Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

E doni Sazanin me investime amerikane apo ta coptojnë bandat shqiptare si Gjirin e Lalzit?

22 January 2026 at 16:52

Nga Kreshnik Spahiu    

Një pjesë e shqiptarëve janë shqetësuar nga përralla e “faljes së ishullit të Sazanit”.

Në thelb të kësaj fushate qëndron vendimi për të lejuar familjen Trump të investojë në një ishull të pabanuar, që sot shërben praktikisht si nevojtore publike për plazhistët që urinojnë kur shkojnë me anije për të kaluar disa orë plazh.

Sigurisht që Sazani ka mbetur i shkretuar, sepse sipërmarrësit shqiptarë nuk kanë kapacitete apo interes për të investuar një ishull që s’ka as energji elektrike dhe as ujë. Atëherë pse kjo histeri publike kundër një investimi të huaj?

“Shqipëria turistike”, po hyn në një fazë të re zhvillimi, ku kërkesa e huaj është shumë më e lartë se cilësia dhe kapaciteti i investimeve lokale. Për këtë arsye, investimet e huaja nuk janë luks, por domosdoshmëri.

Në dekadat e fundit, brigjet e Mesdheut janë shndërruar në një nga motorët më të fuqishëm ekonomikë të Europës. Në Itali, Greqi, Kroaci, Francë, Turqi, zhvillimi turistik nuk erdhi rastësisht. Ai ishte rezultat i një politike të qartë: hapjes ndaj kapitalit të huaj dhe përfshirjes së korporatave ndërkombëtare në ndërtimin e industrisë së turizmit.

A kanë kompanitë shqiptare fuqinë financiare, teknologjinë dhe përvojën për ta bërë këtë zhvillim të mundur?

Jo. Jo Turizmi bregdetar i nivelit të lartë është industri kapitale-intensive. Marina, aeroporte turistike, resorte luksoze, infrastrukturë ujore dhe energjetike kërkojnë investime kolosale. Sipërmarrësit lokalë, në shumicën e vendeve të Mesdheut, nuk kanë pasur kurrë kapacitet për projekte të kësaj shkalle.

Janë fondet ndërkombëtare, bankat globale dhe korporatat shumëkombëshe që kanë sjellë miliarda euro pa rënduar buxhetet publike. Greqia, Kroacia dhe Mali i Zi nuk do të kishin sot marina moderne, resorte ikonë dhe qytete turistike të reja pa kapitalin e huaj.

Një avantazh vendimtar janë markat globale që sjellin turistë të garantuar. Një hotel lokal, sado i bukur, nuk mbush dot qindra dhoma gjatë gjithë vitit.  Korporatat ndërkombëtare sjellin edhe standarde, profesionalizëm dhe cilësi. Një nga problemet tradicionale të turizmit lokal ka qenë mungesa e shërbimit cilësor. Investitorët e huaj sjellin menaxhim profesional, teknologji, trajnime dhe kulturë shërbimi.

Këto investime krijojnë mijëra vende pune, formojnë menaxherë të rinj dhe rrisin nivelin e gjithë industrisë.

Prania e markave luksoze rrit edhe prestigjin kombëtar. Një vend me resorte markash të famshme perceptohet ndryshe në tregjet ndërkombëtare dhe tërheq turistë me fuqi të lartë blerëse, investitorë të rinj dhe zhvillon turizëm 12 mujorë gjithë vitin.

Në shumë raste, shtetet e Mesdheut janë zhvilluar pa shpenzuar fonde publike, duke përdorur kapital privat ndërkombëtar.

Kjo nuk do të thotë përjashtim i sipërmarrjes vendase. Modelet më të suksesshme janë partneritetet mes kapitalit lokal dhe atij të huaj.

Fatkeqësisht, në 30 vitet e fundit një nga dështimet më të mëdha të Shqipërisë ka qenë pengimi sistematik i investitorëve të huaj. Berisha, Meta dhe Rama kanë favorizuar klientelën politike që u financonte fushatat, duke bllokuar investime serioze dhe duke e kthyer bregdetin në kantier pallatesh.

Në këtë errësirë, projekti i Sazanit është një nga të paktat drita jeshile. Ai nuk do të ishte thjesht një investim, por një standard i ri zhvillimi. Një Monte Carlo shqiptar në zemër të Mesdheut.

Është gati e pabesueshme të imagjinosh që Vlora e Ismail Qemalit të shndërrohet në një kryeqytet të elitave botërore mes Lindjes dhe Perëndimit. Por mos harroni: vetëm dhjetë vjet më parë, për në Vlorë udhëtohej katër orë mes gropave ku as karroca e Ismail Qemalit nuk do të kalonte dot.

Lërini amerikanët të investojnë në Sazan, përpara se ishulli të copëtohet nga bandat shqiptare, ashtu siç ndodhi me Gjirin e Lalzit.

Shqipëria s’ka nevojë që ishulli i vetëm të katandiset nga pazarxhinjtë shqiptar si Golemi, Shkëmbi Kavajës apo si Shëngjini…..

Mos u shtirni më patriot se Francezët, Spanjolët, Italianët apo Turqit të cilët bregdetin e tyre e kanë zhvilluar me investime të huaja dhe jo vetëm lokale.

Në orën 11:00, Sali Berisha do të lëpijë të gjitha “pështymat” e tij

21 January 2026 at 18:28

Nga Kreshnik Spahiu

Nesër në mëngjes, në orën 11:00, Sali Berisha do të lëpijë të gjitha “pështymat” e tij njëvjeçare.

Marrëveshja për Bordin e Paqes, ku Rama do të punojë me Trump në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë, u ratifikua sot nga qeveria dhe do të votohet nesër nga Parlamenti.

Po çfarë qëndrimi do të mbajë Sali Berisha, i cili prej një viti premton se Rama do të arrestohet si Maduro dhe se SHBA e ka futur në listën e zezë?

Një orë më parë Berisha u shfaq si pulë e lagur në media dhe i parapriu votës së nesërme.

Ai deklaroi: “Jemi pro Bordit të Paqes” dhe se ftesa nuk i shkoi Presidentit, sepse ne jemi republikë parlamentare dhe për këtë arsye ftesën ia dërguan Edi Ramës.

Së pari, Berisha gënjeu, sepse edhe Kosova është republikë parlamentare, por ftesa nuk i shkoi Albin Kurtit; Trump ftoi presidenten Vjosa Osmani.

Së dyti, Berisha duhet të sqaronte pse Trump nuk ftoi Bajram Begajn, njësoj si Vjosën, por ftesën ia dërgoi Edi Ramës.

Së treti, Berisha heshti për Sazanin dhe vizitën e vajzës së Trump në Vlorë.

Së katërti, Berisha nuk mbajti asnjë qëndrim për krizën në Gaza apo debatin mbi këtë temë.

Së pesti, Berisha nuk guxoi të kundërshtonte në asnjë rast marrëveshjen që do të nënshkruajë Edi Rama me Donald Trump.

365 ditë gënjeshtra madhështore do të shfryhen nesër publikisht para kamerave për 3 sekonda, kur Sali Berisha, si qingj, do të votojë në Kuvend marrëveshjen e Ramaduros me Trump.

Gënjeu se do të mbyllet SPAK.

Gënjeu kur tha se është ftuar në SHBA.

Gënjeu se Rama do të arrestohej për dosjen McGonigal.

Gënjeu kur tha se do të arrestohet Yuri Kim.

Gënjeu kur tha se Rama do të merrej me helikopter.

George Orvell dikur e përshkruante :

“Partia të urdhëronte të mohoje provën e syve dhe veshëve të tu.”

Berisha u lodh 1 vit duke kërkuar që SHBA ta konsideroj Shqipërinë dhe shqiptarët si narko-shtet por nuk ja doli.

Nesër në mëngjes do të bëjë atë që ka bërë gjithmonë: do të mashtrojë në media dhe në mbrëmje nuk do t’i mbetet gjë tjetër veçse të kërkojë mbrapsht 7 milionë eurot që pagoi LaCivitës apo kompanisë amerikane “Continental Strategy”.

Fundja, ato euro mund t’i fusë shpejt në punë në kullat që ndërton me leje të RamaDuros.

Pse opozita shpreson kur ndodh diçka në Nepal, Venezuelë, Bangladesh apo Iran?

10 January 2026 at 19:54

Nga Kreshnik Spahiu

Ishte mbrëmje dhjetori e vitit 2000. Në koridoret e godinës së Partisë Demokratike dëgjoheshin brohoritje. Unë me miqtë po pinim çaj në barin “Jurnal”, ku mblidheshin shumë gazetarë.

Të habitur pyetëm se çfarë kishte ndodhur dhe një vajzë, gazetare e TV Arbëria, na tha:
“Kanë fituar zgjedhjet të djathtët në Bullgari.”

Papritmas çaji më ngeli në fyt dhe gati u mbyta.
20 deri në 30 fshatarë, të cilët fatkeqësisht binin në sy për mjerimin në të cilin jetonin, po festonin fitoren e së djathtës bullgare në oborrin e partisë.

U shtanga dhe po mendoja: si ka mundësi që njerëz kaq të varfër të lumturohen me lugë bosh?

M’u kujtua ky fragment kur dëgjova deklaratën e Berishës se protestat në Iran janë një shpresë për forcat opozitare në Shqipëri.
Pasi u lodh për një javë duke thënë se forcat “Delta” do ta arrestonin Ramën, njësoj si Maduro në Venezuelë, sot kaloi në Teheran.

Si në Makondon e Márquez-it, edhe ne si popull presim shpëtimin nga lajme që vijnë nga kontinente të tjera.

Që Berisha është një mashtrues i lindur në politikë, i veshur me kostume dhe kollare të shtrenjta apo me maska konservatore, kjo nuk është gjë e re. Ajo që ia vlen të analizojmë është: si ka mundësi që ky popull të mashtrohet për dekada?

Këtë e kanë bërë me shekuj.
Dikur prisnin për 500 vjet ndryshimet nga Perandoria Osmane dhe haberet nga Stambolli.
Më pas i kishin sytë nga Austria apo Italia.

Më vonë shpresonin se mund të triumfonte socializmi mbi imperializmin.
Për katër dekada shpresuan te revolucioni proletar në Kubë, Amerikën Latine, Vietnam dhe Kinë.

Të gjitha këto mund t’i mirëkuptojmë në një Shqipëri të izoluar, por të mashtrohesh në një botë digjitale dhe globale tregon prapambetjen tonë si komb.

Në botë ka miliarda njerëz të paditur, të pashkolluar, të painformuar apo të izoluar, por njerëz më injorantë dhe naivë, që të shpresojnë se jeta e tyre do të ndryshojë sepse shpërtheu lufta në Venezuelë, revolucioni në Nepal apo protestat në Bangladesh dhe Iran, i gjen vetëm në Shqipëri.

Turma që manipulohen kaq lehtë nga media dhe politika i gjen vetëm në këto 28.000 km². Tmerr i madh.
Realisht, është një keqardhje e madhe për nivelin provincial që ka një pakicë njerëzish në Shqipëri. Ushqehen me lugë partie dhe me lajme politike.

Qeveritë shqiptare në dekada duhet të ishin rrëzuar më shpejt nga vetë shqiptarët por jo duke parë me sy nga qielli duke ëndërruar helikopterë apo me vesh nga zhurma e prorestave në Nepal ku 90% e popullit nuk e di as në hartë ku ndodhet gjeografikisht.

George Orwell e kishte parashikuar dikur këtë psikozë kolektive: popuj që emocionohen nga luftëra të largëta, ndërsa jetën e tyre e sundon një realitet tjetër.

Një vit i mallkuar për t’u harruar

31 December 2025 at 13:52

Nga Kreshnik Spahiu

“Nuk ka vite për t’u jetuar dy herë; disa janë bërë vetëm që të lihen pas.”
— shkruante dikur Albert Camus, La Peste (Murtaja)
Ndoshta vërtet viti 2025 ishte bërë për t’u lënë pas dhe ndoshta për t’u harruar.
Ka periudha në jetën e njeriut që nuk jetohen, por vetëm durohen.
1. Shqipëria dhe shqiptarët përjetuan një vit të errët, plot drama dhe pa shpresë.
Viti që kaluam ishte një faqe e zezë në sytë e miliona turistëve që nuk do të rikthehen më:
në pirgjet e plehrave,
në bregdetin me fekale,
në kazanët që digjen,
në rrugët me qen dhe mace endacake,
në autostradat me shoferë të çmendur,
në shtetin pa trena dhe pa transport publik,
në hotelet me çmime pa logjikë,
në pluhurin që mbyt çdo gjallesë,
në kafenetë ku shiten pordhë.
2. Shqipëria dhe shqiptarët përjetuan një vit plot baltë dhe njolla në imazhin ndërkombëtar.
Çdo bandë apo grup trafikantësh ndërkombëtarë që arrestohej në Europë apo Amerikën Latine, pothuajse gjithmonë kishte mes tyre emra shqiptarë. Aq shumë janë përfshirë shqiptarët në krime, sa duket sikur jemi një popull prej 3 miliardë banorësh dhe jo 3 milionë.
Aq poshtë ka rënë imazhi ynë si shqiptarë, sa në dhjetëra filma të Hollywood-it apo Netflix-it, skenarët kanë si protagonistë trafikantë droge shqiptarë.
3. Shqipëria dhe shqiptarët përjetuan një vit mjerimi dhe varfërie. Shqiptarët kishin këtë vit pagat më të ulëta në Europë, por me çmimet më të larta se në BE.
Çmimet e larta të ushqimeve në supermarkete nuk krahasohen me çmimet e ulëta të supermarketeve europiane si “Aldi”, “Lidl”, “Penny”.
Çmimet e pasurive të paluajtshme këtë vit kaluan çdo normë tregu, duke e bërë Tiranën, Durrësin, Vlorën dhe disa qytete të tjera të papërballueshme.
4. Shqipëria dhe shqiptarët përjetuan një vit pa siguri për shëndetin dhe jetën.
Dyndja e emigracionit nuk po ndodh vetëm nga papunësia, por edhe nga pasiguria.
Në spitalet shqiptare hyn i gjallë dhe del i vdekur.
Në një kohë kur mijëra emigrantë europiano-lindorë po rikthehen në Poloni, Hungari, Kroaci, Rumani e Bullgari, sepse Perëndimi po kalon krizë, kjo nuk ndodh me shqiptarët.
Edhe ata pak emigrantë shqiptarë që kanë tentuar të rikthehen janë zhgënjyer, sepse me kursimet e tyre në Shqipëri nuk mund të blesh më asgjë dhe nuk mjaftojnë për të hapur biznes.
Më lirë blen një shtëpi në Spanjë sesa në Sarandë apo Vlorë.
5. Shqipëria dhe shqiptarët përjetuan edhe një zhgënjim të madh me votën e tyre.
Mijëra shqiptarë votuan socialistët, por brenda pak muajsh kuptuan se në çezmat e tyre nuk ka ujë, ndërsa socialistët pinë verë franceze të vitit 1913, me 33 mijë euro shishja, në vitin kur u copëtua Shqipëria.
Zhgënjimi nuk vjen nga dy apo tre persona, por nga i gjithë pushteti, i cili nuk po reflekton as pas qindra arrestimeve.
Viti 2025 do të mbahet mend si viti i korrupsionit shekullor, me shifra që as të huajt nuk i kishin imagjinuar.
6. Viti që kaluam ishte i turpshëm edhe për Kosovën, e cila për 11 muaj nuk arriti të krijojë as parlament dhe as qeveri.
As në kohën e pushtimit serb, kur Rugova mblidhte Kuvendin në ilegalitet, nuk kishte ndodhur që parlamenti të dështonte 63 herë për të zgjedhur një kryetar apo kryeministër.
Urrejtja, mllefi, spiunazhi dhe egoizmi e larguan Kosovën dhe Shqipërinë nga njëra-tjetra si kurrë më parë.
Viti i mbrapshtë i atyre që ideuan “kombin kosovar” kundër atij shqiptar, mos u ktheftë më për shqiptarët.
Shumë shqiptarë kanë humbur të afërmit.
Shumë shqiptarë humbën punën apo biznesin.
Shumë shqiptarë humbën shpresën.
Zoti krijoi në një ditë kujtesën dhe harresën.
Ndoshta viti që lamë pas duhet harruar…
Kurrë mos e pafsha Shqipërinë dhe shqiptarët si në vitin 2025.
Gabriel García Márquez shkruante te Njëqind vjet vetmi:
“E shkuara është një barrë që duhet lënë pas, përndryshe e ardhmja nuk gjen vend të vijë.”

Pse 35 deputetë nga opozita firmosën pro Endri Shabanit si Avokat i Popullit?

9 December 2025 at 18:06

Nga Kreshnik Spahiu

70% e grupit parlamentar të Partisë Demokratike kanë mbështetur juridikisht dhe zyrtarisht Endri Shabanin si kandidat për Avokat të Popullit. Kurrë më parë demokratët nuk kanë pasur një konsensus kaq të madh sa ky i mbështetjes për Endri Shabanin. Por pse Sali Berisha u bë pishman dhe po bën kot sikur nuk është palë në proces?

Sot Berisha doli me një teori komike dhe antikushtetuese: “Partia do tërheqë firmat.” 35 vjet deputet por akoma nuk e ka mësuar që 35 deputetë janë përfaqësues të sovranitetit të votuesve dhe firma e tyre është individuale.

Për Endri Shabanin kanë firmosur e gjithë Kryesia e PD: Agron Gjekmarkaj, Flamur Noka, Ina Zhupa, Tomor Alizoti, Jorida Tabaku, Klevis Balliu, Oerd Bylykbashi etj.

Kaq firma as Sali Berisha nuk i kishte në legjislaturën e kaluar, sepse shumica e këtyre firmëtarëve e përjashtuan nga partia.

Firmat e deputetëve janë të vetmet që vlejnë për depozitimin e kandidaturës dhe duhen minimalisht 28 firma. Pas propozimit, kandidati zgjidhet nga Kuvendi me 3/5 e votave.

Po, në praktikën parlamentare shqiptare, tërheqja është e mundur vetëm PARA mbylljes së procedurës së depozitimit.

Pas depozitimit zyrtar të kandidaturës:

 

  • pranohet nga Kuvendi,

 

  • publikohet si kandidaturë zyrtare,

 

  • kalon për shqyrtim në komisionin përkatës, atëherë firmat nuk hiqen më, edhe nëse deputetët shprehin ndryshim qëndrimi. Ata thjesht mund të mos e votojnë kandidatin në seancë.

Pasi lista shpallet zyrtare, firmat nuk mund të tërhiqen më.

Sali Berisha prej një muaji deklaron se do mbështesë Besim Ndregjonin, Adriana Kalanë, Dardan Mustafajin, Jola Hysën, por firmat praktikai i dha edhe Endri Shabanit.

Në fakt, të enjten do të votohet Endri Shabani, sepse me të drejtë Partia Socialiste do të zgjedhë një nga kandidaturat që ka më shumë firma nga opozita, por edhe ka eksperiencën ligjore brenda kritereve kushtetuese për Avokat të Popullit.

Sigurisht Berisha duhet të justifikohet te kandidatët e tjerë që “narkoshteti” i Ramës zgjodhi “avokatin e krimit”, por të gjithë do të kuptojnë aktrimin dhe komedinë e tij.

Sali Berisha ose po bën lojë me Edi Ramën për ta votuar Endri Shabanin, ose ka jashtë kontrollit 70% të grupit parlamentar që i besuan firmat atij që e ka gjunjëzuar mediatikisht Berishën, duke i thënë:

“Largohu nga politika, se të kam gjetur në pushtet që ditën që kam lindur.”

Mesa duket, Endri Shabani po e nxjerr vërtet në pension “stërgjyshin” e tij.

 

The post Pse 35 deputetë nga opozita firmosën pro Endri Shabanit si Avokat i Popullit? first appeared on JavaNews.al.

Pse disa nazistë shpresonin që Hitleri s’kishte vdekur?

19 November 2025 at 19:15

Nga Kreshnik Spahiu

Adolf Hitleri vrau veten në bunkerin e tij më 30 prill 1945. Dëshmitarët okularë — njerëzit më të afërt të tij — dhanë dëshmi të qarta për mënyrën e vetëvrasjes. Megjithatë, për dekada me radhë, mijëra nazistë refuzuan ta besonin këtë fakt dhe ushqyen shpresën se ai kishte shpëtuar e jetonte i fshehur diku në Argjentinë, Brazil, madje edhe Antarktidë. Fanatikët nazistë nuk pranonin lehtë që “Führer-i” i tyre kishte humbur jetën; besimi se ai ishte gjallë i ndihmonte të ruanin iluzionin e ideologjisë që i kishte udhëhequr.

Kjo më erdhi ndër mend kur pashë 300 demokratë në protestën e Sali Berishës.

Pas 6 muajsh thirrjesh dhe përgatitjesh për një “Revolucion madhështor”, ai mblodhi më pak njerëz se në “xhenaze”. Askush nuk iu bashkua sepse shumica e konsiderojnë të vdekur politikisht. Mbi 1 milion shqiptarë sot janë kundër qeverisë, por nuk dolën në shesh sepse për ta, berishizmi është një kapitull i mbyllur. Atje ishte vetëm gjenerali i ushtrisë së vdekur.
Aty ishin vetëm 300 “ushtarët” e fundit, të cilët as brohoritën e as treguan entuziazëm. Protesta, apo më saktë foltorja, dukej si një funeral. Një grusht njerëzish, të trishtuar, ndiqnin aktin e fundit të “Führer-it” të tyre që nga bunkeri i tij politik përpiqej t’u jepte kurajo se ende nuk kanë kapitulluar dhe se do t’i mundin Amerikën, Anglinë, Europën e madje edhe Rusinë.

Thirrja e fundit e një udhëheqësi ndodh gjithmonë pak para rënies, ndërsa shpresa e ushtarëve vazhdon shpesh edhe pas rënies së tij. Në fshatrat e Matit, deri vonë, kishte njerëz që besonin se mbreti Ahmet Zogu nuk kishte vdekur dhe se një ditë do të kthehej në Shqipëri. Edhe në Gjirokastër kam takuar komunistë që besonin se Enver Hoxha nuk kishte vdekur, se njeriu në funeral ishte sozia e tij dhe se udhëheqësi i tyre i vërtetë ishte i pavdekshëm.

Njësoj si nazistët, komunistët apo monarkistët që presin ende ringjalljen e Hitlerit, Enverit apo Zogut, disa demokratë sot shpresojnë që Sali Berisha të kthehet fuqishëm në skenë.

Por pjesa më e prapambetur e një populli nuk kupton — ose nuk pranon — se ideologjia nuk vdes njëkohësisht me njeriun.
Edhe sikur Hitleri, Enveri apo Zogu të ishin gjallë, doktrina e tyre kishte vdekur. Sali Berisha, le të jetojë 150 vjet; por berishizmi ka mbaruar politikisht. Problemi është se, nëse ai nuk shpall kapitullimin, Partia Demokratike rrezikon të ketë fatin e Gjermanisë së vitit 1945: të një udhëheqësi që nuk pranoi humbjen dhe dogji gjithçka bashkë me veten, duke sjellë mbi 8 milionë viktima nga populli i tij. Çdo rezistencë e mëtejshme e Berishës nuk do të shpëtojë PD-në — përkundrazi, do ta shkatërrojë atë, do të djegë çdo kauzë dhe do të vrasë shpresën e 500 mijë demokratëve.

William Shakespeare e ka përshkruar saktë kur citon se: “Mbreti është i vdekur, por fantazma dhe hija e tij sundon kështjellën.”

Demokratët duhet dalin nga bunkeri dhe mos u digjen bashkë me Hitlerin e tyre.
Lëreni të vdesë duke ëndërruar se fitoi luftën me Amerikën, me Anglinë, me …….

The post Pse disa nazistë shpresonin që Hitleri s’kishte vdekur? first appeared on JavaNews.al.

Një sugjerim politik për Florjan Binaj

29 October 2025 at 12:20

Nga Kreshnik Spahiu

Dje ndoqa me shumë interes fushatën e tij në Tiranë, mes gërmadhave të fadromave që po lirojnë trotuaret nga shtesat e lokaleve. Të gjitha qasjet, kritikat, konstatimet dhe satira janë një prurje e re, por mbeten në nivel gazetaresk, asgjë më shumë.

Nga Flori elektorati gri pret të shoh vizion për Tiranën dhe çfarë ofron ai me projektin e tij në këmbim të votës. Për këtë arsye, do t’i këshilloja miqësisht dhe profesionalisht që sot të kthehet tek ajo gërmadhë dhe të nënshkruajë një kontratë publike:

• A është me pronarët, apo me zaptuesit?

• A është për legalizim të ndërtimeve pa leje, apo kundër?

• A është për kompensim apo për ndëshkim?

• A është për tenda, shtesa, çadra, apo për çfarë saktësisht?

• A duhen liruar trotuaret apo shtuar tavolinat?

• A duhen arrestuar ata që lejuan, apo ata që ndërtuan?

• A duhen mbyllur lokalet që kanë pushtuar hapësira publike dhe nuk i kanë në pronësi?

• Apo duhet lejuar të shtohen të tjera?

Se çfarë ka bërë keq PS në Tiranë e dinë 10 milionë shqiptarë, por çfarë projekti ndryshe ka Flori që të bindë kryeqytetin se ai nuk është si kryetarët demokratë që e kioskëzuan Tiranën, po aq keq sa edhe shtesat e kullat socialiste?

Flori e ka shumë të thjesht të bind gjithë Tiranën që është i pavarur duke nënshkruar një deklaratë publike tek Noteri që: 20 oligarkët e PD-PS me emra të veçantë dhe publike nuk do marrin asnjë tender apo leje ndërtimi.

Të dalë në media të shprehet me emra për ata që kanë betoniziar Tiranën në kohën e Ramës, Bashës, Valiajt.

Flori ka ende kohë të ndryshojë fushatën, nga daljet për klikime në prezantimin si rival serioz. Ka ardhur momenti që ndonjë mik që ia do të mirën t’i sugjerojë dhe t’i bëjë të qartë se LIKE në rrjetet sociale nuk konvertohet automatikisht në votë. Shqiptarët të buzëqeshin dhe të thonë: “Je çun i mirë”, por kur shkojnë në kutinë e votimit nuk të besojnë.

Dita e votimit po afron dhe fadromat do të jenë aty edhe të nesërmen, duke zbehur të qeshurat dhe humorin e fushatës, si dhe duartrokitjet e atyre që i rrahin krahët artistit të talentuar. Kam frikë se gjysma e atyre që sot i bëjnë “LIKE” videove të tij, një ditë pas humbjes do thonë: “Fajin e kishte Flori”.

The post Një sugjerim politik për Florjan Binaj first appeared on JavaNews.al.

Pse ‘shqiptarët’ vriten për një filxhan ekspres?

22 October 2025 at 20:09

Nga Kreshnik Spahiu  

Profesor Müller, një penalist i njohur, në ligjëratën e tij mbi dinamikën dhe karakteristikat e krimit në çdo shtet, theksonte se shqiptarët dhe çeçenët, në disa raste, vrasin pa asnjë motiv, ose thënë ndryshe, pa shkaqe të njohura si në shoqëri të tjera. Ai nuk e vinte theksin te rrezikshmëria, por te agresiviteti me motive banale e pa interes. 

Por a ka Shqipëria më shumë kriminelë, apo njerëz të çmendur me probleme psikike? 

Kjo pyetje meriton një analizë juridiko-sociale, me të gjitha rrethanat dhe komponentët e zhvillimit shoqëror gjatë 35 viteve të fundit. 

Vrasjet si fenomen në Shqipëri ndahen në tre kategori kryesore: 

  1. Vrasje me paramendim, mes grupeve rivale të strukturuara kriminale, në rrethana cilësuese;
  2. Vrasje brenda familjes apo rrethit fisnor;
  3. Vrasje për motive të dobëta.

“Motiv i dobët” (në terminologjinë ligjore shqiptare) do të thotë një arsye e pavlefshme, e padenjë ose pa bazë të arsyeshme, që nuk mund të justifikojë në asnjë mënyrë heqjen e jetës së një personi. 

Këtu përfshihen: 

– Vrasje për xhelozi, hakmarrje të vogël, fyerje të lehtë ose sherr të momentit; 

– Vrasje për shkaqe banale; 

– Vrasje nga mospëlqimi personal, zili ose inat i pakuptimtë. 

Në këto raste, motivi konsiderohet “i ulët” sepse tregon egoizëm ekstrem, mungesë të ndjenjës njerëzore dhe padenjësi morale. 

Kronikat e zeza raportojnë çdo ditë për: 

– Vrasje për një vend parkimi; 

– Vrasje për karikuesin e celularit; 

– Vrasje për çadrën e plazhit në rresht të parë; 

– Vrasje për parakalim në autostradë; 

– Vrasje për dritat e gjata të makinës. 

Dje ndodhi edhe e paparashikueshmja: 

Vrasja e dy personave për një filxhan ekspres. 

Në fakt, Shqipëria nuk e ndjen prezencën e krimit në rrugë. Nga 10 milionë turistë, as nuk u vra dhe as nuk u grabit askush, por kjo nuk do të thotë që Shqipëria është e qetë dhe e sigurt. 

Në Shqipëri, më të rrezikshëm janë të çmendurit sesa kriminelët. 90% e autorëve të vrasjeve të momentit nuk janë kriminelë, por njerëz me probleme psikike. 

Sot, rrugët e Shqipërisë janë plot me njerëz të vrenjtur, të cilëve nuk u qesh buza kurrë. 

Shikimi i njerëzve me prirje psikopatie ndjehet kudo — në lokale, në rrugë, në dyqane, në semaforë, në bilardo…… 

Në Shqipëri, nuk duhet të keni frikë nga mafia apo trafikantët e drogës, sepse ata s’kanë punë me ju. 

Në Shqipëri, ruhuni nga njerëzit e çmendur — nga ata që vrasin shokun, kalimtarin, komshiun, kamarierin apo kushëririn, vetëm pse i pa shtrembër. 

Nuk di nga buron ky agresivitet. 

Ndoshta nga izolimi, frustrimi, varfëria, përçmimi, dështimi, mungesa e arsimimit ose nga familja. 

Ndoshta unë gabohem, por mendoj se numri i të çmendurve është më i lartë se ai i kriminelëve. 

Dje u shuan dy jetë për një filxhan ekspres. 

Kjo nuk ndodh as në Afrikë. 

 

 

The post Pse ‘shqiptarët’ vriten për një filxhan ekspres? first appeared on JavaNews.al.

Pse Albin Kurti sulmon Shqipërinë më shpesh sesa Serbinë apo Rusinë?

17 October 2025 at 13:28

Nga Kreshnik Spahiu 

 Politika të errëson logjikën dhe arsyetimin. Sipas disa idiotëve, nëse ke qenë pro krijimit të një gjykate, nuk duhet të jesh kundër gjykimit të një çështjeje. 

Nëse ke qenë për ndërtimin e një institucioni, nuk duhet të kundërshtosh asnjë vendim të tij. 

Sipas kësaj logjike, kush ka qenë pro krijimit të SPAK, nuk duhet të kritikojë asnjë arrestim apo hetim të gabuar.  Kush ka qenë pro Gjykatës së Hagës, nuk mund të ankohet kundër asnjë gjykimi. 

Si mendoni: këta janë budallenj të lindur, apo i ka budallepsur partia dhe kryetari?  Lëvizja Vetëvendosje dje ka sulmuar dy herë kryeministrin e Shqipërisë, sepse ai paska lobuar dhe ka qenë pro krijimit të Gjykatës Speciale. 

Sipas kësaj logjike, Shqipëria nuk duhet të lejojë protesta kundër gjykimit të gabuar të kësaj gjykate ndaj liderëve të UÇK-së. 

Një gjë nuk e kuptoj: 

Pse Albin Kurti nuk bëri letër kundër kryeministrit të Holandës që lejoi protestat në Hagë pro Hashim Thaçit? 

Pse Albin Kurti nuk bëri letër kundër Trump për protestat e shqiptarëve në Amerikë kundër Gjykatës së Hagës? 

Pse Albin Kurti nuk shkruan kundër Shtëpisë së Bardhë kur Grenell sulmon Gjykatën e Hagës? 

Pse Albin Kurti sulmon më shpesh Shqipërinë sesa Serbinë dhe Rusinë? 

Sipas logjikës së Albin Kurtit, nëse je pro ndërtimit të institucioneve kombëtare apo ndërkombëtare, nuk mund të kundërshtosh vendimet e tyre në të ardhmen. 

Me këtë logjikë, në të ardhmen as Kosova dhe as Shqipëria nuk do të mund të kundërshtojnë proceset e OKB-së, BE-së apo Këshillit të Europës. 

Albin Kurtin e kupton vetëm Sali Berisha, i cili pas pilafit kujtohet dhe 20 vjet pas luftës të kërkojë rezolutë për genocidin serb. 

Por pse Berisha dhe Kurti u kujtuan ditën e protestës për rezolutën kundër genocidit serb? 

Pse Berisha nuk bëri rezolutë kur ishte kryeministër? 

Pse kujtohet 20 vjet pas luftës, pikërisht sot? 

Pse nuk bën rezolutë edhe për genocidet turke, bullgare, greke, gjermane apo italiane kundër shqiptarëve? Si mund të tallesh me luftën kështu? 

Çdo kush e kupton që Albin Kurti dhe Sali Berisha i duan liderët e UÇK-së në burg.  

Në fakt në Hagë nuk po gjykohet Hashimi dhe Jakupi por Kosova dhe shqiptarët. 

Kush nuk e kupton këtë, është ose idiot, ose tradhtar. 

 

 

The post Pse Albin Kurti sulmon Shqipërinë më shpesh sesa Serbinë apo Rusinë? first appeared on JavaNews.al.

Goli që provoi se partitë dhe qeveritë nuk e kanë larguar dot Kosovën nga Shqipëria

12 October 2025 at 19:18

Nga Kreshnik Spahiu

Mbrëmë, rrugët e Londrës, Berlinit, Brukselit, Shtutgartit, Shkupit, Nju Jorkut, Prishtinës e Tetovës …… u veshën kuqezi nga festa e miliona shqiptarëve në mbarë botën.
Mjaftoi një gol për të harruar ndasitë partiake dhe politike.
Mjaftoi një gol për të harruar rivalitetin Rama–Kurti–Berisha-Haradinaj–Ali Ahmeti–Thaçi…
Mjaftoi një gol për të harruar thirrjet për të bojkotuar bregdetit dhe plazhet shqiptare.
Mjaftoi një gol për t’u përqafuar aktivistët e
VV-me ushtarët e UÇK, apo demokratët me socialistët.
Mjaftoi një gol për të treguar se nuk jemi 4 milionë banorë me pasaportë shqiptare, por 20 milionë me kombësi etnike kuqezi.
Mjaftoi një gol për të hequr kufirin mes nesh.

Në fakt, goli i djeshëm nuk ishte thjesht një fitore kundër Serbisë, por një rizgjim i patriotizmit.
Dje shkuan dëm miliona euro të agjenturave që përpiqen të kultivojnë idenë e “kombit kosovar”.
Dje, shqiponja me dy duar e Rey Manajt nuk ishte simbol provokimi, por thirrje bashkimi.
Shqiptari nga Lushnja i kujtoi gjithë Kosovës se ajo është zemra e Shqipërisë.
Shqiponja me dy duar vulosi në sytë e gjithë botës se jemi një komb, një gjuhë, një flamur.

Duhej një gol për të kuptuar se dëshira për një Shqipëri të bashkuar nuk është iluzion, por realitet dhe çështje kohe.
Duhej një gol për të kuptuar sa shumë na ka ndarë dhe ftohur me njëri-tjetrin politika.
Ai gol nuk ishte thjesht një biletë për në Botërorin e SHBA-së, por preludi i një lëvizjeje kombëtare që shpall se çdo shqiptar, kudo jashtë kufijve, duhet të ketë një pasaportë kuqezi, nën parimin:

“Një komb, një pasaportë.”

Dje miliona shqiptarë u derdhën në qytetet e Europës me flamurin kuqezi në duar.
Ata mund të kenë disa pasaporta në xhep, por 80% e tyre ende nuk kanë pasaportën e shtetit amë – Shqipërisë.
Ndoshta duhej një gol për të kuptuar sa shumë e duan ata kombin dhe Shqipërinë…

The post Goli që provoi se partitë dhe qeveritë nuk e kanë larguar dot Kosovën nga Shqipëria first appeared on JavaNews.al.

Pse qindra injorantë komentonin në Facebook pro vrasjes së gjyqtarit?

7 October 2025 at 09:04

Nga Kreshnik Spahiu

Dje ndodhi një akt terrorist në sallën e gjyqit.

90% e komenteve të “bagëtive” që reagonin ndaj lajmit për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja ishin më pak a më shumë të njëjta:
1. “I lumtë dora atij që e vrau.”
2. “Mirë ia bëri që e vrau.”
3. “Kështu e meritojnë edhe të tjerët.”

Të gjithë ata që shkruanin kështu nuk e njihnin as gjyqtarin Astrit Kalaja, as dosjen gjyqësore të Shkodrës.

Burimi i konflikteve të pronësisë në Shqipëri nuk janë gjykatat, por ligjet e votuara në parlament, të cilat cenojnë të drejtën e pronës. Ato burojnë nga ligji famëkeq 7501, që ndaloi kthimin e pronave tek ish-pronarët dhe njohu zaptuesit si “tokë e xanun”.

Çfarë drejtësie mund të japë gjykata kur detyrohet të zbatojë një ligj që anon nga krahu i pushtuesve dhe jo i pronarëve?
Mjafton kaq për të kuptuar se konfliktet civile kanë rrënjët në parlament, jo në gjykatë.

Por problemi në Shqipëri është se politika ka ngritur frymën e urrejtjes ndaj drejtësisë, duke i bindur njerëzit se për gjithçka fajin e kanë gjykatat.
Sulmet ndaj gjyqtarëve programohen 24 orë nga Rama dhe Berisha në ekrane.
Turmat e militantëve që u shkojnë pas, helmohen nga vreri i tyre.

Sot, në mentalitetin e shqiptarëve, të gjithë janë të korruptuar dhe të inkriminuar.

Sipas tyre:

• gjyqtarët janë më të korruptuar se policët,
• policët më të inkriminuar se prokurorët,
• prokurorët më të pasur se mjekët,
• mjekët më kriminelë se doganierët,
• doganierët më milionerë se deputetët,
• deputetët më të korruptuar se gazetarët,
• gazetarët më mashtrues se ministrat,
• ministrat më të lidhur me mafien se të gjithë të tjerët.

Me pak fjalë, për turmën, vetëm pensionistët dhe të papunët janë të ndershëm.
Sipas kësaj turme të zheleve që komenton çdo ditë në rrjete, çdo njeri me profesion — jurist, ekonomist, arkitekt, politikan, arsimtar, mjek — patjetër duhet të jetë hajdut. Sipas injorantëve, padrejtësia zgjidhet me vrasje.

Kjo është gjendja më tragjike që mund të kalojë një shoqëri, sepse dallimin mes njeriut dhe kafshës e ndan logjika.
Dhe “kafshët” që dje komentonin pro vrasjes, nuk e kuptojnë se nga nesër, kushdo që do të përballet me drejtësinë, do të ndjejë pasojat e këtij atentati.
Çdo gjyqtar apo prokuror, kur të japë vendimin ose pretencën, do të kujtojë kolegun e tyre Astrit Kalaja, dhe peshorja e drejtësisë do të anojë nga i forti me kallash, e jo nga e drejta.

Fundja, edhe gjyqtarët, prokurorët, mjekët, policët janë qenie njerëzore, dhe nesër mund të kenë të njëjtin fat si Astriti.
Por do të ikin nga kjo botë duke u sharë nga turma e debilëve që as i njohin, por që mbajnë brenda vetes vrerin e indoktrinimit politik.

Dje Shqipëri humbi një gjyqtarë të drejtë,
Shoqëria humbi një mik besnik.
Mbesa e sapo lindur humbi një gjysh fusnik

Sot Astrit Kalaja po udhëton drejt banesës së fundit. Rruga duhej të ishte e mbushur me lule për drejtësinë dhe humanizmin që ai tregoi në jetë — jo me baltën e injorantëve që nuk e njohën.

Miguel de Cervantes shkruante në Don Kishotin e Mançës: “Të vdekurit nuk mund t’i mbrojnë dot as nderin, as emrin; turpi është për të gjallët që luftojnë me ta.”

The post Pse qindra injorantë komentonin në Facebook pro vrasjes së gjyqtarit? first appeared on JavaNews.al.

Pse PD ‘madhështore’ s’ka emra por i lutet Edlirës apo Ermalit nga partitë e vogla?

3 October 2025 at 11:11

Nga Kreshnik Spahiu  

Ermal Hasimja i propozuar nga Partia Mundësia, Edlira Çepani, ish-drejtuese e “Shqipëria Bëhet”, Florian Haçkja nga shoqata “Diaspora”, janë tre emrat që sot do vendosen në tryezën e Berishës, pasi i gjithë grupi parlamentar refuzoi të kandidonte. 

Arsyeja është e thjeshtë: askush nuk ishte gati të rrezikonte mandatin e deputetit për një garë që nuk mund ta fitonte, atë për Bashkinë e Tiranës. Por a do të gjunjëzohet dhe dorëzohet Berisha, duke ulur veten dhe shtrirë dorën partive të vogla apo shoqatave? 

Partia Demokratike dikur nuk kishte nevojë për koalicione. Ajo garonte e vetme dhe nxirrte personalitete të forta në betejën për Tiranën: Sokol Olldashi, Besnik Mustafai, Lulzim Basha, Spartak Ngjela, Halim Kosova. 

Dikur, radha në zyrën e Berishës ishte disa kilometra e gjatë me njerëz që prisnin të kandidonin në emër të PD-së për Tiranën. 

Sot, Berisha ka prekur fundin: 

Nuk ka më doktorin e nderuar Halim Kosova, por i lutet nipit të tij nga diaspora. 

Nuk ka më Lulzim Bashën, që e krijoi, projektoi dhe e investoi personalisht 20 vjet si kryeministërin e ardhshëm, por i drejtohet Ermal Hasimes, të cilin e kishte pranë por e distancoi që në kohën e KOP-it. 

Nuk ka më as Gerti Bogdanin, të cilin e refuzoi të kandidonte për Tiranën, por sot i lutet bashkëshortes së tij të ve, Edlirës. 

Ermali, Edlira dhe Floriani janë personalitete që meritojnë shumë respekt – jo vetëm për integritetin në profesionet e tyre, por edhe sepse, pa dashur, e kanë gjunjëzuar Berishën në sytë e publikut. Kandidimi i tyre pasqyron dy të vërteta të hidhura: 

Së pari, PD ka shteruar burimet njerëzore dhe është kthyer në një tokë të djerrë, ku lisat janë prerë që në kohën kur ishin fidane. 

Së dyti, Berisha kërkon një emër jashtë partisë, që më pas t’ia faturojë atij humbjen. 

Fatkeqësisht, ende pa u shpallur kandidatura, filluan sulmet dhe baltosjet e brendshme: të tre akuzohen si “sorosianë”, “anti-berishë”, “komunistë”. 

A do të pranojnë të përdoren si alibi për humbjen e Partisë Demokratike? 

Ky është problemi i tyre dhe nuk i takon askujt të ndërhyjë në planet që kanë në të ardhmen. 

Gjithsesi një gjë është e sigurt: Berisha nuk i afron për të fituar. Atij i duhen vetëm për të ndarë humbjen. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës është gjithmonë konsideruar si paradhoma për t’u bërë kryeministër. Berisha këtë privilegj nuk e ruajti për Edlirën, Ermalin apo Florianin. Ata kanë qenë aty prej kohësh, por nuk janë konsideruar kurrë as për poste simbolike. 

Tani, thjesht, i duhen për të firmosur një humbje që do të harrohet më 7 nëntor – vetëm 24 orë pas rezultatit. Sot, Berisha nuk ka harruar vetëm si të fitojë; ai tashmë edhe humbjet i zgjedh pa dinjitet, duke u bërë qesharak në sytë e publikut. 

Mos harroni: PD ka humbur Tiranën edhe kur Berisha ishte kryeministër, madje edhe kur votat i numëronte ai bashkë me Ilir Metën. 

 

 

The post Pse PD ‘madhështore’ s’ka emra por i lutet Edlirës apo Ermalit nga partitë e vogla? first appeared on JavaNews.al.

Pse Tirana ka 25 vjet nuk voton Partinë Demokratike? 

29 September 2025 at 19:21

Nga Kreshnik Spahiu 

Më 1 tetor 2000 ndodhi fitorja e parë e Edi Ramës dhe filloi fundosja e Partisë Demokratike në Tiranë. 

Kanë kaluar plot 25 vjet që qytetarët e kryeqytetit nuk votojnë PD, përfishrë edhe Lulzim Bashën që humbi me 10 vota, por më pas mandati iu “dhurua” nga KQZ 

Po pse Tirana nuk e voton Partinë Demokratike – as për Bashkinë dhe as për qeverinë? 

PD, nga një parti qytetare, u shndërrua në një parti provinciale, duke ngjallur reaksion në kryeqytet. Në vitin 2000, nga gara u përjashtuan tre tironas autentikë: Dash Shehi, Buron Kaceli dhe Bamir Topi. PD, nga një parti e studentëve dhe intelektualëve, përjashtoi dhe eliminoi gjithë themeluesit e saj. 

Gjatë 10 viteve të para (1991–2000), PD e shkatërroi kryeqytetin me kioska, ndërtime pa leje, shtesa pallatesh dhe kaos urban. 

PD i dha prioritet “pushtuesve” dhe jo pronarëve autoktonë: ngriti bastionet në Bathore, Kamëz, dhe periferitë, duke stimuluar fenomenin “tokë e Xanun”. 

Sot askush nuk pranon të kandidojë për PD në Tiranë, sepse humbja shihet si e sigurt. Ndërkohë, çdo kryetar bashkie i Tiranës gjatë këtyre 25 viteve – Rama, Basha dhe Veliaj – ka pasur ambicie për kryeministër. 

Pse nuk garon Berisha, Flamuri, Albana, Jorida, Alimehmeti, Gazmenti, Agroni, Pollo, Belindi? 

Pse disa vite më parë garuan disa personalitete si Besnik Mustafai, Spartak Ngjela, Sokol Olldashi, Halim Kosova dhe sot nuk gjejnë emra? 

A është Tirana kaq e parëndësishme sa liderët demokratë i shmangen garës, kur dihet që një fitore në kryeqytet do të ishte paradhoma e një rotacioni politik në zgjedhjet parlamentare? 

Në botë ka plot shembuj ku kryeministra kanë qenë më parë kryetarë bashkie: 

Britania e Madhe: Boris Johnson (Londër) 

Italia: Matteo Renzi (Firence) 

 Franca: Jacques Chirac (Paris) 

Turqia: Recep Tayyip Erdoğan (Stamboll) 

 Izraeli: Ehud Olmert (Jeruzalem) 

Së fundi, dua të rikujtoj një parullë të vitit 1990 në protestat e para: 

“Tirona heroike me Partinë Demokratike.” 

Kjo parrullë u mbulua nga zhuli i zheleve. 

Në vend të saj, tingëllon “shprehja” e Qazim Mulletit: “Kur katunaria zbret në qytet, kombi është në rrezik.” 

Në fakt, satira e Qazim Mulletit nuk kishte parasysh fshatarët e thjeshtë, por provincialët që, ngjiten në poste në Tiranë por mbeten të varfër në shpirt, të varfër në mentalitet duke urryer Tiranën dhe pengesë për civilizimin. 

Pikërisht këtë sheh Tirona sot tek PD: 

“Një rrezik kombëtar.” 

Ndoshta Qazim Mulleti e paska tepruar disi por jo, Dritëro Agolli kur tha: 

“Mund ta nxjerrësh një katundar nga katundi, por jo katundin nga katundari” 

Sot edhe po ndërruan 7 lëkurë, kryeqytetin s’e fitojnë kurrë……… 

 

The post Pse Tirana ka 25 vjet nuk voton Partinë Demokratike?  first appeared on JavaNews.al.

Pse autostrada Tiranë–Durrës është më e frikshme se ajo nga Kievi në Moskë?

24 August 2025 at 09:43

Nga Kreshnik Spahiu

Piloti i avionit njoftoi uljen drejt aeroportit të Tiranës dhe të gjithë pasagjerët lidhën rripat e sigurimit. Ishte një ditë me diell dhe fluturim i qetë, pa turbulenca.

Në sediljen ngjitur ishin rastësisht Emma dhe Sophia, dy gra gjermane që po vizitonin Shqipërinë për herë të parë. Ndërkohë që avioni po zbriste mbi bregdetin e Durrësit, Emma — e impresionuar nga pamja magjepsëse e detit dhe kodrave — u kthye nga unë dhe më pyeti:

— Zotëri, sa kushton një makinë me qira? Sepse duam të eksplorojmë disa qytete të Shqipërisë.

Papritur, buzëqeshja ime ngriu dhe fytyra më tradhtoi. Nuk munda ta fsheh reagimin. Ato, çuditërisht, e kuptuan mimikën time, dhe njëra prej tyre ma ktheu me shaka:

— Ju ndoshta keni më shumë frikë makinën sesa avionin?

Qesha dhe ktheva kokën nga dritarja, duke u treguar me gisht:

— E shihni atë rrugën që shtrihet nga bregdeti deri te aeroporti? Ajo është autostrada më e rrezikshme në planet.

U shpjegova që për mijëra shqiptarë, makina është dashuria e jetës. Madje, shumë prej tyre kalojnë më shumë kohë në lavazh sesa në punë.

U thashë që jeta e disa shqiptarëve vërtitet rreth timonit të makinës, dhe e vetmja sfidë e tyre është të ecin më shpejt se të tjerët në rrugë.

U thashë se çdo 100 metra në autostradë gjen nga një “budalla” që parakalon në krahun e kundërt.

U thashë se çdo dy minuta të afrohet nga pas një fshatar me “kokën me gjashtë cepa”, që të bën dritat blic-blic, duke të kërkuar të lëshosh rrugën, sikur po i pengon garën.

U thashë që ata me Range Rover apo GL nuk i ndalon policia sepse janë djemtë e biznesmenve ose dashnoret e politikanëve.

U thashë se ajo rrugë, ndonëse vetëm 30 kilometra, ka më shumë pika karburanti sesa autostrada Berlin–Pekin, e gjatë 8000 km.

U thashë se aty ka më shumë gropa sesa në rrugët rurale të Nigerisë apo Kamerunit, dhe nuk krahasohet dot as me rrugët moderne që lidhin Egjiptin me Tanzaninë.

Pastaj shtova se kjo “autostradë” është si Kalaja e Rozafës: ndërtohet ditën dhe prishet natën.

Edhe kur mbesat e tyre të vijnë në Shqipëri pas 30 vjetësh, kjo rrugë me shumë gjasa do të jetë ende kantier ndërtimi.

Në fund, u referova statistikave: kjo rrugë ka më shumë aksidente sesa rruga midis Kievit dhe Moskës — madje, çdo ditë.

Në atë moment, avioni u ul por disa dhjetëra shqiptarë duartrokitën sikur sapo kishin shpëtuar nga vdekja në ajër — dhe të gjithë pasagjerët e huaj qeshën të habitur.

Ndërkohë, mua më nisi ankthi. Sepse tani më duhej të hyja në autostradën e makthit.

Thjesht… në ajër ndihesha më i sigurt sesa në rrugët e të marrëve.

The post Pse autostrada Tiranë–Durrës është më e frikshme se ajo nga Kievi në Moskë? first appeared on JavaNews.al.

Një akademi për “barinjtë” e hoteleve që duan turizëm elitar por shërbejnë si lopçar.

3 August 2025 at 11:34

Nga Kreshnik Spahiu

Matteo është një mik imi italian që e kam njohur 10 vjet më parë. Ai studionte në Berlin dhe ndër të tjera mbrojti nivelin C1 të gjuhës gjermane.

A e dini pse e mësoi gjermanishten në nivel shumë të lartë?

Sepse ai duhej të komunikonte me turistët gjermanë që pushonin në hotelet e prindërve të tij në Itali.
Matteo kishte tre vite që bënte trajnime dhe studime për turizëmin.

Familja e tij kishte 70 vjet që investonin në industrinë e turizmit dhe zotëronin pesë hotele në veri të Italisë (Riva del Garda, Jesolo, Venecia).

Matteo kishte pasion për bioteknologjinë, por prindërit dhe gjyshi i tij kishin insistuar që ai të shkollonte dhe të trajnohej për turizëm, që të trashëgonte biznesin familjar.

– M’u kujtua kjo histori kur dëgjova çmenduritë e operatorëve turistikë shqiptarë, që ankohen pse nuk kemi turizëm elitar, por të huajt vijnë me bukë me vete.
– M’u kujtuan pronarët e hoteleve në Shqipëri, të cilët, sapo bëjnë lekët e para të sezonit, blejnë dy Range Rover: një për djalin dhe tjetrën për dashnoren.
– M’u kujtua Janaqi nga Piqerasi, që s’kishte zbritur kurrë në Tiranë, por tallej me turistët gjermanë që “nuk dinë të hanë”.
– M’u kujtua Thimaqi nga Dhërmiu, që nuk guxon ti hysh në lokal nga muzika e lartë që të çan daullen e veshit.
– M’u kujtua Taqi dhe Raqi nga Himara, që kishin shitur hashash dhe me ato lekë hapën një hotel, por për të kursyer paratë e arkitektit, projektin e bënë me laps mbi mbulesën e tavolinës.
– M’u kujtua Kiço nga Jala, që i trefishonte çmimet sapo i vinin klientë kosovarë, sepse donte vetëm turistë “elitarë”, ndonse babai i tij kishte qenë karrocier i plahrave të fshatit.
– M’u kujtua Kokëdhima që u hodh mbi xhamin e makinës së turistëve spanjollë, sepse nuk paguanin 600 euro për një peshk të qelbur.
– Mu kujtua edhe Fiqo debili nga Ksamili që rrahu një turist nga Tetova sepse ishte ulur mbi peshqir në breg por ky donte ta ulte me zorr në shezllon 50 euro
– M’u kujtuan fëmijët e oligarkëve X apo Y, që çdo mbrëmje zihen me grushta në diskotekat e Palasës.

Miku im Matteo kishte katër breza trashëgimi në biznesin turistik, por prindërit e tij kishin vendosur që ai të studionte tre vite në Gjermani, që djali i tyre të kishte një vizion të qartë mbi tipologjinë e turistëve gjermanë – të cilët ishin klientët kryesorë të hoteleve të tyre.

Thjesht m’u kujtua dhe mendova se Shqipëria vërtet ka nevojë për një Akademi — jo për barinjtë e dhive, por për “barinjtë” e hoteleve me pesë yje, që ankohen pse nuk kanë turizëm elitar në bizneset e tyre që i menaxhojnë si lopçarë.

The post Një akademi për “barinjtë” e hoteleve që duan turizëm elitar por shërbejnë si lopçar. first appeared on JavaNews.al.

Pse Shqipëria ka shumë rrugaçë?

27 July 2025 at 19:14

Nga Kreshnik Spahiu

Ishte një pasdite shtatori e vitit 1988, kur po kthehesha nga shkolla për në shtëpi.
Në oborrin e lagjes pashë disa njerëz të ulur dhe një polic që fliste me zë të lartë.
Iu afrova me shpejtësi nga kurioziteti dhe vura re se po zhvillohej një gjyq popullor ndaj komshiut tim, Bujarit, i cili kishte vjedhur dy pula në një shtëpi private.

Pa u zgjatur shumë: në fund, Bujari u dënua me 1 vit burg dhe internim në fshat.
Pas vuajtjes së dënimit, ai nuk u kthye më në lagje, sepse i vinte turp nga komshinjtë.

Pas shumë vitesh, e takova sërish Bujarin bashkë me dy vëllezërit e tij: Ilirin dhe Sokolin.
Të tre ishin përfshirë në politikë dhe punonin si shoqërues nëpër fushata:
• Bujari me PD,
• Sokoli me PS,
• Iliri me LSI.

Pimë një kafe dhe i dëgjova me kënaqësi, por edhe me habi.

Të tre ishin pjesë e policisë, por kishin dhe punë të tjera “part-time”, jo gjithmonë të deklaruara.
“Kreshnik, kemi ndarë rolet në tri krahë,” – më thanë – “që kushdo që të vijë në pushtet, të jemi në anën e duhur.”

U ndava me ta dhe nuk i pashë më për disa vite – derisa në qershorin e kaluar, Bujari doli në disa portale dhe në kronikat rozë.

Bujari nuk ishte më polic: ishte bërë biznesmen. Madje kishte blerë një jaht dhe ishte fotografuar me një vajzë nga showbizi.
E lexova artikullin me një frymë. Bujari kishte qenë dy herë i martuar dhe kishte pesë fëmijë, por dukej shumë i dashuruar me këtë gjysmë-gazetare 25-vjeçare.

Në fakt, nuk më tërhoqi historia romantike e Bujarit, por karriera e tij “e suksesshme” që ishte shkruar në gazetë.
Pas largimit nga policia, kishte jetuar 10 vite në Holandë dhe ishte kthyer në Shqipëri me xhepin plot.
Pas “specializimeve” në Holandë për shpërndarje droge me shumicë dhe pakicë, u kthye dhe kishte punuar në doganë, në tatime dhe për disa vite në policinë bashkiake.

Mu kujtua kjo histori sot, kur pashë një video të ish-shefit të policisë që rrihte një kamarier.
Fakti është që hajdutët e pulave janë bërë zyrtar dhe pushtetar.

Në fakt, këta janë njerëz që ndoshta kanë nevojë për një gjyq popullor si në kohën e Enver Hoxhës – që t’i degjenerosh publikisht, ashtu si Bujarin dikur.

Por gjithsesi, ky nuk është vetëm problemi dhe kjo nuk është zgjidhja.
Jo më kot At Zef Pllumi shprehej me dhimbje:
“Kurrë s’e kam kuptuar se si një popull kaq i vogël si shqiptarët, ka mundur të nxjerrë kaq shumë rrugaçë.”

The post Pse Shqipëria ka shumë rrugaçë? first appeared on JavaNews.al.

Disa fakte juridike për ata që duan ta shpallin Thethin ‘Republikë të pavarur’

14 July 2025 at 19:08

Nga Kreshnik Spahiu

Po e nis me konkluzionin politik:

Qeveria nuk duhej të kishte nisur aksionin e buldozerëve në mes të sezonit turistik.

Prej disa ditësh, nuk po gjej një arsye logjike pse qeveria e filloi sulmin kundër ndërtimeve të paligjshme në mes të korrikut dhe nuk priti deri në tetor?

Megjithatë, përjashtuar kohën krejtësisht të papërshtatshme, prishja e ndërtimeve pa leje është ligjore, për disa arsye:

1.    Sipas nenit 199/a të Kodit Penal, ndërtimet e paligjshme në tokë me destinacion pyjor, bujqësor ose në zona të mbrojtura dënohen me burgim nga një deri në pesë vjet.

2.    Ndërtimet pa leje nuk parashkruhen administrativisht, që do të thotë se nuk legalizohen automatikisht pas 10 apo 20 vitesh. Parashkrimi zbatohet vetëm për ndjekjen penale, por jo për objektin. Argumenti “pse IKMT nuk i prishi më parë” nuk është justifikim ligjor për të mos vepruar më vonë.

3.    Justifikimi se ndërtime të paligjshme ka në gjithë Shqipërinë është dëshmi e dështimit të shtetit, por jo arsye ligjore për të legalizuar ndërtimet në Theth. Nëse qeveria Rama ka dështuar si ajo e Berishës për të kontrolluar territorin, kjo nuk e legjitimon anarkinë e barakave pa leje.

4.    Shumë nga subjektet që kanë ndërtuar në Theth pretendojnë pronësi, por nuk janë njohur ligjërisht si pronarë. Pa një titull pronësie, askush nuk ka të drejtë për ndërtim të përkohshëm apo të përhershëm.

5.    Sipas ligjit, IKMT duhet t’u faturojë shpenzimet e prishjes ndërtuesve pa leje. Madje, fillimisht duhet t’i detyrojë që ta prishin vetë ndërtimin (kioskat, kaninat apo bujtinat).

6.    Kisha e ndërtuar në shekullin XIX është objekt kulturor dhe historik, që mbrohet nga shteti dhe nuk mund të rrethohet nga baraka, as me bekimin e priftit të fshatit.

7.    Ndërtimet turistike nuk mund të fillojnë në Theth pa përfunduar më parë investimet në infrastrukturën bazike: ujë, energji, kanalizime, rrugë, shërbime dhe mbrojtje mjedisore. Hotelet dhe bujtinat ndërtohen në fund, jo në fillim.

8. Shteti duhet tu sigurojë banorve kredi dhe ndihma për rindërtuar sipas një plani bujtinat dhe bizneset e tyre në zonë

Ligji duhet të funksionojë njësoj për Gjirokastrën dhe për Thethin.

Egërsia politike me të cilën mbrohet betonizimi i Thethit është thellësisht provinciale.

Beteja për të mbrojtur “kioskat” pa leje është e humbur 25 vjet më parë kur në Tiranë u prishën 800 “kioska 3-4 katshe” në Parkun Rina dhe buzë Lanës. Kushdo që ka iluzionin se do bjerë qeveria nga protestat e Thethit i ka bërë llogaritë gabim. Shqiptarët lumturohen kur ja prish “kioskën” komshiut.

Sigurisht shteti ka përgjegjësinë që ende s’ka përgatitur një plan dhe kuadër ligjor.

E drejta e pronës është bazike për shoqërinë.

Pa dyshim që banorët e Thethit duhet të kenë prioritet, por atëherë kur të kuptojnë se Thethi është një pasuri kombëtare dhe jo një republikë e pavarur.

Sigurisht që malësorët e Thethit kanë të drejtë të kërkojnë tokat në pronësi e tyre 500 vjeçare, madje edhe leje ndërtimi mbi tokë, por të njëjtën të drejtë kishin edhe tironcit apo qytetarët autokton të cilët kanë 35 vite kërkojnë çlirimin e “tokave të Xanuna” në kryeqytet nga të ardhurit.

Si do ndjeheshin sot ata, nëse tironcit do shkonin t’ia u “zaptonin” tokat që trashëgojnë nga gjyshrit e tyre sipas Kanunit?

Prandaj nëse duan një Theth dhe Shqipëri demokratike, duhet ta ndërtojnë mbi ligjin apo të drejtën e pronës por edhe të bazuar mbi interesin kombëtar dhe publik.

Thethi është zemra Shqipërisë dhe krenaria jonë, por mos e groposni duke e Golemizuar dhe betonizuar më keq se Shkëmbi Kavajë.

The post Disa fakte juridike për ata që duan ta shpallin Thethin ‘Republikë të pavarur’ first appeared on JavaNews.al.

Si ndodhi që “trumpistët” shqiptarë u kthyen kundër vajzës së Trump?

27 June 2025 at 15:39

Nga Kreshnik Spahiu

Ata që e quajnë “tradhti” investimin amerikan në ishullin e Sazanit, do ta quanin akt patriotik po të ishte Berisha kryeministër.

Të jesh kundër investimeve amerikane nuk është herezi. Por të shtirresh sikur je me Trump dhe të ankohesh kundër investimeve të tij në Shqipëri, kjo është hipokrizi.

Sigurisht, euforia pas fitores së Trump po zbehet. 90% e elektoratit berishian ëndërronin që, sapo të vinte në pushtet, administrata Trump do:
• mbyllte SPAK-un,
• hiqte dekoratën Altin Dumanit,
• arrestonte Ramën,
• bënte qeveri teknike,
• hiqte “non-gratën”,
• ftonte Berishën në Amerikë.

Pas humbjes së zgjedhjeve, LaCivita iu përlau 20 milionë dollarë dhe u zhduk pa kthim. Trump ishte shpresa e fundit për ata që besuan përrallën e dy “sherifave me kapele”.

Ardhja e vajzës së Donald Trump, Ivanka, bashkë me bashkëshortin e saj në Vlorë, u shoqërua me një mori akuzash që mbushën rrjetet sociale:
• “E shitën Sazanin!”
• “Rama ortak me Trump!”
• “Tradhti kombëtare!”
• “Sazani, qendra e botës!”
• “Sazani, ishulli që mbron Mesdheun!”

Mijëra injorantë nuk kanë dijeni se:
• Greqia ka mbi 6,000 ishuj,
• Kroacia ka 1,244 ishuj.

Askush prej tyre nuk kupton sa me fat është Shqipëria që familja Trump zgjodhi një ishull të braktisur me ferra, i cili prej 35 vitesh është kthyer në një “nevojtore” e plazhistëve, krahasuar me perlat e tjera të Mesdheut.

Çudia shqiptare vjen nga ata që gjoja e quajnë veten “Trumpistë”, por brenda katër muajsh janë kthyer kundër vetë Trumpit dhe familjes së tij.
Janë të njëjtët që heshtën kur:
• Berisha i fali 6 milje det Greqisë,
• aeroporti i Rinasit iu dha një kompanie kineze,
• investitorë rusë e grekë vepronin lirshëm në Shqipëri,
• Shqipëria furnizonte Serbinë me naftë.

Sazani u nxori zbuluar fytyrën.
Ata janë më keq se gjarpërinjtë e atij ishulli të braktisur.

Duroni edhe pak javë dhe do ta akuzojnë Trump-in më të korruptuar se Soros, Biden, Macron apo edhe Meloni.
Madje shumë shpejt do të thonë:
“Rama e bleu Trump-in me dy leje ndërtimi…”

Ajo parti rrit qenie të çuditshme:
• Aty gjen “Trumpistë” që mbështesnin Iranin kur SHBA bombardoi.
• Aty gjen “Trumpistë” që janë kundër vetë Amerikës.
• Aty gjen “Trumpistë” që janë madje edhe kundër familjes Trump.

Në fakt, nëse Trump do t’i sillte në pushtet, ata do të ishin gati jo vetëm të jepnin Sazanin, por gjithë Shqipërinë – jo vetëm për Ivankën, por dhe për sekserin LaCivita, të cilit dy muaj më parë i shërbenin si kamarierë…

The post Si ndodhi që “trumpistët” shqiptarë u kthyen kundër vajzës së Trump? first appeared on JavaNews.al.

A po luan Trump një blof që në fund të bëjë pazar?

20 June 2025 at 21:54

Nga Kreshnik Spahiu

Faktikisht SHBA nuk hyri në asnjë luftë të re gjatë mandatit të parë të Donald Trump (2017–2021).

Bllofi është një taktikë klasike e Trump-it, jo vetëm në politikën e jashtme, por edhe në biznes.

Ndoshta Trump po luan një “bllof strategjik” edhe ndaj Iranit, ku kërcënon me luftë ose presion ekstrem – por në realitet, qëllimi final i tij është të arrijë një marrëveshje të re dhe të favorshme për SHBA

Gjatë mandatit të parë Trump:
• U tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin (JCPOA) në 2018.
• Vendosi sanksione shumë të rënda ndaj Iranit
• Urdhëroi vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani në janar 2020
Kjo tregon se nuk ka qenë vetëm retorikë – ai veproi fort kundër Iranit, në mënyrë agresive

Si funksionon “bllofi” nga Trump:

– Fillon me kërcënim maksimal ose retorikë shumë e ashpër,
– Dërgon trupa apo avionë në rajon,
– Vendos sanksione të ashpra që, të krijojë frikë dhe ti gjunjëzojë.
– Tensionon deri në prag lufte
• Shembulli më i famshëm: vrasja e gjeneralit Qassem Soleimani
Në atë moment, bota mendoi se lufta SHBA–Iran ishte e pashmangshme por ndërhyrja nuk ndodhi.
– Ofron “marrëveshje” si zgjidhje e paqes
• Në vend që të niste luftë, ai shpesh i ofron armikut një marrëveshje, por në kushtet e tij
• Shembull: Tha se do negocionte me Iranin për një “marrëveshje më të mirë sesa ajo e Obamës”
• Në realitet, nuk u arrit marrëveshje, por taktika ishte klasike: “presion për negociatë”

Bllofet e Trump synojnë të krijojnë imazh të fortë si lider i hekurt. Ai e përdor kërcënimin si mjet për të arritur marrëveshjen.

Kryesisht ai shmang çdo luftë sepse ka intuitë biznesi dhe e nuk dëmton ekonominë.
Tensionet ushtarake i përdor për efekt elektoral.

A mund të ndodhë sërish bllofi me Iranin?

Ndoshta…, Trump ka të ngjarë të luajë një bllof të llogaritur ndaj Iranit. Ai do të kërcënojë deri minutën e fundit me luftë, dhe do krijojë presion të madh, por në fund mund të negociojë një marrëveshje, në mënyrë që të paraqitet si “njeriu që e mbrojti SHBA-në pa derdhur gjak”. Kjo përputhet me stilin e tij të udhëheqjes dhe strategjisë tij si “bllofist”.
Fatkeqësisht një bllof i kuptuar nga kundërshtarët rrezikon ta nxjerr më të dobët këtë rradhë në sytë e gjithë planetit kur bombat por rrafshojnë Teheranin dhe Telavivin.
Gjithsesi të presim nëse Trump do ketë apo jo kurajon për të firmosur për herë të parë në jetën e tij urdhrin e futjes së SHBA në luftë me një shtet tjetër.
Shpesh paqja është më e vështirë se lufta…..

The post A po luan Trump një blof që në fund të bëjë pazar? first appeared on JavaNews.al.

A duhet Shqipëria t’i bëjë funksionalë 168 mijë bunkerët dhe tunelet?

19 June 2025 at 09:05

Nga Kreshnik Spahiu

Shqipëria nuk është e rrezikuar direkt nga lufta Iran–Izrael, por indirekt ndoshta po.

Shqipëria është fizikisht shumë larg nga Lindja e Mesme dhe nuk ka kufij me asnjë nga vendet e përfshira në konflikt.

Shqipëria nuk ka ndonjë rol ushtarak aktiv në konfliktin Izrael–Iran dhe nuk është pjesë e përplasjeve të drejtpërdrejta.

Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka një lloj mbrojtjeje kolektive, që ndihmon në shmangien e kërcënimeve të drejtpërdrejta ushtarake.

Pse ka njëfarë rreziku indirekt?

Shqipëria strehon anëtarë të organizatës opozitare iraniane MEK (Mojahedinët e Popullit), që shihet si armike nga regjimi i Iranit. Kjo e ka futur vendin në një lloj “radari” të Iranit – më shumë në aspektin kibernetik dhe propagandistik sesa ushtarak.

Shqipëria ka qenë më parë shënjestër e sulmeve kibernetike nga Irani (në vitin 2022), pas tensioneve për strehimin e MEK. Kjo është një fushë ku Irani ka vepruar në mënyrë aktive edhe ndaj vendeve më të vogla që lidhen me interesat e tij.

Nëse konflikti Iran–Izrael përshkallëzohet në një luftë më të gjerë rajonale, mund të ndikojë në:

• çmimet e naftës dhe gazit (gjë që ndikon edhe Shqipërinë);
• rrjedhje refugjatësh apo kriza globale;
• tensione në Bosnje, Kosovë apo Ballkan

Shqipëria nuk është në vijën e parë të rrezikut nga lufta Iran–Izrael, por ka një ndjeshmëri të kufizuar, kryesisht për shkak të:
• lidhjes me MEK,
• sulmeve kibernetike të së kaluarës,
• varësisë ekonomike nga tregjet globale dhe sigurisë energjetike.

A duhet qeveria të bëjë gati bunkerët për efekt sigurisë kombëtare?

Ndoshta jo të gjithë bunkerët dhe tunelet duhet të restaurohen apo bëhen funksionale, por një pjesë e tyre.
Bunkerët janë simbol i një periudhe unike të historisë shqiptare. Mund të shndërrohen në muze, qendra edukative, ose pika turistike që tregojnë realitetin e izolimit gjatë diktaturës. Ato mund të rikthehen në rast një lufte ajrore dhe bombardimesh.

Turizëm alternativ – Në vende si Gjermania apo Çekia, bunkerët e vjetër janë kthyer në atraksione turistike. Edhe Shqipëria mund të zhvillojë këtë sektor për të tërhequr turistë të interesuar për historinë ushtarake apo të Luftës së Ftohtë.

Funksione praktike moderne – Disa tunele mund të përshtaten si strehime emergjente, magazina publike, qendra rinore, ose hapësira për art dhe kulturë urbane.

Shumë vende në Europe po i rivitalizojne bunkerët në Finlandë, Gjermani etj

Në fakt kostoja e pastrimit dhe mirëmbajtjes së mijëra bunkerëve është shumë e lartë dhe jo e justifikueshme për një vend me prioritet më të madh në infrastrukturë, shëndetësi, dhe arsim.

• Shumë prej tyre janë të paaksesueshëm, në zona malore, të degraduar dhe pa ndonjë vlerë reale funksionale.
• Rreziku mjedisor ose ndotja mund të jetë i lartë në disa prej tyre nëse nuk trajtohen siç duhet.

Shqipërisë i duhet një projekt kombëtar për:
• inventarizimin e bunkerëve dhe tuneleve;
• klasifikimin sipas vlerës historike, vendndodhjes dhe potencialit funksional;
• zhvillimin e zgjedhur të atyre me potencial ushtarak, ekonomik, turistik ose social.

Shqipëria nuk ka nevojë t’i funksionalizojë të 168.000 bunkerët, por duhet disa ti zhvillojë me qëllim mbrojtje apo luftarak dhe pjesa tjetër efekt historik, turistik dhe praktik. Kjo është një mënyrë për të respektuar të kaluarën, por edhe për ta përdorur atë në të ardhmen.

The post A duhet Shqipëria t’i bëjë funksionalë 168 mijë bunkerët dhe tunelet? first appeared on JavaNews.al.

❌
❌