Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Edi Rama i ka ditët e numëruara

24 January 2026 at 10:19

Nga Denis Dyrnjaja

Sot opozita do zhvillojë një tjetër protestë kombëtare. Demokratët zbresin në bulevard, qeveria vesh godinën me llamarina. Kjo është panorama e përgjithmonshme e duelit të pandodhshëm. Pra gjithë se kush bën punën e vet e ikën ne shtëpi pastaj.

Ndërkohë Edi Rama hyri ne vitin e 13 që i ka ditët e numëruara. U bë vite e vite që dëgjohet ky paralajmërim që nuk shndërrohet kurrë në realitet politik, të paktën nga kjo opozitë, me këtë model politik dhe me ata që e përfaqësojnë sot.

Edi Rama i ka ditët e numëruara është një paralajmërim shumë i fortë, por humbet nga fakti kush e thotë e për rrjedhojë ky lajtmotiv jo vetëm nuk tremb askënd, por bën efekt te kundërt.

Me këto absolutizma e me këtë retorikë të ngrirë dhe këta personazhe qesharakë që dalin ditë e natë në publik si papagaj politikë, herë me ngjyra e herë pa ngjyra, por totalisht pa shije dhe sens politik, Edi Rama jo vetëm që nuk rrezikon pushtetin, por i shtohen gjasat për një mandat tjetër. Sepse pushteti nuk humbet nga dëshirat, por nga alternativat dhe PD sot është çdo gjë tjetër, përveçse alternativë. Këtë tani e kanë kuptuar dhe po e thonë shumë demokratë që po shkojnë drejt askundit me Berishën, Nokën, Vokshin e Palolokën. Djali i të ndjerit Sokol Olldashi ja tha troç doktorit po na “merrni në qafë” dhe ne të rinjve.

Ndërkohë ka disa të tjerë që nuk kanë tru politik, dhe në mënyrë të automatizuar thonë vetëm togfjalësha ose paralajmërime pa ditur çfarë po thonë. Rama sigurisht i ka ditët e numëruara. I ka fiks 1460 ditë, sa zgjat një mandat katërvjeçar. As më pak, as më shumë deri kur shqiptarët të duhet të vendosin mes tij dhe kundërshtarëve të tij që e kanë rrëzuar tërë kohës këto 12 vite plus….

Sali Berisha, duhet thënë dhe njohur kjo meritë, se ka treguar një aftësi të admirueshme për një gjë, të mbajë rreth vetes një tufë “idiotësh të dobishëm” dhe kjo është aftësi e jashtëzakonshme se nuk është e lehtë, do durim dhe energji të vazhdueshme. Ata janë kryesisht njerëz që i zhbëjnë opozitës çdo shans real për pushtet dhe i garantojnë atij komoditet absolut për të ruajtur fronin e opozitës.

Ata nuk janë aty për të fituar zgjedhje por për të ruajtur kryetarin e përjetshëm sepse pa të nuk kanë simbol, orientim dhe stil tjetër politik në drejtim. Këta individë të paaftë deri në nivelin e analfabetizmit funksional janë të gatshëm të thonë çdo idiotësi të mundshme, mjafton t’i bien në sy Berishës, të flasin gjuhën e tij, të përdorin retorikën e tij dhe të ushqejnë mitologjinë e tij.

Besnikëria është valuta e vetme që pranohet. Mendimi kritik është mall i ndaluar në PD. Tani nuk ka më përjashtime por vetëpërjashtime. Dhe kështu, ndërsa PD lufton fantazma, Rama qeveris përmes gafash e skandalesh, arrogance dhe një lloj brutaliteti instructional ku shurdhëria është tipar kryesor i induktruar prej tij.

Psh Rama nuk dëshiron që t’ia paraqesë njeri realitetin e degraduar brenda shtetit të tij,, sepse ndërkohë e di, por do duhet të bëjë sikur se di sepse pastaj humbet fuqia e ndërgjegjes së gënjeshtërt.

Ndërsa opozita numëron ditët e Ramës, Rama numëron votat e radhës. E thjesht, pushteti nuk rrëzohet me britma, por me ide. Opozita sot nuk ka një vizion për vendin, nuk ka një projekt të qartë të mënyrës se si duhet të shfaqet politikisht por vepron me inerci dhe improvizim shpesh nga figura që nuk kanë kuptim si qenie politike por janë aty sepse mendojnë se vlejnë, madje dhe shumë.

“Rama ik” nuk është program. Është dëshirë. Dhe dëshirat nuk fitojnë zgjedhje. Më dramatike se mungesa e ideve është mungesa e njerëzve që janë të aftë t’i artikulojnë ato. Opozita nuk prodhon më figura që frymëzojnë besim, profesionalizëm apo interes publik dhe sidomos interes publik. Nuk sheh ekonomistë që flasin me shifra, juristë që flasin me ligj, apo politikanë që flasin me gjuhë njerëzore të kuptueshme, bindëse dhe të pranueshme.

Në opozitë sot dominon militantizmi dhe individët militantistë që flasin me mllef, besnikë që flasin me urrejtje dhe zëdhënës që flasin me klishe. Një opozitë bëhet e dëshirueshme kur krijon shpresë, jo kur shpërndan ankth, kur ofron rrugëdalje, jo kur thjesht përshkruan katastrofën.

Qytetarëve nuk i duhen më heronj mitologjikë dhe as profetë të apokalipsit politik, por njerëz normalë, të besueshëm, që dinë çfarë po bëjnë dhe pse po e bëjnë, kërkohen njerëz të pafrustruar që shohin kudo vetëm armiq ndaj kryetarit dhe vetë partisë.

Sot opozita nuk arrin as të imagjinohet si qeveri. Nuk ka ide të testuara, nuk ka debat të brendshëm, nuk ka konkurrencë mendimesh. Ka vetëm një piramidë besnikërie ku ngjitesh jo për atë që di, por për atë që thua dhe sa fort e thua sidomos kur e bën dhe kryetarin të ndjej emocione si tip emotiv që është.

Për sa kohë opozita refuzon të rinovohet në ide, në gjuhë dhe mbi të gjitha në njerëz, ajo do të mbetet një instrument perfekt për ta mbajtur Ramën në pushtet. Sepse pushteti nuk mbrohet vetëm nga forca e atij që qeveris, por edhe nga dobësia e atij që pretendon ta zëvendësojë.

Në këtë realitet, Rama nuk ka pse të shqetësohet. Opozita po bën për të atë që ai vetë nuk e kishte menduar, praktikisht po i garanton vazhdimësinë. Ata, thotë Rama mendojnë për humbjen e djeshme, ne mendojmë për fitoren e ardhshme. Mjafton kaq për të kuptuar diferencën…

Zgjidh Kosovën!

2 January 2026 at 16:53

Nga Denis Dyrnjaja

Çdo verë, rrugët që zbresin drejt bregdetit të Shqipërisë mbushen me makina nga Kosova. Nuk është thjesht turizëm; është një ritual i heshtur bashkimi. Plazhet tona bëhen hapësira ku dialektet përzihen, ku flamuri kuqezi ndihet më shumë se kurrë, ku pushimi shndërrohet në afërsi shpirtërore.

Kosovarët nuk zgjedhin vetëm detin tonë për freski, por zgjedhin Shqipërinë si shtëpi verore. Miqësia, ashtu si çdo marrëdhënie e shëndetshme, kërkon reciprocitet. Kur dimri zbret mbi Ballkan dhe bregdeti zbrazet, malet e Kosovës marrin frymë.

Brezovica, Rugova, Sharri janë vende që ende për shumë shqiptarë të Shqipërisë mbeten më shumë si emra gjeografikë sesa përvojë. Ndërkohë, atje natyra ka bërë të njëjtat mrekulli sikurse ka krijuar në bregdetin e Shqipërisë.

Në malësinë e Kosovës ka borë, qetësi, mikpritje dhe një potencial të jashtëzakonshëm turistik që pret të zbulohet nga ne. Zgjedhja e vendpushimeve dimërore të Kosovës nuk është thjesht një vendim ekonomik apo praktik. Është një akt simbolik. Është mënyra jonë për të thënë: ju na zgjodhët ne, tani jeni ju zgjedhja jonë.

Është një urë që nuk ndërtohet me deklarata politike, por me valixhe, me netë hoteli, me kafe të ndara në qytete që flasin të njëjtën gjuhë.
Nëse verës Kosova gjallëron bregdetin shqiptar, dimrit Shqipëria mund të gjallërojë malet e Kosovës.

Ky shkëmbim i natyrshëm do të forconte jo vetëm turizmin mbarëkombëtar, por edhe ndjesinë e përkatësisë që shpesh e marrim si të mirëqenë.
Ndoshta nuk na duhet gjithmonë të flasim për bashkim në kuptimin e madh të fjalës. Mjafton të udhëtojmë më shumë te njëri-tjetri. Sepse kombi nuk ndërtohet vetëm me histori dhe simbole, por edhe me zgjedhje të vogla: ku shkojmë për pushime, kë mbështesim me praninë tonë dhe kujt ia kthejmë vizitën. Këtë dimër, ndoshta është radha jonë të ngjitemi lart, në Kosovë.

Një komb, dy shtete, dy stinë, një zgjedhje që bashkon më shpejt dhe më natyrshëm Shqipërinë me Kosovën!

2026! Në këtë vend ndryshon gjithçka që të mbetemi njësoj!

1 January 2026 at 14:14

Nga Denis Dyrnjaja

Shqipërinë e gjen vitin 2026 me një optimizëm zyrtar që nuk përputhet aspak me realitetin faktik. Në letër, jemi gjithmonë “në prag”. Psh jemi gjithnjë në prag të një vendimi madhor të suksesshëm, në prag të BE-së, në prag të reformave të thella, në prag të një suksesi të kudoshëm që nuk vjen kurrë përveç se në raportimet qeveritare.

Në praktikë, jemi mjeshtër të qëndrimit në vend, duke e prezantuar si përparim.

Shteti funksionon kur nuk i duhet qytetarit. Institucionet në 2026 janë aty, solide në fasadë dhe të përthyeshme në parime. Ligji zbatohet me përpikëri, sidomos për të dobëtit, por për të fortët apo të pushtetshmit, mbetet i ndryshueshëm apo i interpretueshëm. Të gjithë të fajshmit ka qëlluar që janë të pafajshëm dhe ndaj tyre po ndodh një padrejtësi.

Drejtësia vazhdon reformimin e saj të përhershëm. Aq e reformuar është, sa askush nuk mban mend si dukej drejtësia para reformës, por të gjithë e ndjejnë që ende nuk po funksionon siç duhet pas reformës. Proceset zgjasin, dosjet pluhurosen dhe durimi i qytetarëve mbetet i garantuar dhe sukses i padiskutuar.

Ekonomia mund të konsiderohet si rritje për statistikat, por ndërkohë është mbijetesë për njerëzit. Këtë e thonë shifrat, grafikët dhe fjalimet, ndërkohë, qytetari i zakonshëm vazhdon të bëjë llogari jo për investime, por për fundin e muajit. Pagat janë në rritje, çmimet disa fish më shumë, indeksimi i pagave është nje nocion i bukur për t’u gënjyer. Përderisa nuk po vdes njeri për bukë dhe në qilarë gjen verë me 3 milion euro vlerë, e ardhmja duket premtuese.

Emigrimi mbetet politika sociale më e suksesshme e shtetit shqiptar. Të rinjtë dhe të aftët, struktura më vitale e shoqërisë vijon te ikë, në një vend ku suksesi nuk kërkon mik, por durim heroik. Ama çdo dt 1 janar materniteti është shfaqja e një teatri të riparë, merremi me gjininë e fëmijës së parë sikur lindi një shpëtimtar.

Politika mbetet teatri me skenarin më pak surprizues, me aktorë të përhershëm dhe shfaqje me repertor të vjetër. Aktorët ndryshojnë rolet, por jo sjelljen, madje dhe tekstin nuk lodhen ta ndryshojnë, kanë të njëjtën retorikë, ata që përpiqen te flasin, se ka edhe shumë që nuk dinë as çfarë të flasin.

Debati publik është më shumë zhurmë sesa përmbajtje. Ironikisht, të gjithë flasin në emër të popullit, ndërsa populli flet gjithnjë e më pak, ose sepse është i padëgjuar ose është i çoroditur, i stërmunduar dhe i tallur. Mjafton të kujtojmë tubin e ujit që la Vlorën pa ujë për ditë të tëra.

Nëse Shqipëria e 2026-s ka një aset real, është ironia e realitetit që flet vetë përmes skandalesh dhe mënyrës ekselente të paaftësisë e zgjedhur me shume kujdes nga individët që kontrollojnë levat e pushtetit që zotërojnë në qeveri dhe në opozitë.

Solidariteti ekziston më shumë mes njerëzve sesa mes shtetit dhe qytetarit. Ndihma vjen nga familja, nga miqtë apo nga diaspora, që duket se është ministria më e besueshme dhe më e qëndrueshme pa titullar dhe që nuk varet nga shteti, as nga buxheti.

Pra e sigurt është që jemi një vend me potencial të madh dhe durim të denjë si rast studimor në nivel botëror. Një shoqëri që duron gjithçka, rrezikon të mos kërkojë më asgjë. Dhe ky është suksesi më i madh i një dështimi spektakolar, jo varfëria, jo korrupsioni, por normalizimi i tyre.

Duhet ikur nga politokracia te meritokracia

13 December 2025 at 12:46

Nga Denis Dyrnjaja

Shndërrimi i politokracisë (pushteti i partive dhe klientelës politike) në meritokraci (pushteti i aftësisë, dijes dhe integritetit) është një proces i gjatë, por i mundur. Ai kërkon ndryshime institucionale, kulturore dhe qytetare njëkohësisht. Vetëm kështu mund të krijohet baza e rikthimit të vendit në aksin e duhur të një zhvillimi e progresi të vërtetë dhe rezultativ mbi baza vlerash intelektuale reale.

Politokracia nuk është thjesht një problem qeverisjeje, por është një sëmundje morale. Ajo nuk shpërblen të aftin, por besnikun, nuk ngre profesionistin, por militantin, nuk ndërton shtet, por rrjete interesi. Në politokraci, mediokriteti bëhet normë dhe paaftësia ngjitet lart, vetëm sepse di të bindet. A nuk është kjo tabloja reale sot në Shqipëri. Çdo kush prej nesh këtij konstatimi mund t’i vendosë lehtësisht edhe emrat që ka parasysh sipas eksperiencave apo referencave personale.

Meritokracia nuk mungon sepse nuk kemi njerëz të zotë. Ajo mungon sepse ata të tjerët që përfaqësojnë dhe militojnë në politokraci, kanë frikë prej tyre. Njeriu i aftë nuk kontrollohet lehtë, nuk hesht, nuk rreshtohet verbërisht, prandaj politokracia e përjashton, e lodh, e detyron të largohet.

Politokracia vjen nga errësira ose gjysmëdrita, nga marrëveshjet nën tavolinë, nga emërimet pa fytyrë dhe pa përgjegjësi. Meritokracia, përkundrazi, kërkon dritë. Kërkon konkurrencë reale, kritere të qarta, transparencë dhe ndëshkim për abuzimin. Ajo kërkon që posti publik të mos jetë shpërblim partie, por barrë përgjegjësie.

Le të jemi të sinqertë, politokracia nuk do të rrëzohet nga ata që përfitojnë prej saj. Ajo do të shembet vetëm kur qytetarët të refuzojnë ta normalizojnë apo pranojnë si standard normal atë. Kur të mos pranohet si normalitet ndarja me ky është i yni/jona, por të shtrohet së pari dhe vetëm pyetet a është i aftë, atëherë mund të thuhet se jemi në rrugën e duhur.

Meritokracia nuk është luks, por kusht i domosdoshëm. Pa të, arsimi prodhon diploma pa dije, administrata prodhon vendime pa mendje dhe politika prodhon pushtet pa vizion. Nëse do vendoset meritokracia, shteti nuk do konsiderohet si pronë që ndahet në ngastra, ku të gjithë derdimenët e politokracisë i përdorin ato sipas interesit personal apo klanor.

Zgjedhja është e thjeshtë ose ndërtojmë institucione që shpërblejnë dijen, integritetin, dinjitetin dhe punën, ose pranojmë të jetojmë në një shoqëri ku mediokriteti qeveris dhe më të mirët pse nënshtrohen ose ikin.

Meritokracia nuk vjen nesër. Por ajo fillon sot, në momentin kur refuzojmë të heshtim, të justifikojmë dhe të përshtatemi. Sepse çdo herë që pranojmë politokracinë, ne veprojmë kundër vetes. Dhe një shoqëri që vepron kundër vetes, nuk ka nevojë për armiq.

The post Duhet ikur nga politokracia te meritokracia first appeared on JavaNews.al.

Bojkoti i zgjedhjeve, fitoi heshtja, humbi demokracia

9 November 2025 at 20:30

Nga Denis Dyrnjaja

Sot kishte zgjedhje për 5 kryetarët e rinj të bashkive në Berat, Vlorë, Tepelenë, Cërrik e Mat. Lajmi nuk është rezultati por pjesëmarrja e ulët në votime rreth 18%. Në këtë ditë zgjedhjesh, rrugët ishin të qeta në këto qytete, si para një stuhie që nuk do të vijë kurrë. Populli, që dikur rreshtohej me shpresë në radhë për të votuar, tani rri në shtëpi, duke parë ekranin e televizorit si një dritare pa ajër. Në vend të dinamikave që prodhon një garë, ndjehet një heshtje e rëndë, një heshtje që s’është paqe, por dorëzim.

Kjo është pamja më e dhimbshme e një demokracie, kur populli nuk çohet më as për të zgjedhur, as për të kundërshtuar. Kur kutitë e votimit mbushen jo me vota, por me boshllëk. Dhe në atë boshllëk, pushteti dëgjon vetëm zërin e vet.

Nuk është se njerëzit nuk kanë arsye për t’u zemëruar. Ata kanë parë premtime që shuhen si qirinj në erë, fytyra që kthehen në pushtet si hije që nuk i largon dot as drita. Kanë parë drejtësinë të kthehet në mall, shtetin në pronë, dhe politikën në treg. Por kur zhgënjimi kthehet në heshtje, ai pushon së qeni protestë dhe bëhet varr. Dhe ne po e varrosim demokracinë tonë me çdo votë që nuk hidhet.

Të mos votosh nuk është akt rebelimi është akt amnezie por edhe agonie. Është harresa e sakrificave që ndërtuan këtë të drejtë. Është harresa e atyre që votonin fshehurazi në diktaturë, që rrezikonin jetën për një fletë që nuk shprehte vetëm zgjedhje por edhe liri. Dhe sot që e kemi votën të lirë, e kemi bërë të pavlefshme me moskujdesin ose indiferencën tonë.

Nëse një popull nuk flet me votë, dikush tjetër do të flasë në emrin e tij.
Nëse kutitë janë bosh, dikush do t’i mbushë, jo me zëra, por me numra.
Dhe nëse shpresojmë se heshtja është dënim për politikanët, gabohemi rëndë, ata e duan heshtjen tonë. Ajo është oksigjeni i tyre. Sepse një popull që nuk voton, nuk pyet. Dhe një popull që nuk pyet, mund të udhëhiqet në errësirë.

Zgjedhjet nuk janë festë e politikës, por provimi i qytetarisë, dhe në këtë provim kaq të rëndësishëm po dështojmë në mënyrë të vazhdueshme dhe të thellë. Kutitë e votimit janë pasqyra ku shohim fytyrën e vërtetë të këtij vendi, sa shumë ankohemi dhe sa pak veprojmë.

Të votojmë nuk do të thotë të besojmë verbërisht, do të thotë të mos heqim dorë, sepse një vend që hesht, humb zërin. Dhe një popull pa zë, humb gjithçka.

The post Bojkoti i zgjedhjeve, fitoi heshtja, humbi demokracia first appeared on JavaNews.al.

Atentati gjinor ndaj shoqërisë

8 November 2025 at 12:25

Denis Dyrnjaja

Në dukje, po jetojmë epokën e lirisë së madhe. Gjinia, identiteti, trupi, madje edhe e vërteta, po trajtohen si opsione që mund të ndryshohen me një deklaratë. Por ajo që po ndodh nuk është emancipim, por një atentat gjinor ndaj shoqërisë. Një goditje e heshtur ndaj vetë rendit moral, kulturor dhe biologjik që e ka mbajtur bashkë njeriun me shoqërinë e tij.

Të gjitha fillojnë me fjalë të bukura barazi, përfshirje, tolerancë. Askush nuk i kundërshton, sepse duken si vlera universale. Por pas tyre, fshihet një projekt shumë më i thellë “riformatimi i njeriut” . Kur edukimi dhe politika fillojnë të relativizojnë konceptet themelore burrin, gruan, familjen, lindjen, mëmësinë e atësinë, atëherë s’kemi më përparim, por kemi shkatërrim të themelit mbi të cilin ndërtohet çdo shoqëri e qëndrueshme.

Ky atentat gjinor nuk ndodh me armë, por me fjalë; nuk ndodh nëpër rrugë, por nëpër libra, programe shkollore, ligje dhe reklama. Dhe pasoja e tij më e madhe është konfuzioni. Shoqëria fillon të mos dijë më çfarë është e vërtetë dhe çfarë është ndjesi. Fëmijët rriten pa orientim. Të rriturit humbasin sigurinë për rolin e tyre. Familja, dikur qeliza e rendit shoqëror, shndërrohet në një raport kaotik pa ditur më kush është është kush?!

Në këtë mjegull, politika gjen terrenin perfekt për manipulim. Ajo që nis si mbrojtje e një pakice, përfundon si imponim ndaj shumicës. Ajo që quhet hapje mendjeje, shpesh kthehet në shantazh moral për atë që pyet apo ngre shqetësim dhe dilema e që cilësohet i prapambetur.

Kështu, shoqëria kompleksohet ndaj idesë së të mbrosh thelbin e themelit të jetës, burrin dhe gruan në rolet e tyre natyrale, siç natyra i ka krijuar me kapacitetet e tyre fizike, mrekullisht të rregulluara, në mënyrë proporcionale, paska qenë e gabuar. Dhe deri më sot prej shekujsh një shoqëri e tërë botërore e cila nuk iu imponua vetes, por përcaktoi dhe rregulloi veten në mënyrë të natyrshme, me burrin dhe gruan në rolet e tyre jetike të pashkëmbyeshme mes njëri tjetrit, paska qenë gabim.

Kjo do të thotë se kur përmbysim të vërtetat më të thjeshta të natyrës njerëzore, nuk po çlirohemi, por po çorientohemi. Dhe çoroditja e njeriut është preludi i trazisë së madhe shoqërore. Sepse një shoqëri pa identitet është një shoqëri pa busull.

Kjo nuk është një thirrje për kthim pas, por për reflektim mendor e social. Barazia nuk duhet dhe nuk mund të jetë mohim i dallimeve. Liria nuk është shkatërrim i kufijve, por kuptim i tyre. Përndryshe, emancipimi që predikohet sot do të kthehet në një tjetër formë tiranie më të butë në dukje, por më të thellë në pasoja.

Nëse vazhdojmë të lejojmë që çdo e vërtetë njerëzore të relativizohet në emër të ndjesisë, atëherë atentati gjinor do ta ketë përmbushur misionin e tij, të shpërbëjë shoqërinë pa e qëlluar asnjëherë drejtpërdrejt. Dhe ne, të bindur se po përparojmë, do të zgjohemi një ditë në mes të një bote ku askush nuk di më kush është as burrë, as grua, as shoqëri.

The post Atentati gjinor ndaj shoqërisë first appeared on JavaNews.al.

Gjykata foli, të tjerët bëjnë “llak llak” kot

4 November 2025 at 11:26

Nga Denis Dyrnjaja

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e Erion Veliajt ka tronditur skenën politike, duke nxitur valë reagimesh të mbushura me hipoteza, paranoja dhe interpretime të lodhura nga logjika. Por në thelb, ky vendim është një akt institucional që shkon përtej individit është mbrojtje e Kushtetutës, e pavarësisë së gjykatës dhe e dinjitetit shtetëror.

Me rrëzimin e shkarkimit antikushtetues të kryebashkiakut të Tiranës, Gjykata Kushtetuese dha një mesazh të qartë: askush, as qeveria, as presidenti, dhe asnjë institucion tjetër, nuk mund të veprojë sipas tekave politike. Vendimet duhet të merren në respekt të ligjit themeltar të shtetit Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Përballë këtij vendimi, disa zëra politikë u përpoqën të fabrikonin teori konspirative, duke aluduar se kryeministri ndryshoi planin për zgjedhjet apo se ndikoi në vendimin e gjykatës. Këto janë, në rastin më të mirë, shfaqje të paranojës politike dhe, në rastin më të keq, dëshmi e injorancës juridike. Gjykata nuk lexon individë, por parime; ajo nuk interpreton dëshira, por ligje.

Në këtë proces, u ekspozuan publikisht ekspertët ligjorë të institucioneve të larta, të cilët, me argumente të dobëta dhe shërbim të verbër ndaj urdhrave, dolën qesharakë. Ky rast u bë një provë “vrasëse” për profesionalizmin e tyre dhe fatkeqësisht, rezultati nuk ishte aspak në favorin e tyre.

Ndërkohë, opozita vazhdon të notojë në miopi politike, duke mos qenë elastike dhe pragmatiste për te vlerësuar akte dhe vendime që përkojnë me interesin e shtetit, republikës dhe demokracisë. Duke mbajtur qëndrime të nxituara dhe të pamatura opozita ndonëse në dukje në kah të kundërt, gjithnjë e më shpesh po pikëtakohen në interesa të përbashkëta në dëm të demokracisë dhe kjo është ironia më e madhe e politikës sonë.

Për sa i përket Erion Veliajt, ky vendim është një fitore simbolike që ia siguroi Kushtetuta dhe gjykata, por aspak një shfajësim penal apo moral. Ai mbetet i pandehur dhe duhet të përballet me drejtësinë si çdo qytetar tjetër. Moralisht dhe politikisht, nëse do të ndiqte standardet perëndimore, Veliaj do të kishte dhënë dorëheqjen ditën kur mori njoftimin për hetim për ta bërë betejën e tij jashtë zyrës, e jo brenda saj. Gjykata foli. Tani, le të mësojmë të dëgjojmë drejtësinë, jo zhurmën.

The post Gjykata foli, të tjerët bëjnë “llak llak” kot first appeared on JavaNews.al.

Dritë/hijet e Fatos Nanos

1 November 2025 at 16:10

Nga Denis Dyrnjaja

Në historinë politike të Shqipërisë pas komunizmit, pak figura kanë ngjallur aq shumë debat sa Fatos Nano. Themelues i Partisë Socialiste dhe disa herë kryeministër, ai mbetet një ndër arkitektët e sistemit politik që kemi sot, një sistem që mbart njëherazi shpresat dhe deformimet e tranzicionit. Karriera e tij është një pasqyrë e përzier, me dritë që nuk mund të mos duket dhe me hije që nuk mund të fshihen.

Drita e Fatos Nanos qëndron në aftësinë e tij për të krijuar një alternativë politike reale ndaj pushtetit të Sali Berishës në vitet ’90-’97. Ai ishte ndër të paktët që solli një diskurs racional, liberal dhe të matur në një klimë politike të polarizuar e të ngarkuar emocionalisht.

Transformimi i Partisë së Punës në Parti Socialiste ishte një akt me rëndësi për jetën politike, një tentativë për ta integruar të majtën shqiptare më pranë modeleve evropiane dhe pse kjo nuk ndodhi kurrë as atëherë as sot. Nano solli gjithashtu një frymë intelektuale dhe urbane në politikë, duke krijuar kontrast me folklorizmin dhe ashpërsinë e politikës së viteve të para të demokracisë.

Por hijet që ndjekin figurën e tij janë po aq domethënëse. Nano shpesh perceptohej si një lider i mbyllur në elitizmin e vet, më shumë filozof i pushtetit sesa reformator dhe ekzekutues i tij. Ishte dogmatik, por jo punëtor në kuptim të angazhimit real në angazhimin poktiko/shtetëror. Gjatë qeverisjes së tij, përpjekjet për modernizim u zëvendësuan nga kompromiset politike dhe klientelizmi. Në vend të një projekti të qartë për shtetin ligjor, mbizotëruan balancat e brendshme partiake dhe pazaret për pushtet. Në këtë kuptim, Nano nuk arriti ta çlirojë Partinë Socialiste nga logjika e tranzicionit, përkundrazi, e institucionalizoi atë si pjesë të një sistemi ku rotacioni ndodhte, por ndryshimi jo.

Përtej nostalgjive politike personale të atyre që e njohën dhe idhëtarëve dhe adhuruesve që e ndoqën dhe e ruajnë me fanatizëm edhe sot në memorie, figura e tij mbetet edhe sot kontradiktore. Një njeri me formim intelektual të thellë, por shpesh me distancë ndaj realitetit social, një lider që fliste për reforma, por që rrallë e imponoi ato, një politikan që dinte si të menaxhonte krizat, por shpesh iu shmang atyre.
Në fund, trashëgimia e tij është ajo e një politikani që mundi të mbijetojë, por jo gjithmonë të transformojë. Ai është produkti më tipik i një tranzicioni që nxori liderë të fortë, që krijuan institucione të dobëta.

Nëse Fatos Nano do të kujtohet si arkitekti i së majtës moderne apo si simboli i humbjes së idealizmit të saj, mbetet çështje interpretimi. Por një gjë është e qartë, dritë/hijet në karrierën e tij nuk janë dy faqe të ndara janë pjesë e së njëjtës histori që ende ndikon politikën shqiptare sot, në forma të ndryshme, por në përmbajtje të njëjtë.

The post Dritë/hijet e Fatos Nanos first appeared on JavaNews.al.

Paradoksi shqiptar i llogaridhënies. I hetuari pyet hetuesin në Parlament!

29 October 2025 at 10:30

Nga Denis Dyrnjaja

Në çdo shtet demokratik, llogaridhënia është themel i shtetit të së drejtës. Çdo institucion duhet të japë shpjegime për veprimtarinë e tij përpara organeve të përcaktuara nga Kushtetuta. Në republikat parlamentare, si Shqipëria, ky rol i takon Kuvendit si përfaqësues i sovranit pra popullit. Në letër, kjo është një logjikë e pastër demokratike, pushteti politik që buron nga vullneti i popullit kontrollon pushtetin ligjzbatues që ushtron funksionet nga e drejta që i njeh kushtetuta e miratuar po nga populli me referendum.
Për shkak te veçorive te Shqipërisë, kryesisht në degradimin politik të pushtetit në korrupsion, ndodh e kundërta. Në vend që kontrolli të shërbejë për transparencë, ai është shndërruar në një farsë kushtetuese, ku personat që mund të jenë subjekt hetimi marrin në pyetje hetuesit e tyre.

Kjo tablo absurde është produkt i një tranzicioni të gjatë dhe të deformuar politik. Në një shtet me institucione të dobëta dhe me një nivel të lartë korrupsioni, logjika e kontrollit demokratik kthehet shpesh në instrument mbrojtjeje politike. Deputetë që janë, kanë qenë ose mund të jenë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme ‘SPAK”, sot pyesin në sallën e parlamentit drejtuesit e atij institucioni për mënyrën si po bëjnë punën dhe detyrën e tyre. Në pamje të parë, kjo mund të duket si ushtrim normal i mbikëqyrjes parlamentare pra edhe formë normale kushtetuese dhe demokratike. Por në thelb, është një përmbysje e funksionit kushtetues, ku prokurori që ngre dhe mbron akuzën ne gjykatë merret në pyetje nga i hetuari ose kandidati për i pandehur dhe i akuzuar në gjykatë.

Ironia është edhe më e madhe po të kujtojmë se vetë Reforma në Drejtësi, e cila solli në jetë SPAK-un dhe GJKKO-n, u miratua nga një parlament me përbërje të kontaminuar nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin. Kështu, reforma nisi si një projekt për pastrimin e sistemit, por u shoqërua që në lindje me një konflikt interesi strukturor, ligjvënësit që miratuan ligjet ishin potencialisht objekt i zbatimit të tyre.

Sot, kur SPAK-u ka nisur të veprojë realisht, kjo kontradiktë është bërë e dukshme. Hetimet dhe dënimet ndaj ish-ministrave, deputetëve dhe zyrtarëve të lartë kanë krijuar një ndjesi të re përgjegjësie në publik, por edhe një reagim mbrojtës në politikë. Dhe ky reagim manifestohet në Kuvendit, ku drejtuesit e institucioneve të drejtësisë raportojnë çdo vit përpara atyre që mund të jenë në dosjet e tyre. Në vend të transparencës, këto seanca shpesh kthehen në arenë presionesh të fshehta, pyetjesh me nëntekst dhe sinjalizimesh politike.

Në planin kushtetues, raportimi i prokurorisë para Kuvendit nuk është problematik në vetvete. Ai ekziston edhe në shumë demokraci të zhvilluara. Por ndryshimi është se në ato vende, raportimi bëhet për politikat e ndjekjes penale dhe për performancën institucionale, jo për hetimet konkrete. Në Shqipëri, vijat ndarëse mes këtyre koncepteve janë të paqarta. Deputetët shpesh kalojnë kufirin, duke kërkuar llogari për çështje që janë në proces hetimi, duke e shndërruar llogaridhënien në presion.

Kjo situatë ka pasoja të drejtpërdrejta për shtetin e së drejtës. Së pari, e gërryen pavarësinë faktike të drejtësisë, e cila, edhe pse kushtetuesisht e mbrojtur, ndodhet përballë një pushteti politik që ende zotëron mekanizmat e ndikimit publik. Së dyti, e deformon perceptimin qytetar, kur publiku sheh prokurorin që merret në pyetje nga i hetuari, krijohet përshtypja se të gjithë janë njësoj dhe se drejtësia është një lojë pushtetesh, jo një mekanizëm i drejtë barazie. Së treti, ajo rrezikon ta kthejë reformën në drejtësi në një proces të brishtë politik, të varur nga ekuilibrat e momentit.

Në këtë kontekst, Shqipëria ndodhet përballë një pyetje thelbësore: si të ruajë parimin e llogaridhënies pa cënuar pavarësinë e drejtësisë? Zgjidhja nuk qëndron në heqjen e raportimit parlamentar, por në rishikimin e mënyrës si ai ushtrohet. Raportimi duhet të bëhet mbi bazë të indikatorëve të punës, jo të dosjeve penale, mbi transparencën institucionale, jo mbi përmbajtjen e hetimeve. Po ashtu, mund të mendohet për një mekanizëm të ndërmjetëm mbikëqyrës, me përbërje profesionistësh pra teknicienësh te fushës por edhe një minorancë personalitetesh nga fusha që lidhen organikisht me organet e zbatimit të ligjit penal. Kjo zgjidhje do të siguronte më shumë balancën midis kontrollit dhe pavarësisë së pushteteve.

Për sa kohë që në sallën e Kuvendit, ata që duhen hetuar do të pyesin ata që duhet t’i hetojnë, Shqipëria do të mbetet peng i një paradoksi kushtetues, një demokraci ku ligji është në teori i barabartë për të gjithë, por në praktikë, ende i detyruar të japë shpjegime përpara atyre që ka për detyrë të ndëshkojë.

The post Paradoksi shqiptar i llogaridhënies. I hetuari pyet hetuesin në Parlament! first appeared on JavaNews.al.

Pa të drejtë vote e vetoje. Rama kërkon anëtarësim gjysmak në BE

23 October 2025 at 10:19

Nga Denis Dyrnjaja

Propozimi i Kryeministrit Edi Rama nga Londra që Shqipëria të pranojë hyrjen në Bashkimin Evropian “pa të drejtë vote dhe vetoje” përfaqëson një nga momentet më të debatueshme të diskursit politik shqiptar të viteve të fundit. Në pamje të parë, ideja mund të paraqitet si një mënyrë pragmatike për të përshpejtuar procesin e integrimit, por në thelb ajo ngre një sërë pikëpyetjesh serioze mbi dinjitetin shtetëror, sovranitetin politik dhe mënyrën se si udhëheqësia shqiptare e koncepton raportin me BE.

Ky propozim, që nuk është konsultuar më parë as me opozitën, as me institucionet kryesore të shtetit, dhe as me aktorët shoqërorë e akademikë të vendit, shfaq qartazi një mënyrë të njëanshme qeverisjeje, ku vendimmarrjet strategjike për fatet e kombit merren si projeksione personale të kryeministrit aktual ndërkohë që pasojat e këtyre propozimeve dhe vendimmarrjes do të shtrihen ne kohë. Në këtë rast, më shumë sesa një reflektim i nevojave reale të vendit, ideja duket të jetë e shtyrë nga ambicia individuale e Ramës për ta paraqitur futjen e Shqipërisë në BE si kulmin e karrierës së tij politike, si një trofe madhor për CV-në e tij personale politike.

Por problemi është se ky lloj anëtarësimi pa të drejtë vote e vetoje nuk është as anëtarësim i vërtetë, as proces integrues i qëndrueshëm. Ai krijon një status të ndërmjetëm, që e ul peshën e Shqipërisë në tryezën evropiane dhe e paraqet vendin tonë si një aktor të brishtë, të gatshëm të pranojë kushte të cungura vetëm për të thënë se “jemi brenda” unionit. Një qasje e tillë, në thelb, e nënvlerëson vetë arsyen pse ekziston Bashkimi Evropian: barazinë midis shteteve anëtare dhe respektin e ndërsjellë për sovranitetin dhe dinjitetin e tyre.

Anëtarësimi në BE duhet të jetë rezultat i reformave të thella, i forcimit të institucioneve, i sundimit të ligjit dhe i përmirësimit të standardeve demokratike, jo produkt i një kompromisi politik që e shet pavarësinë, integritetin dhe dinjitetin e shtetit vetëm për përfitim imazhi. Pranimi i një “anëtarësimi gjysmak” do të dërgonte një sinjal të gabuar jo vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë, por edhe ndaj vetë vendeve të BE, se Shqipëria është gati të heqë dorë nga e drejta për të vendosur mbi fatet e saj, vetëm për të marrë një vend simbolik në sallë. Kjo do te impononte nke axhendë ndyshe edhe për shtete aspirante të cilat ose do të pranonin një nënshtrim të ngjashëm, ose do të penalizoheshin nga ky status i ri inferior i propozuar nga Kryeministri Rama.

Nëse integrimi evropian do të ketë kuptim të vërtetë për ne, atëherë ai duhet të ndodhë si për çdo vend tjetër anëtar, me të drejta të plota të vendimmarrjes, me të drejtë vote dhe vetoje, dhe mbi të gjitha, me respekt të ndërsjellë. Përndryshe, një anëtarësim pa zë, pa fuqi dhe pa dinjitet do të ishte më shumë një hap simbolik i pavlerë dhe veten honorifik. E je o nuk je dinjitoz si shtet. Nëse nuk të pranojnë se e meriton dhe siç je si komb e si shtet atëherë më mirë të mos ndodhë ky anëtarësim gjysmak.

Shqipëria duhet të hyjë në Bashkimin Evropian si një vend që e meriton këtë proces, jo si një vend që pranon të nënshtrohet ndaj kushteve që e zbehin rolin e saj. Më mirë të vonohemi në rrugën drejt Evropës, sesa të arrijmë aty të gjymtuar në sovranitet e të përjashtuar nga barazia që përfaqëson vetë fryma evropiane.

The post Pa të drejtë vote e vetoje. Rama kërkon anëtarësim gjysmak në BE first appeared on JavaNews.al.

Drejtësia që po demaskon veten!

19 October 2025 at 15:01

Nga Denis Dyrnjaja

Arrestimi i avokatit Ulian Barjami në Elbasan është një ngjarje që ka ngjallur reagime të shumta dhe të forta gjithashtu, jo thjesht për natyrën e veprimit, por për pasojat që prodhon mbi klimën institucionale të procesit gjyqësor dhe mbi rolin e mbrojtjes në sallën e gjyqit.

Pasazhi që citohet si shkak për arrestimin e avokatit duket se është ky, “me ty do merrem personalisht” që në fakt është në kufijtë e dykuptimësisë. Mund të interpretohet si një shprehje emocionale dhe e nxituar, por njëkohësisht nuk mund të përjashtohet mundësia që të jetë një mesazh i nënkuptuar, i artikuluar në emër të të pandehurit dhe drejtuar indirekt prokurorit, në një kontekst ku palët në proceset gjyqësore (avokat/prokuror) kanë një historik të pashëndetshëm profesional dhe shpesh janë përfshirë në marrëdhenie mosbesimi, jo etike dhe kompromisesh të dyshimta e të kompromentueshme.

Kjo ndodh kur drejtësia paragjykohet jo vetëm nga jashtë, pra nga publiku, por edhe nga vetë ata që e përfaqësojnë atë në sallën e gjyqit. Dhe kur pazaret mungojnë, kur dikush refuzon të hyjë në “marrëveshje”, tensioni rritet. Tonet acarohen edhe mes profesionistëve që në kushte ideale duhet të përmbajnë veten, të kontrollojnë emocionet dhe të qëndrojnë te argumenti ligjor.

Personalisht besoj se avokati ka zgjedhur një formulim të gabuar kur ka thënë “se me ty do të merrem personalisht”. Kur e dëgjon apo lexon të lë një shije të keqe gati gati hakmarrëse, por në kontestin e një egoje profesionale, që kërkon të mbrosh të drejtën që beson se po të shkelet shprehja merr një konotacion tjetër, duke paralajmëruar përballje ligjore për manipulime apo shkelje ligji në procedura nga prokurori ndaj të pandehurit.

Analizuar ftohtë qëndimi i avokatit nuk duket të ketë patur synimin për të kërcënuar realisht përfaqësuesin e akuzës, por në një kohë si kjo, ku shoqëria ende nuk është shëruar nga tronditja e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja çdo fjalë, çdo ton, çdo gjest analizohet me lupë dhe përkthehet me nervozizëm institucional dhe për rrjedhojë edhe me veprime ligjore dhe të nxituara.

Reagimet e drejtpërdrejta, si arrestimi i një avokati për një frazë të dyshimtë, rrezikojnë të dëmtojnë ekuilibrin mes palëve në procesin penal dhe të shndërrojnë sallat e gjyqit në fusha kontrolli e frike, jo të drejtësisë dhe përballjes së ndershme por të një roli represiv të akuzës dhe gjykatësit. Dhe kur akuza dhe gjykatësi bëhen palë, atëherë të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e tyre e garantuar në konventa ndërkombëtare dhe Kushtetuta e Shqipërisë bien.

Është e vërtetë se një pjesë e avokatëve janë përfshirë në linja të errëta që i afrojnë ata më shumë me kontingjentin kriminal ose klientët e tyre në tejkalim të statusit si mbrojtës ligjorë. Pra ka një lloj asociimi mes tyre, por kjo s’mund të kthehet në damkë dhe paragjykim për çdo avokat që ka zgjedhur të bëjë profesionin që ia lejon ligji me korrektësi dhe nder. Nga ana tjetër nuk mund të anashkalohet as e kundërta: edhe shumë prokurorë kanë qenë pjesë e pazareve, ku dosjet deformohen, provat “zhduken” apo veprat penale ricilësohen për të prodhuar favorizime të padrejta.

Prandaj, kjo nuk është betejë mes një avokati dhe një prokurori. Është një pasqyrë e turbullt e asaj që ndodh në brendësi të sistemit të drejtësisë ku shpesh parimet bien pre e instinkteve, interesave dhe frikës.

Drejtësia, nëse do të jetë e tillë, duhet të jetë mbi emocionin, mbi statusin, mbi shantazhin dhe mbi pazarin. Dhe në qendër të saj, duhet të vendoset jo frika nga një fjali e nxehtë, por garancia që çdo qytetar ka të drejtë të mbrohet në mënyrë të paanshme dhe të barabartë, pa rrezikuar që avokati i tij të shndërrohet në viktimë të sistemit.

The post Drejtësia që po demaskon veten! first appeared on JavaNews.al.

Trimëria budallaqe e Presidentit naiv

10 October 2025 at 15:25

Nga Denis Dyrnjaja

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve në Tiranë si antikushtetues nuk ishte thjesht një korrigjim juridik. Ishte një akt që ekspozoi qartë një President që, në vend të maturisë shtetërore, vepron me naivitet politik dhe vetëpërdoret, duke injoruar kufijtë kushtetues të funksionit që përfaqëson.

Në vend që të reflektonte pas këtij vendimi, Presidenti këmbënguli se nuk pendohet, duke sfiduar hapur autoritetin e Gjykatës dhe ligjshmërinë e sistemit. Kjo nuk është qëndrueshmëri, por frikë e mbështjellë me retorikë boshe, një përpjekje e dëshpëruar për të fshehur dimensionin penal të një shkeljeje të rëndë që mund ta çojë në shkarkim e ndjekje.

Në fakt, përballë një Parlamenti serioz dhe një sistemi që nuk toleron kapërcimin e kompetencave, Presidenti Begaj do të ishte tashmë në prag të një hetimi për shkelje kushtetuese me pasoja të rënda. Dhe kjo nuk do të ishte as hakmarrje politike, as krizë formal, por një nevojë urgjente për të vendosur përgjegjësinë atje ku duhet: në majën e piramidës shtetërore.

Ai rrezikon të bëhet Presidenti i parë që jo vetëm shkarkohet, por edhe përballet me ndëshkimin penal për shkelje të Kushtetutës. Dhe nuk do të jetë viktimë e ndonjë komploti, por autor i vetëm i vetëfundosjes së tij politike.

Në këtë rast, heshtja e institucioneve nuk do të jetë më neutralitet por bashkëpërgjegjësi e bashkëfajësi. Dhe historia që flet e shkruhet më vonë se ngjarjet nuk do të kursejë as atë që e shkel Kushtetutën, as ata që e nxitën, as ata që lanë të kalojë si diçka normale një precedent të rrezikshëm që rrëzon themelin e shtetit sikurse është ligji themeltar, Kushtetuta!

The post Trimëria budallaqe e Presidentit naiv first appeared on JavaNews.al.

Askush nuk po e përfill Gjykatën Kushtetuese

8 October 2025 at 13:05

Nga Denis Dyrnjaja

Në një moment kritik për rendin kushtetues dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, Shqipëria po përballet me një paradoks të rrezikshëm. Injorimin e Gjykatës Kushtetuese. Të gjithë po sillen sikur ajo nuk ekziston. Presidenti i Republikës ka dekretuar datën e zgjedhjeve për vakancat në 6 bashki përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës. Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje të mëdha ligjore e kushtetuese, por përgjigjja që po jepet nga politika dhe media është edhe më paradoksale, jo etike dhe thuajse e papërgjegjshme. Po konsiderohet anormaliteti si normalitet ligjor e kushtetues.

Partitë politike tashmë kanë shpallur kandidatët e tyre sikur nuk e dinë se ka një padi që kundërshton shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë nga Presidenti i Republikës në kundërshtim me nenin 115 të Kushtetutës, sikur Gjykatës Kushtetuese nuk i është kërkuar për të shqyrtuar përplasjen e kompetencave, dhe sikur neni 115 i Kushtetutës, që rregullon aktet normative dhe përjashton dekretet presidenciale në këtë rast, nuk ekziston fare. Media, në vend që të ushtrojë presionin legjitim publik për sqarim dhe transparencë për këtë precedent të rëndë antikushtetues, ka hyrë në hullinë që i imponon politika pa gajle për kushtetutën. Pra ka rënë edhe instrumenti që duhet të gjenerojë presionin publik si garanci që kemi shtet jo han pa porta dhe me përde të bukura.

Më dramatike është heshtja e disa institucioneve me profil ligjor duke filluar që nga Parlamenti dhe duke mbaruar tek vetë Gjykata Kushtetuese, e cila ndodhet përballë një sfide jetike për dinjitetin dhe autoritetin e saj. Kjo nuk është thjesht një çështje juridike, por një përballje ekzistenciale për të treguar nëse Gjykata është institucioni më i lartë i interpretimit kushtetues, apo thjesht një sallon ceremonial që përmendet në raste krize sa për të thënë se eksiton dhe anashkalohet në momente kaq domethënës për pavarësinë e institucioneve dhe moscënimin e kushtetutës.

Askush nuk mund dhe nuk duhet të jetë mbi autoritetin dhe vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Pikërisht tani është rasti për të treguar në mënyrë të qartë e të prerë se në këtë vend nuk ka pushtete absolute. Është momenti që Gjykata të tregojë se kush e përcakton rregullin kushtetues dhe kush e mbron rendin demokratik, jo për të shpëtuar Erion Veliajn apo cilindo individ të radhës, por për të shpëtuar funksionimin e shtetit si një bashkësi rregullash dhe jo si teatër arbitraritetesh përmes “pelivanësh shëtitës” në zyrat ligjore të shtetit.

Nëse ky moment kalon pa një qëndrim të prerë, precedenti që vendoset do të jetë shkatërrimtar për çdo krizë të ardhshme. Sepse nëse Gjykata Kushtetuese nuk flet tani, atëherë kur? Dhe nëse nuk ka forcë të vendosë kufijtë ligjorë dhe etikë të pushteteve, atëherë për çfarë ekziston?

Sot nuk është në pikëpyetje vetëm një dekret i paprecedentë kushtetues. Sot në pikëpyetje është vetë rendi kushtetues i Republikës. Dhe koha për të vepruar është tani për t’iu thënë të gjithë aktorëve në këtë lojë antikushtetuese, stop. Në të kundërt heshtja nuk është neutrale, por bashkëfajësi.

Ndërkohë e gjithë politika dhe veçanërisht opozita që duhej të ishte së pari në mbrojtje të parimeve kushtetuese po vijon të marrë të mirëqenë shkeljen e kushtetutës që flet qartë dhe pa dyshime për rastin në fjalë dhe po paragjykon vendimin e Gjykatës Kushtetuese sikur do legjitimojë dekretin e Presidentit të Republikës për zgjedhje të parakohshme në Tiranë.

The post Askush nuk po e përfill Gjykatën Kushtetuese first appeared on JavaNews.al.

Duket se të gjitha rrugët e çojnë PD drejt Ilda Zhulalit

3 October 2025 at 14:54

Nga Denis Dyrnjaja

Në një kohë kur Tirana po ngjan më shumë me një betejë për mbijetesë sesa për fitore, Partia Demokratike ndodhet para një zgjedhjeje delikate. Duhet të gjejë një emër që nuk ngjall domosdoshmërisht shpresa për triumf, por që të paktën mos prodhojë panik brenda vetes. Në këtë mënyrë kandidatura për Tiranën është kthyer në një proces më shumë formal sesa real. Dhe kur zgjedhja nuk bëhet mes më të mirëve, por mes atyre që përfaqësojnë më pak risk, emrat filtrohen ndryshe.

Në këtë situatë të padëshiruar, ku figurat politike me peshë shmangin garën për të mos rrezikuar një humbje të bujshme dhe me kosto për pretendimet e tyre, emri i Ilda Zhulalit ka nisur të qarkullojë me qetësi dhe pa shumë zhurmë. Ajo nuk është një figurë publike e spikatur, por nuk përfaqëson asnjë ekstrem që do të përçante apo ngjallte reagime të forta. Është një profil i qetë, pa histori konflikti dhe pa bagazh të rëndë politik.

Ilda Zhulali është vajza e ish Ministrit të Mbrojtjes gjatë qeverisjes së parë në vitet 92-96, Safet Zhulali dhe bashkëshortja e Aldo Bumçit, ish-ministër dhe ish-drejtues i Partisë Demokratike në Tiranë. Kjo lidhje, edhe pse jo përcaktuese, ka një efekt simbolik për një parti që shpesh e kërkon sigurinë politike te emrat me histori nga e shkuara politike e PD. Në mungesë të angazhimit të emrave të elitës, një emër që të paktën nuk shqetëson, shihet si zgjidhje e pranueshme në këto kushte.

Nëse do të zyrtarizohet, kandidatura e Ilda Zhulalit do të ishte më shumë një vendim taktik sesa një sfidë politike. Një mënyrë për të qenë në garë, pa bërë shumë zhurmë. Dhe në një situatë ku beteja për Tiranën duket e vendosur që më parë, ndonjëherë edhe prania simbolike ka vlerë. Kështu, të gjitha rrugët duket se e çojnë PD drejt një zgjedhjeje të qetë, dhe kjo zgjedhje mund të jetë Ilda Zhulali. Për një opozitë te kapur gafil nga mazhoranca me zgjedhje të parakohshme në Tiranë edhe humbja e butë është fitore.

The post Duket se të gjitha rrugët e çojnë PD drejt Ilda Zhulalit first appeared on JavaNews.al.

Republika e Kryetarokracisë!

27 September 2025 at 13:40

Nga Denis Dyrnjaja

Demokracia nuk është vetëm një proces votimi, por një sistem vlerash, përfaqësimi dhe mbi të gjitha, një fushë gare. Ajo duhet të nisë aty ku lind politika, brenda partive. Por sot, partitë politike janë kthyer në bunkerë besnikërie ndaj një individi, jo në bashkime vullnetare idesh e alternativash sikurse duhej të ishin.

Në kushtetutë, Shqipëria është një republikë parlamentare. Në realitet, është bërë një republikë kryetarësh. Çdo parti ka njëshin e saj të padiskutueshëm, të palëvizshëm dhe sigurisht të pakonkurrueshëm. Ai vendos për gjithçka, listat e atyre që duhet të zgjidhen, orientimin, qëndrimin, zërin dhe heshtjen politike. Ai është udhëheqës dhe gjykatës i fatit të secilit në parti.

Aty ku ka tentativa për një ide apo mendim ndryshe, ndodh përçarja dhe përjashtimi. I përjashtuari ose vetëlarguari krijon pastaj partinë e tij dhe bën të njëjtat gjëra që i kanë bërë më parë atij në partinë ku aderonte. Ndërkohë fenomeni shtrihet në të gjithë spektrin politik.

Garë reale nuk ka. Partitë politike janë shndërruar në organizata pa instrumente konkurrimi, pa qarkullim idesh dhe pa meritokraci. Në vend të debatit ka besnikëri të verbër, në vend të përballjes, servilizëm, në vend të përfaqësimit, emërime klienteliste. Askush nuk zgjidhet nga poshtë, gjithçka vendoset nga lart.

Zgjedhjet dhe garat janë shndërruar në procese formale, institucionet zbatojnë vendimet e kryetarëve dhe qytetarët janë bërë me dëshirë ose pa dëshirë spektatorë që shohin një shfaqje të imponuar, por edhe të pranuar prej tyre.

Nëse partitë nuk i kthehen rolit të tyre si habitate politike, si forume konkurrimi e përfaqësimi, atëherë gjithçka tjetër që buron prej tyre, parlamenti, qeveria, pushteti lokal, nuk kanë produkt demokracie, por autokracie e cila gjendet në çdo kryetar partie. Kujtoni individët që drejtojnë partitë dhe mendoni sa vite drejtojnë pa asnjë garë pa asnjë rival.

Janë popujt ata që korrigjojnë politikën dhe jo politika popullin. Përsa kohë populli nuk do të ushtrojë këtë funksion, atëherë mos prisni demokraci, por formalokraci.

The post Republika e Kryetarokracisë! first appeared on JavaNews.al.

PD e ka gati kandidaturën e saj për Tiranën, një politikane karriere

23 September 2025 at 10:39

Nga Denis Dyrnjaja

Një nga dobësitë më të dukshme të Partisë Demokratike në vitet e fundit është shmangia e përballjeve reale me kundërshtarët, sidomos në raste shumë specifike dhe domethënëse. Liderët e saj qëndrojnë në tribunë, flasin, komentojnë, por nuk zbresin në sfida dhe gara, madje edhe brenda partisë janë pjesë e skemave të sigurta.

Figurat kryesore të PD, që cilësohen ndryshe edhe si senatorë, kur vjen puna te gara si rasti i Bashkisë së Tiranës, tërhiqen sikur kryeqyteti të ishte një komunë e parëndësishme, apo një garë e rëndomtë. Ndërkohë ata e dinë se sinjali më i fortë dhe më i ndjeshëm nga kontesti i sinjaleve politike, është marrja e Tiranës.

Zgjedhjet për qytetarin e parë të kryeqytetit janë mundësia e artë për ta ndryshuar këtë ngërç. Edi Rama ka përzgjedhur një profil tërësisht politik si Ogerta Manastirliu dhe është rasti që ndoshta edhe PD të kundërpërgjigjet me një kandidaturë politike dhe të rëndësishme.

Për të kapërcyer paragjykimin e frikës, ngërçit dhe shmangies nga këto sfida madhore politike, PD dhe opozita mund të nxjerrin Albana Vokshin si kandidaturë që i përgjigjet rivales socialiste. E përfshirë prej vitesh në drejtimin e Lidhjes Demokratike të Gruas, anëtare kryesie dhe Këshillit Kombëtar, bashkëpunëtore e besuar e Sali Berishës, Vokshi ka staturën, mbështetjen dhe përvojën politike për ta kthyer garën në një sfidë të denjë dhe për më tepër mes dy zonjash.

Nëse znj. Vokshi do të marrë këtë përgjegjësi publike dhe politike, do të jepte një mesazh të rëndësishëm se drejtuesit nuk i shmangen përgjegjësive. Nga ana tjetër do të ishte një përgjigje direkte për skeptikët dhe opinionistët të cilët shprehin mosbesim te kapaciteti garues i figurave opozitare.

Vetë PD ka mundësinë të tregojë se eksponentët kryesore të saj me peshë, nuk iu bëjnë bisht garave. Ky angazhim i Albana Vokshit është edhe një përgjigje e fortë politike për kallëzimin penal, që iu bë së fundmi, nga personazhi i mistershëm Nesti Angoni për korrupsion dhe fshehje pasurie të paligjshme. Zyrtarja e lartë demokrate përmes një reagimi deklaroi se asnjë akt politik i orkestruar nuk do t’ia mbyllte gojën dhe nuk do t’ia ndalte angazhimin politik. Dhe pjesëmarrja në garën dhe betejën për Tiranën është përgjigja më e mirë dhe e duhur për të gjithë këtë skenar ndaj znj. Vokshi në veçanti dhe vetë PD në tërësi.

The post PD e ka gati kandidaturën e saj për Tiranën, një politikane karriere first appeared on JavaNews.al.

Rishfaqet Nesti Angoni, “godet” sërish si agjent IA

22 September 2025 at 13:22

Nga Denis Dyrnjaja

Ndërsa qeveria vijon jehonën për Diellën, ministren e parë me inteligjencë artificiale, një tjetër figurë, e padukshme, por shumë më efikase në realitet, po lëviz në heshtje duke denoncuar korrupsionin. Nesti Angoni “godet” sërish.

Pa konferenca shtypi, pa grafika futuriste, ky personazh i mistershëm ka prodhuar efektin më konkret, por dhe më të frikshëm që politika shqiptare ka parë vitet e fundit, kallëzime me prova dhe fakte të përpikta, për korrupsionin.

Nesti Agoni u shfaq si denoncues i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ishte vetë ky i fundit që duke u interesuar se kush e kishte denoncuar zbuloi se Nesti Agoni nuk ekziston si shtetas i republikës së Shqipërisë, i regjistruar në regjistrin themeltar të shtetasve. Pra ai nuk ka ID, pasaportë dhe fytyrë.

Goditjen e dytë, Nesti e bën nga radhët e opozitës. Target i tij këtë herë është Albana Vokshi deputeten dhe eksponente e lartë në PD, dhe një nga njerëzit besnikë të Sali Berishës. Sipas të dhënave që kanë dalë ne media ajo është kallëzuar në SPAK për korrupsion dhe pastrim parash te përfituara në mënyrë te paligjshme.

Ai po vepron si të ishte një krijesë e inteligjencës artificiale, pa emocione, pa retorikë, pa hezitim. Nesti Angoni mbledh dokumente, ndërton çështje dhe i dërgon ato ne organin e akuzës. Pa bërë zhurmë, ai krijon furtunë.

Duke parë mënyrën se si po vepron duket se ky personazh i mistershëm nuk do të ndalet. Ndoshta ai ka një listë të gjatë, një itinerar dhe një strategji të qartë. Nesti nuk kërkon poste, nuk kërkon famë, dhe nuk kërkon të shndërrojë asnjë çështje në kapital politik. Qëllimi i tij mesa duket është të asgjesojë korrupsionin në mënyrë të heshtur.

Nëse Shqipëria ka hyrë në epokën e inteligjencës artificiale, Diella deri tani është vetëm propagandë, ndërsa Nesti Angoni ka rezultate konkrete dhe domethënëse në misionin e tij antikorrupsion.

Kujdes Diella me vendimet dhe veprimet e tua, sepse Nesti po të vëzhgon. Ai përndjek ata që merren me korrupsion. Kjo është një pikëpyetje me vete si do veprojë Nesti, nëse pikas Diellën në shkelje. Ku do ta denoncojë dhe mbi çfarë fushëveprimi ligjor prokuroria do veprojë, gjithnjë nëse Nesti dhe Diella nuk janë pjesë e së njëjtës mendje dhe e së njëjtës lojë!

The post Rishfaqet Nesti Angoni, “godet” sërish si agjent IA first appeared on JavaNews.al.

Kurbani i Ramës vazhdon!

21 September 2025 at 11:25

Nga Denis Dyrnjaja

Edi Rama po aplikon me sukses një mënyrë të sofistikuar për të dominuar hapësirën publike. Ai shpik tema, figura dhe situata që e mbajnë në dinamikë politikën ne tërësi, por në fakt në mënyrë direkte ose indirekte shkojnë për interesin e tij.

Shembulli i fundit është emërimi i Ministres Diella, një krijesë virtuale institucioneve dhe për më tepër një fenomen inovativ që askush nuk e kishte dëgjuar apo menduar, por që tani është lajm jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Diella është temë e rrjeteve sociale por edhe e memeve të ditës. Me një lëvizje të vetme, Rama e zhvendosi debatin nga buxheti, krimi, çështjet madhore, problemet e pazgjidhura dhe premtimet e parealizuara, tek një çështje surprizë.

Ndërkohë, opozita si gjithmonë përpiqet të reagojë, por gjithnjë me një ose shumë hapa vonesë. Ajo nuk ka arritur ende të krijojë mënyrën e saj për të tërhequr vëmendjen e publikut, përveçse duke komentuar atë që Rama servir. Në vend që të krijojë një axhendë ndryshe, që të ketë thelb dhe alternativë, opozita ndjek gjurmët e Ramës, media dhe më keq Ramën dhe opozitën bashkë në “kurthet” që krijon i pari.

Pra kurthi është gjithnjë gati. Mjafton një emër, një post, një foto dhe gjithë debati shpërqendrohet. Ndërsa opozita vazhdon të pyesë veten, nëse duhet të merret me përmbajtjen apo me formën, Rama tashmë ka fituar raundin tjetër të vëmendjes dhe po mendon për trukun e radhës.

Kur kryeministri gjen mënyra kreative për të devijuar vëmendjen, dhe opozita nuk arrin të prodhojë asnjë alternativë dhe vizion politik, dilema nuk është më kush ka të drejtë, por kush luan më mirë lojën.

Dhe në këtë lojë ku Rama shpik truke të suksesshme, opozita dështon me sukses, duke përsëritur asgjënë e saj. Duhet pranuar se në këto kushte Rama nuk po punon për të fituar zgjedhjet e 2029-ës, por për të gjetur surprizën e radhës dhe për të bërë 83-in, 93 mandate.

Ai shpik, opozita komenton, publiku shikon. Kurbani i Ramës vazhdon!

The post Kurbani i Ramës vazhdon! first appeared on JavaNews.al.

Ju flet Amerika!

19 September 2025 at 11:52

Nga Denis Dyrnjaja  

Kur diplomatët amerikanë flasin për demokracinë, drejtësinë dhe kushtetutën, fjalitë e tyre mund të duken të buta, thuajse burokratike. Por ata që lexojnë mes rreshtash e dinë se në Tiranë, asgjë që thuhet nga “selia e verdhë” e Rrugës së Elbasanit nuk është e rastësishme. 

Fjalimi i znj VanHorn, e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri, përballë përfaqësuesve të trupës së drejtësisë, nuk ishte thjesht një përsëritje e frazave të njohura për shtetin e së drejtës, apo institucionet demokratike. Dy ishin mesazhet kyçe që ajo artikuloi, me qetësi diplomatike, por me peshë të madhe politike. Së pari kërkohet drejtësi, llogaridhënie e transparencë të cilat realisht mungojnë. Dhe  

së dyti prokurorëve dhe gjyqtarëve, iu kërkoi të forcojnë besimin e qytetarëve te institucionet që iu shërbejnë atyre. Pra të goditet pa përzgjedhje çdo zyrtar i korruptuar pa u shmangur në standarde.  

Në një moment apo si me thënë në rrethana të tjera politike, këto fjalë mund të ishin pjesë e një protokolli rutinë. Por me aktualitetin që kalojmë, ato përbëjnë një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejt për të gjitha palët, si për Qeverinë Rama 4, që po hyn në një mandat të ri mes hetimeve për afera korruptive të zyrtarëve të të gjitha niveleve, si për opozitën e Sali Berishës, që përpiqet t’i japë frymë një kursi të ri ndaj Uashingtonit, pa pranuar realitetin se në këtë lojë, SHBA nuk negociojnë me pengje të së kaluarës, ashtu dhe për drejtësinë, që shpesh ndodhet nën pikëpyetjet e objektivitetit të saj pa preferenca.  

Znj VanHorn nuk dha as garanci, as miratim, por konfirmim të qartë se SHBA vijon të jetë dhe mbështesë ende institucionet e dala nga reforma në drejtësi, me gjithë mangësitë, zhgënjimet dhe ngadalësitë e veprimit të të tyre në zbatim të ligjit.  Pra ky mesazh nuk nënkupton ndonjë optimizëm të tepruar, sepse rezultatet e drejtësisë janë ende të zbehta dhe jo perfekte, por ajo shihet si e vetmja hallkë për rrjedhojë edhe shpresë për një transformim real institucional në Shqipëri. 

Dhe në këtë moment, kur as Rama nuk ka më një administratë liberale të përfaqësuar nga demokratët në Uashington dhe as Berisha duket se nuk ka më iluzione për një rivendosje raportesh me SHBA edhe pse në fuqi është administrata e djathtë republikane, mesazhi është i qartë dhe kthjellët, drejtësia duhet të ecë përpara, me ose pa pëlqimin e politikës. E thënë shkurt e shkoqur, të gjithë kuptuan kush i foli kujt! 

 

 

The post Ju flet Amerika! first appeared on JavaNews.al.

Shqipëria ka gjithnjë nevojë për telekomandën ndërkombëtare

17 September 2025 at 15:47

Nga Denis Dyrnjaja

Në Shqipëri, demokracia funksionon më shumë si një dritare që hapet për të parë jashtë, sesa një pasqyrë që na tregon vetveten. Çdo krizë, çdo vendim i rëndësishëm, çdo emërim me peshë, kërkon me doemos një konfirmim ndërkombëtar, jo për legjitimitet, por për ekzistencë.

Në këtë realitet politik, qeveria psh kujdeset që çdo ndryshim në arkitekturën e shtetit dhe ligjeve të marrë më parë aprovimin ndërkombëtar, opozita e pafuqishme politikisht kërkon mbështetjen dhe ndërhyrjen e ambasadave për të ndalur vendimet e mazhorancës, ndërsa drejtësia nuk ndjehet e aftë të zgjedhë drejtuesit e saj pa miratimin e tyre. Zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK-ut pas largimit të Altin Dumanit, sërish po monitorohet me kujdes, nga Ambasada Amerikane, çka tregon rrezikun që i kanoset institucionit nga përpjekjet për ta kapur ose kontrolluar politikisht.

Edhe kërkesat e fundit të opozitës për të bllokuar ndryshimet në rregulloren e Kuvendit apo riformatimin e komisioneve parlamentare i adresohet si nevojë për zgjidhje diplomatëve të huaj. Një kauzë nuk ka më peshë nëse nuk përkthehet në anglisht dhe nuk shkon me email në zyrat e BE-së apo SHBA-së në Tiranë.

Në këtë panoramë, Edi Rama vetë i referohet pëlqimit të Komisionit Europian për çdo iniciativë.
Rasti më i fundit janë paralajmërimet për ndryshime në paketën ligjore për drejtësinë, për te cilat tha se nuk do ye ndodhin pa marrë më parë miratimin e Komisionit Europian. Kjo jo për të siguruar kushtetutshmërinë, por për të ndërtuar një aureolë konsensusi që vjen nga jashtë, si garanci për brenda.

Kështu, Shqipëria vazhdon të sillet si një vend i pjekur për të hyrë në BE, por me një klasë politike që nuk guxon të ecë pa komandën nga jashtë. Dhe kur kjo telekomandë mungon, vendi hyn në ngrirje institucionale, si një televizor pa sinjal.

Nuk jemi më nën diktaturë, por sillemi ende si në vitet e tranzicionit të hershëm, ku ndihma e ndërkombëtarëve ishte rruga e vetme për të shmangur ngërçet apo kaosin. Sot, pas mbi 35 vitesh, jemi ende aty me një drejtësi që s’mund të veprojë dot pa mbështetje publike nga ambasadat, dhe me një klasë politike që sillet si notere e vullnetit ndërkombëtar, jo përfaqësuese e sovranitetit të popullit.

Telekomanda është gjithmonë në dorën e tyre. Dhe Shqipëria, sado moderne në dukje, vazhdon të sillet si një aparat pa butona lokalë.

The post Shqipëria ka gjithnjë nevojë për telekomandën ndërkombëtare first appeared on JavaNews.al.

❌
❌