Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Çfarë fiton Kosova nga Bordi i Paqes për Gazën?

Pjesëmarrja e Kosovës si vend themelues në Bordin e Paqes për Gazën, mekanizëm i iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump, po shihet si një mundësi e mirë për forcim të pozitës ndërkombëtare të vendit, si dhe për lobim diplomatik te vendet mosnjohëse.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte njëra nga 19 udhëheqësit botërorë që nënshkruan themelimin e këtij bordi të enjten e 22 janarit ne Davos të Zvicrës, i cili synon rindërtimin e Gazës pas luftës dyvjeçare shkatërruese.

Në këtë iniciativë multilaterale janë përfshirë shtete nga rajone të ndryshme të botës, mes tyre edhe shtatë vende mosnjohëse të Kosovës, si Argjentina, Azerbajxhani, Indonezia, Pakistani, Mongolia dhe Uzbekistani.

Ish-diplomatja Alma Lama e vlerëson pjesëmarrjen e Kosovës si pozitive, por shpreh rezerva lidhur me qartësinë dhe rezultatet konkrete të kësaj iniciative.

Megjithatë, Lama thekson se vlera kryesore e këtij forumi për Kosovën qëndron në mundësinë për të kontaktuar drejtpërdrejt me liderë të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Ajo konsideron se kjo platformë mund të shfrytëzohet për të kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që ato të ushtrojnë ndikim te aleatët e tyre për njohje të reja të Kosovës.

Edhe ish-diplomati Albert Prenkaj e sheh pjesëmarrjen e Kosovës në këtë platformë si të rëndësishme, veçanërisht për shkak të afërsisë me SHBA-në. Sipas tij, Bordi i Paqes, ashtu siç është prezantuar nga presidenti Trump, mund të sfidojë edhe rolin tradicional të Kombeve të Bashkuara.

Prenkaj thekson se synimi afatgjatë i Kosovës mbetet rritja e numrit të njohjeve ndërkombëtare, në mënyrë që të arrijë një numër kritik shtetesh që do t’i hapte rrugë aplikimit për anëtarësim në OKB.

Në këtë kontekst, sipas tij, afrimi apo rikthimi më i fuqishëm i Kosovës në orbitën e SHBA-së shihet si zhvillim pozitiv. Përveç lobimit diplomatik, Lama vlerëson se Kosova mund të kontribuojë edhe me përvojën e saj në procesin e shtet-ndërtimit dhe menaxhimit të periudhës së pasluftës.

Ajo përmend përvojën me administrimin ndërkombëtar të UNMIK-ut si një shembull që mund të shërbejë për vende të tjera që dalin nga konflikti, nëse një kontribut i tillë i kërkohet Kosovës.

Në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes në Davos të Zvicrës, morën pjesë udhëheqës nga gjithsej 20 shtete, të cilat janë pajtuar t’i bashkohen kësaj nisme.

Në ceremoni morën pjesë udhëheqës nga Kosova, Bahrejni, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Belgjika, Bullgaria, Egjipti, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Mongolia, Pakistani, Paraguai, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uzbekistani. Që të gjitha këto shtete janë pajtuar që t’i bashkohen Bordit të Paqes.

Bordi i Paqes është një mekanizëm ndërkombëtar, i parashikuar në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në nëntor 2025, që synon të mbikëqyrë administrimin e përkohshëm të Gazës dhe rindërtimin e institucioneve civile./Kosovapress

Trump: Bisedimet me Zelensky ishin shumë të mira

Presidenti amerikan Donald Trump është shfaqur para kamerave pasi ka lënë takimin e tij me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ai tha se bisedimet me presidentin ukrainas ishin “të mira”, transmeton Telegraif.

Trump është pyetur nëse ka mundësi për të arritur një marrëveshje sot dhe theksoi “do të shohim se çfarë ndodh”.

“Do të takohemi me Rusinë, kjo do të zhvillohet nesër dhe do të takohemi me presidentin Putin”, shtoi ai.

“Pata një takim shumë të mirë me presidentin Zelensky, të gjithë duan që lufta të mbarojë”, theksoi ndër tjera.

Trump u tha gjithashtu gazetarëve se dyshja nuk diskutoi për anëtarësimin e Zelensky në Bordin e Paqes.

Agjentët e emigracionit në SHBA arrestojnë 5-vjeçarin në Minesota

Një incident i ndodhur në Minesota ka shkaktuar zemërim dhe shqetësim në komunitet, pas arrestimit të një fëmije 5-vjeçar nga zyrtarët e Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE).

Fëmija, i identifikuar si Liam Ramos, ishte me babain e tij, Adrian Alexander Conejo Arias, kur agjentët e ICE e arrestuan atë si pjesë e një operacioni më të gjerë të zbatimit të ligjit.

Sipas ‘BBC’, incidenti ndodhi të martën, kur Liam, i sapo kthyer nga kopshti, ishte në shtëpi me të atin. Sipas Drejtoreshës së Shkollave Publike të Columbia Heights, Zena Stenvik, zyrtarët e ICE iu afruan familjes në oborrin e shtëpisë, dhe një agjent mbajti fëmijën ndërkohë që arrestoi babanë e tij.

Në një postim në X Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) theksoi se “ICE NUK shënjestroi një fëmijë”, duke shtuar se operacioni ishte i synuar ndaj babait të fëmijës, një i huaj i paligjshëm i cili kishte një rast aktiv për azil dhe nuk kishte urdhër deportimi. DHS gjithashtu tha se për sigurinë e fëmijës, një oficer i ICE qëndroi me të derisa arrestimi i babait të tij u krye.

Megjithatë, incidenti ka shkaktuar një reagim të fortë nga anëtarët e komunitetit dhe zyrtarët e shkollës. Zena Stenvik e pyeti publikisht:

“Pse duhet të mbahet në paraburgim një fëmijë 5-vjeçar? Nuk mund të më thuash që ky fëmijë do të klasifikohet si kriminel i dhunshëm”, u shpreh drejtoresha e shkollës.

Fotot e ngjarjes, tregojnë Liamin, i cili mbante një kapelë dimërore në formë lepuri, duke qëndruar jashtë ndërsa një oficer i mbante çantën e shpinës. Zyrtarët e shkollës thanë se këto fotografi ishin marrë nga kalimtarë të rastit dhe nuk i identifikuan individët që i kishin bërë ato.

Marc Prokosch, një avokat që përfaqëson familjen, njoftoi se Liam dhe babai i tij do të mbaheshin në një qendër paraburgimi në Teksas. Sipas zyrtarëve të shkollës, babai kishte një rast aktiv për azil dhe nuk kishte urdhër deportimi.

SHBA del zyrtarisht nga OBSH

Shtetet e Bashkuara largohen zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë këtë të enjte, pavarësisht se një lëvizje e tillë është në shkelje të një ligji amerikan që kërkon që Uashingtoni t’i paguajë agjencisë së Kombeve të Bashkuara 260 milionë dollarë tarifa të detyrueshme.

Largimi nga ky organizëm ndërkombëtar u njoftua nga Donald Trump që në ditën e parë të presidencës së tij një vit më parë, nëpërmjet një urdhri ekzekutiv. Ligji amerikan kërkonte një njofim paraprak 1 vjeçar dhe pagesën e gjithë tarifave të detyruara para largimit.

Një Zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte dështuar të  menaxhonte dhe ndante informacionin gjë që i kushtoi Uashingtonit triliona dollarë.

“Populli amerikan i ka paguar më shumë se sa duhet kësaj organizate dhe kjo goditje ekonomike është përtej një pagese fillestare për çdo detyrim financiar ndaj organizatës”, tha zëdhënësi.

Por agjencia tha se ka punuar me Uashingtonin dhe ka ndarë informacione gjatë vitit të kaluar dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk i kanë paguar tarifat që u detyrohen për vitet 2024 dhe 2025.

Për agjencinë e Kombeve të Bashkuara largimi i Uashingtonit është një humbje e madhe. Kjo tashmë ka shkaktuar një krizë buxhetore dhe ekipet e punës janë përgjysmuar, ndërsa buxhetet janë reduktuar në të gjithë organizatën. Deri në mesin e këtij viti, Organizata Botërore e Shëndetësisë do të ketë shkurtuar rreth 1 të katërtën e stafit.

Pas largimit të Shteteve të Bashkuara nga kjo agjenci, nuk është e qartë si do të funksinojë bashkëpunimi në të ardhmen, teksa Donald Trump e ka nxjerrë vendin edhe nga struktura të tjera ndërkombëtare.

Groenlanda kurrë nuk ka qenë amerikane, historia reale dhe mitet e Donald Trump

Deklaratat e Donald Trump në Davos, sipas të cilave Groenlanda ka qenë dikur territor amerikan, kanë ringjallur një debat të vjetër, por të mbushur me keqinterpretime historike. Në realitet, sovraniteti i Danimarkës mbi ishullin më të madh në botë nuk është vënë kurrë seriozisht në diskutim nga Shtetet e Bashkuara, pavarësisht pranisë së tyre ushtarake gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Trump pretendoi se, pasi Danimarka u mposht nga Gjermania naziste brenda pak orësh, SHBA-të u detyruan të dërgonin trupa në Groenlandë dhe se pas përfundimit të luftës ia kthyen ishullin Kopenhagenit, një veprim që ai e quajti “budallallëk”. Por faktet historike tregojnë një histori tjetër, shkruan “La Repubblica”.

Në prill të vitit 1941, kur SHBA-të ishin ende zyrtarisht neutrale, Uashingtoni nënshkroi një “marrëveshje mbrojtjeje” për Groenlandën, me qëllim parandalimin e një pushtimi të mundshëm nazist. Marrëveshja u firmos nga ambasadori danez në SHBA, në emër të Mbretit, pasi Danimarka ishte nën okupim gjerman. Në asnjë moment kjo nuk përbënte transferim sovraniteti.

Interesi amerikan ishte kryesisht strategjik dhe ekonomik. Groenlanda strehonte të vetmin burim në botë të kriolitit, një mineral jetik për prodhimin e aluminit, të nevojshëm për motorët dhe avionët luftarakë. Trupat e para amerikane u vendosën përreth minierës së Ivittuut-it dhe deri në vitin 1945 u ndërtuan rreth 15 instalime ushtarake.

Kushtet ekstreme klimatike, i ftohti polar dhe erërat e pamëshirshme, e bënë të pamundur shndërrimin e Groenlandës në bazë ajrore për shoqërimin e anijeve drejt Britanisë së Madhe. Megjithatë, ishulli u përdor si pikë kyçe tranziti për transferimin e mijëra bombarduesve dhe avionëve luftarakë përtej Atlantikut.

Nga ana tjetër, forcat naziste ngritën stacione të vogla radioje dhe meteorologjike për të ndihmuar operacionet e nëndetëseve. Disa prej tyre transmetonin edhe sinjale mashtruese për të çorientuar pilotët amerikanë, duke shkaktuar raste dramatike, përfshirë uljen e detyruar të një skuadriljeje në akullnajë.

Neutralizimi i këtyre postacioneve iu besua “Greenland Patrol”, një njësi e Rojës Bregdetare amerikane, por përplasjet e drejtpërdrejta u zhvilluan kryesisht nga një repart danez, me vullnetarë groenlandezë dhe norvegjezë, që lëviznin me slita të tërhequra nga qenët. Ata përballuan marshime ekstreme, deri në 500 kilometra, në temperatura nën -20 gradë Celsius, një provë e jashtëzakonshme fizike dhe psikologjike.

Pas luftës, rëndësia e Groenlandës u rrit edhe më shumë me nisjen e Luftës së Ftohtë. Në vitin 1946, SHBA-të tentuan ta blinin ishullin nga Danimarka për 100 milionë dollarë, por oferta u refuzua. Megjithatë, amerikanët nuk u larguan. Pas anëtarësimit të Danimarkës në NATO, në vitin 1951 u nënshkrua një traktat që lejonte SHBA-të të mbanin dhe të ndërtonin baza ushtarake për nevojat e Aleancës Atlantike.

Kështu lindi baza ajrore e Thule-s, ende sot një nga instalimet më të rëndësishme ushtarake amerikane në Arktik. Madje, gjatë kulmit të përplasjes bërthamore me Bashkimin Sovjetik, u ndërtua edhe Camp Century, një bazë futuriste 30 metra nën akull, e furnizuar me reaktor bërthamor, pjesë e projektit sekret “Iceworm”, që synonte vendosjen e raketave ndërkontinentale nën akull. Projekti dështoi kur u kuptua se nxehtësia e raketave do të shkrinte strukturat e akullit.

Pas rënies së Murit të Berlinit, prania ushtarake amerikane u reduktua ndjeshëm, duke mbetur kryesisht në Thule. Sot, baza është nën administrimin e Space Force, forcës hapësinore të krijuar nga vetë Trump, e përfshirë në projektin ende teorik “Golden Dome” për mbrojtjen antiraketore nga hapësira.

Por një gjë mbetet e qartë: as historia dhe as realiteti strategjik nuk justifikojnë pretendimin se Groenlanda ka qenë ndonjëherë territor amerikan. Ajo ka qenë dhe mbetet pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, pavarësisht interesave dhe pranisë ushtarake të fuqive të mëdha.

Zelensky në Davos: Europa duket e ndarë dhe e humbur përballë Trumpit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kritikuar ashpër Evropën gjatë fjalës së tij në Forumin e Davos, duke thënë se ajo duket “e përçarë” dhe “e humbur përballë presidentit Donald Trump”.

Zelensky deklaroi se nga Kievi këshillohet të mos flitet me amerikanët për raketat Tomahawk, “për të mos prishur atmosferën”. Ai shtoi se i është thënë gjithashtu të mos flasë për raketat Taurus dhe të shmangë çdo deklaratë që mund të ofendojë një vend evropian apo një tjetër.

Në fjalimin e tij, presidenti ukrainas theksoi se Evropa nuk duhet të pranojë të jetë “thjesht një sallatë e fuqive të vogla dhe të mesme e spërkatur me erëza nga   armiqtë e Evropës”.

Sipas Zelenskyt, vetëm bashkimi e bën kontinentin të fortë. Ai nënvizoi se kur Evropa është e bashkuar, ajo është “vërtet e pathyeshme” dhe se duhet të jetë një forcë globale që përcakton të ardhmen, e jo një forcë që reagon me vonesë.

Moti i keq në Greqi, reshjet e 6 muajve në një ditë shkaktojnë 2 viktima

Sasia e reshjeve të 6 muajve, u shënua në më pak se një ditë në kryeqytetin grek Athinë, i goditur nga një stuhi vdekjeprurëse këtë javë. Të paktën 2 persona humbën jetën të mërkurën, ndërsa ekipet e emergjencës kaluan të enjten duke pastruar mbeturinat dhe dëmet.

Ekspertët thanë se fenomeni ekstrem i motit, solli deri në 170 milimetra reshje shiu mbi kryeqytet, 40 përqind e sasisë vjetore që bie zakonisht në kryeqytet.

Një grua 56-vjeçare humbi jetën të mërkurën në mbrëmje pasi u rrëmbye vërshimi I ujit, dhe u bllokua nën një makinë në lagjen kodrinore të Athinës, Ano Glifada.

Disa orë më vonë, një roje bregdetare 53-vjeçar u plagos për vdekje, për shkak të dallgëve të mëdha, teksa përpiqej të ndihmonte banorët vendas të siguronin varkat në qytetin port te Astros, në rajonin e Peloponezit.

Stuhia që po lëvizte drejt lindjes nëpër Greqi, solli erëra që kaluan 100 kilometra në orë, duke detyruar autoritetet në Athinë, si në perëndim e jug të vendit, të mbyllnin shkollat.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis anuloi një udhëtim të planifikuar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Kuvendi miraton aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes me përfaqësues Ramën

Parlamenti miraton në tërësi me 110 vota pro aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes me përfaqësues kryeministrin Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në votim.

Me 79 vota kundër parlamenti rrëzoi amendamentet e PD-së, e cila kërkoi që të hiqet nga projektligji emri i Edi Ramës dhe Shqipëria të përfaqësohej nga Presidenti i Republikës ose me autorizimin e tij nga kryeministri i Shqipërisë.

Gjykata Kushtetuese kalon në seancë gjyqësore çështjen “Mcgonigal”

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë në seancë gjyqësore publike çështjen McGonigal.

Sipas publikimit në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese listohet çështja si më poshtë:

“Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit: (i) “Për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptar në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles McGonigal”; (ii) “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”. 2. Deklarimi i vendimit nr.77/2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles MCGonigal”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 3. Deklarimi i vendimit nr.78/2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”-thuhet në njoftim.

Trump: Mendoj se po i afrohemi paqes në Ukrainë

Presidenti Donald Trump është shprehur se mendonte se paqja në Ukrainë ishte shumë afër.

Sipas mediave të huaja, komentet Trump i bëri sapo u largua nga prezantimi i Bordit të Paqes në Davos.

Ndërsa po dilte, ai kaloi pranë gazetarëve, ku u pyet lidhur me luftën në Ukrainë dhe nëse do të kishte ndonjë marrëveshje paqejë sëshpejti.

Në përgjigje Trump tha:

“Sot, siç e dini, unë dhe presidenti Zelensky do ta diskutojmë këtë. Do të takohemi me Presidentin Putin sot ose nesër dhe njerëzit po shkojnë atje dhe mendoj se po i afrohen paqes. Shumë njerëz po vriten. Duhet ta bëjmë”, tha mes të tjerash Trump.

Trump ka thënë vazhdimisht se ata duhet ta “përfundojnë” kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë, por përpjekjet e mëparshme diplomatike deri më tani kanë dështuar.

Gjatë fushatës presidenciale, ai pretendoi se mund ta përfundonte luftën brenda një dite të vetme, por që atëherë ka thënë se kjo ka rezultuar më e vështirë nga sa priste.

Kërkesa e Ramës për pezullimin e Ballukut, Kushtetuesja tërhiqet për vendim

Gjykata Kushtetuese zhvilloi këtë të hënë mbi tre orë seancë, për të shqyrtuar një kërkesë të kryeministrit Edi Rama i cili kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Gjykatën e Posaçme, e cila pezulloi në dhjetor zv.kryeministren Belinda Balluku, e marrë e pandehur në kuadër të hetimeve për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe Unazën e Tiranës.

Pasi përfaqësuesit e kryeministrit, presidentit dhe SPAK parashtruan argumentet e tyre, Kushtetuesja u tërhoq për vendim. Ndërkohë, GJKKO vendosi të mos merrte pjesë.

E mbledhur në fund të vitit të kaluar, Kushtetuesja vendosi të ngrijë vendimin e Gjykatës së Posaçme e cila nga ana e saj kishte vendosur pezullimin e Ballukut nga detyra, ndërkohë që në seancën e sotme do të shqyrtojë në themel kërkesën e kryeministrit.

“Do t’i dorëzohem vetë ushtrisë amerikane”, Rama ironi me PD në Parlament

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë aludimet e opozitës, për krisje të marrëdhënieve mes SHBA dhe qeverisë shqiptare. Në fjalën e tij në Kuvend, Rama u shpreh se me votat edhe të opozitës, ai do përfaqësojë Shqipërinë në Bordin e Paqes për Gazën.

Rama tha se firmosjen për anëtarësimin në Bordin e Paqes, do e bëjë në Shtëpinë e Bardhë.

“Është vëret po të ardhur keq, po të mendosh se sot në fakt, ju kishit mundësi të deklaronit fitoren tuaj më domethënëse. Ju fituat sepse për muaj me radhë thatë se Amerika do më bënte mua gjyqin, e ëndërruar prej jush, për t’u kthyer ju në ato karrige, ku nuk do të ktheheni kurrë, po nuk dolët nga poshtë karriget, ku qëndrojnë hije rënda, të ndënjurat e stërgjyshit tuaj. Ju fituat sepse e paralajmëruat popullin që mua do më thërrisnin në Amerikë në datën 20 janar, për t’u parqitur në prokurorinë federale. Madje ju e vulosët fitoren, kur festuat kërrimit me forcë të Madorus nga shtëpia e tij në Karakas, dhe ju thatë shqiptarëve se ajo ishte provë gjenerale e ushtrisë amerikane, për rrëmbimin e Ramaduros. Mblidheni si qindra Romeo të dëshpëruar një xhuljetë të vetme. Unë nuk tallem kurrë me fitoret tuaja. Ju sot do votoni të vërtetën të madhe, që unë nuk do të detyroj që ushtria amerikane t’i bashkohet protestës tuaj nga tarraca e Kryeministrisë, se do dorëzohem vetë, në duart e autoriteteve ligjzbatuese amerikane, që do vijnë në aeroport në Uashington, të më marrin me eskortë, për t’u ulur si anëtar të Bordit të Paqes. Ju prisni të fitonit me helikopter të ushtrisë amerikane, dhe nuk prisnit që të dorëzohesha vetë. Në fillim thatë nuk ka ftesë. Doli ftesa, jo po këtë ftesën e ka e gjithë bota. U ngatërruat pak, nuk e keni idenë si strukturohen grupet ndërkombëtare. Rëndësi që do ngrini kartonin, me votën tuaj do miratoni Bordin e Paqes dhe unë do jem përfaqësues në Shtëpinë e Bardhë.”, theksoi ai.

Rama-PD: Ju do votoni shkuarjen time në Shtëpinë e Bardhë për Bordin e Paqes

Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij në parlament për paraqitjen e marrëveshjes për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Rama: Më e mira do kishte qenë sot për një herë të vetme të pushonte avazi i vjetër. Si duket humbësit kronikë të humbasin as këtë rast të bëjnë atë gjë, të humbin përsëri rastin duke vazhduar të dini shqiptarët nuk blejnë asgjë tjetër se mishërojnë vetëm humbjen në të gjitha format e saj. Kishit mundësi të deklaroni fitoren, sepse gjithnjë fitoni për mua me radhë thatë se Amerikan do më bënte gjyqin që të ktheheni në ato karrige ku nuk do ktheheni kurrë. E paralajmëruar se do më thërritni në Amerikë me 20 janar për tu paraqitur në Prokurori, e vulosët fitoren kur morën Maduron dhe thatë se ishte vetëm provë gjeneralë e ushtrisë amerikane për kapjen e Ramaduros.

“Sazanin ia kam ofruar Berlusconi-t”, Berisha: Rama po e përdor për politikë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se Kryeministri Edi Rama po e përdor për të fituar ndikim politik marrëveshjen me vajzën dhe dhëndrin e Donald Trump për ishullin e Sazanit. Ai nuk u shpreh kundër investimit, pasi sipas tij edhe Fatos Nano, edhe ai vetë, e kanë ofruar në të kaluarën Sazanin për projekte zhvillimore.

“Për sa i përket Zvërnecit është një çështje private. Unë nuk di të jetë dhënë tokë publike aty, por do ta shohim. Për sa i përket Sazanit, e kam deklaruar, deklarata ime është kjo: ne mbështesim investimet amerikane, por natyrisht ky e bëri atë për influencë politike. I sigurt që dështoi, sepse po të mos dështonte, nuk merrte përsipër të përpiqej të bënte gazi i dheut presidentin e SHBA në një samit që u bë kryelajm i atij samiti. Ndaj dhe këtu duhet t’i ndajmë gjërat. Zvërneci është investim publik. Sazanin ai e dha, por po të më çosh pak më tutje, mund të them disa gjëra të tjera, të palidhura me këtë. E kemi ofruar, sepse në kohën kur ne kemi bërë vlerësimin, ai ka qenë një ishull aspak i lakmuar. E ofroi Fatos Nano para meje. E ofrova unë, ra kriza. Ia ofrova mikut të shquar të kombit shqiptar, Silvio Berlusconi. E pranoi dhe bëri projektin. Bëri një projekt shumë të mirë, por erdhi kriza financiare. Aty janë dokumentet. Pse e ofruam? Sepse nuk është i lehtë për t’u zhvilluar. Tani fondet janë shumë të mëdha sepse sipas asaj që kam dëgjuar janë dy miliardë euro të fondit sovran arab. Në qoftë se bëhet, unë nuk kam asnjë kundërshtim”, tha Berisha.

Berisha shtoi se Rama e bëri këtë marrëveshje pasi Donald Trump u zgjodh president i SHBA. “Sazanin e ofroi ky. Dhe ky gjeti Jared Kushner, i cili erdhi me një fond shumë të madh. Por çfarë bëri ky? Në qoftë se marrëveshja ishte që ta firmoste para zgjedhjes së presidentit Trump, ky mashtroi. Ky nuk e firmosi para zgjedhjes së presidentit dhe ky u përpoq gjer në fund ta përdorë atë për të paktën edhe një fotografi me Lindën. A e dëgjuat atë që tha mbrëmë se i rrodhi ajo? Të paktën një fotografi me Lindën të kemi. Ajo nuk ndodhi”, u shpreh ai.

I pyetur a fiton kapital politik Edi Rama nga kjo marrëveshje, Berisha u përgjigj: “Nuk ka gjë në botë që t’i japë më kapital Edi Ramës. Në qoftë se ka një figurë të nxirë. A e di kur ishte mirë Edi Rama? Kur ishte Maduro në pushtet. Se thoshin është Ramduro, por është edhe Maduro. Maduro iku, tani ky ka mbetur i vetëm”.

Bordi i Paqes/ Spiropali: Historike, partneritet me SHBA dhe anëtarësim në BE

Ministrja Elisa Spiropali në seancën në Kuvend ka prezantuar marrëveshjen për Bordin e Paqes, duke theksuar se Bordi i Paqes është një mekanizëm për ndërtimin  e paqes për një botë që ndryshon shumë shpejt.

Gjithashtu Spiropali tha se Shqipëria tregon se është gati për vendimmarrje dhe se partneriteti me SHBA është i rëndësishëm.

“Sot po ju ftoj të votoni për seriozitetin e Shqipërisë si aleate; që po, nën drejtimin e Edi Ramës është ngritur në lartësinë e paimagjinueshme si asnjëherë më parë”, tha ajo.

Më tej Spiropali sqaroi se përfshirja e Shqipërisë në Bordin e Paqes nuk sjell angazhime të fshehta dhe se është një përgjegjësi.

“Për vite me radhë në këtë sallë është thënë se Shqipëria nuk pyetet se Shqipëria nuk dëgjohet. Por ftesa që kemi sot përpara tregon krejt të kundërtën. Është ndërtuar një besim me punë e ndershmëri. Sot Shqipëria ka marrëdhënie të besueshme jo vetëm me partnerët tanë në Europë e SHBA, por edhe në Lindjen e Mesme, ne Izrael e Botën Arabe. Sot Shqipëria ftohet si anëtare themeluese dhe çfarë mund të bëjë më shumë një kryeministër për vendin e tij se sa të bëjë Shqipërinë të shihet e dëgjohet aty ku dikur nuk ekzistonte. Kryeministri i Shqipërisë e ka pasur Kosovën gjithmonë me vete”, tha ajo.

Pse nuk mori pjesë në Davos? Rama: Zgjodha vajzën me lejen e Trump

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në seancën plenare, iu përgjigj deputetëve demokratë se përse nuk mori pjesë në forumin e Ekonomisë në Davos.

“Jeni shqetësuar që nuk mora pjesë në Davos. Mes ftesës së babait dhe vajzës, zgjodha vajzën. Dhe natyrisht vajzën e zgjodha me lejen e babait. E dyta, duke qenë se z. Mediu lidh Amerikën me rrugën e shpresës të hidhte poshtë pretendimin e Britanisë dhe të mbante amanetin e Amerikës, por s’ka asnjë problem. Rrini i qetë, analizat i kanë bërë ata që i kanë ftuar” – tha Rama.

Bordi i Paqes për Gazën/ 19 shtetet që firmosën dokumentin e themelimit

Presidenti amerikan Trump nënshkroi dokumentin i pari, duke themeluar zyrtarisht Bordin e Paqes si një organizatë ndërkombëtare. Udhëheqësit dhe përfaqësuesit e shteteve që janë pjesë e tij firmosën me radhë së bashku me presidentin amerikan. Shtetet që nënshkruan ngritjen e Bordit të Paqes për Gazën në Davos:

  1. Bahreini
  2. Maroku
  3. Argjentina
  4. Armenia
  5. Azerbajxhani
  6. Bullgaria
  7. Hungaria
  8. Indonezia
  9. Jordania
  10. Kazakistani
  11. Kosova
  12. Pakistani
  13. Paraguai
  14. Katari
  15. Arabia Saudite
  16. Turqia
  17. Emiratet e Bashkuara Arabe
  18. Uzbekistani
  19. Mongolia

Shumë shtete nuk ishin të pranishme në ceremoninë e nënshkrimit në Davos edhe pse kanë pranuar të bëhen pjesë e Bordit, siç është rasti i Shqipërisë. Në përfundim të ceremonisë, Presidenti amerikan tha se shumë shtete të tjera i janë bashkuar Bordit, por pa specifikuar një numër konkret.

Putin: Ajo që po ndodh me Groenlandën nuk na shqetëson aspak

Presidenti rus Vladimir Putin u përpoq të distancohej nga çdo rol i Moskës në debatin për Groenlandën të mërkurën, duke deklaruar: “Ajo që po ndodh me Groenlandën nuk na shqetëson aspak”. Megjithatë, ai e bëri këtë duke dhënë edhe një kontekst historik që, gjithsesi, dukej se i referohej ambicieve të presidentit amerikan Donald Trump.

Duke folur në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë të mërkurën, Putin përmendi shitjen e Alaskës nga Rusia në vitin 1867, duke theksuar se SHBA e bleu territorin për 7,2 milionë dollarë, një shumë që ai vlerësoi se sot do të ishte rreth 158 milionë dollarë.

Putin më pas krahasoi madhësinë e Alaskës me atë të Groenlandës dhe sugjeroi se, sipas së njëjtës logjikë, vlera e Groenlandës mund të ishte “diku rreth 200–250 milionë dollarë”, ose “më afër një miliardit” nëse llogaritet sipas çmimeve historike të arit. “Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje ta përballojnë këtë shumë”, tha ai.

Më pas ai përmendi një tjetër shitje historike: atë nga Danimarka të Ishujve të Virgjër te SHBA në vitin 1917.

Putin theksoi se çështja “nuk na shqetëson” dhe se duhet të zgjidhet mes Danimarkës dhe SHBA-së. “Danimarka e ka trajtuar gjithmonë Groenlandën si koloni dhe e ka trajtuar mjaft ashpër, për të mos thënë mizorisht”, shtoi ai. “Por kjo është një çështje tjetër dhe vështirë se i intereson dikujt tani. Gjithsesi, kjo nuk na shqetëson. Mendoj se ata do ta zgjidhin mes tyre”.

Mbretëria e Bashkuar refuzon “Bordin e Paqes”

Mbretëria e Bashkuar nuk do të nënshkruajë traktatin e quajtur “Bordi i Paqes” të Presidentit amerikan Donald Trump, për shkak të shqetësimeve lidhur me përfshirjen e Rusisë, deklaroi sekretarja britanike e Jashtme, Yvette Cooper.

Duke folur për BBC nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, Cooper tha se Britania mbështet planin 20-pikësh të Trump për Gazën dhe se vendi i saj dëshiron të luajë një rol në fazën e dytë të procesit të paqes për rajonin.

Megjithatë, kur u pyet nëse Britania do të bëhej pjesë e “Board of Peace”, Cooper tha:

“Ka shumë punë për t’u bërë. Ne nuk do të jemi nënshkrues sot, sepse bëhet fjalë për një traktat ligjor që ngre çështje më të gjera, dhe gjithashtu kemi shqetësime për përfshirjen e Putinit, që flet për paqe, ndërkohë që nuk kemi parë ende ndonjë shenjë se ai është i përkushtuar ndaj paqes në Ukrainë”.

❌