Reading view

Një “Qendër” për Shqipërinë

Nga Ben Andoni

Çka po e mban ende të gjallë me karburant “Protestën e Flamingove” është një kërkesë e dakorduar instinktivisht që i veçon të dyja partitë kryesore nga mjedisi i saj dhe ankthi se: “Shqipëria po shitet”! Nuk po shtojmë antisemitizmin dhe paradokset që duken sërish pak në fakt, para korrupsionit dhe asaj që e ka lodhur trupin e drobitur të Shqipërisë.

E megjithatë, në forume të ndryshme, pjesën më të madhe të angazhimit sërish po mundohen ta kapin militantët e dy partive dhe paradoksalistët që e njohin pak ose aspak shtetin. Ndërkaq, një armik i padukshëm që po i kërcënon dhe e ka zbehur protestën është ai që i ka kapur me kohë partitë kryesore: mungesa dhe respekti i ideologjisë. Politika e sotme shqiptare mbështetet te klientelizmi, nepotizmi, populizmi dhe tranzicioni i stërgjatë, veç të tjerave. Ajo që mund të këqyret rëndom është se: PS dhe PD, përshtaten mirë sipas nevojave të votës por jo parimeve klasike të ideologjisë. Për fatin e tyre, tashmë ka shumë që thonë se koha jonë nuk ka më ideologji.

Pa vendosur paralelizma për kohët, dualiteti ideologjik i ka rrënjët e thella dhe më shumë zhvillimi ynë ka qenë i lidhur me drejtimin e individit sesa idetë. Konica e stigmatizoi këtë me penën më të hidhur. Në kujtimet e veta, Princ Vidi, monarku i pafat i kurorës shqiptare, e mendonte shpëtimin tonë nëse do të ishin jashtë rrjedhave të kohës, vetë themeluesi i shtetit shqiptar Ismail Qemali dhe Esat Pasha, mëtonjësi i pushtetit\eve. Rivaliteti Noli-Zogu shkoi deri në zgrip me vrasje pa fund. Pas viteve ’90, dualiteti ka qenë gjithnjë aty, por ideologjia e vërtetë shumë larg.

Pas viteve ‘90 Nano përballë Berishës, Rama përballë Berishës, veç të tjerave, e kemi dëgjuar shpesh dhe deri në rraskapitje etj. Por, tandemi i fundit i kushtoi shumë Shqipërisë me Marrëveshjen e vitit 2008, ku pakti i asokohshëm i kryeministrit Berisha (PD) dhe liderit të opozitës Edi Rama (PS), jo vetëm e trandi Kushtetutën e Shqipërisë, por na përcolli drejt sistemit zgjedhor me lista të mbyllura. Qysh atëherë, u prekën institucionet e pavarura, zgjedhja dhe pesha e presidentit, kurse fuqia de jure dhe de facto e kryetarëve të PS dhe PD u bë e pamatë.

Ajo marrëveshje mbetet ende skeleti kryesor zgjedhor në Shqipëri, paçka përmirësimeve. Në këtë vazhdë, të dy partitë prej kohësh i janë larguar konceptit të ideologjive “të Majtë” dhe “të Djathtë”, pasi më shumë individi partiak ka referim trashëgiminë familjare dhe pozicionin e interesit, veç strukturës së patronazhimit, sesa konceptin real të së Majtës dhe të Djathtës. Nëse do të bëhej një vlerësim cilësor, individi qoftë dhe ai i shtresave më të varfra, më shumë identifikimet i ka fisnore dhe nga e shkuara, shtuar me interesin e dukshëm, sesa te ideja. Është për të qeshur sesi individë të lidhur me Partinë e Punës tashmë e dikur gëlojnë te PD-ja, prej kryetarit Berisha, Shehu e me radhë deri në hierarkinë drejtuese. Kurse të Majtë janë ata që kanë pasur një konvertim të mirë pas periudhës së Socializmit me formën e qeverisjes, e cila mbizotëron pas viteve ’90.

Rrallë gjen sot individë, sidomos në krye të vendit që dinë të shpjegojnë dhe të konfesojnë ndershmërisht metamorfozat e tyre ideore apo prirjet e tyre ideologjike. E dyta dhe më e rëndësishme mbetet paradoksi i programeve, ku PS-ja në fuqi jo pak herë ka vepruar si një parti dukshëm me karakter të Djathtë, kurse PD-ja na shfaqet si e Majtë. Për të fituar vota në një vend të varfër, si yni, e Djathta propozon shpesh rritje pagash e pensionesh, subvencione dhe shtetin që të ndërhyjë, por jo forcimin e institucioneve të vendit! Ndërsa Partia Socialiste që është në pushtet shpesh zbaton politika neoliberale, të tilla si partneritetet agresive publikprivat (PPP) dhe strukturat tatimore miqësore ndaj biznesit dhe amnisti të ndryshme e institucione që tradicionalisht duhet të jenë të krahut të djathtë.

Dhe, nuk u mjaftua me të por mbështeti edhe të persekutuarit, frymën kryesore të PD-së, me një skemë që vazhdon prej dekadash. Paradoksi rritet sepse një plagë që na la Socializmi është shteti i koncentruar ose lideri i fortë, si qendra e çdo zgjidhjeje socialekonomike, gjë që nuk i lejon partitë të aplikojnë një kapitalizëm të pastër ose liberalizëm të kryer. Si gjithnjë, pika fundore që vendos është Rama dhe Berisha. Parlamenti pas vitit 2008 është treguesi i paradoksit. Vetë liderët e sotëm tregojnë me një lloj kënaqësie diabolike mesazhet që u kanë dërguar për punë, qoftë dhe personalitete! Kultura politike shqiptare, qysh në agun e ekzistencës së saj shtetërore, është e lidhur me karizmën dhe autoritetin e individëve të partisë sesa platformave institucionale të Shtetit.

Rasti i Ismail Qemalit, Esat Pashës, Nolit, Zogut, Enver Hoxhës, Nanos, Berishës dhe Ramës, veç të tjerëve janë treguesi më i madh me vendimet dhe veprimet e tyre. Votuesi shqiptar e hedh votën bazuar në besimin e pakthyeshëm në forcën dhe premtimet e një udhëheqësi specifik, sesa në një manifest ideologjik të Majtë ose të Djathtë. Rama “e garantoi” këtë, kur e bëri këtë dy herë me Betimin e Kuçit për fitoret zgjedhore. Berisha me ngadhënjimin e tij të pabesueshëm në vitin 2005 dhe drejtimin deri në vitin 1997 ishte vetë shteti. Sot, mbledhjet e PS-së, qoftë asambletë, kongreset apo forumet e partisë janë më sfilitëset për anëtarët që u merret goja si të jenë nxënës harrakatë fillore para Ramës. Ashtu si tek, PD-ja strukturat partiake dhe individët shpesh nuk përfillen para preferencave të Berishës. Këta njerëz pa ideologji, por me interesa të mëdha tashmë po e sfilitin vendin. “Është absurde që një njeri të sundojë të tjerët, i cili nuk mund të sundojë veten”, thotë një Proverb i njohur latin.

Po ndërsa e Majta po merr goditje sepse njerëzit nuk po i gëzohen dot mirëqenies dhe sigurisë që duhet të ushqejë ideologjia e Majtë; e Djathta që flet për familjen dhe krenarinë kombëtare dhe vlerat tradicionale tashmë po sfidohet dhe bëhet qesharake sepse vendi në procesin e integrimit se ka këtë mundësi. Mbi të gjitha është e çuditshme që vendi ynë nuk ka euroskeptikë dhe kjo e shpjegon qartë mungesën e ideologjisë. Ndaj, logjikisht, ajo që i mungon një fryme të re është ideologjia politike e Qendrës, një lloj limani ku qytetari të ketë një rrugë realiste dhe jo patetike drejt modernizimit; të ketë një stabilitet ekonomik të prekshëm; dhe të vazhdojë integrimin në BE me rritjen e drejtuar nga Tregu i Balancuar dhe strukturat e Sigurisë Sociale. Kësaj i shtohet Pragmatizmi dhe stabiliteti me forcimin e besimit institucional dhe një qeveri e drejtim normal.

Por, kujdes! Edhe Qendra është në fakt po aq vulnerabël ndaj korrupsionit dhe sidomos mungesës së një ideologjie të qartë. E vetmja gjë është se Qendra është më e justifikuar dhe krijon më pak tensione; punon intensivisht për investimet e huaja me një klimë biznesi normale dhe i adresohet pragmatizmit bash atë që dy partitë kryesore nuk e bëjnë dot prej trashëgimisë dhe sistemeve të tyre të patronazhimit. Në fund të fundit, ideologjia e Qendrës nuk bën luftëra boshe si dy partitë kryesore. Ajo mëton për bashkëkohësi, respekt të mjedisit dhe kompromise në vend të ndryshimeve ekstreme. Ky mund të ishte një moment normal dhe i drejtë për shoqërinë , në një vend që nuk e rregullon dot problemin e pronës dhe padrejtësinë e re dhe të vjetër të hajnisë së njerëzve me pushtet.

Asnjë forcë politike se ka bërë deri më tashmë sepse kjo frymë ideologjike është më shumë pragmatike por më shumë se çdo gjë impenjative për vendin, ngaqë do të thotë… normalitet. Bash atë që politika e sotme nuk e bën dot prej populizmit dhe shtirjes. Filozofia e Lao Tzu, tutje në kohë, shekuj para Krishtit e shprehte thellësisht Qendrën: “Në qendër të qenies suaj keni përgjigjen; ju e dini kush jeni dhe e dini çfarë doni”. Bash atë që kërkon sot shqiptari i sotëm. (Homo Albanicus)

  •  

Ndryshimi, kur të vij më e keqja!

Nga Ben Andoni

Për çdo ditë, gati në çfarëdo mediumi lajmesh dëgjon dhe shikon vetëm llojin e informacionit negativ. Autori i këtyre rreshtave nuk ka ndërmarrë dot ndonjë vështrim statistikor sasior, por në një analizë të thjeshtë cilësore, duke iu referuar mediumeve kryesore, cilido që arrin dhe e bën e ndjen ngado. U vodh, u shit, u vra, u shfaros Shqipëria! Hajdutë, mashtrues, të korruptuar, s’ka ilaçe, të ndyrë, në burg, na keni marrë gjithçka, etj. Turizëm koti, s’ka ujë, s’ka shërbim, s’ka asgjë…Veç mediumeve, llomotitjeve kombëtare në kafe, apo stinës më të gjatë të protestave, kjo lloj  narrative është e përditshme dhe pastaj mbyllet gjithnjë me togfjalëshin: “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

A ka vallë ndonjë gjë të mirë në Shqipëri?! A ka ndonjë lloj suksesi? Ndonjë gjë për të dëgjuar e parë? A ka ndonjë lajm të mirë nga sporti ose përgatitjet e olimpistëve tanë?  Pse vazhdojnë të vinë turistët? Nga ana tjetër: Pse vazhdojmë të gënjehemi, sorollatemi, dhe mashtrohemi nga autoritetet dhe asgjë nuk ndryshon? Pse nuk ka punë për shqiptarët e arsimuar? Pse është degraduar arsimi dhe shëndetësia? Pse nuk njihet meritokracia? Pse ky sistem i përkryer patronazhistësh nuk u flet eprorëve për hallet e shqiptarëve? Pse opozitarët kanë mbetur me gisht në gojë dhe ua kanë marrë kauzën Bulevardi? Pse diaspora megjithëse një pjesë syresh anatemojnë dhe përqeshin gjithçka mësynë sërish në këtë sezon në Shqipëri? Pse dhe sa shumë pse? Fishta do të buzëqeshte me atë shprehjen e tij të papërfunduar: “Shqipërinë e bëmë, tani duhet të bëjmë shqiptarët” që në fakt i atribuohet dhe Ismail Qemalit dhe mbase edhe të tjerëve që e njohin Homo Albanicus.

Po si duhet të drejtohet vallë Shqipëria? Vijojnë pastaj lloj-lloj shpjegimesh dhe interpretimesh, por që në fund, të gjitha mbeten kur logjika ta thjeshton narrativën. Pa hë? Dy partitë kryesore PS dhe PD na e kanë treguar, një soj dhe partitë e vogla që kanë qenë kryesisht patericat e tyre. Dhe, protesta në ditët e sotme mbaron aty: Si do të përfaqësohemi? Cilët jeni ju? Cilët jemi ne? Ne dhe JU. Ku do mbahet Kuvendi? Legjitimiteti?

Pse Rama duhet të priste reagimin e “Flamingove” që të vinte me këmbët në tokë? Pse nuk e përfill protestën? Nga ana tjetër, pse nuk përfaqësohet protesta dhe pse fshihen organizatorët e vërtetë? Pse ajo pjesë e diasporës dhe emigracionit që votoi për socialistët dhe më pak për demokratët tashmë e kuptoi në masë se këto nuk na përfaqësojnë? Si do votojnë në të ardhmen? Sa shumë pse dhe sa shumë nge.

Me sa duket se ende nuk e kemi kapur fundin për të nisur ndryshimin. Kjo duket se është fare e vërtetë për shqiptarët e dekadës së tretë të shekullit XXI. Edhe pse numri i familjeve shqiptare që mund të pushojnë lirisht një javë zvogëlohet për çdo vit; edhe pse shqiptarët duhet të luftojnë për të përditshmen dhe niveli i varfërisë të trand; edhe pse përballemi me një administratë cinike (kryeministri Rama e etiketoi vetë shumë më me “klas” administratën e tij, kur tha se: kanë “parkuar fytyrën në vend të prapanicës”); edhe pse çmimet rriten jashtëzakonisht shumë; edhe pse… e pse.  Këtë, të vetmen gjë, kupton pra shqiptari i sotëm dhe humbet fillin, kur sheh moderatorë patetikë që nuk dinë të bëjnë punën e tyre dhe as nuk mund të pipëtijnë për pronarët e tyre që nuk u japin pagat. Apo kolegë që u duhet të mbajnë sinorët politikë sepse u duhet mbijetesa dhe jo vetëm. Dhe, politikanë papagaj. O zot sa shumë ka prej tyre dhe sa shumë të paaftë syresh.

Dramaturgu zviceran Dyrrenmat e tha në formë më prozaike dhe duket se na e tregoi hapur këtë gjendje: Për një histori mendohet në të vërtetë vetëm në fundin e saj, në çastin kur merr kthesën më të keqe të mundshme! Në forma të ndryshme, kjo shprehje vjen qysh nga Stoikët, kur shprehnin gati të njëjtin koncept, sipas të cilit: Vetëm vuajtja eprore të zgjon. Ose po t’i atribuohemi Senekës, dashnorit të vuajtjes: “Vështirësitë e forcojnë mendjen”.

Me pak fjalë, Shqipëria jonë paska ende vend për vuajtje, marrëzi, për urrejtje (kjo e këtyre ditëve dhe javëve të fundit në publik, apo mes protestuesve, shtuar edhe në politikë është e paimagjinueshme), për spekulime, për patetikët e PS dhe PD që kanë ndryshuar kushedi sa herë lëkurën dhe tashmë kinse e bëjnë copë Rama-Berishën në adresat e protestuesve, në mënyrë që vendi ynë të ndryshojë në thelb.

Po cili vallë është fundi, ku shqiptari mund të ndryshojë? Mos vallë ai i çmendurisë së  vitit 1997, apo katrahura e fillim viteve ’90. Duket se do kemi ende kohë për ta kuptuar pas “Flamingove”, por një gjë kuptohet mirë se: Shqipëria ende nuk e ka kapur fundin e saj. Me sa duket, më shumë vend ka ende për antropologët, sesa sociologët, historianët dhe në fund politikanët që ta kuptojnë dhe të arrijnë ta ndryshojnë Shqipërinë e sotme. (Javanews)

 

  •  

‘Tepria’ e Vuçiq për Lepencin duhet ta trandë BE

Nga Ben Andoni

Serbia, pas Shqipërisë dhe shumë më pas Malit të Zi, po bën të gjitha përpjekjet për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Paçka se përqindja popullore që e kërkon, krahasuar me vendet e lartpërmendura, është shumë më e ulët. Përqindja e votuesve serbë pro integrimit shkon nga 36% (referuar hulumtimit të Qendrës për Politika Evropiane – CEP) dhe 45% (sipas sondazheve të bëra për Delegacionin e BE-së në Serbi).

Por Serbia në udhën evropianë, ndryshe nga dy vendet, vazhdimisht e sfidon BE-në, mes të tjerave për Kosovën, veç qëndrimeve ndaj Rusisë etj. E tillë është deklarata e fundit e presidentit Vuçiq, sipas të cilës po shqyrtohet ndryshimi i rrjedhës së lumit Ibër, një nga çudirat e fundit që ka dalë prej gojës së tij për konsumim populist.

Për ata që e njohin mirë, Vuçiq, kjo thjesht mund t’u ravijëzojë një buzëqeshje në buzë. Ishte ky njeriu që në Shtëpinë e Bardhë përbri delegacionit kosovar, i cili drejtohej nga kryeministri i asokohshëm Hoti, firmosi për Liqenin e Paqes së Trumpit. Apo të mos harrojmë, kur fliste për faktin se: “Nuk e japim Gazivodën”, deri te çmenduritë e tipit “do ta zbrazim Gazivodën”!! Paradoksi është se Ujmani është shumë i domosdoshëm edhe për serbët e Kosovës dhe çuditesh që ata vetë nuk po reagojnë. Veçse më shqetësues, në këtë rast, është fakti që Vuçiq nuk njeh detyrimet ndërkombëtare të vendit të tij dhe që në rrugën e integrimit janë kritere të qarta.

Qysh më 16 Prill të vitit 2013 Serbia u bë shteti i njëzet e gjashtë që iu bashkua Protokollit mbi Ujin dhe Shëndetin të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) – Zyrës Rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën (OBSH/Evropë) të Konventës së UNECE për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Rrjedhave Ujore Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare. Një protokoll, i cili hyri zyrtarisht në fuqi për Serbinë më 15 Korrik 2013.

Sot, llogariten gati më shumë se 3 miliardë njerëz që jo vetëm varen nga uji që kalon kufijtë kombëtarë, porse ndikimet klimatike prej thatësirës te përmbytjet po ndihem shumë edhe në rajonin tonë. Danubi dhe Sava në Beograd po e shfaqin dukshëm këtë problematikë, veç lumenjve të tjerë. Ndaj, bashkëpunimi në ujërat e përbashkëta nuk është se thjesht ofron një mjet jetësor për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, paqen dhe stabilitetin, por edhe detyrimin ndaj obligimeve ndërkombëtare.

Është e kuptueshme që kjo është një nga pjesët hibride që Vuçiq po përdor për zgjedhjet e ardhshme, por për shqiptarët, lajthitje të tilla rrëfejnë se deriku ka arritur narrativa zyrtare serbe dhe më shumë akoma beftirat që do hasim shpesh me zyrtarët e tyre.

Nuk është vetëm ky moment, por Kosova dhe Shqipëria duhet të anashkalojnë shumë anomali të dukshme mes tyre dhe të jenë gati për më shumë harmoni politikash, por edhe për reflektime të Sigurisë së përbashkët Kombëtare. Serbia po na jep sinjale nga të gjithë krahët që po vigjilojnë aty, për t’ua bërë jetën e vështirë shqiptarëve edhe pse në këtë rast janë në absurd. Por, marria e Vuçiq për Lepencin, duhet ta trandë vetë BE-në dhe strukturat e saj. (Javanews)

 

  •  

Sikur të na drejtonin thjesht, aq sa meritonim?!

Nga Ben Andoni

Teorikisht, një sistem politik modern mbështetet në tre kolona: shtet i fortë, rendi ligjor dhe llogaridhënia, të paktën në pohimin e Francis Fukujamës që e konfirmon qysh në fillimin e studimit të tij “Fillesat e Rendit Politik” (Ardhur në shqip nga AIIS). Falë tyre, vendet perëndimore, sot, kanë pse të krenohen sepse kombinimi me sukses i të trejave i bëri që të krijonin dhe të kultivonin një ekonomi kapitaliste të fuqishme me një model jetese, e cila ëndërrohet në masë ndër vendet në zhvillim dhe ato të varfra. Vendi ynë është njëri syresh. Shqipëria, e cila ka nisur rrugëtimin evropian, madje me objektiva afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, ka hapur tashmë të gjithë kapitujt e integrimit dhe ka arritur të mbylli dy syresh. Megjithatë Shqipërisë i mungojnë rezultate të dukshme në të tre komponentët, përveç një problemi tejet madhor që lidhet me pronën dhe që është i pazgjidhshëm!!!

Kemi një shtet të dobët, me probleme tejet të mëdha të funksionimit të institucioneve dhe administratës, madje të pranuara së fundmi edhe nga kryeministri; ligji është shumë selektiv dhe nga Kali i Betejës së dikurshme të autoriteteve, tashmë është kthyer në makthin e shqiptarëve për zgjatjet e frikshme, mosdhënien e të drejtës, profesionalizmin dhe dosjet e mbartura; kurse llogaridhënia lë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar. Kryeministri Rama dhe qeveria e tij janë gjithnjë e më larg problematikave të shqiptarit të thjeshtë dhe shpesh tregohen cinikë në parlament, kur duhet të shpjegojnë, të japin llogari dhe të jenë transparentë. Ndërsa ministrat dhe zyrtarët e tij shpërfaqen po kaq të ftohtë dhe cinikë, tashmë duke shkuar me këtë logjikë edhe në rendin e drejtorëve e zyrtarëve të tij. “Besa” e tij e tregoi indirekt këtë gjendje, por jo realitetin që është gati kanonik për brishtësinë dhe që e nxjerr shtetin e sotëm tejet larg kërkesave të qytetarit të thjeshtë.

Pyetja që lind natyrshëm me këtë rast është se: Çfarë lloj demokracie është një e tillë, ku balanca shtet- shoqëri anon krejt nga e para dhe ku Rama e forca e tij politike (PS identifikohet me të) janë dhe identifikohen me shtetin. Dhe, më tej: Si mund të mbajë Shqipëria stabilitetin politik, tashmë të trandur jo pak nga Flamingot, pa pasur as rend ligjor dhe as llogaridhënie?! Dhe, sërish, a mund të vazhdoj ky model i shpërfytyruar, i cili megjithatë po na integron, të jetë modeli ynë i suksesit pa standarte?!

Nëse legjitimiteti i demokracisë liberale që ka të adaptuar de jure Shqipëria matet nga rezultatet, atëherë çfarë lloj demokracie moderne jemi?! Për Fukujamën, dështimi i demokracive në shekullin XXI lidhet me dobësinë e shtetit, atë që për çdo ditë një pjesë bajagi e madhe e shqiptarëve, që vërtetë nuk dalin në protesta por e shprehin, është se shteti ynë është tejet i dobët dhe mbi të gjitha i pabarabartë me një korrupsion të frikshëm dhe në funksion të pak vetëve.

Edhe pse të ardhurat për frymë janë rritur në rreth 12,500 dollarë dhe PBB-ja është zgjeruar ndjeshëm, ende 19.7% e popullsisë shqiptare mbetet në varfëri, me mbi 42% në rrezik varfërie ose përjashtimi social sipas treguesve të të dhënave rajonale. Kjo e bën shqetësimin e Flamingove real, jo vetëm si reagim të sotëm por për Shqipërinë e të ardhmes që të paktën të drejtohemi, aq sa mundemi ose si e thoshte Xhorxh Bernard Shou me cinizmin e tij të drejtpërdrejtë: “Demokracia është një mjet që siguron që ne të qeverisemi jo më shumë sesa meritojmë”. Kaq i mjafton shqiptarit të shekullit XXI. (Javanews)

  •  

Mallkimi dhe nevoja e partive në Shqipëri

Nga Ben Andoni

Ka një kërkesë të pandryshuar në “Protestën e Flamingove” që brohoritet hapur dhe fort kundër establishmentit politik aktual, përkundër secilit protagonisti politik, kundër çdo gjëje që lidhet me politikën e pas viteve ’90 dhe madje deri edhe kundër personazheve që janë indiferente ndaj saj. Ashtu si ndodh rëndom në kohë të tilla, arsyeja mbytet nga emocioni dhe për fat të keq dhe gazetaria nuk e kalon dot këtë cak, ku dominojnë thirrjet “Ne” dhe “Ata”, për t’u kuptuar realisht situata ku ndodhemi dhe se çfarë mundësish ekzistojnë për të ndryshuar. E vërteta është se: kemi mundësi shumë të pakta. Pronat e marra padrejtësisht nuk do të kthehen më kurrë tek të Zotët (!); të persekutuarit e vërtetë nuk u kthehet më jeta e marrë; administrata e korruptuar që ka bërë batërdinë nuk t’i kthen më paratë dhe as shërbimin e duhur; makutët që bëjnë sot burgje nuk është se do i dorëzojnë ose do detyrohen t’i ‘dhurojnë’ zhvatjet; arsimi dhe shëndetësia nuk rregullohen dot ashtu si do të donim. Në rastin më të mirë, për këtë do duheshin dekada, po të niste sot ndryshimi. Korrupsioni nuk njihet më me këtë përcaktim, por thjesht normalitet (!). Ca më keq akoma, duket se edhe partitë politike në hapësirën shqiptare i vlerësojnë më së shumti anëtarët (lexo ata që katapultohen) bazuar në aftësinë për korrupsion sesa në bazë të shpërfaqjes së tyre dhe kritereve morale. Dhe, pasojë e kësaj është se pse ka kaq shumë të korruptuar dhe pse nuk performohet mirë sot, qoftë edhe nga Gjenerata Z që po kërkon ndryshimin në Bulevard!

Në vetvete dhe në thellësi, të gjithë shqiptarët e dinë që ndryshimi ideal nuk mund të ndodhë në një shoqëri si jona, qoftë dhe me “Flamingot” dhe ata që do mund të vijnë pas tyre.

Testi s’është tashmë sesa fiton PS dhe PD-ja apo partitë e vogla, por sa mund të heqin pak dorë ato parti nga një pjesë e së tyres që shoqëria të shohë e të gëzojë pak më shumë demokraci para vetes.

Si për ironi, partitë politike në Shqipëri gëzojnë shumë më pak respekt sesa nga koha e aplikimit të sistemit shumëpartiak. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në anketimet e tij të përvitshme Kombëtare “Besimi në Institucione”, nxjerr të dhëna të qarta, të cilat e konfirmojnë se partitë gjenden në fund të besueshmërisë nga qytetarët shqiptarë, duke marrë shpesh më pak se 20% besim. Mbi 70% e të anketuarve në studimet e IDM-së dhe ISP-së (Institutit të Studimeve Politike) shprehen se institucionet publike dhe reformat kyçe udhëhiqen nga interesat e ngushta partiake dhe jo nga dobia publike. Përfundimi: Gati rreth 77% e qytetarëve shprehen pesimistë për të ardhmen.

Shqiptarët e kanë të rrënjosur tashmë në vetëdije se partitë politike nuk munden ta ndryshojnë nivelin e korrupsionit, pasi vetë sistemi i administratës dhe prokurimeve publike shihet si i “kapur” nga partitë në pushtet. Në një studim empirik të saj, ISP-ja tregon se shqiptarët e anketuar e shohin jo vetëm se partitë nuk përfaqësojnë interesat e komunitetit të tyre, ashtu si PS dhe PD-ja bëjnë pakte politike dhe reforma, thjesht të shtyrë nën trysninë e ndërkombëtarëve, duke lënë jashtë kërkesat bazë të qytetarëve për lista krejt të hapura apo votim të lirë.

Në një perceptim të lirë dhe, sidomos në ato që na afron “Protesta e Flamingove” qytetarët i këqyrin partitë si organizata të mbyllura (Kjo u pa në zgjedhjet e brendshme të PD-së dhe tashmë në BESA-ën e Ramës), tejet larg nga njerëzit, t’mbarsura me konflikte bajate dhe të një niveli të ulët të anëtarëve (Parlamenti është prova). PS-ja dhe PD-ja jo vetëm nuk e njohin llogaridhënien, por janë cinike me respektin ndaj meritokracisë, aq sa shpesh shqiptarët çuditen pse ky sistem mund të quhet demokratik.

Protestat e qytetarëve kanë treguar se mund të artikulohen argumente politike pa këtë statusquo politike dhe tej flamujve të PD-së dhe PS-së dhe se bashkëpunimi i njerëzve e daravit propagandën e çfarë-do-lloji qoftë. Njerëzit në Bulevard po kërkojnë kthimin e dinjitetit dhe integritetin dhe jo atë që ushtron sot pesha e PS-së dhe PD-së në jetën e vendit. Kryeministri Rama reagoi dhe megjithëse e pranon cekazi, mësimi që ka marrë nga protesta është i madh, ashtu si qytetari shqiptar dhe shumë nga politikanët rreth tij.

E megjithatë partitë politike teorikisht janë zëri i popullit dhe mënyra sesi ushtrohet demokracia në një shoqëri. Dhe ato nuk ekzistojnë se kërkohen prej politikanëve, porse shoqëritë moderne nuk mund të funksionojnë pa grupime që jo thjesht shprehin idetë dhe qytetarët, por me programet e tyre mëtojnë ti materializojnë me politika publike, me përgjegjësi vendimmarrje dhe me organizimin e zgjedhjeve normale, ku bëhet testi i atyre që pretendohen të bëhen prej tyre. Dikush duhet të ketë tagrin për menaxhimin e institucioneve. Dhe, ky është roli i vërtetë i partive politike.

Edhe me një ngritje demokratike jo aq të përparuar dhe me mungesë literature sa sot, madje edhe pa eksperiencën dhe trajnimet e sotme, një pjesë e intelektualëve shqiptarë të viteve ’30 e bënë ndryshimin duke kërkuar që fillimisht t’i iluminonin shqiptarët. Nga idetë e tyre lindi “Neoshqiptarizmi” por edhe dëshira e një Shqipërie ndryshe, atë që përdhoset normalisht sot.

Shumë vite më vonë, partitë e sotme politike në të gjithë hapësirën shqiptare kanë pushuar së ekzistuari si njësi njerëzit që mendojnë për idetë dhe janë zgjatime të liderit. PS, PD, PR, Partia e të Drejtave të Njeriut dhe një grup partizash të tjera në Shqipëri nuk njohin demokraci të brendshme dhe zgjedhje normale; VV dhe AAK deri para pak kohësh në Kosovë; BDI në Maqedoninë e Veriut janë shembuj të gjallë, mes shumë të tjerave syresh. Fenomeni që i bashkon të gjitha është se diskutimet e brendshme të ideve dhe përpjekjet për reformim janë të zëvendësuar nga disiplina dhe ashpërsia e 1(Njëshit), argumentet nga besnikëria, kurse anëtarësimi nga miratimi pa asnjë frenë i vendimeve të marra nga një rreth i ngushtë njerëzish (lexo grupi pranë kryetarit).

Parimisht, një parti nuk duhet të ekzistojë për shkak të liderëve po atyre njerëzve që besojnë te idealet, anipse kjo është e harruar tashmë në Shqipëri, ashtu si ka humbur ideja e përfaqësimit politik. Gjithsesi, mallkimi është se: partitë duhen sepse vetëm me to kërkohet dhe bëhet ndryshimi, çka është i dëshiruari, pa e penguar integrimin e Shqipërisë në BE (me sa duket realitet në vitin 2030).

E çka mbetur sot? Partitë politike nuk shihen më si “instrument i dobisë publike”, por thjesht si makineri elektorale që shpërndajnë vendet e punës në administratë dhe kontratat publike (prokurimet) për klientelën e tyre. “Flamingot” duhet të ndërgjegjësohen për këto të vërteta, që në demokraci janë si drita e diellit, të paktën për vende si tonat, të cilat ndryshimin e duan por nuk e sfidojnë dot me arsye dhe vullnet. (Homo Albanicus)

 

 

 

  •  

A doni vërtetë ndryshim: E kemi para syve!

Nga Ben Andoni

Pjesa e protagonizmit në këto ditë të nxehta është ajo që e dallon më së shumti protestën, ku zëra dhe protagonistë të ndryshëm po përpiqen jo thjeshtë të identifikohen por edhe të tregojnë pikëpamjet për ndryshimin. Në disa ditë, ajo i ka frikësuar dhe tulatur pafund ligjvënësit, ku rrugën e tyre të rehatit dhe begatisë, siç mund të quhet udha drejt parlamentit e shumë syreshëve që nuk i njeh askush, u është bërë e vështirë. Por, paskëtaj, ashtu si ndodh rëndom pas protestës, deputetët janë larguar në udhët e tyre të qetësisë, kurse shumica e njerëzve që protestojnë se nuk kanë çfarë të humbasin janë larguar me besimin se i shtuan dhe një ditë aktivizëm kronologjisë së protestës. Në këto ditë, ashtu si pritet, protesta po rresht nga numrat; po shton protagonistët dhe patetikët sidomos ata të kudondodhurit e rrjeteve sociale, kontingjent vazhdimisht bjerraditës; po qetëson politikanët që qëndrojnë pas Ramës dhe Berishës dhe po lë pas një protestë nga e cila shqiptarët prisnin shumë. Ndërkohë që shumë nga shqiptarët e dinë mirë se kështu mund të vazhdohet pafund duke i kërkuar dorëheqjen Ramës, ndërsa përfitimet e protestës t’i marrë sërish qeveria Rama dhe ai vetë, madje edhe t’përfitojnë ata deputetë dhe zyrtarë që u fshehën pas tij dhe që një palë syresh shprehen në kafe (institucioni i bjerraditësve) se kështu nuk shtyhet (në fakt lexo: Kështu e duan). Kështu po zbret dhe u bjerr protesta e Serbisë, u harrua ajo e Maqedonisë së Veriut, nuk e kujton fare atë të Malit të Zi, për të mos u kujtuar më fare ato të Kosovës, tashmë mbathur me shqetësimet e saj.

Protesta e Flamingove që nuk u kthye dot në Lëvizje duhet të shikohet dhe matet me objektivat. Dhe, ato, përbëjnë pikërisht ato që mund të arrihen. E para, që afrohet më shumë me testin e parë real të kësaj proteste, janë zgjedhjet lokale. Nëse vërtetë njerëzit duan ndryshim, ata që mëtojnë se organizojnë, duhet t’i drejtohen këtij objektivi dhe të matin pritshmëritë por edhe inercinë e besimit për ndryshim.

Pak javë më parë, Veprimi Qytetar për Demokraci Funksionale dorëzoi kërkesën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mbledhjen e 20 mijë firmave mbështetëse, lidhur me një projektligj, i cili synon ndryshime dhe shtesa në Kodin Zgjedhor. Përmes dhjetë propozimeve kryesore u identifikua ndarja e vendit në katër rajone zgjedhore, lista 100% të hapura, mundësia e kandidimit përmes listave qytetare, depolitizimi i administratës zgjedhore, lehtësimi i votimit për personat me aftësi të kufizuara dhe forcimi i kontrollit mbi financimin politik. Paketa parashikon gjithashtu masa më të ashpra ndaj shkeljeve zgjedhore dhe digjitalizimin e procesit të mbledhjes së firmave mbështetëse. Mbështetja dhe presioni për këtë nismë në parlament ishte diçka e matshme, por ndërkohë dhe përgatitëse për ndryshimin për të cilin flitet në çdo mbrëmje. Dhe, ndryshimi është kanonik, do të vijë vetëm përmes zgjedhjeve. Kështu ndodhi në kapërcyell të kohës së socializmit drejt demokracisë dhe kështu ndodhi në fund të viteve ’90 me batërdinë që i bëmë shtetit tonë. Në fund, do shkohet në kutitë e votimit dhe me këtë strategji të protestës (nëse ka), PS dhe PD, të dy partitë do e çojnë sërish Reformën Zgjedhore në hullitë e interesave të tyre, kinse duke akuzuar njëra-tjetrën. Pra, mund të kërkosh të pamundurën (dorëheqjen e Ramës); qeverinë teknike; mund të marrësh përkrahje nga europarlamentarë që do harrojnë pse erdhën; mund të dëgjosh lloj-lloj teori shteti dhe patetikë, por situata do mbetet kjo që është: Me shqiptarë që do ikin sërish; me sistem drejtësie që po ua shton barrën e vështirësive shqiptarëve; me problemin e madh të pronave të pazgjidhur dhe që është e pamundur të zgjidhet, të paktën deri në fund të këtij shekulli, kur shumë nga ne nuk do jenë më në jetë; me sistem ekonomik që  i dërrmoi grupimet e varfra dhe i kërrusi grupet taksapaguese; me sisteme shkollore dhe shëndetësore të drobitura dhe aspak efikase…Ndryshimi është para syve, por duket se paradoksalisht njerëzit me flamurin e Protestës nuk e duan ose bëjnë sikur nuk e shohin: Ai lidhet me infrastrukturën zgjedhore dhe vetë zgjedhjet. Dhe, mbi të gjitha akoma, me vetë shqiptarin, vëllezërit e motrat tona që na batërdisin në kadastra dhe kudo në administratë dhe që tani në masë janë pjesë edhe e Gjeneratës Z. Kaq e thjeshtë është: Ndryshojmë atë që të mundemi dhe me këtë ndryshojmë dhe veten. Por, me sa duket nuk e duam edhe pse mësuam se mund të protestojmë bukur. Dhe, siç e thoshte qartë i mbijetuarit i Holokaustit, nobelisti Elie Wiesel: “Mund të ketë raste kur jemi të pafuqishëm për të parandaluar padrejtësinë, por nuk duhet të ketë kurrë një kohë kur nuk dështojmë të protestojmë”. Nuk ka pse të dështohet me Flamingot, po ta duam vërtetë ndryshimin, por me sa duket aty po shkohet… (Javanews)

  •  

Plaga, Flamingot dhe Aristoteli

Nga Ben Andoni

Informaliteti dhe sfida e ligjit është ajo që e mban prej shumë vitesh peng vendin tonë, por sidomos pas viteve ’90. Krejt ndryshe nga vendet e tjera simotra të sistemit komunist, ne devijuam në një udhë nga e cila sot po kundrojmë me hidhërim të gjitha dobësitë, por më shumë se kaq mënyrën sesi dimë ta bëjmë shtetin tonë. Mes tyre, plaga e informalitetit është më e dhimbshme dhe më malinjë e të gjithë periudhës së post socializmit. Ajo nuk zë asnjëherë kore dhe ne duhet thjesht ta lëpijmë, si ato kafshët  e plagosura për ta qetësuar, sepse nuk bëjmë dot më shumë për ta mbyllur. Ndaj në morinë e lajmeve që lidhen me pronësinë dhe keqpërdorimin e saj, lajmet që kalojnë pa asnjë vëmendje janë ato që lidhen me kadastrën dhe pronat sepse çdokush e di që aty është një xhungël, ku mund të humbasësh edhe me GPS-in më të sofistikuar. Sot, ajo që lidhet me pronat, konsiderohet jo thjesht e vetëm si një nga problemet më të mëdha ligjore, nga ku rrjedhin shumë syresh, por edhe më i turbullti për shkak të mënyrës së inkurajimit të lëvizjes së shumë njerëzve pa asnjë plan; si u bë zaptimi i tokave dhe marrja e ndërtesave përgjatë të gjithë shekullit të 20-të dhe pas tij. Në fakt, as qeveritë para dhe pas Monarkisë së Zogut, nuk e përballën dot lukuninë e mashtrimeve të burokratëve të asaj kohe dhe shpërdorimin e ligjeve të pronësisë dhe titujt e trashëguar me ose pa të drejtë qysh nga Perandoria Osmane. Komunistët pas Luftës së Dytë  Botërore e çuan edhe më tej katrahurën me konfiskimet e të gjithë tokave, shtëpive dhe madje edhe biznesit privat, shtetëzuar nga shteti (pak vite më vonë). Më të njëjtën ngutje, në kapërcyell të viteve ’90, Ligji i asaj kohe parashtroi se: “pronarët duhet të marrin pronën e tyre”, por ndërkohë që identifikoheshin pronat, “të shpejtët” (Lexo: marifetçinjtë) dhe “të fortët” (Lexo: zhvatësit) filluan batërdinë. Konfigurimi i atyre kohëve do ishte i çuditshëm: pak pronarë origjinalë (shumë vdiqën duke e kërkuar); të tjerë që përfituan nga shteti dhe ata që e morën në forma të ndryshme, duke i kërkuar llogari në dyert e gjykatave njëri-tjetrit. Nguti i të ardhurve kuturu mësyu tokën “e lirë”, ku u ndërtuan ngado shtëpi pa leje (një pamje areale të ndihmon ta kuptosh kur fluturon për të ardhur ose ikur nga Shqipëria) dhe lapërdhia e Komisioneve të Kthimit të Pronave me manovrat e këqija, shtuar me cinizmin e zyrtarëve vendorë që dhanë dokumente pronësie shpejt për të kapur mbështetje, e majisi deri në absurditet shqetësimin. Tashmë për të njëjtën pronë mëtonin pronarët e letrave të vërteta që ishin qysh para Luftës së Dytë dhe atyre “ligjorë”, pajisur tashmë me dokumentet shtetërore të autoriteteve “demokratike”. E jo vetëm se për shumë kohë, Shqipëria nuk arriti dot ta bëjë një regjistër të plotë dixhital të pronave, por edhe për faktin se në shumë vende nuk bëje dot matje apo nuk afroheshe prej zaptuesve të fortë, pati raste që trualli ose ndërtesat iu shit disa personave të ndryshëm. Mijëra të vdekurit që e kaluan prej kohësh listën fatkeqe të të vdekurve nga komunizmi janë dëshmitarë të pagojë kurse pasojat e kësaj batërdie mbushin tashmë raportet e BE-së dhe premtimet e reformimit nga Rama & Co.

Plagën e majisin çështjet gjyqësore për zgjidhjen e pronave që zgjasin rëndom deri në 10-15 vjet, ku shumë që prisnin verdiktet kanë vdekur, pa e parë mundësinë e rikthimit në pronës, e të tjerë mëtojnë të njëjtin fat me predispozitën që shikojnë në gjyqet tona, shkaktare të vuajtjeve. Ndërkohë që “të fortët” dhe sidomos ata që janë lidhur me të dy partitë kryesore (tandemin PS dhe PD)  jo vetëm kanë përftuar nga paligjshmëria, por në mënyra të shumta bllokojnë zgjidhjet. Kjo ka bërë që investimet e huaja të jenë shumë të kujdesshme (lexo: të kufizohen), ndërkohë që Kompanitë e huaja dhe shqiptarët jashtë vendit janë shumë skeptikë për ndërtimin sepse titulli pronësor nuk është i qartë. Dhe, të mendosh batërdinë në Zonat bregdetare dhe sidomos ato që kanë ndodhur me kadastrat në Sarandë, Vlorë, Durrës për tokën turistike, vërtetë tmerrohesh. Një pjesë e emigrantëve e kanë shprehur shpesh në foltoren e “Flamingove” se u duhet të luftojnë për tokën që zotëronin gjyshërit e tyre, ndërkohë që shqiptarit i thuhet se duhet të punojë shumë që t’i rregullojë titujt e pronësisë për Ligjin, Shtetin dhe Integrimin. I gjithë ky proces është shkaku i informalitetit të madh që ushqen indirekt dhe sjelljen informale. Pronarë që paguajnë me dy tabulatet, biznese që ushtrojnë punën por të kufizuar për shkak të titujve etj. Në një masë të madhe, ekonomia jonë mbetet ende shumë informale, pasi shumë punojnë pa kontrata dhe pa taksa, ndërkohë që ka shumë prona/ndërtime informale, ku shquhen shtëpi, biznese, mjedise të tëra të ndërtuara pa titull pronësie ose leje ligjore. Në vendin tonë, ekonomia informale vlerësohet të zërë rreth 30-32% e PBB( Prodhimit të Brendshëm Bruto), kurse në tregun e punës, rreth 33% e punonjësve janë të prekur nga informaliteti (kryesisht me nëndeklarim page) dhe 1 në 5 të punësuar rezulton të punojë pa pagesë, referuar “Monitor”.

Paradoksi ishte se Shqipëria e pas viteve ’90 kishte zyra me pluhur që të plotësonte strukturat që donte BE-ja, por jo GPS dhe gjeodetët e dikurshëm. Korrupsioni bëhej fare lehtësisht, pasi në kadastra rehatoheshin militantët e pashpirt të partive. Para pak më shumë se 2015 me fondet e BE-së, Bankës Botërore dhe IPA-s, Shqipëria filloi dixhitalizimin dhe hartëzimin ajror, edhe pse qeveritë e ngadalësuan ose përshpejtuan dëmshpërblimin për t’u dhënë një dorë votuesve të tyre. Kurse mali i stoqeve në Gjykatat ka arritur në mbi 150.000 çështje pronësore nga të cilat sot arsyetohet se edhe nëse kadastra “ta jep pronësinë “, gjykata ta kthen dhe thotë: “Prit x vjet”.

Kjo është një nga shqetësimet më të mëdha por që humbet në atë që ka sjellë ky kaos, ku individi shqiptar është edhe keqbërës, edhe përfitues, por edhe i dëmtuar ashtu si edhe i vrarë. Ne thjesht e kopjuam Perëndimin me ligje, por sot, luftojmë me kaosin, besimin e munguar, korrupsionin dhe mungesën e profesionalizmit, ndërkohë që në Perëndim perceptimi është se institucionet nuk janë thjesht koncept për ato duhet t’i vlejnë shtetit. Në një përshkrim të gjatë në librin e tij “Misteri i Kapitalit”, De Soto tregon se ndryshe nga vendet e Botës së Tretë dhe ato ish-komuniste, në Perëndim të drejtat e pronës evoluuan gjatë 200-300 viteve, kurse ne i bëmë me ngut brenda pak viteve për t’u bashkuar me BE/NATO. Në mënyrë metaforike ne kemi një ngrehinë bosh, siç e duan në Bruksel, por jo kulturën e punës dhe profesionistë brenda saj, sipas tij. Dhe, ku problemet zgjidhen me ryshfet dhe miq, por jo rregulla. Këtu dalin shpesh lidhjet e kriminelëve me politikën dhe pastaj kontrolli i medias, partitë dhe gjykatat. Me çfarë kuptohet, Brukselit i interesojnë institucionet si formë dhe shumë më pak përmbajtje, pra të mira për raporte. Ndaj, sot, ne kemi institucione, por një popullsi që nuk u beson atyre dhe sidomos një elitë që mësoi t’i përdorte ato, sepse besimi nuk mund të ligjërohet brenda natës as brenda disa vitesh. Kjo është dhimbja e njerëzve që artikulojnë nga Foltoret te “Flamingot”, por që nuk kurohet dot sepse do duhen breza që shqiptari të kalojë atë stad që se ka kaluar askush para nesh. Rama se kaloi dot këtë mal, paçka integrimit të BE-së në letër; e Berisha e humbi si moment, pasi e kodifikoi katrahurën. Askush nuk e kuron dot informalitetin dhe mungesën e ligjit në vend. Ndaj, tingëllon e hidhur por i duhuri ky përcaktim i Aristotelit: “Në formën e tij më të mirë, njeriu është më fisnikja nga të gjitha kafshët; i ndarë nga ligji dhe drejtësia, ai është më i keqi”. (Homo Albanicus)

 

 

  •  

Pronat, “Flamingot” dhe ekzotizmi i batërdisë

Nga Ben Andoni

Pronat janë mali që nuk kalon dot asnjë nga strategët e sotëm që e lidh veten me protagonizmin të Flamingot, por edhe antagonistët e tyre në qeverinë shqiptare. E megjithatë, ka ditë që në Shqipërinë reale dhe atë virtuale është shfaqur një grup i madh që artikulon bukur dhe idealisht për Shqipërinë e të ardhmes, porse askush nuk mundet dot të përballë problemin më të madh të Shqipërisë, jo vetëm të pas viteve ’90, por edhe atë të pas Luftës së Dytë dhe madje edhe atë të periudhës së pas-pavarësisë. Prona, jo thjesht të adresohet si problem për viktimat që ka marrë dhe do të marrë, por më shumë se kaq për batërdinë që është bërë në çdo kohë të ekzistencës së shtetit shqiptar. Dhe, nuk është se nuk janë prodhuar ligje nga burokracitë shqiptare, porse mungesa e përkushtimit (nëse ky eufemizëm mund të quhet kështu dhe jo me emrin e vërtetë zhvatje dhe mashtrim) për t’i anashkaluar ka qenë shumë i madh nga vetë ne shqiptarët. Dhe, për këtë veç interesave të grupeve dhe zonave të interesit të bashkatdhetarëve tanë kanë shërbyer dhe një arradhë e tërë burokratësh të turpshëm. Në rastin e protestës të Flamingove, situata e Zvërnecit tregoi dhe shpërfaqi të gjithë problematikën e pronësisë në një zonë të Jugut, por po të marrësh të gjithë hapësirën e vendit, kjo është gati e pamundur të parashtrohet nga një protestë. Shtuar me batërdinë e kadastrave në vend që është e paimagjinueshme pas ‘90, ky problem madhor në morinë e krijimit të aparateve të demokratike që po ngrenë një sërë strukturash të Flamingove nuk e adreson dot. Ose më saktë nuk di ta adresojë. Dhe, s’është për t’u bërë me faj. Arsyeja është e thjeshtë: Kombet joperëndimore nuk e krijojnë dot një sistem të integruar të pronësisë dhe sidomos ato që vinë nga komunizmi, shkruan studiuesi De Soto në një studim për kapitalin përkthyer dhe në shqip. Dhe, më shumë akoma, ato vende si Shqipëria që bëri një Reformë pas Luftës së Dytë duke e zhveshur fare pronësinë.

Edhe pse në ditët e para të “Flamingove”, individë u munduan ta ngrenë si shqetësim se pas katrahurës mjedisore fshihet pikërisht grabitja e pronave publike dhe private në bregdet për t’ia dhënë oligarkëve apo investitorëve të huaj, ajo zuri pak vend. Shqiptarët në nënvetëdijë e dinë se asgjë nuk e rregullon pronën në Shqipëri.

Por, “Flamingot” nisur si protestë ekologjike nuk e përballin dot atë që Rama dhe kolegët e tij të opozitës u dorëzuan para problemit të pronave. Si për inerci po themi se janë me mijëra të vrarë për to dhe për fat të keq, me predispozitë prej Drejtësisë së dobët dhe të vonuar e të mohuar, të tjerë mund t’i shtohen. E, po t’i shtosh dhe falsifikatorët dhe batërdinë atëherë do kuptosh se prona, problemi themelor i vendit s’ka dot zgjidhje. Me të drejtë, kryeministri Rama do e pranonte, pak javë më parë, si një nga problemet më të vështira që është përballur, duke treguar strukturat false që janë ngritur me titujt e përvetësuar të pronave: “Ajo që ndodhi me arkivin në vitin 1990 ishte katastrofë e vërtetë. Trashëguam një shtresë tjetër pronësie që ishte shtresa e titujve të falsifikuar. Të zbërthesh këtë është sfidë e vërtetë që ka të bëjë me kompromise shumë të vështira dhe të dhimbshme”, tha Rama, kohë më parë në konferencën rajonale në Tiranë për transformimin digjital dhe sigurinë juridike të pronës.

Me pak fjalë, pronësia, atje ku nis formaliteti dhe ngrihet kapitali që i jep frymë zhvillimi kapitalist një vendi, e ka kapur Shqipërinë jo më në vend numëro, por e penguar dhe mbi të gjitha e luftuar. Më saktë e kanë zënë për fyti. Kjo është sfida që Rama nuk e kalon dot prej 13 vitesh në pushtet, kurse “Flamingot” e shikojnë si ekzotizëm të batërdisë që as nuk i afrohen por as e adresojnë sot. Dhe, atë luftë virtuale që bënë me bizneset u plasi shëmtuar në duar. Por, në një plan më të gjerë, ngërçi i Ligjit të Zonave të Mbrojtura e tregoi më së miri këtë. (Javanews)

  •  

“Flamingot” vs antropologjisë, jo politikës

Nga Ben Andoni

Protesta e “Flamingove” në Tiranë arriti të kalojë me sukses në ditët e fundit pragun e 40 ditëve, ndërkohë që energjia më e madhe po shkon për ta shuar atë dhe mbi të gjitha për ta degjilimituar. Simbolika me Flamingot dhe përcjellja e gjatë e ndjeshmërisë qytetare, nga njëra anë; ashtu si edhe akti i tërheqjes zvarrë të protestuesit në Zvërnec do mbahen mënd gjatë për gjuhën e ashpër të fuqisë dhe mungesën e madhe të empatisë prej statusquo-së Rama. Të mendosh përballë protestuesve është pushteti i një partie të Majtë, e cila duhej të ishte mburojë për të Pambrojturit, Pronat dhe Transparencën. Duket se tashmë fillimi është harruar, njësoj si shkaku i nisjes së protestës së Novi Sadit (vdekja e qytetarëve nga një aksident) dhe, dhjetë vite më parë dhe ai i Maqedonisë së Veriut. Teksa, vëmendja e madhe mbetet tek vazhdimi i protestës, ku zbehja e autoritetit dhe legjitimitetit të disa individëve, po kthehet në një pengesë jo të vogël. Duket se me këtë zbehje të protestës shqiptare më shumë punë do kenë antropologët sesa studiuesit e politikës dhe vetë pushtetarët. Është e vërtetë se protestat në Ballkan shpesh e kanë tërhequr interesin e antropologëve dhe etnografëve, madje shumë më tepër sesa ata të shkencëtarëve të politikës. Qysh në kohën e Edith Durhamit, ndër troje tona. Si parim, antropologët gjejnë dhe vëzhgojnë sisteme kulturore mbijetese dhe shpërfaqje individualitetesh, kurse politologët merren me udhët e tranzicionit demokratik dhe stadeve të ndryshme të tij. Përmes këtyre ndryshimeve, politologët kërkojnë shenja moderne demokracie dhe novacione për format e drejtimit, mundësinë e zgjedhjeve të lira dhe aspekte demokratike. Paçka se, autokratët janë e mbeten sërish aty, ashtu si qeverisja hibride dhe autokratike mbetet po aty. I gjithë Ballkani e ka këtë peizazh në qendrat e veta: Podgoricë, Beograd, Tiranë, Prishtinë, Shkup. Ndaj, po merr fuqi puna e antropologëve që kupton sesi masa e përshtat boshllëkun jo të vogël mes protestës dhe idesë së ndryshimit. Në rastin e Tiranës, dashuria për revolucionin që përsëritet shpesh është e tejkaluar dhe e rrezikshme. Po të kujtosh sloganet e ngjashme me ato të pas Luftës së Dytë, kohë kur do ndërtonim Shqipërinë e Re (!), nuk duhet të harrohet se bash ato na çuan në zgrip të ekzistencës, ndërsa shumë intelektualë i eliminuan, thjesht se besonin një vend normal. Protesta e “Flamingove” nuk mundi (të paktën deri tani) të bëhej dot Lëvizje, jo thjesht prej protagonistëve të shumtë por dhe një të vërtete të madhe që është parë në të gjithë Ballkanin: Duhet një lloj centralizimi, logjistikë, financim dhe mbi të gjitha një strukturë komunikimi që të jetë e harmonizuar dhe jo kaotike si deri më tani. Shembulli vjen nga fryma e protestave të gjata, t’mbajtura në Rumani, Bullgari, Maqedoni e Veriut dhe Serbi, ku potenciali i tyre që u përshkallëzua deri në forma radikale nuk ia doli\del para një makine shtetërore agresive. Ironia është se: Perëndimi politik nga larg i  këqyri të gjitha këto, mu ashtu si po bën me “Flamingot” si forma shpërthyese ekzotike, kundër padrejtësisë dhe korrupsionit por jo që t’i marrë parasysh.

“Flamingot” i treguan Ramës dhe shpurës së tij se shumë gjëra nuk shkojnë duke nisur nga vetë ai, qoftë në mënyrën sesi një lider i majtë sillet me pasuritë e vendit, si e trajton dhe interpreton mjedisin, por dhe detyrimet e vendit që duhen në bazë të integrimit. Paradoksalisht, në vend të një reagimi dhe Mea Culpa (të paktën), në ditët e fundit, kemi një kënaqësi jo vetëm ndaj shthurjes disi të protestës, por edhe kënaqësisë së konstatimit se ndryshimi është ende herët të ndodhë. Kjo është një çështje që antropologët mund ta trajtojnë për vendet e dala nga komunizmi, si yni: si një konfuzion mental dhe paqartësi ideore. Zyrtarët e sotëm shqiptarë i kanë shtuar protestës edhe ndikimin e madh të huaj, Do të mjaftonte një prononcim i njërit prej nismëtarëve më të angazhuar Arben Kola, ku ai citohet duke thënë për mediat: “Ka grupe greke dhe serbe në protestë, do t’i nxjerrim me emra” që kryeministri të merrte revansh. Pak orë para kësaj, Ministri i Brendshëm kumtoi largimin dhe shpalljen non-grata për një personazh që është përfolur për lidhje me Iranin. Lista është e gjatë, por ajo që të shqetëson është tashmë hibridizimi i goditjeve dhe mënyra sesi shikohet tashmë goditja ndaj bizneseve dhe apeleve që po bëhen për koncertin e Kanye Ëest (e tepruar ardhja e tij në vendin tonë, por kjo është temë tjetër).

Kineasti i madh amerikan Oliver Stone e tregoi të gjithë strukturën e Euromaidanit në Ukrainë në vitin 2014, ku grupime të ndryshme duke nisur nga profashistë dhe lloj-lloj grupimesh kërkonin protagonizmin. Përmes filmave: “Ukraina on fire” (Ukraina në zjarr, 2016) dhe “Revealing of Ukraina” (Zbulimi i Ukrainës,2019), realizuar nga Igor Lopatonok dhe me intervistat e Oliver Stone me figura si Vladimir Putin dhe Viktor Janukoviç, zbuluan shumë gjëra për antropologjinë e protestave të sotme. Paçka vrasjeve që ndodhën, ku viktima ishin edhe protestues ashtu edhe oficerë policie, ai arriti të këmbëngulë se agjitatorë të palëve të treta të jashtme të sjellë nga fraksione pro-perëndimore qëlluan mbi turmat për të maksimizuar kaosin dhe për të detyruar Janukoviç të largohej.

Tashmë kjo është arkivuar në histori, ashtu si një vit më vonë protesta në Maqedoni e Veriut dhe ajo në Bullgari dhe kjo që po ndodh me intervale në Serbi. Ajo që protestuesit në Shqipëri duhet të kuptojnë është se po merremi me pasojat, ndërsa shkaqet janë shumë më të thella, ku ndër të parat mbesin padrejtësia, prapambetja dhe informaliteti dhe mbi të gjitha hapësira ku fuqitë po luajnë për interesa të tyre. Kjo sot të bën ta kuptosh realitetin në protestë dhe peshën mbi të, ku dashuria për ndryshimin dhe demaskimin e padrejtësive nuk po e bën dot ndryshimin politik dhe mbi të gjitha as nuk e lëviz dot. Duket sikur regjimet politike  si në Tiranë, në Shkup dhe sidomos në Beograd i mirëpresin protestat sepse i kthejnë në interes dhe përfundimet mbesin krejt të njëjtat, ku asgjë nuk ndryshon. Në Tiranë thjesht i tulati autoritetet, ndërkohë që Rama mundi të maste edhe se cilët nga të tijët mund ta përballonin peshën.

Këtu hyn antropologjia, ku pushteti i sotëm po punon me taktikën e zvarritjes, ose të ashtuquajturin paradoksi i “Ndryshimit Pa Ndryshim” çka të bën të kuptosh se vërtetë protestuesve u lejohet ta shprehin frustrimin dhe zemërimin e akumuluar kundër korrupsionit, por pa rrëzuar në të vërtetë rrjetet e patronazhit të rrënjosura thellë të shtetit. Kësaj i shtohet “Politika e nostalgjisë”, ku antropologët kanë fushë të madhe nga kjo protestë të gjejnë motivin e dështimit të premtimeve demokratike dhe sensin e një ndjenjë të përhapur të së ardhmes së vjedhur. Shumë nga sloganet e paraqesin hapur këtë. Duket se ka një nostalgji të vazhdueshme të fshehur për sigurinë shoqërore të ish- shtetit socialist. Por, mbi të gjitha “Flamingot” do t’i ndihmojnë antropologët për deshifrimin e metaforave të memeve të jashtëzakonshme, si edhe shumësinë e ankesave që po i zënë vendin njëra-tjetrës në protestë dhe që kanë prekur identitetin e shqiptarit të sotëm. Pikërisht në këtë lëmë, për kujtesën, ka një minierë studimi për Revolucionin jo me ngjyrat e forta por ato rozë të Flamingove. Atë që njerëzit e politikës e shikojnë shumë ftohtë dhe me cinizëm me shpresën se: Ashtu si nisi do të mbarojë. Dhe, kanë pse të kënaqen, arritën të kalojnë dhe këtë dallgë, që desh i përmbysi…Anipse për antropologët “Flamingot” do të thonë shumë për shqiptarin e ri, ai që do të përballojë trandjet e një bote, e cila nuk di më të qetësohet. (Homo Albanicus)

 

  •  

Kinse UÇK-ja te “Flamingot” dhe batërdia e simbolit në Kosovë

Nga Ben Andoni

Se për çfarë valëviten simbolet e UÇK-së në protestën e “Flamingove” të Tiranës, kjo është shumë e vështirë për t’ua shpjeguar sidomos të huajve, por zakonisht jo qytetarëve të Shqipërisë që dinë të arsyetojnë. Një pjesë e njerëzve që i mbajnë duan të tregojnë zëshëm dhe me imazh të dukshëm  identitetin e fortë të lidhur me Luftën Çlirimtare të popullit të Kosovës, por edhe një forcë dhe protagonizëm nacionalist. E drejta e tyre.

E bukur, por e pasens. Simbolet e kanë vendin atje ku duhet dhe mbi të gjitha në Kosovë në kujtim të atyre që dhanë jetën dhe në nderim të atyre bajagi luftëtarëve të shumtë të UÇK-së që mezi përballojnë sot të përditshmen. Në Shqipëri, UÇK-ja u ndih dhe madje nga spektri i Majtë politik, ndërkohë që për shumë kohë një pjesë e të Djathtëve i akuzonin djemtë që po guxonin të sfidonin historinë me ish-Jugosllavinë, kurse e gjithë Shqipëria i shërbeu me të gjithë forcën e shpirtit dhe mundësitë e saj materiale.

Te “Flamengot” sfida është me Ramën dhe Berishën, qeverinë e maxhorancës, jo me UÇK-në. Gjithsesi parada e makinave të bukura vazhdon nga kufiri dhe shumë e ngjeshin në trup këtë simbolikë të tregojnë se janë me “të fortët” e historisë. Kushedi historinë e di se cilët ishin trimat e vërtetë dhe përfituesit. Për fat të keq, një pjesë e tyre ishin edhe tek vetë Çlirimtarët ashtu si edhe shumë mashtruesve që rendin të marrin dëshminë e veteranit, por kjo është temë tjetër.

Orët e fundit simbolikat e UÇK-së po dëmtohen rëndom në Kosovë.  Policia e Kosovës ka njoftuar të mërkurën se ka nisur hetimet për një rast të dëmtimit të pronës në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan të Podujevës. Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, e ka konsideruar këtë sulm ndaj historisë së Kosovës dhe kujtesës kolektive.

“Këto memoriale nuk janë gurë e beton, por dëshmi e sakrificës së atyre që dhanë jetën që ne sot të jetojmë të lirë. Kush ngre dorë mbi to, le ta dijë që po ngre dorë mbi dinjitetin e shtetit tonë. Raste të tilla të shpeshtuara së fundmi, si rasti i sotëm i Kompleksit Memorial ‘Zahir Pajaziti’, janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me seriozitetin më të madh nga Institucionet e Drejtësisë”, ka thënë mes tjerash Hoti në Facebook. Në fakt, i biri i martirit dhe filozofit Ukshin Hoti është pjesë e kësaj shpure politike.

Dhe, s’është kaq e thjeshtë. Pak kohë më parë ishte radha e Nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, i cili reagoi ashpër pas dëmtimit të madh të shkronjave të UÇK-së në disa lokacione të Kosovës. Madje, ai ka shkuar më tej  duke akuzuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti për krijimin e një klime që, sipas tij, ka nxitur sulmet ndaj simboleve të Luftës Çlirimtare.

Shumë kohë më parë, një nga njerëzit e Luftës që sot është pas hekurave të Hagës, Kadri Veseli, do shprehej ashpër për këtë realitet, duke i apeluar parlamentit të Kosovës se do t’ia shihnin sherrin kryeministrit aktual.  Por Syla, shkon edhe më tej dhe flet pa doreza “është korrje e atij indoktrinimi anti-UÇK që Kurti po e bën me dekada”, duke e akuzuar kryeministrin për krijimin e një ambienti që, sipas tij, zbeh respektin ndaj vlerave të luftës çlirimtare. Madje, duke theksuar edhe se: “Kjo është Kosova e Kurtit: kolaboracionistët strehohen, terroristët tolerohen, e shqiptarët tradhtohen”.

Por protestuesit me makinat e bukura të diasporës (Nuk e di pse quhet Kosova dhe Maqedonia e Veriut diasporë!!!) nuk kanë kohë për këtë problem, këtë ndjeshmëri dhe vandalizëm që po bëhet i zakonshëm në Kosovë. Në vend të kësaj, u duhet protagonizmi i Tiranës, sikur të mos mjaftojë që publiku ka vetëm një qëllim dhe ai është që shqiptarët të mos nëpërkëmben jo vetëm nga qeveritë e tyre…por edhe nga kinset që mbyllin sytë për batërdinë e simbolikës së UÇK-së në Kosovë për t’u treguar protagonizmin fals “Flamengove” që e kanë trandur si pak herë shoqërinë shqiptare. (Javanews)

 

  •  

Është vonë…

Nga Ben Andoni

Është vonë për shumë nga njerëzit që kërkojnë sot logjikë racionale nga qeveria e Ramës. Shumë syresh e kanë duartrokitur dhe u dukej trendi me bëmat e tij jashtë protokollit. Shumë më tepër kur shpallte me saktësi matematike dhe vendet në parlament që do merrte.

Është vonë për shumë nga kërkesat e protestuesve, sepse një pjesë e madhe sot janë transformuar në interes të atyre që nuk i lëshojnë më, sikur të kthehet përmbys. Dhe, mos harroni një pjesë e gazetarëve i kanë raportuar gjithnjë dhe kanë marrë indiferencën si përgjigje.

Është vonë për makabritetet tip arkivolesh, sepse disa herë e kemi çuar vendin tonë në zgrip.

Është vonë për një pjesë që kanë shkuar sa nga një prehër tek tjetri të marrin hov nga protesta e shqiptarëve që të përfitojnë shëmtuar sepse dinë të bërtasin.

Është vonë për dhunën e protestuesve sepse nuk kemi kaluar ende logjikën se cili është modeli më i mirë i zhvillimit të vendit.

Është vonë për shumë nga shqiptarët që të rikthehen në vendin e tyre, modeli ekonomik i Shqipërisë dhe për dekada të tjera nuk do t’i ndihë.

Është vonë për bujqit që lanë tokat në emër të zhvillimit dhe ia mësynë qytetit, pa menduar pasojat.

Është vonë për qeverinë t’u premtojnë fermerëve, kur Shqipërisë iu prishën në harkun e pak kohëve e gjithë infrastrukturave e plehrave, farave dhe e mendimit shkencor.

Është vonë për nacionalistët dhe “Shqipërinë e tyre etnike” t’ia kërkojnë një vendi që nuk ka sulmuar dot asnjëherë, sepse të gjithë jetën e kanë ngushtuar në hapësirën më pak prodhimtare të vendit.

Është vonë për UÇK-istët e Shqipërisë dhe të Kosovës, sepse ata të vërtetët i keni në Kosovë, tashmë më të varfër por me dinjitet dhe shumë syresh të harruar në skamjen e tyre, por që nuk bërtasin për një luftë që e bënë me zemër dhe jo me llogari.

Është vonë për opozitën që të kërkojë ndryshim, ata e kanë mbajtur statusquo-në me Ramën dhe në jo pak raste media ua ka dëshmuar bashkëpunimin.

Është vonë për të adresuar problemet e Shqipërisë nga qeveria, kur ke një masë patronazhistësh dhe nuk e di se një grup i madh shqiptarësh të aftë janë krejt të papunë dhe të nëpërkëmbur, kanë vështirësi jetese dhe ndrydhin energjitë që përmbajnë. Nëse do ishin vërtetë njerëz patronazhistët do tregonin fillimisht sesi mund të bëhet vendi më i mirë nga ata njerëz që nuk i sheh më askush.

Është vonë që të rregullosh një administratë, e cila ka normë të torturojë qytetarin e thjeshtë. Kadastra është shembulli më tragjik që nuk mund të rregullohet me asnjë reformë.

Është vonë për të rregulluar sistemin e arsimit dhe rritjen e nivelit të kurrikulave, kur pjesa më e madhe e profesorëve dhe studentëve vegjeton në nivele të ulëta dhe i duhet dhe e mbajnë këtë sistem që të përligjë, pagën e një pjese dhe kartonin e diplomës pjesës tjetër.

Është vonë për sistemin e mjekësisë që të futet në binarë, kur shembulli i shumë makutëve që kanë përfituar në mënyrë të padrejtë dhe janë ende në sistem nuk përbën shenjë që të largohesh nga kjo sjellje dhe të respektosh shenjtërinë e Hipokratit por është model dhe shtytje sesi t’i kalosh.

Është vonë për Shqipërinë tonë që të formalizohet ndërtimi i frikshëm përreth kryeqytetit dhe që Rama nuk ia shpjegonte dot kancelarit gjerman në pritjen protokollare të samitit të Tiranës. Të shohim sesa do të shkojë disiplinimi i SPAK-ut dhe arsyeja e GJKKO-së, kundër tyre.

Është vonë për disa nga mediat dhe disa protagonistë të tyre që të bëjnë sikur e duan ndryshimin dhe të bëjë protagonistin në protesta, kur s’kanë fuqi të ngrihen për rrogat e veta dhe sigurimet shoqërore të papaguara.

Është vonë për policinë që shpesh nuk i përgjigjet aksioneve ndaj djemve pafund “të këqinj” dhe i mbijeton urdhrave të ndryshëm kundërshtues dhe kushteve.

Është vonë ta rregullojmë gjënë më të çmuar në kapitalizëm, sepse ne e kemi shpërdoruar pronën, por jo vetëm ne edhe baballarët tanë, gjyshërit dhe stër gjyshërit në të gjithë ekzistencën e shtetit shqiptar.

Është vonë t’i shpëtojmë informalitetit të gjithë jetës sonë, paçka se një semafor gati për në Evropë po na integron me sa duket politikisht.

Është vonë që të përcjellësh problematika të shqiptarëve në parlament, sepse aty vegjetojnë njerëz qesharakë që bëjnë vetëm reels me mesazhet se publiku i do kryeministra, kurse të tjerë nuk dinë të lexojnë dot as numrat.

Është vonë për të gjetur armiq të huaj, sepse armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve janë vetë shqiptarët, që e kanë këtë urrejtje për këdo që flet ndryshe për të mirën publike qysh nga 1912 dhe madje shumë më parë.

Është vonë…O zot, sa vonë! (Javanews)

 

 

  •  

Utopia e pajtimit

Nga Ben Andoni

Për hir të së vërtetës ky togfjalësh lidhet me një koncept për artin. Filozofi Habermas e zhvilloi më tej nga mësuesi i tij Theodor W. Adorno që mendonte se: ”Tani është e dukshme se gjithçka që ka të bëjë me artin nuk është më e qartë: as arti në vetvete, as arti në lidhje me çfarëdo gjëje tjetër dhe as me të drejtën e artit vetë për të ekzistuar”. Utopia e pajtimit ishte shndërruar në një pasqyrim kritik të një gjendje të papajtuar të botës shoqërore, sqaron Habermas. Vite më vonë arti do ta estetizonte politikën. Mes shumë syreshëve, kryeministri aktual shqiptar do sfidonte me modelin e vendit të tij duke e shmangur fare transparencën, në kuadër të një zhvillimi modern.

Shekulli i shkuar do jepte shembuj të shumtë sesi arti do të ndikonte shumë edhe në politikë. Jo vetëm nga individët por edhe impaktin e artit. Pak vite më parë, ky togfjalësh do të merrej nga përshkruesit e politikës në Ballkan dhe do shpjegonte pse do të mbetemi gjatë në utopi sa i përket pajtimit dhe jo vetëm. E vërteta është se kinse idealizmi i harmonisë, i liderëve popullorë dhe të vëmendshëm ndaj halleve të qytetarëve (!),  të vërtetave të përbashkëta historike dhe paqes së qëndrueshme, sidomos pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë në vitet 1990, do kërkonte shumë energji përshkrimi. Studiuesit e viteve post ‘90 panë se kjo ishte një “utopi”, pasi kornizat formale institucionale dështuan kryesisht të përkthehen në shërim të thellë shoqëror. Qytetarët nuk morën përgjigje për vuajtjet e tyre, kurse të zgjedhurit e tyre i përdorën institucionet si zgjatime të politikave, aspak mirëdashëse për njerëzit. Por kjo utopi shkon edhe më shumë tashmë në marrëdhëniet shoqërore që kanë ngritur shumë vende dhe ky masat e ndjejnë veten shumë të larguar nga përfaqësuesit e tyre dhe shpesh të përdorur.

Duhet të ndodhte i ashtuquajturi “Revolucioni Flamingo” në Shqipëri që shoqëria shqiptare të trandej dhe të kuptonte dasitë e mëdha që kemi sot, por edhe mungesën e madhe të përfaqësimit për një pjesë të madhe të publikut; ndjeshmërinë për shfrytëzimin e aseteve kombëtare dhe sidomos cinizmin e skajshëm të politikës aktuale PS dhe PD. Ndaj, masa që del sot në protestën e përditshme të Tiranës ka rrafshuar çdo gjë në komunikimin me autoritetet dhe nuk shikon e mëton për asnjë mundësi negocimi dhe ballafaqimi, ca më tepër pajtimi me autoritetet, e cila duket realisht utopi për një pjesë të madhe. Masa e përcaktuar e 3.5 % të popullsisë, që ndikon në ndryshime strukturore në një shoqëri, mund të jetë plotësuar prej kohësh dhe mund të përbëjë edhe atë thyerje të “break even point”, por në realitetin shqiptar  s’i kërkohet të kërkojë utopinë por realisht një strategji të mirëmenduar për ndryshim. Numrat e deritanishëm e sfidojnë realisht në përballjen me qeverinë e Ramës, por përballja e vërtetë është programi dhe rruga ndryshe e zhvillimit. E prekshme dhe e realizueshme.

Utopia është e tillë sepse flet për gjëra të pamundura dhe të paarritshme. Bash dhe këtë të fundit po e marrin përsipër tashmë grupe në rrjetet sociale, por sfida që u vihet para mbetet në paraqitjen e alternativës të domosdoshme. Atë që nuk e ç’bën se çfarë është arritur dhe nuk prish rrugëtimin e Shqipërisë por i jep hov. Në një thënie më të arsyeshme për protestën, çdo gjë do jetë më e mirë: mjafton vetëm të zëvendësohet kryeministri Rama. Kjo të kujton pak a shumë ritualin e protestave kundër Ramiz Alisë, Sali Berishës, Fatos Nanos dhe tashmë edhe ndaj Ramës. Tashmë kjo lloj utopie duhet t’ia lërë vendin racionalitetit për të shtyrë përpara me arsye dhe program të gjithë këtë energji. Përcjellë nga një lloj koalicioni i madh dhe madje janë grupimet e ndryshme që i kanë dhënë jetë dhe shumë diversitet atij. Tashmë ka ardhur koha që niveli i kësaj Proteste të shkoj në Lëvizje dhe t’u tregoj shqiptarëve jo stadin ku janë, por ndryshimin dhe mënyrën për ta bërë këtë. Nëse do ta bëjë si duhet.

Rama ka marrë një mësim dhe mbi të gjitha i është prishur qetësia e narracionit në estetizimin e politikës së tij që i kishte dhënë ndikim ndërkombëtar por edhe i ka mohuar sigurinë sesi do të negociojë i vetëm tani.

Ajo që Rama nuk kuptoi është se njësoj si ai që pretendon për investime të huaja, janë të gjithë shqiptarët që i duan edhe më shumë, se vetëm kështu do na rritet niveli dhe jetesa. Teksa, kjo qeverisje e tij, sipas raporteve të Banka Botërore, e ka lënë Shqipërinë me shkallë të lartë të varfërisë relative dhe pabarazi në rritje dhe me një varësi të madhe nga remitancat! Çështjet janë të shumta, por autori beson se një nga të këqijat më të mëdha është pjesa e pronës, ajo që e mban dhe do ta mbaj peng zhvillimin normal të vendit dhe një problem asnjëherë i adresuar si duhet mirë në të 114 vitet e ekzistencës së shtetit shqiptar.  Bash nga aty mund të fillojë hartimi i strategjisë dhe ndryshimi por edhe fakti që të mëshohet te utopia dhe “Shqipëria e re” që se trajton fare këtë shqetësim. Ndërkohë që adresime të ndryshme në protestë dhe përpjekja për t’u kanalizuar në shumë hapësira denoncuese thjesht po tregon objektiva të ndryshme dhe aq më shumë po e bën kryeministrin të rrëshqasë në narracione të tjera me armiq, me ndikime të huaja dhe biografi. Pushtet tashmë është hapësira dixhitale.

Larg këtyre, publiku i gjerë që po e mban lart pathosin e protestës po pret organizimin dhe platformën e vërtetë të ndryshimit apo rrugën për afrimin e shpresës. Dhe, të mos harrojmë sa nga gjërat më të këqija që ka bërë ky drejtim i sotëm ashtu si i shkuari me sistemin e spiunëve lidhet me faktin se një pjesë jo e vogël e abuzuesve më të mëdhenj të pronave, pasurive janë bashkëmoshatarët e Gjeneratës Z. Ndaj, është kaq e thjeshtë dhe po kaq cinike: Racionalizimi i një protestë që është shumë më e madhe sesa ata që mëtojnë të jenë si organizatorët e vet.

Dhe, akoma më shumë, problemi sot mbetet te ideali për një utopi që nuk funksionon, e para se drejtuesit e sotëm të politikës kanë revizionuar gjithshka, falë hapësirës dixhitale dhe mbahen shpesh dhe me narrativat e BE-së për të vërtetën e anëtarësimit të Shqipërisë. Ndërkohë masës po i lënë gjuhën e urrejtjes në rrjete që ka zënë vend dhe që ushqehet jo vetëm mes protestuesve dhe njerëzve të ndryshëm por sistematikisht edhe nga Rama për t’u larguar nga korrupsioni i madh dhe shmangja e problematikave. Shtuar këtu që ky dialog shoqëror po bën garë për viktimizimin, ku të gjithë bëjnë garë për protagonizmin e viktimës. Jürgen Habermas në librin e tij “Një transformim i ri strukturor i sferës publike dhe Politikës Diskutuese” argumentoi se në vend që të demokratizojnë komunikimin, platformat dixhitale kanë krijuar një “sferë pseudo-publike” që minon vetë themelin e pajtimit dhe debatit racional. I gjithë zhvillimi i Shqipërisë nga politika është tëhuajazuar vërtetë nga jeta. Kjo deri para një muaji, kur turma e prishi këtë gjendje duke u shkarkuar në një revoltë, bash duke sfiduar atë narracion artistik-kulturologjik-zhvillimor të Ramës duke e prishur pajtimin me këtë gjendje.

Tek e fundit është e pamundur të ketë pajtim, në një vend ku qytetari e ndjen veten shpesh si të huaj dhe akoma më larg  “estetizimit” të politikës që i ka sfilitur njerëzit. Por paradokset e përballin hidhur protestën: institucionet ndërkombëtare si Bashkimi Evropian e paraqesin bashkëpunimin si një parakusht realist për anëtarësimin në BE, paçka se realitetet lokale, si të Shqipërisë shpesh e reduktojnë atë në një ritual politik bosh me interesa të vogla. Këtë po na mëson protesta “Flamingo” që po mëton të bëhet lëvizje me kumt estetik, por edhe me një frymë ndryshimi të prekshme që është ende larg…Tek e fundit, s’mund të ketë utopi pajtimi në një vend që sfidon qytetarët e vet. (Homo Albanicus)

  •  

Protesta drejt Lëvizjes, apo përballë vetes

Nga Ben Andoni
Historianit amerikan Snyder, njeriut që parashikoi të gjithë natyrën e pushtetit të Presidentit në detyrë të SHBA-së Trump dhe rrezikun e vendimeve të tij, mund t’i atribuojmë dhe faktin e një parashikimi sa i përket protestës së “Flamingove”. “Idetë për ndryshim duhet të angazhojnë njerëz me prejardhje të ndryshme që nuk pajtohen për gjithçka”. Kjo është e vërtetë në Tiranë, ku sensi për të dëshmuar, demaskuar dhe kërkuar drejtësi ka bashkuar fasha të ndryshme të shoqërisë në kërkim të ndryshimit dhe me një protagonizëm të madh.
Në dekadat e fundit, kronikat televizive dhe jo vetëm kanë qenë të mbushura me aksionin qytetar në tre vende ballkanike, dy nga të cilat fqinje me Shqipërinë, respektivisht Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa rasti serb është shumë më ndryshe. Rasti i protestës në Shqipëri, tashmë i simbolizuar me Flamingon dhe me frymë krejt indipendente (të paktën deri më tani) dhe në përpjekje të sinqertë të mos e përfshijë politikën, ka hapur front të ri pune për studiuesit e protestave. Veçse vështirësia më e madhe, por edhe ajo që e bashkon rastin shqiptar me ato të vendeve të tjera ballkanike është e thjeshtë, ndërsa regjimet tejet autokratike të përgjigjen egërsisht, si në rastin e Turqisë dhe pak javë më parë dhe ajo e Hungarisë, në vendet tona përballja është hibride sepse regjimi drejtues në vendet tona ka petk demokratik. Vuçiq, Mickovski, Spajiq dhe Rama të përballin me sfida që kthehen në barrë për publikun, të kufizojnë hapësira por përballë ndërkombëtarëve të japin imazhin e një konkurrence politike demokratike shumë të drejtë. Dhe, e vërteta është se tashmë me vazhdimin e protestave, kur opozita në Shqipëri tashmë është pa tekst (!), po shikohet se faktori politik është i pafuqishëm në vend, gjithnjë e më shumë flitet e mbrohet me konceptin e demokracisë. Ky angazhim shoqëror, i cili mbart grupe të ndryshme, po kërkon transformimin e protestës në lëvizje dhe që andej nëse do t’i rezistojë procesit në një organizim politik. Por çfarëdo forme që të marrë, ajo duhet të ekzistojë, pasi përndryshe ashtu e pafuqishme për ta përballur vetë Ramën në rastin tonë, është e destinuar të bjerret. Në regjimet autoritare me tis demokratik, si rasti shqiptar, kemi organizim të qartë për të sunduar: Dhe, maxhoranca e sotme e ka heshtuar opozitën, përmes përfitimeve dhe kooptimeve të ndryshme (vargu i punësimeve të PD-istëve është mbresëlënës), e lejeve të ndryshme, e kamjes së shumëve syresh,  por edhe e lëshimit të vazhdueshëm në tandemin politik  PS dhe PD. Protesta me energjinë dhe forcën e saj shkëputi pikërisht këtë statusquo, ku përplasja e saj po përshfaqet në disa anë dhe nuk e përfill fare këtë statusquo. Veçse, tani, duhet të përfshijë dimensione politike, institucionale, ligjore dhe ato që lidhen me qytetarin. Duhen disa kushte për t’i detyruar autokratët dhe liderët e rajonit tonë që të ulen dhe kjo duhet të kuptohet sot nga protesta, që po reziston në karakterin dhe sidomos përpjekjen e madhe të shumë individëve për protagonizëm. Nëse do të duhet të mbijetojë kjo protestë duhet të kanalizohet në një Lëvizje. Dhe që të jetë e tillë, duhet të vazhdojë, të ketë liderë dhe duhet të qëndrojë aty. Këtë e bën vetëm një Lëvizje me Forcën e organizimit dhe vazhdimësisë dhe sidomos kërkesat e qarta dhe të panegociueshme, që e detyrojnë qeverinë që po të mos shikojë rrugëdalje: të kërkojë zgjidhje duke u tërhequr.
“Që rezistenca të ketë sukses, duhet të kalohen dy kufij. Së pari, idetë për ndryshim duhet të angazhojnë njerëz me prejardhje të ndryshme që nuk pajtohen për gjithçka. Së dyti, njerëzit duhet të gjenden në vende që nuk janë shtëpitë e tyre dhe midis grupeve që më parë nuk ishin miqtë e tyre. Protesta mund të organizohet përmes mediave sociale, por asgjë nuk është reale që nuk përfundon në rrugë. Nëse tiranët nuk ndiejnë pasoja për veprimet e tyre në botën tre-dimensionale, asgjë nuk do të ndryshojë.”, shkruan Timothy Snyder në librin e tij “Mbi Tiraninë: Njëzet Mësime nga Shekulli i Njëzetë” (Shtëpia e Librit, përktheu Erebara, Gj.) Nëse kjo qeveri nuk  do e ndjejë atë që ka bërë, vërtetë asgjë nuk do të ndryshojë. Këtë duhet të kuptojë një masë që sot po e kërkon protagonizmin me zor dhe që po e kthen protestën përballë vetes, pa kuptuar rrugën e vështirë dhe të domosdoshme përpara. (Javanews)

 

 

  •  

Kur e shkuara nuk lëshon rrugë: pse në protesta dëgjohet edhe “Berisha burg”

Nga Ben Andoni

Problemi me botën është se shpesh të vdekurit komandojnë të gjallët, ka thënë filozofi dhe sociologu francez Auguste Comte.

Kur në protestat e Tiranës dëgjohen njëkohësisht thirrjet “Rama burg” dhe “Berisha burg”, lind natyrshëm një pyetje: pse vazhdon të jetë objekt zemërimi politik Sali Berisha, një politikan që prej trembëdhjetë vitesh nuk ushtron pushtet?

Për Edi Ramën arsyeja është e qartë. Ai drejton qeverinë që prej vitit 2013 dhe mban përgjegjësinë kryesore për sukseset, dështimet dhe problemet e Shqipërisë së sotme. Por rasti i Sali Berishës është më kompleks. Zemërimi i tanishëm ndaj tij lidhet shumë më pak me qeverisjen e kaluar dhe shumë më tepër me ndikimin që ai ka ushtruar mbi opozitën pas largimit nga pushteti.

Themi kështu sepse pas humbjes së vitit 2013, e djathta shqiptare kishte nevojë për një proces rinovimi. Humbja e pushtetit zakonisht shërben si moment reflektimi, hapjeje dhe krijimi alternativash të reja. Por në vend të një gare të gjerë idesh dhe figurash, drejtimi i Partisë Demokratike iu besua dhe dhurua Lulzim Bashës, bashkëpunëtorit më të afërt të Berishës. Për vite me radhë, edhe kur humbjet elektorale u bënë të përsëritura, modeli nuk ndryshoi.

Shumë demokratë dhe qytetarë krijuan bindjen se opozita nuk po drejtohej nga konkurrenca e lirë politike, por nga ndikimi i vazhdueshëm i liderit historik. Edhe pse formalisht i larguar, Berisha vazhdonte të mbetej pika e referimit për pothuajse çdo zhvillim të rëndësishëm në kampin opozitar. Në këtë kuptim, Basha u perceptua më shumë si administrator i një status quo-je të trashëguar sesa si arkitekt i një alternative të re.

Pikërisht për këtë arsye, përplasja mes tyre nuk erdhi pas humbjeve elektorale, por vetëm në momentin kur Basha vendosi të përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar, pas shpalljes së tij dhe familjes së tij “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri në atë moment, humbjet zgjedhore nuk kishin mjaftuar për të prishur ekuilibrin brenda Partisë Demokratike. Në këtë këndvështrim, roli i Bashës duket se nuk ka qenë i orientuar drejt ndërtimit të një PD-je fituese, por drejt ruajtjes së një modeli ku Berisha mbetej figurë ndikuese. Dhe kur kjo marrëdhënie kontrolli u thye, Partia Demokratike u rikthye, në një farë mënyre, aty ku kishte qenë gjithmonë: te vetë Berisha.

Ndërkohë, shumë figura të së djathtës u larguan, u vetëpërjashtuan ose mbetën në periferi. Emra të rinj nuk arritën kurrë të sfidonin seriozisht status quo-në. Si pasojë, një pjesë e elektoratit opozitar nisi ta shihte Berishën jo si alternativë ndaj Ramës, por si një nga arsyet pse alternativa nuk po lindte.

Kjo shpjegon pse në protesta dëgjohet edhe emri i tij. Jo sepse ai qeveris Shqipërinë sot. Jo sepse mban përgjegjësi për çdo vendim të këtyre trembëdhjetë viteve. Por sepse për shumë qytetarë ai mbetet simboli i një tranzicioni politik që nuk po mbaron kurrë dhe i një opozite që nuk po arrin të çlirohet nga e shkuara për të ndërtuar të ardhmen.

Pra si konkluzion, problemi i demokracisë shqiptare nuk është vetëm mungesa e rotacionit në pushtet. Problemi është edhe mungesa e rotacionit brenda vetë alternativës. Dhe kur një opozitë nuk arrin të prodhojë figura me integritet, ide dhe shpresë të re, zemërimi i qytetarëve nuk drejtohet vetëm ndaj atij që qeveris, por edhe ndaj atij që, sipas tyre, ka penguar lindjen e një zgjedhjeje tjetër.

  •  

Post protestë\ E pabarabarta s’bëhet e barabartë

Nga Ben Andoni

Ka marrë frymëmarrje i gjithë narracioni kundër protestës, falë momentit që Dritan Goxhaj doli dhe shpalosi kërkesat e protestuesve. Deri më tani, shumë zëra, qoftë dhe nga qeveria kërkonin liderin dhe grupin organizator dhe në momentin që ata shpalosën platformën e tyre morën të gjithë mallkimin pas vetes. Me këtë fakt, shpjegohet vonesa e mosshfaqjes së tyre, por më shumë se kaq shqetësimi për të mos artikuluar. Një moment i tillë do marrë mbi vete të gjitha anatemat e propagandës dhe jo vetëm. Ka ardhur dhe madje po kalon koha, kur Rama duhet të shikojë qeverisjen dhe administratën e tij, korrupsionin e frikshëm dhe mbi të gjitha cinizmin e frikshëm të pushtetarëve. Çka shihet tashmë në protestë është thjesht pasojë e të gjithë pabarazisë aspak normale në vend. Duke nisur me ndarjen e të ardhurave, klimën e biznesit, por edhe jetesën e qytetarëve për të mos vazhduar me çmimet dhe mënyrën sesi e përballon shëndetësinë dhe arsimin një familje shqiptare. Përplasjet me njerëzit e ardhur nga Kosova dhe përdorja e UÇK-së po bëhet e hidhur dhe duket se faji është vetëm një drejtimsh, ndërkohë që harrohet se nga Tirana dikur shkonin autobuzë me protestues e flamuj për të protestuar në Kosovë, madje përlesheshin edhe me policinë e Kosovës. Arsyeja për kufirin me Malin e Zi, mallrat serbe etj.. Kolegu ynë Shala për “Kohën Ditore” i raportonte publikisht këto, falë profesionalizimit dhe kujdesit.

Në fakt, thelbi është se kërkesat e artikuluara të protestuesve janë të qarta dhe të duhurat, por veçse tani ka ardhur koha tek arsyetimi dhe mënyra sesi realizohen të gjitha, kur përballë në parlament, dy partitë kryetarët e të cilëve anatemohen me burg dhe largim do i kenë përballë, ashtu si institucionet janë të lidhura me këtë statusquo. Tani vjen puna më e vështirë, ajo që qeveria e kuptoi dhe ndezi bateritë duke u marrë me njerëzit e protestës dhe jo shkaqet e vërteta se ku dhe pse nisi protesta. Dhe, shkaqet janë të dukshme për shumë njerëz, jo vetëm ata që protestojnë, mungesën e rregullave të lojës, favorizimin e “të fortëve”, cinizmi i administratës dhe mbi të gjitha mos marrja përsipër e fajeve. Ashtu si për një masë të re të protestuesve duhet të kujtohet se janë bash bashkëmoshatarët e tyre që sot janë në institucione dhe në jo pak raste, kanë treguar se janë makutë dhe cinikë me të pambrojturit. Dhe, ky është faji jo i vogël sot që këtë pabarazi ta kthesh në një normalitet.

Ndërkohë, rendja pas të huajve dhe agjenturave ka vrarë shpirtërisht, moralisht, fizikisht shumë shqiptarë përgjatë viteve, teksa monstrat e vërteta kanë pwrfituar. SPAK është dëshmitar me aksionet e veta. Kjo duhet t’i kujtohet sot qeverisjes Rama dhe njerëzve të tij, që po shikojnë me kujdes çdo sinjal për fashitjen e protestës. Ashtu, si këta të fundit, që duhet të kuptojnë mirë institucionet dhe mënyrën sesi duhet të kanalizojnë fuqinë e kësaj proteste, e cila si zor do të përsëritet më. Të gjithë duhet të kuptojmë se po merremi me pasojat dhe jo realisht shkaqet e saj. Kjo është gracka që do marrë energji, por edhe që mund të fashisë këtë motiv për çfarë protestohet.  “Forma më e keqe e pabarazisë është të përpiqesh t’i bësh gjërat e pabarabarta të barabarta”, shkruante në kohën e vet Aristoteli, polimathi i lashtësisë. (Javanews)

 

 

  •  

“Flamingot”, Zhizhek dhe ideologjia e Qendrës

 

Nga Ben Andoni
Si kurrë më parë, protesta e tre javëve të fundit, po na tregon se: shqiptarët janë të lodhur dhe të zhgënjyer nga drejtimi i Ramës dhe mbetja në politikë e Berishës. Dhe, përfaqësuesi kryesor është brezi i ri që po tregon se arroganca e pamat e Ramës, protagonizmi i tij i lodhshëm, administrata cinike i ka dhënë karburantin kryesore të ashtuquajturit “Revolucion të Flamingove”. Ata nuk kanë kohë, ndryshe nga brezat e tjerë që zvarrisin statusquo-të. Ironia e fatit është se Rama ka “fituar” edhe këtu: Shqipëria e sotme e protestave është ribranduar si shumë moderne, falë pasqyrimit të mediave të huaja, ndryshe nga ’91 dhe ’97-‘98. Ndërkohë që edhe më hidhur sesa ndaj Ramës është gjuha e protestuesve për Berishën dhe të gjithë shpurën e tij që e ndjek individualisht të gjithë procesionin protestues nga cepat e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Më të kënaqur janë partitë e vogla, ku Arlind Qorri me stoicizmin e tij e kupton shumë mirë sensin e modestisë dhe protagonizmi gati bezdisës dhe pa klas i Shehut që po përpiqet të fitojë në rrjetet sociale. Pozicioni i deritanishëm i protestuesve dhe kërkesa për daljen e një përfaqësie, kërkuar nga ana e Ramës, nuk po funksionon. Të dy palët përballjen e kanë në shesh, ku protestuesit janë në avantazh të dukshëm me Ramën, kurse ky i fundit mban ende përparësinë e parashikimit që lidhet me elementin kohë (lodhjen e protestuesve), të cilën e mban me narrativën për investimet e mëdha në vend dhe goditjen e turizmit në vend. Gjërat kanë shkuar vërtetë shumë larg. Tashmë është trend për të rinjtë të jesh kundër Ramës dhe madje xhiroja e dikurshme po rigjallërohet me këtë lëvizje por me një brez që e ka dëgjuar historinë e ecejakeve mbrëmësore thjesht nga prindërit. Pyetja që mbetet tejet larg rrjeteve sociale që gëlojnë kundër Ramës dhe në garën nacionaliste-narciziste është tani sesa e gjithë kjo mund të sjellë ndryshim. Formula kushtetuese nuk mjafton. Rama duhet të mos-votëbesohet nga gjysma e parlamentit (Ka të paktën 83 mandate!). Ndërkohë që Rama as e ka ende në mëndje këtë akt.
Ndryshimi i parë i protestës është i dukshëm: Shqiptarët flasin, artikulojnë, protestojnë dhe anatemojnë lirisht. Pa ideologji janë më të qetë të shprehin gjithçka. Fija ku janë bashkuar nis nga anti-arroganca, anti-cinizmi, anti-autoritarizmi ndaj qeverisjes së PS-së dhe përqeshja e madhe e meritokracisë mu në fytyrë që i bëhet sot të rinjve dhe jo vetëm. Ditët ikin, por Rama nuk luan, ndërsa Berisha dhe të tijtë po bëhen qesharakë duke imituar e përkrahur protestën. Objekti që identifikojnë sot protestuesit është stabilokracia e dukshme. Kemi vërtetë zgjedhje “të lira” dhe Liri Fjale, por kemi të njëjtat fytyra dhe legjislatura gjithnjë e më të dobëta; qeveri të korruptuara; si dhe klima biznesi jo të drejta, ku përfitojnë vetëm një pakicë afër pushtetit. Dhe, paçka entuziazmit të partive të vogla (dhe ato përfshihen në këtë strukturë derisa në parlament janë aty), ka bërë që edhe PD-ja, opozitarja më e madhe në numra, të duket e kapur, e dobët ose thellësisht e gabuar në politikat e saj. Ndaj protesta e tanishme po drejtohet nga një grupe qytetare në bazë, shoqata të shumta mjedisi, studentë universiteti dhe aktivistë jopartiakë, të cilët në rastin e Shqipërisë janë të shumtë. Por ajo që e ka ngritur në këmbë publikun ishte rasti i tmerrshëm i ngjarjes së Zvërnecit kur protestuesi u mor zvarrë në sytë e policisë së shtetit, pak më e zbutur nga rasti në Beograd ku ngjarja fatale mori jetën e plot 16 qytetarëve në Novi Sad.
Paradoksalisht: tashmë politikanët në pushtet dhe ata në opozitë po e përdorin vetë indirekt konceptin e ideologjisë për t’i përçarë dhe diskredituar protestuesit. Njerëzit afër PS-së u përmendin parullat duke bërë përqasje, të cilat afrohen me partitë kolaboracioniste në L2B, ndërsa ato afër opozitës u kujtojnë protestuesve sensin komunist, kur ata artikulojnë gjëra për të mirën publike dhe barazinë para ligjit. Rama e ka tepruar jo pak herë duke e lënë rrezikun tek Irani për ndërhyrjen së huaj gjeopolitike (Jo se nuk ka ndodhur deri më tani) për ta shpërqendruar edhe më shumë publikun nga adresimi i shkaqeve rrënjësore të pakënaqësisë qytetare, ndërkohë që ajo ideologjike tashmë artikulohet prej tij në forma të ndryshme.
Veçse, njerëzit përballë tyre jo vetëm e kanë braktisur ideologjinë sepse me atë identifikohen dy partitë kryesore, por tashmë të flasin fare hapur, thjesht, edhe pse disa herë në mënyrë konfuze për padrejtësinë. Nobelisti rumun,  Elie Wiesel, i mbijetuari i Holokaustit e shpjegonte kështu fenomenin: “Mund të ketë raste kur jemi të pafuqishëm për të parandaluar padrejtësinë, por kurrë nuk duhet të ketë një kohë kur dështojmë të protestojmë”. Për fat, kjo u tejkalua me këtë protestë. Shqiptarët dinë të protestojnë.
Në një plan më të gjerë, historikisht, politika e Ballkanit është e mbarsur me retorikën radikale etno-nacionaliste dhe të ashtuquajturat “stabilitokraci” që shpesh janë të korruptuara. Shqipëria dhe Serbia, dy përfaqësimet më të mëdha të kësaj gjendje, përbëjnë regjime që ofrojnë një stabilitet gjeopolitik sipërfaqësor, e cila duket bukur për Brukselin, porse kanë dëmtuar kontrollet dhe balancat demokratike në vend. Pa vazhduar me shembujt e Beogradit (Expo-27, po ndërtohet pa asnjë transparencë në Serbi), autori kujton se janë dy institucione që nuk e preferojnë tashmë autoritetin e KLSH-së (Kontrollin e Lartë të Shtetit) të kontrollojë në Shqipëri!!!
Kjo po e bën të ardhmen e “Flamingove” që nëse do të organizohen të kenë të nevojshme një ideologji të Qendrës, pasi kjo të jep përparësi të mëdha bashkëpunimi, por edhe artikulime të drejta të të Drejtave Civile dhe kundër narativave të dikotomisë së tanishme E Majtë-E Djathtë. Ideologjia e Qendrës, po ashtu, ul temperaturën gjeopolitike dhe mbi të gjitha e bën më të lehtë mënyrën për Standardizimin e Rrugës drejt Anëtarësimit në BE. Qendra, këtë, e bën më mirë se dy kahet e tjera dhe shkon natyrshëm me modelin evropian (ndjeshmëria e mjedisit në Shqipëri e tregoi këtë), duke u përqendruar më shumë në kapacitetin institucional burokratik dhe jo në pastërtinë ideologjike të skajeve. Të mos harrojmë edhe faktin që zbatimi i Planit të Rritjes së BE-së kërkon një politikë që do vazhdimësi të Qendrës për të përafruar ligjet e brendshme me tregun e vetëm, të lirë nga luhatjet e paqëndrueshme të populizmit të ekstremit të Majtë ose të ekstremit të Djathtë, kaq shumë të pranishme sot në jetën politike. E më shumë akoma, një Qendër kërkon që në vend të autokratëve, siç kemi ne tashmë liderët në fuqi, të cilët mbahen me klientelizmin dhe patronazhimin politik, të promovojmë qeverisjen teknokrate dhe qëndrueshmërinë demokratike. Dhe, fati më i madh për Qendrën sot është se Ideologjitë e skajeve po braktisen, apo si filozofi bashkëkohor Zhizhek e thotë më troç: “Ideologjia është e fortë pikërisht sepse nuk përjetohet më si ideologji… ne ndihemi të lirë sepse na mungon gjuha për të artikuluar mungesën tonë të lirisë”. Protesta e Flamingove po e shfaq këtë liri. (Homo Albanicus)

 

 

  •  

Pse “Flamingot” nuk po kthehen dot në Lëvizje?!

Nga Ben Andoni

Protesta me simbolikën e “Flamingove” tashmë po i afrohet të 20 ditëve. Energjia dhe mllefi publik i veshur me një simbolikë kaq ekzotike ka nxjerrë një Shqipëri tjetër. Tejet qytetare. Të mbarsur me probleme dhe halle. Të mllefosur. Dhe, nga shumë edhe të pashpresë. Janë të shumta reagimet e protestuesve që po kërkojnë organizim ndryshe, por jo pak edhe ata që e anatemojnë dhe e përqeshin. Protesta e përditshme ka krijuar një statusquo, ku me të drejtë një pjesë e njerëzve mendojnë se po shprehen të papërfaqësuarit dhe po mllefojnë një pjesë e popullsisë që vërtetë përballen me probleme dhe të rinj pashpresë. Po krijohen gati dy kategori: ata të sheshit të bashkuar dhe të vetëm dhe ata të tjerët, identifikuar me Ramën. Janë shtuar edhe shumë shtirakë që tashmë kanë mundësi të shfrehin populizmin e tyre fals. Megjithatë jashtë atyre argumenteve që mbron Rama; çka thotë Brukseli; vetë protestuesit; për një pjesë të shqiptarëve mbetet një dilemë: A do mundet ndonjëherë tjetër publiku shqiptar të mobilizojë një të tillë protestë. Në ditët e fundit, protesta është njësoj. E njëjta koreografi. I njëjti organizim. Është shtyrë vetëm një orë. Tashmë kemi gati të njëjtat fabula me leksik të ndryshëm. “Shqipëria e re”, slogani i dashur në fillim, tashmë po artikulohet më pak, sepse një pjesë e kupton se ka privacione. Do të thotë punë dhe përkushtim. Kjo bën më shumë sens për bashkëmoshatarët e atyre të Gjeneratës Z. që punojnë në administratë dhe kadastër dhe të vjedhin duke të parë me gjak të ftohtë, ashtu si një pjesë që ka përvetësuar benefite dhe projekte dhe në kuadër të këtij entuziazmi duhet t’i lëshojë…A mundet vallë dikush, prej tyre dhe ta bëjë këtë?!

Protesta deri tani ka të gjitha shenjat e një proteste të organizuar mirë, kurse të shkojë në Lëvizje që e trand pushtetin do një peshë më të madhe dhe orientime të sakta. Autoriteti duhet të kuptojë se përballë ka njerëz që nuk ikin. Çdo lëvizje, në fakt, fillon si protestë. Sot, e kësaj dite, dihet vetëm versioni zyrtar që incidenti në Zvërnec dhe pasiviteti i Policisë së Shtetit shërbeu, por askush nuk mund ta kuptojë dot frymën kaq të madhe. Teorikisht, 95% e protestave bjerren, kurse janë vetëm 5% që kthehen në Lëvizje kur njerëzit vendosin: “Nuk do të ikim derisa të marrim përgjigje”. Kjo është dilema te “Dëshmorët e Kombit”. Protesta ende është në fillim, sipas oratorëve dhe kërkon pa asnjë argument kundërshtues dorëheqjen e Ramës, burg për të dhe Berishën. Por, tashmë që të kthehet në lëvizje do të duhej një shkallë e tretë. Ajo që kërkon organizimin. Janë shumë syresh tani dhe kjo pjesa e protagonizmit e shumë oratorëve syresh po e përball publikun me shumë personazhe. Aman, nëse do të shkonte në Lëvizje, do të nxirrte liderin e identifikuar qartë, strukturën, planin, duket të kishte fonde të dukshme dhe strategji. Kjo e fundit po përflitet se do të jetë më e qartë. Veçse zvarritja po e bën pushtetin të marrë oksigjen, kurse publiku po lodhet nga historia, patetizmi dhe mungesat….

Protesta nuk po bëhet dot lëvizje edhe pse ka një sërë organizimesh që mëtojnë se e mbajnë protestën dhe shpirtin e saj, kur në fakt mbeten qytetarët me ndjesinë e tyre që po e inkurajojnë. Këtë bënë kryeqytetasit edhe në kapërcyell të ’90 por erdhën ata që e çuan vendin në këto hulli, ku sot urrejtja është e tillë sa shprehet edhe me parullën nacionaliste: “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!”, rrënjët e së cilës identifikohen qysh nga periudha e Lëvizjes Kombëtare dhe kohë-ndërtimi i shtetit shqiptar. E ngjashme si nacionalizëm radikal edhe me parulla të tilla në vende të tjera.

Shqipëria ka nevojë për ndryshim, kjo po duket hapur, por protestës i duhet shumë të shndërrohet në lëvizje. Të paktën ata që duan ta drejtojnë, apo fraksionet e ndryshme duhet të kuptojnë që duhet të krijojnë një hierarki. Në ditët në vazhdim do të kuptojmë shumë gjëra. Një studim i botuar në British Journal of Social Psychology vëren se fraksionet e ndryshme politike arrijnë të formojnë aleanca të përkohshme (të njohura si Querfront) kundër një autoriteti të përbashkët. Mbështetje kanë faktin se e konsiderojnë si opozitë të përbashkët, por problemi janë se nuk kanë vlera të përbashkëta. Ky është armiku sot i “Flamingove” dhe trishtimi i njerëzve që presin ndryshim. Vlerat e përbashkëta dhe objektivi afatshkurtër dhe afatgjatë. (Javanews)

 

  •  

3-P, Presidenti vs protestë

Nga Ben Andoni

Presidenti Bajram Begaj është institucioni më i imunizuar nga protesta e 12 ditëve të fundit. Ai, vetë, me tagrin zyrtar nuk ka ndërhyrë, kurse në këto ditë mbushur me kaq shumë entuziazëm, pathos, kritika, ofendime, ai pothuaj është harruar. Si Ai, vetë, ashtu edhe protestuesit por e gjithë shoqëria gjendet përballë një fakti të dhimbshëm. Sot, në Shqipëri mungon një Autoritet Moral që të shprehej, apo t’i drejtoheshim në besim të plotë. Figura Publike të madhësisë, respektit por edhe të nderit ndërkombëtar si Kadare, nuk kemi. Religjioni, me gjithë nderimin, nuk e bën dot këtë rol! Përjashtohet pakëz një figurë e re e filozofisë politike, studiuesja Lea Ypi, botimet, shkrimet e të cilës po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare. Por edhe për të, xhelozia që ka krijuar, e kufizon shumë impaktin e saj. Kurse, Akademia e Shkencave prej moteve nuk e bën dot sepse gjendet në një pozitë, ku i intereson ta mbajë mirë me Legjislativin, paçka se kryetari Gjinushi zgjidhet nga presidenti. Ky i fundit, megjithë, profilin modest që mban, është tejet larg asaj që presin shqiptarët. Në fakt, presidenti Begaj ka të drejtë të mbrohet, sidomos pas dështimit të Ligjit Organik për presidentin, duke u mbështetur te funksionimi dhe kompetencat e institucionit, në ato që shkruhen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si dhe nga ligjet ekzistuese procedurale. Veçse në nenin 86, që mund të ishte një preambulë për Ligjin Organik për të, parashtrohet qartë: Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. Në këto ditë, ky rol është më shumë se motiv, përbën detyrim, para një parlamenti leksiku dhe ofendimet e të cilit janë të pafré.

Dhe, në këtë moment, kur protesta po rritet nga dita në ditë si pjesëmarrje dhe duket se ende nuk është afër shfaqja politike e protestuesve (nëse do të ketë) shteti ka nevojë për një negociator me tagër. Më qartë se kaq nuk thuhet. Presidenti duhet të ndërhyjë, si njohës, si negociator dhe mbi të gjitha si simbolika e Unitetit. Ka të gjithë tagrin zyrtar, e para për t’i shërbyer Ligjit që i jep atributet për ta bërë (qoftë edhe vagullt) dhe e dyta si nevojë e këtij momenti. Pas kapërcyellit të viteve ’90, kurrë vendi nuk ka pasur ndonjë angazhim të tillë publik të shqiptarëve, por edhe një paqartësi të tillë, për mënyrën sesi do të kanalizohet e gjitha kjo energji proteste, ashtu si edhe për një mundësi në të ardhmen që publiku të dëgjohet direkt nga presidenti i vet. Faktikisht dhe shqetësueshmërisht, shkëlqesia e tij Begaj, është “kursyer” nga protestuesit nga kritikat dhe memet, por frikshmërisht është “harruar”. Është e qartë se në raste të tilla, strukturat e tij, mund të thonë se institucioni i presidentit, konform Ligjit 92, nënparagrafin H, ka ushtruar të drejtën e vet në qasje me institucionet. Për publikun, ky nënparagraf thotë: (Presidenti) “kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre”. Fakti sesi kanë rrjedhur ngjarjet, duket se shumë gjëra mungojnë nga institucionet dhe këtë e kupton, për paqartësinë, lidhur me Pronat në Zvërnec; Ligjin e Zonave të Mbrojtura; atë për Investimet Strategjike dhe sidomos të gjithë historinë e investimit të Jared Kushner. Dhe kur mungojnë reagimet e duhura të institucioneve nuk kanë se çfarë t’i referojnë presidentit. Në më të keqen, do të duhej të bënin reagime (përjashtohet policia me masat e marra dhe licensat e hequra), në më të mirën, Presidenti do të duhej të kërkonte llogari.

Aktualisht, peshën e përgjegjësisë po e mban kryeministri Rama, madje edhe mallkimin e turmës në protestë, e cila si parullë kryesore ka: “Rama, ik”. Për të mos e lënë të qetë, i kanë shtuar edhe emrin e z. Berisha, duke e rimuar me të: “Rama, ik; Berisha, ik”. Nëse z. Rama po përballet me një tension aspak normal me të dhe humbjen e madhe të qetësisë, strukturat e tjera të kryeministrit janë të ngulfatura dhe këtë e kupton me të gjithë historinë e Zonave të Mbrojtura dhe shumë gjëra të tjera, ku zyrtarët kanë treguar konfuzion për sa i përket investimit, por mbi të gjitha kaosit të pronave në Vlorë. Në këtë rast, të vjen ndërmend një thënie e presidentit të njohur Ruzvelt për zyrtarët që në momentet e vështira dhe konfuze heshtojnë: “Patriotizëm do të thotë të qëndrosh pranë vendit të duhur. Nuk do të thotë të qëndrosh thjesht pranë presidentit ose ndonjë zyrtari tjetër publik”. Ky duhet të jetë një nga shqetësimet më të mëdha sot të Ramës, por edhe publikut që po mbushin sheshin në një solidaritet, i cili jo thjesht meriton vëmendje por edhe interpretim social, antropologjik dhe mbi të gjitha politik. Koha do të na tregojë edhe sesa efikase kanë qenë ndikimet e huaja. Zyrtarët flasin për ndërhyrje greke (Të mendosh në javët e fundit ka pasur gjithë ato takime të niveleve të larta greko-shqiptare); Rama ka akuzuar direkt Iranin, por më parë ishin dhe serbët dhe të tjera. Sot, në këtë amulli, përgjegjësia mungon nga të gjithë. Nga protestuesit që e projektojnë si përgjegjësi kombëtare përmes sloganeve të tilla si “Shqipëria e re”, “Revolucion” etj. Nga Ekzekutivi që po i përçmon, z Rama merret me influencerat, ndërkohë që protesta rritet, ndërkohë që pushteti i tij i përdor shpesh ata për sukseset e pamata dhe mbi të gjitha nga heshtja e presidentit të vendit.

Është e vërtetë se presidentët në shumicën e vendeve të Ballkanit janë strukturalisht të dobët, e para sepse veprojnë brenda republikave parlamentare. Ndaj, pushteti i Ramës tek ne dhe ai i Kurtit në Kosovë është gjithnjë e më i madh (Edhe pse në Kosovë, presidenti gjithsesi ka atribute në politikën e jashtme, që Vjosa Osmani i përdori jo pa sukses). Dihet se tek ne presidenti shërben kryesisht si kryetar shteti ceremonial dhe jo si drejtues politik. Kjo e bën, z. Begaj të jetë tejet larg dhe jo aktiv për publikun e gjerë. Në fakt, ky lloj sistemi është shumë familjar në Ballkan dhe shtrihet edhe në Greqi, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bullgaria dhe presidenca e Bosnjës dhe Hercegovinës që përdorin sisteme ku parlamenti zgjedh qeverinë. Kryeministri drejton politikën e brendshme, kontrollon buxhetin dhe komandon shumicën legjislative. Ka ndodhur që disa presidentë të Ballkanit kanë vonuar legjislacionin duke i dërguar projektligjet përsëri në parlament për rishqyrtim, por ata nuk mund t’i bllokojnë ato përgjithmonë. Një shumicë e thjeshtë parlamentare zakonisht mund të anashkalojë një veto presidenciale. Dhe, rasti me ish-presidentin Meta na mësoi shumë me këtë rast.

Në argumentin tonë, nëse presidenti Begaj do të dilte dhe t’i jepte vetes më shumë hapësirë në moralin politik, të cilin ia njeh tagri, do të kishte mirëkuptim; ndërkohë që patjetër do të përplasej me Ramën (e vetmja gjë që nuk merr me mënd kryeministri). Por, Shqipëria është mbi të gjitha dhe vjen një moment, kur vërtetë roli i tij duhet. Mijëra protestuesit tashmë kanë treguar se e vetmja gjë që mungon mes 3P: P (presidentit) dhe P (Protestuesve) është P e madhe që quhet përgjegjësi. Edhe këtu e kemi një paradoks sepse maxhoranca e propozoi një Ligj Organik për Presidentin, por Opozita në vazhdën e bllokimit të çdo gjëje gjeti një justifikim se Presidenti mund të kalonte balancën dhe u bllokua gjithçka. Ja ku jemi sot, kur na duhet një autoritet moral dhe Presidenti heshton, Ligji e justifikon, ndërsa morali e kërkon. Duhet një negociator, pra, për lumin e shqiptarëve të sheshit. Historiani Timothy Snyder, në librin e tij “Mbi Tiraninë: Njëzet Mësime nga Shekulli i Njëzetë “(Shtëpia e Librit, përktheu  Gj,. Erebara) në një nga leksionet e tij shprehet: “Historia na lejon të jemi përgjegjës: jo për gjithçka, por për diçka… Historia na jep shoqërinë e atyre që kanë bërë dhe vuajtur më shumë se ne”. Mësim që duhet respektuar, të paktën nga presidenti Begaj, njeriu që e përfaqëson tagrin e shtetit. (Homo Albanicus)

  •  

Nuk është më protestë por status social!

Nga Ben Andoni

Shqetësimi i këtyre ditëve në mjedisin publik nga tepria e informacionit është mungesa e madhe e transparencës që ka ndodhur deri më tashmë. Dhe, jo vetëm për Zvërnecin por edhe për shumë gjëra të tjera. Në Shqipëria nuk ka Drejtësi dhe këtë e shikon nga masa e madhe e dosjeve të mbartura. Por ka shumë probleme, zgjidhja e të cilave mbetet në kalenda. Këtu është karburanti i kësaj proteste. Pse pa pasur projekt në Zvërnec, u rrethua vendi deri në det, kur hapësira e tokës është ende në çështje gjyqësore? Si bëhet dhe pse nuk bëhet realisht konsultimi publik? Si është problemi i investimeve strategjike dhe cilët po favorizohen? Çfarë po bëhet me Paketën e Maleve? A e kupton kryeministri aktual Shtetin e të Drejtës? Ne ecim me zhvillimin, u thotë kryeministri kolegëve të huaj, kurse merruni me Drejtësinë për tokën, u thotë banorëve të Zvërnecit. Po Butrinti? Një sërë pyetjesh që tashmë të artikuluara nga anë të ndryshme ndaj kryeministrit, po marrin përgjigje negative. A është vallë kjo Shqipëria që duam?! A janë të vërteta përfitimet që do të marrim? Përgjigjen e gjen tek “naiviteti” i protestuesve të tanishëm që shtohen përditë.

Dhe, opozita shqiptare? E provuan pak orë më parë, njerëzit e Partisë Demokratike kur u munduan të futeshin mes protestuesve. Askush nuk e pëlqen më kauzën e tyre sepse nuk kanë kauzë, por më shumë se kaq rreshtojnë e mbartin shumë nga fajet që qëndrojnë dhe i mvishen vetëm drejtimit Rama dhe legjislaturave të fundit. Sot, ata, nuk mund të rrinë dhe të kërkojnë protagonizëm në protestë për shumë nga ligjet që kaluan dhe i kanë krijuar dhe po i krijojnë vendit probleme qoftë për Ligjin e Zonave të Mbrojtura, atë të Trashëgimisë Kulturore dhe, duke vazhduar me Paketën e Maleve, Votën me Postë të Diasporës, Amnistinë Penale etj., etj…Kurrë Shqipëria nuk ka qenë kaq e papërfaqësuar nga kjo lloj opozite, ndaj protesta po e shkund statusquo-në sociale dhe politike të vendit. Është më shumë se çdo gjë një status social që breza të ndryshme të vendit nuk mund ta tregonin më mirë se kaq, ndaj këtij establishmenti politik. Kjo nuk po kuptohet fatkeqësisht nga kryeministri Rama dhe njerëzit afër tij, të cilët nuk po e ndajnë peshën me të për të përballur të gjithë narracionin e tij, ashtu si nga opozita që po mundohet atje mes turmës, ku nuk i takon më. Nëse ky status social do të vazhdojë me këtë masivitet, atëherë do të ketë devijime të mëdha të shumë ekuilibrave në vend, ndaj strukturat shtetërore duhet të zgjohen seriozisht. Masiviteti tregon se Shqipëria nuk e përtyp më këtë statusquo që e ushqejnë disa portrete që kanë marrë e mbajnë pa të drejtë peshën në vend. (Javanews)

  •  

Gen. Z\ “Suksesi” i protestës vret ndryshimin

Nga Ben Andoni

Protesta e ditëve të fundit në Tiranë është mbresëlënëse. Ndryshe nga pretendimi për ndikimin grek, serb, atë rus dhe më gjerë, ajo ka treguar diçka që nuk mund ta kuptojnë njerëzit që janë larg dhe i qëndrojnë skiç saj. Është e vërtetë e pamohueshme se: Publiku është i lodhur prej kohësh me këtë qeverisje. Publiku është i mërzitur. Publiku shqiptar është i dërrmuar. Publiku shqiptar është shpesh i nëpërkëmbur. Mjafton të ndjekësh me kujdes kronikën e lajmeve ditore dhe do t’i kuptosh arsyet e vërteta. Qoftë edhe sikur je soditës. Në Shqipëri ka kohë që nuk ka më shpresë dhe mbi të gjitha ka gënjeshtra nga çdo skaj i qeverisjes, administratës dhe dukjes lëbyrëse të mrekullisë shqiptare dhe integrimit Evropian në vitin 2030. Ngritja e zërit! Ky është edhe mbetet filli i vetëm që i bashkon protestuesit, kurse ngjarja e Zvërnecit është thjesht shkëndija që e ndezi. Shumë prej pjesëmarrjes dinë shumë pak për Lagunën, vetë Zvërnecin, pelikanin etj. Por, kanë në kurriz padrejtësinë. Më së shumti gjen përfaqësuesit e Gjeneratës Z., pikërisht atë që po e trand historinë e protestave në vitet e fundit ngado. Dhe, çfarë është më e bukura, ata po ngjallin një solidaritet, të harruar prej vitesh. Janë përpjekur deri më tani forcat e opozitës t’u bashkohen, por ato kanë mbetur udhës. Janë përpjekur edhe ato të partive të vogla, por edhe ato kanë mbetur udhës, me pak ndryshime nga forca politike e z. Qorri dhe z. Shehu. Pak kohë më parë, përpjekja disa javore e grupit të Lapajt dhe sakrifica e tyre, u shua pa asnjë lloj mesazhi, sikur të mos kishte ndodhur. Kjo e tanishmja bashkon grupe të ndryshme, qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme, si edhe mbart shumë mllef të përmbledhur. Si në çdo protestë, tribunën e rrëmbejnë lloj-lloj personazhesh por edhe kjo është e pranueshme në raste të tilla. Problem është se çfarë do të ndodhë në të ardhmen?! Pjesa kundër tyre, qoftë nga politika, media dhe kundërshtarë të ndryshëm (tashmë u duhet militantizmi) e ka harxhuar tashmë pjesën më të madhe të municionit anti-protestë. Ndërkohë, ajo që një pjesë nuk po kuptojnë (ose mbase e dinë dhe do e reflektojnë) në protestë është sesi do të vazhdojnë përpjekjen e tyre dhe sesi do të bëhen gjithnjë e më shumë kompaktë. Ballkani na jep shembuj që janë të hidhur për këto lloj protestash. Sidomos protestat e Gjeneratës Z., kulmuar pas vitit 2018, kanë dhënë fillimisht shumë shpresë për njerëzit, një e tillë është edhe kjo e fundit në Shqipëri. Kush do të “harxhojë” pak minuta pjesëmarrje do ta kuptojë më së miri këtë fakt. Por, përzierje e grupeve pjesëmarrëse, pra amullia e strukturës; kohës së nxehtë dhe Botërorit, apo dhe “lodhjes prej protestës” janë paralajmërime. Modeli i Bullgarisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut mund të shërbejnë si laborator i mirë për ecurinë. Të gjitha i bashkon një element: protestat e Gjeneratës Z. janë të mbështetura në grupime kolektive dhe pa liderë. Frika nga protagonizmi i disa personazheve i bën ata të druajtur, por kjo ruan një problem të madh, që indirekt doli nga fjala e Ramës kur kërkoi negocimin: Kush do të ketë tagrin të flasë me pushtetarët dhe Ramën, apo cili duhet të vendosë, apo më shumë akoma një grup kolegjial që të paraqesë platforma?! Kush mund të administrojë këtë masë që pret të ketë objektiva të dallueshme dhe përfaqësuese?! Energjia fillestare e dha suksesin: SPAK po merret seriozisht me pronën (Sa vonë, vetëm!!), u hoq leja e firmave që merreshin me ruajtjen e zonës; U mor i pandehur individi që rrahu protestuesin etj., po cili do të jetë hapi tjetër për këtë masë njerëzish që do të negociojë? Për këtë nuk ka përgjigje ende, sepse Rama është i vendosur të rrijë dhe do të gjejë të gjitha mundësitë që të qëndrojë, duke i lënë të vazhdojnë… Dhe, më të hidhurën e mësimeve ia dha Serbia, duke e  shterur të gjithë energjinë me zërin e bërë të shurdhër ndaj protestave të tyre. Pas njëfarë kohe, qytetarët që nuk janë në protestë “lodhen” prej bllokimeve dhe “bjerraditës” së fëmijëve të tyre; studentëve u duhet të paraqiten në ciklet shkollore dhe provimeve (çuditërisht nuk shihet shumë pjesëmarrja e tyre në Shqipëri!!!); dhe ai presion indirekt, që bëhet përmes zërave pro-qeveritarë. Në rastin shqiptar, për fatin e keq të studentëve, u janë bashkuar dhe zëra të ndryshëm nga opozita. Ka ditë që individë të ndryshëm kanë futur në matricë problemin grek, ndikimin serb dhe sidomos atë rus. Pas disa javësh njerëzit, kur të mos ketë përgjigje më, do të mpihen. Një ndjeshmëri të tillë të rinjtë e patën dje, kur u futën në Bllok dhe u munduan të trandin bashkëmoshatarët e tyre që t’i ndihmojnë. Po pas disa javësh?! Po në rast se në rrjetet sociale, nuk do të jetë kjo dendësi mesazhesh, që për Gjeneratën Z është karburant a do të vazhdohet?!

Risia më e madhe e kësaj proteste është se të dy partitë kryesore nuk kanë vend në këtë entuziazëm popullor. “Rama Ik dhe Berisha ik”, artikulohet njëzëri. Një pjesë e partiakëve rrinë aty pranë, por nuk qasen dot, kurse përgjigjen e kanë marrë nga një komunitet gjithnjë e më i madh që nuk i dëshiron më. Është një nga tiparet e kësaj gjenerate që nuk i do partitë, por nëse Rama do të bëjë lëshim për zgjedhjet e parakohshme, çfarë do të bëjnë me të gjithë këtë energji. Cilët do t’i përfaqësojnë?! Pleniumet siç i quajnë në Serbi po mbesin sepse studentët nuk merren vesh me njëri-tjetrin dhe ka nisur protagonizmi. Dhe, koha kalon, ndërsa publiku kthehet sërish atje ku ka mbetur me shfryrjen: Gjërat mëzi ndryshojnë në vendin tonë. Masa e të rinjve arriti që në Bullgari (2020) të hiqnin tre ministra, ndërsa në Serbi hoqën edhe kryeministrin, por gjërat kanë mbetur ende ashtu. Lodhja dhe mbijetesa e një lëvizje e mbysin pak e nga pak protestën. Këtë e dinë mirë në Tiranë, ndaj një pjesë kanë nisur t’i bëjnë shërbimet e duhura establishment-it PS dhe PD. Timothy Snyder, njeriu që e parashikoi Trumpin dhe pushtetin e tij na ka lënë diçka interesante për protestat: “Që rezistenca të ketë sukses, duhet të kalohen dy kufij. Së pari, idetë për ndryshim duhet të angazhojnë njerëz me prejardhje të ndryshme që nuk pajtohen për gjithçka. Së dyti, njerëzit duhet të gjejnë veten në vende që nuk janë shtëpitë e tyre dhe midis grupeve që më parë nuk ishin miqtë e tyre. Protesta mund të organizohet përmes mediave sociale, por asgjë nuk është reale që nuk përfundon në rrugë. Nëse tiranët nuk ndiejnë pasoja për veprimet e tyre në botën tre-dimensionale, asgjë nuk do të ndryshojë.” E ka shkruar tek “Mbi Tiraninë: Njëzet Mësime nga Shekulli i Njëzetë”, një mësim i madh për kohën tonë. Mos iu gëzoni, pra, suksesit por kërkoni atë që është urgjente për Shqipërinë, ngutin për ndryshim. (Homo Albanicus)

 

  •  
❌