Reading view

Volumi i tregut të faktoringut ra edhe në vitin 2025

Tregu i produktit financiar të faktoringut u shfaq i dobët edhe për vitin 2025.  Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e faturave të financuara me faktoring ra për të dytin vit radhazi dhe zbriti në 0.94 miliardë lekë, me një rënie prej 27.7% krahasuar me një vit më parë.

Edhe numri total i faturave të financuara nëpërmjet faktoringut pësoi rënie të ndjeshme në 981, nga 1269 që kishin qenë në vitin 2024.

Tregu ngelet në përmasa tejet të vogla, krahasuar me produktet e tjera të financimit.

Në fund të vitit 2025, teprica e portofolit të faktoringut kishte vlerën totale të 480 milionë lekëve, në rritje me 37% krahasuar me një vit më parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, aktiviteti i faktoringut është realizuar në masën 77% në tregun vendas dhe kryesisht për financime me garanci, në masën 95%.

Faktoringu në Shqipëri është i rregulluar me një ligj të veçantë që prej vitit 2006, por tregu i këtij produkti nuk ka arritur asnjëherë të rritet në përmasa të rëndësishme.

Faktoringu është produkt financiar që ka në thelb kthimin e llogarive të arkëtueshme të biznesit në likuiditet, përmes shitjes së faturave tek ofruesi i këtij shërbimi financiar. Shitja e faturave i mundëson biznesit likuiditet të menjëhershëm, pa pritur momentin e shlyerjes së faturës nga blerësi i produktit apo shërbimit.

Ky produkt mund të jetë potencialisht me interes për të gjitha bizneset që kanë afate të vonuara të arkëtimit të pagesave për produktet apo shërbimet e tyre.

Teknikisht, faktoringu ofrohet nëpërmjet zbritjes së vlerës së faturës nga financuesi, në formë komisioni, ose përmes pagesës së një norme interesi për periudhën që nga shitja e faturës deri në arkëtimin e saj.

Tregu financiar shqiptar ngelet i dominuar kryesisht nga kredia bankare, ndërsa depërtimi në treg i produkteve alternative të financimit në përgjithësi është modest. Bizneset i plotësojnë nevojat e tyre për likuiditet në shumicën e rasteve me overdrafte apo linja kredie për kapital qarkullues nga bankat tregtare.

Sipas regjistrit të institucioneve financiare jobanka të Bankës së Shqipërisë, aktualisht janë shtatë kompani me licencë për të ofruar shërbimet e faktoringut. Por, megjithatë, për shumicën e subjekteve, faktoringu është aktivitet dytësor, madje një pjesë e tyre nuk kanë një portofol aktiv të këtij produkti.

Licencë për ofrimin e shërbimit të faktoringut kanë edhe pjesa më e madhe e bankave tregtare në vend, por shumica dërrmuese e tyre nuk ofrojnë produkte të faktoringut.

Tre vjet më parë, banka Intesa Sanpaolo Albania u bë e para bankë tregtare që hodhi në treg një produkt të faktoringut, si pjesë e një platforme ndërkombëtare të grupit italian, që synon ta ofrojë faktoringun kryesisht për bizneset e angazhuara në tregtinë e jashtme. Megjithatë, në pasqyrat e saj financiare të vitit 2025, as Intesa Sanpaolo nuk raportonte aktive faktoringu. / E.Shehu

Burimi: Banka e Shqipërisë

The post Volumi i tregut të faktoringut ra edhe në vitin 2025 appeared first on Revista Monitor.

  •  

NLB, banka që ka interes dhe për tregun shqiptar, pranon humbjen për Addiko Bank, RBI fiton betejën

Nova Ljubljanska Banka (NLB) e Sllovenisë nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme të aksionerëve për blerjen e Addiko Bank, duke ia lënë Raiffeisen Bank International (RBI) të Austrisë kontrollin e bankës me prani të gjerë në Europën Juglindore.

Deri në përfundim të periudhës së pranimit, më 29 korrik, në ofertën e NLB-së ishin përfshirë aksione që përfaqësonin 31.22% të kapitalit të emetuar të Addiko-s, nën pragun e kërkuar prej mbi 50%.

“NLB paraqiti një ofertë plotësisht transparente, vetëm me pagesë në para dhe me një çmim më të lartë për të gjithë aksionerët e Addiko-s. Ne e kuptojmë dhe e respektojmë faktin që jo të gjithë aksionerët e vlerësuan ofertën në të njëjtën mënyrë dhe nuk e pranuan atë, megjithëse mbetemi të bindur se shumë nga avantazhet dhe përfitimet strategjike të një bashkimi të mundshëm mes dy grupeve mbeten të pandryshuara”, deklaroi drejtori ekzekutiv i NLB-së, Blaž Brodnjak.

NLB, e cila kishte tentuar pa sukses ta blinte Addiko-n edhe në vitin 2024, synonte që përmes marrjes së kontrollit të bankës me seli në Vjenë të hynte në mënyrë të tërthortë në tregun bankar kroat.

Pas dy përmirësimeve të ofertës, NLB ofroi 37 euro për çdo aksion të Addiko-s, kundrejt 26.5 eurove për aksion të ofruara nga RBI. Megjithatë, pavarësisht çmimit më të lartë, oferta e NLB-së nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme.

RBI konfirmoi të hënën se deri më 29 korrik oferta e saj ishte pranuar për 56.16% të aksioneve që përfshiheshin në ofertë, duke kaluar pragun minimal prej mbi 55%.

Oferta e RBI-së mbetet e kushtëzuar nga miratimet e autoriteteve të konkurrencës në Austri, Slloveni, Kroaci, Serbi, Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë, Ukrainë, Kosovë dhe Shqipëri, jo më vonë se 14 maji 2027. Kushti do të konsiderohet i plotësuar edhe nëse afatet ligjore për shqyrtim përfundojnë pa miratim apo ndalim, ose nëse autoriteti përkatës deklaron se nuk ka kompetencë për ta shqyrtuar transaksionin, shkruan See News.

Pas përfundimit të ofertës, RBI pritet të zotërojë rreth 55.55% të kapitalit aktual të Addiko Bank.

Banka austriake njoftoi gjithashtu se aksionerët e Addiko-s që ende nuk e kanë pranuar ofertën e saj, ose që më parë kishin pranuar ofertën konkurruese të NLB-së, do të kenë edhe tre muaj kohë për t’u bashkuar me ofertën e RBI-së. Periudha shtesë zgjat nga 3 gushti deri më 3 nëntor.

 

Addiko ka 900 mijë klientë në rajon

Addiko Bank ushtron aktivitet në Kroaci, Slloveni, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi, ku u shërben rreth 900 mijë klientëve përmes 155 degëve dhe kanaleve digjitale. Banka ofron gjithashtu shërbime bankare digjitale në Rumani.

Ndër aksionerët më të mëdhenj të Addiko-s janë kompania austriake S-Quad Handels- und Beteiligungs, me 9.99%, AikBank e Serbisë dhe Gorenjska Banka e Sllovenisë, të cilat zotërojnë së bashku 9.69%, Alta Group e Serbisë me 9.63%, si dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me 8.40%.

Për RBI-në, blerja e Addiko-s do të përbënte një mundësi për të rritur pjesën e tregut në Kroaci dhe për t’u rikthyer në tregun slloven.

Nëse transaksioni përfundon me sukses, RBI planifikon t’ia shesë Alta Group filialet e Addiko-s jashtë Bashkimit Europian, përmes një marrëveshjeje ndarjeje të aktivitetit. Këtu përfshihen dy banka në Bosnjë-Hercegovinë, një në Serbi dhe një në Mal të Zi.

RBI tashmë ka filiale në Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi, ndërsa Alta Group, që e kishte përfshirë pjesëmarrjen e saj në ofertën e RBI-së, ushtron aktivitet bankar në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut.

 

Oferta më e lartë e NLB-së nuk mjaftoi

Edhe pse ishte më tërheqëse financiarisht, oferta e NLB-së mbështetej kryesisht nga investitorë financiarë, përfshirë Brandes Investment Partners me seli në SHBA, BERZH-in dhe Wellington Management.

Megjithatë, kushtet paraprake dhe nevoja për një numër të madh miratimesh rregullatore ngritën dyshime për mundësinë e përfundimit me sukses të transaksionit. Shqetësimi ishte veçanërisht i madh në Kroaci, ku NLB përballet me çështje gjyqësore të trashëguara që lidhen me depozitat e vjetra në valutë.

Nga ana tjetër, disa investitorë që mbështetën ofertën e NLB-së, përfshirë Brandes, ngritën shqetësime për strukturën e ofertës së RBI-së. Sipas tyre, marrëveshja e RBI-së me Alta Group mundësonte që oferta të kishte sukses pa mbështetjen e shumicës së aksionerëve që nuk kishin lidhje as me RBI-në dhe as me Alta Group.

Brandes ka pretenduar se Alta Group mund të ruajë një interes ekonomik efektiv në rreth 29.6% të Addiko-s, përmes aksioneve të drejtpërdrejta dhe marrëveshjeve për blerjen e aksioneve.

Përveç pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë prej 9.63%, Alta Group zotëron edhe katër instrumente financiare që përfaqësojnë 19.96% të kapitalit të Addiko Bank.

Javën e kaluar, të katër anëtarët e bordit drejtues të Addiko-s i përfshinë aksionet e tyre në ofertën e blerjes të paraqitur nga RBI, përfundon artikulli i See News.

 

NLB, interes pwr tw hyrw nw tregun shqiptar

Grupi bankar slloven Nova Ljubljanska Banka (NLB) ka ambicie serioze për të hyrë edhe në tregun financiar shqiptar.

Blaž Brodnjak, kryetar i bordit menaxhues (CEO) i grupit bankar slloven, ka deklaruar në një intervistë të mëparshme për Monitor se hyrja në tregun shqiptar do të plotësonte praninë rajonale të NLB-së dhe do të forconte rrjetin e integruar financiar të bankës në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, kjo ndërlidhje mund të mbështeste më tej flukset ndërkufitare të kapitalit dhe ta poziciononte grupin NLB si një lidhje kyçe midis tregjeve rajonale, duke vepruar gjithashtu si një nga qendrat kryesore për investitorët ndërkombëtarë në rajon dhe investitorët vendas në botë.

Ai shprehet se NLB vepron sipas një modeli bankar universal, me një gamë të zgjeruar shërbimesh, nga bankat me pakicë dhe korporata deri te zgjidhjet e investimeve, sigurimeve dhe këshillimit.

Kjo do të thotë se fokusi i NLB shtrihet edhe përtej sektorit bankar dhe është i hapur për të eksploruar mundësi në fusha të tjera të sektorit financiar, duke përfshirë sigurimet apo menaxhimin e aseteve. Kapaciteti i NLB për të blerë institucione financiare vlerësohet deri në 4 miliardë euro vlerë asetesh të ponderuara me risk.

 

“Banka sllovene NLB do të hyjë në Shqipëri për të plotësuar praninë tonë rajonale”

The post NLB, banka që ka interes dhe për tregun shqiptar, pranon humbjen për Addiko Bank, RBI fiton betejën appeared first on Revista Monitor.

  •  

Yield-et e obligacioneve 15-vjeçare rriten më tej, në nivelin më të lartë prej nëntorit 2024

Yield-et e obligacioneve 15-vjeçare shënuan një rritje të mëtejshme në ankandin e kësaj jave.

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë,  yield-i uniform i pranuar u rrit në 6.35%, nga 6.22% që kishte qenë në ankandin e fundit, të muajit qershor.

Yield-i këtyre instrumenteve është gjithashtu në rritje nga niveli prej 5.95% ku qëndronte një vit më parë. Aktualisht, yield-i i obligacioneve 15-vjeçare ka arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2024.

Në ankand u regjistrua rritje e kërkesës së investitorëve, ndryshe nga sa ka ndodhur përgjithësisht në muajt e fundit, kur ankandet e titujve afatgjatë janë karakterizuar nga një kërkesë më e ulët e investitorëve.

Ndërkohë, në ankandin e kësaj jave shuma totale e kërkesave ishte rreth 3.8 miliardë lekë, nga 1.5 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim.

Ministria e Financave vendosi ta shfrytëzojë kërkesën e lartë dhe e rriti shumën e emetimit në 1.72 miliardë lekë.

Veçanërisht pas tremujorit të dytë, yield-et e titujve qeveritarë kanë shfaqur një tendencë në rritje, sidomos në instrumentet me maturim më afatgjatë.

Konflikti në Lindjen e Mesme shkaktoi rritje të inflacionit dhe forcoi pritshmëritë e tregjeve për një rritje të normave të interesit. Deri tani, Banka e Shqipërisë nuk e ka rritur ende normën bazë, megjithëse inflacioni ka arritur në 3.2%, ndërsa inflacioni bazë është në nivele më të larta, në 3.5%.

Kjo zgjedhje është motivuar nga pritshmëria për një tejkalim të shpejtë të efekteve të krizës gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Megjithatë, zhvillimet e muajit korrik treguan se një pritshmëri e tillë deri tani nuk po përmbushet dhe çmimet e naftës u rritën përsëri.

Kjo pritet të sjellë rritje të mëtejshme të inflacionit, çka e bën edhe më të ngjashme një rritje të normave të interesit nga Banka Qendrore.

Banka Qendrore Europiane ndërkohë e ndërmori një lëvizje, duke rritur normat referuese me 0.25 pikë përqindje në muajin qershor.

Përveç rikalibrimit të pritshmërive të investitorëve, rritja e yield-eve në muajt e fundit mund të shpjegohet me uljen e pjesëmarrjes së tyre në ankande.

Një tendencë e tillë pjesërisht lidhet me një ulje graduale të blerjeve nga bankat, që janë investitorët kryesorë në titujt e borxhit qeveritar dhe me pritshmëri më të larta për rritje të normave të interesit në muajt e ardhshëm.

Yield-et e titujve qeveritarë në përgjithësi janë hallka e parë dhe më e shpejtë ku transmetohen lëvizjet e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

Një rritje e yield-eve nuk do të reflektohej vetëm në koston e huamarrjes së qeverisë, por më tej edhe në interesat e kredive të sektorit privat./ E.Shehu

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

The post Yield-et e obligacioneve 15-vjeçare rriten më tej, në nivelin më të lartë prej nëntorit 2024 appeared first on Revista Monitor.

  •  

Jo vetëm të BE, turizmi po rrit dhe bujqësinë e fqinjëve, zgjerohen importet e ushqimeve nga rajoni

Teksa prodhimi vendas bujqësor po thellon rënien nga viti në viti, kërkesa në rritje për ushqime po nxit jo vetëm ekonominë e Bashkimit Europian, por dhe atë të vendeve fqinjë.

Të dhënat e INSTAT për 6-mujorin e parë 2026 tregojnë se importet e ushqimeve në sasi pësuan rritje vjetore me 14%, teksa importet Kroacia dhe Moldavia sollën shtesën më të madhe, kryesisht nga sasitë më të lartë të drithërave dhe zarzavateve.

Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, importet nga vendet e përfshira në tabelë arritën në rreth 716 mijë tonë, nga 628.2 mijë  tonë në janar–qershor 2025, ose 14% më shumë .

Rritja nuk ka ardhur vetëm nga partnerët tradicionalë tregtarë, por edhe nga një shtim i shpejtë i importeve nga disa vende që më parë kishin një peshë të kufizuar në furnizimin e tregut shqiptar.

 

Rriten importet nga Europës Lindore dhe vendet e rajonit

Shtesa më e madhe në sasi e ushqimeve  u regjistrua nga Kroacia. Importet nga ky vend u rritën nga 4200 tonë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 në 26,400 tonë në të njëjtën periudhë të vitit 2026. Në terma absolutë, rritja ishte rreth 22 mijë tonë ose 526%. Vetëm Kroacia gjeneroi afërsisht një të katërtën e rritjes së përgjithshme të importeve të evidentuara në tabelë. Rritja u dominua nga drithërat.

Një zgjerim edhe më i fortë në përqindje u shënua nga Moldavia. Importet nga ky vend u rritën nga vetëm 376 tonë në më shumë se 20.1 milionë kilogramë. Shtesa vjetore ishte rreth 19.8 mijë tonë, me një rritje prej mbi 52 herësh, kryesisht nga drithërat.

Rritje të konsiderueshme pati edhe nga Ukraina, me rreth 12.2 milionë kilogramë më shumë, duke arritur në 26.7 milionë kilogramë. Importet nga Maqedonia e Veriut u shtuan me 11.5 milionë kilogramë, ose 71%, ndërsa ato nga Greqia u rritën me rreth 11 milionë kilogramë, ose 14%. Rritja nga këto vende u dominua nga drithërat, zarzavatet dhe bulmeti.

Këto pesë vende së bashku sollën një shtesë prej rreth 76.6 milionë kilogramësh, duke përbërë pjesën dërrmuese të rritjes vjetore.

Të dhënat tregojnë një zhvendosje të pjesshme të furnizimeve drejt vendeve të Europës Lindore dhe të rajonit. Përveç Kroacisë, Moldavisë, Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut, importet  e ushqimeve u rritën edhe nga Bullgaria me 66%, Hungaria me 44% dhe Rumania me 8%.

Furnizimet nga Mali i Zi u shtuan me 72%. Në të njëjtën kohë, importet nga disa vende më të largëta u rritën ndjeshëm. Nga Brazili u importuan rreth 19 milionë kilogramë, 34% më shumë se një vit më parë. Importet nga Argjentina u zgjeruan me 80%, ndërsa ato nga Ekuadori u rritën me 14%.

Rritja e importeve nga Amerika Latine lidhet zakonisht me produkte të tilla si mishi, drithërat, frutat, sheqeri, kafja dhe produkte të tjera që nuk prodhohen në sasi të mjaftueshme në vend. Megjithatë, për të përcaktuar faktorët konkretë të rritjes kërkohet ndarja e të dhënave sipas grupmallrave.

 

Serbia mbetet furnizuesi kryesor me ushqime i Shqipërisë

Serbia vijoi të ishte vendi nga i cili Shqipëria importoi sasinë më të madhe të ushqimeve (drithërave) në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, me rreth 114.8 mijë tonë.

Megjithatë, importet nga Serbia ranë me afro 19.9 mijë tonë ose 15%, krahasuar me një vit më parë. Kjo ishte tkurrja më e madhe në terma absolutë ndër të gjitha vendet.

Pesha e Serbisë në totalin e importeve të evidentuara zbriti në rreth 16% të totalit, nga mbi 21% që ishte një vit më parë. Rënia sugjeron se një pjesë e drithërave që më parë siguroheshin nga Serbia mund të jetë zëvendësuar nga vende të tjera të rajonit dhe të Europës Lindore.

Italia renditej e dyta, me rreth 98.9 mijë tonë ushqime të importuara pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë. Importet nga Italia u rritën vetëm me 1%, duke treguar një qëndrueshmëri të marrëdhënieve tregtare.

Greqia u rendit e treta, me 88.2 mijë tonë, pas rritjes prej 14%, ndërsa Rusia ishte furnizuesi i katërt, me 59.8 mijë tonë.

Vetëm Serbia, Italia dhe Greqia siguruan së bashku rreth 42% të sasisë së përgjithshme të ushqimeve të importuara nga vendet e listuara.

Kosova mbeti një furnizues i rëndësishëm, me rreth 32 milionë kilogramë, por importet prej saj u rritën vetëm me 1%. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut e zgjeroi ndjeshëm praninë në tregun shqiptar, duke arritur në 27.5 milionë kilogramë.

 

Turizmi rriti dhe ekonominë e BE

Më herët, të dhënat e Eurostat bënë të ditur se bumi i turizmit dhe dobësia e prodhimit vendas në Shqipëri kanë shtuar importet dhe vlerën e krijuar në vendet e BE-së. Sipas të dhënave të Eurostat, konsumi dhe investimet në Shqipëri po krijojnë një ndikim gjithnjë e më të madh në ekonominë e Bashkimit Europian.

Në vitin 2024, kërkesa përfundimtare nga Shqipëria gjeneroi rreth 3.13 miliardë euro vlerë të shtuar dhe mbështeti afro 48.8 mijë vende pune në vendet e BE-së, sipas të dhënave të reja të Eurostat.

Nëse krahasohet me një Prodhim të Brendshëm Bruto të Shqipërisë prej rreth 26 miliardë eurosh, vlera e shtuar që kërkesa shqiptare gjeneron në BE është e barabartë me afërsisht 12% të madhësisë së ekonomisë shqiptare.

Vlera e shtuar e gjeneruar në BE u rrit nga rreth 1.56 miliardë euro në vitin 2010 në 3.13 miliardë euro në vitin 2024, duke u dyfishuar gjatë periudhës. Rritja e fortë e vlerës së shtuar që kërkesa shqiptare gjeneron në BE përkon me bumin e turizmit dhe shtimin e importeve.

Zgjerimi i numrit të vizitorëve ka rritur kërkesën për ushqime, pije, pajisje dhe shërbime, ndërsa kapacitetet e kufizuara të prodhimit vendas, veçanërisht në bujqësi dhe përpunimin ushqimor, kanë bërë që një pjesë e kësaj kërkese të plotësohet nga importet.

 

Turizmi shqiptar rrit ekonominë europiane; Kontributi i Shqipërisë në BE dyfishohet në 3.1 mld euro

 

/ B.Hoxha

 

The post Jo vetëm të BE, turizmi po rrit dhe bujqësinë e fqinjëve, zgjerohen importet e ushqimeve nga rajoni appeared first on Revista Monitor.

  •  

15 bashki kanë më pak se 10 mijë banorë, por shkrihen 4 me mbi 25 mijë

Varianti i propozuar nga Partia Socialiste për reformën e re territoriale, i cili me gjasë do të zbatohet për shkak të votave që mazhoranca ka në Kuvend, tregon se ndarja e re nuk merr në konsideratë vetëm numrin e banorëve.

Partia Socialiste, në draftin që dorëzoi në Kuvend, propozoi konsolidimin e 15 bashkive: Maliq, Dimal, Cërrik, Divjakë, Përrenjas, Patos, Belsh, Rrogozhinë, Klos, Selenicë, Poliçan, Memaliaj, Fushë-Arrëz, Këlcyrë dhe Libohovë.

Propozimi i PS për reformën territoriale: Ulet numri i bashkive nga 61 në 46

Sipas të dhënave të Censit 2023, nga 46 bashkitë që mbeten, 10 kanë më pak se 10 mijë banorë. Mes tyre janë Himara, Dropulli, Përmeti, Kolonja, Tepelena, Memaliaj, Puka, Delvina, Konispoli dhe Pusteci.

Pusteci, me vetëm 1.8 mijë banorë, është bashkia më e vogël në vend, por vijon të ruhet si njësi më vete. Edhe Konispoli, me 4.9 mijë banorë, ka popullsi të përafërt me Fushë-Arrëzin dhe shumë më të vogël se disa prej bashkive që shkrihen.

Analiza e të dhënave të Censit 2023 tregon se riorganizimi nuk kufizohet vetëm te bashkitë me popullsi shumë të vogël.

 

Humbin statusin bashki me mbi 20 mijë banorë

Në listën e njësive që humbasin statusin e bashkisë janë përfshirë edhe bashki relativisht të mëdha, me mbi 20 mijë dhe deri në 31 mijë banorë.

Në total, 15 bashkitë e parashikuara për t’u bashkuar me bashki më të mëdha kanë rreth 224 mijë banorë, ose afërsisht 9.3% të popullsisë së vendit. Popullsia mesatare e tyre është rreth 15.6 mijë banorë, ndërsa gjysma kanë më shumë se 14.8 mijë banorë.

Bashkia më e madhe që pritet të humbasë statusin është Maliqi, me 31 mijë banorë. Ajo renditet e 18-ta ndër 61 bashkitë e vendit për nga numri i popullsisë dhe ka më shumë banorë se 43 bashki të tjera.

Pas Maliqit, njësitë më të mëdha që shkrihen janë Dimali, me 28.1 mijë banorë, Cërriku, me 25.2 mijë, dhe Divjaka, me 24.9 mijë banorë. Këto katër bashki kanë së bashku rreth 109 mijë banorë dhe përbëjnë gati gjysmën e popullsisë së njësive që preken nga reforma.

Në listë përfshihen gjithashtu Përrenjasi, me 18.8 mijë banorë, Patosi, me 18.2 mijë, dhe Belshi, me 17.1 mijë banorë.

Në total, 7 nga 14 bashkitë që shkrihen kanë më shumë se 15 mijë banorë, ndërsa 9 prej tyre kanë mbi 10 mijë banorë.

Bashkitë e tjera të përfshira në variantin e PS-së janë Rrogozhina, me 12.6 mijë banorë, Klosi, me 12.2 mijë, Selenica, me 9.6 mijë, dhe Poliçani, me 8.8 mijë banorë.

Në fund renditen Fushë-Arrëzi, me 4.9 mijë banorë, Këlcyra, me 4.4 mijë, dhe Libohova, me më pak se 2.8 mijë banorë.

 

Konsolidimi rrit madhësinë mesatare të bashkive

Me kalimin nga 61 në 47 bashki, popullsia mesatare teorike për një bashki do të rritej nga rreth 39.4 mijë në mbi 51 mijë banorë.

Në praktikë, rritja do të varet nga mënyra se si territori dhe popullsia e 14 bashkive do të shpërndahen te njësitë pritëse.

Konsolidimi synon të krijojë bashki me administrata më të mëdha dhe me bazë më të gjerë popullsie dhe të ardhurash. Por përfshirja e njësive si Maliqi, Dimali, Cërriku dhe Divjaka tregon se reforma nuk po eliminon vetëm bashkitë që janë bërë të paqëndrueshme për shkak të tkurrjes demografike.

Në disa zona po shkrihen njësi që kanë më shumë banorë se shumë prej bashkive që do të vazhdojnë të ekzistojnë.

Kjo e zhvendos debatin nga pyetja se cilat bashki janë shumë të vogla, te mënyra se si janë zgjedhur qendrat që do të konsolidohen dhe njësitë që do të ruajnë statusin administrativ./ B.Hoxha

 

 

The post 15 bashki kanë më pak se 10 mijë banorë, por shkrihen 4 me mbi 25 mijë appeared first on Revista Monitor.

  •  

Vetëm 8.6% e shqiptarëve blejnë bileta online për evente, ndër nivelet më të ulëta në Europë

Vetëm 8.6% e individëve në Shqipëri kishin blerë në internet bileta për koncerte, festivale apo evente të tjera gjatë tre muajve përpara vrojtimit të vitit 2025, sipas të dhënave të Eurostat-it.

Përqindja është shumë më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, ku 26.8% e qytetarëve kishin blerë bileta online. Në BE më shumë se një në katër persona përdor internetin për të siguruar bileta për evente, ndërsa në Shqipëri këtë e bën më pak se një në 11 persona.

Eurostat raporton se në krahasim me vitin 2024, pesha e qytetarëve të BE-së që blenë bileta online u rrit me 3.8 pikë përqindje, e nxitur nga zgjerimi i platformave digjitale dhe rikthimi i koncerteve e festivaleve në kalendarin kulturor europian.

 

Shqipëria pas Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut

Përdorimi i internetit për blerjen e biletave mbetet i kufizuar në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Në rajon, përqindjen më të lartë e kishte Serbia, ku 11.4% e individëve kishin blerë bileta online për evente, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 10.8%.

Shqipëria renditej më pas me 8.6%, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën, me 7.4%, Kosovën me 7.35% dhe Malin e Zi me 6%.

Edhe Turqia kishte një nivel më të ulët se Shqipëria, me 6.2%.

Diferenca është e dukshme edhe me vendet fqinje të BE-së. Në Greqi, 38.9% e individëve kishin blerë bileta online, më shumë se katër herë niveli i Shqipërisë.

Në Kroaci përqindja ishte 28.3%, në Slloveni 20.9%, ndërsa në Bullgari 11.4%. Italia, pavarësisht tregut shumë më të madh të koncerteve dhe aktiviteteve kulturore, kishte një nivel relativisht të ulët për standardet e BE-së, prej 14.2%.

 

Irlanda dhe Norvegjia në krye

Ndër vendet europiane për të cilat ka të dhëna, Irlanda kishte përqindjen më të lartë, me 51.5% të individëve që kishin blerë bileta online.

Pas saj renditej Norvegjia, me 50.3%, Holanda me 48.1% dhe Danimarka me 47.9%. Në Finlandë përqindja ishte 44.2%, në Zvicër 42.2%, ndërsa në Greqi 38.9%.

Në këto vende, blerja online është kthyer në mënyrën kryesore për të siguruar bileta për koncerte, festivale, shfaqje dhe aktivitete të tjera.

Brenda Bashkimit Europian, nivelet më të ulëta u regjistruan në Bullgari, me 11.4%, Rumani me 12.6% dhe Itali me 14.2%.

 

Koncerti i Kanye West tregoi kufijtë e kërkesës vendase

Përdorimi i kufizuar i platformave online për bileta u reflektua edhe në ecurinë e koncertit të këngëtarit Kanye West në Tiranë, një nga më të mëdhenjtë në botë, që rezulton i dhjeti më i dëgjuar në platformën Spotify.

Aktiviteti ishte planifikuar për një audiencë të madhe me 60 mijë persona, përfshirë dhe turistët, por shitjet ecën më ngadalë nga parashikimet.

Organizatorët kishin deklaruar se duhej të shiteshin të paktën 40 mijë bileta që koncerti të ishte ekonomikisht i leverdishëm, ndërsa pak ditë përpara zhvillimit të tij një pjesë e konsiderueshme e vendeve vijonte të ishte e lirë.

 

Pak ditë para koncertit të Kanye West, gjysma e biletave ende të pashitura, kush i mbulon kostot

 

Një nga pengesat ishte çmimi i biletave, që varionte nga 120 deri në 330 euro, nivele të larta në raport me fuqinë blerëse të publikut vendas.

Edhe interesi nga turistët e huaj rezultoi më i dobët se pritshmëritë fillestare, teksa Shqipëria nuk njihet si një vend që organizon evente të përmasave të tilla.

Në ditët e fundit përpara koncertit, qeveria akordoi rreth 4.2 milionë euro për organizimin e aktivitetit, me argumentin e promovimit të turizmit. Financimi u dha në një kohë kur shitjet nuk kishin arritur nivelin e nevojshëm për leverdinë e deklaruar nga organizatorët, duke u paraqitur nga qeveria si një përpjekje për të shpëtuar koncertin dhe bashkë me të dhe imazhin e vendit.

Rasti tregoi vështirësinë e organizimit të eventeve të mëdha vetëm mbi bazën e kërkesës vendase, në një treg ku jo vetëm fuqia blerëse është e ulët, por edhe përdorimi i internetit për blerjen e biletave është më i kufizuari në Europë.

The post Vetëm 8.6% e shqiptarëve blejnë bileta online për evente, ndër nivelet më të ulëta në Europë appeared first on Revista Monitor.

  •  

IA ofron një mundësi jetike për ekonomitë në zhvillim në një periudhë të rritjes së dobët ekonomike

Inteligjenca Artificiale (IA) u mundëson vendeve në zhvillim të arrijnë brenda një dekade atë që, në kushte normale, do të kërkonte një shekull, nëse qeveritë veprojnë me shpejtësi për të ngushtuar hendeqet në energji, lidhjet digjitale, aftësitë dhe cilësinë e institucioneve, që kërcënojnë t’i lënë pas këto vende, sipas Raportit të Zhvillimit Botëror 2026 të Grupit të Bankës Botërore: Premtimi i Inteligjencës Artificiale.

Sipas raportit të publikuar sot, vendet e punës në ekonomitë me të ardhura të larta kanë më shumë se tre herë gjasa të preken nga automatizimi përmes inteligjencës artificiale gjeneruese sesa ato në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku 4.5% e vendeve ekzistuese të punës janë në rrezik, krahasuar me 14.2% në ekonomitë me të ardhura të larta.

Në të njëjtën kohë, 16.2% e vendeve të punës në ekonomitë në zhvillim mund të përfitojnë rritje të ndjeshme të produktivitetit nga IA, afër nivelit prej 18.7% që pritet në ekonomitë me të ardhura të larta.

Premtimi më i madh për vendet në zhvillim nuk qëndron në zëvendësimin e punëtorëve, por në shumëfishimin e kontributit që ata mund të japin.

“Inteligjenca artificiale u ka dhënë ekonomive në zhvillim një mundësi jetike dhe ato duhet ta shfrytëzojnë atë”, tha Indermit Gill, Zëvendëspresident i Lartë dhe Kryeekonomist i Grupit të Bankës Botërore. “Ato nuk kanë nevojë për modele apo qendra të mëdha të të dhënave për të përfituar nga kjo mundësi.

Duke përshtatur mjete të thjeshta dhe me kosto të ulët të inteligjencës artificiale për kushtet vendore, ekonomitë e këtyre vendeve mund të sigurojnë kujdes më të mirë mjekësor, edukim, shërbime gjyqësore dhe më shumë shërbime bujqësore për miliona njerëz.

Por ato duhet të veprojnë me shpejtësi: IA po përhapet më shpejt dhe është më specifike për kontekstin vendor sesa teknologjitë e mëparshme me përdorim të gjerë, si energjia elektrike dhe interneti. Raporti i Zhvillimit Botëror 2026 tregon se si vendet në zhvillim po i përgjigjen kësaj sfide dhe po arrijnë rezultate.”

Raporti është vlerësimi i parë gjithëpërfshirës i ndikimit të IA-së në vendet në zhvillim dhe tregon se si bizneset dhe qeveritë në këto vende kanë filluar ta përdorin atë. Ai vëren se inteligjenca artificiale po ndihmon njerëzit, bizneset dhe qeveritë të zgjidhin probleme, të analizojnë informacionin, të përmirësojnë parashikimet dhe të ofrojnë shërbime për një numër më të madh përfituesish.

Këto aftësi janë veçanërisht të vlefshme në vendet ku profesionistët e kualifikuar, dokumentacioni i besueshëm dhe kapacitetet e institucioneve publike shpesh janë të kufizuara.

Mjetet e IA-së mund t’i ndihmojnë mjekët të diagnostikojnë pacientët, fermerët të marrin vendime më të mira për prodhimin bujqësor dhe bizneset të bëhen më produktive. Edhe qeveritë mund të përdorin IA për të përmirësuar mbledhjen e të ardhurave tatimore, programet e mbrojtjes sociale, reagimin ndaj fatkeqësive, si dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore.

Ekonomitë në zhvillim po përjetojnë sot periudhën me rritjen ekonomike mesatare më të dobët të tre dekadave të fundit. Sipas raportit, IA mund të përmirësojë ndjeshëm këtë ecuri përpara fundit të viteve 2020, duke sjellë përfitime të prekshme për njerëzit.

Megjithatë, kjo mundësi nuk është e garantuar. Sistemet më të avancuara të IA-së po zhvillohen nga një numër i kufizuar vendesh dhe kompanish, ndërkohë që shumë ekonomi në zhvillim ende përballen me mungesa në energji, akses në internet, të dhëna, aftësi dhe kapacitete institucionale, të nevojshme për të përdorur IA-në në mënyrë efektive.

Pa veprime të mirëpërcaktuara, inteligjenca artificiale mund të thellojë hendekun midis vendeve, të rrisë pabarazinë brenda tyre, të rrisë përqendrimin e fuqisë në treg, të dobësojë besimin te institucionet publike dhe të krijojë rreziqe të reja për sigurinë, të drejtat dhe kohezionin shoqëror.

Raporti paraqet një rrugë të qartë me tre hapa: të përdoren mjetet që janë tashmë të disponueshme, të përshtaten ato me kushtet vendore dhe, me kalimin e kohës, të përparohet drejt zhvillimit të sistemeve më të avancuara të inteligjencës artificiale.

Kjo qasje e shkallëzuar i ndihmon vendet të shmangin përpjekjet e kushtueshme dhe joefikase për të riprodhuar teknologjitë më të përparuara të IA-së përpara se të krijohen kushtet bazë të nevojshme.

“Hapësira për ta bërë këtë siç duhet është e ngushtë”, tha Gaurav Nayyar, Drejtor i Raportit të Zhvillimit Botëror 2026. “Inteligjenca artificiale ofron një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë për të zgjidhur probleme që kanë mbetur pa zgjidhje për breza me radhë.

Vendet në zhvillim që ndërtojnë themelet tani — energji, lidhje digjitale, aftësi dhe institucione — do të jenë në pozicionin e duhur për ta përvetësuar dhe përshtatur IA-në në dobi të qytetarëve të tyre.”

Asnjëra prej këtyre nuk mund të realizohet pa investuar fillimisht në elementët bazë. Në vendet e Afrikës nën-Sahariane, gati një e treta e shkollave rurale ende nuk kanë energji elektrike dhe më shumë se dy të tretat nuk kanë akses në internet.

Mbyllja e këtij hendeku është tashmë një prioritet — Grupi i Bankës Botërore po punon me partnerët përmes nismës Misioni 300 për t’u siguruar akses në energji 300 milionë njerëzve në Afrikën nën-Sahariane deri në vitin 2030, duke hedhur themelet për përfshirje më të gjerë në teknologjitë digjitale dhe inteligjencën artificiale.

Vendet gjithashtu duhet të zgjerojnë aksesin në kapacitetet kompjuterike dhe të përmirësojnë disponueshmërinë e të dhënave vendore, përfshirë në gjuhët vendore, në mënyrë që mjetet e IA-së të përshtaten me nevojat e qytetarëve dhe ekonomive të tyre.

Qeveritë duhet ta bëjnë më të lehtë për ndërmarrjet e reja të tërheqin investime, të testojnë ide dhe të zhvillojnë më tej zgjidhjet që japin rezultat. Shumë nisma pilot të IA-së po zbatohen, por sfida më e madhe është të identifikohen ato që sjellin rezultate. Për këtë do të nevojiten të dhëna më të mira, aftësi më të forta, si dhe kuadër më i qartë prokurimi dhe vlerësimi.

Po aq i rëndësishëm është edhe forcimi i besimit të publikut. Ndërsa inteligjenca artificiale zhvillohet me ritme të shpejta, qeveritë fillimisht duhet të shfrytëzojnë standardet vullnetare të industrisë për të nxitur përdorimin e saj në mënyrë të përgjegjshme, mbështetur në bashkëpunim ndërkombëtar për të parandaluar fragmentimin rregullator.

Kur masat vullnetare nuk mjaftojnë, qeveritë duhet të mbështeten te legjislacioni ekzistues për të trajtuar drejtpërdrejt pasojat negative.

Shërbimet publike të përmirësuara dhe rezultatet më të mira në arsim do të forcojnë besimin, por nëse IA çon në vendime të njëanshme qeveritare ose cenon privatësinë e të dhënave, rikthimi i këtij besimi do të jetë i vështirë, sipas njoftimit zyrtar.

The post IA ofron një mundësi jetike për ekonomitë në zhvillim në një periudhë të rritjes së dobët ekonomike appeared first on Revista Monitor.

  •  

Shqipëria, me konsumin më të ulët të energjisë në banesa në Europë

Një banor në Shqipëri konsumon në shtëpi shumë më pak energji se një qytetar mesatar i Bashkimit Europian.

Sipas treguesit të Eurostat për konsumin përfundimtar të energjisë në familje për frymë, Shqipëria regjistroi 220 kilogramë ekuivalent nafte për banor në vitin 2022, viti i fundit për të cilin ka të dhëna të disponueshme për vendin.

Ky është një ndër nivelet më të ulëta, madje më i ulët edhe se vlerat e raportuara së fundmi nga vendet jugore të BE-së.

Niveli i ulët lidhet me klimën më të butë, por edhe me të ardhurat, mundësinë për të përballuar ngrohjen dhe cilësinë energjetike të banesave.

Për krahasim, konsumi mesatar në Bashkimin Europian ishte 507 kilogramë ekuivalent nafte për banor në vitin 2024, rreth 2.7 herë më i lartë se shifra e fundit e Shqipërisë. Treguesi përfshin energjinë e përdorur në banesë për ngrohje, ftohje, gatim, ujë të ngrohtë, ndriçim dhe pajisje elektroshtëpiake, por përjashton transportin.

Megjithatë, niveli i ulët nuk duhet lexuar automatikisht si tregues i eficiencës së lartë energjetike. Eurostat shpjegon se konsumi ndikohet nga klima, madhësia dhe përbërja e familjes, të ardhurat, mënyra e përdorimit të pajisjeve, cilësia e ndërtesave dhe niveli i komfortit termik që familjet dëshirojnë ose kanë mundësi të përballojnë.

Në rastin e Shqipërisë, klima relativisht e butë ul nevojën për ngrohje krahasuar me vendet veriore.

Por konsumi i ulët mund të pasqyrojë gjithashtu faktin që një pjesë e familjeve kufizojnë ngrohjen ose ftohjen për shkak të kostove, ndërsa stoku i ndërtesave ka probleme me izolimin dhe eficiencën.

 

Shqipëria shumë poshtë rajonit

Diferenca është e madhe edhe me vendet e rajonit. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, konsumi përfundimtar i energjisë në familje ishte 519 kilogramë ekuivalent nafte për frymë në vitin 2023, rreth 2.7 herë më i lartë se niveli i fundit i raportuar për Shqipërinë.

Në Kroaci, konsumi arriti në 572 kilogramë për frymë në vitin 2024, ndërsa në Bullgari ishte 305 kilogramë. Diferencat lidhen jo vetëm me temperaturat më të ulëta të dimrit, por edhe me tipologjinë e banesave, sistemet e ngrohjes, përdorimin e drurit, gazit apo ngrohjes së centralizuar dhe nivelin e konsumit të familjeve.

Edhe në vendet më të ngrohta të Europës, konsumi në banesa është përgjithësisht më i lartë se në Shqipëri.

Në vitin 2024, Qipro regjistroi 244 kilogramë ekuivalent nafte për banor dhe Portugalia 275 kilogramë. Malta kishte nivelin më të ulët ndër vendet e BE-së, me 214 kilogramë për frymë, por përsëri mbi vlerën e fundit të Shqipërisë.

 

Familjet europiane po konsumojnë më pak energji

Sipas Eurostat, në të gjithë Bashkimin Europian, konsumi i energjisë në familje ka ardhur në rënie. Në vitin 2024, ai ishte 9% më i ulët se në vitin 2019, duke zbritur në 507 kilogramë ekuivalent nafte për banor.

Në një periudhë më të gjatë, nga viti 2009 deri në vitin 2024, konsumi i përgjithshëm i energjisë nga familjet e BE-së u ul me 13.1%, edhe pse popullsia u rrit me rreth 9 milionë banorë. Eurostat e lidh këtë ecuri kryesisht me përmirësimin e eficiencës së ndërtesave, pajisjeve dhe sistemeve të ngrohjes.

Më shumë se 60% e energjisë që përdorin familjet europiane shkon për ngrohjen e ambienteve. Për këtë arsye, konsumi ndryshon ndjeshëm nga një vit në tjetrin, në varësi të temperaturave të dimrit, ndërsa dallimi mes veriut dhe jugut të kontinentit mbetet i madh.

Vendet veriore dhe qendrore shënojnë nivele shumë më të larta. Austria konsumoi 750 kilogramë ekuivalent nafte për frymë në vitin 2024, Danimarka 692, Estonia 684 dhe Gjermania 628 kilogramë.

Në Belgjikë konsumi ishte 599 kilogramë, ndërsa në Çeki 571. Nga ana tjetër, disa vende kanë ulur ndjeshëm përdorimin e energjisë në familje. Holanda e zbriti konsumin në 427 kilogramë për frymë në vitin 2024, niveli më i ulët i serisë së saj që nga viti 2000.

Sipas Eurostat, Holanda dhe Irlanda shënuan përmirësimet më të mëdha gjatë pesë viteve të fundit.

Konsumi i ulët mund të jetë rezultat i banesave më eficientе, klimës së butë dhe sjelljes kursimtare. Por në vendet me të ardhura të ulëta, ai mund të tregojë edhe mungesë të komfortit të mjaftueshëm në shtëpi.

Familjet mund të ngrohin vetëm një dhomë, të përdorin më pak kondicionerin ose të kufizojnë përdorimin e pajisjeve për të mbajtur nën kontroll faturat.

Për këtë arsye, treguesi, sipas Eurostat, duhet parë së bashku me të dhënat për varfërinë energjetike, të ardhurat, cilësinë e banesave dhe mundësinë për ta mbajtur shtëpinë mjaftueshëm të ngrohtë.

Eurostat thekson se energjia e përballueshme është pjesë e Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 7 dhe një shërbim bazë që duhet të jetë i aksesueshëm për të gjithë. Pas rritjes së fortë të çmimeve të energjisë, kushtet për ngrohjen e banesave në BE u përmirësuan gjatë vitit 2024, por mbetën më të dobëta se përpara krizës energjetike.

The post Shqipëria, me konsumin më të ulët të energjisë në banesa në Europë appeared first on Revista Monitor.

  •  

Analiza e Data4X: Këta sektorë po e formësojnë ekonominë e Kosovës

Kompania Data4x, në një analizë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, ka treguar se cilët sektorë e formësojnë ekonominë e Kosovës. Data4x ka treguar se të dhënat janë analizuar në disa dimensione të ekonomisë.

 

Një analizë e kompanisë Data4X për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 tregon se struktura e ekonomisë së Kosovës po pëson ndryshime, me shërbimet moderne digjitale që po forcojnë gjithnjë e më shumë peshën e tyre, ndërsa tregtia dhe ndërtimtaria, dy prej sektorëve tradicionalisht më të mëdhenj, po shfaqin shenja të ngadalësimit.

Sipas Data4X, analiza është ndërtuar duke harmonizuar të dhëna nga disa institucione dhe burime, përfshirë Administratën Tatimore të Kosovës, Doganën e Kosovës, Bankën Qendrore të Kosovës dhe pasqyrat financiare të bizneseve.

Të dhënat janë analizuar në disa dimensione, përfshirë qarkullimin, punësimin, pagat, eksportet dhe importet, kreditimin, produktivitetin, përqendrimin e tregut dhe zhvillimin e sektorëve ndër vite.

Nga kjo analizë, Data4X ka nxjerrë në pah disa zhvillime që tregojnë se cilët sektorë kanë peshën më të madhe në ekonominë e Kosovës, cilët po rriten më shpejt dhe ku po shfaqen sinjale të ngadalësimit.

 

Punësimi dhe pagat u rritën më shpejt se qarkullimi

Një nga gjetjet kryesore të analizës lidhet me raportin mes qarkullimit të bizneseve, numrit të të punësuarve dhe pagave.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, qarkullimi është rritur me 1.3 për qind, ndërsa punësimi është rritur me 5.6 për qind.

Rritja më e madhe është regjistruar te pagat, të cilat, sipas analizës, janë rritur me 17 për qind.

Kjo do të thotë se numri i punëtorëve dhe shpenzimet për paga janë rritur dukshëm më shpejt sesa të hyrat e bizneseve.

Sipas Data4X, kjo mund të jetë shenjë e presionit në rritje mbi kostot e bizneseve, pasi kompanitë po përballen me rritje të shpenzimeve për fuqinë punëtore, ndërkohë që qarkullimi nuk është rritur në të njëjtin ritëm.

 

Vetëm 336 kompani gjenerojnë 40 për qind të qarkullimit

Një tjetër element që del në pah nga analiza është përqendrimi i madh i aktivitetit ekonomik te një numër relativisht i vogël kompanish.

Sipas Data4X, vetëm 336 kompani gjenerojnë rreth 40 për qind të qarkullimit të të gjitha bizneseve.

Këto kompani kanë gjithashtu peshë të konsiderueshme në sistemin financiar, pasi përbëjnë 56 për qind të kredive afariste.

Të dhënat tregojnë kështu se një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik dhe financimit të bizneseve është e përqendruar te një numër i kufizuar kompanish.

 

 

Shërbimet digjitale, ndër sektorët me zgjerimin më të madh

Një prej zhvillimeve më të rëndësishme të evidentuara nga Data4X është rritja e sektorit të shërbimeve moderne digjitale.

Sipas analizës, ky sektor është rritur ndjeshëm që nga viti 2018 dhe sot përfaqëson një prej fushave me potencialin më të madh të ekonomisë kosovare.

Data4X thotë se shërbimet moderne digjitale janë rritur me 196 për qind, ndërsa në krahasimin afatgjatë me vitin 2018, sektori paraqitet me rritje prej 296 për qind.

Në të njëjtën kohë, sektori ka realizuar rreth 610 milionë euro eksporte, ndërsa përbën rreth 6.1 për qind të importeve.

Në këtë kategori përfshihen aktivitetet e lidhura me teknologjinë informative, zhvillimin e softuerëve, shërbimet online dhe fusha të tjera të ekonomisë digjitale.

Rritja e këtij sektori tregon se ekonomia e Kosovës po krijon gjithnjë e më shumë aktivitet ekonomik jashtë sektorëve tradicionalë, veçanërisht përmes shërbimeve që mund të eksportohen në tregjet ndërkombëtare.

 Nëse krahasimi bëhet me vitin 2018, sektori me rritjen më të madhe sipas të dhënave të prezantuara nga Data4X është akomodimi, arti dhe shërbimet e tjera, me një rritje prej 321 për qind.

Kjo nënkupton se aktiviteti ekonomik në këtë grup sektorësh është rreth 3.2 herë më i madh sesa në vitin 2018.

Pas tij renditen shërbimet moderne digjitale me 296 për qind, industria përpunuese me 273 për qind dhe energjia me 253 për qind.

Ndërtimtaria dhe patundshmëria kanë shënuar rritje prej 245 për qind, transporti dhe logjistika 237 për qind, ndërsa sektorët e tjerë 218 për qind.

Rritjen më të ulët në këtë krahasim e ka shënuar tregtia me shumicë dhe pakicë, me 207 për qind.

Ndërtimtaria mbetet e madhe, por ritmi i rritjes ngadalësohet

Pavarësisht rritjes së sektorëve të rinj, ekonomia e Kosovës vazhdon të mbështetet fuqishëm në sektorët tradicionalë.

Tregtia dhe ndërtimtaria së bashku përbëjnë 54 për qind të ekonomisë, sipas analizës së Data4X.

Megjithatë, analiza vëren se pesha ose ritmi i rritjes së këtyre dy industrive është në rënie.

Kjo është veçanërisht domethënëse për ndërtimtarinë dhe tregtinë, të cilat për vite kanë qenë ndër sektorët kryesorë të aktivitetit ekonomik në Kosovë.

Në anën tjetër, rritja e sektorëve si teknologjia, shërbimet digjitale, industria përpunuese, energjia, akomodimi dhe shërbimet tjera tregon për një ekonomi që gradualisht po zgjerohet në fusha të reja.

 

 

 

 

The post Analiza e Data4X: Këta sektorë po e formësojnë ekonominë e Kosovës appeared first on Revista Monitor.

  •  

Mineralet kritike do të marrin prioritet, deri në vitin 2030 synohen 55 mln euro financime

Qeveria synon të rrisë me 50% numrin e lejeve për kërkim–zbulimin e mineraleve kritike deri në vitin 2040, krahasuar me nivelin e lejeve aktive në fund të vitit 2025.

Objektivi është pjesë e projektvendimit “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Sektorit Minerar 2026–2040”, të hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MEI).

Pas publikimit te konsultime publike në mesin e muajit dhjetor 2025 nga MIE, projektvendimi është miratuar në mbledhjen e muajit gusht 2026 të këshillit Konsultativ për Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, për të kaluar më pas për miratim në Këshillin e Ministrave.

Strategjia e zhvillimit minerar 2026-2040, 181 mln euro për investimet dhe rrugën drejt BE-së

Projektvendimi parashikon zgjerimin e kërkimeve minerare, përmirësimin e procedurave të licencimit dhe përafrimin e mënyrës së raportimit të rezervave minerare me standardet ndërkombëtare UNFC/JORC.

Gjithashtu, deri në fund të vitit 2027 pritet të miratohet Programi Kombëtar i Kërkimeve Minerare, si një instrument për orientimin e investimeve drejt burimeve strategjike dhe lëndëve të para kritike.

Një ndër objektivat kryesore të strategjisë është rivlerësimi i të paktën 80% të burimeve dhe rezervave kombëtare deri në vitin 2030, si dhe krijimi i paketave të standardizuara të të dhënave gjeologjike (“Exploration Data Packages”) për të paktën 20 zona me potencial, me qëllim tërheqjen e investitorëve.

Përmes strategjisë synohet gjithashtu një rritje me 30% e investimeve private në kërkimet minerare deri në vitin 2030, përmes skemave të bashkëfinancimit publik–privat dhe përmirësimit të klimës së investimeve.

Në relacionin shoqërues të dokumentit evidentohen disa sfida që pengojnë zhvillimin e sektorit. Ndër to përmenden mungesa e kërkimeve të reja minerare, mungesa e një programi kombëtar të koordinuar për kërkim–zbulimin, si dhe shpërndarja e lejeve minerare pa një orientim të qartë mbi bazën e hartave të potencialit gjeologjik.

Një tjetër problem lidhet me mungesën e standardizimit të plotë të të dhënave minerare sipas standardeve ndërkombëtare dhe mungesën e një sistemi të konsoliduar për raportimin e rezervave.

Sipas dokumentit, sektori vijon të dominohet nga aktivitetet e lidhura me materialet e ndërtimit, ndërsa prodhimi i mineraleve metalore mbetet modest. Kjo krijon nevojën për një reformim më të thelluar ligjor, institucional dhe mjedisor, me fokus te mineralet kritike.

Strategjia Minerare parashikon një fazë të parë investimesh të shtuara për periudhën 2026–2030, e lidhur edhe me objektivin e integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas dokumentit, financimi i parashikuar në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Specializimit Inteligjent arrin në 5,9 mld lekë ose rreth 55 mln euro për 5 vite.

Ky nivel financimi është më i lartë se mesatarja historike e buxhetit të sektorit, ndaj dokumenti parashikon që hendeku financiar të mbulohet përmes fondeve të Bashkimit Evropian, investimeve private dhe mbështetjes së donatorëve ndërkombëtarë.

Për periudhën 2031–2040, strategjia parashikon një fazë konsolidimi, me rritje të kontrolluar të buxhetit me rreth 3% në vit, për të ruajtur kapacitetet institucionale dhe investimet në infrastrukturën minerare.

Nëpërmjet kësaj strategjie, qeveria synon ta kthejë sektorin minerar nga një industri e fokusuar kryesisht te shfrytëzimi tradicional i burimeve, në një sektor më të orientuar drejt mineraleve kritike, teknologjive të gjelbra dhe zinxhirëve të furnizimit evropian.

 

The post Mineralet kritike do të marrin prioritet, deri në vitin 2030 synohen 55 mln euro financime appeared first on Revista Monitor.

  •  

Çmimi i naftës me pakicë zbret në 214 lekë për litër, ulet me 5 lekë

Nafta ditën e sotme, në pikat e karburantit me pakicë, është tregtuar me çmim deri në 214 lekë për litër.

Sipas një vëzhgimi në terren, nga operatori i pakicës “Veliaj” nafta është tregtuar me çmim 211 lekë për litër. Nga operatori “Gega Oil” nafta është tregtuar me çmim 214 lekë për litër.

Në raport me ditën e djeshme çmimi i naftës është ulur me 5 lekë për litër.

Pas një stabilizimi në çmime, shtrenjtimi i naftës u rikthye në tregun e pakicës nga mesi i muajit korrik. Në këtë periudhë nafta arriti në nivelet e 198 lekë për litër nga 188 lekë për litër që tregtohej më parë.

Shtrenjtohen sërish çmimet e karburanteve, nafta arrin 198 lekë për litër

Pas kësaj brenda 7 ditësh çmimi i naftës u rrit edhe me 8 lekë për litër duke arritur në nivelin e 206 lekëve për litër. Ndërsa çmimi i benzinës mbeti i pandryshuar, duke vijuar të tregtohet me 189 lekë për litër.

Shtrenjtohen me 8 lekë çmimi i naftës, arrin 206 lekë për litër

Rikthimi i shtrenjtimit të naftës u ndikua nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, çka solli një rritje të ndjeshme të çmimit të naftës në bursat e huaja.

Përshkallëzimi i sulmeve risolli bllokime për kalimin e anijeve në kanalin e Hormuzit, përmes së cilit kalon 3/5 e prodhimit botëror.

Në këtë periudhë çmimi i naftës “brent crude” kulmoi më 23 korrik, duke arritur në nivelin e 100 USD për fuçi.

Ditën e sotme në bursa çmimi i naftës ka arritur 83 USD për fuçi, nga 90 USD për fuçi që arriti më 29 korrik.

Burimi: Tregu, Bodi i transparencës

The post Çmimi i naftës me pakicë zbret në 214 lekë për litër, ulet me 5 lekë appeared first on Revista Monitor.

  •  

25% e operatorëve aplikuan për subvencionin e naftës, pengesë informaliteti i të vegjëlve

Më 1 gusht përfundoi afati për aplikimet për subvencionimin e naftës për operatorët e transportit publik. Për shkak të rritjes së çmimit të naftës e ndikuar nga konflikti në Lindjen e Mesme, operatorët përfituan kompensim në masën 50 lekë për litër për naftën e periudhës, mars-prill dhe maj. Por interesi për aplikim ka qenë i ulët.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, nga rreth 140 operatorë në të gjithë vendin (110 operatorë kryejnë aktivitet për linjat ndërqytetase dhe 30 për transportin urban në Tiranë) vetëm 35 kanë dorëzuar aplikimin apo rreth 25% e totalit.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj thotë se operatorët më të vegjël, të cilët disponojnë vetëm një ose dy mjete, nuk kanë mundur të aplikojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit që provon shpenzimet për karburant.

Sipas tij, shumë prej tyre nuk disponojnë faturat e nevojshme për të dokumentuar blerjet e naftës, çka i ka përjashtuar nga skema e mbështetjes.

Memaj paralajmëron se kjo situatë pritet të vështirësojë më tej aktivitetin e operatorëve të vegjël.

Skema parashikoi llogaritjen e kompensimit mbi shumën e konsumit të karburantit për periudhën mars, prill, maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025, për secilën nga shoqëritë.

Kërkesat dhe dokumentacioni përkatës nga operatorët me qëllim përfitimin e kompensimit janë dorëzuar pranë administratës tatimore.

Por nga ana tjetër rritja e vazhdueshme e çmimit të karburantit ka rënduar sërish kostot operative për kompanitë e sektorit. Për mjetet e transportit p[publik konsumi i naftës është i lartë, dhe kjo vijon të krijojë barrë financiare për operatorët, duke vështirësuar vijueshmërinë normal të aktivitet.

Për rrjedhojë shoqata e transportit publik disa ditë më parë iu drejtuar institucioneve shtetërore me një kërkesë për subvencionim të çmimit të naftës për periudhën qershor-korrik dhe gusht.

“Një operator i licencuar që ka aplikuar ka përfituar kompensim 50 lekë për litër për çmimin deri në 200 litra naftës. Kompensimi ka arritur të mbulojë diferencën e rritjes së çmimit të naftës. Por çmimet e naftës kanë pësuar sërish rritje dhe është e mjaft e rëndësishme që operatorëve t’i kompensohet edhe për një tjetër periudhë 3- mujore. Dhënia e kompensimit do të ndihmonte në përballimin e kostove shtesë nga rritja e çmimit dhe do të garantonte vijueshmërinë normale të aktivitetit”, pohon Memaj.

Zgjatja e periudhës së kompensimit me 6 muaj ka qenë një kërkesë e kahershme e shoqatave të transportit urban.  / D.Azo

https://monitor.al/shoqatat-e-transportit-kerkojne-zgjatjen-dhe-me-3-muaj-te-periudhes-se-kompensimit-te-naftes-letra/

 

 

 

 

 

The post 25% e operatorëve aplikuan për subvencionin e naftës, pengesë informaliteti i të vegjëlve appeared first on Revista Monitor.

  •  

Nga turistë… në investitorë: 10 mijë biznese shqiptare në Greqi

Në fokus janë tregu grek i pasurive të paluajtshme, ndërtimi, turizmi dhe energjia – Concord Investment Group i Artan Dulakut realizoi blerjen e parë të një hoteli të madh në Korfuz – 341 kompani të lidhura me Greqinë ushtrojnë aktivitet në Shqipëri, thuhet në një artikull të gjatë të publikuar nga protothema.gr 

 

Pikat kryesore

-Grupi shqiptar Concord Investment Group bleu një kompleks hotelier në Korfuz, duke realizuar investimin e parë zyrtar shqiptar në sektorin e turizmit në Greqi.

-Menaxhimi i hotelit do t’i besohet grupit spanjoll Meliá Hotels International, ndërsa deri në vitin 2028 parashikohet shndërrimi i tij në një strukturë me pesë yje.

-Po forcohen gjithashtu bashkëpunimet mes grupeve të biznesit të dy vendeve, siç tregon zgjerimi i marrëveshjes mes Jumbo dhe Balfin në gjashtë tregje të reja.

-Në Greqi veprojnë mijëra biznese në pronësi të emigrantëve shqiptarë, ndërsa po rritet interesi i grupeve shqiptare për investime në pasuri të paluajtshme dhe turizëm.

-Greqia ruan një prani të rëndësishme ekonomike në Shqipëri, me investime në energji, ndërtim dhe prodhim, pavarësisht vështirësive të viteve të fundit.

Të ashtuquajturit “krushq nga Tirana”, këtë herë, sollën investime reale në Greqi.

Njoftimi i fundit i Concord Group, një prej grupeve të mëdha shqiptare me veprimtari të larmishme, në pronësi të familjes Dulaku, për blerjen e një kompleksi hotelier me katër yje, në pronësi greke, në veri të Korfuzit, shënon një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Batuta e dikurshme për “turistin shqiptar” në Greqi, e përdorur shpesh me përçmim dhe që i përkiste realitetit të një epoke tjetër, tashmë po ia lë vendin një tabloje të re: shqiptarët nuk janë më vetëm vizitorë apo emigrantë në vendin fqinj, por po shfaqen gjithnjë e më shumë edhe si investitorë.

Ky është investimi i parë i rëndësishëm shqiptar në Greqi, i realizuar zyrtarisht përmes blerjes së një kompanie. Lëvizja vjen relativisht vonë, pasi sipërmarrës shqiptarë, të ngritur mes vështirësive të mëdha të tranzicionit paskomunist, kanë ndërmarrë prej vitesh investime të konsiderueshme në vende të tjera të Ballkanit, në Europë dhe deri në Shtetet e Bashkuara. Zgjerimi i tyre jashtë vendit pasqyron njëkohësisht konsolidimin e biznesit shqiptar dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Mbetet, natyrisht, për t’u parë nëse kjo lëvizje do të pasohet nga investime të tjera.

E vërteta është se, pavarësisht problemeve që shkaktohen herë pas here nga shpërthimet e panevojshme nacionaliste të qeverisë Rama, klima mbetet pozitive për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.

Jumbo dhe Balfin

Në të njëjtën kohë po shtohen bashkëpunimet ndërmjet grupeve kryesore greke dhe shqiptare për projekte të përbashkëta në vende të treta ose edhe në vetë Shqipërinë.

Vetëm një muaj më parë, Balfin Group, një prej grupeve më të mëdha shqiptare, dhe Jumbo e Apostolos Vakakis zgjeruan bashkëpunimin e tyre në gjashtë vende të tjera, ku sipërmarrësi shqiptar do të marrë përsipër ekskluzivitetin e franchising-ut të Jumbo.

Informacionet tregojnë gjithashtu se, pas një periudhe kur grupet e mëdha shqiptare i shihnin mundësitë e zgjerimit pothuajse vetëm në tregjet e tjera të Ballkanit Perëndimor, tashmë po shqyrtojnë seriozisht edhe mundësitë e investimit në Greqi, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, hoteleve dhe veprimtarive të tjera turistike.

Paralelisht, prania e biznesit grek në Shqipëri duket se po rimëkëmbet pas një periudhe stanjacioni.

Nuk kalon pa u vënë re as fakti se mijëra biznese të vogla në të gjithë Greqinë janë në pronësi të emigrantëve shqiptarë me qëndrim të rregullt. Këto biznese punësojnë një numër të konsiderueshëm punonjësish dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në prodhimin e brendshëm të vendit.

Shqipëria mund të ketë ende një rrugë të gjatë për të përshkuar për të arritur standarde plotësisht europiane në funksionimin e institucioneve dhe të ekonomisë. Modeli i saj prodhues mbetet shumë i brishtë, pasi mbështetet në një masë të madhe te “monokultura” e turizmit. Megjithatë, ajo përbën një ekonomi në rritje.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia shqiptare u rrit vitin e kaluar me 3.71%, ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto arriti në 30.279 miliardë dollarë. Një ritëm i ngjashëm pritet të ruhet edhe në vitet e ardhshme, ndërsa borxhi publik, në nivelin 54.73% të PBB-së, konsiderohet i kënaqshëm edhe sipas standardeve europiane.

Në të njëjtën kohë, komuniteti shqiptar i biznesit po zgjerohet si në numër, ashtu edhe në vlerë. Ai po fiton tiparet e një shtrese të konsoliduar sipërmarrëse dhe po zgjeron horizontet, duke ndërmarrë hapa të rëndësishëm investimi jashtë vendit.

Nga ana tjetër, Greqia, dikur shtylla kryesore e investimeve të huaja në Shqipëri dhe ende me një prani të fortë, mund ta shfrytëzojë këtë moment për të tërhequr investime të tjera nga grupet e fuqishme shqiptare.

Një avantazh për Greqinë është prania e madhe e emigrantëve shqiptarë me qëndrim të ligjshëm. Në majin e kaluar, numri i tyre arriti në 267,962 persona, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë greke të Migracionit dhe Azilit, duke përbërë 48% të të gjithë emigrantëve të huaj në territorin grek.

Blerja në Korfuz

Në forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve po luajnë rol kryesor disa prej sipërmarrësve më të rëndësishëm të Shqipërisë.

Concord Investment Group, në pronësi të familjes Dulaku, realizoi investimin e tij të parë në turizëm jashtë Shqipërisë, duke blerë nga kompania Maris SA hotelin “St Georges Bay Country Club & Spa”, në Acharavi të Korfuzit.

Vlera e transaksionit nuk është bërë publike.

Menaxhimi i hotelit do t’i besohet grupit spanjoll Meliá Hotels International, partner strategjik i Concord. Hoteli, nën markën “Affiliated by Meliá”, do të ketë 86 dhoma dhe suita, si dhe një sërë ambientesh të tjera, përfshirë restorante, bare, klub plazhi, qendër mirëqenieje me spa dhe palestër, si dhe hapësira për konferenca.

Më pas, Concord do ta shndërrojë atë në një hotel me pesë yje përmes një rikonstruksioni të gjerë. Vitin e ardhshëm ai do të riemërtohet “The Meliá Collection Corfu”, ndërsa deri në vitin 2028 do të ketë 140 dhoma.

Concord Group u themelua nga Artan Dulaku, menjëherë pas rënies së regjimit komunist. Aksionerë janë edhe vëllezërit e tij, Adrian dhe Genc.

Ata e nisën aktivitetin në sektorin e ndërtimit përmes kompanisë Edil Al IT, e cila ka qenë kompania kryesore e grupit për më shumë se dy dekada dhe njihet për projekte banimi, tregtare, hotelerie dhe vepra publike me standarde të larta.

Më pas, grupi i zgjeroi aktivitetet në një numër të madh sektorësh, si telekomunikacioni, media, shitja e automjeteve, infrastruktura portuale, hoteleria dhe turizmi.

Ai ka gjithashtu një prani të fortë në tregtinë me pakicë përmes supermarketeve Conad dhe në qendrat tregtare, ku më e njohura është Kristal Center në Tiranë.

Aktualisht, grupi merr pjesë në garën për projekte të zhvillimit të pasurive të paluajtshme dhe hoteleve në Rivierën Shqiptare.

Së bashku me Meliá, ai ka Meliá Durrës, një resort simbolik me pesë yje në plazhin e San Pietros, një ndër resortet më të mëdha në vend.

Grupi punëson më shumë se 2,500 persona dhe menaxhon asete me vlerë mbi 1 miliard euro.

Dulaku ka përfunduar me rezultate të larta studimet për Ekonomi, me specializim në Statistikë, në Universitetin e Tiranës, ndërsa ka kryer edhe studime pasuniversitare në Marketing në Birmingham.

Bashkëshortja e tij, Holta, është producente e njohur e programeve televizive shqiptare, si “Dancing with the Stars” dhe “Ferma VIP”.

Marrëveshja mes Manes dhe Jumbo

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm lidhet me zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet grupeve Jumbo dhe Balfin.

Balfin është në pronësi të Samir Manes, i vetmi miliarder shqiptar i listuar deri tani, me një pasuri prej 1.8 miliardë dollarësh, sipas “Forbes”.

Në vitin 2011, Balfin hapi dhe nisi të menaxhonte dyqanin e parë Jumbo në Tiranë.

Më pas, aktiviteti u zgjerua në Kosovë në vitin 2014, në Bosnjë në vitin 2017 dhe në Mal të Zi në vitin 2019, duke arritur sot në 26 dyqane.

Në fund të majit 2025, kompania përuroi dyqanin e tretë në Tiranë, në Emerald Center, ndërsa njoftoi edhe hyrjen në tregun e Moldavisë.

Një muaj më parë, gjatë prezantimit të rezultateve të Jumbo për analistët, u njoftua zgjerimi i marrëveshjes së franchising-ut mes dy grupeve në gjashtë tregje të reja, të gjitha vende të ish-Bashkimit Sovjetik: Ukrainë, Gjeorgji, Armeni, Azerbajxhan, Kazakistan dhe Uzbekistan.

Ndryshe nga tregjet e mëparshme, në këto vende Balfin do të zhvillojë një rrjet të pavarur logjistik, me një qendër kryesore shpërndarjeje në Kinë, duke marrë përsipër të gjithë menaxhimin e zinxhirit të furnizimit.

“Unë nuk dua të jem pinguini i parë që hidhet në ujë kur balenat janë të uritura”, kishte deklaruar në prill pronari i Jumbo.

Për këtë arsye, ai ra dakord me miliarderin shqiptar, i cili njeh tregjet lokale, që të marrë përsipër zhvillimin e zinxhirit “nga A-ja te ZH-ja”, ndërsa Jumbo të presë që “balenat të ngopen”.

Mane, 59 vjeç, pas një rrugëtimi shumëvjeçar dhe të vështirë në biznes, ndërtoi Balfin Group, i cili sot vepron në 11 vende.

Aktiviteti i tij përqendrohet në tregtinë me pakicë dhe shumicë, turizëm, sektorin bankar dhe menaxhimin e aseteve, argëtim dhe pasuri të paluajtshme, nga Shqipëria dhe Europa deri së fundmi në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Grupi punëson më shumë se 5,500 persona dhe vitin e kaluar realizoi 880 milionë euro të ardhura dhe 120 milionë euro fitime neto.

Në fakt, Mane është sipërmarrësi i parë shqiptar që ka realizuar blerjen e një kompanie greke.

Në vitin 2019, ai bleu nga Banka e Pireut filialin e saj në Tiranë për 64 milionë dollarë. Sot, Tirana Bank është banka e pestë më e madhe në Shqipëri dhe vlerësohet në 155-160 milionë dollarë.

Samir Mane menaxhon 26 dyqane Jumbo në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë, Mal të Zi dhe Moldavi. Së fundmi, ai arriti marrëveshje me Apostolos Vakakis për zgjerimin e zinxhirit në Ukrainë, Gjeorgji, Armeni, Azerbajxhan, Kazakistan dhe Uzbekistan.

Kastrati dhe pikat e karburantit

Edhe 65-vjeçari Shefqet Kastrati, themelues dhe drejtues i grupit që mban emrin e tij, synon bashkëpunime të mëtejshme me grupet e mëdha greke.

Kastrati Group vepron në 12 sektorë, kryesisht në energji, ndërtim, turizëm, sigurime dhe pasuri të paluajtshme, dhe konsiderohet pranë hyrjes në klubin e miliarderëve.

Grupi Kastrati ka zhvilluar kontakte me drejtuesit e grupeve të mëdha greke të energjisë.

Në nëntor 2024, Kastrati Energy arriti marrëveshje me Coral SA, pjesë e grupit Vardinogiannis, dhe me Coral Albania SHA, për nisjen e funksionimit të pikave të karburantit Shell në Shqipëri.

Zhvillimi nisi në Tiranë në fund të vitit 2025 me tri pika karburanti, ndërsa gjatë vitit 2026 pritet të hapen edhe gjashtë të tjera.

Grupi shqiptar po zgjerohet paralelisht në burimet e rinovueshme të energjisë dhe në fotovoltaikë.

Ai po zhvillon gjithashtu projekte të mëdha të pasurive të paluajtshme, përfshirë Downtown One në Tiranë, ndërtesën më të lartë në Shqipëri, ndërsa në vitin 2023 bleu një hotel në Miami.

Anëtarë të familjes Kastrati, si nënpresidenti i grupit Leonard Kastrati, marrin pjesë shpesh në aktivitete dhe forume biznesi, si ato të Shoqatës Greko-Shqiptare të Industrisë, Tregtisë dhe Profesioneve në Tiranë.

Në këto aktivitete kanë marrë pjesë edhe Artan Dulaku dhe Ardiana Sokoli, përkatësisht nga Concord dhe Balfin Group.

Kjo ka nxitur spekulime për plane të mundshme investimi në tregun grek të pasurive të paluajtshme, në një kohë kur Eurostat konfirmon se që nga viti 2023 është regjistruar një rritje e fortë e investimeve të shqiptarëve në pasuri të paluajtshme jashtë vendit.

Këto investime arritën në 766.5 milionë euro, ose 2.5% të PBB-së së vendit, ndërsa në vitin 2022 stoku i përgjithshëm nuk i kalonte 6.5 milionë euro.

Është e pritshme që ky interes të shtrihet edhe në tregun grek, pasi numri i turistëve shqiptarë në Greqi, dikur pothuajse i papërfillshëm, arriti në 1,218,100 persona në vitin 2024, nga 859,600 në vitin 2022, dhe vijon të rritet.

Zyra e Çështjeve Ekonomike dhe Tregtare e Ambasadës së Greqisë në Tiranë thekson në një raport se:

“Sipas burimeve mediatike dhe vlerësimeve të tregut, po krijohet një valë e gjerë investitorësh me të ardhura të larta, të cilët blejnë prona ose shtëpi pushimi në vende si Greqia, Italia dhe Spanja. Ata përfitojnë, nga njëra anë, nga kursi relativisht i favorshëm i euros dhe, nga ana tjetër, nga kuadri më i qartë institucional i pronësisë.”

Raporti kujton gjithashtu se çmimet e pasurive të paluajtshme në Shqipëri po shënojnë rritje të ndjeshme.

Ndërkohë, grupi Veko, me seli pranë kufirit greko-shqiptar, afër Kakavijës, dhe me aktivitet në prodhimin e drurit, parketeve dhe projektimin e mobilieve, i zgjeroi nga viti 2020 aktivitetet në Greqi dhe Qipro përmes filialit të ri Forresttech.

Kjo lëvizje forcoi shitjet e tij në të dyja tregjet. Produktet shpërndahen me partner dhe përfaqësues kryesor kompaninë Kappawood, me seli në Janinë.

4,600 biznese shqiptare të regjistruara në Atikë

Me mbi 4,600 numra fiskalë, shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të sipërmarrësve të huaj të regjistruar në Dhomën Profesionale të Athinës, sipas presidentit të saj, Giannis Hatzitheodosiou.

Ata zënë pothuajse gjysmën e sipërmarrësve të huaj të regjistruar në këtë institucion dhe ushtrojnë aktivitet në rajonin e Atikës.

Duke u nisur nga kjo prani e lartë, vlerësohet se në të gjithë Greqinë numri i sipërmarrësve shqiptarë të brezit të parë dhe të dytë mund të jetë afër 10 mijë.

Sipas Natasha Abazajt, sekretare e Komitetit të Sipërmarrjes Greko-Shqiptare, pjesa dërrmuese e tyre zotërojnë biznese të vogla dhe të mesme.

Ata janë pronarë minimarketesh, kafenesh, restorantesh dhe baresh, kioskash, dyqanesh tregtare, kryesisht për veshje, këpucë dhe pajisje telekomunikacioni.

Të tjerë veprojnë si profesionistë të lirë në sektorin e shërbimeve, për shembull në zyra kontabiliteti dhe këshillimi fiskal.

Ata kanë gjithashtu prani të konsiderueshme në sektorin e ndërtimit, punimeve teknike dhe profesionet e lidhura me këto fusha.

Përveçse janë aktivë në biznesin e vogël, disa prej tyre dallohen edhe për ide novatore.

Për shembull, zonja Abazaj solli në Greqi makinën e parë automatike për shitjen e luleve, ndërsa një tjetër bashkatdhetar themeloi një rrjet dyqanesh për shitjen e ushqimeve organike.

Investimet greke në Shqipëri

Tregu shqiptar vazhdon të jetë një destinacion tërheqës për investime, për shkak të pozicionit strategjik, trajektores së qëndrueshme të rritjes ekonomike, procesit të integrimit në Bashkimin Europian dhe përmirësimit të ndjeshëm të klimës së biznesit.

Në këtë mjedis, stimujt fiskalë kanë një peshë të veçantë.

Megjithatë, raportet e organizatave ndërkombëtare e vlerësojnë ekonominë informale në Shqipëri në nivele të larta: deri në 50% të PBB-së sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, rreth 40% sipas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe 25-30% sipas Komisionit Europian.

Greqia dhe kompanitë greke ishin deri në fund të dekadës së kaluar ndër investitorët kryesorë në Shqipëri.

Interesi i kompanive greke për të investuar dhe eksportuar në Shqipëri mbetet i konsiderueshëm, megjithëse vitet e fundit u regjistrua një tërheqje e rëndësishme kapitali për shkak të krizës së programeve të shpëtimit financiar në Greqi.

Një rol luajti gjithashtu shitja e filialeve të bankave greke në Shqipëri, në zbatim të kushteve të marrëveshjeve financiare të Greqisë.

Megjithëse investimet greke në Shqipëri, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ranë veçanërisht pas vitit 2019, stoku i tyre në vitin 2024 arriti në 258 milionë euro.

Kjo e vendosi Greqinë në vendin e 14-të mes investitorëve të huaj, ndërsa shifra u rrit me 9.3% krahasuar me vitin 2023, kur ishte 236 milionë euro.

Tregtia dypalëshe arriti në 1.196 miliardë euro, me eksportet greke në Shqipëri në 874 milionë euro dhe importet nga Shqipëria në 322 milionë euro.

Perspektiva vlerësohet se mbetet pozitive.

Sot në Shqipëri veprojnë 341 kompani të lidhura me Greqinë.

Në mënyrë të veçantë, tri kompani me interesa greke kanë njësi prodhuese në Shqipëri: Titan Group, Alumil dhe Siamidis SA.

Prani kanë gjithashtu Intracom-Telekom dhe PPC Albania, filial i Korporatës Publike Greke të Energjisë.

GEK TERNA merr pjesë në një projekt në zonën e Fierit, ku përfundon gazsjellësi TAP, për ndërtimin e termocentralit Fier Thermoelectric.

Projekti realizohet përmes një konsorciumi me DEPA Commercial, ku të dyja palët zotërojnë nga 35%, ndërsa 30% i mbetur i përket kompanisë shqiptare Gener-2.

Kompania shqiptare për zhvillimin e burimeve të rinovueshme, Faethon, filial i grupit grek të energjisë Heron, pritet të ndërtojë një park fotovoltaik me kapacitet 90 MW në jug të Shqipërisë.

Grupi Mytilineos nënshkroi në vitin 2021 me Operatorin e Sistemit të Transmetimit një kontratë për zhvillimin dhe ndërtimin e nënstacioneve të tensionit të lartë 400 kV në Shqipëri.

Marrëveshja përfshinte ndërtimin e nënstacionit të ri Elbasan 3 dhe fuqizimin e zgjerimin e nënstacionit të Fierit.

Përveç kësaj, grupi është i pranishëm në Shqipëri edhe përmes kompanive Wind, në energjinë e erës, dhe Protergia.

Projektet e AKTOR në energji dhe minerale

Perspektiva paraqitet optimiste, veçanërisht për projektet energjetike, pas njoftimeve të bëra në pranverë nga AKTOR.

Në prill, AKTOR LNG USA dhe ALBGAZ, kompania shtetërore shqiptare e gazit, nënshkruan një marrëveshje tregtare 20-vjeçare për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas marrëveshjes, AKTOR LNG USA do ta furnizojë ALBGAZ-in me 1 miliard metra kub gaz në vit, duke nisur nga viti 2030.

Të ardhurat e parashikuara nga marrëveshja vlerësohen në rreth 6 miliardë euro.

Shqipëria do ta sigurojë gazin e lëngshëm nga prodhuesi amerikan Venture Global.

Deri në zhvillimin e infrastrukturës së saj të importit, gazi do të mbërrijë në terminalin e Revithousas në Greqi dhe do të transportohet përmes rrjetit kombëtar grek të gazit dhe gazsjellësit Trans Adriatik, i cili lidh Greqinë me Shqipërinë dhe Italinë.

Marrëveshja lidhet me planet e qeverisë shqiptare për krijimin e një qendre energjetike në portin e Vlorës.

Parashikohet gjithashtu rivënia në punë e një termocentrali ekzistues, shtimi i rreth 250 MW kapacitet të ri prodhues dhe instalimi i një njësie lundruese për magazinimin dhe rigazifikimin e gazit.

Kjo njësi do t’i mundësojë Shqipërisë të importojë drejtpërdrejt LNG përmes detit.

Në mars, AKTOR nënshkroi gjithashtu një marrëveshje me BrightNest SHPK, kompani pjesë e BNI Foundation, për kërkimin, zhvillimin dhe shfrytëzimin e burimeve minerare në Shqipëri.

Bashkëpunimi do të realizohet përmes një kompanie të përbashkët, me pjesëmarrje 51% dhe 49%.

Vlera e përgjithshme e investimit, kur projekti të zhvillohet plotësisht, mund të arrijë në rreth 1 miliard euro.

Në Shqipëri veprojnë gjithashtu një numër sipërmarrjesh të rëndësishme të përbashkëta, si grupet AGNA dhe ELKA në tregtinë me pakicë, Intermedica në qendrat diagnostikuese, poliklinika Doctors Hospital, filial i Klinikës së Përgjithshme të Athinës me katër qendra, Gjirofarm në zonën e Gjirokastrës, e cila eksporton produkte qumështi dhe djathëra deri në Shtetet e Bashkuara, si dhe Pegasus në tregun e materialeve mjekësore.

 

 

 

The post Nga turistë… në investitorë: 10 mijë biznese shqiptare në Greqi appeared first on Revista Monitor.

  •  

Zona turistike Bogë–Theth, 4.5 milionë euro investim për të forcuar rrjetin e energjisë

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në Shkodër hapi këtë të martë një tender me fond limit 449 milionë lekë, ose mbi 4.5 milionë euro, për ndërtimin e linjës së re elektrike 35 kV Bogë–Theth.

Investimi synon të përmirësojë furnizimin me energji në një nga zonat turistike me rritjen më të shpejtë në veri të vendit, ku rrjeti aktual mbështetet në një linjë 6 kV të ndërtuar rreth viteve ’70, me gjatësi mbi 40 kilometra dhe me rënie të ndjeshme të tensionit.

Sipas projektit teknik, linja e re do të nisë nga nënstacioni i Bogës dhe do të përfundojë pranë Fushë-Thethit. Traseja parashikohet të ketë një gjatësi prej rreth 17.5 kilometrash dhe të ndërtohet me afro 95 shtylla metalike, të projektuara sipas parametrave të linjave 110 kV, por që fillimisht do të operojnë në nivelin 35 kV.

Projekti përfshin gjithashtu instalimin e një kablloje optike me 48 fibra, e cila do të shtrihet përgjatë gjithë linjës, duke krijuar infrastrukturë shtesë për komunikimin dhe kontrollin e rrjetit.

Investimi i paraprin ndërtimit të një nënstacioni të ri 35/6 kV në Theth, i cili pritet të rrisë kapacitetet shpërndarëse dhe të mbështesë zgjerimin e hoteleve, bujtinave dhe bizneseve turistike në zonën e Alpeve Shqiptare.

OSSH parashikon që linja e re të ulë ndjeshëm ndërprerjet e energjisë. Sipas relacionit teknik, treguesi mesatar i kohëzgjatjes së ndërprerjeve, SAIDI, synohet të zbresë nga 85.22 orë në 8.5 orë, ndërsa frekuenca e ndërprerjeve, SAIFI, nga 18.97 në 1.8 pas përfundimit të investimit.

Përveç rritjes së sigurisë së furnizimit, kalimi nga niveli 6 kV në 35 kV pritet të reduktojë humbjet në rrjet dhe të krijojë kapacitete për kërkesën në rritje për energji, të nxitur nga zhvillimi i turizmit në Theth dhe zonat përreth.

 

The post Zona turistike Bogë–Theth, 4.5 milionë euro investim për të forcuar rrjetin e energjisë appeared first on Revista Monitor.

  •  

Me pagën minimale në Shqipëri blihet shumë më pak se kudo në Europë, nga çmimet e shtrenjta

Shqipëria jo vetëm ka pagën minimale më të ulët në rajon në vlerë nominale, me rreth 517 euro në muaj, por kur krahasimi bëhet sipas fuqisë blerëse, pozicioni i saj përkeqësohet edhe më tej. Paga minimale shqiptare renditet e fundit në Europë për sasinë e mallrave dhe shërbimeve që mund të blejë.

Shqipëria mbetet me pagën minimale më të ulët në Europë, edhe pas rritjes në 50 mijë lekë

Paga minimale në Shqipëri është më e ulëta në Europë kur merret në konsideratë niveli i çmimeve dhe fuqia reale blerëse e të ardhurave.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat dhe të analizuara nga “Euronews Business”, paga minimale në Shqipëri vlerësohet në vetëm 705 njësi të standardit të fuqisë blerëse, PPS, niveli më i ulët ndër vendet europiane për të cilat ka të dhëna.

Në anën tjetër të renditjes është Gjermania, ku paga minimale arrin në 2,164 PPS, ose më shumë se trefishi i nivelit të Shqipërisë. Pas saj renditen Luksemburgu me 2,108 PPS, Holanda me 2,023, Belgjika me 1,922 dhe Irlanda me 1,756 PPS.

Treguesi PPS përdoret për të shmangur kufizimin që sjell krahasimi vetëm në euro. Ai merr parasysh ndryshimet e çmimeve mes vendeve dhe tregon se sa mallra dhe shërbime mund të blihen realisht me një pagë.

Në teori, një njësi PPS duhet të blejë të njëjtën sasi mallrash dhe shërbimesh në çdo vend. Për këtë arsye, renditja sipas fuqisë blerëse jep një pamje më të saktë të nivelit real të jetesës sesa paga e konvertuar thjesht në euro.

 

Shqipëria mbetet pas gjithë rajonit

Në vlerë nominale, paga minimale bruto në Shqipëri është rreth 530 euro në muaj, më e ulët se në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në Serbi, paga minimale arrin në 743 euro, në Malin e Zi në 670 euro dhe në Maqedoninë e Veriut në 624 euro. Edhe Bullgaria, vendi me pagën minimale më të ulët brenda Bashkimit Europian, ka një nivel prej 620 eurosh.

Por diferenca bëhet edhe më e dukshme pasi pagat përshtaten me nivelin e çmimeve. Maqedonia e Veriut arrin në 1,142 PPS, ndërsa Serbia në 1,094 PPS, përkatësisht 62% dhe 55% më shumë se Shqipëria.

Të dyja vendet tejkalojnë në renditjen sipas fuqisë blerëse edhe shtatë shtete anëtare të Bashkimit Europian, mes tyre Maltën, Sllovakinë, Hungarinë dhe Çekinë.

Shqipëria është përjashtimi i vetëm mes vendeve kandidate që nuk përmirëson pozicionin kur paga minimale rillogaritet sipas fuqisë blerëse. Niveli relativisht i lartë i çmimeve bën që edhe paga e ulët nominale të humbasë më shumë vlerë në konsumin e përditshëm.

Brenda BE-së, paga minimale më e ulët sipas fuqisë blerëse është në Estoni, me 935 PPS, e ndjekur nga Letonia me 938 PPS. Edhe këto nivele janë rreth një të tretën më të larta se në Shqipëri.

 

Mbi gjysma e vendeve kanë pagë minimale nën 1,000 euro

Sipas Eurostat, kur krahasohen renditjet sipas vlerës nominale dhe standardit të fuqisë blerëse (PPS) në 27 vendet, përmirësimin më të madh e shënojnë Rumania dhe Maqedonia e Veriut. Rumania ngjitet nga vendi i 20-të në të 12-in, ndërsa Maqedonia e Veriut nga vendi i 24-t në të 16-in, duke fituar secila nga tetë pozicione.

Edhe Serbia, e cila përmirësohet me pesë vende, si dhe Kroacia dhe Bullgaria, me nga tri vende secila, shënojnë ngjitje të ndjeshme në renditjen sipas fuqisë blerëse.

Humbjen më të madhe e pëson Estonia, e cila zbret nga vendi i 16-të në të 26-in. Edhe Letonia, Çekia dhe Qipro humbasin nga katër pozicione.

Në korrik 2026, 15 nga 29 vendet europiane për të cilat raportohen të dhëna kishin pagë minimale bruto më të ulët se 1,000 euro në muaj. Shtatë prej tyre janë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Në krye të renditjes nominale është Luksemburgu, me 2,771 euro në muaj. Vijojnë Irlanda me 2,391 euro, Gjermania me 2,343 euro, Holanda me 2,338 euro dhe Belgjika me 2,234 euro.

Në grupin e mesëm janë Sllovenia me 1,482 euro, Spanja me 1,425 euro, Lituania me 1,153 euro, Polonia me 1,119 euro, Qipro me 1,088 euro, si dhe Greqia e Portugalia me nga 1,073 euro.

Në fund të renditjes janë Ukraina me 169 euro dhe Moldavia me 313 euro, por për këto dy vende nuk ka të dhëna të krahasueshme sipas standardit të fuqisë blerëse.

Çmimet e shtrenjta të ushqimeve në Shqipëri e gërryejnë më tej pagën

Fuqia e dobët blerëse e pagës minimale shqiptare rëndohet nga niveli i lartë i çmimeve të produkteve bazë.

Në vitin 2025, çmimet e ushqimeve në Shqipëri kaluan për herë të parë mesataren e Bashkimit Europian, ndonëse të ardhurat dhe konsumi individual për frymë mbeten shumë më të ulëta.

Konsumi individual për frymë i përshtatur sipas fuqisë blerëse është vetëm sa 48% e mesatares së BE-së, ndërsa familjet shqiptare përballen me çmime ushqimore të krahasueshme ose më të larta se ato të vendeve me të ardhura shumë më të mëdha.

Kjo është veçanërisht e rëndë për familjet me të ardhura të ulëta, pasi rreth 40% e shpenzimeve të familjeve shqiptare shkon për ushqime dhe pije joalkoolike, kundrejt rreth 13% që është mesatarja europiane.

Çdo rritje e çmimeve të ushqimeve godet më fort buxhetin e një familjeje shqiptare sesa atë të një familjeje mesatare europiane. Pesha e lartë e ushqimeve lë më pak para në dispozicion për strehimin, energjinë, transportin, shëndetësinë, arsimin dhe kursimet.

Shqipëria shtrenjtohet më tej në 2025, çmimet e ushqimeve e kalojnë për herë të parë mesataren e BE

 

Nga bulmeti te elektroshtëpiaket, shumë produkte kushtojnë më shtrenjtë se në BE

Niveli i lartë i çmimeve nuk kufizohet vetëm te ushqimet në tërësi.

Të dhënat e krahasimit europian për vitin 2025 tregojnë se shqiptarët paguanin më shtrenjtë se mesatarja e BE-së për një numër mallrash, nga qumështi dhe produktet e bulmetit te pajisjet elektroshtëpiake dhe karburantet.

Shqipëria renditej e treta në Europë për çmimet e larta të qumështit, djathit dhe vezëve, me një nivel rreth 35.6% mbi mesataren e BE-së. Çmime relativisht të larta raportoheshin edhe për vajrat dhe yndyrnat, pajisjet elektroshtëpiake, pajisjet elektronike dhe produkte të tjera të importuara.

Një nga arsyet është varësia e lartë e tregut shqiptar nga importet, ndërsa kostot e transportit, taksat, përqendrimi i tregut dhe shkalla e ulët e konkurrencës ndikojnë që ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare të mos reflektohet gjithmonë me të njëjtin ritëm te konsumatori vendas.

Nga qumështi tek elektroshtëpiaket e nafta, produktet që i paguam më shtrenjtë se Europa në 2025-n

 

Nafta, 10.5% mbi mesataren europiane

Edhe karburantet rëndojnë ndjeshëm fuqinë blerëse të pagave.

Në vitin 2025, nafta në Shqipëri kushtonte 10.5% më shumë se mesatarja europiane, ndonëse paga minimale në vend ishte shumë më e ulët se pothuajse në të gjitha ekonomitë e kontinentit.

Pesha e lartë e taksave mbi karburantet dhe mënyra e strukturimit të tregut bëjnë që çmimet në pompa të mbeten ndër më të lartat në raport me të ardhurat.

Kostoja e karburanteve nuk prek vetëm familjet që përdorin automjete. Ajo transmetohet edhe te çmimet e transportit, shpërndarjes dhe prodhimit, duke ndikuar tërthorazi në koston e ushqimeve dhe të mallrave të tjera të konsumit.

Nafta në Shqipëri kushton 10.5% më shumë se mesatarja europiane

 

Akomodimi dhe restorantet janë të lira, por më shumë për turistët

Shqipëria rezulton më konkurruese në një kategori tjetër: restorantet dhe shërbimet e akomodimit.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, niveli i çmimeve në këtë kategori ishte 53.3% e mesatares së BE-së. Kjo e rendiste Shqipërinë si vendin e dytë më të lirë në Europë, pas Maqedonisë së Veriut.

Restorantet dhe akomodimi në Shqipëri kushtonin rreth 47% më pak se mesatarja europiane. Për krahasim, indeksi ishte 65.5 në Serbi, 66.6 në Malin e Zi, 86.1 në Greqi dhe 110.8 në Itali.

Por ky avantazh u shërben më shumë turistëve të huaj, të cilët vijnë me paga dhe fuqi blerëse shumë më të lartë, sesa qytetarëve vendas.

Për një turist nga Gjermania, Holanda apo Belgjika, ku paga minimale sipas fuqisë blerëse është dy deri në tri herë më e lartë se në Shqipëri, hotelet dhe restorantet shqiptare janë relativisht të lira.

Për një punonjës shqiptar me pagë minimale, edhe një shërbim që kushton sa gjysma e mesatares europiane mund të mbetet i shtrenjtë, sepse të ardhurat e tij reale janë më pak se një e treta e nivelit të Gjermanisë dhe dukshëm më të ulëta se në të gjithë rajonin.

 

Pushime në Europë: Ku ju kushtojnë më lirë dhe më shtrenjtë ushqimi e hotelet, renditja e Shqipërisë

 

 

The post Me pagën minimale në Shqipëri blihet shumë më pak se kudo në Europë, nga çmimet e shtrenjta appeared first on Revista Monitor.

  •  

Siguria ekonomike është po aq e rëndësishme sa siguria kombëtare

Nga Florian Zekja, Kryetari i Shoqatës Manifaktura Shqiptare

 

Një shtet që humbet fabrikat, eksportet dhe kapacitetet e tij prodhuese bëhet gjithnjë e më i varur nga importet, më i ekspozuar ndaj krizave ndërkombëtare dhe më pak i aftë për të garantuar mirëqenien e qytetarëve të tij. Forca ekonomike është një nga shtyllat themelore të sigurisë kombëtare.

 

Kohët e fundit është hapur një debat i gjerë mbi investimet që qeveria po bën në industrinë e mbrojtjes, duke e konsideruar atë një sektor strategjik për sigurinë kombëtare. Ky është një debat i drejtë dhe i domosdoshëm.

Por sot është koha të shtrojmë edhe një pyetje tjetër:

A nuk është po aq strategjike edhe siguria ekonomike e vendit?

Një shtet që humbet fabrikat, eksportet dhe kapacitetet e tij prodhuese bëhet gjithnjë e më i varur nga importet, më i ekspozuar ndaj krizave ndërkombëtare dhe më pak i aftë për të garantuar mirëqenien e qytetarëve të tij. Forca ekonomike është një nga shtyllat themelore të sigurisë kombëtare.

Manifaktura shqiptare e ka dëshmuar vlerën e saj. Për më shumë se tre dekada ka qenë një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, duke punësuar dhjetëra mijëra qytetarë, duke sjellë valutë në vend dhe duke mbajtur një peshë të rëndësishme në eksporte. Ka pasur vite kur ky sektor përfaqësonte rreth 40% të eksporteve shqiptare, me një vlerë prej afro 1.4 miliardë euro.

Ndërkohë, bota po ndryshon me shpejtësi. Pandemia, luftërat dhe tensionet gjeopolitike kanë bërë që shumë shtete të rikthejnë në qendër të politikave të tyre industrinë prodhuese. Bashkimi Evropian po investon miliarda euro për të rritur autonominë strategjike, për të forcuar kapacitetet prodhuese dhe për të ulur varësinë nga tregje të largëta për produkte jetike.

Një shembull domethënës është Italia, ku, pas rënies së Kullave Binjake, pësoi një kolaps në sektorët e tekstileve, këpucëve, mobiljeve etj., për shkak se tregu kryesor ishte ai amerikan.

Kohët e fundit ka filluar të aktivizojë sektorin e fasonerisë për veshjet dhe këpucët.

Fenomeni që po vërehet dhe po funksionon është oferta për punonjësit e kualifikuar nga Shqipëria.

Kushtet e kontratave janë mjaft tunduese, ku sipërmarrësit italianë po ofrojnë për punëtorët shqiptarë paga duke filluar nga 1,300 € neto, strehim dinjitoz dhe leje qëndrimi të përhershme.

Ky nuk është thjesht një fenomen i tregut të punës; është një sinjal se industria prodhuese po konsiderohet sërish një aset strategjik.

Nëse vendet më të industrializuara të Evropës po investojnë për të rikthyer prodhimin, pse Shqipëria duhet të heqë dorë nga një sektor ku ka ndërtuar përvojë dhe reputacion për më shumë se 35 vjet?

Edhe Shqipëria duhet të ndjekë të njëjtin vizion. Sigurimi i lëndëve të para, i energjisë, i pajisjeve mjekësore, i produkteve industriale dhe i zinxhirëve të furnizimit duhet të trajtohet si një prioritet kombëtar. Pavarësia ekonomike, qoftë edhe e pjesshme, nuk është luks; është domosdoshmëri strategjike.

Një ekonomi që mbështetet pothuajse vetëm te shërbimet, si turizmi apo ndërtimi, pa një bazë të fortë prodhuese, është më e cenueshme ndaj krizave. Historia ka treguar se vendet më të qëndrueshme janë ato që prodhojnë, eksportojnë dhe ruajnë industrinë e tyre.

Në këtë kontekst, qeveria ka treguar se, kur e konsideron një sektor strategjik, si ai i mbrojtjes, është e gatshme të përdorë instrumente të fuqishëm mbështetës: krijimin e partneriteteve me sektorin privat, vënien në dispozicion të infrastrukturës, lehtësimin e investimeve, sigurimin e tregut përmes kontratave publike dhe mbështetjen financiare për zhvillimin e kapaciteteve prodhuese.

Ky është një model që meriton vlerësim.

Por lind natyrshëm një pyetje:

Pse të mos zbatohet e njëjta filozofi edhe për industrinë e manifakturës?

Shqipëria nuk po nis nga zero. Përkundrazi, zotëron një industri me mbi 35 vite eksperiencë, me fuqi punëtore të kualifikuar, me reputacion në tregjet evropiane dhe me kompani që kanë prodhuar për disa nga markat më të njohura ndërkombëtare.

Manifaktura shqiptare është si një Ferrari. Motori ekziston. Teknologjia ekziston. Përvoja ekziston. Sipërmarrësit kanë dëshmuar se dinë të konkurrojnë në tregjet më kërkuese të botës. Ajo që mungon është karburanti i politikave publike që ta rikthejnë sektorin në shpejtësinë që meriton.

Ky debat ndoshta nuk do të kishte kuptim njëzet vite më parë. Sot, po. Shqipëria ka një industri të konsoliduar, e cila, me politikat e duhura, mund të dyfishojë eksportet, të krijojë mijëra vende të reja pune, të rrisë vlerën e shtuar të prodhimit dhe të frenojë emigracionin.

Çfarë mungon?

Vëmendja strategjike.

Shpesh, fondet publike të planifikuara për investime nuk realizohen plotësisht dhe një pjesë e tyre mbartet nga një vit në tjetrin. Një pjesë e këtyre burimeve mund të orientohej drejt modernizimit të industrisë prodhuese, teknologjisë, inovacionit dhe rritjes së konkurrueshmërisë së eksporteve shqiptare.

Është koha që ky debat të mos mbetet vetëm në nivelin e analizës, por të shndërrohet në një angazhim kombëtar.

Parlamenti i Shqipërisë duhet të miratojë një Ligj për Industrinë Prodhuese dhe një Strategji Kombëtare për Zhvillimin Industrial, duke e njohur manifakturën si një sektor strategjik të ekonomisë shqiptare.

Ky ligj duhet të krijojë bazën për një politikë moderne industriale, me instrumente konkrete për modernizimin teknologjik, rritjen e produktivitetit, mbështetjen e eksporteve, financimin e investimeve, zhvillimin e markave shqiptare, formimin profesional dhe nxitjen e inovacionit.

Shqipëria nuk ka nevojë të shpikë një industri të re. Ajo e ka tashmë një industri që ka dëshmuar vlerën e saj në tregjet ndërkombëtare. Detyra jonë nuk është ta zëvendësojmë, por ta modernizojmë, ta mbrojmë dhe ta çojmë në një fazë të re zhvillimi.

Në fund të fundit, një vend nuk është i sigurt vetëm kur mbron kufijtë e tij. Ai është vërtet i sigurt kur mbron edhe fabrikat, vendet e punës, eksportet dhe aftësinë për të prodhuar. Siguria kombëtare dhe siguria ekonomike nuk janë dy koncepte të ndara; ato janë dy anët e së njëjtës medalje. Dhe Shqipëria nuk mund të jetë e fortë në njërën, duke lënë pas dore tjetrën.

 

 

The post Siguria ekonomike është po aq e rëndësishme sa siguria kombëtare appeared first on Revista Monitor.

  •  

Çmimet mesatare të apartamenteve në 32 zonat kadastrale në Tiranë, rritje deri në 151% në 7 vjet

Në shtatë vitet e fundit, çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me ritme të forta në të gjitha njësitë administrative, duke variuar nga rreth 85% në zonat me rritjen më të ulët deri në mbi 151% në ato me rritjen më të lartë.

Monitor sjell ndryshimet e çmimeve mesatare për 11 njësitë bashkiake sipas të dhënave të indeksit Keydata Albania të publikuara nga “Çelësi Media Group”, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2019, në tremujorin e dytë të vitit 2026.

Në tërësi, gjatë shtatë viteve të fundit rezultojnë se çmimet mesatare të apartamenteve pothuajse janë dyfishuar në shumicën e njësive administrative, ndërsa në disa zona rritja ka arritur deri 150%.

Sipas të dhënave të indeksit, te Njësia nr. 1 çmimet mesatare të shitblerjes së apartamenteve në Tiranë, deri në muajin qershor 2026 kanë arritur në nivelin e 2,116 euro/m2. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-s, rezulton se brenda 7 viteve çmimet mesatare për këtë njësi janë rritur 115%.

Për ta pasur më të qartë individët se ku përkon në terren kjo njësi dhe cilat zonat kadastrale përfshin, sipas hartave të indeksit Keydata, Njësia nr.1 përfshin 2 zona kadastrale, si :1/1 (Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë, Depo e Ujit) dhe zona 1/2 që nga Poligrafiku, Shkoza, Autotraktorët, fshati Shkozë, Lana Bregas, Linzë, Sauk.

Në Njësinë nr. 2, çmimi mesatar u rrit nga 1,186 që ishte në 3-mujorin e dytë të 2019-s, në 2,306 euro/m2 deri në qershor 2026 apo me rritje rreth 95%.

Sipas hartave, Njësia nr.2 është e ndarë në 5 zona kadastrale, si : 2/1 Piramida, ish stadiumi “Qemal Stafa”; 2/2 Pazari i Ri, 9-katëshet, shkolla “Avni Rustemi”; 2/3 Ministria e Jashtme, Ambulanca nr.1, Bërryli; 2/4 Shkolla e Baletit, Ambasada Amerikane; 2/5 Qyteti “Studenti”, Fakulteti Ekonomik, Varrezat e Dëshmorëve, Sauk, Selitë.

Në Njësinë nr. 3, çmimet u rritën me 116%, nga 832 euro/m2 që ishte çmimi në 3-mujorin e  dytë 2019, arriti në 1,796 euro/m2 deri në qershor 2026.

Njësia nr.3  është e ndarë në dy zona kadastrale, si: 3/1 Xhamllëku, Profarma, rruga “Bardhyl”, rruga “Kongresi i Manastirit”, Bulevardi “Zhan D’Ark”; 3/2) Porcelani, IK V, Kinostudio, rruga “Hoxha Tahsim”, Lana e vjetër, fshati Linzë.

Edhe për Njësinë nr. 4 pati rritje të çmimeve mesatare të shitjes me rreth 130%. Nga 769 euro/m2 çmimi u ngjit në 1,759 euro/m2. Njësia nr.4 përfshin zona kadastrale, si: 4/1 Kompleksi i spitaleve, SHIK, Oxhaku, Allias i ri, fshati Tufinë; 4/2 Allias, rruga “Njazi Meka”, Bregu i Lumit, Alliasi i Ri, rruga “Myslym Keta” “5 Maji”.

Në Njësinë nr. 5 çmimet u rritën me 127%, nga 1,110 euro që ishte çmimi mesatar për këtë njësi për 3 mujorin e dytë të 2019-s, për të njëjtën periudhë të 2026-s, 7 vite më pas çmimi mesatar arriti në 2,514 euro/m2.

Njësia nr.5 përfshin zonat kadastrale, si: 5/1 Ish–Blloku, Libri Universitar, Vodafone; 5/2 Stadiumi “Selman Stermasi”, Shushica, Liqeni Artificial; 5/3 Kopshti Botanik, rruga “Komuna e Parisit” Liqeni artificial; 5/4 Hotel “Diplomat”, blloku “Vasil Shanto”, Selitë e Vogël.

Për zonën e ish Bllokut, indeksi Keydata Albania llogarit çmime më vete, ku çmimi mesatar në deri në qershor 2026 për këtë zonë arriti 2,962 euro/m2. Krahasuar me 3 mujorin e dytë të 2019-s, çmimi mesatar është rritur me 117%.

Rritjen më të madhe e shënoi Njësia Administrative nr. 6, ku çmimet mesatare u rritën me 151%, nga 672 euro/m2 arritën në 1,687 euro/m2.  Kjo njësi ka vetëm 1 zonë kadastrale nr.6 që përfshin nga Shkolla Teknologjike, Kombinati, Vaqar, Selitë, Yzberisht, Sharrë.

Edhe Njësia nr. 7 pati një rritje të fortë prej 128%, me çmimin mesatar që arriti në 2,131 euro/m2 nga 935 euro/m2 që ishte 7 vite më parë. Njësia nr.7 është e ndarë në 4 zona kadastrale, si: 7/1 Rr. Gjykata e rrethit, Ish-Ekspozita “Shqipëria Sot”; 7/2 Blloku i Ambasadave, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit; 7/3 NSHRAK, parku i Ministrisë së Brendshme, Fabrika e bukës; 7/4 Unaza e Re, Fabrika e Miellit, ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht

Në Njësinë nr. 8, rritja ishte 85%, më e ulëta ndër njësitë e analizuara. Nga 958 euro/m2 çmimi mesatar i apartamenteve arriti 1,786 euro/m2 deri në qershor 2026. Kjo njësi është e ndarë në 3 zona kadastarle, si: 8/1 Selvia, gjimnazi “Partizani” rruga “Tafajt”; 8/2 Medreseja, farmacia nr.10, Tregu Industrial; 8/3 Tregu Industrial, fabrika “Ajka”, uzina “Dinamo”, Bregu i Lumit

Ndërsa Njësia nr. 9 regjistroi një rritje prej 112%, nga 1,004 në 2,127 euro/m2.

Edhe kjo njësi është e ndarë në 3 zona kadastrale, si: 9/1 Bar Piazza, Blloku përgjatë “Zogu I”, Rruga e Barrikadave, rruga “Fortuzi”, “Sulejman Pasha” deri te “Mine Peza”; 9/2 Stacioni i trenit, Arkiva e Përgjithshme, Hipoteka, Politeknikumi; 9/3 “Don Bosko”, Fabrika e Këpucëve, Bregu i Lumit, Politeknikumi, rruga “Siri Kodra”.

Pas zonës së ish Bllokut, Njësia nr. 10 vijon të mbetet një ndër zonat më të shtrenjta të kryeqytetit. Brenda shtatë viteve, çmimi mesatar u rrit me 119%, nga 1,150 në 2,515 euro/m2. Njësia nr.10 përfshin zonat kadastrale, si: 10/1 PTT, Telekomi, ish-Lidhja e Shkrimtarëve; 10/2 Rruga “Myslym Shyri”, Drejtoria e Policisë, Kisha katolike; 10/3 Blloku i Ambasadave, Prokuroria, Rruga e Durrësit.

Ndërkohë, në Njësinë nr. 11, çmimet u rritën me rreth 107%, duke kaluar nga 740 euro/m2 në 1,530 euro/m2. Kjo njësi përfshin zonat kadastrale, si: 11/1 Zogu i Zi, ish-Shkolla e Partisë; 11/2 Ferluti, ish-Uzina Tirana, FIAT, Zbritja drejt Laprakës; 11/3 Laprakë, Drejtoria e Doganave, Spitali Ushtarak, Bregu i lumit, Fushë Mëzes, Don Bosko./ D.Azo

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

Burimi: Keydata Albania

 

 

 

The post Çmimet mesatare të apartamenteve në 32 zonat kadastrale në Tiranë, rritje deri në 151% në 7 vjet appeared first on Revista Monitor.

  •  

Shtëpia e pamundur! Goditja e ashpër ndaj shtresës së mesme nga modeli i dështuar ekonomik

Nga Erjon Saraçi, auditues ligjor *

 

“An Englishman’s home is his castle” — “Shtëpia e anglezit është kalaja e tij”

Një nga parimet më të njohura të së drejtës angleze (common law)

Çfarë e bën të pamundur pasjen e një shtëpie sot?

Për shumicën e të rinjve e të rejave, për çiftet që sapo kanë formuar familje dhe për të gjitha ato grupe shoqërore që e bazojnë jetesën te puna, qoftë punë krahu apo punë mendjeje, për sipërmarrësit e rinj dhe për të gjithë ata që punojnë me biznese familjare a individuale në më shumë se tre dekada treg të lirë, blerja e një apartamenti është kthyer në ëndërr.

Por jo në një ëndërr të realizueshme, në një ëndërr të pamundur!

Ndërsa pagat rriten me hapa të ngadaltë, çmimet e banesave janë më shumë se dyfishuar brenda pak vitesh, duke i detyruar shumë familje dhe individë të zgjedhin mes qirasë së përjetshme, emigrimit, ose një kredie 30-vjeçare që gllabëron më shumë se gjysmën e të ardhurave.

Në shumë intervista, artikuj dhe emisione, përfaqësues të sektorit të ndërtimit, agjentë të zyrave të pasurive të paluajtshme, inxhinierë e biznesmenë kanë parashtruar opinione që e shpjegojnë rritjen e çmimeve me blerjet nga emigrantët, të huajt dhe familjet shqiptare.

Kjo ide, e pompuar dhe e investuar me kujdes, ka një qëllim të vetëm tregtar: çimentimin e çmimeve në nivele të larta, për të mbrojtur marzhet dhe komisionet e shitblerjeve. Ndërkohë, raportimet zyrtare tregojnë për një stok të lartë apartamentesh bosh:

Sipas Censit 2023 (INSTAT), në 5 bashkitë e qarkut të Tiranës janë 85 mijë banesa bosh, nga të cilat 66% janë apartamente në pallate, ndërkohë që mbi 60 mijë familje të qarkut nuk kanë shtëpi në pronësi.

Pra ka më shumë banesa bosh sesa familje pa banesë: një paradoks, sepse në një treg të rregullt çmimet duhet të uleshin në kushte të tilla. Në shkallë vendi, nga 1 milion e 82 mijë banesa gjithsej, 356 mijë janë bosh, afërsisht 1 në 3.

Të dhënat e konsumit të energjisë (OSHEE)

Numri i apartamenteve të pabanuara në Tiranë është rritur 3.4 herë brenda 5 vjetësh nga 14,991 në vitin 2018, në 51,129 në vitin 2023.

Nga 292 mijë shtëpi me kontratë me OSHEE-në në Tiranë, afërsisht 51 mijë nuk janë të banuara. Kjo përkthehet në rreth 17.4% të banesave të kryeqytetit bosh, pa llogaritur godinat rezidenciale ende në ndërtim.

Situata më e fundit (2025–2026)

Stoku i banesave të pashitura mbetet i lartë. Rreth 1 në 3 banesa të reja janë bosh, çka sipas analizave të tregut, po frenon rritjen e mëtejshme të çmimeve.

Edhe agjencitë ndërkombëtare konfirmojnë se Tirana mbetet një nga tregjet me stokun më të lartë të apartamenteve të pashitura në rajon.

Për të hedhur më tepër dritë mbi arsyet e vërteta dhe më e rëndësishmja mbi çfarë mund dhe duhet të bëhet për të goditur këtë fenomen malinj, që po i pengon familjet shqiptare të kenë një shtëpi dhe një zhvillim të sigurt, le të përpiqemi t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve:

Por sa kushton në të vërtetë ndërtimi i një metri katror banesë? Dhe sa paguan blerësi për të?

Përgjigjja e këtyre dy pyetjeve zbulon një hendek që nuk shpjegohet as me inflacionin, as me koston e materialeve, as me tokën…

Analiza e mëposhtme synon detajimin e kostove të ndërtimit të një apartamenti, duke u bazuar në tre skenarë:

Siç vihet re nga analiza e kostove, për të 3 skenarët ekziston një hendek totalisht i paarsyeshëm midis Çmimit te justifikueshëm ekonomikisht  (Euro/m²) dhe Çmimit të kuotuar në treg.

Referuar gjithashtu dhe artikullit më të fundit të botuar nga Monitor me titull, “Keydata:

“Çmimet e apartamenteve rriten 122% brenda 7 viteve, arrijnë gati 2.2 mijë euro/m² në mars” trajtohet një rritje distopike dhe aspak normale e çmimeve ku çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve në Tiranë në muajin mars 2026, çmimi mesatar për apartamentet ka arritur 2,141 euro/m² ndërsa çmimi median ka arritur 2,046 euro për metër katror.”

Ndër të tjera aty citohet që:

“Në zonën e ish – Blloku çmimi mesatar i shitjes ka arritur 3,003 euro për metër katror deri në muajin mars 2026 nga 1,574 euro për metër katror që ishte çmimi në 3-mujorin e parë të 2022. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 4 viteve më parë çmimi mestar në këtë zonë është rritur me 90%.

Brenda Unazës së Vogël të Tiranës ,çmimi mesatar ka arritur 2,431 euro për metër katror nga 1,269 euro që ishte në 3-mujorin e parë të 2022. Edhe në këtë çmimet janë rritur rreth 92% krahasuar me 4 vite më parë.

Shtrenjtim të çmimeve ka pasur edhe për apartamentet jashtë Unazës së Vogël. Në këtë zonë regjistrohet çmim mesatar prej 2,022 euro për metër katror nga 1,056 që ishte në 3 mujorin e parë të 2022. Rritja me 91.4%”, theksohet ndër të tjera në artikull.

Mbi çfarë dinamike tregu rriten këto çmime? Kush po i blen ato? Apo parkohet para në ndërtim? Dhe më e rëndësishmja si do të marrë zgjidhje ky problem për familjet shqiptare në kushtet e një emigrimi masiv në këto 10 vitet e fundit ?

Dilemat

Mbi çfarë dinamike tregu rriten këto çmime? Kush po i blen ato? Apo parkohet para në ndërtim? Dhe më e rëndësishmja si do të marrë zgjidhje ky problem për familjet shqiptare në kushtet e një emigrimi masiv në këto 10 vitet e fundit ?

Dinamika e vërtetë: kur banesa nuk blihet për t’u banuar

Përgjigjja e parë vjen nga vetë shifrat. Nëse çmimet do të rriteshin nga kërkesa reale për banim, do të duhej që të ardhurat e banorëve të ndiqnin të njëjtën trajektore. Ndodh e kundërta: ndërsa çmimet mesatare të apartamenteve në Tiranë u rritën me 122% brenda 7 viteve, paga mesatare mbetet rreth 30% më e ulët se mesatarja e rajonit dhe një familjeje i duhen rreth 19 paga vjetore bruto për një apartament 70 m²,  më shumë sesa në Athinë apo Amsterdam.

Një kërkesë e mbështetur te puna nuk mund t’i paguajë këto çmime. Dhe njëkohësisht, stoku i banesave bosh trefishohet. Në çdo treg normal, ky kombinim, blerës të varfëruar dhe ofertë e tepërt do të sillte rënie çmimesh. Kur çmimet rriten pikërisht në këto kushte, do të thotë se kërkesa që i mban lart nuk vjen nga ata që kërkojnë strehë.

Nga vjen atëherë? Raportet institucionale të dy viteve të fundit e kanë bërë tablonë gjithnjë e më të qartë. Raporti vjetor 2025 i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave e identifikon sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme si kanalin më të ekspozuar përmes të cilit paraja me origjinë të paqartë hyn në ekonominë shqiptare, jo në skema të fshehta, por në sektorët më të dukshëm: ndërtim, prona, kompani dhe qarkullim masiv cash-i.

Agjencia e Inteligjencës Financiare, në tipologjitë e saj të vitit 2025, e rendit pasurinë e paluajtshme si fushën më të përdorur për riciklimin e kapitaleve, me raste konkrete blerjesh trojesh e pronash me çmime të pazakonta nga kompani të sapokrijuara që raportojnë menjëherë fitime të konsiderueshme.

Ndërsa SPAK raportoi për vitin 2025 sekuestrime e konfiskime asetesh kriminale me vlerë 45.4 milionë euro, ku mbi 98% dyshohet se e kanë origjinën nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve dhe hetimet e publikuara tregojnë se ndërtimi nuk shërben thjesht si destinacion final për blerje apartamentesh, por si një sistem financiar paralel, ku trojet, lejet, kontratat e sipërmarrjes dhe apartamentet bëhen njësi për ruajtjen, copëzimin dhe qarkullimin e kapitalit.

Ky konstatim shpjegon atë që asnjë teori tregu nuk e shpjegon dot: pse çmimet nuk bien edhe pse banesat mbeten bosh. Për blerësin që pastron para, çmimi nuk është pengesë — është vetë qëllimi. Sa më i lartë çmimi i deklaruar, aq më shumë para të pista legalizohen në një transaksion të vetëm. Ky blerës nuk negocion, nuk pret ulje, nuk kërkon qira: apartamenti bosh e ka kryer funksionin e tij ditën që u nënshkrua kontrata te noteri.

Kështu, oferta e parasë së paligjshme vendos dyshemenë e çmimeve për të gjithë tregun — dhe çdo familje që blen me kursime e kredi paguan, në thelb, një taksë të fshehtë ndaj krimit ekonomik. Ndërkohë zhvilluesit dhe agjentët nuk kanë asnjë arsye t’i ulin çmimet e listuara: mjafton të shesin një pjesë të njësive me çmime të fryra, ndërsa pjesa tjetër qëndron bosh si rezervë vlere, e pambuluar nga asnjë kosto reale mbajtjeje, në një vend ku taksa e pronës është ndër më të ulëtat në Europë.

Pse nuk bien çmimet?!

Ndërtimi nuk shërben thjesht si destinacion final për blerje apartamentesh, por si një sistem financiar paralel, ku trojet, lejet, kontratat e sipërmarrjes dhe apartamentet bëhen njësi për ruajtjen, copëzimin dhe qarkullimin e kapitalit. Ky konstatim shpjegon atë që asnjë teori tregu nuk e shpjegon dot: pse çmimet nuk bien edhe pse banesat mbeten bosh. Për blerësin që pastron para, çmimi nuk është pengesë — është vetë qëllimi. Sa më i lartë çmimi i deklaruar, aq më shumë para të pista legalizohen në një transaksion të vetëm. Ky blerës nuk negocion, nuk pret ulje, nuk kërkon qira: apartamenti bosh e ka kryer funksionin e tij ditën që u nënshkrua kontrata te noteri.

Rrethi vicioz me emigrimin

Këtu fenomeni lidhet me plagën tjetër të madhe: emigrimin masiv. Në pamje të parë duket paradoks — vendi zbrazet, e megjithatë çmimet rriten. Në të vërtetë, të dyja janë faqet e së njëjtës medalje. Të rinjtë që nuk arrijnë dot as të përfytyrojnë blerjen e një banese me pagën e tyre largohen; largimi i tyre e zvogëlon edhe më shumë peshën e kërkesës reale për banim në treg, duke ia lëshuar terrenin kërkesës spekulative dhe asaj të parasë së dyshimtë.

Një pjesë e remitancave të vetë emigrantëve rikthehet pastaj në tregun e pronave si investim i kursimeve — shpesh i vetmi instrument investimi që ata njohin — duke i dhënë çmimeve edhe një shtysë shtesë. Dhe sa më shumë rriten çmimet, aq më shumë të rinj largohen. Modeli ekonomik që gjeneron kullat bosh është i njëjti model që zbraz shkollat, spitalet dhe fabrikat nga njerëzit.

Çfarë ka funksionuar gjetkë

Shqipëria nuk është vendi i parë ku paraja e paligjshme frynë tregun e banesave — dhe përvojat e huaja tregojnë se fenomeni nuk është i pandëshkueshëm.

Në Vankuver të Kanadasë, ku kapitali i huaj dhe ai me origjinë të paqartë kishin shkëputur çmimet nga të ardhurat vendase, autoritetet vendosën taksën mbi banesat bosh (Empty Homes Tax) dhe taksën shtesë për blerësit e huaj: mijëra apartamente dolën në tregun e qirasë dhe rritja e çmimeve u frenua.

Britania e Madhe krijoi instrumentin e urdhrave për pasuri të pashpjegueshme (Unexplained Wealth Orders), që i detyron pronarët të provojnë burimin e ligjshëm të fondeve për pronat e tyre — përndryshe prona konfiskohet.

Në Spanjë, operacionet e mëdha antikorrupsion në Marbella dëshmuan se pastrimi i dekadave përmes ndërtimit mund të goditet edhe me vonesë, ndërsa rasti i fondit malajzian 1MDB tregoi se pronat e blera me para të vjedhura mund të kthehen. Mësimi i përbashkët: aty ku shteti ka vendosur transparencë mbi pronësinë përfituese dhe verifikim të burimit të fondeve, hendeku mes kostos dhe çmimit është ngushtuar.

Çfarë duhet bërë: 6 hapa konkretë

Së pari, transparencë e plotë mbi pronësinë përfituese. Regjistri i pronarëve përfitues duhet të bëhet funksional, i verifikuar dhe i aksesueshëm publikisht për çdo shoqëri ndërtimi dhe çdo blerës institucional. Ashtu siç është theksuar edhe nga praktika hetimore, në Shqipëri pronësia faktike dhe ajo juridike shpesh nuk përputhen — dhe pikërisht kjo errësirë e bën ndërtimin strehën ideale të kapitalit kriminal.

Së dyti, verifikim i detyrueshëm i burimit të fondeve për çdo blerje prone mbi një prag të caktuar, me kalim të plotë të pagesave përmes sistemit bankar dhe ndalim të cash-it në transaksionet e pasurive të paluajtshme. Noterët, bankat dhe agjentët imobiliarë duhet të mbajnë përgjegjësi reale ligjore si portierë të sistemit, me sanksione të zbatueshme kur mbyllin sytë.

Së treti, taksë progresive mbi banesat bosh, sipas modelit të Vankuverit. Kur mbajtja e një apartamenti bosh të kushtojë çdo vit një përqindje kuptimplote e vlerës së tij, njësitë e parkuara si kasafortë do të detyrohen të dalin në treg — në shitje ose në qira — duke ulur çmimet dhe qiratë njëkohësisht.

Të dhënat për konsumin zero të energjisë, që sot dokumentojnë mbi 51 mijë banesa të pabanuara vetëm në Tiranë, ofrojnë gati një instrument të gatshëm identifikimi.

Së katërti, fuqizimi i instrumenteve të konfiskimit civil dhe futja e urdhrave për pasuri të pashpjegueshme sipas modelit britanik, që e zhvendosin barrën e provës te pronari kur pasuria është haptazi e papërputhshme me të ardhurat e deklaruara. SPAK dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare kanë treguar se mund të godasin — por u duhen instrumente që veprojnë me shpejtësinë e tregut, jo me atë të proceseve dhjetëvjeçare.

Së pesti, transparencë e të dhënave të tregut: regjistër publik i çmimeve reale të transaksioneve nga kadastra dhe një indeks zyrtar çmimesh, në mënyrë që analiza si kjo e këtij shkrimi të mos varet nga vlerësime private e njoftime shitjesh.

Fshehja e çmimeve reale nuk mbron blerësit — mbron ata që kanë interes t’i mbajnë çmimet e fryra.

Së gjashti, politikë e vërtetë strehimi për shtresën e mesme dhe të rinjtë: zbatim rigoroz i detyrimit të 3% të sipërfaqes për strehim social, tokë publike e dedikuar për banesa me kosto reale ndërtimi, dhe kredi të buta të lidhura me çmime tavan për m² — jo subvencione që përfundojnë, përmes çmimeve të fryra, sërish në xhepat e zhvilluesve.

Shtëpia si kala — apo si kasafortë e të tjerëve?

Analiza e kostove tregoi se hendeku mes çmimit të justifikueshëm ekonomikisht dhe çmimit të tregut nuk shpjegohet me asnjë zë kostoje — as materiale, as truall, as taksa, as fitim normal. Të dhënat institucionale tregojnë se ky hendek ka një emër: paraja që kërkon të pastrohet dhe kapitali që kërkon të parkohet.

Për sa kohë që shteti do ta lejojë banesën të funksionojë si kasafortë anonime e kapitalit të dyshimtë, shtëpia — kalaja e familjes — do të mbetet e pamundur pikërisht për ata që e ndërtojnë këtë vend me punën e tyre: shtresën e mesme, profesionistët, sipërmarrësit e vegjël dhe brezin e ri. Zgjidhja nuk kërkon zbulime të reja; kërkon vullnetin për të zbatuar atë që vende të tjera e kanë provuar tashmë se funksionon. Pyetja e vetme që mbetet është nëse do të veprohet para se edhe një brez tjetër të ketë ikur.

*Opinionet janë profesionale të autorit dhe nuk përbëjnë qëndrim të revistës

SHËNIME & BURIME                                                                                               

  • Burim: Shoqata e Ndërtuesve Shqipëri (SHNSH), Monitor.al, Banka e Shqipërisë 2025–2026
  • Burim: Komisioni Ekonomik OKB-Europë, Raporti Urban Tiranë 2024.
  • Taksa ndikimit infrastrukturë: 8% e çmimit referencë Tiranë.
  • Trualli llogaritet: çmim total truall ÷ m² total të ndërtuar (koeficient ndërtimi ~3–5x).
  • Diferenca pashpjegueshme = çmim tregu – Çmim i justifikueshëm ekonomikisht. Ky hendek tregon fryrjen artificiale.
  • Tatimi mbi fitimin (15%) llogaritet mbi marzhin normal të zhvilluesit dhe përfshihet si kosto. Ne Rastin Premium, norma është llogaritur 20%.
  • Taksa e strehimit social: 3% e sipërfaqes së ndërtuar i kalon bashkisë — kosto oportune = 3% e çmimit të shitjes.                                                          

Çmimet e tregut sipas raportit Keydata te “Çelësi Media Group” tregojnë se çmimi mesatar për apartamentet në Tiranë ka arritur 2,141 euro/m².  Të dhënat për ecurinë e çmimeve mesatare të apartamenteve nga 2005 deri në 3-mujorin e parë të 2026-s .                                                

 

The post Shtëpia e pamundur! Goditja e ashpër ndaj shtresës së mesme nga modeli i dështuar ekonomik appeared first on Revista Monitor.

  •  

Pesë ankesa çojnë në KPP tenderat e lavanderive me fond mbi 6.1 milionë euro

Pesë ankesa të paraqitura pas fazës së vlerësimit kanë çuar në Komisionin e Prokurimit Publik tre procedura për shërbimin e lavanderisë në spitale, me një fond limit të përbashkët prej rreth 608.2 milionë lekësh apo mbi 6.1 milionë euro.

Tenderët janë zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara dhe lidhen me shërbimin e lavanderisë për Spitalin Rajonal “Memorial” Fier, Qendrën Spitalore Rajonale Berat dhe Spitalin Rajonal Durrës.

Procedura me fondin më të lartë është ajo për furnizimin e shërbimit të lavanderisë në Spitalin Rajonal Durrës, me një fond limit prej rreth 296.98 milionë lekësh. Ankesa për këtë tender është paraqitur nga një operator ekonomik.

Për Spitalin Rajonal “Memorial” Fier, fondi limit arrin në 188.48 milionë lekë. Procedura është ankimuar nga dy operatorë ekonomikë, të cilët kanë kundërshtuar rezultatin e fazës së vlerësimit.

Tenderi për furnizimin dhe shërbimin e lavanderisë në Qendrën Spitalore Rajonale Berat ka një fond limit prej rreth 122.76 milionë lekësh. Edhe kjo procedurë ka përfunduar në KPP pas ankesave të paraqitura nga dy operatorë ekonomikë.

Në total, bëhet fjalë për pesë ankesa të lidhura me tre procedura të ndryshme prokurimi të hapura në periudha të ndryshme kohore gjatë këtij viti.  Të gjitha ankesat lidhen me vlerësimin e ofertave, duke kaluar shqyrtimin e procedurave te Komisioni i Prokurimit Publik.

Periudha për të cilën kërkohet shërbimi zakonisht lidhet me një afat që shkon disa vite çka bën që edhe vlera e tenderave të jetë e konsiderueshme. Për shembull në rastin e shëbrimit për spitalin “Memorial” në Fier koha që kërkohet për mbulimin e shërbimit është 48 muaj. Po kaq është edhe koha që kërkohet shërbimi për spitalin në Durrës tenderi i të cilit u hap në maj të këtij viti.

Kjo nuk është hera e parë që tenderat për shërbimin e lavanderisë në spitalet e vendit përfundojnë të ankimuara teksa ato zakonisht janë pjesë e marrëveshjeve kuadër që do të thotë se për të njëjtin shërbim mund të hyjnë në marrëveshje disa operatorë ekonomikë./ N.Maho

The post Pesë ankesa çojnë në KPP tenderat e lavanderive me fond mbi 6.1 milionë euro appeared first on Revista Monitor.

  •  

Prona, protestat dhe zhvillimi: Kriza e vjetër që po prodhon konflikte të reja

   Nga  Prof. asoc. dr. Florian Bjanku*

 

Protestat që po zhvillohen prej javësh në Shqipëri, të lidhura me projektet turistike, përdorimin e territorit dhe shqetësimin e komuniteteve lokale, nuk mund të lexohen thjesht si reagime mjedisore apo si kundërshtim ndaj investimeve. Në thelb, ato janë shfaqja më e fundit e një problemi që Shqipëria nuk e ka zgjidhur kurrë plotësisht: krizës së pronës.

Në pamje të parë, debati publik është për bregdetin, për zonat e mbrojtura, për resortet, për turizmin elitar, për zhvillimin ekonomik dhe për mënyrën se si shteti synon ta vërë territorin në funksion të investimeve. Por pas këtij debati qëndron një pyetje më e vjetër dhe më e rëndë: kush e ka pronën, mbi çfarë titulli, me çfarë kufijsh, me çfarë procedure dhe me çfarë garancie?

Në monografinë time të vitit 2013, Çështja e pronave në Shqipëri – Sfida me shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut, kam theksuar se prona nuk është një çështje e ngushtë kadastrale apo një problem i zakonshëm administrativ. Ajo është një nga provat më serioze të shtetit ligjor, të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të funksionimit të ekonomisë së tregut. Kur prona është e paqartë, nuk dëmtohet vetëm pronari. Dëmtohet tregu, investimi, besimi te shteti dhe paqja sociale.

Sot, më shumë se një dekadë më vonë, zhvillimet në terren tregojnë se kjo diagnozë mbetet aktuale. Shqipëria ka ndryshuar shumë në pamje: ka më shumë projekte, më shumë interes turistik, më shumë presion mbi bregdetin dhe tashmë edhe më shumë vëmendje ndaj zonave malore. Por themeli juridik mbi të cilin ngrihet ky zhvillim mbetet shpesh i paqartë.

 Prona si themel i shtetit ligjor dhe i zhvillimit

Nuk ka ekonomi tregu funksionale pa tituj të qartë pronësie. Toka nuk është thjesht sipërfaqe fizike. Ajo është pasuri, trashëgimi, garanci, mundësi zhvillimi, bazë investimi dhe pjesë e identitetit të komuniteteve lokale.

Nëse titulli i pronësisë është i paqartë, çdo investim i madh mund të kthehet nga mundësi zhvillimi në burim konflikti. Investitori serioz kërkon siguri juridike. Qytetari kërkon mbrojtje nga arbitrariteti. Komuniteti kërkon transparencë. Shteti, mbi të gjitha, duhet të garantojë trajtim të barabartë përpara ligjit.

Nëse këto elemente mungojnë, konflikti nuk është rastësi. Ai është pasojë e pritshme. Në Shqipëri, problemi nuk është vetëm mungesa e një dokumenti. Problemi është më i thellë: bashkëjetesa e disa shtresave juridike mbi të njëjtin territor. Në të njëjtën sipërfaqe mund të gjenden pretendime të pronarëve të vjetër, akte të ndarjes së tokës bujqësore, prona shtetërore, pyje, kullota, prona publike, procese legalizimi, regjistrime të paplota, tituj kontradiktorë dhe vendime gjyqësore që jo gjithmonë janë zbatuar në kohë.

Pas viteve 1990, Shqipëria miratoi shumë ligje për pronën, për ndarjen e tokës, për kthimin dhe kompensimin, për legalizimin, për regjistrimin dhe për transferimin e pronave shtetërore. Por sasia e ligjeve nuk solli gjithmonë qartësi. Në praktikë, shumë reforma krijuan konflikte të reja ose thelluan konfliktet ekzistuese.

Procesi i kthimit dhe kompensimit shpesh u ndesh me privatizimin e mëparshëm. Ndarja e tokës sipas ligjit nr. 7501 nuk u pranua njësoj në të gjitha zonat. Diku banorët iu referuan kufijve të vjetër para kolektivizimit; diku tjetër u zbatuan aktet e ndarjes së tokës; në shumë raste, dokumentacioni mbeti i paplotë ose nuk përputhej me gjendjen reale në terren.

Ky është problemi themelor: Shqipëria nuk ka vetëm konflikt pronësie. Ajo ka konflikt midis kujtesës historike, dokumentit juridik, përdorimit faktik dhe interesit ekonomik të ditës.

Prandaj protestat e sotme nuk duhet parë si refuzim i zhvillimit. Ato janë shenjë e një mosbesimi të grumbulluar ndër vite. Qytetarët nuk pyesin vetëm se çfarë do të ndërtohet. Ata pyesin: pse këtu, pse tani, mbi cilën pronë, me çfarë procedure dhe kush përfiton?

Në një shtet demokratik, shteti mund të ndërhyjë mbi pronën private vetëm në kushte të caktuara. Interesi publik është një nga këto kushte, por ai nuk mund të përdoret si formulë e përgjithshme për të justifikuar çdo projekt. Ai duhet të jetë real, i provuar, proporcional dhe i kontrollueshëm.

Nëse një projekt zhvillimi prodhon përfitim të madh privat, por u lë komuniteteve pasiguri, mungesë aksesi, kompensim të pamjaftueshëm ose përjashtim nga vendimmarrja, atëherë ai nuk mund të paraqitet lehtësisht si interes publik.

Shteti ligjor nuk matet nga aftësia për të hapur kantiere. Matet nga aftësia për të garantuar që çdo ndërhyrje mbi pronën të bëhet sipas ligjit, me transparencë, me proporcionalitet dhe me trajtim të barabartë të qytetarëve.

Bregdeti, Shkodra dhe ndryshimi i funksionit të tokës

Bregdeti shqiptar është sot hapësira ku kriza e pronës bëhet më e dukshme, sepse aty vlera ekonomike e tokës është rritur ndjeshëm. Aty përplasen interesat e pronarëve historikë, përfituesve të reformave të tranzicionit, shtetit si administrator i pronës publike, investitorëve privatë, komuniteteve lokale dhe interesit publik për mjedisin e aksesin në territor.

Në zonat bregdetare, çdo paqartësi pronësie bëhet më e ndjeshme. Toka nuk shihet më vetëm si mjet jetese apo trashëgimi familjare, por si aset me vlerë të madhe turistike. Kjo e rrit presionin mbi institucionet dhe e bën më të lartë rrezikun e vendimmarrjeve të nxituara.

Në monografinë e vitit 2013 kam trajtuar faktin se çështjet e kthimit dhe kompensimit kanë ndikuar negativisht në zhvillimin e turizmit, veçanërisht në zonat bregdetare ku kishte mosmarrëveshje midis pretenduesve të tokës bujqësore, ish-pronarëve dhe shtetit si zotërues i tokave të klasifikuara si pyje ose kullota.

Ky konstatim sot merr një kuptim edhe më të fortë. Në vitet e para të tranzicionit, konflikti lidhej kryesisht me mbijetesën, me zëniet informale dhe me mungesën e shtetit. Sot konflikti lidhet edhe me kapitalin e madh, me turizmin strategjik dhe me përqendrimin e përfitimit ekonomik në territore që ende nuk janë pastruar juridikisht.

Këtu ka ndodhur ndryshimi më i madh i situatës. Një tokë që dikur përdorej për të kullotur bagëtinë, për të prerë dru, për të mbledhur prodhime të vogla, për të mbjellë pak tokë, për të siguruar jetesën e një familjeje fshatare apo për të ruajtur lidhjen minimale me vendin, sot shihet si territor për resorte, vila turistike, struktura akomoduese dhe zhvillim ekonomik me vlerë shumë më të lartë.

Pra, nuk ka ndryshuar vetëm çmimi i tokës. Ka ndryshuar funksioni i saj. Ajo që për banorin ishte pjesë e jetës së përditshme, për investitorin është aset zhvillimi. Ajo që për komunitetin ishte hapësirë përdorimi, për tregun është hapësirë ndërtimi. Ajo që për fshatin ishte territor mbijetese, sot rrezikon të kthehet në territor për konsum turistik.

Ky ndryshim e bën konfliktin më të thellë. Fshati, siç ka funksionuar ndër vite, nuk do të ekzistojë më në të njëjtën mënyrë. Banorët janë zhvendosur ose po zhvendosen. Një pjesë kanë emigruar, një pjesë janë larguar drejt qyteteve, një pjesë kanë humbur lidhjen ekonomike me tokën, por jo domosdoshmërisht të drejtën, kujtesën apo pretendimin mbi të.

Në këtë mënyrë, kur toka merr papritur vlerë të madhe ekonomike, ata që dikur kanë jetuar me të ose pranë saj rrezikojnë të mbeten jashtë përfitimit. Fshati mund të mos zhduket fizikisht, por mund të humbasë funksionin e vet social. Ai mund të kthehet nga hapësirë komunitare në destinacion turistik, ku banori vendas nuk është më subjekt i zhvillimit, por spektator i tij.

Shkodra e tregon qartë këtë përplasje. Çështja e pronës nuk është teori. Ajo shfaqet në qytet, në periferi, në tokat bujqësore, në Velipojë, në Rrjoll, në Shirokë-Zogaj, në zonën e Bunës, në pyje, në kullota dhe në zonat malore.

Në këtë kuptim, Shkodra nuk është përjashtim. Është një pasqyrë e përqendruar e krizës shqiptare të pronës.

Në të njëjtin territor bashkëjetojnë prona private e trashëguar, toka bujqësore e ndarë pas viteve 1990, prona shtetërore, prona publike vendore, hapësira me përdorim komunitar, zona turistike bregdetare, zona liqenore, pyje, kullota dhe territore malore me kufij tradicionalë shpesh të paformalizuar.

Kjo e bën Shkodrën një rast shumë domethënës për të kuptuar se zhvillimi nuk mund të ndahet nga qartësimi i pronës. Nuk mund të ketë turizëm të qëndrueshëm në Velipojë apo Rrjoll pa tituj të qartë, pa kompensim të drejtë kur cenohet prona, pa konsultim me komunitetin dhe pa ndarje të qartë midis pronës private, publike dhe asaj që historikisht ka shërbyer për përdorim të përbashkët.

Nëse shteti nuk perceptohet si arbitër i paanshëm, por si palë në favor të zhvilluesit, konflikti bëhet i pashmangshëm.

Paketa e Maleve dhe kufiri i paqartë midis pronës private, publike dhe komunitare

Në këtë kontekst duhet parë edhe “Paketa e Maleve”. Ajo nuk duhet trajtuar vetëm si nismë zhvillimore, turistike apo fiskale. Ajo duhet parë para së gjithash si një provë e re për pronën.

Zonat malore nuk janë hapësira bosh. Ato kanë histori përdorimi, kufij tradicionalë, të drejta familjare, toka të paregjistruara, pyje, kullota, prona publike, prona private, hapësira komunitare dhe forma të trashëguara të shfrytëzimit bujqësor e blegtoral.

Në shumë prej këtyre zonave, për dekada të tëra nuk ka pasur regjistrim të plotë dhe të saktë. Në shumë raste, kufiri midis pronës private dhe pronës publike nuk është i qartë. Po ashtu, nuk është gjithmonë e qartë se ku mbaron e drejta private e një familjeje dhe ku fillon e drejta komunitare për kullotje, për shfrytëzim blegtoral, për përdorim bujqësor apo për akses në burime natyrore.

Nëse “Paketa e Maleve” nuk e zgjidh këtë nyje, ajo rrezikon të prodhojë konflikt të ri. Ajo mund të nxisë investime, por nuk zgjidh automatikisht problemin e titullit të pronësisë, të kufijve, të përdorimit tradicional dhe të të drejtave të komunitetit.

Madje, nëse nuk zbatohet me kujdes, ajo mund të cenojë edhe parimin kushtetues të barazisë së shtetasve para ligjit.

Një nga rreziqet më të mëdha është krijimi i një standardi të dyfishtë. Ai që ka mundësi financiare, lidhje profesionale, akses në dokumentacion, konsulentë, noterë, topografë dhe mundësi për të ndjekur procedurat administrative, mund të arrijë më shpejt të formalizojë pronën, të sqarojë titullin dhe të përfitojë nga paketa zhvillimore.

Ndërsa qytetari i varfër, familja që ka jetuar për dekada në atë zonë, por nuk ka dokumentacion të plotë, mund të mbetet sërish në pritje. Ai mund të vazhdojë të kërkojë hartat, kufijtë, aktet, dëshmitë, regjistrimin dhe njohjen formale të së drejtës së tij.

Kështu, një paketë që në letër synon zhvillimin e zonave malore mund të prodhojë në praktikë pabarazi të re: kush ka kapital, hyn në zhvillim; kush nuk ka, mbetet jashtë tij.

Ky është një problem i rëndë kushtetues dhe social. Shteti nuk mund ta kthejë qartësimin e pronës në privilegj për ata që kanë mundësi ta ndjekin shpejt procedurën. E drejta e pronës nuk mund të funksionojë me dy shpejtësi: një për investitorin dhe një për banorin e zakonshëm.

Në qytete, edhe kur një qytetar vonohet në zgjidhjen e titullit të pronësisë, mund të ketë ende hapësira të tjera ndërtimi, zhvillimi apo përshtatjeje. Territori urban është më i gjerë, më i fragmentuar dhe zakonisht lejon më shumë forma zhvillimi.

Në zonat malore kjo nuk ndodh njësoj. Mali ka kufizime natyrore, distanca, pjerrësi, rrugë të kufizuara, zona të mbrojtura, burime ujore, pyje, kullota dhe hapësira ku ndërtimi nuk mund të shpërndahet pafund. Nëse resortet, bujtinat ose strukturat e mëdha të zhvillimit pozicionohen më parë në pikat më të favorshme, atëherë banori që arrin ta zgjidhë më vonë titullin e pronësisë mund të gjendet përballë një realiteti të përfunduar urbanistik.

Pra, kur ai të jetë më në fund “gati me dokumente”, mund të mos ketë më mundësi reale zhvillimi.

Kjo do të ishte një formë e padrejtë përjashtimi: jo shpronësim klasik, por përjashtim përmes kohës, përmes vonesës administrative dhe përmes zhvillimit të parakohshëm të territorit nga ata që kanë pasur mundësi të hyjnë më shpejt në sistem.

Në këtë kuptim, “Paketa e Maleve” duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me një proces paraprak të qartësimit të pronës, kufijve dhe të drejtave të përdorimit. Përndryshe, ajo rrezikon të kthehet nga instrument zhvillimi në mekanizëm për përqendrimin e territorit në duart e atyre që kanë më shumë kapital dhe akses.

Një çështje që mungon shpesh në debatin publik është dallimi midis pronës private, pronës publike dhe të drejtave komunitare të përdorimit.

Në zonat malore, pyjet dhe kullotat nuk mund të trajtohen thjesht si sipërfaqe të lira për investim. Ato kanë shërbyer historikisht për kullotje, për blegtori, për bujqësi, për dru zjarri, për kalim, për burime ujore dhe për mbijetesën ekonomike të komunitetit.

Nëse këto hapësira trajtohen vetëm nga këndvështrimi i investimit privat, atëherë rrezikohet të zhduket një pjesë e rëndësishme e ekonomisë tradicionale lokale. Banori nuk humb vetëm tokën; humb aksesin, mundësinë e kullotjes, lidhjen me territorin dhe burimin e jetesës.

Prandaj, përpara çdo politike zhvillimore në mal, duhet të qartësohet: cila është pronë private, cila është pronë publike, cila është pronë shtetërore apo vendore, cilat janë hapësirat me përdorim komunitar dhe cilat janë të drejtat tradicionale të banorëve mbi kullotat, pyjet, burimet dhe rrugët e kalimit.

Pa këtë ndarje, çdo paketë zhvillimi rrezikon të prodhojë konflikte të ngjashme me ato që janë shfaqur në bregdet.

 Zhvillimi nuk mund të ecë më shpejt se regjistrimi, kufijtë dhe shteti ligjor

Një shtet serioz nuk mund të ndërtojë politika zhvillimi mbi pasiguri kadastrale. Regjistrimi i saktë i pronës, unifikimi i hartave, eliminimi i mbivendosjeve, identifikimi i titujve kontradiktorë dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore janë parakushte, jo procedura dytësore.

Nëse këto nuk bëhen më parë, çdo paketë zhvillimi mund të prodhojë efekte të padrejta. Ajo mund të nxisë garën për kapjen e territorit, të favorizojë më të fortët, të përjashtojë banorët pa dokumente të plota dhe të thellojë mosbesimin ndaj institucioneve.

Për këtë arsye, çështja e pronës nuk duhet trajtuar si pengesë për zhvillimin. Përkundrazi, qartësimi i pronës është kushti që zhvillimi të jetë i drejtë, i qëndrueshëm dhe i pranueshëm nga komuniteti.

Shqipëria ka nevojë për zhvillim. Ka nevojë për turizëm, për investime, për punësim, për rigjallërim të zonave malore dhe për përdorim më të mirë të potencialeve natyrore. Por zhvillimi nuk mund të ecë më shpejt se shteti ligjor.

Nëse zhvillimi ecën përpara ndërsa prona mbetet pas, konflikti është i pashmangshëm. Nëse investitori hyn në territor para se të qartësohet titulli, konflikti është i pashmangshëm. Nëse komuniteti thirret vetëm pasi vendimmarrja është kryer, konflikti është i pashmangshëm. Nëse qytetari i varfër pret me vite për pronën, ndërsa ai që ka kapital e zgjidh më shpejt dhe përfiton, konflikti është i pashmangshëm. Nëse prona publike, private dhe komunitare nuk ndahen qartë, konflikti është i pashmangshëm.

Prandaj protestat e sotme duhen lexuar si paralajmërim. Ato nuk janë kundër zhvillimit. Ato janë kundër një modeli zhvillimi që e trajton territorin si mall, por harron se mbi atë territor ka histori, pronë, komunitet, kujtesë, mund dhe të drejta.

Nga bregdeti te malet, prona mbetet prova e shtetit

Nga bregdeti te malet, Shqipëria po përballet me të njëjtën pyetje: a do të ndërtohet zhvillimi mbi qartësi juridike, barazi dhe respekt për komunitetin, apo mbi nxitim, paqartësi dhe forcën e atij që arrin më shpejt te vendimmarrja?

Nëse nuk zgjidhet çështja e pronës, çdo politikë zhvillimi do të mbetet e brishtë. Në bregdet, ajo mund të prodhojë protesta për tokën dhe mjedisin. Në mal, mund të prodhojë konflikte për kufijtë, kullotat, pyjet, bujqësinë, aksesin dhe të drejtën e banorëve për të mos u përjashtuar nga zhvillimi i vendit të tyre.

Prona nuk është vetëm një çështje e së kaluarës. Ajo është themeli mbi të cilin do të matet e ardhmja e Shqipërisë.

Nëse ky themel mbetet i paqartë, çdo projekt, sado modern të duket, rrezikon të ndërtohet mbi konflikt.

Dhe një vend nuk mund të ndërtojë zhvillim të qëndrueshëm mbi konflikte të pazgjidhura pronësie.

 

*Opinionet janë personale të autorit dhe nuk përbëjnë qëndrimet e institucionit ku punon apo të revistës.

The post Prona, protestat dhe zhvillimi: Kriza e vjetër që po prodhon konflikte të reja appeared first on Revista Monitor.

  •  
❌