Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

MPB: Nuk shkoi në punë, por mori rrogë duke e dëmtuar buxhetin e shtetit



Policia e Maqedonisë së Veriut ka paraqitur kallëzim penal ndaj një zyrtari policor për shkak se ka evidentuar se e punësuara ka ardhur në punë, edhe pse ka munguar

“I denoncuari, drejtues i një pushimoreje të MPB-së në Ohër, në periudhën nga 02.02.2025 deri më 05.02.2025 dhe nga 21.05.2025 deri më 26.05.2025 evidentoi se e punësuara J.I. – kuzhiniere në pushimore vinte në punë dhe kryente aktivitete pune, edhe pse ajo ka qenë jashtë kufijve të shtetit”, raportoi Policia.

S.M. akuzohet për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar, vepër e dënueshme në bazë të nenit 353 nga Kodi Penal. Policia filloi masën e detyrueshme për largim nga vendi i punës. Ai dyshohet se e ka dëmtuar buxhetin e shtetit me 253 834 denarë.

“I denoncuari, gjithashtu, në periudhën nga 28.05.2025 deri më 30.11.2025 evidentoi se e punësuara J.I. e shfrytëzon pushimin mjekësor, edhe pse mjeku amë nuk i kishte dhënë formularë për pamundësi të përkohshme për punë”, raportoi Policia.

Vijon pagesa e të drejtave të mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve



Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve informon se sot ka filluar pagesa e të drejtave të mbrojtjes sociale, të fëmijëve dhe të mbrojtjes civile për muajin dhjetor të vitit 2025. Pagesa i referohet për të drejtat e mëposhtme:

Ndihma minimale e garantuar; Shtesa e Garantuar për Fëmijë; Shtesa për strehim social; Ndihmë monetare një herëshe; Ndihmë monetare një herëshe për një të porsalindur; Shtesa arsimore; Shtesa arsimore – studimi; Shtesa prindërore për fëmijën e tretë; Siguri sociale për të moshuarit; Kompensimi i përhershëm; Invaliditet civil; Vendosja në familje kujdestare.

Pagesa e të drejtave: Ndihmë e posaçme, Ndihmë monetare për aftësi të kufizuar dhe Kujdes për të tjerët do të bëhet shtesë.

Përfituesit e të drejtave monetare që posedrojnë kartë debiti do të mund të tërheqin para në bankomatet e bankave, t’i shfrytëzojnë mjetet për pagesa jo të gatshme në rrjetin e shitjeve ose përmes sistemit bankar elektronik dhe celular, prej sot, 6 janar 2026.

Me qëllim shmangien e turmës përpara dhe përbrenda bankave gjatë pagesës së të drejtave, për përdoruesit që nuk përdorin karta, pagesa do të kryhet në 2 grupe në të gjitha filialet dhe ekspoziturat e bankave, në përputhje të orarit të përcaktuar në rend alfabetik, sipas shkronjës së parë të mbiemrit edhe atë:

05.01.2026– A, B, V, G, D, Gj, E, Zh, Z, X, I, J, K, L, Ll

06.01.2026– M, N, Nj, O, P, R S, T, Q, U, F, H, C, Ç, Xh, Sh.

Aliu: Apeloj qytetarët që të vaksinohen, kanë mbetur edhe tre mijë vaksina anti-grip



Piku i gripit sezonal pritet në dy deri tre javët e ardhshme. Aktualisht nuk është regjistruar numër i shtuar i pacientëve me grip, krahasuar me vitet e shkuara në po të njëjtin sezon.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, shpjegon se shtimi i të prekurve nga gripi në këtë periudhë është normale, sikurse çdo vit tjetër.

Ai apelon qytetarët të vaksinohen, pasi kanë mbetur edhe tre mijë vaksina anti-grip.

“Qytetarët i informoj që të mund të vaksinohen më tej. Ne kemi diku deri në tre mijë vaksina, të cilat i kemi në stok. Ato mund të përdoren. Kisha lutur që qytetarët të shkojnë pa pasur nevojë të regjistrohen në portalin për vaksinim, direkt të shkojnë në ndonjë institucion shëndetësor dhe të vaksinohen, sidomos apeloj qytetarët që janë të kategorive të rrezikuara, siç janë të moshuarit, personat të cilët punojnë në sektorë të ndryshëm, sidomos në shëndetësi dhe gratë shtatzëna", tha Aliu.

Deri më tani nëpër punkte shëndetësore janë vaksinuar 77 mijë persona të kategorive të ndryshme.

KSHZ miratoi planin financiar dhe përmbylli përgatitjet për zgjedhjet lokale të 11 janarit



Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mori disa vendime që lidhen me menaxhimin financiar dhe organizimin teknik të zgjedhjeve lokale të ardhshme, të caktuara për 11 janar 2026.

Komisioni miratoi propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve avanscuese për të punësuarit në KSHZ dhe për personat e angazhuar për transportin e materialeve zgjedhore konfidenciale. Me këtë vendim rregullohen shpenzimet për personat që do të kryejnë dorëzimin e materialeve në komunat Mavrovë dhe Rostushë, Qendër Zhupë, Gostivar dhe Vrapçishtë.

Anëtari i KSHZ-së, Angellço Ristov, ka dhënë detaje për këto vendime.

‘’Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve merr vendim me të cilin u caktohen mjete avansuese personave të punësuar në KSHZ, personave të angazhuar nga KSHZ, me rastin e organizimit të zgjedhjeve lokale të ardhshme në komunat Mavrovë dhe Rostushë, Qendër Zhupë, Gostivar dhe Vrapçishtë, si dhe të gjithë personave të tjerë të përfshirë që do të angazhohen nga KSHZ në procedurën e transportit dhe dorëzimit të materialeve zgjedhore konfidenciale, përfshirë edhe pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme’’.

Ristov deklaroi se mjetet janë të destinuara për shpërndarjen e materialeve zgjedhore konfidenciale, dhe se përkatësisht fletëvotimet dhe ekstraktin nga Lista Zgjedhore, si dhe për dorëzimin e pajisjeve për identifikimin biometrik të votuesve.

Gjithashtu në rend dite ishte edhe plani Financiar i KSHZ-së për vitin 2026, sipas të cilit Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve gjatë këtij viti kalendarik do të disponojë me një buxhet të përgjithshëm prej 153.196.000 denarësh.

BP: Në tremujorin e katërt të vitit 2025, patundshmëritë u shtrenjtuan për 25 për qind në nivel vjetor



Sipas të dhënave të publikuara sot nga Banka Popullore, në tremujorin e katërt të vitit të kaluar patundshmëritë u shtrenjtuan për 25 për qind në nivel vjetor, ndërsa për 3,2 për qind në nivel mujor.

Në tremujorin paraprak, të tretë të vitit të kaluar, çmimet e patundsshmërive shënuan rrijte në nivel vjetor prej 25,1 për qind në tremujiriun e tretë, pas rritjes prej 19,5 për qind në tremujorin e parë dhe 19,9 për qind në tremujorin e dytë.

Banka popullore e publikon indeksin e çmimeve të patundshmërive në bazë të të dhënave të cilat kanë të bëjnë me banesat e shpallura për shitje në territorin e Shkupit.

Andrea Serafimovski nga Shoqata e ndërtimtarisë, industrisë së materialeve ndërtimore dhe jometaleve pranë Odës ekonomike të Maqedonisë së Veriut për Agjencionin e Lajmeve deklaroi se këtë vit pret stabilizim të çmimeve shitëse të banesave.

“Presim ofertë më të madhe dhe shpresojmë se viti 2026 do të jetë vit i cili do të mbahet mend në të cilin oferta do të barazohet me kërkesën. Pritjet tona janë se do të ndërtohet jo më pak se në vitin 2025 në rajonet në të cilat pati aktivitet të madh transaksioni në vitin që shkoi, këtu para së gjithash do t’i veçoja Rajonin e Pollogut, Pellagonisë dhe Rajonin e Shkupit”, tha Serafimovski.

Të dhënat e fundit nga Enti shtetëror i statistikave të publikuara për tetorin e vitit të kaluar, tregojnë se nga 446 leje ndërtimi, 289 (64,8 për qind) janë dedikuar për objekte të ndërtimit të lartë, si dhe se është paraparë ndërtimi i 1 177 banesave.

Të dhënat ngaRegjistri i çmimeve dhe qirave të Agjencisë për kadastër të patundshmërive për tremujorin e tretë të vitit 2025, tregojnë se çmimi më i lartë i arritur i banesës për metër katror është 189,231 denarë, përkatëssisht 280.000 euro për sipërfaqe të përgjithshme prej 91 metrave katrorë që ndodhet në territorin e komunës Qendër. Për metër katror janë paguar 3.000 euro.

Këshilli i Qytetit të Shkupit mbajti debat mbi ndotjen e ajrit



Këshilli i Qytetit të Shkupit organizoi debat për masat e mundshme që përmirësojnë cilësinë e ajrit në kryeqendër.

Këshilltari Daim Luçi, i cilisi opsion përmend subvencionet me pompa termike dhe energji elektrike, si masa të domosdoshme për uljen e lartësisë së ajrit të ndotur.

“Ndotja e ajrit nuk është as punë djathtiste e as majtiste. Smogu nuk njeh kufi komunal e as ndarje partiake e etnike. Kjo çështje duhet të depolitizohet urgjentisht. Sot bëj kërkesë për mobilizim të të gjitha komunave, Qeverisë, shoqërisë civile dhe qytetarëve, se pa veprim kjo luftë s’do të fitohet. Ekzistojnë zgjidhje, por duhet të ekzistojëedhe vullnet, në radhë të parë nga Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me Qeverinë, që të gjendet zgjidhje për ngrohje të gjelbër", deklaroi këshilltari, Daim Luçi.

Katerina Canevska kërkon që ky debat të zhvishet nga situatat që bëjnë ndarjen e këshilltarëve, ngaqë sipas saj, problemi me ajrin e ndotur kalon mbi të gjithandasitë dhe përkatësitë e ndryshme civile.

“Duhet të bisedohet hapur, të identifikohen problemet dhe të gjendet mënyrë për zgjidhjen e tyre. Për këtë arsye kërkuan thirrjen e kësaj seance të jashtëzakonshme. Por, apeloj që këtëseancë mos ta shndërrojmë në teatërdhe arenë politike, ku do të kishte akuza dhe ndarje, sepse kjo na tangon të gjithëve, ndërkaq ajri i ndotur dhe rastet e vdekjeve nuk njohin përkatësi partiake.”, theksoi këshilltarja, Katerina Canevska.

Kryetari i Këshillit të Shkupit kërkoi masa për në shkolla dhe çerdhe dhe ngrohje amvisërie sipas standardeve evropiane.

“Kemi dy beteja njëkohësisht. E para, urgjentisht të sigurojmë ajër të pastër në hapësirat, ku qëndrojnë kategoritë e rrezikuara gjatë dimrit, ndërkaq e dyta, nuk do ta quaja betejë, por luftë, është të vendojmë baza të mira luftarake me ajrin e ndotur në qytetin tonë. Duhet të sigurojmë ventilim dhe filtrim adekuat të ajrit përmes sistemit klimatik për ngrohje dhe freskim nëpër çerdhe, shkolla dhe spitale.”, u shpreh kryetari i Këshillit të Qytetit të Shkupit, Dame Dimitrovski.

Këshilltarët përmenden edhe automjetet si ndotës atmosferikë përmes emetimit të gazrave dhe moskujdesin gjatë ndërtimit të banesave kolektive pa iu përmbajtur masave për mbrojtjen e ambientit.

Vendkalimi kufitar "Evzoni" do të bllokohet edhe sonte



Trafiku nga Maqedonia e Veriut drejt Greqisë do të ketë sërish probleme, pas bllokadës së paralajmëruar katër-orëshe në pikën kufitare “Evzoni”-“Bogorodica”.

Sipas njoftimeve, kalimi do të bllokohet nga ora 18:00 deri në orën 22:00 të mbrëmjes së sotme sipas kohës së RMV-së, për shkak të protestave të fermerëve grekë.

Edhe pse bllokada zyrtarisht ka të bëjë me trafikun e mallrave, mediat greke paralajmërojnë se radhët dhe vonesat janë të mundshme edhe për makinat.

Kufizime janë njoftuar edhe në pikat e tjera kufitare në Greqinë veriore, përfshirë “Niki” (“Mexhitlija”).

Lëvizje e papenguar është paralajmëruar për nesër, më 6 janar, por fermerët paralajmërojnë protesta të reja dhe bllokada të mundshme pas Krishtlindjeve Ortodokse.

Qytetarëve u këshillohet, nëse është e mundur, të shtyjnë udhëtimin e tyre për në Greqi sonte ose të informohen për situatën para nisjes.

Hoxha: Investim 11 milionë euro për menaxhim modern të mbeturinave në 18 komuna



Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, ishin pjesëmarrës në prezantimin e sistemit modern rajonal për menaxhimin e mbeturinave, si dhe në paraqitjen e infrastrukturës kyçe që pritet të vihet në funksion gjatë vitit 2026.

Ministri Hoxha tha se në kuadër të këtij projekti po realizohet një investim prej rreth 11 milionë euro për pajisje për selektimin dhe transportin e mbeturinave, investim që do t’u shërbejë mbi 400 mijë qytetarëve nga 18 komuna të Rajonit të Pellagonisë dhe Rajonit Jugperëndimor.

Sistemi i ri parashikon funksionimin e një qendre rajonale për menaxhimin e mbeturinave në komunën e Novacit, si dhe ndërtimin e stacioneve të transferimit në Prilep, Ohër, Kërçovë dhe Dibër.

Paralelisht me këtë projekt, ministri njoftoi se janë në zhvillim procedurat për ndërtimin e deponive rajonale në rajonin e Pollogut (Rusino), Pellagoni, si dhe në rajonin Verior dhe Veri-Lindor, me plan që punimet të nisin gjatë vitit 2026.


Trump publikon listën: 33% e familjeve nga Maqedonia në SHBA janë përfituese të ndihmës sociale



Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, ka publikuar në rrjetet sociale të dhëna statistikore që tregojnë përqindjen e familjeve të emigrantëve në SHBA që përfitojnë ndihmë sociale, të klasifikuara sipas vendit të origjinës.

Në të dhënat e publikuara, Maqedonia e Veriut figuron me rreth 33%, që nënkupton se afërsisht një në tre familje emigrantësh nga Maqedonia e Veriut që jetojnë në SHBA përfitojnë ndihmë sociale.


telegrafi.com

Kjo përqindje e vendos vendin në pjesën e mesme të listës, dukshëm më poshtë se shumë vende nga Afrika, Lindja e Mesme dhe disa rajone të Amerikës Latine, por mbi disa shtete evropiane dhe ekonomi të zhvilluara.

Publikimi i këtyre të dhënave nga presidenti Trump shihet si pjesë e qëndrimit të tij të ashpër ndaj emigracionit dhe reformës së sistemit social, duke theksuar nevojën për politika që, sipas tij, favorizojnë emigrantët që kontribuojnë ekonomikisht dhe reduktojnë varësinë nga ndihmat shtetërore.

19-vjeçari nga Shkupi në gjendje të rëndë pasi ra nga kati i tretë i shtëpisë



Një djalë 19 vjeçar nga Shkupi u lëndua rëndë pasi ra nga kati i tretë i një shtëpie në komunën e Ilindenit.

Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 8 të mbrëmjes, kur i riu, i cili po vizitonte të afërmit me nënën e tij, ra nga kati i tretë i një shtëpie në Ilinden. Sipas të dhënave të para, ai kishte probleme shëndetësore.

“Pas rënies, 19-vjeçari pësoi lëndime të rënda dhe u transportua me urgjencë në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup, ku mjekët përcaktuan ashpërsinë e lëndimeve. Ministria e Brendshme informon se po merren masa për sqarimin e plotë të rrethanave në të cilat ndodhi aksidenti”, informoi Ministria e Brendshme.

ISHP: Janë regjistruar 2.100 raste me grip



Çdo dhjetë minuta, një fëmijë me temperaturë të lartë deri në 40 gradë, dobësi, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë të thatë irrituese kontrollohet nga një mjek në pikën e kujdestarisë pediatrike në poliklinikën "Bit Pazar".

Para tubimeve dhe festave të Vitit të Ri, gripi ka lënë gjurmët e veta, duke mbushur ambulancat.

Mbi 200 fëmijë po kontrollohen edhe në ambulancat e Klinikës së Fëmijëve dhe Klinikës së Sëmundjeve Pulmonare "Kozle".

Për shkak të komplikimeve të frymëmarrjes, kapacitetet e trajtimit spitalor atje janë pothuajse të plota.

Doktoresha Ristova-Stefanovska kujton se në pikën e kujdestarisë në poliklinikën "Bit Pazar", përveç pediatrit, ka edhe një laborator në kujdestari.

Para Vitit të Ri, në vend u regjistruan pothuajse 1,000 raste me grip, që është 2.5 më shumë se java e parafundit të dhjetorit, sipas të dhënave nga ISHP.

Shumica e pacientëve janë nga Shkupi, Tetova dhe Velesi. Numri i përgjithshëm i rasteve me grip dhe sëmundje të ngjashme me gripin është 2,100.

Java e ardhshme me temperatura më të larta dhe reshje shiu



Javën e re do ta fillojmë me mot shumë të ndryshueshëm dhe mbi mesataren të ngrohtë dhe me erë, me erëra të forta jugore herë pas here.

E hëna dhe e marta do të sjellin shira të herëpashershëm lokalë, dhe do të ketë edhe reshje shiu në zonat malore për shkak të rrymës ajrore jugore, e cila shkakton temperatura të larta të ajrit për këtë periudhë të vitit.

Territori i Maqedonisë është nën ndikimin e aktivitetit ciklonik me qendër në perëndim dhe veriperëndim të nesh, pra diku mbi Itali, dhe kjo bën që të kemi mot të tillë të ndryshueshëm dhe të paqëndrueshëm me shira të herëpashershëm lokalë dhe mot me erë me erëra të forta jugore herë pas here.

Në Shkup, do të kemi gjithashtu shira të herëpashershëm lokalë dhe erëra të forta jugore herë pas here gjatë periudhës së lartpërmendur.

Sa i përket temperaturave, ato do të jenë mbi zero kudo në mëngjes dhe gjatë ditës do të rriten midis 8 dhe 15 gradëve, dhe lokalisht mund të kalojnë edhe 15 gradë.

Ziberi: Të zgjidhet sa më shpejtë Avokati i Popullit



Viti 2026 i gjenë qytetarët e Maqedonisë së Veriut pa Avokat të Popullit, institucion që ka një rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, një boshllëk që i lë ata më pak të mbrojtur përballë institucioneve.

Mungesa e Avokatit të Popullit për gjashtë muaj e ka sollë në pikpyetje funskionimin e këtij institucioni në të gjitha kuptimet e sidomos në atë kadrovik, finansiar e organizativ vlerëson ish Avokati i Popullit, Naser Ziberi.

Sipas tij, instrumenti i badenterit vetëm pjesërisht pengon zgjedhjen e tij, pengesë mbetet autoriteti që ushtron ky institucion ndaj pushtetit dhe mundësia e tij për të shpalosur raporte të ndryshme që kanë të bëjnë me shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

Neglizhenca ndaj Institucionit të Avokatit të Popullit do të shënojë pasoja negativë në raportet e BE-së për vendin, shprehet Ziberi.

“Vetëm me aktin e zgjedhjes së njeriut të parë nuk do të thotë se Instutucioni i Avokatit të Popullit do të jetë një instrument ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe standartet ndërkombëtare. Barometër elementarë për karakterin demokratik të një pushteti në një vend është pozita e Avokatit të Popullit. Ky institucion fatkeqësisht kohëve të fundit ka degraduar tërësisht. Maqedonia është demokraci hibride, nuk është demokraci e konsoliduar ndërsa institucioni i Avokatit të Popullit ka autoritet dhe ndikim në shtetin me demokraci të zhvilluar. Prandaj, asnjë pushtet në Maqedoninë e Veriut edhe në të kaluarën edhe aktualen nuk ju përshtatet një institucion i Avokatit të Popullit i cili do ta ngrit zërin dhe do të din që para opininonit publik që ti bëjë publike problemet e qytetetarëve.”, tha Ish Avokati i Popullit, Naser Ziberi.

Ish Avokati i Popullit Ziberi me thirrje për zgjidhjen e këti ngërç institucional përmes miratimit të Ligjit për Avoaktin e Popullit dhe zgjedhjen e udhëheqësit të këtij institucioni.

“Mesazhi im është që urgjentisht duhet të aprovohen ndryshimet e Ligjit për Avokatin e Popullit të cilat fatkeqësisht për dy vite presin edhe nga përbërja e kaluar edhe nga kjo aktualja dhe nuk aprovohen.Sepse këto ndryshime krijojnë pavarsi finansiare të institucionit, parashohin një pavarsi kadrovike të institucionit dhe funksionim më të pavarur në raport me Qeverinë dhe Kuvendin, pra me pushtetin. Pasi të aprovohen ndryshimet ligjore urgjentisht duhet të bëhet ekipimi kadrovik i pjesës udhëheqëse por edhe i stafit professional. Duhet të zgjidhet sa më shpejtë Avokati i Popullit.”, deklaroi Ziberi.

Ditëve të fundit Kryeministri Hristijan Mickoski, premtoi zgjidhje duke biseduar me deputetë për të siguruar badenterin në parlament.

Zgjedhja e shpejtë e një Avokati të ri mbetet domosdoshmëri për të rikthyer garancinë se të drejtat e qytetarëve janë të mbrojtura dhe se askush nuk është mbi ligjin.

Aktualisht nga nëntë zëvendësa te paraparë në të gjitha njësitë rajonale dhe në seli mungojnë shtatë. /Alsat.mk/

Kryqi i Kuq: Të rinjtë në Maqedoni janë aktivë në dhurimin e gjakut



Dhurimi i gjakut mbetet një nga shtyllat kryesore të funksionimit të sistemit shëndetësor dhe një akt i domosdoshëm humanitar që shpëton jetë çdo ditë. Në një kohë kur nevojat për gjak janë të vazhdueshme, roli i qytetarëve vullnetarë mbetet i pazëvendësueshëm.

Sipas Kryqit të Kuq të Shkupit, sidomos të rinjtë po tregojnë vetëdije gjithnjë e më të madhe për rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe po marrin pjesë rregullisht në aksionet humanitare, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbulimin e nevojave të spitaleve dhe klinikave në vend.

“Të rinjtë e kuptojnë rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe i kemi si dhurues të rregullt në aksionet tona. Nëse edhe më tutje, në bashkëpunim me Institutin për Transfuziologji, arrijmë t’i plotësojmë nevojat e sistemit shëndetësor, mund të flasim për një praktikë të suksesshme që garanton se nuk do të ketë krizë të gjakut edhe në të ardhmen. Gjaku nuk mund të prodhohet artificialisht dhe duhet të dhurohet, prandaj duhet të vazhdojmë të bindim qytetarët të dhurojnë sa më shumë”, tha Drejtori i Kryqit të Kuq të Shkupit, Sait Saiti.

Nga Kryqi i Kuq theksojnë se aktivitetet për promovimin e dhurimit të gjakut do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me fokus të veçantë te solidariteti dhe humanizmi.

“Për të dhuruar gjak duhet të fillohet prej 18 viteve e sipër deri 65 vjet nëse bëhet fjalë për mashkull, ndërsa 64 nëse bëhet fjalë për femër. Kështu që para 18 viteve nuk mund të fillohet të jepet gjak, edhe pas 64 viteve nuk është e preferuar të jepet gjak. Kështu që mosha 18-64 vjet është moshë e lejuar për dhurimin e gjakut”, shprehet Saiti.

Nga Kryqi i Kuq apelojnë që qytetarët që plotësojnë kushtet shëndetësore dhe të moshës, të vazhdojnë të dhurojnë gjak, sepse një dhurim i vetëm mund të shpëtojë deri në tre jetë njerëzish. /rtvm2

Gashi, Sali e Konjufca: Të forcohen lidhjet RMV-Kosovë, synojmë integrimin evropian të vendeve tona



Kreu i Kuvendit, Afrim Gashi, së bashku me Zëvendës Kryeministrin e Parë, Bekim Sali, zhvilluan një takim miqësor me Nënkryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Siç njoftuan nga parlamenti, takimi kishte si fokus diskutimin mbi rezultatet e zgjedhjeve parlamentare dhe nevojën për konstituimin e shpejtë të institucioneve për të siguruar stabilitet dhe avancim.

Gashi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në një kohë të tillë dhe diskutoi sfidat dhe mundësitë që ofrojnë rrethanat gjeopolitike.

“U pajtuam të vazhdojmë të punojmë fuqishëm në forcimin e marrëdhënieve tona, me qëllim të kontribuimit në zhvillimin dhe integrimin europian të vendeve tona,” tha Gashi.

Në njoftimin e kuvendit u tha se ky takim reflekton angazhimin e institucioneve për të përmirësuar bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal.

Tripunovski: Sezoni i fundit i blerjes së duhanit ishte ndër më të suksesshmit



Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, thotë se sezoni i fundit dhe parafundit i blerjes së duhanit janë ndër më të suksesshmit deri më tani.

Në një intervistë për emisionin “Agrar”, Tripunovski thekson se çmimi mesatar i blerjes është rreth 420 denarë.

“Në të kaluarën pamja ishte traktorë në rrugë, pakënaqësi dhe çmime blerjeje shumë më të ulëta se sot. Sot kemi blerje të duhanit ku, në përputhje me cilësinë, shkohet në klasë të parë pa zbritje. Çmimi mesatar i 21 milionë kilogramëve duhan të blerë deri tani është 419,84 denarë”, theksoi ministri Tripunovski.

Ai kujtoi se gjatë këtij viti prodhuesit e duhanit përfituan edhe naftë të gjelbër si masë stimuluese dhe kompensuese për shpenzimet e prodhimit. Gjithashtu, në Program u përfshi edhe masa për sipërfaqe, prej 6.000 denarësh për hektar, që përfaqëson një stimul shtesë, përkatësisht të ardhura shtesë për prodhuesit e duhanit.

“Kur gjithçka përmblidhet, arrijmë në një shumë mbi 500 denarë për kilogram, që vitin e kaluar përfaqësonte një arritje rekord”, theksoi ministri.

Ministri Tripunovski theksoi se po e ndjek zërin e prodhuesve të duhanit dhe se te ata ka kënaqësi, por paralajmëroi edhe hapa shtesë për përmirësimin e sektorit.

“Pas festave do të punohet në saktësimin e mëtejshëm të disa dispozitave ligjore në Ligjin për duhanin dhe produktet e duhanit, me qëllim eliminimin e mangësive që i kemi vërejtur në periudhën e kaluar”, paralajmëroi ai.

Ministri shtoi se do të formohet një grup pune ku do të marrin pjesë përfaqësues nga Shoqata e prodhuesve të duhanit dhe nga blerësit, me qëllim që sezoni i ardhshëm i blerjes të jetë edhe më i rregulluar dhe më i suksesshëm.

Më 14 janar vazhdon gjykimi për rastin "Pulse", do të dëshmojnë personat e mbijetuar



Më 14 janar do të mbahet seanca e parë në vitin e ri 2026 për tragjedinë në diskotekën "Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa rreth 200 u lënduan.

Me marrjen në pyetje të të mbijetuarve nga zjarri i tmerrshëm, do të vazhdojë dëshmia për tragjedinë pasi në seancën e kaluar prindërit e viktimave rrëfenin çfarë kishte ndodhur minutat pas shpërthimit të zjarrit.

Derisa prindërit mes lotëve flisnin për momentin kur kuptuan se fëmijët e tyre kishin vdekur, një inspektor ndërtimi i akuzuar i pyeti – përse, nëse donin që fëmijët t’u mbeteshin gjallë, i kishin lënë të shkonin në diskotekë, duke aluduar se një pjesë e madhe e mysafirëve ishin të mitur. Pas kësaj, në sallën e gjyqit u dëgjuan britma, ndërsa shumë prindër i drejtonin fyerje verbale inspektorit Ognen Georgiev. Përballja e prindërve me Georgievin vazhdoi edhe jashtë sallës së gjyqit.

“Fëmija yt a komentoi? Fëmijët e tu janë pranë teje, imi nuk është më!”, tha një nënë.

As Georgievi, as ndonjë tjetër nga të akuzuarit në seancën e parë nuk pranoi fajin, ndërsa një pjesë e madhe e të akuzuarve madje pretenduan se nuk e dinin as pse ndodheshin aty. I akuzuari kryesor, Dejan Jovanov – Deko, pronar i klubit që punonte pa licencë dhe pa kushte teknike bazë, pretendoi se nuk e dinte që diskoja e tij e paligjshme nuk i plotësonte kushtet.

“A mendoni seriozisht se nëse do ta dija që mungonte diçka, nuk do të ndërmerrja gjithçka për ta rregulluar me kohë? Në atë klub kanë kaluar dhjetëra gjenerata, të gjithë që më njohin mirë e dinë sa dhe si jam kujdesur për sigurinë e të gjithë mysafirëve”, tha Dejan Jovanov – Deko, i akuzuari kryesor.

Edhe gjatë fjalës së tij hyrëse, prindërit protestuan në sallën e gjyqit, duke e quajtur “monstër”, ndërsa gjykatësja Diana Gruevska- Ilievska disa herë u detyrua t’i paralajmërojë prindërit që të ruajnë rendin dhe qetësinë në sallë. Edhe pse seanca e kaluar ishte me dëshmitë më tronditëse për tragjedinë, pritet që e njëjta atmosferë të vazhdojë edhe në seancat e para të vitit të ri me dëshmitë e të mbijetuarve.

Përveç më 14 janar, Gruevska Ilievska caktoi edhe datat për seanca në muajt e ardhshëm me ritëm të përshpejtuar, kështu që në mars dhe prill pritet të mbahen gjithsej 12 seanca.

Deri tani ka pasur vetëm një shtyrje, ndërsa janë mbajtur gjithsej tetë gjykime. Aktakuza përfshin gjithsej 35 persona fizikë dhe 3 persona juridikë për vepra të rënda kundër sigurisë publike. Përveç Jovanovit, të akuzuar janë edhe ish-kryetarë komunash, drejtorë institucionesh shtetërore, si dhe dy ish-ministra të ekonomisë.

Mickoski: Mbështesim operacionin anti-narkotik në Venezuelë, qëndrojmë krah SHBA-ve



Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbështet operacionin anti-narkotik të SHBA-ve në Venzuelë.

Kryeministri Hrisitjan Mickoski, tha se si Qeveri qëndrojnë krah argumenteve dhe veprimeve të partnerit tonë strategjik – Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai shtoi se ajo që më së shumti e brengos është heshtja e disa vendeve europiane dhe në botë kur shkelja e të drejtës ndërkombëtare i ndodhte Maqedonisë dhe popullit maqedonas, ndërsa tani, sipas Mickoskit, janë dhënë pas komenteve nëse kjo që po ndodh në Venezuelë qenka ose jo e drejtë ndërkombëtare.

“Precedenti është bërë që kur ndryshohej flamuri i këtij shteti, që të bëhej vend anëtar i OKB-së, kur ndryshohej Kushtetua, emri kushtetues, kur gënjeheshin njerëzit se në afat 3-4 vjet do të bëhemi vend anëtar i BE-së, se do të bëhemi vend anëtar i NATO-s, e kështu me radhë. Këta janë precedentë të vërtetë. Ne si Qeveri qëndrojmë krah argumenteve dhe veprimeve të partnerit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Policia ndalon dy të mitur, transportonin emigrantë të ardhur nga Egjipti në hyrje të Gjevgjelisë



Dy të mitur janë ndaluar nga policia nën dyshimin për përfshirje në kontrabandë me emigrantë në hyrje të Gjevgjelisë. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, bëhet fjalë për një 15 dhe një 16-vjeçar, të cilët u kapën duke transportuar emigrantë nga Egjipti me automjetin e tyre.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë vonë, kur policia ka ndaluar automjetin e tipit “Fiat Stilo” të drejtuar nga një 15 vjeçar, ndërsa një 16-vjeçari tjetër ishte bashkudhëtar.

Sipas policisë, në automjetin e tyre janë gjetur pesë emigrantë nga Egjipti, dy prej të cilëve kanë qenë të mitur. Emigrant i gjashtë, 22-vjeçar, i dyshuar si udhëheqës i grupit, është arrestuar më vonë.

Në kuadër të hetimeve, nga MPB thonë se policia ndaloi edhe një automjet të dytë në Shtip, ku kanë arrestuar edhe dy persona tjerë, përfshirë edhe një tjetër 16 vjeçar.

Nga MPB thonë se të gjithë të dyshuarit janë ndaluar në stacion policor dhe pas dokumentimit të rastit do të ketë kallëzime përkatëse.

Goditi këmbësorin, policia arreston shoferen 40-vjeçare nga Shkupi



Nga Ministria e Punëve të Brendshme, bëjnë të ditur se është arrestuar një grua 40 vjeçare nga Vollkova e Shkupit.

Siç bëjnë të ditur nga MPB, 40 vjeçarja më 03 janar 2025 në Vollkov të Shkupit ka goditur me automjetin “Mercedes” me targa të Shkupit 60 vjeçarin po nga Vollkova, duke e lënë të vdekur në vendin e ngjarjes.

“Në orën 00:45 të datës 04.01.2026, në fshatin Volkovo, Shkup, policia e Sektorit për Punë të Brendshme Shkup arrestoi 40-vjeçaren M.S. nga Shkupi.

Më parë, më 03.01.2026, rreth orës 20:55, në rrugën “100” në Volkovo, ajo goditi me automjet Mercedes me targa të Shkupit G.I., 60 vjeç nga Volkovo, duke e lënë të vdekur në vendin e ngjarjes. Vdekjen e konstatoi një mjek i Emergjencës.

Një ekip hetimor i Sektorit për Punë të Brendshme Shkup kryeu vizitën në vendin e ngjarjes. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të ngrihet kallëzim penal kundër saj sipas nenit 300 të Kodit Penal”, bëjnë të ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme.

❌