“Nuk e shihja më veten në pasqyrë”/ Kastro Zizo çmonton mitin e artistëve të pushtetit dhe pranon shpërfytyrimin e shitur me para publike
“Për ne artistët është detyrim që të jemi opozitarë. Është detyrim i këtij qyteti, është detyrim i këtij shteti. Edhe ne jemi fajtorë të pasojave të shoqërisë si është sot. Po në pjesën më të madhe, ne kemi edukuar me artin tonë. Artisti duhet të jetë opozitar dhe nuk ia fal dot vetes… Po shpërfytyrohesha dhe nuk po shihja dot veten në pasqyrë.”
Këto janë fjalët e Kastro Zizo, të thëna publikisht në një podcast, në një nga rrëfimet më të rralla të një artisti që pranon hapur se ka qenë pjesë e afërsisë me pushtetin dhe se kjo afërsi e ka deformuar si njeri dhe si figurë publike.
Kastro Zizo foli për detyrimin moral të artistëve për të qenë opozitarë ndaj pushtetit, për fajin kolektiv të artit në gjendjen ku ndodhet shoqëria dhe për shpërfytyrimin personal që ndjeu kur e pa veten të shfaqej në krah të politikanëve, konkretisht pranë ish-kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Ai pranoi se nuk e përballonte më pasqyrën, se fytyra i “zhdukej”, se identiteti i tij si artist po tretej në tag-e politike dhe evente pushteti. Madje, foli edhe për oferta për poste, të shoqëruara me nënkuptime të qarta për korrupsion, për “zhytje duarsh” dhe përqindje.
Për ne, kjo nuk është një deklaratë që zbulohet sot. Është thjesht artikulimi publik i asaj që kemi shkruar dhe denoncuar prej vitesh, kur askush nuk fliste, kur ishte e pakëndshme dhe kur nuk sillte as duartrokitje, as mbështetje. Kemi shkruar për artistët e pushtetit, për servilizmin, për blerjen e heshtjes me para publike, për shndërrimin e artit në dekor propagande. Kemi shkruar kur shumica zgjodhi të heshtë, të përfitojë ose të bëjë sikur nuk shihte.
Deklaratat e Kastro Zizos janë të vonuara, por të nevojshme. Dhe janë të rënda për të gjithë të tjerët që vazhdojnë të heshtin. Sepse Kastro nuk ishte i vetëm. Ai ishte pjesë e një skeme shumë më të gjerë, ku artistët u përdorën si mburojë morale dhe si makineri propagande. Një qytet i tërë u ble me paratë e veta. Event pas eventi, festival pas festivali, fond pas fondi, u ndërtua një rrjet pseudo-artistësh që aktivizohej sa herë pushteti kishte nevojë për duartrokitje.
Arrestimi i Erion Veliajt e ekspozoi qartë këtë mekanizëm. Brenda pak orësh, rrjetet sociale u mbushën me statuse solidariteti nga të njëjtët emra që për vite kanë përfituar nga bashkia.
![]()
Pas çdo postimi mbështetës fshihej një faturë, një kontratë, një pagesë nga taksat e qytetarëve. Ne kemi shkruar për këtë rrjet privilegjesh, për dosjen e eventeve, për mënyrën se si fondet publike u kthyen në mjet blerjeje besnikërie dhe për patronazhistët dixhitalë që u përdorën për të përmbytur hapësirën publike me propagandë.
![]()
![]()
Shembja e Teatrit Kombëtar ishte prova më brutale e kësaj skeme. Aty u nda qartë vija mes atyre që e kuptonin artin si përgjegjësi dhe atyre që e shihnin si mundësi për përfitim. Artistë që firmosën pro shembjes, që dolën publikisht në mbështetje dhe që më pas u shpërblyen me pozicione dhe shuma të majme. Ata nuk u mashtruan. Ata zgjodhën. Dhe historia nuk i harron këto zgjedhje, sado të përpiqen t’i mbulojnë me evente, dekorata dhe role.
![]()
E njëjta logjikë shfaqet edhe në raste të tjera për të cilat kemi shkruar. Shtetësia e dhënë me WhatsApp për Edon Zhegrovën, ku ligji u anashkalua me një mesazh privat.
![]()
Ekstradimi i Cllevio Ahmetit nga Dubai, një veprim i rrallë dhe selektiv, që ngre më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje. Kjo ndodhi pikërisht pasi njëri prej protagonistëve, Noizy, ishte rreshtuar hapur në krah të pushtetit. Në të gjitha rastet, modeli është i njëjtë: privilegj për besnikëri, shpejtësi për të “tanët”, zvarritje ose heshtje për të tjerët.
![]()
Prandaj, reagimi i Kastro Zizos ka vlerë vetëm nëse nuk përdoret si justifikim për të tjerët. Ai nuk duhet të shërbejë si alibi kolektive, por si pasqyrë. Sepse sot, pas gjithë këtyre viteve, askush nuk mund të thotë se “nuk e dinte”. Heshtja nuk është më mungesë informacioni, është zgjedhje.
Dhe mesazhi për ata që vazhdojnë të rrinë në mes, të presin anën fituese ose të mbahen pas privilegjeve, është ky: historia nuk mban shënim sa evente moderuat, sa statuse postuat apo kë mbrojtët kur pushteti ishte i fortë. Historia mban shënim vetëm një gjë, nëse patët zë apo nëse pranuat të zhdukeni ngadalë për një ftesë, një kontratë ose një favor. Sot nuk kërkohet heroizëm, por ndershmëri.
The post “Nuk e shihja më veten në pasqyrë”/ Kastro Zizo çmonton mitin e artistëve të pushtetit dhe pranon shpërfytyrimin e shitur me para publike appeared first on iconstyle.al.
