Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Arratisja e Altin Ndocit, zyrtarët e arrestuar dalin sot para gjykatës

17 January 2026 at 10:06

Tetë personat e arrestuar në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit do të dalin sot para Gjykatës së Durrësit, ku do të njihen me masën e sigurisë.

Mes të arrestuarve janë kryeinfermieri Aulon Çuko, zëvendësshefi i komanduar i policisë së burgut, Desdemon Pazaj, si dhe pesë efektivë të policisë së shoqërimit: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi dhe Aranit Çela. Në pranga ka rënë edhe shtetasja Violeta Uka, përgjegjëse për njoftimin e sallave operative gjatë shoqërimit.

Gjykata e Durrësit caktoi masën e “arrestit në shtëpi” për doktoreshën e spitalit të burgut, Ylfete Sema.

Gjithashtu, ditën e djeshme u arrestua edhe ish-drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, në kuadër të të njëjtit operacion.

Kujtojmë se Ndoci, një person me rrezikshmëri të lartë, arriti të arratisej nga spitali i Durrësit më 13 janar.

The post Arratisja e Altin Ndocit, zyrtarët e arrestuar dalin sot para gjykatës appeared first on Gazeta Si.

SPAK dhe BKH kontroll në pallatin luksoz pranë rrugës ‘Myslym Shyri’

16 January 2026 at 21:49

SPAK dhe BKH kanë kryer kontrolle në një objekt në afërsi të rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë mbrëmjen e sotme.

Sipas informacioneve paraprake, kontrollet janë kryer në një ambient të marrë me qira në pallatin luksoz dhe burimet tregojnë se po kryhen për llogari të një hetimi me partnerët italianë.

The post SPAK dhe BKH kontroll në pallatin luksoz pranë rrugës ‘Myslym Shyri’ appeared first on Gazeta Si.

Arratisja e Altin Ndocit nga spitali, arrestohet ish-drejtori i burgut të Durrësit (pamjet)

16 January 2026 at 16:13

Gazeta Si – Ish-drejtori Burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, është arrestuar këtë të premte pas arratisjes spektakolare të Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, teksa ndodhej për mjekim.

Policia e Durrësit njofton se Cërloj është lokalizuar dhe vënë në pranga, ndërsa akuzohet për shpërdorim të detyrës.

Po ashtu policia ka njoftuar se është caktuar arrest shtëpiak për shtetasen Ylfete Sema, mjekja e burgut të Durrësit.

Cërloj është shkarkuar dy ditë më parë nga posti që mbante me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, ndërsa është pezulluar nga detyra gjithë zinxhiri komandues i burgut.

Pas arratisjes së Ndocit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbardhi të gjitha shkeljet që dyshohet të kenë kryer punonjësit e paraburgimit të Durrësit, me pasojë arratisjen e Altin Ndocit, teksa po vizitohej në spitalin e qytetit.

Në lidhje me këto shkelje, paraditen e së mërkurës u arrestuan 7 punonjës të Policisë së Burgjeve, si edhe kryeinfermieri.

Në një reagim zyrtar, DPB tha se nga verifikimet paraprake ka rezultuar se për shoqërimin e planifikuar të të paraburgosurit Ndoci në spitalin e qytetit, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës.

Po ashtu, zyrtarët e burgut ku Altin Ndoci mbahej i izoluar, nuk kanë raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.

Shkelje janë vërejtur edhe në respektimin e procedurave standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve. Verifikimi paraprak i shkeljeve çoi Prokurorinë e Durrësit në lëshimin e urdhër-ndalimeve për 8 persona: 7 efektivë të Policisë së Burgjeve dhe kryeinfermierin e IEVP Durrës.

Tetë punonjësit e ndaluar më parë për arratisjen e ndodhur në Burgun e Durrësit:

-Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;

-Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

-Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.

The post Arratisja e Altin Ndocit nga spitali, arrestohet ish-drejtori i burgut të Durrësit (pamjet) appeared first on Gazeta Si.

Nga Lul Berisha tek Astrit Avdyli, të burgosurit ‘VIP’ që u transferuan në burgje të tjera

15 January 2026 at 14:05

Gazeta Si – Gjithsej 33 të burgosur të mbajtur në paraburgimin e Durrësit janë transferuar në institucione të tjera të vuajtjes së dënimit, si në Fier dhe Peqin, pas arratisjes dy ditë më parë të Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit, ku ndodhej për mjekim.

Ata janë lëvizur mbrëmjen e të mërkurës me mbështetjen e Forcave Shqiponja, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato të Drejtorisë së Burgjeve, për shkaqe sigurie.

Mes emrave të transferuar janë dhe të “burgosurit e famshëm” Lulzim Berisha dhe Astrit Avdyli. Berisha njihet si kreu i bandës së Durrësit dhe u kap në Spanjë, pasi kishte ndryshuar krejtësisht pamjen e tij. Ndërsa, Astrit Avdyli është kreu i grupit të Shijakut dhe dyshohej se drejtonte një grup kriminal në zonë.

Burgu i Durrësit nuk klasifikohet si institucion me siguri të lartë, por të zakonshme. Ai kategorizohet si institucion paraburgimi, ndaj DPB ka vlerësuar pas arratisjes së Altin Ndocit, që personat me rrezikshmëri të lartë të mos qëndrojnë më në këtë strukturë. Masat nuk përfshijnë zyrtarët e arrestuar, të cilët do të vijojnë të qëndrojnë në Durrës.

Pas ngjarjes së paprecedentë, u shkarkua gjithë zinxhiri i burgut të Durrësit, si dhe drejtori i këtij institucioni të vuajtjes së dënimit, ndërkohë që 8 persona u arrestuan.

Lulzim Berisha (majtas) dhe Astrit Avdylaj

Transferimet nga burgu i Durrësit:

1- Agim Gjini – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

2- Lulëzim Selimi – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

3- Algert Rrapi – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

4- Enea Kume (vellai i deputetit te PS Loer Kume ) – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

5-  Elvis Ndreca – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

6- Dhimiter Nina – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

7- Endri Seiti – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

8- Aldi Zonja – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

9- Erind Lasku – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

10- Artur Hoxhosmani – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

11- Artion Çaushllari alias Gjika – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

12- Armando Ndreca – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

13- Armand Marvataj – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

14- Astrit Avdyli alisa Balliu- Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

15– Samuel Alfonso Moreno Serrano (shtetas nga Venezuela ) – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

16- Braniol Liço alias Ago – Nga IEVP Durres në IEVP Fier

17- Orges Molla – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

18- Dorian Beu – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

19- Lulzim Berisha – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

20- Emirjan Beu – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

21 – Juxhin Koka – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

22- Enkeli Kërtalli – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

23 – Jose Ramos Zacarias Rodrigues Vasques (shtetas nga Venezuela) Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

24- Skënder Sufaj – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

25- Gëzim Thartori –  Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

26- Ismail Zeneli – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

27- Geis Sejfullai – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

28- Klajdi Merkaj – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

29- Ervin Zeqiri – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

30- Klevis Hoxhosmani – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

31- Morel Kërtalli – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

32- Maksim Ndoci – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

33- Saimir Bilaçaj-  Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

The post Nga Lul Berisha tek Astrit Avdyli, të burgosurit ‘VIP’ që u transferuan në burgje të tjera appeared first on Gazeta Si.

Ministri i Drejtësisë shkarkon nga detyra drejtorin e burgut të Durrësit

14 January 2026 at 14:41

Gazeta Si – Një ditë pas arratisjes së Altin Ndocit në Spitalin e Durrësit, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka firmosur sot shkarkimin e drejtorit të IEVP Durrës, Indrit Cërloj.

Veç shkarkimit të drejtorit, Lamallari ka kërkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, një plan të ri të vlerësimit të sigurisë dhe rishpërndarjes mbi bazën e rrezikshmërisë së të dënuarve dhe paraburgosurve në IEVP Durrës, duke konsideruar edhe transferimin në burgje të tjera të sigurisë së lartë.

Po kështu, ditën e djeshme u krye menjëherë pezullimin e nga detyra të të gjithë zinxhirit komandues të IEVP Durrës.

Nga verifikimet paraprake, rezulton se IEVP Durrës për shoqërimin e Ndocit në spital, nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.

Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.

The post Ministri i Drejtësisë shkarkon nga detyra drejtorin e burgut të Durrësit appeared first on Gazeta Si.

Arratisja e Altin Ndocit nga spitali, Burgjet zbardhin dinamikën dhe shkeljet nga IEVP Durrës

14 January 2026 at 13:48

Gazeta Si – Përveç se Altin Ndoci sulmoi policët për të vënë në zbatim planin e tij të arratijes, ka përfituar edhe nga mungesa e zbatimit të protokollit nga ana e policëve që e shoqëronin.

Teksa ka pranuar dështimin e masave të sigurisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me një deklaratë zyrtare, konfirmon se për shoqërimin e të burgosurit, burgu i Durrësit nuk ka informuar as institucionin qendror dhe as komisariatin vendor për vizitën mjekësore.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, ai ishte dërguar për vizitë mjekësore pas rekomandimit të mjekut të institucionit.

Verifikimet paraprake kanë zbuluar shkelje të rënda procedurale, pasi vizita mjekësore nuk ishte raportuar dhe nuk janë respektuar protokollet standarde të shoqërimit.

“Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Burgjet po ashtu sqarojnë edhe dinamikën e arratisjes së 39-vjeçarit. Në reagimin e gjatë, ku bëhet me dije se është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i burgut dhe janë arrestuar 8 persona, theksohet se pasi i ishte bërë kontrolli, Ndocit i ishte rekomanduar të rikontrollohej pas 2 orësh dhe gjatë kësaj kohe ai ka kërkuar të shkojë në tualet, ku më pas ka goditur punonjësit që e shoqëronin dhe ia ka mbathur me vrap.

Kjo ngjarje i kushtoi lirinë tetë personave deri më tani, shtatë punonjësve të Policisë së Burgjeve dhe kryeinfermierit të burgut të Durrësit.

“Nisur nga të dhënat paraprake, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ, konkretisht: z. Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës; z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë; z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar); znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor; z. Aulon Quku – Kryeinfermier; z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve; z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve; znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve”.

Po ashtu, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ, Drejtoria e Burgjeve pezulloi 12 zyrtarë të burgjeve, mes tyre edhe drejtuesin e burgut të Durrësit.

“Referuar ngjarjes dhe veprimeve të ndërmarra, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka vendosur ndalimin e shtetasve të mëposhtëm: Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve; Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës”.

Altin Ndoci cilësohet nga autoritetet si një personazh me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Me origjinë nga Lezha dhe banim në Tiranë, ai është arrestuar nga SPAK në Tiranë 6 vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë”.

Dëshmitë e disa bashkëpunëtorëve të drejtësisë e kanë përfshirë në disa vrasje të bujshme, mes tyre edhe masakra e Bradasheshit, por më pas fitoi pafajësinë.

Ai mbahej në burg gjithsesi i akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, i dyshuar si bashkëpunëtor i klanit “Çopja” në Elbasan.

The post Arratisja e Altin Ndocit nga spitali, Burgjet zbardhin dinamikën dhe shkeljet nga IEVP Durrës appeared first on Gazeta Si.

Polici që ndoqi Ndocin, i njëjti që i dha telefonin Erion Veliajt në furgonin e burgut

13 January 2026 at 22:50

Gazeta Si – Polici i burgjeve, i cili ka ndjekur Altin Ndocin gjatë momentit të tij të arratisjes nga Spitali i Durrësit, madje duke qëlluar edhe me armë në tokë, është identifikuar si Fatjon Baci.

Baci është i njëjti efektiv, i cili vitin e kaluar është përfshirë në një tjetër episod të shqyrtuar nga drejtësia, por këtë herë me kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.

Polici në fjalë i ka dhënë telefonin e tij Erion Veliajt në furgonin e burgut, teksa ky i fundit transportohej nga paraburgimi i Durrësit drejt ambienteve të SPAK-ut në Tiranë për vlerësimin e masës së sigurisë pas akuzave për korrupsion dhe pastrim parash.

Prej këtij episodi, Veliajt iu shtua edhe një tjetër akuzë, ajo e “futjes së sendeve të ndaluara në ambientet e vuajtjes së dënimit”.

Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se nuk janë respektuar protokollet e shoqërimit për numrin e efektivëve të policisë së burgjeve që duhet të shoqërojnë personat e paraburgosur apo të dënuar gjatë vizitave të tyre mjekësore.

The post Polici që ndoqi Ndocin, i njëjti që i dha telefonin Erion Veliajt në furgonin e burgut appeared first on Gazeta Si.

Video / Momenti kur Altin Ndoci ikën me vrap, polici e ndjek me armë! Pezullohen zyrtarët e burgut të Durrësit

13 January 2026 at 16:27

Gazeta Si – Në momentin që Altin Ndoci ka dalë jashtë ambienteve të Spitalit të Durrësit, ka vrapuar drejt zonës së parkimit të automjeteve.

Gazetasi.al ka siguruar momentin kur 39-vjeçari shihet teksa vrapon jashtë spitalit për të hipur në automjetin tip “Audi Q7” që e priste për ta larguar nga aty.

Ndërkohë, oficeri i policisë Fatjon Baci po e ndiqte nga mbrapa, por pa rezultat pavarësisht se qëlloi me armë zjarri në ajër.

Pas arratisjes së Altin Ndocit, Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve, ka vendosur pezullimin e të gjithë zinxhirit komandues të Burgut të Durrësit së bashku me stafin mjekësor, ku i burgosuri ndodhej për mjekim.

Sipas burimeve, masa përfshin drejtorin e institucionit, shefin e policisë së burgjeve dhe zyrtarë të tjerë përgjegjës, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Pas analizimit të kamerave të sigurisë dhe marrjes në pyetje të zyrtarëve, pritet të dalin edhe konkluzionet lidhur me përgjegjësitë penale për skandalin e arratisjes.

Po çfarë dihet deri tani për arratisjen e Altin Ndocit? Ai dyshohet të jetë arratisur në momentin kur është lënë vetëm brenda tualetit në dhomën e vizitave në spital, ndërsa ka dyshime se mund të jetë ndihmuar, së paku për t’u larguar nga jashtë ambienteve.

Reparti i Infektivit, ndodhet në godinë më vete brenda spitalit rajonal të Durrësit. Godina është me 3 kate dhe vetëm dritaret e katit të tretë janë me hekura, pasi aty ndodhet dhoma e posaçme për vizitat e të paraburgosurve ose të dënuarve.

Sipas burimeve paraprake, kanë qenë 2 policë që kanë shoqëruar në dhomën e kontrollit për vizitë. Tualeti ndodhet brenda dhomës së kontrollit, në katin 3 të repartit infektiv.

Altin Ndoci ka kërkuar të futet në tualet, e ka shoqëruar njëri nga policët dhe e ka pritur te dera e tualetit brenda dhomës.

Polici tjetër qëndronte brenda dhomës, në një cep tjetër të saj. Altin Ndoci ka dalë dhe ka znbrapsur dy efektivët.

Më tej, ka goditur derën (e mbyllur me çelës nga brenda). Policët kanë dalë disa sekonda pasi 39-vjeçari është larguar nga dera kryesore e infektivit sipas regjistrimit të kamerave sigurisë të vendosura jashtë spitalit.

Makina “Audi” me të cilën u arratis pas daljes nga spitali Altin Ndoci

Altin Ndoci ka zbritur nga shkallët, ka dalë nga dera kryesore e godinës dhe me vrap ka ecur drejt traut të vendosur në hyrje të godinës së spitalit për parkimin e brendshëm të makinave.

Kjo lëvizje, nga dera e infektivit, te trau në dalje të spitalit, nuk është as 50 metra. Direkt pas traut, e priste një automjet, tip “Audi A7” luksoz ku dhe ka hipur për t’u larguar në drejtim të paditur.

Pak sekonda pas largimit të tij nga pavioni i Infektivit në Spitalin e Durrësit, një polic i Burgjeve është fotografuar jashtë ambienteve, duke ndjekur nga pas me një pistoletë në dorë të burgosurin.

Mësohet se, në tentativë për ta ndaluar, ai qëlloi në tokë për ta neutralizuar dhe plumbi goditi tokën për fat pa lënduar njeri.

Nga ana tjetër, në një foto dallohet Ndoci teksa vrapon, pasi kishte dalë nga dhoma e infektivit, ku e priste automjeti luksoz “Audi Q7” me targa të vjedhura me të cilin u largua.

Pas arratisjes, postblloqe të shumta policie janë ngritur në rrugët e Durrësit për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Policia e Durrësit, përveç kontrolleve në qytet dhe fshatrat përreth ka shtrirë kontrollet edhe në Kavajë. Ndërsa në qarqet kufitare, Fier, Tiranë, Lezhë, e më gjerë ka pika kontrolli ne hyrje të qyteteve.

Ndoci akuzohet nga Prokuroria e Posaçme si pjesë e organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc e Hajdar Çopja. Hetimet për këtë organizatë u mbyllën dhe dosja u çua për gjykim në tetor të 2025-s.

Ndoci dyshohet se ka qenë pjesë e grupit kriminal të të shumëkërkuarit Talo Çela dhe akuzohet për përfshirje në disa ngjarje të rënda kriminale.

The post Video / Momenti kur Altin Ndoci ikën me vrap, polici e ndjek me armë! Pezullohen zyrtarët e burgut të Durrësit appeared first on Gazeta Si.

Në 113-vjetorin e policisë, nderohen dëshmorët

13 January 2026 at 12:21

Gazeta Si – Në 113-vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda dhe Zëvendësministri Xhemal Qefalia vendosën kurora me lule në memorialin e Dëshmorëve të Policisë.

Proda shprehu mirënjohjen për veprën dhe sakrificën e dëshmorëve, të cilët sipas tij janë një simbol i angazhimit të policisë për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.

“Kjo ditë nuk është vetëm festë. Është kujtesë e përgjegjësisë që mbajmë mbi supe dhe reflektim për misionin tonë. Sjellja etike, humanizmi, angazhimi dhe sakrifica juaj është baza e besimit të qytetarëve për një shoqëri më të sigurt. Vetëm me profesionalizëm, integritet dhe bashkëpunim do ta bëjmë Policinë e Shtetit çdo ditë më të besueshme dhe më të fortë”, deklaroi Proda.

Kreu i policisë, nderoi 231 dëshmorët e rënë në krye të detyrës, duke i cilësuar si themelin moral dhe institucional të Policisë.

Ai shprehu mirënjohje për veteranët dhe brezat e rinj të efektivëve, duke theksuar sakrificën dhe përkushtimin e përditshëm të tyre.

The post Në 113-vjetorin e policisë, nderohen dëshmorët appeared first on Gazeta Si.

Pleshtat ndërpresin gjyqin në Bruksel ndaj Franc Çopjas! Gjyqtarja: Lani rrobat me 60 gradë Celcius

13 January 2026 at 11:03

Gazeta Si – Gjyqi në Bruksel ndaj Franc Çopjas alias Gergely, i njohur si kreu i klanit “Çopja”, i cili akuzohet se ka trafikuar tonelata drogë nga Amerika Latine në Europë, është ndërprerë për shkaqe të pazakonta.

Sipas mediave belge, shkak është bërë prania e pleshtave të shtratit në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku do të mbahej seanca.

Të hënën në mëngjes, një prej anëtarëve të jurisë, vuri re se një plesht i ishte ngjitur në krahun e tij. Kur seanca dëgjimore rifilloi pas drekës, kryetarja e trupit gjykues vendosi të ndërpriste seancën për 24 orë në mënyrë që të merreshin masa sa i takon dezinfektimit të ambientit.

“Kjo po shkon shumë larg”, u shpreh kryetarja e trupit gjykues, Isabelle de Saedeleer, duke iu referuar problemeve të shumta me të cilat përballet vazhdimisht sistemi ligjor.

“Nuk dua të rrezikoj jurinë, avokatët, të pandehurit apo këdo tjetër”. Gjykata i këshilloi të gjithë të pranishmit të lajnë rrobat e tyre në 60 gradë Celsius në lavatriçe ose t’i fusin në frigorifer.

Procesi gjyqësor ndaj Çopjas në Belgjikë, po zhvillohet për vrasjen e Ardit Spahiut në një rrugë të Brukselit më 27 nëntor 2021. Sipas prokurorëve, vrasja u krye për larje hesapesh mes dy anëtarëve të organizatës kriminale.

Franc Çopja akuzohet edhe për trafik ndërkombëtar droge nga Amerika Latine drejt Belgjikës dhe vendeve të tjera të Evropës.

Zbardhja e përgjimeve në “SkyEcc” zbuloi sesi ai prdorte lidhjet e tij shqiptare në Amerikën Latine për të trafikuar tonelata me kokainë e heroinë.

Franc Çopja, ndodhet në një burg belg që nga fundi i dhjetorit 2023, pasi u bë krimineli i parë i drogës që u ekstradua nga Dubai në Belgjikë.

Ai akuzohet në Belgjikë për vrasjen e Ardit Spahiut, i cili u qëllua me plumba në rrugë në Molenbeek në nëntor 2020. Autoritetet belge e konsiderojnë Gergely-n, si njeriun që dyshohet se urdhëroi vrasjen.

Viktima Spahiu ishte gjithashtu një njeri me reputacion; ai, nga ana tjetër, konsiderohej një udhëheqës i klanit “Alibej” (njeri i familjes me Endrit dhe Erion Alibej: i pari u ekzekutua në atë që njihet si “masakra e Bradasheshit” në Elbasan para disa vitesh, ndërsa vëllai i tij është kthyer në një të penduar të drejtësisë për llogati të SPAK).

Para ekstradimit të tij, Franc Çopja kishte jetuar në Dubai për një kohë të gjatë (ashtu si vëllai i tij Hajdar Çopja, i shpallur në kërkim nga SPAK) dhe kontrollonte trafikun e kokainës prej andej. Hajdari, vijon të jetë në arrati dhe dyshohet se fshihet në Dubai.

Në janar 2025, SPAK vendosi sekuestrimin e 10 milionë dollarë në kriptovaluta të dy vëllezërve Çopja nga Elbasani.

Përveç miliona dollarëve në kriptovaluta, Prokuroria e Posaçme i sekuestroi dhe dhjetëra pasuri të tjera të paluajtshme, si vila, toka, njësi banimi, njësi shërbimi, apartamente etj.

The post Pleshtat ndërpresin gjyqin në Bruksel ndaj Franc Çopjas! Gjyqtarja: Lani rrobat me 60 gradë Celcius appeared first on Gazeta Si.

Përleshje në burgun e Reçit, ish-boksieri dhe një tjetër i dënuar përfundojnë në spital

9 January 2026 at 09:46

Gazeta Si – Një përleshje e dhunshme në burgun e Reçit në Malësinë e Madhe, ka shkaktuar plagosjen e dy të dënuarve, të cilët përfunduan në spital.

Sipas burimeve paraprake, ish-boksieri Astmer Bilali dhe Mikel Thani janë përfshirë në një konflikt me njëri-tjetrin, të cilët kanë marrë dëmtime të rënda në trup.

Sipas burimeve, Bilali dhe Thani kanë qenë duke ngrënë drekë sëbashku me disa persona të tjerë dhe në ato momente ka lindur një debat mes tyre.

Më pas, kanë nisur të godasin njëri-tjetrin me grushte. Thani, është ndihmuar edhe nga disa persona të tjerë, shokë të tij në burg.

Mikel Thani u arrestua në vitin 2015, pasi ishte i dyshuar për plagosjen e prindërve të ish të fejuarës dhe mbesës së tyre, ndërsa Astmer Bilali është arrestuar në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.

Pak kohë më parë po në burgun e Reçit, pati një tjetër sherr fizik, mes Safet Bajrit dhe Sokol Sanxhaktarit, i cili u dëmtua rëndë fizikisht.

Ai u arrestua në vitin 2018 si pjesë e grupit “Bajri”. Në 2020-ën, Bilali, po ashtu ish-boksier, u dënua nga gjykata me 3 vite heqje lirie, me gjykim të shkurtuar. Ai akuzohej për armëmbajtje pa leje, ndërtim i paligjshëm dhe paracaktim i rezultateve sportive.

Astmer Bilali është në hasmëri me familjen Lici në Shkodër. Po ashtu, emri i tij u përmend nga Fahrije Alija, nëna e Endri Mustafës, i vrarë në maj 2021, i dyshyar si si porositës dhe i implikuar në vrasjen e të birit.

Po ashtu, babai dhe xhaxhai i Astmer Bilalit, Astrit Bilali dhe Brahim Bilali, u vranë me armë zjarri në 2019-ën.

The post Përleshje në burgun e Reçit, ish-boksieri dhe një tjetër i dënuar përfundojnë në spital appeared first on Gazeta Si.

Shiu përmbyt Durrësin! Prokuroria nis hetim për 3 vepra penale

8 January 2026 at 16:46

Nga Gazeta Si- Prej tre ditësh, Durrësi vijon të jetë i përmbytur për shkak të reshjeve të dendura të shiut, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Këtë të enjte është regjistruar edhe viktima e parë nga moti i keq. Një 54-vjeçar u gjet pa shenja jete në një kanal kullues në afërsi të Ish-repartit Ushtarak. Paraprakisht dyshohet se A. H. është marrë nga rrjedha e ujit pasi kishte dalë për verifikime.

Për përmbytjet në Durrës, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet.

Hetimet kanë nisur për 3 vepra penale, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

“Regjistrimi i këtij procedimi penal erdhi pas situatës së krijuar përgjatë dy ditëve ku për shkak të rreshjeve të vazhdueshme u krijuan problematika reale, të dukshme për personat fizikë, për mirëqënien e tyre por edhe dëme të konsiderueshme”, informoi Prokuroria e Durrësit.

Prokuroria thotë se gjendja e krijuar 2 ditë më parë nga përmbytjet, pengoi “zhvillimin normal i aktiviteteve arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun” dhe se në këto kushte ka të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal.

Gjithashtu, hetimet kanë nisur edhe pas vdekjes së punonjësit të komunales.

“Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend”, njofton Prokuroria e Durrësit.

Prokuroria e Durrësit thekson se do të jetë hetimi ai që do të përcaktojë nëse shkaqet e përmbytjes kanë qenë natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore.

Situata në qarkun e Durrësit mbetet kritike nga përmbytjet, sidomos në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, ku përmbytja erdhi edhe nga rritja e prurjeve të lumit Erzen, duke rënduar më tej situatën. Emergjencat civile urdhëruan evakuimin e detyrueshëm të banorëve.

The post Shiu përmbyt Durrësin! Prokuroria nis hetim për 3 vepra penale appeared first on Gazeta Si.

Meta padit në SPAK kreun e Përgjithshëm të Burgjeve për shkelje të të drejtave në qeli

29 December 2025 at 17:44

Gazeta Si – Ish-Presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim në IEVP “Jordan Misja” që nga 23 tetori 2024, ka depozituar një kallëzim penal pranë SPAK-ut ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qosen.

Ai e akuzon për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” (neni 248 i Kodit Penal) dhe çdo vepër tjetër që mund të dalë nga hetimi.

Sipas kallëzimit të detajuar, Meta pretendon se prej më shumë se 14 muajsh i janë mohuar të drejtat themelore si i paraburgosur.

Në shkresën dërguar Prokurorisë së Posaçme, thuhet se Qose ka shpërdoruar detyrën në disa raste, me veprimet apo mosveprimet e tij, duke i cënuar të drejtat dhe liritë Ilir Metës.

Për të provuar faktin penal, Meta bashkëngjitur kërkesës ka dërguar edhe rekomandimin e Avokatit të Popullit, për trajtimin e personave që ndodhen në paraburgim.

Prej 21 tetorit 2024, Meta vijon të qëndrojë në qelitë e paraburgimit, pas akuzave të ngritura nga SPAK ndaj tij për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

The post Meta padit në SPAK kreun e Përgjithshëm të Burgjeve për shkelje të të drejtave në qeli appeared first on Gazeta Si.

Ilir Proda shkarkon 4 zyrtarë policie për performancë të dobët

29 December 2025 at 16:02

Gazeta Si – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka firmosur mesditën e kësaj të hëne shkarkimin nga detyra të katër zyrtarëve të lartë për performancë të dobët.

Mes tyre, janë Drejtori i DVP Lezhë, Altin Mena dhe zv.drejtori për Rendin, Kryekomisar Taulant Gjoka.

Në vend të Menës, Proda ka komanduar Kujtim Gjokën, zv.drejtorin aktual për Hetimin e Krimit në DVP Lezhë.

Po me të njëjtin motivacion u shkarkuan Shefi i Komisariatit Dibër, Mariglen Duçi dhe shefi i Komisariatit Kamëz, Besmir Dervishi.

Kjo valë shkarkimesh vjen në një moment kur policia po përballet me sfida të mëdha në rend dhe siguri publike.

The post Ilir Proda shkarkon 4 zyrtarë policie për performancë të dobët appeared first on Gazeta Si.

Festat e fundvitit/ Policia do jetë prezente në sheshe, restorante e kudo ku ka frekuentim të lartë

22 December 2025 at 10:05

Nga Gazeta Si- Festat e fundvitit, Policia plan masash për parandalimin e incidenteve dhe ngjarjeve kriminale! Shtim i sporteleve në të gjitha pikat e kalimit kufitar

Nga Gazeta Si- Në prag të festave të fundvitit, Policia e shtetit ka hartuar një plan masash për rendin dhe sigurinë.

Përmes një njoftimi zyrtar, policia informon se do të ketë një shtim të shërbimeve policore në territor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale.

Po ashtu do të ketë edhe masa shtesë edhe në pikat kufitare gjatë hyrjeve/daljeve në territorin e vendit, duke shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Policia sqaron se në pikat tokësore, do të intensifikohet bashkëpunimi me homologët, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme në të dyja anët e kufirit.

Qarkullimi rrugor do të monitorohet me mjete inteligjente shpejtësimatëse, dronë, alkooltestues, si dhe do të këtë shtim të patrullave të lëvizshme të Policisë Rrugore në të gjitha qendrat urbane dhe akset rrugore urbane e interurbane.

Gjithashtu do të ketë shtim të policisë në shëtitore, pedonale, objekte kulti, sheshe publike, restorante, lokale dhe qendra tregtare që kanë frekuentim të lartë qytetarësh në të gjithë vendin.

The post Festat e fundvitit/ Policia do jetë prezente në sheshe, restorante e kudo ku ka frekuentim të lartë appeared first on Gazeta Si.

Kapen 215 kg marijuanë, në pranga 3 shqiptarë! 23-vjeçarja përplasje me policinë në rrugët e Janinës

16 December 2025 at 12:52

Tre shqiptarë janë arrestuar nga policia greke dhe 215 kilogramë marijuanë janë sekuestruar në zonën e Janinës. Mes të arrestuarve është dhe një vajzë 23 vjeç.

Në bazë të informacioneve, policia u vu në ndjekje të 23-vjeçares, e cila po drejtonte automjetin të ngarkuar me drogë. Brenda në makinë ishte dhe djali i saj 2-vjeçar. Ajo gjithashtu ka bërë në rrugë manovra të rrezikshme duke përplasur automjetet e policisë e duke shkaktuar dëme. Pas saj udhëtonte automjeti me dy personat e tjerë.

Ngjarja ndodhi në aksin Janinë–Kozan, ku policia pikasi automjetin e dyshimtë, shoqëruar nga një mjet tjetër që shërbente si eskortë. Shoferja nuk iu bind urdhrit për ndalim dhe tentoi t’i shpëtonte kontrollit, duke përshkuar një distancë të gjatë në zona të Grevenës.

Ndjekja përfundoi në Vovousa të Janinës, ku mjeti u ndalua nga efektivët e Departamentit të Narkotikëve dhe njësitë O.P.K.E. Brenda makinës u gjetën 118 pako marijuanë, me peshë totale 215 kg.

Policia sekuestroi gjithashtu makinën me targa greke që i përkisnin një automjeti tjetër, targat origjinale shqiptare të fshehura brenda, peshore metalike për drogën, 2.7 gram marijuanë dhe tre telefona celularë.

Në automjetin tjetër u gjetën dhe u sekuestruan 510 euro dhe 2 telefona celularë.

The post Kapen 215 kg marijuanë, në pranga 3 shqiptarë! 23-vjeçarja përplasje me policinë në rrugët e Janinës appeared first on Gazeta Si.

SPAK: Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj nën akuzë për grup kriminal dhe pastrim parash për tenderët e AKSHI-t

16 December 2025 at 13:34

Gazeta Si – SPAK ka lëshuar 8 masa sigurie për hetimet në lidhje me abuzimin e disa tenderëve nga AKSHI ((Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit), ku figurojnë zyrtarë shtetërorë, si drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe biznesmenët, Ergys Agasi e Ermal Beqiraj, të shpallur në kërkim.

Sipas SPAK, ata akuzohen për veprat penale, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjithashtu, masë sigurimi është kërkuar edhe për administratorë të disa kompanive, të cilët me veprime të kundërligjshme, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione kundrejt  kompanive të cilat nuk ishin pjesë e procesit të tenderimit.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë favorizuar kompani të caktuara dhe kanë ushtruar presion ndaj pjesëmarrësve të tjerë për të hequr dorë nga ankimet.

Deri tani janë u ekzekutuar 6 masa sigurie dhe në kërkim janë shpallur dy biznesmenët, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj.

Këta dy të fundit nuk janë gjetur gjatë kontrollove, të cilat u ushtruan edhe në zonën rezidenciale të Kodrës së Diellit në Tiranë, ku dyshohet se banonin. Nuk dihet nëse biznesmenët janë në Shqipëri apo e kanë lënë vendin.

Agasi dhe Beqiraj dyshohet se kanë marrë peng një përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tenderë, që të heqin dorë nga ankimet për procedurat e tenderimit, “duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve”, – sqaron SPAK.

Sipas burimeve, kompanitë e favorizuara ishin të lidhura me biznesmenin në kërkim Ermal Beqiraj. Agasi dhe Beqiraj akuzohen për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë në tenderë, pastrim parash e grup i strukturuar kriminal

Në njoftimin publik për mediat, Prokuroria e Posaçme thotë se është ekzkutuar masa “arrest në shtëpi” për drejtuesen e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtoreshën, Hava Delibashi.

Drejtoresha e AKSHI-t, Karçanaj, akuzohet për shkelje të barazisë në tendera publike e kryer në bashkëpunim dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal,

Në lidhje me këtë operacion, masë pezullim nga detyra është vendosur edhe për Erjon Ismailin, zëvendës drejtor i policisë së Tiranës. Ai akuzohet nga SPAK për “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, dhe  grup i strukturuar kriminal”.

Ndalim jashtë vendit, u kërkua edhe për 3 administratorë të disa kompanive, të cilët siç SPAK thotë “kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione ndaj kompanive që s’ishin pjesë e procesit të tenderimit”.

Administratorët Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta akuzohen për “pastrim të parave dhe grup i strukturuar kriminal”.

8 masat e firmosura nga GJKKO

Arrest në burg”: Ergys Agasi

“Arrest në burg”: Ermal Beqiri

“Arrest në shtëpi”: Mirilda Karçanaj

Arrest në shtëpi”: Hava Delibashi

Pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit: Erion Ismaili

Ndalim për të dalë jashtë vendit: Andis Papa, Gëzim Hoxha, Rogers Rryta

Sa i takon dy biznesmenëve, Agasi dhe Beqiraj, ata janë të dy zotërues të disa shoqërive softuerësh dhe kompjuterike që dyshohet të kenë pasur marrëdhënie kontraktore me AKSHI-n.

Gjithë ky hetim ka lidhje me të paktën 12 procedura tenderuese të AKSHI-t, procedura me vlera në disa miliona euro secili, ku dyshohet se fituesit kanë qenë të paracaktuar”.

Hetimi për çështjen ka nisur rreth 1 vit më parë dhe këtë të martë janë dokumentuar e janë sekuestruar një sërë provash pas kontrolleve në banesa.

Karçanaj u paraqit në SPAK më 3 dhjetor, ku qëndroi rreth 3 orë. Atë ditë u raportua se ajo ka dhënë dëshmi sa i takon hetimeve për shkelje dhe keqpërdorime në 12 procedura tenderash brenda institucionit që ajo drejton.

Gjatë ditëve të fundit, hetuesit kanë thirrur dhe marrë në pyetjeve 25 zyrtarë të AKSHI-t, që janë kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.

The post SPAK: Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj nën akuzë për grup kriminal dhe pastrim parash për tenderët e AKSHI-t appeared first on Gazeta Si.

Trafik droge drejt BE, goditet ‘klani Rraja’ në Nikël, 7 të arrestuar. Sekuestrohen 430 mijë €. SPAK zbardh episodet

10 December 2025 at 15:45

Gazeta Si – SPAK ka goditur një grup kriminal në Fushë-Krujë, kryesisht anëtarë të fisit të njohur “Rraja”, që dyshohet se 5 vitet e fundit kanë trafikuar drogë në vlera miliona euro nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Në total janë lëshuar 14 masa sigurie, 10 prej të cilave janë ekzekutuar. Tre prej këtyre janë aktualisht në burg për ngjarje të tjera kriminale dhe masa e arrestit iu është komunikuar në qeli. Po ashtu, në kërkim mbeten 4 të tjerë.

Në pranga janë vënë Marvin Bushati, Agim Nina alias Lorenc Selmani, Sokol Qaja, Zamir Aliaj dhe tre anëtarë të fisit Rraja, Gazmir, Përparim dhe Rexhep Rraja.

Ky i fundit ësht djali i ish deputetit të PS, Rrahman Rraja, ndërsa dy të tjerët kushërinj të tij. Si pasojë janë sekuestruar mbi 415 mijë dollarë, 7 mijë dollarë, 1 milion lekë, 11 celularë.

Gjatë kontrolleve në banesat e Rrajave, policia sekuestroi 430 mijë euro, 415 mijë ishin në euro, ndërsa pjesa tjetër lekë dhe dollarë.

Po ahtu, u sekuestruan 3 makina, 1 pistoletë Glock me nëntë fishekë, një jelek antiplumb, një palë dylbi, një orë Rolex dhe një DVR.

Aktualisht në burg ndodhen Islam Sefa, Aldo Gjini dhe Jani Çavo, ku edhe iu është komunikuar masa tjetër e arrestit. Në kërkim janë Ervis Shuli, Bujar Sefa, Hajdar Sefa dhe Vildan Baroku, të cilët dyshohet se janë jashtë vendit.

Këta persona akuzohen për veprat penale të trafikut të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim dhe atë të grupit të strukturuar kriminal.

Në kërkim janë Ervis Shuli, Bujar Sefa, Hajdar Sefa dhe Vildan Baroku. Të gjithë akuzohen si pjesë e këtij grupi të trafikut të drogës që e ushtronte këtë aktivitet nga viti 2020. Grupi dyshohet se është diktuar nga bisedat në aplikacionin “SkyEcc”, ndërsa operacioni po drejtohet nga prokurori Adnan Xholi.

Krahas masave të sigurisë, janë ushtruar kontrolle edhe në banesa me urdhër të GJKKO, ku janë sekuestruar sasi të konsiderueshme parash, armë, automjete etj. Ndërkohë, sipas raportimeve, grupi trafikonte kokainë dhe marijuanë nga Mali i ZI, Turqia dhe drejt vendeve të BE-së.

SPAK: Drogë drejt Gjermanisë, BE-së dhe Turqisë

SPAK njofton se ka regjistruar hetimet më datë 18 janar 2024 për veprat penale të kryera gjatë viteve 2020-2021: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a të Kodit Penal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet e deritanishme kanë rezultuar dyshime të arsyeshme, të mbështetura në prova, se personat e dyshuar janë përfshirë në aktivitet të paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si dhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt Bashkimit Europian.

Gjatë veprimtarisë së tyre, të dyshuarit kanë komunikuar gjithashtu mes tyre përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyECC”.

“Këto komunikime janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike”, njoftoi SPAK.

Nga këqyrja dhe analizimi i të dhënave të administruara është bërë e mundur identifikimi i 14 personave të hetuar të dyshuar për përfshirje në aktivitet të paligjshëm kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, si dhe nga ekzekutimi i letërporosive nga autoritetet malazeze, holandeze dhe turke, janë zbardhur rrethana të rëndësishme të kryerjes së veprave penale, duke u evidentuar rolet e drejtuesve, financuesve dhe pjesëmarrësve në këtë veprimtari kriminale”, njoftoi SPAK.

Episodi i parë, i përket datës 3 nëntor 2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Malit të Zi, është sekuestruar sasia prej 1722 kilogramësh, bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë.

Episodi i dytë, i përket datës 23 nëntor 2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Holandës, është sekuestruar sasia prej 475 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen, Holandë.

Episodi i tretë, i përket datës 26 janar 2021, gjatë të cilit nga autoritetet të Turqisë, është sekuestruar sasia prej 236 kg bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Turqinë.

“Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale”, njoftoi SPAK.

Kush janë të arrestuarit dhe ata në kërkim

Rrexhep Rraja dhe kushëriri i tij, Përparim Rraja ishin në kërkim nga policia e Fushë Krujës për dhunën në guroren e këtij të fundit në Borizanë, ngjarje e ndodhur më 6 korrik 2023.

Dy kushërinjtë, Bilbil e Jashar Maja kishin denoncuar në polici se gurorja e Rrajave po u prishte shtëpitë në Borizanë. Anëtarët e fisit Rraja i bënë për spital pasi i dhunuan me shkopinj bejsbolli dhe mjete të tjera të rënda.

Tre personat që janë në burg për të njëjtin aktivitet kriminal, janë Islam Sefa, i cili u arrestua në korrik të vitit 2024 në një lokal afër SPAK për trafik droge.

Ai akuzohet si drejtues dhe financues i një grupi që trafikoi drogë në vlerë 3.3 milionë euro drejt Gjermanisë.

Më 18 dhjetor të këtij viti, GJKKO e dënoi me 11.4 vite burg për trafik droge në 9 episode. Vëllai i tij, Bujar Sefa, në kërkim për këtë operacion, u dënua me 10 vite burg më 1 korrik të vitit 2024 për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Rexhep Rraja (majtas) dhe ish-deputeti socialist, Rrahman Rraja

Jani Çavo, të cilit masa iu komunikua në burg, u arrestua në qershor 2023 si pjesë e një grupi që trafikonte kanabis nga Siria dhe heroinë që vinte nga Turqia, me vlerë deri në 2.7 milionë euro.

Në dhjetor të vitit të kaluar, GJKKO e dënoi grupin e tij në total mëe 107 vite burg, ndërsa Çavo u dënua me 8.8 vite burg.

Aldo Gjini po ashtu është arrestuar më herët. Në korrik 2021, u përfshi në një plagosje në Tiranë. Gjini rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga EUROPOL për akuzat tentativë vrasje, trafikim armësh dhe municionesh luftarake.

Dyshohet edhe si autor i një plagosjeje në 2020 në Luksemburg. Në vitin 2016, u arrestua në Itali për shpërndarje droge.

Operacioni është duke vijuar dhe përfshin kontrolle në banesa të ndryshme nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe vjen pas hetimeve të gjata duke synuar goditjen e një prej grupeve më të njohura kriminale në zonën e Fushë-Krujës.

Kontrolli i banesave dhe procedurat e tjera janë ende në zhvillim. Më vonë gjatë ditës SPAK pritet të bëjë me dije më shumë detaje lidhur me këtë operacion.

Konkretisht, të arrestuar:

Marvin  Bushati

Agim Nina alias Lorenc Izet Selmani

Sokol Qaja

Gazmir  Rraja

Përparim Rraja

Rexhep Rraja

Zamir Aliaj

Tre masat e komunikuara në burg:

Islam Sefa

Aldo Gjini

Jani Çavo

Në kërkim:

Ervis Shuli

Bujar Sefa

Hajdar Sefa

Vildan Baroku

The post Trafik droge drejt BE, goditet ‘klani Rraja’ në Nikël, 7 të arrestuar. Sekuestrohen 430 mijë €. SPAK zbardh episodet appeared first on Gazeta Si.

Vrasja e biznesmenit në Elbasan, shpallet në kërkim një 35-vjeçar. Dyshohet se doli jashtë vendit

8 December 2025 at 13:48

Gazeta Si – Një 35-vjeçar me iniciale O.E.O., është shpallur në kërkim pak ditë pas vrasjes së biznesmenit Edmond Mëhalla në Elbasan.

Sipas burimeve paraprake nga grupi i hetimit, emri i tij ka dalë nga një prej personave të pyetur në polici të dyshuar si bashkëpunëtor.

Naldo Gjoni nga Lezha, i cili u ndalua nga policia pasi kishte përdorur makinën me të cilën u krye ekzekutimi, ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se i pranishëm kur ka marrë në përdorim mjetin ishte edhe O.E.O.

Deri në këto momente kjo është dëshmia që ka përshirë 35-vjeçarin nga Elbasani. Nga të dhënat, rezulton se i dyshuari është larguar nga pika kufitare e Qafë-Thanës për në Maqedoninë e Veriut, duke mos u arritur të ndalohej apo verifikohej nga policia kriminale e Elbasanit.

Që prej ditës së vrasjes së Mondi Mëhallës, ai konsiderohet person kyç në hetime. Por nga ana tjetër, policia dhe Prokuroria e Elbasanit e kanë ende të paqartë se kush është qitësi që vrau Mëhallën.

Deri tani, dyshimet përqendrohen te i arrestuari Nevzat Spaho, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.

Mondi Mëhalla, i njohur në Elbasan me nofkën ‘Hyka’ u ekzekutua me tre plumba, në një atentat të kryer me në Elbasan në 30 nëntor.

Më herët, në qeli u lanë ish-ortaku i Mëhallës, Xh. A., i cili akuzohet për vrasje në bashkëpunim, dhe roja i karburantit ku ndodhi ngjarja, K.P, i cili është vënë nën hetim për moskallëzim krimi.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi më 30 nëntor 2025 në Elbasan. Biznesmeni Edmond Mëhalla u qëllua me armë zjarri sapo doli nga zyra e tij, duke marrë tre plumba që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Viktima ishte pronar i karburantit “Xhaxhi Oil” dhe një rrjeti taksish në qytet.

The post Vrasja e biznesmenit në Elbasan, shpallet në kërkim një 35-vjeçar. Dyshohet se doli jashtë vendit appeared first on Gazeta Si.

Operacion antidrogë Shqipëri-Itali, SPAK lëshon 21 urdhër-arreste

27 November 2025 at 11:23

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zhvilluar një operacion ndërkombëtar në bashkëpunim me autoritetet italiane të Breshias për goditjen e një grupi që merrej me trafikun e lëndëve narkotike.

Sipas burimeve paraprake, bëhet me dije se janë lëshuar 21 urdhër-arreste. Për këtë çështje ka disa persona të arrestuar më herët për vepra të tjera. Baza e tyre ishte në qytetin e Durrësit.

Gjithnjë sipas burimeve, ky operacion është vijim i atij të zhvilluar dy ditë më parë në Itali, ku u godit grupi i “Ndrageheta”-s dhe shqiptarët e lidhur me ta, të cilët në 2 vite u zbulua se kishin trafikuar 3.5 ton kokainë me vlerë 27 mln euro.

Mes 28 masave të sigurisë që u lëshuan nga Prokuroria e Milanos, 6 prej tyre ishin shqiptarë. Njëri prej tyre, Artur Hoxhosmani aktualisht ndodhet në burg në Shqipëri, si i përfshirë në grupin e Plaurent Dervishajt, Erion Alibejt dhe bosit të Cinco-s, Ermir Ndrejaj, të akuzuar për trafikun e 6 ton kokainë me vlerë 411 milionë euro.

Në përditësim…

The post Operacion antidrogë Shqipëri-Itali, SPAK lëshon 21 urdhër-arreste appeared first on Gazeta Si.

❌
❌