❌

Reading view

ABSURDE! “Ta humbasë shtatzëninë, pastaj të nis prapë lekë”/ Në Shqipërinë e 2026-s “magjia” shitet me pagesë për ndarje, sëmundje e fatkeqësi: Kur prapambetja kthehet në biznes

Në Shqipërinë e vitit 2026, në rrjetet sociale mund të porosisësh edhe “magji”. Jo filxhan për argëtim, jo horoskop. “Shërbime” me pagesë për të bashkuar apo ndarë çifte, për t’i sjellë sëmundje dikujt, për t’i bërë keq një personi dhe deri te pretendimi monstruoz se mund t’i shkaktohet një gruaje humbja e shtatzënisë.

Dhe e gjithë kjo reklamohet me një normalitet që është ndoshta po aq skandaloz sa vetë përmbajtja.

Në një prej komunikimeve të publikuara në Tik-Tok, një grua kërkon që të vazhdohet “puna” ndaj kunatës së saj:

“Nëse ke në dorë vazhdo… ndoshta dhe ta humbasë shtatzaninë… Nëse e humbet shtatzaninë këtë muaj, do të nis prap lekë pasi të ndodhë si veprim”.

Pra, nuk po flasim për një bestytni të mbajtur në heshtje brenda katër mureve. Kemi një person që beson se me para mund të porosisë fatkeqësinë e një gruaje shtatzënë dhe, nga ana tjetër, një treg ku “magjia” paraqitet si shërbim që blihet e shitet.



Nuk ekziston asnjë bazë shkencore që një “magji” mund të ndajë një çift, të shkaktojë sëmundje apo të ndërpresë një shtatzëni. Por kjo nuk e bën fenomenin më pak të rëndë. E bën edhe më skandaloz: njerëzve u shiten kundrejt parave pretendime të pavërtetuara për fuqi mbinatyrore, madje edhe për të dëmtuar shëndetin dhe jetën e të tjerëve.

Dhe përtej degradimit moral e kulturor, këtu fillon edhe ligji.

Nëse merren para përmes gënjeshtrës apo paraqitjes së fakteve të rreme, Kodi Penal ka emër për këtë: mashtrim. Neni 143 parashikon burgim deri në 5 vjet; kur vepra kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënimi shkon në 2 deri në 6 vjet, ndërsa kur sjell pasoja të rënda, në 5 deri në 10 vjet burgim.

Pra “më paguaj sepse kam fuqinë të bëj X”, kur hyn në territorin e përvetësimit të parave përmes fakteve të rreme, gënjeshtrës apo shpërdorimit të besimit, nuk është më thjesht një debat mbi kulturën apo supersticionin. Ligji penal shqiptar parashikon dënime konkrete për mashtrimin.

Edhe ligji “Për mbrojtjen e konsumatorëve” ndalon praktikat e padrejta tregtare. Ai e konsideron çorientuese një praktikë që përmban informacion të rremë dhe mund ta shtyjë konsumatorin të marrë një vendim ekonomik që ndryshe nuk do ta merrte. Ligji shkon edhe më tej: merr posaçërisht në konsideratë konsumatorët që mund të jenë veçanërisht të ndjeshëm për shkak të moshës, dobësisë fizike apo mendore ose lehtëbesimit.

Me fjalë të tjera, vulnerabiliteti dhe lehtëbesimi i njerëzve nuk janë një çek i bardhë për t’u shitur çfarëdo pretendimi.

Pastaj kemi “shërbimet” që flasin për sëmundje dhe dëmtim. Nëse nga bota imagjinare e ritualeve kalohet te veprime reale për dëmtimin e një personi, Kodi Penal parashikon një seri veprash kundër jetës dhe shëndetit. Edhe kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë është kundërvajtje penale dhe neni 84 e dënon me gjobë ose deri në një vit burgim.

Dhe pastaj mbërrijmë te pjesa më e neveritshme e komunikimit të publikuar: shtatzënia.

Ligji shqiptar nuk e trajton aspak lehtë cenimin e saj. Neni 93 i Kodit Penal parashikon gjobë ose deri në 5 vjet burgim për ndërprerjen e shtatzënisë pa pëlqimin e gruas, përveç rastit të justifikuar shëndetësor. Neni 94 parashikon gjobë ose deri në 2 vjet burgim për ndërprerjen e kryer në vende ose nga persona të paautorizuar; nëse shkaktohet rrezikimi i jetës ose vdekja, dënimi shkon deri në 5 vjet.

Neni 95 parashikon gjithashtu gjobë ose deri në një vit burgim për dhënien e mjeteve që shërbejnë për ndërprerjen e shtatzënisë në kushtet e përcaktuara prej tij.

“Magjia” sigurisht nuk është mjet mjekësor dhe këto nene nuk e kriminalizojnë një ritual imagjinar. Por nëse pas fjalëve për “sëmundje”, “dëmtim” apo “prishje shtatzënie” do të fshiheshin veprime reale, substanca apo mjete për të shkaktuar dëmin e porositur, atëherë nuk do të flitej më për bestytni: do të hynin drejtpërdrejt në lojë dispozitat penale sipas veprimit dhe pasojës së shkaktuar.

Kush i merr lekët?

Administrata Tatimore e ka bërë të qartë se personat që ushtrojnë aktivitet ekonomiko-tregtar përmes internetit duhet të regjistrohen përpara fillimit të aktivitetit. Për aktivitetin online ekzistojnë detyrime për regjistrimin, deklarimin e qarkullimit dhe faturimin. Vetë Tatimet kanë shpallur për vitin 2026 një plan sektorial që synon pikërisht kontrollin e tregtisë dhe shërbimeve online, me fokus te subjektet e paregjistruara, qarkullimi i padeklaruar, TVSH-ja dhe faturimi elektronik.

Ligji për mbrojtjen e konsumatorëve kërkon gjithashtu që tregtari t’i japë konsumatorit faturë ose kupon tatimor për mallin apo shërbimin e ofruar.

Prandaj institucionet nuk kanë nevojë të merren me “energjitë”, “lidhjet”, “zgjidhjet” apo fuqitë mistike të askujt. Kanë gjëra shumë më tokësore për të kontrolluar: kush i ofron këto shërbime, sa para merr, ku përfundojnë pagesat, a është aktiviteti i regjistruar, a deklarohen të ardhurat, a lëshohen fatura dhe çfarë konkretisht u premtohet njerëzve në këmbim të parave.

Por përpara ligjit kemi edhe një dështim që nuk matet me nene.

Jemi në vitin 2026 dhe dikush shkruan në telefon se dëshiron që një grua të humbasë shtatzëninë. Dikush tjetër pretendon se mund të kryejë “punën”. Në mes shfaqen lekët.

Më pas e njëjta grua tërhiqet, sepse e sheh kunatën të sëmurë dhe shkruan se nuk dëshiron “të bëjë një mëkat kaq të madh”.

Kjo është fotografia më brutale e fenomenit: ajo e besonte.

Besonte se paratë e saj mund të blinin dëmtimin e një gruaje tjetër.

Dhe këtu nuk ka asgjë mistike për të romantizuar. Ka injorancë të monetizuar, urrejtje të kthyer në porosi dhe një gropë kulturore që rrjetet sociale po e nxjerrin lakuriq para syve tanë.

Një shoqëri nuk bëhet moderne sepse ka TikTok, Instagram, smartphone dhe internet. Kur teknologjia përdoret për t’i shitur dikujt “sëmundjen” e armikut, ndarjen e një familjeje apo “humbjen e shtatzënisë” së një gruaje, teknologjia thjesht i ka dhënë prapambetjes një platformë dhe një mënyrë pagese.

Dhe ndoshta pikërisht këtu duhet të mbarojë toleranca ndaj trajtimit të këtij fenomeni si folklor qesharak.

Sepse “magjia” mund të jetë trillim. Paratë janë reale. Mashtrimi është vepër penale. Dëmtimi i një njeriu është real. Ndërprerja e shtatzënisë pa pëlqimin e gruas dënohet nga ligji. Dhe dëshira për të blerë fatkeqësinë e tjetrit është një degradim moral që asnjë “ritual” nuk mund ta fshehë.

The post ABSURDE! “Ta humbasë shtatzëninë, pastaj të nis prapë lekë”/ Në Shqipërinë e 2026-s “magjia” shitet me pagesë për ndarje, sëmundje e fatkeqësi: Kur prapambetja kthehet në biznes appeared first on iconstyle.al.

  •  

Çfarë ore mban një nga njerëzit më të pasur në botë? Mark Zuckerberg zgjedh krijimin e shqiptarit Rexhep Rexhepi

Një pyetje fare e thjeshtë për orën që mbante në dorë i ka dhënë Mark Zuckerberg mundësinë të vendosë në qendër të vëmendjes një emër shqiptar që prej vitesh po bën histori në botën e luksit.

Gjatë një serie pyetjesh të shkurtra përpara konferencës vjetore të Meta-s, Zuckerberg u pyet për orën e tij. Përgjigjja erdhi menjëherë:

“Oh, është një krijim i Rexhepit. Është fantastike!”

“Rexhepi” është Rexhep Rexhepi, orëndreqësi i lindur në Kosovë dhe i vendosur në Gjenevë, i cili sot është një prej emrave më të njohur të orëndreqësisë së pavarur. Dhe ora në kyçin e Zuckerberg nuk është aspak një aksesor i zakonshëm.

Bëhet fjalë për Rexhep Rexhepi Chronomètre Contemporain I, një model i prezantuar në vitin 2018. Versioni në ar rozë ka një numërues të zi të realizuar me teknikën tradicionale grand feu, ndërsa mekanizmi kurdiset manualisht dhe ofron 100 orë rezervë energjie. Në vitin e prezantimit, modeli fitoi edhe çmimin për orën më të mirë për meshkuj në Grand Prix d’Horlogerie de Genève, një prej vlerësimeve më prestigjioze të industrisë.

Por historia bëhet edhe më interesante kur shikon se çfarë ka ndodhur me vlerën e saj.

Kur doli në treg, versioni në ar rozë kushtonte rreth 55 mijë franga zvicerane. Vetëm pak vite më vonë, një Chronomètre Contemporain I u shit në ankand për rreth 924 mijë dollarë, ndërsa ekzemplarë të veçantë të modelit kanë arritur vlera edhe më të larta në tregun e koleksionistëve.

Kjo, sigurisht, nuk do të thotë se Zuckerberg ka paguar një milion dollarë për orën që mban. Shifrat lidhen me vlerën që ky model ka arritur me kalimin e viteve në tregun e koleksionistëve, ku krijimet e Rexhepit janë kthyer në objekte jashtëzakonisht të kërkuara.

Pas suksesit qëndron edhe një histori e veçantë. Rexhep Rexhepi u largua nga Kosova drejt Gjenevës kur ishte fëmijë dhe vetëm 15 vjeç nisi formimin profesional te Patek Philippe. Pas eksperiencave në industrinë zvicerane të orëve, në moshën 25-vjeçare themeloi markën e tij, Akrivia.

Prodhimi i kufizuar, puna artizanale dhe vëmendja ekstreme ndaj çdo detaji kanë bërë që orët e tij të jenë ndër më të kërkuarat nga koleksionistët.

Dhe ndoshta komplimenti më i bukur këtë herë nuk është as çmimi marramendës që një prej orëve ka arritur në ankand. Është fakti që, kur një nga njerëzit më të njohur të teknologjisë në botë u pyet se çfarë mbante në kyç, nuk përmendi Rolex, Patek Philippe apo një tjetër gjigant tradicional të luksit. Përgjigjja e tij ishte thjesht: “Rexhepi”.

The post Çfarë ore mban një nga njerëzit më të pasur në botë? Mark Zuckerberg zgjedh krijimin e shqiptarit Rexhep Rexhepi appeared first on iconstyle.al.

  •  

Diana donte të linte Britaninë për një jetë të re me Hasnat Khan/ Libri i vëllait hap “kutinë” e sekreteve të Princeshës dhe trondit Pallatin Mbretëror

Gati tre dekada pas vdekjes së Princeshës Diana, një libër i ri po rikthen në qendër të vëmendjes disa prej kapitujve më privatë të jetës së saj. Dhe këtë herë rrëfimi vjen nga një prej njerëzve që e njihte përpara se ajo të bëhej gruaja më e fotografuar në botë: vëllai i saj, Charles Spencer.

Në librin e ri, “Swan Song: Diana, My Sister”, Spencer rikthehet te fëmijëria e tyre, martesa me princin e atëhershëm Charles, historitë e dashurisë së Dianës dhe ditët dramatike pas vdekjes së saj në Paris. Por disa prej pretendimeve të tij kanë qenë aq të forta sa kanë sjellë edhe një reagim të pazakontë nga Buckingham Palace.

Një prej zbulimeve që ka tërhequr më shumë vëmendje lidhet me Hasnat Khan, kirurgun britaniko-pakistanez me të cilin Diana pati një marrëdhënie të mbajtur kryesisht larg kamerave.

Sipas Spencer, motra e tij kishte menduar seriozisht një të ardhme me Khan dhe madje largimin nga Britania për të nisur një jetë të re në Afrikën e Jugut. Diana, sipas rrëfimit të tij, kishte kërkuar ndihmë për të parë mundësinë që Khan të siguronte një pozicion profesional në Cape Town. Planet datojnë vetëm disa muaj përpara vdekjes së saj në gusht 1997.

Kjo i jep një tjetër dimension muajve të fundit të jetës së Princeshës: përtej fotografive, paparacëve dhe historisë së saj me Dodi Fayed, Diana mund të kishte imagjinuar një të ardhme krejt tjetër, larg Londrës dhe presionit mbretëror.

Por sekretet e librit shkojnë shumë më pas në kohë.

Charles Spencer pretendon gjithashtu se Diana kishte pasur dyshime serioze për martesën me Charles që përpara dasmës së tyre madhështore të vitit 1981. Sipas rrëfimit të tij, ajo kishte menduar të tërhiqej, por babai i tyre e kishte dekurajuar për shkak të skandalit që do të shkaktonte anulimi i fejesës me trashëgimtarin e fronit.

Megjithatë, pjesa që ka trazuar më shumë Pallatin lidhet me atë që ndodhi pas aksidentit fatal të Dianës në Paris.

Spencer rikthen debatin nëse William, atëherë 15 vjeç, dhe Harry, vetëm 12 vjeç, duhej të ecnin pas arkivolit të nënës së tyre. Ai thotë se ishte kundër idesë dhe se për këtë pati një telefonatë jashtëzakonisht të tensionuar me Charles.

Sipas versionit të Spencer, gjatë debatit Charles do t’i kishte thënë se Dianën “do ta harrojmë shumë shpejt”. Spencer ka bërë edhe një pretendim tjetër të rëndë: se gjatë një telefonate pas vdekjes së Dianës, Charles iu duk çuditërisht i gëzuar në mënyrën se si fliste. Këto mbeten pretendime dhe perceptime personale të Spencer, të kundërshtuara nga Pallati.

Buckingham Palace reagoi publikisht, një lëvizje që mori vëmendje pikërisht sepse familja mbretërore tradicionalisht shmang përplasjet publike për libra dhe kujtime të tilla. Pallati sugjeroi se dhimbja e humbjes së një motre mund të ndikojë, edhe shumë vite më vonë, në gjykimin dhe kujtesën e një personi. Spencer, nga ana tjetër, nuk u tërhoq nga rrëfimi i tij.

Libri sjell edhe një detaj tjetër nga funerali historik. Sipas Spencer, Princi Philip ndërhyri në diskutimet për mënyrën se si burrat e familjes do të ecnin pas arkivolit, duke këmbëngulur që vëllai i Dianës të kishte vendin e tij pranë William dhe Harry.

Por “Swan Song” nuk është vetëm një përplasje me familjen mbretërore. Spencer rikthen edhe Dianën përpara titujve dhe protokollit: motrën me të cilën u rrit, marrëdhënien e tyre të afërt dhe detaje të vogla personale që publiku nuk i njihte. Ai e thërriste Dianën “Duch”, ndërsa ajo e quante atë “Carlos”.

Megjithatë, edhe besueshmëria e librit është vënë nën lupë. Spencer është detyruar tashmë të kërkojë falje për një pasaktësi që lidhej me Piers Morgan dhe publikimin e disa fotografive të Dianës në vitin 1993, pasi Morgan nuk punonte në gazetën në fjalë në atë periudhë.

Dhe sikur historia të mos kishte mjaftueshëm mister, katër kopje të librit u vodhën nga një kamion në Holandë përpara publikimit zyrtar, ndërsa shoferi flinte gjatë pushimit. Policia holandeze nisi hetimet për ngjarjen.

Mes kujtimeve intime, historive të dashurisë, planeve për t’u larguar nga Britania dhe përplasjes së hapur me versionin e Pallatit, një gjë është e sigurt: edhe gati 30 vjet pas vdekjes, çdo kapitull i panjohur i jetës së Dianës vazhdon të ngjallë të njëjtën magjepsje.

Dhe “Swan Song” duket se sapo e ka hapur sërish kutinë e sekreteve të Princeshës.

The post Diana donte të linte Britaninë për një jetë të re me Hasnat Khan/ Libri i vëllait hap “kutinë” e sekreteve të Princeshës dhe trondit Pallatin Mbretëror appeared first on iconstyle.al.

  •  

Ka nisur sezoni i Peshores! ♎️ Gjërat që vetëm të lindurit e kësaj shenje do t’i kuptojnë

Sezoni i Peshores ka nisur dhe nga 23 shtatori deri më 23 tetor, vëmendjen e marrin të lindurit nën një prej shenjave më sociale, romantike dhe estetike të zodiakut. ♎✨

E sunduar nga Venusi, planeti që në astrologji lidhet me dashurinë, bukurinë dhe kënaqësinë, Peshorja njihet për nevojën e saj për ekuilibër dhe harmoni. Por kush ka një Peshore në jetën e vet, e di se pas gjithë kësaj qetësie fshihet edhe një mendje që mund të analizojë pafund edhe vendimin më të vogël.

Të zgjedhë mes dy restoranteve? Problem. Mes dy veshjeve? Edhe më keq. Peshorja është e aftë të shohë të mirat dhe të këqijat e çdo mundësie, ndaj pyetja “cilën zgjedh?” mund të kthehet në një diskutim të gjatë.

Në marrëdhënie, Peshoret konsiderohen romantike dhe e vlerësojnë shumë partneritetin. Nuk u pëlqejnë konfliktet e panevojshme dhe shpesh përpiqen të ruajnë paqen, por kjo nuk do të thotë se nuk e kanë kuptuar çfarë po ndodh. Mund të mos reagojnë menjëherë, por mbajnë mend.

Dhe pastaj është estetika. Një ambient i bukur, një veshje e kuruar, një parfum i mirë apo një darkë me atmosferën e duhur mund të bëjnë diferencën. Për një Peshore, detajet kanë rëndësi dhe bukuria nuk është vetëm çështje pamjeje, por edhe mënyra se si një vend apo një person e bën të ndihet.

Kanë gjithashtu një natyrë sociale dhe një hijeshi që ndonjëherë mund të keqinterpretohet si flirt. Në realitet, mund të jenë thjesht miqësore dhe komunikuese edhe pse, po, Peshoret dinë të flirtojnë kur duan.

Por ndoshta kontradikta më e bukur e kësaj shenje është kjo: kërkon ekuilibër në çdo gjë, ndërkohë që mund të kalojë shumë kohë duke menduar se si ta arrijë atë.

Pra, nëse ke një Peshore pranë vetes këtë muaj, uroji ditëlindjen, çoje diku bukur dhe bëji vetëm një nder: mos i jep pesë alternativa dhe t’i thuash “zgjidh ti”. 😂♎

The post Ka nisur sezoni i Peshores! ♎️ Gjërat që vetëm të lindurit e kësaj shenje do t’i kuptojnë appeared first on iconstyle.al.

  •  

261 mijë njerëz morën një letër që u ndryshoi jetën! Gjesti i jashtëzakonshëm i Miranda Kerr dhe CEO-s së Snapchat

Më shumë se 261 mijë njerëz në Kaliforni kanë marrë një lajm që për shumë prej tyre dukej pothuajse i pabesueshëm: borxhet e tyre mjekësore ishin fshirë.

Pas nismës qëndrojnë supermodelja dhe sipërmarrësja Miranda Kerr dhe bashkëshorti i saj, Evan Spiegel, bashkëthemelues dhe CEO i Snap, kompania pas Snapchat. Çifti bëri një donacion prej disa milionë dollarësh për organizatën jofitimprurëse Undue Medical Debt, duke mundësuar anulimin e më shumë se 550 milionë dollarëve borxhe mjekësore. Shuma e saktë e dhuruar prej tyre nuk është bërë publike.

Por mënyra se si funksionon kjo nismë është ndoshta pjesa më interesante e historisë.

Undue Medical Debt blen në masë borxhe të papaguara nga spitale, grupe mjekësh dhe agjenci mbledhjeje, me një pjesë shumë të vogël të vlerës së tyre. Më pas, në vend që t’ua kërkojë paratë pacientëve, i anulon borxhet përgjithmonë. Sipas organizatës, mesatarisht çdo 10 dollarë të dhuruar mund të fshijnë rreth 1,000 dollarë borxh mjekësor.

Dhe për 261 mijë personat që përfituan, nuk pati formularë, aplikime apo kërkesa për ndihmë. Përfituesit u identifikuan në bazë të të ardhurave dhe barrës së borxhit dhe më pas u njoftuan me një letër se detyrimi i tyre ishte zhdukur.

Madje, Miranda dhe Evan zgjodhën ta njoftonin vetë publikisht nismën edhe për një arsye të veçantë: që njerëzit që merrnin letrën të kuptonin se nuk bëhej fjalë për një mashtrim.

“Kur dikush që do është i sëmurë, gjithçka që dëshiron është të përqendrohesh te shërimi i tij”, u shpreh Kerr, duke shpjeguar se dëshironin t’u hiqnin familjeve një pjesë të barrës financiare që mund të vazhdojë shumë kohë pas një problemi shëndetësor.

Vetëm në San Diego, nisma solli fshirjen e rreth 99 milionë dollarëve borxhe për mbi 40 mijë persona, ndërsa në Los Angeles u anuluan rreth 26.7 milionë dollarë për më shumë se 17 mijë njerëz. Organizata e ka cilësuar këtë si fshirjen më të madhe të borxhit mjekësor në nivel shtetëror që ka realizuar deri tani në Kaliforni.

Dhe nuk është hera e parë që Miranda Kerr dhe Evan Spiegel bëjnë një gjest të tillë. Në vitin 2022, çifti financoi shlyerjen e kredive studentore të të gjithë maturantëve të Otis College of Art and Design, një surprizë që asokohe bëri xhiron e mediave amerikane.

Këtë herë, një donacion prej disa milionësh është kthyer në më shumë se gjysmë miliardi dollarë borxhe të fshira. Dhe për mbi 261 mijë njerëz, lajmi i mirë mbërriti thjesht në kutinë postare: fatura mjekësore që i kishte rënduar financiarisht nuk ishte më borxh i tyre.

The post 261 mijë njerëz morën një letër që u ndryshoi jetën! Gjesti i jashtëzakonshëm i Miranda Kerr dhe CEO-s së Snapchat appeared first on iconstyle.al.

  •  

Jonida Maliqi flet hapur për lidhjen me Alessio Alian: “Më kthen fëmijën që kam brenda, nuk kam turp të them se e dua”

Jonida Maliqi ka folur hapur për marrëdhënien e saj me Alessio Alian, ish-banorin e “Big Brother VIP 5”, duke treguar më shumë për dinamikën e lidhjes së tyre dhe ndjenjat që ka për të.

E ftuar në “Live From Tirana”, këngëtarja u ndal te rëndësia e të qenit në një raport të qartë. Të dy janë prindër të divorcuar dhe kanë lënë pas historitë e mëparshme, ndërsa edhe ish-partnerët e tyre kanë vazhduar jetën.

Jonida pranoi se distanca nuk e ka bërë gjithmonë të lehtë marrëdhënien. Ka pasur ribashkime të bukura, por edhe momente largësie dhe mosbesimi. Megjithatë, për të ajo që ka më shumë rëndësi është mënyra se si ndihet në këtë raport.

“Alessio hera-herës më kthen fëmijën që kam brenda dhe është gjëja më e bukur në botë”, u shpreh këngëtarja.

Jonida nuk hezitoi të fliste as për ndjenjat e saj, duke pranuar se e do Alessio-n. Megjithatë, ajo preferon të shmangë deklaratat e mëdha publike, kryesisht për të mbrojtur fëmijët dhe familjet e tyre nga ekspozimi dhe interpretimet mediatike.

Gjatë intervistës, artistja foli edhe për një kapitull të ri të jetës pas të 40-ave. Sipas saj, me kalimin e viteve ka mësuar të dëgjojë më shumë veten dhe t’i japë më pak peshë mendimit të të tjerëve.

“Mendoj që çdo individ pas të dyzetave fillon dhe reflekton më shumë për veten. Fillon e do veten më shumë dhe fillon të marrë më pak në konsideratë mendimin e të tjerëve”, tha ajo.

Për Jonidën, eksperiencat dhe momentet e vështira e kanë ndihmuar të kuptojë më qartë se çfarë ka vërtet rëndësi. Sot, siç tregoi vetë, zgjedh ta jetojë jetën sipas dëshirës së saj dhe t’ua kushtojë energjinë vetëm njerëzve që mendon se e meritojnë.

The post Jonida Maliqi flet hapur për lidhjen me Alessio Alian: “Më kthen fëmijën që kam brenda, nuk kam turp të them se e dua” appeared first on iconstyle.al.

  •  

Tragjedi në familjen e supermodeles Cindy Crawford, ndahet nga jeta në moshën 27-vjeçare djali i saj Presley Gerber

Një humbje e rëndë ka goditur familjen e supermodeles Cindy Crawford. Djali i saj, Presley Gerber, është ndarë nga jeta në moshën 27-vjeçare, ndërsa shkaku i vdekjes së tij nuk është bërë ende publik.

Sipas Zyrës së Mjekësisë Ligjore në Los Angeles, Presley ndërroi jetë të dielën, më 20 shtator, teksa ndodhej në një qendër rehabilitimi. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi rrethanat e vdekjes dhe pritet përfundimi i autopsisë.

Familja Gerber ka kërkuar privatësi në këto momente të vështira. Cindy Crawford, bashkëshorti i saj Rande Gerber dhe vajza e tyre, modelja dhe aktorja Kaia Gerber, kanë kërkuar hapësirë për të përballuar humbjen.

I lindur në Beverly Hills në vitin 1999, Presley ndoqi gjurmët e së ëmës në industrinë e modës. Ai nënshkroi me IMG Models që në adoleshencë dhe gjatë karrierës u shfaq në pasarelat e emrave të njohur si Moschino dhe Dolce & Gabbana, si dhe në një fushatë të Calvin Klein.

Vitet e fundit, Presley kishte folur publikisht edhe për periudhat e vështira të jetës së tij, duke treguar për përballjen me depresionin, sulmet e panikut dhe problemet me varësinë nga substancat. Në rrjetet sociale kishte krijuar edhe një rubrikë kushtuar shëndetit mendor, përmes së cilës fliste për eksperiencat personale, rikuperimin dhe rëndësinë e kërkimit të ndihmës.

“Duke qenë se kam kaluar vështirësi me shëndetin mendor, depresionin dhe disa gjëra të tjera, mendoj se nëse mund të ndihmoj qoftë edhe një person, apo njëqind persona, të dalin nga ajo gjendje ku kam qenë dikur, kjo është gjithçka që më duhet”, ishte shprehur ai në një intervistë.

Presley vazhdonte të shfaqej herë pas here publikisht pranë prindërve dhe motrës së tij. Shkaku i vdekjes së 27-vjeçarit mbetet ende i panjohur dhe pritet të përcaktohet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore.

The post Tragjedi në familjen e supermodeles Cindy Crawford, ndahet nga jeta në moshën 27-vjeçare djali i saj Presley Gerber appeared first on iconstyle.al.

  •  

Sarah Berisha konfirmon për herë të parë ndarjen nga DJ PM: “Kemi disa muaj që nuk jemi më bashkë”

Pas javësh me aludime dhe pikëpyetje rreth marrëdhënies së tyre, Sarah Berisha ka konfirmuar për herë të parë publikisht se historia e dashurisë me DJ PM ka marrë fund.

E pyetur nga një ndjekës në Instagram nëse vazhdon të jetë në një lidhje me DJ PM, Sarah vendosi t’u japë fund njëherë e mirë spekulimeve.

“Jo, ne nuk jemi më bashkë. U bë disa muaj që jemi ndarë (shumë përpara se të dilte lajmi). Disa gjëra janë të shkruara për të mos zgjatur gjithmonë, por e mira është që kur marrin fund të ruajmë respekt për njëri-tjetrin”, shkroi ajo.

Sarah shtoi se zgjodhi të fliste edhe për shkak të publikut që e ka ndjekur dhe mbështetur çiftin që nga “Big Brother VIP Albania”, ndërsa bëri të qartë se nuk ka ndërmend ta diskutojë më tej ndarjen:

“Këtë temë s’do ta hap më”.

Konfirmimi vjen pasi prej kohësh në rrjet qarkullonin zëra se Sarah dhe PM nuk ishin më bashkë. Dyshimet u shtuan kur ndjekësit vunë re se ata nuk ndiqeshin më në Instagram. Vëmendje tërhoqi edhe fakti që Sarah u shfaq e vetme në “Sunny Hill Festival”, ndërsa në Instagram publikoi këngën “The One That Got Away” të Katy Perry, e cila flet për një dashuri të humbur.

Deri tani, asnjëri prej tyre nuk kishte konfirmuar ndarjen. Madje, gjatë viteve, mungesa e fotove së bashku kishte prodhuar disa herë thashetheme të ngjashme, ndërsa DJ PM kishte deklaruar se preferonte që marrëdhënien ta mbante private.

Sarah Berisha dhe DJ PM u njohën në vitin 2021 gjatë eksperiencës së tyre në edicionin e parë të “Big Brother VIP Albania”, ku nisi edhe afrimiteti mes tyre. Historia vazhdoi jashtë shtëpisë për disa vite, duke i kthyer në një prej çifteve më të njohura të krijuara në reality show.

Këtë herë, megjithatë, nuk bëhet më fjalë për aludime: Sarah e ka konfirmuar vetë se lidhja ka përfunduar prej disa muajsh, duke zgjedhur ta mbyllë publikisht historinë me një mesazh respekti për ish-partnerin.

The post Sarah Berisha konfirmon për herë të parë ndarjen nga DJ PM: “Kemi disa muaj që nuk jemi më bashkë” appeared first on iconstyle.al.

  •  

Censura nuk nisi me “Revolucionin Flamingo”/ Nga IconStyle te qindra llogaritë e goditura: Copyright-i si armë për të heshtur zërat kritikë në Shqipëri

Së fundmi, çështja ka mbërritur te WIRED, në Parlamentin Europian dhe në dyert e Komisionit Europian. Por ajo që po ndodh me llogaritë shqiptare në Instagram nuk lindi me protestat e fundit dhe as me “Revolucionin Flamingo”.

Për vite, media, gazetarë, aktivistë dhe zëra kritikë ndaj pushtetit janë përballur me goditje në rrjetet sociale. Sot ndryshimi është se fenomeni ka marrë përmasa masive, është dokumentuar dhe po merr vëmendje ndërkombëtare.

IconStyle e njeh këtë histori shumë përpara se ajo të bëhej virale, madje e ka raportuar shpesh atë.

Si një media e pavarur shqiptare, me një audiencë prej qindra mijëra ndjekësish dhe me një linjë editoriale që nuk ka kursyer kritikat ndaj qeverisë dhe pushtetit, IconStyle është përballur disa herë me sulme ndaj pranisë së saj në Instagram. Llogaria është mbyllur në më shumë se një rast nën justifikimin e shkeljeve të copyright-it, përmes ankesave që IconStyle i ka kundërshtuar.

Për ne, këto goditje nuk kanë qenë thjesht një problem teknik me Instagramin. Ato kanë ardhur në një kontekst ku media ka kritikuar hapur qeverinë dhe ka publikuar për çështje që pushtetit nuk i kanë pëlqyer. Ne i konsiderojmë këto mbyllje si përpjekje për të na heshtur dhe për të goditur një media që nuk ka zgjedhur të heshtë.

Sot ajo që dikur mund të paraqitej si “problemi i një llogarie me copyright-in” po shfaqet në një përmasë krejt tjetër.

Investigimi i Repro Uncensored mbi goditjen e llogarive që dokumentonin protestat në Shqipëri ka identifikuar një model: raportime të përsëritura për copyright, të ndjekura nga kufizime, heqje përmbajtjesh dhe deri te çaktivizimi i llogarive. Organizata thotë se ka verifikuar rreth 100 raste të lidhura me protestat dhe vlerëson, bazuar në volumin e raportimeve, se numri real mund të jetë disa qindra. Në të paktën 70 raste janë konfirmuar heqje postimesh apo videosh, kufizime llogarish ose humbje funksionesh. 

Repro ka dokumentuar raste ku një llogari merrte pesë deri në dhjetë ankesa copyright brenda një kohe të shkurtër, të pasuara nga masa gjithnjë e më të rënda.

Martha Dimitratou, themeluese e Repro Uncensored, thotë se kombinimi i raportimeve të përsëritura, përqendrimi i tyre te e njëjta lëvizje dhe goditja e llogarive të reja që hapeshin pas mbylljeve të mëparshme “tregon fuqishëm për aktivitet të koordinuar”. 

Problemi nuk është më një postim i hequr nga Instagrami.

Problemi është një sistem që, edhe sipas Repro Uncensored, mund të shfrytëzohet pa pasur nevojë të hakosh një media, një gazetar apo një aktivist. Mjafton të pretendosh pronësinë mbi një material, të aktivizosh mekanizmin e copyright-it dhe ta përsëritësh procesin derisa algoritmi i platformës të fillojë të ndëshkojë llogarinë.

Dhe pikërisht kjo është ajo që e bën historinë e IconStyle relevante edhe sot.

Sepse përpara se qindra shqiptarë të fillonin të flisnin njëkohësisht për copyright strikes, përpara se llogaritë e protestuesve të mbylleshin në seri dhe përpara se WIRED ta çonte historinë në vëmendjen ndërkombëtare, ne e kishim provuar këtë mekanizëm mbi llogarinë tonë.

Jo një herë.

IconStyle është përballur disa herë me mbyllje dhe kufizime të llogarisë, me copyright-in të përdorur si bazë për goditjen e një prej kanaleve kryesore përmes të cilit media komunikonte me publikun.

Shqetësuese prej sa kohësh po ndodh kjo në Shqipëri!

Sa media janë goditur më parë dhe e kanë trajtuar si një betejë individuale me Instagramin? Sa gazetarë kanë humbur postime, shtrirje apo llogari? Sa aktivistë dhe figura opozitare janë përballur me të njëjtin mekanizëm pa pasur mundësinë ta provojnë se kush qëndronte pas raportimeve? Dhe sa raste nuk janë lidhur kurrë me njëri-tjetrin sepse secili mendonte se po luftonte i vetëm me një algoritëm?

Sot dimë të paktën diçka që më parë nuk ishte dokumentuar në këto përmasa: mekanizmi i copyright-it mund të abuzohet në mënyrë të organizuar.

Kian Vesteinsson i Freedom House e përshkruan fenomenin si “brigading”: përdorimin masiv të mekanizmave të raportimit të platformës kundër një objektivi.

Repro Uncensored shkon më tej dhe kërkon nga Meta dhe TikTok të zbulojnë cilat kompani, kontraktorë apo ndërmjetës merren me moderimin e përmbajtjes shqiptare dhe nëse platformat apo partnerët e tyre kanë marrëdhënie apo komunikime me qeverinë shqiptare, institucione shtetërore ose aktorë politikë.  Për këtë arsye kërkohet hetim.

Sepse fenomeni nuk mund të mbyllet më me një email automatik nga Meta dhe me fjalinë “copyright infringement”.

Më shumë se 30 eurodeputetë nga disa grupe politike i janë drejtuar tashmë Komisionit Europian, duke kërkuar të përcaktohet se çfarë shkaktoi kufizimet, nëse sistemet e Meta-s janë manipuluar në mënyrë të koordinuar dhe nëse kompania ka respektuar detyrimet e saj për transparencën dhe të drejtat themelore sipas Digital Services Act. 

Edhe Meta ka bërë një pranim domethënës. Kompania i tha WIRED se llogaritë për të cilat u pyet ishin hequr gabimisht dhe se janë rikthyer. Meta kërkoi ndjesë për shqetësimin, por nuk komentoi mbi investigimin për aktivitet të koordinuar. 

Kjo është arsyeja pse historia nuk duhet të mbyllet me rikthimin e disa profileve.

Duhet të zbulohet kush raportoi, kush pagoi në rastet ku pretendohet pagesë, nëse të njëjtët raportues shfaqen në llogari të ndryshme, si kaluan ankesat filtrat e Meta-s dhe pse një sistem i krijuar për të mbrojtur pronësinë intelektuale mundi të përdorej për të zhdukur nga rrjeti zëra politikë, gazetarë dhe media.

Dhe hetimi nuk duhet të fillojë vetëm nga gushti 2026.

Duhet të shkojë pas.

Sepse sot po flasin qindra. Por të tjerë janë goditur shumë më herët.

IconStyle është një prej tyre.

The post Censura nuk nisi me “Revolucionin Flamingo”/ Nga IconStyle te qindra llogaritë e goditura: Copyright-i si armë për të heshtur zërat kritikë në Shqipëri appeared first on iconstyle.al.

  •  

Pas humbjes së dhimbshme të foshnjës, Marin bëhet sërish baba! Partnerja mbajti të fshehtë shtatzëninë për 9 muaj dhe zbulon lajmin e ëmbël

Vetëm pak muaj pasi Marin rrëfeu mes lotësh një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, familja e reperit ka marrë një lajm të bukur. Partnerja e tij ka zbuluar në TikTok se ka qenë shtatzënë gjatë nëntë muajve të fundit dhe se tashmë kanë mirëpritur një tjetër fëmijë.

“So… this is where I’ve been for the last 9 months. So many of you guessed right!”, shkruan ajo krahas videos, duke konfirmuar kështu atë që një pjesë e ndjekësve kishin dyshuar prej kohësh.


Lajmi merr një domethënie të veçantë pas asaj që çifti ka kaluar. Në tetor të vitit të kaluar, Marin tregoi publikisht se kishin humbur një foshnjë menjëherë pas lindjes. Reperi, mes lotësh, rrëfeu se i kishte vendosur edhe emrin dhe se vetëm besimi e kishte ndihmuar të përballonte dhimbjen.

“Dhimbja ishte e madhe, por forca nga Zoti ishte 2-3 herë më e madhe”, shprehej atëherë Marin.

Tani, familjes së tyre i është shtuar një tjetër vogëlush. Partnerja e reperit nuk ka zbuluar gjininë e fëmijës, duke zgjedhur që këtë detaj ta mbajë ende privat.

Pas një historie që Marin vetë e kishte përshkruar si një nga goditjet më të rënda të jetës së tij, këtë herë lajmi që vjen nga familja është ai i një fillimi të ri.

The post Pas humbjes së dhimbshme të foshnjës, Marin bëhet sërish baba! Partnerja mbajti të fshehtë shtatzëninë për 9 muaj dhe zbulon lajmin e ëmbël appeared first on iconstyle.al.

  •  

Spartak Ngjela habit me “kurën” kundër xhelozisë: “Duhet të durosh që e dashura të shkojë me një tjetër”

Spartak Ngjela është rikthyer me një tjetër nga ato deklarata që vështirë se kalojnë pa ngritur vetulla. I ftuar në “She’s On Air” në Top Albania Radio, avokati foli për dashurinë, marrëdhëniet dhe xhelozinë, duke prezantuar edhe atë që ai e konsideron “kurën” për këtë të fundit.

Sipas Ngjelës, për të mposhtur xhelozinë duhet të arrish deri aty sa të pranosh që partnerja jote të shkojë me një tjetër.

“Për të hequr xhelozinë, duhet të bësh një ‘antibiotik’, një ndërhyrje të madhe! Më pyeti një njeri që është shumë i lartë në politikë sot: ‘Si e ke bërë? Si e ke hequr xhelozinë?’ Duhet të durosh që e dashura jote të shkojë me një tjetër. Kjo nuk është durim, është kurë”, u shpreh ai.

Një “recetë” që tingëllon më shumë si filozofia personale e Ngjelës sesa si këshillë marrëdhëniesh për t’u marrë e zbatuar nga të gjithë. Avokati njihet prej kohësh për deklarata të pazakonta dhe shpesh kontroverse, dhe këtë herë nuk bëri përjashtim.

Ai argumentoi se xhelozia nuk është tregues i dashurisë së madhe, por pikërisht e kundërta.

“Filozofia më ka mësuar që xhelozia është urrejtje. Ju e dini atë thënien në Shqipëri: ‘Sa më e madhe xhelozia, aq më e madhe dashuria’, por jo. ‘Sa më e madhe xhelozia, aq më e madhe urrejtja’”, tha Ngjela.

Sigurisht, marrëdhëniet, kufijtë dhe mënyra se si përjetohet xhelozia janë personale dhe nuk ekziston ndonjë “antibiotik” universal si ai që përshkruan Ngjela. Ajo që për të mund të ketë funksionuar si mënyrë për të përballuar xhelozinë, për dikë tjetër mund të jetë thjesht e papranueshme.

Biseda vijoi edhe me jetën sentimentale të avokatit. I pyetur nëse vajza apo gra i shkruajnë në Facebook për ta ftuar për kafe, Ngjela u përgjigj pozitivisht dhe pranoi se ka dalë në takime pas ftesave të tilla.

Në fund, një tjetër deklaratë “alla Ngjela”: shumë personale, mjaft kontroverse dhe këtë herë me një “kurë” për xhelozinë që me siguri nuk do t’i bindë të gjithë.

The post Spartak Ngjela habit me “kurën” kundër xhelozisë: “Duhet të durosh që e dashura të shkojë me një tjetër” appeared first on iconstyle.al.

  •  

81 vite burg për katër ish-krerët e UÇK-së/ Vendimi i Hagës ndez zemërim në Kosovë, qytetarët dalin në rrugë në Prishtinë dhe protestojnë para Speciales

Një ditë e rëndë për Kosovën dhe një vendim që është pritur mes ankthit, lotëve dhe protestave. Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur fajtorë për krime lufte katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dhënë në total 81 vite burg: 25 vite për Hashim Thaçin, 25 për Jakup Krasniqin, 18 për Kadri Veselin dhe 13 për Rexhep Selimin. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

Vendimi i 16 shtatorit ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë, ku mijëra qytetarë kishin dalë në mbështetje të katër ish-drejtuesve të UÇK-së dhe prisnin një përfundim krejt tjetër të procesit. Pas shpalljes së dënimeve, në Prishtinë pati lot, dëshpërim dhe zemërim, ndërsa qytetarë dhe mbështetës të UÇK-së nisën marshimin në bulevardin kryesor, duke kundërshtuar vendimin e Hagës. Në mesin e thirrjeve të raportuara pas vendimit ishte edhe “Jo në emrin tim”.

Pamje të ngjashme mbështetjeje u panë edhe në Hagë. Qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora kishin udhëtuar drejt Holandës për të qenë pranë ish-krerëve të UÇK-së në ditën e vendimit. Që një natë më parë, mbështetësit ishin mbledhur në aktivitetin “Nata e pritjes”, ndërsa autoritetet holandeze kishin shtuar masat e sigurisë rreth godinës së Dhomave të Specializuara.

Tension pati edhe pranë gjykatës. Policia holandeze u kërkoi shqiptarëve të mbledhur pranë godinës të largoheshin nga zona, ndërsa forcat e rendit kishin krijuar një perimetër të shtuar sigurie përpara shpalljes së aktgjykimit.

Në sallën e gjyqit, vendimi ishte i rëndë. Hashim Thaçi u dënua me 25 vite burg, Jakup Krasniqi me 25 vite, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite. Trupi gjykues i gjeti katër ish-krerët e UÇK-së penalisht përgjegjës për krime lufte që përfshijnë ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Por një pjesë e rëndësishme e aktakuzës nuk qëndroi. Gjykata i shpalli të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit, duke arritur në përfundimin se Prokuroria nuk kishte provuar elementet e nevojshme për ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik ndaj popullatës civile.

Procesi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit ka qenë një nga çështjet më të mëdha të zhvilluara nga Dhomat e Specializuara. Katër ish-drejtuesit u transferuan në qendrën e paraburgimit në Hagë në nëntor të vitit 2020, ndërsa gjykimi nisi më 3 prill 2023. Procedura e provave u mbyll në dhjetor 2025 dhe deklaratat përmbyllëse u zhvilluan në shkurt 2026.

Pikërisht pesha simbolike e katër emrave dhe lidhja e tyre me luftën e UÇK-së e kanë bërë vendimin shumë më tepër sesa një zhvillim gjyqësor për një pjesë të opinionit në Kosovë. Thaçi dhe ish-drejtuesit e tjerë vazhdojnë të shihen si figura të luftës për çlirim, çka shpjegon edhe mobilizimin e madh qytetar që i parapriu vendimit. Mijëra njerëz kishin dalë në Prishtinë edhe përpara 16 shtatorit duke kërkuar lirimin e tyre.

Kështu, ndërsa në Hagë u mbyll një kapitull i procesit gjyqësor, para Gjykatës Speciale si dhe në Prishtinë vendimi u prit me një valë kundërshtimi. Qytetarët që dolën në rrugë e panë dënimin e ish-krerëve të UÇK-së si një goditje të rëndë, ndërsa çështja juridike nuk ka përfunduar: aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mbrojtja ka të drejtën e apelimit.

The post 81 vite burg për katër ish-krerët e UÇK-së/ Vendimi i Hagës ndez zemërim në Kosovë, qytetarët dalin në rrugë në Prishtinë dhe protestojnë para Speciales appeared first on iconstyle.al.

  •  

“Mbylle buçen” për të mbajtur ekranin?/ Arjan Konomi publikon audion me drejtuesen e “Top Channel” pas përplasjeve me Ramën; nga protestat te qëndrimet politike, a po u kërkohet moderatorëve të heshtin për qeverinë?

Një përplasje që nisi në një rrugë të Vunoit mes Arjan Konomit dhe familjes së kryeministrit Edi Rama po hap tashmë një debat shumë më të madh se incidenti i 20 gushtit. Në qendër nuk është më vetëm ajo që ndodhi mes Konomit, Linda Ramës dhe truprojave të kryeministrit, por një akuzë shumë më serioze e ngritur nga gazetari: se pas qëndrimeve të tij publike kundër Ramës, dyert e Top Channel iu mbyllën dhe iu kërkua të heshtte politikisht për të qenë pjesë e ekranit.

Historia nisi në Vuno, kur Konomi denoncoi atë që e konsideronte standard të dyfishtë të policisë: banorët, sipas tij, ishin gjobitur për parkim, ndërsa automjetet e eskortës së kryeministrit qëndronin në një zonë ku parkimi ndalohej. Përplasja degradoi në debat me Linda Ramën dhe Konomi pretendoi më pas se truprojat i morën telefonin, i fshinë videot dhe ai përfundoi i shoqëruar në Komisariatin e Himarës.

Një ditë më vonë Rama publikoi vetë një video nga incidenti dhe akuzoi Konomin se kishte bullizuar Linda Ramën dhe djalin e tyre, duke e paraqitur materialin si provë që rrëzonte versionin e gazetarit.

Por Konomi ngriti menjëherë një pikëpyetje edhe më të rëndë: sipas tij, videoja që përfundoi në duart e kryeministrit dhe më pas u publikua prej tij ishte pikërisht material i regjistruar me telefonin e Konomit, të njëjtin telefon që ai pretendonte se i ishte marrë nga truprojat. Edhe media të tjera ngritën publikisht të njëjtën çështje mbi origjinën e pamjeve.

Përplasja nuk përfundoi aty.

Pak ditë më vonë Konomi deklaroi se ishte kërcënuar nga një person që ai e identifikoi si Muharrem Sheta dhe si kushëri të Linda Ramës. Sipas Konomit, personi ishte shoqëruar në polici për këtë çështje. Konomi e interpretoi kërcënimin si të lidhur drejtpërdrejt me konfliktin e tij me familjen e kryeministrit, megjithëse një urdhër apo përfshirje e Linda Ramës në kërcënim nuk është provuar publikisht.

Dhe më pas erdhi Top Channel.

Konomi ishte përfolur dhe, sipas rrëfimit të tij, ishte kontaktuar prej javësh për rikthimin si opinionist në “Për’puthen”. Ai thotë se kishte pranuar ofertën, pavarësisht se pagesa ishte shumë më e ulët se ajo që kishte marrë në të kaluarën, dhe se ishte njoftuar madje për xhirimet promocionale të programit.

Por pas konfliktit me Ramën dhe qëndrimeve të tij publike, gjithçka ndryshoi.

Sipas Konomit, zv.CEO e Top Channel, Steliana Selmani, e telefonoi dhe i komunikoi se nuk do të ishte më pjesë e programit. Ai pretendon se gjatë komunikimit iu tha se kishte “bullizuar një femër”, referuar Linda Ramës, si dhe se, duke qenë imazh i Top Channel, nuk mund të shprehte bindje politike apo të merrte pjesë në protesta.

Por, a blihet ekrani me heshtje politike?

A duhet një moderator që merr një emision në një prej televizioneve më të mëdha të vendit të heqë dorë nga protestat, nga kritikat ndaj qeverisë dhe nga qëndrimet e tij si qytetar?

Konomi shkoi edhe më tej, duke akuzuar Selmanin për mënyrën denigruese me të cilën, sipas tij, ishte komunikuar vendimi. Ai tha publikisht se drejtuesja i ishte drejtuar me shprehjen: “mbylle buçen”.

Këtë herë nuk mbeti vetëm fjala e Konomit kundër fjalës së drejtueses.

Ai publikoi një pjesë audio të komunikimit që ia atribuoi Steliana Selmanit. Në material, ajo nuk e mohon përdorimin e shprehjes, por përpiqet ta vendosë atë në një kontekst tjetër: “mbyll buçen”, sipas shpjegimit të dhënë në audio, ishte thënë në mënyrë konfidenciale, miqësore dhe humoristike. Si në “Portokalli”.

Video ku Konomi publikoi akuzat dhe audion u zhduk më pas nga Facebook dhe Instagram. Deri tani nuk ka një provë publike që tregon se kush kërkoi heqjen e saj apo për çfarë arsye Meta e largoi materialin. Por zhdukja e një materiali që përmbante akuza ndaj një prej televizioneve më të fuqishme në vend dhe vinte pas një konflikti të drejtpërdrejtë me familjen e kryeministrit ngre pyetje që kërkojnë përgjigje.

Kush kërkoi heqjen e videos? Çfarë rregulli shkeli ajo? A pati raportime të koordinuara? A ndërhyri Top Channel? A pati ndonjë kërkesë nga njerëz të lidhur me kryeministrin? Apo vendimi ishte tërësisht i platformave?

Rasti Konomi ndërkohë ngre një pyetje tjetër që shkon përtej tij: çfarë ndodh me figurat publike të Top Channel kur qëndrimet e tyre politike bien ndesh me vijën që televizioni dëshiron të mbajë?

Në rrjetet sociale janë vënë re edhe transformime të tjera publike që meritojnë të krahasohen.

Ronaldo Sharka, i cili vite më parë fliste për varfërinë dhe pamundësinë ekonomike të shqiptarëve, së fundmi ka publikuar një video me një narrativë krejt tjetër, duke argumentuar në thelb se shqiptarët nuk qenkan aq të varfër sa pretendojnë, përderisa konsumojnë proshutë apo mbajnë Rolex. Një ndryshim që bëhet veçanërisht interesant në momentin kur Sharka është vetë drejtues emisioni në Top Channel.

Edhe rasti i Rizarta Hoxhës ngre pikëpyetje. E pranishme dhe aktive më parë në protesta dhe në publikimin e materialeve prej tyre, pas vazhdimit të angazhimit të saj televiziv në Top Channel, postimet e protestave janë fshirë dhe qëndrimi publik ndaj tyre është shuar.

Nuk ka prova publike që tregojnë se Sharka apo Hoxha kanë marrë urdhër nga Top Channel për të ndryshuar qëndrimet e tyre dhe ndryshimi i bindjeve të një personi, në vetvete, nuk provon presion. Por pas deklaratave të Konomit se atij iu kërkua konkretisht të mos merrte pjesë në protesta dhe të mos shprehte qëndrime politike, këto raste marrin një tjetër peshë dhe kërkojnë të paktën një përgjigje:

A ekziston në Top Channel një rregull i shkruar ose i pashkruar që ekrani kushtëzohet me heshtjen ndaj qeverisë?

Sepse nëse një drejtues televizioni mund t’i thotë një opinionisti se nuk mund të protestojë apo të shprehë bindje politike sepse është “imazh i Top Channel”, atëherë çështja nuk është më Arjan Konomi.

Është liria e fjalës brenda vetë medias.

Një televizion ka të drejtë të përcaktojë standarde profesionale për figurat që përfaqësojnë ekranin e tij. Por tjetër gjë është standardi profesional dhe tjetër gjë do të ishte ndalimi i një punonjësi që, jashtë një programi jopolitik, të kritikojë qeverinë apo të marrë pjesë si qytetar në një protestë.

Pikërisht këtë duhet të sqarojë publikisht Top Channel.

A u largua Arjan Konomi nga “Për’puthen” për arsye profesionale dhe programacioni, apo ndikuan qëndrimet e tij ndaj Edi dhe Linda Ramës? A iu kërkua të mos merrte pjesë në protesta? A iu kërkua të mos shprehte mendime politike? A është shprehja “mbylle buçen” mënyra me të cilën një drejtues i një televizioni kombëtar komunikon me një figurë që televizioni vetë kishte kërkuar ta rikthente në ekran?

Dhe mbi të gjitha: a po kthehet ekrani në shpërblim për heshtjen?

Sepse nëse për të marrë një emision duhet të mbyllësh gojën kur bëhet fjalë për qeverinë, problemi nuk është më kush është apo nuk është opinionist i “Për’puthen”.

Problemi është se kush e kontrollon fjalën në një prej ekraneve më të mëdha të Shqipërisë!

The post “Mbylle buçen” për të mbajtur ekranin?/ Arjan Konomi publikon audion me drejtuesen e “Top Channel” pas përplasjeve me Ramën; nga protestat te qëndrimet politike, a po u kërkohet moderatorëve të heshtin për qeverinë? appeared first on iconstyle.al.

  •  

Çfarë e vrau Giorgos Mazonakis?/ Hyri për një procedurë “longevity”, doli pa jetë: 42 minutat në aparaturë, urgjenca e vonuar dhe dy mjekët nën akuzë për vdekjen që tronditi Greqinë

Vdekja e papritur e Giorgos Mazonakis, një prej këngëtarëve më të njohur të Greqisë dhe një emër shumë i dashur edhe për publikun shqiptar, fillimisht u përhap me një shpjegim të shkurtër dhe tronditës: 54-vjeçari kishte pësuar arrest kardiak gjatë një vizite në një qendër private mjekësore në Athinë.

Por vetëm pak ditë më vonë, historia është shumë më e ndërlikuar.

Ajo që ndodhi më 9 shtator në një ambient privat në Kolonaki tashmë është objekt i një hetimi penal, dy mjekë përballen me akuza të rënda, autoritetet po analizojnë aparaturat, telefonat, kamerat e sigurisë dhe të dhënat dixhitale, ndërsa një pyetje themelore ende nuk ka marrë përgjigje:

Nga çfarë vdiq Giorgos Mazonakis?

Autopsia nuk ka mundur ende ta përcaktojë shkakun. Priten analizat toksikologjike, histologjike dhe laboratorike, të cilat mund të tregojnë nëse ekziston apo jo një lidhje mes vdekjes së tij dhe procedurës që po kryhej atë pasdite.

Çfarë po bënte Mazonakis në atë qendër?

Sipas të dhënave të deritanishme, Mazonakis kishte shkuar për t’iu nënshtruar plazmaferezës, ose më saktë një forme të shkëmbimit terapeutik të plazmës.

Është një procedurë mjekësore reale dhe e përdorur prej vitesh për sëmundje të caktuara. Gjaku i pacientit kalon përmes një aparature, e cila ndan plazmën nga qelizat e gjakut. Plazma hiqet dhe, sipas procedurës, komponentët e tjerë rikthehen në trup së bashku me lëngun zëvendësues.

Qëllimi, kur ekziston një indikacion mjekësor, është largimi nga qarkullimi i substancave të dëmshme që ndodhen në plazmë, si disa antitrupa ose proteina patologjike.

Por qendra ku ndodhej Mazonakis reklamonte gjithashtu shërbime të lidhura me “longevity”, anti-aging dhe mjekësinë rigjeneruese. Pikërisht këtu lind një nga problemet më të mëdha të çështjes.

Sipas Kathimerini, ambienti ishte i licencuar si një praktikë private e mjekësisë së brendshme, ndërsa autoritetet thonë se nuk ishte i licencuar për kryerjen e plazmaferezës. Pas vdekjes së këngëtarit, Athens Medical Association nisi hetim të veçantë mbi funksionimin e tij.

42 minutat që tani janë në qendër të hetimit

Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë pothuajse minutë pas minute pasditen e fundit të Mazonakis.

Pamjet e kamerave dhe dëshmia e një taksisti e vendosin mbërritjen e tij në qendër rreth orës 13:54.

Sipas avokatit të familjes, programi i aparaturës regjistron nisjen e trajtimit në 14:12 dhe ndërprerjen në 14:54.

Pra, rreth 42 minuta.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse një nga versionet e dhëna autoriteteve ishte se Mazonakis ishte rrëzuar ndërsa po vendosej një kateter i dytë intravenoz, përpara se procedura të kishte nisur. Por të dhënat elektronike të aparaturës tregojnë se makina kishte funksionuar për dhjetëra minuta.

Pikërisht këtë kontradiktë po përpiqen të sqarojnë hetuesit.

Ka edhe një tjetër boshllëk kohor që ka ngritur pikëpyetje.

Sipas të dhënave të raportuara deri tani, procedura u ndërpre rreth 14:54, ndërsa ambulanca u thirr vetëm rreth 16:22–16:23 dhe mbërriti pak minuta më vonë.

Kjo nuk do të thotë automatikisht se Mazonakis pësoi arrest kardiak në 14:54 dhe u la pa ndihmë deri në 16:22. Pikërisht momenti kur gjendja e tij u përkeqësua është një nga gjërat që hetimi duhet të përcaktojë.

Por diferenca kohore është aq e rëndësishme sa autoritetet po kërkojnë të kuptojnë se çfarë ndodhi gjatë gjithë atij intervali, kush ishte pranë tij, kush monitoronte parametrat jetësorë dhe kur u kuptua se situata ishte kritike.

Ambulanca e gjeti pa puls, ndërsa defibrilatori raportohet se nuk funksiononte

Kur ekipet e urgjencës mbërritën, sipas materialeve të hetimit të raportuara nga Kathimerini, Mazonakis ishte pa puls, pa frymëmarrje spontane dhe në asistoli, pra zemra nuk shfaqte aktivitet elektrik efektiv.

Por një tjetër element po hetohet: mjekja raportohet se u ka thënë ekipeve të urgjencës se në ambient kishte defibrilator, por ai nuk funksiononte.

Mazonakis u transportua në spital, por përpjekjet për ta rikthyer në jetë nuk patën sukses.

Telefonat, fotografitë dhe dhoma e pastruar

Hetimi nuk është ndalur vetëm te aparatura.

Autoritetet kanë sekuestruar telefona, kompjuterë, dokumente, dosje mjekësore, preparate dhe materiale të tjera, ndërsa po analizojnë komunikimet dhe të dhënat dixhitale për të rindërtuar kronologjinë.

Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu një kërkim të gjetur në një kompjuter të sekuestruar lidhur me mënyrën se si mund të rikthehet një person pas një arresti kardiak. Rëndësi ka kur është kryer kërkimi dhe çfarë po ndodhte me Mazonakis në atë moment. emuar. Personeli ka deklaruar se pastrimi pas çdo seance ishte rutinë; megjithatë, hetuesit po verifikojnë kohën kur është bërë dhe nëse mund të jetë prekur ndonjë provë.

Këto elemente janë objekt hetimi dhe jo prova të përfunduara të një tentative për fshehje. Është drejtësia ajo që duhet të përcaktojë kuptimin e tyre.

Dy mjekët tashmë përballen me akuza shumë më të rënda

Fillimisht ndaj dy mjekëve u ngrit akuza për ekspozim të pacientit ndaj rrezikut me pasojë vdekjen.

Por më 14 shtator, prokurorët e rënduan akuzën në vrasje me dashje eventuale, sipas raportimit të Kathimerini. Në thelb, akuza lidhet me pretendimin se një person mund të ketë qenë i vetëdijshëm se veprimet e tij mund të sillnin pasoja fatale dhe megjithatë ka vazhduar.

Kjo është akuzë, jo vendim fajësie. Dy mjekët duhet të japin versionin e tyre para drejtësisë dhe përgjegjësia penale mbetet për t’u provuar.

Po vetë plazmafereza, sa e rrezikshme është?

Rasti i Mazonakis ngre në mënyrë të pashmangshme një pyetje tjetër: a është plazmafereza një procedurë e rrezikshme?

Përgjigjja kërkon kujdes.

Kur përdoret për indikacione të njohura mjekësore, te pacienti i duhur, me personel të trajnuar dhe në një strukturë të pajisur për të menaxhuar komplikacionet, shkëmbimi terapeutik i plazmës konsiderohet përgjithësisht një procedurë relativisht e sigurt. Por nuk është një trajtim banal, një serum bukurie apo një procedurë “wellness” pa rrezik. Gjaku nxirret nga trupi, përpunohet jashtë tij dhe rikthehet, ndërkohë që përdoren antikoagulantë dhe lëngje zëvendësuese.

Komplikacionet më të zakonshme përfshijnë rënie të tensionit, marramendje, të përziera, ulje të kalciumit në gjak, mpirje ose ndjesi shpimi gjilpërash, reaksione alergjike, probleme të lidhura me kateterin dhe çrregullime të koagulimit. Më rrallë mund të shfaqen komplikacione serioze kardiovaskulare, respiratore ose reaksione të rënda alergjike.

Edhe shifrat duhen lexuar me kujdes. Një regjistër i madh i World Apheresis Association, i cituar në një rishikim shkencor, raportoi efekte anësore të rënda në rreth 0.4% të trajtimeve. Një analizë më e vjetër e mbi 15 mijë procedurave raportonte vdekje në rreth 0.05% të procedurave, por këto shifra nuk mund të përkthehen thjesht si “rreziku që procedura të të vrasë”: pacientët që marrin TPE shpesh janë vetë të sëmurë rëndë dhe studimet ndryshojnë shumë për popullatën, teknikën dhe indikacionin.

Pra, rreziku fatal është i rrallë, por komplikacionet serioze ekzistojnë. Dhe pikërisht për këtë arsye vendi ku kryhet, monitorimi i pacientit, përvoja e personelit dhe mundësia për të ndërhyrë menjëherë në një urgjencë janë thelbësore.

Në rastin e Mazonakis, megjithatë, nuk është provuar ende se plazmafereza e vrau atë.

Autopsia nuk dha përgjigjen që të gjithë prisnin

Autopsia e 54-vjeçarit është kryer, me praninë edhe të ekspertit të zgjedhur nga familja.

Por përfundimi paraprak ishte befasues: vetëm autopsia nuk mundi të përcaktonte shkakun e vdekjes.

Tani priten rezultatet toksikologjike, histologjike dhe laboratorike. Ato duhet të ndihmojnë ekspertët të kuptojnë çfarë e çoi zemrën e Mazonakis drejt arrestit dhe, mbi të gjitha, nëse ekziston një lidhje shkakësore me procedurën që po kryhej atë ditë.

Dhe ky është dallimi më i rëndësishëm: arresti kardiak është mënyra se si zemra ndaloi; nuk është domosdoshmërisht përgjigjja përse ndaloi.

Nga një vdekje e papritur, në një çështje që tronditi Greqinë

Mijëra njerëz dolën për t’i dhënë lamtumirën Giorgos Mazonakis, ndërsa vdekja e tij ka hapur në Greqi një debat që tashmë shkon përtej humbjes së një artisti të famshëm.

Ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, shkoi deri aty sa i kërkoi falje familjes, duke deklaruar se “sistemi nuk ishte në gjendje ta mbronte” dhe se duhen gjetur boshllëqet që lejojnë promovimin dhe ofrimin e shërbimeve mjekësore në mënyra potencialisht problematike.

Sepse pas gjithë zhurmës rreth “longevity”, “detox”, anti-aging dhe trajtimeve që premtojnë një trup më të ri apo më të shëndetshëm, mbetet një e vërtetë shumë më pak tërheqëse për Instagramin:

Një procedurë mjekësore mbetet procedurë mjekësore. Edhe kur paketohet si wellness. Edhe kur e kryejnë të famshmit. Edhe kur duket moderne.

Për Giorgos Mazonakis, përgjigjja përfundimtare ende mungon. Deri sa të dalin analizat dhe të përfundojë hetimi, askush nuk mund të thotë me siguri nëse procedura i shkaktoi vdekjen.

Por ajo që tashmë dihet ka qenë e mjaftueshme për të ngritur pyetje tepër serioze: Pse po kryhej kjo procedurë në atë ambient? Kush po e monitoronte? Çfarë ndodhi gjatë 42 minutave të regjistruara nga aparatura? Çfarë ndodhi më pas deri në telefonatën drejt urgjencës? Dhe, mbi të gjitha, a mund të ishte shpëtuar Giorgos Mazonakis?

Këto janë pyetjet që tani duhet t’u përgjigjet hetimi.

The post Çfarë e vrau Giorgos Mazonakis?/ Hyri për një procedurë “longevity”, doli pa jetë: 42 minutat në aparaturë, urgjenca e vonuar dhe dy mjekët nën akuzë për vdekjen që tronditi Greqinë appeared first on iconstyle.al.

  •  

Emmy Awards 2026/ Fituesit, rekordet, emocionet dhe momentet që vodhën vëmendjen në natën më të madhe të televizionit

Televizioni pati mbrëmjen e tij më të madhe. Emmy Awards 2026 mblodhi të hënën, më 14 shtator, emrat më të njohur të ekranit në Peacock Theater në Los Angeles, në një ceremoni që solli fitues të mëdhenj, rekorde të reja, ribashkime nostalgjike, homazhe dhe sigurisht një tapet plot momente mode.

Edicioni i 78-të u drejtua nga Mariska Hargitay, ndërsa protagonistët e mëdhenj të çmimeve u bënë The Pitt, Widow’s Bay dhe DTF St. Louis.

“The Pitt”, drama më e mirë; “Widow’s Bay” pushton kategoritë e komedisë

Në kategorinë më të rëndësishme të dramës, “The Pitt” u shpall seriali më i mirë dramatik, ndërsa Noah Wyle mori Emmy-n si aktori më i mirë protagonist në një serial dramatik.

Në anën tjetër, Rhea Seehorn triumfoi si aktorja më e mirë protagoniste në dramë për interpretimin e saj në Pluribus.

Por një nga emrat që dominoi mbrëmjen ishte “Widow’s Bay”. Seriali fitoi çmimin për komedinë më të mirë, ndërsa mori edhe disa prej trofeve kryesore të kategorisë, përfshirë çmimin për Matthew Rhys si aktori më i mirë protagonist, Stephen Root si aktori më i mirë joprotagonist, si dhe çmime për regjinë dhe skenarin.

Duke përfshirë edhe Creative Arts Emmys të ndara më herët gjatë muajit, Widow’s Bay vendosi rekord për numrin e Emmy-ve të fituara nga një serial komedi brenda një viti.

Matthew Rhys bëri histori – dhe jo vetëm një herë

Nëse kishte një aktor që kishte arsye të festonte gjatë, ai ishte Matthew Rhys.

Rhys u ngjit dy herë në skenë për të marrë çmime si protagonist: fitoi për Widow’s Bay në kategorinë e komedisë dhe për The Beast in Me në kategorinë e miniserialit ose filmit televiziv.

Me këto fitore, ai vendosi një rekord të ri në Emmy dhe u bë gjithashtu aktori i parë që gjatë karrierës ka fituar Emmy si protagonist në dramë, komedi dhe miniserial.

Jean Smart vazhdon mbretërimin me “Hacks”

Jean Smart nuk u largua duarbosh as këtë vit.

Ajo fitoi Emmy-n si aktorja më e mirë protagoniste në një serial komedi për rolin e Deborah Vance në Hacks. Ishte një tjetër kapitull në dominimin e saj me këtë personazh dhe një tjetër trofe që e vendos mes aktoreve më të dekoruara të televizionit amerikan.

Ndërkohë, “DTF St. Louis” u shpall miniseriali/seriali antologjik më i mirë, ndërsa Sally Field fitoi si aktorja më e mirë protagoniste në këtë kategori për Remarkably Bright Creatures.

Momentet më emocionale të mbrëmjes

Por Emmy-t nuk ishin vetëm për fituesit e kategorive konkurruese.

Një nga momentet më të veçanta iu rezervua Michael J. Fox, i cili u nderua me Bob Hope Humanitarian Award për punën e tij shumëvjeçare në ndërgjegjësimin dhe financimin e kërkimeve për sëmundjen e Parkinsonit.

Përmes Michael J. Fox Foundation, aktori ka ndihmuar në financimin e miliarda dollarëve në kërkime për Parkinsonin, sëmundje me të cilën edhe vetë ai jeton prej dekadash. Television Academy e vlerësoi për ndikimin e tij që shkon shumë përtej karrierës televizive.

Stephen Colbert fiton pas fundit të “The Late Show”

Një tjetër fitore me peshë emocionale erdhi për “The Late Show with Stephen Colbert”, i cili mori Emmy-n për serialin më të mirë të varieteteve.

Fitorja erdhi pasi emisioni kishte mbyllur rrugëtimin e tij, duke e bërë momentin edhe më domethënës për Colbert dhe ekipin e tij.

Buffy dhe Angel sërish bashkë

Për fansat e televizionit të viteve ’90 dhe 2000, Emmy-t rezervuan edhe një dozë të fortë nostalgjie.

Sarah Michelle Gellar dhe David Boreanaz, Buffy dhe Angel të Buffy the Vampire Slayer, u shfaqën së bashku në ceremoni dhe ecën dorë për dore para se të prezantonin një prej çmimeve.

Madje një fotograf u kërkoi të putheshin.

Përgjigjja e Gellar ishte perfekte:

“Nuk mendoj se gruaja e tij do të ishte shumë e lumtur për këtë!”

Dyshja kishte interpretuar një nga çiftet më të famshme të televizionit të fundit të viteve ’90 dhe ribashkimi mjaftoi për të rikthyer menjëherë nostalgjinë e fansave.

Dhe pastaj erdhi… një Emmy që ecte mbi tapet

Nëse kishte një person që vendosi të mos vishte thjesht një fustan për Emmy-t, ishte Meg Stalter.

Ylli i Hacks mbërriti e lyer nga koka te këmbët me bojë të artë, me veshje metalike, krahë dhe një glob në dorë.

Ideja?

Të shndërrohej vetë në statujën Emmy.

Stalter ishte për herë të parë e nominuar në Emmy dhe, edhe pse tapeti i çmimeve zakonisht dominohet nga fustanet couture dhe kostumet klasike, ajo zgjodhi humorin. Rezultati ishte një nga paraqitjet më të komentuara të mbrëmjes.

Tapeti këtë herë nuk ishte as i kuq

Edhe vetë tapeti kishte ndryshuar.

Në vend të tapetit tradicional të kuq, të famshmit ecën mbi një tapet blu “peacock”, zgjedhur në nder të 100-vjetorit të NBC.

Zendaya, Nicole Kidman, Sarah Snook, Elle Fanning, Quinta Brunson, Ayo Edebiri dhe shumë prej emrave më të mëdhenj të televizionit sollën pjesën glamour të mbrëmjes, ndërsa Meg Stalter u sigurua që mes gjithë elegancës të kishte edhe diçka krejt të paparashikueshme.

Fituesit kryesorë të Emmy Awards 2026

Seriali më i mirë dramatik: The Pitt
Seriali më i mirë komedi: Widow’s Bay
Miniseriali/seriali antologjik më i mirë: DTF St. Louis
Aktori më i mirë në dramë: Noah Wyle – The Pitt
Aktorja më e mirë në dramë: Rhea Seehorn – Pluribus
Aktori më i mirë në komedi: Matthew Rhys – Widow’s Bay
Aktorja më e mirë në komedi: Jean Smart – Hacks
Aktori më i mirë në miniserial/film televiziv: Matthew Rhys – The Beast in Me
Aktorja më e mirë në miniserial/film televiziv: Sally Field – Remarkably Bright Creatures
Reality Competition më i mirë: The Traitors
Variety Series më i mirë: The Late Show with Stephen Colbert.

Emmy Awards 2026 nuk prodhoi vetëm një listë të re fituesish. Matthew Rhys shkroi histori, Widow’s Bay vendosi rekord, Michael J. Fox solli emocionin, Buffy dhe Angel rikthyen nostalgjinë dhe Meg Stalter u paraqit e veshur fjalë për fjalë si çmimi që të gjithë kishin ardhur për të fituar.

Një mbrëmje që i kishte të gjitha: televizion, histori, humor, modë dhe shumë nostalgji.

The post Emmy Awards 2026/ Fituesit, rekordet, emocionet dhe momentet që vodhën vëmendjen në natën më të madhe të televizionit appeared first on iconstyle.al.

  •  

“Pse kur e bëjnë atletët është art, ndërsa kur e bëj unë është problem?”/ Sydney Sweeney i përgjigjet kritikave për reklamën e zhveshur

Sydney Sweeney është sërish në qendër të një debati në rrjetet sociale. Këtë herë, shkak është bërë fushata e saj e re për platformën sportive Novig, ku aktorja shfaqet pothuajse e zhveshur, duke mbuluar trupin vetëm me pajisje sportive.

Pamjet kanë bërë menjëherë xhiron e internetit dhe kanë grumbulluar miliona shikime, por bashkë me vëmendjen kanë ardhur edhe kritikat.

Disa përdorues e kanë cilësuar fushatën “të papërshtatshme” dhe “pa klas”, ndërsa kritika më e fortë lidhet me seksualizimin e një gruaje për të promovuar një produkt që ka në qendër sportin. Një koment i cituar nga The Hollywood Reporter shkonte edhe më tej, duke e konsideruar reklamën “pikërisht arsyen pse gratë në sport nuk merren seriozisht”.

Por ka një detaj që ndryshon disi mënyrën se si mund të shihet fushata: Sydney nuk është thjesht modelja e reklamës.

Aktorja është aksionere dhe partnere strategjike në Novig dhe, sipas saj, ka qenë pjesë e procesit kreativ që nga fillimi.

“Koncepti është i thjeshtë: të heqim gjithë zhurmën dhe ta vendosim fokusin vetëm te sporti,” ka shpjeguar ajo, duke e përshkruar realizimin si një kombinim të “vetëbesimit, humorit dhe një fryme lozonjare”.

Dhe Sydney duket se nuk i ka lënë pa përgjigje kritikat.

Mes polemikave, ajo publikoi në Instagram Stories fotografi të atletëve të famshëm që kanë pozuar në të kaluarën të zhveshur ose pjesërisht të zhveshur. Mes tyre: Serena Williams, Ronda Rousey, Sue Bird, Megan Rapinoe, Rob Gronkowski dhe Jason Kelce.

Pa shkruar asnjë reagim të drejtpërdrejtë.

Mesazhi, megjithatë, u interpretua lehtësisht: trupi dhe sporti janë përdorur së bashku në fotografi dhe fushata shumë herë më parë. Pse tani është problem?

Sydney nuk ka thënë se postimet ishin një përgjigje ndaj kritikëve, ndaj ky mbetet një interpretim. Por koha kur zgjodhi t’i publikonte vështirë se kaloi pa u vënë re.

Ironikisht, partneriteti i saj me Novig lidhet edhe me një tjetër problem që vetë Sydney ka me botën e parashikimeve online. CEO i kompanisë ka treguar se aktorja ndihej në siklet nga platformat ku njerëzit mund të bënin parashikime për jetën e saj private, deri te detaje intime si ngjyra e të brendshmeve që mund të kishte veshur. Novig, ndryshe nga këto platforma, fokusohet vetëm te sporti.

Ndërkohë, debati vazhdon: është kjo thjesht një reklamë provokuese që e di shumë mirë se çfarë po bën, apo një tjetër shembull i seksualizimit të grave për të shitur një produkt?

Sydney, të paktën deri tani, duket se ka zgjedhur të mos e shpjegojë me fjalë. Disa fotografi të Serena Williams dhe atletëve të tjerë i kanë mjaftuar për të ngritur kundërpyetjen.

The post “Pse kur e bëjnë atletët është art, ndërsa kur e bëj unë është problem?”/ Sydney Sweeney i përgjigjet kritikave për reklamën e zhveshur appeared first on iconstyle.al.

  •  

Vdekja e Hayden Panettiere/ Hetuesit dyshojnë se aktorja mund të ketë konsumuar pa e ditur një pilulë me fentanil

Vdekja e Hayden Panettiere vazhdon të jetë nën hetim, ndërsa një raportim i ri zbulon pistën që autoritetet po shqyrtojnë për të kuptuar se çfarë mund t’i ketë ndodhur aktores.

Ylli i serialeve Nashville dhe Heroes u nda nga jeta më 16 gusht, në moshën 36-vjeçare, pasi u gjet pa ndjenja në një banesë në Greenville, Karolina e Jugut.

Çfarë dyshojnë hetuesit se i ndodhi Hayden Panettiere?

Pothuajse një muaj pas vdekjes së saj, burime nga organet ligjzbatuese pretendojnë se hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që Hayden të ketë marrë pa e ditur një pilulë oksikodoni të përzier me fentanil.

Sipas TMZ, disa burime pranë hetimit thonë se teoria me të cilën po punojnë aktualisht autoritetet është se Hayden e konsumoi pilulën mëngjesin e ditës kur ndërroi jetë.

Sipas të njëjtave burime, aktorja dyshohet se kishte siguruar oksikodon dhe barna të tjera me recetë të tregut të zi nga një person në Los Angeles, përpara se të udhëtonte drejt Karolinës së Jugut.

Raportohet se ajo kishte konsumuar disa prej këtyre barnave gjatë fluturimit nga Los Angeles drejt Karolinës së Jugut, një ditë përpara vdekjes. Tashmë, hetuesit dyshojnë se një prej pilulave të oksikodonit që ajo mori mëngjesin pasues mund të ketë përmbajtur fentanil.

A është përcaktuar shkaku zyrtar i vdekjes?

Jo. Deri tani kjo mbetet vetëm një pistë hetimore dhe nuk është përcaktuar si shkaku zyrtar i vdekjes së Hayden Panettiere.

Rezultatet e analizave toksikologjike ende priten. Burimet e TMZ theksojnë se pikërisht këto rezultate do të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse teoria e hetuesve është e saktë.

Sipas raportimit, edhe Agjencia Amerikane kundër Drogës (DEA) në Los Angeles është përfshirë në hetim. Autoritetet po hetojnë lidhjen e pretenduar të Hayden me personin nga i cili dyshohet se kishte siguruar barnat, si dhe po përpiqen të përcaktojnë origjinën e pilulës.

Pse është përfshirë DEA në hetim?

Përfshirja e DEA-s në hetimin për vdekjen e aktores ishte konfirmuar edhe më herët. Autoritetet në Karolinën e Jugut dhe hetuesit federalë në Los Angeles kanë ndjekur disa pista për të zbardhur rrethanat e vdekjes së saj.

Në fillim të këtij muaji u raportua gjithashtu se Brian Hickerson, partneri me të cilin Hayden kishte pasur një marrëdhënie me ndarje dhe ribashkime, është takuar me zyrtarë të DEA-s në kuadër të hetimit. Sipas People, hetuesit kanë marrë në pyetje edhe persona të tjerë.

Brian ndodhej me Hayden kur ajo humbi ndjenjat dhe, sipas raportimeve, i dha Narcan, medikament që përdoret për të kundërshtuar efektet e një mbidoze nga opioidet, përpara mbërritjes së ndihmës së shpejtë.

Pas vdekjes së aktores u krye autopsia dhe mjeku ligjor konfirmoi më herët se nuk kishte shenja traumash që mund të kishin kontribuar në vdekjen e saj.

Megjithatë, shkaku dhe mënyra zyrtare e vdekjes së Hayden Panettiere nuk janë përcaktuar ende, ndërsa hetimet dhe analizat toksikologjike vazhdojnë.

Ndërkohë, ka pasur zhvillime edhe rreth Brian Hickerson. Ai është ndaluar së fundmi pas një përplasjeje të dyshuar në një lokal dhe, ndërsa ishte në pranga, raportohet se ka bërtitur diçka që lidhej me vdekjen e Hayden.

The post Vdekja e Hayden Panettiere/ Hetuesit dyshojnë se aktorja mund të ketë konsumuar pa e ditur një pilulë me fentanil appeared first on iconstyle.al.

  •  

“Mother Monster” bëhet nënë! Lady Gaga dhe Michael Polansky mirëpresin fëmijën e tyre të parë

Një kapitull krejt i ri ka nisur për Lady Gaga-n! 🤍 Këngëtarja 40-vjeçare dhe i fejuari i saj, Michael Polansky, janë bërë prindër për herë të parë.

Lajmi u raportua fillimisht nga Page Six dhe më pas u konfirmua për PEOPLE nga një burim pranë çiftit. Gaga dhe Polansky janë fotografuar gjithashtu gjatë një shëtitjeje në Kaliforninë Veriore, ku këngëtarja shihet duke mbajtur pranë vetes të porsalindurin.

Për momentin, çifti po e ruan këtë kapitull larg vëmendjes publike: nuk dihen ende emri, gjinia apo data e lindjes së foshnjës, ndërsa Gaga nuk e ka konfirmuar personalisht lajmin në rrjetet e saj sociale. 

Momenti është edhe më i veçantë duke ditur se Gaga ka folur prej vitesh për dëshirën për t’u bërë nënë. Në vitin 2025 ajo e quante mëmësinë “rolin e radhës kryesor” që shpresonte të merrte dhe deklaronte se të bëhej nënë ishte gjëja që dëshironte më shumë. 

Tani “Mother Monster”, siç e quajnë prej vitesh fansat, është bërë vërtet nënë. 🥹🤍

The post “Mother Monster” bëhet nënë! Lady Gaga dhe Michael Polansky mirëpresin fëmijën e tyre të parë appeared first on iconstyle.al.

  •  

Shkuan në punë dhe nuk u kthyen më/ Historitë prekëse pas 11 shtatorit, nga telefonatat e fundit te sendet që mbetën pas

Më 11 shtator 2001, mijëra njerëz u zgjuan për një ditë të zakonshme pune në New York. Disa lanë fëmijët në shkollë. Disa morën trenin. Dikush bleu një kafe dhe një bagel. Dikush tjetër kishte festuar ditëlindjen e së ëmës vetëm një natë më parë.

Askush nuk e dinte se po jetonte mëngjesin e fundit.

Në sulmet e 11 shtatorit u vranë 2,977 njerëz. Sot, 25 vite më vonë, numri vazhdon të jetë tronditës. Por pas tij ka 2,977 jetë, familje, zakone të vogla, plane për darkën dhe njerëz që prisnin dikë të kthehej në shtëpi.

Marisa kishte festuar ditëlindjen e nënës një natë më parë

Më 10 shtator, Marisa DiNardo Schorpp e kishte çuar nënën e saj, Ester, për të festuar ditëlindjen në Windows on the World, restorantin në majë të Kullës Veriore.

Marisa ishte 38 vjeç dhe punonte si broker në Cantor Fitzgerald, në katin e 105-të. Në darkën e asaj nate ishte edhe mikja dhe kolegia e saj Stacey Peak.

Pavarësisht se kishin qëndruar deri vonë, të dyja u paraqitën herët në punë mëngjesin tjetër.

Në orën 8:46, avioni i parë goditi Kullën Veriore.

As Marisa dhe as Stacey nuk dolën prej saj.

Muaj më vonë, çanta e Marisës u gjet mes rrënojave të Ground Zero. Brenda saj ishte ende fatura e darkës së ditëlindjes së nënës, e datës 10 shtator 2001.

Është një objekt i zakonshëm që, 25 vite më vonë, tregon ndoshta më mirë se çdo statistikë brutalitetin e asaj dite: një faturë nga mbrëmja e fundit normale e një familjeje.

Bradley telefonoi nënën për t’i thënë se ishte mirë

Bradley Fetchet ishte i ri në World Trade Center. Kishte mbaruar universitetin në vitin 1999 dhe punonte si trader në Keefe, Bruyette & Woods, në katin e 89-të të Kullës Jugore.

Kur avioni i parë goditi kullën ngjitur, Bradley telefonoi prindërit.

Ai la edhe një mesazh zanor për nënën. I shpjegonte se një avion kishte goditur World Trade Center One, por se ai ishte mirë në kullën tjetër. Situata ishte e frikshme, i tha, por ishte gjallë dhe mendonte se do të qëndronin aty gjatë.

Pak minuta më vonë, avioni i dytë goditi Kullën Jugore.

Zyra e Bradley-t ndodhej mbi zonën e goditjes dhe ai nuk mundi të dilte.

Mesazhi që kishte lënë për të qetësuar nënën e tij ruhet sot në muzeun e 11 shtatorit.

Sean Rooney telefonoi gruan për herë të fundit

Sean Rooney punonte si zëvendëspresident në Aon, në Kullën Jugore. Me bashkëshorten Beverly Eckert njiheshin që kur ishin 16 vjeç.

Ai kishte restauruar me duart e veta pjesë të shtëpisë së tyre dhe, pavarësisht rrugës së gjatë nga puna, kishte një zakon kur kthehej në shtëpi: kërkonte përqafimin e Beverly-t.

Atë mëngjes e telefonoi disa herë.

Në fillim për ta siguruar se ishte mirë. Por pasi avioni goditi edhe ndërtesën e tij dhe Sean mbeti i bllokuar në katin e 105-të, telefonata ndryshoi.

Nuk po flisnin më për mënyrën se si mund të dilte.

Folën për jetën që kishin kaluar bashkë. Sean i kërkoi t’i përcillte dashurinë familjes. Ndërsa tymi bëhej gjithnjë e më i dendur, ai vazhdonte t’i thoshte Beverly-t se e donte.

Ajo ishte ende në telefon me të kur Kulla Jugore u shemb.

Rosemary kishte shpëtuar një herë nga World Trade Center

Historia e Rosemary Smith duket pothuajse e pabesueshme.

Ajo kishte punuar për 12 vjet si operatore telefonike në një studio ligjore në katin e 57-të të Kullës Veriore.

Dhe 11 shtatori nuk ishte hera e parë që ajo përjetonte një sulm në atë ndërtesë.

Rosemary kishte mbijetuar bombardimin e World Trade Center në vitin 1993. Pas tij kishte frikë të kthehej. Megjithatë e donte punën dhe vendosi të rikthehej.

Tetë vite më vonë, kur avioni goditi Kullën Veriore, kolegët e saj nisën evakuimin.

Rosemary qëndroi edhe pak.

Ajo donte të devijonte telefonatat e zyrës drejt sekretarisë telefonike përpara se të largohej.

Ishte e vetmja nga kompania e saj që nuk mbijetoi.

Më vonë, policia i ktheu familjes çantën, orën dhe unazën e saj prej ari me safir, të gjetura së bashku me mbetjet e saj.

Dy vëllezër dhe vajza që dikur kujdesej për fëmijët e tyre

Joseph dhe Daniel Shea ishin vëllezër dhe punonin të dy si drejtues në Cantor Fitzgerald.

Amy O’Doherty kishte hyrë në jetën e familjeve të tyre shumë më herët: që në moshën 13-vjeçare kujdesej për fëmijët e dy vëllezërve.

Më vonë, gjatë universitetit, bëri praktikë në Cantor Fitzgerald. Kompania u impresionua prej saj dhe e punësoi si asistente brokeri.

Mëngjesin e 11 shtatorit, Joseph, Daniel dhe Amy shkuan në të njëjtin vend pune, në katet 104 dhe 105 të Kullës Veriore.

Asnjëri nuk u kthye.

Vetëm Cantor Fitzgerald humbi 658 punonjës atë ditë.

Edhe tre shqiptarë kishin shkuar në punë atë mëngjes

Mes viktimave ishin edhe shqiptarët Mon Gjonbalaj, Rrok Camaj dhe Simon Dedvukaj.

Mon Gjonbalaj ishte 65 vjeç dhe kishte punuar në World Trade Center për dekada. Mund të kishte dalë në pension, por familjarët tregojnë se e donte punën dhe njerëzit me të cilët punonte.

Mëngjesin e 11 shtatorit ishte në katin e 86-të.

Pas goditjes telefonoi familjen. Në një nga komunikimet e fundit u tregoi se ishin bllokuar dhe gjithçka që mund të shihnin ishte tym. Nuk e dinte nëse do të takoheshin përsëri dhe u kërkoi të kujdeseshin për veten dhe familjen.

Ai ishte nisur për në punë rreth orës 5 të mëngjesit, siç kishte bërë pafund herë më parë.

Atë ditë nuk u kthye.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe pesha e 11 shtatorit, 25 vite më vonë.

Pamjet e avionëve, kullave në flakë dhe Manhattan-it të mbuluar nga tymi janë parë mijëra herë. Historia është treguar në dokumentarë, libra dhe filma.

Por për familjet e viktimave, 11 shtatori nuk filloi me një ngjarje historike.

Filloi si një e martë.

Me njerëz që u zgjuan nga alarmi. Me një kafe para punës. Me një puthje të shpejtë para se të mbyllej dera. Me fjalët “shihemi në darkë”, të thëna pa menduar se mund të ishin të fundit.

Në Memorialin e 11 shtatorit sot janë gdhendur mijëra emra. Muzeu ruan fotografi, mesazhe zanore, bizhuteri, çanta, karta biznesi dhe objekte të tjera që dikur nuk kishin asgjë të jashtëzakonshme. Pikërisht këto sende tregojnë jetën që ekzistonte përpara se pronarët e tyre të bëheshin pjesë e historisë.

Sepse 2,977 nuk është vetëm një numër. Janë 2,977 histori që atë mëngjes nuk duhej të përfundonin.

Për shumë prej tyre, gjithçka kishte nisur thjesht duke shkuar në punë…

The post Shkuan në punë dhe nuk u kthyen më/ Historitë prekëse pas 11 shtatorit, nga telefonatat e fundit te sendet që mbetën pas appeared first on iconstyle.al.

  •  

Jennifer Lawrence bëri shaka, por preku një problem real: Kur u bë normale të hyjmë në Instagram vetëm për të lënduar dikë?

Jennifer Lawrence sapo hapi Instagram-in dhe, përpara se të kishte kohë të mësohej me të, vendosi një kusht: “Nëse dikush thotë diçka negative, do ta mbyll. Menjëherë.”

Pastaj erdhi edhe batuta: “Ju lutem, kini parasysh se çdo koment i keq apo agresiv mund të ndikojë negativisht te bebja. Bebja jam unë.”

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Jennifer Lawrence (@jlaw)

Është Jennifer Lawrence, ndaj sigurisht që e tha me humor. Por pas shakasë fshihet diçka që prej kohësh nuk është më për të qeshur.

Instagram, TikTok, X, Facebook – hap komentet poshtë pothuajse çdo postimi viral dhe do të gjesh njerëz që kritikojnë trupin e dikujt, fytyrën, partnerin, fëmijët, mënyrën si vishet, si flet, si plaket apo edhe mënyrën si qesh.

Dhe shpesh personi që shkruan nuk e njeh fare njeriun që po sulmon.

Si arritëm deri këtu?

Në psikologji njihet prej kohësh ajo që quhet online disinhibition effect: distanca dhe ekrani mund të ulin frenat që kemi zakonisht në komunikimin ballë për ballë. Kur nuk shohim reagimin e njeriut që kemi përballë, është më e lehtë të harrojmë se në anën tjetër të ekranit është një person real.

Pastaj vjen anonimiteti. Një profil pa emër, pa fotografi dhe pa asnjë pasojë reale mund të krijojë ndjesinë se mund të thuash çfarë të duash.

Por nuk është vetëm kjo. Rrjetet sociale janë ndërtuar rreth reagimit. Zemërimi, debati, skandali dhe konfliktet prodhojnë komente, shpërndarje dhe klikime. Sa më shumë reagojmë, aq më shumë një përmbajtje qarkullon. Në një mjedis të tillë, edhe negativiteti mund të kthehet në spektakël.

Ka edhe një element tjetër shumë njerëzor: krahasimi.

Çdo ditë shohim njerëz më të bukur, më të pasur, në pushime më të bukura, me marrëdhënie që duken perfekte dhe jetë që, të paktën në ekran, duken pa probleme. Për disa, krahasimi mund të prodhojë pakënaqësi, zili ose frustrim. Dhe ndonjëherë është më e lehtë të zhvlerësosh atë që sheh sesa të përballesh me mënyrën si të bën të ndihesh.

Sigurisht, jo çdo kritikë është “urrejtje”. Të mos pëlqesh një person publik, një veshje, një film apo një deklaratë është krejt normale. Problemi fillon kur kritika ndaj asaj që dikush bën kthehet në sulm ndaj asaj që dikush është.

Dhe fakti që dikush është i famshëm nuk e bën imun.

Jennifer Lawrence mund të ketë miliona dollarë, Oscar dhe miliona fansa. Por kur mbyll telefonin, vazhdon të jetë një njeri që lexon të njëjtat fjalë që do të lexonte kushdo tjetër.

Prandaj ndoshta pyetja nuk është vetëm çfarë duhet të bëjnë platformat. Edhe ato kanë përgjegjësi: moderim më të mirë, mjete më efikase kundër ngacmimit dhe më shumë kontroll për përdoruesit mbi atë që u shfaqet.

Por ekziston edhe një zgjidhje shumë më e thjeshtë që fillon nga ne.

Jo çdo mendim duhet postuar. Jo çdo person që nuk na pëlqen duhet poshtëruar. Dhe fakti që kemi mundësinë t’i shkruajmë dikujt drejtpërdrejt nuk do të thotë se kemi të drejtën ta lëndojmë.

Nëse rrjetet sociale po ndikojnë në mënyrën si ndihemi, edhe kufijtë janë të shëndetshëm: të mbyllësh komentet, të bllokosh, të bësh unfollow, të largohesh për disa ditë apo thjesht të mos lexosh gjithçka që shkruhet për ty nuk është domosdoshmërisht dobësi.

Ndoshta Jennifer Lawrence e tha më mirë, edhe pse duke bërë shaka: nëse një hapësirë fillon të të bëjë keq, ke të drejtë të largohesh prej saj.

Dhe ndoshta para se të shtypim “Post”, duhet t’i bëjmë vetes një pyetje shumë të vjetër, që interneti duket se na bëri ta harrojmë:

A do t’ia thosha këtë njeriut në sy?

Nëse përgjigjja është jo, ndoshta nuk ka pse t’ia themi as nga pas një ekrani.

The post Jennifer Lawrence bëri shaka, por preku një problem real: Kur u bë normale të hyjmë në Instagram vetëm për të lënduar dikë? appeared first on iconstyle.al.

  •  
❌