Reading view

Një drejtësi e pakontrolluar që kërkon shtyp të kontrolluar

Nga Mero Baze

Më në fund, ndodhi ajo që kam një muaj që e paralajmëroj. Nënkryetari i GJKKO-së, Erion Bani, ka bërë publik formularët e akreditimit për gazetarë që duan të ndjekin procese gjyqësore, të cilët janë më të vështirë për t’u kualifikuar se formularët që kërkojnë vizë për Korenë e Veriut.

Gazeta Tema ka një muaj që i ka kërkuar Erion Banit me shkrim rregulloren e hartuar prej tij dhe Gjykatës dhe nuk ka denjuar të kthejë as përgjigje. Ky që të kërkon dhe ditëlindjen e gjyshes në akreditim, nuk denjon të të dërgojë as marrëzitë që vetë i ka bërë dhe ka publikuar kundër lirisë së shtypit dhe lirisë profesionale të avokatëve.

E keqja më e madhe është se përmes këtyre formularëve ata synojnë të krijojnë një sistem administrativ për të përcaktuar se kush konsiderohet gazetar, se kush mund të raportojë rregullisht nga gjykata, çfarë dokumentesh duhet të paraqesë, për sa kohë mund të raportojë dhe në çfarë rrethanash mund t’i hiqet kjo mundësi.

Pra, një administratë gjykate i jep vetes kompetenca kushtetuese përballë një gazetari.

Neni 22 i Kushtetutës garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit dhe ndalon censurën paraprake. Neni 23 garanton të drejtën e informimit. Ndërsa neni 17 përcakton se kufizimi i këtyre të drejtave mund të vendoset vetëm me ligj, për një interes publik dhe në mënyrë proporcionale.

Rregullorja e brendshme nuk ka fuqi t’i shfuqizojë këto ligje. Ajo thjesht mund të organizojë kontrollin fizik në hyrje, pajisjen me kartë gazetari, vendet ku qëndrojnë kamerat, kapacitetin e sallës dhe masat konkrete të sigurisë.

Erion Bani nuk mund të krijojë kushte të reja juridike për ushtrimin e profesionit të gazetarit dhe as të krijojë me mendjen e tij kategori njerëzish që lejohen ose nuk lejohen të informojnë publikun. Këto janë kufizime të së drejtës themelore dhe duhet të kenë bazë të qartë në ligj, jo vetëm në një rregullore administrative.

Konkretisht, formulari kërkon të verifikojë dhe të certifikojë statusin profesional të gazetarit, çka nuk është detyrë e tyre.

Në Shqipëri nuk ekziston një urdhër profesional i detyrueshëm i gazetarëve dhe as një licencë shtetërore për ushtrimin e gazetarisë. Gjykata nuk ka kompetencë të vendosë vetë se sa artikuj, sa muaj pune ose çfarë marrëdhënieje kontraktore duhet të ketë dikush që të njihet si gazetar.

Liria e informacionit u përket të gjithëve, jo vetëm punonjësve të mediave tradicionale. Kjo përfshin edhe gazetarët e pavarur, blogerët, autorët, studiuesit dhe aktorët e tjerë që kryejnë funksionin e “rojtarit publik”.

E vetmja e drejtë e gjykatës është të verifikojë identitetin e personit që hyn në godinë dhe jo biografinë profesionale të tij.

Nga ana tjetër, akreditimi, sipas gjykatës, nuk përbën autorizim për filmim, fotografim apo transmetim dhe këto lejohen “me autorizimin e organit kompetent”.

Ndalimi në parim për të filmuar dhe pastaj dhënia selektive e autorizimeve nga administrata e gjykatës përmbys parimin e lirisë së shtypit dhe barazisë para ligjit për gazetarët dhe krijon mundësi që gjykata të prodhojë vetë pamjet që dëshiron dhe t’ua shpërndajë mediave, duke zëvendësuar raportimin e pavarur me material institucional.

Edhe më absurd është detyrimi që ka gazetari për të respektuar rregullat e “sigurisë, rendit, solemnitetit dhe sjelljes”. Sa i përket sigurisë dhe rendit, ato duhet të saktësohen me rregulla konkrete, kurse “solemniteti” dhe “sjellja” janë nocione subjektive dhe ato mund të përdoren kundër gazetarëve që bëjnë pyetje të padëshiruara, komente kritike dhe raportime që cenojnë imazhin e gjykatës.

Pra, është e rëndësishme që kufizimi të jetë i qartë, i parashikueshëm dhe i mbrojtur nga arbitrariteti me ligj, dhe jo një sistem që kënaq dëshirat e kryetarit të Gjykatës për të mos u bezdisur nga shtypi.

Ky rrezik shfaqet më së miri në formularin që parashikon se akreditimi mund të pezullohet ose revokohet për të dhëna të pasakta, shkelje të solemnitetit dhe shkelje të “kushteve të akreditimit”, duke e kthyer këtë në një mekanizëm të ndëshkimit selektiv.

Akoma më absurde është kërkesa për “Dokumente të tjera mbështetëse”, çka i jep administratës së gjykatës mundësinë t’i kërkojë një gazetari dokumente që nuk ia kërkon një tjetri.

Gazetaria, sidomos raportimi gjyqësor, lidhet me ngjarje konkrete që nuk i prodhojnë gazetarët, por lidhen me natyrën specifike të gjykatave dhe askush nuk mund të parashikojë afate se kur do ndodhë një krim apo kur do gjykohet ai. Duke vendosur afate paraprake, gazetari mund të humbasë të drejtën e akreditimit para një seance gjyqësore, duke u kthyer në mekanizëm censure.

Një aspekt skandaloz i rregullores është trajtimi i gazetarëve si kriminelë, duke mbledhur të dhëna personale të tyre që tejkalojnë të dhënat e nevojshme për t’u identifikuar, të cilat mund të kufizohen tek paraqitja e ID-së bashkëngjitur kartës së gazetarit.

Përse i duhet gjykatës adresa ime private apo kopja e ID-së, për më tepër që asnjë nga këto kërkesa nuk mbështetet në ndonjë bazë ligjore? Dhe, si për ta çuar në ekstrem shkeljen për të dhënat personale, gjykata deklaron se të dhënat ruhen gjatë vlefshmërisë së akreditimit dhe edhe një vit pas përfundimit të tij, për “qëllime administrative, sigurie, auditimi dhe verifikimi institucional”.

Përse nevojitet pikërisht një vit dhe cilat të dhëna ruhen gjatë atij viti? Kush janë këta persona që kanë akses në një dosje me të dhëna personale vetëm se unë, si gazetar, kam shkuar një herë të ndjek një seancë në gjykatë? U duhet të më gjejnë shtëpinë nëse su pëlqejnë shkrimet?

Ky është një mekanizëm që krijon efekt frikësues paraprak. Gazetari kritik e di se administrata e institucionit për të cilin raporton kontrollon njëkohësisht edhe kartën e tij të hyrjes.

Ky konflikt është veçanërisht i rëndë te GJKKO-ja, ku proceset lidhen me pushtetarë, gjyqtarë, prokurorë, krim të organizuar dhe korrupsion të nivelit të lartë. Pikërisht aty ku puna e gazetarit ka të bëjë me kontrollin e publikut mbi pushtetin, kemi një mekanizëm që forcon kontrollin e pushtetit mbi gazetarët.

Arsyeja e vetme është mosballafaqimi i punës së drejtësisë së re me ligjin. Tani kemi kaluar nga kultura e mosndëshkueshmërisë së politikës nga drejtësia, tek kultura e një politike të re të drejtësisë së pandëshkueshme kur shkel ligjin.

Ata janë trimëruar se kanë kuptuar që janë një pushtet i pakontrolluar, i pakufizuar, i pandëshkueshëm dhe, mbi të gjitha, i paprekshëm për shkak të betejave të tyre populiste, të cilat rrezikohen të dalin fiasko nëse seancat bëhen publike dhe nëse ata shfaqin inkompetencën e tyre para publikut në procese gjyqësore. Është e gjitha një kompleks inferioriteti i njerëzve të paaftë të drejtësisë, që duan të jenë represivë, arbitrarë dhe të paaftë njëkohësisht.

Disa organizata gazetarësh po bashkërendojnë padinë e tyre për në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu dhe Dhoma e Avokatëve. Shpresoj që Gjykata Kushtetuese të reagojë sa më parë për ta ndalur këtë marrëzi, e cila do ta turpërojë Shqipërinë në Strasburg shumë shpejt dhe bashkë me të dhe ata që duan të bëjnë sikur gëzohen për drejtësinë e re shqiptare, e cila në fakt është një fëmijë që ka lindur i vdekur.

  •  

Përpjekje për të gjetur alibi për lirimin e mundshëm të Veliajt

Nga Mero Baze

Ka një përpjekje për të relativizuar padrejtësinë e paraburgimit për Erion Veliajn, qoftë dhe duke e paraqitur si nevojë për t’u kthyer në krye të Bashkisë. Ky është një relativizim i padrejtësisë juridike dhe politike ndaj tij. Dikush që është kryebashkiak apo ministër, apo në çfarëdo pozicioni tjetër, mund të arrestohet nëse provat që ka në dorë prokuroria janë bindëse dhe ai shkon për gjykim.

Paraburgimi i Erion Veliajt nuk bazohet as në prova bindëse për dikë që duhet paraburgosur dhe as në ndonjë flagrancë që e bën të domosdoshëm arrestimin e tij. Erion Veliaj është paraburgosur vetëm nga vullneti i prokurorëve të SPAK për të bërë politikë. Dhe për të treguar mbi të gjitha se janë ata që bëjnë politikën dhe jo qytetarët.

Arrestimi është bërë bazuar në një letër anonime me tre paragrafë, shkruar nga një dorë injoranti, që i kanë vënë dhe emër, Nesti Angoni. Akoma dhe sot SPAK nuk e sqaron në dosje nëse ai e ka dorëzuar me dorë në SPAK këtë kërkesë apo me postë. Me shumë gjasa është një letër e nisur nga SPAK në adresë të SPAK, po të kemi parasysh dhe nivelin mjeran të “denoncimit”, që i përngjan pafuqisë për të formuluar një fjali të plotë që të ketë kuptim. Asnjë nga tre paragrafët nuk është i provuar edhe sot. Nuk është e provuar, madje as e verifikueshme, që Erion Veliaj, sipas “denoncuesit”, ka tre vila në Qerret. E vetmja që kanë verifikuar është se vjehrri i Erion Veliajt ka pasur një apartament qysh nga viti 2009 në Qerret, që nga dy dhoma e guzhinë e ka bërë tre dhoma e guzhinë më 2014, po nga prindërit e Ajola Xoxës, që kanë pasur biznes qysh nga viti 1991.

Qysh këtu bie arsyeja përse nisi hetimi për paraburgim.

Më tej, Erion Veliajt nuk iu gjet asnjë mesazh apo fakt komprometues që e lidh atë direkt me ndonjë korrupsion, përveç përrallave për fondacionin kulturor jofitimprurës të gruas së tij, që ka bërë fustane Zara për operat që ka vënë në skenë fondacioni, të cilat ia faturojnë si veshje personale asaj.

Arrestimi është qartazi vendim politik i SPAK për të treguar se ata mund të burgosin kë të duan, se faktet i gjejnë rrugës. Pas dy vitesh akoma nuk kanë asnjë fakt që të provojnë diçka për të, përveç gjyqeve popullore që bëjnë me fundërrinat që përdor SPAK për këtë qëllim.

Pasi kanë dështuar për dy vite, pas denoncimit të “Nesti Angonit”, tani po përpiqen të “mbrohen” se ai mund të lirohet për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e konsideron atë kryetar bashkie në detyrë, dhe ngrenë këtë tymnajën për mosqeverisjen e Tiranës.

Problemi i mosqeverisjes së Tiranës është real, por është pasojë. Ai nuk ka qenë objektiv i SPAK. Objektiv i prokurorëve që e kanë paraburgosur ka qenë të përfshihen në politikë dhe të diktojnë rrjedhat politike në vend.

Ky është një atentat shumë më i madh ndaj drejtësisë sesa lënia e Tiranës pa një kryebashkiak.

Tirana mund të mbetej pa kryebashkiak, nëse SPAK do kapte në flagrancë Erion Veliajn në ndonjë histori korrupsioni. Të gjitha përfoljet e fundërrinave të SPAK kanë përfunduar në kosh të plehrave dhe tani e vetmja alibi e tyre është ky versioni që atë do ta nxjerrë gjykata se ka nevojë Tirana.

Kjo është një përpjekje për të mbrojtur një vendim tërësisht antiligjor dhe një praktikë represive të SPAK, e cila ka mbetur zbuluar në dritë të diellit nga rastet e mëpasme të SPAK, kur nuk ka vepruar në të njëjtën mënyrë me figura të tjera shtetërore.

Është e qartë që është një vendim politik për të forcuar profilin politik të SPAK dhe për të bërë llogarira politike me vendimet e tyre. Njësoj si dhe me arrestimin e Ilir Metës.

Unë nuk e di se çfarë do bëjë Gjykata e Lartë tani që Gjykata Kushtetuese ia ka lënë në derë atë vendim, por vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka menaxhuar pasojat e paraburgimit dhe jo arsyen e paligjshme të paraburgimit.

Sistemi ynë i drejtësisë “së re” provoi më vonë se nuk është i gatshëm të vetëkorrigjohet apo të reflektojë ndaj standardeve të gabuara të emërimit të prokurorëve, siç ka qenë rasti i Olsi Dados. Olsi Dado u mbrojt nga sistemi jo se meritonte të bëhej prokuror, por përse e kërkon Erion Veliajn këtë gjë. Pra, ka gjykuar bazuar mbi një biografi protagonistësh dhe jo mbi fakte. Dhe ky është një sinjal akoma më i rëndë për reflektimin e drejtësisë.

Vetë Gjykata e Lartë ka hezituar të gjykojë shkeljet kushtetuese të arrestimit të Veliajt, pasi, siç shprehen nën zë drejtuesit e saj, kanë frikë gjyqin popullor ndaj tyre. Dhe ky është standardi më mizor i drejtësisë.

Drejtësia që bazohet mbi opinionin publik dhe legjitimon praktikat represive është një drejtësi më e frikësuar se viktimat e saj dhe më e paaftë se çdo drejtësi tjetër në të shkuarën në Shqipëri.

Ndaj, ajo që kërkohet nga drejtësia, si në rastin Veliaj, por dhe rastet e tjera, është vendosja e një standardi profesional për mënyrën se si qasen ndaj një akuze për korrupsion për zyrtarë të lartë, duke u bazuar fort tek provat dhe standardet përse duhet të paraburgoset një i zgjedhur dhe jo se çfarë thashethemesh mund të ngjallë vendimi i tyre.

Gjykata e Lartë është përgjegjëse për çfarë ka bërë dhe, ashtu siç e thotë dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ajo ka hezituar të gjykojë shkeljet kushtetuese në arrestimin e tij.

Këto përpjekje për të justifikuar lirimin e mundshëm të tij janë përpëlitjet e fundit të atyre që janë përgjegjës për mbajtjen e tij në burg, që të justifikojnë punën e tyre.

Çfarëdo vendimi që të marrë Gjykata e Lartë është një vendim që gjykon Gjykatën e Lartë dhe jo Erion Veliajn. Dhe çdo përpjekje për të hequr nga vetja përgjegjësinë tregon se kemi një drejtësi shumë më të frikësuar dhe jo të pavarur nga SPAK dhe biografia e tyre. Të tjerat janë thjesht përgatitje për t’u shfajësuar për një faj që e kanë bërë me vetëdije të plotë, në kushtet e përpjekjes së drejtësisë së re për të diktuar me politikat e saj mbi politikën shqiptare. Pavarësia e saj nga politika, të cilën ia dha vetë politika shqiptare me votimin unanim, i ktheu ata vetë në një pol politik, përmes të cilit duan të diktojnë dhe jo të hetojnë dhe gjykojnë. Nuk e kanë atë mandat dhe sa më shpejt të ndahen nga kjo praktikë, aq më mirë do të jetë dhe për të ardhmen e tyre dhe për drejtësinë në Shqipëri.

  •  

Përgatitje qesharake për triumfalizëm

Nga Mero Baze

Genc Pollo ishte përpjekur të bënte humor. Ngaqë është një sport që s’e ka ushtruar kurrë, natyrisht është keq në këtë drejtim.

Kishte marrë një foto të ambasadores Yuri Kim dhe kishte tentuar të prodhonte një meme, sikur ajo po priste në aeroport në New York Sali Berishën, që ka nisur fushatën e dytë të përgatitjeve për marrjen e vizës, pas përpjekjes së tij të parë për të marrë vizë mjekësore si i sëmurë me prostatë speciale. Tani po përpiqet të marrë vizë për një mbledhje republikanësh ndërkombëtarë në SHBA, duke qenë se është lider i pazëvendësueshëm i së djathtës botërore, duke qëndruar 36 vjet kryetar partie.

Ana komike e gjithë kësaj përgatitjeje për triumfalizëm është se Sali Berisha është shpallur “non grata” nga SHBA-të dhe vazhdon të jetë “non grata”. Nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimin zyrtar të SHBA-ve ndaj tij. Brenda këtij sanksioni të përjetshëm ka vetëm një lehtësi, që ti mund të shkosh në SHBA me vizë speciale nëse vuan nga një sëmundje që mund të shërohet vetëm në SHBA, nëse ftohesh në OKB, duke qenë se ajo ka ekstraterritorialitet brenda SHBA-ve, apo nëse ftohesh në ndonjë ngjarje ndërkombëtare për arsye të rëndësisë që ke si politikan në vendin tënd.

Berisha ka provuar sëmundjen, por me sa duket nuk ia kanë quajtur. I kanë thënë që prostata mjekohet dhe në Evropë. Tani po tenton të bëhet republikan si Fatmir Mediu. Ndoshta ka shans ta provojë dhe atë punën e ftesës nga OKB, siç e bënte Fidel Castro, se ai e përdorte atë klauzolë.

Kjo as ia heq “non grata”-n, as e bën atë lider të pranueshëm për SHBA dhe Britaninë e Madhe, dy vendet që e kanë shpallur ligjërisht “non grata”. Por e bën vizitor disa ditor në SHBA, ku mund të takojë Hilmi Bershën nga Vatra dhe ate tropojanin qe ka paguar 6 milione diolalre per vizen.

Por nëse një ditë do t’i jepej mundësia ta lexojë dosjen e tij në Uashington dhe arsyet përse është shpallur “non grata”, shumica e faqeve janë të mbushura nga denoncimet e Genc Pollos. Ai e ka denoncuar për krizën greke më 1995, për zgjedhjet më 1996, për lidhjet islamike në vitet 1994-1998, lidhjet me Al Qaedën, pajisjen me pasaporta shqiptare të disa prej krerëve të Al Qaedës që vepronin kryesisht në Bosnjë, për përfshirjen në skemat piramidale dhe transferimin e parave të familjes së tij në SHBA (këtë e ka dhe deklaratë publike në vitin 2000) etj.

Memia më e bukur do të ishte sikur zonja Yuri Kim ta priste Berishën në Departament të Shtetit, duke i treguar dosjen dhe në faqen e parë të shfaqej firma e Genc Pollos. Pastaj fantazia për diçiturë mund të lihej e lirë dhe mund të shpjegohej dhe më qartë pse Genc Pollo tani bën sikur gëzohet nëse merr Berisha vizë për SHBA.

Berisha e ka fituar betejën me shpalljen “non grata” në partinë e tij dhe tek elektorati i tij. Ai ka arritur ta injorojë sulmin amerikan ndaj tij, duke prodhuar një parti antiamerikane në Shqipëri që mes SHBA-ve dhe tij ka zgjedhur Berishën. Kështu që nuk i bën më dëm të qenit “non grata” tek partia e tij. Dhe ai pushtetin e do vetëm mbi partinë e tij. Pushtet në Shqipëri nuk merr më.

Kujdesi i Genc Pollos për të nisur përgatitjet për triumfin e marrjes së vizës nga Berisha, duke e trajtuar atë si një emigrant me “expuls”, është një fyerje tinëzare për Berishën, nga një njeri që ka bërë boll për të qenë në atë pozitë që është sot Berisha, së paku në raport me SHBA. Dhe ne të tjerët kemi ndihmuar, por kurrë s’ia kemi arritur dot atij.

  •  

Afati i vetëm që drejtësia shqiptare ka respektuar deri më sot!

Nga Mero Baze

Gjykatat shqiptare janë ndoshta institucionet më të mësuara me shkeljen e afateve ligjore. Nëpër sirtarët e tyre presin mijëra dosje të pagjykuara, ndërsa qytetarët kalojnë vite të tëra duke pritur një seancë gjyqësore, arsyetimin e ndonjë vendimi apo ekzekutimin e tij.

Ka procese civile që zgjasin aq shumë, sa prona për të cilën zhvillohet gjyqi kalon nga prindërit te fëmijët. Ka çështje penale që zvarriten derisa humbet kuptimi i dënimit. Ka qytetarë që presin drejtësinë derisa humbasin pronën, biznesin, vendin e punës, shëndetin dhe, ndonjëherë, edhe jetën.

Vetë Këshilli i Lartë Gjyqësor e pranon ekzistencën e stokut të çështjeve të prapambetura dhe rrezikun që kjo situatë i shkakton së drejtës kushtetuese për gjykim brenda një afati të arsyeshëm. Edhe në vitin 2026, KLGJ-ja dhe Komisioni Evropian vazhdojnë ta rendisin uljen e stokut të dosjeve ndër problemet kryesore të sistemit gjyqësor.

Por asnjë qytetar nuk ka marrë vetë një vendim në favorin e tij vetëm sepse gjykata i ka shkelur afatin.

Nuk di ndonjë rast kur një pronar ka hyrë në pronën për të cilën pret prej vitesh vendimin përfundimtar, duke deklaruar se, meqë gjykata nuk vendosi në kohë, ai do ta zgjidhë vetë çështjen.

Nuk di që ndonjë i pandehur të jetë shpallur vetë i pafajshëm vetëm sepse procesi ndaj tij është zvarritur përtej çdo afati të arsyeshëm.

Nuk njoh ndonjë biznesmen që ka urdhëruar vetë shtetin ta dëmshpërblejë, vetëm sepse gjykata nuk arriti ta shqyrtonte në kohë padinë e tij.

Qytetarëve u thuhet të presin, të ankohen, të ndjekin shkallët e gjykimit, të kërkojnë konstatimin e shkeljes së afatit, të paraqesin një kërkesë tjetër, e cila mund të presë përsëri në një gjykatë tjetër, e kështu deri në ferr.

Ka vetëm një rast kur shkelja e afatit nuk u tolerua. Gjykata Kushtetuese i kishte lënë Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për të miratuar formulën e re të pagave të magjistratëve dhe më 30 korrik projektligji u depozitua në Kuvend, por nuk u arrit të futej në rend dite, se Kuvendi nisi pushimet.

Ndryshe nga qytetarët që durojnë prej vitesh shkeljet e afateve nga gjykatat, gjyqtarët tanë nuk pritën që Kuvendi të mblidhej dhe të miratonte ligjin. KLGJ dhe GKKO, institucionet që administrojnë një sistem rekordmen për shkeljen e afateve, e konsideruan shkeljen e një afati që lidhej me pagat e veta si një gjendje të jashtëzakonshme, e cila i jepte të drejtën të merrte kompetencat e Kuvendit.

Ky është standardi i dyfishtë që e bën skandalin edhe më të rëndë.

Shkelja e një afati të vendosur nga një gjykatë për Parlamentin nuk është burim kompetence për “viktimën”, që në këtë rast ishin gjyqtarët.

Ashtu siç vonesa e një gjykate nuk i jep të drejtë qytetarit ta shkruajë vetë vendimin, vonesa e Kuvendit nuk i jep të drejtë drejtësisë ta shkruajë vetë ligjin për pagat e veta.

Lajmi i mirë është që ata e kuptokan rëndësinë e një afati për zbatimin e një ligji, por e kuptojnë vetëm kur është në interes të tyre. Për mijëra qytetarë që po vdesin pa marrë drejtësi, nuk janë shqetësuar kurrë.

I vetmi afat që ata njohin për t’u zbatuar është afati që ata presin t’u rriten rrogat, sa të duan ata dhe kur të duan ata.

  •  

Kryengritje e drejtësisë “së re” kundër shtetit për pagat e veta

Nga Mero Baze

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar një vendim me të cilin përcakton pagën e re referuese të gjyqtarëve. Vendimi urdhëron që formula e re të zbatohet nga 1 gushti 2026 dhe që pagat të rillogariten edhe për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026. Diferencat e prapambetura parashikohet të përballohen nga Buxheti i Shtetit dhe të paguhen gjatë viteve 2027 dhe 2028.

Në të njëjtën linjë, zëvendëskryetari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Erjon Bani, ka përgatitur një projekturdhër për ta kthyer këtë interpretim në listëpagesë konkrete. Ai përcakton të njëjtën bazë prej 236 425 lekësh, urdhëron rillogaritjen e pagave nga prilli i vitit 2023, njeh si detyrim edhe shumat për të cilat gjykata nuk ka fonde dhe ia kalon KLGJ-së e Ministrisë së Financave përgjegjësinë për sigurimin e parave.

Dokumenti i Banit zgjedh vet kategorinë referuese, përcakton vet elementet e pagës, nxjerr vet shumën përfundimtare, vendos vet datën e zbatimit dhe krijon detyrimin financiar, duke u sjellë si një ligjvënës dhe ministër Financash njëkohësisht.

Për herë të parë, një organ vetëqeverisës i sistemit të drejtësisë së re merr njëkohësisht atribute të pushtetit legjislativ dhe të atij ekzekutiv, përcakton vetë pagën, llogarit faturën dhe më pas i kërkon qeverisë të gjejë paratë.

KLGJ-ja është organi vetëqeverisës i gjyqësorit. Ajo emëron, promovon, transferon dhe disiplinon gjyqtarët, administron sistemin e gjykatave dhe përgatit kërkesat e tij buxhetore. Por KLGJ-ja administron pushtetin gjyqësor sipas ligjit, por nuk prodhon ligje për pushtetin gjyqësor.

Ligjet që përcaktojnë pagat dhe krijojnë detyrime për Buxhetin e Shtetit miratohen nga Kuvendi. Qeveria dhe institucionet e tjera i zbatojnë ato. Gjykatat kontrollojnë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e tyre. Ky është parimi elementar i ndarjes së pushteteve.

Po si mbërritëm në këtë marrëzi të re të pushtetit të drejtësisë?

Gjykata Kushtetuese, me vendimin e 17 shkurtit 2026, konstatoi se ngrirja e pagave të magjistratëve, ndërkohë që ishin rritur pagat e kategorive të tjera të administratës dhe paga e Presidentit, përbënte një “ulje të fshehtë” të pagës së tyre. Për këtë arsye, ajo shfuqizoi formulën e miratuar në vitin 2023 dhe i la Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për të miratuar një formulë të re.

Më 9 korrik 2026, qeveria ndryshoi VKM-në nr. 325 të vitit 2023 për strukturën dhe nivelet e pagave të administratës publike. Ky vendim nuk caktoi pagat e gjyqtarëve. Ai përcaktoi dhe përditësoi pagat e kategorive të administratës.

Më 30 korrik, një ditë përpara përfundimit të afatit të vendosur nga Kushtetuesja, deputetët socialistë Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli depozituan në Kuvend një projektligj tjetër. Ata propozuan që paga e magjistratëve të vazhdonte të lidhej me pagën e Presidentit të Republikës, por koeficienti të rritej nga 0,36 në 0,38.

Me pagën e Presidentit prej 425 mijë lekësh, formula socialiste e çon pagën referuese të magjistratit në 161 500 lekë. Projektligji parashikon që kjo formulë të ketë efekt prapaveprues nga 1 prilli 2023.

Mosveprimi i Kuvendit krijoi boshllëkun që po keqpërdoret nga Erjon Bani dhe KLGJ-ja. Por axhenda e shtyrë e Kuvendit nuk e shndërron automatikisht KLGJ-në në Kuvend dhe as Erjon Banin në ministër Financash. Kompetencat kushtetuese nuk transferohen nga një pushtet te tjetri vetëm sepse institucioni përgjegjës nuk ka vepruar brenda afatit.

KLGJ-ja mori nga tabela e qeverisë kategorinë e lartë drejtuese dhe pagën për pozicion prej 222 425 lekësh. Më pas i shtoi 14 mijë lekë për nivelin e kualifikimit dhe e shpalli shumën 236 425 lekë si pagën referuese bazë të magjistratit.

Pra, KLGJ-ja vendosi që vet një pagë të bëhej referencë për gjyqtarët.

Diferenca ndërmjet dy alternativave është e madhe. Projektligji socialist propozon një bazë prej 161 500 lekësh, ndërsa KLGJ-ja miraton 236 425 lekë, pra 74 925 lekë më shumë vetëm në pagën referuese, pa përfshirë shtesat që llogariten mbi të.

Vetë ekzistenca e këtyre dy formulave provon se nuk kemi të bëjmë me një përllogaritje automatike të diktuar nga Gjykata Kushtetuese. Nëse zgjidhja do të ishte vetëm matematikore, nuk mund të dilnin nga i njëjti vendim kushtetues dy paga kaq të ndryshme.

Kuvendi, përmes projektligjit socialist, zgjodhi pagën e Presidentit dhe koeficientin 0,38, kurse KLGJ-ja zgjodhi funksionarin e administratës së lartë, bëri ekuivalentimin me kategorinë përkatëse, përfshiu shtesën e kualifikimit dhe përcaktoi një shumë përfundimtare shumë më të lartë. Pra në përpjekje për të nxjerrë një akt administrativ, KLGJ-ja ka bërë rolin e ligjvënësit, që nuk është kompetencë e saj.

KLGJ-ja ka bërë dhe një spekullim tjetër të rënd, pasi ka marrë formulën që Gjykata Kushtetuese kishte parashikuar për detyrimet e së shkuarës dhe e shndërroi në formulë të përhershme për pagat pas 1 gushtit 2026. Këtë nuk e ka vendosur shprehimisht Gjykata Kushtetuese. Këtë e ka vendosur vetë KLGJ-ja.

Edhe më problematike është mënyra se si krijohet fatura. Fillimisht KLGJ-ja përcakton pagën dhe urdhëron nisjen e pagesave. Më pas kërkon përllogaritjen e efekteve dhe sigurimin e fondeve nga Ministria e Financave. Madje parashikon që diferencat të shlyhen gjatë viteve 2027 dhe 2028, edhe pse buxhetet e këtyre viteve ende nuk janë miratuar nga Kuvendi.

Pra, një organ administrativ i gjyqësorit krijon një detyrim financiar shumëvjeçar dhe pastaj ia dërgon faturën qeverisë dhe taksapaguesve.

Për këtë skandal nuk mjafton vetëm debati publik. Anëtarët e KLGJ-së që e kanë propozuar dhe votuar aktin duhet të kallëzohen penalisht, në mënyrë që SPAK-u të verifikojë nëse kemi të bëjmë me tejkalim të qëllimshëm të kompetencave dhe shpërdorim të detyrës për krijimin e një përfitimi financiar në favor të sistemit që ata përfaqësojnë.

Pushteti ligjvënës i takon Kuvendit. Edhe Gjykata Kushtetuese, autoriteti më i lartë i kontrollit kushtetues, mund të shfuqizojë dispozitat që bien ndesh me Kushtetutën dhe të japë interpretimin përfundimtar të saj, por nuk mund të miratojë vetë dispozita të reja ligjore. Aq më pak mund ta bëjë këtë KLGJ-ja me një vendim administrativ.

Nëse një organ pa kompetencë cakton pagat e sistemit të vet, krijon detyrime shumëvjeçare për Buxhetin e Shtetit dhe ia paraqet faturën qytetarëve, atëherë kemi një uzurpim kompetencash dhe përdorim të funksionit publik për përfitim financiar.

Këtë po e bëjnë publikisht KLGJ-ja dhe GJKKO-ja. Mendoj që më pas do ta bëjnë edhe KLP-ja dhe prokurorët. Pra, do të kemi një kryengritje të drejtësisë kundër shtetit për pagat e veta dhe shkelësit e ligjit janë ata që paguajmë për të na mbrojtur me ligj ne si qytetarë dhe vetë shtetin.

  •  

Betejë teknologjike kundër korrupsionit

Nga Mero Baze

E gjitha çfarë po përpiqet të bëjë Edi Rama si kryeministër, është t’ua heqë qytetarët nga duart njerëzve të tij në pushtet. Sido që e zbukuron, apo e vë në gojë të Diellës platformën e tij të re, thelbi i asaj që po bën është të shpëtojë qytetarët shqiptarë nga të punësuarit e tij në shtet.

Dhe mekanizmi kryesor që po vë në jetë këtë projekt nuk është mekanizëm politik, por teknologjik.

Në qendër të projektit transformues të marrëdhënieve të qytetarëve me pushtetin, është vendosur digjitalizimi i shërbimeve dhe shkëputja e fatit të qytetarëve nga vullneti i njerëzve të shtetit që u nxijnë jetën qytetarëve.

Gangrena kryesore e shtetit, për fat të keq, janë inspektorët e shtetit, ata që duhet të vendosin ligjshmërinë. Ata nuk kanë objektiv ruajtjen e ligjshmërisë, por plotësimin e gjobave nën dorë në muaj. Pas tyre vijnë agjencitë e pavarura shtetërore që janë kthyer në ente private biznesi dhe e orientojnë tregun rreth interesave të njerëzve që i drejtojnë. Pas çdo udhëzimi apo VKM-je që del si propozim i tyre, qëndron një biznes apo një grup interesi që e ka nxitur të përdorë shtetin për përfitimet e veta. Rastet janë pa fund në sytë e publikut.

Në krye të sadizmit ndaj qytetarëve qëndrojnë agjencitë për të cilat qytetarët kanë më shumë nevojë për shërbime, si Hipotekat, ujësjellësi, OSHEE, e me radhë, sipas shkallës së kontaktit që kanë me qytetarët.

Secili inspektor apo agjenci e madhe shërbimesh, shpik rregullat e veta jo vetëm si mos t’i shërbejë qytetarit, po si ta kapë atë në rrjetin e merimangës që krijojnë për të mos dalë më i gjallë prej andej pa paguar.

Reforma e propozuar nga Edi Rama është e sigurt që do të zgjidhë një pjesë të problemeve. Shumë nga shërbimet e digjitalizuara kanë shpëtuar qytetarët nga bashkia. Fjala vjen, marrja e certifikatave ka qenë një horror për qytetarët shqiptarë. Nuk ekziston më. Si ajo ka dhjetëra shërbime të tjera te e-Albania, siç është pagesa e taksave, prenotimi i shërbimeve etj.

Gjurmimi i kërkesave për shërbim mund ta çojë më para këtë proces. Aktualisht një nga masakrat që bëhet mbi qytetarin janë shërbimet gjysmë digjitale, siç është hipoteka, ku ti ke të drejtë të aplikosh, por nuk ke të drejtë të marrësh as përgjigje, as shërbim. Së paku nja katër herë do të vijë një përgjigje që duhet dhe një dokument tjetër dhe duhet të aplikosh katër ose pesë herë për një shërbim, duke paguar katër herë shtetin për një shërbim, duke u ndëshkuar jo për fajin tënd, por për torturën që të bën hipoteka.

A thua se hipoteka është zyrë taksash dhe ka objektiv të rrisë të ardhurat duke gjobitur qytetarët me pagesa paraprake për shërbime që nuk i merr.

Pas gjysmë shërbimeve digjitale vijnë pastaj shërbimet direkte që kanë të bëjnë me aplikime për shërbime nga agjencitë shtetërore, si ato për ujë, drita, gjoba të gabuara etj.

Shpresoj se teknologjia mund të avancojë dhe në këtë drejtim.

E gjithë kjo mund ta bëjë shtetin më pak represiv ndaj qytetarit, por kjo nuk është një fitore politike. Kjo është një dëshmi e pafuqisë për ta ndryshuar politikisht këtë sistem, është një dorëzim para pafytyrësisë dhe korrupsionit në pushtet. Ata do të vazhdojnë të jenë aty pas kompjuterave për të gjetur hilet e vogla që shembin reformat e mëdha të teknologjisë digjitale që synon t’i shpëtojë qytetarët prej tyre.

Beteja kundër korrupsionit duhet fituar një herë politikisht dhe pastaj duhet modernizuar shteti. Mund të bëhen dhe të dyja njëkohësisht, por aktualisht duket se Edi Ramën e kanë lënë nervat të merret me njerëzit që e rrethojnë dhe po merret me kompjuterat. Ata mund ta bëjnë punën shkëlqyer dhe mund ta bëjnë Shqipërinë më moderne, por mund të ndodhë që të bëj dhe korrupsionin më digjital.

Beteja teknologjike kundër korrupsionit nuk mund të zëvendësojë betejën politike për reformimin e administratës.

Derisa administrata e shtetit shqiptar vazhdon ta konsiderojë ende qytetarin si klient, ndërkohë që duhet të sillej si shërbëtore e tij, çdo betejë teknologjike kundër korrupsionit është e rrezikuar nga ky virus.

  •  

Për gjithë të alarmuarit nga borderot e protestës

Nga Mero Baze

Dy ditët e fundit janë bërë publike thuajse gjithë financimet që mbulojnë drejtuesit kryesorë të protestës. I kanë bërë vetë njëri kundër tjetrit. Në shumicë, të vetëshpallur pronarë të protestës janë rrjete OJQ-sh korruptive, siç ka qenë traditë në Shqipëri, që financohen kryesisht nga rrjeti i Fondacionit Soros ose agjenci financiare, kryesisht evropiane, që mbulojnë financime në emër të medias së lirë apo kauzave të ambientit, barazisë gjinore etj. Faturat dhe borderot e publikuara tregojnë për një rrjet të mbyllur njerëzish që ndajnë paratë me njëri-tjetrin dhe tanimë menaxhojnë dhe protestën.

Ky fakt ka ngjallur shumë debate mes grupacioneve të ndryshme që mbështesin protestën, pasi ka të bëjë me atë që e quajnë grupin që menaxhon protestën, që flet në emër të saj apo që bën protokollin e protestës, dhe e quajnë këtë një arsye të fortë për të komprometuar protestën.

Nuk mendoj se protesta komprometohet nga honoraret e atyre që e drejtojnë, qofshin këto nga rrjeti i OJQ-ve të Sorosit apo agjencive të ndihmave evropiane.

Problemi i protestës është më i madh se kaq dhe shumë më dëshpërues se kaq.

Problemi i protestës është që ka përfunduar në një rrjet OJF-sh që e kanë atë mjet jetese.

Nuk është problem që ne të kishim një protestë të madhe qytetare të vërtetë dhe brenda tyre të ishin dhe këta që janë në krye. Problemi është se janë vetëm këta që bëjnë sikur ka dhe protestë.

Një protestë e vërtetë ka një lidership që prodhon politikë dhe vendos rregulla të reja në jetën politike të vendit, duke imponuar një lidership të ri, ose së paku një garniturë të re politike si ofertë për shoqërinë.

Kjo protestë është thjesht një aplikim për fonde dhe një justifikim për to. Në këtë pikë ajo është një shpërdorim i madh i energjisë qytetare për të protestuar dhe për të prodhuar një politikë të re përmes protestave.

Madje kjo është e vetmja protestë në historinë e Shqipërisë që nuk ka prodhuar jo më asnjë garniturë të re udhëheqësish, por asnjë figurë të vetme serioze. Përkundrazi, kjo ka tentuar të riciklojë gjithë mbetjet e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në 20 vitet e fundit.

Për fat të keq, në atë copë bulevardi ku sundon garnitura drejtuese e protestës është dendësia më e madhe e budallallëkut,  linçimit dhe primitivizmit për metër katror se në çdo cep tjetër të Shqipërisë.Të gjithë ata që i kanë zënë frymën protestës janë jo vetëm shumë të njohur për dështimet e tyre në politikë këto 20 vite, por janë individë që e kanë punë organizimin e protestave. Pra, është një administratë protestash, një lloj burokracie aktivistësh, që jetojnë me këtë punë.

Dhe ky është dështimi më i madh i kësaj proteste.

Në vend që të prodhonte një ose disa individë që mund të pasuronin politikën shqiptare, kjo protestë u përdor për të ricikluar gjithë të dështuarit e aktivizmit politik të 20 viteve të fundit, të cilët nuk kanë lënë parti pa provuar, që nga të mëdhatë, PS e PD, e deri tek këta të vegjlit që duan të duken të mëdhenj përmes protestës.

Prandaj mos u shqetësoni pse drejtuesit e protestës paguhen të gjithë si njerëz OJQ-sh. Patjetër që do paguhen, se kanë tre muaj që punojnë. Problemi është se ata e shikojnë protestën si punë, kurse qytetarët e shikojnë protestën si shpresë.

Nuk është shpresë. Dhe kjo është gjëja më e rëndë sesa borderot e atyre që e përdorin për të justifikuar pagat e tyre.

  •  

Beteja e Ali Këlcyrës për njohjen e bektashinjve si komunitet fetar më vete në vitin 1923

Nga Mero Baze

Debati kundër bektashinjve në politikën shqiptare është i vjetër sa vetë shteti shqiptar. Që në fillimet e tij, politikanët shqiptarë të lidhur me traditën osmane e patën bektashizmin objekt kundërshtimi, jo vetëm për shkak të rolit të madh që bektashinjtë kishin luajtur në lëvizjen kombëtare, por edhe sepse njohja e tyre si komunitet më vete dobësonte mundësinë e përdorimit politik të një bashkësie të vetme myslimane.

Bektashizmi ishte marrë në konsideratë si një nga katër bashkësitë fetare të vendit që në Kongresin e Lushnjës. Kjo u pasqyrua tërthorazi edhe në përbërjen e Këshillit të Lartë të dalë prej Kongresit, i konceptuar si një organ kolegjial prej katër vetash, ku përfaqësoheshin katër bashkësitë fetare që merreshin politikisht në konsideratë në Shqipërinë e kohës: Aqif Pashë Elbasani (Biçakçiu) — bektashi; Abdi Bej Toptani — mysliman sunit; Imzot Luigj Bumçi — katolik; dhe Dr. Mihal Turtulli — ortodoks.

Por ishte Ali Këlcyra politikani që, përmes një debati të fortë parlamentar, arriti të sanksiononte në ligj të drejtën e bektashizmit për t’u organizuar si komunitet fetar më vete.

Debati u zhvillua në Këshillin Kombëtar më 1923.

Debati për ligjin mbi komunitetet fetare (Statuti i Komuniteteve Fetare) ishte një nga debatet më domethënëse, sepse prekte drejtpërdrejt raportin midis shtetit laik dhe organizimit institucional të fesë. Thelbi i debatit lidhej me nenin 2 të projektligjit: a duhej ligji të përmendte shprehimisht komunitetet kryesore fetare që ekzistonin de facto në Shqipëri — sunizmin, bektashizmin, ortodoksinë dhe katolicizmin — apo duhej të adoptohej një formulë e përgjithshme, që të përfshinte çdo fe, sekt apo besim pa emërtim të veçantë.

Qeveria, e mbështetur nga figura si Rauf Fico, argumentonte se formulimi i përgjithshëm garantonte më mirë lirinë e ndërgjegjes dhe shmangte kufizimet e panevojshme ligjore. Sipas këtij argumenti, ligji duhej të mbulonte jo vetëm fetë ekzistuese, por edhe çdo besim të mundshëm që mund të shfaqej në të ardhmen. Formula e propozuar ishte: “Të gjitha fetë, besimet e sektet mund të organizohen në një shoqatë fetare si mbas rregullave kanonike të veta.” Kjo konsiderohej nga qeveria si mënyra më liberale dhe më fleksibël për të ruajtur neutralitetin e shtetit ndaj fesë.

Ali Këlcyra ishte partizan i përmendjes shprehimisht në ligj të komuniteteve fetare që ekzistonin de facto në Shqipëri. Mehdi Frashëri e mbështeti fort. Të dy kërkonin që ligji të mos injoronte realitetin konkret shqiptar, sidomos statusin e veçantë të bektashinjve. Frika kryesore ishte se një formulim tepër i përgjithshëm mund të lejonte interpretime administrative ose politike që, në praktikë, do të nënvlerësonin apo madje mohonin identitetin juridik të bektashizmit si komunitet më vete.

Ali Këlcyra mbajti një nga ndërhyrjet më të artikuluara dhe më politike në këtë debat, duke argumentuar se liria reale garantohej vetëm kur ligji njihte qartë subjektet ekzistuese fetare. Sipas tij, problemi nuk ishte liberalizmi, por rreziku që formulat e paqarta të krijonin interpretime arbitrare.

Ali Këlcyra: Z. Kryetar! …

Disa kohë ma parë, kur u bisedue Statuti mbi pikën fetare, mbi lirinë e ndërgjegjës u tha se një pakicë e popullit asht mësue me iu bindë shumicës. E se po ta studiojmë në shpirt të edhe kundërshtimin e sotshëm, do të konstatojmë se do të thotë se pakica e bektashivet duhet t’i bindet shumicës d.m.th. sunizmit. Neve si deputetë e Shqipnis e si përfaqësuesit e atij populli protestojmë rrebtësisht, se në Shqipnin e lirë s’ka ndonji pakicë që i bindet shumicës.

Zotnija e tij thotë se feja myslimane ka shumë sekte, kjo nuk asht e vërtetë.

Edhe katholikët, protestantët e orthodoksët janë krishtër, po kurr Z. D. Mjeda nuk do të pranojë që këto të marrin pjesë në një xhemet.

Z. Salih Vuçiterni mund ta mbajë mend telegramin që i kemi drejtue kur ishte tue u ba mbledhja muhamedane tue iu thanë se në qoftë se jemi mbledhë si mysliman nuk keni të drejtë të mblidheni pa na thirrë edhe ne, po në asht se jeni mbledhë si sunizëm, atëherë ju urojmë punë të mara.

Neve me caktimin e kjartë këtij artikulli duem të mbrojmë të drejtat e bektashizmes, pse në Shqipni nuk ka ndonji pakicë që duhet t’i bindet shumicës e se lirija e ndërgjegjës asht e sigurueme.

Nuk ka asnji arsye që Zotnija e tyne duen ta lanë t’errët ket artikull e se e vetmja arsye asht, pse nuk duen të njofin indipendencën e plotë të komunitetit të Bektashivet.

Këlcyra i referohej edhe raportit të Sederholmit për bektashizmin dhe përdorte vlerësimin e një të huaji për të goditur kundërshtarët e njohjes së tij:

“Kur një i huej nuk e mohon individualitetin e këtyne, si mundet një deputet shqiptar t’ia mohojë? […] Bektashitë kërkojnë njohjen e individualitetit të tyne zyrtarisht që i asht kenë mohue në kohë të Turqis, edhe Zotnit e tyne nuk kanë aspak të drejtë t’ia mohojnë.”

Argumenti merrte edhe një dimension kombëtar. Këlcyra kujtonte kontributin e bektashinjve ndaj shtetit shqiptar dhe kërkonte shprehimisht që ligji t’u njihte pavarësinë institucionale:

“Tue bisedue me Dervishët e Baballarët këto kanë kërkue që e drejta e individualitetit të tyne t’u njihet zyrtarisht, dhe këtë e kemi për detyrë edhe pse duhet t’i jemi mirënjohës atyne për shërbimet e mdhaja që i kanë ba bektashit Shtetit Shqiptar.”

Dhe e përfundonte kërkesën:

“Në asht se nuk doni t’emnohen fetë tjera, na sa për bektashizmen n’emën të zgjedhësavet tonë kërkojmë që në kët ligjë të thuhet shkoqur, që kleri i bektashizmes formon një kler indipendent.”

Kjo ishte goditja kryesore logjike e tij ndaj projektit qeveritar. Sipas Ali Këlcyrës, vetë qeveria e njihte realitetin e komuniteteve fetare, por, në momentin e formulimit ligjor, përpiqej ta zëvendësonte atë me një abstraksion juridik.

Një tjetër element i rëndësishëm në argumentin e tij ishte mbrojtja e statusit të veçantë të bektashinjve, jo vetëm si çështje juridike, por edhe kombëtare. Ai e shihte bektashizmin si pjesë të identitetit politik e kulturor shqiptar dhe kundërshtonte çdo tentativë për ta tretur atë brenda sunizmit. Fjalia “Në Shqipnin e lirë s’ka ndonji pakicë që i bindet shumicës” përmbledh në një masë të madhe filozofinë politike që ai mbronte në këtë debat.

Shteti shqiptar, sipas kësaj logjike, nuk duhej të garantonte vetëm tolerancën fetare, por edhe njohjen e barabartë dhe dinjitoze të secilit komunitet. Pyetja juridike ishte e qartë: a duhej të njiheshin degët kryesore të myslimanizmit dhe krishterimit si subjekte të organizuara dhe të pavarura juridikisht?

Pikërisht këtu Ali Këlcyra arrin të imponojë formulimin e tij.

Debati ishte i ndërlikuar. Salih Vuçiterni insistonte se struktura e fesë myslimane përbëhej nga degë të ndryshme — sunizëm, bektashizëm, rufaizëm, kadirizëm etj. — ndërsa deputetë si Visar Xhuvani dhe Mehdi Frashëri paralajmëronin se Parlamenti rrezikonte të hynte në çështje teologjike që nuk i takonin.

Ali Këlcyra e nxori debatin pikërisht nga ky kurth teologjik. Për të, çështja nuk ishte nëse bektashizmi ishte “degë” apo “fe më vete” në kuptimin doktrinar. Çështja ishte nëse shteti shqiptar do ta njihte si një entitet juridik të pavarur. Ligji nuk po organizonte “myslimanizmin” si një trup të vetëm; ai po rregullonte marrëdhëniet juridike të komuniteteve konkrete me shtetin.

Më tej, Këlcyra propozoi formulimin që do të fitonte në fund:

“Ç’do degë e myslimanizmës, si synizma, bektashizma, rufaizma e tjerat, ashtu edhe ç’do degë e krishtenizmës si katholiçizma, orthodoxizma, protestantizma, si edhe të gjithë degat e ç’do feje tjetër, mund t’organizohet në nji shoqiatë fetare indipendente njena prej tjetrës, si mbas rregullave të veta kanonike.”

Ky ishte momenti vendimtar i debatit.

Argumenti juridik i Këlcyrës ishte se termat “krishtenizëm” dhe “myslimanizëm” përfaqësonin kategori të gjera fetare dhe jo persona juridikë. Subjektet konkrete, të afta për t’u organizuar dhe për të pasur marrëdhënie juridike me shtetin, ishin degët e tyre:

“Tue qenë se si Krishtenizma ashtu edhe Muslimanizma nuk formojnë nji person juridik, të caktohet mirë e të vehet ‘degët e ç’do feje’.”

Dhe e çonte argumentin deri te pyetja praktike që ishte në zemër të gjithë debatit:

“Muslimanë janë, po tue qenë se janë nji degë e veçantë duhet të dijmë se ç’ relacione do të kenë me qeverin nga pikpamja juridike. Në kët ligjë nuk asht tjetër, veç se ç’do komunitet të dijë se ç’relacione do të ketë me qeverin. E pse mos të vehet Bektashizma?”

Në fazën finale, debati u zhvendos te termi “rregullave kanonike”. Edhe këtu Ali Këlcyra shfaqi kujdes juridik, duke paralajmëruar rrezikun e një interpretimi arbitrar që mund të përdorej më vonë kundër autonomisë së komuniteteve.

Në fund erdhi votimi. Propozimi i Salih Vuçiternit ra, duke marrë vetëm 12 vota, ndërsa propozimi i Ali Këlcyrës mori 26 vota dhe u pranua. Procesverbali e shënon qartë:

“Këndohet proponimi i Z. A. Këlcyrës…”

“Ngrehin dorën 26 vetë e pranohet.”

Kjo shënonte fitoren politike të Ali Këlcyrës në këtë debat. Në fund u miratua formula:

“Çdo degë e Myslimanizmës, si Synizma, Bektashizma, Rufaizma e tjerat, ashtu edhe çdo degë e Krishtenizmës si Katholicizma, Orthodoksizma, Protestantizma si edhe të gjithë degat e çdo feje tjetër, mund t’organizohet në nji shoqiatë fetare indipendente njena prej tjetrës…”

Fitorja e Ali Këlcyrës ishte e rëndësishme në disa nivele. Ajo i dha bektashizmit bazën ligjore për t’u organizuar në mënyrë të pavarur dhe jo për t’u tretur juridikisht brenda sunizmit. Njëkohësisht krijoi një model pluralist të organizimit fetar në Shqipëri, ku degët e feve mund të organizoheshin si subjekte autonome në marrëdhëniet e tyre me shtetin. Dhe, në planin politik, tregoi peshën parlamentare të Këlcyrës: megjithëse deputet i pakicës, ai arriti të impononte jo vetëm argumentin e tij politik dhe juridik, por edhe formulimin konkret të dispozitës që mori shumicën e votave.

E gjithë kjo ndodhte përpara se qendra botërore e bektashizmit të zhvendosej në Shqipëri; në atë kohë ajo ndodhej ende në Turqi.

Sot në politikën shqiptare ka ende një politikë diskriminuese ndaj bektashinjve. Dhe pse janë feja me më shumë kontribute patriotike në historinë e Shqipërisë, pasi janë të vetmit klerikë që nuk varen nga vende fqinje, diskriminimi ndaj tyre vazhdon dhe politikanët shqiptarë, kryesisht të linjës otomane, vazhdojnë të mbrojnë vendimet e kohës së komunizmit që zhbëri kuadrin ligjor të organizimit të bektashinjve njësoj si komunitetet e tjera fetare në Shqipëri.

Madje, disa guxojnë ta quajnë dhe tradhti kombëtare organizimin më vete të bektashinjve, pasi, sipas tyre, bie ndesh me komunitetet e tjera fetare, për të cilat duhet të marrin leje ose në Stamboll, ose në Athinë, ose në Vatikan.

Burimi: Bisedimet e Këshillit Kombëtar, 14 maj 1923.

  •  

Pak nga zjarri i Gazës për të rindezur flakën e shuar të Revolucionit Flamingo

Nga Mero Baze

Një rrjet organizatash shqiptare të deklaruara si propalestineze, në bashkëpunim me degën italiane të Global Sumud Flotilla (GSF), një rrjet ndërkombëtar aktivistësh propalestinezë, ka planifikuar një udhëtim me tri anije të vogla drejt Sazanit. Përtej simbolikës së shpallur nga organizatorët, objektivi politik duket i qartë: rikthimi i vëmendjes ndërkombëtare te i ashtuquajturi Revolucion Flamingo në Shqipëri, pasi protesta ka humbur pjesën më të madhe të jehonës së saj fillestare dhe është reduktuar në një bërthamë aktivistësh, episodet e dhunshme të së cilës kanë larguar qytetarët e zakonshëm nga sheshi.

Pikërisht nevoja për një valë të re publiciteti ndërkombëtar duket se ka prodhuar këtë operacion të ri komunikimi. Projekti i përfolur turistik i familjes së Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Sazan ofron një mundësi të artë për ta zhvendosur protestën nga një debat shqiptar për zhvillimin, mjedisin dhe pronën, në një narrativë shumë më të madhe ndërkombëtare: Trump, Gaza, Izraeli, Palestina dhe flotiljet e solidaritetit.

Kështu, një protestë që po humbte vëmendjen jashtë Shqipërisë mund të rifutet në qarkullimin e mediave ndërkombëtare duke iu bashkëngjitur një prej konflikteve më të mëdha dhe më emocionale të kohës.

Në këtë operacion janë përfshirë kolektivi shqiptar “Palestina e Lirë”, kolektivi italo-shqiptar “Mesdhe” dhe dega italiane e Global Sumud Flotilla. Në aktivitetet e këtyre grupeve shfaqen shpesh të njëjtët aktivistë. Praktikisht, kemi të bëjmë me një celulë shqiptare të financuar nga një organizatë me retorikë antisemite. Dhe avokat publik kanë po media OJF, si BIRN, të cilët kanë këmbngulur se nuk ka ndërhyrje të huaja në këtë histori.

Flotilja me tri varka drejt Sazanit është një aksion politik dhe mediatik që kërkon të marrë simbolikën e flotiljeve drejt Gazës dhe ta transferojë atë artificialisht në Shqipëri, pasi tani në vend të Gazës është Sazani, dhe në vend të bllokadës izraelite është projekti turistik.

Krahasimi është fyes për vetë tragjedinë palestineze.

Në Gaza kemi një konflikt të përgjakshëm, dhjetëra mijëra viktima, shkatërrim masiv dhe një krizë humanitare që ka mobilizuar qeveri, institucione ndërkombëtare dhe opinionin publik botëror. Në Sazan kemi një debat mbi një projekt turistik, ndikimin e tij mjedisor, procedurat shtetërore dhe interesat ekonomike që e shoqërojnë.

Mund të jesh kundër projektit në Sazan, mund të dyshosh mbi procedurat, mund të urresh Jared Kushnerin, Donald Trumpin apo qeverinë shqiptare, por asnjëra prej këtyre nuk e bën dot Sazanin Gaza.

Arsyeja është se Sazani vetë nuk mjafton më për të prodhuar lajm ndërkombëtar. Atë e prodhojnë Gaza, Trumpi dhe Palestina, të cilët duhet të bashkohen në tri varka drejt Sazanit me një grup aktivistësh me retorikë antisemite, që duan të përdorin tokën shqiptare për të rikthyer vëmendjen te një protestë e cila ka dalë gradualisht nga radarët e mediave ndërkombëtare.

Dhe janë aq të pamëshirshëm edhe me viktimat e Gazës, sa janë gati t’i përdorin si kadavra për të rikthyer në mediat ndërkombëtare një protestë shqiptare që ka vdekur.

Përpjekja për të marrë pak nga zjarri i Gazës për të rindezur flakën e shuar të Revolucionit Flamingo në Shqipëri është fyerje për viktimat e Gazës dhe një shembull i një dimensioni të ri nekrofil të Revolucionit Flamingo, i cili lindi nga “dashuria” për shpendët dhe vdiq nga urrejtja për njerëzit që volli në rrugë.

  •  

Aksidentet e turistëve të huaj që na e bëjnë më të shtrenjtë mjekësinë falas

Nga Mero Baze

Çdo vit kemi lajme se policia jonë ka shpëtuar disa turistë të huaj të rrezikuar për jetën apo të zhdukur në male apo kanione. Herë gjendet një baba i papërgjegjshëm që fut fëmijët në kanion e pastaj nuk di nga të dalë, herë tjetër zbulohen turistë të humbur maleve, turistë që i pickon gjarpri apo që thyejnë këmbën dhe gjithmonë një helikopter që shkon i merr apo forca speciale që shpenzojnë dy ditë t’i kërkojnë.

Shpëtimi i tyre është një akt i mrekullueshëm i policisë dhe mjekësisë sonë.

Por ky është një shërbim falas, që shteti ynë e bën për shkak të “besës” që u ka dhënë turistëve që vijnë në Shqipëri.

Disa nga ata turistë mund të jenë të siguruar, disa as që u ka shkuar në mendje.

Në të gjitha rastet, qeveria duhet të përgatisë një paketë me kosto përkatëse për këto operacione dhe, pasi t’i shpëtojë dhe t’i nxjerrë nga rreziku, para se t’i përcjellë duhet t’u dorëzojë faturën.

Nuk besoj se ndodh në ndonjë vend të botës, sidomos në Perëndim, që ti të kesh një aksident apo një aventurë për qejfin tënd, të pësosh aksident apo të humbasësh dhe të të ofrojnë shërbime falas, duke mobilizuar polici, helikopterë dhe gjithçka tjetër. Që u ofrohet shërbim është gjë shumë e mirë, pasi tregon që je një vend i përgjegjshëm, por që u ofrohet falas, me qëllim që ata të thonë “nuk ka si mikpritja shqiptare”, është teprim.

Shërbimet paguhen. Ata që janë të siguruar, ua çon faturën sigurimeve; ata që nuk janë të siguruar, ia dorëzon individit.

Kjo mes të tjerash se ajo që bëhet për të huajt, në shumë raste nuk bëhet për shqiptarët. Përveç aksidenteve fatale që u ndodhin shtetasve shqiptarë dhe dërgohet helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka kaq përkushtim kur dikush humbet rrugën në pyll apo e pickon gjarpri, duke shëtitur për qejf maleve.

Por në rastin e turistëve të huaj është gjë e mirë që ka gatishmëri për t’u shërbyer, por jo falas.

Spitalet e bregdetit, sidomos ai i Sarandës, Vlorës, Kavajës, Durrësit e Lezhës, janë të mbushura në verë me turistë të huaj në gjendje emergjence, dikush i djegur nga dielli, dikush i helmuar, dikush me goditje kardiake, dhe spitalet thjesht u shërbejnë. Nuk ka asnjë procedurë se si duhet të sillesh me ta, përveçse t’u shërbesh. Kjo është gjë e mirë, por Ministria e Shëndetësisë duhet të nxjerrë paketa kostosh për turistë të huaj të pasiguruar në Shqipëri. Kjo mund të ndihmojë spitalet të bëjnë dhe një ekip ndihmash për periudhën e sezonit turistik dhe t’u japin atyre shërbime më të mira. Se kam frikë që ne nuk u marrim lekë as atyre që janë të siguruar e jo më atyre që janë të pasiguruar, me idenë që ky është i huaj dhe s’mund t’i kërkojmë para meqë u sëmur këtu.

Nëse deri më sot këto episode kanë qenë të veçuara, gjatë sezonit veror, nëse shikon statistikat e spitaleve bregdetare, e kupton se tridhjetë deri 40 për qind e rasteve janë shtetas të huaj që kërkojnë ndihmë mjekësore, në mjekësinë “falas” të Shqipërisë, e cila na kushton me këtë rast shtrenjtë të gjithëve.

  •  

Zjarri në Vlorë dhe tymi në Kosovë

Nga Mero Baze

Zjarri në një hotel në qendër të Vlorës dhe kundërpërgjigjja e dobët ndaj tij është një aksident që ka shkaktuar, deri tani, së paku pesë të plagosur rëndë me djegie dhe dëme të mëdha materiale.

Ka dy reagime mbresëlënëse ndaj këtij aksidenti.

I pari vjen nga përfaqësuesi i operatorëve turistikë në Vlorë. Vasil Bedinaj, që drejton këtë organizatë, ka marrë përsipër të akomodojë gjithë pushuesit e hotelit, që kanë paguar për pushimet e tyre, falas në hotele të tjera të qytetit. Nuk di nëse do t’ia arrijë, por fakti që një institucion vetërregullues i turizmit arrin t’u dalë zot pasojave të një aksidenti, tregon një shkallë të avancuar të organizimit të tyre. Dhe ky është lajm i mirë. Solidariteti në këtë moment të vështirë për investitorin e dëmtuar dhe turistët që janë viktimizuar nga aksidenti lë një shije të mirë.

Reagimi tjetër, ai për viktimat, erdhi nga Kosova. Në aksident, së paku pesë të plagosur janë qytetarë të Kosovës, që kanë marrë dëmtime të shkallëve të ndryshme nga djegiet.

Reagimi i kryeministrit të Kosovës ishte dramatik.

E para dramatike ishte vetë fakti që reagoi.

Nuk them se nuk ka të drejtë të reagojë për qytetarët e vet që janë lënduar në një hotel që ka marrë zjarr, por reagimi duhet të jetë proporcional. Reagohet nga nivele ndoshta më të ulëta, nga Ministria e Shëndetësisë për të koordinuar ndihmën mjekësore ndaj tyre, apo dhe Ministria e Jashtme, për t’i çuar diku jashtë për trajtim serioz, të mbuluar nga shteti shqiptar apo së bashku me Kosovën.

Pra, një reagim që t’i adresohet problemit që kanë ata pesë qytetarë.

Kosova ka shtetas të saj që pësojnë aksidente kudo në botë. Diku rrëzohet një autobus, diku vdesin në aksidente automobilistike, apo në aksidente në punë në Perëndim. Aksidentet janë pjesë e jetës dhe reagimi ndaj tyre ka të bëjë kryesisht me përballimin e pasojave.

Nuk kam parë kurrë ndonjë reagim të qeverisë së Kosovës me këtë ton, si ky reagimi i Kurtit  për pesë qytetarë që janë lënduar në një hotel për shkak të një zjarri në Vlorë. Është shumë mirë të reagojë, duke u ardhur në ndihmë bashkë me qeverinë e Shqipërisë, por fakti që reagon vetë kryeministri dhe jo pjesa e administratës së tij që duhet të merret konkretisht me zgjidhjen e problemit, tregon se këtu kemi diçka më shumë se kujdes institucional për qytetarët e lënduar.

Dhe pikërisht këtu qëndron problemi me dramatizimin e ngjarjes. Më shumë sesa për zjarrin në Vlorë, Albin Kurti duket i interesuar për tymin e tij në Kosovë. Qytetarët e plagosur kanë nevojë për mjekë, trajtim dhe kujdes institucional, jo për një kryeministër që ua kthen fatkeqësinë në komunikatë politike.

Në reagimin e tij, kryeministri Albin Kurti u shpreh me nota dramatike për ngjarjen, me fjali të tipit “po ndjekim nga afër situatën”, “jemi shumë të tronditur”, “po bashkëpunojmë me autoritetet” etj., a thua se në Vlorë dikush kishte organizuar një akt terrorist ndaj pesë shtetasve nga Kosova që synonte shkatërrimin e qeverisë së Albin Kurtit.

Reagimi dramatik i Albin Kurtit për zjarrin në Vlorë kishte tone aq alarmante dhe të larta, sa duket sikur do ta nguliste në mendjen e njerëzve si një ngjarje negative në historinë kombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, madje në zemër të Vlorës.

Në një moment, gati-gati dukej sikur po thoshte:

“A ju kam thënë, bre pisa, mos shkoni në Shqipëri për pushime, po s’më keni dëgjuar.”
Për fat, deri tani s’kemi asnjë viktimë dhe shpresojmë që ata pesë të plagosur t’ia dalin deri në fund. Por, larg qoftë, nëse dikush nuk ia del dot, me këtë ritëm dramatizimi ka rrezik që Kurti ta shpallë edhe ditë zie kombëtare aksidentin, vetëm që ta marrin vesh të gjithë se nuk duhet me shku për pushime në Shqipëri.

Ja, ai ishte në Greqi në det dhe u kënaq. Nuk pati asnjë zjarr afër hotelit të tij ato ditë.

  •  

President nga zarfi

Nga Mero Baze

Kriza politike në Kosovë ka hyrë në një spirale që po gëlltit brenda saj shtetin e ri të Kosovës. Albin Kurti është i vendosur ta thellojë krizën, nëse shqiptarët dhe serbët nuk gjunjëzohen para tij dhe t’i dhurojnë gjithë pushtetin që nuk e ka fituar me votë.

Kjo krizë politike, e nisur gati dy vite më parë, ka në qendër të saj populizmin e Albin Kurtit kundrejt SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, që është fuqia elektorale e tij. Duke testuar kufijtë e antiamerikanizmit dhe frymës antiperëndimore në Kosovë, duke përdorur një pjesë trushpëlarë të diasporës së Kosovës, së cilës i ka mbetur ora në vitet tetëdhjetë, dhe populizmin brenda në Kosovë, ai e ka sjellë Kosovën në këtë situatë ku ose duhet pranuar dështimi i shtetit, ose duhet pranuar Albini, edhe pse nuk i ka votat për gjithë pushtetin.

Aleanca e tij me Vjosa Osmanin u shkërmoq, pasi u pa se ajo mund të ishte një mekanizëm për zgjidhjen e krizës, edhe pse vetë ajo ka ndihmuar që Kosova të arrijë në këtë ditë. Ndarja me të u bë pikërisht pse ajo dukej e preferuar e SHBA-së.

Tani opozita e Kosovës ka vetëm një shans: ta ndajë këtë histori si histori antiamerikane dhe kundër Kosovës, ose si histori dorëzimi të tyre para Albin Kurtit.

E përsëris që kjo është një zgjidhje poshtëruese për klasën politike të Kosovës, por është më e mirë sesa poshtërimi i shtetit të Kosovës prej tyre për hir të pushtetit.

Edhe pse është jo dinjitoze për ta, ata duhet t’i drejtohen formulës së presidentit në zarf nga qeveria amerikane, si në vitin 2011.

Pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të zgjedhjes së Behgjet Pacollit, Kosova rrezikonte të hynte përsëri në krizë institucionale dhe potencialisht në zgjedhje të parakohshme. Më 5–6 prill 2011, Hashim Thaçi (PDK), Isa Mustafa (LDK) dhe Behgjet Pacolli (AKR) zhvilluan negociata intensive, me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Dell, dhe më 6 prill u arrit marrëveshja: të tria partitë do të mbështesnin Atifete Jahjagën, në atë kohë zëvendësdrejtore e përgjithshme e Policisë së Kosovës, një njeri krejt i panjohur për skenën politike dhe opinionin publik. I vetmi lajm që gjendej online për të ishte se kishte marrë pjesë në masat e sigurisë gjatë vizitës së Presidentit Bush në Tiranë.

Ishte e qartë se emri i saj u dha në një zarf të mbyllur, siç dhe u përfol publikisht. Edhe pse në momentin kur u zgjodh Atifete Jahjaga presidente, raporti i forcave që vinte nga zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit 2010 nuk mjaftonte që presidenti të zgjidhej vetëm me votat e tri partive, zgjedhja e saj u arrit në Kuvend edhe me 11 vota të padeklaruara. Pra, u provua që në finale Kosova kishte një kujdestar të saj, SHBA-në, që ndërhyri dhe e zgjidhi krizën.

Sot Kosova është në krizë pikërisht se ka humbur kujdestarin e saj, SHBA-në. Albin Kurti ka luftuar gjatë t’ia arrijë kësaj dite dhe sot në Kosovë kemi për herë të parë skalione antiamerikane që mund t’i ketë zili dhe ISIS-i.

Por kjo nuk ka rëndësi. Testi duhet kryer përsëri. Një opozitë e fragmentuar, që nuk merret dot vesh as për të pirë kafe me njëri-tjetrin dhe që Kurti i relativizon, duke u dhënë detyra shtëpie, duhet të bashkohet në kërkim të një zarfi të ri të mbyllur, për ta ndarë përfundimisht çështjen nëse Kurti e pranon një porosi nga SHBA-ja apo jo.

Presidenti në Kosovë dhe ashtu është një figurë formale dhe nuk ia vlen të hedhësh në erë shtetin e Kosovës për një emër. Kurti s’po kërkon një emër, po kërkon një president që, mes të tjerash, ta përdorë edhe kundër SHBA-së e BE-së, për të vetmen gjë që nuk e përdorte Vjosa Osmanin.

E vetmja frikë që kam është se SHBA-ja mund të thotë: “Nuk dua t’ia di më për ju.” Ky do të ishte dënim me vdekje për shtetin e Kosovës.

Tani ky test duhet bërë, pasi edhe nëse nuk zgjedh presidentin, zgjidh një enigmë të madhe: nëse Kosova është më aleate e SHBA-së apo jo. Nëse me votat e Kurtit kjo aleancë rrëzohet, atëherë situata është më e qartë: Kosova duhet të nisë të riçlirohet nga ata që ishin kundër SHBA-së më 1999.

E dimë të gjithë adresën. E dinin dhe avionët e NATO-s.

  •  

Fundi i muajit të mjaltit me marrëzitë e reformës në drejtësi

Bashkimi Evropian ka reaguar sot ndaj rregullores Bani, e cila ndalon transparencën e proceseve gjyqësore në gjykatë dhe kufizon paraprakisht punën e gazetarëve, duke cenuar të drejtën e tyre kushtetuese kundër censurës paraprake në media.

Në një deklaratë për shtyp, Bashkimi Evropian është shprehur se po konsultohet për të gjetur një ekuilibër mes sigurisë në gjykata, punës së gazetarëve dhe transparencës së proceseve gjyqësore.

Pra, së paku e pranon se problemi tani është krijuar nga rregullorja Bani.

Prej një jave, GJKKO nuk i ka kthyer ende përgjigje zyrtare gazetës për t’i vënë në dispozicion zyrtarisht rregulloren dhe komentin privat të kryetarit të saj. Posta Shqiptare na ka konfirmuar se ia ka dorëzuar zarfin ditën e hënë dhe, me sa duket, nuk do të ketë përgjigje.

Me sa duket, kryetari i Gjykatës ka konstatuar se tani është në telashe me atë që ka bërë, pasi ai është de facto edhe hartuesi i rregullores, edhe i komentit të tij privat, i cili krijon një rekomandim jozyrtar për sjellje tërësisht antiligjore nga vetë gjykata që ai drejton.

Duke qenë se reagimi i Bashkimit Evropian pason reagimin e OSBE-së dhe dhjetëra gazetarëve e organizatave për lirinë e shtypit në Evropë dhe në botë, nuk ngelet gjë tjetër veçse Gjykata Kushtetuese të certifikojë shkeljen e Kushtetutës nga Erion Bani.

Ky është rasti i parë që Bashkimi Evropian, OSBE-ja dhe institucionet e lirisë së shtypit angazhohen në një çështje që ka të bëjë me një institucion të dalë nga reforma në drejtësi. Deri tani ka qenë tabu. Edhe pse shumë diplomatë perëndimorë shtrëngonin dhëmbët kur u shpjegoje paligjshmërinë ekstreme që vërehet në punën e SPAK-ut, në procedurat shantazhuese hetimore apo në noterizimin e gjithçkaje prej tyre nga GJKKO-ja, edhe për shkak të akuzës së përgjimit të tyre nga SPAK-u, të gjithë donin ta kalonin sa më shpejt sikletin e bisedës, se do të rregullohej rrugës.

Në fakt, rrugës u përkeqësua edhe më shumë. Në fillim u tolerua përgjimi i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pastaj rrëmbimi i telefonave pa objekt në rrugë dhe peshkimi për fakte nëpër telefonat e gjetur, pastaj u rrëmbyen kompjutera dhe telefona gazetarësh, pastaj një prokuror që s’ka kaluar as procedurën standarde të emërimeve, pasi nuk e kalon dot testin, rrëmben kryetarin e Bashkisë nga zyra dhe e burgos bazuar në një letër anonime dhe, për shkak të presionit të tij mbi sistemin e drejtësisë, ai ende mbahet në burg, edhe pse Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar kryetar Bashkie, nuk e ka shkarkuar dhe ka urdhëruar Gjykatën e Lartë ta rigjykojë, pasi ka shkelur Kushtetutën me gjykimin e parë.

Sorollatja që pasoi gjykimin tregon qartë peshën e represionit të SPAK-ut mbi sistemin, për llogari personale të disa prokurorëve.

Deri këtu askush nuk ka pranuar të flasë nga ndërkombëtarët. I shikonin, i dëgjonin, i pranonin në tavolinë, por të gjithë mendonin se ishte një proces që do të rregullohej. Tani doli se ishte një proces që po çrregullohej dhe guximi për të shkelur ligjin dhe për t’u dukur të paprekshëm na çoi tek një kryetar gjykate që bën rregullore ku shkruan  qartë: unë do të gjykoj si më do qejfi; ju s’keni të drejtë as të shikoni, as të dëgjoni, as të fotografoni dhe as jeni në sallë nëse nuk i do qejfi atij.

Me një rregullore shkel disa nene të Kushtetutës dhe dhjetëra nene të kodeve dhe ligjeve të shtetit shqiptar dhe vezullon nga kënaqësia si një derr i kënaqur që s’kanë çfarë t’i bëjnë.

Tani, së paku, duket se muaji i mjaltit me marrëzitë e reformës në drejtësi mori fund. Institucionet perëndimore që e mbështetën dhe financuan e humbën virgjërinë, duke i pranuar së paku problemet e prodhuara prej gjykatës të tipit Bani, dhe po përpiqen të ndërhyjnë.

Por, nëse ndërhyjnë pa ndëshkim, kjo do të jetë më keq sesa të mos flisnin fare, pasi do të duket sikur Rregullorja Bani ka qenë në rregull, por ka pasur disa teprime. Në fakt, Rregullorja Bani është e gjitha një teprim dhe e vetmja gjë që është në rregull është fakti që këtë teprim e ka bërë Kryetari i Gjykatës.

Vetëm kjo është provë e mjaftueshme se çfarë drejtësie të re kemi bërë. Dhe njëkohësisht prova se nga duhet të fillojë zhbërja.

 

  •  

Shteti modern është një kontratë me qytetarin, jo një marrëveshje me të

Nga Mero Baze

Përpjekja e Edi Ramës për ta përdorur protestën për një komunikim të ri të administratës shtetërore me qytetarët përmes “Besës” është një përpjekje për të trembur administratën me protestën, por që nuk po funksionon.

Arsyeja e parë pse nuk po funksionon është se nuk ka një protestë që ta trembë seriozisht administratën. I vetmi që e ka marrë seriozisht protestën për ta përdorur për vete është Edi Rama.

Tani, sado që Edi Rama përpiqet t’ua prishë pushimet zyrtarëve të vet, duke i vënë të konspektojnë “Besën 1” dhe “Besën 2”, nuk shikoj ndonjërin që ka kuptuar ndonjë gjë se çfarë duhet të bëjnë.

Arsyeja themelore është se “direktiva” e Edi Ramës për “Besën” bazohet te një angazhim moral nga administrata, ndërkohë që problemi kryesor që ka administrata e tij është se përgjegjësia personale e zyrtarëve është e paqartë.

Qytetari duhet ta dijë qartë se kush përgjigjet kur ai nuk zbatohet. Kjo është ajo që e modernizon shtetin dhe e bën qytetarin të pavarur nga Besa.

Po të kesh një hall me shtetin shqiptar, duhet medoemos të njohësh një titullar të lartë, pasi nuk ka rëndësi që hallin duhet të ta zgjidhë një nëpunës kot aty në administratë. Kultura e delegimit të pushtetit lart dhe e kalimit të përgjegjësisë poshtë ka krijuar realisht një shtet disfunksional, që Besa jo vetëm nuk e reformon, por e forcon këtë tipar. Kur them e forcon, kam parasysh që Besën qytetarët në votime ua kanë dhënë vetëm Edi Ramës dhe 140 deputetëve, kurse punët qytetarët i kanë me 140 mijë vetë të administratës.

Në administratën shtetërore është krijuar një mekanizëm ku autoriteti përqendrohet te drejtuesi, ndërsa firma dhe rreziku juridik u kalohen vartësve. Mosmbajtja e Besës shndërrohet në një sistem të tretjes së përgjegjësisë, që ti nuk e kupton kurrë se kush të preu në besë.

Prandaj, ajo që duhet të bëjë me urgjencë qeveria në këtë pikë nuk janë orët e informacionit politik mbi “Besën”, por një sërë ligjesh që adresojnë qartë raportin e administratës me qytetarin dhe detyrimin e administratës për t’i zgjidhur problemin që i takon qytetarit.

Pra, thjesht duhet të bëjë një shtet modern dhe jo një shtet tribal. Besa është një mit shqiptar në malësitë e Shqipërisë, ku Kanuni rregullonte raportet mes qytetarëve, në mungesë të shtetit ligjor. Dhe mungesa e Besës shpaguhej me gjak, pikërisht se besa nuk ishte një zakon aq i përhapur te banorët. Në njëfarë mënyre u imponohej me gjak, që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Shteti shqiptar duhet të reformohet drejt një administrate moderne që i kthen përgjigje qytetarit. Jo si përgjigjet e hipotekave, që i detyrojnë qytetarët të paguajnë nga dhjetë herë që të vijë përgjigjja automatike: të mungon edhe një dokument. As si përgjigjet e ujësjellësit apo OSHE-së, kur të faturojnë pesëfishin, që të thonë: na vjen keq, duhet t’i paguash njëherë, pastaj të ankohesh. As si përgjigjet e tatimeve, që të ngarkojnë detyrime që nuk i ke e pastaj të thonë: t’i kemi borxh.

Me këtë lloj sistemi nuk ke ku “merr gjak”, edhe pse të presin në besë çdo ditë. Vetëm ligje të pakapura nga hajdutët e shtetit dhe që janë detyruese për administratën që t’u shërbejë qytetarëve, mund ta shpëtojnë raportin katastrofik që është krijuar mes shërbimeve dhe qytetarëve.

Nëse çdo ligj i shtetit shqiptar ka një klauzolë përjashtuese nga detyrimi për t’u shërbyer qytetarëve, ai është ligj mafioz. Fjala vjen, nëse ti thua që të takon të marrësh donacione nga shteti për një biznes të caktuar, por duhet të konkurrosh se nuk ka për të gjithë, është ligj mafioz. Nëse ti je bujk dhe shteti duhet të të kompensojë për qumështin apo mishin, por me klauzolë gare se nuk ka për të gjithë, është ligj mafioz, se të lë në dorë të një hajduti.

Zyrtari nuk duhet ta paraqesë përmbushjen e detyrës si nder që po ia bën qytetarit, por si përgjegjësi personale dhe institucionale për të cilën duhet të japë llogari.

Raporti mes shtetit dhe qytetarit është një kontratë civile që palët duhet t’i përmbahen. Shteti modern bën kontrata. Besa është marrëveshje. Ajo i përket periudhës parashtetërore.

  •  

Ndarja territoriale po përjetohet si humbje territoresh pushteti brenda PS

Nga Mero Baze

Ndarja territoriale e propozuar nga Partia Socialiste ka përfunduar në një debat të brendshëm brenda Partisë Socialiste, jo për arsyet se si duhet të jetë ndarja territoriale, por për shkak se ajo është kthyer në një parametër për epshin politik brenda partisë të drejtuesve të qarqeve.

Kjo e ka degraduar tanimë debatin e shëndetshëm profesional mbi ndarjen territoriale dhe e ka transformuar atë në një debat në balancën e pushtetit politik brenda partisë.

Takimi i sotëm i kryeministrit Edi Rama me 15 kryetarët e bashkive që parashikohen të shkrihen nuk zgjidh gjë në këtë mes, pasi problem më i madh nuk janë bashkitë që janë shkrirë, por bashkitë që për të njëjtat arsye duhet të ishin shkrirë.

Gjestet “revoltuese” të djegies së teserave natyrisht janë çështje kryetarësh dhe përpjekje për t’iu imponuar që të mos shkrihen bashkitë, por përtej këtyre gjesteve primitive, brenda Partisë Socialiste ka realisht pakënaqësi në nivele të larta politike për ndarjen.

Nuk është fjala pse duhet shkrirë Poliçani. Natyrisht që duhet shkrirë, por është më logjike të bashkohet me atë që ka qenë, pra me Skraparin, sesa me Beratin. Njësoj dhe Ura Vajgurore. Ajo është vazhdim natyral i Kuçovës dhe jo i Beratit. Kur dhe Poliçanin dhe Urën Vajgurore ia jep Beratit dhe lë pa kuptim Çorovodën vetëm, duket që ka një influencë politike dhe jo një kriter unik për gjithë vendin.

Njësoj mund të thuhet për Divjakën. Është logjike që ajo të shkrihet me Lushnjën, por nuk është aspak logjike që Roskoveci të qëndrojë me të njëjtin kriter bashki më vete dhe Patosi, që është një qytet dyfish më i madh se Roskoveci, të bashkohet me Fierin. Mund të bashkohej me Roskovecin dhe të bëhej një bashki tjetër e madhe.

Dhe këtu duket që kriteri ka qenë politik.

Qarku i Gjirokastrës me të drejtë u ribë i gjithi duke u koncentruar në tre rrethet historike, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, por në Sarandë, Konispoli nuk ka ndonjë arsye të jetë më vete dhe jo me Sarandën, nëse përdorim të njëjtin kriter.

Po kështu, kur bashkon Cërrikun dhe Belshin me Elbasanin, prapë nuk gjen dot arsye pse të mos bashkosh dhe Peqinin, pasi bashkë kanë qenë. Duket që dhe këtu ka kriter politik.

Pikërisht humbja e kritereve profesionale të shkrirjes së bashkive në njësi më të vogla, duke u mbështetur në arsyetime jo bindëse, janë shkaku i pakënaqësisë së brendshme në PS, pasi shumë drejtues qarqesh kanë besuar se kriteret do jenë rigoroze për të gjithë dhe ata do të ishin të gjithë të barabartë para kritereve. Tani duket qartë që “disa kanë qenë dhe më të barabartë” dhe kjo ka ngjallur pakënaqësi. Nuk e kam fjalën për pakënaqësitë e kryetarëve që humbasin bejlerllëkun, por të atyre që nuk e humbasin dhe që mbijetojnë pikërisht se reforma nuk mbështetet mbi parime të qarta që prodhojnë një hartë të re, por mbështetet mbi një hartë që prodhon parime sipas nevojës.

Dhe kjo do guxim të rishikohet pa qenë nevoja të shkojnë të gjithë të xhindosur drejt votimit. Parimet shmangin konfliktin dhe mbi të gjitha rivalitetin e shpifur të disa deputetëve,  për shkak se bashkitë e tyre s’i ka zënë lapsi. Kjo nuk do të thotë se ata kanë më shumë pushtet, pasi dhe ata mund t’i zërë lapsi në vend të bashkive, por një ndarje që ka më shumë përjashtime se rregulla, nuk qëndron dot në këmbë, as brenda Partisë Socialiste, as brenda parlamentit.

Po të jetë për qoka, Partia Socialiste më mirë e ka t’i bëjë një qokë PD dhe të miratojë ndarjen e saj, dhe të quhet konsensuale, sesa të miratojë një hartë të saj, që krijon një klimë toksike edhe brenda PS.

Qokë se qokë, të paktën le t’ia bëjnë qokën opozitës, nëse nuk duan të kenë as kritere.

  •  

Hipokrizia e së majtës evropiane me dezinformimin rreth Marokut

Nga Mero Baze

Bashkimi Evropian kritikoi sot Facebook dhe TikTok për rolin negativ që luajtën në krizën e emigrantëve të Marokut që hynë në enklavën spanjolle të Ceutës nën ndikimin e lajmeve të rreme se kufiri ishte i hapur dhe se më pas mund të udhëtonin drejt Spanjës. Më tej ka një sërë teorish konspirative se e gjitha ishte një plan hakmarrjeje kundrejt Spanjës, e cila u konfliktua me Izraelin për çështjen e Gazës dhe më pas Iranit.

Sido që të jenë shkaqet dhe motivet e vërteta, është se betejën e fitoi dezinformacioni. Dhe reflektimi ndaj kësaj prej Bashkimit Evropian është një gjë pozitive.

Është akoma më pozitive që për këtë çështje reagon tani me dëshpërim e majta evropiane, e cila është e pafuqishme të zgjidhë krizën e refugjatëve të Marokut, pasi çdo zgjidhje që i jepet asaj është një model për të ardhmen. Dhe tani ata i tremb më shumë modeli që do krijojnë me këtë krizë sesa vetë kriza.

Por në fakt ishte e njëjta e majtë evropiane dy muaj më parë, e cila injoroi rolin e lajmeve të rreme në amplifikimin e një çështjeje mjedisore në Shqipëri, në Zvërnec.

Beteja për Zvërnecin u amplifikua si një betejë kundër sionizmit, nën lajmet e rreme që ajo tokë po i shitej Izraelit për kolonë palestinezë. Postera që gjenden të botuar në agjencitë më prestigjioze të botës tregojnë të rinj të instrumentalizuar që mbajnë bluza ku është stampuar fotoja e Edi Ramës me diçiturën “çifut”. Bluza të tilla nuk blihen në dyqan. Ato prodhohen në kuadrin e një projekti dezinformues.

E njëjta e majtë evropiane, e cila bënte sikur kishte një kauzë mjedisore, në fakt kërkonte dhe ia arriti në një farë mënyre ta bënte Shqipërinë një tokë ku do zhvillonte betejën e saj ndërkombëtare kundër Donald Trumpit, bezja e kuqe e të cilit mbledh të gjithë të çmendurit e botës në një vend.

Dhe kështu, nën dëshirën për të luftuar Trumpin përmes tokës shqiptare dhe nën peshën e lajmeve antisemite prodhuar nga Irani, nën thirrjet e hoxhallarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës dhe militantëve të Albin Kurtit, pesha e lajmeve të rreme mbuloi zemërimin e vërtetë popullor që ekzistonte në Shqipëri kundër qeverisë.

Mijëra njerëz për dy javë dolën në rrugë nën alarmin e vjedhjes së Shqipërisë nga hebrenjtë, nën fotot e rreme të një muri pas të cilit po ndërtohej një shtet për kolonë palestinezë dhe nën videot e rreme me IA, që tregonin familjen Trump po ndërtonte një parajsë në një ishull në Shqipëri ku do zëvendësonte ishullin e Epstein.

Natyrisht, pasojat në Shqipëri nuk janë si pasojat që ka Spanja nga dezinformimi, por teknologjia është e njëjtë dhe reagimi i së majtës evropiane është i ndryshëm. Në Shqipëri iu bashkua fushatës dezinformuese në emër të të gjelbërve, ndërsa në Spanjë po përpiqet të vërë gjoksin, po në emër të së majtës, duke fajësuar dezinformimin. Madje bebin dhe humor bajat për algoritmin. Le të vazhdojnë tue bejnë.

E majta evropiane i pa të gjitha këto, por dëshira për ta luftuar Trumpin me duart e shqiptarëve dhe dëshira për të nxjerrë gështenjat nga kazani i antisemitizmit me duart e shqiptarëve, i dominoi. Vetëm kur vala e dezinformimit ra pas dy javësh dhe bashkë me të dhe vala e qytetarëve, në shesh mbetën çdo natë 00 vetë që janë një koleksion i pashoq i përfaqësimit të gjithë gjërave të rreme në këtë vend, të intelektualëve të rremë dhe të dështuar, profesionistëve të rremë, gazetarëve të rremë, aktivistëve të rremë, sorosistëve të rremë, trumpistëve të rremë, antisemitëve të rremë, ekologjistëve të rremë dhe mbi të gjithë protestuesve të rremë.

Tani ata janë i vetmi produkt final i mbetur në zallin e përpjekjeve për ta bërë Shqipërinë një fushë beteje anti-Trump dhe një vatër lufte kundër Izraelit. Dhe duken si peshk pa ujë, që tregon hipokrizinë e majtës evropiane, e cila kur dezinformimi i troket në derë dhe i bën gjëmën, siç qe rasti i Marokut, sulmon dhe Facebook dhe TikTok-un, por kur dezinformimi sulmon një vend si Shqipëria, ngrihen në këmbë të mbrojnë tiktokistët dhe facebookistët si heronj të fjalës së lirë që nuk duhet t’i cenojmë.

Tani po korrin atë që kanë mbjellë.

  •  

Shikoni kush nuk reagon ndaj Rregullores Bani, për të kuptuar pushtetin e frikës së drejtësisë së re

Nga Mero Baze

Reagimi ndërkombëtar ndaj “Rregullores Bani” në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Krimit dhe Korrupsionit është i plotë. Të gjitha organizatat ndërkombëtare të shtypit kanë dënuar rregulloren dhe kërkojnë rishikimin e saj. Edhe OSBE në Tiranë, me gjysmë zëri, ka premtuar se do ta shqyrtojë rregulloren. Sot redaksia e gazetës i ka nisur një letër GJKKO-së që të na dorëzojë të printuara dhe të vulosura rregulloren dhe komentin privat të kryetarit, për t’i pasur si provë në Gjykatën Kushtetuese. Shpresoj mos ta hedhin në kosh.

Po ashtu, Partia Demokratike ka reaguar kundër përpjekjes së GJKKO-së për të qenë jotransparente në seancat gjyqësore, duke pasur parasysh se aty gjykohen politikanë dhe zyrtarë të lartë të Shqipërisë, për përgjegjësinë e të cilëve para ligjit ka interes publik.

Por më e rëndësishme se kush ka reaguar është se kush nuk ka reaguar.

Dhoma Kombëtare e Avokatëve, e cila është e interesuara e parë në këtë histori, nuk ka reaguar. Ka reaguar vetëm Maks Haxhia personalisht dhe disa avokatë të tjerë, të cilët kanë më shumë integritet profesional.

As shumica në pushtet nuk ka reaguar. Së paku, Komisioni i Ligjeve apo vetë qeveria duhet të kenë një reagim publik. Me sa duket Ulëziu ka hall se mos nxehet dikush dhe i tregon pazaret e tij me drejtësinë, ndaj ka futur kokën si struci. Socialistët e tjerë, presupozohet se kanë halle me drejtësinë dhe nuk kanë dëshirë t’u dëgjohet emri për keq në gjykatë. Dhe kjo tregon se çfarë mendojnë ata për drejtësinë e re, pavarësisht fishekzjarreve në dhjetëvjetorin e Reformës në Drejtësi.

Me sa duket, komplekset se do të paragjykohen, ngaqë kanë shumë çështje nëpër këmbë që duhet të kalojnë nga kjo gjykatë, kanë bërë që të bëjnë sikur mendohen.

Njësoj edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Me sa duket, interesi i shumë avokatëve që të mos jenë në konflikt me kryetarin apo gjykatën, i bën edhe ata të jenë të tërhequr nga kjo betejë.

Ky është një tregues më shumë për pushtetin e frikës dhe imponimin e paligjshmërisë që rrezaton Gjykata, duke qenë e paprekshme edhe kur shkel ligjin.

Nuk pres të reagojë Inspektori i Lartë i Drejtësisë, për shkak se ai e ka bërë të qartë qëndrimin e vet se është për të mbrojtur gjykatat dhe prokurorinë dhe jo drejtësinë.

Por ky rast, më shumë sesa për pavarësinë e drejtësisë, vlen shumë për të kuptuar se si zë vend e keqja në drejtësi.

Një kryetar gjykate, natyrisht delirant, vendos se si t’i fshihet publikut kur gjykon dhe puer këtë nxjerr udhëzime, bën rregullore, madje bën edhe koment privat për t’i udhëzuar të gjithë se si t’ia bëjnë të pamundur publikut t’i shikojë ata se si e zhvillojnë një seancë gjyqësore. Të mësuar t’i marrin vendimet para se të fillojë gjyqi, ata e kanë tani shumë të vështirë të hapin sallën e gjyqit dhe t’u tregojnë shqiptarëve se si bëhet drejtësi.

Heshtja e shumicës në pushtet dhe e Dhomës Kombëtare të Avokatëve tregon për pushtetin real të gjykatës mbi viktimat. Madje, më shumë se kaq, tregon se si mund të degradojnë standardet e drejtësisë, kur atyre u sigurohet të shpallen në errësirë.

Shtetet perëndimore të Bashkimit Evropian që kanë financuar Reformën në Drejtësi dhe qeveria britanike, që ka financuar programin e transparencës së medias, duhet të dinë se kryetari i Gjykatës udhëzon që, fjala vjen, në sallën e gjyqit ndalohen njerëz që kanë veshur “bluza me dekolte të theksuara” apo “pantallona nën nivelin e belit”. Nuk kam shkuar te kjo pjesë nëse lejohen gra të mbuluara, por besoj atë e kanë lejuar.

Natyrisht, çështja do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese e më pas në Strasburg, por është e turpshme për Parlamentin dhe qeverinë që, nga njëra anë, përkujtojnë dhjetëvjetorin e Reformës në Drejtësi dhe, nga ana tjetër, akoma nuk kanë një proces gjyqësor të përfunduar, por kanë një rregullore të re se si nuk duhet të merret vesh se si bëhet një gjyq.

Gjyqi i Nexhmije Hoxhës është filmuar dhe transmetuar i gjithi. Gjyqet e banditëve të vitit 1997 janë transmetuar të gjitha, edhe pse rrezikshmëria ka qenë e lartë. Tani gjyqet e Erion Banit duhen mbajtur të mbyllura, se nuk lidhin dot dy fjalë gjyqtarët, jashtë skenarit që u ka dhënë akuza dhe pazarit që kanë mbyllur para gjyqit.

Do të mjaftonte vetëm kaq për të kuptuar se çfarë drejtësie kemi prodhuar. Kemi bërë një drejtësi të pavarur nga politika, që është e paaftë të mbrojë vendimet e saj dhe kërkon të jetë e pavarur edhe nga populli. Kjo është tepër.

  •  

“Non grata”-at shqiptare në rajon duhet të jenë edhe politike

Nga Mero Baze

Sa herë që ka dhunë në protestat e Tiranës dhe policia shoqëron protestues, rreth 10 për qind e tyre janë aktivistë të Vetëvendosjes nga Kosova, në rolin e organizatorit. Kjo është statistikë zyrtare që mund të verifikohet në komunikatat e policisë. Nuk janë thjesht protestues, por organizatorë të dhunës. Pak më rrallë janë nga shqiptarët e Maqedonisë, pasi ata janë kryesisht myslimanë praktikantë, që vijnë në Shqipëri me bindjen se po marrin pjesë në një lloj xhihadi.

Në javën e parë të protestës, një vajzë 11-vjeçare nga Shkupi, që fliste shqip, u ngrit dhe recitoi një “fatwa” kundër Edi Ramës në tribunë, duke e mallkuar atë në emër të Allahut që po shkatërronte Shqipërinë. Ajo ka më pak vite në jetë sesa ka Edi Rama në pushtet, por recitonte sikur të ishte një e vuajtur 50-vjeçare, që Shqipëria i kishte nxirë jetën. Me siguri ishte hera e parë që e sillnin në këtë vend, drejt e në tribunë, për të mallkuar.

E kuptoj atë gatishmërinë për të bërë ironi se protestat nuk i organizojnë Vetëvendosja apo hoxhallarët e Shkupit, por këta flamingot e Shqipërisë. Jam shumë i mësuar me këtë humorin bajat, por për faktet kam pak më shumë respekt. Dhe faktet duhet të jenë shqetësuese për protestën që është katandisur në një grusht njerëzish, dhe jo për ata që nuk janë pjesë e protestës.

Nga e gjithë kjo hordhi ngatërrestarësh që turret nga Prishtina dhe Shkupi të na tregojë se si do të qeverisemi, këta të Albin Kurtit i kuptoj. Albin Kurti është një urrejtës i Shqipërisë, bashkë me shpurën e vet, dhe një njeri që i ka shpallur luftë publike Kryeministrisë së Shqipërisë. Nuk jam duke e gjykuar nëse ka bërë mirë apo keq, por e ka bërë hapur dhe duhet respektuar. Nuk lë rast pa u përzier në punët e Shqipërisë, kështu që nuk mund ta humbiste edhe këtë rast.

Duke qenë se Kosova është shtet i pavarur dhe ai ka të drejtën e tij të shpallë shtete mike dhe armike, ashtu si edhe udhëheqës miq dhe armiq, nuk kemi arsye ta qortojmë pse ka zgjedhur Shqipërinë dhe Edi Ramën për armik dhe kundërshtar dhe Greqinë për aleate. Është zgjedhja e tij dhe duhet ta pranojmë. As ai nuk e përfaqëson Kosovën në këtë qasje; madje ka dy vjet që nuk e përfaqëson Kosovën as në pushtet. Është prej dy vitesh kryeministër në detyrë, një humbës në pakicë që nuk dorëzon pushtetin dhe e mban atë me procedura të delegjitimuara.

Aktualisht duhet të ketë thyer rekord botëror, që është në vitin e dytë të tij si kryeministër që nuk formon dot institucione, por është i shqetësuar pse ka rënë protesta në Shqipëri në 100 vetë dhe dërgon çdo natë njerëz këtu.

Shqipëria ka një qasje serioze, jo paternaliste ndaj Kosovës, dhe është e detyruar të respektojë zgjedhjet e udhëheqësve të saj kundrejt Shqipërisë. Natyrisht nuk është e lumtur, por as e shqetësuar nga mercenarët e Albin Kurtit që sillen rrugëve të Tiranës çdo natë duke dhunuar qytetarët nëpër kafene dhe rrugica ku kalojnë dhe kërkojnë Shqipëri etnike. Shto këtu edhe qëndrimin cinik të Edi Ramës që thotë: “Mos ma ngatërroni Albin Kurtin me këta që vijnë për trazira në Tiranë”, dhe pikërisht atëherë e kupton se Shqipëria nuk ka ndërmend t’i shpallë luftë Kosovës për shkak të Albin Kurtit.

Por shqiptarët e tjerë në rajon, që janë pjesë e shteteve të tjera, si Maqedonia e Veriut, Serbia apo Mali i Zi, që e kanë Shqipërinë shtet amë, Shqipëria është përgjegjëse për orientimin e tyre kundrejt Shqipërisë, apo më keq, për përzierjen në politikën e Shqipërisë për llogari të të tretëve.

Nëse këta kosovarët e Albin Kurtit mund t’u marrin shenjat e gishtave në polici dhe t’i trajtojnë si elementë keqbërës, shqiptarët e tjerë, qytetarë të shteteve të tjera në rajon, që përfshihen në dhunë fizike dhe politike në Shqipëri, duhet të trajtohen si pjesë e axhendave politike kundër Shqipërisë.

Shpallja non grata e hoxhallarëve të Maqedonisë së Veriut që vijnë në Tiranë apo aktivistëve të partisë në pushtet në Maqedoni është masa më e pakët. Shqipëria duhet të veprojë edhe politikisht ndaj faktorit politik shqiptar në Maqedoni që mbështet këtë frymë, duke i delegjitimuar ata.

Në këtë rast, gjithë garnitura e VLEN-it dhe hoxhallarët e Besës, që janë turrur drejt Shqipërisë jo për pushime, por për luftë, duhet të kthehen në një taksë për përfaqësimin e tyre politik.

Qeveria shqiptare duhet të çlirohet nga kompleksi i respektimit të atyre partive shqiptare në Maqedoni Serbi ap Mal të Zi, që gjithë ditën janë pjesë e një pushteti kundër shqiptarëve në Maqedoni dhe në darkë arrijnë në Tiranë të na tregojnë se çfarë duhet të bëjmë ne.

Shqipëria duhet të bëjë shembull politikanët që i frymëzojnë ata dhe jo vetëm ushtarët e tyre. Kjo për gjithë ata shqiptarë që janë pakicë në shtetet e tjera në Ballkan.

Për Kosovën nuk kemi arsye të përzihemi, pasi Albin Kurti nuk e bën këtë punë fshehurazi, por e ka platformë politike dhe atë duhet ta respektojmë si zgjedhje të tij kundër Shqipërisë. Po ashtu duhet të respektojmë edhe ata që e votojnë pikërisht për këtë gjë.

Rëndësi ka që një ditë t’ia arrijë të bëjë një qeveri legjitime në Kosovë, që të mos provojë tezën e atyre që nuk besonin se Kosova ishte e aftë të bënte shtet. Së paku, Albin Kurti ka dy vjet që po u jep të drejtë kasandrave të shtetit të Kosovës.

  •  

Drejtësia që do gjyqe popullore, por jo gjyqe të hapura për popullin

Nga Mero Baze

Kam pasur shumë reagime prej dje për këtë komentarin privat me mbi 500 faqe të kryetarit të GJKKO-së, pasi në versionin e parë kisha ngatërruar edhe faqet dhe kisha shkruar që është 100 faqe. E kisha ngatërruar me rregulloren. Në fakt është 532 faqe. Shpresoj mos ta fusë dikush në makinën e plagjiaturës, se do bëhet subjekt i GJKKO-së për vjedhje të pronës intelektuale.

Nëse sot do të kishte një proces të ri vetingu për gjyqtarët, për të verifikuar aftësitë e tyre profesionale, dhe jo paaftësinë për të mos provuar ku i ka gjetur 3 mijë euro, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Krimit dhe Korrupsionit, Erion Bani, duhet të shkarkohej si gjyqtar. Do të mjaftonte komentari i tij privat prej 500 e ca faqesh, një shembull i shkëlqyer grafomanie, mediokriteti dhe papërgjegjësie profesionale, për të kuptuar se një nga personazhet më të rëndësishëm të sistemit gjyqësor jep udhëzime publike se si të shkelet Kushtetuta. Neni 22 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit dhe thekson qartë në pikën 3 se: “Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.”

Përkundër kësaj, ai ka prodhuar një rregullore të paligjshme dhe antikushtetuese që vendos gazetarët që raportojnë nga gjykatat nën censurë, jo vetëm për të transmetuar, por edhe për të regjistruar faktet publike që ndodhin në gjykatë.

Pra, këta që japin vendime në emër të popullit, duan që populli të mos i shohë si i marrin vendimet.

Arsyet i dimë të gjithë. Në krye të tyre qëndron paaftësia dhe përdorimi i drejtësisë për gjueti shtrigash.

Deri tani nga drejtësia kemi parë vetëm një anë të medaljes, gjyqet paraprake popullore që SPAK dhe GJKKO kanë nxitur ndaj të pandehurve, kur janë kryesisht zyrtarë të lartë apo politikanë. Me një “rrjedhje” faktesh në portale të caktuara, të gjithë ata që janë arrestuar me burgim paraprak janë denigruar në publik me gjysmë të vërteta, çerek të vërteta dhe shpesh edhe me gënjeshtra për të justifikuar punën e SPAK apo GJKKO.

Tani që po kalojnë vite dhe ende nuk kemi ndonjë proces të përfunduar dhe bindës nga drejtësia e re, na shfaqet ana tjetër e medaljes, shkelja kushtetuese e të drejtës që gjykimi të jetë publik dhe futja nën kontroll me rregullore administrative e të drejtës kushtetuese të shtypit për publikimin e proceseve gjyqësore.

Shikoni se çfarë bën SPAK ndaj Erion Veliajt. Meqë Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë lirimit të tij si arrestim i paligjshëm, vrapon të mbushë mediat me lajme linçuese që dalin nga një zyrë e drejtësisë shqiptare të tipit: “Erion Veliaj nuk ka deklaruar 100 udhëtime”, a thua se ai ka udhëtuar ilegalisht për ndonjë qëllim kriminal.

Domethënë ata dy prokurorë që para dy vitesh i bënin gjyqin popullor dhe hiqeshin si heronj se kishin zbuluar fustanet e operës dhe të brendshmet e shtrenjta të blera nga gruaja e tij, tani janë dorëzuar tek udhëtimet “e padeklaruara”. T’ia marrin të keqen gjyqeve për kafetë e Nexhmijes.

Asnjë ligj nuk detyron deklarimin e udhëtimeve. Në deklarimin e pasurisë ekziston detyrimi për deklarimin e shpenzimeve mbi 300.000 lekë (të reja). Sa kohë nuk ka verifikim të shpenzimeve, si arrihet në konkluzionin që “s’ka deklaruar udhëtimet”?

Pastaj të njëjtët prokurorë që bëjnë këtë palaçollëk publikisht pa asnjë fakt, janë ata që kërkojnë gjyq të mbyllur, futje në kafaz dhe moslejim komunikimi me median, se turpërohen para opinionit publik.

Veliaj e fitoi betejën në Kushtetuese pikërisht sepse gjyqi ishte publik dhe u transmetua pa asnjë shqetësim për këto rreziqe të “sigurisë” që shpik Erion Bani. U mor sinjali nga salla dhe në një sallë tjetër gazetarët e transmetuan gjyqin pa prishur as solemnitetin e sallës dhe as sigurinë e saj.

Gjyqi ndaj Olsi Dados në gjykatë administrative u detyrua të mbyllet pikërisht sepse gjyqtarët nuk pranuan të shqyrtonin një çështje që nuk e mbronin dot prokurorin. Dhe i ranë shkurt e mbyllën, ngaqë aty Veliaj nuk ishte në kafaz dhe ky Dado nuk e shikon dot të lirë.

Drejtësia nuk është një akt administrativ, që merret në salla të mbyllura larg syve të botës, por mbi të gjitha është një akt publik i garantuar nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut në nenin 6 të saj, i cili garanton që gjykimet zhvillohen publikisht, ndërsa neni 10 i po kësaj Konvente mbron të drejtën e medias për të informuar publikun mbi funksionimin e drejtësisë.

Kjo është e shkruar në Konventën më të rëndësishme të drejtësisë evropiane, pasi proceset gjyqësore publike janë një nga mekanizmat më të rëndësishëm të kontrollit demokratik mbi pushtetin gjyqësor.

Kundër kësaj është një kryetar gjykate në Shqipëri, i cili në Komentarin për Rregulloren e Brendshme të Sigurisë së GJKKO-së vendos sigurinë fizike të godinës dhe sallës ku bëhet gjyqi mbi transparencën publike mbi mënyrën se si bëhet shqyrtimi gjyqësor i çështjes.

Ajo çka është më e rëndësishme është se kryetari i GJKKO e trajton median si rrezik për procesin gjyqësor dhe jep udhëzime për menaxhimin e rrezikut, pra se si të shpëtojë procesin gjyqësor nga media.

Nëse i hedh një sy proceseve gjyqësore në Strasburg, ke dhjetëra raste të pastra vendimesh që e hedhin poshtë Erion Banin me gjithë komentarin e tij.

Në çështjen Axen kundër Gjermanisë (1983), GJEDNJ theksoi se publiciteti i gjykimit mbron qytetarët nga drejtësia e fshehtë dhe forcon besimin tek gjykatat. Gjykimet publike nuk ekzistojnë për komoditetin e medias, por sepse drejtësia duhet të jetë e dukshme.

Në Riepan kundër Austrisë (2000), Gjykata theksoi se publiku duhet të ketë mundësi reale për të ndjekur procesin dhe se kufizimet nuk mund të bëhen rutinë administrative.

Në vendimin e madh Axel Springer AG kundër Gjermanisë (2012), Gjykata theksoi se raportimi mbi procedurat gjyqësore përbën çështje me interes të lartë publik dhe gëzon mbrojtje të veçantë sipas nenit 10.

GJEDNJ e ka cilësuar median si rojtare publike të demokracisë.

Ndërkohë, në komentarin e GJKKO-së jepen udhëzime se si të administrohet media dhe si të kufizohet aksesi i saj përmes akreditimit, i cili parashikon penalitete nëse nuk i bindesh një rregulloreje antikushtetuese.

Kjo vlen për zyrën e Bashkimit Evropian në Tiranë si donatorja dhe mbështetësja kryesore e Reformës në Drejtësi, e cila tani po përdor taksat e qytetarëve evropianë kundër Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe lirisë së shtypit.

Vlen po ashtu për rojet e OSBE-së, Ambasadën Britanike që sponsorizon programin e shtypit në SPAK dhe GJKKO, si dhe programet ndërkombëtare të drejtësisë që mbështesin reformën. Thjesht duhet të mos thonë që nuk e dinin që e kanë bërë edhe këtë.

Tani këta gjyqtarë dhe prokurorë, që janë kaq të dashuruar me publikun para gjyqit, bëhen krejt të ndryshëm kur duhet të përballen me publikun për vendimet paraprake dhe gjyqet popullore që kanë bërë. Pra, këta duan që vendimet e tyre paraprake t’i mbrojnë me thashetheme publike, kurse gjyqet t’i bëjnë në errësirë dhe pa gazetarë e kamera.

Madje ky Erion Bani kishte parashikuar që gazetarin nuk duhet ta zërë gjumi në sallë, ndryshe duhet nxjerrë jashtë.

Mendo të dëgjosh autorin e komentarit prej 532 faqesh të flasë në sallë dhe të shmangësh gjumin. Duhet të jetë një torturë që të bën t’i thuash burgut: “Hapu!”

  •  

Kryengritja e kryetarëve që s’kanë asnjë kompetencë

Nga Mero Baze

Kur u bë reforma administrative më 2015, projekti i parë ishte me 47 bashki. Pothuajse i njëjti që është sot në tryezë si version i Partisë Socialiste. Për ta bërë më dëshpëruese gjendjen për PD-në, Ilir Meta propozoi në minutat e fundit të përfshihej edhe Shpëtim Idrizi në marrëveshje, i cili natyrisht kishte “kushtet” e tij. Brenda 24 orësh, duke plotësuar “kushtet” e Shpëtimit dhe duke i dhënë shans LSI-së për qokat e veta, u bënë 61 bashki.

Pra, edhe pse procesi kishte një vit që debatohej publikisht dhe bëheshin takime në bazë, u arrit dakord të kishte 47 bashki. Të gjitha këto ndryshime që janë bërë sot, përfshi Tepelenën, Përmetin, Divjakën, Poliçanin etj., ishin si sot.

Për 24 orë gjithçka u ndryshua për t’u dukur një aleancë më e madhe dhe u bënë 61 bashki. Nuk pati asnjë protestë. Pati vetëm disa pretendime të PBDNJ-së për bashkimin e Himarës me Lumin e Vlorës, duke akuzuar se po humbiste integriteti i atyre që e quajnë minoritet grek në Himarë. Me të tjerat nuk kishte asnjë problem.

Tani i njëjti film po përsëritet, por me protesta brenda PS-së. Arsyeja janë kryetarët që humbasin shansin të jenë kandidatë. Kaq banale është e gjithë situata dhe nuk ia vlen të diskutosh as për “rebelimin”, as për “djegien e teserave” dhe as për kriteret që ata kanë në mendje si argument.

I vetmi defekt që unë shikoj te reforma është që kriterin e bashkimit të bashkive të vogla në ish-rrethet e dikurshme e ka përdorur më pak se duhet. Konsultimet publike të Maznikut dhe Luciano Boçit nuk është se kanë sjellë ndonjë argument serioz, më shumë sesa kanë bërë “adetin” me popullin. Edhe Luciano, që në disa raste deshi ta përdorte për politikë, që të dukej i fortë, nuk i bëri punë, se nuk e zgjodhën nënkryetar të PD-së.

I vetmi studim serioz ekonomik që Shqipëria ka për rrethet dhe ndarjet e bashkive është logjika ekonomike dhe administrative e komunizmit, që i kishte ndarë në fillim në 26 rrethe dhe pastaj i çoi në 32. Edhe pse është turp ta themi, ai ishte edhe pushteti lokal më i decentralizuar i Shqipërisë. Vetëm gjatë komunizmit komitetet ekzekutive kanë qenë të plotfuqishme për të qeverisur territorin, si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe administrative. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv drejtonte, duke emëruar dhe kontrolluar ndërmarrjet më të mëdha në rreth, arsimin, shëndetësinë, policinë, infrastrukturën, rrugët, ujin, dritat dhe gjithçka.

Në këtë kuptim, do të ishte mirë që reforma të orientohej te kjo logjikë ndarjeje, pasi janë provuar që kanë funksionuar edhe kompetencat që kanë pasur kryetarët e komiteteve ekzekutive.

Sot kryetarët e bashkive s’kanë asgjë në dorë. Nëse qytetarët nuk kanë ujë, bashkia s’ka asnjë kompetencë; nëse qytetarët nuk kanë drita, bashkia s’ka asnjë kompetencë; nëse qytetarët nuk kanë rrugë, bashkia nuk ka asnjë kompetencë; nëse qytetarët kanë probleme me shkollën, bashkia nuk ka asnjë kompetencë; nëse qytetarët kanë problem me spitalin, bashkia nuk ka asnjë kompetencë; nëse qytetari ka problem me hipotekën, që është gangrenë, bashkia nuk ka asnjë kompetencë.

Pra, bashkitë nuk ekzistojnë. Ato nuk janë as 61 dhe as do të bëhen 46. Ato janë një bordero njerëzish që marrin rroga dhe nuk kanë asnjë kompetencë për të vepruar. Ata nuk përfitojnë dot nga bizneset e mëdha në territorin e tyre, përveç taksës së tabelës, dhe as nxisin dot politika ekonomike për të tërhequr investime. Ata thjesht janë kot.

Prandaj, nëse do të rishikohet ndonjë gjë në reformën territoriale, duhet të rishikohen kompetencat e bashkive dhe decentralizimi i pushtetit vendor, për t’i bërë bashkitë qeverisje të vogla vendore. Kështu siç janë kompetencat, po të quhet një bashki e gjithë Shqipëria me disa administratorë të emëruar, nuk ka ndonjë ndryshim.

Dhe kjo e bën edhe më të neveritshme këtë kryengritje false të kryetarëve që s’e kanë parë bashkinë e tyre më vete në hartën e propozuar për ndarjen e re. Ata thjesht kanë treguar se mirë që nuk janë kryetarë bashkish, por nuk janë as prerje politike.

Se të nxjerrësh në rrugë njerëz të djegin tesera, me inskenime histerike, meqë nuk do të jesh më kryetar, do të thotë të përdorësh të punësuarit e tu për zemërimin tënd.

Tani nuk e di se çfarë do të bëjë përfundimisht Partia Socialiste me këtë projekt. Do t’i ngushtojë akoma bashkitë dhe do t’u zgjerojë kompetencat, apo do ta lërë siç është. Por çfarëdo që të ndodhë, edhe nëse e lë siç është, edhe nëse e lë siç ishte, edhe nëse e bën siç ka qenë më 1991, këta kryetarët që nxjerrin turma njerëzish në rrugë duke djegur tesera, që kam frikë se s’i kanë pasur kurrë, është mirë të digjen përfundimisht si kandidatë për t’u zgjedhur në çfarëdo posti. Dhe kjo qoftë edhe për faktin që janë gati t’i vënë zjarrin edhe qytetit për një karrige, që në fakt, kështu siç është, nuk i shërben aq qytetit dhe qytetarëve, përveçse xhepit të tyre.

  •  
❌