Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Korrupsionin e shpëton vetëm një situatë politike bardhë e zi

By: Mero Baze
21 December 2025 at 19:53

Nga Mero Baze

Protesta e së hënës është paralajmëruar si protestë e dhunshme dhe afatgjatë. Nuk di pse PD e Berishës e ka marrë përsipër paraprakisht këtë zotim, por kam frikë se kjo është një nga ato gjëra që i bën mirë qeverisë në një nga orët e saj më të zeza, kur nuk e ka aq të lehtë ta kalojë me batuta përballjen e zyrtarëve më të lartë të shtetit me drejtësinë.

Në politikë disa parime janë të pandryshueshme kurrë. Kur i ke punët në vijë si opozitar dhe kur e ke vënë në vijë përballjen me qeverinë, nuk ke nevojë të tregosh as muskuj dhe as agresivitet.

Kush ngre tonet e larta të zërit thjesht s’ka fuqi. Kur fillon të jesh i sigurt për të marrë pushtetin s’ka nevojë të ulërasësh. (Nuk e kam për Lapajn.) Mjafton të shfaqesh ndryshe nga qeveria.

Këtë e ka bërë Berisha më 2005, ku pas protestave të marsit 2004 deri ditën që fitoi nuk bëri më asnjë protestë, madje e deklaroi këtë gjë. Ishte e qartë se kishte një plan për pushtet.

Të njëjtën gjë bëri Edi Rama pas 21 Janarit. Derisa erdhi në pushtet pas dy vite e gjysmë, nuk bëri më asnjë protestë, pasi e kishte shtruar rrugën për pushtet.

Në rastin konkret, kur qeveria është në ditët e saj të këqija me drejtësinë, por jo me elektoratin e saj, përpjekja për të marrë përsipër diçka që kam frikë se nuk ke fuqi ta bësh, është e vetmja aspirinë për qeverinë.

Nuk di sa të vërteta janë ato financimet për protestat kundër Veliajt nga opozita, por ky është rasti që këta të qeverisë, nëse s’kanë ndonjë lek, duhet t’ia çojnë Berishës, por pa përdorur SMS.

I vetmi lehtësim për pushtetin në këto kohë është ta bësh situatën sa më politike dhe t’i diferencosh njerëzit nëse janë me Ramën apo Berishën, duke eliminuar me forcë aktorët e tjerë.

E vetmja mënyrë që qeveria të ndihet e sigurt është t’i vësh ata në qoshe e t’u thuash: tani do t’ua marrim pushtetin me dhunë. Përveçse nuk e bën dot, mobilizon çdo energji të pushtetit për t’u bërë gardh ndaj një fenomeni që vetë socialistët nuk kanë dhe aq dëshirë të bëhen badigardë të historive korruptive.

Zhdukja e ngjyrave brenda pushtetit dhe brenda opozitës është e vetmja mënyrë që beteja të bëhet bardh e zi mes Berishës, që turfullon si kau plak i tredhur, dhe Ramës, që mezi e pret ta shikojë atë si aktor të vetëm para godinës së tij.

Është nga ato raste kur opozita e Berishës, më shumë sesa të rrëzojë Ramën, përpiqet ta shfrytëzojë këtë situatë për të eliminuar aktorët e tjerë opozitarë brenda PD-së e jashtë saj.

Në një farë mënyre mund t’ia arrijë, por jo duke rrëzuar Ramën. Thjesht çdo i mërzitur me Ramën dhe qeverisjen e tij do ta bëjë përsëri me Ramën, dhe çdo i mërzitur me Berishën do të largohet edhe më shumë nga Berisha, duke prodhuar më shumë dëshpërim sesa shpresë.

The post Korrupsionin e shpëton vetëm një situatë politike bardhë e zi first appeared on JavaNews.al.

Berisha i trajton gjithë opozitarët si Salianjin

By: Mero Baze
20 December 2025 at 19:21

Nga Mero Baze

Një nga arsyet madhore përse Berisha shpalli me urgjencë 22 Dhjetorin ditë proteste ishte Ervin Salianji dhe takimet e tij në Durrës, Gjirokastër dhe Elbasan. Pasi e pa që PD po plasaritej dhe interesi për të dëgjuar Salianjin ishte më i madh se interesi për të dëgjuar Berishën, ai shpalli ditën e protestës si i vetmi mekanizëm që ka për të nënshtruar opozitarët brenda partisë. E ka bërë këtë rregullisht në vite me çdo armik të brendshëm. Sa herë shfaqej dikush, thërriste protesta për t’u treguar demokratëve se “ne jemi kundër qeverisë, ai që më kritikon mua është me qeverinë”. Në këtë rast, Salianjin e nxori edhe me Suel Çelën.

Tani të njëjtën gjë që i bëri Salianjit po përpiqet t’ia bëjë Agron Shehajt dhe Adriatik Lapajt.

Nëse shikoni stilin e ftesës së tij për t’iu bashkuar protestës së Berishës, e kupton qartë se nuk po i thërret në protestë, por po i thërret për t’i bërë ushtarë të tij dhe për t’i nxjerrë nga fusha e lojës si opozitarë të ndryshëm nga Berisha.

Pra, ashtu siç përpiqet të unifikojë PD-në me veten e tij, duke i anatemuara kritikët brenda PD-së si armiq të opozitës, ashtu po bën edhe me partitë e reja opozitare, duke i vënë para zgjedhjes: ose në rresht pas meje, ose jeni opozitë e opozitës.

Me këtë stil Berisha përpiqet të ruajë iluzionin si opozita e vetme në këtë vend dhe gjithkush që tenton t’i marrë këtë monopol është më i keq se Edi Rama. Dhe kështu e ka më të sigurt rezultatin e protestës. Nëse del mirë, u thotë “s’kam nevojë për ju”; nëse del keq, u thotë “ma sabotuat ju”.

Ndaj, që t’i ikin këtij kompleksimi prej Berishës, partitë opozitare nuk duhet as t’u përgjigjen deklaratave të tij. Qeveria nuk rrëzohet nga dy mijë njerëz më shumë apo më pak në shesh, por nga idetë e reja alternative dhe sidomos nga figura që nuk të kujtojnë Sali Berishën. Ky është edhe makthi real i tij. Ai do t’u imponojë shqiptarëve ose atë, ose askënd nga opozita, ndaj edhe përpiqet t’i komprometojë kundërshtarët e vet në parti dhe në opozitë, që ose ta pranojnë atë, ose Edi Ramën. Qoftë edhe për kaq, çdo opozitar duhet ta llogarisë si aleat të Edi Ramës.

The post Berisha i trajton gjithë opozitarët si Salianjin first appeared on JavaNews.al.

Debati për USB tregon për “drejtësinë popullore” që kemi vendosur

By: Mero Baze
19 December 2025 at 19:10
Nga Mero Baze
Shumica e aktorëve politikë dhe natyrisht masave popullore në rrjetet sociale janë vënë në kërkim të kasafortës së Niko Peleshit, ku ruhet USB-ja që ka brenda dosjen hetimore ndaj zonjës Balluku, pasi SPAK e ka shpallur atë sekret hetimor.
Pra e ka shpallur SPAK si të tillë, jo Kuvendi, as Niko, as Ulsiu.

Në fakt kjo nuk i bën përshtypje askujt, pasi tanimë jemi mësuar që kemi një traditë të konsoliduar që dosjet shfaqen njëherë në publik, pastaj shkojnë në gjykatë, Kuvend apo tek avokatët. Është një traditë e krijuar nga zyra e marrëdhënieve me publikun e SPAK për të filluar gjyqet popullore para gjyqit të vërtetë. Dhe është një realitet i pranuar që kështu duhet të ndodhë.Ky është i vetmi standard që SPAK ka vendosur në punën e tij për të cilin biem dakord të gjithë.

Ndaj dhe kur SPAK e shpall një dosje sekret hetimor, askush nuk e merr seriozisht, pasi e dinë që SPAK nuk të thotë asgjë nëse e boton. SPAK e ka shpallur sekret hetimor dosjen “Toyota Yaris”, pasi aty implikohen edhe prokurorët e SPAK-ut, por kjo nuk e ka penguar Sali Berishën ta lexojë nga një faqe sa herë që shkon në SPAK apo del prej SPAK-ut. Nuk ka ndonjë masë nga SPAK për këtë. Në thuajse 100 për qind të rasteve, çdo dosje ka dalë njëherë në media, pastaj ka shkuar në gjykatë. SPAK nuk ka reaguar.

Edhe në rastin Balluku është e njëjta gjë. SPAK e ka shpallur sekret hetimor, por kjo nuk e ka penguar median të botojë pjesë nga dosja duke përdorur të njëjtët fundo-rina në media që përdorin gjithmonë.

I gjithë ky ngulmim mbarëkombëtar që Niko t’ia dorëzojë popullit USB-në është çështje tre-katër ditësh. Tani deputetët e komisionit e morën dosjen dhe do të fillojë të bjerë vala e parë e ngulmimit, pasi do ta shumfishojnë dhe shpërndajnë sa të munden. Pastaj do ta marrin edhe avokatët. Do ta bëjnë edhe ata. Kështu që brenda dy javësh a pak më shumë, kur dosja të shkojë në Gjykatë, i gjithë populli do ta ketë lexuar disa herë, shoqëruar me komentet dhe fantazitë përkatëse.

Nuk do t’u ngelet gjë pa lexuar. Do lexoni çdo faqe e germë. Nuk po u fsheh as Nikua, as Parlamenti, por procedura e shpalljes sekret hetimor. Dhe sekret hetimor tek ne është diçka që shpallet jo për t’u ruajtur sekreti, por për t’u shtuar kureshtja. Dhe kjo ia ka arritur.

Dhe meqë ra fjala, para tre ditësh Prokurori i Përgjithshëm i Maqedonisë u çua për shkarkim në Parlament për rrjedhje të një sekreti hetimor dhe u detyrua të dorëhiqet një orë para fillimit të seancës. Ai është rasti i qartë se si një pushtet i pavarur si drejtësia varet nga ligji nëse e shkel. SPAK e bën rregullisht atë për të cilën kolegu i tyre në Shkup u shkarkua dy ditë më parë. Dhe kur vendos ta shpallë një dosje vetë sekret hetimor, po vetë e nxjerr i pari në publik, t’u nxjerrë frikën të tjerëve.

Ndaj mos e quani debat këtë ngulmimin për të pasur që sot USB-në dhe që sot të digjen mijëra faqe në shtyp. Është thjesht çështje e kulturës që ka sanksionuar SPAK në gjithë veprimtarinë e tij me gjyqet popullore. Është arritja më e spikatur e Reformës në Drejtësi.

Vetëm kur dikush të ndëshkohet për këtë praktikë nga Prokuroria, do të kuptojmë se ligji është i barabartë për të gjithë, siç ka qenë qejf të thonë këta prokurorët, duke mos pasur parasysh veten e tyre.

The post Debati për USB tregon për “drejtësinë popullore” që kemi vendosur first appeared on JavaNews.al.

Të dëshpëruar, që nuk gëzojnë dot shanset që po u jep drejtësia

By: Mero Baze
18 December 2025 at 19:35

Nga Mero Baze

Vulgariteti i betejës së sotme fizike në Parlament është një betejë e dëshpëruar fizike, në vend që të ishte një betejë politike superiore ndaj pushtetit.Dëshpërimi që në fakt duhet të kapte shumicën në pushtet, ka kapur opozitën.

Mënyra se si tentonin disa figura qesharake të opozitës të dukeshin të fortë, të rrëmbenin flakadanë apo shishe uji kundër kolegëve të tyre deputetë, të krijonte idenë se opozitës i kishte ndodhur një gjëmë e madhe dhe donte hakmarrje te qeveria.

Në fakt gjëma i ka ndodhur qeverisë. Ajo ka tanimë në duart e drejtësisë qendrat më të forta të qeverisjes së saj dhe dy dikastere që janë motori i zhvillimit ekonomik të vendit: infrastrukturën, energjinë dhe AKSH-në, që është përgjegjëse për gjithë shërbimet digjitale që u ofrohen qytetarëve shqiptarë dhe që mund të bëjnë hapa pas.

Përveç kësaj që është dëm kolateral për qeverisjen, politikisht ka para drejtësisë thuajse gjithë figurat më të rëndësishme të pushtetit.

Në momente të tilla opozita feston dhe duket superiore në sytë e opinionit publik, dhe jo si repart taliban.

Arsyeja pse ata nuk ndihen të fituar është se betejën që duhet të bënin ata e ka bërë drejtësia, që ata e urrejnë. Opozitën praktikisht dhe politikisht e ka zëvendësuar SPAK. Udhëheqësi real i opozitës është Altin Dumani. Prokurorët e SPAK janë kryesia që duhet të kishte opozita.

Mjerisht për ta, ata janë të gjithë armiq pa arsye të tyre, pasi kryetari i partisë së tyre urren Altin Dumanin dhe “kryesinë” e tij për hallet e veta. Dhe sot ata nuk festojnë dot, po qajnë e ulërijnë duke djegur Parlamentin dhe duke i vënë flakën ndërtesës nga jashtë dhe brenda, a thua se shqiptarët edhe këtë flakën e fundit të Berishës presin që t’ia japin votën.

Ky është rasti kulmor që një opozitë e marrë peng nga kryetari nuk gëzon dot shanset që i jep drejtësia.

Shikoni sa i relaksuar është Agron Shehaj apo Arlind Qorri, dhe sa u shijon beteja e drejtësisë me pushtetin. Dhe janë në të drejtën e tyre ta shijojnë. Këta fatkeqë të PD-ës e kanë të ndaluar edhe të gëzojnë kur u arrestohen rivalët, vetëm se i ngelet hatri Berishës që po i arreston armiku i tij.

Dhe shkojnë bëjnë atë shfaqje vulgare në Kuvend që të sjellin zorrët në fyt, nëse je qytetar i zhgënjyer nga qeveria dhe vendos të mendohesh kë të votosh radhën tjetër.

Ai që premton revolucion, përmbysje, sakrifica sublime, injoron në fakt një bilanc të arritur pa asnjë sakrificë prej tij, por prej drejtësisë. Çdo opozitë që do të kishte këtë fat që ka kjo opozitë, do të dinte ta shfrytëzonte atë, duke korrur frytet e një beteje të dhuruar në tavolinë nga drejtësia.

Opozita e Sali Berishës më shumë është e tërbuar pse qeverinë po e masakron drejtësia, se sa nga fakti që partia e tij është degraduar dhe është bërë qesharake edhe në këto ditë të zeza të qeverisë.

Një opozitë e cila duhet t’i thurte himne Altin Dumanit dhe SPAK-ut, i vë zjarrin Parlamentit, që deputetët e vet të mos ndjehen të gëzuar me atë që ka bërë drejtësia, por të vazhdojnë betejën si kundër Edi Ramës ashtu edhe kundër drejtësisë. Derisa të binden të gjithë që PD nuk i duhet askujt veç Berishës.

The post Të dëshpëruar, që nuk gëzojnë dot shanset që po u jep drejtësia first appeared on JavaNews.al.

Suel Çela, një “mit” në dispozicion të Berishës

By: Mero Baze
17 December 2025 at 19:23

Nga Mero Baze

 

Duke folur para Këshillit të mbetur Kombëtar në PD, Berisha po shpjegonte sot disa ngjarje të pretenduara kriminale me pengmarrje nga qeveria, që të gjitha përfundonin në “qelitë e Suel Çelës”. Pastaj shtoheshin elementë torture, thyerje brinjësh etj., dhe theksohej Suel Çela.

Sa herë që vizitonte një ngjarje kriminale, duke thirrur në ndihmë gjithë fantazinë e qytetarit digjital, vazhdonte përsëri dhe e mbyllte me Suel Çelën dhe për një moment ishte gati të thoshte: E shikoni pra se kush ia bën mitingjet Ervin Salianjit? Ja ky Suel Çela.

Nuk di nëse ka në dosjen e SPAK ndonjë pengmarrje biznesmeni apo zyrtari nga Suel Çela, por mund të ketë presione mes palëve në tendera, që është fenomen për biznesin shqiptar në raport me tenderat publikë.
Po Berishës i duhej ta fuste sot si personazh në Këshillin Kombëtar jo për ngjarjet e pretenduara të tij, por për Ervin Salianjin.

Ka më shumë se një javë që në PD ka shpërthyer një debat i madh se i kujt është Suel Çela brenda PD. Gazmend Bardhi ka pasur pretendime që është i Flamur Nokës dhe Sali Berishës, se i ka ndihmuar ata të bëjnë Kuvendin kundër Lulzim Bashës më 2021. Pastaj të gjithë personazhet e PD-së, sa herë zihen me njëri-tjetrin, akuzojnë njëri-tjetrin se janë të Suel Çelës. Së fundmi armiku i radhës i partisë, natyrisht që nuk do të shpëtonte nga të qenit mik me Suel Çelën.

Pra, në PD fantazia për të luftuar njëri-tjetrin ka rënë në nivelin e fantazisë për të justifikuar humbjen 10 me 4 më 11 Maj, ku edhe aty e kishte fajin Suel Çela. Pra, kur humbasin thellë e ka fajin Suel Çela, kur zihen me njëri-tjetrin e ka fajin Suel Çela, kur u duhet vula kërkojnë ndihmë tek Suel Çela, kur u dalin kundër vulës e ka fajin Suel Çela.

Krijimi i mitit të një krimineli që komandon PD-në dhe menaxhon sherret brenda tyre, dhe po ashtu i siguron PD-së një alibi sa herë humbet, është një dëshmi e degradimit të një partie politike, e cila për të mos ndryshuar vetë, krijon mitin e një të dënuari ordiner si faktor politik brenda opozitës dhe kundër opozitës, siç i duhet Sali Berishës.

Kur humbet zgjedhje, i duhet si alibi që i ka humbur nga Suel Çela; kur humbet vulën, thërret Suel Çelën; kur ia kërkojnë vulën, fajëson Suel Çelën, e kështu me radhë.
Kaq i rëndësishëm sa shfaqet Suel Çela për PD-në, ai qenka kryetari real i saj. Ai i ndan kur zihen, i pajton, apo i fut në sherr me njëri-tjetrin. Dhe e gjithë kjo që Berisha të justifikojë pse e ka çuar PD-në në gropë, pse nuk i lë demokratët të debatojnë me zë të lartë problemet e tyre, dhe mbi të gjitha pse dikush i kërkon atij karrigen e PD-së.

Kështu Sali Berisha e ka çuar të ardhmen e PD-së në një situatë parapolitike, ku ata duhet të debatojnë se si të bëhen aleatë apo armiq të Suel Çelës.
Pak nga pak këta po kthehen nga parti politike në një bandë të copëzuar në raport me Suel Çelën. Kushdo që ta fitojë dashurinë e Suel Çelës, ka të siguruar vendin në krye të bandës. Dhe meqë Ervin Salianji po vepron pa leje, po e kërcënojnë se do ta përjashtojnë nga banda, pasi “po u merr Suel Çelën”.

Dhe gjithë këtë nuk e bëjnë se duan ta përjashtojnë vërtet, se në një parti politike e ke vetë në dorë të përjashtohesh nëse nuk ke më punë aty. E bëjnë sepse duan të turpërojnë demokratët që e ndjekin pas, duke i njollosur si ushtarë të një të dënuari ordiner.

Dhe vetëm për kaq e kanë kthyer Suel Çelën në një mit që ka në dorë fatin e PD-së. Me kë është ai, është fitorja.

Si nuk u vjen zor nga ajo deputeja Çapja, që e ka armik real!

Suel Çela është sot një mit në dispozicion të Berishës, për të justifkuar humbjet elektrale, dhe armiqtë brenda partisë.
Dhe pastaj thotë që në datën 22 dhjetor do të fillojmë betejën kundër krimit.

The post Suel Çela, një “mit” në dispozicion të Berishës first appeared on JavaNews.al.

Një kacafytje e panevojshme politike mes SPAK dhe qeverisë

By: Mero Baze
16 December 2025 at 19:25

Nga Mero Baze

Beteja mes SPAK dhe kryeministrit Edi Rama duket se po futet në një kacafytje inatçore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar deri në gjykim masën e kërkuar nga SPAK për zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Pas ditës së parë të punës prej saj, SPAK i ka kërkuar Kuvendit autorizim për të çuar në GJKKO kërkesën për arrest me burg për Belinda Ballukun, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka caktuar 22 janarin e 2026 si datë për shqyrtimin e masës së parë të kërkuar nga SPAK.

Beteja po kalon në një kacafytje inatçore dhe pa sens, pasi qeveria nuk ka refuzuar masën e dhënë nga SPAK në rastin Balluku. Qeveria e ka pezulluar zonjën Balluku dhe i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të interpretojë nëse SPAK ka të drejtë të pezullojë një zëvendëskryeministre apo jo. Kërkesa nuk ka të bëjë me zonjën Balluku, por me parimin nëse SPAK mund të ketë vijë të kuqe të ndërhyjë në këtë pikë apo jo. Dhe Gjykata u shpreh se, derisa ta gjykojë ajo kërkesën që në thelb nuk ka të bëjë me problemet e Ballukut me drejtësinë, por me problemet e SPAK me pushtetin politik, i ka hequr pezullimin.

Pas kësaj do të ishte normale që të gjithë të prisnin 22 janarin, për të marrë fillimisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të vazhduar më tej kacafytjen politike.

Akti i sotëm i SPAK tregon se ata i qëndrojnë idesë që duhet të jenë në betejë politike me qeverinë dhe nuk janë të kompleksuar fare nga procesi në Gjykatën Kushtetuese.

Për një moment ta zëmë se Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë SPAK më 22 janar. Atëherë cila masë qëndron për Ballukun, ajo që kërkojnë sot, apo ajo që kanë kërkuar disa javë më parë?

Ky mishmash ligjor, vetëm për t’u treguar se kush është më i fortë, po e kthen betejën e SPAK me pushtetin politik si betejë gladiatorësh, që po humbet standardet që duhet të vendosen dhe që në një farë mënyre janë vendosur edhe më parë me gjykimin e zyrtarëve të lartë.

Normale do të ishte të pritej data 22 janar, dhe nëse SPAK e fitonte atë betejë, nuk kishte nevojë për këtë masën e propozuar sot. Nëse e humbiste, natyrisht që mund të provonte edhe këtë masë, apo më të rëndë a më të lehtë, por mund të mos ishte nevoja, pasi zonja Balluku pastaj mund të jepte dorëheqje.

Kështu që nuk kishte më nevojë për gjithë këtë spektakël.

Se kjo nuk është betejë vetëm me qeverinë, por edhe me gjykatat e vendit, dhe në rastin konkret me Gjykatën Kushtetuese, të cilën nuk e komandojnë dot si GJKKO, që e kanë në përgjim 24 orë pa autorizim.

Pra SPAK ka reaguar si një aktor i pakënaqur nga Gjykata Kushtetuese dhe ka rënduar masën e sigurisë si një reaksion kundër Gjykatës Kushtetuese. Kjo tani nuk është më procedurë, por është betejë edhe me gjykatat që SPAK nuk ka nën kontroll.

E gjithë kjo lë shijen e një beteje inatçore, e cila mund të shmanget vetëm duke respektuar procedurat që ka nisur vetë SPAK dhe që janë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese. Të mbarojnë njëherë punë më 22 janar, pastaj nëse fiton SPAK, s’ka nevojë për masa të reja, dhe nëse fiton qeveria, natyrisht do ketë zhvillime politike për t’i hapur rrugë drejtësisë. Por jo kacafytje inatçore.

The post Një kacafytje e panevojshme politike mes SPAK dhe qeverisë first appeared on JavaNews.al.

Sali Berishën tani po e vret Sali Berisha

By: Mero Baze
15 December 2025 at 19:50
Nga Mero Baze
Ishte një skenë pas mbledhjes së kryesisë së PD dy ditë më parë, kur Salianji po fliste për gazetarët dhe po shpjegonte me shumë nerv se çfarë akuzash i kishin bërë mbështetësit e Berishës brenda dhe nga dera doli Sali Berisha. Ua bëri me dorë gazetarëve, me delirin e njeriut që prish çdo festë nëse del para gazetarëve, por nuk i foli njeri. I pa njëherë i hutuar pse s’po reagonin, pastaj mbajti pak këmbët, dëgjoi se çfarë po fliste Salianji. Për dreq, në atë moment po thoshte se nuk kishte pasur kurrë lidhje me krimin e organizuar. Berisha pati një si marrje këmbësh dhe u fut i dëshpëruar në makinë.

Ishte hera e parë në jetë që ai nuk u përfill në selinë e tij nga gazetarët, pas një mbledhjeje kritike me shumë debate, ku natyrisht që kërkohej mendimi i tij.

Të gjithë prozhektorët ishin te Salianji, i cili si meritë të vetme kishte që kishte rezistuar ndaj akuzave dhe ua kishte kthyer mbrapsht.

Berisha, i cili është konsumuesi më i madh i medias në historinë e politikës shqiptare, edhe kur nuk ka për të thënë asgjë, u injorua nga media pikërisht në një moment që qoftë edhe për balancë ai mund të ishte interesant. Por asnjë nga ata reporterët e rinj nuk ia afroi mikrofonin. Drama e Sali Berishës për herë të parë është drama e një njeriu që është i qartë për të gjithë. Dhe për ata djemtë e vajzat e rinj reporterë që kanë lindur dhe janë rritur duke parë Berishën në televizor gjithë jetën, ai nuk ka më asnjë gjë interesante për të thënë. I ka konsumuar të gjitha.

Grupi armiqësor i Salianjit është i 40-ti në historinë e jetës së PD dhe të gjithë me një skenar: po kritikon për të ndihmuar armikun dhe je i paguar prej tyre. Kjo skenë ka që nga dhjetori i vitit 1991 me Neritan Cekën që përsëritet. Të gjithë armiq dhe ai gjithmonë aty pa lëvizur.

Ka gjithë jetën që përdor të njëjtin argument për të mbetur në krye të PD, por është hera e parë që të gjithë janë të qartë se çfarë po bën dhe pse po e bën dhe nuk ka më askush asnjë interes për të.

Ka gjithë jetën që përpiqet të ndërtojë skenarë me konspiracione dhe armiq që po e prekin atë, prekin Shqipërinë, por është hera e parë që askush nuk është i interesuar ta dëgjojë.

Ka gjithë jetën që përdor llumin e PD kundër çdo intelektuali apo udhëheqësi të PD që e konteston, por është hera e parë që të gjithë janë të interesuar për armikun dhe jo për të.

Ka gjithë jetën që investon të ketë media të tij, gazetarë të tij, madje edhe media familjare, dhe është hera e parë që as mikrofoni i televizionit familjar nuk u drejtua nga ai në atë moment.

Kjo është një pikë kthese e fortë në historinë e imponimit publik të Sali Berishës. Për herë të parë ai është i parëndësishëm, i panevojshëm, i padëgjueshëm dhe mbi të gjitha i pavlerë.

Të gjithë e dinë se çfarë ndodhë. E dinë që ai do ta përjashtojë Salianjin dhe mbështetësit e tij, e dinë që do ta izolojë edhe më shumë PD-në, e dinë që do të vazhdojë të bëjë pazare, e dinë që do ta sulmojë atë nga gruaja, nga familja, nga shoqëria, e dinë që nuk do ta lëvizë Flamur Nokën nga mbajtja e uturakut, e dinë që nuk do të bëjë asgjë nga ato që thotë… ndaj nuk presin më asgjë prej tij.

Dhe ky është i vetmi problem që ka Sali Berisha. Atë tani po e vret Sali Berisha. Nuk e vrasin kritikët e tij. Nuk e vrasin kritikat e Salianjit si kritiku i fundit i tij. Salianji thjesht sa e bën më të dukshme fundin e tij të dhimbshëm, ku të gjithë janë të qartë dhe nuk presin gjë prej tij.

Atë tani nuk e merr inat askush për asgjë. As për faktin që në shesh nxjerr 30 vetë, as për faktin që kapet duke bërë pazare, as për faktin që gënjeu për çdo gjë që premtoi në foltore, as për faktin që ka fëmijët miliarderë, as për faktin që flet broçkulla kundër drejtësisë dhe pastaj shpreson që përmes drejtësisë të rrëzojë Edi Ramën, as për faktin që nuk të lë të prekësh as Flamurin.

Atë tani të gjithë e shikojnë si diçka që u ka ngelur në derë. Dhe kur një plak në atë moshë të ngel në derë, pasi ka privatizuar shtëpinë, je i detyruar të bësh sikur kujdesesh për të. Askush nuk pret asgjë prej tij, përveçse të vdesë. Dhe ky është dënimi më i madh që një politikan mund të marrë në fund të jetës së tij.

The post Sali Berishën tani po e vret Sali Berisha first appeared on JavaNews.al.

Debati për firmat e Shabanit i bën opozitës më keq se zgjedhja e Shabanit

By: Mero Baze
14 December 2025 at 19:24

Nga Mero Baze

Kam qëndruar larg fushatës lincuese ndaj partive të reja në zgjedhjet e fundit dhe kur ata shpesh tregonin papjekurinë e tyre politike. Ata ishin katër opozitarë të rinj që në të vërtetë bënë maksimumin për të siguruar mbështetje dhe nuk morën pak.

Ajo teoria që Lapaj është agjent i Sorosit, Shabani agjent i Ramës, Shehaj agjent i Berishës dhe Qorri agjent i shokut Enver, është gjëja më qesharake që prodhoi retorika e një fushate të dëshpëruar elektorale, ku opozita, meqë kishte të sigurt humbjen, shpikte përgjithësisht armiq tek opozitarët e rinj.

Pastaj banaliteti i sherrit mes Lapajt dhe Shabanit është një histori e provokuar nga Lapaj, i cili u tërhoq nga premtimi i tij për pjesëmarrjen në parlament.

Dhe prej këtu nis gjithë konspiracioni i ri.

Kandidimi i Endri Shabanit për Avokat të Popullit nuk ka lidhje me Edi Ramën. I dëshpëruar nga gara elektorale, ai hoqi dorë nga politika dhe provoi të hynte në një garë institucionale. Nëse do të shikojmë CV-të e gjithë kandidatëve për të cilët qan opozita, Endri Shabani është me një distancë të fortë. Është PhD në Oksford. Ne nuk kemi në qeveri askënd me PhD, askënd në parlament dhe kam frikë se askënd edhe në administratën e lartë shtetërore. Është bursist i qeverisë angleze, pra i përzgjedhur në një farë mënyre dhe me një kornizë mbështetjeje zyrtare prej tyre, pas një periudhe të gjatë aktivizmi në Shqipëri. Dhe janë shumë të lumtur që është zgjedhur Avokat i Popllit pa votat e Sali Berishës dhe Flamur Nokës që i kanë “non grata” në Britani.

Qeveria deklaroi se nuk do kishte kandidatë të saj, por kjo nuk do të thotë se hoqi dorë nga votimi në Kuvend. Hoqi dorë nga kandidatët e saj në këtë garë.

Tani, mes dikujt që ka arritur të mbrojë PhD në një nga pesë universitetet më të mira të botës dhe një tufe kandidatësh të tjerë, të cilëve duhet t’u verifikosh çdo dëftesë e diplomë nëse e kanë marrë në rregull, Endri Shabani është shumë përpara. Kur gara mbaroi dhe kandidatët u regjistruan, qeveria ishte e lirë të zgjidhte dhe padiskutim ka zgjedhur personin me CV-në më të mirë.

Ky debat opozitar për firmat është tejet banal. Unë nuk mendoj se ka ndonjë tradhti në këtë histori, pasi opozita ka dhënë firma për të gjithë kandidatët. E njëjta gjë do të thuhej nëse shumica votonte Kalanë, Ndregjonin, Tartarin apo dikë tjetër. Nëse nuk do t’i pëlqente Berishës votimi i PS, do ta quante agjent të Ramës. Dhe është e sigurt që PS do votonte dikë që nuk i pëlqente Berishës.

Por ky debat nuk tregon kush është Endri Shabani, por kush është opozita dhe çfarë do të thotë ta lësh shtetin në dorë të saj. Me këtë logjikë që zhvillohet debati, nëse je në dorë të Berishës, mes dikujt që ka përfunduar në Oksford dhe dikujt që është me shkollë nate, ky i fundit zgjidhet, se duhet t’ia dijë për nder Berishës. Dhe këtë gjë e ka bërë historikisht këto 35 vjet, sa herë zgjidhen njerëz në krye të institucioneve të pavarura nga opozita, por jashtë dëshirës së Berishës. E ka bërë me kontrollin e shtetit më 1997 dhe 2002, kur u zgjodh Robert Çeku; e ka bërë me anëtarë të Gjykatës së Lartë apo Kushtetuese; dhe po e bën përsëri me Avokatin e Popullit.

Dhe gjithë kjo lukuni që mallkon një djalë të ri që ka mbaruar në Oksford pse pranoi votat e socialistëve me firmat e Berishës, tregon se ç’njerëz të marrë shkojnë pas Berishës. Çdo kush që do fitonte i kishte firmat e Berishës dhe do të merrte edhe votat e Ramës. Ku është ndryshimi mes tyre dhe Shabanit, përveç përgatitjes akademike dhe faktit që Berisha bën sikur ia ka bërë Rama me hile, që të mos përballet me Adriana Kalan, nga e cila ndjehet sikur është lehtësuar që i ka ikur nga selia?

Çdo deklaratë rreth firmave është kundër PD-së. Kur thonë “na urdhëroi Flamuri”, bëhen qesharakë; kur thonë “na urdhëroi Salianji”, bëhen paranojakë; kur thonë “na urdhëroi Saliu për Florin”, bëhen renegatë. Të gjitha këto tregojnë se Shabani nuk është se nuk e meriton të jetë Avokat i Popullit, por sipas tyre, u bë në një moment të keq. Po të ishte bërë kur qe dakord Berisha, Flamuri apo Salianji, do ishte mirë.

Kjo tregon çfarë do të thotë ta lësh Shqipërinë në dorë të këtyre, që në fakt akoma nuk thonë kë do zgjidhnin në vend të Shabanit, se dalin zbuluar. Ndërkohë që mund ta uronin Shabanin dhe të dukeshin sikur e morën një fitore, pasi këdo që të zgjidhnin do t’i turpëronte gjatë mandatit shumë më tepër se sa janë “turpëruar” për firmat e Shabanit. Avokatii Popullit zgjidhet me votat e Edi Ramës jo me firmat e Flamurit, dhe Edi Rama ka marrë 83 mandate plus 3 të tjera në aleancë, më 11 Maj 2025. Fal Sali Berishës përballë!

The post Debati për firmat e Shabanit i bën opozitës më keq se zgjedhja e Shabanit first appeared on JavaNews.al.

22 Dhjetori, një protestë për t’u mbrojtur nga Salianji

By: Mero Baze
13 December 2025 at 18:49

Nga Mero Baze

Sa herë që Berisha ka probleme në partinë e tij me kundërshtarë, ka gjithmonë vetëm një zgjidhje: të thërrasë një protestë.

E vetmja mënyrë që ai të shmangë betejën brenda PD, është të hapë një front lufte ku të ketë mundësi në dukje të mbajë partinë të bashkuar rreth tij në një front lufte të shpikur.

Këtë e përsëriti sot me Salianjin. Pasi u grindën në kryesi më shumë për protestat e Salianjit sesa për protestën që do mbajnë kundër Ballukut, më në fund vendosi që më 22 Dhjetor të bëjnë një protestë “revoltë” kombëtare.

Këtë e ka bërë rregullisht kur filloi betejën me Bashën dhe më parë me gjithë armiqtë e brendshëm në PD, sidomos pas vitit 1997 e në vazhdim.

Por a mund ta shpëtojnë protestat e stisura krizën e brendshme në PD?

Në këtë gjendje ku është katandisur PD, mendoj se ato e përkeqësojnë edhe më keq. Protestat nuk ndodhin me urdhër dhe as me kalendarin që shpik Berisha. Protestat e mëdha, ato që përmbysin qeveri, ndodhin kur nuk i pret askush. Po të ishte se protestat komandoheshin nga hallet e Berishës, për 35 vjet ai do kishte rrëzuar çdo qeveri me protesta. Deri më sot nuk ka rrëzuar asnjë.

Protestat vlejnë vetëm për të mos u rrëzuar Berisha nga froni i PD. E vetmja arsye pse ai i thërret ato është të tregojë që është i fortë dhe ka njerëz nga pas më shumë se Salianji. Për kaq i duhen.

Ndaj urgjenca e thirrjes së protestës më 22 Dhjetor ka të bëjë pikërisht me përballjen me Salianjin. Jo se ata që do të shkojnë më 22 Dhjetor janë të gjithë me Berishën, por thjesht ai e privatizon protestën dhe çdo përpjekje për të mos u quajtur mbështetës të Berishës quhet përçarje.

Ndaj mos prisni që më 22 Dhjetor të rrëzohet Rama, madje as Salianji. 22 Dhjetori është fillimi i një ankthi të ri të Berishës nga armiqtë e brendshëm, ndaj të cilëve ai mbrohet duke sajuar beteja false që të mos përballet me ta.

22 Dhjetori është një protestë që duhet të tregojë se Berisha është gjallë dhe nuk ka vdekur. Për kaq i duhet edhe pse nuk është e nevojshme. E dimë që nuk e lë njeri të vdesë.

The post 22 Dhjetori, një protestë për t’u mbrojtur nga Salianji first appeared on JavaNews.al.

Një betejë që sanksionon kufijtë e pushtetit politik me drejtësinë

By: Mero Baze
12 December 2025 at 18:45

Nga Mero Baze

Kryeministri Edi Rama ka fituar betejën e parë me vendimin e GJKKO dhe SPAK për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas akuzave të ngritura për pabarazi në tendera. Vendimi, i cili nuk është përfundimtar, por tregon tendencën e shumicës së gjykatës ndaj qasjes së kryeministrit në këtë betejë me drejtësinë, nëse përfundon deri në fund kështu, standardizon raportet mes drejtësisë dhe imunitetit të zyrtarëve të lartë, duke i vënë gjykatës një vijë të kuqe që nuk mund ta kalojë në raport me legjitimitetin e të zgjedhurve dhe të emëruarve në krye të qeverisë.

Në këtë aspekt kjo është një betejë parimore e kryeministrit me drejtësinë, e cila përcakton sinoret e secilës palë në pushtet, të qeverisë dhe drejtësisë.

Prej nesër zonja Balluku mund të shkojë përsëri në zyrë për të vazhduar punën e saj, në pritje të vendimit përfundimtar, i cili do të jepet më 22 janar, dhe që do të vulosë fatin e kësaj beteje mes qeverisë dhe gjyqësorit.

Ky vendim, edhe pse merr shkas nga zonja Balluku, nuk është një vendim për të, por për të ardhmen e raporteve mes gjyqësorit dhe pushtetit.

Edhe pse Edi Rama ka zhvilluar një betejë publike disaditore për këtë gjyq, duke iu referuar shpeshherë dhe bllokimit të punës së qeverisë, ajo nuk ka qenë një betejë direkte për zonjën Balluku, por një betejë për kufijtë e pushtetit të qeverisë dhe drejtësisë.

Për këtë arsye ky proces është historik, pasi sanksionon kufijtë e këtyre pushteteve dhe nuk lë vend për debate në të ardhmen.

Duke qenë se ka shumë pak raste të ngjashme në botë dhe asnjë në Evropë, për shkak të sjelljeve të ndryshme që kanë ndaj vendimeve të gjykatave, beteja e Edi Ramës ia ka vlejtur për ta qartësuar këtë standard.

Pas këtij vendimi kryeministri Rama është i lirë ta mbajë zonjën Balluku në postin që ka sot deri në një vendim përfundimtar të gjykatave ndaj akuzave që ka ngritur ndaj saj, ose vetë zonja Balluku të japë dorëheqje dhe të përballet me drejtësinë si deputete e thjeshtë.

Kjo është çështje e vullnetit politik dhe jo e drejtësisë dhe nuk ka lidhje me këtë vendim, as me atë që do të merret më 22 janar. Ky është një vendim për pushtetin e qeverisë dhe kufijtë e këtij pushteti në raport me drejtësinë.

The post Një betejë që sanksionon kufijtë e pushtetit politik me drejtësinë first appeared on JavaNews.al.

Kandidati ishte i sigurt, por kujdesi për spektaklin shkoi dëm

By: Mero Baze
11 December 2025 at 18:58
Nga Mero Baze
Procesi i zgjedhjes së kreut të SPAK zbuloi një nga problemet e Reformës në Drejtësi: institucionet false që janë krijuar dhe që kanë në dorë një proces shumë larg nivelit të tyre profesional, intelektual dhe të integritetit që kërkohet.

Kandidatët për kryetar të SPAK dukeshin yje në raport me anëtarët e KLP-së që do të votonin për ta. Edhe pse kishte plot diferenca mes tyre, edhe pse dukej qartë kush ishte profesionist që fliste për procedura profesionale të prokurorisë në raport me provat dhe hetimin, dhe kush fliste me slogane, përsëri ishin shumë më lart se ata që pyesnin.

Kur mendon se një trup si KLP do të votojë dikë, për të cilin dukej sikur ishte mbledhur Këshilli i Sigurimit të OKB-së ta mbikëqyrte, ti duhet të kesh pritshmërinë se dikush prej tyre do të guxojë të bëjë ndonjë pyetje profesionale: të flasë për cilësinë e hetimit, për rolin e provës në nisjen e procedimit penal, për arrestimet paraprake, për humbjen e çështjeve në Strasburg dhe mos përfundimin e shumicës së çështjeve të nisura; për gjithë problemet që kanë shoqëruar SPAK-un në mandatin e parë, mandati që është pa dyshim i suksesshëm, por me probleme që nëse thellohen mund ta hedhin në erë.

Më të prirur ishin vetë kandidatët të flisnin për këto probleme sesa anëtarët e KLP-së. Shumë prej tyre dukej sikur flisnin për hallet e veta. Njëra pyeste se “a do ta ndihmonin po të kishte ndonjë hall në SPAK?”, dhe këtë pyetje ua bënte të gjithëve, sikur ata ishin aq budallenj sa t’i thoshin: “po, po, do të të ndihmojmë, do ta shkelim ligjin”. Tjetri pyeste si shpjegohet gjithë “këtë sukses”, e të tjerë bënin pyetje banale.

Kjo seancë publike, në të vërtetë, është një nga ato gjërat e dobishme që duhen bërë për të kuptuar kujt ia kemi besuar drejtësinë.

Shumica e KLP-së dukej e kapur nga SPAK ose servile ndaj SPAK, duke shkatërruar në esencë rolin e një institucioni që duhet të përzgjedhë mes më të mirëve nga kandidatët.

Përfytyroni të hapeshin live edhe gjyqet e këtyre, sidomos gjyqet kundër korrupsionit, për të kuptuar se si hetohen dhe gjykojnë produktet e këtyre institucioneve.

Akoma më shumë jam i paqartë se si e kanë përjetuar ambasadorët për rreth 7 orë këtë cilësi pyetjesh, edhe pse dukej haptazi që nuk kishte ndonjë problem me kandidatin, por me spektaklin. Dhe meqë kandidati ishte i sigurt, gjithë ai kujdes për spektaklin duket se shkoi dëm. Madje përveçse dështoi si spektakël për shkak të cilësisë së KLP-së, prodhoi edhe një problem tjetër: krijoi përshtypjen se aty vendosën ambasadorët.

Ata në fakt duken sikur vendosin. Realisht vendosi halli banal i çdo anëtari të KLP-së në raport me SPAK, apo me pushtetin. Ambasadorët mund të shërbejnë vetëm si alibi për ndonjë marrëzi që mund të ndodhë në punën e SPAK. Ata thjesht i kanë krijuar kryetarit të ri të SPAK dhe anëtarëve të KLP-së alibinë se vendimet i morën “ata”, ndaj nëse gabojnë, nuk kanë faj, se “i zgjodhën ambasadorët”.

Por punën do ta bëjnë ata që na panë sytë dhe na dëgjuan veshët.

The post Kandidati ishte i sigurt, por kujdesi për spektaklin shkoi dëm first appeared on JavaNews.al.

Iluzioni i Berishës se Gjenerata Z duhet të shpëtojë gjeneratën S

By: Mero Baze
9 December 2025 at 20:21

Nga Mero Baze

Të lindurit në vitin 1944 i kap Silent Generation, e thënë shkurt gjenerata S. Të lindurit rreth 1997–2012, janë ata që quhen gjenerata Z.

Të dy gjeneratat lidhen me një vit lufte në Shqipëri. Gjenerata S, ajo e Saliut, ka lindur kur vendi ishte në flakët e Luftës së Dytë Botërore, kurse gjenerata Z ka lindur në vitin kur Shqipëria ishte në flakët e luftës civile, provokuar nga Sali Berisha.

Tani Sali Berisha kërkon që shpëtimin e tij politik ta ketë nga gjenerata Z.

Gjenerata Z, pas vitit 1997, është rritur me smartphone, internet, rrjete sociale, informacion global, WhatsApp, Instagram, TikTok, etj. Ata kanë si vlerë kryesore të qenit origjinal, lirinë personale, mirëqenien personale dhe një ndjeshmëri të madhe ndaj temave si: shëndeti mendor, identiteti, barazia gjinore, të drejtat e njeriut, etj. Mbi të gjitha janë sfidues të autoriteteve që duan t’i kontrollojnë. E shohin punën si diçka që duhet të ketë kuptim dhe fleksibilitet. Gjenerata Z kërkon më shumë ndërrim vendesh pune, emigrim, punë online, freelance; nuk pranojnë lehtë punë “vetëm për bukë goje”, pa perspektivë ose dinjitet.

Të gjitha këto tipare e bëjnë gjeneratën Z një fuqi të madhe ndryshimi në shoqëritë e sotme, pasi vendosin autoritetet shtetërore nën presionin e krijimit të një shoqërie të re, të panjohur dhe shpesh të vështirë për t’u përballuar.

Natyrisht edhe në Shqipëri ekziston kjo gjeneratë. I kemi në mes nesh, janë fëmijët tanë, janë një brez i tërë që shpesh na duket i padobishëm dhe i palidhur me atdheun dhe vlerat që ne mendojmë se janë të rëndësishme për një shoqëri.

Dhe ata mund të bëhen faktorë ndryshimi në Shqipëri. Mund të sfidojnë pushtetin, mund të ngrihen, mund të ndryshojnë politikën e gjithçka tjetër.

Vetëm një gjë nuk kuptoj: pse Sali Berisha, i gjeneratës S, që është rritur si komunist dhe po vdes si i tillë, mendon që gjenerata Z do të ngrihet për ta sjellë atë në pushtet?

Të parin poltikan që gjenerata Z flak në kanal, është prototipi i politikanit Sali Berisha. Por me sa duket Berisha mendon se gjenerata Z mund të gënjehet si studentët e Dhjetorit, që ata të bëjnë kryengritjen pastaj ai të rimarrë pushtetin?

Madje jo vetëm Berishën, por ata do të fshijnë edhe këta eksperimentuesit e përcar opozitar, këta që secili thërret nga një ‘protestë kombëtare’, por kanë njerëz sa për të mbushur një sallë mbledhjesh. Gjenerata Z nuk ngrihet në protesta për të ringjallur të vdekurit, por për të varrosur të gjallët që i kemi nëpër këmbë.

Gjenerata Z është armike e autoritarizmit dhe rregullave. Nuk do të thotë që sjellin domosdoshmërisht një gjë të mirë në shoqëri, pasi mund të sjellin edhe anarki, por Sali Berishën nuk e sjellin kurrë në pushtet.

Se kur thuhet Gjenerata Z, nuk do të thotë se janë “të Zenit”. Si këta protestuesit që mbledh para Kryeministrisë.

The post Iluzioni i Berishës se Gjenerata Z duhet të shpëtojë gjeneratën S first appeared on JavaNews.al.

8 Dhjetori duhet të mbrohet si ditë fitimtarësh

By: Mero Baze
8 December 2025 at 20:09

Nga Mero Baze

Përpara Kryeministrisë ishin grumbulluar rreth 30 vetë, për të përkujtuar 8 Dhjetorin 2025. Në fillim doli një djalë i ri që dukej që ka probleme me të menduarit normal, dhe provoi të bërtiste. Nuk duartrokiti njeri. Pastaj i futi një ulërimë një shkallë më lart. Prapë nuk lëvizi njeri nga vendi. Pastaj e uli pak zërin dhe e çorri duke thirrur se kjo është parti e Sali Berishës. Pas kësaj u dëgjuan dy-tre duartrokitje dhe ai zbriti, për t’i lënë vendin një tjetri që harroi pse ishte ngjitur të fliste, kërkoi falje dhe u ul prapë.

Në fund doli një vajzë e vogël që dha lajmin e madh se SHBA ka ndryshuar, BE ka ndryshuar ndaj dhe PD do fitojë. Ishte një justifikim perfekt përse nuk duhet të ndryshonte PD këto 35 vjet, por duhet të priste të ndryshonte SHBA dhe BE.

Pastaj kamera u fokusua në bulevard te turma me 30 vetët. Në një cep si i ndrojtur ishte Salianji me dy gra, ndarë qartazi nga 28 vetët e tjerë. Pastaj dikush i foli dhe ai e përshëndeti. Pastaj një tjetër u afrua dhe ia dha dorën. Të tjerët nuk u përzien në këtë veprimtari armiqësore.

E gjithë skena ishte një trishtim i madh kur mendon se ata që ishin mbledhur aty duan të imitojnë 8 Dhjetorin e 1990.
Nëse aty dikush do kish shkuar me nipin apo ndonjë fëmijë adoleshent dhe t’u thoshte atyre se po përkujtojmë 8 Dhjetorin, me siguri fëmijët do mendonin se 8 Dhjetori ka qenë një tragjedi dhe përkujtohet me trishtim dhe dhimbje.

Në të vërtetë 8 Dhjetori është një ditë fitimtarësh në historinë tonë. Më së paku është një ditë që shënon fundin e një regjimi dhe futjen e Shqipërisë në sprovën e vështirë të demokracisë dhe pluralizmit.

8 Dhjetori 1990 është një ditë kur të rinjtë u ngritën kundër të vjetërve, ndërsa 8 Dhjetori i 2025 është një ditë ku plaku i vjetër që ka marrë peng foshnjën e lindur më 8 Dhjetor 1990, është kundër të rinjve.

8 Dhjetori i 1990 është një ditë kur liria politike fitoi mbi frikën brenda Partisë së Punës, kurse 8 Dhjetori i 2025, është dita kur frika brenda Partisë Demokratike ka fituar mbi lirinë për t’i folur apo për t’i dhënë dorën edhe një kritiku modest të Berishës.

8 Dhjetori i 1990 është dita kur fëmijët u dolën zot prindërve, për frikën që ata kishin për të ardhmen, ndërsa 8 Dhjetori i 2025 është dita kur të rinjtë nuk i dalin dot zot, as vetes, por presin nga prindërit t’u shpëtojnë të ardhmen.

8 Dhjetori i 1990 ishte dita kur opozitarët e regjimit vranë frikën nga e shkuara, kurse 8 Dhjetori i 2025 është dita kur opozitarët nuk vrasin dot frikën nga kryetari i tyre.

Nuk po krahasoj shifrat me 30 vetët e sotëm në bulevard, pa llogaritur ata me të meta mendore. Por dua të theksoj se askush nuk ka të drejtë ta festojë 8 Dhjetorin si ditë vakie, si funeral dhe ta identifikojë me dështimin e vet. 8 Dhjetorin nuk e bëri Partia Demokratike; 8 Dhjetori e bëri Partinë Demokratike.

Tani pas 35 vjetësh PD mund të vajtojë fatin e saj, por jo 8 Dhjetorin. Nuk ka pse fatkeqësinë e vet ta identifikojë me 8 Dhjetorin. Kjo është ditë që përkujton guximin e të rinjve. Në politikën e sotme guximi i të rinjve ka vdekur. Por dhe për këtë arsye, 8 Dhjetori vlen për t’u kujtuar qoftë edhe si homazh për guximin e vdekur.

Është një ditë që duhet mbrojtur me ligj dhe protokoll shtetëror si ditë fitimtarësh. Nuk është dita kur të vdekurit e gjallë të mblidhen para Kryeministrisë me shpresë se do ringjallen.

The post 8 Dhjetori duhet të mbrohet si ditë fitimtarësh first appeared on JavaNews.al.

Të rinjtë e 1990 dhe të rinjtë e 2025 në PD

By: Mero Baze
7 December 2025 at 20:25

Nga Mero Baze

Në Dhjetor të vitit 1990, PD e themeluar pas katër ditë protestash të studentëve, i nxirrte frikën shoqërisë shqiptare, duke kërkuar liri politike, liri mendimi, liri shtypi dhe kishte slogan kryesor “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Në fjalorin politik të tyre që u vunë në krye të lëvizjes edhe pse shihej qartë mungesa e përvojës politike, ti e ndjeje se ata ishin të orientuar nga liria. Madje dhe propozimi i parë naiv në statutin e PD ishte që kryetari të qëndronte dy vjet dhe të ndërrohej.

Cili është sot fjalori i udhëheqësve të PD dhe njerëzve të fortë të tij? Sali Berisha ka akuzuar demokratët që tradhtojnë si servilë dhe injorantë dhe ka deklaruar se ata do të japin llogari. Mendoni për një moment, se si udhëheqësi i opozitës shqiptare, e ndjen veten të plotfuqishëm para të cilit do japin llogari dhe ata që tradhtojnë PD. Edhe pse duket qesharake dhe krejt e pakuptim për një shoqëri të lirë, përbetimi i tij për linçim të demokratëve tradhtarë është diçka që buron nga nënvetëdija e tij enveriste, e cila e bën atë të ndjehet Sekretar i Parë edhe pse është një plak mjeran rrugëve, që nuk e do as partia e vet.

Por kjo ka shumë rëndësi për të kuptuar se ku ka përfunduar një parti e ashtuquajtur demokratike. Ka përfunduar në dorë të një plaku, që mendon se ata që e tradhtojnë në parti do ndëshkohen kur ai të rikthehet në pushtet dhe të bëjë një shtet të diktaturës së proletariatit bazuar mbi besnikërinë ndaj tij në parti.

Shkoni pak më tutje. Zëdhënësi i tij, i cili është një njeri i lexuar dhe nuk është se ka në ADN e tij ndonjë gjë nga partia e Berishës, këshillon Salianjin, një kritik i radhës ndaj Berishës, që ta mendojë mirë këtë punë pasi e ka parë ku ka përfunduar Lulzim Basha. Pra përpiqet t’i kujtojë se Berisha nuk i fal tradhtarët. Dhe çuditërisht e quan tragjedi atë që i ka ndodhur Bashës dhe e ndjen veten me fat, që ai ka mbetur pranë Berishës.

Një tjetër eksponent i lartë i Berishës, Paloka, pretendon se Sali Berisha nuk i ka dëgjuar kërkesën e tij dhe e ka futur me zor tek listat e deputetëve të sigurt. Pra ai nuk ka pasur fuqi t’i thotë jo edhe pse qe një “diskriminim pozitiv”.

Më tej akoma shikoni Foltoren e Mirditës. Disa pleq pa dhëmb në gojë e mjerisht dhe pa mend në kokë, e lavdëronin Sali Berishën që ua bën mirë këtyre të rinjve që kërkojnë demokraci dhe është mirë t’i mbysë në gropë të halës si Lulzim Bashës. Dhe salla duartroket.

Pra në vitin 2025, të rinjtë që vlerat e dhjetorit të vitit 1990, janë objekti i luftës së Partisë Demokratike. Nëse atëherë të rinjtë përmbysën diktaturën dhe i dhanë Shqipërisë një perspektivë të re, sot në PD, lufta kundër të rinjve është prioritet. Rrethi i servilëve të Berishës mitizojnë linçimet e tij, ndërsa vetë Berisha premtim kryesor ka se do të marrin ndëshkimin e merituar ata që e tradhtojnë.

Në asnjë përfytyrim sado të guximtar që të ishte, nuk mund të mendohej kurrë që partia që u krijua në Dhjetor të vitit 1990 të përfundonte në këtë gjendje 35 vjet më vonë, me të njëjtin kryetar si muajin e parë, dhe me të gjitha të zezat e Partisë së Punës në muajin e fundit të jetës së saj.

Mjafton kjo keqkatandisje që PD së paku t’i bëjë një nder historisë e të mos e përndejë më 8 Dhjetorin. Le t’ua lërë atë ditë si simbol atyre që guxojnë dhe përmbysin të vjetrën dhe jo atyre që janë ngritur në këmbë të gjithë të ruajnë më të vjetrën, më të keqen dhe të vetmin atavizëm të komunizmit në Shqipërinë e vitit 2025.

The post Të rinjtë e 1990 dhe të rinjtë e 2025 në PD first appeared on JavaNews.al.

Presioni i SPAK ndaj GJKKO në gjyqin paraprak ndaj Veliaj krahasuar me gjyqin paraprak ndaj Berishës

By: Mero Baze
6 December 2025 at 18:38

Nga Mero Baze

Që të jemi të qartë qysh në fillim, gjyqi paraprak, pra ky që ka filluar ndaj zotit Veliaj, nuk është gjyq ndaj Erion Veliajt, por gjyq ndaj prokurorëve të çështjes një skaner ndaj ligjshmërisë së hetimeve të tyre. Në seancat paraprake shqyrtohen çështje të ligjshmërisë së hetimeve dhe prokurët nuk duhet të bëhen nervozë. Duhet të ruajnë qetësinë dhe të mos shajnë nëpër dhëmbë si në seancën e dhënies së masës së arrestit.

Debatet në distancë mes SPAK dhe mbrojtësve ligjorë të z. Erion Veliaj janë një akt i qartë presioni institucional nga SPAK ndaj gjykatës.

Deklarata, përveçse injoronte faktin që Veliaj ende nuk ka në dorë akuzën dhe materialet mbështetëse për të, ishte dhe një marrje përsipër nga SPAK e punës së dy prokurorëve që ndjekin çështjen Veliaj. Në fakt të njërit, se tjetri, Altin Dumani, është thjeshtë mbështetës për t’i dhënë zemër linçimeve personale të prokurorit Olsi Dado, i cili është në konflikt personal dhe profesional me punën e tij.

Pra e thënë më thjeshtë: Veliaj është ankuar pse nuk i dorëzohen aktet në qeli, ndërsa SPAK i përgjigjet që ia kemi dhënë avokatit dhe pastaj ankohen se ai po zvarrit gjyqin.

Ky, edhe si gjest në emër të logos së SPAK, përbën cenim të drejtpërdrejtë të parimit të së drejtës për një proces të rregullt dhe të paanshëm, pasi çështja është në shqyrtim gjyqësor.

Së pari, hetimi i kësaj çështjeje kryhet nga dy prokurorë konkretë që mbajnë përgjegjësi personale ligjore, njëri prej të cilëve ka pretendime nga avokatët e zotit Veliaj, që nuk është as prokuror dhe nuk ka asnjë të drejtë ligjore të ushtrojë funksione publike.

Logua e SPAK nuk mund të mbulojë defektet e dy prokurorëve nëse ka. Prokurorët janë organe individuale dhe të pavarura në punën e tyre, ndaj ky hetim nuk lidhet me asnjë politikë institucionale, por me vendimmarrjen dhe veprimet e dy personave të identifikuar me emër e mbiemër: Altin Dumani dhe Olsi Dado.

Së dyti, deklarata në emër të SPAK synon të ushtrojë ndikim mbi gjykatën dhe opinionin publik, duke paraqitur një narrativë të deformuar të realitetit procedural dhe duke kërkuar të legjitimojë veprimet e veta jashtë sallës së gjyqit. Prokurorët nuk kanë asnjë tagër ligjor të komentojnë publikisht sjelljen e palës tjetër në një çështje ku vetë veprimtaria, ligjshmëria dhe kufijtë e autoritetit të tyre janë objekt shqyrtimi gjyqësor.

E thënë më thjeshtë, as Dumani dhe as Dado nuk kanë të drejtë të bëjnë komente publike rreth sjelljeve të zotit Veliaj në këtë rast, pasi krijojnë një precedent të rrezikshëm që minon pavarësinë e gjykatës, cenon barazinë e palëve dhe përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj së drejtës për një proces të drejtë, pasi gjyqi paraprak është pikërisht për të shqyrtuar ligjshmërinë e veprimeve të tyre.

Pretendimi i tyre se kërkesa e vazhdueshme e zotit Veliaj po shtyn procesin gjyqësor është i rrallë dhe i padëgjuar më parë nga institucioni i një prokurorie.

Sali Berisha e shtyu, mos gaboj, për mbi 7 muaj seancën paraprake të shqyrtimit të dosjes, dhe SPAK nuk iu ndje zëri, madje ishte në dispozicion të shtyrjeve të tij derisa ia plotësoi gjithë kërkesat. Dhe mirë bëri. Nuk e di pse janë alarmuar qysh muajin e parë në këtë rast, pasi në sallë kanë çuar rreth 14 biznesmenë dhe gjithë fisin Veliaj-Xoxe, që do të thotë se procesi natyrisht që do të zgjasë.

Shtyrjet e proceseve bëhen me vendim gjyqësor dhe arsyetim të plotë me bazë ligjore, dhe nuk është punë e SPAK por punë e GJKKO. Por me sa duket, SPAK çuditet pse GJKKO nuk ua plotëson brenda ditës dëshirat.

Së treti, SPAK pranoi publikisht se janë kryer veprime hetimore pas datës së mbylljes formale të hetimeve, çka ngre dyshime serioze se dosja e depozituar në gjykatë mund të mos përputhet me materialet shtesë. Veliaj nuk është lejuar të njihet as me dosjen e prokurorisë dhe as me dosjen mbi të cilën zhvillohet realisht gjykimi.

Kalimi me shpejtësi i kësaj faze kërkon të shmangë çdo shqyrtim substancial të shkeljeve dhe të evitojë një vendimmarrje mbi ligjshmërinë e veprimeve të tyre, sepse pikërisht aty qëndron thelbi i këtij procesi.

Ndaj SPAK duhet të ruajë qetësinë. Tanimë ka disa raporte ndërkombëtare që e kanë evidentuar procesin ndaj Veliajt si linçim dhe nën standardet e BE, siç thoshte dje dhe gazeta më e afërt me Komisionin Evropian në Bruksel.

Për të pasur një gjykim përfundimtar për këtë fazë natyrisht duhet të presim gjykimin e Strasburgut. Por angazhimi i logos së SPAK për një vendimmarrje individuale prokurorësh është abuzim me emrin e institucionit dhe natyrisht pasiguri për gjërat që kanë bërë individualisht si prokurorë.

Deklarata e djeshme e SPAK ishte dhunë publike ndaj GJKKO dhe ndaj të akuzuarit Veliaj, që ata të mos flasin për atë që kanë bërë prokurorët. Kjo është përpjekje e dëshpëruar. Jemi ende në Republikën e Shqipërisë, që ka ende Kushtetutë dhe garanci ndërkombëtare për standardet e gjykimit të një qytetari të saj. Merreni me qetë. Shumicën e dufit e keni nxjerrë.

The post Presioni i SPAK ndaj GJKKO në gjyqin paraprak ndaj Veliaj krahasuar me gjyqin paraprak ndaj Berishës first appeared on JavaNews.al.

Skenografia me “trofetë e SPAK”, sheshi me armiqtë e SPAK

By: Mero Baze
1 December 2025 at 20:50

Nga Mero Baze

Nëse një i huaj, që nuk e njeh retorikën e Berishës kundër SPAK dhe drejtësisë së re, do të shikonte sot skenografinë e “foltores” me 50 vetë para kryeministrisë, do të mendonte se ajo është një OJQ nga këto që mbështesin SPAK me donatorë perëndimorë. Skenografia paraqiste një kabinet të tërë qeveritar të Edi Ramës të veshur me rroba burgu, ku ishin të gjithë zyrtarët e lartë të akuzuar nga SPAK, përfshi dhe zonjën Balluku.

Pra e vetmja krenari e Foltores në bulevard ishin “viktimat” e SPAK, ata të cilët ai ka akuzuar dhe ka çuar për gjykim gjatë viteve të fundit, të cilat Foltorja i paraqet si trofe të saj.

Për dikë që nuk e di historinë e marrëdhënieve të Berishës me SPAK, mund të entuziazmohej nga kjo skenografi duke menduar se Berisha po e lavdëron atë dhe në fjalimet e tij.

Pastaj nis fjalimi i Berishës i cili pak a shumë u thoshte atyre nëpunësve të tij në bulevard, se tani e tutje nuk duhet të shpresojmë më nga SPAK apo Gjykata, se tani është koha jonë.

Pra i vetmi bilanc i deritanishëm i opozitës është bilanci i SPAK kundër qeverisë. Skenografia ishte e gjitha e konceptuar “me trofetë e SPAK” nga radhët e qeverisë, ndërsa sheshi i mbushur me rreth 50 vetë që janë të gjithë urrejtës të SPAK.

Por për të qenë korrekt me SPAK, në atë skenografi duhet të shtohej edhe Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Ilir Meta, Fatmir Mediu dhe ndonjë tjetër që është në listë pritjeje nga opozita, pavarësisht se Flamurit nuk i bën dora të veshë veten me rroba burgu.

Kështu që PD duhet ta ndajë mendjen nëse do të krenohet me bilancin e SPAK apo bilancin e vet kundër qeverisë.

Se kjo historia që u mburren demokratëve për betejën kundër qeverisë, me betejën e SPAK dhe pastaj shajnë SPAK e ikin në shtëpi, i bën edhe qesharakë.

Tani ose t’i veshë të gjithë të akuzuarit e SPAK me kostum burgu dhe t’u thotë demokratëve që SPAK është i poshtër pasi na ka barazuar edhe ne me qeverinë, ose të mbajë atë skenografinë e sotme me fotot e ministrave të burgosur dhe të thotë që SPAK po na shpëton fytyrën në opozitë. Derisa të forcohet ky Salianji.

The post Skenografia me “trofetë e SPAK”, sheshi me armiqtë e SPAK first appeared on JavaNews.al.

Rama dhe Berisha mund të debatojnë vetëm mbi përmirësimin e Reformës në Drejtësi

By: Mero Baze
30 November 2025 at 20:52

Nga Mero Baze

Është e dyta herë që kryeministri Edi Rama ndërmerr një fushatë për të këshilluar Gjykatën Kushtetuese për vendime të pritshme të saj.

Hera e parë është me Erion Veliajn, fill pasi Gjykata vendosi që shkarkimi i tij ishte i paligjshëm. Prej asaj dite ai po i kërkon rregullisht Gjykatës ta lërojë Veliajn, meqë nuk e aprovon shkarkimin e tij. Këtë e ka përsëritur dhjetëra herë dhe nuk është as mëshirë për Veliajn dhe as leksion për Gjykatën, por vazhdimi i hallit që ai ka me karrigen bosh të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Të njëjtën gjë e bëri sot për rastin e zonjës Balluku, duke interpretuar një rekomandim të Komisionit të Venecias dhe duke kërkuar që të anullohet pezullimi i saj nga detyra.

Në të dyja rastet janë këshilla paraprake për cilësinë e një vendimi, ku kryeministri është në konflikt interesi pasi është autori i ankesave.

Dhe në raste të tilla e vë në siklet Gjykatën edhe pse mund të kesh të drejtë në kërkesat e tua.

Problemi që ka Reforma në Drejtësi në Shqipëri nuk është te cilësia e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por te një sërë problemesh që lidhen me autoritetin ekstraligjor që ka marrë SPAK në raport me gjithë gjykatat, por sidomos me GJKKO.

Përgjimi i paautorizuar i tyre ashtu si dhe përgjimi i paautorizuar i provuar tashmë për një anëtare të Gjykatës Kushtetuese zbulon një problem serioz për pavarësinë e gjykatave në Shqipëri në raport me Prokurorinë Speciale, pasi ato janë nën shantazhin e përditshëm të prokurorëve të cilët kërkojnë t’u certifikohen gjetjet e tyre shpesh jo profesionale.

Statistikat e derisotme janë argumenti më i mirë, kur të dy shkallët e GJKKO thuajse janë kthyer në noter të akuzave të SPAK.

Ka po ashtu një sërë problemesh proceduriale, të mënyrës se si sigurohen fakte duke peshkuar për një person të caktuar dhe jo për një vepër penale të caktuar, duke u kthyer praktikisht në gjueti shtrigash. Këto janë provuar deri në Gjykatë Kushtetuese. Për këto dhe shumë problematika të tjera Edi Rama dhe partia e tij kanë të gjithë të drejtën t’i korrigjojnë pasi janë pasoja të prodhuara nga ligjet e tyre.

Arsyetimi se Bashkimi Europian do të mërzitej nëse ndryshojnë disa nene të ligjeve të Reformës në Drejtësi nuk më duket i besueshëm, në një kohë kur vetë Rama dhe Berisha komentojnë apo udhëzojnë gjykatat publikisht.

Kjo e dyta është më e rëndë nga pikëpamja etike, kurse kufizimi me ligj dhe debati publik për defektet e Reformës në Drejtësi është shumë më i ndershëm dhe konstruktiv pasi mund të korrigjojë problemet. Pavarësia e gjykatave nga prokuroria është debat real në gjithë botën dhe garantohet me ligj; vetëm tek ne quhet shkelje e pavarësisë së SPAK nëse ndërmerret nismë ligjore.

Në gjithë botën kur thonë se po vendoset drejtësi kanë parasysh Gjykatat, jo prokurorinw; vetëm tek ne statistikat e reformës maten me ato të SPAK, që akoma ka shifra të ulëta të përfundimit të çështjeve, në raport me akuzat e ngritura, sipas progres-raportit të BE-së të këtij viti.

Pra Edi Rama por dhe Sali Berisha janë të lirë të debatojnë se si mund ta përmirësojnë reformën në drejtësi, jo të udhëzojnë si të votojnë gjykatat, pasi kështu përveçse konsolidojnë padrejtësinë që kanë bërë me ligj, vënë në vështirësi edhe gjykatat të cilat pas çdo vendimi ose do përputhen me rekomandimet e Ramës ose me të Berishës, pavarësisht se ndonjë prej tyre edhe mund të ketë të drejtë.

The post Rama dhe Berisha mund të debatojnë vetëm mbi përmirësimin e Reformës në Drejtësi first appeared on JavaNews.al.

Shqipëria duhet të qeveriset nga politika, jo nga administrata

By: Mero Baze
27 November 2025 at 19:42

Nga Mero Baze

Para disa ditësh mu desh të shkoja në një nga zyrat e shërbimit të administratës publike e cila kishte një organizim shembullor pothuajse perëndimor. Dhe mu në kulmin e vetëndjerjes si qytetar perëndimor që po merrja një shërbim cilësor, një nga vajzat që më shërbente, meqë më njohu, më pyeti nëse unë isha me “Partizanin apo Tiranën”, që siç e zbërtheu me të qeshur, donte të pyeste nëse isha me Ballukun apo Veliajn.
Edhe pse ishte pak me njëfarë humori, në fakt më kujtoi se sa pak rëndësi ka një administratë e mirë pa një karakter politik.

Partia Socialiste sot po përballet me zhveshjen e saj nga identiteti politik dhe kthimin në një forcë menaxhuese votash dhe administrate. Socialistëve nuk u mungojnë as kapacitetet qeverisëse, as njerëzit që sigurojnë votat në fushatë elektorale. Partisë Socialiste i mungojnë politikanët socialistë.

Nga të gjitha goditjet që mund të marrë një qeveri, më e rrezikshmja është ajo që vjen nga brenda saj, nga pafuqia e saj politike. Një forcë politike kaq e madhe në pushtet, me kaq shumë menaxherë dhe administratorë, me kaq shumë mbështetje njerëzore dhe njerëz civilë, befas ngjan si një pulë e trembur pasi nuk mendon më politikisht, por administrativisht.

Dhe më së shumti kjo shikohet tani, që pas Erion Veliajt po përballet me drejtësinë Belinda Balluku. Rasti i parë – ai i Veliajt – u kalua gjysmë si konspiracion e gjysmë si atavizëm i luftës së brendshme ndaj grupeve armiqësore. Por rasti i Ballukut i rrëzoi të gjitha hamendjet dhe u tregoi socialistëve se duhet të përballen politikisht edhe me drejtësinë që kanë ndërtuar vetë.

Kjo është simptomë e një krize shumë më të madhe: shkëputjes së politikës nga vetvetja dhe hapjes së derës që institucionet e tjera të zgjerojnë hapësira që nuk u takojnë, por që populli shqiptar ia ka besuar politikës dhe vetëm politikës.

Nuk është sekret që brenda Partisë Socialiste ka shumë njerëz që nuk e duan Belinda Ballukun. Ashtu siç kishte nga ata që fërkuan duart kur u godit Veliaj. Po aq sa ka edhe sot të tjerë që presin me padurim rënien e dikujt tjetër, për arsye të vjetra, të reja, të supozuara ose thjesht të hamendësuara. Por problemi nuk është Belinda. As Erioni. As emrat e mëparshëm, dhe as ata që presin radhën nesër. Problemi është kënaqësia vetëshkatërruese me të cilën një pjesë e PS-së shikon goditjen e njeriut të vet, duke harruar një të vërtetë themelore: kur bie një socialist padrejtësisht, bie gjithë partia, dhe pas saj fillon të bjerë edhe vetë qeverisja.
Kjo parti nuk mendon më politikisht, por si klane pushteti, të lidhura me figura të veçanta që shfryhen si tullumbace kur shikojnë se tek njeriu që kishin varur ëndrrat e jetës, ka trokëllitur drejtësia.

E gjithë kjo ndodh sepse ka rënë karakteri politik i qeverisë. Ministrat flasin pak, debatet shmangen, qëndrimet politike janë zëvendësuar nga komunikata teknike. Moral politik nuk ka. Askush nuk guxon të hyjë në thelbin e çështjeve dhe askush nuk merr më përsipër vetë-inicativë politike. Pse? Sepse frika është bërë këshilltari i padukshëm i qeverisë. Frika nga SPAK. Frika nga perceptimi publik. Frika nga mëkatet e së shkuarës. Frika nga zhurma mediatike. Frika nga pakënaqësia e brendshme. Frika nga lideri dhe nga linja politike që ai vendos. Dhe një qeveri që udhëhiqet nga frika është qeveri vetëm në letër, jo në substancë.

Drejtësia është e domosdoshme. Duhet të jetë e fortë. Duhet të jetë e ashpër kur kërkohet drejtësi. Por drejtësia nuk mund të jetë qeveri. Në momentin kur një gjykatë penale merr fuqinë të pezullojë ministra pa vendimin e Kuvendit, atëherë jemi futur në një territor shumë të rrezikshëm: ekzekutivi bëhet i ndryshueshëm me masa sigurie; balanca kushtetuese shtrembërohet; një gjyqtar i vetëm mund të diktojë përbërjen e qeverisë; politika futet në defensivë të përhershme; drejtësia nis të luajë rol politik pa u votuar kurrë për këtë.
Njësoj kur një kryetar bashkie në detyrë rrëmbehet nga zyra në periudhën e hetimeve pa u ngritur ende akuza, futet 9 muaj në burg, dhe pastaj për ti bërë presion i hapin cështje pas cështje për ti thënë të mbyll gojën.
Reforma në Drejtësi u ngrit që të pastrojë politikën me vendime gjyqësore të bazuara në prova përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, jo që të marrë në dorë qeverisjen e vendit pa votë. Qëllimi i saj ishte të ndëshkonte fajtorët, jo të zëvendësonte politikën; të forconte shtetin, jo të ndryshonte ekzekutivin me masa sigurie. Ajo nuk u konceptua si pushtet që do diktoj pushtetin politik, por si pushtet që do të jetë i pavarur nga politika, jo nga ligji.

Në këtë terren, ku institucionet e reja po përfshihen nga epshi i pushtetit, Shqipëria nuk ka nevojë për qetësi të rreme apo heshtje të frikshme. Ka nevojë për përplasje kushtetuese, jo politike; për përplasje të forta, por konstruktive, midis pushteteve. Kjo është mënyra e vetme që një demokraci funksionon: pushtetit i duhet kufizuar epshi i momentit; drejtësisë i duhet rikujtuar kufiri i kompetencave; qeverisë i duhet rikthyer detyrimi dhe hapësira për të qeverisur; ndërsa Kuvendit i duhet kthyer roli i gardianit të balancave. Institucionet nuk janë bërë për t’u marrë vesh gjithmonë. Janë bërë edhe për t’u përplasur, por brenda rregullave të respektit shtetëror. Kur përplasen siç duhet, aty vendoset kufiri: deri ku shkon drejtësia, ku fillon politika, ku vendos qeveria apo Kuvendi. Këta kufij nuk i cakton heshtja e frikës. I cakton vetëm përplasja konstruktive, ajo që forcon sistemin dhe e mbron shtetin nga devijimet e vetë institucioneve të tij.

Është iluzion të mendosh se një opozitë kaotike mund të zërë vendin e PS-së në qeverisje. PS është e vetmja forcë politike me njerëzit, përvojën dhe strukturën që mund ta çojë vendin drejt Bashkimit Europian.
Problemi sot nuk është opozita. Problemi është se PS-ja ka filluar të funksionojë jo si forcë politike, por si një administratë e madhe në pritje. Dhe Shqipëria nuk qeveriset dot nga administrata. Shqipëria qeveriset nga politika.

Përfundimi i pashmangshëm në këto kushte është i thjeshtë: o e ushtron mandatin, ose nuk e meriton atë. Kjo është logjikë bazike politike. PS-ja ka marrë një mandat historik politik, më të fortin e 33 viteve. Populli ia ka dhënë jo për inate të brendshme, jo për heshtje, jo për frikë dhe as për gëzim të fshehtë me goditjen e njëri-tjetrit. Ia ka dhënë për të qeverisur me forcë politike me votat e tij, jo me administratë teknike. Për të mbajtur balancën e pushteteve të forta, jo për t’u dorëzuar para teknokratëve. Për të çuar vendin në BE me dinjitet, jo me frikë. Socialistët duhet të sillen si forcë udhëheqëse dhe jo si forcë që i udhëheq drejtësia. Ndryshe do të humbasin dhe shansin e BE-së dhe shansin e të bërit drejtësi.

The post Shqipëria duhet të qeveriset nga politika, jo nga administrata first appeared on JavaNews.al.

Përse Berisha po e politizon vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese për Ballukun

By: Mero Baze
26 November 2025 at 19:57

Nga Mero Baze 

Sali Berisha u përfshi sot në çështjen në gjykim që ka Gjykata Kushtetuese rreth kërkesës së kryeministrit Edi Rama për pezullimin e vendimit të GJKKO për zonjën Balluku. Berisha u shpreh haptazi në anën e SPAK dhe GJKKO duke theksuar se vendimi është i drejtë dhe kompetencë e SPAK, ndërsa ankimimi në Gjykatën Kushtetuese është i paligjshëm.
Është hera e parë që Berisha del publikisht në krah të SPAK dhe GJKKO, dhe kërkon nga Gjykata Kushtetuese të mos prekë vendimin e tyre. Deri më sot ai e ka konsideruar SPAK një SKAP të partisë në pushtet dhe ka pasur një gjuhë denigruese ndaj tij.

Ky ndryshim qëndrimi më shumë sesa një ndryshim kursi për SPAK, është një përpjekje për të ngjyrosur politikisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka 8 anëtarë dhe çdo vendim i vlefshëm duhet së paku në masën 5 me 3.

Duke marrë një qëndrim politik ndaj vendimit të mundshëm, Berisha praktikisht e ka kthyer vendimin e Gjykatës në një betejë politike mes opozitës dhe qeverisë, duke dëmtuar realisht integritetin e vendimit nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Tani në sytë e opinionit publik vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka rrezik të shikohet si një betejë se kush e kontrollon Gjykatën Kushtetuese dhe jo çfarë vendimi do të japë ajo. Nëse vendimi shkon në favor të qeverisë, do të konsiderohet fitore e Edi Ramës, dhe nëse shkon kundër zonjës Balluku do të quhet si dëshmi e kontrollit të Berishës mbi Gjykatën Kushtetuese.

Në një farë mënyre ai e ktheu këtë vendim në një test për të parë anësinë politike të Gjykatës më shumë sesa integritetin profesional të saj.

Çdo rezultat i mundshëm mund t’i shërbejë më pas për të llogaritur betejat e tij juridike, që do të shkojnë edhe në Gjykatë Kushtetuese, por presioni politik mbi Gjykatën e ka ngjyrosur pa të drejtë që tani vendimin e saj – qoftë pro, qoftë kundër zonjës Balluku.

Nëse në rastin e shkarkimit të Veliajt vendimi i Gjykatës shihej si një betejë proceduriale që kishte të bënte me parimet mbi të cilat mbrohet posti i një të zgjedhuri, në rastin konkret kemi të bëjmë me një rast të panjohur më parë në Shqipëri: me të drejtën e supozuar të pushtetit gjyqësor për të ndërhyrë në pushtetin ekzekutiv dhe kompetencat e kryeministrit për emërim dhe shkarkim të anëtarëve të kabinetit të tij.

Dhe nëse në rastin Veliaj vendimi nuk shihej aq shumë si betejë e Gjykatës Kushtetuese kundër Edi Ramës, por si një vendim kundër hallit të tij politik dhe elektoral, në këtë rast vendimi më shumë ndan se me kë është Gjykata, sesa me kë është e drejta.
Për kaq i duhej sot Berishës deklarata e tij për vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese: të shikojë a i ka me vete apo kundër shumicën e Gjykatës.

The post Përse Berisha po e politizon vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese për Ballukun first appeared on JavaNews.al.

Katër vjet armike SHBA, tani katër vjet armike BE

By: Mero Baze
25 November 2025 at 19:47

Nga Mero Baze 

Opozita po përpiqet të krijojë një fabulë të re të viktimizimit të saj tani nga Bashkimi Evropian. Pas katër vitesh “viktimizimi” prej SHBA-së, meqë shpalli Berishën non grata, tani ka filluar betejën kundër Bashkimit Evropian.

Pra, nëse për katër vite rresht demokratëve u tha se po ngelen në opozitë pasi SHBA është kundër nesh sepse ne jemi me Evropën, tani filmi ka ndryshuar. Tani po u thuhet se ne jemi në opozitë se jemi me Amerikën, por kemi kundër Evropën.

Pas udhëtimit të Berishës në Brazil, ku arriti të bëhet zëvendëspresident i 17-të i një shoqate politike që bashkon vende të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, Berisha tani ka nevojë për një “armik” të ri të rëndësishëm për të justifikuar dështimet.

SHBA nuk vazhdon dot ta shpallë si armik, pasi i ra fabula e Sorosit dhe në pushtet është Donald Trump. Pagoi deri në 10 milionë euro lobistët ta shpëtonin nga Sorosi, por akoma nuk kanë bërë gjë. Kështu që, me shpresë që të mos i shkojnë dëm lekët, po kërkon një armik të ri dhe ai është Bashkimi Evropian.

Në fillim sulmuan ambasadorin Gonzato, i cili është diplomati më i afërt me opozitën në Shqipëri përsa i përket qëndrimeve publike, por edhe sensit kritik me qeverinë.

Pas tij i janë vërsulur komisioneres Marta Kos, pse ka thënë që zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të ndershme. Dhe për ironi të fatit, ankesën ia kanë dërguar ambasadorit Gonzato.

E gjithë kjo ofensivë ka lidhje me faktin që Bashkimi Evropian ka shtuar deklaratat publike për mundësinë e avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian deri më 2030, nëse përmbyllja e kapitujve përfundon më 2027.

Ky raport i ri pozitiv i Bashkimit Evropian me Shqipërinë, qoftë edhe për arsye gjeostrategjike, është një arsye e fortë për Berishën që ta shpallë edhe këtë komplot kundër PD-së. Dhe po fillon dita-ditës të plotësojë tablonë sinoptike të veprimtarisë “armiqësore” të BE-së kundër PD-së, duke sulmuar ambasadorin e saj, pastaj Komisionerin për Zgjerim e kështu me radhë.

Berisha e di shumë mirë që në Bruksel nuk shqetësohet njeri për këto qëndrime, por nuk i duhet për Brukselin. I duhet për të vetët, që t’u justifikojë atyre dështimet e tij në opozitë dhe t’u gjejë një fabulë të re për të justifikuar pafuqinë e tij.

Pra katër vjet kundër SHBA-së, për të justifikuar dështimet deri tek humbja më 2025; pastaj edhe katër vjet të tjerë kundër BE-së për të justifikuar humbjen më 2029.

Nuk di se çfarë “armiq” të jashtme do gjejë më 2029, por kam frikë se do prishet edhe me këta të shoqatës së Brazilit, që nuk e ndihmuan sa duhej. Dhe do nisë betejën t’u marrë atyre vulën dhe logon.

The post Katër vjet armike SHBA, tani katër vjet armike BE first appeared on JavaNews.al.

❌
❌