Reading view

 Tirana po rritet më shpejt se çerdhet dhe kopshtet

Mbi 4300 fëmijë rezultojnë të regjistruar në listën e pritjes për të siguruar një vend në çerdhet dhe kopshtet publike. Ekspertët propozojnë një planifikim paraprak dhe monitorim kërkesash për të përballuar migracionin e vazhdueshëm drejt kryeqytetit

Deada Hyka

Tirana vijon të përballet me mbingarkesë në sistemin publik të arsimit parashkollor, pavarësisht zgjerimit të ndjeshëm të kapaciteteve gjatë viteve të fundit. Ky është një nga konkluzionet që del nga Raporti Kombëtar i Performancës së Bashkive, i cili evidenton se investimet në çerdhe dhe kopshte nuk kanë arritur ende të eliminojnë listat e pritjes në kryeqytet.

Fenomeni nuk është thjesht një çështje infrastrukture. Në ekonomitë moderne, aksesi në kujdesin dhe edukimin e hershëm konsiderohet një faktor që ndikon drejtpërdrejt në punësimin e prindërve, produktivitetin e ekonomisë dhe zhvillimin afatgjatë të kapitalit njerëzor. Për këtë arsye, organizata ndërkombëtare si UNICEF dhe Banka Botërore e trajtojnë zgjerimin e shërbimeve të kujdesit për fëmijët jo vetëm si politikë sociale, por edhe si politikë ekonomike.

Kopshtet shtohen, por më pak se kërkesat

Verifikimi i të dhënave tregon se Bashkia e Tiranës ka rritur ndjeshëm numrin e vendeve në institucionet publike parashkollore, por kërkesa për këtë shërbim është rritur po aq shpejt, e nxitur nga shtimi i popullsisë dhe migrimi i vazhdueshëm drejt kryeqytetit.

Numri i fëmijëve të regjistruar në çerdhe dhe kopshte publike është rritur nga 17,309 në vitin shkollor 2019–2020 në 24,650 në vitin 2024–2025. Brenda pesë vitesh, sistemi ka përthithur mbi 7,300 fëmijë më shumë, ose rreth 42% krahasuar me fillimin e periudhës.

Rritja e regjistrimeve tregon se gjithnjë e më shumë familje mbështeten te sistemi publik. Megjithatë, kjo nuk lidhet domosdoshmërisht vetëm me shtimin e lindjeve. Në nivel kombëtar, Shqipëria po përballet prej vitesh me rënie të lindjeve dhe plakje të popullsisë, por Tirana përfaqëson një realitet tjetër, pasi vijon të tërheqë migrimin e brendshëm nga qarqet e tjera të vendit. Pikërisht ky përqendrim i popullsisë shpjegon pse kërkesa për çerdhe dhe kopshte vazhdon të rritet edhe në një vend ku numri i fëmijëve në shkallë kombëtare është në rënie.

Paralelisht është zgjeruar edhe infrastruktura. Kapaciteti total i institucioneve publike parashkollore është rritur nga 19,660 vende në vitin 2019 në 28,410 vende në vitin 2024, një rritje prej rreth 44%. Gjatë kësaj periudhe janë hapur edhe 29 çerdhe dhe 27 kopshte të reja, duke përfaqësuar një nga investimet më të mëdha të Bashkisë në sektorin e edukimit të hershëm.

Por,  këto investime nuk kanë qenë të mjaftueshme për të përmbushur plotësisht kërkesën. 

Sipas të dhënave të raportit, gjatë vitit 2024 rreth 1,950 fëmijë prisnin një vend në çerdhe, ndërsa rreth 2,400 të tjerë ishin në pritje për t’u regjistruar në kopshte publike. Në total, mbi 4,300 fëmijë mbeteshin në listat e pritjes, çka tregon se kapacitetet e reja janë mbushur pothuajse menjëherë pas hapjes.

Presioni lidhet ngushtë me zhvillimin demografik të kryeqytetit. Sipas të dhënave të Censusit 2023, popullsia e Bashkisë së Tiranës është rritur nga rreth 418 mijë banorë në vitin 2011 në afro 679 mijë banorë, ose mbi 62% në pak më shumë se një dekadë. Tirana vazhdon të jetë destinacioni kryesor i migrimit të brendshëm, duke përqendruar një pjesë të madhe të vendeve të punës, institucioneve arsimore dhe shërbimeve publike.

Raporti evidenton edhe një zhvillim pozitiv në aspektin e cilësisë së shërbimit. Raporti fëmijë-edukatore është përmirësuar gjatë pesë viteve të fundit. Në çerdhe ai ka rënë nga 7.6 fëmijë për edukatore në vitin 2019–2020 në 6.1 në vitin 2024–2025, ndërsa në kopshte nga 12.1 në 9.8 fëmijë për edukatore. Kjo tregon se investimet nuk janë kufizuar vetëm në ndërtimin e godinave, por janë shoqëruar edhe me shtim të stafit pedagogjik.

Megjithatë, listat e pritjes tregojnë se sfida kryesore mbetet balancimi mes ofertës dhe kërkesës. Ndryshe nga shumë bashki të tjera që përballen me rënie të lindjeve dhe ulje të numrit të fëmijëve, Tirana vazhdon të përjetojë efektin e përqendrimit të popullsisë dhe migrimit të brendshëm. Kjo bën që çdo investim i ri të absorbohet shpejt nga kërkesa ekzistuese.

Për nevojat e këtij shkrimi, Faktoje i drejtoi Bashkisë së Tiranës një kërkesë zyrtare për informacion, duke pyetur jo vetëm mbi kapacitetet aktuale të çerdheve dhe kopshteve, por edhe mbi mënyrën se si projektohen nevojat në raport me rritjen e popullsisë dhe cili është vizioni i institucionit për zhvillimin e arsimit parashkollor në pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme. Në përgjigjen e saj me email, Bashkia përcolli të dhëna mbi numrin aktual të institucioneve dhe kapacitetet ekzistuese, por nuk iu përgjigj pyetjeve që lidhen me planifikimin afatgjatë të shërbimit, projeksionet e kërkesës apo strategjinë për përballimin e rritjes së vazhdueshme të popullsisë në kryeqytet.

Kosto ekonomike për familjet

Studimet e Bankës Botërore tregojnë se mungesa e shërbimeve të kujdesit për fëmijët është një nga faktorët që kufizon pjesëmarrjen e grave në tregun e punës. Investimet në çerdhe dhe kopshte nuk përmirësojnë vetëm zhvillimin e fëmijëve, por krijojnë kushte që prindërit, veçanërisht nënat, të rikthehen më shpejt në punë.

Ekonomisti Selami Xhepa vlerëson se një situatë e tillë është e pritshme në qytete që përjetojnë rritje të shpejtë demografike dhe migrim të brendshëm. “Kur një qytet rritet me ritme shumë më të larta se projeksionet fillestare, është normale që shërbimet publike të përballen me presion. Kjo nuk lidhet vetëm me ndërtimin e godinave të reja, por me aftësinë për të planifikuar paraprakisht zhvillimin urban dhe nevojat e popullsisë,” shprehet ai.

Sipas Xhepës, investimet në çerdhe dhe kopshte nuk duhen parë vetëm si një politikë sociale, por si një investim ekonomik afatgjatë. “Një vend në çerdhe i krijon mundësi një prindi, në shumë raste nënës, të rikthehet në tregun e punës dhe të vazhdojë aktivitetin ekonomik. Për këtë arsye, kapacitetet në arsimin parashkollor janë pjesë e infrastrukturës që mbështet zhvillimin e qytetit, njësoj si rrugët, transporti apo shërbimet e tjera publike. Sa më shpejt të rritet një qytet, aq më i madh duhet të jetë edhe ritmi i investimeve në këto shërbime,” thekson eksperti.

UNICEF Albania vlerëson se investimet në edukimin dhe kujdesin e hershëm krijojnë përfitime shumëdimensionale, pasi ndikojnë njëkohësisht në zhvillimin e fëmijëve, pjesëmarrjen e grave në tregun e punës dhe produktivitetin afatgjatë të ekonomisë.

Çfarë mund të bëhet?

E.T., nënë e një vajze të vogël, tregon se sigurimi i një vendi në çerdhe publike nuk ishte aq i thjeshtë sa e kishte menduar. Pasi aplikoi pranë Bashkisë së Tiranës, iu komunikua se nuk kishte vende të lira dhe se duhej të priste derisa të krijoheshin kapacitete. Për disa muaj, familja u detyrua të gjente një zgjidhje alternative, duke e regjistruar vajzën në një çerdhe private. “Nuk ishte zgjedhja që kishim planifikuar, por nuk kishim mundësi tjetër. Mua më duhej të rikthehesha në punë dhe nuk mund ta shtynim më,” tregon ajo. Sipas E.T., tarifa mujore e çerdhes private u bë një shpenzim i konsiderueshëm për buxhetin familjar, por mungesa e një vendi në sistemin publik nuk u linte alternativa. Ajo thotë se shumë prindër që njeh janë përballur me të njëjtën situatë, duke pritur me muaj për një vend ose duke u mbështetur te gjyshërit për kujdesin ndaj fëmijëve, derisa të lirohej një vend në çerdhe publike.

Ekspertët vlerësojnë se përballimi i kërkesës për çerdhe dhe kopshte nuk mund të mbështetet vetëm te ndërtimi i godinave të reja, por kërkon një planifikim afatgjatë që lidh zhvillimin urban me zgjerimin e shërbimeve publike. 

Sipas arkitektes dhe urbanistes Megi Hoxha, kapacitetet për arsimin parashkollor duhet të planifikohen paralelisht me zhvillimin e zonave të reja të banimit dhe jo vetëm pasi ato të jenë populluar. Ajo argumenton se projeksionet demografike duhet të jenë pjesë e çdo plani urbanistik, në mënyrë që investimet në çerdhe, kopshte, shkolla, transport dhe hapësira publike të ecin me të njëjtin ritëm me zgjerimin e qytetit.

Nga këndvështrimi i arsimit, eksperti Ndriçim Mehmeti thekson se sfida nuk matet vetëm me numrin e godinave, por edhe me cilësinë dhe aksesin në shërbim. Sipas tij, një sistem funksional duhet të jetë në gjendje t’u ofrojë familjeve një vend pranë zonës ku banojnë, pa i detyruar të presin me muaj ose të orientohen drejt sektorit privat për mungesë alternativash. Ai nënvizon se planifikimi i kapaciteteve duhet të mbështetet në të dhëna të përditësuara për lëvizjet e popullsisë dhe zhvillimin e lagjeve të reja.

Në këtë kuadër, ekspertët sugjerojnë disa masa prioritare që mund të ndihmojnë në uljen e presionit mbi sistemin publik:

-hartimin e projeksioneve të popullsisë sipas çdo njësie administrative dhe planifikimin e kapaciteteve të çerdheve e kopshteve përpara se zonat të mbipopullohen;

-përshpejtimin e investimeve në lagjet që po përjetojnë rritjen më të shpejtë të familjeve të reja;

-krijimin e një sistemi monitorimi të vazhdueshëm të kërkesës dhe listave të pritjes, për të orientuar investimet aty ku nevoja është më e madhe;

-shtimin e investimeve në burimet njerëzore, në mënyrë që zgjerimi i kapaciteteve të shoqërohet edhe me rritjen e numrit të edukatoreve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit;

-shqyrtimin e formave të bashkëpunimit me sektorin privat ose të skemave të subvencionimit për familjet që nuk arrijnë të sigurojnë një vend në sistemin publik.

Ndërsa Tirana vazhdon të rritet, sfida nuk është më vetëm ndërtimi i më shumë çerdheve dhe kopshteve, por krijimi i një sistemi që arrin të parashikojë zhvillimin e qytetit dhe t’u përgjigjet nevojave të familjeve përpara se ato të shndërrohen në lista pritjeje.

The post  Tirana po rritet më shpejt se çerdhet dhe kopshtet appeared first on Faktoje.al.

  •  

Durrës, 76 familje pasiguri me fadromat mbi kokë

Durrës, 76 familje pasiguri me fadromat mbi kokë

Nga: Sebi Alla

Fotografitë: Atdhe Mulla

Në buzën fundore të Amfiteatrit të Durrësit po zhvillohet një dramë e re. Qytetarë në përpjekje për të shpëtuar strehën mbi kokë dhe frikë e vazhdueshme, që pas dekadash si banorë autoktonë të qendrës historike të qytetit, do të përfundojnë me shpërblim që vlen pak, ose të degdisur në banesa sociale në Porto Romano apo Spitallë.
Janë 76 objekte banimi dhe biznese të vogla që pritet të shkatërrohen në fazën e parë të “projektit TID” në Durrës, i reklamuar si nismë për rijetëzim të zonave historike.

“Ne jemi pronarë. Duam nga shteti o të na japë hyrje, ose të na japë lekë dhe ta blejmë vetë shtëpinë, ose nuk dal fare nga shtëpia, të rri brenda e të më zenë përfund.
Mezi e kam bërë shtëpinë, kam 70 vite që jetoj këtu”, thotë 86-vjeçarja Sofie Simaku

“Ne jemi pronarë. Duam nga shteti o të na japë hyrje, ose të na japë lekë dhe ta blejmë vetë shtëpinë, ose nuk dal fare nga shtëpia, të rri brenda e të më zenë përfund. Mezi e kam bërë shtëpinë, kam 70 vite që jetoj këtu”, thotë 86-vjeçarja Sofie Simaku për Faktoje.al. 
Me fizikun e mpakur, por mendjen e kthjellët, në pak minuta Simaku bën historikun shtatë dekadësh të banesës së saj, e cila lidhet ngushtësisht me Amfiteatrin shekullor antik, historia e së cilës ka njohur luftëra, shkatërrime, tërmete të fuqishme, zjarre dhe rindërtime. 
Ngjashëm me të edhe banorët e tjerë ngrenë të njëjtën shqetësim: Mosvlerësimin real me vlerën e tregut të objekteve të tyre. 
 

Kohë për “kushtet e dorëzimit”

Vizita e beftë e kryeministrit Edi Rama në Durrës më 14 shkurt të këtij viti, në takimin e tensionuar me qytetarë që u prishen banesat nga “projekti i zhvillimit TID”, ngjan si paqe e përkohshme për të negociuar “kushtet e dorëzimit”. 

“…Na kanë lënë të qetë këto ditë, ndoshta e shtyjnë pak në kohë. Kemi folur plot, por tani nuk duam të reagojmë, se po e ngacmove atë
(i referohet kryeministrit), të sjell fadroma e polici në mes të natës, po presim. Deri tani po na trajtojnë si skllevër pa të drejta”

“…Na kanë lënë të qetë këto ditë, ndoshta e shtyjnë pak në kohë. Kemi folur plot, por tani nuk duam të reagojmë, se po e ngacmove atë (i referohet kryeministrit), të sjell fadroma e polici në mes të natës, po presim. Deri tani po na trajtojnë si skllevër pa të drejta”, thotë një i ri që ka shumë ç’të humbë; shtëpi tre katëshe dhe një njësi shërbimi. 
Durres-Amfiteatri_021
Durres-Amfiteatri_020
Durres-Amfiteatri_015
Durres-Amfiteatri_006
“Sa i përket problemit të vërtetë, ramë dakord se si do të ecim para qoftë me verifikimin e nevojshëm për disa objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore. Prishje do të ketë, projekti nuk do të ndalet, por duhet një verifikim për disa shtëpi që mund të kenë vlerë kulturore. Janë edhe disa prona që nuk kanë marrë hipotekë edhe pse janë atje prej kohësh”, tha Rama pas takimit me një përfaqësi të banorëve. 

Vlerësim pa vlerë reale

Banorët që preken nga ky projekt janë thuajse të gjithë të ndërgjegjshëm se nga momenti në moment fadroma të IKMT-së të shoqëruar me policë bashkiakë dhe ata të rendit do u mbërrijnë “pa ftuar”, por ajo që kërkojnë në kushte të tilla është vlerësimi i pronës sipas vlerës reale të tregut. 

“Duam të rishihet projekti, pastaj të vendoset. Ose ta gjejnë një zgjidhje. Të na gjejnë një sistemim pastaj të prishin shtëpinë. Kështu nuk e lejoj. Do e mbroj me gjak, sepse me gjak e kam ngritur. 188 metra katrorë ma kanë vlerësuar 103 milionë lekë. Edhe shtëpinë ku jam lindur e rritur (shënim: ngjitur me banesën e re), nuk ma kanë vlerësuar fare”, thotë Isuf Idrizi.

“Duam të rishihet projekti, pastaj të vendoset. Ose ta gjejnë një zgjidhje. Të na gjejnë një sistemim pastaj të prishin shtëpinë. Kështu nuk e lejoj. Do e mbroj me gjak, sepse me gjak e kam ngritur. 188 metra katrorë ma kanë vlerësuar 103 milionë lekë. Edhe shtëpinë ku jam lindur e rritur (shënim: ngjitur me banesën e re), nuk ma kanë vlerësuar fare”, thotë Isuf Idrizi. 

Çmimet

Qeveria nuk ka miratuar ende çmimet e reja të referencës për bregdetin dhe zonat e tjera të Shqipërisë, jashtë Tiranës, duke lene në fuqi referencat e vjetra, që janë bërë në që në vitin 2018. Ky veprim penalizon edhe pronarët e banesave në fjalë.
“Jemi ende në diskutim sa i përket çmimeve të reja të referencës për zonat jashtë Tiranës, për shkak se pas kontrolleve të fundit nga autoritetet tatimore në zyrat imobiliare janë evidentuar diferenca mes çmimeve të regjistruara pranë ASHK-së dhe atyre që rezultojnë në sistemet e këtyre zyrave imobilare”, argumentoi pak kohë më parë ministri i Financave, Petrit Malaj, mbi arsyet e shtyrjes se referencave të reja jashtë Tirane.

Durrësi

Në të gjithë zonën që është qendra e Durrësit vlerësimi për metër katror i banesave është në shifrat 70-90 mijë lekë të reja, pa u llogaritur truallin. Në atë zonë përqark, vlerat e një metri katror apartamenti varion nga 2500-3000 euro. 
“Duhet të kuptojmë që një banor që humbet banesën e tij dhe merr dëmshpërblim rreth 50 mijë euro, në zonën ku jeton, jo më për të marrë një banesë me truall privat, por vetëm një apartament duhet duhet të ketë të paktën 250-300 mijë euro. Është një disbalancë totale. Ku ai që humbet pronën pikërisht në zonën historike dhe është një banor që ka dekada që jeton aty, automatikisht kthehet në një të huaj për qytetin dhe nuk ka më mundësi të strehohet as në fshatrat periferike me këto lloj vlere që ata marrin pas nga ky proces”. Kështu thotë për Faktoje. al, gazetari dhe aktivisti, drejtues i medias Amfora.al, Geri Emiri. 
 

Fadromë mbi “trashëgiminë kulturore”?

Mbi murin 600-vjeçar, të ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane dhe vijuar me ndërtime të tjera si magazinë nga Austro-Hungarezët dhe Italianët, ndodhet edhe banesa e 72-vjeçarit Isuf Mehmeti.  



“Ky mur është ndërtuar në vitet 1500 nga Osmanët, më pas mbi të ka shtresëzime të tjera ndërtimesh. Është trashëgimi kulturore. Këta vijnë dhe më thonë do të prishet”, thotë Mehmeti.

“Ky mur është ndërtuar në vitet 1500 nga Osmanët, më pas mbi të ka shtresëzime të tjera ndërtimesh. Është trashëgimi kulturore. Këta vijnë dhe më thonë do të prishet”, thotë Mehmeti. 
Banesën e ka pak metra pas Bashkisë së Durrësit, aty ku u gatua edhe “vlerësimi i objektit” të tij, në vlerën e 46 milionë lekëve të vjetra. 
 

Vlera e dëmshpërblimit

Gjashtë metra e ndan nga një pallat në ndërtim çmimi i së cilës varion që në gropë 2500-3000 euro. 
Të paktën dy familje kanë kundërshtuar prej dy vitesh vlerën e dëmshpërblimit dhe me vendim gjykate (në një rast, pasi tjetri vijon shqyrtimin), është përcaktuar se vlera reale e një metri katror ndërtimi në këtë zonë është 2500 euro. 
 
“Na erdhi mandati para shtatë muajsh se shtëpia ka hyrë në projekt. Shteti duhet të na dëgjojë, paguajmë taksat dhe duhet të biem në dakordësi. Kemi kundërshtuar dhe tani e kanë lënë në heshtje. Në diskutimin që bëmë me kryeministrin na tha që do të rishikohen, do të të rikorrigjohen, do të rivlerësohen. Po këto janë vetëm fjalë, në letër nuk kishte gjë. Kryeministri kishte një letër përpara që bënte vetëm piktura, jo të shënonte me pika problemet tona dhe zgjidhjen”, thotë për Faktoje 72-vjeçari Mehmeti. 

Projekti

Projekti TID i financuar nga AADF (Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim) planifikon një investim në vlerën 6.7 milionë dollarë. “AADF synon të krijojë një plan menaxhimi të integruar i cili do të rigjallërojë qendrën historike të Durrësit dhe do të restaurojë objektet e pasurisë kulturore. Objektivi kryesor është krijimi i një modeli të suksesshëm TID i cili do të shfrytëzojë potencialin për turizëm të qytetit të Durrësit”, thuhet në faqen zyrtare të AADF, në lidhje me projektin TID. 
“Banorët duan të kuptojnë vlerën e shtuar, kush është interesi publik, nëse realisht trashëgimia kulturore pasurohet me gërmimin dhe me zbulimin e shtresëzimeve të reja, apo kemi të bëjmë me një projekt që ka si qëllim vetëm prishjen dhe mbyllet aty”, ngre shqetësimin drejtuesi i Amfora.al, Geri Emiri.  

Eksperti

Arkitektja Entela Koja (Spahivogli), në një qëndrim për Faktoje.al ngre shqetësimin mbi përputhshmërinë e projektit TID Durrës me Planin e Përgjithshëm Vendor të Durrësit (PPV 2022), i cili përbën dokumentin bazë dhe detyrues për zhvillimin e territorit. “Ekzistojnë paqartësi lidhur me bazën planifikuese mbi të cilën është hartuar PDV-ja për projektin TID dhe me mënyrën se si ajo lidhet me strukturën urbane të parashikuar në planin rregullues të qytetit”, thotë arkitektja. Një tjetër çështje, sipas saj, lidhet me ndryshimin e qasjes së ndërhyrjes urbane në zonën historike.
Durres-Amfiteatri_028
Durres-Amfiteatri_027
Durres-Amfiteatri_030

Ata që shumëkush i njeh si familje autoktone durrsake përqark Amfiteatrit dhe lagjes
“Kala” mbesin ende në ankth, duke shpresuar shtyrjen në kohë të ditës së mbërritjes së fadromave, por edhe një dëmshpërblim të drejtë me vlerën reale të tregut.

“Në vend të një strategjie të integruar restaurimi dhe valorizimi të trashëgimisë urbane, projekti paraqet ndërhyrje që synojnë rikonfigurimin e hapësirave urbane dhe krijimin e hapësirave të reja publike. Kjo ka ngritur pyetjen nëse qëllimi fillestar i mbrojtjes dhe interpretimit të vlerave historike të zonës po devijon drejt transformimeve urbane që mund të ndryshojnë karakterin historik të lagjes”, tha Koja 
Ata që shumëkush i njeh si familje autoktone durrsake përqark Amfiteatrit dhe lagjes “Kala” mbesin ende në ankth, duke shpresuar shtyrjen në kohë të ditës së mbërritjes së fadromave, por edhe një dëmshpërblim të drejtë me vlerën reale të tregut. 
 

The post Durrës, 76 familje pasiguri me fadromat mbi kokë appeared first on Faktoje.al.

  •  

Nafta që ‘vret’: Patos-Marinza shpërthen në sëmundje malinje

Nafta që ‘vret’: Patos-Marinza shpërthen në sëmundje malinje

Nga: Sebi Alla
Foto: Atdhe Mulla

KLSh konstaton ndotje në nivele të larta në zonën naftëmbajtëse Patos-Marinëz dhe sëmundje të shtuara malinje, kardiovaskulare dhe respiratore. Rrëfimi i banorëve: “Frikë për fëmijët”.Të gjithë të lidhur me naftën për punësim, por edhe me sëmundje.
Ndanë pragut të shtëpisë, pusi ‘i zi’ nr. 1754-P, tanimë i izoluar me kapak betoni, është shenja që nuk hiqet lehtë për 71-vjeçaren dhe fëmijët e saj, të mëdhenj e të vegjël. “Këtu janë thuajse të gjithë me karbon në gjak. Ne bejmë check up (analiza) dhe na del gjaku i dyshimtë. Nuk dimë si të veprojmë se moshat tona ikën, po kemi hallin e fëmijëve, brezat tanë, fëmijët e kopshteve, të shkollave, çfarë ajri do marrin ata këtu?” – ngre shqetësimin nëna 71-vjeçare.

“Këtu janë thuajse të gjithë me karbon në gjak. Ne bejmë check up (analiza) dhe na del gjaku i dyshimtë. Nuk dimë si të veprojmë se moshat tona ikën, po kemi hallin e fëmijëve, brezat tanë, fëmijët e kopshteve, të shkollave, çfarë ajri do marrin ata këtu?”

Banesën e ka në dalje të fshatit Zharrëz, aty ku pak metra më larg qëndrojnë si ngrehina të mëdha plot ndryshk depozita të naftës. “Banorët që jetojnë kryesisht në zonën Patos-Marinëz janë të ekspozuar nga niveli i lartë i ndotjes në mjedis, i cili shkaktohet nga nxjerrja e naftës në këtë zonë. Situata e deritanishme paraqitet e rënduar, e konfirmuar edhe nga raportet e gjendjes së mjedisit”, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të hollësishëm.
Përtej së dukshmes, nafta për shumë banorë është parë si bukë e përditshme, por një “bukë me pasoja” të rënda shëndeti. Alarmi është dhënë edhe në raportin e KLSH-së që, duke krahasuar shifrat, del në përfundimin se sëmundjet resporatore, kardiovaskulare dhe malinje janë shumë më të pranishme në zonën naftëmbajtëse të aksit Patos-Marinëz. Në raport KLSH nxjerr një tjetër problematikë po aq të “zezë” sa procesi i nxjerrjes së naftës: Institucionet shtetërore kanë shifra të ndryshme dhe përlasje mes numrit të të sëmurëve, por edhe të dhënave reale mjedisore, duke mbuluar të vërtetën, ose nuk kanë kryer studime të vazhdueshme.

Zharrëz-Marinëz

Të gjithë janë të lidhur me naftën; dikush i punësuar, një tjetër me dhënien e tokave me qira për kompaninë Bankers Petrolium dhe po të gjithë janë në një hall të përbashkët: sëmundjen dhe ndotjen.“Ajri është shumë i ndotur. Nuk hapim dot dyer e dritare, ca nga mjegulla e ca nga erë e gazeve që bëhen bashkë. Ne mbjellim grurë, kemi edhe ullinj dhe nuk marrim dot produkte. Ata, (naftënxjerrësit) u hedhin një solucion dhe vjen squfuri dhe prek lulet, i vret”, – thotë 71-vjeçarja.

“Ajri është shumë i ndotur. Nuk hapim dot dyer e dritare, ca nga mjegulla e ca nga erë e gazeve që bëhen bashkë. Ne mbjellim grurë, kemi edhe ullinj dhe nuk marrim dot produkte. Ata, (naftënxjerrësit) u hedhin një solucion dhe vjen squfuri dhe prek lulet, i vret”

Edhe nëse dëshiron t’i ikë mendimit të ndotjes dhe sëmundjes, pusin e naftës, aktualisht të taposur, e ka as 10 metra nga pragu i oborrit. “Pusi shpërthente dhe vinte serë (naftë bruto). Këtu para shtëpisë ka qenë një gropë e madhe e ndotur. Pastaj erdhën dhe vendosën kapakët. Tani nuk ka më aq erë si më përpara”, thotë ajo. Frika për të folur lirshëm është e madhe edhe kur bëhet fjalë për shëndetin. “Do të flas shumë, por jo me emër, më mirëkupto, djalë”, thotë një zotëri 64-vjeçar i cili ankohet për mbetjet e shumta në një përrua aty pranë, ku ujërat e zeza bashkohen po me serën e zezë të naftës, e cila është kamufluar në një tub që hedh mbetjet në mënyrë ilegale.. “Ne jemi të vdekur, por kam hallin e fëmijëve dhe nipit të vogël. Shëndeti i tyre është në rrezik, por nuk flas dot se djali më punon në bashki”, thotë ai. 

“Ne jemi të vdekur, por kam hallin e fëmijëve dhe nipit të vogël. Shëndeti i tyre është në rrezik, por nuk flas dot se djali më punon në bashki”

Pasi kthen kokën pas e anash, (me frikën mos e dikton kush), na drejton me droje pranë tubit që shkarkon mbetje nafte e cila bashkohet me ujërat e zeza për të marrë udhë nga Zharrëza drejt Semanit. “Në zonën e Patos-Marinzës ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë ndoten seriozisht nga puset e naftës, gjatë nxjerrjes me pompa, nga tubacionet dhe impiantet para trajtimit dhe në ajër shkarkohet gazi sulfurik dhe hidrokarbure të ndryshme. Ujërat e përdorur nga këto impiante shkarkohen në lumin Gjanicë, ku përveç përbërësve të naftës kanë edhe lëndë toksike”, konstaton raporti.

Nafta i mban, nafta i han

Një mesoburrë, ndërsa lan një makinë, tregon se ndotja është e madhe, sidomos kur shpimet në thellësi bëheshin me shpërthime eksplozivi. “Vendosej eksploziv, por banorëve kur ankoheshin i thonim se ka pasur tërmete. Kam shumë vite që punoj te Bankers Petrolium kur e kishin kanadezët dhe tani që e kanë edhe kinezët. Jam zjarrfikës dhe në ndërhyrjen e shpejtë në repartin e avarive”, thotë ai, ndërsa shton: “Unë e di se çfarë bëhet aty me shëndet e abuzime, por nuk dal dot hapur”. Më pas, justifikohet: “është buka e gojës në mes”.

“Unë e di se çfarë bëhet aty me shëndet e abuzime, por nuk dal dot hapur”. Më pas, justifikohet: “është buka e gojës në mes”

Lëmë disi pas Zharrëzën për të kalur nga Marinza, ku edhe aty halli është i njëjtë. “Në një mënyrë apo një tjetër jemi të lidhur me naftën. Këtu punojmë, në shpime, sigurinë e puseve dhe depozitave, apo në transport, nafta na mban e nafta na han”, thekson një i moshuar që ka dalë në pension. Mjekët në Tiranë më udhëzuan që të ndiqesha nga një hematolog, se kam probleme me gjakun”, thotë ai.
Në dy qendra shendetësore, në atë të Zharrëzës dhe spitalin bashkiak të Roskovecit janë me mijëra analiza të “kontrollit bazë”, ku ndër ta është edhe ajo e gjakut. “Ka një ndjekje të rregullt me analiza dhe kur konstatojmë probleme që lidhen me të dhëna shqetësuese në gjak I rekomandojmë ndjekjen tek hematologët”, thotë një mjeke e Spitalit të Roskovecit, ndërsa pranon se “nuk ka statistikë dhe analizim mbi shkaqet e sëmundjeve në disa raste kancerogjene, kryesisht në gjak dhe prekjen e organeve në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Në Zharrëz, qendra e vogël shëndetësore ka një mjek dhe dy infermiere, por prania e medias është “patologji shqetësuese” për ta dhe nuk pranojnë të japin të dhëna mbi sëmundshmërinë dhe ankesat e banorëve, se po sëmuren nga ndotja si pasojë e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës.

Të “fshehësh” vdekjen!

“Lidhur me të dhënat e administruara nga Roskoveci, krahasuar me ato të 2 qendrave shëndetësore Marinëz dhe Kuman, situata shfaqet problematike, duke vënë në diskutim informacionin e dërguar nga NjVKSh – Fier”, thotë KLSH, pasi ka marrë në shqyrtim të dhënat që vijnë fillimisht nga qendrat shëndetësore me aktivitet të lartë të ndotjes nga nafta, por edhe në rang bashkie. Për vitin 2018, në gjithë Roskovecin deklarohen 30 të sëmurë malinjë, ndërsa për dy qendra shëndetësore Kujan dhe Marinëz (zona me aktivitet naftënxjerrjen) raportohen 22 persona, më tej për 2021 deklarohen 25 në gjithë Roskovecin prej të cilëve 21 nga këto 2 qendra shëndetësore. “Për vitin 2022, deklarohen 25 për gjithë Roskovecin, ndërkohë për këto 2 qendra shëndetësore deklarohen 28 të sëmurë, pra 3 më shumë. Për vitin 2023, deklarohen 37 për gjithë Roskovecin, ndërkohë që vetëm në 2 QSH deklarohen 28 të sëmurë malinjë, dhe për vitin 2024, deklarohen 30 për gjithë Roskovecin, ndërkohë që vetëm në 2 QSH deklarohen 27 të sëmurë malinjë”, thotë KLSH teksa pranon se “të dhënat paraqesin mangësi”, duke lënë hapësirë për fshehjen reale të të sëmurëve.
“Duke vlerësuar të dhënat e ardhura vetëm nga 2 QSH, (shënim: Qendra Shëndetësore), rezulton se në zonën e Marinzës dhe asaj të Kumanit, situatat shëndetësore mund të konsiderohet alarmante, pasi numri i personave me sëmundje malinje është relativisht i lartë, ku çdo vit janë 20 deri në 30 persona me sëmundje malinje, ku për krahasim, për të njëjtën periudhën (tre vitet e fundit) Bashkia Belsh ka 100% deri në 500% më pak raste se sa 2 QSH të Roskovecit”, konstaton KLSH. Në raport ky institucion ka marrë të dhëna statistikore nga bashkitë Fier, Patos, Mallkastër Roskovec dhe Belsh. Në këtë rast Belshi është përfshirë si “rast studimor”, pasi cilësohet me rrezik të ulët ndotjeje dhe të dhënat për këtë bashki kanë shërbyer si krahasuese me bashkitë e tjera të Qarkut Fier që kanë ndotje në nivel të lartë nga aktiviteti i nxjerrjes dhe përpunimit të naftës.

Bankers nuk paguan

Një tjetër shqetësim që ngrihet nga banorët që kanë dhënë me qira për shfrytëzim tokën e tyre është mungesa e korrektesës së pagesa nga ana e kompanisë Bankes Petrolium. Për një dynym tokë të marrë me qira për shfrytëzim kompania është dakordësuar të japë 400 mijë lekë në vit, një shifër e pranueshme për banorët që të ardhurat nga bujqësia i kanë të pakëta, kjo edhe për shkak të prodhueshmërisë së ulët që ndikohet nga ndotja. “Para pesë vitesh nënshkruam kontratën e qirasë dhe i merrnim paratë për dy javë. Tani do të lutesh dhe shkosh pas zyrave të tyre që të marrësh paratë tua, paratë e fëmijëve”, thotë për Faktoje, Tajar Bine.

“Para pesë vitesh nënshkruam kontratën e qirasë dhe i merrnim paratë për dy javë. Tani do të lutesh dhe shkosh pas zyrave të tyre që të marrësh paratë tua, paratë e fëmijëve”

Ai shton se këtë problem nuk e kanë pasur kur kjo kompani drejtohej nga kanadezët, por tashmë që pronësia dhe administrimi i kaloi kompanisë kineze, sipas tyre kanë problem me likujdimin e qirave për tokën. “Kjo kompani tashmë nuk kujdeset për ambientin në radhë të parë dhe pastaj për kontratat e qirasë që kanë”, shton Bine.

Institucione në ajër

I përmbledhur në disa pika, raporti i KLSH-së nisur vetëm nga një studim i një zone të ngushtë del në përfundimin se institucione lokale dhe qëndrore jo vetëm nuk kanë monitoruar situatën mjedisore për ndotjen, por nuk kanë asnjë të dhënë për më shumë se 10 vite. Në nivel mjaft “amator” përsa u përket dy shtyllave kryesore; mjedis dhe shëndet janë bashkitë që mbulojnë territorin e zonave naftëmbajtëse.
“Në nivel vendor, investimet e kryera për riaftësimin dhe rehabilitimin mjedisor kanë qenë minimale dhe të pamjaftueshme në përmirësimin e cilësisë së mjedisit dhe shëndetit në këtë zonë. Masat e marra nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit në zonën Patos-Marinëz nuk kanë qenë të mjaftueshme”, del në përfundim KLSH. Në këtë zonë të gjithë ankohen për ndotje dhe sëmundje, por thuajse të gjithë druhen të reagojnë për shkak të punësimit, por edhe mosbesimit për zgjidhje nga institucionet shtetërore.

The post Nafta që ‘vret’: Patos-Marinza shpërthen në sëmundje malinje appeared first on Faktoje.al.

  •  

Barbullojë, aty ku përmbytja nxori zbuluar varfërinë

Barbullojë, aty ku përmbytja nxori zbuluar varfërinë

Reportazh në fshatin Barbullojë të Lezhës. Qindra hektarë tokë të përmbytur dhe dhjetëra banesa të dëmtuara rëndë. Mall e pasuri që u përpi në pak orë.
Nga Sebi Alla/ foto Atdhe Mulla
Tërësisht e dorëzuar para vërshimit të ujit që i ka përmbytur atë pak pasuri, Marjana qëndron në portën e shtëpisë, aty ku “shteti” i la në prag tre litra vaj; një oriz; një makaronë dhe një sheqer. Kaq është ndihma për këtë familje dhe disa të tjera në fshatin Barbullojë të Bashkisë Lezhë, në zonën ku përmbytja ka shkaktuar dëme të mëdha, veçanërisht në dru frutorë, vreshtari dhe bimësi.

“Kemi gjashtë ditë nën ujë. Na është bërë dëm i madh në shtëpi me divane e pajisje të tjera të lagura dhe dalë jashtë përdorimit”.

“Kemi gjashtë ditë nën ujë. Na është bërë dëm i madh në shtëpi me divane e pajisje të tjera të lagura dhe dalë jashtë përdorimit”, thotë Marjana Gegaj, ndërsa me vështirësi mbllaçitet në ujin që i ka shkuar deri në gju.
Me sytë tek një kasolle pranë oborrit të shtëpisë, 63-vjeçarja vërtitet përqark duke u kujdesur për dy derra dhe 20 pula (pasurinë më të madhe që ka).

“Të paktën shpëtova gjënë e gjallë, por kemi vështirësi me ushqimin e tyre pasi uji na i dëmtoi”.

“Të paktën shpëtova gjënë e gjallë, por kemi vështirësi me ushqimin e tyre pasi uji na i dëmtoi”, thotë Marjana, ndërsa numëron hallet që ka, duke jetuar e vetme me tre vëllezër në moshë, dy prej të cilëve edhe me sëmundje të shëndetit mendor dhe të paralizuar.

Të gjithë me një hall

Në Barbulloja banorët mbesin me sytë nga qielli, ndërsa herë pas here lundrojnë në internet për t’u njohur me parashikimin e motit. Edhe Prenga jeton në ankthin e dëmit të shkaktuar dhe pasigurinë që e keqja mund të vijë sërish, ndoshta edhe më shumë.
Mundi dhe djersa e shumë viteve iu rrënua nga përmbytja në pak orë. “Kam 600 rrënjë hardhi, 250 rrënjë ullinj dhe dy dynym jonxhë që më është dëmtuar shumë”, thotë Prenga, ndërsa pranon se dëme në banesë për fat nuk kishte. “Kjo ishte përmbytje nga shteti, jo nga natyra”, thotë ai, ndërsa shton se prej katër vitesh kanalet kulluese nuk janë pastruar nga struktura të pushtetit vendor, por vetë fshatarët janë munduar ta mirëmbajnë duke hequr ledh dhe mbetje të tjera aq sa munden.

“I bëj thirrje shtetit që sadopak të na dëmshpërblejë për dëmet që kemi pësuar”.

“I bëj thirrje shtetit që sadopak të na dëmshpërblejë për dëmet që kemi pësuar”, sugjeron Prenga, ndërsa shpjegon më tej se kjo thirrje u ka mbetur.
Por besim se llogaritë e dëmeve për secilën familje do jenë të drejta dhe se do ketë dëmshpërblim nuk ka.
Për të një “fuqi” më të madhe mund të ndikojë… “I bëj thirrje ndërkombëtarëve që të hedhin një herë sytë nga Edi Rama dhe Belinda Balluku që e kanë lënë Shqipërinë në këtë gjendje”-thotë Preng Shtoni.

Përmbytje nga hiçi

Në ditën e pestë të përmbytjeve në këtë fshat të gjithë të japin një shpjegim të çuditshëm mbi arsyet e përmbytjeve. Ata thonë se peshkatarët e Vainit bllokuan disa muaj më parë me inerte një pjesë të lagunës për peshkim dhe Drini me prurjet e vrullshme të ditëve të fundit përmbyti Barbullojën dhe disa fshatra të tjerë.
Dëme të mëdha ka edhe Gjelina Gjoka, një grua me shumë halle shëndetësore të saj dhe bashkëshortit. Vetë ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale në gji, ndërsa bashkëshorti prej gjashtë vitesh jeton me pasojat e një trompoze në tru.

“Nuk kemi ku shkojmë. Shohim me dhimbje vetëm pasojat që na la përmbytja me divane e atë pak orendi që kishim. Sa për tokën lakra, presh e çdo bimë tjetër është dëmtuar plotësisht”.

“Nuk kemi ku shkojmë. Shohim me dhimbje vetëm pasojat që na la përmbytja me divane e atë pak orendi që kishim. Sa për tokën lakra, presh e çdo bimë tjetër është dëmtuar plotësisht”, thotë ajo. Banesa, një shtëpi njëkatëshe në ndërtim e sipër ngjan si rrënojë kur lagështia ka kapur muret dhe uji ka nisur të krijojë habitatin e tij duke rrethuar gjithçka.

“Vetëm me burrin jetojmë këtu se s’kemi ku shkojmë tjetër. Me shumë mund, por edhe atë mund na e mori lumi".

“Vetëm me burrin jetojmë këtu se s’kemi ku shkojmë tjetër. Me shumë mund, por edhe atë mund na e mori lumi”, rrëfen Gjelina që edhe ajo si fqinja Marjanë “hairin” shtetit deri më tani ia ka parë me një pako të vogël ushqimore.

U kujtuan për Hidrovorin

Në lënie të Barbullojës, në pjesën jugore të saj situata është vërtetë alarmante, ndërsa një pjesë tjetër e fshatit nuk ka pësuar ende përmbytje, por frika është e madhe. Vënia në funksion të plotë e Hidrovorit të Vainit është thelbësor në situatën e përmbytjeve në zonat rurale të Lezhës.
 Prania e një ekskavatori të madh është tregues se po punohet me intensitet për të mos kaluar në fatkeqësi edhe më të mëdha dhe përmbytje që do sillnin pasoja të konsiderueshme. Në Hidrovor po punohet për thellimin e basenit dhe vënien në funksion të plotë të të gjitha pompave.
Niveli i ujit është gati në limite për të dalë nga shtrati dhe depërtuar në toka dhe banesa edhe në fshatin Rrilë.
Permbytjet Lezhe-Edited_002_watermarked
Permbytjet Lezhe-Edited_003_watermarked
Permbytjet Lezhe-Edited_020_watermarked
Permbytjet Lezhe-Edited_005_watermarked
Permbytjet Lezhe-Edited_019_watermarked
Prej disa vitesh Lezha kishte dalë nga harta e përmbytjeve, duke vendosur në “gjumë” edhe strukturat vendore që sikurse na thanë banorët prej katër vitesh nuk kishin ndërhyrë në pastrimin e kanaleve kryesore kulluese dhe vendosjen e disa argjinaturave qoftë edhe me mbetje të ngurta përgjatë rrjedhës së Drinit dhe veçanërisht në kilometrat e fundit të grykëderdhjes së tij, aty ku rreziku i daljes nga shtrati duke shkaktuar përmbytje është i madh.

Fonde me pikatore

Përmbytjet e fundit në Lezhë nuk janë surprizë natyrore. Të dhënat zyrtare tregojnë se investimet për parandalimin e fatkeqësive në këtë bashki janë minimale. Transfertat e pakushtëzuara për Bashkinë Lezhë rriten nga 2025 në 2026 me rreth 83 milionë lekë, por shpërndarja është e pabarabartë.
Ujitja dhe kullimi, zëri më kritik për një bashki të ekspozuar ndaj përmbytjeve, trajtohet si dytësor. Vetëm 2.7 milionë lekë shtesë. Një rritje modeste përballë nevojave reale për kanalet e bllokuara, argjinaturat që kërkojnë mirëmbajtje dhe sistemet e shpërndarjes së ujit që dorëzohen sa herë nis sezoni i reshjeve.
Përmbytjet e fundit në Lezhë nuk janë surprizë natyrore. Të dhënat zyrtare tregojnë se investimet për parandalimin e fatkeqësive në këtë bashki janë minimale. Transfertat e pakushtëzuara për Bashkinë Lezhë rriten nga 2025 në 2026 me rreth 83 milionë lekë, por shpërndarja është e pabarabartë.
Ujitja dhe kullimi, zëri më kritik për një bashki të ekspozuar ndaj përmbytjeve, trajtohet si dytësor. Vetëm 2.7 milionë lekë shtesë. Një rritje modeste përballë nevojave reale për kanalet e bllokuara, argjinaturat që kërkojnë mirëmbajtje dhe sistemet e shpërndarjes së ujit që dorëzohen sa herë nis sezoni i reshjeve.

“Do Zoti qetësohet gjendja se po të jetë për shtetin kemi mbaruar”.

Rrugët, pyjet, administrimi i territorit, të gjitha funksione që lidhen drejtpërdrejt me parandalimin e fenomeneve natyrore, mbeten thuajse të ngrira. Ndërkohë, rritja më e madhe shkon te pagat, me afro 25 milionë më shumë se një vit më parë.
Përmbytjet e Barbullojës dhe fshatrave të tjera tregojnë se investimet nuk mund të presin, sepse natyra nuk fal vonesa. “Do Zoti qetësohet gjendja se po të jetë për shtetin kemi mbaruar”, thotë me bindje Frrok Gjoka, duke qarë hallin për shkatërrimin e orendive dhe mbytjen e disa shpendëve.

The post Barbullojë, aty ku përmbytja nxori zbuluar varfërinë appeared first on Faktoje.al.

  •  

Thirrja e Dytë për Projekt Propozime: Promovimi i Edukimit Mediatik dhe Informativ

Thirrja e Dytë për Projekt Propozime:
Promovimi i Edukimit Mediatik dhe Informativ

Thirrja e Dytë për propozime është pjesë e projektit rajonal “Rrjeti SEECheck – Luftimi i Dezinformimit dhe Keqinformimit përmes një Rrjeti të Verifikuesve të Fakteve”, i cili po zbatohet nga rrjeti SEECheck në partneritet me “Faktoje” nga Shqipëria dhe “Open Data Kosovo”, me mbështetjen e Komisionit Evropian. Projekti përfshin dhënien e granteve afatshkurtra që synojnë forcimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile (OSHC) dhe mediave për të kundërshtuar dezinformimin në hapësirat e tyre publike.
SEECheck është një rrjet i përbërë nga gjashtë organizata të verifikimit të fakteve nga pesë vende të Evropës Juglindore, të cilat punojnë për të promovuar llogaridhënien mediatike, përmirësimin e edukimit mediatik dhe luftimin e keqinformimit dhe dezinformimit. Portalet e verifikimit të fakteve që bëjnë pjesë në rrjetin SEECheck përfshijnë: Raskrinkavanje.ba (Bosnje-Hercegovinë), Raskrinkavanje.me (Mali i Zi), Raskrikavanje.rs (Serbi), Razkrinkavanje.si (Slloveni), Faktograf.hr (Kroaci), dhe Fakenews.rs (Serbi).

Konteksti

Adresimi i dezinformimit dhe angazhimi efektiv me audiencat përbën një sfidë të rëndësishme për verifikuesit e fakteve. Rritja e fundit e përhapjes së dezinformimit, veçanërisht gjatë ngjarjeve globale si pandemia e COVID-19 dhe agresioni kundër Ukrainës, ka kontribuar në përforcimin e qëndrimeve negative ndaj verifikimit të fakteve, të nxitur nga grupe agresive si teoricienët e konspiracionit dhe ndjekësit e tyre.
Qëllimi kryesor i këtij programi nën-grantesh është forcimi i kapaciteteve të mediave lokale dhe organizatave të shoqërisë civile (OSHC) në rajonin e Evropës Juglindore për të luftuar kaosin informativ, për të përmirësuar integritetin e mediave lokale dhe për të rritur qëndrueshmërinë e komuniteteve ndaj dezinformimit, me fokus në nismat që synojnë audiencën lokale.
Rrjeti SEECheck, së bashku me partnerët e tij, do të ndajë gjithsej 20 grante në dy thirrje për propozime projektesh në të gjithë rajonin, për të ndihmuar organizatat dhe mediat lokale të rrisin edukimin mediatik në mesin e audiencave të tyre, të prodhojnë raportime më të besueshme dhe të zhvillojnë kundër-narrativa ndaj dezinformimit.

Grantet

Rrjeti SEECheck dhe partnerët e tij ofrojnë grante afatshkurtra për projekte që zgjasin nga tre deri në gjashtë muaj. Shuma e granteve varion nga 5,000 deri në 12,000 euro.
Aplikimi për Raundin e Dytë të Thirrjes së Hapur për grante në vitin 2025 është tashmë i hapur, me 10 grante që do të ndahen në një shumë totale prej 103,500 euro.
Mediet lokale dhe OSHC-të ftohen të aplikojnë në Skemën e Granteve të SEECheck sipas dy LOT-eve:

LOT 1:

Mbështetje për nisma të mediave lokale për të forcuar kapacitetet për verifikimin e fakteve dhe raportimin e besueshëm. Këto grante synojnë entitetet e mediave lokale që kërkojnë të angazhohen në aktivitete të verifikimit të fakteve apo të prodhojnë përmbajtje të besueshme, përfshirë shpërbërjen e dezinformatave apo krijimin e narrativave të bazuara në fakte. Projektet duhet të rezultojnë në prodhimin dhe promovimin e kësaj përmbajtjeje, si dhe në forcimin e kapaciteteve të stafit gazetaresk dhe redaksional. Një angazhim afatgjatë për prodhimin e përmbajtjes së specializuar dhe zhvillimi i procedurave të brendshme për të siguruar saktësinë dhe besueshmërinë e përmbajtjes do të përbëjë avantazh në procesin e përzgjedhjes. Grantet gjithashtu mund të mbështesin prodhimin e përmbajtjes tërheqëse të përshtatur për audienca specifike.

LOT 2:

Mbështetje për OSHC-të lokale për të forcuar kapacitetet në luftën kundër dezinformimit, promovimin e edukimit mediatik, ose ndërtimin e qëndrueshmërisë. Këto grante synojnë të fuqizojnë OSHC-të lokale në rajonin e Evropës Juglindore për të ndërmarrë aktivitete që forcojnë aftësinë e tyre për të kundërshtuar dezinformimin. Projektet mund të përfshijnë nisma komunitare, fushata online, prodhim dhe promovim të përmbajtjes multimediale, kërkime, avokim, veprime politike, trajnime ose aktivitete të tjera që përputhen me objektivat e këtij LOT-i. Përparësi do t’u jepet nismave që sigurojnë angazhim të vazhdueshëm të OSHC-ve në fushat e sipërpërmendura.
Të gjitha propozimet duhet të dorëzohen elektronikisht në adresën e emailit: info@zastone.ba, me subjekt emaili: ‘[Emri i Aplikantit] – Aplikim për Projektin e Rrjetit SEECheck’.
Propozimet duhet të pranohen deri më 30 korrik 2025. Propozimet e vonuara, ose ato të dorëzuara me mënyra të tjera nga ato të specifikuara, nuk do të merren në konsideratë.
Të gjitha propozimet dhe të dhënat përkatëse, njohuritë dhe dokumentet do të trajtohen në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) (Rregullorja (BE) 2016/679 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e datës 27 prill 2016).
Të gjitha pyetjet dhe kërkesat për informacion mbi projektin mund të dërgohen në adresën e emailit: info@zastone.ba, jo më vonë se 20 korrik 2025.

Formularin e Aplikimit mund ta gjeni në këtë link.
Formularin e Buxhetit mund ta gjeni në këtë link.
Për më shumë informacion mbi kriteret e pranueshmërisë, përzgjedhjes, financimit, kostot, trajnimin dhe mentorimin si dhe procesin e përzgjedhjes së aplikimeve të pranueshme, ju lutemi referojuni teksti i plotë i hirrjes në këtë link.
Projekti rajonal “Rrjeti SEECheck – Luftimi i Dezinformimit dhe Keqinformimit përmes një Rrjeti të Verifikuesve të Fakteve” zbatohet nga Rrjeti SEECheck me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

The post Thirrja e Dytë për Projekt Propozime: Promovimi i Edukimit Mediatik dhe Informativ appeared first on Faktoje.al.

  •  

Në Elbasan digjen plehrat, në Cërrik fjalët…

Në Elbasan digjen plehrat, në Cërrik fjalët…

Zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve, kronika e një katastrofe mjedisore të përsëritur

Nga Esmeralda Topi dhe Atdhe Mulla

Sapo del nga tuneli i Elbasanit, nuk të pret as panorama e qytetit, as flladi i Shkumbinit. Të pret një mur i dëndur tymi, që të hyn në mushkëri përpara se të arrish të thuash “mirëdita”.

Shtëllungat e tymit, si një perde helmuese, mbulojnë çdo cep të qytetit. Është një skenë që duket si film katastrofe, por që në Elbasan është kthyer në kronikë të përsëritur.

Në fushën e mbetjeve pranë lumit Shkumbin, zjarri ka shpërthyer sërish. Dhe me të, është rikthyer edhe ajo që banorët e quajnë “ferri i përvitshëm”. Një ferr që djeg, që mbyt, që ndot, ndërsa mbi plehra qëndron si fantazmë e heshtur inceneratori i shumë reklamuar, që vetëm plehra nuk djeg.

Ahmet Mehmeti, një nga zërat e paktë që ende guxon të flasë për ndotjen në Elbasan, e përshkruan situatën pa zbukurime: “I gjithë qyteti u karantinua dje, por jo nga ndonjë virus. Nga tymi. Nuk merrej frymë,” thotë ai për Faktoje.al.

 

Sipas Mehmetit, zjarret në vendgrumbullimin e mbetjeve nuk janë aksidentale, por produkt i një politike që favorizon incenerimin në letër dhe djegien primitive në terren.

“Hajduti është në tokë, mos e kërkoni në ajër,” ironizon ai. “Derisa politika të kuptojë që menaxhimi i mbetjeve nuk bëhet me fjalime, por me riciklim real, do ta pimë tymnajnë çdo vit.”

“Derisa politika të kuptojë që menaxhimi i mbetjeve nuk bëhet me fjalime, por me riciklim real, do ta pimë tymnajnë çdo vit.”

Në krah të fushës me plehra që digjen, ngrihet inceneratori i famshëm, simbol i premtimeve për “standard europian”, por që tani duket më shumë si dekor i një teatri politik.

Në prill të 2017-s, kryeministri Rama e inaguroi këtë objekt me pompozitet, duke shpallur fundin e plehrave që digjeshin në qiell të hapur.

“Nga fusha e plehrave që digjeshin në qiell të hapur e helmonin gjithë qytetin, në fushën sanitare të standardeve europiane ku mbetjet shfrytëzohen për prodhim energjie”, tha Rama 8 vite më parë.

Tetë vjet më pas, pamja është e njëjtë, tymi po aq helmues, ndërsa energjia e premtuar është zhdukur bashkë me besimin te institucionet.

Ironia arrin kulmin kur mësojmë se kryeministri vetë ndodhet në Cërrik, vetëm pak kilometra larg, në një mbledhje me fokus… bujqësinë. Zor se ka shpëtuar pa parë tymin, zor se i ka shpëtuar erës. Por me shumë mundësi, mund të ketë kujtuar dhe inaugurimin e inceneratorit.

Në Cërrik ka heshtje. Asnjë fjalë për katastrofën mjedisore që ka mbërthyer Elbasanin dhe zonën përreth.

Elbasan_Djegja e Mbetjeve_028 copy
Elbasan_Djegja e Mbetjeve_024 copy
Elbasan_Djegja e Mbetjeve_001 copy
Elbasan_Djegja e Mbetjeve_022 copy
Elbasan_Djegja e Mbetjeve_019 copy
Elbasan_Djegja e Mbetjeve_013 copy
Elbasan_Djegja e Mbetjeve_020 copy

Në vendgrumbullimin e mbetjeve, dy zjarrfikëse, me motorët që gumëzhinin pa pushim, përpiqen të mbajnë nën kontroll zjarrin duke marrë ujë nga Shkumbini. Tymi këtë të mërkurë kishte gjetur rrugëtjetër, ishte zhvendosur nga Elbasani drejt Cërrikut, sipër t’i kujtuar qeverisë aromën e hidhur të dështimit me mbetjet.

Disa kilometra më tej, në fshatin Bujqës banorët jetonin nën re të dendura tymi dhe një erë të padurueshme. Edhe pse kishim vendosur maska, ndjesia e djegies në rrugët e frymëmarrjes ishte e fortë.

“Na sëmurën,” tha Nazmi Pisha, banor i këtij fshati, që na priti para portës së shtëpisë. Nipi i tij, vetëm 15 muajsh, kishte vjellë tërë natën nga tymi që depërtonteedhe pas dritareve të mbyllura.

“Sa s’më plasi fëmija, tërë natën nuk pushoi”, thotë e shqetësuar Lije Pisha, nëna e vogëlushit.

“Nuk rrimë dot as jashtë as brenda”, ankohen njëzëri anëtarët e familjes Pisha.

“Sa s’më plasi fëmija, tërë natën nuk pushoi”, thotë e shqetësuar Lije Pisha, nëna e vogëlushit.

Çfarë thonë autoritetet?

Ministria e Mbrojtjes raportoi këtë të mërkurë se, vatrat në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan mbeten ende aktive, pavarësisht përpjekjeve të shumta për t’i izoluar.

Përpjekjet vazhdojnë me 3 automjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë të bashkisë Elbasan, 2 automjete me 10 efektivë dhe një traktor me zinxhirë të Forcave tëArmatosura, ndërsa priten të mbërrijnë edhe 3 zjarrfikëse nga bashkitë e tjera.

Ndërsa, për Leli Kaja, administratorin e EcoElb (kompania publike që menaxhon landfillin) situata këtë të mërkurë është më e qetë.

“Po e vëmë në kontroll zjarrin. Ka disa vatra të vogla të brendshme që nxjerrin tym, me ato po merremi. Nuk ka nevojë për ndërhyrje nga ajri.” tha shkurt ai për Faktoje.al.

Elbasani, qyteti më i ndotur pas Tiranës

Pas Tiranës, Elbasani vlerësohet si qyteti më i ndoturnë Shqipëri, me nivele të larta të monoksidit të karbonit(CO) dhe dioksidit të azotit (NO₂), ndotës qëshkaktojnë probleme serioze shëndetësore dhedëmtime mjedisore.

Sipas monitorimeve të fundit, grimcat PM10 tejkalojnë normat e lejuara me 19.6%, duke e renditur qytetinndër më problematikët për cilësinë e ajrit.

Në të njëjtën kohë, të dhënat e INSTAT tregojnë një rritje të vdekjeve në 2024, lidhur kryesisht me tumoret, sëmundjet e gjakut dhe ato kardiovaskulare, ku faktorë mjedisorë si ndotja e ajrit dhe djegia e mbetjeve luajnë rol të rëndësishëm.

Sot, në Elbasan, tymi ka mbuluar gjithçka: fushat, rrugët, shtëpitë, fëmijët. Vetëm një gjë duket më e trashë se tymin: heshtja e autoriteteve.

Zjarrfikësit luftojnë me zjarrin, qytetarët me sëmundjet, ndërsa politika, me kujtesën. Kujtesën që herë e mbulon me premtime të ricikluara dhe herë me tym.

Por në këtë qytet, tymi nuk zhduket me propagandë, dhe inceneratorët nuk funksionojnë me foto e video inaugurimesh. Deri atëherë, Elbasani do të mbetet aty ku është: mes zjarrit, ndotjes dhe indiferencës.

The post Në Elbasan digjen plehrat, në Cërrik fjalët… appeared first on Faktoje.al.

  •  

Rana e Hedhun rrezikon të mos jetë e mbrojtur

Rana e Hedhun rrezikon të mos jetë e mbrojtur

Zjarrëfikëset të vjetëruara dhe me defekte të rënda 

Ilda Hoxha dhe Atdhe Mulla
Pas disa ditësh të tëra luftë me flakët, mëngjesin e 31 korrikut, Shëngjini u zgjua në qetësi. Zjarri që përfshiu këtë zonë la pas hektarë të mëdhenj toke të shkrumbuara dhe drurë pishash të djegura, duke shkaktuar panik mes qytetarëve dhe një dëm të konsiderueshëm për mjedisin. 
Në rubrikën “Përmes Fotografive”, fotografi Atdhe Mulla dhe gazetarja Ilda Hoxha sjellin pamjet e shkatërrimit që zjarri la pas në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin.

Banorët: Mund të ndodhte një katastrofë e madhe

Për Pashukun dhe familjen e tij, zjarri masvi që përfshiu Shëngjinin, solli frikë dhe panik. 

“Kur kanë qenë duke u djeg shtëpitë dhe njerëzit ka ardhur një aeroplan. Më erdhi më shumë keq prej fëmijëve, që duhet të dilnin jashtë, duke u djeg pisha e të gjitha. Kjo punë po ndodh shpesh. Pse do vijnë turistët këtu? Turistët vijnë për pushime, nuk duan flakë e tymnajë. 

Zjarri më ka ardhur deri te shtëpia, është djeg deri afër shtëpisë ku jetoj. Dola nga shtëpia, më pas kanë ardhur zjarrfikësit dhe ushtria”, thotë Pashuk Nuredini. 

Një tjetër banor thekson se me ndërhyrjen e strukturave u parandalua një katastrofë më e madhe.

 

“Ndodhi zjarri, por tani u rikthye çdo gjë në normalitet, nuk ka asnjë lloj problem. Mendojmë ishalla nuk ndodh më ndonjë gjë më tepër. Mund të ndodhte një katastrofë e madhe, por me ndërhyrjen e strukturave u shua zjarri”, tregon Kola, banor në zonën e “Ranës së Hedhun”.

Pronarët e hoteleve: Rrezikojmë sezonin, gushti ishte plot me rezervime

Flakët që përfshinë pyjet në Shëngjin prekën gjithashtu disa hotele në zonën e “Ranës së Hedhun”. Pas zjarrit masiv, këto hotele u boshatisën nga turistët dhe pronarët e tyre shprehen të shqetësuar se kjo situatë mund të ndikojë negativisht në planifikimin e pushimeve të gushtit, duke i bërë turistët të shqyrtojnë mundësinë e anulimit të rezervimeve.
 

“Turistët ikën, ishte gjendje shumë e vështirë. Jemi të frikësuar tani, mos humbim gushtin, sepse e kemi plot me rezervime. Po bëjmë lyrjet dhe rregullimet vetë sa më parë, se ndryshe u ‘dogjën’ për këtë vit. Në gusht kemi punën më të madhe”, thotë administratori i një hoteli.

Ambientalisti Olsi Nika: Djegia e pyllit në Shëngjin zhbën një habitat të rëndësishëm

Eksperti i mjedisit, Olsi Nika thekson se zjarret në zonën e “Ranës së Hedhun” janë të shkaktuara nga njeriu dhe jo nga faktorë natyrorë. Sipas tij, këto zjarrvënie të qëllimshme, që në shumicën e rasteve ndodhin për të krijuar hapësira të reja për ndërtim, kanë sjellë një rrezik të madh për mjedisin dhe zonat e mbrojtura.

“Në ndryshim nga vendet e tjera të rajonit që ne kemi fqinj, Shqipëria bën vetëm regres në këtë pikëpamje, sepse zjarret në bregdet nuk vijnë nga natyra. Janë zjarre të qëllimshme të vëna nga dora e njeriut përgjithësisht për të krijuar hapësira të reja për ndërtim. Me mënyrën që kanë gjetur, t’i vendosin një zjarr dhe pastaj të krijojnë hapësira për zhvillim”, argumenton Nika.

 

 

Zjarri ne SHengjin_Foto_027
Zjarri ne SHengjin_Foto_034
Zjarri ne SHengjin_Foto_042
Zjarri ne SHengjin_Foto_003
Zjarri ne SHengjin_Foto_040
Zjarri ne SHengjin_Foto_014
Zjarri ne SHengjin_Foto_009
Zjarri ne SHengjin_Foto_049
Zjarri ne SHengjin_Foto_020
Zjarri ne SHengjin_Foto_039
Zjarri ne SHengjin_Foto_017
Eksperti sqaron se sipas ndryshimeve të bëra, nëse një zonë e caktuar mjedisore dëmtohet dhe nuk përfaqëson më vlera për ruajtjen e natyrës, ajo mund të hiqet nga lista e Zonave të Mbrojtura. 
Ambientalisti shprehet se djegia e kësaj sipërfaqeje ka shkatërruar përfundimisht një habitat prioritar për direktivat e Bashkimit Europian. 
“Rana e Hedhun’ përfaqëson një nga zonat e mbrojtura mjaft interesante. Është një dunë apo përfaqësim i dunave ranore të stabilizuara, pak kemi në Mesdhe dhe në Shqipëri ca më pak. Me djegien e pyllit të pishave zhbën në mënyrë përfundimtare një habitat mjaft të rëndësishëm, që është edhe habitat prioritar për direktivat e Bashkimit Europian”, thekson ai. 
 

Zjarri në Shëngjin, Bashkia ende pa një bilanc për dëmet

Pavarësisht se qyteti i Shëngjinit ishte në prag të katastrofës, dëmet e mëdha në banesa dhe në njerëz u shmangën. Megjithatë, për fat të keq, kurora e gjelbër në kodrat përreth është shkrumbuar plotësisht. Bashkia e Lezhës ende nuk ka një bilanc të plotë të dëmeve. Në lidhje me këtë katastrofë natyrore, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, theksoi se kjo ka qenë një nga situatat më të vështira që ata janë përballur.
“Ka qenë një rrezik shumë i madh për shkak të një percipetimi të jashtëzakonshëm, për shkak të erës së fortë, disa vatrave të vogla, po që u bënë të mëdha. Nuk ka pasoja në njerëz, nuk ka pasoja materiale të rënda”, tha Ndreu.
 
 

KLSH: Mungojnë kapacitetet njerëzore dhe teknike për të përballuar zjarret

raport auditimin e publikuar në vitin 2022, Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentonte se niveli qendror dhe lokal nuk ka kapacitetet njerëzore dhe teknike për t’iu përgjigjur nevojave. 
Veç kësaj rezulton që edhe pse shumica e bashkive kanë zjarrfikëse dhe në gjendje pune disa prej tyre janë tejet të vjetra. Mjetet në disa raste rezultojnë të viteve ’60, ndërkohë është sjellë në vëmendje edhe mungesa e helikopterëve.
 
 

“Niveli qendror dhe lokal nuk ka burimet njerëzore dhe teknike të mjaftueshme për reagim ndaj situatave emergjente/zjarret. Nga 61 Bashki në shkallë Republike, janë marrë të dhëna në 55 prej tyre, në të cilat raportohen 152 zjarrfikëse”, thuhet në raportin e KLSH-së.

Më tej në këtë raport theksohet se: “Nga këto 131 në gjendje pune, 8 me defekte të vogla, 3 me defekte të konsiderueshme, 10 jashtë përdorimit dhe 36 të pa targuara (pa dokumentacion). Shumë nga zjarrfikëset në dispozicion janë të vjetruara (disa që datojnë nga vitet gjashtëdhjetë), janë në gjendje të keqe dhe nuk janë të ndërveprueshme sepse janë dhuruar nga vende të ndryshme”, thuhet në raportin e KLSH”. 

 

 

The post Rana e Hedhun rrezikon të mos jetë e mbrojtur appeared first on Faktoje.al.

  •  
❌