Reading view

Fuqia fatale e lajmit të rrejshën: Nga Maroku i sotëm në pazarin e Prishtinës gjatë Perandorisë Osmane

Lajmi i rrejshëm shpesh është më i fuqishëm se e vërteta. Prandaj duhet të luftohet. Dhe lufta fillon në shkollat fillore. Vetëm qytetarët që dinë të bëjnë dallimin mes lajmit të rrejshëm dhe lajmit të vërtetë mund të jenë edhe shtetas të përgjegjshëm.

Enver Robelli

Nuk dihet kush e nisi, por ditëve të fundit në Marok u përhap lajmi nëpër media sociale se nëse futesh nga deti duke notuar në eksklavën spanjolle Ceuta, atëherë Spanja është e detyruar të trajtojë kërkesën për azil. Kaq e thjeshtë nuk është, ndonëse një vendim i drejtësisë në Spanjë sugjeroi diçka të tillë dhe ndezi fantazinë e mijëra njerëzve në Marok, të cilët kanë vetëm një qëllim: të ikin nga vendi i tyre për shkak të mungesës së perspektivës. Rezultati i lajmit të rrejshëm mund të jenë deri në 200 të vdekur! Të konfirmuar deri më tani janë 72 viktima.

I paqartë mbetet roli i forcave marokene të sigurisë. Pse ato nuk penguan “stuhinë” e 60 mijë njerëzve drejt Ceutës? Revista gjermane “Der Spiegel” citon një migrant, i cili thotë se forcat e sigurisë të Marokut u kanë treguar migrantëve rrugën për në plazh. Sipas këtij versioni, nga plazhi migrantët shikuan në anën tjetër, në eksklavën spanjolle, dhe pastaj u futën në ujë. Një migrant tjetër raportohet se ka thënë se ishte rrahur nga forcat e sigurisë marokene, që të vazhdonte rrugën drejt Spanjës. Ndërkohë refugjatët janë larguar drejt Marokut.

Lajmi i rrejshëm – vret. Dhe kjo ka pasoja, siç raporton “Financial Times” nga Maroku: “Amina Saadoun e kaloi të shtunën në rrugën nga Ceuta për në Marok, duke i treguar secilit migrant që kthehej e kalonte pranë saj një fotografi të vogël të vëllait të saj 15-vjeçar. ‘A e keni parë këtë djalë? Është vëllai im, e kam rritur si djalin tim’, pyeste ajo.

Deri të dielën, numri i viktimave nga kalimi masiv drejt eksklavës spanjolle ishte rritur në 72 persona, sipas autoriteteve spanjolle, duke i lënë familjet marokene të shkatërruara nga dhimbja ose të tmerruara nga frika se fëmijët e tyre mund të ishin mes të vdekurve”.
Vëllai i Saadounit, Mohamedi, u largua nga shtëpia të enjten në mëngjes, duke iu bashkuar rreth 60 mijë të tjerëve që vërshuan drejt Ceutës spanjolle. „Nuk e di nëse është i gjallë apo i vdekur,“ tha ajo duke shpërthyer në lot.

Ngjarjet në Ceuta të kujtojnë një ndodhi tjetër në Prishtinën e sunduar nga Perandoria Osmane para gati 120 viteve. Edhe atëherë lajmi i rrejshëm pati efekt të madh. Më 13 prill 1910 konsulli austro-hungarez në Mitrovicë, Ladislaus Tahy von Tahar, raportonte për një kryengritje në rajonin e Llapit përreth Prishtinës. Në pazarin e Prishtinës ishte përhapur fjala se tani e tutje shqiptarët që sjellin pula e ve për t’i shitur, duhet të paguajnë një tatim të ri. Dikush ia kishte ngjitur një pule një fletë në krah me njoftimin se ky “bidat” (kjo risi) sapo kishte hyrë në fuqi.

Konsulli Ladislaus Tahy von Tahar supozonte se ai që e kishte përhapur këtë thashetheme në pazarin e Prishtinës, e dinte se shqiptarët do të protestonin kundër tatimit të ri. Pasi dëgjoi për tatimin e ri, një shitës shqiptar i hodhi përtokë vezët, u kthye në fshatin e tij, ku dha lajmin për tatimin e ri. Ndërkohë emisarët e nxitësit të trazirave për ta acaruar edhe më shumë popullin dhe nxitur fanatizmin, përhapën lajmin e rrejshëm se tani e tutje madje secili burrë duhet të paguajë tatim për mjekër.

Shqiptarët, shkruan konsulli austriak nga Mitrovica, u tubuan, ua ndaluan organeve qeveritare të hyjnë në territorin e tyre dhe penguan vizitat në pazarin e Prishtinës. Komandanti i Prishtinës Shefki Pasha negocioi me të zemëruarit, por kur ata e panë numrin e vogël të trupave osmane, shpallën kërkesa të tjera si largimin e oficerëve që ndiqnin shkollën ushtarake, zëvendësimin e tyre me nënoficerë, heqjen dorë nga ndërtimi i karakollëve për xhandarmëri, pezullimin e vendimeve të reja dhe të kushtetutës dhe kthimin e gjendjes së mëparshme – “katër tatimet e vjetra dhe sheriatin”.

Më 4 dhe 5 prill 1910 shpërthyen trazira e përleshje, me ç’rast trupat osmane humbën një top, 48 pushkë dhe municion, 2 oficerë dhe 9 ushtarë ranë në duart e shqiptarëve. Trupat osmane humbën 17 veta, 22 u plagosën. Për humbjet e shqiptarëve nuk ka informacion, shkruan konsulli. Mes 6 dhe 10 prill luftimet pushuan, trupat osmane u përforcuan, numri i shqiptarëve u rrit në gati 10 mijë. Më datën 11 prill në mbrëmje shqiptarët deklaruan se heqin dorë nga luftimet dhe u tërhoqën në fshatrat e tyre. Ata e kthyen topin dhe pushkët që ua kishin marrë trupave osmane. I liruan edhe pengjet. Konsulli raportonte se në fshatin Barilevë po qëndronin të gatshëm 2000 shqiptarë për të rifilluar luftimet nëse qeveria ndërmerr masa të ashpra represive. Në raport thuhet se ishin arrestuar dhjetë prijës të shqiptarëve, por atyre u ishte premtuar se do të liroheshin nëse tregojnë se kush është nxitësi i protestave. Hetimet po zhvillohen me ngulm, por deri më tani nuk janë zbuluar gjurmët e nxitësit, i cili veproi në mënyrë aq të shkathtë, njoftonte konsulli. Ai supozonte se ka të ngjarë që pas trazirave qëndrojnë bejlerët reaksionarë, të cilët synonin kthimin e gjendjes së mëparshme, kur s’kishin asnjë kufizim dhe nuk pengoheshin nga qeveria.

Konsulli ankohej po ashtu se korrespondentët nga Shkupi e Selaniku po botonin në gazetat austriake dhe hungareze lajme të rreme për zhvillimet në Kosovë. “Neue Freie Presse” fajësohej se botonte telegrame me fantazira. Kësisoj, kjo gazetë botoi lajmin se kryengritësit shqiptarë paskëshin ngritur flamurin austro-hungarez. Sipas konsullit, shqiptarët e interpretonin këtë si dëshirë të Austrisë për të aneksuar Shqipërinë – “një dëshirë që e bart era”. Më 24 mars 1910 gazeta “Politika” e Beogradit në stilin e saj të vjetër botoi një telegram nga Kurshumlia, sipas të cilit në kryengritjen e shqiptarëve ka gisht “konsulli austriak në Mitrovicë, gjë që së shpejti do të ndriçohet nga autoritetet turke”. Këto njoftime konsulli Ladislaus Tahy von Tahar i quante shpifje dhe njoftonte se qëllimi i tij ishte që të bashkëpunonte në mënyrë korrekte me palën osmane në Kosovë.

Domethënë: një lajm i rrejshëm dhe një fletë e ngjitur në krahun e një pule ndezën pothuaj një luftë.

Tragjedia në Ceuta të kujton edhe një episod tjetër nga Kosova e sunduar nga osmanët, siç dëshmohet në punimin shkencor të historianes Eva Anne Frantz. Aty tregohet se si banorët e Prishtinës në fund të shekullit të 19-të e shihnin stacionin hekurudhor si “vepër të dreqit”.

Eva Anne Frantz shkruan: “U ndërtuan vija hekurudhore dhe më 1874 u hap linja Selanik–Shkup–Mitrovicë. Popullsia lokale në fillim e kundërshtoi me këmbëngulje ndërtimin e hekurudhës, por në vitet vijuese ky qëndrim ndryshoi.

Kështu, siç konstatonte (diplomati austriak Theodor Ippen), në fund të shekulli XIX, stacioni hekurudhor i Prishtinës ishte e mundshme të ndërtohej 7 kilometra larg qytetit, sepse […] atëbotë banorët e Prishtinës, që nuk ishin aspak të hapur dhe trembeshin nga kultura, donin ta kishin sa më larg vetes atë ‘vepër’ moderne ‘të dreqit’, derisa tani pandërprerë luten që stacioni të vendoset në një vend më të përshtatshëm”.

Në këtë kontekst ka edhe një histori tjetër nga viti 1908, sipas raporteve konsullore austriake: Më 8 korrik 1908 zyrtari austro-hungarez Adolf Ritter von Zambaur shkruante nga Mitrovica se “lëvizja e re e arnautëve” (shqiptarëve) në qarkun e Prishtinës ishte e drejtuar kundër vizitës (ekskursionit) të shkollës gjermane të Selanikut në trevën e Prishtinës. Vizita ishte planifikuar për datën 5 korrik 1908.

Zambaur raportonte se që më 4 korrik trupa të shqiptarëve u tubuan afër vijës hekurudhore mes Ferizajt dhe Kaçanikut me qëllim që ta ndalin trenin special me pjesëmarrësit e ekskursionit. Kur u bë e ditur se treni nuk do të qarkullonte, shqiptarët e përmendur, të përkrahur nga njerëz të tjerë nga kazaja e Prishtinës, shkuan te vendi ku ishte planifikuar të vendoseshin mysafirët nga Selaniku, një mal që gjendej tri kilometra në veri të Ferizajt, dhe aty e lidhën rojtarin e hekurudhës dhe shkatërruan ulëset dhe tavolinat e bëra gati. Kur materialit prej dërrasave iu vu zjarri, keqbërësit (vlerësohet se ishin 3000, por minimum ishin 1000) deshën të depërtojnë në Ferizaj, por kjo u pengua nga gjenerali Shemsi Pasha, që erdhi nga Prizreni në Ferizaj, dhe nga kajmekami Ismail Fevzi Pasha.

Diplomati austro-hungarez Adolf Ritter von Zambaur shkruante se arsyet e kundërshtimit të vizitës së shkollës gjermane në Kosovë kishin të bënin me urrejtjen latente të shqiptarëve kundër të huajve dhe kjo urrejtje në rastin konkret u nxit nga elementet “që kanë qëndrim armiqësor ndaj nesh”. Në mesin e shqiptarëve të tubuar në Ferizaj flitej se do të pasonte pushtimi i Arnautllukut (territore të banuara me shqiptarë) nga 40 batalione austro-hungareze. Ato do të hynin nga Shkupi në Fushë-Kosovë.

Diplomati austro-hungarez këto i quante gjepura dhe theksonte se lejen për ekskursion e kishte dhënë qeveria e Vilajetit. Nga pikëpamja jonë, shkruante Adolf Ritter von Zambaur, dështimi i ekskursionit të shkollës gjermane të Selanikut në Kosovë është për keqardhje edhe për arsye se serbët kanë filluar ta shfrytëzojnë rastin për qëllimet e tyre duke u sugjeruar “muhamedanëve” (shqiptarëve) se ndërtimi i hekurudhës në drejtim të Sanxhakut i bart të gjitha fajet për tërë risitë që nuk u pëlqejnë shqiptarëve.

Në fillim të shekullit të XX Kosova pothuaj nuk kishte sistem arsimor dhe ishte shumë lehtë të manipuloheshin masat analfabete. Por si është puna gati 120 vjet më vonë? Qasja në informacion kurrë nuk ka qenë më e lehtë, por edhe rreziqet nga lajmet e rrejshme kurrë nuk kanë qenë më të mëdha. Është e habitshme sa lehtë njerëzit bien pre e lajmeve të rrejshme. Kjo është edhe pasojë e largimit të lexuesve nga mediat tradicionale, të bazuara në fakte, dhe koncentrimi në atë që qarkullon në mediat sociale. Lajmi i rrejshëm shpesh është më i fuqishëm se e vërteta. Kjo fjali i atribuohet shkrimtarit amerikan Mark Twain: “Një gënjeshtër i ka rënë tre herë rreth e qark botës, përpara se e vërteta të mbathë këpucët”. Rrjedhimisht, është me rëndësi që në çdo shoqëri të rritet komptenca mediale, sepse ajo – ndërkohë – është po aq e rëndësishme sa leximi, shkrimi dhe llogaritja. Komptenca mediale duhet të jetë lëndë e posaçme që në shkollën fillore. Vetëm qytetarët që dinë të bëjnë dallimin mes lajmit të rrejshëm dhe lajmit të vërtetë mund të jenë edhe shtetas të përgjegjshëm. Fëmijët dhe të rinjtë me kompetencë mediatike janë të përgatitur për të ardhmen dhe të mbrojtur nga përvojat negative mediatike.

  •  

Disa shënime mbi një këngë zvicerane të ngjashme me këngët shqiptare të nizamëve

Nga Enver Robelli 

Në 1865 metra lartësi mbidetare, mes liqeneve Walensee dhe Zürichsee, gjendet maja Federispitz. Ka disa shtigje për t’u ngjitur në këtë majë; unë vendosa të zbres nga treni në fshatin Ziegelbrücke.

Nga aty deri në majë, në një ditë me diell përcëllues, duhen llogaritur nja 5 orë ecje. Shtegu kalon herë nëpër livadhe, herë nëpër pyje. Pas çdo hapi, pamja bëhet më madhështore. Walensee, një liqen të cilit poeti Azem Shkreli i ka kushtuar një poezi, është i rrethuar me kodra impozante dhe fshatra të bukura. Në krahun tjetër gjendet liqeni i Zürichut (Zürichsee, siç i thonë në gjermanisht), i dominuar nga zona urbane.

Walensee është një liqen pranë alpeve dhe me trajtë fjordi, me një gjatësi prej 15,3 kilometrash, thellësi maksimale prej 151 metrash dhe gjerësi prej 1,3 kilometrash.

Në bregun jugor të liqenit kalon hekurudha që e lidh Zürichun me qytetin e Churit dhe kantonin Graubünden. Prurjet më të rëndësishme ujore janë lumi Seez nga rajoni i Sargansit, përroi i Murgut (Murgbach) dhe lumi Linth nga rajoni i Glarusit. Walensee dhe Zürichsee (Liqeni i Zürichut) janë të lidhur nëpërmjet një kanali të gjatë 17 kilometra dhe të hapur më 1816.

Zbritja nga maja Federispitz deri në Schänis zgjat 3 orë dhe është pjesërisht e mundimshme, por vëmendjen e marrin fushat e gjelbra, të stolisura me lloj-lloj lulesh. Kudo në largësi dëgjohen këmbana lopësh.

Për shqiptarët simbol nacional është shqiponja, ndërsa për zviceranët lopa. Në një këngë popullore zvicerane, të quajtur vallja e lopëve (frëngjisht: „Ranz des vaches“ ose gjermanisht: “Kuhreigen”), përsëritet fjala “Lioba”. Emërtimi „Lobe“ për lopën gjendet në dialektet alemanike dhe romane të alpeve. Në Zvicrën qendrore (Innerschweiz), lopëve edhe sot e kësaj dite u thonë „Loobeli“.

Kënga u bë e famshme edhe jashtë kufijve të Zvicrës – madje shërbeu si burim inspirimi për motivet baritore të kompozitorëve të mëdhenj si Beethoven, Liszt apo Wagner. Thuhet se kjo melodi u zgjonte mercenarëve zviceranë mall aq të madh për vendlindjen, saqë dezertonin nga ushtria.

Kemi në gjuhën shqipe diçka të ngjashme me këngën zvicerane për lopët: janë këngët e nizamëve. Në osmanisht Nizâm-ı Cedîd përshkruan ushtarin e rregullt pas Reformave të Tanzimatit, të cilat i detyruan shqiptarët të shërbejnë në ushtrinë osmane si ushtarë të rregullt. Ata shërbenin deri në 7 vjet (shpesh edhe më shumë) në Anadoll, Jemen, Kaukaz dhe Tripoli të Libisë.

Ndodhte që të mos ktheheshin kurrë në shtëpi. Dhimbja shprehet edhe në këngë, si kjo në vijim:
Mbeçë, more shokë, mbeçë
Përtej Urës së Qabesë
Falëm me shëndet nënesë,
Kàun e zi le ta shesë.
Në pyestë nëna për mua
I thoni që u martua.
Në pyestë se ç’grua mori
Tre plumba te kraharori,
Në pyestë se ç’kalë hypi
Atje tek hypën meiti.
Në pyestë se ç’krushq i vanë
Sorrat e korbat që e hanë.

  •  

Zoti Trump dhe ecja mbi ujë

Nga Enver Robelli

Disa njerëz mllefosen sa herë e dëgjojnë Donald Trumpin duke folur. Por ka edhe arsye për t’u argëtuar. Qe pse.

Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” pyet në një rubrikë të saj: «Ku shtrihet Katari në të vërtetë? Nga sa lagje përbëhet Belgjika? Dhe a ka qenë vërtet Shqipëria dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, atëherë kur ai quhej ende Jugosllavi? Të mësosh me Trumpin është shumë argëtuese».

Disa njerëz mllefosen sa herë e dëgjojnë Donald Trumpin duke folur. Por ka edhe arsye për t’u argëtuar. Qe pse.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ishte në Evian të Francës, një fshat idilik mes Liqenit të Gjenevës (Lac Léman) dhe Alpeve. Më saktë, Trump qëndroi në Hôtel Royal, një bujtinë e bukur (me pesë yje!), natyrisht me pamje madhështore mbi liqen. Arsyeja e qëndrimit të presidentit amerikan në Evian ishte samiti G7, pra takimi i shtatë vendeve më të industrializuara në botë (ndonëse kjo s’është bash e vërtetë, sepse edhe bota ka ndryshuar).

Kur je i mbyllur në hotel me pesë burrështetas të tjerë dhe një kryeministre të Italisë, atëherë, krahas takimeve zyrtare, shpesh bën vaki që këta njerëz, deshe apo s’deshe, t’i takosh edhe në holl të hotelit, në bar apo në ballkon. Që të mëdhenjtë e botës të mos mërziten, mikpritësi (në këtë rast presidenti i Francës Emmanuel Macron) ftoi edhe burrështetas të tjerë, të cilët përfaqësonin shtete me territor të vogël e kuletë të madhe. Për shembull: Katarin.

Në një takim me emirin e këtij shteti të vogël, Tamim bin Hamad Al Thani, dolën në shesh njohuritë e shumëanshme dhe të thella gjeografike të shefit të Shtëpisë së Bardhë. Trump e përshkroi shtetin e Katarit në Gjirin Persik si vend fqinj të Iranit me kufi tokësor të përbashkët. «Ju mund të kaloni direkt përtej kufirit, kështu që jeni në një pozicion shumë më të rrezikshëm», i tha Trump emirit Al Thani në margjinat e samitit. Trump ishte i bindur se nga Katari mund të shkosh në Iran «përnjëmend në këmbë». Përnjëmend?

E merr njeriu globin e vjetër dhe shikon. Rezultati i shikimit: Katari është gadishull në Gjirin Persik që kufizohet me tokë vetëm me Arabinë Saudite. Pjesa tjetër e Katarit është e rrethuar nga uji. Distanca ajrore me Iranin, në pikën më të ngushtë të ndarë nga Gjiri Persik, është rreth 200 kilometra. Ndërkaq, Irani kufizohet, ndër të tjera, me Irakun, Turqinë, Afganistanin dhe Pakistanin. Të shkosh nga Katari në këmbë në Iran – kjo bëhet vetëm nëse ecën mbi ujë. Me zotin Trump edhe kjo është e mundshme.

Nga ky këndvështrim bukolik i botës, Shqipëria (Albania) bën të ngatërrohet me Armeninë. Belgjika është qytet, jo shtet. Namibia e Afrikës është «Nambia». Të gjitha këto i kanë ndodhur Trumpit kur ka folur për rajone të caktuara të botës. Siç i qetëson lexuesit «Süddeutsche Zeitung», nuk ia vlen të nevrikosesh nga rrëshqitjet gjuhësoro-gjeografike të presidentit amerikan, sepse kjo nuk sjell gjë përveç rritjes së tensionit të gjakut. Gjërat duhen parë pozitivisht.

Çfarë thotë Trump është vetëm thirrje për të shqyrtuar në mënyrë kritike dijen tonë, e cila shpesh rezulton gjysmëdije.

Nëse nisemi nga konstatimi i tij lapidar se Belgjika është qytet, atëherë çka janë Valonia ose Flandra? Dhe në përgjithësi mund të shtrohet pyetja se përse moderatorët e lajmeve një vendi diku afër Katarit herë i thonë Iran, herë Irak.

I paparashikueshëm është zoti Trump, jo vetëm në gjeografi. Ka disa ditë që Zvicra bëhet gati që në hotelin Bürgenstock, lart mbi liqenin e bukur të Luzernit, delegacionet nga SHBA-ja dhe Irani të nënshkruajnë marrëveshjen për ndaljen e luftës (ndonëse duhet pasur kujdes me fjalën «ndalje»). A do të vijë Trump apo zëvendësi i tij J.D. Vance për të nënshkruar dokumentin? Zvicra zyrtare do të kishte qejf të vinte Trump, por më shumë ka gjasa të vijë Vance – kështu thanë lexuesit profesionistë të filxhanëve të kafesë. Dhe disa gazetarë.

Sidoqoftë, populli alpin e urban zviceran është popull serioz, me qeveri serioze dhe me ushtri serioze: 2000 ushtarë rrethuan hotelin Bürgenstock për të siguruar ceremoninë e nënshkrimit. Mysafirët – mes tyre edhe turistë amerikanë – që kishin rezervuar dhomat u informuan me keqardhje se rezervimi ishte anuluar për shkak të ceremonisë së pritshme për nder të paqes mes SHBA-së dhe Iranit. Një çift u njoftua se s’mund të mbahej as dasma e tyre.

I paparashikueshëm është zoti Trump. Zgjohesh në mëngjes, e enjte, 18 qershor 2026, dhe lajmi është ky: presidenti Donald Trump e ka nënshkruar «memorandumin e mirëkuptimit» me Iranin, por jo në Bürgenstock (hoteli i përket një firme të fondit shtetëror të Katarit).
Nënshkrimi ka ndodhur në Pallatin e Versajës, në prani të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili e kishte ftuar Trumpin në një banket të madh, shumë të madh për nder të 250-vjetorit të themelimit të SHBA-së. Në Teheran marrëveshja u nënshkrua nga presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian. Nënshkrim virtual, digjital i thonë kësaj pune.

E tani? Ushtarët zviceranë mund të kthehen në shtëpi, sepse ka gjasa që ajo ceremoni e madhe në hotelin Bürgenstock të mos mbahet fare.

I paparashikueshëm është zoti Trump.

Vetëm një gjë është e sigurt: sonte Zvicra luan kundër Bosnjës.

Çfarë mbetet? Ai premtimi i disa gjenive politikë globalë dhe lokalë se liria për popullin e Iranit po vjen (kur nisën sulmet amerikano-izraelite ndaj regjimit iranian). Po vjen, në fakt, një liri edhe më e madhe për regjimin. Mediat amerikane dhe arabe e kanë botuar dokumentin e nënshkruar. Aty ka shumë premtime, mes tyre: Trump zotohet se do t’ia heq sanksionet Iranit dhe do të lejojë regjimin të ketë qasje në miliardat e tij të bllokuara në botën perëndimore. Një gazetë serioze zvicerane shkroi se dokumenti lexohet si kapitullim i SHBA-së. Me rëndësi: Katari dhe Irani kufizohen me tokë. Nëse jo, atëherë ecim mbi ujë.

  •  

Për protestën kreative dhe disa çorbaxhinj

Nga Enver Robelli

Njerëzit që po vërshojnë sheshet e Shqipërisë për të shprehur pakënaqësi ndaj qeverisë lidhur me mënyrën se si ajo synon t’i menaxhojë resurset e vendit meritojnë së paku të dëgjohen. Shqetësimet e tyre janë legjitime!

Por të gjithë këta njerëz duhet të kenë kujdes dhe të distancohen nga disa huliganë, të cilët me zell të madh janë duke përhapur teori komploti – sikur krejt ky investim i synuar në jug të Shqipërisë na qenkësh i kurdisur nga një “rrjet botëror hebraik”.

Gati krejt kapitali që synohet të investohet është nga vendet myslimane – ndonëse kapitali si i tillë nuk ka as din, as iman. Fakti që me kaq lehtësi depërtojnë në sferën publike këso tregimtarish absurde mbi “komplote botërore”, dëshmon dëshpërimisht dështimin e sistemit shkollor. Kjo duhet ta shqetësojë çdo politikan, çdo qytetar, çdo institucion arsimor, shkencor e kulturor. Kjo flet shumë dhe flet keq edhe për cilësinë e sistemit medial, i cili shpesh e komercializon edhe të vërtetën më të pakontestueshme në emër të klikimeve dhe pozave.

Po aq absurde më ngjan edhe njëfarë retorike pseudorevolucionare e kuazi-antikolonialiste e ndonjë aktivisteje (a aktivisti), e cila, pasi ka marrë bursë nga bota kapitaliste, ka pasur rastin të socializohet, arsimohet e rritet në Perëndim, kthehet në Tiranë a Prishtinë, luan rolin e njëfarë Rosa Luxemburgu dhe me një pipëz prej kashte thekre synon jo më pak se përmbysjen e rendit botëror, përfshirë edhe “çlirimin e Palestinës”. Resurset e Shqipërisë nuk mbrohen me këtë retorikë. Janë çështje krejtësisht të ndryshme. Nuk mund të përzihen.

Për fat të mirë, shumica që dalin në rrugë nuk janë të tillë dhe kjo është ana pozitive e këtyre protestave. Brenda pak ditësh këta njerëz kreativë ia kanë bërë të qartë një qeverie arrogante se të fitosh zgjedhjet nuk do të thotë të marrësh vendime mbi kokat e njerëzve dhe pa konsultuar askënd.

Ende pa u bërë një javë me protesta, kryeministri i Shqipërisë nisi të flasë përçart, për shembull dje në Tivat: “Zoti, seksi dhe BE-ja janë të paparashikueshme”. Mirë. Së paku të parashikueshme janë aferat korruptive të skuadrës, skandalet e njëpasnjëshme, nënçmimi e përtallja e kritikëve.

Këto protesta ia hoqën maskën përfundimisht edhe një opozite të rrejshme, të cilën e mban peng një figurë politike e diskredituar. Kjo opozitë ende operon me gënjeshtrën se pas çdo shqetësimi qytetar qëndron Sorosi. E bën këtë nga vreri sepse nuk është padrone e protestës, por shkatërruese kauzash. Sepse në këtë fushë ka përvojë.

Arroganca e pushtetit me vite të tëra ka krijuar një hendek mes politikës dhe qytetarëve. Humbja e besimit ka ndikuar që dhjetëra-mijëra njerëz të emigrojnë (vlen edhe për vende të tjera të rajonit).

Demokracia jeton nga pjesëmarrja e qytetarëve në çështjet publike. Demokracia mbetet e gjallë kur përballet me kërkesa kritike nga qytetarët. Ajo funksionon vetëm nëse ka presion nga poshtë. Demokracia nuk funksionon automatikisht. Kërkon angazhim dhe përgjegjësi – kundër mendjemadhësisë, snobizmit, delirit të madhështisë dhe hundëpërpjetësisë. Të gjitha këto shpesh shfaqen të maskuara nën petkun e pushtetit. Por vjen një moment kur njerëzve u vjen të hunda – hundëpërpjetësia!

  •  

Kosova dhe Zvërneci

Nga Enver Robelli

Kur u shemb Shqipëria më 1997 nën peshën e skemave piramidale, Ibrahim Rugova lëshoi një deklaratë të shkurtër ku, pak a shumë, tha: jemi të shqetësuar për zhvillimet në Shqipëri dhe apelojmë për dialog e qetësi në të mirën e vendit. Kaq!

Këtë qëndrim duhet ta mbajnë të gjitha partitë politike të Kosovës përballë protestave të shkaktuara kundër “projekteve dhe investimeve” në Sazan dhe Zvërnec. Kjo nuk është protestë e shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Kjo është protestë e shqiptareve dhe shqiptarëve të Shqipërisë. Është vendi i tyre dhe kanë të drejtë të shprehin mospajtim për vendime që atyre u duken të padrejta. Më 2013 shqiptarët me të drejtë u revoltuan pasi kryeministri i atëhershëm (dhe i tanishëm) deshi ta helmonte Shqipërinë me 1000 ton armë kimike siriane.

Sot mijëra shqiptare e shqiptarë, nga jugu në veri të Shqipërisë, janë të revoltuar për shkak të arrogancës së pushtetit. Nuk janë as kundërshtarë të investimeve të mirëmenduara, aq më pak armiq të Shqipërisë, siç po pretendojnë disa pushtetarë qesharakë dhe borizanë të pushtetit.

Kjo që po ndodh është shprehje e mllefit ndaj arrogancës së paparë të një kryeministri, i cili, pa asnjë debat publik, pa asnjë konsultim me popullsinë lokale, pa asnjë llogaridhënie, pa asnjë sqarim të rrethanave juridike dhe pa asnjë zgjidhje të çështjeve të kontestuara territoriale, ngjitet në një jaht diku në Mesdhe dhe hyn në muhabete abrakadabra, thua se Shqipëria është çiflig i tij.

Edhe një qeveri që i fiton zgjedhjet nuk mund të thirret vetëm në mandatin e fituar pa dëgjuar edhe zërat kritikë. E kjo vlen jo vetëm për Shqipërinë (vlen edhe për Kosovën). Nuk ka “kontratë me popull” a “kontratë me shqiptarë”, politikanët që thirren në popull janë të rrezikshëm. Ka kontrata me një pjesë të elektoratit për një mandat maksimum 4-vjeçar. Pastaj para çdo vendimi të madh duhet të zhvillohet beteja e bindjes së qytetarëve. Qytetarët binden jo duke i ofenduar, por duke ua bërë të qartë projektin dhe anët e tij pozitive (nëse ka, pa hyrë në projektin konkret, por në përgjithësi). Nuk binden qytetarët duke i mashtruar: po fillojmë punimet, por nuk ka projekt. Po mendojmë të lëshojmë leje, jo nuk do të lëshojmë. Me këso marrëzirash shqiptarët poshtërohen edhe më shumë. Shqipërisë nuk i duhen qytetarë të poshtëruar, por të ndërgjegjshëm se pasuria kombëtare nuk i përket vetëm një gjenerate.

Po të mos ishin zërat kritikë, Shqipëria do të ishte helmuar me ato 1000 ton armë kimike siriane.

Keqqeverisja dhe mosfunksionimi i drejtësisë kanë ndikuar që pronar i një toke të jetë një mafioz, avokati i tij, vajza e avokatit dhe ndonjë emigrant në lagje periferike të Athinës. Për këtë s’ka faj Amerika.

Tendenca që protestuesit në Shqipëri të etiketohen si “shërbëtorë të armikut” imagjinar vetëm mund ta shtojë mllefin e qytetarëve. Këta njerëz janë dëshmitarë se si nisin projekte dhe nuk përfundojnë dot për shkak të ngatërresave mes të përfshirëve në projekt (privatëve dhe qeveritarëve, të cilët përfundojnë duke e quajtur njëri-tjetrin “kriminel” dhe kërcënojnë po ashtu njëri-tjetrin me beteja gjyqësore). Protestuesit janë dëshmitarë se si mafiozë e gjykatës, të përkrahur nga politikanë të të dy krahëve politikë, falsifikojnë dokumente, përfitojnë toka dhe ndërtojnë resorte.

Kjo situatë mund të qetësohet vetëm me gatishmërinë e qeverisë për dialog dhe transparencë të plotë. Jo me arrogancë, jo me gënjeshtra, jo me fushata njollosëse e fabrikim akuzash.

Më 1997 pati përpjekje dashakeqëse që protestat të barteshin nga Shqipëria në Kosovë. Pati edhe kërkesa që Kosova të mjaftohej me një autonomi “brenda Jugosllavisë”. Më vonë kemi parë kryeministra të Shqipërisë që thoshin për mediat gjermane se “pavarësia e Kosovës nuk është ide e përshtatshme për kohëra moderne”. Ose të tjerë që shkruanin plane për rregullimin territorial të Kosovës.

Ata që nga Kosova janë përzier në politikën e Shqipërisë e kanë paguar çmimin, dhe ky është zhvillim i mirë. Por protestat e tanishme në Tiranë nuk janë të Kosovës. Janë tuajat. Gjeni zgjidhje vetë! Pa teori konspirative. Ky nuk është komplot botëror kundër qeverisë me duar të pastra të Tiranës. Sepse po të ishte qeveri me duar të pastra dhe po të kishte opozitë të pazhytyr në moçalin e korrupsionit, protestat s’do të ndodhnin. Kjo është vetëm një revoltë kundër arrogancës dhe keqpërdorimit brutal të pushtetit. Por qytetarët e Shqipërisë e kanë toleruar këtë gjendje dhe prapë është punë e tyre se si do të veprojnë më tutje.

Shqiptarët e Kosovës, për fat të mirë shumë më afër me njerëzit në Shqipëri sesa më 1997 – edhe si investitorë, edhe si vizitorë që e mbajnë gjallë turizmin në Shqipëri – sidomos tani mund të përsërisin atë që pati thënë Ibrahim Rugova para gati 30 viteve: jemi të shqetësuar për zhvillimet në Shqipëri dhe apelojmë për dialog e qetësi në të mirën e vendit.

  •  

Mbi gjuhën shqipe në Maqedoni, fantazmat e së kaluarës dhe një problem tjetër edhe më dramatik

Nga Enver Robelli

1.

Në krye të herës duhet theksuar atë që duket haptas: qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut, e dominuar nga partia VMRO, e ka ashpërsuar klimën politike në këtë vend. Ka disa vite që tensionet ndëretnike nuk kanë qenë kaq të larta. Është bërë normale diçka që nuk është normale, pra fushata kundër shqiptarëve, sidomos në rrjetet sociale. Thirrjet për “vrasje të shqiptarëve” janë shpeshtuar. Qeveria hesht ndaj kësaj gjuhe. Heshtin edhe institucionet e tjera. Heshtin intelektualët. Heshtin, me ndonjë përjashtim, edhe aktivistët maqedonas të shoqërisë civile.

2.

Në Europën e sotme është krejtësisht e paimagjinueshme që studentët të studiojnë katër vjet në gjuhën e tyre – dhe në fund, për provimin final (të jurisprudencës), t’u thuhet, për shembull nga ministri i drejtësisë, se tani këtë provim duhet ta japin në një gjuhë tjetër. Në këtë rast, në gjuhën maqedonase.

Ka dy vjet që studentët shqiptarë po luftojnë kundër kësaj padrejtësie, pa përkrahjen e duhur politike. Qeveria aktuale maqedonase po përpiqet ta zhvlerësojë atë që është arritur në çerekshekullin e fundit sa i përket avancimit të gjuhës shqipe. Pas protestës së djeshme, njëri nga krerët e grupacionit politik VLEN, Izet Mexhiti, e tha publikisht se provimi i jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe. Ky është një premtim i madh dhe opinioni duhet ta mbajë përgjegjës në të ardhmen. Një politikan duhet të matet vetëm me nivelin e realizimit të premtimeve të tij. Ka disa kundërthënie në qëndrimet e këtij politikani shqiptar. Në të kaluarën e ka përshëndetur ligjin për gjuhët në Maqedoni. Tani thotë se ligji nuk i ka zgjidhur problemet, por prapë e përshëndet. Thelbësore është që opinioni së shpejti ta ketë të qartë: a do të përmirësohet apo përkeqësohet ky ligj? Cila është zgjidhja që propozon qeveria aktuale e Shkupit?

3.

Realiteti në Maqedoni është edhe ky: shqipja po hiqet nga tabelat e rrugëve nacionale. Ka përpjekje për ta hequr shqipen edhe nga vulat, ndonëse ligji për gjuhët, i cili ka hyrë në fuqi më 2019, e ka lejuar përdorimin e shqipes si gjuhë zyrtare në parlament, në qeveri, në gjykata, në ndërmarrje publike dhe në të gjitha komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë.

Formulimi “20 për qind” u bë për të shmangur përmendjen e gjuhës shqipe – thua ti se gjuhës shqipe i paskësh rënë zhuga dhe nuk qenkësh njëra nga gjuhët më të lashta europiane. Pse u pengon nacionalistëve maqedonas aq shumë gjuha shqipe? Mund të bëhen edhe pyetje të tjera: pse politikanët shqiptarë e kanë pranuar këtë formulim? Pse çështja e provimit të jurisprudencës nuk është zgjidhur deri më tani? Qeveria e tanishme dhe partnerët e saj shqiptarë mund dhe duhet të kritikohen për këtë neglizhencë, por, për të qenë korrekt, duhet nënvizuar se problemin me provimin e jurisprudencës nuk e ka zgjidhur as BDI-ja sa ishte në pushtet – dhe nuk ishte disa muaj apo disa vjet, por mbi dy dekada.

4.

Nëse qëllimi final i kësaj qeverie maqedonase është minimi i Marrëveshjes së Ohrit, atëherë ky vend mund të rrëshqasë drejt krizave më të thella. Në javët në vijim pritet që Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë të marrë vendim lidhur me disa pjesë të ligjit për gjuhët. Tashmë ky pushtet ka hequr mekanizmin që siguronte kuota punësimi për shqiptarët në institucionet shtetërore. Pra, kryeministri maqedonas dhe partia e tij VMRO duket se nuk janë të vetëdijshëm sa janë vetëm shqiptarët që nuk e mohojnë identitetin maqedonas. Një bullgar mund të ketë problem me gjuhën maqedonase, duke e quajtur dialekt bullgar. Ka serbë që Maqedoninë e shohin vetëm si zgjatim të Serbisë, një provincë serbe deri në Ohër. Nuk ka politikan serioz shqiptar që mohon identitetin nacional të maqedonasve. (Tipat folklorikë ndër shqiptarë, të veshur me kostume patriotike, që hiqen si skifterë studiosh televizive, nuk kanë ndikim të përfillshëm në opinionin shqiptar, fatmirësisht).

5.

E keqja e kësaj situate në Maqedoninë e Veriut është se moti gjeopolitik ka ndryshuar dhe as Bashkimi Europian, as SHBA-të nuk shqetësohen shumë. Nuk ka protesta të qarqeve diplomatike kundër veprimeve të qeverisë maqedonase. Nuk ka qortime. Nuk ka apele që t’i jepet fund kësaj fushate. Mund të ketë ndonjë diplomat perëndimor në Shkup që privatisht thotë se “studentët shqiptarë kanë të drejtë”, por publikisht dhe zëshëm ende nuk e ka bërë askush këtë. Studentët shqiptarë bëjnë mirë që protestojnë, por ata duket se nuk janë sa duhet të organizuar në një fushë ku fitohet beteja: në shpalosjen e problemit në mediat ndërkombëtare. Qindra-mijëra shqiptarë nga Maqedonia që jetojnë në diasporë, përkundër potencialit të madh ekonomik dhe intelektual, janë të paorganizuar ose kanë prioritete të tjera.

Qeveria në Shkup ndoshta mund ta ndryshojë kursin e gabuar vetëm me një reagim unik të shqiptarëve dhe me përkrahjen e Prishtinës dhe Tiranës. Por edhe në Maqedoni terreni është i ndarë: bajraktarët e Tiranës janë rreshtuar me një grup politik, bajraktarët e Prishtinës me grupin tjetër. Reagimi unik nuk duhet të nënkuptojë parulla folklorike. Shqiptarët janë dhe duhet të sillen si bashkëpronarë të shtetit maqedonas. Janë taksapagues. Maqedonia është anëtarësuar në NATO sidomos me përkrahjen e shqiptarëve. Edhe këto pak përparime që i ka bërë drejt BE-së janë meritë edhe e shqiptarëve.

6.

Në gjithë debatin e ngarkuar me emocione dhe nganjëherë edhe me retorikë apokaliptike, po harrohen problemet evidente. Vendbanimet shqiptare në Maqedoni po boshatisen. Nataliteti, si gjithkund në Ballkan, po bie, e njëkohësisht vendet nuk janë sa duhet atraktive për t’i mbajtur të rinjtë në vend. Keqqeverisja shumëvjeçare, korrupsioni dhe kriminaliteti po i prekin në palcë shoqëritë.

Në një artikull të botuar vitin që shkoi në “Balkan Studies Foundation”, profesoresha e Universitetit të Europës Juglindore në Tetovë, Merita Zulfiu Alili, shkruante: “Emigrimi nga Maqedonia e Veriut nuk është një fenomen i ri, por përmasat e tij tani janë alarmante. Rreth 38 për qind e popullsisë ka emigruar globalisht, ku 18 për qind është drejtuar drejt vendeve të OECD-së (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik). Ky trend është më i theksuar tek të rinjtë dhe të arsimuarit: mbi 55 për qind e studentëve dhe 38 për qind e stafit universitar shprehin synimin për t’u larguar. Një studim nga Fondacioni ‘Friedrich Ebert’ gjeti se 42.67 për qind e të rinjve në Maqedoninë e Veriut duan të shpërngulen jashtë vendit. Që nga viti 2012, popullsia në moshë pune është tkurrur për 6 për qind, me parashikime për një rënie prej 15 për qind deri në vitin 2050. Kjo ‘ikje e trurit’ është veçanërisht akute në sektorë si shëndetësia, teknologjia e informacionit dhe arsimi, ku humbja e talentit po gërryen kapacitetin e vendit për inovacion dhe ofrimin e shërbimeve publike”.

Sa u përket shkaqeve, profesoresha Merita Zulfiu Alili thekson: “Migrimi i punëtorëve nga Maqedonia e Veriut nxitet kryesisht nga kufizimet ekonomike. Hulumtimet tregojnë qartë se pagat e ulëta, mungesa e sigurisë dhe kushtet e këqija të punës i detyrojnë njerëzit të largohen nga shteti në vend që të hyjnë në tregun lokal të punës. Që nga fillimi i vitit 2025, paga mesatare mujore neto është 43’050 denarë (afërsisht 700 euro), ndërsa paga minimale u ngrit së fundmi, në mars të vitit 2025, në rreth 400 euro (24’379 denarë). Këto shifra mbeten dukshëm më të ulëta se mesataret europiane, ku pagat për orë pune në Maqedoninë e Veriut janë afërsisht tetë herë më të ulëta se mesatarja europiane”. Me këtë trend, ekziston rreziku që në Maqedoni të mbesin vetëm politikanët dhe klientela e tyre.

7.

Ngjashëm dramatike është situata edhe në Shqipëri e Kosovë. Pas viteve të përparimit drejt BE-së, qeveria në Tiranë ka zgjedhur të dalë nga vija hekurudhore drejt Brukselit në binarë të ndryshkur ballkanikë. Disa procese gjyqësore, në dukje spektakulare, kundër korrupsionit nuk e ndryshojnë faktin se sistemi është gërryer dhe ka filluar të kalbet nga aferat korruptive. Nuk ka rezistencë të duhur shoqërore ndaj kësaj stërkeqjeje, por as shumë zëra kritikë brenda partisë në pushtet.

Kosova ka një vit e gjysmë që ka mbetur e ngërthyer në një paralizë politike si pasojë e polarizimit ekstrem mes partive politike, ambicieve të shfrenuara për pushtet dhe dashakeqësisë patologjike që po shtrihet edhe në shoqëri. Pa një qeveri stabile, Kosova rrezikon të humbë 800 milionë euro ndihma nga BE-ja. Përballë kësaj situate, valëvitja e flamujve dhe recitimi i poezive patriotike nuk do të zgjidhin asnjë problem.

  •  

Dy mafiozë, një kufomë dhe vëllai i Aleksandër Vuçiçit në Serbi

Nga Enver Robelli

Takohen dy mafiozë në një restorant në Beograd, mikpritës është drejtori i policisë, pastaj dëgjohen të shtëna dhe shumë serbë pyesin: ku është kufoma?

Ky do të ishte një titull i mirë për përshkrimin e një filmi mafioz. Por e vërteta është se çfarë paralajmërohet në titull, ka ndodhur me të vërtetë – në Beograd. Të shkojmë radhazhi.

Senjaku është një lagje në qendër të Beogradit. Aty ndodhen ambasada, rezidenca diplomatike dhe vila luksoze. Senjaku konsiderohet një nga pjesët më të pasura të Beogradit. Aty rrinë të pasurit, të bukurit, por edhe të shëmtuarit (me ndikim) dhe nganjëherë edhe mafiozët.

Në Senjak, në rrugën Istarska 27, gjendet “Restoran 27”, pronarët e të cilit kështu e lavdërojnë lokalin e tyre: “‘Restoran 27’ është një restorant papërmirësueshëm i dashuruar pas mysafirëve; ne jemi këtu kur ju duhet që gjithçka të jetë e përkryer”. Me 16 nga 20 pikë në udhërrëfyesin gastronomik “Gault & Millau”, ky lokal renditet ndër më të mirët në kryeqytetin e Serbisë.

Të martën e kaluar në këtë lokal u takuan dy kryemafiozë kundërshtarë. Ata erdhën me ftesë të shefit të policisë së Beogradit, Veselin Miliq. Qëllimi i Miliqit ishte që t’i pajtonte kryemafiozët. Dhe ku ka vend më të mirë se “Restoran 27”, ushqimi i mirë, atmosfera e mirë, muzika e mirë, emri i rrugës – Istarska 27 – ngjall nostalgji për detin, ndonëse gadishulli i Istrës është larg, në Kroaci, në kufi me Italinë.

Pajtimi i synuar nuk u arrit. Pak pas takimit mafiozët Aleksandar Neshoviq dhe Sasha Vukotiq nisën të fjaloseshin ashpër.

Në përleshje e sipër Vukotiq dhe një vrasës tjetër dyshohet se ia shkrepën dy plumba Neshoviqit. Krejt kjo në prani të shefit të policisë së Beogradit, Veselin Miliq.

Tash rrëfimi bëhet edhe më interesat. Veselin Miliq ka qenë këshilltar i presidentit Aleksandar Vuçiq.

Para 5 viteve Miliq është dekoruar nga Vuçiqi. Ata që marrin dekorata supozohet se i marrin për shkak të meritave e sukseseve të arritura në punën e tyre.

A u nderua Miliqi për shkak të shërbimeve ndaj mafias? Nuk dihet. Por Vuçiqi tha: “Kjo nuk do të jetë më e mundshme”. Që i bie: ka qenë e mundshme që policët të punojnë për mafian. Titullin më interesant e botoi gazeta përherë proqeveritare “Politika”: Narkodilerët nuk do të lejohen më të bartin karta identifikimi të shërbimit sekret. A domethënë kjo se deri më tani një gjë e tillë ka qenë e mundur? Me gjasë po.

Të kthehemi te “Restoran 27”. Pas vrasjes së mafiozit Aleksandar Neshoviq, shefi i policisë së Beogradit Veselin Miliq nuk alarmoi patrulla të policisë për të afruar ndihmë në kapjen e vrasësve, por, sipas mediave serbe, bashkë me dy truproje mori pjesë në zhdukjen e kufomës. Vuçiq e ka konfirmuar këtë. Megjithatë, regjimi i tij thotë se policia ka reaguar në mënyrë profesionale.

Deri më tani janë arrestuar 10 persona, mes tyre edhe shefi i policisë së Beogradit Veselin Miliq. Shumë serbë pyesin: ku është kufoma e Aleksandar Neshoviqit? Policia ka nisur kërkimin. Vetura me të cilën është transportuar kufoma është gjetur: me gjurmë gjaku dhe dhjetëra dorëza kirurgjike.

Gazeta “Danas” shkruan se Neshoviq mund të jetë spërkatur me benzinë dhe djegur afër autostradës në perëndim të Beogradit. Një analist serb tha në televizionin N1: “Kjo as në Kolumbi nuk bën vaki”. Një mafioz tjetër tha se restoranti ku ndodhi vrasje është pronë e Andrej Vuçiqit, vëllait të presidentit Vuçiq. Ky i fundit tha se kjo nuk është e vërtetë.

  •  

Një regjim në këmbë për një kriminel lufte

Pushteti në Serbi dhe secesionistët serbë në Bosnjë-Hercegovinë po luftojnë që krimineli i luftës Ratko Mlladiq të lirohet nga burgu “për të vdekur i qetë në shtëpi”. Kryetari i Beogradit e quan kasapin e Ballkanit “hero”. Presidenti i Serbisë është i shqetësuar për fatin e Mlladiqit. Ministri serb i drejtësisë ka paraqitur në Hagë garanci për lirimin e tij. Glorifikimi i Mlladiqit tregon se pushteti në Serbi s’është penduar për krimet e kryera gjatë luftërave në Ballkan.

Enver Robelli

1.
Ratko Mlladiq është kriminel lufte. Kur të përmenden njerëzit më barbarë të shekullit të 20-të (si Stalini, Hitleri apo Osama Bin Laden), Mlladiq do të jetë në këtë listë. Ai është dënuar nga Tribunali i OKB-së në Hagë me burgim të përjetshëm për gjenocidin ndaj popullsisë boshnjake në Srebrenicë, për vrasjen e mbi dhjetë mijë njerëzve gjatë rrethimit të Sarajevës, si dhe për dhjetëra mijëra krime të tjera në Bosnjë-Hercegovinë – përfshirë edhe marrjen peng të helmetkaltërve paqeruajtës të OKB-së. Gjenocidi ndaj boshnjakëve ishte i pari në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ratko Mlladiq, ka qenë komandant i forcave ushtarake të serbëve të Bosnjës në periudhën 1992-1995.

2.
Prej disa ditësh, familjarët e Ratko Mlladiqit po alarmojnë opinionin në Serbi dhe në pjesën me shumicë serbe të Bosnjë-Hercegovinës, duke pretenduar se ai është rëndë i sëmurë dhe duhet të lirohet nga burgu në Hagë, ku po vuan dënimin. Institucioni pasues i Tribunalit të OKB-së për ish-Jugosllavi e ka refuzuar deri tani këtë kërkesë.

Ndërkohë, për kryetarin e Beogradit Aleksandar Shapiq, anëtar i partisë në pushtet të presidentit autokratik Aleksandar Vuçiq, nuk ka dyshim: “Mlladiq është hero”. Edhe vetë Vuçiq është shprehur në favor të lirimit të Mlladiqit, duke thënë se nuk e kupton pse dikujt nuk i lejohet t’i kalojë ditët e fundit jashtë qelisë. Ministri serb i drejtësisë ka paraqitur në Hagë garanci për lirimin e tij.

Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, një organizatë joqeveritare në Serbi, ka njoftuar se ka paraqitur një ankesë pranë Komisionerit për Mbrojtjen e Barazisë në Serbi kundër kryetarit të Beogradit, Aleksandar Shapiq, duke theksuar se ai në rrjetet sociale ka publikuar një fotografi të Ratko Mlladiqit me mesazhin se bëhet fjalë për një “hero serb”. Publikimi, sipas Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, përbën gjuhë urrejtjeje dhe një formë të rëndë diskriminimi ndaj popullit boshnjak dhe kroat. Iniciativa kërkon reagimin e institucioneve kompetente dhe dënimin nga të gjitha grupet e këshilltarëve në Kuvendin e qytetit të Beogradit. Si shumë kërkesa të tjera, edhe kjo do të injorohet si nga kryetari i Beogradit, ashtu edhe nga institucione të tjera.

3.
Glorifikimi i Mlladiqit është bërë pjesë e përditshmërisë në Serbi dhe në republikën serbe të kontrolluar nga serbët në Bosnjë-Hercegovinë. Ai quhet hero, madje hero i madh serb; në fasadat e shtëpive shfaqen grafite me emrin e tij (“Ratko Mladić – Heroj”). Viktimat e tij nuk përmenden. Në emisione televizive shpesh ftohen kriminelë lufte të dënuar. Një aktiviste që hodhi vezë mbi një mural me portretin e Mlladiqit në Beograd u dënua me burg. Kërkesat e aktivistëve të të drejtave të njeriut për heqjen e muraleve të Mlladiqit në Serbi – mbi 300 sipas mediave të pavarura – shpërfillen nga autoritetet. Dy studente serbe nga Bosnja, që e lavdëruan Mlladiqin, u shpërblyen me vende studimi dhe bursa në Beograd.

4.
Sipas kryeprokurorit të Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale, Serge Brammertz, në Serbi është krijuar një atmosferë e mohimit të krimeve të luftës. Shoqatat e viktimave të luftës në Bosnjë protestuan kundër lirimit të mundshëm të Mlladiqit dhe paralajmëruan se kjo do të ishte një “padrejtësi e madhe”. Kryeprokurori i Kroacisë, Ivan Turudiq, bëri të ditur se lirimi i Ratko Mlladiqit do të ishte mesazh shumë i keq, pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore. “Unë nuk do ta liroja kurrë, por e dimë se ka pasur raste kur persona që ishin në gjendje shumë më të mirë shëndetësore se Ratko Mlladiq janë liruar nga burgu i Hagës. Nuk do t’i përmend me emra”, tha Turudiq për mediat kroate. “Mendoj se do të ishte një mesazh shumë i keq që një njeri, i cili në fakt nuk ka dhënë llogari as për të gjitha krimet, madje nuk e di nëse ka dhënë përgjegjësi për ndonjë krim që ka kryer në Kroaci, të lirohet, sado i sëmurë të jetë. Jam i sigurt se në burg ai ka kujdesin e duhur mjekësor”, tha Turudiq.

  •  

Një shembull gjerman që politikanët qesharakë shqiptarë nuk e arrijnë dot

Nga Enver Robelli

Kur Wolfgang Schäuble, politikani i madh konservator gjerman, arriti një moshë të shtyrë, shumë njerëz në Gjermani filluan të ndihen keq që ai nuk ishte bërë kancelar. E meritonte për shkak të përvojës politike, për shkak të pjekurisë politike, për shkak të kontributit të tij politik.

Prej vitit 1972 deri në vdekjen e tij më 2023, Schäuble ishte deputet në parlamentin gjerman. Ishte rival i Helmut Kohl, por s’u largua nga partia. Ishte rival i Angela Merkel, por s’u largua nga partia. Por as Kohl, as Merkel nuk e poshtëruan Schäublen. Merkel e emëroi ministër financash. Më 2012 e ftoi dhe shkuan bashkë në kinema për të parë një film mbi një njeri invalid dhe në karrocë. Edhe Schäuble lëvizte me karrocë për shkak të një sulmi me thikë nga një i çmendur. Më 2017 u zgjodh kryetar i parlamentit.

Pak para se të ndërronte jetë, gazetarët gjermanë e pyetën Wolfgang Schäublen nëse ndihej keq që s’ishte bërë kancelar, posti më i rëndësishëm politik në Gjermani. Schäuble, një i krishter evangjelist, që etikën e punës dhe shërbimin ndaj atdheut i kishte parim e prioritet dhe jo ngarendjen pas posteve e luksit, u përgjigj, pak a shumë, kështu: që nga viti 1945, në Republikën Federale të Gjermanisë ka pasur vetëm tetë apo nëntë kancelarë federalë. Të besosh se jeta e njeriut është e suksesshme vetëm nëse do të kishe qenë njëri nga këta të tetët apo të nëntët, kjo do të ishte një shkallë mendjemadhësie që nuk mund t’i bënte mirë askujt.

Schäuble nuk e shihte postin si diçka që shoqëria, shteti, qytetarët, partitë ia kanë borxh. Nuk kërkonte tapi, siç ndodh në viset shqiptare me politikanë e politikane qesharakë. Schäuble ishte i bindur se politikani i ka borxh vendit për t’i shërbyer. Dhe jo e kundërta. I tillë ndërroi jetë më 26 dhjetor 2023.

****

Kultura politike shqiptare është kulturë e rrenës. E mashtrimit. E egove të mëdha dhe trurëve të vegjël. Është kulturë e luftës për favore të vogla dhe jo për ide të mëdha. Është kulturë e cinizmit dhe plaçkitjes së të vërtetës.

Një reklamë në televizionin CNN prezantohej kështu:

Kjo është një mollë.

Disa njerëz mbase do të duan t’ju thonë se kjo është një banane.

Mbase ata do të bërtasin pa pushim ‘banane, banane, banane’.

Ose do ta shkruajnë BANANE me shkronja të mëdha.

Me kalimin e kohës, mbase edhe ju do të filloni të besoni se është një banane.

Por nuk është e tillë.

Është një mollë”.

E vërteta matet vetëm me gjuhën e qartë. Kur s’ke më asnjë ambicie për të thënë të vërtetën, atëherë dëshiron vetëm të jesh “interesant”. Prandaj Kosova ka aq shumë huliganë digjitalë që duan të jenë “interesantë”. Për të kuptuar motivet e tyre, duhet shikuar shpërbërjen dhe rënien e tyre. Siç e thotë aktori Heath Ledger (në rolin e Jokerit) në filmin “The Dark Knight”: “Fut pak anarki. Trazoje rendin e vendosur dhe atëherë çdo gjë kthehet në kaos”.

Qytetarët e Kosovës përsëri do të duhet të japin një përgjigje ndaj agjentëve të kaosit. Këtë nuk ua kishin borxh askujt, por realiteti është ky që është. Kosova nuk ka Wolfgang Schäuble, i cili i frenonte ambiciet e veta për të mirën e vendit.

  •  

Për ata që 24 orë shajnë çdo vlerë të kombit shqiptar dhe bëjnë thirrje për hakmarrje

Nga Enver Robelli

24 orë pandërprerë shajnë çdo vlerë të kombit shqiptar, bëjnë thirrje për hakmarrje ndaj popujve të tjerë, i quajnë të ndyra kombet mike të Kosovës, vajtojnë pse Perandoria Osmane nuk erdhi në viset shqiptare para vitit 1389, pështyjnë figurën e Skënderbeut, shkojnë nëpër xhami në Zvicër jo për t’u falur me dinjitet, por për t’u krekosur se pranuan dhuratë një veturë në vlerë 100 mijë euro dhe një orë Rolex (gjoja për ndërtimin e një xhamie), njëkohësisht shtiren si modestë, i quajnë gjakpirës popuj të tërë duke refuzuar të mësojnë kompleksitetin e konflikteve etnike, paushallizojnë pa asnjë ngurrim a prag etik, frikësojnë njerëz labilë se nëse nuk bartin shami janë “njerëz mëkatarë”, kur populli zviceran ndalon burkën antinjerëzore, thonë “nuk jemi të kënaqur”, postojnë orë e çast paçavura shkrimore duke lozur rolin e viktimës ose duke u hequr si të hapur, ftojnë në Zvicër imamë zhurmaxhinj të cilët keqpërdorin fenë për agjenda ideologjike, nëpërmjet të cilave mallkojnë civilizimin perëndimor, por s’përtojnë të shkojnë edhe në fshatin e fundit zviceran a gjerman, ku shohin një mundësi për të zhvatur ndonjë frang a euro dhe mbajtur ligjërata ku predikohet izolimi, mbyllja, veçimi nga bota përreth dhe identifikimi me ymetin abstrakt global mysliman. Brohoritjet për marshin e madh të “islamit global” jehojnë nëpër salla zvicerane, kuptohet me fëmijë të mbuluar që ende nuk e kanë mësuar alfabetin.

Ka edhe shumë e shumë anomali të tjera, të cilat do të dalin në sipërfaqe në të ardhmen.

Kjo çfarë po ndodh në disa shtresa të mërgatës nuk ka të bëjë me besim. Ka të bëjë me agjenda politike që inspirohen nga qarqe jashtëshqiptare. Andaj imamët që po u vjen mërzi të jenë shqiptarë, kanë nisur ta ndryshojnë edhe gjuhën, sepse shqiptarinë e shohin si ngarkesë dhe Perëndimin vetëm si areal përfitimi.

I drejtohen njëri-tjetrit me “efendi” e “shejh”, toponimin Turqi nuk e përdorin, por Turkije, se mendojnë që ndokush në Turqi ua shkruan këtë si vepër të madhe (e nuk e kuptojnë që shumica e turqve vetëm mund të tallen me këtë servilizëm të paparë).

Ndërkohë, mes më të dobtëve, nxënësit shqiptarë në Zvicër janë më të dobëtit. Në pothuaj çdo gjimnaz mes 700 nxënësve s’i gjen as 7 shqiptarë.

Ky është rezultati i akulturimit shumëvjeçar, i regresit mental, i papërgjegjësisë së shumë prindërve, i pavendosmërisë identitare dhe premtimeve për parajsë. Çdo premtim përtej bote, kushton. Dhe paguhet: me injorancë.

Ideologët që qëndrojmë pas injorancës nuk përfaqësojnë shumicën, fatmirësisht, por janë një pakicë e rrezikshme. Përveç ideologji fetare, ky është edhe biznes. Dhe kush shtron pyetje kritike për këtë biznes, do të goditet brutalisht nga milicia e sheriatit digjital.

  •  

Vuçiqi dhe vampirët e Muçibabës

Nga Enver Robelli

1. E pyeta inteligjencën artificiale nëse në fshatin Muçibabë ka vampirë. U përgjigj se nuk ka dëshmi shkencore se në Muçibabë ka vampirë. Sqaroi se nuk ka as lugetër, as kukudhë (një fjalë tjetër për lugetër). E falënderova inteligjencën artificiale për këtë informacion me vlerë. Menjëherë më dha edhe këtë këshillë: “Nëse ndonjëherë vendos të shkosh në Muçibabë dhe dëgjon ndonjë zhurmë të çuditshme natën, mos u shqetëso. Me shumë mundësi është thjesht era nëpër male ose ndonjë fqinj që po kthehet vonë në shtëpi”.

2. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është i shqetësuar. Pse? Sepse Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. Mediat e kontrolluara nga kryeredaktori Vuçiq janë në gjendje të jashtëzakonshme. E kanë gjetur edhe një titull për të përshkruar bashkëpunimin mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit: “trojni savez”, aleanca e treshes. Ky është një aludim në aleancën mes Perandorisë Gjermane, Austro-Hungarisë dhe Mbretërisë së Italisë të vitit 1882. Qëllimi i kësaj aleance ishte përkrahja e ndërsjellë për t’iu kundërvënë sulmeve nga vende të tjera, e sidomos nga Rusia. Në propagandën serbe gjermanët dhe austriakët historikisht përshkruhen si armiqësorë ndaj serbëve. Nga ky këndvështrim Kroacia, Shqipëria dhe Kosova janë tri vende pas të cilave qëndrojnë shtetet e fuqishme perëndimore. “Dikush është dashur të jap dritë të gjelbër për këtë”, tha Vuçiq, duke nënvizuar se “rreziku më i madh” Serbisë i kanoset nga “këto tri entitete”. Meqë s’donte ta quante Kosovën shtet, i bëri edhe Shqipërinë dhe Kroacinë entitete.

3. Nëse ka një shtet në Ballkan që është armatosur pandërprerë në dy dekadat e fundit, ajo është Serbia. Sipas të dhënave të SIPRI (Instituti Ndërkombëtar i Kërkimit të Paqes në Stokholm), Serbia mes viteve 2011-2017 ka harxhuar 700-900 milionë dollarë në vit për buxhetin ushtarak. Më 2018 filloi një kthesë e madhe. Buxheti u trefishua. Në vitin 2023, shpenzimet arritën në rreth 2,14 miliardë dollarë, ndërsa për vitin 2024/2025, Serbia ka ndarë rreth 2.32 miliardë dollarë. Faktet tregojnë se Serbia shpenzon aktualisht më shumë se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku, duke u bërë fuqia kryesore ushtarake në rajon sa i përket investimeve. Nga Kina ka blerë sistem raketor mbrojtës me rreze të gjatë veprimi (versioni kinez i atij rus S-300). Ka blerë po ashtu nga Kina dronë CH-92 dhe CH-95. Këta dronë luftarakë dhe vëzhgues i kanë dhënë Serbisë avantazh teknologjik në rajon. Nga Pekini ka blerë edhe sistemet HQ-17A (mbrojtje kundërajrore me rreze të shkurtër veprimi).

Nga Rusia ka marrë si “dhuratë” 6 avionë MiG-29. Ka blerë sistemet Pantsir-S1 (mbrojtje kundërajrore e lëvizshme), helikopterët Mi-35M dhe Mi-17V-5 (të njohur si “fortesa fluturuese”), tanket T-72MS (sipas informatave zyrtare: donacion rus). Serbia po ashtu vazhdon të jetë një eksportue si madh i armëve. Supozohet se ka eksportuar për 800 milionë dollarë në Ukrainë (duke ia shitur armët shteteve perëndimore, të cilat i kanë dërguar në Ukrainë. Rusia këtë e ka kuptuar dhe e ka akuzuar Serbinë se po ia fut thikën as shpine “vëllezërve rusë”), Serbia ka eksportuar armë edhe në Izrael (dhe kësisoj ia ka treguar gishtin e mesëm diplomatëve palestinezë, të cilët ende besojnë se është gjallë Jugosllavia e shokut Tito, i cili përkrahte çështjen palestineze për të fituar prestigj në botën arabe; kjo iu shpagua: gati çdo digë në Irak e Libi është ndërtuar nga firmat jugosllave).

4. E tepërt të shtrohet pyetja se kush po armatoset me të madhe në rajon. Që fqinjtë e Serbisë mendojnë të vetëmbrohen – kjo nuk është befasi. Fundja, është hap i logjikshëm përballë një shteti si Serbia, i cili vetëm në vitet 1990-të ndezi katër luftëra në Ballkan – nga Sllovenia në Kosovë. Me propagandën e tij për rrezikun që i kanoset nga Kosova, Kroacia dhe Shqipëria presidenti serb synon të mobilizojë klientelën e tij radikale e nacionaliste para se këtë vit të mbajë zgjedhje në Serbi. Së paku kështu ka premtuar disa herë si përgjigje ndaj protestave masive kundër regjimit të tij. Vuçiqi është duke parë tani vampirë në Muçibabë.

  •  

Karremi i Putinit për Trump-in

Nga Enver Robelli

Duke qenë agjent i KGB-së sovjetike, Vlladimir Putin është specialist për simulim, servilosje, lajkatime. Këtë e bën ndaj atyre që janë më të fuqishëm se ai. Ndaj liderit kinez, për shembull. Dhe sidomos ndaj Donald Trumpit. Ndaj tij diktatori rus sillet si një masazhist i egos së presidentit amerikan.

Shembulli më i ri, për të cilin raporton gazeta konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) në numrin e sotëm: Trump tha se Putini e ka pranuar ftesën për të qenë anëtar i të ashtuquajturit “Bord i Paqes”. Në të vërtetë Putini nuk e pranoi ftesën, por vetëm autorizoi vartësit e tij ta shqyrtojnë atë. Dhe e falënderoi Trumpin. Pas lëvdatave Putin, si peshkatar i shkathtë, ia hodhi Trumpit një karrem: i tha se po t’i dhurojë 1 miliard dollarë për “Bordin e Paqes”. I propozoi që këto para t’i marrë nga mjetet ruse të bllokuara në SHBA nga administrata e mëpareshme, pra nga qeveria e Joe Biden.

FAZ shkruan: “Pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, në SHBA u ngrinë katër deri në pesë miliardë dollarë rezerva të Bankës Qendrore ruse; kjo është vetëm një pjesë e vogël e totalit prej 280 miliardë dollarësh që u ngrinë në atë kohë, më shumë se dy të tretat e të cilave në Belgjikë. Sipas vendimit të G7, kjo gjendje duhet të mbetet e tillë derisa Rusia t’i dëmshpërblejë Kievit dëmet e shkaktuara. Pra, Putin i propozon Trumpit një keqpërdorim të mjeteve. Mbi këto mjete Rusia, ndryshe nga çfarë pretendoi Putin, aktualisht nuk mund të disponojë. Qëllimi i tij është ta tundojë Trumpin që të shkëputet nga partnerët (europianë) në një tjetër çështje parimore”.

Zemërgjerë u tregua Putini edhe sa i përket Grenlandës. Tha se Danimarka është sjellë keq, madje brutalisht ndaj këtij ishulli dhe prezantoi një shifër për të cilën SHBA mund të blinin Grenlandën (“diku afër një miliard dollarë, ndonëse SHBA-ja ndoshta do të paguante edhe më shumë”).

Kjo është shkolla e sprovuar sovjetike e politikëbërjes. Në një botë fiksioni do të mund të shkruhej një roman me titullin: “Masazhisti nga Kremlini”. Nganjëherë romanet i shkruan realiteti.

  •  

‘Lufta e uiskit’

Nga Enver Robelli

Konflikti mbi Grenlandën, i cili po i trazon marrëdhëniet transatlantike këto ditë, më kujtoi një konflikt tjetër, po në atë zonë, i cili prej vitesh zgjidhet në mënyrë mjaft kreative.

Bëhet fjalë për Ishullin Hans, sall 1,3 kilometra katrorë i madh, i pabanuar dhe pa vegjetacion në Ngushticën Nares, midis Grenlandës Veriore dhe Ishullit Ellesmere. Ngushtica Nares? Këtë me siguri e kanë mbajtur në mend vetëm ata që nuk i ka zënë gjumi në orën e gjeografisë.

Sidoqoftë, historia  e Ishullit Hans është kjo: më 1973 Grenlanda dhe Kanadaja negociuan mbi tërheqjen e vijës kufitare. Nuk u morën vesh. Më vonë ministri përgjegjës për Grenlandën nguli një flamur danez në Ishullin Hans.

Që nga atëherë zhvillohet një ritual gazmor: vijnë kanadezët në ishull dhe zëvendësojnë flamurin danez me të tyrin dhe lënë pranë tij një shishe uiski (Canadian Club). Pas tyre vijnë danezët, zëvendësojnë flamurin kanadez me të tyrin dhe lënë aty raki.

Kështu, qe disa dekada, zhvillohet lufta e uiskit. Nuk është raportuar për ndonjë viktimë – përveç mëlçisë së ndonjë oficeri. A mund të zgjidhet në këtë mënyrë tani edhe konflikti mes SHBA-ve dhe Danimarkës lidhur me Grenlandën? Zor. Donald Trumpi nuk pi as uiski, as raki, por nuk është as haxhi.

  •  

7 shpjegime mbi trendet e politikës globale (dhe efektet lokale)

Nga Enver Robelli

1. Pezullimi i vizave të emigrimit: pse Serbia nuk është në listë, ndërsa Shqipëria dhe Kosova po?

Për shkak se në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit nga Serbia emigrojnë më pak njerëz në SHBA. Arsyeja e dytë: ata që emigrojnë, janë kryesisht njerëz të kualifikuar, për shembull inxhinierë të sektorit të IT-së. Rrjedhimisht, ata janë të kërkuar nga tregu amerikan i punës dhe nuk ekziston rreziku të përfundojnë si shfrytëzues të ndihmave sociale. Së fundi Donald Trump publikoi një listë sipas të cilës një përqindje e lartë e shtetasve që janë shpërngulur në SHBA nuk punojnë dhe janë të varur nga ndihmat sociale amerikane.

Në këtë listë shtetasit e Kosovës figuronin me 46 për qind. Shqipëria me 41 për qind. Mali i Zi me 37 për qind. Njohës të sistemeve sociale amerikane e kanë shpjeguar tashmë se nuk mund të thuhet në mënyrë paushalle se të gjithë këta njerëz që emigrojnë në SHBA janë keqpërdorues të ndihmave sociale. Bëhet fjalë për përkrahje nga shteti që vetë ligjet amerikane i parashohin. Përndryshe – nga të njëjtat benefite përfitojnë 39 për qind e familjeve amerikane, pra joemigrante.

Por Trump nuk interesohet për këto detaje. Prioritet i tij është: Amerika dhe shtetasit e saj. E ka thënë, po e zbaton. Por do të ishte tepër e thjeshtë të thuhej: Trump nuk ka të drejtë fare. Në shtetin amerikan të Minnesotas persona me prejardhje somaleze grabitën nga viti 2020 mbi 1 miliard dollarë – këtë e bënë duke mashtruar sistemet sociale. 86 mashtrues – 78 prej të cilëve janë me origjinë somaleze – janë akuzuar deri më tani në këtë çështje. 59 prej tyre janë dënuar me burg. Prokurori i çështjes, Joseph Thompson tha: “Gjatë karrierës sime jam specializuar në çështjet e mashtrimit, por përmasa e asaj që ka ndodhur këtu në Minnesota më lë pa frymë”.

2. Bordi i Paqes për Gazën dhe ftesat e Trumpit

Pikësëpari më bëri përshtypje gjuha e Donald Trumpit në letrën që u bë publike nga disa politikanë, të cilët u ftuan të bëhen pjesë e planit të presidentit amerikan për Gazën. Është një letër që Trump ua ka dërguar disa krerëve të shtetit anekënd globit, jo vetëm këtij të Tiranës. Të kthehemi te gjuha e Trumpit: Është një gjuhë e ndërtuar me superlativë e me ekzagjerime. Për shembull: thotë se ky është “bordi më mbresëlënës”, pastaj “bordi më me ndikim i krijuar ndonjëherë”, mandej “aq i veçantë sa kurrë më parë nuk ka ekzistuar diçka e ngjashme”.

Pse është Shqipëria në këtë bord? Trump dëshiron të krijojë një koalicion shtetesh që do mbështesin planin e tij për Gazën. Nuk është sekret se kryeministri i Shqipërisë, i cili është në pushtet tashmë 13 vite, ka arritur të krijojë një profil në arenën e politikës botërore. Këtu një rol mund të ketë luajtur edhe njohja e tij – madje afërsia – me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner. Nga ky raport do të thosha më shumë tregtar se diplomatik natyrisht që përfiton personalisht edhe kryeministri i Shqipërisë. Me vetëm pak ironi mund të themi: ishulli i Sazanit e bën të rëndësishëm kryeministrin e Shqipërisë edhe në bregdetin e Gazës. Pyetja është: a përfiton Shqipëria? Mbetet për t’u parë. Së paku për disa orë pushtetarët në Tiranë mund të buçkariten dhe kësisoj të shpresojnë se njerëzit do të harrojnë serinë e aferave korruptive që tejkalojnë çdo imagjinatë.

3. Borde, nënborde dhe prapaskena

Agjencia amerikane e lajmeve Bloomberg njoftoi se presidenti Donald Trump synon t’u kërkojë shteteve një miliard dollarë për një vend në Këshillin e Paqes të planifikuar prej tij. Kjo u demantua nga Shtëpia e Bardhë – ndonëse jo krejtësisht.

Nga shtete me buxhete modeste si puna e Shqipërisë, SHBA-të me siguri do të kërkojnë përkrahje në mënyra të tjera, jomonetare. Për shembull: mund të kërkohet dërgimi i ushtarëve shqiptarë në Gaza që do të shërbejnë në kuadër të forcës ndërkombëtare të sigurisë ose ndonjë kontribut tjetër më shumë teknik.

Duhet ditur një gjë. Bordi i Paqes për Gazën i ka disa nivele. Së pari: Bordi Ekzekutiv Themelues. Kryetar i këtij bordi është Donald Trumpi (e ka emëruar veten), anëtarë janë – dhëndri i tij Jared Kushner, pastaj ministri i Jashtëm amerikan Marco Rubio, dy këshilltarë të Trumpit, një biznesmen miliarder, shefi i Bankës Botërore – dhe Tony Blair, i cili prej shumë vitesh (sipas disa raporteve nga viti 2013) punon si këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Vështirë të imagjinohet se Blair e bën këtë pa honorar. Blair nuk ka ndonjë kriter moral apo etik sa i përket klientëve të tij. Më 2015 ai u bë këshilltar edhe i Aleksandër Vuçiqit, atëherë kryeministër i vendit. Me atë rast firma konsulente e Blairit, “Tony Blair Associates” (TBA), njoftoi se ai do të ndihmojë në ngritjen e një pike qendrore kontakti, e cila do të këshillojë Vuçiçin për reformat. 10 vjet më vonë Serbia nuk është më e reformuar, por më autoritare se ç’ka qenë. Me apo pa këshilla të Tony Blairit, kjo është e parëndësishme. Nga ky bashkëpunim me leverdi kanë dalë Blair dhe Vuçiqi, Serbia jo.

Sa i përet planit të Trumpit për Gazën: Nën Bordin Ekzekutiv Themelues ekziston Bordi Ekzekutiv i Gazës. Aty përveç disa emrave që u përmendën më lart anëtarë janë edhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan dhe një ministre nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Bie në sy se në Bordin e Paqes të Trumpit nuk është asnjë palestinez. Një lloj drejtori – “Përfaqësues i Lartë” – që do koordinojë punët e Bordit të Paqes në terren do të jetë diplomati bullgar Nikollai Mlladenov, i cili ka një karrierë interesante. Ai rrjedh nga një familje e privilegjuar e nomenklaturës komuniste bullgare. Babai i tij ka qenë oficer i lartë i shërbimit sekret bullgar. Mlladenov në vitet 90-të, pas studimeve në Londër, ka punuar për Fondacionin Soros në Sofje. Mandej ka bërë një karrierë politike në Bullgari – si deputet i partisë konservatore dhe deputet në Parlamentin Europian, pastaj ka qenë emisar i OKB-së për Irakun dhe për konfliktin izraelito-palestinez.

4. Groenlanda

Grenlanda është pjesë e Danimarkës, e Danimarka anëtare e NATO-s. Rrjedhimisht, Grenlanda është territor i NATO-s. Në rast se ky territor sulmohet nga Kina apo Rusia, SHBA-të janë të obliguara ta mbrojnë. Që nga viti 1951 ekziston një marrëveshje mes SHBA-ve dhe Danimarkës sipas të cilës Washingtoni mund të hap sa të dojë baza ushtarake në Grenlandë. Në dekadat e fundit SHBA-të i kanë mbyllur gati të gjitha bazat në Grenlandë. Ka mbetur vetëm një. Dikur SHBA-të kishin 6000 ushtarë në Grenlandë, tani i kanë 150.

Edhe sa i përket pasurive nëntokësore të Grenlandës: SHBA-të kanë të drejtë të kërkojnë licenca përkatëse dhe i marrin pa problem nga Grenlanda dhe Danimarka.

Por kjo nuk i mjafton Trumpit. Ai dëshiron ta ketë pronë të veten Grenlandën. A do t’ia dalë? Nuk e dimë. Një gjë është e sigurt: europianët janë të alarmuar. Dhe në shumë kryeqytete – nga Londra deri në Berlin – Trump po shihet gjithnjë e më shumë si shantazhues dhe jo si partner. Europianët më lënë përshtypjen e disa peshqve që përpëliten në breg të detit. Me dekada të tëra i kanë injoruar rreziqet në fushën e sigurisë dhe kanë besuar në utopi si paqja e përjetshme. Këtu hyn edhe refuzimi shumëvjeçar i Danimarkës për t’u marrë me sfidat e sigurisë në Grenlandë.

Problemi nuk është i ri. Thënë thjeshtë: sa më shumë që shkrihet akulli si pasojë e ndryshimeve klimatike, aq më shumë rrugë detare hapen rreth Grenlandës. Kjo domethënë: Nëse hapet rruga e re përmes veriut, udhëtimi i anijeve nga Europa në Azi do të shkurtohej nga 22 ditë në vetëm 10 ditë, duke u bërë shumë më i shpejtë sesa kalimi nga Kanali i Suezit. Brenda një dekade numri i anijeve që kalojnë Oqeanin e Arktikut është rritur për 37 për qind. Nuk është befasi që Kina synon të jetë e pranishme në këtë rajon. Nuk duhet të befasohemi që SHBA-të kundërpërgjigjen. Sa për krahasim Grenlanda është 55 herë më e madhe se Kosova e Shqipëria së bashku. Kaq sa i përket dimensionit gjeografik, gjeostrategjik dhe gjeopolitik.

Trump ka edhe arsye të brendshme për të shkaktuar tollovi në politikën botërore. Popullariteti i tij në SHBA po shënon rënie drastike. U premetoi amerikanëve ulje të kostos së jetesës dhe kjo nuk ndodhi. Sa i përket idesë së Trumpit për marrjen e Grenlandës, mendoj se rezistenca nga politikanët amerikanë të të dy partive nuk do të mungojë. Nëse Trump vërtet synon të nxisë një luftë tregtare me BE-në dhe Britaninë e Madhe për shkak se këto kundërshtojnë planet e tij për Grenlandën, do të përballet me rezistencë edhe nga amerikanët e thjeshtë.

5. Paralelet historike të krizave

Para gati një shekulli bota gjendej përballë një krize të madhe ekonomike, ndërkohë që rriteshin valët e nacionalizimit dhe popullizmit. Atëbotë politikani dhe publicisti italian Antonio Gramsci shkroi se kriza konsiston pikërisht në faktin se e vjetra po vdes dhe e reja nuk mund të lindë; në këtë ndërmjetkohë shfaqet një shumëllojshmëri simptomash morbide.

Ne jemi duke përjetuar tani një kohë të ngjashme. Por nuk e dimë ende cili do të jetë rezultati final i simptomave morbide. Është e qartë se Trump nuk ka ndonjë respekt për OKB-në, dhe NATO-n shpesh e sheh vetëm si instrument për të disiplinuar partnerët europianë.

6. Kontradiktat e Trumpit

Donald Trump është babai i kontradiktave. Kështu funksionon metoda e tij politike. Në mëngjes kërcënon, në mbrëmje dërgon sinjale pajtimi. Të nesërmen pohon të kundërtën. Një lojë permanente nervash. Shikoni qasjen e tij ndaj Iranit: njëherë ju tha protestuesve, dilni në rrugë, merrni institucionet, pastaj iu falënderua sundimtarëve në Teheran sepse paskëshin ndalur ekezekutimet, pastaj u kërcënua prapë pasi e ofendoi kreu i diktaturës së mullahëve. Në këtë lojë nervash ai e ka sosur edhe durimin e konservatorëve britanikë. Shefja e tyre Kemi Badenoch tha: “Pajtohem me (kryeministrin) Keith Starmer”. Badenoch e pati fjalën për kërcënimin e Trumpit me tarifa të reja doganore nëse europianët nuk ia përhajrojnë Grenlandën. Europianët nuk janë për t’u xhelozuar këto ditë: nëse konfrontohen me Trumpin për shkak të Grenlandën, rrezikojnë që shefi i Shtëpisë së Bardhë të ndalë ndihmat ushtarake për Ukrainën. Kjo do të ishte një katastrofë për Europën dhe një dhuratë për Vlladimir Putinin.

7. E ardhmja e Iranit dhe Venezuelës

Me optimizëm mund të themi se ka filluar fundi i regjimit. Politologu amerikan Jack A. Goldstone përmend pesë kushtet specifike të nevojshme që një revolucion të jetë i suksesshëm: një krizë fiskale, elita të përçara, një koalicion opozitar i larmishëm, një narrativë bindëse e rezistencës dhe një mjedis ndërkombëtar i favorshëm. Këtë dimër, për herë të parë që nga viti 1979, Irani i plotëson pothuajse të pesë këto kushte. Profesori Reinhard Schulze nga Universiteti i Bernit në Zvicër dhe një nga eksperët më të njohur të botës arabe dhe Iranit tha të premten për gazetën “Tages Anzeiger”: “Në një çast agonia mbaron dhe regjimi shembet, ndoshta deri më 15 mars”.

Sa i përket Venezuelës: diktatori Nicolas Maduro u rrëmbye nga forcat amerikane dhe bota e tij u reduktua në një qeli burgu në New York. Por kush ka shpresuar se tani do nisë një proces demokratik në Venezuelë, duhet të përballet me faktin se në Karakas vazhdon të qëndrojë në pushtet diktatura socialiste, me të cilën Trump dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin. Liderja e opozitës Maria Corina Machado ngarendi në Shtëpinë e Bardhë, i dhuroi Trumpit edhe medaljen e Nobelit për Paqe, me të cilën u shpërblye nga Komiteti i Nobelit, por presidenti nuk ndërroi mendje. Nuk ka një plan kohor për zgjedhje në Venezuelë, tha zëdhënësja e Trumpit. Maria Corina Machado doli duarthatë nga Shtëpia e Bardhë, ndërsa ish-zëvendësen e Maduros dhe presidenten e përkohshme Delcy Rodriguez Trump e quajti “një grua fantastike”.

PS. Javën që vjen Donald Trump do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Davosit (WEF). Nga mesi i shkurtit mbahet Konferenca e Sigurisë në München, forumi më i rëndësishëm për çështje të sigurisë globale (Trump nuk ka paralajmëruar pjesëmarrjen e tij, por do vijnë politikanë të tjerë amerikanë). Temat për diskutim nuk do të mungojnë…

  •  

Deformim, paragjykim, propagandë, madje edhe racizëm: Mbi një film për Kosovën të shfaqur në televizionin publik gjerman ARD

Nga Enver Robelli

Magazina për kritikë të filmit në Gjermani “Kino-Zeit” (“Koha për kinema”) në një kritikë për filmin “Kill Me Today, Tomorrow I’m Sick!” (“Më vrit sot, nesër jam i sëmurë!”) që në hyrje shkruan: “Joachim Schroeder, i njohur për filmat e tij dokumentarë, tenton të realizojë bashkë me Tobias Streck një film artistik mbi Kosovën dhe misionet paqeruajtëse që erdhën në vend pas luftës – a ia dalin mbanë ata?”

E shikova mbrëmë këtë film në mediatekën e televizionit gjerman ARD dhe përgjigjja është: autorët e filmit jo vetëm që nuk ia dalin, por kanë arritur – në vitin 2018! – të prodhojnë një film thellësisht paragjykues e propagandistik, i cili deformon historinë e luftës në Kosovë. Me bollëk përdoren edhe klishetë raciste. Shqiptarët e Kosovës i trajtojnë gratë si shtazët. Edhe më keq: janë myslimanë dhe pothuaj të gjitha gratë e tyre janë të mbuluara. Kryengritësit e dikurshëm, të lavdëruar si çlirimtarë, mbajnë një kasaphanë ku u heqin organet civilëve serbë dhe i çojnë në Budapest për shitje. Kështu pretendon filmi.

Krimet e luftës të kryera me plan nga shteti serb ndaj popullsisë civile shqiptare nuk përmenden fare. Me të drejtë magazina gjermane “Kino-Zeit” shkruan: “Është mëkat, mbi të gjitha, që kësisoj lihet anash rrëfimi fillimisht i rëndësishëm mbi sulmet ndaj pakicave në Kosovën e pasluftës, por edhe mizoritë e mëparshme të luftës dhe politika kolonialiste e Serbisë ndaj banorëve të Kosovës – të cilat në film pothuajse janë injoruar plotësisht.”

Aktorët janë nga hapësira gjermane, serbë apo me origjinë sllave nga ish-Jugosllavia. Filmi është xhiruar në Novi Pazar dhe në Tirolin Jugor. Aktorët nuk dinë shqip. Andaj kur flasin shqip, ata tingëllojnë sikur mbajnë gurë në gojë.

Ngjarja vendoset në Kosovën e vitit 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, kur organizatat ndërkombëtare zbarkojnë në Prishtinë. Në qendër të filmit është Anna Neubert, një punonjëse e OSBE-së, e cila mbërrin me idealizmin e “shpëtimtares perëndimore”, e bindur se urrejtja ndëretnike mund të zhduket shpejt.

Megjithatë, entuziazmi i saj zbehet sapo ballafaqohet me realitetin në terren. Ajo vëren se misioni nuk po funksionon sipas planeve: dhuna ndaj civilëve serbë vazhdon, ndërsa OSBE-ja duket e painteresuar për të hetuar këto raste apo për të mbajtur përgjegjës figurat e fuqishme lokale (si personazhi Rhaci, i cili i ngjan Hashim Thaçit; rolin e tij e luan aktori serb Boris Millivojeviq). Anna fillon të dyshojë thellësisht te misioni dhe te njerëzit që e rrethojnë, të cilët rezultojnë të jenë të korruptueshëm dhe larg idealeve që proklamojnë. Ata ose përfundojnë te ndonjë prostitutë, ose kalojnë kohën duke treguar barcoleta seksiste.

Gjermania Anna Neubert i ndihmon shoferit të saj Plaka (Carlo Ljubek, aktor gjerman me prindër kroatë) të hap një radio multietnike, gazetarët e së cilës i sulmon me armë një bashkëpunëtor i afërt i “komandant Rhacit”. Kur nuk vret, bashkëpunëtori bën seks në tualetin e një bari në Prishtinë me një ndërkombëtar të OSBE-së, të cilin pastaj e vret me gjakftohtësi – po në tualet.

Në këtë film aludohet se shqiptarët i kanë inskenuar viktimat e luftës dhe bartin fajin për shkatërrimin e Jugosllavisë. Një fotografi e Josip Broz Titos bartet nga skena në skenë si dëshmi e rrejshme e parajsës jugosllave.

Po e citoj në fund sërish magazinën gjermane “Kino-Zeit”, e cila kritikën e përmbyll me këtë konstatim të drejtë: “Kill me today, Tomorrow I’m sick! përfaqëson mjerisht pikërisht atë sjellje hegjemoniste të Perëndimit ndaj Ballkanit, të cilën përpiqet gjoja ta kritikojë. Kështu, për shembull, personazhet gjermanë shfaqen me emër dhe mbiemër – ndërsa kjo gjë u mohohet natyrshëm figurave serbe dhe shqiptare, sikur të mos ishte asgjë e veçantë. Kjo vërehet njëlloj te produksioni, te politika e imazhit dhe te shakatë e personazhet shpesh të cekët, të cilët shërbejnë më shumë si shembuj për etni apo fe të tëra, sesa si personazhe të vërteta filmi, veprimet e të cilëve motivohen nga karakteri i tyre”.

Filmi ka qëndruar me ditë të tëra në mediatekën e ARD-së. Mbrëmë ka përfunduar afati i shfaqjes online. Ky film që pretendon të jetë artistik, duket si zgjatim i filmit gjoja dokumentar të ARD-së nga viti 2001 “Filloi me një rrenë” (“Es begann mit einer Lüge”), në të cilin deformohej historia e luftës së Kosovës dhe politikanët gjermanë akuzoheshin si gënjeshtarë që mashtruan opinionin për të siguruar përkrahjen e parlamentit për sulmet e NATO-s kundër Serbisë. Nuk është befasi që Sllobodan Millosheviqi me kënaqësi e citoi këtë dokumentar në procesin gjyqësor kundër tij në Hagë.

  •  

Kur partia ha veten: historia gjermane e armiqve brendapartiakë

Nga Enver Robelli

Konrad Adenauer, kancelar legjendar gjerman, i cili pas horrorit nazist e integroi Gjermaninë Perëndimore në strukturat euro-atlantike, mendohet të ketë përshkruar me tri fjalë shkallët e armiqësisë në betejat politike. Sipas tij, ekzistojnë tre lloje armiqsh: armiku i thjeshtë, armiku i përbetuar dhe kolegu i partisë. Domethënë: më të rrezikshëm se armiqtë e jashtëm, janë ata të brendshmit, brendapartiakët. Këta janë të paparashikueshëm, ata të jashtmit kryesisht janë të parashikueshëm.

Në këtë kontekst, m’u kujtua Kongresi i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) në Mannheim në vitin 1995. Kryetari i Partisë Rudolf Scharping kandidonte edhe për një mandat. Nuk ishte i popullarizuar. Partia kishte humbur zgjedhjet kundër Helmut Kohlit më 1994. Scharping shkoi në Kongres i bindur në fitore. Kundërkandidat zyrtar nuk kishte. Por para se të fillonte Kongresi, kryeminstri i landit Saarland, Oskar Lafontaine, e njoftoi Scharpingun se e kishte ndërmend të kandidonte. Scharping doli në foltore, tregoi se kishte një kundërkandidat. Ai quhej Oskar Lafontaine. Pasoi një habi e madhe në sallë, shoqëruar edhe me duatrokitje nga përkrahësit e Lafontaine. Fjalimi i Scharpingut nuk pati efekt të madh. Lafontaine, një popullist i talentuar, ndezi sallën. Nisi votimi. Dhe siç ishte paralajmëruar nga duartrokitjet, fitoi Lafontaine. Scharping pranoi humbjen, u ankua se rivali i tij i kishte shkaktuar shumë plagë, por tha se tani duhet të punonin bashkë sepse kishin një detyrë më të madhe se ata vetë.

Ish-kancelari Helmut Schmidt ishte duke shkuar me veturë në Kongresin e partisë së tij, kur dëgjoi në radio për zgjedhjen e Lafontaine, me të cilin ndante një përbuzje të dyanshme. Schmidt doli nga autostrada dhe u kthye në shtëpi.

Lafontaine e ngjalli partinë, sidomos me premtimet e tij për t’u kthyer te agjenda më e majtë. Më 1998 SPD (bashkë me të Gjelbrit) e rrëzoi Helmut Kohlin nga pushteti, pas 16 vitesh. Lafontaine u bë ministër financash në qeverinë e kancelarit Gerhard Schröder. Pak ditë para se NATO të fillonte bombardimin e Serbisë, Lafontaine tha dorëheqje (edhe për shkak se kundërshtonte ndërhyrjen, por s’pajtohej edhe me politikat ekonomike të qeverisë të cilat, sipas tij, nuk ishin mjaft të majta). Lafontaine vazhdoi rrugëtimin në partinë pasardhëse të komunistëve gjermanolindorë (Die Linke), në fund iku edhe nga aty dhe përfundoi në një parti të themeluar nga gruaja e tij, e njohur për qëndrime mirëkuptuese ndaj Kremlinit. Fatmirësisht, në zgjedhjet e fundit kjo parti (BSW) nuk arriti të hyjë në parlamentin gjerman.

PS. Se për pak harrova: ish-kancelari Schröder përfundoi si argat i Putinit, i cili me miliardat e tij nga gazi e nafta arriti të fusë në xhep edhe politikanë konservatorë. Nën kancelaren Merkel u ndërtua gazsjellësi Nord Stream, përkundër protestave amerikane dhe të europiano-lindorëve.

  •  

Brenda banketit të Vuçiçit në Beograd me një kriminel lufte, me derrkuc në hell

Nga Enver Robelli

Një banket me një kriminel lufte, me derrkuc në hell dhe në furrë, me një vrasës të dënuar (dhe diçka për gjyshen e Ivica Daçiqit dhe një masakër të vitit 1903 në Pallatin Mbretëror në Beograd)

Si çdo festë fetare edhe Krishtlindjet konsiderohen festë e dashurisë, mirëkuptimit e solidaritetit. Së paku kështu thuhet. Zakonisht festat fetare priten e kremtohen në rreth familjar. Gazeta serbe “Informer”, e cila drejtohet nga rrëmujaxhiu Dragan Vuçiçeviq, e mblodhi sivjet “elitën” serbe për të festuar Krishtlindjet Ortodokse. Në një pjesë të emisionit ishte edhe presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili para disa vitesh ka treguar se çka mendon për Vuçiçeviqin: “E kam mik personal qe 25 vjet”.

Pastaj, në pjesën tjetër të emisionit, Vuçiqi s’u pa më, por ai u përfaqësua denjësisht nga “elita” serbe. Për shembull nga babai i tij politik Vojisllav Shesheli. Pra, në këtë banket ishin të pranishëm: Vojisllav Shesheli, i dënuar për krime të luftës dhe kampion i gjuhës toksike në Serbi (ndonëse konkurrenca është e madhe), Ana Bërnabiq, kryetare e parlamentit, Ivica Daçiq, ministër i brendshëm dhe shumë ministra të tjerë. Daçiqi ishte ulur nga fundi i tavolinës, në anën e djathtë të tij qëndronte një derrkuc i pjekur. Apo mos ishte i pkastikës?

Me mikrofon të pranishmit i argëtoi Dragan Ashanin, i dënuar për vrasje. Më 1992 ai vrau ish të dashurën e tij, 18-vjeçare. Për këtë qe dënuar me 11 vjet burg.

Siç e do rendi e kuvendi, i pari e mori fjalën mikpritësi dhe i zoti i shtëpisë Dragan Vuçiçeviq. Ai tha: “Ja, ne kemi përgatitur gjithçka ashtu siç i ka hije kësaj feste të madhe. Kemi derrkuc në hell, derrkuc në furrë, kush si ta dojë. I lutem shokëve kamarierë të shkojnë te këta mysafirë, t’u ofrojnë, t’i shërbejmë mirë”.

Mandej Vuçiçeviq e pyeti Sheshelin se çfarë dëshironte të hante? Shesheli s’ishte në disponim të fliste menjëherë për mishin, por për Daçiqin. Tha se “gjyshja e tij iku nga gjyshi me nëntë fëmijë dhe iku për një shqiptar”. Dhe i kërkoi falje “shqiptarit të ndershëm” Demo Berisha, i cili ishte po ashtu pjesë e këtij banketi në cilësinë e ministrit për të drejtat e pakicave (“Izvni Demo, to je bila druga vrsta Šiptara”).

Vuçiçeviq e gjeti shpejt rolin e vet dhe sillej si pronar kafejene duke porositur këngë. Kështu muzikantët i kënduan Sheshelit: “Shiko, nënë, si t’ia bësh, për një çetnik të më martosh”. Mandej festa rrëshiqi drejt këngëve raciste, shqëruar me alkool e ulërima. Për shembull me këtë vrag fyes ndaj grave turke e myslimane në përgjithësi: “Turkesha para xhamisë u betua, se vetëm në një serb u dashurua”.

I vetmi politikan europian që deri më tani protestoi kundër kësaj origjie nacionaliste ishte ish-ministri i Jashtëm kroat Tonino Picula, i cili është raportues i Parlamentit Europian për Serbinë. Picula i tha revistës kroate “Nacional” se “me njerëz të tillë nuk mund të negociosh për hyrjen në BE, ata janë për ‘Serbinë e Madhe’”. Ai shtoi: “Do të dëshiroja, natyrisht, të dëgjoja edhe reagime më të ashpra nga adresat e Brukselit sepse … Serbia është kandidate për anëtarësim në BE. Ajo, në fakt, ka plot katër vite që nuk hap kapituj, por mendoj se edhe kjo është një dëshmi për ata në Bruksel që mbase kanë ndonjë pikëpamje tjetër, apo konsiderojnë se ky është vetëm një incident i rastësishëm, se realiteti në Serbi është dukshëm ndryshe, shumë më i keq“.

Për Vuçiqin nuk ka dilemë. Ai thotë për Dragan Vuçiçeviqin: “E konsideroj njeri të ndershëm dhe të sjellshëm”. Ashiqare nderi matet me vizore të ndryshkura në Serbinë e Vuçiqit.

Të kalojmë pak tani në çështje jashtë tavolinës së banketit. Në fillim të shekullit të 20-të Mbreti Aleksandër i Serbisë vendosi të martohej me Draga Mashinin, e cila shërbente si shërbëtore e nënës së tij në oborrin mbretëror në Beograd. Draga Mashin nuk gëzonte imazh të mirë në qytet. Ishte e ve, 10 vjet më e moshuar se mbreti dhe konsiderohej sterile (për shtëpinë mbretërore ishte me rëndësi të kishte pasardhës e trashëgimtarë). Qarkullonin edhe llafe të tjera mbi Draga Mashinin. Një ditë u mblodh Këshilli i Kurorës për ta bindur Mbretin të hiqte dorë nga synimi për të lidhur kurorë me Draga Mashinin. Ministri i Brendshëm, Gjorgje Gençiq, tha: “Lartmadhëri, ju nuk mund të martoheni me të. Ajo ka qenë dashnorja e të gjithëve – edhe e imja”. Mbreti u përgjigj duke ia dhënë një shuplakë të fortë Gençiqit në prani të ministrave të tjerë. Më vonë Gençiq u bë pjesë e planit për vrasjen e Mbretit Aleksandër.

Kjo ndodhi më 11 qershor 1903. Rreth 30 oficerë u futën me forcë në Pallatin Mbretëror. Trupat e Mbretit dhe të gruas së tij u masakruan. Ja si e ka përshkruar këtë skenë historiani Christopher Clark në librin e tij mbi shkaqet e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore: “Kufomat, sipas dëshmisë së mëvonshme të berberit italian të mbretit, i cili ishte i traumatizuar dhe kishte marrë urdhrin për t’i marrë trupat e për t’i veshur për varrim, ishin shpuar me shpata, çarë me bajoneta, pjesërisht ishin nxjerrë organet dhe ishin copëtuar me sëpatë, derisa u masakruan aq sa nuk njiheshin më. Kufoma e mbretëreshës u soll deri te parmakët e dritares së dhomës së gjumit dhe, pothuajse nudo e krejtësisht e mbuluar me gjak, u hodh në kopsht. Kur vrasësit tentuan të bënin të njëjtën gjë me Aleksandrin, thuhet se dora e mbretit u shtrëngua për një çast pas parmakëve. Një oficer e preu grushtin e tij me një goditje të shpatës. Gishtat dhe trupi i monarkut ranë në tokë. Ndërsa atentatorët ishin mbledhur në kopsht për të pirë një cigare dhe për të inspektuar veprën e tyre shkatërruese, filloi të binte shi”.

Ka lloj-lloj banketesh në historinë e Ballkanit. Disa mbahen në kopshte, disa në redaksinë e televizionit “Informer”.

  •  

“Le Temps” e Gjenevës: A do ta nxjerrin Kosovën nga kriza zgjedhjet e reja parlamentare?

Nga Enver Robelli

Kosova u drejtohet sërish kutive të votimit këtë të diel në një klimë pasigurie dhe tensionesh diplomatike. Ndërsa kryeministri Albin Kurti luan kartën e “vullnetit të mirë” duke pranuar emigrantët e refuzuar nga administrata Trump për të shlyer borxhin historik të vitit 1999, vendi mbetet i mbërthyer në një paralizë institucionale.

Albin Kurti krijoi befasi më 12 dhjetor, kur konfirmoi se Kosova ishte e gatshme të priste emigrantë “të cilët Shtetet e Bashkuara nuk i duan në territorin e tyre”, madje duke shtuar se “një ose dy mund të kenë mbërritur tashmë”, shkruan gazeta “Le Temps” e Gjenevës në numrin e së shtunës. Kosova, sipas këtij mendimi, në pranverë nënshkroi një marrëveshje që parashikon pritjen e 50 emigrantëve të refuzuar nga SHBA-ja. Prishtina ka përmendur “borxhin moral” që Kosova ndien që prej bombardimeve të pranverës 1999, të cilat i mundësuan vendit të shkëputej nga tutela e Beogradit.

Kryeministri Albin Kurti po përpiqet gjithashtu të përmirësojë marrëdhëniet me Washingtonin, ndërkohë që ndodhet në shënjestër të administratës Trump, e cila vazhdimisht përsërit se nuk e konsideron atë si “partner të besueshëm”. “Në fakt”, shpjegon Belgzim Kamberi, analist në Institutin Musine Kokalari për Politika Sociale në Prishtinë, “Albin Kurti do të donte ta bindte opinionin publik kosovar se është ende në linjë me Washingtonin, qoftë për çështjen e refugjatëve apo për atë të Izraelit: për një politikan kosovar është shumë e vështirë të paraqitet si armik i Shteteve të Bashkuara”.

Ndërkohë që partia e Kurtit, Vetëvendosje, e cila vetëpërkufizohet si e majtë sovraniste, ka mbështetur prej kohësh kauzën palestineze, Kosova është rreshtuar me qëndrimin amerikan dhe madje ka hapur ambasadën e saj në Jerusalem. Por asgjë nuk ka mjaftuar për ta qetësuar zemërimin e administratës Trump.

Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të kaluar, Vetëvendosje doli forcë e parë, por me 48 deputetë nga 120 gjithsej, andaj partia e kryeministrit nuk arriti të formojë shumicë, për shkak të mungesës së marrëveshjeve me forcat e tjera politike. Kosova u detyrua kështu t’u rikthehet kutive të votimit këtë 28 dhjetor, pas një viti të konsideruar “të humbur”, pa asnjë përparim real në fushat kryesore, sidomos në marrëdhëniet me Beogradin.

Skena politike mbetet po aq e fragmentuar sa më parë: Vetëvendosje pritet të ruajë vendin e parë, por pa arritur shumicën absolute. Pas saj renditen Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK, e djathtë) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), formacioni i Hashim Thaçit, ish-kryeministër dhe ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili po përballet me një proces gjyqësor në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Albin Kurti po zhvillon një fushatë të fortë të personalizuar, me tone luftarake, duke bërë thirrje “të mos lëshohet pe” – një aludim i qartë për situatën gjithmonë të tensionuar në veriun e vendit, të banuar kryesisht nga serbë. “Ai po llogarit sërish në mobilizimin e diasporës. Ky është i vetmi shans për ta përmbysur situatën. Brenda Kosovës, po e ka gjithnjë e më të vështirë të bindë votuesit”, thotë Kamberi.

Situata komplikohet edhe më tej, pasi parlamenti do të duhet të zgjedhë në muajin mars presidentin ose presidenten e re të shtetit, për çka kërkohet një shumicë prej dy të tretash. Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, synon një mandat të dytë. Aleate e Albin Kurtit, ajo duhet të sigurojë mbështetjen e forcave të tjera politike, pa humbur atë të Vetëvendosjes. Ekuacioni është delikat dhe, nëse parlamenti dështon ta zgjedhë kreun e shtetit, ai do të shpërndahet: zgjedhjet e së dielës rrezikojnë kështu të çojnë shpejt drejt një bllokimi të ri institucional.

Ndërkohë, Vjosa Osmani ka intensifikuar udhëtimet ndërkombëtare. Këtë vjeshtë, ajo shënoi dy suksese simbolike me njohjen e Kosovës nga Siria dhe nga Bahamas. Pavarësia e shpallur në vitin 2008 njihet ende nga rreth 110 shtete, ndërsa Kosova nuk është anëtare as e Kombeve të Bashkuara, as e Këshillit të Europës. Gjatë dekadës së fundit, vetëm tre shtete të reja e kanë njohur Kosovën, ndërkohë që rreth dhjetë të tjera e kanë tërhequr njohjen nën presionin e lobimit intensiv serb dhe rus.

Megjithatë, dinamika rifilloi në vitin 2025, kur Kenia dhe Sudani hapën rrugën. Njohja nga Siria, e shpallur nga Vjosa Osmani nga Riadi, është rezultat i presioneve turke dhe amerikane mbi Damaskun dhe mund të paralajmërojë njohje të tjera në botën arabe, ku Arabia Saudite ka qenë për një kohë të gjatë aleati i vetëm i Prishtinës. Duke u rreshtuar me rendin e ri botëror që Shtëpia e Bardhë po përpiqet të formësojë, Vjosa Osmani shpreson të fitojë simpatinë e Washingtonit.

Vendi ka nënshkruar tashmë një marrëveshje për të pritur të burgosur të dënuar në Danimarkë, të cilët do të vuajnë dënimet e tyre në burgjet kosovare, nën regjimin juridik danez. Transferimet e para priten së shpejti, pavarësisht indinjatës së organizatave për të drejtat e njeriut. Një marrëveshje e ngjashme është në diskutim edhe me Belgjikën.

Sipas mediave britanike, Kosova së bashku me Maqedoninë e Veriut po negocion gjithashtu me Mbretërinë e Bashkuar për pritjen e emigrantëve, kërkesat e të cilëve për azil janë refuzuar. Dështimi praktik i qendrës së pritjes për azilkërkues në Itali, e cila ka selinë në Shqipëri, nuk i ka dekurajuar vendet europiane të vazhdojnë këtë qasje. Më 8 dhjetor, ministrat e Brendshëm të BE-së miratuan parimin e hapjes së qendrave të pritjes për azilkërkues jashtë kufijve të Bashkimit Europian dhe vendet e Ballkanit pritet të jenë ndër të parat që do ta ndiejnë këtë politikë.

  •  

Rusia hesht për tregtarin serb të armëve që vdiq në Moskë

Nga Enver Robelli

Në Rusi ka vdekur një përfaqësues i industrisë serbe të armatimit. Nga zyra e tij janë zhdukur dokumente dhe pajisje për ruajtjen e të dhënave, por autoritetet e Moskës heshtin. Beogradi kërkon sqarime – dhe supozimet mbi këtë rast po vlojnë, shkruan gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”.

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për helm në çaj, të shtëna në rrugë apo rënie nga dritarja: vdekja e menaxherëve dhe opozitarëve rusë ndjek një rutinë mizore. Vitet e fundit, karrierat e shumë kritikëve të Kremlinit përfunduan pas aksidenteve të supozuara ose vetëvrasjeve të papritura, prapaskenat e të cilave kryesisht mbetën në errësirë.

Tani, kjo kronikë e zymtë është pasuruar me një episod tjetër. Radomir Kurtiq, tregtar serb armësh, vdiq në mes të nëntorit në mes të një rruge në Moskë. Rasti u bë i ditur javën që shkoi, njofton gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”. Rrethanat e vdekjes së tij mbeten të pasqaruara deri më sot, ndërsa thashethemet po vlojnë. Kurtiq drejtonte përfaqësinë në Moskë të kompanisë shtetërore serbe të armatimit, Jugoimport-SDPR. Bie në sy fakt se lajmi u përhap fillimisht nga mediat e afërta me qeverinë në Serbi. Ato flasin për një rast vdekjeje të dyshimtë dhe raportojnë se shërbimet sekrete serbe kanë informuar tashmë presidentin Aleksandar Vuçiq. Vuçiq deklaroi për televizionin shtetëror RTS se disponon më shumë informacione sesa janë bërë publike deri më tani. Njëkohësisht, autokrati serb theksoi se nuk dëshiron të marrë pjesë në “përhapjen e dyshimeve dhe teorive konspirative”.

Si Vuçiq, ashtu edhe mediat e Beogradit konfirmuan se një komision hetimor i Jugoimport-SDPR ka inspektuar zyrën e Kurtiqit në Moskë. Gjatë këtij inspektimi është konstatuar se mungonin dosje dhe pajisje për ruajtjen e të dhënave të kompujterit. Autoritetet serbe janë veçanërisht të irrituara nga heshtja e palës ruse; deri më tani nuk është dërguar asnjë raport mjeko-ligjor.

Kjo rezervë alarmon jo vetëm udhëheqjen politike në Beograd. Eksperti serb i sigurisë, Nikola Luniq, u shpreh për gazetën “Blic” të Beogradit se bëhet fjalë për një “mesazh brutal politik” të Moskës drejtuar Serbisë. Në pranverë, shërbimi i inteligjencës së jashtme ruse (SVR) kishte akuzuar të paktën shtatë kompani serbe të armatimit – përfshirë mbi të gjitha Jugoimport-SDPR – se kanë furnizuar Ukrainën me armë dhe municione përmes shteteve të treta në Evropën Perëndimore. Forcat e armatosura ukrainase duket se kanë marrë qindra mijëra predha dhe miliona fishekë të prodhimit serb që nga sulmi i madh rus në vitin 2022.

Udhëheqja e SVR-së, pasardhëse e KGB-së sovjetike, e akuzoi Serbinë për një “goditje pas shpine”. Dëshira e prodhuesve serbë të armëve për t’u pasuruar me gjakun e “popujve vëllezër sllavë” i kishte bërë ata të harronin se cilët ishin miqtë e tyre të vërtetë – ky ishte mesazhi nga Moska. Sipas një raporti të “Financial Times”, Serbia ka përfituar rreth 800 milionë euro vetëm nga dërgesat e armëve për Ukrainën.

Pas kritikave të ashpra nga Moska, Vuçiq bëri një kthesë më 23 qershor dhe deklaroi se Serbia kishte ndaluar të gjitha eksportet e armëve. Por hulumtimet e rrjetit investigativ ballkanik BIRN si dhe të gazetës izraelite “Haaretz” paraqesin një tablo tjetër. Sipas raporteve, po atë ditë një aeroplan transporti Boeing-747 u ul në Beograd, për t’u nisur 24 orë më vonë drejt bazës ajrore izraelite Nevatim. I pyetur se çfarë ngarkese kishte në bord, Vuçiq u përgjigj: “As në ëndërr nuk më shkon ndërmend të tregoj se çfarë është nisur apo çfarë është ulur atje”.

Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, Serbia dërgoi municione në vlerë prej 55,5 milionë eurosh në Izrael; vitin e kaluar vlera ishte 47,9 milionë euro. Që nga viti 2020, eksportet serbe të armëve janë katërfishuar. Ndër blerësit më të mëdhenj bëjnë pjesë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Qiproja dhe SHBA-ja.

Paralelisht me këtë, Serbia investon më shumë në forcat e saj të armatosura se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave të Institutit të Stokholmit për Kërkimin e Paqes (SIPRI), midis viteve 2020 dhe 2024 Serbia e bleu pjesën më të madhe të armëve nga Kina, e ndjekur nga Rusia dhe Franca. Radomir Kurtiq, i cili vdiq në Moskë, ishte ndër të tjerash përgjegjës për blerjen e armëve ruse për forcat e armatosura serbe, shkruan gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”.

  •  

Tri arrestimet që tronditën Brukselin

Nga Enver Robelli

Kur në vitin 2014 nisi të qarkullojë emri i Federica Mogherinit si kandidate për postin e kryediplomates së BE-së, Polonia dhe vendet baltike kundërshtuan. E quajtën të papërvojë dhe – edhe më keq – proruse që mirëkupton Vlladimir Putinin.

Në atë kohë Putini sapo kishte pushtuar Krimenë ukrainase. Pas protestave të vakëta të liderëve europianë, diktatori rus u rehabilitua shpejt. Në fund të qershorit 2014 Putini u mirëprit me qilim të kuq dhe me krejt nderimet e mundshme në Vjenë. Edhe më 2018 ndodhi e njëjta.

Putini prapë erdhi në Vjenë. Mogherini nuk e pa të udhës të protestojë. Në atë kohë ajo akuzohej se kishte toleruar (në mos edhe përkrahur aktivisht, edhe me logjistikë) bisedimet sekrete për ndarjen e Kosovës.

Në vjeshtën e vitit 2018 gati 60 organizata të shoqërisë civile nga Kosova i dërguan një letër Mogherinit ku shprehnin shqetësimin e tyre mbi deklaratat e saj lidhur me Kosovën, të cilat përshkruheshin si të rrezikshme për shtetësinë kosovare.

Arrestimi i saj nën dyshimet për keqpërdorime financiare në universitetin elitar College of Europe me seli në Brügge (Bruges), i cili pjesërisht financohet nga BE, nuk është ndonjë befasi e madhe.

Afërsia e saj me politikanë autokratë dhe të dyshuar për korrupsion ka qenë e dukshme prej vitesh.

Bashkë me Mogherinin është arrestuar edhe Stefano Sannino, njëri nga diplomatët më me ndikim brenda strukturave të BE-së.

Ai ka qenë sekretar i përgjigjshëm në shërbimin e politikës së jashtme të BE-së. Njohës të politikës së BE-së në Bruksel e akuzojnë se si zyrtar i BE-së ka pasur më së shumti mirëkuptim për presidentin autokratik serb Aleksandar Vuçiq.

Sannino një pjesë të karrierës e ka kaluar në Serbi: në vitet 90-të ka qenë zevendësambasador i Italisë në Beograd, ndërsa pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviqit drejtoi Misionin e OSBE-së në Serbi.

Në Bruksel ka qenë, mes tjerash, drejtor i përgjithshëm për politika të zgjerimit të BE-së. Nga shkurti Sannino është drejtor i përgjithshëm dhe përgjegjës për Lindjen e Afërt dhe Afrikën Veriore.

Personi i tretë i arrestuar në lidhje me hetimin është Cesare Zegretti, bashkëdrejtor i zyrës për arsimin ekzekutiv, trajnime dhe projekte të College of Europe.

Përveç në Belgjikë College of Europe ka degë edhe në Warshavë dhe Tiranë. Kampusi në Tiranë është hapur më 2024.

The post Tri arrestimet që tronditën Brukselin first appeared on JavaNews.al.

  •  
❌