Robert Ndrenika feston 84-vjetorin e lindjes, mjeshtri i pavdekshëm i skenës shqiptare
Sot feston 84-vjetorin e lindjes një nga figurat më të ndritura të artit shqiptar, “Artisti i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, Robert Ndrenika. Me një portret të dashur, zë të veçantë dhe aftësinë për t’u shkrirë plotësisht në çdo rol, Ndrenika mbetet një nga mjeshtrit më të mëdhenj të fjalës dhe interpretimit në historinë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare.
Karriera e tij shumëdimensionale pasqyron një botë të pasur shpirtërore dhe artistike. Qoftë në role dramatike apo komike, Ndrenika ka ditur të krijojë karaktere të paharrueshme, duke e kthyer çdo interpretim në një përvojë të veçantë për publikun. Jo vetëm rolet, por edhe filmat ku ai ka luajtur janë shndërruar në pjesë të pandashme të memories kulturore shqiptare.
Robert Ndrenika lindi në Tiranë më 10 janar 1942. Talenti i tij u shfaq që herët, kur nisi të aktivizohej në Shtëpinë e Pionierit, duke kultivuar pasionin për teatrin. Pas përfundimit të gjimnazit “Qemal Stafa”, ai studioi aktrim në Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu” gjatë viteve 1960–1964.
Më pas, karriera e tij artistike vijoi në Teatrin “Skampa” të Elbasanit, në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve dhe në Teatrin Kombëtar, ku interpretoi deri në daljen në pension. Në kinematografi ka lënë gjurmë me mbi 30 filma, mes tyre “Kapedani”, “I teti në bronz”, “Koncert në vitin 1936” dhe “Mësonjtorja”.
Në vitin 2012, Presidenti Bamir Topi i akordoi titullin e lartë “Nder i Kombit”, duke kurorëzuar një jetë të tërë në shërbim të artit dhe kulturës shqiptare.
The post Robert Ndrenika feston 84-vjetorin e lindjes, mjeshtri i pavdekshëm i skenës shqiptare appeared first on iconstyle.al.
