Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Formimi i qeverisë në Kosovë, i brishtë”, Minxhozi: Dy sfidat e vërteta të Kurtit, para muajit mars

Kosova mbajti të dielën e 29 dhjetorit zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet me rreth 49 për qind të votave. Analisti Skënder Minxhozi deklaroi se fitorja e Albin Kurtit erdhi si rezultat i një populizmi të njohur, ku qytetarët zgjodhën stabilitetin në qeverisje. Sipas tij, kjo u shoqërua me një politikë që ka prodhuar izolim të Kosovës dhe tensione me ndërkombëtarët.

Minxhozi theksoi se qeveria e re përballet me sfida serioze, veçanërisht në dialogun me Serbinë dhe në zgjedhjen e presidentit. Ai shtoi se brishtësia e qeverisë nuk lidhet me numrat, por me vështirësitë politike që e presin përpara.

“Fitoi populizmi i ditur dhe i njohur i Kurtit. Qytetarët menduan se është më mirë të kenë stabilitet në qeverisje, duke e shkëmbyer atë me një politikë të bazuar te izolimi i Kosovës, mbyllja e dyerve me ndërkombëtarët dhe mungesa e përgjigjeve në tema të rëndësishme, si dialogu me Serbinë.

Në Kosovë fitoi stagnacioni. Ka dy “shkëmbinj nënujorë” përballë qeverisë së re: së pari, votat e pakicave joserbe, të cilat do të jenë vendimtare për formimin e qeverisë në pragun e 61 mandateve; së dyti, e ardhmja e negociatave me Serbinë dhe zgjedhja e presidentit në muajin mars, me formulën komplekse të shumicës prej dy të tretash.

Më shumë sesa te shifrat, brishtësia e qeverisë së re qëndron te sfidat që ka përpara. Sfida në raportet me ndërkombëtarët dhe rinisja e dialogut me Serbinë, me synimin e një njohjeje të ndërsjellë, janë thelbësore për përmirësimin e marrëdhënieve dhe afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Zgjedhja e kreut të shtetit është një proces që kërkon pjesëmarrje dhe konsensus, jo ndarje. Kurti është një politikan që përfiton më shumë nga ndarja sesa nga bashkimi.

Formimi i qeverisë së re vendoset kështu në një korsi jo për t’u pasur zili, pasi situata politike mbetet komplekse dhe plot sfida.”  / abcnews.al /

Parlamenti i ri i Irakut mban seancën e parë pas zgjedhjeve

Parlamenti i sapozgjedhur i Irakut u mblodh të hënën për seancën e tij të parë që nga zgjedhjet kombëtare të mbajtura në nëntor, duke hapur zyrtarisht rrugën për nisjen e procesit të formimit të një qeverie të re.

Gjatë kësaj seance të parë, deputetët pritet të zgjedhin kryetarin e parlamentit dhe dy nënkryetarët. Më pas, brenda 30 ditëve nga mbajtja e seancës konstituive, ligjvënësit duhet të zgjedhin presidentin e ri të vendit.

Presidenti i zgjedhur do t’i japë mandatin për formimin e qeverisë bllokut më të madh parlamentar, një proces që në Irak zakonisht zgjat me muaj për shkak të negociatave mes forcave politike.  / abcnews.al /

Trump dhe Putin pritet të zhvillojnë së shpejti një tjetër bisedë telefonike

Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojnë “shumë shpejt” një tjetër bisedë telefonike, ka njoftuar Kremlini, pas takimit që Trump pati mbrëmë në Florida me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se dy liderët tashmë kanë zhvilluar një telefonatë, të cilën Trump e ka cilësuar si “produktive”, dhe se një bisedë e re pritet pas diskutimeve të presidentit amerikan me palën ukrainase.

Sipas Kremlinit, Moska ende nuk është në dijeni të rezultateve konkrete të negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, ndërsa nuk ka asnjë plan për një telefonatë mes Zelenskyyt dhe Putinit.

I pyetur nëse Kremlini pajtohet me vlerësimin e Trump se paqja është më afër dhe bisedimet po hyjnë në fazën përfundimtare, Peskov u përgjigj shkurt: “Sigurisht.”

Megjithatë, Kremlini ka përsëritur kërkesat e tij që Ukraina të tërheqë trupat nga rajoni i Donbasit, si kusht për ndalimin e luftimeve.  / abcnews.al /

Turqi, përplasje me ISIS/ Operacion në Stamboll, vriten 3 policë dhe 6 terroristë

Tre oficerë policie dhe gjashtë anëtarë të Shtetit Islamik u vranë në përplasje me armë gjatë një operacioni në Turqinë veriperëndimore.

Tetë oficerë të tjerë dhe një roje nate u plagosën, u tha gazetarëve Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya. (Ali Jerlikaja)

Ngjarja ndodhi në provincën Yalova (Jalova), në jug të Stambollit, ndërsa policia bastisi një shtëpi ku fshiheshin militantët.

5 gra dhe 6 fëmijë që ndodheshin në banesën e terroristëve u evakuuan në mënyrë të sigurt, ndërsa forcat speciale nga provinca fqinje e Bursës u dërguan për të përforcuar operacionin.

Ndërsa konfrontimi u përhap në rrugë, pesë shkolla në zonë u mbyllën. Autoritetet gjithashtu ndërprenë furnizimin me gaz natyror dhe energji elektrike si masë paraprake, ndërsa civilëve dhe automjeteve iu ndalua hyrja në lagje.

Siç raportojnë mediat turke, policia kreu operacione edhe në 108 vendndodhje të tjera në gjithsej 15 rajone.

Javën e kaluar, policia turke nisi dhjetëra bastisje, duke ndaluar 115 militantë të grupit ekstremist të cilët dyshohet se po planifikonin sulme gjatë festimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Zyrtarët thanë se grupi kishte bërë thirrje për veprime, veçanërisht kundër komuniteteve jo muslimane, gjatë festave.

ISIS ka kryer një seri sulmesh vdekjeprurëse në Turqi vitet e fundit, duke përfshirë të shtënat në një klub nate në Stamboll gjatë festimeve të Vitit të Ri më 1 janar 2017, ku u vranë 39 persona.  / abcnews.al /

Turkish Airlines (më në fund)/ Kompania turke njofton nisjen e fluturimeve me Tiranën

Kompania turke Turkish Airlines do të nisë fluturimet direkte drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe anasjelltas.

Në faqen zyrtare të kompanisë njoftohet se fluturimet direkte drejt Tiranës do të nisin më 10 janar, por prenotimet mund të realizohen vetëm pas datës 23 janar. Biletat variojnë nga 51 deri në 58 euro për një drejtim.

Ky vendim i kompanisë turke vjen pas shitjes së 49% të aksioneve që ajo zotëronte në kompaninë shqiptare të fluturimeve Air Albania.

Pas shitjes së aksioneve, kompania turke anuloi edhe shitjen e biletave tranzit përmes Air Albania, duke detyruar qytetarët që kishin bileta të tilla të fluturonin drejt kryeqytetit turk nga Podgorica, në Mal të Zi.

Dalja e Turkish Airlines nga ky partneritet vjen menjëherë pasi kompania ra dakord të blinte deri në 27% të aksioneve të Air Europa, një veprim që synon zgjerimin e shtrirjes së saj globale dhe hapjen e tregjeve të reja të turizmit dhe të ngarkesave midis Turqisë dhe Amerikës Latine. Ky ndryshim sugjeron një strategji të fokusuar në mundësi më të mëdha dhe më konkurruese për të forcuar pozicionin e saj strategjik në industrinë globale të aviacionit dhe për të rritur numrin e turistëve që vizitojnë Turqinë.

Një tjetër arsye e shitjes së aksioneve që kompania turke kishte në Air Albania mendohet të jetë edhe gjendja financiare, pasi fitimet kanë rezultuar më të vogla sesa shpenzimet gjatë vitit 2025.

Ndërkohë, kompania shqiptare Air Albania, sipas kërkimit në faqen e saj zyrtare, nuk ofron fluturime drejt Stambollit për ditët në vijim. / abcnews.al /

Zelensky: Plani i paqes parashikon garanci sigurie nga SHBA për 15 vjet

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka dhënë detaje të reja mbi bisedimet e zhvilluara me presidentin amerikan Donald Trump, duke bërë të ditur se plani i paqes përfshin garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara për një periudhë 15-vjeçare.

Duke folur për gazetarët, Zelenskyy tha se fillimisht kishte kërkuar garanci sigurie deri në 50 vjet, çka tregon dallimet mes palëve gjatë negociatave. Megjithatë, ai la të kuptohet se ka pranuar propozimin amerikan për 15 vjet.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur mbrëmjen e kaluar, presidenti ukrainas deklaroi se garancitë e sigurisë mes SHBA-së dhe Ukrainës janë tashmë “100 për qind të dakorduara”, ndonëse ende nuk janë bërë publike detajet konkrete të angazhimit amerikan.

Ende mbetet e paqartë se çfarë lloj garancish sigurie do të ofrojë Uashingtoni, pasi Trump ka shprehur vazhdimisht hezitim për angazhimin e drejtpërdrejtë të forcave amerikane në rajon.

Zelenskyy shtoi se garancitë shtesë nga vendet evropiane janë “pothuajse të dakorduara”, por jo ende në të njëjtin nivel përparimi.

Ndërkohë, pritet që Rusia të kundërshtojë çdo propozim sigurie që përfshin praninë e forcave të huaja nga aleatët e Ukrainës në territorin e saj.  / abcnews.al /

Kosovë, opozita nuk frymëzon/ Zgjedhjet, PDK e LDK mbeten në kuota të ulëta

Zgjedhjet e jashtezakonshme te 28 dhjetorit ne Kosove perfunduan, por dhane disa mesazhe per mendësinë politike ne vend, por mesazh me “I rend” eshte per partite e opozites.

Asnjera prej tyre nuk frymezon,  ato duket se kane humbur kontaktin e thelle me elektoratin, me premtime larg realitetit dhe asnje angazhim real per tu rikthyer ne pushtet. Partia Demokratike e Kosoves nuk po arrin te riformatohet edhe pse pas humbjes se bastioneve te rendesishme ne zgjedhjet lokale, zgjodhen kryetarin e ri, Bedri Hamza, i cili gjithesesi sic thone ne Prishtine “nuk dhezi” duke prodhuar me mund po aq mandate sa Memli Krasniqi.

Edhe me dramatike paraqitet situata ne kampin tjeter, Lidhja Demokratike e Kosove, parti e presidentit historik Ibrahim Rugova, e cila mori pak me shume se 13 perqind te votave. Pas kesaj humbje, opinioni publik ne rrjetet sociale kerkon doreheqjen e Lumir  Abdixhikut, edhe pse ne kembim mori vetem nje premtim nga kryetari per mbledhje e strukturave te partise.

Aleanca per Ardhmerine e Kosoves ruajti e vetme votat ne komunat tradicionale te saj, Nisma e Fatmir Limajt, nuk e kaloj pragun elektoral, duke e lene “komandat çelikun” jashte parlamentit, ndersa Lista Serbe e Beogradit e organizuar ne grup per te votuar, arriti te ruante 10 uleset ne parlament.

Nga krahu tjeter, vetevendosja e Albin Kurti, me disa sjellje te ndryshuara si gjuha me e zbutur me mediat, shperfillja e kundershtareve politike, por gjithesesi e kapur fort pas kartes se nacionalizmit dhe perballjes me serbet arriti te bindte shumicen e 45 perqind te qytetareve qe dolen te votojne, se ai eshte alternativa me e mire per vendin, edhe pse per VV kjo fushate nuk ka qene pak e lodhshme: organizimi per te sjell diasporen ne Kosove ne daten e zgjedhjeve, apo perdorimi I te gjithe apartatit shteteror per tu kapur pas pushtetit.

Votuesit, edhe nen dritat e fundvitit, harruan qe nen drejtimin e zotit Kurtit, Kosova u vu nen sanksione, cenoj rend marredheniet me SHBA dhe vijoi te mbetej I vetmi vend ne rajon pa statusin kandidat per anetaresim ne BE.

Sigurisht nuk ka 61 mandate per Kurtin, I cili ne daljen e tij pas rezultateve preeleminare, po mendon edhe per krizen e mundshme te pranveres, kur perfundon mandati i presidentes Osmani, me gjase edhe ne nje tjeter mandat si kreu I shtetit.

Me urgjence ne vend duhet te votohet buxheti per vitin e ardhshem dhe tre marreveshje nderkombetare per te perfituar nga Plani I Rritjes sapo te konstituohet legjislatura e dhjete, qe kalkulimet politike te partive te mos bien me mbi kurrizin e qytetareve qe mbeten nen mjegullen e krizes per me shume se 10 muaj….

Lëvizja Vetëvendosje            49.28%

Partia Demokratike e Kosovës  20.99%

Lidhja Demokratike e Kosovës   13.58%

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës  5.68%

Lista Serbe 4.79%

Nisma Socialdemokrate  1.71%

/ abcnews.al /

Aplikimet për dokumente në IdentiTek/ Nga 30 dhjetori, ndryshojnë vendndodhjen disa prej zyrave

Nga nesër, do të ndryshojë vendndodhja e disa zyrave të aplikimit për dokumente biometrike në qytetin e Tiranës, konkretisht zyrave IdentiTek 5 dhe IdentiTek 8 & 9. Zyrat e reja do të funksionojnë pranë njësive administrative përkatëse.

Zyra IdentiTek 5, e cila ndodhet në Rrugën “Robert Shvarc”, në zonën e Komunës së Parisit, do të zhvendoset dhe do të ofrojë shërbimet pranë Njësisë Administrative Nr. 5, në zonën e Bllokut.

Ndërkohë, zyra IdentiTek 8 & 9, që operon në Rrugën e Barrikadave, do të ndahet si më poshtë:

  • IdentiTek 8 do të funksionojë pranë Njësisë Administrative Nr. 8, në Rrugën e Dibrës;
  • IdentiTek 9 do të funksionojë pranë Njësisë Administrative Nr. 9, në Bulevardin “Zogu I”.

Qytetarët që kanë kryer aplikime për karta identiteti pranë zyrave IdentiTek 8 & 9 deri më sot, do t’i tërheqin dokumentet e tyre pranë Njësisë Administrative Nr. 8.

Këto ndryshime kanë qëllim rritjen e aksesueshmërisë së shërbimeve të aplikimit për dokumente identifikimi, duke i afruar ato më pranë qytetarëve, në njësitë administrative përkatëse.  / abcnews.al /

Kina sfidon malet! Ja tuneli rrugor më i gjatë në botë, kushtoi 3.3 miliardë dollarë

Në Kinë, aty ku vargmalet kanë ndarë qytete dhe komunitete prej shekujsh, infrastruktura moderne po riformëson hartën. Në provincën e Xinjiang është hapur për qarkullim tuneli Tianshan Shengli, i cilësuar si tuneli rrugor më i gjatë në botë, me një gjatësi prej 22.13 kilometrash.

Tuneli është pjesë kyçe e autostradës G0711 Urumqi–Yuli, e cila ka hyrë gjithashtu në funksion dhe lidh drejtpërdrejt veriun dhe jugun e Xinjiangut. Me hapjen e saj, udhëtimi mes Urumqit, qytetit më të madh në veri, dhe Korla, qendra kryesore urbane e jugut, është zvogëluar nga rreth shtatë orë në afro tre orë.

Inxhinieri nën kushte ekstreme: Si u ndërtua tuneli që sfidoi malet?

Autostrada, e ndërtuar për pesë vite, ka një gjatësi prej 324.7 kilometrash dhe ka kushtuar rreth 46.7 miliardë juanë (mbi 6.6 miliardë dollarë). Ndërsa vetëm projekti i tunelit të autostradës ka kushtuar 3.8 miliardë dollarë.

Ky projekt  përfaqëson një sfidë të jashtëzakonshme inxhinierike: tuneli arrin një thellësi maksimale prej 1,112 metrash nën tokë dhe kalon nëpër 16 zona të çarjeve gjeologjike. Për ndërtimin e tij, inxhinierët dhe 3000 punëtoret e angazhuar në projekt janë përballur me presion të lartë shkëmbor, aktivitet sizmik, temperatura ekstreme dhe kushte të vështira mjedisore.

Për të përballuar terrenin brutal të maleve Tianshan, inxhinierët kinezë zhvilluan një sistem inovativ të quajtur “tre tunele dhe katër puse vertikale”. Në vend të një galerie të vetme, u hapën tre tunele paralele: një tunel kryesor dhe dy ndihmës anësorë.

Këto tunele ndihmëse shërbyen për vlerësime të vazhdueshme gjeologjike përpara gërmimit kryesor, për akses të sigurt të punëtorëve dhe makinerive, si dhe për ventilim dhe evakuim emergjent. Katër puset vertikale, disa prej tyre mbi 700 metra të thella, lidhnin drejtpërdrejt tunelin me sipërfaqen, duke lejuar punime nga disa pika njëkohësisht dhe duke përshpejtuar ndërtimin.

Projekti konsiderohet një hap strategjik për zhvillimin ekonomik dhe lidhjen infrastrukturore të Xinjiangut, duke treguar edhe një herë se ambicia kineze ‘shpon’ dhe malet.

 

I dënuar për dhunë në familje/ Lezhë, gjendet i vdekur në burg Sotir Shabani

Në IEVP Lezhë, gjatë ndërrimit të shërbimit nga punonjësi i rolit bazë është konstatuar se i dënuari me mjekim të detyruar Sotir Shabani, i shtrirë në krevat, nuk po reagonte.

Menjëherë është njoftuar mjeku i turnit, i cili, pas verifikimit, ka konstatuar se pacienti kishte ndërruar jetë.

I ndjeri Sotir Shabani, i datëlindjes 21.12.1975, lindur dhe banues në Ballsh, Mallakastër, ishte akomoduar në institucion më datë 27.11.2021, për veprën penale “Dhunë në familje”, me masë mjekimi të detyruar.

Është hartuar dokumentacioni përkatës dhe janë njoftuar drejtuesit e institucionit, specialisti i SHKBB-së, Komisariati i Policisë Lezhë, si dhe Prokurori i gatshëm, për vijimin e procedurave ligjore.

Institucioni po bashkëpunon me autoritetet kompetente për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Darka e Krishtlindjes kthehet në tragjedi/ Itali, nëna dhe vajza 15-vjeçare ndërrojnë jetë pasi u helmuan

Një vajzë 15-vjeçare dhe nëna e saj kanë humbur jetën në Itali brenda pak orësh nga njëra-tjetra.

Dyshimet e para lidhen me një helmim të mundshëm nga ushqimi, i cili dyshohet se është shkaktuar nga një darkë me peshk e konsumuar gjatë festave të Krishtlindjeve. Nga ana tjetër edhe babai i vajzës, 55 vjeç, ndodhet ende i shtruar në Spital.

Vajza, Sara Di Vita, ndërroi jetë të shtunën në mbrëmje, ndërsa nëna, dhe nëna e e saj, Antonella Di Ielsi, vdiq disa orë më vonë, në mëngjesin e së dielës.

Prokuroria e Campobasso-s ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për të sqaruar shkaqet e vdekjes.

Sara Di Vita jetonte në Pietracatella, në provincën e Campobasso-s, dhe ndiqte shkollën e mesme klasike në kryeqytetin e Molise-s. Prej disa ditësh ajo dhe anëtarë të tjerë të familjes ndiheshin keq dhe ishin paraqitur në urgjencën e spitalit. Fillimisht u dyshua për helmim nga ushqimi, por situata nuk u vlerësua si e rëndë dhe familja u dërgua në shtëpi.

Të shtunën pasdite, gjendja shëndetësore e vajzës u përkeqësua ndjeshëm. Ajo u shtrua në kujdes intensiv, ku ndërroi jetë rreth orës 22:30. Nëna u shtrua gjithashtu në spital, por vdiq të dielën në mëngjes. Babai shfaqi simptoma të ngjashme dhe mbetet nën kujdes mjekësor. E vetmja anëtare e familjes që nuk u sëmur ishte motra 20-vjeçare.

Sipas mediave vendase, e gjithë familja u ndje keq pas darkës së Krishtlindjeve, gjatë së cilës u konsumua peshk, ushqime deti dhe midhje. Në darkë morën pjesë edhe persona të tjerë, të cilët nuk shfaqën simptoma. Pas disa orësh, babai, nëna dhe vajza filluan të ndiheshin keq dhe iu drejtuan urgjencës dy herë, por u kthyen në shtëpi. Vetëm në mbrëmjen e së shtunës, për shkak të dhimbjeve dhe ngërçeve të forta, familja u rikthye në spital.

Vetëm autopsia pritet të përcaktojë nëse vdekjet janë shkaktuar nga helmimi ushqimor apo nga ndonjë intolerancë e rëndë ndaj ushqimit.

“Jemi të tronditur, është një tragjedi që na lë pa fjalë. Qyteti është në mosbesim. Shpreh ngushëllimet e mia dhe të gjithë komunitetit për familjen”, deklaroi kryebashkiaku i Pietracatella-s, Antonio Tommasone.

Antonella Di Ielsi punonte së bashku me bashkëshortin e saj, kontabilist, Gianni Di Vita, i cili në të kaluarën ka mbajtur edhe poste politike lokale, përfshirë atë të kryetarit të bashkisë së Pietracatella-s.

Numërimi i votave në Kosovë, drejt kutive të fundit/ Renditja e partive në garë

Kosova zhvilloi të dielën e 28 dhjetorit zgjedhjet e parakohshme parlamentare pas një viti në kolaps të madh politik. Pas fitores së Kurtit në shkurt, Vetëvendosje nuk arriti të siguronte votat e duhura për formimin e Kuvendit, duke e shpur vendin në zgjedhje të parakohshme.

Sakaq, vijon ende numërimi i kutive të fundit të votimit, ku sipas rezultatit të përditësuar nga KQZ, LVV kryeson me 49.3 për qind të votave.

E dyta në renditje është PDK me 21.01 për qind të votave, e pasuar nga LDK-13.59 për qind, AAK-5.68 për qind, SRPSKA-4.74 për qind dhe Nisma SocialDemokrate-1.72 për qind.

Nga rankimi, Lëvizja Vetëvendosje është fituesja në shifra, por ‘misioni’ i vërtetë është formimi i qeverisë së Kosovës, në kushtet ku ky vit solli ngërc institucional dhe raporte të zbehta me ndërkombëtarët. / abcnews.al /

Treni del nga shinat në jug të Meksikës/ 13 viktima dhe 98 të plagosur

Të paktën 13 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në jug të Meksikës. Ngjarja ndodhi në shtetin Oaxaca, në linjën hekurudhore që lidh Oqeanin Paqësor me Gjirin e Meksikës.

Në tren ndodheshin rreth 250 persona. Autoritetet bëjnë të ditur se 98 persona janë plagosur, ndërsa pesë prej tyre janë në gjendje kritike.

Operacionet e shpëtimit përfshinë qindra efektivë, autoambulanca tokësore dhe ajrore, si dhe mjete speciale. Pamjet nga vendngjarja tregojnë pasagjerë të evakuuar dhe të plagosur që transportohen me barela.

Autoritetet kanë hapur hetim për shkaqet e aksidentit. Treni interoqeanik u inaugurua në vitin 2023 gjatë presidencës së ish-presidentit Andres Manuel Lopez Obrador dhe është pjesë e projektit më të gjerë të Korridorit Interoqeanik. Ky projekt synon modernizimin e lidhjes hekurudhore përmes Isthmusit të Tehuantepec, duke lidhur portin e Salina Cruz në Paqësor me Coatzacoalcos në bregdetin e Gjirit, në një distancë prej rreth 290 kilometrash.

Qeveria meksikane po investon në zhvillimin e kësaj zone si një korridor strategjik tregtar, me synimin që rruga të mund të konkurrojë në të ardhmen me Kanalin e Panamasë.

/ abcnews.al /

Parashikimi i motit 29 dhjetor 2025/ E hëna, dita më e ftohtë e javës

Shqipëria 

E hëna do të jetë dita më e ftohtë e javës, me kthjellime në paradite dhe vranësira në orët e pasdites e mbrëmjes. Temperaturat do të bien ndjeshëm, nga -6°C deri në 12°C. Era do të fryjë verilindore mbi 35 km/h, me dallgëzim të ulët në brigje.

Rajoni dhe Europa 

Reshje shiu dhe dëbore do të përfshijnë Alpet, Europën Lindore dhe rajonin e Baltikut, ndërsa pjesa tjetër e kontinentit do të dominohet nga mot i kthjellët dhe i ftohtë si pasojë e masave ajrore verilindore.

Horoskopi, 29 dhjetor 2025

  1. Dashi

Do e kuptoni me mire gjate kësaj dite se marrëdhënia ne çift nuk i përmbush te gjitha objektivat e duhura, prandaj mund te merren vendime me rëndësi. Beqaret duhet te tregohen sa me te arsyeshëm dhe te mos bëjnë zgjedhje te gabuara. Financat nuk do jene aspak ne gjendjen me te mire kështu qe mund te keni vështirësi te mëdha.

Demi

Dite e veçante kjo e sotmja për te gjithë ata qe janë ne një lidhje. Do merreni vesh për mrekulli me parterin tuaj dhe do argëtoheni pa fund se bashku. Beqaret duhet te tregohen me te disponueshem ndaj ftesave qe do ju bëhen dhe nuk duhet te mbyllen ne vetvete. Ne planin financiar do ketë vështirësi te vogla, por asgjë për t’u alarmuar.

Binjaket

Do i jepni rëndësinë e duhur sot jetës suaj ne çift dhe gjithçka do shoje ashtu si e kishit ëndërruar. Nuk pritet te ndodhe asgjë e keqe. Beqaret do ndihen mire ashtu si janë dhe nuk do kërkojnë te bëjnë ndryshime. Perspektivat financiare do jene te mrekullueshme. Do i zgjidhni shume shpejt te gjithë problemet qe keni pasur.

Gaforrja

Dite goxha e tensionuar pritet te jete kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Gjithsecili do kërkojë te dale e tija dhe askush nuk do hape rruge. Beqaret duhet t’i dëgjojnë edhe këshillat e miqve para se te vendosin te bëjnë një zgjedhje. Ne planin financiar do keni shume fat dhe gjendja do përmirësohet me shume sesa ju mund ta kishit menduar.

Luani

Dita e sotme do jete me e qete për ata qe janë ne një lidhje. Me ne fund do i sqaroni mosmarrëveshjet e vogla qe keni pasur dhe do jeni me te qete. Beqaret do ndihen mjaft mire ashtu si janë dhe nuk do kërkojnë me patjetër te ndryshojnë status. Financat do rriten mjaft fale një ndihme te qe do iu japin familjaret. Mund te shlyeni pa frike borxhet e hershme.
Virgjeresha

Pesimizmi juaj sot ne jetën sentimentale do jete tërësisht i pajustifikuar. Nëse mbylleni ne vetvete keni për ta humbur njëherë e përgjithmonë partnerin. Beqaret do ëndërrojnë me shume nga sa duhet dhe kjo mund t’iu krijoje iluzione te kota. Me financat duhet te bëni shume kujdes. Po shpenzuat pa menduar aspak për situatën ne te cilën ndodheni do keni vështirësi.
Peshorja

Do keni te njëjtat ide dhe mendime me partnerin tuaj dhe do bashkëpunoni për gjithçka me te. Dita do jete plot diell dhe e mbushur me emocione. Beqaret do realizojnë takime mjaft interesante te cilat mund te sjellin edhe një histori dashurie te bukur. Ne planin financiar duhet te mundoheni te ruani sa te mundni ekuilibrin sepse përndryshe do keni vështirësi.

Akrepi

Do keni probleme goxha te mëdha gjate kësaj dite ne jetën tuaj ne çift sot dhe do ndiheni shpeshherë keq. E mira do jete te gjeni mënyrën për te folur me partnerin, jo te kërkoni ngushëllim ne krahët e dikujt tjetër. Beqaret do marrin vendime me rëndësi pas disa takimeve te mrekullueshme. Dite me shume fat për financat. Situata do jete mjaft e mire.

Shigjetari

Do përballeni me shume zhgënjime sot juve qe jeni ne një lidhje dhe do vuani tej mase. Sikur te kishit bere kujdes me pare nuk do përballeshit kurrsesi me një situate te tille. Beqaret do bëjnë për vete cilindo qe do pëlqejnë. Financat fatmirësisht nuk do jene te këqija edhe pse jo aq te shkëlqyera sa për te hequr shume te mëdha mënjanë.

Bricjapi

Do bekoheni nga yjet gjate kësaj dite dhe marrëdhënia ne çift do ece me se miri. Si ju ashtu edhe partneri do jeni te gatshëm ta dëgjoni tjetrin dhe te shkëmbeni mendime për çdo gjë. Beqaret me mire t’i lënë gjerat te rrjedhin vete. Ne planin financiar do jeni shume te shpërqendruar dhe problemet mund te jene te njëpasnjëshme. Kujdes!

Ujori

Do tregoheni shume te hapur dhe te disponueshem ndaj partnerit gjate kësaj dite. Marrëdhënia ne çift nuk do ketë asgjë për çfarë te shqetësoheni. Beqaret nuk do mundin as sot ta gjejnë personin qe do ju përshtatet ne çdo pike. Financat do jene delikate për shkak te shpenzimeve te mëdha qe do kryeni për veshjet dhe produktet e bukurisë.

Peshqit

Do i shtoni dozat e intimitetit ne çift gjate kësaj dite dhe do kaloni çaste te lumtura ne krahët e partnerit. Shume gjera kane për te qene ndryshe për ju. Beqaret do përballen me zhgënjime te mëdha nëse nuk tregohen te matur. Te ardhurat do përmirësohet me shume nga sa mendonit. Do ndiheni te qete kur te kryeni shpenzimet e nevojshme.

Sfidat dhe përballja me sëmundjen/ Xhenisa Shani tregon si pranoi diagnozën që i ndryshoi jetën

Një mëngjes i zgjuar ndryshe me vështirësi në lëvizje, dhe me dobësim të shikimit,  ishin ndër sinjalet e para që e lajmëruan  Xhenisa Shanin se diçka nuk po shkonte siç duhej me trupin e saj. Para 6 vitesh, ajo ishte 24 vjeç kur u diagnostikua me Skleroza Multiple.  Një sëmundje autoimune kronike, e cila prek trurin dhe palcën kurrizore.

“Jam zgjuar një ditë me probleme të ekuilibrit, pamundësi për të lëvizur. Edhe probleme me shikimin, nuk arrija të shihja dot qartë. Aty kuptova që kishte diçka që nuk shkonte. Mjekët më thonin që kjo është një diagnozë që do ta kesh gjithë jetën. Thjeshtë jam munduar që të marr sa më shumë informacione për këtë sëmundjen dhe si ta përballoj.

Në kohën kur mësoi sëmundjen Xhenisa studionte për Kimi dhe Tekonologji Ushqimore, dhe nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për diagnozën që do t’i ndryshonte jetën. Ajo tregon se veprimi i parë që bëri ishte kërkimi i informcionit në google mbi sëmundjen.

“Nuk e kisha hasur asnjëherë emrin e kësaj sëmundje. Normalisht që duke hulumtuar në internet, burime të tjera informacioni. Kam kuptuar pastaj që është një sëmundje kronike që vazhdon gjithë jetës.  Shikoja persona me të njëjtën diagnozë, por, që sëmundja kishte agravuar më shumë. Mendoja që edhe unë mund të arrij në atë pike. Këtë pjesë e kam përjetuar shumë.”

Si rrallë herë, Xhenisa e pranoi që në fillim sëmundjen. Pas diagnostikimit ajo thotë se jeta e saj ka marrë tjetër formë, bashkë me të edhe ëndërrat për të ardhmen.

 “Patjetër që ka ndryshuar, po mund të them që është më shumë nga ana psikologjike. Sepse nuk e mendoja kurrë që mund të kisha një ditë këtë diagnozë. Ka ndikuar në mënyrën sesi unë e mendoja të ardhmen. Nuk ka qenë refuzim të kësaj sëmundjes. E kam pranuar që në fillim”.

Mosnjohja e sëmundjes në rrethin shoqëror, ishte një tjetër sfidë.

“Skleroza multiple e ngatërronin me demenzën. Që lidhet me harresën. Nuk kishin informacion të rinjtë me këtë, ngaqë fizikisht nuk dukesha që e kam këtë diagnozë, kur e shprehja tek të tjerët shifja një lloj mëshire.”

Kur bëhet fjala për shëndetin, koha e zbulimit të sëmundjes është vendimtare.

“E kam kapur në fazë të herëshme. Besoj se koha ka të bëjë shumë me këtë sëmundje, sa ma herët t’a pranosh që e ke këtë problem, aq më mirë është”.

Historia e Xhenisës na tregon se edhe me një diagnozë që zgjat gjithë jetën, shpresa, pranimi dhe forca e brendshme mund të bëhen mjetet më të fuqishme për të ecur përpara.

“Forcën duhet ta gjejnë tek vetja, të shpresojnë që do vijnë ditë më të mira”….  / abcnews.al /

Vlorë, uji rikthehet sot pasdite/ Punohet për riparimin e defektit në rrjetin e furnizimit

Banorëve të Vlorës parashikohet t’u kthehet uji i pijshëm në çezma pasditen e të dielës.
Drejtori i Ujësjellësit thotë se po punohet për të riparuar defektin në rrjetin e furnizimit me ujë, i ndodhur më 26 dhjetor.
“Sot kemi ndryshuar edhe mënyrën e zgjidhjes së problemit; rreth orës 5–6 pasdite të nisë furnizimi nga stacionet drejt Lungomares, më pas qyteti…”

Spitali apo institucione të tjera me rëndësi të veçantë prej dy ditësh në Vlorë po furnizohen me ujë përmes boteve.
“Në dispozicion kemi vënë disa bote të ujësjellësit për institucione si spitale apo institucione të tjera shtetërore.”

Defekti ka ndodhur në një prej tubacioneve kryesore të qytetit, investim i kryer në vitet 2009–2010.
Zgjidhjet e aplikuara për ta rikthyer situatën në normalitet deri tani, sipas drejtorit të ujësjellësit, nuk kanë rezultuar efikase.

❌