshje e heshtur me publikun?

Sigurisht që çdo njeri ka të drejtë të ketë kufij. Askush nuk justifikon dhunën, presionin apo shkeljen e dinjitetit. Por privatësia nuk mund të jetë selektive. Nuk mund të jetë e hapur kur të sjell famë dhe e mbyllur kur rrëfimi nuk të shërben më. Nuk mund të kërkosh duartrokitje për ekspozimin dhe indinjatë për pasojat e tij.

Këtu hyn edhe familja, që shpesh përpiqet ta mbrojë figurën, por pa dashje forcon një kontradiktë të madhe shoqërore. Nga njëra anë krenari për suksesin publik, nga ana tjetër frikë nga çmimi i ekspozimit. Kjo lëkundje mes modernes dhe patriarkales tregon se ende nuk e kemi zgjidhur raportin tonë me lirinë individuale.

Nëse privatësia është një vijë e panegociueshme, atëherë ndoshta duhen rimenduar edhe zgjedhjet që të vendosin nën dritën e vazhdueshme të kamerave. Sepse fama nuk është vetëm privilegj. Është edhe përgjegjësi. Dhe mbi të gjitha, është një zgjedhje.

The post A mund të indinjohesh për privatësinë, kur ke zgjedhur të jetosh para kamerave? appeared first on iconstyle.al.

Artesano, një tryezë që të fton të rrish më gjatë

Ka disa gjëra që nuk kanë nevojë të bërtasin për t’u vënë re. Artesano është një prej tyre. Ky koleksion i Villeroy & Boch nuk ndjek modën e radhës dhe as nuk përpiqet të impresionojë me forma të tepruara. Ai thjesht qëndron aty, i qetë, i bukur dhe i besueshëm, si ato gjërat që me kalimin e kohës bëhen pjesë e jetës pa e kuptuar.

Porcelani i bardhë, format e buta dhe linjat e pastra i japin tryezës një ndjesi rregulli dhe harmonie. Ushqimi duket më i bukur, jo sepse pjatat e mbizotërojnë, por sepse i lënë hapësirë të marrë frymë. Edhe një drekë e thjeshtë në mes të javës merr një tjetër ndjesi, më të qetë, më të menduar.

Artesano ka diçka shumë njerëzore në mënyrën si është konceptuar. Nuk është i ftohtë, nuk është formal. Përkundrazi, në disa pjesë kombinohet me dru akacie apo elementë natyralë, duke i dhënë tryezës ngrohtësi dhe jetë. Është ai lloj servisi që shkon njësoj mirë në një apartament modern, në një shtëpi familjare apo në një tavolinë jashtë, në një mbrëmje vere.

Ajo që e bën vërtet të dashur këtë koleksion është fakti që nuk të krijon frikë ta përdorësh. Nuk është për t’u nxjerrë vetëm kur vijnë miqtë apo në festa. Është për kafen e mëngjesit, për darkën e shpejtë, për bisedat që zgjasin më shumë seç kishe planifikuar. Është i fortë, praktik dhe i menduar për jetën reale, jo për vitrinë.

Artesano nuk kërkon perfeksion. Mund ta ndërtosh ngadalë, sipas nevojave të tua, duke shtuar pjesë me kalimin e kohës. Çdo tryezë me të duket personale, e jetuar, e vërtetë. Dhe ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse njerëzit e zgjedhin dhe vazhdojnë ta duan.

Është ajo ndjesia e vogël që të thotë se ia vlen të ulesh, të hash pa nxitim dhe të shijosh momentin.

Vizito tani Villeroy&Boch, fizikisht në Qendrën Metropol, Rruga Sami Frashëri, Tiranë, ose online në www.bybest.shop

The post Artesano, një tryezë që të fton të rrish më gjatë appeared first on iconstyle.al.

Mes jetës dhe vdekjes, modelja Dajana Kalo me hemorragji cerebrale, QSUT i rrezikon jetën

Një vajzë 25-vjeçare, deri pak javë më parë jetonte mes pasarelave, rrjeteve sociale dhe projekteve profesionale. Sot, Dajana Kalo është e shtrirë në shtratin e spitalit, e paralizuar në anën e djathtë të trupit, duke luftuar për jetën, ndërsa shteti i saj e ka lënë në pritje.

Influencerja dhe modelja Dajana ka pësuar një hemorragji cerebrale si pasojë e një Malformacioni Arteriovenoz, një diagnozë e rëndë që kërkon reagim të menjëhershëm. Që prej 29 dhjetorit, ajo ndodhet e shtruar në pavionin e neurokirurgjisë në QSUT. Qëndrimi i saj pa ndërhyrje, dëmton më tej trurin e saj dhe shanset për rikuperim.

Miqtë dhe familjarët kanë denoncuar publikisht atë që po ndodh brenda mureve të QSUT: javë të tëra pritje, mungesë vendimmarrjeje dhe heshtje.

Për të vendosur për ndërhyrjen kirurgjikale, mjekët kërkojnë kryerjen e ekzaminimit Arteriografi DSA. Në QSUT ka dy aparatura për këtë procedurë, por asnjëra nuk është vënë realisht në funksion për Dajanën. Njëra “nuk punon”, ndërsa për tjetrën kërkohet miratimi i një mjeku që refuzon të marrë përgjegjësi.

I njëjti mjek që refuzon përgjegjësinë në shtet, ushtron aktivitet edhe në një spital privat, madje është i vetmi që ofron këtë shërbim jashtë sistemit publik, me kosto që nisin nga 25,000 euro. Pritja e pafundme në QSUT është një shtyrje e heshtur drejt privatit. Një konflikt interesi që paguhet me shëndetin dhe jetën e një vajze 25-vjeçare.

I braktisur nga shteti, rasti i Dajanës ka zgjuar ndërgjegjen e njerëzve. Qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora janë bashkuar për ta ndihmuar. Fushata GOFUNDME ka arritur të mbledhë 211,132 euro, duke tejkaluar objektivin prej 200 mijë eurosh, dhe kontributet vazhdojnë edhe sot. Njerëz që nuk e njohin personalisht, por që e shohin si bijën, motrën apo shoqen e tyre, po bëjnë atë që institucionet refuzuan të bëjnë: po i qëndrojnë pranë në ditët më të vështira të jetës së saj.

Ky solidaritet i jashtëzakonshëm e bën edhe më të dhimbshme heshtjen e shtetit. Për këtë situatë ka përgjegjës konkretë. Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala dhe drejtoresha e QSUT Anxhela Paparizo nuk mund të mbyllin sytë përballë një sistemi që i detyron qytetarët të mbledhin para online për të shpëtuar jetën.

Ndërsa njerëzit po bëjnë gjithçka munden për ta shpëtuar, pse shëndetësia publike shqiptare nuk bën të njëjtën gjë?

The post Mes jetës dhe vdekjes, modelja Dajana Kalo me hemorragji cerebrale, QSUT i rrezikon jetën appeared first on iconstyle.al.

Ligj i ri për influencerët shqiptarë: Nëse nuk regjistrohesh në QKB, mund të humbasësh llogaritë në rrjete sociale

Nëse fiton para nga Instagrami, TikTok apo YouTube, ligji i ri të trajton si biznes. Ndryshimet e Paketës Fiskale, të botuara në Fletoren Zyrtare, e kanë bërë të qartë se aktiviteti online quhet veprimtari ekonomike dhe nuk konsiderohet më hobi.

Sipas ligjit, çdo influencer apo bloger që gjeneron të ardhura duhet të regjistrohet në Qendra Kombëtare e Biznesit dhe të shfaqë publikisht në profilin e tij NIPT-in, emrin e subjektit, adresën dhe kontaktin. Nëse këto mungojnë, aktiviteti konsiderohet i paregjistruar.

Administrata tatimore nuk do të bazohet te ndjekësit apo postimet, por te paratë. Identifikimi do të bëhet përmes shumave që depozitohen në llogaritë bankare. Pas një njoftimi zyrtar, influencerëve u jepet afat për të rregulluar dokumentacionin dhe për të publikuar të dhënat në rrjetet sociale.

Audituesi ligjor Avni Tobli shpjegon se kjo nuk është asgjë e re krahasuar me bizneset e tjera. Sipas tij, ashtu si çdo subjekt tregtar, edhe influencerët duhet të kenë të dhënat e ekspozuara publikisht. Ai thekson se shumë prej tyre po regjistrohen tashmë, sepse edhe bizneset që bashkëpunojnë me ta kërkojnë faturë për pagesat.

Nëse ligji nuk zbatohet, pasojat janë të drejtpërdrejta. Nëse brenda 15 ditëve nga njoftimi nuk publikohen të dhënat, administrata tatimore i kërkon Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare bllokimin e llogarive në rrjetet sociale, si dhe vendos gjoba për rastet e kundërshtimit.

Kontrollet kanë treguar se ekonomia online është shumë më e madhe nga sa mendohej. Vetëm gjatë vitit 2025, rreth 100 profile në rrjete sociale kanë gjeneruar mbi 33 milionë euro të ardhura, të depozituara në llogari personale. Një treg në rritje të shpejtë, por edhe me shumë informalitet, që tani po futet me detyrim në sistemin tatimor.

The post Ligj i ri për influencerët shqiptarë: Nëse nuk regjistrohesh në QKB, mund të humbasësh llogaritë në rrjete sociale appeared first on iconstyle.al.

Lumturije Nonaj, e vetmja rapsode grua në botë që i bie lahutës

Lahuta mbetet shpirti i Shqipërisë së Veriut. Historitë që lindin nga tingujt e saj udhëtojnë më shpejt se njerëzit në rrugët e Malësisë, duke përcjellë kujtesë, identitet dhe art brez pas brezi. Dikur rapsodët e këtyre trevave ishin të shumtë. Ata këndonin këngë trimash, histori njerëzore dhe rrëfime të jetës malësore, duke e mbajtur gjallë traditën e lahutës si një amanet të shenjtë.

Nga trungu i kësaj trashëgimie vjen edhe Lumturije Nonaj, e konsideruar sot e vetmja rapsode grua në botë që interpreton me lahutë. Ajo është pinjolle e një familjeje të njohur lahutarësh, e cila e ka promovuar këtë instrument në veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare. Lumturija është mbesa e rapsodit legjendar Gjok Nonaj, i cili interpretoi në moshën 105 vjeçare në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës dhe mbetet një nga figurat më emblematike të këtij arti.

E lindur në Lezhë dhe me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe, Lumturije Nonaj thotë se lahuta ka qenë pjesë e jetës së saj që në fëmijëri.

“Unë pothuajse kam lindur lahutare. Brez pas brezi familja ime njihej si familje lahutarësh. Çiftelisë i kam rënë që pesë vjeçe, ndërsa lahutës kam filluar t’i bie në moshën dymbëdhjetë vjeçare”, shprehet ajo.

Sipas saj, sot kanë mbetur shumë pak lahutarë, aq sa mund të numërohen me gishta.

Tradita vazhdon ende brenda familjes Nonaj. Katër vëllezërit e saj, Nikolla, Luigji, Gjeta dhe Gjovalini, janë gjithashtu lahutarë, ndërsa Lumturija po ia mëson këtë instrument edhe bashkëshortit të saj. Ajo thekson se lahuta nuk është e vështirë për t’u mësuar, për sa kohë ka dëshirë dhe respekt për traditën.

Pas njohjes së lahutës nga UNESCO, interesimi për këtë instrument është rritur ndjeshëm. Lumturija tregon se shpesh ndalet nga njerëz në rrugë, sidomos kur shfaqet e veshur me xhubletë dhe me lahutën në dorë.

“Kanë kureshtje. Duan të dinë për identitetin e instrumentit, për pasaportën e lahutës. Dëshira ime është jo vetëm ta luaj, por edhe t’ua mësoj të rinjve”, thotë ajo, duke shprehur shpresën se Shqipëria do të vazhdojë të ketë lahutarë dhe lahutare.

Repertori i saj përfshin këngë trimërie, këngë të Eposit të Kreshnikëve, si dhe vargje nga “Lahuta e Malcis” e At Gjergj Fishta. Por Lumturije Nonaj ka zgjedhur që lahuta e saj të mos këndojë vetëm për luftë dhe vaj.

“Lahutës sime i kam dhënë për detyrë të këndojë edhe këngë dashurie”, shprehet ajo.

Ajo krijon gjithashtu këngë për Malësinë e Madhe, bjeshkët dhe shtegtimin e bagëtive, një tjetër traditë e njohur sot si pasuri shpirtërore.

Për lahutaren, xhubleta dhe lahuta janë si dy motra të pandara. Ajo thotë se nuk do t’i ndajë kurrë, sepse përfaqësojnë identitetin, rrënjët dhe historinë e saj. Siç shprehet vetë Lumturije Nonaj, njohja e lahutës nga UNESCO është një fitore për gjithë kulturën shqiptare.

“Bota e vlerëson këtë art dhe kjo na jep forcë e emocion që ta ruajmë dhe ta çojmë përpara këtë trashëgimi të shenjtë të të parëve tanë”, thotë ajo, duke e parë lahutën si një urë që lidh të shkuarën me brezat që vijnë.

The post Lumturije Nonaj, e vetmja rapsode grua në botë që i bie lahutës appeared first on iconstyle.al.

Mbi 12 mijë të vrarë në pak ditë, por pa bujë globale: Pse bota po hesht për Iranin?

Mbi 12 mijë qytetarë të vrarë në një hark kohor jashtëzakonisht të shkurtër. Internet i fikur. Media e mbyllur. Protesta të shtypura me armë. Dhe megjithatë, në arenën globale, ajo që po ndodh në Iran kalon thuajse në heshtje.

Nuk ka mobilizim ndërkombëtar. Nuk ka reagime të forta politike. Nuk ka valë solidariteti që pushton rrjetet sociale. Nuk ka tituj të përditshëm që tronditin opinionin publik botëror. Ka vetëm disa lajme sporadike, shifra të paqarta dhe një ndjesi të rrezikshme normalizimi të dhunës.

Pse kjo tragjedi nuk po merr vëmendjen që meriton?

Një pjesë e përgjigjes është e pakëndshme, por reale. Jemi desensitizuar. Bota është bërë një zinxhir i pandërprerë krizash, luftërash, masakrash dhe skandalesh. Nga Ukraina në Gaza, nga Sudani në Siri, dhuna është kthyer në sfond. Vrasjet nuk na shokojnë më, na lodhin. Dhe kur dhimbja përsëritet çdo ditë, ndërgjegjja kolektive fillon të mpaket.

Por kjo nuk është e gjithë e vërteta.

Sepse jo çdo tragjedi trajtohet njësoj. Disa kriza shndërrohen në kauza globale, të tjera mbeten të padukshme. Dhe këtu hyn politika. Media ndërkombëtare dhe organizatat e mëdha nuk veprojnë në vakum moral, por brenda interesave gjeopolitike. Irani është një nyje e ndërlikuar, një vend ku përplasjet diplomatike, frika nga përshkallëzimi dhe llogaritjet strategjike peshojnë më shumë se jeta e protestuesve në rrugë.

Ka edhe një arsye tjetër, më cinike. Revolta iraniane nuk është e rehatshme për t’u treguar. Nuk ka akses për gazetarët. Nuk ka transmetime live. Nuk ka imazhe të pastruara për konsum global. Ka errësirë, censurë dhe rrezik. Dhe në një epokë ku vëmendja matet me klikime dhe algoritme, tragjeditë që nuk “performojnë” thjesht shtyhen në periferi.

Heshtja globale nuk është neutrale. Ajo është një mesazh. Një sinjal për regjimin se dhuna mund të vazhdojë pa pasoja serioze ndërkombëtare. Një sinjal për viktimat se zëri i tyre nuk po dëgjohet. Dhe një sinjal për botën se standardet morale janë selektive.

Mbi 12 mijë të vrarë nuk janë statistikë. Janë jetë njerëzish. Dhe fakti që kjo shifër nuk trondit titujt kryesorë është ndoshta treguesi më i qartë i një krize më të madhe se ajo iraniane: kriza e ndërgjegjes globale.

Sepse kur bota mësohet të heshtë përballë një masakre, problemi nuk është vetëm regjimi që shtyp. Problemi është edhe sistemi ndërkombëtar që zgjedh të shohë nga ana tjetër.

The post Mbi 12 mijë të vrarë në pak ditë, por pa bujë globale: Pse bota po hesht për Iranin? appeared first on iconstyle.al.

Swarovski ndriçon Golden Globes 2026, kur luksi, drita dhe arti takohen në tapetin e kuq

Tapeti i kuq i edicionit të 83-të të Golden Globe Awards u shndërrua në një skenë magjike drite dhe elegance, falë krijimeve spektakolare të Swarovski. Më 11 janar 2026, në Beverly Hilton Hotel në Los Angeles, marka ikonike e kristaleve e çoi glamurin e Hollywood-it në një nivel tjetër, duke u bërë pjesë thelbësore e përvojës vizuale të mbrëmjes më të shumëpritur të vitit.

Në bashkëpunim me Schonbek, markë e WAC Group dhe një emër historik në dizajnin e ndriçimit me kristal, Swarovski krijoi katër shandanë ekskluzive, të dizajnuara posaçërisht për këtë event. Të varura përgjatë tapetit të kuq të ridizajnuar, këto instalacione u kthyen në sfondin perfekt për mbërritjen e yjeve, duke i shoqëruar hapat e tyre me një shkëlqim teatral dhe të paharrueshëm.

Shandanët ishin të përbërë nga shtresa elegante prismash të prera me saktësi absolute, ku kristalet katrore, drejtkëndëshe dhe tetëkëndëshe shpërndanin dritën në mënyrë të butë dhe luksoze. Tre prej instalacioneve kishin një diametër rreth 90 centimetra dhe përmbanin nga 4 mijë kristale secila, ndërsa një tjetër qendrore, më monumentale, me diametër rreth 150 centimetra, mbante afro 10 mijë kristale. Në total, rreth 25 mijë kristale dhe 150 orë punë artizanale u shndërruan në një simbol të pastër elegance dhe mjeshtërie.

Të frymëzuara nga glamuri i epokës Regency, këto krijime sollën një ndriçim të ri në festën vjetore të ekselencës në film, televizion dhe podcast, duke vendosur artizanatin dhe inovacionin në qendër të vëmendjes. Përfaqësuesit e Swarovski e përshkruan këtë moment si një kulm të identitetit të shtëpisë, ku drita, arti dhe emocioni bashkohen në një skenë globale.

Por shkëlqimi i Swarovski nuk u ndal vetëm te instalacionet.

Marka zbukuroi edhe disa nga emrat më të mëdhenj të industrisë botërore. Ariana Grande u shfaq me bizhuteri që mishëronin glamurin modern, Julia Roberts rrezatoi elegancë klasike me krijime të personalizuara, ndërsa Jennifer Lawrence tërhoqi vëmendjen me një varëse ekskluzive Swarovski Created Diamonds. Amelia Gray u shndërrua në një vizion mode me një fustan rrjetë kristali në nuancë hematiti të zi, ndërsa Omar Apollo dhe prezantuesja e mbrëmjes, Nikki Glaser, i dhanë tapetit të kuq një dozë të fortë stili dhe individualiteti.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by SWAROVSKI (@swarovski)

 

View this post on Instagram

 

A post shared by SWAROVSKI (@swarovski)

 

View this post on Instagram

 

A post shared by SWAROVSKI (@swarovski)

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by SWAROVSKI (@swarovski)

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by SWAROVSKI (@swarovski)

Golden Globes 2026 konfirmoi edhe një herë se Swarovski është një forcë krijuese që di të ndërtojë atmosferë, të rrëfejë histori përmes dritës dhe të kthejë momente ikonike në përvoja vizuale që mbeten gjatë në kujtesë. Në një mbrëmje ku nderohet brilanca artistike, kristalet Swarovski u bënë reflektimi më i pastër i magjisë së Hollywood-it.

The post Swarovski ndriçon Golden Globes 2026, kur luksi, drita dhe arti takohen në tapetin e kuq appeared first on iconstyle.al.

Lista bazë e kuzhinës për një shtëpi shqiptare, me çmime të ulëta

Kur shtëpia nis të mbushet, kuzhina është vendi i parë ku e kupton çfarë të mungon. Nuk të duhen 100 gjëra. Të duhen ato që i përdor çdo ditë: një tigan i mirë, disa pjata, disa gota dhe ca mjete të thjeshta që të bëjnë punë.

Më poshtë ke një listë bazë, me produkte që i gjen te Neps Shop, me çmime që nuk të prishin xhepin.

1) Për gatim

Tigan me kapak 32 cm, 6599 ALL

Ky është “tigan për gjithçka”: vezë, mish, perime, makarona, gjellë të shpejta. Kapaku të shpëton kur do ta lësh të ziejë pa u shpërndarë era në gjithë shtëpinë.


Wok, 1999 ALL

Nëse do diçka të dytë për kuzhinën, wok-u është super për skuqje të shpejtë dhe perime. E merr një herë dhe e përdor shpesh.

2) Për servirje dhe përditshmëri

Pjatë e thellë me veshë, 699 ALL

Për sallata, supa, makarona, ose thjesht për një servirje që duket bukur pa u munduar.


Pjatë (model me drenushe), 199 ALL

Pjatë e lehtë për përditë, për mëngjes, fruta, ëmbëlsirë. Me 2–4 copë e ke setin bazë.

Pjatë ovale për peshk ose servirje, 1399 ALL

Për tavolinë kur ke miq, për mish, peshk, ose antipasta. Një pjatë e tillë të duhet gjithmonë, se është “pjatë feste” edhe kur s’ke festë.

3) Për gota

Gotë qelqi (amber), 199 ALL

Për ujë, lëng, çaj të ftohtë. Merr 6 copë dhe e ke setin bazë të shtëpisë. Është nga ato gjërat që i do shumë, se i përdor çdo ditë. 

4) Veglat e vogla që të shpëtojnë ditën

Lugë silikoni, 199 ALL

S’e gërvisht enën, pastrohet shpejt, dhe e përdor nga supa te salcat. Është “luga e përditshme”.


Qërues perimesh, 499 ALL

Për patate, karrota, mollë. Një qërues i mirë të kursen kohë, sidomos kur gatuan shpesh.


Set 599 ALL

Pa të s’bën kuzhinë. Kjo është baza.

Shtypëse hudhre, 599 ALL

Hudhra te ne përdoret shumë. Kjo e bën punën shpejt, pa rrëmujë dhe pa erë në duar.

5) Një ide e thjeshtë “seti bazë”

Nëse do ta bësh praktik, mendoje kështu:

Tigan + 6 gota + 4–6 pjata + 2 mjete (lugë silikoni dhe qërues)

Me kaq, ke bazën dhe s’ngelesh pa gjë në kuzhinë.

Nëse të pëlqyen, porositi direkt në “Neps” në Instagram. Super çmime, super cilësi, gati për ty.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by NEPS (@neps_al)

The post Lista bazë e kuzhinës për një shtëpi shqiptare, me çmime të ulëta appeared first on iconstyle.al.

“Nuk e shihja më veten në pasqyrë”/ Kastro Zizo çmonton mitin e artistëve të pushtetit dhe pranon shpërfytyrimin e shitur me para publike

“Për ne artistët është detyrim që të jemi opozitarë. Është detyrim i këtij qyteti, është detyrim i këtij shteti. Edhe ne jemi fajtorë të pasojave të shoqërisë si është sot. Po në pjesën më të madhe, ne kemi edukuar me artin tonë. Artisti duhet të jetë opozitar dhe nuk ia fal dot vetes… Po shpërfytyrohesha dhe nuk po shihja dot veten në pasqyrë.”

Këto janë fjalët e Kastro Zizo, të thëna publikisht në një podcast, në një nga rrëfimet më të rralla të një artisti që pranon hapur se ka qenë pjesë e afërsisë me pushtetin dhe se kjo afërsi e ka deformuar si njeri dhe si figurë publike.

Kastro Zizo foli për detyrimin moral të artistëve për të qenë opozitarë ndaj pushtetit, për fajin kolektiv të artit në gjendjen ku ndodhet shoqëria dhe për shpërfytyrimin personal që ndjeu kur e pa veten të shfaqej në krah të politikanëve, konkretisht pranë ish-kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Ai pranoi se nuk e përballonte më pasqyrën, se fytyra i “zhdukej”, se identiteti i tij si artist po tretej në tag-e politike dhe evente pushteti. Madje, foli edhe për oferta për poste, të shoqëruara me nënkuptime të qarta për korrupsion, për “zhytje duarsh” dhe përqindje.

Për ne, kjo nuk është një deklaratë që zbulohet sot. Është thjesht artikulimi publik i asaj që kemi shkruar dhe denoncuar prej vitesh, kur askush nuk fliste, kur ishte e pakëndshme dhe kur nuk sillte as duartrokitje, as mbështetje. Kemi shkruar për artistët e pushtetit, për servilizmin, për blerjen e heshtjes me para publike, për shndërrimin e artit në dekor propagande. Kemi shkruar kur shumica zgjodhi të heshtë, të përfitojë ose të bëjë sikur nuk shihte.

Deklaratat e Kastro Zizos janë të vonuara, por të nevojshme. Dhe janë të rënda për të gjithë të tjerët që vazhdojnë të heshtin. Sepse Kastro nuk ishte i vetëm. Ai ishte pjesë e një skeme shumë më të gjerë, ku artistët u përdorën si mburojë morale dhe si makineri propagande. Një qytet i tërë u ble me paratë e veta. Event pas eventi, festival pas festivali, fond pas fondi, u ndërtua një rrjet pseudo-artistësh që aktivizohej sa herë pushteti kishte nevojë për duartrokitje.

Arrestimi i Erion Veliajt e ekspozoi qartë këtë mekanizëm. Brenda pak orësh, rrjetet sociale u mbushën me statuse solidariteti nga të njëjtët emra që për vite kanë përfituar nga bashkia.

Pas çdo postimi mbështetës fshihej një faturë, një kontratë, një pagesë nga taksat e qytetarëve. Ne kemi shkruar për këtë rrjet privilegjesh, për dosjen e eventeve, për mënyrën se si fondet publike u kthyen në mjet blerjeje besnikërie dhe për patronazhistët dixhitalë që u përdorën për të përmbytur hapësirën publike me propagandë.

      

Shembja e Teatrit Kombëtar ishte prova më brutale e kësaj skeme. Aty u nda qartë vija mes atyre që e kuptonin artin si përgjegjësi dhe atyre që e shihnin si mundësi për përfitim. Artistë që firmosën pro shembjes, që dolën publikisht në mbështetje dhe që më pas u shpërblyen me pozicione dhe shuma të majme. Ata nuk u mashtruan. Ata zgjodhën. Dhe historia nuk i harron këto zgjedhje, sado të përpiqen t’i mbulojnë me evente, dekorata dhe role.

E njëjta logjikë shfaqet edhe në raste të tjera për të cilat kemi shkruar. Shtetësia e dhënë me WhatsApp për Edon Zhegrovën, ku ligji u anashkalua me një mesazh privat.

Ekstradimi i Cllevio Ahmetit nga Dubai, një veprim i rrallë dhe selektiv, që ngre më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje. Kjo ndodhi pikërisht pasi njëri prej protagonistëve, Noizy, ishte rreshtuar hapur në krah të pushtetit. Në të gjitha rastet, modeli është i njëjtë: privilegj për besnikëri, shpejtësi për të “tanët”, zvarritje ose heshtje për të tjerët.

Prandaj, reagimi i Kastro Zizos ka vlerë vetëm nëse nuk përdoret si justifikim për të tjerët. Ai nuk duhet të shërbejë si alibi kolektive, por si pasqyrë. Sepse sot, pas gjithë këtyre viteve, askush nuk mund të thotë se “nuk e dinte”. Heshtja nuk është më mungesë informacioni, është zgjedhje.

Dhe mesazhi për ata që vazhdojnë të rrinë në mes, të presin anën fituese ose të mbahen pas privilegjeve, është ky: historia nuk mban shënim sa evente moderuat, sa statuse postuat apo kë mbrojtët kur pushteti ishte i fortë. Historia mban shënim vetëm një gjë, nëse patët zë apo nëse pranuat të zhdukeni ngadalë për një ftesë, një kontratë ose një favor. Sot nuk kërkohet heroizëm, por ndershmëri.

The post “Nuk e shihja më veten në pasqyrë”/ Kastro Zizo çmonton mitin e artistëve të pushtetit dhe pranon shpërfytyrimin e shitur me para publike appeared first on iconstyle.al.

Zjarri në clubin në Zvicër nga fishekzjarret e shampanjës: Rastet e ngjashme dhe pse duhet zhdukur kjo “traditë”?

Në natën e Vitit të Ri, një tragjedi e rëndë tronditi Zvicrën. Në barin “Le Constellation” në Crans-Montana, një zjarr shkatërrues shpërtheu gjatë festimeve, pasi dyshohet se fishekzjarre ose qirinj të ndezur, të vendosur brenda shisheve të shampanjës, u afruan rrezikshëm pranë tavanit të lokalit. Flakët kapën me shpejtësi materialet e ndezshme të izolimit dhe dekorit, ndërsa tymi i dendur dhe toksik pushtoi ambientin brenda pak minutash, duke e kthyer klubin në një kurth vdekjeje.

Bilanci i deritanishëm: 47 persona humbën jetën, ndërsa 115 të tjerë mbetën të plagosur, shumë prej tyre me djegie të rënda dhe probleme serioze nga asfiksia. Autoritetet zvicerane vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë, por dëshmitë e para janë të qarta: një praktikë festive e rrezikshme, e toleruar prej vitesh, u shndërrua në shkak fatal.

Të mbijetuarit tregojnë se gjithçka ndodhi brenda sekondash. Një flakë e vogël mjaftoi për të ndezur materialet e lehta të tavanit. Më pas erdhi tymi i zi dhe i trashë, i cili bllokoi frymëmarrjen dhe shikimin, duke penguar daljen nga ambienti. Disa prej viktimave nuk u dogjën nga flakët, por u mbytën nga gazrat toksikë të prodhuar nga materialet izoluese.

Historia e klubeve të natës është e mbushur me ngjarje të ngjashme, ku përdorimi i fishekzjarreve dhe flakëve në ambiente të mbyllura ka shkaktuar masakra njerëzore.

Në vitin 2003, zjarri në klubin “The Station” në Shtetet e Bashkuara vrau 100 persona dhe plagosi mbi 230 të tjerë, pasi një fishekzjarr i ndezur në skenë kapi shkumën izoluese të tavanit.

Në vitin 2004, në Argjentinë, klubi “Cromañón Republic” u shndërrua në varr masiv për 194 persona, ndërsa mbi 1,400 u plagosën, sërish pas përdorimit të mjeteve piroteknike gjatë një koncerti.

Në vitin 2013, Brazili u trondit nga zjarri në klubin “Kiss”, ku 242 persona humbën jetën dhe rreth 630 u plagosën, në një nga tragjeditë më të rënda të këtij lloji në botë.

Edhe më afër nesh, në Maqedoninë e Veriut, një tragjedi e rëndë u regjistrua në mars të vitit 2025. Në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, rreth orës 03:00, një zjarr përfshiu një klub nate në qytetin e Koçanit, ku po zhvillohej një mbrëmje festive me performancë live nga një grup muzikor vendas.

Në diskotekë ndodheshin rreth 1,500 të rinj. Si pasojë e flakëve, 59 të rinj humbën jetën, ndërsa mbi 155 të tjerë mbetën të plagosur. Sipas drejtoreshës së spitalit në Koçan, viktimat ishin kryesisht të moshave 14 deri në 25 vjeç. Mediat në Maqedoninë e Veriut raportuan se shkak i mundshëm i zjarrit dyshohet të kenë qenë fishekzjarret e përdorura brenda ambienteve të lokalit, një praktikë që u përsërit edhe aty, me pasoja shkatërrimtare.

Rreziku i fishekzjarreve dhe flakëve në ambiente të mbyllura është i njohur dhe i dokumentuar. Këto mjete janë projektuar për përdorim në hapësira të jashtme. Në ambiente të brendshme, një shkëndijë e vetme mjafton për të ndezur izolimin akustik, drurin, tekstilet apo shkumën sintetike të tavaneve. Kur këto materiale marrin flakë, zjarri përhapet me shpejtësi ekstreme dhe prodhon tym jashtëzakonisht toksik, që paralizon njerëzit përpara se ata të arrijnë të reagojnë.

Në shumicën e rasteve, vdekjet ndodhin jo nga flakët direkte, por nga asfiksia dhe helmimi nga tymi. Daljet e emergjencës bllokohen, dritat fiken, paniku përhapet dhe sekondat bëhen fatale.

Ky është një zakon vdekjeprurës. Nga Zvicra në Brazil, nga Argjentina në SHBA, e deri në Maqedoninë e Veriut, e njëjta skemë përsëritet, me të njëjtin fund tragjik.

Ka ardhur momenti që përdorimi i fishekzjarreve, qirinjve dhe flakëve të hapura në ambiente të mbyllura të ndalohet dhe të zhduket përfundimisht. Asnjë festë nuk vlen jetën e një njeriu, aq më pak të dhjetëra të rinjve që dalin për të festuar dhe nuk kthehen më në shtëpi.

Këto janë pasoja të drejtpërdrejta të neglizhencës dhe të një zakoni që ka provuar, ndër vite, se prodhon vetëm viktima.

The post Zjarri në clubin në Zvicër nga fishekzjarret e shampanjës: Rastet e ngjashme dhe pse duhet zhdukur kjo “traditë”? appeared first on iconstyle.al.

Zhvillim i madh! 92% e qelizave të kancerit të lëkurës mund të shkatërrohen me terapi të saktë me dritë

TERAPI E RE E BAZUAR TE DRITA
Një ekip shkencëtarësh të udhëhequr nga Dr. Artur Pinto në Universitetin e Portos në Portugali, në bashkëpunim me studiues të UT Austin, ka krijuar një trajtim të ri kundër kancerit që përdor dritën LED dhe grimca shumë të vogla të oksidit të kallaisë. Kjo metodë synon drejtpërdrejt qelizat e kancerit dhe nuk dëmton indet e shëndetshme. Trajtimi është jo invaziv dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në mjekësinë moderne.

SI FUNKSIONON TRAJTIMI
Drita LED në spektrin infra të kuq aktivizon nanoflakes brenda tumorit. Këto grimca e kthejnë dritën në nxehtësi të përqendruar, e cila shkatërron vetëm qelizat e kancerit, ndërsa lë të paprekura lëkurën dhe indet e shëndetshme përreth. Procesi është i kontrolluar, i synuar dhe jashtëzakonisht i sigurt.

EFEKTIVITET DHE SIGURI MBRESËLËNËSE
Sipas studimeve të publikuara në ACS Nano, vetëm 30 minuta ekspozim ndaj dritës mjaftuan për të eliminuar deri në 92 për qind të qelizave të kancerit të lëkurës dhe 50 për qind të qelizave të kancerit kolorektal, ndërsa qelizat e shëndetshme mbetën të paprekura. Rezultatet tregojnë potencial të madh dhe një profil sigurie shumë të favorshëm.

Edhe pse rezultatet më të forta të deritanishme janë vërejtur te qelizat e kancerit të lëkurës, kjo terapi nuk kufizohet vetëm në trajtimin e tyre. Testet laboratorike treguan efekt të ndjeshëm edhe te qelizat e kancerit kolorektal, duke hapur mundësinë që metoda të përdoret në shumë lloje të tjera tumoresh që janë të aksesueshme nga drita infra të kuqe ose përmes pajisjeve endoskopike. Kjo e vendos terapinë me dritë në një pozicion premtues për trajtimin e tumoreve sipërfaqësore, atyre që mund të arrihen me sondë dritore, si dhe të tjerë që kërkojnë shkatërrim të lokalizuar pa dëmtuar indet përreth.

PËRPARËSI KRAHASUAR ME TRAJTIMET KLASIKE
Ndryshe nga kimioterapia dhe kirurgjia, që shpesh shkaktojnë efekte anësore të rënda, kjo terapi është minimalisht invazive dhe shkatërron vetëm qelizat e sëmura. Rreziku është më i ulët, efektet anësore më të pakta dhe trajtimi mund të rezultojë më ekonomik. Në disa raste, pacientët madje mund të shmangin edhe shtrimin në spital.

E ARDHMJA E TRAJTIMIT: NGA SPITALI TEK SHTËPIA
Ekipi i Dr. Pinto po punon për zhvillimin e pajisjeve portative që do t’u lejonin pacientëve të marrin terapinë edhe në kushte shtëpie. Kjo do të rriste komoditetin, aksesin dhe mund të ulte ndjeshëm rrezikun e rikthimit të sëmundjes. Nëse teknologjia avancon sipas parashikimeve, ajo ka potencial të transformojë mënyrën se si trajtohet kanceri në mbarë botën.

Porto, qyteti ku po zhvillohet ky revolucion mjekësor, është sot një nga qendrat më të rëndësishme kërkimore të Evropës.

KUR PRITET TË JETË I DISPONUESHËM KY TRAJTIM PËR NJERËZIT?

Edhe pse rezultatet laboratorike janë shumë premtuese, terapia është ende në fazat e para të zhvillimit. Përpara se të përdoret te pacientët, duhet të kalojë në disa etapa të detyrueshme shkencore dhe rregullatore.

1. Faza para-klinike (testime në kafshë)

Do të vlerësohen siguria, doza optimale dhe mënyra se si nanoflakes sillen brenda një organizmi të gjallë. Kjo fazë zgjat zakonisht 1 deri në 3 vite.

2. Provat klinike te njerëzit

Përfshijnë tre faza:
• Faza 1: testim sigurie (10–50 pacientë)
• Faza 2: testim efektiviteti (100–300 pacientë)
• Faza 3: prova të gjera ndërkombëtare (300–3000 pacientë)

Vetëm pasi të kalohen këto faza, terapia mund të marrë miratimin e autoriteteve shëndetësore. Kjo mund të zgjasë 6 deri në 10 vite.

3. Miratimi, prodhimi dhe shpërndarja globale

Pasi trajtimi miratohet, duhen edhe 1 deri në 2 vite për:
• prodhimin e pajisjeve
• trajnimin e mjekëve
• krijimin e infrastrukturës së shpërndarjes

PRA, SA SHPEJT MUND TË OFROHET PËR PACIENTËT?

Nëse të gjitha fazat ecin sipas pritshmërive, terapitë me LED dhe oksid kallaisë mund të jenë të disponueshme për publikun: brenda 7 deri në 12 viteve të ardhshme.

Megjithatë, për raste të rënda ose të pashpresa, disa qendra kërkimore mund të kërkojnë autorizime të veçanta për përdorim të hershëm.

The post Zhvillim i madh! 92% e qelizave të kancerit të lëkurës mund të shkatërrohen me terapi të saktë me dritë appeared first on iconstyle.al.

Kriza më e madhe në historinë e Eurovizionit: A do të mbahet festivali në 2026?

Eurovizioni 2026 nuk është anulluar, të paktën jo zyrtarisht. Festivali i 70 vjetorit është planifikuar të zhvillohet në Vjenë të Austrisë, me finalen më 16 maj 2026, në Wiener Stadthalle. Vendimi për ta mbajtur pikërisht aty u mor pasi Austria fitoi Eurovizionin 2025 dhe EBU konfirmoi zyrtarisht qytetin pritës dhe datat.

Ajo që po ndodh është një krizë e madhe politike dhe morale brenda garës, e lidhur me pjesëmarrjen e Izraelit në kushtet e luftës në Gaza. Në Asamblenë e Përgjithshme të EBU, një sërë radiotelevizionesh kërkuan që Izraeli të përjashtohej, por nuk u mbajt asnjë votim i posaçëm për këtë. Në vend të kësaj, EBU miratoi disa rregulla të reja që kufizojnë promovimin e këngëve nga qeveri apo palë të treta, por ruajti të drejtën e Izraelit për të marrë pjesë. 

Ky vendim solli reagime zinxhir. Irlanda, Spanja, Holanda dhe Sllovenia njoftuan se do ta bojkotojnë Eurovizionin 2026, duke deklaruar se nuk mund të marrin pjesë në një garë ku, sipas tyre, injorohet kriza humanitare në Gaza dhe përdoret një event kulturor për të “normalizuar” një konflikt të përgjakshëm. Disa media ndërkombëtare e kanë quajtur këtë bojkot krizën më të madhe në historinë e Eurovizionit. 

Nga ana tjetër, vende të tjera si Gjermania dhe një pjesë e vendeve nordike kanë dalë hapur në mbrojtje të vendimit të EBU, duke argumentuar se Eurovizioni është krijuar pas Luftës së Dytë Botërore pikërisht për të bashkuar popujt dhe jo për t’i përjashtuar. Ata thonë se përjashtimi i Izraelit do ta politizonte edhe më fort garën dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm. 

Kjo ndarje ka hapur një debat të madh: ku mbaron “United by Music” dhe ku fillon hipokrizia. Rusia mbetet e përjashtuar për shkak të agresionit në Ukrainë, ndërsa Izraeli lejohet të marrë pjesë pavarësisht thirrjeve nga shumë artistë, aktivistë dhe vetë radiotelevizione publike për ta suspenduar.

Pikërisht për shkak të këtyre bojkotimeve, në rrjete sociale janë përhapur lajme dhe thashetheme se “Eurovision 2026 është anulluar” ose se “festivali po bie”. Zyrtarisht, asgjë e tillë nuk ka ndodhur: EBU vazhdon përgatitjet për Vjenën, lista e vendeve pjesëmarrëse vijon të përditësohet dhe sistemi i përzgjedhjes së këngëve është në proces në shumë shtete, përfshirë edhe ato që kanë konfirmuar se do të marrin pjesë pavarësisht kontestit. 

Pra, situata reale është kjo: Eurovizioni 2026 mbahet, por me hijen e një bojkoti historik mbi kokë. Një pjesë e Evropës zgjedh të protestojë duke dalë nga gara, një pjesë tjetër zgjedh të qëndrojë “brenda” dhe ta përdorë skenën për mesazhe paqeje. 

The post Kriza më e madhe në historinë e Eurovizionit: A do të mbahet festivali në 2026? appeared first on iconstyle.al.

Greqia në këmbë për vrasjen e adoleshentit, Bullgaria kundër projekt-buxhetit 2026: bota digjet nga protestat

Në Athinë, tym gazi lotsjellës dhe goditje me shkopinj gome shoqëruan sërish përvjetorin e vrasjes së 15 vjeçarit Alexandros Grigoropoulos, që u ekzekutua nga një polic më 6 dhjetor 2008 në lagjen Exarcheia.

Qindra e mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, marshuan nga universitetet drejt qendrës së kryeqytetit duke denoncuar dhunën policore dhe pandëshkueshmërinë. Si çdo vit, pjesë të marshimit u kthyen në përplasje të ashpra mes një grupi protestuesish me kapuç dhe policisë së trazirave, ku u përdorën kokteje molotov, granata zhurmuese dhe topa uji.

Për shumë grekë, kujtimi i Alexis nuk lidhet vetëm me një vrasje të padrejtë, por me gjithë periudhën e krizës, papunësinë dhe masat shtrënguese që e shoqëruan Greqinë në dekadën pas ngjarjes. 

Pak më në veri, në Bullgari, zemërimi shpërtheu për një arsye tjetër: projekt-buxheti 2026, i pari i përgatitur në euro përpara anëtarësimit të vendit në eurozonë.

Dhjetëra mijëra njerëz, shumica të rinj të brezit Gen Z, mbushën sheshet e Sofjes dhe qyteteve të tjera duke kundërshtuar rritjen e taksave, kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe borxhit publik.

Ata thonë se nuk kanë besim që një qeveri e varur nga oligarkë të sanksionuar për korrupsion mund të menaxhojë paratë e tyre. Simbole si derri i madh plastik “kundër babëzisë” u kthyen në ikonë të protestave, ndërsa rrjetet sociale u përdorën si instrument kryesor organizimi. Pas presionit, kryeministri Rosen Zhelyazhov u detyrua ta tërheqë projekt-buxhetin dhe të premtojë një variant të ri, por protestuesit nuk u tërhoqën: tani kërkesat shkojnë nga transparenca fiskale deri te dorëheqja e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.
Në të dyja rastet, në rrugë dalin mijëra njerëz për të kërkuar të drejtat më bazike: sigurinë fizike përballë armës së shtetit dhe sigurinë ekonomike përballë vendimeve fiskale që prekin jetën e përditshme. Greqia ngre zërin kundër një sistemi ku një adoleshent mund të vritet nga polici dhe, 17 vjet më pas, plagët shoqërore nuk janë mbyllur. Bullgaria shpërthen kundër një modeli qeverisjeje ku korrupsioni shihet si rregull, jo përjashtim, dhe ku kalimi në euro shoqërohet me frikën se çmimin do ta paguajnë qytetarët e zakonshëm.

Nga Athina në Sofje, mes tymit, sloganeve dhe sirenave, shoqëritë nuk pranojnë më të jenë spektatore të vendimeve që u ndryshojnë jetën. E drejta për të protestuar mbetet mjeti i fundit për të detyruar pushtetin të dëgjojë, qoftë për një djalë 15 vjeç që nuk jeton më, qoftë për një të ardhme ekonomike që rrezikon t’u vidhet brezave të rinj.

The post Greqia në këmbë për vrasjen e adoleshentit, Bullgaria kundër projekt-buxhetit 2026: bota digjet nga protestat appeared first on iconstyle.al.

Sukses shqiptar në Itali/ Emma Dakoli, 9 vjeç, fiton Zecchino d’Oro: Ëndrra ime është kënga dhe fuqia e ujit

Ajo është nëntë vjeçe, jeton në Monza me prindërit dhe motrën e saj të vogël Mia, dhe ëndërron të bëhet “piktore, stiliste mode”, por mbi të gjitha, do të donte të bëhej këngëtare, dhe tashmë është në rrugën e duhur për ta arritur këtë: Shqiptarja Emma Dakoli është fituesja e edicionit 2025 të Zecchino d’Oro, konkursit historik të këngës kushtuar fëmijëve.

E shoqëruar nga Piccolo Coro dell’Antoniano me regji nga Margherita Gamberini, vajza e vogël këndoi “Ci pensa il vento” në skenën e Antonianos në Bolonja (teksti nga Francesco Marruncheddu dhe Lodovico Saccol, muzika nga Lodovico Saccol), kushtuar temave të shpresës dhe paqes, të cilat janë më aktuale se kurrë.

“Edhe pse nuk mund ta shihni, era bën kaq shumë gjëra për ne. Than rrobat e varura dhe lotët në fytyrat tona, kthen faqet e librave, sjell polen dhe këngë”, këndoi artistja e vogël. “Dhe ndonjëherë, nëse ndalesh për të dëgjuar, do të ndjesh paqen që fryn përtej kufijve, ndërsa flamuj me shumë ngjyra valëviten në qiell”.

Një këngë që Emmës i pëlqeu shumë sepse “në fillim bëhet fjalë për një vajzë të vogël që mërzitet sepse nuk është verë dhe nuk mund të notojë më në det”, shpjegon ajo, “Por pastaj vjen gjyshja e saj dhe i shpjegon gjithçka që mund të bëjë era”.

Kënga u vlerësua në fund të finales, u transmetua drejtpërdrejt në Rai Uno dhe u prezantua nga drejtori artistik Carlo Conti. “Kur u zgjodh si soliste për Zecchino d’Oro të 68-të, vajza ime Emma përmbushi një nga ëndrrat e saj më të mëdha”, shkroi babai i saj Flori disa ditë më parë në grupin e Facebook-ut ‘Monza Info’. “Është një vajzë e vogël nga Monza. Nëse mundeni, ndiqeni dhe bëni tifo për të”.

Dhe bashkëqytetarët e këngëtares së vogël nuk u kursyen: fitorja e Emmës u përshëndet me dhjetëra komente entuziaste. “Çfarë emocionesh. Këtu në shtëpi kemi brohoritur me ju, na dëgjuan edhe fqinjët” shkroi dikush. Një tjetër përdoruese ia kthen: “Urime Emma, ky është vetëm fillimi i një karriere të jashtëzakonshme, vazhdo ta bësh zërin tënd të shkëlqejë”. Ka edhe nga ata që sigurojnë se “e kuptova që do të fitonte që kur e dëgjova. Kënga është shumë e bukur dhe ajo është fantastike. E ka merituar”.

Në videomesazhin e prezantimit, të publikuar në kanalet sociale të Zecchino d’Oro para garës, Emma shpjegoi se “kafsha ime e preferuar është macja sepse është shumë e lezetshme dhe ushqimi im i preferuar janë lazanjat. Kam një motër të vogël pesëvjeçare që quhet Mia dhe në kohën e lirë pas shkollës luaj gjithmonë me të dhe me shoqet e mia”. Për ta mbështetur atë nga shtëpia ishte edhe i gjithë Piccolo Coro MiMiSol i Monzas, ku vajza ushqen pasionin e saj për këngën: “Dhe jemi në tre. Pas Sara Maria Corrado dhe Diana Giorcelli, Emma Dakoli është fëmija i tretë i korit MiMiSol që fluturon drejt Zecchino d’Oro – shkruhej në postimin e shpërndarë në Facebook para se e vogla të niste aventurën e saj – Një arritje që dëshmon seriozitetin dhe suksesin e shoqatës sonë, që vazhdon t’i udhëheqë të rinjtë drejt sukseseve të mëdha”.

Për korin e Monzas, ky ka qenë “një vit galaktik në çdo kuptim: jemi futur në koralet e Galassia dell’Antoniano, për herë të parë koristët tanë kanë mundur të dëgjojnë dhe të votojnë këngët duke shprehur mendimin e tyre dhe ndonjëherë kanë qenë shumë të rreptë – kanë festuar dje nga MiMiSol – Dhe në fund të puntatës, Zecchino d’Oro u fitua nga kënga e kënduar nga mikja jonë e aventurave muzikore Emma, autore e një interpretimi të mrekullueshëm”. E intervistuar nga stafi i konkursit muzikor, ylli i vogël kishte bërë pak ditë më parë një apel: “Do të doja shumë një qen ose një mace, por mami nuk ma lejon, ndaj do të më mjaftonte edhe një hardhucë e vogël. Mami, të lutem, a ma dhuron një qen ose një mace?”. Kush e di nëse pas kësaj performance në Antoniano dëshira e saj do të realizohet. Ndërkohë ajo vazhdon të ëndërrojë: “Për ta ndryshuar botën, do të më pëlqente të kisha fuqinë e ujit. Do të duhej për t’u ushqyer dhe pastaj për t’u larë kur të doje, sepse mund të krijoje një det ku të notoje edhe në dimër. Dhe pastaj do të mund t’i ndihmoja zjarrfikësit me ujin”./La Repubblica

The post Sukses shqiptar në Itali/ Emma Dakoli, 9 vjeç, fiton Zecchino d’Oro: Ëndrra ime është kënga dhe fuqia e ujit appeared first on iconstyle.al.

3 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar: Me cilat vështirësi përballen ende në Shqipëri?

Çdo 3 dhjetor bota ndalet për t’u kujtuar se dinjiteti dhe barazia nuk janë privilegj por të drejtë. Kjo ditë, e shpallur nga Kombet e Bashkuara që në vitin 1992, synon të sjellë në vëmendje sfidat e mëdha me të cilat personat me aftësi të kufizuara përballen çdo ditë, duke kërkuar përfshirje të vërtetë në shoqëri, arsim, punësim dhe në çdo hap të jetës publike. Në Shqipëri, realiteti i tyre është shumë larg asaj që duhet të ishte në një vend që pretendon barazi dhe respekt për të drejtat e njeriut.

Për një pjesë të madhe të personave me aftësi të kufizuar, vështirësitë nisin që në fëmijëri. Shumë shkolla nuk kanë rampa, ashensorë, tualete të përshtatura apo pajisje ndihmëse. Një nxënës që përdor karrocë nuk mund të hyjë dot në shkollën e vet pa ndihmën e të tjerëve. Gjithashtu mungojnë mësues ndihmës, terapistë dhe psikologë, duke e bërë integrimin real shumë të vështirë. Ka ende raste kur prindërve u thuhet me të nënqeshur se fëmija i tyre “nuk përshtatet” me klasën, duke nënkuptuar se struktura nuk mund, ose nuk do, të ofrojë mbështetjen e duhur. Në arsimin e mesëm dhe atë universitar situata bëhet edhe më kufizuese, pasi mungesa e infrastrukturës dhe mbështetjes akademike i lë shumë të rinj jashtë mundësisë për të ndjekur ëndrrat e tyre.

Vështirësitë shtrihen edhe në tregun e punës, ku diskriminimi është shpesh i heshtur, por i gjithanshëm. Shumë biznese private nuk i zbatojnë kuotat ligjore për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Punëdhënësit shpesh i shohin si barrë, jo si individë me potencial, aftësi dhe kualifikime. Vendstacionet e punës rrallë herë përshtaten, teknologjitë ndihmëse mungojnë dhe transporti i paaksesueshëm e bën të pamundur lëvizjen e tyre të pavarur. Si pasojë, pjesëmarrja e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës është ndër më të ulëtat në rajon, duke i shtyrë në varësi ekonomike dhe izolim social.

Aksesimi i shërbimeve shëndetësore dhe sociale është një tjetër barrë e rëndë. Terapitë rehabilituese shpesh janë të kushtueshme dhe jashtë mundësive të shumicës së familjeve. Qendrat publike janë pak dhe të mbingarkuara, ndërsa procedurat burokratike për përfitime ekonomike janë të lodhshme dhe shpesh poshtëruese. Në shumë institucione shëndetësore mungon infrastruktura bazë si rampa, ashensorë apo shërbime të përshtatura, duke i detyruar individët të varen nga të tjerët për veprime më elementare.

Edhe mbështetja nga shteti mbetet larg nevojave reale. Pagesat mujore për aftësinë e kufizuar janë të ulëta dhe nuk përballojnë as terapitë bazike që shumë familje i paguajnë vetë me sakrifica të mëdha. Qendrat publike të rehabilitimit janë pak dhe të tejngarkuara, ndërsa shërbimet sociale shpesh funksionojnë me mungesa të theksuara të stafit dhe të pajisjeve. Përfitimet ekonomike dhe ndihmat shtetërore kërkojnë procedura të gjata dhe të lodhshme, që shpesh përfundojnë duke i dekurajuar familjet. Në teori, Shqipëria ka ligje për mbrojtjen dhe integrimin e personave me aftësi të kufizuar, por në praktikë zbatimi i tyre mbetet i dobët dhe i pjesshëm. Ky hendek midis ligjit dhe realitetit i lë shumë individë të pambrojtur, duke e bërë pavarësinë e tyre një betejë të përditshme.

Në përditshmëri, vështirësitë më të dukshme i ofron vetë qyteti: trotuare të dëmtuara, makina të parkuara pa sens, autobusë urbanë pa platforma ngritëse, ndërtesa publike të paarritshme. Infrastruktura, që duhet të jetë e përbashkët për të gjithë, mbetet një mur i padukshëm por i fortë që i ndan nga normaliteti.

Përveç pengesave fizike, ekziston edhe një barrierë e rrënjosur thellë: paragjykimi. Shpesh shoqëria i sheh si individë që duhen “mëshiruar” dhe jo si qytetarë me të drejta, potencial dhe talent. Izolimi social dhe stigma e bëjnë edhe më të vështirë integrimin, duke krijuar ndarje që nuk kanë vend në një shoqëri që synon zhvillimin.

Kjo ditë duhet të jetë kujtesë se ligjet ekzistojnë për të mbrojtur dinjitetin e tyre, por zbatimi praktik është ende larg. Personat me aftësi të kufizuara nuk kërkojnë privilegje, por akses, respekt dhe mundësi të barabarta. Ata nuk kërkojnë të trajtohen si të dobët, por si qytetarë të njëjtë me të gjithë.

Barazia nuk matet me fjalë, por me derën që hapet dhe me pengesën që largohet. Në fund të ditës, forca e një shoqërie matet me mënyrën se si kujdeset për ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje. Nëse e ndryshojmë realitetin për ta, e përmirësojmë për të gjithë.

The post 3 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar: Me cilat vështirësi përballen ende në Shqipëri? appeared first on iconstyle.al.

Po na lexojnë mesazhet? Europa po hap derën e mbikëqyrjes digjitale me ChatControl

Prej më shumë se dy vitesh në Bashkimin Europian po zhvillohet një debat i madh, por shumë pak i kuptuar nga publiku i gjerë. Ai lidhet me një propozim ligjor që njihet si ChatControl, një rregullore që synon të luftojë abuzimin seksual ndaj fëmijëve online. Qëllimi është i drejtë, por mjeti që propozohet rrezikon të çojë Europën në një epokë të re kontrolli, ku privatësia e komunikimeve mund të zbehet deri në zhdukje.

Gjithçka nisi në vitin 2021, kur Komisioni Europian propozoi që platformat digjitale të kenë detyrim të skanojnë mesazhet e përdoruesve për të zbuluar përmbajtje të paligjshme. Ishte hera e parë që u kërkua publikisht ndërtimi i një mekanizmi që, në praktikë, hap derën për survejim të gjerë të komunikimeve private.

Debati shpërtheu menjëherë. Ekspertë të teknologjisë, organizata të të drejtave të njeriut dhe madje edhe figura brenda institucioneve europiane paralajmëruan se një mjet i tillë është jashtëzakonisht i rrezikshëm. Sepse nëse mesazhet tona, të çdokujt, mund të skanohen nga një algoritëm, atëherë bie parimi bazë i komunikimit privat dhe i enkriptimit. Dhe kur bie ky parim, hapet një precedent që vështirë se ndalet.

Ditët e fundit, shtetet anëtare të BE kanë rënë dakord për ndryshimet e fundit të rregullores. Pika më e diskutuar, skanimi i detyrueshëm i mesazheve private, është hequr. Por rreziku nuk është zhdukur. Kompanive u lejohet ende të kryejnë skanim masiv vullnetar dhe përjashtimi që u jep këtë të drejtë do të zgjatet përtej vitit 2026. Në praktikë, kjo do të thotë se teknologjia e mbikëqyrjes mbetet aty, funksionale dhe mund të zgjerohet me vendim politik në çdo moment.

Kritikët paralajmërojnë se kjo është faza më e rrezikshme: kur një mekanizëm vendoset në sistem, ai rrallë kthehet mbrapsht. Fillon si mjet për të luftuar një krim të rëndë, por më pas mund të përdoret për arsye të tjera, duke prekur gazetarë, aktivistë, opozita politike, apo thjesht qytetarë të zakonshëm që kërkojnë privatësi.

Ky debat na shqetëson edhe ne, sepse teknologjitë e komunikimit nuk njohin kufij. Rregullat e BE-së prekin edhe platformat globale që përdorim çdo ditë. Sepse një Europë me standarde të dobësuara të privatësisë përfundon duke krijuar modele kontrolli që mund të përhapen më tej. Dhe sepse liria digjitale është sot një pjesë thelbësore e lirisë individuale.

ChatControl është një pikë kthese për të ardhmen e komunikimit. Është pyetja nëse pranojmë që mesazhet tona, fotot, bisedat, mendimet më intime, të mund të kalojnë në filtrat e një sistemi skanimi, sado i sofistikuar apo qëllim-mirë të jetë.

Në emër të një qëllimi të drejtë nuk duhet të normalizohet një mjet që cenon lirinë themelore të njeriut: privatësinë.

Kjo është arsyeja pse debati po rritet, pse kritikat po shtohen dhe pse shumë qytetarë europianë thonë se BE po largohet nga parimi i të qenit “e popullit, nga populli, për popullin”.

Sepse kur kontrolli mbi komunikimet bëhet i mundur, gjithçka tjetër mund të ndryshojë pa zhurmë.

The post Po na lexojnë mesazhet? Europa po hap derën e mbikëqyrjes digjitale me ChatControl appeared first on iconstyle.al.

❌