Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 December 2025Main stream

Gruaja fiton çmimin e madh të lotarisë në ditëlindjen e vajzës së saj

25 December 2025 at 14:00


Një ditë tashmë e veçantë u bë edhe më e paharrueshme për një grua nga Karolina e Veriut kur fitoi një çmim lotarie prej 161,929 dollarësh në ditëlindjen e vajzës së saj.

“Çfarë bekimi është ky”, tha Linda Rogers.

Rogers tha se fitorja e bëri ditëlindjen e vajzës së saj edhe më të veçantë.

"Kam dëshiruar një fitore si kjo”, tha ajo.

"Kjo më ndryshon jetën", shtoi gruaja.

Rogers tha se paratë e çmimit do t'i lejojnë asaj të blejë një veturë të re dhe ta ndajë me familjen e saj. /Telegrafi/

Renault thyen rekorde me modelin elektrik Filante Record

25 December 2025 at 14:00


Siç u njoftua në fillim të vitit, Renault po thyen rekorde me modelin Filante Record 2025, i cili është projektuar pikërisht për këtë qëllim.

Megjithatë, ndryshe nga paraardhësit e tij të viteve 1920, 1930 dhe 1950, të cilët ishin të përqendruar ekskluzivisht te shpejtësia, Filante dallohet për efikasitetin e tij në epokën e veturave elektrike.

Renault ka prezantuar Filante-n, i cili u frymëzua nga dizajni i modelit 40 CV nga viti 1925, dhe dallohet për pamjen dhe përmasat e tij mbresëlënëse, pasi është 5.12 m i gjatë dhe 1.19 m i gjerë.

Konfirmimi i parë i aftësive të mëdha të këtij prototipi erdhi më 18 dhjetor, kur Renault Filante përshkoi 1,008 km në më pak se 10 orë në pistën UTAC në Marok.

Duhet theksuar se qëllimi nuk ishte të përshkoheshin sa më shumë kilometra të ishte e mundur, por sa më shumë kilometra të ishte e mundur në kohën më të shkurtër të mundshme - në këtë rast, 10 orë.

Ishte një sfidë e bazuar më shumë në shpejtësinë mesatare sesa në distancë.

Dhe përshkimi i 1,008 km në më pak se 10 orë do të thotë saktësisht një shpejtësi mesatare prej 102 km/h.

Kjo arritje e re në fushën e automjeteve elektrike është bërë e mundur nga lehtësia ekstreme e prototipit, falë materialeve ultra të lehta, kështu që Filante peshon afërsisht 1,000 kg.

Kjo është arritur gjithashtu nga një punë e konsiderueshme në aerodinamikë, e cila është rafinuar më tej që nga prezantimi i modelit në panairin Retromobile, me qëllim përmirësimin e performancës së tij. /Telegrafi/

Shefi ushtarak i Libisë vdes në rrëzimin e aeroplanit në Turqi

25 December 2025 at 14:00


Shefi i ushtrisë së Libisë u vra në një përplasje aeroplani ndërsa po kthehej në shtëpi nga një vizitë zyrtare në Turqi të martën.

Gjenerali Mohamed Al-Haddad u vra së bashku me katër shoqërues të tij në një “aksident tragjik” ndërsa ishin në fluturim për në shtëpi në Tripoli nga një vizitë zyrtare në Ankara, ka njoftuar kryeministri i Libisë, Abdulhamid al-Dbeibah.

“Me trishtim dhe dhembje të madhe, kemi marrë lajmin për vdekjen e Al-Haddad dhe katër shokëve të tij”, tha al-Dbeibah.

Kryeministri, i cili kryeson një Qeveri të Unitetit Kombëtar të mbështetur nga OKB-ja , u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave, duke e quajtur humbjen një tragjedi për kombin dhe institucionin ushtarak.

Autoritetet turke raportuan më parë se kishin humbur kontaktin me një aeroplan biznesi Falcon 50 që transportonte Al-Haddadin dhe të tjerë, menjëherë pasi u nis nga Aeroporti Esenboga i Ankarasë të martën në mbrëmje.

Aeroplani dërgoi një njoftim për ulje emergjente pranë Haymana, rreth 81 kilometra në jugperëndim të Ankarasë, por "kontakti me avionin nuk mund të rivendosej".

Kreu i drejtorisë së komunikimit të Turqisë, Burhanettin Duran, tha se aeroplani privat kishte kërkuar ulje emergjente për shkak të “një defekti elektrik”.

Regjistruesi i zërit dhe kutia e zezë u gjetën të mërkurën në mëngjes.

Kryeministri i Libisë identifikoi katër të vrarët e tjerë si: Shefi i Shtabit të Forcave Tokësore, Gjeneral Major Al-Fitouri Ghreibel; Drejtori i Autoritetit të Prodhimit Ushtarak, Gjeneral Brigade Mahmoud Al-Qatioui; këshilltari i Shefit të Shtabit të Ushtrisë Libiane, Mohamed Al-Asawi Diab; dhe fotografi i zyrës së medias Mohamed Omar Ahmed Mahjoub. /Telegrafi/

Video me AI tregon Babagjyshin duke arrestuar migrantët në SHBA – reagime të forta

25 December 2025 at 14:00


Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare e ka çuar fushatën e tij me temë festash për deportime masive në një nivel krejt të ri me një video të gjeneruar nga Al që e kthen Babagjyshin e Vitit të Ri në një agjent të Imigracionit dhe Doganave.

Zyra Amerikane e Imigracionit dhe Doganave (ICE) është futur në frymën festive dhe videoja e tyre e fundit e gjeneruar nga Al ka shkaktuar reagime të ashpra në internet.

Klipi i postuar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, që synonte të promovonte vetë-deportimin vullnetar para fundit të vitit 2025, u nda në rrjete sociale me sloganin “Shmangni ICE Air dhe listën e keqbërësve të Babagjyshit!”.


AVOID ICE AIR AND SANTA’S NAUGHTY LIST!

Self-deport today with the CBP Home app, earn $3,000 and spend Christmas at home with loved ones.

Holiday incentive is valid through the end of 2025. pic.twitter.com/v80QAaKquD
— U.S. Immigration and Customs Enforcement (@ICEgov) December 22, 2025


Aty paraqitet Babagjyshi si një agjent i ICE-së që vesh jelekë mbrojtës, prangos 'migrantët' dhe i ngarkon ata në një aeroplan deportimi.

Kritikët e kanë përshkruar fushatën me temë Krishtlindjesh si “të keqe”. /Telegrafi/

Gjendje e jashtëzakonshme në Kaliforni për shkak të stuhisë, qindra persona evakuohen

25 December 2025 at 13:45


Një stuhi e fuqishme ka goditur Kaliforninë, duke shkaktuar përmbytje kërcënuese për jetën dhe duke detyruar qindra njerëz të evakuohen në mes të Krishtlindjeve.

Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së paralajmëroi se stuhitë do të vazhdonin gjatë gjithë Krishtlindjeve dhe lëshoi një paralajmërim të rrallë për një "rrezik të lartë të reshjeve të tepërta".

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në gjashtë qarqe për të lejuar atë që ai e quajti "shërbime emergjente dhe burime të parapozicionuara për të mbajtur komunitetet e sigurta".


🚨⚠️ California on high alert! A massive storm is causing flash floods across LA. 🌊

Officials warn: “Turn around, don’t drown!” Roads are dangerous—don’t risk it. #CaliforniaFloods
pic.twitter.com/k5F1sZiHvI
— World Daily Feed (@WorldDailyFeed) December 25, 2025


Autoritetet e Qarkut të Los Angeles kanë lëshuar rreth 130 urdhra evakuimi për shtëpitë e kërcënuara.

Shumë prej këtyre shtëpive ndodhen në zona që u shkatërruan nga zjarre të mëdha në fillim të këtij viti.

Ndryshe, Kalifornia është e prirur ndaj motit ekstrem, dhe situata ndërlikohet më tej nga një cikël në të cilin periudhat jashtëzakonisht të lagështa alternohen me thatësira të papritura dhe të zgjatura.

Vendi është përballur me fatkeqësi të shumta natyrore në të kaluarën, nga thatësirat dhe zjarret deri te tërmetet dhe përmbytjet. /Telegrafi/

SHBA i jep ultimatum NIS-it serb, aksionet ruse duhet të shiten deri në mars

25 December 2025 at 13:21


SHBA-të i kanë dhënë kohë rafinerisë serbe të naftës NIS deri më 24 mars për të negociuar shitjen e aksioneve të pronarit të saj rus, siç ka raportuar televizioni shtetëror serb RTS, shkruan Reuters.

Megjithatë, RTS tha se NIS nuk kishte marrë një licencë operimi që do t'i lejonte asaj të blinte dhe përpunonte naftë bruto.

Bëhet e ditur se Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja e Departamentit të Thesarit të SHBA-së vendosi sanksione ndaj NIS në tetor, si pjesë e masave më të gjera kundër sektorit të energjisë të Rusisë.

Sanksionet kanë ndaluar furnizimet me naftë të papërpunuar nëpërmjet JANAF të Kroacisë, duke mbyllur prodhimin në rafinerinë e Pançevës.

Gazprom i Rusisë ka 11.3% të aksioneve në NIS. Qeveria serbe zotëron 44.9%, ndërsa pjesa tjetër mbahet nga aksionarët e vegjël dhe punonjësit.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Gazprom ishte në bisedime me MOL të Hungarisë, për një shitje të mundshme të aksioneve të saj mazhoritare në NIS. /Telegrafi/

Si është të festosh Krishtlindjet në një vend ku është e ndaluar

25 December 2025 at 13:00


Kur Il-yong Ju ishte fëmijë, diçka e çuditshme ndodhte në fshatin e tij të vogël në Korenë e Veriut çdo 25 dhjetor.

Gjyshi i tij e vizitonte dhe e dërgonte në male për të prerë një pishë.

Ai e sillte në shtëpi dhe në degët e saj vareshin topa të vegjël.

Në shumë vende, është një ritual i njohur: vendosja dhe dekorimi i një peme për Ditën e Krishtlindjeve.

Por në Korenë e Veriut, 25 dhjetori është thjesht një ditë tjetër dhe Krishtlindjet janë praktikisht të ndaluara.

“Në shtëpinë time, ne thjesht festonim atë lloj gjëje. Por nuk e dinim për çfarë bëhej fjalë në atë ditë; thjesht çdo 25 dhjetor, gjyshi im na kërkonte ta bënim këtë”, tha Ju.

"Gjyshi im na tha hej nip, vendet e tjera përveç Koresë së Veriut, çdo 25 dhjetor, bëjnë këtë lloj peme dhe e festojnë këtë ditë", shtoi ai.

"Ishte e mundur sepse fshati im ishte një fshat shumë i vogël. Kishte vetëm 30 familje që jetonin në qytetin tim dhe ishte shumë i izoluar nga qyteti kryesor", shpjegoi Ju.

Ju tregon se ai dhe familja e tij dëgjonin transmetime të paligjshme radiofonike të huaja në Korenë e Veriut.

"Pra, ky ishte momenti i parë që dëgjuam për ungjillin dhe Krishterimin."

Agjentët e shtetit shfaqeshin pa paralajmërim dhe kontrollonin shtëpinë e tyre, duke kontrolluar radiot për të parë në çfarë frekuence ishin të sintonizuar.

“Na u desh të rrezikonim jetën tonë sepse po dëgjonim transmetime të Koresë së Jugut që janë rreptësisht të ndaluara në Korenë e Veriut”, tha Ju.

"Nëse kapesh, do të shkosh në kamp të burgosurish politik ose edhe do të ekzekutohesh, sepse ishte transmetim i krishterë”, shtoi ai.

"Kështu që çdo herë e mbulonim dritaren me një batanije dhe e ulnim volumin që të mos dëgjonte askush."

“Ai transmetim radiofonik pati shumë ndikim për familjen time. Ajo radio ishte ajo që e motivoi babanë tim të arratisej nga Koreja e Veriut. Ai iku i pari", tregoi Ju.

"Kur babai im u zhvendos në Korenë e Jugut, ai na dërgoi një ndërmjetës. Kështu që unë, nëna ime dhe një nga motrat e mia ikëm në tetor 2009."

Ju ishte vetëm një fëmijë kur iku përtej kufirit, duke filluar një udhëtim që do ta çonte nëpër tre vende gjatë rrugës për në Korenë e Jugut.

Pasi kaloi kufirin, ai mori disa përgjigje rreth këtij besimit të krishterë.

Open Doors, një organizatë bamirëse që mbështet kauzën e të krishterëve të shtypur në mbarë botën, e përcaktoi Korenë e Veriut si vendin ku besimtarët përballen me persekutimin më ekstrem në vitin 2025.

Koreja e Veriut ka kryesuar listën çdo vit që nga viti 2002, me përjashtim të vetëm të vitit 2022, kur Afganistani e shtyu atë në vendin e dytë.

Në Korenë e Veriut, 24 dhjetori është një festë zyrtare, që shënon ditëlindjen e Kim Jong-suk, gjyshes së Kim Jong-un dhe gruas së parë të Kim Il-sung - diktatorit themelues të Koresë së Veriut.

Por Ju tani jeton në Seul, Koreja e Jugut, ku nata e Krishtlindjeve duket shumë ndryshe.

“Çdo natë Krishtlindjesh, ne mblidhemi në kishë dhe këndojmë së bashku, adhurojmë së bashku, ndajmë vaktet së bashku dhe përgatisim dhurata dhe i shkëmbejmë ato së bashku”, tha Ju. /Telegrafi/

Turqia arreston 115 anëtarë të ISIS-it, planifikonin sulme për Vitin e Ri

25 December 2025 at 12:22


Autoritetet turke thonë se kanë penguar sulme të planifikuara në festimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, pasi arrestuan më shumë se 100 anëtarë të dyshuar të ISIS-it.

Bastisje masive u kryen në 124 adresa në të gjithë Stambollin, ka njoftuar kryeprokurori i kryeqytetit, me ç'rast u sekuestruan armë zjarri, municione dhe "dokumente organizative".

Zyrtarët thanë se mbështetësit e ISIS-it kishin planifikuar në mënyrë aktive sulme në të gjithë Turqinë këtë javë.

Policia arrestoi 115 të dyshuar, por përpjekjet janë duke vazhduar për të gjetur 22 të tjerë, thuhet në një deklaratë zyrtare.

Zyra e prokurorit tha se të dyshuarit ishin në kontakt me operativë të ISIS jashtë Turqisë.

Njoftimi vjen dy ditë pasi agjentët turq të inteligjencës kryen një bastisje kundër grupit në kufirin Afganistan-Pakistan.

Një shtetas turk, i cili dyshohet se ka mbajtur një rol të lartë në krahun e ISIS-it që vepron në rajon, u arrestua dhe u akuzua për planifikimin e sulmeve kundër civilëve.

Ndryshe, shërbimet e sigurisë së Turqisë shënjestrojnë rregullisht njerëz që dyshohen për lidhje me ISIS-in.

Vendi ndan një kufi prej 900 km me Sirinë, ku grupi vazhdon të veprojë në disa pjesë të vendit.

Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, i cili ka lidhje të ngushta me qeverinë turke, është zotuar të punojë me SHBA-në dhe Evropën për të çrrënjosur elementët mbijetues të ISIS-it. /Telegrafi/

Çfarë po e pengon planin e paqes Ukrainë-SHBA? Çështjet kryesore mbeten të pazgjidhura

25 December 2025 at 12:00


Ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zbuloi detajet e një draft-plani paqeje SHBA-Ukrainë që synonte t'i jepte fund luftës në shkallë të plotë të Rusisë, dy dispozita kryesore mbeten të pazgjidhura.

Mosmarrëveshjet përqendrohen në nenet 12 dhe 14 të propozimit me 20 pika.

Të dyja merren me çështje që Kievi i quan ekzistenciale: territoret dhe e ardhmja e infrastrukturës kritike.

“The Kyiv Independent” shpjegon se ku po ngecin negociatat dhe çfarë po ofron Ukraina në vend të kësaj.

Një nga çështjet më të diskutueshme qëndron në strukturën e propozuar të menaxhimit të Centralit Bërthamor Zaporizhzhia, impiantit më të madh bërthamor të Evropës.

I vendosur në qytetin e pushtuar të Enerhodarit, centrali prodhonte rreth 20% të energjisë elektrike të Ukrainës përpara se Rusia të niste pushtimin e saj në shkallë të plotë.

Sipas kuadrit të mbështetur nga SHBA-ja, uzina do të operohej bashkërisht nga Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, me të tre palët që do të ndanin përfitime ekonomike.

Ukraina ka frikë se një model menaxhimi trepalësh do të legjitimonte në mënyrë efektive pushtimin e objektit nga Rusia, të cilin Moska e sekuestroi në vitin 2022 dhe vazhdon ta mbajë.

“Rusët besojnë se, në çdo rast, do ta bëjnë të mundur që Centrali Bërthamor i Zaporizhzhisë të operohet prej tyre”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas vuri në dukje gjithashtu përvojën e paraluftës me ndërmarrjet e përbashkëta që përfshinin Rusinë, të cilat shpesh e linin Kievin të ekspozuar ndaj ndikimit të Moskës.

Në vend të kësaj, Ukraina po propozon një alternativë dypalëshe: një ndërmarrje të përbashkët ukrainaso-amerikane me kontroll të barabartë operacional.

Gjysma e energjisë elektrike do të drejtohej për në Ukrainë, ndërsa Uashingtoni do të vendoste në mënyrë të pavarur se si ta përdorte pjesën e tij - duke lejuar potencialisht furnizimin me energji elektrike në zonat e pushtuara nga Rusia pa i dhënë Moskës kontroll operacional.

Çështja bërthamore nuk mund të ndahet nga fati i Hidrocentralit dhe digës së Kakhovkës, të cilat trupat ruse i shkatërruan më 6 qershor 2023.

Zelensky theksoi se diga duhet të rindërtohet për të siguruar funksionimin e sigurt të centralit të Zaporizhzhisë — dhe se Rusia nuk ka ndërmend të paguajë për të.

"Diga e Kakhovkës dhe Hidrocentrali i Kakhovkës, të cilat janë të nevojshme për funksionimin e sigurt dhe normal të Centralit Bërthamor të Zaporizhzhisë, mund të rindërtohen si një projekt i përbashkët rajonal për prosperitet me një strukturë të ngjashme operative."

Çështja thelbësore është se Ukraina këmbëngul që e gjithë zona - centrali bërthamor, Enerhodar dhe objektet e Kakhovkës - duhet të çmilitarizohen plotësisht.

Dispozita 14 trajton atë që Zelensky e ka përshkruar si çështjen më të vështirë në bisedime: të ardhmen e territoreve në rajonet Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson.

Korniza propozon njohjen e vijës aktuale të vendosjes së trupave si një vijë kontakti de facto, duke ngrirë në mënyrë efektive pozicionet në terren.

"Pra, ne jemi në një situatë ku rusët duan që ne të tërhiqemi nga Oblasti i Donetskut, ndërsa amerikanët po përpiqen të gjejnë një mënyrë që ne të mos tërhiqemi sepse ne jemi kundër tërheqjes", tha Zelensky.

Pozicioni bazë i Ukrainës, të cilin Zelensky e quan "opsioni A", është të mbetet aty ku janë vendosur forcat e saj aktualisht.

Moska, në të kundërt, po kërkon që Ukraina të tërheqë trupat nga pjesë të Oblastit të Donetskut që forcat ruse nuk kanë arritur t'i kapin.

Për të kapërcyer këtë hendek, negociatorët amerikanë po eksplorojnë mekanizma të tillë si zonat e çmilitarizuara ose zonat e lira ekonomike — formate që ata besojnë se mund t’i kënaqin të dyja palët.

Zelensky tha se Ukraina luftoi për të siguruar që çdo referencë ndaj zonave të tilla të mbetet në mënyrë të qartë "potenciale", duke parandaluar zbatimin automatik.

Sipas interpretimit të Ukrainës, çdo vendim konkret do të kërkonte procedura ligjore të brendshme, miratim parlamentar ose, nëse është e nevojshme, një referendum.

Drafti parashikon një grup pune për të përcaktuar ripozicionimet e trupave dhe parametrat për çdo zonë të veçantë ekonomike, por Kievi këmbëngul se progresi varet nga tërheqja ruse nga zonat e pushtuara.

Zelensky përmendi Enerhodarin si një rast të mundshëm prove.

Një zonë e vogël ekonomike e lirë atje mund të jetë e realizueshme, tha ai, por vetëm nëse qyteti çmilitarizohet, vendoset nën administrimin ukrainas dhe trupat ruse tërhiqen.

Plani përcakton gjithashtu se ripozicionimet në rajonet e Dnipropetrovsk, Mykolaiv, Sumy dhe Kharkiv duhet të ndodhin më parë që marrëveshja të hyjë në fuqi.

Zelensky theksoi gjithashtu se referendumet mbeten një mjet i fundit.

"Një referendum kërkon të paktën 60 ditë; përndryshe, nuk mund ta mbajmë... Disa njerëz jetojnë në territore të pushtuara përkohësisht dhe nuk mund të votojnë", tha ai.

Zelensky argumentoi se nëse trupave ukrainase u lejohet të qëndrojnë në pozicionet e tyre aktuale pa u tërhequr, një referendum mund të mos jetë fare i nevojshëm.

"Por nëse nuk biem dakord të 'mbetemi aty ku jemi', ka dy mundësi: ose lufta vazhdon, ose diçka do të duhet të vendoset në lidhje me të gjitha zonat e mundshme ekonomike."

Publikisht, Kremlini ka mbetur i paqartë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, shmangu komentet e drejtpërdrejta mbi planin e rishikuar, ndërsa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve më 24 dhjetor.

Peskov konfirmoi vetëm se negociatori kryesor ekonomik i Rusisë, Kirill Dmitriev, e informoi presidentin Vladimir Putin mbi bisedimet me delegacionin amerikan në Miami.

Përfaqësuesit ukrainas dhe amerikanë zhvilluan një raund tjetër bisedimesh më 21 dhjetor, pas diskutimeve ukrainaso-amerikane më 19 dhjetor dhe bisedimeve ruso-amerikane më 20 dhjetor, të gjitha në Miami.

Bazuar në këto shkëmbime, Peskov tha se Moska do të "formulojë qëndrimin e saj të mëtejshëm" dhe do të vazhdojë kontaktet me Uashingtonin përmes kanaleve ekzistuese. /Telegrafi/

Netanyahu provokon Iranin? Mesazh i fshehur në një video me Al

25 December 2025 at 11:43


Në një postim në Instagram që me sa duket shënon gjashtë muajt e luftës së Izraelit me Iranin, Zyra e Shtypit e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ndau një video të gjeneruar me Al të një bombarduesi B2 që fluturonte mbi një rrjet ndërtesash në një zonë të paidentifikuar shkretëtire.

Në videon, e cila zgjat vetëm disa sekonda, kryeministri i Izraelit dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbajnë syze dielli dhe shikojnë shkurt njëri-tjetrin.

"Në xhiron tonë të fitores. #gjashtëmuaj", thuhet në përshkrim të postimit.



Izraeli ka thënë se ofensiva e tij e gjithanshme në qershor, duke synuar komandantët më të lartë ushtarakë të Iranit, shkencëtarët bërthamorë, impiantet e pasurimit të uraniumit dhe programin e raketave balistike, ishte e nevojshme për të parandaluar atë që e quan plan të Iranit për të shkatërruar shtetin hebre.

Irani vazhdimisht ka mohuar se po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore.

Në përgjigje të sulmeve izraelite, Irani qëlloi më shumë se 500 raketa balistike dhe rreth 1,100 dronë drejt Izraelit.

Afër fundit të luftës, Shtetet e Bashkuara u bashkuan në sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane. /Telegrafi/

Ky konflikt 56-vjeçar ndalet çdo vit për Krishtlindje, një moment i rrallë paqeje

25 December 2025 at 10:38


Në Krishtlindje, bota mund të duket pak më humane se zakonisht - madje edhe në kohë lufte.

Një shkëndijë e tillë paqeje shfaqet çdo vit në atë që konsiderohet gjerësisht kryengritja komuniste më e gjatë në botë.

I zhvilluar në Filipine, konflikti guerilas midis Ushtrisë së Re Popullore Maoiste (NPA) dhe qeverisë pritet të hyjë në vitin e 57-të në vitin 2026 dhe ka marrë rreth 60,000 jetë njerëzish.

Por një herë në vit, luftimet kanë tendencë të ndalen ndërsa të dyja palët ulin krahët për Krishtlindje.

Tradita është respektuar për shumë vite që nga të paktën viti 1986, një moment i rrallë përmbajtjeje në një botë që tani është më e dhunshme se në çdo moment që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas Institutit të Kërkimeve për Paqen në Oslo (PRIO), numri i konflikteve që përfshijnë shtete arriti nivelin më të lartë që nga viti 1946 në fund të vitit të kaluar.

Në total, 61 konflikte ishin aktive në vitin 2024 - pothuajse dyfishi i numrit të 20 viteve më parë.

Viti i kaluar ishte gjithashtu i katërti i dhunshëm që nga fundi i Luftës së Ftohtë, i tejkaluar vetëm nga tre vitet e mëparshme për sa i përket vdekjeve në betejë.

ISIS, së bashku me numrin e madh të luftërave në Ukrainë dhe Gaza, ishin ndër nxitësit kryesorë të këtyre rritjeve, sipas Siri Aas Rustad, një studiuese në PRIO.

Konfliktet tani kanë tendencë të zgjasin më shumë se në të kaluarën, ndërsa operacionet paqeruajtëse dhe proceset e paqes kanë rënë.

Në këtë sfond të zymtë, armëpushimet e Krishtlindjeve në Filipine ofrojnë një pamje të një qasje alternative.

Tradita e ndalimit të armiqësive gjatë festave - që pasqyron mesazhin biblik të paqes në tokë - daton shumë kohë më parë.

Shembulli më i famshëm erdhi në vitin 1914, kur trupat britanike dhe gjermane kaluan llogoret gjatë Luftës së Parë Botërore për të festuar së bashku Krishtlindjet.

Armëpushime të tilla të shkurtra rrallë i dhanë fund konflikteve, por ato ndihmuan në "ndërtimin e besimit afatgjatë të nevojshëm për të vendosur marrëveshje paqeje afatgjata". /Telegrafi/

Festat nisin me Audi - marka sjell magjinë e festave përmes veturave legjendare

25 December 2025 at 10:00


Audi zyrtarisht po futet në sezonin e festave.

Prodhuesi i veturave ndau së fundmi një video të shkurtër në Instagram në faqen Audi USA që e riimagjinon Rudolphin, drerin me hundë të kuqe , me vetura që lëvizin nëpër dëborë në vend të drerëve fluturues.

Klipi i titulluar " Lojë për festat, sipas mënyrës së Audi", është i mbushur me versione miniaturë të disa prej automjeteve më ikonike të markës – vetura prodhimi, vetura garash e klasike.

Videoja hapet me një pamje nga afër të një Audi Q8 që del nga një garazh.

Nga aty, Q8 i bashkohen veturat e njohura si RS6 Avant, RS3 dhe A6 E-Tron.



Sigurisht, nuk do të dukej si një festë e mirëfilltë festive e Audi pa veturat legjendare të garave; Dakar, Quattron origjinal, R10 TDI dhe shumë të tjera.

Finalja i bashkon të gjitha.

Dhe nëse po pyesni veten - jo, kjo nuk është gjeneruar nga Al. /Telegrafi/

Gmail po ndryshon rregullat? Adresa juaj e email-it mund të ndryshohet

25 December 2025 at 10:00


Google së shpejti mund t'ju lejojë të ndryshoni adresën tuaj të email-it.

Për të shijuar shumicën e shërbimeve të Google, qoftë Gmail, YouTube, Play Store në telefonin tuaj inteligjent Android apo çdo gjë tjetër, ju kërkohet të identifikoheni me adresën tuaj të email-it.

Edhe pse një adresë Gmail është aq e rëndësishme saqë shumica e përdoruesve mbështeten në të për të krijuar llogari në platforma të ndryshme online, Google ende nuk ka ofruar një mundësi për të modifikuar emrin e përdoruesit.

Për fat të mirë, kjo mund të ndryshojë së shpejti.

Por, raportohet se ju mund ta ndryshoni adresën tuaj vetëm një herë në 12 muaj dhe maksimumi tre herë në total.

Mundësia për të ndryshuar adresën tuaj në Gmail është ndoshta një nga veçoritë më të kërkuara nga Google. /Telegrafi/

Turistja i shpëton vdekjes ndërsa pozon për fotografi, e rrëzon vala gjigante

25 December 2025 at 10:00


Një turiste i shpëtoi vdekjes për pak pasi u përplas mbi shkëmbinj nga një valë gjigante, ndërsa vizitonte Egjiptin.

Thuhet se turistja kishte qenë duke vizituar Syrin Matrouh, një zonë piktoreske në Mersa Matruh që është e popullarizuar në mesin e turistëve, të cilët shkojnë atje për të parë formacionet mahnitëse shkëmbore dhe dallgët dramatike.

Batica mund të përplaset papritur kundër shkëmbinjve, duke paraqitur rreziqe për turistët që qëndrojnë shumë afër zonës së dallgëve, siç ishte rasti me gruan e lartpërmendur.



Në klipin dramatik, gruaja shihet duke pozuar në një shkëmb deti.

Papritmas, dallgët përplasen me shkëmbin dhe e rrëzojnë turisten.

Për fat të mirë, ajo i mbijetoi incidentit, të cilin e përshkroi si “shumë të frikshëm”, por pësoi gërvishtje në të gjithë trupin. /Telegrafi/

Trump: Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, Zoti e bekoftë Amerikën

25 December 2025 at 09:47


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i uroi të gjithëve Krishtlindjet në llogarinë e tij në rrjetet sociale.

"Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, përfshirë edhe fundërrinën e së majtës radikale që po bën gjithçka që mundet për të shkatërruar vendin tonë, por po dështon plotësisht në këtë drejtim", tha presidenti republikan në Truth Social, përpara se të rendiste ato që ai i konsideron sukseset e mandatit të tij.

“Nuk kemi më kufij të hapur, burra në sportet e grave, apo zbatim të dobët të ligjit. Ajo që kemi është një treg aksionesh rekord dhe shifrat më të ulëta të krimit në dekada, asnjë inflacion, dhe një GDP prej 4.3, dy pikë më mirë se sa pritej”, shton ai.

“Tarifat na kanë dhënë triliona dollarë dhe prosperitet, dhe sigurinë kombëtare më të fortë që kemi pasur ndonjëherë. Ne jemi të respektuar përsëri, ndoshta si kurrë më parë. Zoti e bekoftë Amerikën!!! Presidenti DJT”, përfundoi Trump postimin.



Ekonomia, tensionet sociale dhe madje edhe konfliktet ndërkombëtare - Donald Trump fajëson rregullisht Partinë Demokratike, dhe veçanërisht ish-presidentin Joe Biden, për vështirësitë me të cilat përballen SHBA dhe bota.

Në kategorinë e "të majtës radikale", me stilin e tij të ashpër, ai përfshin të gjithë demokratët dhe kundërshtarët politikë, madje edhe ata që konsiderohen të moderuar ose të qendrës.

Donald Trump po i kalon pushimet e Krishtlindjeve në Mar-a-Lago, në rezidencën e tij në Florida. /Telegrafi/

Ukraina pritet të marrë tre milionë dronë FPV deri në fund të 2025

25 December 2025 at 09:00


Forcat e Armatosura të Ukrainës pritet të marrin gjithsej tre milionë dronë FPV deri në fund të vitit 2025, gati 2.5 herë më shumë se vitin e kaluar, ka njoftuar Ministri i Mbrojtjes Denys Shmyhal.

Njoftimi nënvizon përpjekjen e Kievit për të zgjeruar prodhimin vendas të armëve, ndërsa dronët luajnë një rol gjithnjë e më vendimtar në luftën në shkallë të plotë të Rusisë kundër Ukrainës.

"Roli i sistemeve pa pilot në fushën e betejës po rritet dhe për këtë arsye prodhimi i instrumenteve inovative të luftës është përparësia jonë numër një", tha Shmyhal .

Sipas ministrit, shumica e dronëve të përdorur nga forcat ukrainase prodhohen në vend.

Ai tha gjithashtu se Agjencia e Prokurimit të Mbrojtjes furnizoi ushtrinë me 2.4 milionë dronë FPV në vitin 2025, me shumicën e blerë përmes kontratave të drejtpërdrejta me prodhuesit.

200,000 dronë të tjerë u dorëzuan nëpërmjet sistemit IT të Mbrojtjes DOT-Chain, një platformë digjitale prokurimi e lansuar në fund të korrikut.

Shmyhal tha se Ukraina ka zgjeruar gjithashtu përdorimin e sistemeve robotike tokësore.

Gati 15,000 platforma të tilla iu dorëzuan Forcave të Armatosura në vitin 2025, tre herë më shumë se vitin e kaluar.

Ndryshe, dronët janë bërë thelbësorë për luftën moderne në Ukrainë, me forcat ukrainase dhe ruse që mbështeten në sisteme pa pilot për zbulim, shënjestrim artilerie dhe sulme precize. /Telegrafi/

Moti në Shqipëri, shi i herëpashershëm dhe borë në Alpe

25 December 2025 at 08:46


Ditën e enjte Shqipëria do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare të dendura.

Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët e lokalisht mesatar në pjesën më të madhe të territorit që në orët e para të 24-orëshit deri në mëngjes, hera-herës shtrëngata afatshkurtra.

Gjatë ditës reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët të karakterit lokal.

Në Alpe dhe në lartësitë 700-800 metra në verilindje dhe 900 metra në juglindje reshje dëbore me intensitet të ulët, lokalisht mesatar.

Mjegull e dendur përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit si dhe në momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era do të fryjë me drejtim nga verilindja-juglindja me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare e zonave luginore era fiton shpejtësi deri në 15 m/s. /TC/

FBI zbulon mbi 1 milion dokumente tjera që lidhen me pedofilin Epstein

25 December 2025 at 08:15


Autoritetet amerikane kanë zbuluar më shumë se një milion dokumente të tjera që potencialisht lidhen me pedofilin e ndjerë Jeffrey Epstein, të cilat planifikojnë t'i publikojnë në ditët dhe javët në vijim.

FBI dhe prokurorët federalë në New York informuan Departamentin e Drejtësisë (DoJ) për zbulimin.

"Ne kemi avokatë që punojnë pa ndërprerje për të shqyrtuar dhe bërë redaktimet e kërkuara ligjërisht për të mbrojtur viktimat, dhe ne do t'i publikojmë dokumentet sa më shpejt të jetë e mundur", tha Departamenti i Drejtësisë.

Departamenti tha se mund të duhen "disa javë të tjera" para se të publikohen të gjitha dosjet.

Megjithatë, deklarata nuk specifikoi se si FBI dhe Prokurori i SHBA-së për Distriktin Jugor të New Yorkut gjetën materialin shtesë.

Ndryshe, dosjet u publikuan pasi Kongresi miratoi Aktin e Transparencës së Dosjeve Epstein - të nënshkruar në ligj nga presidenti i SHBA-së Donald Trump - i cili urdhëroi agjencinë të ndante të gjitha dokumentet me publikun, duke mbrojtur njëkohësisht identitetin e viktimave.

Shumë nga dokumentet e publikuara, të cilat përfshijnë video, foto, email-e dhe dokumente hetimore, kanë redaktime të shumta, duke përfshirë emrat e njerëzve që FBI duket se i citon si bashkëpunëtorë të mundshëm në rastin Epstein. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Xiaomi zbulon dizajnin dhe datën e lansimit të telefonit të ri

22 December 2025 at 18:30


Xiaomi ka zbuluar pamjen e Xiaomi 17 Ultra, së bashku me datën zyrtare të lansimit.

Që nga muaji i kaluar ka pasur shumë thashetheme dhe rrjedhje informacioni rreth Xiaomi 17 Ultra.

Raportet e hershme sugjeronin se pajisja mund të lansohej që në dhjetor, në vend të shkurtit.

Xiaomi më pas konfirmoi se telefoni inteligjent do të lansohet diku javën tjetër.

Kompania tani ka njoftuar datën e saktë kur telefoni inteligjent do të vijë: 25 dhjetor.

Përveç njoftimit të datës së lansimit, Xiaomi zbuloi gjithashtu dizajnin e pasmë të pajisjes së bashku me tre variantet e ngjyrave: e zezë, e bardhë dhe e gjelbër.

Një variant me ngjyrë vjollcë u përfol edhe më parë, por ende nuk është përmendur zyrtarisht ky opsion.

Ngjashëm me modelet e tjera në linjën Xiaomi 17, modeli Ultra pritet të fuqizohet nga procesori Snapdragon 8 Elite Gen 5 SoC.

Gjithashtu pritet të mbështesë karikimin e shpejtë me tel 100W, një përmirësim i vogël nga karikimi 90W i ofruar nga modeli i vitit të kaluar. /Telegrafi/

Parashikimi i Baba Vangës për vitin 2026 po rikthehet në qendër të vëmendjes

22 December 2025 at 18:30


Ndërsa i afrohemi një viti tjetër të ri, një pjesë e njerëzve fillon të mendojë rreth asaj që parashikuesit pretendojnë se e pret njerëzimin në të ardhmen.

Me këtë interes, emri i Baba Vangës është shfaqur edhe një herë, me njerëzit që rishqyrtojnë një nga parashikimet e saj më të diskutueshme që disa besojnë se mund të lidhet me vitin 2026: paralajmërimin se qytetërimi ynë po i afrohet një momenti kur zbulon se "ka shkuar shumë larg".

Parashikimi thuhet se përqendrohet në teknologji dhe moral.

Sipas besimtarëve, mistikja parashikoi një vit kur specialistët dhe komunitetet në mbarë botën do të pranonin së bashku se kishin tejkaluar kufijtë etikë dhe teknologjikë.

Ata gjithashtu pretendojnë se në vend që të jetë një incident shkatërrues, ky zgjim do të shfaqet përmes përshkallëzimit të tensioneve ndërkombëtare dhe përparimeve shkencore që do të transformojnë marrëdhëniet njerëzore.

Ndjekësit gjithashtu i referohen alarmeve të saj të supozuara në lidhje me përparimin e pakontrolluar në shkencë dhe kujdes shëndetësor, me Daily Mail që vë në qendër të vëmendjes një nga parashikimet e saj në lidhje me përparimin e shpejtë të biologjisë sintetike dhe transplantimit të organeve.

Në të njëjtën temë, Baba Vanga gjithashtu i atribuohet parashikimit të prodhimit të përhapur të organeve artificiale deri në vitin 2046. /Telegrafi/

❌
❌