Reading view

Shqipëria nuk është vend për të gjithë…

Nga Alba Malltezi

Të jetosh në Shqipëri duhen disa karakteristika jo sipërfaqësore dhe aspak të lehta: Të kesh durim të madh, të dish të gëzosh, të shijosh përshëndetjet me zemër, por edhe inatet shpërthyese dhe veprimet e papritura, jo përherë kuptimplota. Të kesh një ekuilibër të jashtëzakonshëm brenda vetes për të përballuar mungesën e ujit, por edhe rënien e energjisë elektrike nga ngarkesa e rrjetit, të presësh komshiun që ka parkuar duke bllokuar të gjithë hyrje-daljet, por edhe të mos provokohesh nga taksisti që i ka ardhur në majë të hundës duke shmangur trafikun e ditës e përgjigjet si i vjen në çast, në mendje.

Të jetosh në Shqipëri zemra të helmohet nëse nuk gjen rrugën e duhur për të mjekuar të afërmit që vuajnë, por edhe emocionohesh kur në sportelet e postës një nëpunëse e thjeshtë sillet me shumë njerëzillëk ndaj të moshuarve, duke ua zgjidhur problemet e keqkuptuara.

Të jetosh mirë në Shqipëri duhet të jesh stërvitur sikur të ecësh mbi vezë, ose mbi thëngjij të ndezur si akrobatët më të mirë të jetës. E në gjithë këtë stërvitje të pareshtur, të përditshme, të përnatshme e të kudogjendur, dallon mes të gjithëve, mes atyre që dorëzohen e largohen, ata që të mikpresin dhe të buzëqeshin, qëndrojnë dhe rezistojnë, pavarësisht çdo gjëje.

Nuk është e lehtë të jetosh në Shqipëri sepse Shqipëria nuk është për të gjithë. Të vë në provë në të panumërtat aspekte të jetës, të vë para vështirësive të pamenduara në një vend tjetër rreth-e rrotull, ashtu si dhe papritur të zgjidh problemet sa hap e mbyll sytë.

E meqë është kthyer në modë edhe Odiseu me aventurat dhe metaforën e simbolikat e jetës, ja, kështu janë shqiptarët për Shqipërinë: banorë të lashtë që duhet t’i rezistojnë provave dhe tundimeve, lajkave dhe provokimeve, kurtheve e padrejtësive për të qëndruar… të qetë në shtëpi.

  •  

Përgjegjësia e madhe e Drejtësisë së re për të lehtësuar situatën

Nga Alba Malltezi

Drejtësia e re ka pasur kohën e duhur për të parë mirë aty ku askush prej nesh e ka pasur mundësinë të arrijë: në nënshtresat e fshehta të elitës politike dhe sipërmarrëse, duke zbuluar sekrete të parrëfyera më parë. E gjithë Shqipëria e stërmunduar në tranzicionin e gjatë e meriton të dijë me saktësi se kush e ka dëmtuar atë dhe interesat publike, por në të njëjtën kohë, edhe kush nuk e ka bërë aspak duke respektuar ligjin dhe Shtetin.

Shqiptarët duhet të kenë përgjigje të sakta për të shmangur hamendësimet e shumta që u hodhën edhe me parulla e fotografi shumëngjyrëshe në bulevard, ku krahas atyre që mund të kenë bërë, shpesh u kryqëzuan dhe njerëz që asgjë të keqe nuk kanë bërë as për vendin, as për askënd. Fresku i vjeshtës duhet të sjellë dritën e duhur të një drejtësie të ftohtë dhe profesionale, e cila duhet ta ketë forcën të fshijë recitime patetike të ndërtuara me mjeshtëri në vite që shpesh frymëzohen nga keqinformimi apo dashakeqësia personale dhe të nxjerrë me forcën e ligjit në dritë atë që Drejtësia e re ka parë dhe ka gjetur me të vërtetë në “minierat” e pasurive dhe të llogarive të zyrtarëve dhe individëve të lidhur me ta.

Shqipëria nuk e ka shumë luksin të sfilitet nga kush ka dëshirën të vazhdojë të përziejë në një tas të fajshëm e të pafajshëm siç është bërë deri tani me qëllime shumë të caktuara, ku pak nga ata që bëjnë në të vërtetë tërheqin shumë të tjerë për të thënë që jemi të gjithë njësoj!

Jo! Nuk jemi atë gjithë njësoj! Drejtësia e re ka barrën dhe besimin për të vazhduar tregimin e nëntokës sonë si me “qypat” e fshehur, po ashtu dhe farat e vlefshme që nga shumë shqiptarët e mirë në vite mbjellin për një vend më të barabartë.

Drejtësia e re është një shkallë më e lartë e evoluimit tonë pikërisht për të larguar perceptimet e gabuara mes nesh dhe dëshirat primitive për vetëgjyqësi.

  •  

E pavërteta për Kosovën që Dua Lipa mësoi nga Lea Ypi

Nga Desada Metaj

Nuk ka temë më të ndjeshme për një shqiptare nga Kosova sesa historia e Kosovës. Prandaj nuk është pa rëndësi se çfarë dëgjuan miliona njerëz kur Dua Lipa i kërkoi shkrimtares Lea Ypi t’i shpjegonte historinë moderne të Shqipërisë. Ajo që nisi si një bisedë për të ndihmuar publikun ndërkombëtar të kuptonte Shqipërinë, përfundoi duke përcjellë një interpretim të diskutueshëm të një prej momenteve më vendimtare të historisë shqiptare: prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Podkasti i Dua Lipës me shkrimtaren Lea Ypi u bë viral në Shqipëri për shkak të pyetjes së këngëtares me origjinë nga Kosova mbi protestat qytetare dhe situatën aktuale në vend. Megjithatë, ndërsa vëmendja publike u përqendrua te aktualiteti politik, pak kush ndaloi te minutat e para të bisedës, aty ku miliona dëgjues në mbarë botën dëgjuan një version të historisë së Shqipërisë që ngre pikëpyetje serioze.

Në përgjigje të kërkesës së Dua Lipës për të bërë një përmbledhje të historisë moderne të Shqipërisë, Lea Ypi shpjegon se prishja e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë lidhej me nacionalizmin shqiptar, duke argumentuar se Enver Hoxha nuk pranoi të hiqte dorë nga Kosova dhe se Tito nuk pranoi t’ia bashkonte Kosovën Shqipërisë. Më pas, sipas saj, Shqipëria u rreshtua me Bashkimin Sovjetik.

Historia e marrëdhënieve Shqipëri–Jugosllavi nuk mund të shpjegohet në mënyrë kaq simpliste, sidomos në një podcast me audiencë ndërkombëtare si ai i Dua Lipës.

Thelbi i prishjes së marrëdhënieve nuk ishte nacionalizmi shqiptar dhe as Kosova, por përplasja gjeopolitike mes Josip Broz Titos dhe Josif Stalinit në vitin 1948. Shqipëria dhe Enver Hoxha u gjendën në mes të këtij konflikti dhe zgjodhën të rreshtoheshin me Bashkimin Sovjetik.

Deri në atë moment, vetë Enver Hoxha kishte ndërtuar një varësi të thellë politike dhe ekonomike nga Jugosllavia. U nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim ushtarak, bashkim doganor, koordinim ekonomik, afrimin e monedhave dhe integrimin e politikave shtetërore. Kundërshtarët e kësaj linje, si Nako Spiru, u goditën politikisht.

Po aq domethënës është fakti se vetë Enver Hoxha, në Plenumin e Komitetit Qendror të PKSH-së të mbajtur më 18–20 dhjetor 1946, deklaronte se çështja e Kosovës “nuk është momenti” dhe se “na duhet Jugosllavia”, ndërsa shprehej se shqiptarët e Kosovës gëzonin të drejta brenda Jugosllavisë.

Në atë mbledhje ai mbronte me forcë afrimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, duke mbështetur semarrëveshjet që parashikonin mbrojtje reciproke, bashkim doganor, heqjen e kufijve dhe të taksave, afrimin e monedhës shqiptare me atë jugosllave, si edhe integrimin ekonomik e politik të dy vendeve. “Në praktikë, politika dhe ekonomia vazhdojnë së bashku”, deklaronte Hoxha në atë kohë.

Madje, lidhur me Kosovën, ai shprehej: “Për ata anëtarë partie apo për popullin që thonë ‘ç’bëhet me Kosovën’, nuk është momenti. Nuk është progresive! Na duhet Jugosllavia! Populli i Kosovës i ka të gjitha liritë, ai ka marrë tokën, kanë shkolla, jemi miq të mirë.”

Këto qëndrime tregojnë se udhëheqja shqiptare, të paktën deri në prishjen Tito–Stalin, nuk e ngriti çështjen e Kosovës si pikë përplasjeje me Beogradin. Përkundrazi, vetë Enver Hoxha e konsideronte prioritet strategjik afrimin me Jugosllavinë.

Prandaj, të thuhet se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë u prishën për shkak të nacionalizmit shqiptar dhe refuzimit të Titos për t’i bashkuar Kosovën Shqipërisë është një interpretim që bie ndesh me dokumentet e periudhës. Kosova ishte pjesë e kontekstit historik, por prishja erdhi si pasojë e konfliktit mes Titos dhe Stalinit, që ndryshoi gjithë arkitekturën politike të bllokut komunist.

Pikërisht për këtë arsye, standardi për një autore si Lea Ypi duhet të jetë shumë më i lartë. Kur je profesore në një universitet prestigjioz britanik, autore bestseller-ësh dhe flet në një platformë globale si ajo e Dua Lipës, nuk ke luksin ta reduktosh një nga nyjet më të ndërlikuara të historisë shqiptare në një fjali që nuk i reziston dokumenteve. Historia nuk është marketing dhe as material për podkaste. Ajo kërkon saktësi. Përndryshe, rrezikon që miliona njerëz të largohen nga biseda jo më të informuar, por më të keqinformuar.

  •  

Review-t e rreme nuk rrëzojnë regjime. Vetëm e largojnë protestën nga beteja e saj e vërtetë

Nga Desada Metaj

Ka një arsye pse protestat qytetare kërkojnë më shumë durim sesa protestat partiake. Partitë luftojnë për pushtet. Protestat qytetare luftojnë për besueshmëri. Një parti mund të fitojë zgjedhjet edhe pa ndryshuar mënyrën si bëhet politikë. Një protestë qytetare e humbet arsyen e ekzistencës në momentin që fillon të përdorë të njëjtat metoda që ka dalë të kundërshtojë. Pas 41 ditësh, ky duket të jetë testi i parë i madh i protestës më të bukur dhe më jetëgjatë që ka njohur tranzicioni shqiptar.

Por ky nuk është testi i vetëm. Pas 41 ditësh, një protestë nuk mund të jetojë vetëm me refuzimin e sistemit. Nëse në ditët e para mjaftonte zemërimi për të mbledhur mijëra njerëz në shesh, sot si ata që protestojnë, ashtu edhe ata që e mbështesin nga larg, kanë nevojë të shohin drejtimin që kjo lëvizje do të marrë. Askush nuk pret domosdoshmërisht një parti të re. Të gjithë presin një kulturë tjetër politike. “Rama në burg, Berisha në burg” janë slogane që sot bashkojnë shumë shqiptarë. Por sloganet nuk mjaftojnë për të ndërtuar një mënyrë të re të të bërit politikë dhe as për të drejtuar vendin. Pas 41 ditësh është momenti që energjia e krijuar në shesh të fillojë të kristalizohet në ide, alternativa dhe njerëz që mund t’i japin besueshmëri ndryshimit. Pikërisht kjo është ajo që e dallon një revoltë nga një alternativë.

Historia e viteve të fundit ka treguar se në Shqipëri nuk kanë munguar protestat. Ajo që ka munguar është aftësia për ta kthyer protestën në një model tjetër politik. Një protestë nuk fiton kur arrin të bëjë atë që bën pushteti. Fiton kur arrin t’u tregojë qytetarëve se ekziston një mënyrë tjetër për të bërë politikë. Nëse e vetmja alternativë ndaj Ramës është të përdorësh metodat e Ramës, atëherë ndryshon vetëm emri i fituesit, jo modeli i qeverisjes.

Në këtë prizëm duhen parë edhe thirrjet për të bombarduar me review të rreme bizneset që konsiderohen pranë qeverisë. Mund të duken si një kundërgoditje e zgjuar, por në thelb janë një devijim nga beteja e vërtetë.

Ndoshta nuk është patronazhizëm në kuptimin klasik të fjalës. Por është i njëjti mentalitet. Patronazhisti nuk është problem vetëm sepse mbledh të dhëna. Problemi është se e trajton qytetarin jo si individ të lirë, por si objekt manipulimi politik. E njëjta logjikë shfaqet edhe kur një grup vendos të përdorë review të rreme për të goditur kundërshtarin. Në të dyja rastet nuk synohet bindja me argumente, por deformimi i realitetit për të prodhuar një rezultat politik.

Dhe ndërsa e gjithë energjia zhvendoset drejt kësaj beteje virtuale, rrezikon të humbasë fokusi mbi atë që duhej të ishte vetë kauza e protestës.

Të merresh me review-t është si të arrestosh shpërndarësin e drogës dhe të lësh të lirë kartelin.

Ndërsa të gjithë janë të zënë duke numëruar yjet në Google, “elefanti” vazhdon të rrijë në mes të dhomës. Problemi nuk është nëse një hotel ka pesë yje apo një. Problemi është nëse ai hotel është ngritur me para të pista. Nëse pas tij qëndrojnë lidhje me krimin. Nëse politika i ka kthyer oligarkët në partnerë dhe oligarkët politikën në investim. Ky është debati. Jo komentet në Google.

Pikërisht këtu duhet të përqendrohet presioni i një proteste që pretendon të ndryshojë sistemin, sepse këtu ndodhet nyja që e mban sistemin në këmbë: krimi që financon politikën, politikanët që mbrojnë biznesin klientelist dhe një pjesë e medias që ushqehet nga e njëjta skemë. Dy dosjet e fundit të SPAK-ut kanë nxjerrë mjaftueshëm fakte për të treguar sesi miliona euro me origjinë kriminale nuk kanë përfunduar në banka offshore, por në betonin që shohim çdo ditë në Tiranë dhe në Jug të Shqipërisë. Pikërisht aty duhet të jetë beteja e një proteste që pretendon të ndryshojë sistemin. Duke thënë të vërteta troç, duke renditur fakte dhe pa kursyer askënd.

Një alternativë e re qytetare nuk mund të ndërtohet duke kopjuar sistemin që pretendon se do të rrëzojë. Nuk mund të ketë listat e saj të “miqve” dhe “armiqve”, që zëvendësojnë njëra-tjetrën sipas oreksit të shefit të radhës. Lista e vetme që duhet të ketë rëndësi është ajo e drejtësisë dhe verdikti i saj, i pranuar njësoj për të gjithë.

Historia shqiptare ka treguar se rrëzimi i një njeriu nuk ka qenë kurrë problemi. Problemi ka qenë se bashkë me njeriun nuk është rrëzuar kurrë mentaliteti. Prandaj dita e 41-të nuk është testi nëse protesta mund ta rrëzojë Ramën. Është testi nëse mund të ndërtojë një kulturë politike që nesër të mos prodhojë një Rama tjetër. Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një qeveri tjetër. Ka nevojë për një mënyrë tjetër të të bërit politikë. Nëse protesta arrin ta ndërtojë këtë, atëherë do të ketë fituar diçka shumë më të madhe sesa largimin e një kryeministri. Nëse jo, do të kemi ndryshuar edhe një herë emrat, por jo historinë.

  •  

Ivanka Trump dhe pak… Labëri në jetën perfekte të saj

Nga Alba Malltezi

Ivanka Trump ka një jetë perfekte dhe një familje perfekte! Si një kartolinë e përkryer. Por tamam ashtu si në një nga filmat më të bukur që janë realizuar ndonjëherë, “Greku Zorba”, Anthony Quinn, duket sikur del nga pelikula bardh e zi këtë herë si lab, për të bërë batutën jo nga minierat në Kretë dhe me xhentëllmenin anglez, por me Labërinë dhe me Ivanka Trump: “Zonjë, – do të thonte aktori hollivudian. – Ju i keni të gjitha në jetë! Jeni kaq e sjellshme, kaq e bukur, kaq e pasur, kaq e fuqishme… por ju mungon një gjë! Juve zonjë ju mungon pak… labëri!”. Isot e lebërve, dollitë e tyre, romuzet e tavolinave, aroma e detit dhe era që gdhend hundë -shkabë e nofulla të gjëra si copëza shkëmbi… “Juve zonjë, ju duhet pak çmenduri labi!”

Ivanka dhe Kushner duan të bëjnë një investim shumë të rëndësishëm në Shqipëri, por do të merrnin pa dyshim një pasuri njerëzore që ruhet ende e paprekur në forma e zakone, në një vitalitet të sinqertë e të drejtpërdrejtë që do t’ja shpurpuriste flokët e kuruar nga stilistët më të mirë! Labëria ruan një thesar të paçmuar përtej bregut dhe maleve që Zoti ja ka dhuruar.

Nëse të gjithë në Shqipëri shohim me skepticizëm çdo të huaj që na afrohet, në Labëri, çdo ves e virtyt i yni shumëzohet me 100! Besimi dhe mosbesimi, mikpritja dhe dëbimi, ndërtimi dhe shkatërrimi, urrejtja dhe dashuria; por nëse labi kapet në ditën e tij më të mirë, hap zemrën siç di ta bëjë vetëm ai. A ka trokitur siç duhet Ivanka Trump në Labëri? Eshtë e lehtë ta kuptojmë nëse do t’i shohim bashkë në një iso-polifoni, mbi tullat e para në themelet e rezortit në brigjet e Vlorës, që është zemra e Labërisë. Ose… diku tutje…

  •  

Si mund ta durojnë ende demokratët një poshtërim të tillë nga Sali Berisha?

Nga Alba Malltezi

Dëgjojmë lloj lloj shfryrje dufi të anëtarëve të Partisë Demokratike kundër partisë në pushtet dhe deri këtu jemi brenda normalitetit të ndodhisë së ngjarjeve: Opozita është opozitë dhe natyra e saj është kundërshtimi me çdo kusht e mjet i politikave të qeverisjes. Deri diku u mësuam dhe me shpifjet dhe sharjet e një “maestroje” si Sali Berisha, që me fantazinë më të shfrenuar që kemi parë prej tij e prej më të besuarve që e rrethojnë, me lehtësi arrijnë t’i thonë të zezës së bardhë dhe të bardhës të zezë, hajdutit të ndershëm, e të ndershmit hajdut, kriminelit të pastër e të pastrit kriminel.

Shpresuam që drejtësia e re do ta çonte në normalitet këtë anomali alla shqiptare, po ende asgjë e re në horizontin e “pikave mbi i”, e derisa të ndodhë, do të duhet të shohim se deri në ç’pikë Sali Berisha do të vazhdojë të poshtërojë më të besuarit e tij.

Spektakli i trishtuar i “garës” për rizgjedhjen e Sali Berishës në krye të partisë, nuk do të kishte ndonjë gjë më të veçantë nga ajo që shohim  në partitë e tjera shqiptare, të cilat po privatizohen nga një individ. Por në PD, tragjedi-komedia nis kur disa anëtar të kësaj partie, “guxojnë” të tentojnë të kandidohen për ndryshimin e lidershipit të Partisë. Si guxojnë? Çfarë? Të konkurrojnë përballë liderit suprem? Dhe këtu spastrimet, linçimet, përjashtimet, akuzat, shpifjet, lidhjet me qeverinë, krimin, mediat e shitura, prodhohen si “simite” sade nga vetë Sali Berisha dhe “anestezistët” që vazhdojnë t’ja mbajnë tubin e jetës politike ende në rianimacion.

Nuk paskan një limit vuajtjet e atyre që besuan dhe besojnë në idealet e djathta, apo qoftë antiramë, në Partinë Demokratike. Heqja e mundësisë, edhe formalisht, të një gare pluraliste, është më qesharakja e qesharakeve që mund të shihej ndonjëherë nga një parti, nëse PD vazhdojmë ta konsiderojmë ende të tillë.

Ndërkohë reanimatorët e doktorit vazhdojnë të pompojnë oksigjen pa fund për të. Edhe për sa kohë?

  •  

Puthja që ju shkatërroi planet ose si Robert Ndrenika rrëmbeu tapetin e kuq

Nga Alba Malltezi

I njëjti cunam do të ishte ngritur nëse një tjetër aktor apo aktore e madhe do të shkonte në gjyq dhe do të puthte apo do të përqafonte ta zëmë Ilir Metën, apo Sali Berishën, por Robert Ndrenika prishi planet. Sepse një aktor i madh bën pikërisht këtë: Rrëmben vëmendjen e tapetit të kuq pikërisht në kohën e duhur, në vendin e duhur, në momentin e duhur.

Mjeshtri i skenës na e dha një shuplakë të gjithëve që të kamufluar nën petkun e “ëndrrimtarëve të drejtësisë” nuk po bëjmë tjetër gjë veçse interpretimin më të shëmtuar që bënë të parët tanë në të tmerrshmet vite të pasluftës së Dytë Botërore: Etja e verbër për të ekzekutuar pa avokatë e pa gjyqe transparente ata që mendojmë se kanë gabuar; identifikimin e njeriut dhe poshtërimin e tij me gabimet që mendojmë se ka kryer. Por një njeri nuk është vetëm gabimi i tij. Një njeri, jashtë burgut dhe përtej gjykatës është dhe qënia që meriton të lihet në qetësinë njerëzore.

“Mbajeni dorën”! Ishte thirrja e dëshpëruar e aktorit në një prej roleve të tij më të fundit që na e dhuroi si një spektakël për t’u zgjuar, për t’i thirrur mendjes. “Mbajeni dorën” sepse këto gabime që po bëjmë i kemi bërë në të shkuarën: Po mohojmë njerëz, po fshehim procese, dokumente, fakte, po shfryjmë urrejtje për hatërmbetje të së shkuarës: Nuk më punësoi, nuk më foli, nuk më dha shtëpi, nuk më bëri rrugën, më prishi teatrin, nuk më pëlqen politikisht, më ofendoi, etj. etj. Por të gjitha këto nuk mjaftojnë për të linçuar askënd, të gjitha këto nuk justifikojnë etjen për “gjak” që shihet në sy politikanësh, në debate mediash, në ekzekutime social mediash dhe në etiketime veprimesh individësh të lirë në kohët më të lira që një shqiptar ka provuar.

Dhe pikërisht në këtë liri maksimale secili prej nesh duhet të vetëpërmbahet e t’i vendosë ai dhe vetëm ai vetes etikën dhe moralin që nuk duhet të cënojë askënd prej atyre që dretësisë iu janë dorëzuar.

I madhi Robert Ndrenika u bëri një prej shërbimeve më të vlefshme, jetësore disa shqiptarëve, të cilët ende shkojnë në grupe nëpër kafenera vetëm nga frika që të mos jenë ata të përfolurt e radhës. Por njëkohësisht, u bëri një shërbim të vlefshëm edhe artistëve shqiptarë, duke rrëmbyer tapetin e kuq të vëmendjes, të zotëruar në gjithë e gjithë këto vite prej politikanëve.

  •  

Berisha mes dy qëndrimeve: Raportin e BE-së e quan program të opozitës, ndërsa shpall “armik” të PD ambasadorin e BE-së

Nga Desada Metaj

Për një javë me radhë, Sali Berisha akuzoi median se nuk po pasqyronte siç duhet raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Kreu i PD-së deklaroi hapur se pikërisht ai raport do të shërbente si program politik i opozitës, duke e paraqitur dokumentin e Brukselit si provën më të fortë të dështimeve të qeverisë Rama.

Por vetëm pak ditë më vonë, në një bashkëbisedim me qytetarët, Berisha sulmoi ashpër ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, duke e akuzuar se sillet “si ambasador i Edi Ramës” dhe se ka përcjellë në Bruksel “trillime” kundër opozitës.

“Përsa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur, ky sillet si me qenë ambasador i Edi Ramës. Ky zotëri, në mënyrë të vërtetuar ka transmetuar në Bruksel trillimet më të pavërteta ndaj opozitës. Sikur opozita nuk është për integrimin europian. Dhe se kur diskutohej në Këshill se pse nuk i hiqet imuniteti Ballukut, shkëlqesia e tij Gonzato thotë se ‘ky është interpretim shqiptar i imunitetit’. Ne jemi ata që i themi gjërat hapur dhe është përpjekur në shumë mënyra të paraqesë opozitën si jo të orientuar drejt integrimit. Ka dështuar. Eksponentë të rëndësishëm ia kanë bërë të qartë në prani të të gjithëve se opozita dhe PD është e orientuar drejt integrimit të Shqipërisë drejt BE. Ndaj dhe ai ka bërë zgjedhjen e vet, është unifikuar komplet me Edi Ramën”, deklaroi Berisha.

Kontrasti politik bëhet i dukshëm: nga njëra anë, raporti i Komisionit Europian shpallet “program” i opozitës; nga ana tjetër, ambasadori i vetë Bashkimit Europian në Tiranë akuzohet si i njëanshëm dhe i lidhur me qeverinë.

Kjo krijon një paradoks politik për opozitën: si mund të përdoret raporti i BE-së si busull politike, ndërkohë që përfaqësuesi zyrtar i BE-së në Shqipëri shpallet praktikisht pjesë e propagandës së pushtetit?

  •  

Sali Berisha, “neni Basha” dhe përpjekja e radhës për të mbajtur peng PD-në

Nga Desada Metaj

Kur një lider politik, në prag të zgjedhjeve brenda partisë së tij, nuk merret me programin, me vizionin apo me bindjen e anëtarëve, por fokusohet ekskluzivisht në eliminimin e kundërshtarëve, kjo nuk është shenjë force — është simptomë e një dobësie të thellë. Sali Berisha, në muajt e fundit, para “rizgjedhjes” ka ndjekur me një sistematizëm të ftohtë një strategji të vetme:vetëpërjashtimin e atyre që nuk i binden, përjashtimin e drejtpërdrejtë të të tjerëve, organizimin e protestave pa synim real politik — thjesht për të mpirë demokratët dhe për t’i mbajtur larg çdo guximi për të thënë të vërtetën e hidhur për të — dhe, si përfundim i gjithë kësaj, ecjen drejt një gare pa kundërshtar. Një arkitekturë e pastër frike dhe jo fitoreje.

Megjithatë, rizgjedhja e Berishës nuk do të jetë aq e qetë sa mund të duket në sipërfaqe. Ekziston një pengesë juridike, e cila — pavarësisht se injorohet me vetëdije — nuk zhduket vetëm sepse nuk përmendet. Në statutin e PD-së, i hartuar, me një ironi të plotë, nga vetë Berisha, ekziston një dispozitë (neni 46 i statutit) e njohur zakonisht si “neni Basha”, por që sot i rikthehet autorit të saj si bumerang. Formulimi është i qartë dhe pa ekuivok: kush humb zgjedhjet, largohet automatikisht nga detyra dhe nuk mund të kandidojë më. Nuk parashikohet asnjë procedurë ankimimi, asnjë hapësirë interpretimi, asnjë mundësi shmnagie. Është një verdikt pa apel.

Dhe pikërisht këtu historia merr një kthesë ironike, nga ato që vetëm koha di t’ua rezervojë atyre që besojnë se janë mbi rregullat. Vetë Berisha, në vitin 2013, kishte deklaruar me solemnitet: “mon départ est sans retour”. Ikja ime është pa kthim. Në atë kohë ishte një frazë retorike, sepse largimi varej nga vullneti i tij dhe ai e dinte këtë. Sot, me statutin që ai vetë ka hartuar, ajo frazë është shndërruar në normë juridike. Kthimi apo mosrikthimi nuk është më çështje vullneti por është çështje zbatimi të rregullave. Edhe kur rregullat shpërfillen, ato vazhdojnë të ekzistojnë dhe të prodhojnë pasoja: ligjore, politike dhe morale.

Akti i parë tashmë është vënë në lëvizje. Kandidatja Alesia Balliu ka depozituar një kërkesë formale, të thjeshtë dhe pa ndërlikime të panevojshme teknike: zbatimin e statutit. Konkretisht, konstatimin e faktit se Berisha nuk është kryetar i PD-së të paktën që nga data 4 shtator 2025 — dita kur KQZ certifikoi zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, ku Berisha rezultoi humbës si asnjëherë tjetër në 35 vite karrierë politike.

Është e rëndësishme të theksohet natyra e kësaj nisme juridike. Ndryshe nga Berisha i dikurshëm në luftën me Bashën — i cili, sa herë ndjehej i kërcënuar, i drejtohej menjëherë gjykatës, pa pyetur për institucionet e brendshme të partisë, duke vënë në lëvizje gjithë aparatin e tij juridik dhe të famshmin “Zhukri” si instrument presioni — Balliu po ndjek me përpikëri rrugët e brendshme statutore. Pa zhurmë, pa spektakël, pa kërkim audience. Me këmbëngulje të lavdërueshme që do ia kishte zili dhe vetë Berisha. Kërkon thjesht zbatim të rregullave ashtu siç janë shkruar. Në vetvete, pavarësisht rezultatit, ky akt përbën një leksion të parë dhe simbolikisht të fuqishëm kundër Berishës: rregullat dhe institucionet, edhe në parti, respektohen, para se t’i drejtohesh gjykatës.

Megjithatë, realiteti i brendshëm i PD-së nuk lë shumë hapësirë për optimizëm naiv. Kërkesa e Balliut, me shumë gjasë, ka rënë në vesh të shurdhër. Ndoshta është hedhur në kosh që ditën e parë, si një dokument që më mirë të mos preket fare. Mëkëmbësi i Berishës, Flamur Noka, vështirë se mund të përfytyrohet si rojtar i statutit. Dhe kjo nuk është për t’u habitur: në një parti ku institucionet ekzistojnë formalisht, dhe funksionojnë si dekor, ku rregullat shkruhen për t’u shkelur fare pa elegance, pritshmëria për zbatim vullnetar është, në rastin më të mirë, një formë naiviteti. Kryesia e partisë, nga ana e saj, nuk duket se do marrë peshën e përgjegjësisë që i takon. Ajo është e përbërë nga dy grupime. I pari përfaqëson oportunistët që iu bashkuan vonë Berishës, që nënqeshin hidhur me vuajtjet e demokratëve dhe ndaj këtyre situatave groteske në pritje që partia të bjerë ne duart e tyre pas ikjes natyrale të Berishës. Grupi i dytë janë besnikët e palëkundur të orës së parë, të cilët janë shndërruar ndër vite — me vetëdije ose jo — në eunukë politikë. Mund të ndjejnë se diçka nuk shkon, madje mund ta dinë, por nuk kanë as kapacitetin intelektual dhe as guximin për t’ia thënë liderit të tyre, situatën deri dhe qesharake ku po zhytet kapiteni dhe anija e tyre me flamuj te rreckosur.

Të jemi të qartë. Zgjedhjet e paracaktuara do të zhvillohen.Dhe Berisha do rizgjidhet për të disatën herë në krye të asaj partie gjithnjë edhe më e rrudhur. Me gjasë në shkelje të hapur të statutit, pa kundërshtar real, me gjithë aparatin e brendshëm të mobilizuar në funksion të rezultatit të dëshiruar, që do jetë diku te 90% të pjesëmarrjes. Berisha sërish do të premtojë betejën finale për të rrëzuar “regjimin” e Ramës — një premtim i përsëritur çdo vit gjatë katër viteve të fundit, me të njëjtin intensitet dhe me të njëjtin rezultat: zero. Kësaj radhe edhe me xhufkë.

Sigurisht ndoshta ndonjë nga kuadrot rreth tij — ai tip njeriu që “njeh” statutin dhe ligjet, duke e konsideruar njohjen si privilegj personal — mund t’i sugjerojë në vesh Berishës mënyrën për të shmangur pengesën formale të Balliut dhe mbështetësve të saj. Zgjidhja është e njohur: një votë e Këshillit Kombëtar, pa pyetur anëtarësinë, për të ndryshuar statutin dhe hequr qafe “nenin Basha”. Vetë ky mekanizëm tregon nivelin e thellë të centralizimit dhe deformimit institucional. Por edhe nëse zbatohet, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do ta thellojë absurditetin dhe groteskun — duke ndryshuar rregullat për të mbuluar shkeljen e rregullave.

Pavarësisht gjithçkaje, ekziston një dimension që nuk duhet humbur nga vëmendja. Kushdo që guxoi të kandidojë dhe u përjashtua, u vetëpërjashtua apo u shpall i padëshirueshëm, e ka fituar tashmë betejën e vet me Berishën — jo betejën zgjedhore, por atë simbolike dhe politike, e cila ka një peshë shumë më të madhe.

Ata kanë nxjerrë në pah diçka që shumëkush e dinte, pak e artikulonin dhe askush nuk e dokumentonte kaq qartë përmes sjelljes publike: ky “burrë i fortë politik”, ky “luftëtar i paepur”, ky njeri i “betejave legjendare”, që ka mbajtur Shqipërinë në tension në momente historike, ky politikan që ka dominuar jetën politike për gjysmë shekulli — në thelb rezulton thjesht një frikacak i vogël. E gjithë forca e tij, gjithë legjenda e ndërtuar ndër dekada, buron nga një akt i vetëm, i përsëritur pa pushim: mbajtja me çdo kusht e një karrigeje në krye të PD-së, duke u ushqyer vazhdimisht me aspiratat, shpresat dhe kontributin e mijëra demokratëve të sinqertë, të cilët kanë paguar me koston e jetës së tyre politike besimin e dhënë gabimisht. Një ndëshkim më i madh, në pleqërinë e tij politike, vështirë se mund të imagjinohej.

Dhe megjithatë, edhe në këtë situatë, rruga gjyqësore mbetet e hapur dhe meriton të ndiqet — qoftë edhe si një betejë idesh dhe parimesh, përtej rezultatit praktik.

Sepse vlera e kësaj rruge shkon përtej çështjes teknike se kush do të jetë kryetari i radhës apo nëse zgjedhjet do të zhvillohen sipas rregullave statutore. Beteja e vërtetë — ajo me peshë historike dhe politike — është kjo: a do ta marrë Berisha me vete në varrin e tij politik PD-në, apo partia do të arrijë të mbijetojë përtej tij?

Rruga gjyqësore nuk është e vetmja zgjidhje. Por është, ndoshta, një nga mundësitë e fundit për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, përpara se historia ta japë vetë përgjigjen, me brutalitetin e saj të zakonshëm.

  •  

Nga dyert e mbyllura te dera e gjykatës: Karma e PD-së dhe beteja që tani mund zhvendoset sërish në sallë gjyqi

Nga Desada Metaj

Pamjet e sotme para selisë së PD, ku disa ish-funksionarë dhe ish-anëtarë të Partisë Demokratike Durrës u përballën me dyert e mbyllura të selisë së tyre, sollën në kujtesë skena që kjo parti i ka parë jo shumë kohë më parë. Ironia e historisë është pothuajse cinike: të njëjtët njerëz që dikur qëndronin në krah të Sali Berisha në përplasjen e tij me Lulzim Basha, sot ndodhen në anën tjetër të derës – të përjashtuar, të papranuar, të anatemuar. Një rikthim i asaj që në gjuhën popullore përmblidhet me një shprehje të thjeshtë: karma is a bitch.

Por përtej dimensionit anekdotik dhe simbolik të kësaj përmbysjeje rolesh, ngjarja e Durrësit është shumë më tepër sesa një episod i izoluar. Ajo është pasqyra më e qartë e një fenomeni më të thellë dhe më shqetësues: institucionalizimi i përjashtimit si mjet politik brenda një partie që, të paktën në teori, duhet të funksionojë mbi parime pluralizmi dhe gare të brendshme.

Prej muajsh tashmë, Partia Demokratike po përjeton një valë përjashtimesh që godet çdo individ që shfaq, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, shenja mospajtimi apo ambicieje për sfidë. Ky është një zhvillim i pazakontë edhe për standardet e vetë kësaj partie, e cila historikisht nuk ka qenë model i demokracisë së brendshme.

Paradoksi është i dukshëm: në një parti ku shumica e aktorëve e pranojnë, në mënyrë të heshtur apo të hapur, se lidershipi është i pakontestueshëm dhe se rezultati i çdo gare është i paracaktuar, nervozizmi dhe agresiviteti i lidershipit nuk kanë qenë kurrë kaq të theksuara. Madje, është zhdukur edhe nevoja për të simuluar një proces formal legjitimimi përmes një gare të kontrolluar – një praktikë që të paktën ruante një fasadë procedurale.

Shpallja e një gare për kryetar, disa javë më parë, u shoqërua me deklarime publike nga disa figura të partisë për të kandiduar. Në kushte normale, kjo do të ishte një shenjë e shëndetit demokratik të një organizate politike. Por në realitetin aktual, vetë këta kandidatë duken të vetëdijshëm se gara është më shumë një formalitet sesa një proces real konkurrimi.

Megjithatë, pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia e tyre bëhet edhe më e madhe. Nëse ata e kanë seriozisht sfidën ndaj lidershipit, atëherë reagimi i tyre duhet të jetë proporcional me sulmet dhe përjashtimet që u bëhen. Përndryshe, rrezikojnë të reduktohen në figura dekorative – në një alibi të dobët për një proces të paracaktuar.

Në çdo parti politike funksionale, konfliktet e brendshme kanë dy rrugë zgjidhjeje: përmes mirëkuptimit politik ose përmes institucioneve të brendshme. Në rastin konkret, të dyja këto rrugë duken të mbyllura.

Etiketimet publike si “bashkëpunëtorë të kundërshtarit”, “të shitur” apo “të kapur nga krimi” kanë djegur çdo urë mirëkuptimi. Ndërkohë, institucionet e brendshme të partisë janë të paralizuara nga dominimi i vullnetit të një individi mbi çdo rregull formal.

Pamjet e funksionarëve lokalë që pretendojnë se janë përjashtuar pa u dëgjuar, pa prova dhe mbi bazën e thashethemeve, janë tregues i një degradimi institucional që nuk mund të relativizohet. Edhe nëse pranohet argumenti cinik se ata “po korrin atë që kanë mbjellë”, kjo nuk e zhbën faktin se janë viktima të një sistemi që mohon çdo standard minimal drejtësie të brendshme.

Në këtë situatë, ekziston një instrument i qartë juridik brenda vetë statutit të Partisë Demokratike. Neni 46, pika 8 – i ashtuquajturi “neni Basha” – parashikon se nëse partia humbet zgjedhjet, mandati i kryetarit përfundon automatikisht dhe ai nuk mund të rikandidojë.

Ky nen, i përdorur dikur si armë politike kundër Lulzim Bashës, sot mund të kthehet në një precedent që prek drejtpërdrejt Sali Berishën. Faktet janë të thjeshta: zgjedhjet u zhvilluan, Partia Demokratike mori pjesë, rezultatet u certifikuan dhe partia nuk doli fituese. Për më tepër, vetë përfaqësuesit e saj vazhdojnë të njohin institucionet që dolën nga këto zgjedhje, duke marrë pjesë aktive në procese parlamentare dhe reforma.

Argumentet se zgjedhjet ishin “farsë” apo “të pavlefshme” nuk kanë asnjë peshë juridike, as në statut dhe as në gjykatë. Ato mbeten thjesht narrativë politike për konsum të brendshëm.

Në mungesë të mekanizmave të brendshëm funksionalë, mbetet vetëm një rrugë: ajo gjyqësore. Ironikisht, është e njëjta rrugë që vetë Sali Berisha ndoqi për të marrë kontrollin mbi partinë, në një proces që përfshiu edhe vendime gjyqësore të shumëdiskutuara.

Prandaj, pamjet e sotme para selisë së PD mund të jenë vetëm hyrja e një kapitulli të ri: nga dyert e mbyllura të selisë te dyert e hapura të gjykatës. Nëse kundërshtarët e lidershipit vendosin të përdorin të njëjtin instrument që vetë Berisha përdori për të marrë partinë, atëherë beteja politike do të zhvendoset aty ku tashmë është zhvilluar edhe më parë – në sallën e gjyqit.

Argumenti se kjo mund të “ndihmojë kundërshtarin” apo të krijojë perceptim negativ është më shumë një alibi sesa një strategji. Në fund të fundit, vetë historia e fundit e kësaj partie dëshmon se beteja ligjore është jo vetëm legjitime, por edhe efektive.

Madje, çështja nuk lidhet vetëm me procesin zgjedhor të ardhshëm. Ka një problem paraprak: që nga certifikimi i zgjedhjeve nga KQZ, mandati i kryetarit aktual konsiderohet i përfunduar sipas statutit dhe vendi i kryetarit është vakant. Kjo e bën pozitën e drejtimit aktual të partisë, në termat më të butë, të diskutueshme juridikisht.

Në këtë pikë, dilema nuk është më procedurale, por thellësisht morale dhe politike. Të mos veprosh, në emër të një kujdesi të tepruar apo kalkulimi taktik, përbën rrezikun më të madh: delegjitimimin e vetes.

Nëse këta aspirantë përjashtohen, pengohen të garojnë dhe megjithatë nuk përdorin instrumentet ligjore në dispozicion, atëherë mesazhi që i dërgojnë publikut është i qartë: pakënaqësia e tyre nuk është parimore, por personale. Dhe në këtë rast, ata jo vetëm që humbasin betejën politike, por edhe kredibilitetin moral.

Situata në të cilën ndodhen sot këta kundërshtarë të lidershipit nuk le hapësirë për ambiguitet. Është një pikë pa kthim. Një test real, ku nuk mjaftojnë deklaratat publike apo retorika e brendshme.

Nëse synojnë drejtimin e një partie politike, duhet të provojnë se janë të aftë të përballen me konflikte reale dhe të përdorin instrumentet që vetë politika dhe ligji ofrojnë. Sfida është e dyfishtë: të kundërshtojnë përjashtimet e paligjshme dhe të sfidojnë legjitimitetin e rikandidimit të lidershipit aktual.

Kjo është rruga e vetme serioze, konkrete dhe dinjitoze. Një rrugë që nuk kalon nga dhuna apo kaosi, por nga ligji dhe parimi. Dhe ndoshta pikërisht aty do të mbyllet edhe ironia e madhe e kësaj historie: partia që përfundoi në gjykatë për t’u marrë, mund të përfundojë sërish në gjykatë për t’u sfiduar.

  •  

Ëndrra për fundin e Ramës dhe paaftësia për ta rrëzuar realisht qeverinë e tij

Nga Desada Metaj

Ngjarjet e fundit, në Shqipëri dhe përtej saj, kanë sjellë një impakt të fortë publik. Shoqëritë e trysnuara, të lodhura dhe të frustruara, në kërkim të një çlirimi të shpejtë, kanë një prirje të njohur: çdo zhvillim të rëndësishëm e përkthejnë menjëherë në “zgjidhje magjike” politike, sociale apo institucionale. I njëjti mekanizëm psikologjik, me një shpejtësi marramendëse, po vepron edhe në Shqipëri. Madje, këtu efekti është i fryrë artificialisht nga mënyra se si një opozitë e dobët, e paorientuar dhe e etur për pushtet po i trajton këto zhvillime.

Procedimi penal, masa e sigurisë dhe, më tej, kërkesa për heqjen e imunitetit ndaj Belinda Ballukut, përtej gravitetit real dhe juridik të çështjes, janë interpretuar nga opozita shqiptare si fundi i Edi Ramës. Sipas kësaj narrative, Rama qenka dorëzuar, qenka në negociata për fundin e tij politik dhe shumë shpejt do ta ndjekë fati i Ballukut. Madje në treg kanë dalë edhe emrat e parë të kryeministrave teknikë. Në këtë vorbull krejtësisht surreale, opozitarët shqiptarë sillen si oborrtarë në mbretërinë “post Rama”, ku secili projekton detyrën në qeverinë e ardhshme, ndërsa thjesht duket se kanë harruar se mbreti ka plot 83 mandate.

E njëjta mendjelehtësi shfaqet edhe në mënyrën si u trajtua arrestimi i Maduros. Me një analogji të varfër dhe qesharake, kjo ngjarje u transplantua menjëherë në realitetin shqiptar. Sipas një pjese të opozitës, Rama është gati të “rrëmbehet” nga dhoma e gjumit në Surrel dhe të degdiset diku, dhe me këtë rast amerikanët do t’u dorëzojnë çelësat e qeverisë te dera e Shqupit. Vështirësia më e madhe, sipas kësaj logjike, do të jetë zgjedhja mes Flamur Nokës apo Fatmir Mediut për ministër të Brendshëm.

Përtej arsyetimeve fëminore që shfaqin thuajse të gjithë këta opozitarë, një fakt mbetet i pamohueshëm: pafuqia e secilës opozitë, dhe e të gjithave së bashku, për ta mundur Ramën me forcat e tyre. Ngazëllimi, ndoshta jo krejt pa bazë, për fundin e modelit Rama të qeverisjes, ua ka nxjerrë më shumë se kurrë në pah paaftësinë politike. Dhe kjo nuk është shenjë e mirë. Të paaftë për ta rrëzuar vetë pushtetin, të pazotë për të mobilizuar shoqërinë, ata janë të rrezikshëm për nesër, nëse pushteti u bie rastësisht në dorë. Sepse, në thelb, nuk ofrojnë asgjë tjetër veçse oreks dhe makutëri për pushtet.

Ata që sot nuk arrijnë të mbledhin më shumë se 5 mijë vetë në shesh, kur të pakënaqur janë më shumë se 500 mijë, janë në garë për karrigen e Ramës dhe jo për të mundur modelin e tij. Dhe më të shëmtuar se Rama janë ata që për pafuqinë e tyre fajësojnë popullin që nuk i kupton, apo edhe më keq, që nuk i meriton sakrificat e këtyre palo politikanëve.

Pikërisht këtë model, me emra dhe ngjyra të ndryshme, po e ofrojnë edhe opozitarët e sotëm. Artikulimi i tyre politik ka rrëshqitur deri në grotesk: njëri guxon të shpallë emra kryeministrash të qeverive tranzitore; tjetri, si “ujk i vjetër”, kërkon të mos nxitohet me emra, por fillimisht të bashkohen opozitat, pastaj qeveria, pastaj pushteti; një i tretë shkëlqen me idenë “brilante” që të gjitha provat kundër Ballukut të bëhen publike, që “bota ta marrë vesh” çfarë ka bërë ajo.

Të dehur nga etja për pushtet, ata po artikulojnë që tani veset më të errëta të karakterit të tyre politik, bashkë me paaftësinë e tyre strukturore. Po shërbejnë në tigan fytyrën më të shëmtuar të zhvillimeve politike, juridike dhe sociale që e presin Shqipërinë, ndërkohë që peshku është ende në det.

Së pari, ajo që po ndodh në Shqipëri është një zhvillim qartësisht dhe ekskluzivisht juridik. Është zhvillim i drejtësisë. Dobësimi i Ramës vjen nga frika reale që ai ka ndaj saj dhe jo nga turmat para zyrës së tij. Është frika e atij që e di se drejtësia antikorrupsion është serioze, frontale dhe nuk fal askënd. Opozita nuk po e kupton se kjo goditje nuk synon thjesht Ramën apo qeverisjen e tij, por një model të tërë: modelin ballkanik të qeverisjes përmes korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Dhe si i tillë, ky proces nuk do të falë askënd.

Së dyti, i gjithë ky proces zhvillohet nën mbështetjen e qartë dhe shtytjen e partnerëve euroatlantikë. Ata që shkuan deri në Miraflores, deri te dhoma e gjumit e Maduros, për të çmontuar një regjim. Në Shqipëri, këtë operacion force po e kryen SPAK-u, ose më saktë euro-amerikanët përmes SPAK-ut. Dhe ata e dinë shumë mirë se ky investim historik në demokracinë shqiptare nuk bëhet për t’u “shitur” që nesër të vijë një Berisha, Lapaj apo Shehaj, të cilët shfaqin të njëjtat simptoma pushteti si Rama. Ajo që po ndodh është ndryshim regjimi në kuptimin e plotë të fjalës, jo një rotacion banal kastash politike.

Mjafton kjo për të kuptuar se sa të vegjël, sa të papërgjegjshëm publikisht dhe sa të varfër në arsyetim shtetëror po sillen politikanët e opozitës sonë. Sot, ata janë pjesa më e dhimbshme e realitetit politik shqiptar.

Ndërkohë që ata shohin ëndrra me ministra, kryeministra, tenderë, abuzim pushteti dhe interesa meskine, dikush duhet t’u thotë një të vërtetë elementare: Rama është ende në pushtet. Është i plagosur, por jo i rrëzuar. Ai ka ende 83 mandate. Partia Socialiste mbetet forca më e madhe politike në vend. Ai kontrollon buxhetin, administratën, rrjetet e krimit dhe perceptohet ende nga një pjesë e publikut si kryetar i shtetit. Dhe një pushtet i tillë, edhe i plagosur, nuk dorëzohet pa zhurmë dhe pa pasoja.

Prandaj, detyra sot nuk është të ëndërrohet për nesër. Detyra është të mendohet për të sotmen: si rrëzohet realisht Rama. Të mbështeten ata që e kanë vendosur sot Ramën në qendër të ringut, sepse ata janë çelësi i suksesit. Dhe mbi të gjitha, të hiqet dorë nga llogaritë personale për pushtetin e së nesërmes. Sepse ndryshe, ajo që do të vijë pas Ramës rrezikon të jetë thjesht Rama me emra të tjerë.

  •  

Drita

Nga Alba Malltezi   

Është shumë, shumë interesante se si besimet, që nga më të vjetrat mbi Tokë, përdorin me simbole dhe metafora ardhjen e Dritës dhe sundimin e saj pas errësirës. Për ata që besojnë dhe për ata që nuk besojnë është e thjeshtë: Drita sjell dituri, dituria sjell drejtësi dhe drejtësia sjell barazi, harmoni e kompensim të dhimbjes së pabarabartë mes njerëzve në glob. 

Por mbi të gjitha Drita sjell shpresë dhe durim, e sidomos këmbëngulje për rezistencë në momentet kur errësira, e pashmangshme dhe ritmike, bën udhëtimin e saj të radhës mes nesh. 

Kur shpesh sjell si shembull Shpellën e Platonit, ndërsa njerëz të lidhur me zinxhir shihnin në muret e shpellës të projektuar hijet e tyre dhe të objekteve që mendonin se ishin realiteti, jeta, bota; kur ata dalin jashtë saj, nuk besojnë dot atë që shohin papritur me sytë e tyre, atë që drita dhe bota u shpalos. 

Kanë kaluar mijëra vite kur Jezu Krishti përpiqej t’u jepte dritë njerëzve që të shihnin më mirë, përpjekjet janë kolosale dhe të përditshme nga më të mirët e shoqërisë që ndezin “qirinjtë” e tyre duke u përpjekur që cilido prej nesh të nxjerrë konkluzione sipas fakteve nën dritën reale të diellit. Kur sot habitemi për gjendjen në rrjete sociale, për urrejtjen, informacione fake, anë të papëlqyera të ekzistencës sonë njerëzore, mund të themi vetëm se ato kanë ekzistuar përherë, kanë qenë përherë mes nesh. 

Sot kemi vetëm më shumë dritë për t’i parë dhe për t’i njohur. Kemi dalë nga “shpella” e dikurshme platoniane, por, edhe nëse disa përpiqen ta mbajnë dritën e diturisë përherë të ndezur, nuk janë të paktë ata që bëjnë të pamundurën për ta shuar. 

Edhe kjo Krishtlindje nuk është ndryshe nga mijëra Krishtlindjet e festuara: Mbetet një përpjekje titanike, ciklike e bukurisë dhe pastërtisë së dritës, ndaj errësirës që kërkon të na mbajë hutuar. 

  •  

Berisha, mesazh demokratëve në Kurbin: Ngrihuni që ta rrëzojmë këtë regjim!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shkuar këtë të shtunë për të takuar demokratët në Kurbin.

Turi i foltores nisi në orën 18:00, ndërsa Berisha vijoi me akuzat në drejtim të zv.kryeministres Belinda Balluku dhe kreut të qeverisë, Edi Rama.

“Imagjinoni ju, të dashur miq, se çfarë peshe të rëndë patën mbi njerëzit, mbi shqiptarët, hajdutët miliarderë, me në krye Edi Ramën. Një dosje e parë u hetua për një ministre, zv/kryeministre, dhe në shfletimet e para del se ajo dispononte 300 apartamente. As ju, as unë nuk e mirrni me mend se ajo mund të dispononte 300 apartamente. Ajo pra, me paratë tuaja, me taksat tuaja, me paratë e shkollave të fëmijëve tuaj, me taksat e kafshatës gojës, me ilaçet e të sëmurëve tuaj, duke ndarë taksat me ndërtuesit e veprave publike, kishte siguruar për vete 300 apartamente“, deklaroi kryedemokrati.

“Dhe ju garantoj, këtu do jemi, nuk është lista e plotë. Kemi dëgjuar për diktatorë, për hajdutë, për bizhura, diamante…“, shtoi më tej.

U bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen për ta rrëzuar qeverinë aktuale, së cilës i ka vënë emrin “regjim”.

“Është koha e guximit tonë, ta përmbysim këtë diktaturë”, ishte thirrja e tij.

The post Berisha, mesazh demokratëve në Kurbin: Ngrihuni që ta rrëzojmë këtë regjim! first appeared on JavaNews.al.

  •  

Avokati i Popullit apo Avokati i hipotekës së Partisë Demokratike?

Nga Desada Metaj

PD po shkon drejt një emri të vetëm për postin e Avokatit të Popullit. Bëhet fjalë për Jola Hysajn. Një emër thuajse i panjohur që zyrtarisht njihet si sekretare për marrëdhëniet me publikun në PD dhe vjen nga Durrësi. Aty ku e ka zanafillën dhe promovimi i saj që në fakt s’ka asnjë lidhje me PD, por me bashkëshortin e saj Leonard Kadrimi, ish-zëvendësdrejtor i Kadastrës së Durrësit, i arrestuar një vit më parë për tjetërsim pronash për një tokë me sipërfaqe 448 mijë metra katrorë.

Edhe në kohën që bashkëshorti punonte si zyrtar i lartë i Kadastrës në Durrës, Jola Hysaj shfaqej në foltoret e PD dhe denonconte skandalet e qeverisë Rama, por asnjëherë ato të pronave në Durrës. Madje, në një emision në Klan 3 vite më parë, ajo tregoi me detaje edhe jetën e luksit në banesën e saj me bashkëshortin, por dikush e këshilloi ta hiqte me urgjencë emisionin nga YouTube dhe tashmë ai nuk gjendet më.

E gjithë karriera e Jola Hysajt në PD mund të përkufizohet si një marrëdhënie e pastër biznesi tokash mes bashkëshortit të saj Leonard Kadrimit dhe Shkëlzen Berishës. Aq shumë të lidhur kanë qenë bizneset e tyre sa me gjithë atë Parti Demokratike nuk u gjend asnjë djalë apo vajzë juriste për të kandiduar në postin e Avokatit të Popullit. Por duhej pikërisht një njeri i afërt me familjen Berisha, me probleme të forta me drejtësinë, me bashkëshortin të arrestuar në prill të 2024, të liruar nga burgu në korrik të 2024 dhe ende në procese gjyqësore dhe hetimore për hajdutëri pronash për ta kandiduar.

Gjithë ajo PD nuk gjente dot një jurist/e të papërzier në pazare dhe probleme me drejtësinë. E ndërsa Shkëlzeni e ka bërë zgjedhjen e vet, Sali Berisha me zë të lartë del publikisht dhe deklaron se kandidat i opozitës është Besim Ndregjoni, sot 77 vjeç. Vetë Sali Berisha e di shumë se kriteri i moshës për të zgjedhur Avokatin e Popullit është më i ulët se kaq. E sigurt është që edhe Taulant Balla e di këtë kriter. Por me gjasë gruaja e një ish-zyrtari socialist hajdut i Hipotekës së Durrësit i shkon për shtat si PS-së, ashtu edhe PD-së.

E në këtë rast këto lojërat e kungulleshkave që bëjnë në Parlament janë paksa të dala boje. Se pazaret i kanë të qarta dhe të dukshme. Ka menduar babi Zenit për ta mbajtur në këmbë narkoregjimin.

The post Avokati i Popullit apo Avokati i hipotekës së Partisë Demokratike? first appeared on JavaNews.al.

  •  

Ata që hedhin gurë në peshoren perfekte të Perëndisë së Drejtësisë!

Nga Alba Malltezi

Kur ne bëjmë padrejtësi, bëjmë tepër padrejtësi! Tani që duam të bëjmë drejtësi, bëjmë tepër drejtësi! Harrojmë që Perëndia e Drejtësisë ka një peshore në dorë pikërisht për të na kujtuar barazinë, harmoninë dhe peshën e njëjtë të gjërave.

Nuk është kollaj, në të vërtetë, të bësh drejtësi me peshoren e Perëndisë së Drejtësisë, sidomos në një vend të vogël e aspak të privilegjuar nga rrjedhjet e historisë. E megjithatë, për të kompensuar fatkeqësitë tona historike, na është dhënë një vend i pasur, i begatë, i bukur, me një klimë të pëlqyeshme, për t’u pasur zili nga kush ka lindur me shkretëtirë rreth e rrotull, apo me shira, uragane, tajfune, e tërmete të frikshme.

Kjo zemërgjerësi e Natyrës duhet të na vlejë për t’u ndalur e për të menduar: “Kujdes! Jemi mirënjohës me këtë që kemi dhe ku jemi, ndaj këtë mirënjohje duhet ta tregojmë duke u sjellë të kujdesshëm e të matur me të tjerët”. Nuk ka gjë më të padrejtë se të privosh dikë nga liria më tepër nga sa e meriton, prandaj baballarët e Drejtësisë moderne nuk janë lodhur së përsërituri se: “Më mirë një fajtor i lirë se një i pafajshëm në burg”.

Në kohët kur më në fund Shqipëria po krijon shtyllën kurrizore të Drejtësisë së saj; një dëshirë e shkruar mbi qiellin e Shqipërisë nga ëndrrat e shqiptarëve të ndershëm, të mirë dhe të drejtë, e keni vënë re? Kore agresivë, zëra të frikshëm, të etur për gjak, për hakmarrje, për lincime, kërkojnë të hedhin gurë të rëndë në peshoren e drejtësisë. I hedhin nga ana që iu intereson, godasin kë urrejnë, përlyejnë kundërshtarë, baltosin për interes e lavdërojnë me pagesë. Këtë kategori shqiptarësh që bën shumë zhurmë e që është realisht tepër pak, Drejtësia e re duhet ta dallojë shpejt e mirë duke mos i lënë hapsirë për të shtrembëruar me forcën e shpifjeve dhe të kercënimeve, të ulërimave dhe gjuhës së pisët, shtyllën e njomë kurrizore të një Drejtësie të mirë e të domosdoshme për Shqipërinë!
.

The post Ata që hedhin gurë në peshoren perfekte të Perëndisë së Drejtësisë! first appeared on JavaNews.al.

  •  

Bekimi i Flamurit!

Nga Alba Malltezi

“O Zot, që bekon dhe shenjtëron, Ti bekoje Flamurin tonë, dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rrezik dhe shtrëngesë dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit nën hijen tënde dhe vlerësona ne të pavyerit të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar, me nder, shëndet edhe ditë të gjata këtu dhe kudo. Se ti je Perëndi mëshirues dhe njeridashës, dhe ty ta dërgojmë lavdinë, Atit edhe Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë, dhe në jetët e jetëve”.

Si atëherë në 1947, kur Imzot Fan Noli e ndjeu të thellë nevojën për të bekuar e për të dhënë meshë për Flamurin tonë, Fortlumturi Joani, qysh në Korcën e 1998-s, e ka kryer përvit këtë ritual,  me 28 nëntor 2025, e kryen për herë të parë në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet.

Për disa mund të konsiderohen si rituale të mirëfillëta fetare, si liturgji që do të dëgjohen nga besimtarët e zakonshëm ortodoksë; si fjalë të thëna në një kontekst fetar, të krishterë, ortodoks. Pra të kufizuar, të izoluar. Dhe meqë kemi shkruar shpesh këto kohët e fundit për zhurmën dhe pamundësinë për të dëgjuar fjalët e mira kur lumi i sharjeve dhe sulmeve është më i rrëmbyeshëm e i fortë, mesha e 28 nëntorit për bekimin e Flamurit shqiptar dhe popullit tonë, do të na duket si puna e një blete të vetme, e cila, pavarësisht trafikut përreth, pavarësisht grindjeve e grindavecëve, mund të përqëndrohet në lulen e vetme në asfalt, për të mbledhur nektarin e nevojshëm për mjaltin që e grumbullon në koshere.

Por puna e të mirëve dhe të mbarëve mes zhurmës dhe rrëmujës, kërkon durim dhe përkushtim, rezistencë dhe përqëndrim, e megjithatë është e sigurtë, që është e vetmja punë që ecën përpara, që nuk pengohet, që nuk zhduket. Tamam si urata që krijoi me mendjen dhe kokën e tij i ndrituri Fan Noli dhe sot, e plotë, me një shqipe të mrekullueshme, do të shijohet nga veshët e kujt të mirën, të bukurën, të vlefshmen, dëshiron vërtetë ta dëgjojë dhe duke e dëgjuar, e bën të jetojë.

Ja e gjithë mesha, ashtu sic Imzot Noli e konceptoi:

DHOKSOLOGJIA E FLAMURIT

Prifti: Lavdi Trinisë së shenjtë së bashkëqnënshme jetëbërëse dhe të pandarë, gjithnjë tani dhe përherrë dhe në jetë të jetëve.

Kori: Amin.

Lexuesi: O Mbret qiellor, Ngushëllimtar, Shpirt i së vërtetës, që ndodhesh kudo dhe i mbush të gjitha, thesar i të mirave dhe dhurues jete; eja dhe qëndro ndër ne dhe pastrona nga çdo njollë dhe shpëto, o i Mirë, shpirtrat tanë. Amin.

Shenjt Perëndi, Shenjt i fuqishëm, Shenjt i pavdekshëm, mëshirona. (3 herë)

Lavdi Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin. Trini e Tërëshenjtë, mëshirona; o Zot, falna mëkatet tona; o Zot i madh, ndjeji paudhësitë tona; o i Shenjtë, vështro dhe shëro sëmundjet tona, për emrin tënd. Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Lavdi Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin. Ati ynë që je në qiej; u shenjtëroftë emri yt; ardhtë mbretëria jote; u bëftë dëshira jote si në qiell ashtu edhe mbi dhé. Bukën tonë të përditshme jepna neve sot; dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë; dhe mos na shtjer në ngasje, po shpëtona nga i ligu. Prifti: Se jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia, e Atit, e Birit dhe e Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve.

Prifti: Se jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia, e Atit, e Birit dhe e Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve.

Psaltët: Amin.

O Zot shpëtoje popullin tënd dhe bekoje trashëgimin tënd, dhuroju shpresëtarëve fitore mbi barbarët dhe ruaje shtetin tënd me anën e kryqit tënd.

DHOKSOLOGJIA E MADHE

Psaltët: Lavdi Ty që na rrëfeve dritën, lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe, dhe mbi njerëzit mirëdashje.

Të himnojmë, të bekojmë, të falemi, të lavdërojmë, Ty të falënderojmë për lavdinë tënde të madhe.

Zot Mbret, Perëndi qiellor, Atë i tërëfuqishëm; Zot, Bir i vetëmlindur Jisu Krisht edhe Shpirt i Shenjtë.

Zot Perëndi, Qengj i Perëndisë, Bir i Atit që ngre mëkatin e botës, mëshirona, Ti që ngre mëkatet e botës.

Prano lutjen tonë, Ti që rri në të djathtë të Atit, edhe mëshirona.

Se Ti je Shenjt i vetëm, Ti je Zot i vetëm, Jisu Krishti, për lavdi të Perëndisë Atë. Amin.

Përditë do të të bekoj dhe do të lavdëroj emrin tënd përjetë e në jetë të jetës.

Bëna të denjë, o Zot, që të ruhemi këtë ditë pa ndonjë mëkat.

I bekuar je, o Zot, Perëndi i Etërve tanë, dhe emri yt është i himnuar dhe i lavdëruar në jetët. Amin.

Le të jetë, o Zot, përdëllimi yt mbi ne, sikurse kemi shpresuar te Ti.

I bekuar je, o Zot, mësomë porositë e tua. (3 herë)

O Zot, u bëre streha jonë brez pas brezi, unë thashë: O Zot, mëshiromë, shëro shpirtin tim, se fajtova te Ti.

O Zot, te Ti gjeta strehë; mësomë të bëj dëshirën tënde, se Ti je Perëndia im.

Se pranë Teje është burimi i jetës; me dritën tënde do të shohim dritë.

Zgjate përdëllimin tënd mbi ata që të njohin.

Shenjt Perëndi, Shenjt i fuqishëm, Shenjt i pavdekshëm, mëshirona. (3 herë)

Lavdi Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë. Tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin. Shenjt i pavdekshëm, mëshirona. Shenjt Perëndi, Shenjt i fuqishëm, Shenjt i pavdekshëm, mëshirona.

LITANIA E GJERË

Dhjaku: Le të themi të gjithë, me tërë shpirtin dhe me tërë mendjen tonë, le të themi. Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: O Zot i gjithëpushtetshëm, Perëndia i Etërve tanë, të lutemi, dëgjo dhe mëshiro.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Mëshirona, o Perëndi, sipas mëshirës sate të madhe, të lutemi, dëgjo dhe mëshiro.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Lutemi dhe për Kryepiskopin tonë (aksh) dhe për tërë vëllazërinë tonë më Krishtin.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Lutemi dhe për Republikën e Shqipërisë, qeverinë, ushtrinë dhe gjithë popullin

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Lutemi edhe për ndërtuesit e kësaj Kishë të Shenjtë, për vëllezërit dhe Etërit tanë dhe për të gjithë të krishterët besëmirë që prehen me shpresë këtu dhe kudo.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Lutemi dhe për mëshirë, jetë, paqe, shëndet, shpëtim, vështrim, ndjesë dhe falje të mëkateve të shërbëtorëve të Perëndisë (aksh).

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Lutemi edhe për ata që sjellin pemë dhe bëjnë punë të mira në këtë kishë të shenjtë dhe të gjithënderuar, që mundohen, që psalin, dhe për popullin që qëndron rrotull dhe pret prej Teje mëshirën e madhe dhe të pasur.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Dhjaku: Le t’i lutemi Zotit

Prifti: (me zë të lartë) Dëgjona, o Perëndi, Shpëtimtari ynë, shpresa e gjithë anëve të dheut dhe e atyre që ndodhen larg në det; dhe i mëshirshëm, i mëshirshëm tregohu, o Zot, për mëkatet tona dhe mëshirona.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Prifti: (me zë të lartë) Se Ti je Perëndi mëshirues dhe njeridashës, dhe Ty ta drejtojmë lavdinë, Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve.

Psaltët: Amin.

Dhjaku: Përsëri dhe përsëri duke rënë në gjunjë le t’i lutemi Zotit

Psaltët: Mëshiro, o Zot.

Prifti: O Zot, që bekon dhe shenjtëron, Ti bekoje Flamurin tonë, dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rrezik dhe shtrëngesë dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit nën hijen tënde dhe vlerësona ne të pavyerit të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar me nder, shëndet edhe ditë të gjata këtu dhe kudo.

Se ti je Perëndi mëshirues dhe njeridashës, dhe ty ta dërgojmë lavdinë, Atit edhe Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë, dhe në jetët e jetëve”.

Psaltët: Amín.

Prifti: Popullit Shqiptar dhuroji, o Zot, jetë, paqe, shpëtím, përparím, dhe mundje kundër armiqve, dhe ruaje për shumë vjet.

Psaltët: Për shumë vjet (3 herë).

Prifti: Kryepiskopit tonë (aksh) dhuroji, o Zot, jetë, paqe dhe ditë të gjata, që ta shpallë Ungjillin e së vërtetës sate, dhe ta udhëheqë popullin në udhën e dritës dhe ruajë për shumë vjet.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Prifti: Të krishterëve besëmirë që ndodhen këtu dhe kudo, dhuroju, o Zot, jetë, paqe shëndet dhe ditë të gjata dhe ruaji për shumë vjet.

Psaltët: Mëshiro, o Zot. (3 herë)

Prifti: Bekimi dhe mëshira e Zotit, ardhtë mbi ju, me hirin dhe njeridashjen e tij, gjithnjë tani e përherë e në jetë të jetëve.

Psaltët: Amin.

Prifti: Lavdi më Ty, o Perëndia ynë, lavdi më Ty.

Lexuesi: Lavdi Atit e Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Mëshiro, o Zot (3 herë). Beko, o atë i shenjtë.

Përlëshimi i shkurtër:

Prifti: Krishti Perëndia ynë i vërtetë, me ndërmejtimet e shën Marisë dhe të gjithë shenjtorëve, na mëshiroftë dhe na shpëtoftë, si i mirë dhe njeridashës. Amin.

The post Bekimi i Flamurit! first appeared on JavaNews.al.

  •  

Liria që falte Fatos Nano…

Nga Alba Malltezi  

Nëse themi sot që qeveria është e gjithëpushtetshme, që drejtësia është e gjithëpushtetshme, që media është e gjithëpushtetshme, që oligarkët janë të gjithëpushtetshëm etj. etj. do të thotë që në shoqërinë tonë po krijojmë shtylla pushteti të cilat duhet të kontrollojnë njëra-tjetrën. Akuzat, nga më të larmishmet për të gjitha sa më sipër, hidhen vetëm kur ka liri. Për dikë flitet keq vetëm kur nga ai, ajo, njeri a institucion, nuk ka kush frikë. 

Një gjë tjetër është e vërtetë: Në shoqërinë tonë ka ende individë, apo realitete, të cilëve nuk mund t’iu përmendet akoma emri. Ka tabu dhe frikë. Janë këto zona të errëta që kanë mbetur që duhet të na shqetësojnë dhe jo ajo që ndodh dhe thuhet në ditën me dritë. 

Mos harrojmë që vetëm pak vite më parë nuk mund të akuzonim askënd në këtë mënyrë, duke bërtitur nga studio televizive për autokraci e mungesë drejtësie. Nuk bërtisnim dot sepse nuk kishte asnjë në listë për t’u përmendur. Ishin të gjithë të rreshtuar pas një individi, pas një familjeje që Shtetin, në mes të Tiranës, e kishte shndërruar si ato kullat e veriut nga ku rrihej ngrohtë në vatrën e ndezur vetëm për të vetët, e nga jashtë gjithëkush qëllohej nga frëngjitë. Ishte një individ që futi frikën e kritikës ndaj një partie e ndaj politikanëve në Demokraci. 

Ndërsa Fatos Nano po lufton në spital mes jetës dhe të përtejmes, duhet t’ja njohim atij lideri politik meritën e vyer që i pari mes të gjithëve ua hoqi frikën shqiptarëve për të thënë rreth tij çfarë të donin e si të donin; media e politikanë kundërshtarë. Nuk ishte e lehtë që njerëzit të shpreheshin pas 45 vitesh nën dikaturë. Fatos Nano mbante, Fatos Nano nuk kërcënoi asnjë gazetar në jetën e tij. Nuk kërcënoi asnjë kundërshtar. Nano hoqi frikën nga partia më e frikshme komuniste në Ballkan. Në një drekë me gazetaret, atëherë zonja e parë, Xhoana Nano, e sulmuar dhe e përfolur lirisht edhe ajo nga të gjithë, me buzëqeshje do të thonte mendimin e saj, por duke u kujdesur deri në fund që askush, mendimin e saj të mos e merrte si privim. 

Sa e bukur është shoqëria kur njerëzit thonë lirshëm çfarë mendojnë, pa shpifur e pa sajuar, dhe kur kjo liri vlen për të kuptuar pa kakofoni të vërtetën e lakmuar. Nëse sot mendoj një politikan kontrovers si Fatos Nano, debatet që ai provokonte përherë edhe mes të vetëve, si shije e fundit më mbetet vetëm ajo e lirisë së ofruar: Liri për t’u shprehur, për të shkruar, për të kundërshtuar. Nuk ka më të vlefshëm se njerëzit që japin liri, qofshin në familje, në shkollë, në parti apo në qeveri. 

Askush nuk është perfekt, por perfektja qëndron këmbëkryq vetëm tek njerëzit që janë zemërgjërë. Këta shqiptarë duhet të duam pa kushte në Shqipëri. 


 

The post Liria që falte Fatos Nano… first appeared on JavaNews.al.

  •  

Pyetjet qesharake të deputetëve, përballë Altin Dumanit

Nga Desada Metaj 

Mbrëmë në Komisionin e Ligjeve raportoi kreu i SPAK, Altin Dumani. Mirë apo keq, ai drejton Prokurorinë e Posaçme, ku vitet e fundit kanë kaluar edhe shumë politikanë. Mes tyre dhe ndonjë nga ata që mbrëmë në komision krekoseshin si gjeli majë plehut për t’i treguar Dumanit “supermacinë” e tyre. Që në fakt dukej kaq keq, kur mendon dhe dëgjon që pyetjet e deputetëve të Komisionit të Ligjeve ngjanin me ato që mund të bënte një student i gazetarisë. 

Me ngazëllimin për t’u dukur në sytë e shefit të madh, deputetët e PD nuk lanë rast njeri pas tjetrit për të pyetur për procedurat e ndalimit me arrest shtëpie të liderit të tyre. Aq sa gara ishte e ethshme se kush do pyeste i pari. Për pesë orë me radhë ata që duhet të ishin avangardë me konstatimet dhe angazhimin për të kuptuar e saktësuar punën e Prokurorisë së Posaçme, u vunë në rresht për të pyetur kush më shumë se si ka mundësi që Sali Berisha po hetohet nga SPAK. Edhe pse asnjëri s’e vuri ujin në zjarr për hetimet e 21 janarit apo ato të Sport Klub Partizanit. 

Madje një prej tyre, Ivi Kaso, pyeti me detaje edhe për vendimin e arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e përgjimit të telefonit të Onejda Ymerajt të Spitalit Amerikan, edhe pse në fakt ky vendim nuk është publikuar ende dhe zoti Kaso nuk dihet se nga ka mundur ta gjejë këtë vendim. Por ai nuk pyeti se si po hetohet për koncesionin e dializës apo laboratorëve që të dy bashkë u kushtojnë shqiptarëve 28 milionë euro në vit nga taksat e tyre. 

Altin Dumani dhe prokurorët e SPAK nuk janë perfektë dhe padyshim që në punën e tyre kanë bërë edhe gabime, të cilat në çdo vend normal do të diskutoheshin në Komisionin e Ligjeve. Por aty një palë ngutej që brenda pesë orëve të dukej sa më zellshme para Berishës, dhe pala tjetër të servilosej keq me shpresën se kur t’u vijë radha, prokurorët do t’i kursejnë. 

Ajo që i bashkoi PS dhe PD në komision ishte paaftësia për t’u ngritur mbi nivelin banal të diskutimit në kafene dhe studio televizive, dhe për të folur në nivel profesional me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme. Në fund të fundit, kur bëhet fjalë për Komisionin e Ligjeve, mendja të shkon se të paktën mes tyre ka ish-studentë të juridikut, që në mos nxënës të mirë, të paktën kanë kuptuar diçka më shumë se studentët e degëve të tjera. 

Ndërsa ajo që u kuptua ishte se ndonjë prej tyre mund të jetë jurist, ndonjë tjetër politikan, por të gjithë bashkë barazohen në nivelin banal të diskutimit për çështje juridike, duke bërë që të na duken sikur janë një klasë e universitetit të gazetarisë — mes protagonizmit për t’u dukur sikur kanë bërë detyrat… apo frikës se ndonjë ditë do të mund të jenë përballë prokurorëve, jo si studentë, por si të pandehur. 

 

The post Pyetjet qesharake të deputetëve, përballë Altin Dumanit first appeared on JavaNews.al.

  •  

Nga iluzioni i një kandidati të pavarur te kthimi në vathën e Berishës — historia e opozitës që nuk di të përballet

Nga Desada Metaj

Opozita nuk ka kandidat për zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë. Të paktën jo ajo që konsiderohet opozitë jashtë suazës së Sali Berishës. Ky i fundit po, zgjodhi kandidatin e tij dhe me dëshirë ose jo, tërhoqi në oborrin e PD edhe Adriatik Lapajn dhe Agron Shehajn. I pari, i telendisur me muhabetet e tezes dhe hallës, nuk ka asnjë arsye ta testojë veten elektoralisht në Tiranë. Ndërsa Shehaj, që mendoi se futi në kurth Sali Berishën me kandidaturën e mbështetur masivisht të Ermal Hasimes, u detyrua në fund të futet në vathën e Berishës pa shumë lavdi.

Tashmë në Tiranë konkurrojnë Ogerta Manastirliu dhe Florian Binaj. Me këtë rast, Agron Shehaj do të kursejë dhe lekët për të bërë sondazhe me call center-in e tij, se e ka të qartë rezultatin. Ama ata demokratë apo opozitarë që shpresuan se më në fund po lindte një dritë shprese dhe një kandidat i mundshëm larg imponimit të Berishës do të shfaqej në Tiranë, mbetën të zhgënjyer. Ndoshta shumë prej tyre nuk do të votojnë në 9 nëntor, të tjerë do të votojnë Binajn, por do të ketë nga ata që do priren të shkojnë kah Arlind Qorri — i vetmi që e mbajti fjalën dhe doli kundër establishmentit, edhe pse ideologjia që përfaqëson është e vjetëruar dhe e rrezikshme.

Të vetmit, ndërkohë, që do tkurren dhe më shumë dhe do pezmatohen janë ata qytetarë të Tiranës që presin shpresën e ndryshimit nga opozita, e cila sërish ofron gjellën e ndenjur që gatuhet në kuzhinën e Sali Berishës dhe besnikëve të tij. Këtë herë, një dorë ia dhanë edhe Agron Shehaj e Adriatik Lapaj, duke rrënuar dhe atë pak shpresë e alternativë që pritej të lindte.

Përballja me Sali Berishën dhe berishizmin është mënyra e vetme për të fituar terren në kampin opozitar. Pjesën tjetër Sali Berisha e ka ndërtuar dhe e ruan fort. Me gjasë do ta ketë gjithmonë. E sa për hile, askush nuk e ka mundur dot. Përballja është e vetmja mundësi. Përndryshe, janë më të respektuara në këtë gavetë politike tezet e Adriatikut sesa hileqarët që mendojnë se mund të jenë faktorë në opozitë me të njëjtat mënyra që Sali Berisha e mban peng atë.

Ai është mjeshtri, ju jeni thjesht çirakët që Saliu ju përdor sa herë ka nevojë në raste si këto.

The post Nga iluzioni i një kandidati të pavarur te kthimi në vathën e Berishës — historia e opozitës që nuk di të përballet first appeared on JavaNews.al.

  •  

Në Shqipëri problemi qëndron mes ndarjes pronarë dhe ish-pronarë

Nga Desada Metaj

Të parët, ku bëjnë pjesë personazhe si dhëndri i Berishës, Jozefina Topalli, Oerd Bylykbashi apo të tjerë, janë kaluar sot. Flasin dhe thonë që janë të pasur nga prona e trashëguar.

Të dytët, ku bëj pjesë dhe unë, janë në pritje apo kanë humbur shpresat për të marrë atë që u takon. Por ne nuk vrasim, nuk presim dhe nuk rrahim askënd që ka përgjegjësi për këtë ndarje të padrejtë. Elvis Cefa është njeriu i fundit që kam takuar me dosjen e pronave për të kërkuar çka më takon mua dhe familjes sime për kompensim. Më trajtoi me përbuzje dhe pa dinjitet. E shoh sot që ecën serbes rrugëve të Tiranës dhe në një mirëqenie që nuk e ka trashëguar. Edhe pse më vjen ta ndaloj e t’i them dy fjalë, prapë nuk e bëj, sepse kam më shumë respekt për veten dhe gjyshin tim se për shoqninë e Zenit që kishte në dorë të na kthente pronat.

Ata që u bënë pronarë këto 30 vjet vrasin, shajnë, kërcënojnë sepse janë kaluar sot dhe kanë para të paguajnë avokatë, gjyqtarë apo prokurorë.

Ish-pronarët nuk ndihen, sepse janë të pafuqishëm përballë sistemit të padrejtë që i la të tillë. Ndaj mos i kërkoni vrasësit e gjyqtarit tek ish-pronarët. Kërkojini dhe do t’i gjeni si pjellë të sistemit që keni ndërtuar këto 30 vjet dhe që ju pasuroi me padrejtësi.

The post Në Shqipëri problemi qëndron mes ndarjes pronarë dhe ish-pronarë first appeared on JavaNews.al.

  •  
❌