Reading view

22:59 Gjyqtarja amerikane vendos: Idaho duhet të lejojë abortet për të ruajtur shëndetin e grave

Një gjyqtare amerikane ka vendosur që ndalimi pothuajse total i abortit në Idaho është jokushtetues sepse ofron përjashtime kur abortet janë shpëtimtare dhe jo për rreziqe më të gjera për shëndetin e grave shtatzëna.

Gjyqtarja e Qarkut Amerikan Lynn Winmill në Boise tha në një vendim prej 81 faqesh, se e drejta për një abort që ruan shëndetin mbrohet nga Amendamenti i 14-të i Kushtetutës së SHBA-së, i cili garanton proces të rregullt ligjor dhe mbrojtje të barabartë sipas ligjit.

Vendimi është i pari nga një gjyqtar federal që njeh të drejtën kushtetuese për abort në rrethana të caktuara, që kur Gjykata Supreme e SHBA-së në vitin 2022 rrëzoi çështjen Roe kundër Wade , vendimin e vitit 1973 që kishte legalizuar abortin në të gjithë vendin.

Idaho dhe një disa shtete të tjera kanë ndaluar pothuajse të gjitha abortet që nga vendimi i Gjykatës Supreme, dhe disa shtete të tjera i kufizojnë ato rëndë, duke shkaktuar një sërë sfidash ligjore në pritje. Gjykata Supreme në vitin 2024 rivendosi një vendim që i kërkonte Idaho-s të lejonte abortet kur gratë kanë urgjenca mjekësore, por nuk dha mendimin e saj mbi meritat e çështjes./mxh

  •  

22:46 Kryetari i Parlamentit të Libanit takohet me shefin e ushtrisë amerikane, në fokus sulmet izraelite

Kryetari i parlamentit të Libanit, Nabih Berri ka zhvilluar një takim me Gjeneralin amerikan Joseph Clearfield, kreu i Grupit të Koordinimit Ushtarak për Libanin (MCG4L).

Mësohet se ata kanë diskutuar lidhur me sulmet izraelite në Libanin jugor. Berri tha se Izraeli ka vazhduar shkeljet dhe sulmet sistematike kundër Libanit dhe jugut që nga nëntori i vitit 2024, duke përfshirë shkatërrimin e fshatrave, tokës bujqësore dhe pyjeve, si dhe dëmtimin e vendeve të trashëgimisë kulturore.

Politikani kryesor shiit i Libanit dhe aleati i Hezbollahut kërkoi që Izraeli t’i japë fund luftës dhe të tërhiqet në kufirin ndërkombëtar.

Sipas një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-të, Izraeli ra dakord për një tërheqje graduale nga Libani jugor dhe për vendosjen e ushtrisë libaneze./mxh

  •  

22:39 Trump minimizon shqetësimet për kushtet në USS Abraham Lincoln

Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur poshtë shqetësimet lidhur me kushtet në bordin e aeroplanmbajtëses amerikane USS Abraham Lincoln, ndërsa deklaroi se misioni i saj në det nuk ka zgjatur mjaftueshëm.

I pyetur nga gazetarët për shqetësimet e familjarëve të ushtarakëve lidhur me kushtet në anije, Trump tha se USS Abraham Lincoln është në lëvizje ose pritet të niset së shpejti dhe se do të zëvendësohet nga një tjetër anije e ngjashme.

Kur u pyet nëse dislokimi i gjatë i ekuipazhit kishte zgjatur më shumë seç duhej, Trump u përgjigj shkurt: “Jo, jo, jo, aspak mjaftueshëm.”

Reagimi i presidentit vjen pasi dy media të specializuara në çështjet ushtarake raportuan për rënie të moralit dhe tentativa vetëvrasjeje mes pjesëtarëve të ekuipazhit.

Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln ndodhet në det që prej nëntorit të vitit 2025 dhe në Lindjen e Mesme që prej janarit, në kuadër të operacioneve ushtarake amerikane ndaj Iranit.

Trump u largua më pas drejt avionit presidencial Air Force One, ndërsa aeroplani u ngrit nga pista pak çaste më vonë./mxh

  •  

22:27 I zuri stuhia në det/ 3 shtetase drejt mbytjes në ujërat e Palasës

Tre shtetase, që kishin dalë në det me kanoe dhe rrezikuan të mbyteshin në det për shkak të përkeqësimit të motit, janë shpëtuar sot në ujërat e Palasës.

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kryen ndërhyrje, duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre në breg, pa rrezik për jetën.

Policia bën me dije se tre shtetaset ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore./mxh

  •  

22:16 Ky truk po bën namin në TikTok: Si të mos mbeteni pa para pas fundjavës (Lifestyle)

Është shumë e lehtë që një fundjavë të kthehet në një vrimë të zezë për paratë. Një kafe këtu, një drekë me miqtë, disa pije apo një blerje e vogël dhe, pa e kuptuar, buxheti mund të jetë tejkaluar. Pikërisht për këtë arsye, një metodë e thjeshtë kursimi po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në rrjetet sociale: “fundjava vetëm me para në dorë”.

Ideja është shumë e thjeshtë. Para se të nisë fundjava, vendosni një shumë fikse që jeni të gatshëm të shpenzoni. Të premten ose të shtunën në mëngjes, tërhiqni atë shumë në cash dhe gjatë gjithë fundjavës përdorni vetëm paratë që keni marrë me vete. Kur ato mbarojnë, nuk ka më shpenzime.

Kjo metodë synon të frenojë sidomos blerjet impulsive. Kur paguani me telefon ose kartë, shpesh është më e lehtë të shpenzoni pa e ndier menjëherë ndikimin në buxhet. Ndërsa kur paratë janë fizikisht në portofol, çdo kartëmonedhë që largohet bëhet më e dukshme.

Këshilltarja financiare Nadia Vanderhall, e cituar nga Bustle, thekson se kjo është veçanërisht e dobishme sot, kur pagesat digjitale janë bërë pjesë e përditshmërisë. Sipas saj, shumë njerëz paguajnë me Apple Pay ose Google Pay dhe nuk e kuptojnë gjithmonë sa po shpenzojnë në total.

Si funksionon metoda?

Fillimisht kontrolloni buxhetin tuaj dhe mendoni se çfarë aktivitetesh keni planifikuar gjatë fundjavës. Përfshini daljet me miqtë, kafenetë, restorantet, transportin apo edhe ndonjë aktivitet të paplanifikuar. Më pas caktoni një shumë që mund t’i përballoni pa prekur kursimet dhe pa rrezikuar pagesat e faturave.

Pasi të keni tërhequr paratë, mund t’i vendosni në një zarf ose në një portofol të veçantë. Rregulli është që të mos përdorni kartën apo telefonin për shpenzime të tjera. Vanderhall sugjeron që një kartë bankare të mbahet me vete vetëm për raste urgjente, por jo në një vend ku mund të përdoret lehtësisht.

Një nga avantazhet kryesore është se metoda ju detyron të mendoheni para çdo blerjeje. Nëse keni 100 euro për gjithë fundjavën dhe shpenzoni 20 euro për një vakt, e shihni menjëherë se ju kanë mbetur 80 euro. Kjo mund t’ju bëjë të hiqni dorë nga një blerje që në një situatë tjetër do ta kishit bërë pa u menduar gjatë.

Metoda mund të jetë veçanërisht e dobishme për personat që kanë zakon të bëjnë shumë shpenzime të vogla. Një kafe, një ëmbëlsirë, një porosi ushqimi apo një blerje spontane mund të duken të parëndësishme veçmas, por në fund të fundjavës mund të krijojnë një shumë të konsiderueshme.

Nëse paratë mbarojnë para të dielës në mbrëmje, rregulli është i thjeshtë: nuk tërhiqni të tjera. Mund të ndryshoni planet, të zgjidhni një aktivitet falas ose thjesht të qëndroni në shtëpi. Pikërisht ky kufizim është pjesa që e bën metodën efektive.

“Fundjava vetëm me cash” nuk premton të zgjidhë të gjitha problemet financiare, por mund t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë zakonet tuaja të shpenzimit. Në fund të fundit, qëllimi nuk është të hiqni dorë nga argëtimi, por të dini paraprakisht sa mund të shpenzoni dhe të mos zgjoheni të hënën duke pyetur veten: “Ku shkuan të gjitha paratë?”/mxh

  •  

22:10 Moska refuzon armëpushimin me Kievin për Detin e Zi

Rusia ka refuzuar një propozim turk për ndalimin e sulmeve ukrainase dhe ruse ndaj anijeve në Detin e Zi.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha sot se Moska nuk sheh arsye për një armëpushim të tillë në kushtet aktuale.

Zakharova akuzoi Ukrainën për kryerjen e sulmeve me dronë ndaj anijeve civile dhe tregtare të vendeve që ndodhen në rajonin e Detit të Zi.

Sipas saj, një armëpushim i kufizuar do të ishte vetëm një “masë gjysmake” që do t’i jepte Ukrainës kohë për t’u riorganizuar dhe armatosur përsëri.

Megjithatë, Moska ka deklaruar se nuk ka marrë një propozim formal turk për një moratorium, me kushte të përcaktuara qartë, përmes kanaleve zyrtare.

Kjo bie pjesërisht në kundërshtim me deklaratat e Ankarasë, e cila ka thënë se iniciativa u është përcjellë të dyja palëve.

Në javët e fundit, sulmet ndaj transportit tregtar në Detin e Zi dhe Detin Azov janë intensifikuar.

Ukraina ka goditur me dronë objekte dhe anije që lidhen me eksportet ruse të naftës dhe grurit, ndërsa edhe një traget turk është goditur.

Nga ana tjetër, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj porteve ukrainase.

Përshkallëzimi ka shkaktuar shqetësime për sigurinë e transportit ndërkombëtar dhe furnizimin global me ushqime.

Ukraina është një eksportuese e rëndësishme e grurit, ndërsa sulmet ndaj porteve dhe anijeve kanë kufizuar ndjeshëm rrugët e eksportit.

Turqia po përpiqet të ndërmjetësojë për një mekanizëm që do të ndalonte sulmet ndaj anijeve civile dhe do të lejonte rifillimin më të sigurt të transportit detar.

Por refuzimi i Moskës tregon se, për momentin, nuk ka konsensus për një armëpushim në Detin e Zi./mxh

  •  

21:57 1 800 banorë evakuohen për shkak të zjarreve të fuqishëm

Rreth 1 800 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në perëndim të Gjermanisë, pasi një zjarr i fuqishëm pyjor u përhap me shpejtësi pranë zonave të banuara.

Zjarri ka përfshirë një zonë pranë qytetit Hurtgenvald, në landin Nordrhein-Uestfalen, afër kufijve me Belgjikën dhe Holandën.

Flakët u zgjeruan me shpejtësi nga rreth 25 hektarë në 300 hektarë, ndërsa zjarri iu afrua deri në rreth 10 metra banesave më të afërta.

Banorëve iu kërkua të largoheshin gjatë natës dhe të merrnin me vete vetëm sendet më të rëndësishme.

Për ta janë ngritur qendra të përkohshme strehimi në një shkollë dhe një qendër sportive.

Rreth 300 punonjës të shërbimeve të emergjencës janë angazhuar në përpjekjet për shuarjen e zjarrit, me mbështetjen e helikopterëve dhe mjeteve të rënda të ushtrisë gjermane.

Ekipet po hapin korridore mbrojtëse në pyje për të penguar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.

Operacioni është bërë edhe më i rrezikshëm nga municionet e mbetura nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat kanë shpërthyer gjatë përhapjes së zjarrit.

Shpërthimet e dëgjuara gjatë natës kanë kufizuar mundësinë e zjarrfikësve për t’iu afruar disa zonave të prekura.

Banorët kanë përshkruar situatën si alarmante.

Një prej tyre tha se kishte parë kolona të mëdha tymi të zi dhe ishte larguar gjatë natës për t’u strehuar te një i afërm.

Ajo tregoi gjithashtu se në zonë ndihej erë e rëndë dhe se hiri po binte nga qielli.

Ndërkohë, një tjetër zjarr pyjor ka shpërthyer pranë liqenit Mohnesee, gjithashtu në Nordrhein-Uestfalen.

Rreth 100 punonjës të emergjencave arritën ta vinin zjarrin nën kontroll, por temperaturat e larta, thatësira dhe terreni i vështirë vazhdojnë të krijojnë kushte të rrezikshme për përhapjen e flakëve.

Temperaturat priten të arrijnë deri në 39 gradë Celcius, ndërsa vala e të nxehtit do të vazhdojë gjatë fundjavës.

Sipas monitoruesit të ngrohjes globale të BE-së, Evropa Perëndimore ka përjetuar qershorin dhe korrikun më të nxehtë të regjistruar, duke rritur rrezikun e thatësirave dhe zjarreve.

Meteorologët paralajmërojnë se toka është tharë ndjeshëm dhe se nevojiten reshje të vazhdueshme për të rikthyer lagështinë, por një periudhë e tillë shiu nuk duket ende në horizont./mxh

  •  

21:45 Francë/ Zhgënjim te banorët e Parisit pas rrëzimit të ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Banorët e Parisit kanë shprehur zhgënjimin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Francës për të bllokuar ligjin që ndalonte përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 15 vjeç.

Gjykata argumentoi se ligji ngrinte shqetësime lidhur me lirinë e shprehjes dhe privatësinë, ndërsa kërkonte që përdoruesit të verifikonin moshën përpara hapjes së një llogarie.

Ligji, i miratuar nga parlamenti francez në korrik, parashikonte që nga 1 shtatori fëmijët nën 15 vjeç të mos mund të hapnin llogari të reja në rrjetet sociale. Platformat do të duhej gjithashtu të mbyllnin brenda katër muajve llogaritë ekzistuese dhe të zbatonin sisteme të verifikimit të moshës.

Por Gjykata Kushtetuese vlerësoi se ligji nuk përcaktonte qartë kushtet dhe kufijtë e verifikimit të moshës dhe se disa prej dispozitave cenonin liritë dhe privatësinë e qytetarëve.

Vendimi ka shkaktuar reagime të ndryshme në Paris. Disa prindër dhe të rinj shprehen se ndalimi do të ishte një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme në internet.

Franca kishte synuar të bëhej vendi i parë europian që vendoste një kufizim të tillë për moshën nën 15 vjeç, duke ndjekur shembullin e Australisë, e cila ka ndaluar përdorimin e platformave si Facebook, Snapchat, TikTok dhe YouTube për fëmijët nën 16 vjeç./mxh

  •  

21:39 Tensione në Beit Sahour/ Aktivistët izraelitë dhe palestinezë përballen me kolonët në tokat palestineze

Tensione janë shënuar të premten, 14 gusht, në Beit Sahour, në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku aktivistë palestinezë dhe izraelitë shoqëruan pronarë palestinezë në tokat e tyre, të kërcënuara nga kolonët izraelitë.

Aktivistët thanë se synonin të mbështesnin dhe mbronin pronarët lokalë, të cilët, sipas tyre, janë penguar të hyjnë, të kultivojnë dhe të kujdesen për tokat e tyre.

Në terren u panë kolonë izraelitë të armatosur, të cilët mbanin flamuj dhe u përplasën verbalisht me aktivistët. Në zonë ishin të pranishme edhe forcat izraelite.

Rana Salman, drejtuese ekzekutive e organizatës Combatants for Peace, tha se kishte marrë pjesë në aksion për të mbështetur pronarët palestinezë dhe për të kundërshtuar pengimin e tyre në tokat që u përkasin.

Bregu Perëndimor u pushtua nga Izraeli në luftën e vitit 1967 dhe palestinezët e konsiderojnë atë pjesë thelbësore të territorit të një shteti të ardhshëm të pavarur.

Sipas Kombeve të Bashkuara, 18 palestinezë janë vrarë këtë vit në incidente të lidhura me sulmet e kolonëve, ndërsa gjatë gjithë vitit 2025 u regjistruan 17 viktima të tilla.

Në Bregun Perëndimor jetojnë rreth tre milionë palestinezë dhe rreth 500 mijë kolonë izraelitë. Sipas organizatës izraelite “Peace Now”, në territor ndodhen rreth 146 vendbanime izraelite dhe rreth 390 pika më të vogla të kolonëve.

Statusi i vendbanimeve mbetet një nga çështjet më të debatueshme të konfliktit. Kombet e Bashkuara dhe shumica e vendeve i konsiderojnë vendbanimet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa Izraeli e kundërshton këtë qëndrim dhe argumenton se prania hebraike në Bregun Perëndimor ka rrënjë historike mijëravjeçare./mxh

  •  

21:27 Rusia refuzon propozimin e Turqisë për armëpushim në Detin e Zi: Do t’i jepte kohë Ukrainës të riorganizohej

Rusia ka refuzuar propozimin e Turqisë për një moratorium mbi sulmet ukrainase dhe ruse ndaj anijeve në Detin e Zi, duke argumentuar se në kushtet aktuale nuk sheh arsye për një armëpushim të tillë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se Moska nuk e konsideron të arsyeshme një pauzë të kufizuar në luftime, pasi, sipas saj, një masë e tillë do t’i jepte Ukrainës kohë për t’u riorganizuar dhe për t’u armatosur sërish. Ajo e cilësoi një armëpushim të tillë si një “masë gjysmake”.

Zakharova akuzoi gjithashtu Ukrainën për sulme me dronë ndaj anijeve civile dhe tregtare të vendeve që ndodhen në rajonin e Detit të Zi.

Megjithatë, Moska ka deklaruar se nuk ka marrë përmes kanaleve zyrtare një propozim formal nga Turqia për vendosjen e një moratoriumi, me kushte të përcaktuara qartë. Ky qëndrim bie pjesërisht në kundërshtim me deklaratat e Ankarasë, e cila ka thënë se iniciativa u është përcjellë të dyja palëve.

Në javët e fundit, sulmet ndaj transportit tregtar në Detin e Zi dhe Detin Azov janë intensifikuar. Ukraina ka goditur me dronë objekte dhe anije që lidhen me eksportet ruse të naftës dhe grurit, ndërsa është goditur edhe një traget turk. Nga ana tjetër, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj porteve ukrainase.

Përshkallëzimi ka shkaktuar shqetësime për sigurinë e transportit ndërkombëtar dhe furnizimin global me ushqime. Ukraina është një eksportuese e rëndësishme e grurit, ndërsa sulmet ndaj porteve dhe anijeve kanë kufizuar ndjeshëm rrugët e eksportit. Sulmet e fundit kanë ndikuar gjithashtu në tregjet globale të grurit.

Turqia po përpiqet të ndërmjetësojë për krijimin e një mekanizmi që do të ndalonte sulmet ndaj anijeve civile dhe do të mundësonte rifillimin më të sigurt të transportit detar në Detin e Zi. Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka kërkuar që të dyja palët të respektojnë një moratorium për sulmet në Detin e Zi, me synim uljen e rrezikut për lundrimin dhe tregtinë ndërkombëtare.

Por refuzimi i Moskës tregon se, për momentin, nuk ka konsensus mes Rusisë dhe Ukrainës për një armëpushim në Detin e Zi./mxh

  •  

21:16 Analiza/ A mund të pretendojë Moska se është ende superfuqi ushtarake?

Kur presidenti Vladimir Putin dërgoi forcat e tij në Ukrainë, Kremlini dukej se po mbështetej te një aksiomë e njohur e sigurisë evropiane: numri i madh i trupave ruse, të mbështetur nga rezervat e mëdha të epokës sovjetike dhe fuqia bërthamore, do ta mposhtte rezistencën.

Më shumë se katër vjet pas pushtimit në shkallë të plotë nga Moska, ky supozim është thuajse tërësisht zhbërë. Ukraina mbijetoi, ia pamundësoi Rusisë fitoren e shpejtë që pritej dhe e shndërroi konfliktin në një luftë rraskapitëse të teknologjisë së lartë.

Ajo ka zhvilluar një cikël inovacioni që, sipas Joshua Huminskit, nënkryetar i lartë për sigurinë kombëtare dhe inteligjencën në Qendrën për Studimin e Presidencës dhe Kongresit, po ecën më shpejt se çdo gjë që po bëjnë SHBA-ja apo vendet e tjera të NATO-s.

Megjithatë, ekspertët thonë se mbështetja në rritje e Moskës te Koreja e Veriut për municione, raketa dhe trupa nuk duhet të merret as si provë se Rusia po kolapson, as, përkundrazi, se ushtria e saj do të dalë nga lufta më e fortë se më parë.

Pamja që ata paraqesin është më e ndërlikuar.

Ukraina i ka shkaktuar dëme të mëdha forcave konvencionale ruse dhe ka ekspozuar dështime të thella në planifikim dhe doktrinën e saj. Në të njëjtën kohë, Moska vazhdon të përshtatet me fushëbetejën, të zgjerojë prodhimin e armëve dhe të mësojë nga një luftë të një lloji që nuk ishte përballur më parë.

“Forcat tokësore konvencionale të Rusisë në Ukrainë po dobësohen në mënyrë të vazhdueshme”, tha Huminski për Radion Evropa e Lirë (REL). Por, ai paralajmëroi se do të ishte “gabim” të vlerësohej fuqia ushtarake ruse vetëm përmes këtij këndvështrimi.

Flotat ruse të Veriut dhe Paqësorit kanë kapacitete të rëndësishme, tha ai, ndërsa forcat e saj strategjike bërthamore kanë mbetur kryesisht të paprekura dhe Moska ende zotëron kapacitete që janë të afta në hapësirën kibernetike dhe atë hapësinore.

Prandaj, pyetja mund të mos jetë më thjesht nëse Rusia mbetet ushtria e dytë më e fuqishme në botë. Çështja është se çfarë ka ekspozuar Ukraina për kufijtë e fuqisë ruse dhe nëse përshtatja mund të pengojë që këto dobësi të bëhen vendimtare.

Problemet e Rusisë nisën me supozimet e saj. Shërbimet e inteligjencës së Putinit, tha Huminski, e kishin paraqitur Ukrainën si një shtet që pritej të shembej shpejt.

Në vend të kësaj, qëndresa ukrainase, dështimet operacionale ruse, ndihma perëndimore dhe përshtatja e shpejtë prodhuan një luftë krejt tjetër. Mbrojtja e Hostomelit, afër Kievit, ku forcat ukrainase zmbrapsën trupat elitare ajrore ruse, u bë një shembull i parë se si mund të zhbëheshin planet e Moskës. Taktikat e njësiteve të vogla dhe armët antitank perëndimore shfrytëzuan gjithashtu dobësitë e blindave ruse që përparonin.

Që atëherë, lufta është shndërruar në një garë të pandërprerë përshtatjeje. Dronët, lufta elektronike dhe goditjet me rreze të gjatë veprimi e kanë transformuar fushëbetejën, duke e bërë lëvizjen gjithnjë e më të rrezikshme dhe duke ndihmuar në krijimin e “zonës vrastare” të monitoruar nga afër përgjatë frontit.

Maria Snegovaya, studiuese e lartë për Rusinë dhe Euroazinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me bazë në Uashington, tha për REL-in se Ukraina ka krijuar një hov të konsiderueshëm teknologjik dhe po përdor gjithnjë e më shumë dronë për të kompensuar, të paktën pjesërisht, mungesën e fuqisë njerëzore.

Ky avantazh është real, por ajo nuk e përshkroi si të përhershëm. Hovi teknologjik ka ndryshuar disa herë gjatë luftës, tha Snegovaya. Ukraina aktualisht është në epërsi sa u përket teknologjive të rëndësishme të dronëve, por Rusia është duke u barazuar vazhdimisht me të, ka zbërthyer dhe kopjuar inovacionet e suksesshme dhe ka zhvilluar kundërmasa.

Cikli po përshpejtohet: ajo që dikur kërkonte shumë më tepër kohë, tani po ndodh brenda pak muajsh. Prandaj, as Huminski dhe as Snegovaya nuk e shohin luftën si një histori të thjeshtë të shkëlqimit teknologjik ukrainas që mposht një ushtri ruse të vjetruar.

Të dy e përshkruajnë një përballje shumë më dinamike: Ukraina ka fituar një hov të rëndësishëm teknologjik dhe ka ekspozuar dobësi serioze ruse, ndërsa Rusia vazhdon të përshtatet dhe të përvetësojë mësimet e nxjerra nga fushëbeteja, edhe pse forcat e saj konvencionale tokësore po pësojnë dëme të rënda dhe humbje të jashtëzakonshme.

Partneriteti i Moskës me Phenianin është ndoshta ilustrimi më i qartë i kërkesave të jashtëzakonshme të kësaj lufte. Koreja e Veriut ka furnizuar me municione dhe raketa dhe ka dërguar trupa, disa prej të cilave u dislokuan në rajonin rus të Kurskut për të ndihmuar në zmbrapsjen e një inkursioni të befasishëm ukrainas në vitin 2024.

Por, Snegovaya tha se mbështetja e Rusisë në ndihmën e jashtme duhet të kuptohet në kuadër të përpjekjeve të saj të jashtëzakonshme për prodhim vendas.

Moska po zhvillon një luftë rraskapitëse, në të cilën humbjet shkojnë përtej fuqisë njerëzore, duke përfshirë municionet dhe sistemet e armëve. “Rusia në fakt ka qenë në gjendje të prodhojë shumë”, tha ajo, duke theksuar se Moska ka “rritur ndjeshëm prodhimin” e sistemeve, përfshirë dronët, pajisjet e luftës elektronike, mbrojtjen ajrore, tanket dhe raketat.

Por, industria ruse nuk e ka zgjidhur problemin e saj. Kërkesat e luftës janë aq të mëdha, tha Snegovaya, saqë edhe prodhimi i zgjeruar në mënyrë drastike nuk mund t’i përmbushë plotësisht nevojat e fushëbetejës apo t’i mundësojë Rusisë të krijojë rezerva të konsiderueshme. Kjo ndihmon për të shpjeguar rolin e Koresë së Veriut.

Huminski tha gjithashtu se trupat e Koresë së Veriut e ndihmojnë Moskën të menaxhojë një problem, politikisht të ndjeshëm, të fuqisë njerëzore. Përdorimi i tyre mund të mbajë pozicionet dhe të lirojë ushtarët rusë për detyra të tjera, pa e detyruar Putinin të urdhërojë një mobilizim të plotë, politikisht të rrezikshëm.

Prandaj, ky nuk është as një kolaps i thjeshtë ushtarak dhe as dëshmi e një ringritjeje ruse pa vështirësi. Rusia po përdor partnerë të huaj për të mbushur boshllëqe specifike, ndërsa përpiqet të ruajë dhe zgjerojë bazën e saj ushtarako-industriale.

Sipas Snegovayas, Kremlini vazhdon të zgjerojë objektet e prodhimit dhe të përgatitet për një luftë të gjatë. Por, kjo përpjekje shoqërohet me kosto në rritje. Sektori ushtarako-industrial i Rusisë financohet në masë të madhe nga shteti, ndërsa presioni ekonomik i vazhdimit të luftës vazhdon të rritet.

Ukraina hyri në luftë me një disavantazh të madh konvencional. Ajo nuk mund të përballej me Rusinë tank për tank, predhë për predhë apo ushtar për ushtar. Përgjigjja e saj ka qenë ndryshimi i llogaritjes së kostos.

Dronët e lirë dhe sistemet e tjera të zhvilluara me shpejtësi mund të kërcënojnë pajisje shumë më të shtrenjta dhe, tha Snegovaya, Ukraina ka qenë në gjendje t’i përdorë dronët për të kompensuar në një masë të konsiderueshme mungesën e ushtarëve.

Por, ajo theksoi gjithashtu kufijtë e këtij avantazhi. Dronët nuk i kanë bërë ushtarët të parëndësishëm dhe problemet e Ukrainës me ushtarët mbeten serioze. “Zona vrastare” mbrojtëse mund të ndihmojë në mbajtjen e vijës së frontit, por kjo nuk e ka fituar luftën.

Ndërkohë, Rusia po përshtat metodat e veta. Snegovaya e përshkroi një forcë që kombinon qasjet e stilit sovjetik dhe kapacitetin e trashëguar të prodhimit me dronët, luftën elektronike dhe praktikat e fushëbetejës që evoluojnë me shpejtësi.

Rusia po pëson humbje të jashtëzakonshme dhe po përballet me presion në rritje mbi ekonominë e saj. Por, ajo ruan disa avantazhe asimetrike, përfshirë kapacitetin për të përdorur dronë në numër shumë të madh, përvojën në përdorimin e tyre dhe një sasi të madhe të dhënash nga fushëbeteja, të grumbulluara nga njësitë luftarake dhe operatorët.

Vendet perëndimore “duhet jo vetëm të shohin se çfarë po bën Ukraina, por edhe t’i kushtojnë vëmendje asaj që po bën Rusia”, çfarë mësimesh po nxjerr dhe si po përshtatet, tha Huminski. “Nëse nuk e bëjmë këtë dhe thjesht e shohim atë si një forcë ruse të dobësuar në aspektin konvencional, kjo mund të na kthehet bumerang në të ardhmen”.

Përshtatja teknologjike e Ukrainës po ndryshon gjithashtu gjeografinë e luftës.

Në Detin e Zi, Ukraina ka kërcënuar vazhdimisht forcat detare dhe infrastrukturën ruse, pavarësisht se e nisi konfliktin pa pasur asgjë që i afrohej një marine konvencionale të aftë për t’u përballur me flotën ruse. Ndërsa asetet ruse u zhvendosën larg Krimesë, aftësia e Ukrainës për të goditur Novorosijskun, qendrën e saj detare më në lindje, tregoi se largimi nga fronti nuk garanton siguri.

“Flota ruse, në këtë pikë, është padyshim shumë e rrezikuar kudo në Detin e Zi”, tha Snegovaya.

Rëndësia më e gjerë është strategjike.

Ukraina po e kombinon gjithnjë e më shumë përpjekjen e saj mbrojtëse në front me sulme në thellësi kundër objektivave ushtarake dhe të tjera brenda Rusisë, duke synuar të shkaktojë kosto përtej fushëbetejës.

Snegovaya tha se sulmet kanë ndihmuar në rritjen e ankthit brenda Rusisë dhe të kërkesave për përfundimin e luftës. Por, ajo paralajmëroi se opinioni publik luan vetëm një rol të kufizuar në vendimmarrjen e Kremlinit. Vendimtar mbetet Putini, jo opinioni publik.

Ukraina mund të ketë aktualisht hovin teknologjik, tha ajo, por Rusia po vazhdon të përgjigjet, përfshirë me dronë më të shpejtë me motor reaktiv dhe përpjekje për të kapërcyer kufizime të tjera teknologjike.

Masat e vjetra të fuqisë ushtarake janë sfiduar seriozisht nga lufta. Numri i tankeve dhe trupave para luftës nuk parashikoi dështimet e Rusisë në vitin 2022. Por, as humbjet e jashtëzakonshme të Rusisë nuk dëshmojnë se ajo ka pushuar së qeni një fuqi ushtarake e frikshme, paralajmërojnë ekspertët.

Ukraina ka shkatërruar mitin se numri i madh i forcave ruse, të vetme, e garantojnë fitoren. Ajo ka treguar se si qëndresa, inovacioni i shpejtë dhe teknologjia relativisht e lirë mund t’i mundësojnë një ushtrie më të vogël t’i shkaktojë kosto të jashtëzakonshme një ushtrie shumë më të madhe.

Megjithatë, Rusia ende ka burime dukshëm më të mëdha se Ukraina, një bazë të gjerë ushtarako-industriale, forca bërthamore të paprekura nga lufta dhe kapacitete ushtarake që shtrihen shumë përtej formacioneve tokësore, të goditura rëndë, që luftojnë në Ukrainë.

Kjo nuk do të thotë se Rusia po e fiton procesin e përshtatjes. Snegovaya theksoi se Ukraina aktualisht ka hovin teknologjik, ndërsa ekonomia dhe rrjeti ushtarako-industrial i Rusisë po përballen me presion në rritje. As nuk ka, tha ajo, një konsensus analitik nëse Rusia mund të quhet ende në mënyrë domethënëse ushtria e dytë më e fuqishme në botë.

Qëndrueshmëria e mbështetjes perëndimore për Ukrainën mund të jetë përfundimisht një nga faktorët më të rëndësishëm. Ukraina ka tejkaluar vazhdimisht peshën e saj, tha Snegovaya, por aftësia e saj për të vazhduar luftën mbetet e lidhur në mënyrë të rëndësishme me mbështetjen e jashtme financiare, teknologjike, të inteligjencës dhe ushtarake.

Përfundimi më i gjerë i Huminskit është se Rusia dhe Ukraina do të dalin nga kjo luftë si dy nga ushtritë më të sprovuara dhe më të kalitura në betejë në botë.

Ukraina e ka goditur rëndë ushtrinë ruse, ka shkatërruar sasi të mëdha të pajisjeve të saj dhe ka ekspozuar dobësi që Moska priste t’i fshihte pas reputacionit të saj për fuqi dërrmuese. Rusia po paguan një çmim të lartë për t’u përshtatur dhe është larg zgjidhjes së problemeve themelore që ka zbuluar lufta.

Nëse mësimet që Rusia po nxjerr janë të mjaftueshme për të kompensuar humbjet e saj – dhe nëse Ukraina mund ta ruajë ritmin e saj të jashtëzakonshëm të inovacionit – mund të ndikojë shumë në përcaktimin e rezultatit përfundimtar të luftës./mxh

  •  

19:59 Kiara Tito reagon ndaj zërave për një shtatzëni të dytë: “JO! Nuk jam”

Prej ditësh, një fotografi e Kiarës dhe Luizit kishte nxitur dyshimet se çifti mund të ishte në pritje të fëmijës së dytë.

Në imazhin e publikuar në rrjetet sociale, Luizi shfaqej me dorën mbi barkun e moderatores. Detaji u vu menjëherë re nga ndjekësit, të cilët nisën të pyesnin nëse bëhej fjalë për një shtatzëni të re.

Por duket se përgjigjja ka ardhur drejtpërdrejt nga Kiara. Gjatë një rubrike pyetje-përgjigje në Instagram, një ndjekës e pyeti: “A je shtatzënë? Të lutem kthe përgjigje.”

Moderatorja nuk la vend për interpretime dhe iu përgjigj vetëm me dy fjalë:“JO! Nuk jam.”

Me këtë reagim, Kiara hodhi poshtë publikisht zërat për një shtatzëni të dytë, duke i dhënë fund aludimeve që qarkullonin prej ditësh në rrjet./mxh

  •  

19:45 Kıvanç Tatlıtuğ largohet nga rrjetet sociale, aktori tregon arsyen e vendimit të papritur

Kıvanç Tatlıtuğ ka surprizuar fansat duke u shkëputur plotësisht nga rrjetet sociale. Aktori turk ka mbyllur llogaritë e tij në Instagram dhe X, duke hequr dorë nga një audiencë prej miliona ndjekësish.

Vendimi i tij shkaktoi menjëherë reagime dhe hamendësime. Fansat nisën të pyesnin nëse largimi lidhej me një projekt të ri, jetën e tij personale apo ndonjë zhvillim në karrierë.

Megjithatë, duket se arsyeja është shumë më e thjeshtë nga sa mendohej. I pyetur për vendimin, Tatlıtuğ u përgjigj shkurt:

“Thjesht kisha dëshirë. Kështu vendosa. Nuk ka ndonjë arsye të veçantë apo të rëndësishme.”

Kështu, aktori ka zgjedhur të bëjë një hap pas nga ekspozimi virtual dhe të vazhdojë jetën e tij larg rrjeteve sociale, pavarësisht numrit të madh të ndjekësve që kishte mbledhur ndër vite./mxh

  •  

19:26 Shkatërrohet një rrjet ndërkombëtar mashtrimi bankar

Policia dhe prokurorët kanë zbuluar një rrjet ndërkombëtar mashtrimi, i cili dyshohet se u ka shkaktuar klientëve të bankave dëme prej miliona eurosh.

Pas disa vitesh hetime, autoritetet gjermane, në bashkëpunim me ato braziliane, kanë goditur rrjetin kriminal dhe kanë arrestuar disa persona të dyshuar, njoftuan sot Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) dhe Prokuroria e Frankfurtit.

Sipas një deklarate, tre të dyshuar në Evropë janë identifikuar nën dyshimin për mashtrim kompjuterik në sistemet e bankingut online.

Ata do të ndiqen penalisht në Spanjë dhe Bullgari.

Ndërkohë, autoritetet braziliane, me mbështetjen e BKA-së, zhvilluan dje një operacion të gjerë kundër rrjetit.

Katër persona të dyshuar si anëtarë të grupit u arrestuan, ndërsa u kontrolluan 21 prona në shtatë qytete.

Të dyshuarit akuzohen se kanë kryer një numër të madh tërheqjesh të paautorizuara nga llogaritë e përdoruesve gjermanë të bankingut online, brenda vetëm disa ditësh në nëntor 2023.

Autoritetet gjermane vlerësojnë se dëmi financiar arrin në miliona euro.

Sipas hetuesve, grupi kriminal kishte shfrytëzuar një dobësi në procesin e regjistrimit dhe përpunimit të transaksioneve te një ofrues shërbimesh pagesash.

Dobësia ishte krijuar pas një përditësimi të gabuar të softuerit.

Paratë e përvetësuara transferoheshin kryesisht drejt Brazilit.

Atje, një pjesë e madhe e shumave të vjedhura tërhiqej pasi autorët kishin ndërmarrë përpjekje për të fshehur identitetin e personave që merrnin paratë.

Hetuesit kanë zbuluar se grupi kishte kryer transaksione të ngjashme edhe në katër vende evropiane.

Të dhënat dhe provat e mbledhura nga autoritetet braziliane do t’i bashkohen tashmë hetimit që po zhvillohet në Gjermani.

Prokurori i lartë Benjamin Krause, drejtues i Zyrës Qendrore për Luftën kundër Krimit në Internet (ZIT) pranë Prokurorisë së Frankfurtit, tha se rezultati i operacionit tregon se kriminelët kibernetikë nuk mund të ndihen të sigurt.

Hetimi ndërkombëtar tregon gjithashtu se bashkëpunimi mes autoriteteve të vendeve të ndryshme është bërë thelbësor për gjurmimin e rrjeteve kriminale që përdorin sistemet bankare online për të vjedhur dhe transferuar shuma të mëdha parash./mxh

  •  

19:17 Rikthehen pikturat e grabitura të Renoir, Cezanne dhe Matisse

Tre piktura të realizuara nga Pierre-Auguste Renoir, Paul Cézanne dhe Henri Matisse, të vjedhura nga një muze në Itali, janë gjetur pas disa muajsh hetime, njoftuan sot forcat e policisë italiane, Carabinieri.

Sipas një deklarate, efektivët e Carabinierëve sekuestruan veprat e çmuara gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të një hetimi të gjerë.

Autoritetet nuk dhanë fillimisht detaje të tjera për personat e dyshuar për vjedhjen apo vendndodhjen e tyre.

Veprat e rikuperuara janë “The Fish” e Renoir, “Cup and Plate with Cherries” e Cezanne dhe “Odalisque on the Terrace” e Matisse.

Vlera e tyre e përbashkët vlerësohet në rreth 9,0 milionë euro, ose afërsisht 10,4 milionë dollarë.

Pikturat u vodhën në fund të marsit nga muzeu Fondazione Magnani-Rocca, pranë Parmës.

Autorët hynë në ndërtesë gjatë natës dhe arritën t’i merrnin të treja veprat brenda vetëm pak minutash.

Pasi u aktivizua alarmi, hajdutët u larguan përmes kopshteve të muzeut.

Në atë kohë, një zëdhënës i institucionit e përshkroi vjedhjen si një operacion të planifikuar, të strukturuar dhe të organizuar.

Vjedhja u shfrytëzua më pas edhe për përhapjen e dezinformatave.

Sipas autoriteteve, një raport i rremë i paraqitur si lajm i BBC-së dhe i shpërndarë përmes një rrjeti të lidhur me Kremlinin pretendonte se piktura e vjedhur e Cézanne ishte ekspozuar në zyrën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe se kishte ardhur nga mafia.

Rikuperimi i tre veprave konsiderohet një sukses i rëndësishëm për hetuesit italianë, ndërsa hetimet për të përcaktuar autorët dhe mënyrën se si veprat u transportuan dhe u fshehën pas vjedhjes vijojnë./mxh

  •  

18:59 Eurovision 2027 në Burgas, DARA nuk përmbahet: Bëhuni gati, do të bëjmë namin!

Pas njoftimit se Burgasi do të jetë qyteti pritës i Eurovision 2027, Dara shprehu entuziazmin e saj dhe, duke iu drejtuar fansave të konkursit me humor, tha: “Çfarë prisni? Blini një bikini të re!”

Unioni organizator i Eurovizionit dhe televizioni publik bullgar njoftuan të enjten, më 13 gusht, se Burgasi, qyteti bregdetar bullgar në brigjet e Detit të Zi, do të presë edicionin e ardhshëm të Eurovisionit, duke konfirmuar edhe datat e zhvillimit të konkursit.

Pak orë më vonë, DARA, fituesja e këtij viti me këngën “Bangaranga” reagoi ndaj lajmit, duke shprehur entuziazmin e saj që Eurovisioni do të zhvillohet në Bullgari.

Në një video të publikuar në llogarinë e Wiwibloggs në rrjetet sociale, këngëtarja, teksa mbante në duar trofeun e saj, paralajmëroi të gjitha fansat e kompeticionit të bëhen gati sepse do të “bëhet nami”.

“Përshëndetje të gjithëve! Të gjithë po më pyesin se si reagoj ndaj lajmit që Burgasi do të presë Eurovisionin vitin e ardhshëm. Epo, para së gjithash, jam jashtëzakonisht e lumtur që Bullgaria do të presë Eurovisionin. Bëhuni gati, sepse do të bëjmë namin! Pres të gjithë sirenat dhe kapitenët e mi të vijnë e të kërcejnë bashkë me ne. Dhe e di që njerëzit e detit dinë të argëtohen. Prandaj, çfarë prisni? Blini bikini të reja! Shkojmë në Burgas! Urime!”

Dy gjysmëfinalet dhe finalja e Eurovision 2027 do të zhvillohen në Arena Burgas, e cila në njoftimin e organizatorëve përshkruhet si një nga komplekset më të reja sportive dhe argëtuese të Bullgarisë. Arena u hap në vitin 2023.

Më konkretisht, gjysmëfinalet do të zhvillohen të martën, më 11 maj, dhe të enjten, më 13 maj, ndërsa finalja e madhe do të mbahet të shtunën, më 15 maj 2027./mxh

  •  

18:42 Troye Sivan publikon këngën e re “She’s the Best”, një homazh për gratë

Artisti australian, i nominuar për çmim Grammy, publikoi këngën e re. Sivan, i cili ështw bashkëautor dhe bashkëprodhues i saj, e përshkruan “She’s the Best” si një festë dhe një letër dashurie kushtuar grave, veçanërisht grave trans dhe shpirtit të feminilitetit që kanë ndikuar në jetën e tij.
Videoklipi është realizuar nga bashkëpunëtori i tij prej vitesh, Gordon von Steiner, dhe sjell atmosferën e Nju Jorkut queer të viteve ’80, me elemente të theksuara të glamour-it, sensualitetit dhe shprehjes së lirë të feminilitetit.
Kënga është singëlli i parë nga albumi i katërt i Troye Sivan, i cili mban të njëjtin titull.
Albumi është planifikuar të publikohet më 9 tetor.
Me këtë projekt të ri, Sivan synin të eksplorojë identitetin, dashurinë dhe shprehjen personale përmes muzikës dhe artit pamor./mxh

  •  

18:36 Gërmime të reja në Göbeklitepe, në Turqi: Arkeologët kërkojnë gjurmë të jetës publike 12 mijë vjet më parë

Arkeologët kanë nisur gërmime të reja në Göbekli Tepe, një nga sitet më të rëndësishme arkeologjike në juglindje të Turqisë, që daton rreth 12 mijë vjet më parë.

Ministri turk i Kulturës, Mehmet Nuri Ersoy, bëri të ditur se zona e re e gërmimeve shtrihet në një sipërfaqe prej 80 me 70 metra, në veri të zonës ku janë kryer gërmimet fillestare.

Pamjet e publikuara më 13 gusht tregojnë arkeologët duke punuar në parcela të ndara, ndërsa ekipet synojnë të zbulojnë struktura që lidhen me jetën publike, si edhe gjurmë banesash të thjeshta.

Sipas Ersoyt, rezultatet e sondazheve paraprake kanë ngritur pritshmëri për zbulime të reja që mund të hedhin më shumë dritë mbi mënyrën e organizimit të komuniteteve njerëzore në këtë periudhë të hershme të historisë.

Paralelisht, në zonën e vjetër të Göbeklitepes vazhdojnë punimet për restaurimin dhe ruajtjen e strukturave të zbuluara. Pjesë e objekteve të gjetura po vendosen në pozicionet e tyre origjinale, ndërsa muret po përforcohen dhe obeliskët po mbrohen nga lëkundjet përmes përdorimit të litarëve prej çeliku.

Göbeklitepe konsiderohet një prej dëshmive më të hershme të arkitekturës monumentale të njohur deri më sot dhe vazhdon të jetë një pikë kyçe për studimin e jetës së njerëzve mijëra vite përpara qytetërimeve të para urbane./mxh

  •  

18:27 Gjykata Kushtetuese e Francës rrëzon ndalimin e rrjeteve sociale për nën 15 vjeç

Gjykata Kushtetuese e Francës ka bllokuar ligjin që ndalonte aksesin në rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç, duke e konsideruar atë në kundërshtim me garancitë kushtetuese, përfshirë lirinw e shprehjes.
Në vendimin e saj, Gjykata argumenton se zbatimi i ndalimit do ti detyronte edhe të rriturit tw provonin moshën për të aksesuar platformat online.
Sipas saj, ligji nuk percakonte qartë kushtet dhe kufijtë e këtij verifikimi, duke mos ofruar garanaci tël mjaftueshme ligjore për mbrojtjen e të drejtave themelore.
Ligji ishte miratuar nga Parlamenti francez dhe synonte të ndalonte përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit nën 15 vjeç. Franca do të bëhej vendi i parë europian me një kufizim të tillë, pas Australisë, e cila në dhjetor të vitit 2025 vendosi ndalimin e aksesit në disa platforma për të miturit nën 16 vjeç./mxh

  •  

17:59 Shenjat e horoskopit që po e ndiejnë më fort sezonin e prapavijave të verës 2026

Gjashtë shenja të horoskopit po përjetojnë më intensivisht ndikimin e sezonit të prapavijave të verës 2026. Me Plutonin, Neptunin, Saturnin dhe Kironin në prapavijë, kjo periudhë mund të sjellë ndryshime të forta, sidomos në marrëdhënie dhe në mënyrën se si e shohim veten.

Edhe pse zakonisht flitet më shumë për Merkurin në prapavijë, këtë verë edhe planetët e tjerë po sjellin një periudhë të ngarkuar emocionalisht. Gjithsesi, duket se ndryshimet që po ndodhin tani mund të kenë një ndikim pozitiv në planin afatgjatë.

1. Demi

Kironin në prapavijë e ke në shenjën tënde, Dem, ndaj kjo periudhë mund të ndihet veçanërisht intensive. Jeta sentimentale po kalon një rishikim të plotë, pavarësisht nëse je beqar/e apo në një lidhje. Nuk je më i/e gatshëm/me të pranosh më pak nga sa meriton.

Nëse deri tani je kapur pas dikujt që të ka dhënë vetëm thërrime vëmendjeje, mund të fillosh ta humbasësh interesin. Ajo kimi për të cilën ke këmbëngulur mund të mos të duket më njësoj. Nëse je beqar/e, mund të shfaqet dikush që të trajton në një mënyrë krejt tjetër dhe të ndryshon mënyrën se si e ke perceptuar dashurinë.

2. Akrepi

Për ty, Akrep, sezoni i prapavijave të verës 2026 nuk është domosdoshmërisht i lehtë, por mund të jetë thellësisht shërues. Marrëdhëniet që krijon gjatë muajve të ardhshëm mund të të bëjnë të shohësh më qartë veten dhe modelet që përsërit në dashuri.

Nëse ke pasur vazhdimisht lidhje me njerëz emocionalisht të paarritshëm, mund të kuptosh më në fund pse ke zgjedhur të njëjtin model dhe të vendosësh ta ndërpresësh.

Kjo mund të çojë edhe në një ndarje. Por nëse ndodh, mund të jetë pikërisht ajo që të duhet për të lënë pas të shkuarën dhe për t’i hapur rrugë një lidhjeje më të mirë.

3. Luani

Me Diellin dhe Jupiterin në shenjën tënde, je në një periudhë ku po afrohesh gjithnjë e më shumë me versionin tënd më autentik, Luan. Sezoni i prapavijave duket se po e përshpejton këtë proces.

Mund të lodhesh duke u shtirur sikur gjithçka është në rregull, kur në të vërtetë nuk është. Po bëhesh më i/e sinqertë me emocionet e tua dhe kjo mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në jetën sentimentale.

Nuk është e thënë që personi i ri të jetë një i panjohur që takon rastësisht. Për shumë prej jush, mund të jetë një admirues i fshehtë që më në fund vendos të tregojë ndjenjat. Sapo të lejosh të tjerët të shohin versionin tënd të vërtetë, jeta sentimentale mund të marrë një kthesë të fortë.

4. Ujori

Duhet ta pranosh, Ujor: ke pasur frikë të biesh në dashuri. Edhe kur ke dalë në takime apo ke krijuar lidhje, një pjesë e jotja ka qenë gjithmonë gati të largohej, nga frika se personi tjetër do të të lëndonte ose do të të braktiste.

Por këtë verë mund të fillosh ta lësh pas këtë frikë. Nuk do të lejosh më që pasiguritë dhe ankthi rreth marrëdhënieve të të pengojnë.

Nëse je beqar/e, kjo është interesante. Mund të tërheqësh dikë që të jep siguri emocionale që në fillim. Dhe pikërisht kjo mund të të duket e pazakontë, sepse nuk je mësuar me një marrëdhënie ku nuk duhet të jesh vazhdimisht në pritje të momentit kur gjithçka do të shkojë keq.

5. Virgjëresha

E ke bindur veten se dashuria nuk është për ty, Virgjëreshë. Ndoshta mendon se nuk do ta takosh kurrë personin e duhur ose se mundësia jote ka kaluar tashmë.

Por kjo periudhë mund të të bëjë ta shohësh ndryshe situatën. Mund të shfaqet dikush që të ndryshon plotësisht bindjet që ke krijuar për dashurinë.

Personi mund të mos jetë nga vendi yt dhe lidhja mund të nisë në distancë. Dikur kjo mund të kishte qenë një arsye e mjaftueshme për ta refuzuar menjëherë, por këtë herë mund t’i japësh një mundësi. Dhe mund të zbulosh se një dashuri e qëndrueshme mund të vijë pikërisht nga një situatë që më parë nuk do ta kishe marrë kurrë në konsideratë.

6. Bricjapi

Një marrëdhënie e kaluar të ka lënduar shumë, Bricjap, dhe që atëherë je bërë më i/e kujdesshëm/me në dashuri. Ke ngritur mure rreth vetes dhe ke larguar njerëz që mund të të ishin afruar.

Por kjo periudhë mund të fillojë t’i shkrijë ngadalë ato mure. Nëse je beqar/e, mund të ndihesh më i/e hapur ndaj romancës dhe flirtit. Madje mund të jesh i/e gatshëm/me të tregosh edhe anën tënde më të brishtë, diçka që nuk e bën lehtësisht.

Nëse je në një lidhje, mund të rikthehet loja, afërsia dhe pasioni që ndoshta ishin zbehur. Nuk do të jesh më duke pritur vazhdimisht që diçka të shkojë keq. Mund të fillosh t’i besosh sërish zemrës dhe kjo mund të ndryshojë mënyrën se si e përjeton dashurinë./mxh

  •  
❌