Reading view

Dërguti në protestën kundër eskpozitës së Shkëlzen Gashit: Shtrembërim i qëllimshëm i historisë së luftës



Në protestën e organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, kundër ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, ka folur edhe veteranja e UÇK-së, Aida Dërguti.

Sipas saj, si rezultat i këtyre shpifjeve u ndërtuan edhe procese gjyqësore, vendore dhe ndërkombëtare.

“Ka kaluar një çerekshekulli nga përfundimi i luftës, e rrëfimet e shtrembëruar dhe shpifjet nuk kanë të ndalur. Si rezultat i këtyre shpifjeve u ndërtuan procese gjyqësore vendore e ndërkombëtare”, tha ajo.

Dërguti ka shtuar e nuk do të lejojnë që sot të poshtërohen e nëpërkëmbën viktimat e luftës.

“Poshtërimi u ekspozua në shesh, na u shfaq një falsifikim i qëllimshëm që minimizon vuajtjet e popullit tonë. Çdo përpjekje për ta relativizuar faktin historik nuk i shërbejnë kujtesës, ajo vetëm krijon konfuzion mbi të vërtetën historike. Ne si veteran ndihemi keq që gjatë luftës nuk mundëm të mbrojmë krejt popullatën civile, mirëpo sot nuk lejojmë të poshtërohen këto viktima nga kushdo që në kohën e luftës ishte larg ngjarjeve të luftës e masakrave ndërsa sot përdorë referenca nga Serbia”, u shpreh Dërguti.

Ajo ka thënë se autorët e këtij shtrembërimi mbajnë përgjegjësi direkte bashkë me akterët politikë që e mundësuan atë.

“Autorët e këtij shtrembërimi mbajnë përgjegjësi direkte bashkë me akterët politikë që e mundësuan atë. Barra bie njëjësojë mbi çdo zyrë që përdori fonde publike për të financuar një përmbajtje të tillë”, u shpreh Dërguti. /Telegrafi/

  •  

​Kurti nuk komenton protestën e OVL- UÇK: Ekspozita për masakrat të korrigjohet



Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një konferencë për media nuk ka komentuar protestën që do të mbahet sot nga Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), shkak i ekspozitës nga ish-këshilltari i tij, Shkëlzen Gashi, i cili kishte vendosur gabime dhe të pavërteta për krimet e Serbisë në Kosovë.

I pyetur nga mediat për këtë ekspozitë dhe protestën që do të mbahet sot, tha se në atë ekspozitë gabimet duhet të korrigjohen dhe të shtohen edhe masakrat që nuk ishin përfshirë.

Kurti përmendi se një ekspozitë e tillë, duhet të ekspozohet, para botës, por edhe para brezave të rinj që të kuptojnë historinë e popullit.

Në ekspozitë ka shumë masakra që nuk janë përfshirë, por kishte edhe të tilla që kanë pasur gabime, tha Kurti

“Mesa morra vesh tashmë është larguar, ajo nuk ndodhet më në shesh. Aty ka shumë masakra që nuk janë përfshirë, por kishte edhe të tilla që kanë pasur gabime në tekst, ato natyrisht doemos duhet të korrigjohen e përmirësohen. E vërteta për ne dhe krimet e kryera në Kosovë duhet të ekspozohen sa më shumë, jo vetëm para botës por edhe para nesh, në veçanti para të rinjve dhe brezave që do të vijnë”, tha Kurti.

Madje, ai përmendi si një datë 10 qershorin, që një ekspozitë e tillë të shfaqet në të gjitha komunat e Kosovës, në 27 vjetorin e ditës së çlirimit të Kosovës.

“Një ekspozitë e saktë, e drejtë e e plotë, mbi të gjitha e vërtetë, për krimet e Serbisë në Kosovë, unë besoj që duhet të rikthehet sa më parë. Madje një datë optimale do të mund të ishte qershori, koha kur shënojmë përvjetorin e 27 të çlirimit të Kosovës. Është me rëndësi të mos jetë vetëm në Prishtinë, por në të gjitha komunat”, tha Kurti.

Ndryshe, sot, në orën 13:00, OVL-UÇK do të mbajë protestë para Kuvendit të Kosovës, për ekspozitën që ishte shfaqur në sheshet e Prishtinës, nga ish këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi, në të cilën ka pasur gabime dhe të pavërteta ndaj krimeve të serbëve. /Telegrafi/

  •  
❌