Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 16 January 2026Main stream

Gripi dhe Flama, Shqipëria ndalon importin e shpendëve nga 3 vende

16 January 2026 at 13:22

Nga Gazeta Si- Shqipëria ka ndaluar importi e kafshëve të gjalla, shpendëve të gjallë shtëpiakë, zogjve 24-orësh, mishit të freskët, vezët dhe materialin biologjik të shpendëve nga Sllovenia, Spanja dhe Polonia.

Ky vendim ka ardhur pasi në këto vende janë zbuluar raste të sëmundjes së gjuhës blu tek kafshët dhe flamës e gripit të shpendëve.

Konkretisht, sëmundja e gjuhës blu është zbuluar në Slloveni, flama në Spanjë dhe influence aviare në Poloni.

Sipas urdhrave të publikuar në Fletoren Zyrtare, ndalohet importi dhe tranzitimi për në territorin e Shqipërisë i të gjitha kafshëve të gjalla dhe shpendëve nga këto 3 vende.

The post Gripi dhe Flama, Shqipëria ndalon importin e shpendëve nga 3 vende appeared first on Gazeta Si.

Skandal në Qendrën e Gjadrit/ 27-vjeçari me probleme mendore zhduket pa gjurmë

16 January 2026 at 12:26

Nga Gazeta Si- “Historia e Assane Thiaw është një dështim i shtetit italian. Po flasim për një të ri me çrregullime të rënda psikologjike i cili u zhduk nga duart e shtetit”.

Kjo u deklarua nga senatorja Ilaria Cucchi e Aleancës së të Gjelbërve dhe të Majtës në Itali, duke komentuar përgjigjen e Ministrit të Brendshëm Matteo Piantedosi ndaj pyetjes së saj në lidhje me 27-vjeçarin senegalez i cili u zhduk pasi u mbajt për muaj të tërë në Qendrën e Pritjes së Përkohshme në Milano e më pas u dërgua në Gjadër.

Sipas Cucchi-t, Hassan qëndroi në Qendrën e Pritjes së Përkohshme të Milanos “për nëntë muaj të plotë, pavarësisht se gjendja e tij psikofizike ishte e papajtueshme me ato vende”.

“Na thuhet se atyre u bëhet një vlerësim mjekësor para pranimit, dhe se në rastin e tij ai ishte i aftë për paraburgim. Por në realitet, ky nuk ishte rasti”, deklaroi ajo, duke argumentuar se ka “një mijë dëshmi nga të burgosurit dhe madje edhe video që vërtetojnë të kundërtën”.

Senatorja rindërtoi se si Assane qëndroi në Qendrën e Pritjes së Përkohshme të Milanos “derisa u publikuan ato video”, pas së cilës ai u transferua nga Qendrën e Pritjes së Përkohshme të Milanos në qendrën në Shqipëri.

“Për muaj të tërë e kemi dëgjuar Kryeministren Giorgia Meloni të thotë se CPR-të në Shqipëri do të funksionojnë”, shtoi ajo, “dhe duhet të them se në këtë rast ato funksionuan, sepse ata e kuptuan menjëherë se gjendja fizike dhe mendore e Hassanit e bënte atë të papajtueshëm me ato vende, dhe e dërguan përsëri në Itali.”

Problemi, këmbëngul Cucchi, është ajo që ndodhi më pas.

Që prej momentit që Qendra e Gjadrit tha se Hassan nuk mund të qëndrojë aty për shkak të problemeve që kishte, ai u zhduk!

“Problemi sot është se ne kemi humbur çdo gjurmë nga Hassan”.

Ajo tha se e ka pyetur shumë herë Ministrin e Brendshëm por nuk ka marrë kurrë përgjigje.

“Sot e kuptoj pse ministri nuk u përgjigj kurrë: thjesht sepse nuk dinte asgjë. Asgjë”, tha ajo.

Sipas saj, Ministri nuk e di se ku është Hassan sot, edhe pse në gjendjen e tij, ai përbën rrezik për veten dhe për të tjerët.

“Ministri që vazhdon të përdorë fjalën ‘siguri’ por duhet të më kishte shpjeguar se çfarë do të thotë siguria sot, në lidhje me një person që endet nëpër Itali pa ditur askush asgjë. E konsideroj këtë jashtëzakonisht serioze dhe e konsideroj edhe më serioze që Ministri i Brendshëm nuk di absolutisht asgjë për të gjitha këto”, përfundon Cucchi.

The post Skandal në Qendrën e Gjadrit/ 27-vjeçari me probleme mendore zhduket pa gjurmë appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Pezullimi i vizave, Ambasada Amerikane në Tiranë: Nuk hiqen vizat aktuale të vlefshme

15 January 2026 at 11:15

Nga Gazeta Si- Ambasada amerikane në Tiranë ka sqaruar se cilët qytetarë shqiptarë mund të udhëtojnë në drejtim të SHBA-ve dhe cilat kategori janë të ndaluara.

Sipas njoftimit, shqiptarët që disponojnë vizë amerikane lejohet të udhëtojnë drejt SHBA-ve vetëm nëse kanë për qëllim turizmin, pushimet, blerjet, takime biznesi apo vizite te miqtë e të afërmit.

Ambasada thekson se nuk lejohet udhëtimi drejt SHBA-ve me qëllim lindjen e fëmijës, studimi për një diplomë apo me qëllim pune.

Ambasada sqaron se emigrantët duhet të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë financiare për amerikanët.

Gjithashtu, në njoftimin e përditësuar janë sqaruar edhe disa nga pyetjet më të shpeshta që kanë personat e interesuar.

Çfarë ndodh me takimin për intervistën e vizës emigruese?

Aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për ta gjatë kësaj periudhe pezullimi.

A ka ndonjë përjashtim?

Personat me dyshtetësi që aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i listuar më sipër janë të përjashtuar nga ky pezullim.

A ndikon kjo në vizën aktuale të vlefshme?

Asnjë vizë emigrimi nuk është hequr si pjesë e këtij udhëzimi. Për pyetje që lidhen me hyrjen në Shtetet e Bashkuara, të gjithë mund të kërkojnë informacione te Departamenti i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara.

A zbatohet kjo për vizat turistike?

Jo, ky pezullim zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese. Vizat turistike janë viza jo-emigruese.

Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të 75 vendeve.

The post Pezullimi i vizave, Ambasada Amerikane në Tiranë: Nuk hiqen vizat aktuale të vlefshme appeared first on Gazeta Si.

Për herë të parë në histori, astronautët kthehen më herët nga misioni hapësinor

15 January 2026 at 10:47

4 astrunautë janë rikthyer në Tokë 1 muaj më herët se sa ishte planifikuar, ngjarje që ndodh për herë të parë në histori.

Ekuipazhi u detyrua të largoheshin nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar një muaj më herët nga sa ishte parashikuar sepse një prej tyre ka një problem shëndetësor.

Astronautët e NASA-s Zena Cardman, Mike Fincke, Kimiya Yui dhe Oleg Platonov, u ulën në Oqeanin Paqësor pas 11 orësh udhëtim.

Kjo është hera e parë në historinë 25-vjeçare të stacionit që misioni merr fund para kohe për shkak të një problemi shëndetësor.

NASA nuk ka dhënë detaje për cilin nga astronautët bëhet fjalë apo për situatën. Megjithatë, tha se është nën kontroll dhe jo urgjencë.

Problemi shëndetësor e detyroi NASA-n të anulonte një shëtitje të planifikuar në hapësirë më 8 janar, ku Cardman dhe Fincke do të bënin riparime në pjesën e jashtme të stacionit.

Astronautët e Creë-11 kaluar 165 ditë në Stacionin Hapësinor.

Ata shkuan atje në gusht dhe duhet të qëndronin deri në fund të shkurtit. Tani në stacion kanë mbetur vetëm tre persona: astronauti Chris Ëilliams dhe kozmonautët Sergey Kud-Sverchkov dhe Sergei Mikaev.

The post Për herë të parë në histori, astronautët kthehen më herët nga misioni hapësinor appeared first on Gazeta Si.

Arratisja e Altin Ndocit/ Të burgosurit me rrezikshmëri të lartë transferohen nga burgu i Durrësit në Fier

14 January 2026 at 21:17

Pas arratisjes së Altin Ndocit ditën e djeshme, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur transferimin e disa të dënuarve e të paraburgosurve që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë nga institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale në Durrës drejt burgut të Fierit.

Burgu i Durrësit nuk klasifikohet si institucion me siguri të lartë. Ai kategorizohet si institucion paraburgimi, ndaj DPB ka vlerësuar, pas ngjarjes së rëndë, që personat me rrezikshmëri të lartë të mos qëndrojnë më në këtë strukturë.

Mësohet se masat kanë të bëjnë vetëm me transferimin e të dënuarve me rrezikshmëri të lartë dhe nuk përfshijnë zyrtarët e arrestuar, të cilët do të vijojnë të qëndrojnë në Durrës.

The post Arratisja e Altin Ndocit/ Të burgosurit me rrezikshmëri të lartë transferohen nga burgu i Durrësit në Fier appeared first on Gazeta Si.

SHBA pezullon vizat për Shqipërinë, CNN: Nuk preken vizat turistike dhe studentore

14 January 2026 at 18:34

Pas pezullimit të lotarisë amerikane, DASH ka lajmëruar ndalimin e dhënies së vizave nga 21 janari për Shqipërinë.

Administrata Trump po pezullon të gjithë përpunimin e vizave për vizitorët nga 75 vende, përfshirë Shqipërinë. Kështu ka raportuar këtë të mërkurë Fox News duke cituar një dokument nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve.

Kosova, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Somalia, Rusia, Irani, Afganistani, Brazili, Nigeria, Tajlanda janë ndër vendet e prekura, sipas raportit.

Sipas CNN, pezullimi vlen për vizat e emigrantëve, të tilla si ato për punësim ose për t’u bashkuar me familjen në SHBA. Pezullimi nuk vlen për vizat studentore dhe turistike, dhe si i tillë nuk do të zbatohet për ata që kërkojnë të udhëtojnë për në Kupën e Botës në SHBA këtë verë.

“Departamenti i Shtetit do t’i bëjë pauzë shqyrtimit të vizave për emigrantë nga 75 shtete, emigrantët të cilët marrin ndihma sociale nga populli amerikan në nivele të papranueshme. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi deri kur SHBA-ja të sigurohet që migrantët e rinj nuk do të përfitojnë nga populli amerikan”, shkroi Departamenti amerikan i Shtetit në X.

Ndërkohë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Tommy Pigott deklaroi se “Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump po i jep fund abuzimit të sistemit të emigrimit të Amerikës nga ata që synojnë të pasurohen nga populli amerikan”.

Pezullimi vjen në mes të një goditjeje të gjerë ndaj emigracionit të ndjekur nga presidenti republikan i SHBA-ve, Donald Trump, që kur mori detyrën janarin e kaluar.

Në nëntor, Trump kishte premtuar të “pezullonte përgjithmonë” migracionin pas një të shtëne pranë Shtëpisë së Bardhë nga një shtetas afgan që vrau një pjesëtar të Gardës Kombëtare.

Në komunikatën e dërguar në përfaqësitë diplomatike në mbarë botën udhëzoheshin zyrtarët konsullorë të zbatonin rregulla të reja gjithëpërfshirëse të kontrollit sipas të ashtuquajturit dispozitë “public charge” të ligjit të emigracionit.

Udhëzimi i kërkon zyrtarëve konsullorë të refuzojnë vizat për aplikantët që vlerësohen se ka gjasa të mbështeten në përfitime publike, duke marrë në konsideratë një gamë të gjerë faktorësh, përfshirë shëndetin, moshën, njohuritë e gjuhës angleze, gjendjen financiare dhe madje edhe nevojën e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë.

Aplikantët më të moshuar ose mbipeshë mund të refuzohen, ashtu si edhe ata që kanë pasur ndonjë përdorim të mëparshëm të ndihmës financiare shtetërore ose janë institucionalizuar.

Lista e plotë e vendeve për qytetarët e të cilëve pezullohet dhënia e vizave amerikane:

Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbaixhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje-Hercegovinë, Brazil, Burma, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbërt, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kuba, Republika Demokratike e Kongos, Dominika, Egjipti, Eritrea, Etiopia, Fixhi, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Grenada, Guatemala, Guinea, Haiti, Iran, Irak, Xhamaika, Jordani, Kazakhstan, Kosova, Kuvajt, Kyrgyzstan, Laos, Liban, Liberi, Libi, Maqedonia e Veriut, Moldova, Mongolia, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeria, Pakistan, Republika e Kongos, Rusia, Ruanda, Saint Kits dhe Nevis, Saint Lucia, Saint Vincent dhe Grenadines, Senegal, Sierra Leone, Somalia, Sudani Jugor, Sudan, Siria, Tanzania, Tailanda, Togo, Tunizia, Uganda, Uruguaj, Uzbekistan and Jemen.

The post SHBA pezullon vizat për Shqipërinë, CNN: Nuk preken vizat turistike dhe studentore appeared first on Gazeta Si.

Copernicus: Viti 2025, i treti më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë

14 January 2026 at 09:42

Viti 2025 ishte viti i tretë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë në planet, duke iu afruar nivelit të rekordeve të mëparshme, 2024 dhe 2023, ka njoftuar Observatori Europian i Kopernikut dhe Instituti i Tokës Berkeley në SHBA.

Për herë të parë, temperaturat mesatare të sipërfaqes në Tokë në tre vitet e fundit tejkaluan nivelin e epokës para-industriale (1850-1900) me më shumë se 1.5° Celsius, që ishte qëllimi më ambicioz i Marrëveshjes së Parisit, të miratuar një dekadë më parë, për të kufizuar rritjen e temperaturave globale.

Shkencëtarët e klimës tani e shohin si të pashmangshme që ky prag të shkelet me kalimin e kohës, me çmimin e valëve të nxehtësisë gjithnjë e më të shpeshta dhe afatgjata dhe ngjarjeve ekstreme më intensive, shkatërruese dhe vdekjeprurëse.

“Temperaturat vjetore të ajrit sipërfaqësor ishin mbi mesataren mbi 91% të globit”, tha Samantha Burgess, drejtuese e strategjisë klimatike në Qendrën Europiane për Parashikime të Motit me Afat Mesëm, e cila menaxhon Copernicus.

“Arsyeja kryesore për këto temperatura rekord është akumulimi i gazrave serrë në atmosferë, kryesisht për shkak të djegies së lëndëve djegëse fosile”, tha ajo në një konferencë për shtyp.

“Ndërsa gazrat serrë vazhdojnë të grumbullohen në ajër, temperaturat vazhdojnë të rriten, përfshirë edhe në oqean. Nivelet e detit vazhdojnë të rriten dhe akullnajat, akulli i detit dhe shtresat e akullit vazhdojnë të shkrihen.”

Kufiri prej 1.5 gradësh tani konsiderohet i humbur

Udhëheqësit botërorë u zotuan të kufizojnë ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius në Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015. Megjithatë, tejkalimi ose afrimi i vazhdueshëm i këtij limiti gjatë tre viteve të fundit tani e bën objektivin pothuajse të paarritshëm.

The post Copernicus: Viti 2025, i treti më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë appeared first on Gazeta Si.

Fjalori i madh i gjuhës shqipe që lë jashtë Kosovën

13 January 2026 at 13:15

Gazeta “SI”- Fjalori i madh i gjuhës shqipe me 125 mijë njësi leksikografike i cilu u publikua të martën online  llogaritet si fjalori më voluminoz i shqipes. Por, krejt kjo punë është bërë njëanshëm nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë pa bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Duke paralizuar edhe funksionimin e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, që përbëhej nga anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Nga ideja e standardizimit të leksikut për të vënë parimet bazë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë kishte kapërcyer te projekti për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe pa kurrfarë marrëveshjeje

“Në Këshillin Ndërakademik ishte parashikuar të diskutoheshin çështjet e leksikut. Së pari, pra, do të përcaktoheshin parimet e punës dhe do të zgjidheshin dilemat. Ne, në Akademinë e Kosovës, nuk e kemi parë të arsyeshme të punojmë pa ato parime dhe nuk kemi pranuar të përfshihemi në atë mënyrë”, ka thënë për Koha.Net gjuhëtari, profesori universitar e akademiku Bardh Rugova.

Ai ka shtuar se nuk kërkon ta gjykojë punën e askujt.

“Por mendoj se nuk mund të ketë projekte të gjuhës shqipe pa përfshirjen e ASHAK-ut. Shqipja nuk është e drejtë autoriale e askujt. Fjalorët, në radhë të parë, janë mjete standardizuese. Nuk do të duhej të hartoheshin në atë mënyrë, pa marrëveshje ndërinstitucionale”, ka thënë ai. Kurse përsa i përket funksionit të Këshillit Ndërakademik, Rugova ka qenë po ashtu i prerë.

“Tani nuk ka më kuptim të ketë Këshill Ndërakademik. Për çfarë do të shërbente?”, ka thënë ai.

Bardh Rugova

“Projekti bashkë me grupin fillestar të autorëve të veprës u miratuan dhe u pranuan nga ASHSH e nga ASA, si dhe u mbështetën me bashkëpunimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës (IAP) e të Universitetit të Kalabrisë (Kozencë), me leksikografë nga Universiteti i Tiranës, nga Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës, nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës dhe nga leksikografë të tjerë nga Republika e Shqipërisë, nga Republika e Kosovës, nga Republika e Maqedonisë së Veriut, nga Palermoja”. Krejt kjo është bërë pa Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës e po ashtu pa miratim të leksikografëve të Universitetit të Prishtinës.

Ky projekt do të niste më 2021 duke angazhuar në grupet e punës disa studiues të Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Pavarësisht se në janar të vitit 2020 dy akademitë ishin marrë vesh për “rithemelimin” e Këshillit një vit më vonë, ASHASH-i nisi projektin për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe pa u marrë vesh për parimet e standardizimit të leksikut me ASHAK-un. Redaksia e Fjalorit përbëhet nga: akademik Jani Thomai si kryeredaktor, akademik Valter Memisha në cilësinë e zëvendëskryeredaktorit dhe sekretarit shkencor, Shezai Rrokajt, po ashtu si zëvendëskryeredaktor dhe anëtarët Dhimitër (Miço) Samara, Shefkije Islamaj, akademik Gjo­valin Shkurtaj, Ali Jashari, Anila Omari dhe Anila Kananaj. Te hartuesit pos këtyre emrave figurojnë edhe: Artur Lama, Abdurr­ahim Maxhuni, Idriz Metani, Juliana Kume, Mimoza Priku, Naim Berisha, Rozana Rushiti, Teuta Toska, Rezarta Draçini, Sejdi Gashi, Manjola Zaçellari, Behar Hoxhaj, Resul Telhaj, Olger Brame, Engjëllushe Karaj, Petrit Zeneli dhe Viktor Bakillari.

Fjalori i publikuar në parathënie sqaron se posedon rreth 105 mijë  fjalë në zëra të veçantë, pastaj rreth 3 mijë e 500 fjalë “të fshehura” në kuptime si emra, mbiemra e ndajfolje, rreth 12 mijë e 500 njësi frazeologjike, rreth 5 mijë togfjalësha terminologjikë, rreth një mijë e 200 emërtime shkurtësore, rreth 250 terma të rinj të paasimiluar fonetikisht, rreth 1.650 shprehje të huaja të paasimiluara e rreth 250 mijë  kuptime leksikore.

Bazuar në parathënie, Fjalori  vjen si vepra leksikografike prej kohësh e munguar dhe mjaft e kërkuar nga shumë përdorues të gjuhës shqipe.

The post Fjalori i madh i gjuhës shqipe që lë jashtë Kosovën appeared first on Gazeta Si.

Lumi Seman çan argjinaturën/ 20 banesa të përmbytura, qindra hektarë tokë bujqësore nën ujë

13 January 2026 at 09:52

Lumi Seman ka çarë argjinaturën në zonën e Dërmenasit, njësia administrative Libofshë.

Si pasojë, rreth 20 banesa janë përmbytur, ndërsa qindra hektarë tokë bujqësore janë vënë nën ujë.

Në terren kanë mbërritur eskavatorë dhe mjete të rënda, të cilat po punojnë për të reduktuar dëmet dhe për të stabilizuar argjinaturën.

Prej ditësh, vendi ynë është përballur me reshje intensive dhe përmbytje, ku më të rëndat kanë qenë në Durrës, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër.

The post Lumi Seman çan argjinaturën/ 20 banesa të përmbytura, qindra hektarë tokë bujqësore nën ujë appeared first on Gazeta Si.

Strehim dhe kujdes mjekësor për fëmijët me zgjebe në Durrës. Punë të rregullt për mamanë

12 January 2026 at 19:57

Nga Gazeta ‘SI’ – Grupi Teknik Ndërsektorial, autoriteti përgjegjës për menaxhimin e rasteve të braktisjes së fëmijëve, ka vendosur që tre fëmijët e gjetur në kushte të rënda në Durrës të marrin trajtim të specializuar për infeksionin e lëkurës (zgjebe). Ata do të qëndrojnë të shtruar në spital deri në përfundimin e plotë të kurimit.

Masat e marra përfshijnë sigurimin e të gjitha barnave të nevojshme, ndërhyrje mjekësore për nënën dhe fëmijët, si dhe veprime të menjëhershme higjieno-dizinfektuese në banesën ku ata jetonin. Po ashtu, është planifikuar pastrimi i plotë i apartamentit me qëllim eliminimin e çdo rreziku për përhapjen e infeksionit.

Për nënën e fëmijëve, Blerina Basha, nëpërmjet Zyrës së Punës do të shqyrtohet mundësia e sigurimit të një vendi pune me orar të rregullt 8-orësh. Kjo masë synon të reduktojë ngarkesën e saj aktuale të punës, e cila arrin deri në 16 orë në ditë, dhe t’i krijojë mundësi për t’u kujdesur më mirë për fëmijët. Ajo do të përfitojë gjithashtu mbështetje psiko-sociale.

Drejtuesja e Shërbimit Social në Bashkinë e Durrësit, Diola Xhango, bëri me dije se në mbledhjen e Grupit Teknik morën pjesë përfaqësues nga Shërbimi Social, Policia, Shëndetësia dhe organizata joqeveritare. Sipas saj, u dakordësua një plan i koordinuar për mbështetjen, rikthimin dhe integrimin e familjes në komunitet.

Autoritetet do të ndjekin edhe procedurat administrative për pajisjen e familjes me dokumentacionin e nevojshëm dhe ndryshimin e regjistrimit civil, i cili aktualisht figuron në Vaun e Dejës, ndërsa Blerina Basha është me origjinë nga Berati. Regjistrimi i ri në Durrës do t’u mundësojë atyre akses në skemat e strehimit social të bashkisë.

Nga ana e saj, 33-vjeçarja Blerina Basha ka deklaruar se nuk i ka braktisur fëmijët, por ka qenë e detyruar të punonte me orë të zgjatura për të siguruar mbijetesën. Ajo pretendon se e gjithë situata është një kurth i ngritur nga ish-vjehrra e saj.

Në dëshminë e dhënë, Basha tha se si një nënë e divorcuar me tre fëmijë, ishte e detyruar të punonte deri në 16 orë në ditë për një pagë prej 400 mijë lekësh të vjetra, nga të cilat 300 mijë shkonin për qira.

Ndërkohë, gjyshja e fëmijëve tregoi me detaje momentin kur u zbulua gjendja e tyre. Ajo tha se, pasi u kthye nga Italia, ku ka jetuar për 33 vite, shkoi për të takuar nipërit, por u përball me një situatë alarmante: fëmijët ishin të mbyllur brenda banesës, të mbuluar me batanije, ndërsa shtëpia ishte e paorganizuar dhe me erë të rëndë.

The post Strehim dhe kujdes mjekësor për fëmijët me zgjebe në Durrës. Punë të rregullt për mamanë appeared first on Gazeta Si.

33-vjeçarja mohon të ketë braktisur fëmijët, ish-vjehrra: I lije vetëm dhe shkoje të bëje flokët 300 euro

12 January 2026 at 14:14

Nga Gazeta Si- Ish-vjehrra e 33-vjeçares Blerina Basha, e cila akuzohet për braktisje të tre fëmijëve të saj të mitur, ka folur për mediat duke thënë se i ka ndihmuar gjithmonë fëmijët dhe ish-nuset e të birit me para dhe veshje.

“Dhe prindërit e saj e dinë që unë i dërgoj para edhe pse ajo e mohon. Ajo i bën lekët rrush e kumbulla, duke rregulluar flokët nga 300 euro, bën qerpikët, buzët e thonjtë”, ka thënë për mediat vjehrra e 33-vjeçares e cila akuzohet se ka braktisur 3 fëmijët e saj në banesë për disa ditë.

Ajo tregon se nuk e dinte se fëmijët kishin që në nëntor pa shkuar në shkollë dhe se ishin sëmurë.

“Nga gjithë ai zhul vjen zgjebja. E vura re kur pashë djalin e madh që kishte plagë në trup. Ne do ta ndjekim situatën me gjykatë që të marrim kujdestarinë e fëmijëve”, thotë ajo.

Ndërkohë mamaja e 3 fëmijëve mohon të ketë braktisur fëmijët e saj gjithashtu dhe ndihmën që ish-vjehrra pretendon se i ka dhënë. Duke komentuar pamjet brenda shtëpisë, nëna e 3 fëmijëve thotë se është një kurth nga ish-vjehrra.

Ajo ka thënë se fëmijët kishin 1 muaj pa shkuar në shkollë për shkak se kanë qenë sëmurë e më pas ishin pushimet e fundvitit.

Duke sqaruar pretendimet e ish-vjehrrës, ajo thotë se fëmijët i ka lënë vetëm gjatë ditës pasi i duhet të punojë për të siguruar para për t’i rritur.

“Ia kam thënë edhe policisë, shtëpia ime ka pasur disa rroba në krevat, por është futur një dorë tjetër për të bërë gjithë rrëmujën. Nëse do jetonin në ato gjendje, fëmijët s’do ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Mjekët kanë kryer ekzaminime dhe janë në gjendje shumë të mirë. Dyshohej për zgjebe, ishte infeksion lëkure. Kanë marrë një raport 2 javor dhe kaq. Infeksioni më thanë që është marrë në shkollë, por është gjë që kalon. Që prej përmbytjes jemi pa ujë, kam prova dhe fakte të tjera dhe do hedhim poshtë pretendimin e gjyshes”, thotë 33-vjeçarja.

Ajo thotë se ka kërkuar ndihmë sociale por duke qenë se ka televizor dhe lavatriçe, nuk e ka fituar.

Ajo prej 5 vitesh është ndarë nga babai i fëmijëve dhe ka deklaruar se vetëm së fundmi ka marrë një pagesë mujore prej 18 mijë lekësh nga ai.

“Unë do luftoj, kujdestarinë nuk ma heqin dot. Me pas mundësinë familje ime s’më lejonte kurrë të punoja dy turne. Familja ime jeton jashtë”, ka deklaruar ajo.

The post 33-vjeçarja mohon të ketë braktisur fëmijët, ish-vjehrra: I lije vetëm dhe shkoje të bëje flokët 300 euro appeared first on Gazeta Si.

Të vetëm në banesë dhe pa ushqim, 3 fëmijë dyshohet se u braktisën nga e ëma. Strehohen në Spitalin e Durrësit

11 January 2026 at 23:36

Gazeta Si – Tre të mitur janë gjetur pasditen e kësaj të diele, ku dyshohet se janë braktisur nga e ëma në banesën e tyre në Durrës.

Policia njofton se ka qenë ish-vjehrra e nënës së fëmijëve, me iniciale D.V., e cila ka njoftuar se ish-nusja e djalit të saj, Blerina Basha, kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte.

Nëna 33-vjeçare, e divorcuar, është shoqëruar në polici dhe është vënë nën hetim në gjendje të lirë nga autoritetet për veprën penale “keqtrajtimi i të miturve”.

Sipas policisë tre fëmijët u dërguan fillimisht në spital për kontrolle mjekësore, ndërsa më pas u vendosën nën kujdesin e Qendrës së Mbrojtjes së Fëmijëve në Durrës.

Nëna e fëmijëve që dyshohet se i ka braktisur

Burime nga policia bëjnë me dije se shkaku i braktisjes së 3 fëmijëve nga nëna e tyre 33-vjeçare është një konflikt mes kësaj të fundit dhe gjyshes së të miturve nga ana e babait, e cila ka kërkuar t’i marrë në kujdestari.

Sipas burimeve, fëmijët kishin rreth tre ditë pa ushqim dhe prej një muaji nuk kishin ndjekur shkollën. Ata janë gjetur të mbuluar me batanije për shkak të të ftohtit, ndërsa banesa ishte në gjendje të rëndë rrëmuje, me rroba të shpërndara në dysheme.

Fëmijët i janë nënshtruar ekzaminimeve mjekësore dhe janë konstatuar me probleme shëndetësore të lidhura me gjendjen e braktisjes. Aktualisht ata janë marrë nën kujdesin e organeve përkatëse.

Në dëshminë e saj të dhënë në polici, nëna 33-vjeçare akuzon ish-vjehrrën e sa: “Ky është kurth nga ish-vjehrra, e cila më ka paditur se braktis fëmijët. Si mund ta bëj këtë kur unë vetë punoj? Më ka hyrë pa leje në shtëpi, ka mësuar fëmijët të flasin keq kundër meje. Nuk e di, por kjo është e patolerueshme: si vjen në shtëpinë time pa leje dhe më denoncon në polici? Do t’i mbroj fëmijët, se babai i fëmijëve ka qenë në burg në Itali për 5 vjet. Doli nga burgu dhe ka paguar për fëmijët 180 mijë lekë të vjetra. Si mund t’i ushqej fëmijët me 180 mijë të vjetra në muaj?”.

Ndërkohë lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila përmes një njoftimi në rrjetet sociale bën të ditur se 3 fëmijët po qëndrojnë në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve, të shoqëruar edhe nga nëna, ndërkohë që iu është siguruar ushqim dhe  veshmbathja e nevojshme.

Po ashtu Ministria bën të ditur se në vijim, do të mblidhet Grupi Teknik Ndërsektorial, për të vendosur mbi masat e mëtejshme për mbrojtjen e fëmijëve.

The post Të vetëm në banesë dhe pa ushqim, 3 fëmijë dyshohet se u braktisën nga e ëma. Strehohen në Spitalin e Durrësit appeared first on Gazeta Si.

Lumi Vjosa, Semani dhe Shkumbini dalin nga shtrati, përmbyten toka bujqësore

11 January 2026 at 09:46

Gazeta Si – Reshjet intensive të shiut kanë sjellë rritje të ndjeshme të niveleve të lumenjve në vend, ndërsa në zonat mbi 300 metra mbi nivelin e detit janë rikthyer edhe reshjet e dëborës.

Situata më problematike paraqitet në jug të vendit, ku lumi Vjosa ka arritur sërish kuotën maksimale prej 7.45 metrash pranë Urës së Mifolit, duke përmbytur zonën e tregut.

Prurjet vijojnë me intensitet të lartë edhe në Memaliaj, ku niveli ka shkuar në 7 metra, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se në orët në vijim Vjosa mund të arrijë deri në 8.5 apo 9 metra.

Në qarkun e Fierit, prurjet e lumit Seman mbeten të larta. Lumi ka dalë nga shtrati në fshatin Murriz, duke përmbytur oborre banesash dhe me qindra hektarë tokë bujqësore në zonat Roskovec–Patos dhe Fier.

Ndërkohë edhe lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati në fshatin Thanasaj, ku uji ka prekur rreth 20 banesa.

Strukturat e Bashkisë Lushnjë ndodhen në terren dhe po shqyrtojnë mundësinë e evakuimit të banorëve.

Nga ana tjetër, reshjet e dëborës janë rikthyer në Rrugën e Kombit, por situata paraqitet nën kontroll.

Qarkullimi i mjeteve vijon normalisht, ndërsa autoritetet kanë ndërhyrë me hedhje kripe në të gjithë aksin dhe u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë.

The post Lumi Vjosa, Semani dhe Shkumbini dalin nga shtrati, përmbyten toka bujqësore appeared first on Gazeta Si.

Borë në tunelin e Murrizit dhe Llogara, qindra automjete të bllokuara në trafik

10 January 2026 at 18:05

Gazeta Si – Reshjet e dendura të dëborës bllokojnë rrugën e Arbrit. Shkak janë bërë makinat pa zinxhir dhe makinat pa goma dimërore.

Bllokimi i rrugës vijon nga Ura e Vashës deri në hyrje të tunelit të Murrizit. Sipas burimeve, policia nuk ka lejuar makinat që janë pa goma bore të lëvizin në këtë aks.

Bllokime të shumta ka në afërsi të tunelit të Murrizit, ku qindra mjete kanë mbetur të bllokuara gjatë orëve të fundit.

Situata paraqitet problematike veçanërisht në segmentin nga dalja e tunelit deri te Ura e Vashës, në Njësinë Administrative Xibër, ku rruga është mbuluar nga bora.

Sipas informacioneve nga terreni, mjetet borëpastruese po hasin vështirësi në ndërhyrje për shkak të pranisë së automjeteve të bllokuara në rrugë.

Një ndër shkaqet kryesore të situatës janë automjetet e pajisura me goma verore, të cilat nuk kanë mundur të përballojnë kushtet e vështira atmosferike, duke sjellë bllokimin e qarkullimit.

Borë e dendur në Llogara, bllokohet qarkullimi i automjeteve

Reshjet e dendura të dëborës kanë përfshirë zonën e Llogarasë, duke shkaktuar bllokim të qarkullimit të automjeteve dhe vështirësi të mëdha kalimi në rrugë.

Për shkak të mungesës së zinxhirëve dhe mos pastrimit në kohë të rrugës, disa mjete kanë rrëshqitur, duke krijuar rrezik për drejtuesit e automjeteve dhe pasagjerët.

Qarkullimi në disa segmente është bërë i vështirë, ndërsa automjetet janë detyruar të ndalojnë.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjet e panevojshme drejt Llogarasë dhe të pajisen me goma dimërore ose zinxhirë, ndërsa pritet ndërhyrja e mjeteve pastruese për normalizimin e situatës. 

The post Borë në tunelin e Murrizit dhe Llogara, qindra automjete të bllokuara në trafik appeared first on Gazeta Si.

Zjarri te tregu i ‘5 Majit’ ishte aksidental, policia: Shkak, një shkëndijë elektrike

10 January 2026 at 14:14

Gazeta Si – Zjarri masiv që përfshiu dhjetëra magazina te tregu te zona e “5 Majit” në Tiranë pak ditë më parë, ishte aksidental.

Sipas një njoftimi zyrtar të policisë, ai ka ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike në një nga kapanonet e tregut, ku për pasojë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe në mallra.

“Më datë 08.01.2026, në rrugën “Ferit Xhajko”, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, ku për pasojë ka patur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental. Materialet u referuan në Prokurori për hetime të mëtejshme”, njoftoi policia.

Përveç dëmeve materiale, incidenti ka shkaktuar edhe dëme të mëdha mjedisore. Shtëllungat e tymit kanë ndotur ajrin në zonat përreth Tiranës, duke shqetësuar banorët dhe duke rrezikuar ambientin.

Ndërkohë, bizneset që nuk u prekën direkt nga zjarri, por nga nxehtësia e shkaktuar prej tij, kanë pësuar dëme më të vogla, të cilat po verifikohen nga autoritetet.

The post Zjarri te tregu i ‘5 Majit’ ishte aksidental, policia: Shkak, një shkëndijë elektrike appeared first on Gazeta Si.

Familjarët e punonjësit që humbi jetën nga përmbytjet në Durrës: Kemi pamjet, ishte në krye të detyrës

10 January 2026 at 12:23

Gazeta Si – Pesë ditë pas ngjarjes tragjike të së martës, ku humbi jetën gjatë përmbytjeve në Durrës, familjarët e Astrit Hysenajt, punonjës i ndërmarrjes së pastrimit, kundërshtojnë pretendimet e Bashkisë së Durrësit se viktima kishte lënë punën herët për shkak të motit të keq.

Ata kundërshtojnë versionin se 54-vjeçari po kthehej në banesë në momentin kur u mor nga rrjedha e ujit dhe ra në kanal, duke humbur jetën.

Sipas të afërmve, Astrit Hysenaj kishte shkuar në punë në orën 5:30 të mëngjesit, ashtu si çdo ditë, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.

“Daja u nis në punë në 5.30 si normalisht. Familja tentoi ta ndalojë për shkak të situatës, por ai shkoi. Shqetësimi ynë nisi pasi nuk u kthye në punë dhe bëmë denoncimin. Pamë nga kamerat se deri në 8.25 ka qenë duke punuar te mbikalimi i Plepave”, u shpreh mbesa e të ndjerit, Klodiana Bërsheni.

Familjarët theksojnë se deri në momentet e fundit të jetës, ai ka qenë në krye të detyrës dhe kërkojnë që çdo provë filmike pas asaj ore të bëhet publike.

“Deri në momentin e fundit të jetës ka qenë në krye të detyrës. Nëse diku ka ndonjë pamje filmike pas kësaj ore, le t’i vënë në dispozicion”, tha Osman Hysenaj, djali i xhaxhait të viktimës.

Sipas të afërmve, kanali ku Astrit Hysenaj u gjet pa jetë ndodhet pranë vendit ku ai është parë për herë të fundit.

“Kanali ku ka rënë është pranë vendit ku është parë për herë të fundit dhe rrjedha e ujit, kur të merr, të nxjerr aty ku u gjet. Nuk mund të përbaltet figura e tij duke thënë se nuk ka qenë në punë. Kërkojmë respekt për figurën e tij”, tha ndër të tjera mbesa e tij Klodiana

Pamjet filmike janë vënë në dispozicion të policisë për hetime të mëtejshme. Familjarët kërkojnë gjithashtu mbështetje ekonomike për familjen e viktimës, pasi Astrit Hysenaj ishte i vetmi që siguronte të ardhura. Në xhepin e tij, policia gjeti 10 mijë lekë të vjetra.

Të afërmit theksojnë se nuk fajësojnë askënd për ngjarjen e rëndë, por refuzojnë kategorikisht pretendimin se ai nuk ndodhej në punë në momentin e fatkeqësisë, duke e përshkruar Astrit Hysenajn si një njeri dhe punonjës korrekt e të përkushtuar ndaj detyrës.

Astrit Hysenaj, ishte 54-vjeç, ai ka lënë pas gruan dhe djalin 21-vjeçar të papunë, si edhe nënën e tij 85-vjeçare.

Viktima ishte i vetmi që siguronte të ardhurat për familjen, e cila tashmë ka mbetur pa një përkrahje financiare, por vetëm me pensionin që merr e moshuara.

Për përmbytjet në Durrës, Prokuroria ka nisur hetimet për 3 vepra penale’; “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

The post Familjarët e punonjësit që humbi jetën nga përmbytjet në Durrës: Kemi pamjet, ishte në krye të detyrës appeared first on Gazeta Si.

Rritet niveli i lumenjve nga përmbytjet, dëme në 1 mijë e 711 banesa në Durrës (situata në qarqe)

10 January 2026 at 16:59

Gazeta Si – Si pasojë e reshjeve intensive të shiut gjatë ditëve të fundit, disa qarqe të vendit janë përfshirë nga përmbytje, rritje të prurjeve në lumenj, rrëshqitje dherash dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.

Ndonëse situata sot është përmirësuar në krahasim me ditët e kaluara, ka edhe problematika në qarqet Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat.

Në Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë përmbytje në disa zona, ndërsa në Durrës janë verifikuar mbi 5 mijë banesa, me dëme të konstatuara në 1 711 prej tyre dhe evakuimin e 851 personave.

Probleme nga përmbytjet raportohen edhe në Lezhë, Berat dhe Elbasan, ndërsa në Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e akseve rrugore nga rrëshqitjet e dherave.

Strukturat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën, ndërsa u bëhet thirrje banorëve të zonave të prekura të bashkëpunojnë me autoritetet vendore për menaxhimin e situatës.

SITUATA NË VEND

Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në territorin e Bashkisë Shkodër, kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe të emergjencave civile ndodhen në terren dhe po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën, duke evidentuar pikat me risk dhe duke marrë masa paraprake për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve. Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit janë nën kuotat kritike.

Në Qarkun Durrës janë verifikuar gjithsej 5 477 banesa, nga të cilat në 1 711 raste janë konstatuar dëme. Janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ku rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore janë nën prezencë uji. Vijon puna për konstatimin dhe vlerësimin e dëmeve.

Në Qarkun Lezhë, niveli i ujit ka shënuar rënie përgjithësisht në tokat bujqësore. Forcat në terren po punojnë për largimin e ujit nga disa banesa. Të gjithë hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Gocajve, ku është evidentuar mungesë energjie elektrike. Niveli i lumit Drin vijon të jetë në ulje, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë Mollë. Nuk raportohen probleme në akset rrugore.

Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e disa akseve rrugore, ku janë shënuar rrëshqitje dherash, si dhe për largimin e ujit nga disa objekte.

Në qarqet Berat dhe Elbasan, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të sipërfaqeve bujqësore. Situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.

The post Rritet niveli i lumenjve nga përmbytjet, dëme në 1 mijë e 711 banesa në Durrës (situata në qarqe) appeared first on Gazeta Si.

Rënie gurësh dhe inertesh, situata në akset rrugore më problematike në vend

10 January 2026 at 10:05

Gazeta Si – Reshjet e shiut kanë vijuar në të gjithë territorin e vendit gjatë natës duke sjellë rënie gurësh dhe inertesh në disa rrugë.

Përveç lagështisë, në shumë akse raportohet dhe prezencë uji, ndërsa në lartësitë mbi 1100 metra në veri të vendit kanë nisur reshjet e dëborës.

Reshje dëbore ka patur në zonën veriore në lartësi mbi 1100 metra, konkretisht në akset: Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh, Surel-Qafë Priskë-Qafë Mollë, Elbasan-Gjinar, Ibë-Krrabë-Elbasan, Qafë Mali-Fierzë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se ka patur probleme në qarkullim në disa akse rrugore si më poshtë:

Qafë Dushk-Sevaster (km 10-11): qarkullimi me një korsi për shkak të ngushtimit të rrugës.

Valare-Erind-Çajup (km 7+600): rrëshqitje aktive, aksi i bllokuar në këtë vend po punohet për hapjen.

Korçë-Dardhë (km 9+00): shkarje anësore e trupit të rrugës, situata po monitorohet.

Përmet-Tre Urat (Ura e Petranit): shkarje masive aktive, zgjerim i çarjes rreth 10 cm.

Librazhd-Qafë Thanë: rrëshqitje dherash, pastrimi në proces.

Skuraj-Peshkopi: rënie gurësh dhe inertesh, pastrim nga grupet e punës.

Dushaj-Lekbibaj: rënie masivi shkëmbor në orët e para të mëngjesit, qarkullimi vijon me kujdes.

Shkalla e Zezë (Gjirokastër): rrugë njëkalimshme, kërkohet vëmendje e shtuar.

Llogara: ka mjegull të denudur.

The post Rënie gurësh dhe inertesh, situata në akset rrugore më problematike në vend appeared first on Gazeta Si.

Disa akse ende të bllokuara, situata me qarqet më problematike nga moti i keq

9 January 2026 at 14:19

Gazeta Si – Moti i keq i ditëve të fundit, ka krijuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit, duke ndikuar në qarkullimin rrugor (për shkak të ujit, ngricave, dëborës apo rrëshqitjes së dherave e inerteve), furnizimin me energji elektrike dhe sigurinë e banorëve, kryesisht në zonat malore dhe pranë lumenjve.

Pikërisht për këtë arsye, autoritetet i kanë bërë thirrje banorëve të tregohen të kujdesshëm, ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka publikuar të dhëna me qaqet më problematike.

“U bëhet thirrje banorëve të zonave të prekura të shmangin lëvizjet e panevojshme, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të raportojnë çdo emergjencë pranë strukturave përkatëse”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Mjetet dhe punonjësit e Emergjencave Civile, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe shërbimet bashkiake janë në terren për normalizimin e situatës.

SITUATA NË VEND

Qarku Gjirokastër paraqet situatën më problematike.

Në Bashkinë Gjirokastër ka prezencë dëbore në njësinë administrative Picar, ndërsa lumi Drino në aksin Gjirokastër–Tepelenë i është afruar trupit të rrugës, gjë që ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për forcimin e argjinaturës. Në disa fshatra: Odrie, Lunxhëri dhe Zagori po ndërhyhet në disa akse rrugore të bllokuara dhe në një urë të vogël në aksin Krinë–Tranoshisht–Saraqinishtë.

Në Bashkinë Dropull, ura e Glinës mbetet problematike, ndërsa po punohet për lirimin e akseve: Pogon–Dropull, Zagori-Libohovë të bllokuar nga dëbora.

Puna e forcave në terren po vijon edhe në aksin Përmet–Dogana e Tre Urave është i bllokuar si dhe në njësinë administrative Frashër dhe disa fshatra përreth, ku ka problematika për shkak të reshjeve të dëborës.

Në Bashkinë Memaliaj ka problematika të shkaktuar nga lumi Vjosë në tokat bujqësore, ndërsa në Tepelenë qarkullimi në aksin Tepelenë–Gjirokastër realizohet vetëm me një korsi në zonën “Shkalla e Zezë”.

Qarku Lezhë është përfshirë nga reshje dëbore edhe në zona të ulëta, përfshirë qytetin e Lezhës. Strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri për mbajtjen hapur të akseve rrugore. Është përfunduar riparimi i argjinaturës së dëmtuar në lumin Drojë.

Qarku Vlorë paraqet një përmirësim sa i përket rënies së prurjeve në lumin Vjosë. Nënkalimi në fshatin Bishan është i bllokuar, por nuk raportohen banesa të përmbytura, vetëm prezencë uji në oborre.

Qarku Elbasan po përballet me dëborë dhe ngrica në zonat malore të bashkive Elbasan dhe Peqin, ku disa akse rurale janë bllokuar nga dëbora dhe rrëshqitjet e dherave. Mjetet dhe punonjësit janë në terren për normalizimin e situatës.

Qarku Dibër mbetet një nga zonat më të prekura gjithashtu. Forcat e emergjencave civile po punojnë në disa akse me prezencë të akullit apo rrëshqitje dherash. Ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë në njësitë administrative Bulqizë, Klos, Dibër dhe Lurë. Disa segmente rrugore janë aktualisht të pakalueshme, por forcat e policisë janë në terren për të orientuar qarkullimin.

Forcat e Armatosura, strukturat e mbrojtjes civile, policia e shtetit, shërbimet bashkiake, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë të angazhuara në terren me mjete dhe personel për përballimin e situatës dhe rikthimin e normalitetit.

The post Disa akse ende të bllokuara, situata me qarqet më problematike nga moti i keq appeared first on Gazeta Si.

Zjarri te ‘5 maji’, tregtarët të tensionuar: E gjithë jeta jonë ishte këtu

9 January 2026 at 12:31

Nga Gazeta Si- Zjarri që përfshiu mbrëmjen e 8 janarit tregun e rrobave të përdorura në zonën “5 maji” në Tiranë, ka lënë pas dëme të konsiderueshme materiale, trishtim dhe tensione mes tregtarëve të cilët janë përplasur me menaxherin e magazinave.

Flakët masive përfshinë kapanonet 1 dhe 2 ku vlerësohet se janë rreth 100 magazina të djegura.

Shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike por pritet vlerësimi përfundimtar ndërkohë që një tregtar ka bërë fajtor përgjegjësin e tregut. Debatet mes tyre kanë agravuar aq sa është dashur ndërhyrja e policisë, e cila i ka shoqëruar në komisariat për sqarimet.

Dëmet materiale që ka lënë pas zjarri masiv janë kolosale. Një tregtar i cili thotë se tregtonte çorape, geta dhe streçe, ka dëme mbi 200 milionë lekë, ndërkohë që shton se ai kishte më pak hapësirë se të gjithë, duke shtuar se dëmi për të tjerët është akoma më i madh.

“Jemi në qiell të hapur. Asnjëherë nuk na kanë kërkuar të iknim. Nuk i kemi pasur të siguruara bizneset. Ka plas zjarri tek panelet, nuk është për fajin tonë. E gjithë jeta jonë ishte këtu. Nuk kam ku të shkoj”, thotë një nga tregtarët.

Për ngjarjen ka reaguar edhe dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, duke thënë kjo ngjarje është një goditje për familjet dhe sipërmarrjen e vogël.

Institucioni thotë në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale se ngjarja duhet të shërbejë si kambanë alarmi për sigurimin e bizneseve në raste fatkeqësish natyrore e aksidentale, siç është standardi i Bashkimit Europian ku Shqipëria synon të anëtarësohet.

“Kjo ngjarje përbën një goditje të fortë për dhjetëra familje që siguronin jetesën përmes këtyre aktiviteteve, si dhe për sipërmarrjen e vogël, e cila është një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë lokale. Njëkohësisht, kjo situatë duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për të gjitha bizneset, mbi domosdoshmërinë e sigurimit të aktiviteteve të tyre, në mënyrë që të kenë mundësi reale për t’u rikuperuar pas fatkeqësive natyrore apo aksidentale, si zjarret dhe përmbytjet, me të cilat po përballet Shqipëria ditëve të fundit”, shkruan dhoma e tregtisë.

The post Zjarri te ‘5 maji’, tregtarët të tensionuar: E gjithë jeta jonë ishte këtu appeared first on Gazeta Si.

❌
❌