Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 February 2026Main stream

Përse Berisha e ka “të nevojshme” bojkotin e reformës territoriale

By: Mero Baze
1 February 2026 at 20:02

Nga Mero Baze

Një nga “krimet” që ia numëronte Lulzim Bashës “Foltorja” e Berishës ishte edhe bojkoti në vitin 2015 i Komisionit të Reformës Territoriale dhe, si pasojë, përdorimi i kësaj ndarjeje sipas tyre në favor të socialistëve.

Të hënën është afati i fundit i pjesëmarrjes në këtë komision dhe pas dhjetë vitesh PD duket se po shkon drejt të njëjtit vendim, tani me udhëheqësin real të saj, atë që ia ka diktuar vendimin edhe Lulzim Bashës.

Arsyeja pse Berisha refuzon të marrë pjesë në reformën e ndarjes territoriale nuk është se nuk do të pyetet. Nuk është as fakti që socialistët mund të imponojnë një ndarje që ai nuk e pranon. Berisha nuk merr dot pjesë në këtë histori edhe sikur të miratohet varianti i tij.

Arsyeja është se ai nuk e shikon reformën territoriale si një reformë shtetërore, por si një justifikim elektoral.

Sali Berishës nuk i bën punë asnjë ndarje territoriale. Sido që ta ndash Shqipërinë, ai humbet. Ndaj, nëse merr pjesë në këtë projekt dhe pastaj natyrisht do të humbasë, ai humbet një nga alibitë kryesore që ka për humbjet në zgjedhjet lokale.

Në zgjedhjet e fundit lokale të udhëhequra prej tij, Partia Demokratike fitoi vetëm 5 bashki nga 61 gjithsej dhe ato më shumë për shkak të sherreve brenda socialistëve sesa për fuqinë elektorale të PD-së.

Për këtë arsye Berisha e ka “të nevojshme” të mos marrë pjesë në këtë reformë, me qëllim që ta ketë të përhershme alibinë e humbjeve të zgjedhjeve lokale.

E vërteta është se ndarja territoriale nuk ka ndonjë peshë mbi humbjen elektorale, pasi ai në zgjedhjet e fundit fitoi në Memaliaj, një bastion i majtë ku PS fitoi 75 për qind të Këshillit Bashkiak. Kjo do të thotë që rezultati elektoral nuk ka lidhje me territorin, por me kandidatin dhe partinë që konkurron. Por Berisha nuk ka më as parti që frymëzon, as kandidatë që konkurrojnë për të fituar. Ndaj, para se të hyjnë në garë, ata duan një alibi të gatshme për humbje dhe atë tanimë e kanë gjetur. Bojkotojnë reformën territoriale, “nuk e njohin” atë siç bëjnë me çdo gjë që nuk u pëlqen dhe pastaj janë të qetë duke pritur humbjet.

Ndaj mos u lodhni t’i shpjegoni Berishës se reforma do ta ndajë Shqipërinë më mirë, do ta bëjë më efikase, do të decentralizojë pushtetin apo do të përmirësojë hartën elektorale. Nuk i hyjnë në punë. Ai e di se çfarë e pret në zgjedhje dhe pushteti është e vetmja gjë për të cilën ai mendon.

Tani, ndryshe nga udhëheqësit e tjerë që të gjithë mendojnë se si ta fitojnë pushtetin, ai ka vite që mendon se si t’i justifikojë humbjet. Dhe një nga justifikimet është edhe ky bojkot.

Yesterday — 31 January 2026Main stream

Pse Berishës i kujtohen armiqtë e tij sa herë ngelet vetëm?

By: Mero Baze
31 January 2026 at 20:45

Nga Mero Baze

Në kulmin e braktisjes edhe nga partitë më të reja opozitare në Shqipëri, Sali Berisha duket se kishte porositur sot një sulm ndaj gjithë ish “tradhtarëve” të tij në krye të PD-së, që nga Bamir Topi, Lulzim Basha, Astrit Patozi e Enkelejd Alibeaj. Nuk bëri përpjekje të gjente ndonjë argument, por thjesht u përpoq t’i krahasonte me veten e tij kur ishte komunist në vitin 1990 dhe vendosi të shkëputej nga Partia e Punës. Nuk di pse gjeti shembullin më të keq, që në fakt është kundër tij, jo kundër ish-bashkëpunëtorëve të vet, por me sa duket i intereson të mbajë ndezur frymën e përçarjes në PD kundër çdo kujt që i ka refuzuar partinë e familjes së tij.

Krahasimi me “disidencën” e tij në vitin 1990, përveçse është krahasim me një gënjeshtër, është kundër Berishës edhe sikur të ishte e vërtetë që Berisha ishte disident në vitin 1990.

Berisha ka filluar të belbëzojë në vjeshtën e vitit 1990 dhe i ka të shkruar dy artikujt e tij te “Drita” dhe “Bashkimi”. E gjithë çfarë flet është te pluralizmi i mendimit si “në kullat e Malësisë”, ku njerëzit dëgjojnë njëri-tjetrin. Nuk ka as disidencë dhe as ndonjë përpjekje për t’u shkëputur nga Partia e Punës, por një përpjekje për të rënë në sy brenda Partisë së Punës si dikush që është gati, nëse duhet, të ndryshojnë diçka nga stalinizmi i mëparshëm. Madje edhe më 11 dhjetor të 1990 ishte i dërguar zyrtar i Ramiz Alisë dhe teseren e Partisë së punës nuk e dorëzoi kurrë as simbolikisht.

Bamir Topi, Lulzim Basha, Patozi apo Alibeaj e kanë refuzuar Berishën duke u larguar nga partia e tij dhe nuk kanë treguar asnjë shenjë që duan të kthehen e ta reformojnë partinë e tij. Janë shumë të qartë që ajo është si një arkivol ku brenda rri një i balsamosur që, po u çel, prishet brenda minutës si çdo kufomë që merr ajër.

Ata thjesht kanë ikur në punët e tyre duke refuzuar Sali Berishën dhe pengmarrjen e PD-së prej tij.

Berisha është i shqetësuar pikërisht për këtë, për faktin që ai e ka bërë PD-në një parti të palakmueshme nga ata që e njohin dhe kanë ikur prej saj. Dhe ata janë shumë. Për 35 vjet Berisha ka larguar çdo themelues dhe çdo drejtues të PD-së. Asnjë ish drejtues i lartë i PD-së që nga viti 1991 nuk është më në PD për shkak të Sali Berishës. Dhe ata mund të mos kenë parti apo aktivitet politik, por përfaqësojnë pikërisht atë elektorat të heshtur të ish-PD-së që refuzon Sali Berishën dhe nuk e voton, duke e lënë rrugëve si një plak të mjerë.

Në kulmin e dëshpërimit, kur Berishën po e refuzon kushdo që po i kërkon të bashkohet me të, atij i shkon mendja pikërisht tek ata që e kanë refuzuar atë.

Në fakt, akti i tyre është i vetmi akt intelektual, si i gjithë atyre që kanë refuzuar Berishën brenda PD-së. Sali Berisha është uzurpuesi i PD-së dhe refuzimi i tij është një akt intelektual. Pseudo-intelektualë janë ata që përpiqen të retushojnë portretin e Berishës, të cilit tani, përveçse duhet t’i pastrosh baltën e korrupsionit, njollat e gjakut dhe turpin e “non grata”-s, duhet t’i gjesh edhe dikë që të shpjegojë se kur lajthit dhe thotë broçkulla, ia kanë bërë magji këta armiqtë.

I vetmi akt intelektual që mund të bëjë dikush brenda PD-së është pikërisht të refuzojë pushtetin familjar të Sali Berishës në PD, ashtu siç të bëje një gjest intelektual në diktaturë ishte të refuzoje Enver Hoxhën.

Sali Berisha s’e bëri kurrë atë gjest, as disa muaj pasi diktatura ra. Këta që sulmon Berisha, së paku e kanë bërë detyrën e tyre si intelektualë brenda PD-së. E kanë refuzuar partinë familjare të tij dhe e kanë lënë sot mes një tufe mjeranësh, të cilët jo me intelektualë që nuk konkurrojnë dot, por as me pavijonin nr. 5 në Tiranë. Me ata mund të mbretërojë sa të jetë gjallë, por si mbret i budallenjve që Shqipëria i neverit.

Before yesterdayMain stream

Tre gjymtyrët kryesore që Kadare i la si pasuri kombit shqiptar

By: Mero Baze
28 January 2026 at 21:10

Nga Mero Baze

Ka disa njerëz që identifikohen me historinë e kombit të tyre duke i dhënë atij gjymtyrët kryesore të mbijetesës në shekuj. Ismail Kadare është njeriu që i ka dhënë kombit shqiptar së paku tre gjymtyrë të rëndësishme, mbi të cilat ai ndihet më i sigurt në mbijetesën e tij.

Së pari, Ismail Kadareja i ka dhënë kombit shqiptar fytyrën e një kombi perëndimor. Shqipëria është një vend i cili në historinë e vet ka nxjerrë edhe personalitete të tjera të mëdha që kanë bërë emër dhe histori brenda Perandorisë Osmane, por asnjëri prej tyre nuk arriti të identifikohet me kombin shqiptar. Ismail Kadareja, një nga shqiptarët më të njohur në botë, e ka identifikuar kombin shqiptar me Perëndimin me veprën e tij dhe me dëshminë e tij intelektuale. Pra, ai është njeriu që i ka dhënë kombit shqiptar fytyrën e tij si komb perëndimor.

Së dyti, Ismail Kadareja është njeriu që i ka dhënë gjuhës shqipe certifikimin si një gjuhë e madhe e letërsisë botërore. Përveçse ai ka një kontribut të jashtëzakonshëm në pasurimin dhe unifikimin e gjuhës shqipe, ai mbi të gjitha ka meritën që standardin e gjuhës me të cilën shkroi veprën e tij e imponoi jo vetëm si gjuhë të gjithë shqiptarëve, por edhe si gjuhën me të cilën shqiptarët i kanë dhënë botës veprat më të mira letrare.

Dhe po të kemi parasysh se shqiptarët gjuhën e kanë elementin më të fortë të identitetit kombëtar, që është mbi fetë e tyre të ndryshme dhe dialektet gegë e toskë dhe mbi copëzimin territorial që kanë, mund të themi pa frikë se Ismail Kadareja i ka certifikuar kombit shqiptar pasurinë më të madhe të tij, gjuhën, si pasuri botërore.

Së treti, Ismail Kadareja i ka dhënë kombit shqiptar dinjitet. Dinjiteti i një kombi është i lidhur pashmangshmërisht me mënyrën se si një komb i reziston errësirës së diktaturave. Letërsia e tij ishte një shembull i dinjitetit moral ndaj diktaturës dhe sot është një dokument i rezistencës mendore kundër komunizmit. Ismail Kadareja po ashtu e trajtoi historinë e Shqipërisë si pjesë të historisë evropiane, edhe kur shkroi për periudhën osmane, për pavarësinë apo diktaturën.

Ai i dha dinjitet historik identitetit shqiptar dhe një autoritet moral në debatin ndërkombëtar.

Në momente të kyçe të historisë së Shqipërisë, sa ai ishte gjallë, fjala e tij kishte peshë edhe në vendimet e diplomacisë ndërkombëtare, siç ka qenë çështja e rënies së komunizmit në vitin 1990 apo çështja e Kosovës në vitin 1999.

Pa Ismail Kadarenë, identiteti i kombit shqiptar do të ishte i gjymtuar në tre nga tiparet e tij themelore: në identitetin perëndimor, në elementin themelor të bashkimit kombëtar që është gjuha dhe në cilësinë kryesore që e bën një komb të pranuar, që është dinjiteti kombëtar.

Të gjithë ata që duan t’i bëjnë dëm Shqipërisë dhe të zhbëjnë këto tre gjymtyrë mbi të cilat qëndron i sigurt kombi ynë, Ismail Kadarenë e kanë jo vetëm armikun e tyre më të madh, por edhe pengesën më të madhe të tyre.

Për të gjithë ata që mendojnë se po “vetëposhtërohemi” në Izrael

By: Mero Baze
27 January 2026 at 18:49

Nga Mero Baze

Si anëtar i qeverisë shqiptare gjatë pushtimit gjerman, Eqerem Bej Vlora ishte pjesë e një administrate që refuzoi zbatimin e politikave racore naziste dhe nuk dorëzoi hebrenjtë tek autoritetet gjermane. Një ndër argumentet që ai i ka paraqitur të plotfuqishmit gjerman për Shqipërinë ishte se Shqipëria është një shtet që mbështetet më shumë në të drejtën zakonore sesa në kushtetutë dhe se për ta “besa” për mikun në shtëpi është më e fortë se kushtetuta e vendit.

Edhe për atë, në atë kohë, kishte shumë pikëpyetje se si një personalitet aq i kulturuar i Shqipërisë ishte edhe një ministër pro Hitlerit dhe një mbrojtës i hebrenjve. Aq e vërtetë ishte kjo, sa Eqerem Bej Vlora, i cili kishte roje një ushtar gjerman te dera e shtëpisë së tij në fillim të rrugës së Durrësit, ftonte çdo ditë në shtëpi mësuesen zviceriane të fëmijëve, që ishte një hebreje nga Zvicra, të cilën ushtarët e njihnin dhe detyroheshin ta përshëndesnin sa herë hynte në shtëpi për t’u dhënë mësim fëmijëve.

Ky kufi i hollë mes palëve që nuk pajtohen me njëra-tjetrën është një ecje në majë të shpatës e politikës shqiptare në të gjitha kohërat dhe ndoshta i vetmi identitet që ka politika shqiptare në botë. Ne jemi vendi që kemi katër fe tradicionale që bashkëjetojnë me njëra-tjetrën, dy të besimit islam dhe dy kristiane; kemi dhjetëra rryma të reja fetare që hyjnë në Shqipëri pa asnjë shqetësim; kemi familje të përziera nga pikëpamja fetare dhe po ashtu një ateizëm mbizotërues, që është “fe” më vete për shoqërinë shqiptare.

Është kjo arsyeja që e bën Edi Ramën dhe fjalimin e tij në Izrael simpatik si shqiptar dhe të urryer nga fanatikët politikë dhe fetarë.

Arsyeja është se Edi Rama nuk është një udhëheqës ideologjik.

Është kjo arsyeja që edhe ata socialistë që e mbajnë veten vërtet të majtë në Shqipëri kafshojnë buzën kur e quajnë kryetar, por u duhet se me të janë në pushtet. Ai është një mik i afërt i familjes Soros, por kurrë nuk i bë ideolog i Sorosit; një mik i afërt personal i Presidentit Erdogan, që në fakt adhuron fuqinë dhe modelin e pushtetit të tij, por kurrë një pro-osman; ai është një nga miqtë më të mëdhenj në botën evropiane të udhëheqësve arabë në Emirate dhe Arabi Saudite, por pa u penguar të jetë një mik i Izraelit; një aleat shumë i mirë i “diktatorit të Budapestit”, siç bën humor me Orbanin, pa u penguar të kërkojë çdo ditë anëtarësimin në BE që po prish Orbani.

Duke mos qenë një udhëheqës ideologjik, por pragmatist, mos prisni prej tij asgjë tjetër përveç kësaj që bën: të qenit interesant si shqiptar.

Përpjekja për ta ballafaquar Edi Ramën me politikën e miqve të tij në botë është e dështuar. Ai nuk është përgjegjës as për atë që bën Izraeli në Gaza, as për atë që bën Arabia në Jemen, as për sherret brenda botës arabe dhe myslimane dhe as për paragjykimet evropiane për ta.

I mirëkuptoj të majtët radikalë që kanë kauzë masakrat dhe gjëmat që kanë ndodhur në Gaza. I kuptoj edhe idhtarët e islamit politik, që minimizojnë krimet e Hamasit, relativizojnë zhdukjen e pengjeve dhe mbajnë në dorë foto të fëmijëve të vrarë në Gaza, por Shqipëria është e pafuqishme të vendosë për fatet e paqes në Lindjen e Mesme.

Në kohën që jetojmë dhe rendin e ri botëror që po hyjmë, Shqipëria duhet të ruajë kontributet e saj historike dhe t’i kthejë ato në fuqi politike për sigurinë e mëtejshme të Shqipërisë.

Nëse raportet e Shqipërisë me Izraelin dhe historinë e tyre me hebrenjtë do t’i vendosim në atë që ndodh sot në Gaza, do të thotë të rishkruajmë historinë tonë për të qenë politikisht korrekt me zhvillimet e sotme. Kjo do të ishte, në fakt, vetëposhtërim i Shqipërisë dhe jo konfirmimi i një historie të madhe që ne kemi me hebrenjtë kur ata u gjendën përballë shfarosjes botërore të frymëzuar nga nazizmi.

Për të mbijetuar në këtë botë të re, ne kemi vetëm një fuqi në dorë: fuqinë për të mos pasur armiq të mëdhenj. Ata mund të na ndihmojnë të mundim edhe armiqtë e vegjël, të cilët as ata nuk i mundin dot vetëm. Humbja e këtyre miqësive të mëdha historike duke u sjellë si OJQ politikisht korrekte dhe duke iu përshtatur tendencave ditore të së majtës në botë do të ishte vetëposhtërimi ynë i madh.

Teknologjia e gënjeshtrave duke keqpërdorur drejtësinë

By: Mero Baze
26 January 2026 at 20:39

Nga Mero Baze

Një javë më parë SPAK organizoi një operacion surprizë te një kullë në qendër të Tiranës, ku në bashkëpunim me një emision investigativ italian zbuloi një call center që zhvaste qytetarë evropianë, kryesisht italianë.
Shumat që përfitoheshin janë marramendëse.

I pari që reagoi ishte Sali Berisha, duke deklaruar se pas call center-it fshihet motra e Taulant Ballës. Dhe pas kësaj teknologjia e demonizimit e përhapi lajmin në çdo portal të kontrolluar prej tij. Lajmet janë ende online, pavarësisht betejës ligjore që ka nisur e dëmtuara.

Ndërkohë hetimet e prokurorisë zbuluan se pas call center-it gjenden tre tropojanë, të cilët janë pjesë e enturazhit të njeriut kryesor të Sali Berishës.

Pas asaj nuk ka më asnjë koment as nga Berisha, as nga ata që “gjetën” pistën e motrës së Taulant Ballës.

Që ka gjetur motrën e Taulant Ballës kuptohet pse e ka bërë, pasi Taulant Ballën e ka akuzuesin e tij te dosja “Partizani” dhe çdo gjë që ndodh kërkon ta lidhë me të. Nuk i ndërhyjmë në inatin e tij.

Por interesante është që opozita, e cila nuk lë fantazi pa zhvilluar në raste të tilla, ka kyçur gojën dhe nuk flet më asgjë për call center-in në qendër të Tiranës, as për atë njeriun që menaxhonte ruajtjen e saj dhe heqjen e materialeve brenda natës. Tani bën sikur nuk ka ndodhur fare, ndërkohë që tre vëllezërit tropojanë në kërkim nuk janë kapur ende.

E njëjta teknologji baltosjeje ishte edhe në rastin e Ballukut; në dosjen e saj kishte boll episode joetike të cilat mund t’i shijonin, por në fakt Berishës i shijonte të shpikte se ajo ka 300 apartamente dhe kjo është në dosje. Në fakt as në dosje, as në terren nuk ekzistojnë, por tanimë janë bërë pjesë e fjalorit politik të Berishës dhe njerëzve që flasin në emër të drejtësisë në Shqipëri.

Kjo praktikë nuk merr dot fund duke i bërë moral Berishës. Kjo është një praktikë e cila po zë vend në kulturën politike në Shqipëri edhe falë SPAK-ut, i cili e ka përdorur disa herë mekanizmin e gjyqeve popullore kur ka akuza të dobëta dhe kërkon t’i justifikojë represionet me populizëm.

Dhe kjo tani u kthye në traditë.
Sa herë dikush është në hall, shpik diçka në emër të SPAK-ut dhe baltos palën tjetër me idenë që këto janë çështje në hetim.

Në disa raste SPAK ka reaguar, siç ishte rasti i Gazmend Bardhit një vit më parë, dhe nuk ka pranuar që të hidhet baltë mbi të.

Është mirë që, ashtu siç ka krijuar kulturën e gjyqeve popullore, të krijojë edhe kulturën e keqpërdorimit të emrit të SPAK-ut për llogari politike.

Do të mjaftonin këto dy raste, të cilat kthehen pastaj në mite popullore, për të kuptuar se SPAK po kthehet në një institucion që po përdoret për të justifikuar shpifjet e politikës dhe luftërat e pista politike kundër njëri-tjetrit.

Dhe kjo pastaj e kthen atë nga një pushtet gjyqësor në një aktor politik që, në vend të zbardhë të vërteta kriminale, i mbulon ato me shpifje politike.

Pse Berisha përsërit se nuk pret të vijë në pushtet nga SHBA

By: Mero Baze
24 January 2026 at 20:16

Nga Mero Baze

Javët e fundit, gjithnjë e më shumë drejtuesit e PD-së së Berishës kanë nisur të artikulojnë tezën se ata nuk do t’u sjellin pushtet as SHBA-ja, as drejtësia. E tha i pari Berisha, pasi futi në ekstazë gjithë PD-në që Ramën do ta arrestonin me helikopterë si Maduron. Nuk e di çfarë i ndodhi, por reagimi i tij ishte aq kundër tezës që përhapi vetë, sa tha që edhe atë tezë e ka hapur vetë Edi Rama. Pra, ishte shumë e qartë që as Rama s’do merrej me helikopter dhe që as ai nuk shpresonte më tek ajo.

Po ashtu duket i shqetësuar edhe nga teza e partive të reja që thonë se do ta marrim pushtetin pasi Ramën do ta mundë drejtësia. As atë fitore nuk e do.

Arrestimet e shumta brenda socialistëve dhe çështjet penale pezull që kishin ekzaltuar gjithë demokratët berishistë nuk e entuziazmojnë. Dhe arsyeja është se ai është vetë një prej tyre.

Është interesante që Berisha i dha fund vetë retorikës së sjelljes në pushtet nga SHBA-ja. Ishte pak futuriste ta mendoje se SHBA do të arrestonte Ramën dhe do t’ia hiqte “non grata”-n Berishës, pastaj do ta sillte në pushtet. Por, meqë budallëku në atë parti nuk ka kufij, është i lejuar të kthehet në një platformë politike.

Nuk dihet pse Berisha u distancua nga kjo tezë. Ose LaCivita ia ka bërë të qartë se nuk ia heq dot “non grata”-n, ose ka parë me dëshpërim se nuk ka mundur të ndalë dot lidhjet e administratës së re me Ramën.

Sidoqoftë, kushdo që të ketë qenë arsyeja, ky qëndrim e bën më serioz se karragjozllëqet e Genc Neshos.

Sa i përket tezës se drejtësia nuk mund ta rrëzojë Ramën, është e diskutueshme. Në fakt, drejtësia e ka rrethuar Edi Ramën dhe ka një frymëzim politik. Problemi që ka Berisha me drejtësinë është se ajo është e angazhuar kundër tij dhe çfarëdo që t’i ndodhë Ramës, atij nuk i vjen dita për pushtet nga drejtësia. Ndaj bën sikur nuk e do edhe atë.

E vetmja gjë që do ai është një përmbysje, një gjë që t’i ndalë të gjitha këto makthet e tij nga pritjet e dështuara prej SHBA-së apo drejtësisë, një gjë që, në fund të fundit, ta shpëtojë atë nga drejtësia dhe nga makthi i pushtetit.

E di që ajo ditë nuk vjen, por është e vetmja mënyrë që ai ta shtyjë edhe ca, duke kërcënuar dhe duke hedhur ca molotovë në bulevard, me shpresë se do t’i dhimbset edhe Trumpit, edhe drejtësisë.

Pse protestat e Beogradit dhe Bangladeshit janë kundër Berishës

By: Mero Baze
23 January 2026 at 20:32

Nga Mero Baze

E di që askush s’ka nerva të dëgjojë seriozisht mesazhet e Berishës para protestave që thërret, dhe ky është një fat për të. Por nëse thellohesh në ato që thotë, janë të gjitha kundër tij.

Sa herë që Berisha thërret një protestë, përpiqet të gjejë një model proteste që shpreson se motivon pjesëmarrjen. Nëse ja lexoni deklaratat në tridhjetë vitet e fundit që merret me protesta, më së shumti i pëlqejnë protestat e Beogradit. Që prej vitit 1996, kur i bënte thirrje Rugovës të mbështeste protestat e Beogradit e deri sot, gjithmonë u bën thirrje shqiptarëve të frymëzohen prej tyre.

E tillë është edhe thirrja e sotme që të rinjtë të frymëzohen nga protestat e Beogradit dhe Bangladeshit.

Sa për statistikë, prej vitit 1996 e deri te protestat e fundit në Beograd, janë ndërruar 5 presidentë pas Millosheviçit, që ishte bashkëkohës i Berishës, dhe një rezultat i tillë natyrisht i bën protestat frymëzuese. Në krye të këtyre protestave, sa herë që ndodhin, është një lider i ri që i udhëheq, një lider i ri që frymëzon dhe një lider që korr sukses ndaj pushtetit të radhës. Vetëm në Shqipëri ndodh që prej vitit 1997 protestat i udhëheq gjithmonë i njëjti njeri dhe nuk fiton asnjëherë. Arsyeja është se ai nuk udhëheq protesta popullore, por udhëheq protesta të dëshpëruarish që nuk janë në pushtet. Dhe ky është një ndryshim i madh. Protestat popullore zgjohen nga shpresa për ndryshim dhe shpresa për ndryshim nis nga ai që kanë në krye. Protestat shqiptare që nga viti 1997 kanë në krye Sali Berishën sa herë që ai është në opozitë. Dhe rezultati është gjithnjë i njëjtë: i udhëheqësi i tyre.

Në Bangladesh po ashtu. Protestat nuk është se i bën gjenerata Z, por i udhëheq gjenerata Z. Udhëheqësi i tyre është dikush që disa ditë para protestës nuk e njihte askush. Është dikush i lindur nga protesta. Dhe ai natyrisht frymëzon shokët e vet.

Gjenerata Z, në Shqipëri, e ka katragjysh Sali Berishën. Si mundet që një brez 20-vjeçarësh të luftojnë për të ardhmen e një 81-vjeçari dhe të jenë të frymëzuar?

E kuptoj qejfin që të jesh udhëheqës i një sheshi të mbushur, por sheshet e mbushura nga zemërimi nxjerrin udhëheqësit e tyre. Sali Berisha nuk ka shans të bëhet as udhëheqës i brezit të tij të pensionistëve, pasi është pensionisti më i pasur miliarder i Shqipërisë dhe pensionisti më i paguar nga shteti shqiptar, me pension 3 mijë euro në muaj.

Sali Berisha ka katër vjet që përpiqet të mbijetojë duke thënë se dikush në SHBA dhe në Tiranë kanë dashur të emërojnë opozitën dhe ta lënë Shqipërinë pa opozitë. Nëse ekziston vërtet dikush në këtë botë që ka emëruar opozitën në Shqipëri dhe vazhdon ta emërojë, është Sali Berisha. Ai ka caktuar vetë kush do të jetë në opozitë, kush do të jetë në shërbim të tij, kush do të jetë ai që do të shesë dhe blejë opozitën. Të tjerët ai i “vetpërjashton” nga opozita, si të fundit e tyre Ervin Salianjin.

Sali Berisha është shembulli më flagrant i njeriut që, pasi përpiqet të emërojë opozitën, pastaj përpiqet të emërojë edhe popullin opozitar, përpiqet të emërojë protestues, t’u bëjë atyre identitetin si i do, si në Beograd apo Bangladesh, madje edhe si i do: të rinj të bukur, të veshur me iPhone në duar, si gjenerata Z në botë. Por me një kusht, me një ndryshim, me një përjashtim: që udhëheqësi i tyre të jetë ai.

Kjo është kryesyeja pse nuk kemi një opozitë të lirë të shpërthejë, pse zemërimi popullor nuk shkon në favor të tij.

Por sot nuk është dita e tij, dhe ajo opozitë që do mundë këtë pushtet nuk do të jetë opozitë e tij.

Opozita dorëzoi një fitore që e kishte arritur kundër SHBA-së

By: Mero Baze
22 January 2026 at 20:09
Nga Mero Baze
Për katër vite, Sali Berisha ka arritur në politikën shqiptare atë që asnjë udhëheqës tjetër nuk ka guxuar as ta bëjë dhe as ta ketë si rezultat. Ai është sanksionuar nga SHBA dhe i është kundërvënë SHBA-së me gjithë forcën, pa asnjë kompleks. E fshehu ca kohë pas Lulzim Bashës, duke bërë sikur e kishte hallin me të, pasi ai e kishte shpallur “non grata”, por pasi e zboi atë, mbeti përballë SHBA-së dhe e vazhdoi betejën.

E vërteta është se SHBA nuk ia hoqi sanksionet dhe ndoshta nuk ia heq kurrë, por ai realisht i zhbëri ato në sytë e demokratëve dhe mbështetësve të tij.

Është i pari udhëheqës politik në Shqipëri që një sulm kaq të rëndë nga SHBA jo vetëm e përballoi, por e shndërroi në lëvizje politike dhe fitoi.

Fitoi mbi sistemin tonë gjyqësor, duke marrë në mënyrë të dyshimtë kredencialet e partisë; fitoi mbi sistemin e drejtësisë, që nuk guxonte ta prekte as “non grata”; dhe mbi të gjitha fitoi në sytë e mbështetësve të vet, të cilët 100 për qind e kanë zhbërë “non gratën” e SHBA-së nga mendja e tyre dhe ia quajnë dekoratë.

Kjo është një fitore e paimagjinueshme për ndonjë udhëheqës tjetër politik në vend. Këtu ai i ka mundur të gjithë, edhe Edi Ramën, pasi ka dëshmuar se elektorati i djathtë shqiptar nuk është, siç pretendohet, demos pro-amerikan. Në rastin e parë që iu dha, e djathta shqiptare mbështeti një antiamerikan pa asnjë kompleks, duke u justifikuar me gënjeshtra të shpikura: “e ka bërë Sorosi”, “e ka bërë Lul Basha”, “e ka bërë McGonigal”, “e ka bërë Edi Rama”, etj.

Të gjithë e dinin që gënjenin veten, por mbështetjen për Berishën e dhanë deri në fund. Madje edhe ata që konsideroheshin korierë të ambasadës së SHBA-së në Tiranë nga selia e PD-së, në fund, mes SHBA-së dhe Berishës, zgjodhën Berishën dhe u bënë deputetë të tij.

Kjo është fitorja më mbresëlënëse politike e Berishës në karrierën e tij dhe ndoshta nga të paktat fitore të tilla politike në gjithë ish-Lindjen komuniste.

Fiks ashtu siç e bëri vetë, me aq mundim, atë fitore; fiks ashtu siç e ndërtoi fitoren me kauza të gënjeshtra për të maskuar betejën e tij me SHBA-në; fiks ashtu e zhbëri për gjashtë muaj.

Qysh nga zgjedhjet e 11 majit, kur iu desh të paguanin 6 milionë dollarë për të hequr sanksionet “non grata” për Berishën dhe familjen e tij, ata, në vend të rezultatit që ende nuk e kanë arritur, u servirën demokratëve dokrra rreth “blerjes së SHBA-së” prej tyre dhe ndryshimit të pushtetit përmes SHBA-së.

Pra, njeriu që e përballoi i vetëm SHBA-në, që i dha identitet betejës së tij me SHBA-në duke marrë zvarrë gjithë të djathtën shqiptare antikomuniste kundër SHBA-së, e dorëzoi fitoren e tij duke paguar para që ta zhbëjë.

Të gjorët demokratë, që kishin katër vjet që shanin nga mëngjesi në darkë SHBA-në që kishte sanksionuar udhëheqësin e tyre, fshinë postimet e vjetra dhe u bënë të gjithë proamerikanë.

Beteja e javës së fundit ishte edhe më frustruese për ta. Ftesa që Edi Rama të përfaqësojë Shqipërinë në Bordin e Paqes i konfuzoi dhe iu desh të shpiknin përditë nga dy gënjeshtra, me shpresë se do ta mbanin në këmbë narrativën e tyre gjashtëmujore.

Opozita u përball sot me gjithë gënjeshtrat e saj të gjashtë muajve të fundit dhe, e autosugjestionuar nga shpikja e një beteje të SHBA-së me Edi Ramën, zhbëri gjithë identitetin politik të Berishës për katër vitet e fundit, duke ia hequr atij të vetmen vlerë politike që prodhoi: vënien e personalitetit të tij mbi atë të SHBA-së.

Dhe ndodhi ajo që pamë në Parlament. Edi Rama u tall me nge në një seancë e cila duhej të ishte solemne, dhe ata votuan të gjithë në rresht emrin e tij për ta përfaqësuar në Uashington, nga i njëjti kompleks që i ka mbajtur gjallë gjashtë muajt e fundit: ideja se ata kanë “blerë” SHBA-në dhe ajo do ta heqë nga pushteti.

Tani, jo se do fitonte ndonjë gjë të madhe po të mos e votonte, por së paku do mbetej vetvetja. Tani është thjesht një pagator që, me lekët e vjedhura, kërkon të pranohet nga “armiku”, të cilin e mundi pa lek për katër vite.

Kështu ndodh kur gënjen të tjerët për çdo gjë dhe, në fund, gënjen edhe veten.

Dëshmia ime për 21 Janarin

By: Mero Baze
20 January 2026 at 20:35

Nga Mero Baze 

Të parin që pashë duke u rrëzuar në tokë, edhe pse nuk ishte i vrari i parë, ishte Hekuran Deda, i cili u rrëzua nga tavolina ku ishin gazetarët. M’u duk sikur u rrëzua sepse e shtyu dikush, por në të vërtetë ishte qëlluar. Mendova se ishte ndonjë gazetar.

Me sytë nga rruga shiheshin pak çaste më vonë persona që transportonin të plagosur të tjerë. Një tjetër u rrëzua para derës së Kryeministrisë, ndërsa disa njerëz rrëmbyen furgonin e transmetimit të Vizion Plus për t’i futur brenda.

Për herë të parë kuptova se ata që po rrëzoheshin në tokë po vriteshin.

Në mbrëmje versioni i parë i Berishës ishte ai që kishte përgatitur kur kishte marrë vendimin për të vrarë. Kishte vendosur që të vriste dhe t’ia linte të vdekurit në kurriz opozitës.

Berisha e shpalosi atë me qetësi në orën 19:30 të mbrëmjes, duke deklaruar se ata u qëlluan me armë që nuk i disponon Garda, nga afër, me çadra-pistoletë, me stilolapsa-pistoletë, me thika me helm nga gjarpërinjtë e jugut; një plan i përbashkët: President, kryeprokurore, lider opozite, SHISH…

Një përroi psikik i neveritshëm dhe i padëgjueshëm deri në fund. Ishte i qartë në atë marrëzi që bënte. Prokuroria kishte mbërritur në oborr të Kryeministrisë ku ishin 2800 gëzhoja armësh dhe plumbat kishin grirë kangjellat nga brenda, çka tregon se është qëlluar në lartësinë e kokës së njerëzve dhe në drejtim të tyre.

Gardistët fshinin plumbat para syve dhe çmontonin derën e jashtme të oborrit të Kryeministrit, që dokumentonte se plumbat ishin të gjithë nga brenda–jashtë.

Prokurorët, edhe pse përpiqeshin të bënin detyrën, nuk u lejuan të afroheshin.

Oficerët e Gardës që morën pjesë në aksion u mbajtën në mjediset e Kryeministrisë. Sali Berisha kishte një frikë të fshehtë nga dalja e tyre jashtë gardhit. Jo se do të arrestoheshin, por se mund të flisnin. Mund t’u tregonin grave, vëllezërve, miqve të tyre. Ata u izoluan thuajse në gjendje pengu brenda mureve të ndërtesës, e cila u kthye në një superambulancë ku mjekoheshin të lënduarit që nuk duhet të dorëzoheshin.

Thashethemet për episodet nga brenda ishin nga më të ndryshmet. Spikaste një fabul mbi rezistencën e Ndre Prendit për të qëlluar dhe një njeri i afërt i Berishës që e kishte goditur me grusht te syri; ai dukej qartazi i nxirë nga një goditje. Prendi ishte mbi ndërtesën e Kryeministrisë dhe zor se gurët arritën atje.

Sali Berisha kishte konsumuar ndërkohë bisedat me ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu, i sapoardhur në Shqipëri, të cilin e kishte kapur krejt në befasi kjo situatë. Për çdo kërkesë të ligjshme të tij, si përfaqësues i një shteti të madh mik me Shqipërinë, Berisha kishte një kusht të vetin. Dhe mungesa e përvojës për të punuar me Sali Berishën e shtyu ambasadorin të përfshihej në një histori të rëndë. Pranoi të negociohej arrestimi i gjashtë zyrtarëve të Gardës.

Berisha kundërshtoi ndalimin e tyre, në një gjest flagrant që, po të kishim një prokurori të pavarur, duhet ta arrestonte. Unë e përjetova me gëzim informacionin, pasi mendova se këtë nuk do t’ia falte askush: as shqiptarët, as ndërkombëtarët. Në fakt, ia falën të gjithë, dhe ai vazhdon të krenohet që ka kundërshtuar, për shkak të shpikjeve të tij, një urdhër prokurorie, duke shkelur rëndë Kushtetutën për autoritetin e Prokurorisë.

Prokurorët, të gatshëm të rraskapiteshin gjithë natën në përpjekje për të mbledhur provat, po dështonin. Askush nuk u jepte përgjigje për serverin e Kryeministrisë, që administrohej nga Garda. Ecejaket e tyre nga Kryeministria te Garda deri në të gdhirë nuk dhanë rezultat.

Një prej tyre, kur dëgjoi që Berisha tha se filloi të zbatohet “Skenari B”, më tregoi duke bërë humor të zi një episod qesharak.

— Kam frikë se e ka dëgjuar nga ai shoku im prokuror këtë “Skenarin B”, më tha.
— Pse? i thashë. Çfarë ka ndodhur?
— Pasi u lodhën deri në mëngjes duke shkuar te dera e Gardës dhe nuk ua dhanë përsëri, i tha kolegut që kishte me vete: “Kalojmë te Plani B.” Dhe më parë kishin rënë dakord që “Plani B” ishte të iknin të hanin paçe, se ishin pa gjumë dhe pa ngrënë.

Ishte humori i zi që po përcillte dështimin e hetimit.

Të dielën në mbrëmje ai mblodhi parlamentin në një seancë urgjente tragjikomike. Deputetët, të frustruar nga ideja se mund t’u kishte ikur pushteti, filluan të flasin me zë të lartë e duarbosh për grusht shteti. U ngrit një Komision dhe në krye të tij u emërua Eduard Halimi. Detyra ishte e qartë: të terrorizonte Prokurorinë dhe të baltoste sa të mundej Presidentin, SHISH-in dhe median kritike me Berishën. Dhe shpallën “grupin puçist”.

Berisha tha se, pasi dështuan të merrnin Kryeministrinë, ata kaluan në “Planin B”: të merrnin pushtetin përmes kryeprokurores dhe Presidentit. Na shpallën edhe ne katër gazetarë puçistë dhe kërkuan tabulatet e telefonave tanë.

Vendosëm ta merrnim me humor. Filip Çakuli bëri një gjë edhe më me humor: një letër të hapur ku shpjegonte pse dështoi puçi dhe si e kishim organizuar.

Por ndërsa ne qeshnim, Perëndimi e kishte marrë seriozisht. Në Bruksel u dukej skandal i madh që të na kërkoheshin tabulatet. I dërguari për krizën, Lajçak, ia kishte kërkuar këtë nga Brukseli Berishës dhe ky ia kishte bërë të vështirë. Ne na dërgonin sinjale se kjo punë do zgjidhej. Më vinte të plasja, pasi e dija që tabulatet tona nuk kishin asnjë rëndësi. Maksimumi i duheshin Berishës tabulatet e Çakulit për të parë me kë kishte folur ditët para transmetimit të videos së Ilir Metës. Ne të tjerët ishim për arsye krejt të tjera: unë për hakmarrjet e tij primitive; Sokol Balla, ngaqë quhej njeri i afërt i Ramës dhe gazetari kryesor i Top Channel-it; dhe Andi Bushati, si një gazetar që stërmundohej dhe vazhdon akoma të jetë i paanshëm, një pozicion që Berisha e urren më shumë se atë të gazetarit armik.

Vendosëm të mos bënim asnjë kundërshtim për të shkuar në Komision. Madje u konsultuam edhe se si mund të talleshim.

Nuk jam i sigurt nëse na e përgjuan atë bisedë, por të nesërmen, për “të vetmin plan” që bëmë kundër pushtetit, na çliruan nga akuza dhe nuk pranuan të shkonim në Komision. Sali Berisha kishte marrë në telefon “Komisionin” dhe u kishte thënë se nuk mund t’u linte atyre çakejve mikrofonin për dy orë të talleshin me familjen e tij.

Ishte dështimi ynë real. Deri atë ditë nuk kishim bërë asgjë. Atë ditë që vendosëm të bënim diçka, na e hoqën mundësinë.

E keqja ishte më e madhe se kaq. Mos-thirrja jonë, që ne e quanim dështim, po quhej si fitore e Perëndimit që na kishte shpëtuar nga Berisha. Në fakt, Berisha kishte shpëtuar nga ne. Ishte një rast i artë që na u hoq nga duart, falë miopisë së Lajçakut, zyrtarit perëndimor që dukej sikur po na shpëtonte. Që atëherë ai vazhdon të jetë negociator krizash pa sukses. E ndjek mallkimi ynë.

Në fakt po shpëtonin Berishën. Kishin shkëmbyer nxjerrjen tonë nga skema e “puçit” me tolerimin e vrasjeve; kishin barazuar tabulatet e katër gazetarëve me jetët e katër të vrarëve; kishin zëvendësuar kuriozitetin e dy djemve të mi për lakimin e emrit në ekrane me vajin e tetë fëmijëve jetimë që s’do t’i shikonin kurrë baballarët në shtëpi. Kishin falur dy herë Sali Berishën: një herë duke toleruar vrasjet dhe sulmin ndaj institucioneve dhe herën e dytë duke na e hequr nga duart ne katër “puçistëve”, që së paku mund t’ia bënim “fytyrën si këpuca”, siç ka qejf të thotë ai.

Kishim dështuar të ushtronim të drejtën tonë si “puçistë”, përballë atyre që sapo shihnin kamerat na fyenin dhe sapo iknin na dërgonin SMS se nuk kishin çfarë të bënin, kishin urdhër… Nuk kishte dështuar asnjë grusht shteti; kishim dështuar të ndalnim grushtin që Berisha po i jepte shtetit, duke e marrë peng nga makthi i njeriut që kishte vrarë.

Nuk jam i sigurt nëse, bashkë me idenë se duhet të vriste, kishte ndërmend edhe mënyrën se si do t’i fshihte, por pak pasi i vrau duket se e kishte fiksuar Skenarin A: “Viktimat i ka vrarë vetë opozita.” Pasi kjo u hodh poshtë, lindi Skenari B: “U vranë sepse ishte grusht shteti.”

Lindja dhe shuarja e Skenarit A

Në daljen e tij të parë publike më 21 janar në mbrëmje, e tha qartë atë:

“Në këto përleshje kanë humbur jetën 3 qytetarë, janë plagosur dhjetëra policë dhe demonstrues. Përgjegjësia e plotë totale për të gjitha këto bie mbi organizatorët e skenarit tunizian, mbi pinjollët e benalive shqiptarë. Duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave, theksoj se të dhënat paraprake flasin se secili prej tyre është qëlluar nga afër me armë pistoleta të lehta, të cilat nuk gjenden në armatimin e Policisë së Shtetit dhe as të Gardës së Republikës. Duke theksuar këtë, i kërkoj Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt të vërtetën e këtyre jetëve të humbura.

Përshëndes, ndonëse në fatkeqësi, familjarin e njërit prej këtyre viktimave, i cili do t’i thoshte në Spitalin Ushtarak njërit prej këtyre drejtuesve kryesorë të kësaj dhune: ‘Largohu kriminel, na vrave vëllanë’, dhe në prani të personelit do ta nxirrte jashtë nga dhoma. Motra e shkretë, megjithëse kishte në gjendje shumë të rëndë vëllain, por që nuk kishte humbur arsyen, i dha atë që meritonte këtij shoku.”

Kush e lexon këtë deklaratë të kryeministrit kohë më vonë, e kupton qartë se, kur doli para medias, ai ka qenë i vendosur t’ia hidhte kufomat në shpinë Edi Ramës. Deklarata tregon qartë po ashtu se Berisha ka mbajtur kontakt thuajse të drejtpërdrejtë me Spitalin Ushtarak.

Dy mjekët, që u bënë strumbullari i skenarit për “vrasje nga afër”, duket se e kishin furnizuar edhe me përralla për fajësimin e opozitës nga familjarët. Paragrafi ku Berisha flet për një gjoja incident i vishet Preç Zogajt, kur ka shkuar te dhoma e Aleks Nikajt. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Siç më shpjegoi vetë Zogaj, Aleksi ishte një mik i shtëpisë së tij dhe ai ishte realisht i dërrmuar nga ideja se Aleksi mund të vdiste. Ishte vëlla i vetëm i katër motrave dhe kishte dy vajza të vogla.

Berisha ishte vigjilent ndaj këtyre detajeve dhe e kishte kompletuar skenarin e tij, që nga mënyra si ishin gjuajtur deri te detajet se si “populli” fajësonte opozitën për vrasjet.

E përsëriti këtë edhe kur e pyetën gazetarët:

“Opozita organizoi një skenar puçist, e paralajmëroi atë, organizoi skenarin tunizian. Përgjigje opozitës i dhanë familjarët e njërit prej viktimave, i nxorën jashtë ata: ‘Dil jashtë kriminel, na vrave vëllanë’. Të dhënat paraprake të ekspertëve dhe të mjekëve të reanimacionit janë se ata janë gjuajtur nga afër me armë të lehta.”

Në mbrëmje vonë, Artan Hoxha publikoi pamje të plota, filmuar nga vendi ku ne rrinim në Kullat Binjake. Këndi i gjerë i pamjes i përfshinte të gjithë: vrasësit dhe të vrarët. Shihej qartë që gardistët kishin qëlluar dhe vrarë. Shihej qartë një ushtarak i Gardës që kishte qëlluar në drejtim të njerëzve. Kamera kapte flakën e automatikut dhe rrëzimin e viktimës në të njëjtin çast. Ishte një mrekulli optike.

Berisha nuk e priste këtë. Vetëm pak çaste më parë, në orën 19:30, ai kishte spekuluar pikërisht me këtë fakt. Ja si iu drejtua në mënyrë cinike gazetarëve:

“Mund t’ju bëj një pyetje: ju që ishit në të katër anët e kësaj situate me kamerat tuaja, pse nuk arritët të filmonit njërin prej tyre? Si nuk arritët ju të filmoni qoftë edhe njërin prej tyre? Çfarë ndodhi me kamerat tuaja? Ju i keni dhënë të gjitha; madje unë dëgjova një telekronist tuajin që tha se ‘më ka marrë plumbi’, pastaj doli se nuk e kishte marrë plumbi. Ndjeva keqardhje, por fatmirësisht doli se nuk e kishte marrë plumbi dhe tha se ‘më shtynë’.”

Ishte i sigurt se askush nuk kishte filmuar vrasjet në mënyrë diskredituese. Dhe, mbi të gjitha, ishte i tërbuar që Fatos Mahmutaj, reporteri i ABC News, një kanal i perandorisë së tij korruptive, kishte qenë në krah të Hekuran Dedës kur u vra; ishte plagosur dhe kishte rënë i lemerisur nga tavolina. Vëmendja e Berishës shkoi deri tek ai. Donte ta poshtëronte që t’i mbyllte gojën. Dhe padronët e tij tentuan t’ia mbyllnin. Në një histori të paprecedent në media, drejtuesit e ABC News nuk pranuan ta quanin “gazetarin e tyre të plagosur”, vetëm pse kështu prishej Skenari A i Sali Berishës.

Nevoja për Skenarin B: “Grushti i Shtetit”

Dalja e pamjeve filmike  e kishte tërbuar. Të nesërmen, në një dalje të re para mediave, volli vrer edhe për të. I zënë ngushtë nga gazetarët të komentonte pamjet e tij, ai iu vërsul atij me epitete fyese:

“Informatat e para janë ato që kam thënë dje, por kam thënë edhe se Prokuroria e Shtetit duhet të zbardhë të gjitha rrethanat: nga kanë dalë, nga kanë ardhur, kush ka qëlluar, e të gjitha me radhë. Unë shoh një media që, po me një tjetër çakall të Sigurimit, bën po atë që bëri çakalli i Ramës me videon tjetër dhe përpiqet të bëjë edhe gjykatësin, edhe prokurorin, edhe të gjitha. Kjo është zgjedhja e tij.”

Ishte destabilizuar. Skenari A i ishte shfryrë si flluskë sapuni. Kufomat e viktimave që tentoi t’ia faturonte opozitës i kishin mbetur në oborr të vet. I kishte mbetur gjaku brenda gardhit të tij.

Tani duhej t’u jepte zemër vrasësve që të mos e tradhtonin. Pasi i mbajti peng në oborr të Kryeministrisë; pasi i mjekoi dhe i shpërbleu me rroga shtesë; pasi u premtoi shtëpi pjesëtarëve të Grupit të Zjarrit; dhe pasi u shfaq publikisht me Komandantin e Gardës me sy të nxirë nga rrahja, filloi të flasë për një fenomen të ri: për një “grusht shteti” të organizuar nga Presidenti, Kryetari i Opozitës, Kryeprokurorja, SHISH-i dhe media.

Njoftimin zyrtar e bëri në mbledhje të Qeverisë më 23 janar, ku foli për “skenarin e një puçi, e një përpjekje të qartë, evidente për të marrë pushtetin me dhunë, nga një treshe, tashmë e njohur: Edvin Kristaq Rama dhe dy ministrat e diktaturës komuniste, Gramoz Ruçi dhe Skënder Gjinushi.”

Por në retorikën e Berishës në atë mbledhje më tërhoqi vëmendjen një fakt. Ai përmendi Gjergj Lezhën. Jo me emër, por me post. Tha se kishte “videot e serverit të Kryeministrisë” që provonin gjithçka. Citoi për këtë Sekretarin e Përgjithshëm. Është e shkruar e zeza mbi të bardhë në fjalimin e tij në mbledhje të qeverisë më 23 janar:

“Pas konferencës së shtypit i kam kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të vërë në dispozicion të Prokurorisë të gjithë videon e Kryeministrisë. Kryeministria ka një sistem videosh të vetin, përveç asaj që ka Garda, përveç asaj që vendos policia. Kamerat tuaja ishin të plota. Në këtë kontekst, me bindjen time, kishte një material të plotë për të saktësuar se nga erdhën plumbat, si u vra dhe ku u vranë, pra të gjitha rrethanat.”

Sipas kësaj deklarate të bërë në datën 23 janar, i bie që më 21 janar, rreth orës 20:00 në mbrëmje, Sali Berisha të ketë thirrur në zyrë Gjergj Lezhën dhe t’i ketë thënë këto që thotë më sipër: pra, të kontrollojë serverin e Kryeministrisë, të nxjerrë pamjet filmike dhe t’i vërë në dispozicion të Prokurorisë. Këtë e thoshte më 23 janar. Hëm.

Siç doli më vonë nga ekspertiza amerikane, serveri i Kryeministrisë është fshirë rreth orës 1:00 të natës, duke u gdhirë 22 janari. Pra, i bie që Gjergj Lezha e ka marrë porosinë, ka kontrolluar pamjet filmike, është tmerruar nga ato çfarë ka parë, ka bërë një kopje, ia ka çuar Berishës në zyrë dhe kanë fshirë serverin.

Djallëzia e Berishës shkon në ekstrem. Ai, qëllimisht, flet më 23 janar për server të paprishur të Kryeministrisë, që sot të ketë alibi se ai nuk dinte gjë që ishte prishur. Që atë ditë ai ka menduar si ta fusë në burg Gjergj Lezhën, si “bedelin” e parë të këtij akti kriminal. Ligësia e kësaj deklarate tani duket më e plotë. Një vit më pas, kur FBI solli ekspertizën në Tiranë dhe paraqiti si problem faktin se ky server është fshirë natën e 21 janarit, shihet qartë se Berisha çdo hap drejt alibisë së tij e ka bërë me vetëdije. Siç bëjnë vrasësit profesionistë.

Një ditë më parë Ina Rama i kishte çuar Ministrit të Brendshëm gjashtë urdhër-arrestesh që përfshinin zinxhirin komandues të Gardës, që nga Komandanti deri te qitësi i dyshuar për vrasës. Ministri i Brendshëm ka refuzuar. Arsyeja, sipas tij, është se, nëse ai i dorëzon ata, Garda “kapitullon”, pasi ushtarët dëshpërohen. Është një arsyetim që të lë pa fjalë. Në logjikën infantile të atij që quhej Ministër i Brendshëm, kishte një psikozë lufte. Ai e quante Gardën një repart që duhet të ruante moralin e lartë për të mbrojtur pushtetin e tij. Dhe, sipas kësaj logjike, shteti ligjor po u ngatërrohej nëpër këmbë në luftën e tyre me “armiqtë”.

Kryeprokurorja është detyruar t’ia bëjë më të lehtë, duke i thënë se ata thjesht do të merren në pyetje dhe mund të lihen të lirë. Por asgjë nuk ka funksionuar. Tensioni është rritur dhe Ministri i Brendshëm, me ligësi, i ka kërkuar të shprehet edhe Presidentit, për një gjë flagrante, për një kundërshtim të Kushtetutës. Ai i ka treguar ligjin dhe kjo ishte sikur t’i tregoje burgun.

I vetmi që ka pranuar t’i dëgjojë ka qenë ambasadori amerikan. Ai ka hyrë në mes të këtij konflikti të pastër ligjor, duke inkurajuar Prokuroren për hetime, por edhe duke bindur Berishën se vetë nuk është “pjesë e puçit”.

Për herë të parë në historinë e një shteti ligjor, një kryeministër mori përsipër moszbatimin e urdhrave të Kryeprokurores, duke u vetëshpallur vetë agresor, vetë gjykatës, vetë prokuror dhe vetë garant i Kushtetutës. Në të vërtetë, ky ishte i vetmi element real i grushtit të shtetit atë ditë. Atë e kishte bërë Sali Berisha.

Rezistenca e Berishës për të mos dorëzuar gardistët vazhdoi edhe pasdite, në komunikimin mes Prokurorisë dhe Drejtorisë së Policisë. Më në fund, Drejtori Burgaj kishte gjetur “zgjidhjen”: urdhër-arrestet kishin “lapsuse të papranueshme”.

Dhe Berisha e gjeti “lidhjen” mes puçistëve. Meqë Bamir Topi refuzoi të futej në këtë mes; meqë Ina Rama këmbënguli gjithë ditën t’i arrestonte gjashtë të dyshuarit për vrasje; dhe meqë Edi Rama, në pasdite vonë, kishte deklaruar se Berisha po refuzonte të dorëzonte vrasësit, atëherë dilte që Bamir Topi, Ina Rama dhe Edi Rama kishin një plan të koordinuar. Tragjikomedi.

Në seancën e posaçme në Kuvend, teza kishte avancuar: ishte futur në listë edhe SHISH-i. Sipas Berishës, në zarfin që SHISH-i i kishte dërguar në zyrë në datën 20 janar, kishte zero informacion për “puçin”. Aq shumë ishte autosugjestionuar nga ideja se ishte para një puçi, sa tani i kërkonte edhe SHISH-it ta kishte parë atë “ëndërr” një ditë para se t’i fanepsej atij. E vuante shumë idenë se SHISH-in nuk e kishte nën kontroll. E vuante edhe më shumë që ata raportonin më shumë te ndonjë vend mik i Shqipërisë sesa tek ai. Dhe iu duk rast i artë t’i hiqte qafe me këtë rast.

Para deputetëve shpjegoi qartë edhe skenarin. Foli për dy lloj zarfi me lekë: një për transportin dhe një për “luftën”. I pari kishte 10–20 mijë lekë, i dyti 200–300 mijë lekë. Shpjegoi se si “para Dajtit” ky grup kishte marrë një drogë sintetike:

“U shpërnda, thuhet, një lloj droge sintetike; për këtë duhet të bëhen analizat, se për këtë nuk kam dijeni. U shpërndanë gurë dhe të gjitha mjetet e tjera…”

Por edhe pse Komisioni u ngrit, edhe pse u bë kujdes të gjendeshin deputetë që “nuk prishnin punë” dhe, edhe nëse bëheshin qesharakë, kjo të “kalonte”, e shihte se skenari nuk po ecte. Perëndimi po u jepte mbështetje “puçistëve” dhe ky ishte një problem i madh për të. Presidenti i Republikës dhe Kryeprokurorja u bënë destinacioni i ri i diplomatëve. Berisha u tërbua dhe shpërtheu.

Në një takim më 24 janar me efektivë të policisë dhe familje të tyre, iu turr me një fjalor rrugaçëror Ina Ramës dhe Bamir Topit. Të parin e quajti “horr bulevardi”, të dytën “lavire bulevardi”. “Sofistikimi” i tij për “puçin” kishte ecur përpara.

Argumentet pse ai nuk dorëzonte gardistët tani ishin të ndryshme nga një ditë më parë. Më 22 janar argument ishte demoralizimi i zinxhirit komandues të Gardës; më 23 janar bënte thirrje të merrej filmimi i serverit të Kryeministrisë, që vetë e kishte fshirë qysh më 21 janar; dhe më 24 janar thoshte se “ata nuk kanë prova” dhe se “provë të vetme kanë rregulloren e Gardës”, që lë përgjegjësinë te zinxhiri komandues.

Ishte duke shtyrë “Skenarin B të puçit”, që sipas tij lidhej me marrjen e pushtetit përmes gjyqësorit dhe prokurorisë. Skenari A, përmes armëve, kishte dështuar. Në të vërtetë kishte dy skenarë, por ata ishin te Berisha. Skenari A i tij ishte: “vrasjet i bëri opozita”, dhe Skenari B ishte: “meqë u bë grusht shteti, vrasje do ketë”.

Siç e tha vetë në Parlament dhe para policëve, në raste të tilla nuk ka rëndësi sa vriten:

“Në një grusht shteti mund të mos vritet asnjë, mund të vriten 3, 30 apo 300. Grushti i shtetit nuk mund të kalojë. Kjo është absolute. Forca e institucioneve të një shteti demokratik është e hekurt. Mjerë ata që e provojnë!…”

Pse i vrau?

Kjo ishte një pikëpyetje e madhe jo vetëm për kundërshtarët e tij, por edhe për ata që e njihnin nga afër Berishën. Kur protesta ra, kur njerëzit thuajse ishin shpërndarë, kur policët thuajse ishin shpartalluar dhe njësitë speciale zyrtare dhe jozyrtare të Berishës ishin brenda oborrit, u qëllua me vetëdije për t’u vrarë. U qëllua kur vdekjet nuk trembnin dhe nuk frymëzonin askënd. U qëllua kur askush thuajse nuk e mori vesh nëse ata vdiqën apo u plagosën. Askush në bulevard nuk ishte i vetëdijshëm se kishte viktima.
Tek rrija përballë dritares së zyrës së tij në Kullat Binjake, kur më erdhi lajmi se dy vetë kishin vdekur (i treti u njoftua pak më vonë), m’u shfaq tërbimi i tij, pikërisht kur gjithçka po mbaronte. Si një njeri që nuk pranon të ketë një betejë pa bilanc, ai nuk mund të pranonte në karakterin e tij një demonstrim force nga opozita.
Mijëra njerëzit e grumbulluar kundër tij, fuqia e tyre për të shpartalluar policinë me duar në xhepa, bënin kontrast të madh me krekosjen e tij publike. Nuk mund ta pranonte dot këtë.

Jam i sigurt se vendimin për të vrarë nuk e ka konsultuar me askënd.

Sokol Olldashi ma përshkroi Lulëzim Bashën thuajse të lebetitur nga frika dhe hutimi për atë që kishte ndodhur.

Komandanti i Gardës ishte po ashtu një ushtarak i përmbajtur, edhe pse besnik i tij.

Me Gjergj Lezhën jo e jo. I gjori Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, kushedi sa përpjekje ka bërë të mos i shfaqej përballë atë ditë…
I sillja të gjithë ndërmend dhe bindesha më shumë se e kishte marrë vetë atë vendim.

Përfytyrova si ka thirrur “dikë të vetin” në zyrë, ka ngritur pak zërin e televizorit nga ideja se përgjohej dhe i ka dhënë shenjë të qëllonin. Pak më vonë është qëlluar.

Momenti kur filloi të qëllohej mbi turmë ishte episod gati dhjetë minutash. Vetëm në ato dhjetë minuta tytat e armëve u drejtuan mbi qytetarët dhe kangjellat e Kryeministrisë janë sharruar nga brenda nga plumbat. Ata që kanë qëlluar ishin qitës specialë të Gardës. Në mendjen e tij të hallakatur dhe dalldisur nga ideja se Edi Rama i “kishte bërë rreshtore”, vërtitej ideja e hakmarrjes. Mendimi se ata mund ta përsërisnin këtë gjë vazhdimisht, derisa ai të rrëzohej nga pushteti, e tmerronte. Duheshin vrarë!
***

Sot mbushen 15 vjet nga kjo ngjarje. Për pesëmbëdhjetë vjet, drejtësia nuk ka guxuar as ta pyesë Sali Berishën. Gjyqi u rihap me vendim të Gjykatës së Strasburgut, e cila detyroi Gjykatën e Lartë të urdhëronte SPAK-un të niste hetimin. E nisën me zemër të thyer. Nuk donin të përballeshin përsëri me njeriun që as nuk kishin guxuar ta pyesnin: pse i vrave.

Pas 15 vitesh, të njëjtët prokurorë janë “heronj” në sytë e shqiptarëve, për reprezaljet mbi politikën për gjëra nga më banalet deri tek ato vërtet tronditëse, përveçse përballë Sali Berishës. Në fakt, përballja e drejtësisë me të për 21 Janarinështë testi i vetëm që ose e lë drejtësinë e re në klasë, ose e ngre atë në vendin që meriton.

Po sikur Trump të mos e ftonte Edi Ramën?

By: Mero Baze
19 January 2026 at 19:58
Nga Mero Baze
Nuk e di pse opozita përpiqet të mbajë gjallë këtë debatin për ftesën e Presidentit Trump për Edi Ramën, por me sa duket nuk i del e keqja që nuk u zbatua skenari i Maduros edhe këtu. Dhe tani nuk e kam fjalën vetëm për opozitën e Berishës, por edhe për këta të tjerët.

Dëgjova Agron Shehaj që tha se këtë ftesë e ka marrë edhe Presidenti i Bjellorusisë, që është diktator.

Tani mirë mbështetësit e Berishës, që janë të dëshpëruar se kjo ftesë anulon helikopterët e forcave “Delta” që do vinin ta arrestonin, po ç’kusur kanë edhe mbështetësit e Shehajt që besonin se ai konsultohej me Trumpin para çdo deklarate që bënte. Madje ishin gati të besonin që ai po zbatonte planin amerikan kundër Ramës dhe Berishës në vend.

Tani, meqë kjo çështje nga dramatike u bë qesharake, kam një pyetje: nëse do të ndodhte e kundërta, si do reagonin këta nëse Presidenti Trump nuk e ftonte Edi Ramën tek ky Bordi i Paqes?

Jam dakord për një moment me të gjitha kritikat ndërkombëtare për këtë Bord, me të gjitha vërejtjet që Agron Shehaj ka bërë se është ftuar edhe Presidenti i Bjellorusisë dhe me të gjitha vërejtjet që kanë këta të PD-së se ky Bord është kot se do paguajmë 1 miliard dollarë Trumpit.

Po sikur të mos ta kishte ftuar Presidenti Trump Edi Ramën?

Atëherë do të dëgjonim një kor të tërë trushpëlarësh që do ta shpallnin Shqipërinë vend antiamerikan për shkak të Edi Ramës, që Presidenti Trump nuk e përfilli (në fakt nuk ka përfillur shumicën e Ballkanit), dhe që kjo ndodhi sepse Edi Rama ka lidhje me Sorosin dhe krimin e organizuar e gjithë marrëzitë e tjera.

Dhe e gjithë kjo vjen nga fakti se opozita jonë ka humbur rrugën në oborr dhe nuk përpiqet të bëjë politikë bazuar mbi të vërtetat e dhimbshme të realitetit shqiptar dhe të ngjallë shpresë tek njerëzit me ide apo projekte të tyre, por ka vendosur të vijë në pushtet duke u mbushur mendjen njerëzve se në pushtet vihet duke blerë SHBA-në.

Kanë një vit që gënjejnë demokratët, madje u marrin edhe 6 milionë euro për t’i gënjyer që do blejmë LaCivitën të na sjellë në pushtet dhe tani rezulton që as zgjedhjet nuk i fituan me të, as “non grata” e Berishës nuk u hoq. Tani atë që nuk e bën dot me lek, mendojnë se po e bën kundërshtari i tyre dhe çdo sukses ndërkombëtar të Shqipërisë e lidhin me një faturë apo pagesë që Edi Rama i ka bërë për hallet e veta.

Ata tani janë gati ta konsiderojnë një ftesë që e nderon Shqipërinë si një ftesë të blerë, tek aleati i tyre Trump, duke e fyer edhe atë, pasi e paraqesin si një tregtar ftesash. Sikur të mos ishte ftuar, do ta paraqisnin si një dështim të Shqipërisë për shkak të Edi Ramës, që në fakt prapë nuk do të ishte e vërtetë, pasi aty janë vetëm 60 vende nga e gjithë bota.

Kjo qasje poshtëruese që ata kanë, në radhë të parë për veten si njerëz që mendojnë se mund ta blejnë pushtetin në SHBA dhe pastaj edhe për sukseset e raporteve të Shqipërisë me SHBA, është arsyeja pse ata janë katandisur në një grusht trushpëlarësh që duken njerëzit më qesharakë në këtë vend.

Tani ndaleni mendjen dhe na thoni: a do ishte më mirë të mos e ftonin Shqipërinë, apo më mirë që e ftuan? Se pastaj atë pjesën nëse duhet pranuar ftesa apo jo, meqë është ftuar edhe Bjellorusia, e shpjegon Agroni.

E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

By: Mero Baze
18 January 2026 at 19:55

Nga Mero Baze

Nuk di pse opozita i ka hyrë një debati të lodhshëm, më i lodhshëm se i Madurës, për të injoruar rëndësinë e Bordit të Paqes që po themelohet me iniciativë të Presidentit Trump dhe mbi të gjitha sqarimet e tyre të lodhshme për Presidentin Trump për veset e Edi Ramës.
Fjala vjen, përfaqësues të PD thonë që ftesa u ka shkuar 200 vetëve ose gjithë anëtarëve të OKB-së dhe pastaj vazhdojnë me detyrimet që do të ketë Shqipëria, për t’u thënë qytetarëve shqiptarë që kjo është e rrezikshme.

Problemi i parë serioz për opozitën është se ftesa për Edi Ramën ka ardhur për të gjitha ato arsye që opozita mendon se Edi Rama është i papëlqyer nga Perëndimi dhe SHBA, dhe sidomos nga Presidenti Trump. Edi Rama ka marrë ftesë pikërisht për ato që opozita i quan “vese” të tij.

E vërteta është se ftesa nuk lidhet as me faktin që jemi anëtarë të OKB-së, as që jemi anëtarë të NATO-s, as me “rëndësinë gjeopolitike” të Shqipërisë. Po të ishte ashtu, do ishin ftuar dhe shtete të tjera nga Ballkani që janë anëtare të OKB-së apo NATO-s.

E vetmja gjë simbolike që vlen për Shqipërinë është se Edi Rama vjen nga një shtet që simbolikisht është vend mysliman dhe pro Izraelit, duke qenë njëkohësisht dhe shtet evropian.

Ftesa nuk është aq e thjeshtë sa duket dhe nuk lidhet aq shumë me Shqipërinë, sa me kryeministrin dhe fuqinë personale dhe politike të tij. Po të kemi parasysh dhe vetë profilin e Presidentit Trump dhe konvencionet e tij në krijimin e këtyre iniciativave, Edi Ramën e favorizon më shumë fakti që është një lider i fortë politikisht, pa presione parlamentare, pa kosto politike nga pjesëmarrja në këtë iniciativë dhe pa burokraci shtetërore nëse i duhet të veprojë.

Praktikisht Edi Rama është i përshtatshëm për anëtar themelues për të gjitha ato arsye që opozita ankohet se Edi Rama i ka si mangësi në raport me SHBA-në. Në fakt, Presidenti Trump ia ka vlerësuar këto si përparësi.

E kundërta do të ketë rëndësi. Pjesëmarrja e Edi Ramës në këtë tryezë do të rrisë vëmendjen e Uashingtonit për Shqipërinë dhe do të forcojë politikën amerikane rreth Shqipërisë si një vend aleat.
Shqipëria praktikisht nuk do të ketë asnjë kosto financiare ose ushtarake, nuk do të ketë angazhime ushtarake në Gaza dhe as financime.

E vetmja gjë që ne do t’i shesim Bordit të Paqes është Edi Rama dhe këtë me një pazar të mirë, që nëse del çdo gjë me sukses quhemi të fituar, nëse nuk funksionon, nuk jemi ne të humburit.

E vërteta është se Shqipëria në këtë histori ka vetëm një rol simbolik, ndërsa kryeministri i saj ka një rol personal, si një politikan i drejtpërdrejtë, përtej gjuhës teknokrate, si një negociator i besueshëm dhe një aktor konfidencial me shumë udhëheqës botërorë të kësaj kohe.

Ai nuk është aty për atë që Shqipëria do të bëjë për Gazën, por për ato çka Shqipëria ka bërë deri më sot në raport me SHBA-në dhe politikën evropiane, si një vend pa risqe dhe aleat i sigurt.

Ndaj opozita është e lirë të përçmojë Edi Ramën si një autokrat i plotpushtetshëm dhe aleat i Trumpit, por nuk duhet të na lodhë shumë veshët me “protrumpizimin” e saj, pasi ajo që ka në mendje opozita dhe ajo që ka në mendje Trumpi janë një oqean larg njëra-tjetrës dhe një karrige larg Edi Ramës në një tryezë.

Përse opozitarët duhet të urojnë Edi Ramën për ftesën e Trumpit?

By: Mero Baze
17 January 2026 at 18:43

Nga Mero Baze

Ftesa e Presidentit Trump për kryeministrin e Shqipërisë që të jetë pjesë e Bordit të Paqes, që do të administrojë Gazën bashkë me disa personalitete të njohura me ndikim në botë, është lajm i mirë për Shqipërinë. Është lajm i mirë jo vetëm për rolin që i jep Shqipërisë dhe Edi Ramës në krah të Perëndimit në një nga misionet më të rëndësishme ndërkombëtare, por edhe për t’i dhënë një shuplakë narrativës idiote që përpiqet të mbajë gjallë Berisha brenda vendit, duke e paraqitur Shqipërinë si një “narkoshtet”, që është në listë të kuqe të Perëndimit.

Ftesa personale për të marrë pjesë në Bordin e Paqes për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, tregon rreshtimin e Shqipërisë në anën e duhur të historisë në politikën ndërkombëtare dhe lidhjet e forta që ka krijuar kryeministri i Shqipërisë me aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, duke i dhënë peshë fjalës së Shqipërisë në një nga krizat më të dhimbshme të botës që ka ndikim të drejtpërdrejtë në paqen botërore.

Kjo është e gjitha meritë e të qenit të Edi Ramës kryeministër i Shqipërisë.

Dhe për këtë opozita e Shqipërisë duhet të dalë e ta falënderojë Edi Ramën që e ka bërë Shqipërinë të rëndësishme për botën dhe për aktorët më të rëndësishëm të saj të angazhuar në zgjidhjen e një krize nga më delikatet në histori.

E di që duket kërkesë e ekzagjeruar, por vetëm kështu mund të shmangin tronditjen e shkaktuar tek mbështetësit e tyre trushpëlarë që prisnin të zbarkonte Trumpi me forcat Delta, ta arrestonte si narkotrafikant dhe të sillte Berishën në pushtet.

Nevoja për të gënjyer turmat që të ndjekin pas, duke i mbajtur me shpresa të kota, të bën shpesh që të besosh edhe gënjeshtrat e tua dhe në këtë rast është një zgjidhje e mirë të bësh sikur nuk ka ndodhur gjë dhe ta falënderojë kryeministrin për këtë rol të ri të Shqipërisë në botë. Kështu edhe ata trushpëlarët që e ndjekin pas, do të besojnë që edhe këtë e ka rregulluar Berisha për të mirën e Shqipërisë dhe nuk është meritë e Edi Ramës.

Pavarësisht kësaj, është rasti të kuptojmë se Shqipëria është një aleat historik i SHBA dhe politika e SHBA për Shqipërinë nuk bazohet në miliona të paguara për lobistë dhe as nuk bëhet te kafja e SHQUP-it, por bazohet te fakti që është një vend aleat i rreshtuar pro saj.

Ndaj është rasti i mirë që opozita e Berishës të kuptojë se nuk duhet të harxhojë më miliona të nxijë Shqipërinë si narkoshtet, dhe as miliona të tjera për të pastruar biografinë e Sali Berishës si “non grata”. Me pak vullnet mund të flasin mirë për Shqipërinë dhe të zgjedhin dikë që e nderon dhe përfaqëson opozitën me dinjitet, që ta përfaqësojë po ashtu Shqipërinë në të ardhmen si kryeministër.

Reforma kushtetuese, përballë nevojës për reformë politike brenda pushtetit

By: Mero Baze
16 January 2026 at 20:38

Nga Mero Baze

Edi Rama kërkoi që socialistët të hedhin themelin e një reforme të re kushtetuese në vend, që synon reformimin e Parlamentit, ndarjen administrative të Shqipërisë, e lidhur kjo edhe me ligjin elektoral dhe aspekte të tjera kushtetuese që mund të dalin rrugës.

Ideja e një reforme të re kushtetuese është e kushtëzuar nga dy faktorë vendimtarë.

Faktori i parë është opozita e Sali Berishës. Në parim, Sali Berisha pranon reforma vetëm në interes të tij politik. Në rastin konkret, Sali Berisha ka interes jetik mbijetesën politike në krye të opozitës për të vazhduar të jetë faktor bllokues qoftë edhe për reforma të tilla. Kështu që çdo përpjekje për reformë kushtetuese duhet të kalojë tek dëshirat e Berishës për një ligj elektoral që e mban atë në krye të opozitës. Një i tillë u bë më 2009. Nuk besoj se Shqipëria ia ka borxh, pas gati 20 vjetësh Berishë, t’i bëjë edhe një ligj për pleqëri. Kështu që ka pak gjasa që ai të bjerë dakord për ndonjë reformë kushtetuese. Socialistët është mirë ta paraqesin opsionin e tyre, por gjasat që Berisha t’u japë votën janë të pakta, nëse këta nuk i japin atij garanci që të ruajë pushtetin në krye të PD-së. Deri tani i kanë dhënë vetëm garanci financiare, duke i mundësuar familjes së tij të zhvillojë prona të fituara në mënyrë të dyshimtë dhe rrugë korruptive. Por kjo nuk është e mjaftueshme për Berishën. Ai e di që ato i humbet nëse humbet PD-në. Pasuria e tij më e madhe buron nga të qenit pronar i PD-së dhe jo pronar i tokave në bregdet. Prandaj ky proces mund të përfundojë i njëanshëm dhe i pavotueshëm në Kuvend.

Faktori i dytë vendimtar është Bashkimi Evropian. Shqipëria ka ambicie të ekzagjeruara që mund të anëtarësohet në BE në vitin 2029. Personalisht nuk shpresoj se kjo do të arrihet, jo thjesht si parashikim, por si pamundësi që ne të kryejmë reforma thelbësore dhe konkrete në fushën e shtetit juridik, mjedisit dhe bujqësisë, tre probleme të mëdha që Shqipëria është larg vëmendjes reale.

Në përpjekje për të fituar me çdo çmim konsensusin e Evropës, kryeministri Rama ka urdhëruar deputetët të mos kenë asnjë hezitim për të miratuar ligjet që ofrohen nga BE-ja dhe direktivat e ardhura prej tyre.

Një nga direktivat më të forta të tyre është beteja e drejtësisë me korrupsionin, e cila jo në pak raste i ka hapur rrugën linçimeve politike, mungesës së procedurës ligjore në hetime dhe heqje lirie, si dhe debateve mbi sigurinë juridike të qytetarëve shqiptarë, të cilët po marrin një drejtësi më të keqe se ajo që kanë pasur para Reformës në Drejtësi.

Mali i dosjeve nëpër gjykata, sorollatjet pa fund të qytetarëve shqiptarë, rikthimi i shumë çështjeve për rigjykim nga Gjykata e Lartë etj., i kanë bërë qytetarët shqiptarë më të pashpresë se kurrë për rezultatet e reformës në drejtësi.

Guximi për të reformuar Reformën në Drejtësi është në kundërshtim me frymën e BE-së, e cila tek gjithë Reforma në Drejtësi shikon si pozitive vetëm ndëshkueshmërinë e politikanëve.

Dakord jam, por Reforma u bë t’u japë drejtësi qytetarëve shqiptarë dhe jo si gijotinë për politikën shqiptare. Si e tillë, nëse e lë gjendjen kështu deri më 2029, këtu do të jetë kriminalizuar gjithë klasa politike dhe nga ana tjetër qindra mijëra qytetarë shqiptarë do të kenë marrë më pak drejtësi se sa kishin para vitit 2016. Atëherë bilanci do të jetë edhe më i keq. Ne do të dukemi një vend i njollosur nga drejtësia dhe njëkohësisht një vend pa drejtësi. Dhe kjo do guxim politik për t’u përballur. Ashtu siç thoshte Konica, në pritje të ëndrrave do të na kalben dëshirat.

Nuk po flas pastaj për anët teknike të standardeve të BE-së, që do të duhet të mbyllin një sy për t’i pranuar. Çështja e pronës, gjendja primitive e fshatit, mjedisi dhe fusha të tjera të zhvillimit si bujqësia janë probleme më vete, por për të cilat mund të ketë një shkelje syri.

Kështu që para Reformës Kushtetuese, Edi Rama ka mundësi të bëjë disa reforma ligjore të ligjeve të rëndësishme të vendit: Kodin Penal, Civil, ndarjen territoriale, ligjin elektoral, ligjin për shtypin, etj., për të shtruar rrugën drejt një reforme të plotë kushtetuese.

Dhe për t’i bërë të gjitha këto, ai duhet t’i rikthehet një qeverisjeje me përgjegjshmëri të lartë politike. Teknicienët janë pasuria më e madhe e këtij vendi për të na futur në Bashkimin Evropian, por qeverisja dhe qeveria duhet të reformohen bazuar mbi përgjegjshmërinë politike. Teknicienët mund të udhëheqin çdo agjenci apo njësi të integrimit në vend, por jo qeverinë. Kur u kërkon deputetëve të lidhen me bazën dhe të ruajnë raportet me elektoratin, duhet ta bësh këtë, dhe kur ruan përfaqësimin politik në qeveri në gjithë qarqet që ata të kenë ku të trokasin. Deputetët që shkojnë përditë në zonë elektorale dhe duhet t’i bien telefonit të një ministri që nuk është deputet, është pak paradoksale.

Në kushtet kur socialistët kërkojnë t’i përfshijnë në një betejë afatgjatë për të kontrolluar situatën në Parlament, situatën në terren dhe procesin e integrimit, ata duhet të kthehen në debatues të mëdhenj në këtë vend dhe njerëz që marrin peshë politike duke u përballur me problemet.

Sot Grupi Parlamentar Socialist ngjan si grup anonimësh, ku të gjithë bëjnë kujdes vetëm të mos i përmendë Berisha dhe nuk përfshihen në asnjë debat as për të mbrojtur qeverinë, as qeverisjen, pasi realisht ndjehen të huaj për të.

Ata nuk i njeh askush për luftëtarë. Politika shqiptare ia ka deleguar debatin politik paneleve televizive me gazetarë me honorare që të pyesin para emisionit me kë të bëhen gjatë emisionit. Ky është fundi i politikës dhe i përgjegjshmërisë politike të Partisë Socialiste dhe PD-së së Berishës. Është aq i theksuar si fenomen, sa edhe vetë Edi Rama zgjedh të bëjë debat politik me Fevziun dhe Klodiana Lalën në vend të Berishës. Dhe kjo nuk është fyerje për dy gazetarët, por për politikën shqiptare, e cila ka zhdukur aktorët politikë dhe ka deleguar debatin politik tek shtypi, dhe pastaj debaton me të.

Kthejeni politikën tek politikanët dhe mbajeni debatin politik tek ata dhe do të kuptoni që shtypi nuk ka më asnjë rëndësi. Përveç rastit kur të bën transparencën e mëkateve.

PD e përjeton pezullimin e vizave të SHBA si një mallkim që i zuri shqiptarët nga “non grata” e Berishës

By: Mero Baze
15 January 2026 at 18:21

Nga Mero Baze

Vendimi i SHBA për të pezulluar procedurën e vizave të emigrimit për 75 vende, mes të cilave edhe Shqipëria dhe Kosova, bazuar në kostot që i ka shkaktuar SHBA-së secili komunitet lidhur me përkrahjen sociale, ka ngjallur një lumturi të pashpjegueshme tek udhëheqja e Partisë Demokratike të Sali Berishës. Në gëzimin e tyre ka diçka mistike. Edhe pse e kuptojnë se nuk është ndërmarrë kurrfarë operacioni për të ndaluar vizat e popullit shqiptar në Shqipëri, por procedura e emigracionit në SHBA, ata kanë dëshirë ta shqiptojnë me zë të lartë, por jo vajtues, faktin që tani i gjithë populli shqiptar është “non grata”. Madje edhe populli i Kosovës që qeveriset nga një njeri me duar të pastra, patriot dhe që nuk bashkëpunon me mafien ndërkombëtare si Albin Kurti. Pra, në një farë mënyre jemi shpallur sipas tyre “komb non grata”, dhe na ka lënë pas Serbia që dikur është bombarduar nga SHBA dhe që sipas këtyre do ta ndajë Kosovën me Shqipërinë.

Gëzimi është i pakontrolluar, më keq se fjalët që e pasojnë dhe argumentet që shpikin. Vetë SHBA e ka sqaruar disa herë brenda 24 orëve, jo për ne, por për të 75 vendet, se po ndërmerr një operacion social në SHBA kundër peshës financiare që ka në buxhetin e vendit mbajtja në këmbë e një sistemi ndihmash për emigrantët. Siç e thotë jo rrallë herë edhe Berisha, në SHBA ka ardhur një sherif i ri dhe ka rregulla antiemigrante. Për këtë kanë votuar amerikanët dhe nuk i ndalojmë dot të bëjnë çfarë të duan me rregullat e tyre.

Gëzimi i opozitarëve tanë nuk ka lidhje me arsyet që e kanë çuar SHBA-në tek ky vendim. Thellë-thellë ata janë të gëzuar, apo më mirë të themi do të donin që ashtu siç është shpallur “non grata” udhëheqësi i tyre, të shpallet i gjithë populli shqiptar që nuk i shkon atij nga pas. Është një hakmarrje që e ëndërrojnë dhe ky lajm u vlen vetëm i shtrembëruar. I vlen ashtu siç nuk është, që të përfytyrojnë gjithë shqiptarët tek sporteli i ambasadës së SHBA duke kërkuar vizë dhe duke ua refuzuar, si Sali Berishës dhe familjes së tij. Ata e shikojnë këtë si një mallkim që i vjen kombit shqiptar nga vuajtjet e Sali Berishës si “non grata”.

Fatkeqësisht për ta nuk është ashtu. Çdo shqiptar që ka një vizë apo që do një vizë për SHBA për turizëm, për biznes, për punë, për arsim apo aktivitete të tjera mund të shkojë në ambasadë dhe ta marrë. Ajo që është pezulluar është praktika e homogjenizimit të emigrantëve në qytetarë amerikanë. Ky është një lajm i keq për gjithë ata shqiptarë që duan të emigrojnë në SHBA, jo për ata që duan të jetojnë këtu. Ata kanë të drejtë të mërziten, por nuk i ndihmojmë dot.

Opozitarët tanë nuk janë të gëzuar mjaftueshëm me kaq. Duan që të mos jepet më asnjë vizë, meqë nuk i jepet vizë Sali Berishës dhe familjes së tij.

Ah po. Ka edhe disa kritere tani e tutje për këta që do aplikojnë për viza. Mes atyre kritereve është edhe obeziteti, sëmundjet e pashërueshme dhe ato të shëndetit mendor.

E sigurt është që gjithë këta anëtarët e kryesisë së PD që 24 orët e fundit kanë folur për “ndalimin e vizave” nga SHBA, është e sigurt që nuk e kalojnë testin e vizës. Jo se janë bashkëpunëtorë të “non grata”, por për shkak të kriterit për shëndetin mendor. Është mirë të mos e provojnë.

Një plan kombëtar afatgjatë për zonat e kuqe të përmbytjeve

By: Mero Baze
13 January 2026 at 19:42

Nga Mero Baze

Kushdo që ka hedhur sytë nga avioni ndërsa ulet drejt Rinasit nuk mund të mos i vrasë sytë ulëtësira veriperëndimore e Shqipërisë, e cila ngjan si një hapësirë ku dikush ka hedhur shtëpi nëpër fushë si gurë dominoje. Përveç pamjes së shëmtuar antiurbane me të cilën prezantohet Shqipëria, ajo copë Shqipërie që ne shikojmë nga avioni është një nga plagët e mëdha të tranzicionit shqiptar, e cila përsëritet disa herë nga Velipoja deri në Sarandë. Lëvizja e lirë e pas vitit 1990 dhe mungesa e shtetit serioz ka bërë që qindra mijëra familje shqiptare, kryesisht nga fshatrat e Shqipërisë, të vërshojnë drejt ulësirës shqiptare dhe të ndërtojnë shtëpi apo biznese në zona të kuqe, që preken nga përmbytjet apo që janë nën rrezikun e përhershëm të zhdukjes nga faqja e dheut, siç janë ndërtimet në rrezen e hidrocentraleve tona të Kaskadës së Drinit apo në dalje të luginës së Matit.

Zona të tëra në Shkodër, Lezhë, Katund i Ri, Këneta e Durrësit, Novoselë dhe ulësira e poshtme e Vjosës, si dhe një pjesë e zonës së Cukës në Sarandë, janë zona nën presionin e përhershëm për të qenë të përmbytura dhe më e pakta që duhet të bëjë shteti shqiptar është të shmangë dëmet njerëzore nga këto zona.

E di që të gjithë thonë se tani është vonë, por nesër do të jetë edhe më vonë. Ajo që është urgjente është hartimi i një plani thelbësor për spostimin e çdo banese prej këtyre zonave drejt territoreve të sigurta. Ky plan nuk mund të jetë as dyvjeçar as pesëvjeçar, por dhjetë deri njëzetvjeçar, sipas mundësive të planifikuara të shtetit shqiptar. E rëndësishme është që fillimisht të shpallen zonat e kuqe ku nuk duhet të banojnë më njerëz dhe nuk duhet të ketë më biznese, dhe pastaj spostimi të shtrihet në vite si një përgjegjësi e çdo qeverie që vjen e ikën në këtë vend.

Kjo rikthen përgjegjësinë e shtetit shqiptar për territorin dhe qytetarët.

Kjo histori që çdo vit, sa herë bie shi, ne duhet të ndeshemi me njerëz që kanë ndërtuar aty ku nuk duhet të ndërtojnë dhe çdo vit t’u premtojmë kompensim për dëmet, është një tmerr pa fund. Ne po investojmë që ata të jetojnë aty ku nuk duhet të jetojnë. Zonat e kuqe të përmbytjeve duhet të jenë të lira nga ndërtimet dhe bizneset, pasi vetëm ashtu ato kthehen në valvola shkarkimi të përmbytjeve, duke shpëtuar zonat e tjera. Kënetat apo xhepat e përmbytjeve, në rast fatkeqësie natyrore, janë amortizatori më i mirë i sulmit të parë të natyrës mbi territorin. Por ato duhet të jenë të zbrazura nga njerëzit.

Dhe ky proces duhet të fillojë një orë e më parë, bazuar në një plan kombëtar afatgjatë të mirëstudiuar për zhvendosjen e banorëve nga ato zona ku kanë ndërtuar në emër të lirisë së tyre personale, duke u kthyer në një problem kombëtar të përvitshëm shoqëruar me një faturë financiare të çuar dëm.

I vetmi investim i qëndrueshëm kundër këtij fenomeni është të fillojmë të mendojmë se si t’i heqim ata nga zonat ku do të jenë në rrezik të përhershëm, duke i lënë në një konflikt të përhershëm me natyrën dhe fatkeqësitë e sjella prej saj.

Ditën kur banori i parë do të fillojë të largohet nga ato zona, do të jetë dita e normalizimit të anarkisë urbane të Shqipërisë, e cila përveçse e shëmtuar është edhe e rrezikshme për ata që e kanë shkaktuar.

Cilësia më e keqe e drejtësisë është kur askush nuk të dëgjon

By: Mero Baze
12 January 2026 at 20:59

Nga Mero Baze

Në debatin mbi cilësinë e drejtësisë, që ka prodhuar Reforma në Drejtësi, i cili ishte sot edhe shqetësim i Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe ambasadorit të BE-së në Tiranë, duket sikur të gjithë flasin për përgjegjësitë e të tjerëve, duke anashkaluar të vetat.
Fjala vjen, Kryetari i Gjykatës së Lartë u kërkon gjykatave më të ulëta të jenë seriozë në argumentimin e vendimeve për një drejtësi cilësore, Ministria e Drejtësisë u kërkon të mos jenë të fiksuar te paraburgimi, SPAK flet me shifra dhe përqindje për të mos folur për probleme, e kështu me radhë.

Në të vërtetë do të ishte më korrekte që secili të fliste se si e ka demonstruar cilësinë e drejtësisë aty ku është.

Le të marrim rastin kur gjykatat e shkallëve të ulëta, ajo e shkallës së parë apo e apelit, kanë detyrim të zbatojnë vendimet unifikuese të Strasburgut apo Gjykatës së Lartë.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka dënuar shtetin shqiptar në rastin e Kastriot Ismailajt, pasi i njëjti gjyqtar ka qenë edhe gjyqtar paraprak i çështjes dhe ishte edhe gjyqtar i çështjes në themel.
Pas kësaj pritej që GJKKO apo gjykatat e tjera, kur ndeshen me ankime të tilla, duhet të reflektojnë vendimin e Strasburgut.

Avokatët tanë ndeshen gjerësisht me këtë fenomen në dhjetëra gjyqe dhe kur u kujton vendimin e Strasburgut, as duan t’ia dinë.
Në një rast tjetër, te çështja “Metamorfoza”, gjykatësi kundërshtoi vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë për procedurën e shtyrjes së afateve të hetimit. Vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë thotë se afatet hyjnë në fuqi kur zbardhet vendimi i gjyqit. Gjyqtari Dhimitër Laro deklaroi në sallën e gjyqit se ai nuk e njeh vendimin unifikues, pasi ka gjykimin e tij të pavarur, dhe vendosi që afati fillonte kur ishte marrë vendimi në sallën e gjyqit.
Nuk ka shumë rëndësi se sa dramatike mund të jetë kjo për ata që gjykohen, por praktika e mosrespektimit të ligjit nga vetë gjyqtarët dhe aq më tepër e vendimeve unifikuese tregon se çfarë cilësie gjykimi kemi.

Po ashtu ka raste ekstreme në aktet e prokurorisë. Ka pasur raste kur një prokuror i shkallës së parë ka humbur çështjen që ka hetuar në apel dhe i është drejtuar vetë Gjykatës së Lartë për apel, për një çështje që nuk është më kompetencë e tij. Dhe Gjykata e Lartë e ka pranuar ankimin.

Vetë Gjykata e Lartë, e cila vlen për të krijuar praktika unifikuese dhe standarde cilësore të gjykimit, nuk është ndonjë shembull aq pozitiv në këtë rast. Vetë ajo ka dhënë vendime të ndryshme për të njëjtën çështje.
Rasti më flagrant është ai i kompetencës që ka prokurori për regjistrimin e emrit të personit që i atribuohet vepra penale.
Vendimi Unifikues nr. 3, datë 27.09.2002 i Gjykatës së Lartë, i cili konfirmohet edhe nga vendimi tjetër unifikues i saj me nr. 2, datë 20.06.2013 dhe nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese me nr. 7, datë 16.01.2012, nuk e lë në diskrecionin e prokurorit regjistrimin e emrit të cilit i atribuohet vepra (të kallëzuarit) në regjistrin e veprës penale ku fillon afati i hetimit, por ia përcakton objektivisht kur ky emër del i qartë nga kallëzimi. Sigurisht, prokurorët nuk e zbatojnë këtë, pasi i japin kohë vetes për të zgjatur hetimet artificialisht dhe abuzivisht (vetë Prokurori i Përgjithshëm në seancën raportuese në Komisionin e Ligjeve e ka pranuar këtë abuzim masiv me afatet nga prokuroria).

Me fjalë të tjera, afati i hetimit sipas vendimit unifikues fillon nga momenti që kallëzuesi bën kallëzim me emër, pra nga momenti që, fjala vjen, “Nesti Angoni” ka bërë kallëzim se ai ka thënë qartë se Erion Veliaj duhet hetuar.
Ndërkohë, pa u ndryshuar kjo praktikë unifikimi, që ka fuqi detyruese normative për të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe vetë gjykatën që e ka normuar, Gjykata e Lartë e shkelmon me vendime individuale kolegjesh dhe nuk zbaton vetë unifikimin e praktikës së saj, siç është rasti i vendimit për Erion Veliaj.

Kolegji, në kundërshtim me vetë vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë, vlerësoi në rastin Veliaj se “regjistrimi i emrit në regjistrin e veprave penale është diskrecion i prokurorit dhe ky i fundit nuk mund të imponohet për regjistrimin e emrit vetëm në kuadër të materialit referues dhe provave shoqëruese, nëse prej tij vlerësohet se ka nevojë për veprime hetimore shtesë me qëllim saktësimin, konfirmimin e personit të kallëzuar si autor të veprës penale. Dhe Kolegji përdor si referencë vendime (shih vendimin nr. 00-2023- 1049 (124), datë 20.04.2023 dhe vendimin nr. 00-2025-1467, datë 22.04.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë) që nuk janë unifikuese. Pra, ka më shumë se një vendim që është në kundërshtim me vendimin unifikues”.
Dhe kjo praktikë krijon pasiguri juridike

Por ndërsa kritikojmë drejtësinë, e cila është një pushtet i pavarur, akoma më e pashpjegueshme është puna e Ministrisë së Drejtësisë, e cila është edhe më jotransparente se vetë pushteti gjyqësor.

Janë së paku dy politikanë të lartë, Ilir Beqaj dhe Erion Veliaj, që i kërkojnë GJKKO-së të kenë mundësinë të lexojnë dosjen e tyre të SPAK-ut në qeli, duke iu mundësuar një kompjuter offline. Ligji nuk e pengon. Altin Dumani, në cilësinë e kryetarit të SPAK-ut, tha në Kuvend se kjo gjë nuk ndalohet. Kështu ia hodhi topin Ministrisë së Drejtësisë, nga e cila varet Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Ky debat ka së paku gjashtë muaj që bëhet. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk jep asnjë shpjegim konkret se si duhet të zgjidhet kjo çështje.

Derisa ishte Ulsi Manja, dukej edhe si një luftë personale e tij ndaj Veliajt për shkak të grupimeve brenda PS-së, dhe Drejtoria e Burgjeve kthente sytë nga ai si e pafuqishme. Por edhe tani që Manja është larguar, ministri i ri nuk ka asnjë iniciativë ligjore ose praktikë administrative që të saktësojë se të burgosurve u lejohet përdorimi i këtij mjeti leximi të akuzës në burg.
Nëse ndalohet, ta rregullojë me ligj të lejohet. Ose me urdhër të brendshëm. Në rast të kundërt, Avokati i Popullit të iniciojë një praktikë ankimore dhe të sugjerojë ndryshimin e ligjit.

Kjo rënie në vesh të shurdhër e kërkesave legjitime të dy të akuzuarve që duan të lexojnë akuzën që kanë dhe të gjithë u thonë çfarë u do qejfi, por asnjëri nuk u zgjidh problemin, është drejtësia më e keqe në botë. Më e mirë se kjo drejtësi është që dikush të dalë e t’u thotë: “Nuk ua japim dosjen se e ndalon ligji” ose “nuk kemi dëshirë”. Por kjo që askush nuk u jep zgjidhje se si duhet ta lexojnë ata dosjen është direkt përgjegjësi e qeverisjes, e asaj qeverie që kërkon të përmirësojë cilësinë e drejtësisë.

Vetë strukturat politike të qeverisë që merren me drejtësinë janë tërësisht të paafta për të bërë detyrat e tyre, duke e kthyer Drejtorinë e Burgjeve në një institucion arbitrar, ku vendosin lekët për çdo shërbim ndaj të burgosurve dhe jo ligji.

Për këtë arsye, debatet për një drejtësi cilësore duhet t’i shkundin të gjithë dhe jo të kthehen në një debat ku të gjithë drejtojnë gishtin nga të tjerët. Të gjithë duhet ta kthejnë nga vetja, pushteti politik dhe ai i drejtësisë. Ata vërtet janë të pavarur nga njëri-tjetri, por për të dhënë drejtësi, jo për të bërë padrejtësi.

Rreziku i një beteje të dështuar ndaj një drejtësie të dështuar

By: Mero Baze
11 January 2026 at 20:41

Nga Mero Baze

Edi Rama duket se i ka dhënë një shtysë të re debatit mbi reformimin e Reformës në Drejtësi, pas takimit me Ministrinë e Drejtësisë në Francë dhe vlerësimit të drejtësisë aktuale, e cila sipas tij nuk është as cilësore dhe as e paanshme.

Përpara tij këtë gjë e kanë thënë drejtues të opozitës që po përballen me gjyqe, gazetarë që po ashtu kanë marrë shembuj të standardeve të ndryshme të krijuara nga gjykimet e zyrtarëve të lartë, sidomos në mosrespektimin e procedurave penale dhe fushatat represive të paraburgosjeve.

Por duhet të biem të gjithë dakord se debati kundër Reformës në Drejtësi nuk është një debat popullor. Opinioni publik nuk është asnjëherë në anën e atyre që kërkojnë drejtësi cilësore apo të paanshme apo profesionale, si të doni quajeni. Opinioni publik është mbarsur me idenë e pandëshkueshmërisë ndaj politikanëve në vend dhe tani është super i kënaqur që ata po ndëshkohen. As u hyn në punë fare se si po i dënojnë, a po gjejnë prova, apo e nderojnë drejtësinë apo po e turpërojnë etj. Këto u duken luks i madh.

Për këtë arsye, ndryshe nga unë që jam gazetar apo të tjerë që janë profesionistë të fushës së drejtësisë, që nuk jemi shumë të interesuar se çfarë mendon populli në këtë rast, kryeministri por dhe opozitarët duhet të kenë një qasje më të kujdesshme në sulmet ndaj drejtësisë. Dhe kjo qasje duhet të ekspozojë para opinionit publik atë që drejtësia u bën qytetarëve të thjeshtë, jo Ilir Metës, Erion Veliajt, Belinda Ballukut, Sali Berishës etj.

Kryeministri i ka gjithë mundësitë që përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera të ekspozojë para parlamentit dhe opinionit publik statistika reale se çfarë i ka bërë drejtësia e re shoqërisë shqiptare.

Nëse në vitin 2015 ishim të shqetësuar pse nuk dënoheshin politikanët por vetëm qytetarët, sot ne jemi në një gjendje dramatike shumë herë më të rëndë, pasi mijëra qytetarë më shumë se sa në vitin 2015 nuk po marrin drejtësi, ndërsa ndëshkimet ndaj politikanëve po përdoren si alibi për t’ua mbyllur gojën padrejtësive ndaj qytetarëve të thjeshtë.

Numri i dosjeve të pagjykuara ka shkuar në mbi 200 mijë, një proces gjyqësor i nisur për një qytetar të thjeshtë do mbi 5 vite të mbarojë, ndërkohë që burgjet janë mbushur me të paraburgosur duke zënë vendin e parë në Evropë, sipas raporteve të Këshillit të Evropës.

Kryeministri duhet të nisë betejë për të mbrojtur qytetarët, jo bashkëpunëtorët e vet. Ata duhet të mbrohen nga standardet që duhet të vendosë drejtësia, por ata nuk mund të diskriminohen pozitivisht duke lënë burgjeve me mijëra qytetarë shqiptarë pa drejtësi dhe pa të ardhme për t’u gjykuar.

Gati një vit më parë kam bërë një shkrim rreth arrestimit të bujshëm të 17 policëve doganorë shqiptarë të dyshuar për korrupsion në pikën kufitare të Morinës dhe 26 të tjerëve nga Kosova.

Policët tanë të arrestuar për 5 euro u rrasën në paraburgim deri në një vit pa i pyetur askush, duke shkaktuar drama të mëdha familjare, ndërsa ata të Kosovës u pezulluan tre ditë, iu dhanë vërejtje dhe u rikthyen shumica në vendin e punës ku ishin.

Drejtësia pa procedurë është sot një kamxhik në kokën e çdo qytetari. Gjyqet pa afat janë sot plaga më e thellë e çdo qytetari të Republikës që ka punë me drejtësinë.

Superstruktura e re e drejtësisë është jofunksionale dhe ka shkaktuar drama të mëdha për qytetarët që duan ta prekin drejtësinë dhe të përfitojnë prej saj.

Asnjë raport zyrtar nuk ka sot as Ministria e Drejtësisë e Ulsi Manjës as e pasardhësit të tij për impaktin që ka dhënë Reforma në Drejtësi për qytetarët shqiptarë. Ka vetëm thashethemet e Ulsiut për prokurorët dibranë dhe përcjelljen e shokëve të tij në burg.

Nëse kjo nuk bëhet, nëse shqiptarët nuk ballafaqohen me rezultatet e këqija të Reformës në kurriz të tyre, nëse nuk ka një debat publik real se ç’dëme po i shkakton drejtësia e re qytetarëve, çdo debat tjetër i nisur nga qeveria apo i anatemuar nga opozita konsiderohet debat për hallet e politikanëve dhe është betejë e dështuar. Dhe e keqja është se do të jetë betejë e dështuar ndaj një drejtësie të dështuar. Çka është dy herë më e keqe, pasi beteja për të ndryshuar një të keqe që e kemi bërë me ligj dhe mbështetje pa kushte është betejë kundër dështimit tonë të përbashkët.

Pas politikanëve beteja do të shkojë tek biznesmenët, të cilët janë motori ekonomik i vendit; do të frenohen investimet dhe vendi mund të hyjë në kolaps në emër të jakobinizmit, dhe pastaj dëmet e shkaktuara nuk do të jenë 50 milion apo 100, por miliarda lekë që do t’i gëlltisë kriza financiare. Të jeni të sigurt që opinioni publik është gati t’i shikojë edhe biznesmenët në litar, se nuk ua fal faktin që janë të pasur, edhe pse jeton prej një ekonomie që bazohet mbi kapitalizmin dhe fuqinë e bizneseve.

Vetëm kur shqiptarët të kuptojnë se Reforma në Drejtësi nuk ka dështuar se ka futur kot në burg apo në paraburgim pa arsye zyrtarë lart apo biznesmenë, por se ka larguar shanset që qytetarët të marrin drejtësi, atëherë mund të jemi gati të reformojmë Reformën në Drejtësi. Deri atëherë, merruni me hallet që u ka shkaktuar Reforma në Drejtësi shqiptarëve dhe jo me ndëshkimet që po i bën politikës. Kjo e fundit rrezikon të kthehet në një arsye të fortë që deformimet e thella të Reformës në Drejtësi të mbijetojnë, vetëm pse kanë shqetësuar politikën. Dhe kjo do të jetë vrasja përfundimtare e shanseve për drejtësi.

Kriza e vetme politike që kemi, është politika ndaj drejtësisë

By: Mero Baze
9 January 2026 at 18:37

Nga Mero Baze

Duhet të pranojmë se lajmet rreth drejtësisë dhe debatet për nevojën e standardeve në hetim dhe gjykim nuk janë lajme popullore. Nevoja për të pasur një pushtet gjyqësor të pavarur dhe të aftë të çojë para drejtësisë zyrtarët e lartë, dhe arkitektura artificiale që ndërtuam nga ana tjetër për Reformën në Drejtësi, duket se e kanë zhdukur këtë debat.

Në tërësinë e vet, opinioni publik është i kënaqur që SPAK është kthyer në një gijotinë për çdo zyrtar të lartë nën akuzat për korrupsion, dhe nëse tenton të bësh debat për standarde, shkelje ligji, apo akoma më keq mungesë provash, ti do të përballesh me një ushtri njerëzish të fyer. Dhe kjo vjen nga fakti se vëmendja ndaj këtyre mungesave është bërë popullore kur me to janë përballur zyrtarë të lartë, politikanë që ndajnë opinionin publik, dhe jo fatet e qytetarëve të thjeshtë.

Njësoj si ata, drejtësia vepron te ne dhe ndaj qytetarëve të thjeshtë, pa mbështetje, pa zë dhe pa shpresë se një ditë do të ketë një gjykim të drejtë për ta. Por askush nuk është kujtuar për ata.

Gati një vit më parë, kryeministri Edi Rama premtoi se do të kishte dëgjesa parlamentare dhe debate publike rreth mënyrës se si po funksionon Reforma në Drejtësi; si po krijohen standardet e hetimit dhe gjykimit që po i japin fund pandëshkueshmërisë; dhe si po funksionon balanca e pushtetit brenda drejtësisë, por nuk është bërë asgjë. Të gjithë janë të kompleksuar se nëse tani diskutojnë standardet e drejtësisë, duken sikur janë kundër Reformës në Drejtësi.  Madje sot edhe Sali Berisha, që shan çdo të hënë Altin Dumanin, ishte dakord që të mos preket më Reforma në Drejtësi. Dhe atij i duket në favor.

Ajo që po ndodh sot nuk është thjesht një krizë institucionale, as një krizë kushtetuese, dhe as një krizë qeverisëse në kuptimin klasik të humbjes së shumicës parlamentare. Kriza aktuale është një krizë politike e qartë, e prodhuar nga mosveprimi i politikës në ushtrimin e përgjegjësive të saj kushtetuese.

Politika sot shfaqet e paralizuar dhe e dorëzuar në ushtrimin e funksioneve të saj. Mazhoranca, e bllokuar nga komplekset që ka ndërtuar rreth mbrojtjes së reformës në drejtësi që vetë realizoi. Opozita, e etur për pushtet pa kaluar nëpër zgjedhjesh, pasi është refuzuar në mënyrë të përsëritur nga qytetarët. Forcat e reja politike, që në mungesë të ideve dhe projekteve qeverisëse, përpiqen ta zëvendësojnë politikën me drejtësinë, duke u shfaqur në rolin e prokurorit publik. Media, nga ana e saj, është e ekzaltuar nga ky proces, sepse është shndërruar në arenën ku zhvillohet gjyqi publik, një “Big Brother” kombëtar i drejtësisë, ku hetimi dhe dënimi konsumohen si spektakël.

Ndërkohë, në debatin publik po artikulohet gjithnjë e më shpesh edhe ideja se ndërkombëtarët po e përdorin drejtësinë si instrument ndikimi politik, më tepër në funksion të interesave të taksapaguesve të tyre sesa të qytetarëve shqiptarë. Por, pavarësisht rolit të të gjithë këtyre aktorëve, një e vërtetë mbetet thelbësore, në këtë krizë politike, përgjegjësia kryesore bie mbi forcën që mban pushtetin, mbi aktorin sovran të sistemit demokratik, atë që ka marrë mandatin më të madh nga qytetarët shqiptarë për të qeverisur, Partisë Socialiste të Shqipërisë

Si çdo krizë politike, edhe kjo nuk lind as brenda një dite dhe as nga aktet e një institucioni të vetëm. Ajo është produkt i një serie (mos)veprimesh institucionale dhe politike, të shtrira në kohë. Prej vitesh tashmë, forca politike e cila drejton vendin, me të drejtë, adoptoi një tezë që mund të konsiderohet virtyt institucional: “ne nuk merremi me drejtësinë”. Kjo u kuptua si mosndërhyrje në dosje konkrete dhe si shkëputje nga një kulturë shekullore ku politika kontrollonte çdo çështje penale me ngarkesë politike. Por në kohë, kjo tezë u shndërrua në diçka shumë më të dëmshme: në heqje dorë nga funksioni kushtetues i politikës, për të vendosur kufij, për të balancuar dhe për të korrigjuar pushtetin gjyqësor. Politika hoqi dorë nga atributet që vetë Kushtetuta ia jep për të mbajtur drejtësinë brenda ligjit, duke lejuar deformimin e ligjit nga një pushtet që, sipas kushtetutës, është i detyruar të ecë vetëm brenda tij. Me fjalë të tjera, drejtësia u lëshua pa duar.

Në një shtet të së drejtës, politika nuk i thotë drejtësisë kë të hetojë apo kë të dënojë. Por politika ka detyrimin kushtetues t’i vendosë drejtësisë kufijtë dhe mekanizmat e kontrollit, për të mbrojtur interesin publik nga abuzimi i çdo pushteti. Kur kjo nuk ndodh, problemi nuk është drejtësia “e fortë”, por politika e dobët dhe e heshtur, që heq dorë nga ushtrimi i sovranitetit të deleguar nga qytetarët. Pasoja është kjo që sot duket qartë: një sistem drejtësie që vepron gjithnjë e më shpesh jashtë standarde procedurale kushtetuese; masa sigurie që shërbejnë më shumë për ndëshkim publik sesa për mbrojtjen e hetimit; gjykata që konfirmojnë mekanikisht kërkesat e prokurorisë, jo nga bindja juridike, por nga frika se mos nesër bëhen vetë subjekt i hetimit; institucione të qeverisjes së gjyqësorit që, më shumë se sa qeverisës të sistemit, duken të varura prej tij.

Kjo nuk është drejtësi evropiane. Ne kemi kaluar nga paprekshmëria e politikës, tek pushteti i pakufizuar politik i drejtësisë. Ky parim nuk është “akuzë” por themel i eikulibrit të pushteteve. Drejtësia, ashtu si çdo pushtet tjetër në Republikë, nuk ndërtohet mbi supozimin e virtytit absolut të aktorëve të saj, por mbi llogaridhënie institucionale, kufijt kushtetues dhe kontroll demokratik. Kur këto mungojnë, pushteti nuk bëhet më i fortë; bëhet më i rrezikshëm, bëhet më abuziv.

Dhe në këtë kuadër nuk është aspak problem se SPAK po heton këto fenomene apo politikanë; ky është një detyrim kushtetues. Problemi lind kur drejtësia nuk vepron më brenda ligjit dhe Kushtetutës, por shndërrohet në ligjvënës de facto, duke anashkaluar me shkathtësi kufijtë kushtetues. Problem akoma edhe më i madh është se politika e ka lejuar këtë. Kur arrestime dhe masa sigurie paralizojnë bashki, ministri dhe agjenci shtetërore; kur kryetarë të zgjedhur largohen de facto nga detyra pa vendim përfundimtar; kur prezumimi i pafajësisë shndërrohet në dënim publik, atëherë nuk kemi më thjesht problem drejtësie. Kemi problem qeverisjeje të shtetit dhe përgjegjësia për qeverisjen e shtetit, si një tërësi institucionale, është politike. Kryeministri dhe mazhoranca e mbajnë këtë përgjegjësi drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve për të mbrojtur rendin kushtetues dhe funksionimin e shtetit; ata nuk mund të sillen si spektatorë. Ky model drejtësie është ndërtuar nën qeverisjen e Partisë Socialiste, me miratimin dhe me heshtjen e saj.

Në emër të reformës, u relativizuan standardet evropiane të procesit të rregullt ligjor; në emër të luftës kundër korrupsionit, u normalizua ideja se qëllimi justifikon mjetin. Por kjo është një logjikë thellësisht antievropiane: Europa nuk e mat drejtësinë me numrin e “golave” të shënuar, por me cilësinë e “lojës” dhe zbatimit të rregullave të saj.

Shqipëria nuk ka nevojë më për spektakël ndëshkimor, por për politikë që merr përgjegjësi dhe udhëheq edhe me kosto elektorale. Pavarësia e drejtësisë nuk është privilegj apo imunitet nga ligji, por përgjegjësi shtetërore. Kjo krizë nuk zgjidhet as me retorikë kundër drejtësisë, as me viktimizim politik. Ajo zgjidhet vetëm duke pranuar të vërtetën themelore: kjo është krizë politike dhe si e tillë, kërkon zgjidhje politike, me mjete politike dhe me aktorë politikë që kanë peshën e përgjegjësisë politike : Vendosje të qarta kufijsh kushtetues. Rivlerësim serioz institucional. Rikthim real dhe efektiv të rolit të Kuvendit. Standarde evropiane të zbatuara në praktikë, jo slogane të përsëritura në deklarata.

Ky është momenti për guxim politik. Pa amnistuar askënd. Duke mbështetur drejtësinë, por jo gabimet e aktorëve të përkohshëm të saj dhe as fishekzjarrët çorientues që e shoqërojnë shpesh veprimtarinë e saj. Reforma në drejtësi nuk u bë as për spektakël, as për statistika dhe as për të ndërtuar “heronjtë e rinj të integrimit”.

Foltorja është një shpëtim për të gjithë ata që duan të jenë optimistë

By: Mero Baze
5 January 2026 at 20:18

Nga Mero Baze

Sot jam bindur që këto Foltoret para Kryeministrisë, në këto kohë, janë gjëja më e dobishme që bën opozita. Dhe dobia e tyre nuk qëndron as tek sasia e njerëzve që i ndjekin, as tek mesazhet që japin disa drejtues politikë, të vendosur me grafikë nga Flamuri.

Dobia qëndron tek disa qytetarë që marrin fjalën dhe që janë dukshëm me probleme mendore.

Në këto kohë të vështira, kur opozita e ka të vështirë të justifikohet para shqiptarëve për impotencën e saj, edhe pas shumë skandaleve të qeverisë, hedhja në treg e budallenjve është një veprim i zgjuar.

Fjala vjen, kjo ndërhyrja e fundit amerikane në Venezuelë nuk ka çmendur vetëm shqiptarët. Kam parë dhjetëra video me IA apo meme se si forcat Delta rrëmbejnë kryeministrin anglez Starmer, apo dhjetëra liderë të tjerë në vende të tjera të botës dhe i heqin nga pushteti. Është një lehtësim i madh për pafuqinë e opozitave në botë ajo skenë. Aq më tepër që Maduro kishte probleme dhe me legjitimitetin e tij si president.

Tani, këta të opozitës sonë e nisën vetë këtë që thonë budallenjtë në gjithë botën. E tha i pari Berisha, pastaj gjithë shumëfishuesit e budallallëkut të tij, por e panë që ishte tepërim.

Ndaj tani kjo Foltorja vlen më shumë se çdo gjë tjetër në botë, pasi ata budallenjtë që shfaqen aty nuk kanë shumë përgjegjësi dhe mund ta thonë këtë. Njësoj përhapet në popullin opozitar si thashethem. Siç janë katandisur ata, nuk është se bëjnë ndonjë ndryshim të madh mes asaj që thotë Tritani dhe asaj që thoshte ai burri që ankohej se Edi Rama u ka ulur vlerën grave të tyre. Rëndësi ka që gjërat që nuk thuhen dot në seli, të thuhen në Foltore. Me përjashtim të Tritanit, që mund ta thotë çfarë të dojë, ku të dojë.

Kështu që, dhe sot nga Foltorja mësuam se Edi Rama do ta pësojë si Maduro, ndërsa Berisha po i bën naze emrit të Lea Ypit për kryeministre teknike; mesa duket do t’u krijojë idenë të vetëve se nuk bën aq kollaj pazar. Është duke u menduar.

Kjo mjafton që demokratët ta kalojnë këtë momentin e “Ramaduros” dhe të fillojnë të mendojnë kush mund të jetë kryeministri që mund të pranojë Doktori… Kurrë nuk kanë pasur një mundësi të tillë të artë të ëndërrojnë direkt e për kryeministër të ri, pa hedhur asnjë pushkë. Këto Foltoret ua mundësojnë këtë gjë.

Kurrë nuk më kishte shkuar mendja që do gjenin një formë kaq elegante për të shtyrë vitin e ri që sapo nisi, me kaq shumë optimizëm. Nuk është kollaj të shtiresh budalla, kur rrethohesh nga budallenj. Doktori ia arrin gjithnjë.

Shqipëria nuk ngjan me Venezuelën as si qeveri, por mbi të gjitha as si opozitë

By: Mero Baze
4 January 2026 at 18:55

Nga Mero Baze

Përpjekja e shumë opozitarëve për ta përshtatur situatën në Venezuelë me situatën e opozitës në Shqipëri ka ngjallur një sërë reagimesh me humor, jo vetëm se krahasimet çalojnë, por mbi të gjitha se reagimet e opozitës nuk synojnë aq shumë “servilizmin” ndaj Trumpit, siç duan të duken, por servilizmin ndaj Berishës.

Përveç faktit që Berisha e ka quajtur qeverisjen Rama si qeverisje Ramaduro, as qeveria shqiptare dhe as opozita shqiptare nuk ngjajnë me ato të Venezuelës. Shqipëria është një shtet i strukturuar në formatin e një kandidati anëtar për Bashkimin Evropian, anëtar i NATO-s, një vend që është nën sferën e ndikimit amerikan në Ballkan bashkë me Kosovën, me një drejtësi që është në revansh ndaj politikës dhe krimit të organizuar dhe me një performancë të lartë ekonomike, nga më të mirat në rajon sa i përket rritjes ekonomike dhe stabilitetit financiar.

Përtej dashurisë që kanë adhuruesit e Berishës për çdo pështymë që ai nxjerr nga goja, Shqipëria nuk është narkoshtet, madje s’ka asnjë shenjë të sundimit të bandave në shtet. Falë SPAK, thuajse gjithë ato që quhen banda shqiptare janë sot para drejtësisë dhe dekriptimi i mesazheve të tyre tregon më së miri që ne dhe banditët i kemi budallenj, për fat të mirë. Nëse sheh historinë e tyre, e kupton që ke të bësh me banditë lokalë, primitivë, hakmarrës dhe tërësisht të pakonsoliduar në rrjete narkotrafiku nga ato që marrin jetë politikanësh dhe gazetarësh në vende si Meksika, Kolumbia, Ekuadori, etj., të cilat po ashtu nuk mund të quhen narkoshtete, por shtete nën trysninë e narkotrafikut.

Në këtë kontekst, gjithë kjo tymnajë qesharake e opozitës, që po shkakton humor në rrjet dhe po bëhet meme, ka të bëjë me faktin se shumë aktorë të opozitës, meqë u shfaq në skenë Maduro, u kujtuan se Berisha e ka quajtur Rama “Duro” dhe e panë këtë si rast të mirë t’i servilzohen Berishës si një lloj “gjeniu” që më në fund e zgjidhi punën se si do të fitojë opozita: “Do vijë Trumpi ta marrë Edi Ramën me helikopter dhe të sjellë Berishën në pushtet”.

Nga ana tjetër, kjo situatë e bëri edhe më komike opozitën, e cila vetëm disa muaj më parë kishte pasur një kurs tjetër politik, bazuar te sovranizmi dhe mosndërhyrja e SHBA në punët e brendshme të çdo shteti, sidomos të Shqipërisë. Socialistët së paku kanë qenë të hapur në këtë pikë që qeveria të qeveriset nga ambasadori i SHBA dhe BE, dhe madje për këtë janë linçuar, kurse opozitarët kishin pasur objekt lufte ndikimin amerikan dhe evropian në Shqipëri.

Ata shpallën linjën e tyre sovraniste si linjën që do t’i çonte në fitore. Nuk e di si befas e braktisën sovranizmin dhe u kthyen në ëndërrues të zbarkimit të aleatëve, si dikur politikanët e rrëzuar nga pushteti prej komunizmit, që mbanin veshin në radio kur do të zbarkonte aeroplani anglo-amerikan. Ata së paku kishin të drejtë dhe kishin një pritje realiste, pasi bënë bashkë një plan zbarkimi në Shqipëri, por “Trumpi” i atëhershëm nuk qëlloi kaq i aftë sa ky dhe dështoi, pasi u sabotua nga brenda.

Këta tanët tani hoqën dorë nga sovranizmi, kundrejt zbarkimit me helikopter, pa rregulluar një herë punët brenda shtëpisë së tyre, pasi helikopterët ulen si rregull për të zbuar “non gratat”.

Por ajo që është kryesorja: jo vetëm që qeveria shqiptare nuk ngjan me atë venezueliane, por mbi të gjitha opozita shqiptare nuk ngjan me atë të Venezuelës.

Opozita e Venezuelës ka bërë një betejë historike për demokraci, si përballë Chavezit, ashtu dhe përballë Maduros. Përballë Chavezit, opozita konsolidoi frontin opozitar, edhe pse humbi në tre raste, por përballë Maduros ajo organizoi beteja të mëdha, të cilat dhe i fitoi, por nuk mundi ta marrë pushtetin.

Lëvizja “La Salida” e 2014, e udhëhequr nga Leopoldo López dhe María Corina Machado, kërkoi rrëzimin e qeverisë dhe López u burgos.

Miliona venezuelas dolën në rrugë më 2017, pas krijimit të Asamblesë Kushtetuese nga regjimi i Maduros, i cili shmangu shumicën parlamentare; forcat e sigurisë vranë qindra protestues dhe mijëra u arrestuan.

Në 2019, opozita e shpalli Guaidón president të përkohshëm, i cili u njoh nga SHBA, BE dhe shumica e Amerikës Latine, por nuk arriti të marrë kontrollin real të shtetit.

María Corina Machado, një veprimtare politike e paposhtur, mori sivjet Çmimin Nobel për Paqe dhe arriti të arratisej nga Venezuela, përmes një aventure të frikshme, për të tërhequr çmimin.

Opozita e Venezuelës është shembulli më i ndritur se si një popull nuk dorëzohet përballë një regjimi, kurse opozita e Shqipërisë është shembulli më i shkëlqyer se si një politikan nuk dorëzohet përballë humbjeve, por mban peng opozitarizmin.

Opozita në Venezuelë ka nxjerrë për 12 vitet e Maduros së paku 4 udhëheqës të shquar opozitarë, ndërsa opozita shqiptare ka përjashtuar katër opozitarë, për të ruajtur statujën e vdekur të Sali Berishës, non grata prej SHBA.

Opozita e Venezuelës është pro-perëndimore, demokratike, pro-amerikane. Opozita e Shqipërisë e ka ndërtuar gjithë fabulën e saj – deri para disa muajsh – mbi sovranizmin ndaj BE dhe SHBA, për shkak të historisë së Berishës me Perëndimin, jo si vijë ideologjike.

Dhe për ta mbyllur debatin me këtë hare qesharake të opozitës që ëndërron helikopterët e Trumpit mbi Tiranë, duhet të themi se opozita nuk ka asnjë plan se si të vijë në pushtet, por kërkon t’ia sjellin atë. Domethënë: këta kaluan nga një opozitë sovraniste, që do të zbonte fuqitë e huaja perëndimore nga Shqipëria, në një opozitë që pret t’i bëhet pushteti nga qielli para kryeministrisë, ku ruan Adriatiku.

Dhe janë aq të bindur se kjo do të ndodhë, sa tani po zihen për emrin e kryeministrit të qeverisë teknike, në vend që të bënin debat për emrin e kandidatit për kryeministër, që duhet të udhëheqë opozitën drejt fitores. Por atë kanë frikë ta diskutojnë, se është Sali Berisha: non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, nën hetim për korrupsion dhe vrasje politike dhe kandidat për kryeministër të Shqipërisë.

Ky është i vetmi moment kur opozita jonë prodhon humor më shumë se gjithë humoristët e Vitit të Ri marrë së bashku.

❌
❌