Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Adresa ku lindi e ardhmja

22 December 2025 at 08:52

Nga Thoma Gëllçi

Fejton i shkruar në 10-vjetorin e nisjes me bujë të punës për krijimin e Sistemit të Ri të Adresave

Kur ministrja virtuale Diella hyri në muajin e nëntë të shtatzënisë së saj me 83 fëmijë digjitalë, shteti u përball me një problem që s’e kishte parashikuar as në strategjinë e shtetit digjital, as në kontratat e drejtpërdrejta me miqtë arabë: ku do të lindte?
Serverët e Smart City-t u ndezën njëherësh. Kamerat u kthyen nga njëra-tjetra, si të kërkonin ndihmë. Dy satelitët Albania 1 dhe Albania 2 panë nga lart dhe panë gjithçka, përveç asaj që kërkohej: një adresë.
— Jepni koordinatat, — kërkoi sistemi qendror i Inteligjencës Artificiale, me një zë të edukuar në seminare ndërkombëtare.
— Tek pallati me shigjeta, — u përgjigj operatori, pa pikë dyshimi.
— Ka 11 pallate me shigjeta, — tha sistemi.
— Jo ai. Tjetri. Ai prapa fabrikës së bukës.
AI-ja ndaloi për një çast. Pastaj pyeti me kujdes shkencor:
— Cila fabrikë?
— Ish-fabrika. Ajo që ishte përballë ish-uzinës Enver.
Në atë moment, në server ra një qetësi e rëndë, si para një ndërprerjeje dritash. Në ekran u shfaq një mesazh i shkurtër:
“Referencë e vlefshme për qytetarët. E papërdorshme për sistemin.”
U thirr policia.
Patrulla e parë u nis drejt ish-stadiumit “Dinamo”. Në GPS ishte shënuar qartë “Tek materniteti i vjetër”. Sapo arritën, operatori elektronik foli me zë të bindur: “Keni mbërritur në destinacion.” Para tyre kishte një parking, ca kafene dhe një tufë me burra që pinin kafe.
— Këtu lind ministrja? — pyeti polici.
— Jo, — tha burri. — Më tutje. Aty ku ishin tulipanët në Kopshtin Botanik. Po jo këta të rinjtë. Ata të vjetrit.
Patrulla e dytë u nis drejt kafazit të Ariut në kopshtin zoologjik. Ariu nuk ishte më, kafazi po ashtu, por adresa funksiononte ende me përpikmëri njerëzore.
— Jo këtu, — u tha roja. — Prapa. Nga ana e pallateve të verdha.
— Cilat pallate të verdha?
— Ato që dikur ishin gri.
Ndërkohë, në Kryeministri, Diella u shfaq në ekranin gjigant. E qetë, elegante, shtatzënë në cloud.
— Sipas të dhënave të mia, — tha ajo, — unë ndodhem “afër”.
— Afër kujt? — pyeti një drejtor.
— Afër asaj që ka qenë.
Kryeministri doli për deklaratë. Tha se kjo ishte një lindje historike. Se 83 fëmijët do të ishin reformatorë. Njëri për adresat, një tjetër për kamerat, një i tretë për shpjegimin pse asnjëra s’po funksiononte ende. Siguroi se sistemi ishte gati, vetëm realiteti kishte nevojë për përditësim.
Kryeministri e mbante mend shumë mirë kur fiks dhjetë vjet më parë, në nëntor të vitit 2015, nga skena e Pallatit të Kongreseve shpalli përpara sallës së mbushur plot se që sot fillonte punë sistemi i ri i adresave.
Por puna nuk priste që të humbiste kohën me kujtime.
Në minutat e fundit, kur dronët fluturonin kot mbi ish-uzinën Enver dhe GPS-i këmbëngulte se “destinacioni ndodhet diku afër”, dikush mori vendimin më të zgjuar të mundshëm:
— Thirrni një taksi.
Taksia erdhi menjëherë. Shoferi, Dauti, një tirons i vjetër rreth të gjashtëdhjetave, kishte një hartë të Shqipërisë të gdhendur në mendje. Pa pyetur për koordinata, ai tha:
— Hipni. E di unë.
Makina u nis. Kaloi pallatin me shigjeta, u kthye prapa fabrikës së bukës, ndaloi një çast tek ish-kinemaja “17 Nëntori”, vazhdoi drejt kafazit të Ariut dhe u fut nga një rrugë që s’ishte në asnjë hartë, por që të gjithë e njihnin.
Në sediljen e pasme, Diella ndjeu kontraksionin final. Serverët u lidhën me celularin e shoferit. Mjekët virtualë u shfaqën në ekran. Drita e taksisë u ndez. Dhe, mes një kthese “jo këtu, më tutje”, lindja ndodhi.
83 fëmijë digjitalë erdhën në jetë në taksi. E ardhmja e Shqipërisë. Ata që ishin piketuar të zëvendësonin 83 kukulla në parlament.
Makina ndaloi. Shoferi u kthye dhe tha me qetësi profesionale:
— Ja ku jemi.
— Ku? — pyeti sistemi.
— Këtu, — tha taksisti. — Fiks këtu.
Në certifikatën e lindjes u shënua:
Vendlindja: Aty afër
Adresa: Taksi, linja urbane e kujtesës
Referencë zyrtare: Pyet shoferin e taksisë
Dhe kështu, për herë të parë në historinë moderne të vendit, e ardhmja e Shqipërisë u regjistrua saktë: jo në një ndërtesë, jo në një sistem, por në një taksi me një shofer tironsin e vjetër, Dautin, i vetmi që mund të orientohet pak a shumë në realitetin tonë urban.

The post Adresa ku lindi e ardhmja first appeared on JavaNews.al.

Smart City apo Syri i Ciklopit?

20 December 2025 at 09:07

Nga Thoma Gëllçi

Si shumë risi të tjera moderne, duket se edhe Smart City po vjen në Shqipëri jo për të zgjidhur problemet, por thjesht për t’i bërë ato më bashkëkohore. Bota evropiane, pjesë e së cilës duam të bëhemi, probleme të ngjashme i zgjidh me punë, ndërsa ne duam t’i menaxhojmë me terminologji. Kështu po ndodh edhe me Smart City, ose në përkthimin shqip “qyteti i mençur”, të cilin Kryeministri i vendit po e paraqet si qytetin vigjilent: gjithmonë me sy hapur, për të survejuar qytetarët e vet.

Nuk është hera e parë që ai ka folur për këtë gjë. Kur u bë një vrasje te rrethrrotullimi i aeroportit, ai tha se, po të mos e kishin penguar procedurat burokratike për të instaluar Smart City, vrasësit do të ishin kapur në kohë rekord. Ndërsa dje, duket se i kishte tejkaluar pengesat burokratike, ai doli dhe shpjegoi se Policia e Shtetit po pajisej me një “sy magjik”. Nuk foli për ligje, për standarde dhe reforma institucionale, por për kamera survejimi në kohë reale.

Deklaratat e kryeministrit Rama për projektin “Smart City” ndërtohen mbi një krahasim të pambështetur në fakte, kur ai sjell si shembull Jordaninë, të cilën e cilëson si “njëri nga tre vendet më të sigurta në botë”, duke e lidhur këtë siguri drejtpërdrejt me përdorimin e teknologjisë. Rama thotë se, në bisedat me autoritetet e atjeshme, “fjala e përbashkët ishte Smart City, me teknologji nga Abu Dhabi”, duke krijuar idenë se siguria publike është produkt pothuajse ekskluziv i sistemeve inteligjente dhe jo i një kombinimi kompleks faktorësh institucionalë, politikë dhe shoqërorë.

Më problematike se krahasimi është mënyra se si përshkruhet vetë sistemi që parashikohet të instalohet në Shqipëri. Sipas Ramës, “ky sistem i ri i sigurisë regjistron çdo shkelje ligjore në kohë reale dhe e dërgon menjëherë në sallën operative të Policisë së Shtetit”, ndërsa “i jep Policisë një sy magjik për të parë në kohë reale gjithë territorin e saj”. Edhe pse ai këmbëngul se “ky nuk është një projekt kamerash” dhe se nuk bëhet fjalë për mbikëqyrje klasike, gjuha e përdorur përshkruan në thelb një formë kontrolli të vazhdueshëm dhe të përgjithshëm, ku policia shfaqet si një “kryeinspektor i territorit që i ka sytë gjithandej”.
Kjo mënyrë të foluri e zhvendos debatin nga Smart City në kuptimin evropian, që lidhet me përmirësimin e shërbimeve dhe jetës urbane, drejt një vizioni të sigurisë që mbështetet te shikimi i përhershëm dhe reagimi në kohë reale. Kur kryeministri e paraqet teknologjinë si një “sy magjik”, pa sqaruar kufijtë ligjorë, kontrollin institucional dhe garancitë për privatësinë, projekti më shumë është një instrument mbikëqyrjeje sesa një hap drejt një qyteti vërtet të mençur.

Në botën moderne, atë të qyteteve që funksionojnë pa konferenca propagandistike, ku kryeministrat nuk shpjegojnë teknologjinë, Smart City do të thotë bashkërendim dhe administrim efikas në dobi të qytetarit. Atje teknologjia është si një nëpunës i vjetër: flet pak, por di shumë dhe punon me rendiment. Kamera ka, por askush nuk i konsideron ato si organe kryesore të mendimit shtetëror. Tek ne, kamera po paraqitet si truri, zemra dhe ndërgjegjja e sistemit.

Estonia, për shembull, e ndërtoi shtetin digjital pa zhurmë e pa metafora. Qytetari nuk është i survejuar. Sistemet flasin me njëra-tjetrën dhe çdo veprim lë gjurmë. Zyrtari e di se, nëse gabon, gabimi do të regjistrohet për t’u riparuar pa u trashur. Jo nga qielli, por nga ligji. Në Barcelonë, Smart City nënkupton menaxhim inteligjent të energjisë, ujit dhe trafikut. Sensorët dhe algoritmet përdoren për të kursyer burime dhe për ta bërë jetën urbane më të lehtë. Në Amsterdam, teknologjia shërben për qëndrueshmëri dhe planifikim afatgjatë. Në Singapor, të dhënat urbane përdoren për të parashikuar nevojat e së ardhmes: banim, transport, shërbime publike. Në të gjitha këto modele, kamerat ekzistojnë, por ato janë detaj, jo filozofi qeverisëse.

Në botën e qytetëruar, Smart City do të thotë që koshi i plehrave të lajmërojë vetë kur është plot dhe duhet zbrazur; që linja e autobusëve të tregojë se është e mbingarkuar dhe të shtohet një korsi apo një mjet; që semafori të kuptojë kur ka trafik dhe të mos të mbajë kot në radhë; që drita e rrugës të ndizet vetëm kur kalon dikush; që uji dhe dritat të maten saktë dhe të mos humbasin në rrjet; që parkimi të të tregojë ku ka vend të lirë dhe të mos xhirosh kot nëpër qytet; që një leje, një certifikatë apo një pagesë të merren online, pa sportel, pa radhë dhe pa mik.

Me pak fjalë, Smart City është qyteti që mundëson lidhjen efektive të sistemeve, kursen kohë, nerva dhe para; Smart City nuk është syri i ciklopit që të survejon. Kryeministri ynë, për Tiranën, ka zgjedhur modelin e syrit. Në fillim mori me qira dy satelitë, të cilët u prezantuan si dy inspektorë kozmikë. Ata do të shihnin çdo çati dhe çdo beton pa leje. Publiku priti. Satelitët panë, ose nuk panë, por në asnjë rast nuk folën. Asnjë hartë, asnjë raport, asnjë bilanc. Ishin satelitë shumë të edukuar: rrinin e vështronin pa u përzier.
Pastaj erdhi faza tokësore: kamerat inteligjente. Kamera që sinjalizojnë vetë, që ankohen kur fiken dhe që i sjellin problemet drejt e në sytë e policisë. Po krijohet përshtypja se problemi kryesor i shtetit ishte mungesa e syve, jo mungesa e sistemeve, e përgjegjësisë dhe e besimit.

Aq e madhe është propaganda, sa nuk na lë të marrim frymë dhe të shohim ndonjë punë. E di që disa qytetarë të ndershëm do të thonë: ku ishim dhe ku jemi? Gjendja ka ndryshuar. Dhe si shembullin më të madh sjellin e-Albania-n, që ka zhdukur ato radhët e tmerrshme dhe të mërzitshme kur njerëzit kërkonin qoftë edhe një certifikatë familjare. Por edhe e-Albania, shumë e lavdëruar për zhdukjen e radhëve, në fund të ditës rezulton të jetë thjesht një portal aplikimesh. Qytetari aplikon online, merr një numër dhe pastaj pret. Dosja e tij kalon në duar njerëzish, me letra, vula dhe verifikime manuale. Për certifikatën e pronësisë aplikon online, por përgjigjja varet nga letra që lëviz në korridoret e kadastrës. Për pensionin aplikon online, por dokumentet duhet t’i dërgosh me postë. Jemi shumë larg ditës kur sistemi (pjesë e të ashtuquajturit Smart City) të veprojë automatikisht dhe të zgjidhë problemet në kohë reale, siç presupozon qeverisja digjitale.

Kulmi i “zgjuarsisë” digjitale shihet te pensionistët. Në këtë gjoja sistem, me satelitë dhe kamera që shohin gjithçka, një kategori qytetarësh mbetet ende nën dyshim: të moshuarit. Ata, çdo gjashtë muaj, duhet të paraqiten fizikisht te sporteli për të marrë një dokument madhështor me emrin “certifikatë gjallësie”, për të vërtetuar se janë ende gjallë. Që të marrin pensionin, duhet prezenca fizike. Duhet dëshmia vizuale që janë ende gjallë. Duket se këtu syri i ciklopit nuk bën dot punë. Pra, në një shtet që sheh gjithçka nga sateliti, pensionisti duhet të shkojë vetë të tregojë se nuk ka vdekur. Një paradoks i vogël administrativ, por shumë domethënës.
Modeli jordanez që sjell Rama nuk është ai ku duhet të shkojë Shqipëria. Jordania është një monarki me pushtet real shumë të përqendruar te mbreti. Në Jordani ka një farë pluralizmi formal, por liritë civile, media e pavarur dhe e drejta e protestës janë të kufizuara, sidomos kur preken çështje të sigurisë, monarkisë apo politikës së jashtme.

Kjo është thelbësore për ta kuptuar edhe referencën e Ramës: siguria e lartë në Jordani nuk vjen nga demokracia, por nga një shtet me kontroll të fortë vertikal, rol të madh të shërbimeve të sigurisë dhe tolerancë të ulët ndaj devijimeve. Rama gjithashtu theksoi se “miqtë nga Emiratet” i kanë vënë Shqipërisë në dispozicion “një teknologji të natyrës strategjike që mund të përdoret për sigurinë në shkolla”, term që në vetvete është i paqartë dhe alarmues, sepse arsimi nuk është fushë sigurie kombëtare, por hapësirë formimi, edukimi dhe autonomie mendimi. Pohimi se futja e këtij sistemi në shkolla në Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas Edi Ramës, paska ulur “në mënyrë drastike krimet e çdo natyre”, “mungesat”, “kopjet” dhe madje edhe sjelljen fëminore në klasë, paraqitet si një sukses i padiskutueshëm, por pa asnjë të dhënë konkrete, studim pedagogjik apo analizë psikologjike. Në këtë logjikë, disiplina dhe përmirësimi i sjelljes nuk arrihen përmes mësimdhënies, autoritetit të mësuesit dhe kulturës shkollore, por përmes vëzhgimit të vazhdueshëm teknologjik, duke e zhvendosur edukimin nga marrëdhënia njerëzore te frika se “dikush po të sheh”.

Sipas mënyrës se si e shpjegon Rama “qytetin e mençur”, Shqipëria nuk po shkon drejt një qyteti që punon më mirë për qytetarët, por drejt një qyteti që i survejon më mirë. Teknologjia, pa dyshim, e bën survejimin më efikas, por pyetja mbetet po aq e thjeshtë sa edhe e sikletshme: a kështu qeveriset një shtet demokratik? Qytetari njihet, skanohet dhe regjistrohet nga sistemi, por për të vërtetuar se ende është gjallë, duhet të paraqitet personalisht çdo gjashtë muaj. Në këtë mënyrë, ndërsa flasim për “shoqëri të mençur”, në praktikë po ndërtojmë një realitet ku shteti hap një sy gjithnjë e më të madh, ndërsa qytetari mëson të jetojë nën vështrimin e ciklopit.

The post Smart City apo Syri i Ciklopit? first appeared on JavaNews.al.

Edhe unë jam këtu (mos harroni!)

18 December 2025 at 18:56

Nga THOMA GËLLÇI

Presidentja e Kosovës po fliste qetë, seriozisht dhe pa bujë ne nje lidhje direkte televizive . Vjosa Osmani po tregonte se kishte marrë konfirmim nga Ursula von der Leyen që masat ndaj Kosovës do të hiqeshin plotësisht në janar. Një lajm i mirë, i thënë thjesht, siç thuhet një lajm shtetëror.

Por ja ku ndodh ajo që ndodh shpesh me të njëjtin protoganist: në krah të saj shfaqet Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe pa shumë hyrje e dalje thotë: “Kjo grua i bëri të gjitha këto! Është puna e kësaj!” Një fjali që në dukje duket si lavdërim, por që në praktikë tingëllon si: prisni pak, mos e mbyllni transmetimin pa mua.

Osmani u kap në befasi, por u soll si presidente. Falënderoi Shqipërinë, foli për bashkëpunimin dhe e kaloi situatën me qetësi. Ndërsa Rama e mori atë pak sekonda televizive që i duheshin për të treguar se ishte aty, në krah, në plan, në ekran. Sepse rëndësi ka të ndihet prania. Lajmi le të presë.

Ka dy probleme në këtë histori. I pari është i thjeshtë: nevoja e përhershme për të hyrë në ekran, edhe kur kamera është ndezur për dikë tjetër. Është ajo frika klasike shqiptare se mos dikush merr vëmendjen i vetëm.

I dyti është më serioz, por prapë qesharak: duke thënë se “është puna e kësaj gruaje” dhe jo puna e reformave që po bën Kosova, del sikur integrimi në BE varet nga njerëz të veçantë dhe jo nga punë konkrete. Dhe, nëse kjo logjikë vlen për Kosovën, atëherë për Shqipërinë mesazhi është i qartë: çdo gjë e mirë është puna e një njeriu të vetëm. Të tjerët janë dekor.

Problemi është se integrimi i Shqipërisë në BE nuk bëhet në Bruksel, as në Luksemburg dhe as në ndonjë konferencë shtypi ku dikush hyn pa ftesë. Ai bëhet në Tiranë. Në rrugë pa gropa, në spitale që funksionojnë, në gjykata që vendosin drejt, në institucione që nuk varen nga humori i shefit.

Por këto gjëra nuk duken bukur në televizor. Nuk kanë batuta, nuk bëjnë tituj dhe nuk emocionojnë gazetarinë e oborrit dhe patronazhistët që gëzohen sa herë shefi del në krah të dikujt tjetër dhe thotë diçka “të fortë”.

Në fund, pamë dy stile: një presidente që po bënte punën e saj dhe një kryeministër që po bënte atë që di më mirë : të kujtonte publikun se është gjithmonë aty. Edhe kur nuk ka pse.

The post Edhe unë jam këtu (mos harroni!) first appeared on JavaNews.al.

Avokati i Popullit dhe enigma e një zgjedhjeje të pashpjeguar

17 December 2025 at 17:16

Nga Thoma Gëllçi

Le të pranojmë, për hir të debatit publik, se Edi Rama ia hodhi Sali Berishës në zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke kaluar në Kuvend si kandidat konsensual Endri Shabanin. Por edhe nëse ky skenar merret si i mirëqenë, pyetja thelbësore mbetet: pse pikërisht Endri Shabani? Çfarë e bën atë figurën e duhur për një institucion që, sipas ligjit dhe frymës së Kushtetutës, duhet të jetë mishërimi i paanshmërisë, distancës nga politika dhe mbrojtjes së qytetarit përballë pushtetit?

Endri Shabani nuk është një figurë e ardhur nga shoqëria civile në kuptimin klasik të fjalës. Ai është kryetar i një partie opozitare, “Nisma Thurje”, e cila është ndërtuar pikërisht mbi retorikën e rrëzimit të qeverisjes së Edi Ramës. Në dhjetëra dalje publike, Shabani e ka cilësuar regjimin e Ramës si të korruptuar, të kapur dhe të rrezikshëm për demokracinë. Ai ka deklaruar se përqendrimi i pushtetit dhe numri i madh i mandateve të Ramës përbën kërcënim për shtetin e së drejtës. Madje ka shkuar më tej, duke thënë se “Rama duhet të ikë si fenomen”, ndërsa opozita duhet të ofrojë një alternativë reale qeverisëse.

Vetë Shabani ka pohuar se kjo ishte hera e parë që angazhohej drejtpërdrejt në politikë, por se më parë kishte qenë aktivist, i shtyrë nga neveria për mënyrën se si bëhej politika në Shqipëri. Të gjitha këto qëndrime janë të dokumentuara, publike dhe të pamohueshme. Dhe pikërisht për këtë arsye lind absurdi: si shndërrohet një lider partie opozitare, me qëndrime kaq të forta politike, në një figurë të paanshme institucionale, thjesht sepse një javë para zgjedhjes dorëzon teserën e partisë që vetë drejton?

Ligji e ndalon qartësisht që Avokati i Popullit të jetë i njëanshëm politikisht dhe e konsideron të papajtueshme lidhjen aktive me partitë. Pyetja nuk është formale, por thelbësore: a mjafton një akt administrativ i minutës së fundit për të përmbushur frymën e ligjit?

Një nga propozimet e opozitës për këtë detyrë , po me 35 firma si Endri Shabani, ishte edhe Aranita Brahaj, pa asnjë angazhim partiak dhe me kontribute të drejtpërdrejta në transparencë, llogaridhënie dhe mbrojtje të interesit publik. Aranita Brahaj,me Open Data Albania, prej viteve ’2000 e deri më sot ka ndërtuar mekanizma konkretë monitorimi të pushtetit, pa dallim ngjyrash politike. Një profil i tillë do ta bënte zgjedhjen e Avokatit të Popullit të pakontestueshme dhe do t’i kursente shoqërisë këtë debat të panevojshëm.

Atëherë pse Grupi Parlamentar Socialist, i drejtuar nga strategu Taulant Balla, voton njëzëri Endri Shabanin? Kjo nuk shpjegohet me ndonjë përfitim politik elektoral. Roli i “Nismës Thurje” në politikën shqiptare kishte kohë që ishte thuajse zero dhe ishte diskredituar edhe më tej nga praktika groteske e kandidimit të dajove, tezeve dhe të afërmve në listat për Kuvend ,një sjellje që e ktheu moralizmin politik në një karikaturë familjare. Mazhoranca nuk kishte asgjë për të fituar politikisht nga një parti që nuk përbënte më as rrezik, as peshë.

Për këtë arsye, zgjedhja e Endri Shabanit nuk duket as strategji, as hapje, as pluralizëm i rremë. Ajo mban erë pazari të pastër prapaskene. Një marrëveshje e heshtur mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, për arsye që i dinë vetëm ata dhe që nuk kanë nevojë të artikulohen publikisht. Pazare të tilla nuk kërkojnë ideologji dhe as justifikime parimore :ato thjesht ekzekutohen.

Ndërsa Grupi Parlamentar Socialist ka një rol shumë më modest dhe shumë më cinik: të zbatojë vendimin dhe më pas të prodhojë një narrativë bindëse për militantët dhe votuesit e vet. Një gënjeshtër e paketuar bukur për publikun, se kjo ishte zgjedhja më e mirë, më profesionale, më e paanshme dhe më evropiane. Një histori për konsum të brendshëm, që synon të mbulojë të vërtetën e thjeshtë: Avokati i Popullit nuk u zgjodh për t’i shërbyer qytetarit, por për t’i shërbyer një marrëveshjeje që askush nuk ka interes ta thotë me zë të lartë.

The post Avokati i Popullit dhe enigma e një zgjedhjeje të pashpjeguar first appeared on JavaNews.al.

Imuniteti si strehë apo dinjiteti si zgjedhje

16 December 2025 at 19:32

Nga Thoma Gëllçi

Vendimi i SPAK për t’iu drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetes dhe njëkohësisht zv/kryeministres Belinda Balluku, si dhe për dhënien e lejes për arrest në burg ose në arrest shtëpie, shënon një kthesë të rëndë institucionale. Pas rrëzimit te perkoheshem nga Gjykata Kushtetuese të kërkesës për pezullimin nga detyra, procesi ka hyrë në një fazë ku nuk mjaftojnë më deklaratat politike apo formulat standarde për “respektimin e drejtësisë”. Tashmë jemi përballë një prove reale për funksionimin e shtetit ligjor dhe për mënyrën se si pushteti politik reagon kur një nga figurat e tij kyçe vendoset nën akuzë serioze penale.

Deklarata e kryeministrit Rama, e ndërtuar mbi një ekuilibër të brishtë mes retorikës së mosndërhyrjes në drejtësi dhe mbrojtjes politike të zëvendëses së tij, e ka bërë situatën edhe më të ndërlikuar. Kur një kryeministër flet njëkohësisht si garant i pavarësisë së drejtësisë dhe si avokat politik i një bashkëpunëtoreje të akuzuar, mesazhi që i përcillet opinionit publik është i dyzuar: drejtësia thuhet se është e lirë, por pushteti rezervon të drejtën ta komentojë, ta relativizojë dhe, në mënyrë indirekte, ta mbrojë. Kjo qasje nuk i shërben as drejtësisë, as transparencës, e aq më pak besimit të qytetarëve.

Që në ditën kur SPAK bëri publike akuzën ndaj zonjës Balluku, une ne nje shkrim kam argumentuar se veprimi më i drejtë dhe më i dobishëm do të ishte dorëheqja e saj e menjëhershme nga funksionet shtetërore. Jo si pranim faji, por si akt përgjegjësie politike dhe morale. Dorëheqja do ta zhveshte procesin nga çdo ngarkesë politike, do të shmangte përdorimin e institucioneve si mburojë dhe do t’i jepte vetë asaj mundësinë të përballej me akuzat si një qytetare e barabartë para ligjit. Kjo nuk ndodhi, dhe sot çmimi i kësaj zgjedhjeje po bëhet gjithnjë e më i lartë.

Situata aktuale tregon qartë se çështja nuk është më thjesht juridike. Ajo është shndërruar në një krizë të vogël, por domethënëse, të marrëdhënies mes politikës dhe drejtësisë. Kuvendi thirret të vendosë për imunitetin e një deputeteje që mban edhe një nga postet më të rëndësishme ekzekutive, ndërsa opinioni publik sheh se si procedurat ligjore shoqërohen nga debate politike, deklarata mbrojtëse dhe aludime për motive. Në këtë klimë, çdo vendim rrezikon të interpretohet jo mbi bazën e ligjit, por mbi bazën e interesave dhe forcës politike.

Megjithatë, edhe në këtë fazë të avancuar, ekziston ende një rrugë që ruan dinjitetin personal dhe interesin publik. Lënia vullnetare e imunitetit dhe dorëheqja nga detyra do të ishin një akt i fortë politik dhe qytetar. Do të ishte një sinjal i qartë se askush nuk ka nevojë për mburoja kushtetuese për të provuar pafajësinë e tij.

Përkundrazi, një përballje e drejtpërdrejtë me drejtësinë, pa presione politike dhe pa retorikë mbrojtëse nga maja e pushtetit, do ta kthente procesin në atë që duhet të jetë: një hetim penal i zakonshëm, me garanci ligjore, por pa privilegje.

Një veprim i tillë do të kishte edhe një vlerë simbolike të jashtëzakonshme për shoqërinë shqiptare. Për herë të parë, një zyrtare e lartë do të tregonte se imuniteti nuk është strehë personale dhe se pushteti nuk përdoret për të negociuar me drejtësinë. Kjo do të ishte një provë konkrete se reformat në drejtësi nuk janë thjesht slogane për raportet ndërkombëtare, por parime që zbatohen edhe kur prekin njerëzit e pushtetit. Në fund të fundit, askush nuk humb nga e vërteta, ndërsa humbja më e madhe për një shtet është kur drejtësia perceptohet si e kushtëzuar.

Unë e uroj sinqerisht që zonja Balluku ta fitojë këtë betejë ligjore, nëse është e pafajshme, por ta fitojë si qytetare dhe jo si funksionare e mbrojtur nga imuniteti dhe pesha politike. Vetëm kështu kjo çështje mund të mbyllet me dinjitet, pa lënë pas shijen e hidhur se edhe një herë drejtësia u vu përballë murit të pushtetit. Dhe vetëm kështu Shqipëria mund të bëjë një hap të vogël, por real, drejt normalitetit evropian që e përmend kaq shpesh, por e praktikon ende kaq rrallë.

The post Imuniteti si strehë apo dinjiteti si zgjedhje first appeared on JavaNews.al.

Nga kafazi i gjyqit te standardet e drejtësisë

13 December 2025 at 09:26

Nga Thoma Gëllçi

Shikojeni me kujdes këtë foto. Ajo paraqet një moment nga një sallë gjyqi në Norvegji, gjatë një procesi penal që lidhet me një nga aktet më të rënda të dhunës në Evropën moderne. Në qendër të imazhit shihet i pandehuri, i ulur në tavolinën e mbrojtjes, i veshur formalisht, duke pirë ujë, i rrethuar nga avokatët e tij dhe nën vëzhgimin e forcave të sigurisë.

Ngjarja lidhet me sulmet terroriste të 22 korrikut 2011 në Norvegji, ku fillimisht shpërtheu një bombë në Oslo dhe më pas u krye masakra në ishullin Utøya, ku u vranë 68 të rinj pjesëmarrës në një kamp veror politik.

Kjo foto më solli ndërmend përvojën time kur ndodhesha i paraburgosur në burgun 313 të Tiranës.

Ishte herët në mëngjes kur polici i rojes thirri emrin tim: “Thoma Gëllçi të bëhet gati, ka gjyq.” Pas pak, policët e shoqërimit erdhën dhe më vunë prangat, të lidhura pas shpine. U vendosa mes dy policëve dhe, pas kontrolleve fizike trupore, kaluam nëpërmjet një tuneli betoni që lidhte ambientet e paraburgimit me sallat ku zhvilloheshin gjyqet e Gjykatës së Posaçme. Kaluam disa dyer të hekurta që ndanin segmente të ndryshme të tunelit. Në nivelin e tunelit ndodhen qelitë e betonit, të pista, ku i paraburgosuri priste derisa të vinte ora e gjyqit. Aty, pas një kontrolli tjetër fizik, më hoqën prangat dhe më futën në një qeli bosh, pa asnjë karrige. Vetëm një hapësirë e ngushtë, e pistë, dhe unë në mes duke bërë ec e jakë lart e poshtë, duke pritur të më merrnin për gjyq. Qelia ishte e ngushtë, pa dritare, me një derë të rëndë hekuri pa frengji, e pistë, e mbushur me bishta cigaresh dhe me një banjë që rridhte ujë, edhe ajo e ndotur.

Sa prita aty? Nuk e di. Kishte raste “me fat” që kam pritur tre orë, por kishte edhe raste kur kam pritur tetë orë, për t’u kthyer sërish në ambientet e paraburgimit pa u zhvilluar gjyqi, sepse gjyqtari apo gjyqtarja kishin gjyqe të tjera që zgjateshin më shumë se planifikimi. Në rastet fatlume, dera hapej dhe policët shoqërues, zakonisht dy, më merrnin mes tyre dhe ngjisnim shkallët për të shkuar në katet e sipërme ku ishin sallat e gjyqit.

Futeshim në sallë? Jo. Pas një dere hyja në një dhomë të vogël që kishte një dritare prej xhami ose hekura, të ngjashme me kafazet e kafshëve të egra në cirk, të cilat edhe aty i quanin “kafaz”. U ula mes dy policëve dhe përshëndeta me dorë dy avokatët e mi, të ulur në vendin e tyre, përballë gjykatësit, rreth katër a pesë metra larg meje. Pak më tej, po përballë meje, ishte ulur prokurorja që shikonte vazhdimisht telefonin dhe dukej sikur nuk e kishte mendjen në sallë.

Mundoja të komunikoja me avokatin, të paktën për të kuptuar çfarë do të bëhej atë ditë, por ishte e pamundur. Fillonte gjyqi dhe avokati paraqiste ato që kishte përgatitur për debatin me prokuroren dhe, ndonjëherë, edhe me gjykatën. Gjithmonë kishte dy kërkesa: i mbrojturi prej tij, dmth unë, të ulej në sallë pranë avokatëve të tij, dhe së dyti, të mbrojturit prej tij t’i viheshin në dispozicion të gjitha aktet e gjyqit, sipas ligjit, sepse unë isha i burgosur, nuk qëndroja aty me dëshirën time, dhe kisha të drejtë të njihesha me dosjen. Nuk mjaftonte që të njiheshin vetëm avokatët etj.

Gjykata i hidhte poshtë këto kërkesa. Dhe unë pyesja veten: pse në kafaz? Isha aty pa ndonjë akuzë konkrete, por i dyshuar për një shtesë kontrate dyjavore. E ligjshme apo e paligjshme, këtë ta vendoste gjykata, sepse kjo lidhej me fajësinë apo pafajësinë time. Por pse në kafaz? A kishin frikë se mos kafshoja Dorianin? Apo Maksin? Apo prokuroren? Kisha dy policë në krahët e mi që nuk më lejonin të bëja asgjë. Nëse nuk mjaftonim dy për të më mbajtur, le të më vendosnin katër policë rreth e rrotull.

Kisha parë shumë filma me gjyqe në SHBA ku i akuzuari për vrasje rrinte ulur bashkë me avokatët e tij. Por kisha parë edhe fotografi nga gjyqet speciale në kohën e komunizmit, kur të ashtuquajturit “armiq të popullit” dërgoheshin në litar. Edhe ata ishin në sallë, jo në kafaz.

Si mund të komunikonja unë me avokatët në këtë rast? Ata flisnin për diçka me të cilën nuk isha dakord. Si t’ia thosha? Apo harronin diçka që mua më dukej e rëndësishme. Si t’ia thosha? Kaq i rrezikshëm isha unë për Republikën e Shqipërisë? Unë ndodhesha i paraburgosur thjesht për firmosjen e një shtese kontrate.

Ai inxhinieri i ri, Juliani, përgjegjës transmetimi në RTSH që sapo ishte bërë baba, ishte aty sepse një certifikatë ISO e përkthyer në shqip nuk kishte vulën e noterit. Për të njëjtën certifikatë ishte pas hekurave edhe Ervini, një tjetër inxhinier dhe përgjegjës transmetimi në RTSH. Të dy i njoha aty në burg sepse nuk i kisha parë asnjëherë gjatë pesë viteve si drejtor në RTSH. Nuk më lidhte puna me ta. Dhe këta i mbanin të mbyllur në kafaz njëlloj si mua? Kaq të rrezikshëm i dukeshin këta qytetarë model Republikës sonë të dashur?

Shpesh më shkonte mendja, me humor, t’u thosha Dorian Matlisë apo Maks Haxhisë të futeshin me mua në kafaz, të shikonim si do reagonte gjykata. Por nuk e bëra.

Kjo ndodhte sa herë kishte gjyq. Zakonisht dy herë në dy muaj, kur diskutohej masa e arrestit: një herë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe një herë në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Duke llogaritur kohën që kam qenë në burg, duhet të kem shkuar rreth njëzet herë në sallën e gjyqit me të njëjtin ritual. Nuk mungova kurrë, edhe pse e dija që rezultati ishte i paracaktuar jashtë atyre ambienteve. Por, ditët e gjyqeve, vishesha mirë, për respekt të ligjit dhe të gjykatës. Sepse kështu kisha qenë gjithë jetën time 60-vjeçare deri atë ditë: një qytetar që nuk shkelte as rregullat e qarkullimit rrugor, dhe megjithëse kisha tridhjetë vite që ngisja makinën në SHBA, nuk kisha marrë asnjë gjobë.

Kështu po rri dhe shikoj këtë fotografi të Norvegjisë, një vend europian në të cilin synojmë të anëtarësohemi deri në vitin 2030. Fakti që e nxora këtë fotografi nga interneti ishte rasti i dy kërkesave të Erion Veliajt, të njëjta me dy kërkesat e mia, që nuk u morën kurrë parasysh.

Edhe Erion Veliaj, i paraburgosur, ka paraqitur dy kërkesa aq elementare sa në një sistem normal drejtësie do të ishin rutinë: të mos mbahet në kafaz gjatë gjykimit dhe t’i jepet dosja për ta lexuar vetë. Thënë ndryshe, ai kërkon të mos trajtohet si një kafshë cirku dhe të ketë të drejtën minimale që çdo njeri ka para se të gjykohet: të dijë pse akuzohet dhe çfarë provash ka kundër tij. Është gjykata që do të vendosë pastaj për fajësinë apo jo.

Kërkesa për të mos qëndruar në kafaz nuk është kapriço. Kjo praktikë krijon paragjykim vizual dhe e bën të pandehurin të duket fajtor që në derë të sallës së gjyqit. Në Shqipëri, si duket, ekziston ideja se hekuri i kafazit i jep procedurës një “solemnitet”, sikur të jetë prova e parë materiale e fajësisë. Por Veliaj nuk kërkon dekor; kërkon thjesht të ulet pranë avokatit, si çdo i pandehur që pret të mbrohet. Dhe e vërteta është se prania në kafaz e dëmton realisht mbrojtjen, sepse krijon distancë fizike, psikologjike dhe profesionale mes tij dhe avokatit. Nëse drejtësia duhet të jetë e paanshme, duhej të filloje duke e ulur njeriun në një karrige, bashkë me avokatët e tij, jo pas shufrave të hekurta apo xhamave anti-plumb.

Edhe kërkesa e dytë, njohja vetë me dosjen, është po aq e arsyeshme. Kodi i Procedurës Penale është i qartë: i pandehuri duhet të njoftohet personalisht për përfundimin e hetimeve dhe ka të drejtë të njihet vetë me aktet dhe të marrë kopje të tyre. Ligji nuk thotë “mjafton ta dijë avokati”, as nuk e trajton të pandehurin si spektator të procesit të tij. Sepse, në fund të fundit, i pandehuri është ai që gjykohet, ai që mban përgjegjësinë dhe ai që duhet të kuptojë thelbin e akuzës. Në rastin e Veliajt, dosja paska rreth 60 mijë faqe – një mal dokumentesh. Të pretendosh se avokati mund t’i përmbledhë të gjitha në dy fjalë dhe kështu mbyllet çështja, është aq absurde sa të kërkosh të lexosh “Luftën dhe Paqen” në tre rreshta.

Arsyetimi i gjykatës se “është njohur avokati, pra mjafton” ul rëndësinë e të drejtave procedurale të të pandehurit. Avokati mund të mbrojë, por nuk mund të mendojë në vend të klientit. Ligji nuk e trajton të pandehurin si dekor në sallë.

Prandaj kërkesat e Veliajt, të ulet në karrige dhe të lexojë dosjen, janë minimumi që çdo proces i drejtë duhet të garantojë. Nuk kanë të bëjnë me privilegje, as me status politik. Nuk kanë të bëjnë as me fajësinë apo pafajësinë. Kanë të bëjnë me atë që në çdo vend normal quhet procedurë penale e rregullt.

Nëse drejtësia shqiptare kërkon besim, duhet të respektojë ligjin e shkruar, jo humorin e ditës. Sepse sot është Erion Veliaj në kafaz; nesër mund të jetë dikush tjetër. Mund të jetë secili prej jush apo të afërmit tuaj. Dhe në atë sallë ku çdo njeri hyn i pafajshëm derisa të provohet e kundërta, trajtimi dinjitoz dhe e drejta për t’u njohur me dosjen nuk janë vogëlsira. Janë themele.

The post Nga kafazi i gjyqit te standardet e drejtësisë first appeared on JavaNews.al.

SPAK-u, gjykatat dhe keqkuptimi i madh mbi drejtësinë

12 December 2025 at 09:25

Nga Thoma Gëllçi

Dje u zgjodh kryetari i ri i SPAK-ut. Vëmendja ishte e jashtëzakonshme: mediat e ndoqën hap pas hapi, opinioni publik u përfshi në analiza dhe komente, ndërsa ndërkombëtarët e trajtuan si një ngjarje që përcakton të ardhmen e drejtësisë në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, është i habitshëm fakti që shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk e dinë se kush është Prokurori i Përgjithshëm, as se kush drejton Gjykatën e Posaçme, Gjykatën e Lartë apo Gjykatën Kushtetuese. Edhe më pak njohin emrat e kryetarëve të gjykatave të faktit, të cilat reforma e drejtësisë i ka shpërndarë në mënyrë të tillë që qytetari i thjeshtë nuk e ka më të qartë se ku duhet të drejtohet.

Është edhe më e çuditshme se si diplomatët e huaj , që në logjikën e shtetit të së drejtës duhej të kishte interes të posaçëm për pavarësinë e gjykatave, e kanë përqendruar pothuaj gjithë vëmendjen te SPAK-u dhe te drejtuesit e tij. Ndërkohë, në asnjë vend tjetër evropian, prokuroria nuk trajtohet si institucioni më i rëndësishëm i drejtësisë; ky rol i takon gjykatës, e cila është themeli i barazisë para ligjit dhe garancia e fundit e qytetarit.

Në shoqëritë demokratike, kur dikush mendon se i është cenuar e drejta, thotë vetvetiu: “Do t’i drejtohem gjykatës”. Kjo frazë nuk shpreh thjesht dëshirën për konflikt, por besimin se gjykata është institucioni që mund të vendosë drejtësinë, të korrigjojë abuzimin e pushtetit dhe të mbrojë qytetarin nga arbitrariteti. Gjykata është pushteti i tretë dhe jo rastësisht Kushtetuta e Shqipërisë , në nenin 7, përcakton ndarjen dhe balancimin e pushteteve si parim themelor të republikës.

Në Shqipëri, ky parim duket se është turbulluar. Sot dëgjohet më shpesh shprehja “Do të merret SPAK-u”, “Do ta zgjidhë SPAK-u”, “SPAK-u do ta pastrojë politikën”, sikur prokuroria të jetë autoriteti final i drejtësisë. Ky është një keqkuptim themelor i modelit perëndimor, sepse sipas nenit 148 të Kushtetutës dhe sipas konceptit bazë të procesit penal, prokuroria është organ akuzues dhe jo organ gjykimi. Ajo paraqet pretendime, jo vendime; kërkon masa, por nuk i jep; ngre dyshime, por nuk përcakton fajësi. Vetëm gjykata, sipas nenit 42 të Kushtetutës dhe nenit 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ka të drejtën të vendosë mbi lirinë, pronën dhe nderin e qytetarit.

Në Shqiperi, ky rol është përmbysur. Dhe nëse perceptimi i publikut do të ishte i vetmi problem, sërish do të ishte e rrezikshme, sepse perceptimi formon kulturën juridike të një shoqërie. Por ne Shqiperim realiteti i praktikës gjyqësore tregon se Gjykata e Posaçme shpesh sillet si notere vendimeve të SPAK-ut. Gjyqtarët e hetimeve paraprake nënshkruajnë pothuaj automatikisht masat e kërkuara nga prokuroria: arrest me burg, burg,burg,burg.

Ky është një çekuilibër që shkel parimin e barazisë së palëve dhe kemi thjesht nje “drejtësi të paracaktuar”. Dhe kur procesi penal humbet paanshmërinë, ai kthehet në një rit formal, ku gjykata nuk është më autoriteti që peshohet mes akuzës dhe mbrojtjes, por thjesht firmosëse e një logjike të krijuar paraprakisht. Në këtë atmosferë, qytetari fillon t’i nënshtrohet idesë se akuza është e barabartë me fajësinë , një barazim i papranueshëm në çdo shtet demokratik.

Sipas nenit 148 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, prokuroria përfaqëson akuzën në emër të shtetit, çka është një funksion i domosdoshëm në çdo sistem penal modern. Por ky rol kushtetues ka kuptim vetëm brenda parimit themelor të barazisë së palëve, i cili kërkon që pala tjetër ,mbrojtja , të ketë të njëjtat të drejta procedurale dhe të njëjtin akses në mjete juridike për t’u përballur me akuzën.

Megjithatë, mendimi i përhapur dhe në shumë raste i argumentuar midis të akuzuarve dhe vetë avokatëve është se në proceset penale të Gjykatës së Posaçme ku pala akuzuese është SPAK-u, roli i avokatit reduktohet pothuajse në zero. Pretendimet e mbrojtjes rrallë dëgjohen, më rrallë merren parasysh. Kjo krijon një realitet, sikur avokati është një figurë formale, jo funksionale, e cila ekziston vetëm për të plotësuar kërkesën ligjore për “prani mbrojtjeje”, por jo për të ushtruar realisht funksionin e saj.

Kjo pabarazi bëhet edhe më e dukshme në raport me të pandehurin, i cili jo vetëm që përballet me një prokurori të fuqishme dhe një gjykatë që shpesh eshte e orientuar drejt kërkesave të prokurorisë, por edhe vendoset fizikisht në pozita poshtëruese. Vendosja e tij në një kafaz qelqi, i cili e izolon nga komunikimi i lirë dhe i menjëhershëm me avokatin gjatë seancës, bie në kundërshtim të hapur me parimet minimale të një procesi të drejtë. Një i pandehur që nuk mund të komunikojë me avokatin e tij në kohë reale është një i pandehur i privuar nga mjetet efektive të mbrojtjes.

Historia botërore ka treguar se çfarë ndodh kur prokuroria merr rolin që i takon gjykatës. Italia e viteve ’90, me “Mani Pulite”, u mbush me akuza dhe arrestime spektakolare, ndërsa qindra çështje u rrëzuan në gjykatë. Reputacione politike u shkatërruan jo nga vendimet gjyqësore, por nga proceset e hetimit. Në Turqi, shkrirja e prokurorisë me pushtetin ekzekutiv ka cuar në mijëra arrestime. Në Shtetet e Bashkuara, debati mbi tejkalimin e kompetencave të prokurorëve ka bërë që Gjykata Supreme të vendosë kufizime të forta për të ruajtur ekuilibrin mes akuzës dhe mbrojtjes.

Ky ekuilibër është thelbi i procesit penal. Prokuroria është njëra anë. Mbrojtja është ana tjetër. Vetëm gjykata është pesha që i mban në balancë. Në momentin kur ky ekuilibër prishet, drejtësia rrezikon të kthehet në instrument politik, mediatik ose administrativ , por jo juridik.

Në praktikën e drejtësisë shqiptare, një nga problemet më serioze që prek drejtpërdrejt të drejtat themelore të njeriut lidhet me marrjen e masave të arrestit pa praninë e palëve dhe pa u thirrur më parë i hetuari për t’u pyetur, duke e vendosur atë përballë një mase të rëndë kufizuese të lirive pa asnjë mundësi paraprake mbrojtjeje. Nga nje vendim i marre “ ne dhome keshillimi” , nje qytetar dergohet direct ne burg pa u pyetur asnjehere. Dhe nuk flas ketu per krimet e flagrances. Është një turp i vërtetë për një vend që rreth 60 për qind e popullsisë së burgjeve përbëhet nga persona të paraburgosur, të cilëve ende nuk u është dhënë një vendim gjyqësor.

Vetëm kur shoqëria të rikthejë natyrshëm shprehjen “e zgjidh gjykata”, dhe kur gjykatat të fillojnë të veprojnë me pavarësinë dhe fuqinë që u jep ligji, atëherë mund të themi se drejtësia shqiptare po hyn në shinat e vërteta të shtetit të së drejtës. Sepse drejtësia nuk ndërtohet nga perceptimi, por nga procedura; nuk mbahet në këmbë nga prokuroria, por nga gjykata; dhe nuk duhet të shkaktojë frikë, por të ngjallë besim.

The post SPAK-u, gjykatat dhe keqkuptimi i madh mbi drejtësinë first appeared on JavaNews.al.

Monumenti i paprekshëm dhe ëndrrat e pamundura

10 December 2025 at 18:50

Nga Thoma Gëllçi

Në universin paralel të Partisë Demokratike, aty ku logjika ka marrë pushime të përhershme dhe shpresa vjen me orar, siç vjen uji pas premtimeve për 24 orë ujë, ekzistojnë dy ëndrra të mëdha:
E para është ëndrra kolektive, ëndrra që bashkon demokratët sikur të ishte Himni i Flamurit. E gjithë PD-ja: të moderuar, radikalë, emigrantë, nostalgjikë, të penduar, të ikur e të rikthyer, imagjinojnë një mëngjes rilindas, një mëngjes mrekullie, ku Edi Rama çohet nga gjumi, tund kokën që herë e bën të duket si Skënderbeu e herë si Ismail Qemali, fërkon mjekrrën që përsëri është imitim i mjekrrave të dy burrave të sipërpërmendur, dhe thotë:
“O popull o miqtë miq! U lodha me këtë punë. Merreni ju qeverinë! Unë do merrem me pikturë dhe me bimë medicinale. Mendoj se doktor Berisha, me rinine dhe vullnetin që e karakterizon, është figura e duhur për të qeverisur këtë vend.”

Në këtë pikë, demokratët prekin faqet, pickojnë veten, pëllumbat ngrihen në ajër, horizonti hapet dhe populli blu përlotet. Ky është momenti kur realiteti bie ndesh me fizikën: ëndrra është aq absurde, sa edhe Muli nuk e beson dot që mund të ndodhë në të vërtetë.

Ëndrra e dytë është më e butë, më delikate, por edhe më absurde se e para. Reformatorët e PD-së, ata që e duan ndryshimin por pa prekur askënd, pa ofenduar askënd, dhe sidomos pa ngritur zërin, fantazojnë një ditë historike ku vetë monumenti politik, Sali Berisha, del në ballkon, në katin e tetë të godinës ku banon, vështron horizontin e bulevardit, militantët poshtë ballkonit dhe thotë:
“Tani mjaft. Boll 35 vjet. Le të vijë një brez tjetër.”
Sigurisht që edhe ky skenar kërkon ndërhyrjen e NASA-s, Akademisë së Shkencave dhe ndoshta edhe rishikim të teorisë së relativitetit. Ka më shumë gjasë të gjesh fjalën “Rama fiton zgjedhjet me votë të lirë” në një kërkim të lirë në Google sesa frazën “Berisha u tërhoq me dëshirë”.

Ndërkohë, në realitetin blu, ka nisur një lëvizje shumë dinamike, shumë filozofike, shumë kafeinare. Filloi si lëvizja e kafesë, ku çdo nismë shoqërohet me një kapuçino. Pastaj u shndërrua në një aktivitet më serioz: një mbledhje në Durrës me Ervin Salianjin dhe Ilir Alimehmetin në krye: dy njerëz të vendosur që PD-ja të ndryshojë, por me një kusht të shenjtë, të hekurt, të pathyeshëm: mos prek monumentin!
Sali Berisha është në statusin “Monument Kulture – Kategoria I”, si Gjirokastra dhe Butrinti bashkë. Mund të futet edhe në objektet e mbrojtura nga UNESCO pas xhubletës dhe lahutës. E prek me gisht, të bie partia. E sheh shtrembër, të del përpara statuti. E përmend në analizë, të shpallin tradhtar. Këtë e di çdo demokrat nga Tropoja në Sarandë: në PD mund të preket çdo gjë veç monumentit.

Dhe ndërkohë që këto takime bëhen, PD-ja numëron humbjet. Katër herë rresht ka humbur zgjedhjet parlamentare. Nga minus 37 mijë vota në 2021, arriti në minus 327 mijë vota në 11 maj 2025.
Një rritje e humbjes që çdo statistikan normal do ta konsideronte “shkencë e re politike: rënia me shpejtësi të përshpejtuar”.

Kanë kaluar tetë muaj nga ajo disfatë dramatike që do t’i kishte shkundur edhe mumiet e Egjiptit, por PD ende nuk ka bërë analizë. Pse? Sepse analiza duhet të vërë gishtin te dikush. Dhe ky “dikushi” është ai që nuk preket. Dhe kështu analiza është shtyrë, shtyrë, shtyrë… deri në pafundësi. Në PD, analizat bëhen vetëm për të ardhmen, kurrë për të shkuarën.

Ndërkohë, pronari i partisë prej 35 vitesh, sepse askush nuk guxon ta quajë ndryshe, del dhe thotë:
“Nuk humbëm! Narko-shteti na vodhi zgjedhjet! Ramaduro na mori fitoren nga duart!”
Kjo është receta e preferuar: e lehtë, e shpejtë, pa efekte anësore. Nuk kërkon ndryshim, nuk kërkon reflektim, nuk kërkon dorëheqje. Thjesht të thotë që faji është i tjetrit dhe partia vazhdon punën si zakonisht: humbje pas humbjeje, ëndërr pas ëndrre, monument pas monumenti.
Nuk del njeri të thotë: po mirë mor, Rama mund të vjedhë prapë. Ne pse jemi aty? Pse nuk ia bëjmë të pamundur vjedhjen Ramaduros?

Kështu PD-ja sot është bërë si një muze politik: i hapur çdo ditë, i pasiguruar, me dritare të plasaritura, që nga koha e kryengritjes së jeniçerëve kundër uzurpatorit të fronit të sulltanit, Bashës. E mbani mend besoj sulmin me hunj dhe flakadanë, me shkallë dhe gurë, për të marrë me sulm selinë që të gjithë e quajnë SHQUP, por që në fakt është vendi ku është vendosur monumenti. Dhe që në hyrje qëndron e shkruar me gërma të arta: “Mos prek monumentin. Ai mban tavanin.”

Dhe demokratët vazhdojnë të ëndërrojnë: ose Rama të zgjohet një mëngjes e t’u japë pushtetin, ose monumenti të lëvizë vetë. Deri atëherë, PD mbetet një muze me shpresë, një estradë si ato që bëheshin dikur në çdo rreth, një parti me dy ëndrra dhe një realitet që nuk lëviz. Sepse në PD çdo gjë mund të ndryshojë… përveç asaj që duhet të ndryshojë.

The post Monumenti i paprekshëm dhe ëndrrat e pamundura first appeared on JavaNews.al.

SPAK TV: Kërkesa e kohës për shqiptarët

8 December 2025 at 16:30

Nga Thoma Gëllçi

Fejton

Anëtari më potent i Këshillit Drejtues, fyellisti legjendar Aman Vula, atë mëngjes ishte zgjuar më i freskët se kurrë, me sytë që i shkëlqenin si të një reformatori të lindur vonë. Në gjumë i kishte ardhur një ide kaq brilante, kaq epokale, sa ishte i bindur se do ta fuste përgjithmonë në historinë e transformimit të Radio Televizionit, jo me klarinetë, por me vizion. I trembur se mos i humbte ndonjë grimcë të frymëzimit hyjnor, ai u ul menjëherë të shkruante, me bindjen e plotë se reforma e madhe po niste pikërisht aty: mbi tavolinën e tij të mëngjesit, mes filxhanit të çajit dhe lapsit të shënimeve që ende mbante erë ambicie.

Shkroi rreshtin e parë: Fjala e fyellistit Aman Vula në Këshillin Drejtues.

U mendua pak dhe pastaj pena i rrodhi lirshëm: Zoti Kryetar, kolegë të nderuar, dhe ju të tjerët që vazhdoni të merrni pjesë në mbledhjet e Këshillit sepse ju pëlqen honorari mujor dhe nuk doni t’ia hiqni vetes, kam një propozim që do t’i japë institucionit tonë rilindje më të madhe të historisë së vet: të mbyllim RTSH Agro dhe të hapim SPAK TV.

Lidhur me RTSH Agro, argumentin e kam të thjeshtë: në një vend ku lopët kanë marrë azil politik në Gjermani, ku dhitë janë bërë rezidente në Zvicër, dhe ku fermeri i fundit ka hapur një qebaptore në Alaska, nuk ka logjikë të ekzistojë një televizion bujqësie. Do të ishte si të mbaje një kanal për astronautë në një vend ku nuk kemi as autobusë, por vetëm furgona.

Ndaj RTSH Agro duhet mbyllur, qetësisht, pa zhurmë, pa bujë, siç mbyllen të gjitha gjërat që nuk i shikon askush.
Dhe kjo na çon te projekti im madhor:
SPAK TV — kanali që do të edukojë kombin përmes frikës, rrjedhjeve dhe nostalgjisë së drejtësisë së viteve ‘80.
E dini vetë që SPAK-u është përpjekur fort të ndërtojë një nam të ri. Ka bërë përpjekje, duhet pranuar. Ka hedhur në media përgjime të selektuara duke e bërë më mirë se kushdo tjetër punën e reporterit të kronikës së zezë. Ka nxjerrë copa dosjesh si në pritjet me finger food: na jep vetëm aq sa të na ngjallë oreksin, por kurrë që të na ngopë plotësisht.

Por, me gjithë këto përpjekje, duhet thënë me sinqeritet institucional: SPAK-un e pengon historia.
Jo historia e “antikorrupsionit”, jo.
E pengon ajo historia tjetër, ajo e viteve kur Hetuesia e Përgjithshme dhe Sigurimi i Shtetit nuk kishin nevojë për rrjedhje në portale. Atyre jo vetëm u rridhte dosja, por edhe dëshmitari, edhe fshati, edhe historia.
Pra, në krahasim me Sigurimin e Shtetit, SPAK-u është ende praktikant.
Ka shumë për të mësuar.

Prandaj programi kryesor i SPAK TV do të jetë: “Të mësojmë nga përvoja e Hetuesisë së Përgjithshme dhe Sigurimit të Shtetit”. Një cikël i plotë programesh që do ta udhëheqë analisti i shquar që e kemi në mes tonë dhe ka si moto: “Populli kërkon ndëshkime dhe arrestime dhe jo drejtësi”, ku prokurorët e sotëm të mësojnë se si denigrohet individi përpara gjyqit në mënyrë profesionale, si ndërtohet perceptimi publik pa pasur asnjë provë të plotë, si manipulohet opinioni në mënyrë më efektive sesa me tre faqe të shkëputura në media, si të përdoret fjala “dyshohet në mënyrë të arsyeshme” me forcë të tillë sa të tingëllojë si “është fakt”.
Në vitet e shokut Enver, kjo punë bëhej me plan dhe me normë. SPAK-u ende s’e ka arritur atë nivel operativ.
Në fakt, edhe pse SPAK sot ka një normë suksesi të lavdërueshme , ( gjykata i jep pothuajse gjithmonë atë që kërkon ) përsëri nuk ka arritur në nivelin legjendar të hetuesve të dikurshëm, të cilët arrinin rezultate të jashtëzakonshme: një gjykatë popullore që, të rralla ishin rastet, po po, por ama kishte raste që kthente dosjen mbrapsht për përmirësim.

Por të mos harrojmë se SPAK e ka tejkaluar punën e organeve të diktaturës së proletariatit në demaskimin e armikut të klasës. Atëherë Dega e Brendshme mezi i mblidhte njerëzit në një sallë, dhe salla aq nxinte e shumta dyqind apo treqind veta; tani demaskimi mund të bëhet më i suksesshëm me SPAK TV sesa duke shitur të dhënat e dosjeve andej-këtej nëpër portale. Unë propozoj me modesti që një emision i përnatshëm nga analisti Puçi të titullohet: “Armiqtë në litar!”, i cili do të merret pikërisht me këtë temë.
Një horizont i pamatë hapet edhe për sektorin e serialit që propozoj ta ngremë në strukturën organizative të këtij televizioni, i cili do të jetë përgjegjës për gjithë prodhimet seriale. Unë propozoj ta nisim me serialin tonë më të ri: “Afermëndsh”.
Çdo episod tregon një histori ku:
– SPAK kërkon masë
– Gjykata thotë: Afermëndsh!
– Avokati më pas pyetet për komente, por mikrofoni ndërkohë është fikur.
Seriali do të ketë sezone pa fund, sepse materiale ka pafund.
Dhe publiku do të thotë:
“Ah, më në fund një kanal që flet hapur për drejtësinë tonë moderne, jo për atë teorike që lexojmë në Kodin e Procedurës Penale apo në Kushtetutë.”
A e mendoni, zotërinj, se si do të rritet audienca, kur në ekran të dalin vibratore, brekë dhe sutjena, dashnore dhe dashnorë?

Në SPAK TV, përveç serialeve dhe emisioneve demaskuese, do të hapet edhe një cikël modern kursesh televizive për prokurorët, të cilët, siç thotë populli, “janë të vullnetshëm, por nuk e kanë kapur akoma lapsin si duhet”. Kursi bazë do të quhet “Shkrim e Këndim për Prokurorët e Shekullit XXI”, ku do të mësohet radhitja e fjalisë, ndarja e paragrafit dhe arti i rrallë i përdorimit të presjes pa shkaktuar arrestime të panevojshme. Ndërsa në fundjavë, për të rritur ndërveprimin me publikun, do të zhvillohet konkursi kombëtar “Gjeni Gabimin!”, ku shikuesit do të sfidojnë njëri-tjetrin të gjejnë gabimet logjike në aktakuzat dhe pretencat e SPAK-ut. Fituesi i javës do të marrë çmimin prestigjioz “My Brother Aleksander”, ndërsa vetë prokurorëve do t’u jepet një bonus motivues: privilegji për ta ripunuar tekstin pa u fact-check-uar nga gjykata.

Zonja dhe zotërinj të Këshillit Drejtues! SPAK TV nuk është thjesht kanal.
Është filozofi e re mediako-juridike.
Është mënyra më e mirë për t’i bërë qytetarët të ndihen pjesë e drejtësisë. Nuk ka pse të ashtuquajturit “gazetarë të kronikës së zezë” ose si u pëlqen ta quajnë veten “gazetarë investigativë” të marrin meritat për punën e palodhur të prokurorëve.
Por më kryesorja është: përse ta lëmë gjykatën të vendosë, kur mund ta vendosë publiku që në episodin e dytë?
SPAK TV është e ardhmja.
RTSH Agro është e shkuara.
Fermerët kanë ç’të shohin aty ku janë — në Greqi, Itali, Angli, Belgjikë dhe gjetkë.
Lopët janë në Irlandë.
Dhitë në Itali.
Të vetmit bagëti që kanë mbetur këtu jemi ne në këtë mbledhje, duke u përpjekur të drejtojmë një institucion që kërkon spektakël, jo logjikë.
Dhe spektaklin do t’ua japim.
Aman Vula vuri pikë në fund të fjalës dhe, i kënaqur me sa kishte shkruar, mori në dorë fyellin.

The post SPAK TV: Kërkesa e kohës për shqiptarët first appeared on JavaNews.al.

Morali i shkatërruar i qeverisjes

4 December 2025 at 16:01

Nga Thoma Gëllçi

Pezullimi nga detyra i zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, pas akuzave të ngritura ndaj saj për shkelje të barazisë në tendera, ka hapur një debat shumë më të thellë sesa vetë rasti penal. Nuk është fjala më për një çështje individuale, por për një simptomë të një sëmundjeje të vjetër: moralin e shkatërruar të qeverisjes në Shqipëri.

Në çdo vend me standarde minimale të etikës publike, një zyrtar i lartë, sapo vihet nën hetim për çështje që lidhen me abuzimin e pushtetit, largohet vetë nga detyra për t’i hapur rrugë hetimeve të pavarura, pa presion politik, pa alibi procedurale dhe pa u fshehur pas imuniteteve të pushtetit. Dorëheqja nuk përbën pranim fajësie, por respekt për institucionet dhe për publikun të cilit i shërben.
Në Shqipëri, kjo kulturë përgjegjësie mungon. Në vend të reflektimit, zgjidhet përplasja; në vend të moralit, ngrihet muri i politikës.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama pas vendimit të Gjykatës së Posaçme ,duke e çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe duke argumentuar se pezullimi i një ministri “bllokon gjithë dikasterin” , e zhvendos debatin nga thelbi në periferinë e tij. Pse duhet të arrijmë deri në pezullim gjyqësor që një zyrtar i lartë të largohet nga detyra? Pse duhen interpretime juridiko-administrative për të zëvendësuar një akt të thjeshtë etik? Dhe mbi të gjitha: si ka mundësi që një ministri e tërë të jetë kaq e personalizuar sa funksionimi i saj të varet nga një individ i vetëm?

Argumenti se një ministri “bllokohet” kur ministri pezullohet, është pranim i një tjetër problemi të madh: kapja totale e administratës nga politika, mungesa e strukturave funksionale dhe centralizimi i frikshëm i vendimmarrjes. Në një shtet normal, ministria nuk ndalet sepse ndalet ministri. Në një shtet normal, ka zëvendës, sekretarë të përgjithshëm, hallka të ligjshme që garantojnë vazhdimësinë. Në një shtet normal, kriza e një individi nuk kthehet në krizë të institucioneve.

Por Shqipëria po përjeton pikërisht këtë: personalizim të pushtetit, dobësim të institucioneve dhe relativizim të përgjegjësisë. Mbi të gjitha, po përjeton mungesën e një morali minimal në qeverisje , moral që vendos vijën mes pushtetit dhe shtetit, mes interesit publik dhe interesit privat, mes përgjegjësisë dhe arrogancës.

Sot nuk ka rëndësi se çfarë thotë njëra palë apo tjetra, se çfarë interpretimi juridik i jepet një vendimi gjyqësor apo se sa gjatë do të zgjasë procesi. Rëndësi ka një e vërtetë e qartë: deri kur në Shqipëri zyrtarët e lartë do të vazhdojnë të mbahen pas karriges deri në sekondën e fundit, edhe kur kjo karrige është nën hijen e hetimeve?

Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje tregon nivelin e moralit të qeverisjes. Dhe pikërisht ky nivel është sot i rrënuar. Derisa të rikthehet kultura e përgjegjësisë, derisa dorëheqja të shihet si akt dinjiteti e jo si dobësi, derisa administrata të jetë e fortë dhe institucionet të jenë më të rëndësishme se individët, Shqipëria do të vazhdojë të jetojë në paradoks: me ligje të shkruara bukur dhe me moral politik të shkatërruar.

Ky është problemi i vërtetë. Dhe kjo është arsyeja pse çdo debat rreth “kompetencave”, “pezullimeve”, apo “interpretimit kushtetues” është vetëm një tentativë për të shmangur thelbin: qeverisja pa moral çon në krizë jo vetëm një ministri, por gjithë shtetin.

The post Morali i shkatërruar i qeverisjes first appeared on JavaNews.al.

Kali i ngordhur i mbretit

22 November 2025 at 17:46

Nga Thoma Gëllçi

Përrallë

Na ishte sec na ishte! Në një mbretëri të vogël buzë detit, ku shumë gjëra ndryshonin çdo ditë por gjithçka mbetej njësoj, sundonte një Mbret i cili njihej në tërë botën e vogël ballkanike për një tipar të padiskutueshëm: ishte më i madhi nga të gjithë mbretërit rreth e rrotull. Ka që thonë se kur ai ngrihej në këmbë, hijet e pemëve lëviznin për t’i lëshuar vendin. Ka të tjerë që betohen se në ditë me mjegull, njerëzit e ngatërronin me një minare. Zogjtë, për respekt, fluturonin gjithnjë më ulët se gjatësia e tij.

Mbreti kishte një kalë, një kafshë të famshme që ishte bërë simbol i fuqisë së tij. Një kafshë që e donte me shpirt, sepse ky kalë i bindur i jepte Mbretit ndjenjën se ai sundonte jo vetëm pallatin, por edhe natyrën. Kali ishte aq besnik, sa nuk bënte asgjë që i ndalonte Mbreti, edhe kur kishte tepër uri. Ishte apo nuk ishte Mbreti pranë, ai e kishte meritën të mos hante as kumbulla dhe as dardha edhe kur Mbreti nuk e kishte mendjen.

Njerëzit thoshin se kali e njihte zërin e Mbretit aq mirë, sa kur ai fliste, kali e ulte kokën si shenjë respekti. Dhe kur Mbreti heshtte, kali rregullonte frymëmarrjen për të mos prishur qetësinë mbretërore. Bile kali merrte me mend edhe çfarë mendonte Mbreti dhe bënte gjënë e duhur edhe pa ia kërkuar.

Të gjithë mbretërit përreth, nga malet në veri tek fushat në jug, e kishin zili këtë kalë. Disa thoshin: “Sikur ta kishim dhe ne një të tillë, as truproja s’do të na duhej më.”

Mirëpo një mëngjes, ndërsa Mbreti ishte duke planifikuar mbretërinë për vitin 2030 (sepse përse të mendosh për sot, kur mund të sundosh edhe të martën e pas dhjetë vjetëve?), stallerët e pallatit u futën në dhomë duke u dridhur. Në fillim nuk flisnin dot. Më pas tentuan të flisnin, por u doli vetëm një ofshamë. Dhe më në fund, njëri prej tyre, i cili ishte më i guximshmi nga frikacakët, tha:
— Madhëri… kali… pra, kali juaj… duket se është… pak… shumë… i palëvizshëm.

Mbreti ngriti vetullën, gjë që e bënin vetëm ata që guxonin.

— Palëvizshëm? Kali im nuk është palëvizshëm. Mos është sëmurë kali im?

Por kur një vështrim në stallë ia tregoi realitetin e ftohtë (dhe pak të rëndë në nuhatje), Mbreti, në një frymë aristokratike, deklaroi:
— Të thirren doktorët!

Mbreti nuk mund të pranonte këtë fenomen të zakonshëm të botës së gjallë. Ai thirri në pallatin e tij të artë doktorë, shkrimtarë, poetë, piktorë, astrologë, këshilltarë, analistë të paguar dhe disa gazetarë oborrtarë që kishin zakon t’u flisnin qytetarëve rreth Mbretit.
Të gjithë u mblodhën rreth kalit të shtrirë: disa mbanin frymën, të tjerë mbanin hundët, disa të tretë mbanin buzëqeshjen që u kërciste nga sforcimi.

Shkrimtari i parë, mjeshtër i lavdisë, foli i pari:
— Madhëri, kali juaj është në një fazë të thellë reflektimi. Ai ndodhet në një gjendje filozofike ku trupat thjesht pushojnë për të rigjeneruar shpirtin.

Piktori më i kërkuari i pallatit, i cili gjithmonë i bënte portretet e Mbretit më të rinj, më të bukur dhe më të gjatë seç ishte në të vërtetë, tha:
— Kali juaj është një vepër arti në qetësi absolute. Me pak dritë të ngrohtë dhe një kadife blu, ai duket sikur do të niset vrap. Kjo provon se energjia e tij është këtu me ne.

Astrologu, që mbante gjithmonë një tub me yje të pikturuar, theksoi:
— Madhëri, yjet kanë folur. Kali juaj është në një tranzicion galaktik që kërkon qetësi.

Gazetari i pallatit, që kishte shkruar 57 artikuj se si gjithçka në mbretëri shkonte mrekullisht mirë, shpalli me zë kumbues:
— Këtu kemi një fenomen sa politik, aq edhe shkencor edhe letrar. Sipas të gjitha burimeve të mia, kali është në një periudhë pushimi, për t’u kthyer edhe më i fortë.

Mbreti i dëgjoi të gjithë dhe, i lehtësuar, urdhëroi:
— Ngrijeni kalin në këmbë! Rregulloni shalën! Ndezni dritat! Këndoni këngë! Rroftë kali!

Dhe njerëzit, të mësuar të shikonin teatrin e pallatit si strehë nga monotonia e përditshme, festat i kishin qejf.

Por ditët kalonin… dhe me to edhe turma filloi të rrallohej. Në fillim u larguan ata që kishin hundë të forta, pastaj ata që s’kishin fare nerva, e më në fund edhe ata që deri dje betoheshin se “çdo gjë është çështje perceptimi”.

Era e keqe e kalit u bë më e famshme se vetë Mbretëria , madje disa udhëtarë të huaj tregonin se aromën e ndjenin që nga kufiri, sikur të ishte ndonjë shenjë hyjnore për të marrë arratinë më shpejt.

Njerëzit e thjeshtë nisën të mbanin hundët me dorë nga mëngjesi deri në darkë. Fillimisht dukej si një lëvizje e vogël spontane: një grua në treg, një burrë te furrtari, një fëmijë te shatërvani. Pastaj u kthye në modë.

Të gjithë rrinin rrotull kalit me duar në hundë, sikur ishin pjesë e ndonjë festivali të çuditshëm ku çmimi i parë ishte: “Kush rri më gjatë pa u alivanosur”.

Dhe kur edhe kjo metodë dështoi, secili nisi të bëjë valixhen. Në fillim ikën disa familje drejt mbretërive fqinje ,duke pretenduar se po shkonin për “pushime të shkurtra”. Pastaj ikën edhe disa të tjerë drejt perandorive të largëta , me justifikimin se “klima u përkeqësua”.
Me kalimin e ditëve, rruga kryesore u mbush me njerëz që tërhiqnin valixhe, çanta, karroca, qentë, macet dhe kush e di çfarë tjetër, duke lënë mbretërinë më bosh se një stadium pas mbarimit te ndeshjes.

Dita-ditës mbretëria boshatisej. Njerëzit iknin me valixhe nëpër duar, ndërsa oborri vazhdonte t’i këndonte kalit të ngordhur sikur ishte ende gjallë. Në fund, në sheshet e zbrazura mbetën vetëm era e rëndë dhe zhurma e valixheve që largoheshin.

Thuhej se pothuajse gjysma e popullsisë ishte zhdukur “me shpejtësinë e erës”… edhe pse, të themi të drejtën, ishte aroma ajo që i shtyu.

Dhe kështu mbretëria mbeti me kalin e ngordhur në mes të sheshit, me oborrtarët që këndonin, dhe me një erë që nuk po largohej.

The post Kali i ngordhur i mbretit first appeared on JavaNews.al.

Kronikë diplomatike nga Viena

20 November 2025 at 16:48

Nga Thoma Gëllçi

Në aeroportin ndërkombëtar të Vjenës, në atë hapësirën e ftohtë ku era nuk pyet nëse ke kollare apo kapele, zbriti Presidenti i Republikës së Shqipërisë, vetë zoti Bajram Begaj. Ishte një mëngjes i kthjellët dhe i ftohtë.

Presidenti i hodhi sytë majtas e djathtas, me atë pritshmërinë e brendshme që vetëm funksionarët e lartë e njohin. Shpresonte që dikush të ishte aty. Qoftë një protokollist, një shofer, ndonjë punonjës me tabelë në dorë, apo edhe ndonjë shqiptar rastësor që punonte bagazhet. Të mos zbriste kot, siç bëjnë njerëzit e zakonshëm.

Dhe atëherë, në fund të shkallëve, ai e pa.

Fate Velajn. Ambasadorin. Qëndronte aty si statujë e improvizuar prej ngrice diplomatike, me duart në xhepa dhe mëngjesin e ngrënë me nxitim në sy.

Presidenti u ndal dhe buzëqeshi, atë buzëqeshje që politikanët e ruajnë për ceremoni të mëdha.

— Fate, je ti? – pyeti Presidenti.

— Unë jam, zoti President, tha Fate, jo aq me përunjësi në mënyrë që të të dëshmonte se “Shefi im është edhe shefi yt”.

Presidenti e kapi për krahësh
— Erdhe posaçërisht për mua? — pyeti ai me atë ëmbëlsi .

Fate ngriti supet me elegancë.
— Sigurisht. Thashë me vete: nëse Presidenti i Shqipërisë vjen në Vjenë dhe nuk e pret askush në pistë, atëherë diplomacia jonë do duket… tepër profesioniste.

Presidenti qeshi.
— Faleminderit, Fate. E vlerësoj shumë. Jam i nderuar që një vartës im më pret me këtë përkushtim…

Ishte ajo fjala “vartës” që rëndoi lehtë në ajër, si borë që nuk vendos nëse të shkrihet apo të ngurtësohet. Fate përsëri mendoi me shpejtësi: “Shefi im është edhe shefi yt.”

Megjithatë, u fotografuan.
Njëri me kapelë, tjetri me kollare.
Mbrapa, avioni austriak, i cili as nuk e dinte se po bëhej sfond i diplomacisë shqiptare.

Presidenti fliste pa pushim për çështjet e mëdha të Europës, për marrëdhëniet strategjike, për integrimin. Ambasadori Fate Velaj dëgjonte me kokën që lëvizte butë, me atë lloj respekti që burrat shfaqin kur u kërkohet të dëgjojnë histori të gjata, por ora e tyre është ndalur te “boarding in 12 minutes”. Pastaj Presidenti foli për politikën austriake, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rolin e diplomacisë shqiptare në kryeqytetin perandorak.

Ata të dy ,Presidenti dhe Fate ambasadori , qëndruan në pistë dhe biseduan me një seriozitet akademik për çështjet më të mëdha të kohës: Europën, Austrinë, bashkëpunimin strategjik, dhe pastaj, natyrshëm, ranë tek drama universale e njerëzimit: vendi i këmbëve në avion. Presidenti u ankua se sedilja e tij ishte aq e ngushtë sa i dukej sikur Europa po e ngjeshte integrimin fizikisht. Fate, me fytyrë tragjike, shtoi se Austria e ka harruar mikpritjen e dikurshme dhe tani të jep vetëm ajër të kondicionuar falas. Pastaj të dy bashkuan kokat mbi misterin më të madh të shekullit XXI: pse askush nuk të sjell më një shishe ujë falas në fluturime të shkurtra. Në fund, dolën në përfundimin se kjo, më shumë se çdo gjë tjetër, ishte arsyeja pse duhej thelluar bashkëpunimi mes dy vendeve ,për t’i rikthyer dinjitetin hidratimit njerëzor.
Ndërkohë, një punonjës i aeroportit u afrua dhe tha me ton të mbytur:
— Ju lutem, mos bllokoni shkallët e avionit. Ka pasagjerë që presin.

Dy burrat e shtetit lëvizën dy hapa majtas dhe vazhduan bisedën e tyre madhore qe në mënyrë të pěrmbledhur mund ta lexoni tek njoftimi i Ambasadës Shqiptare të Vienes.

 

The post Kronikë diplomatike nga Viena first appeared on JavaNews.al.

Fatos Nano dhe fryma e lirisë në një kohë burgimesh

31 October 2025 at 16:25

Në kujtim të një njeriu që e mbajti politikën shqiptare në kufijtë e arsyes 

Nga Thoma Gellci 

Sot u nda nga jeta Fatos Nano — ish-kryeministër dhe një nga figurat më të rëndësishme të viteve të vështira të tranzicionit shqiptar. Me largimin e tij mbyllet një faqe e politikës sonë që për shumë njerëz lidhej me përpjekjen për t’i dhënë vendit një politikë të arsyes, të debatit dhe të qytetarisë, jo thjesht të pushtetit.

Ishte pranvera e vitit 1992, menjëherë pas zgjedhjeve të 22 marsit. Shqipëria po futej në epokën e parë të ndërrimit të pushtetit me votë. Në atë kohë Fatos Nano më thirri në zyrën e tij si kryetar i Partisë Socialiste, që sapo po ngrihej nga rrënojat e Partisë së Punës. Klima ishte e zymtë — entuziazmi i rënies së komunizmit po zëvendësohej nga ndarjet, përjashtimet dhe hakmarrjet. Por Nano fliste ndryshe. Ai kërkonte hapje, reformë dhe kulturë politike.
Më propozoi të merrja drejtimin e “Zërit të Popullit”, një gazetë që duhej të rilindej, pa frymën e vjetër partiake. Ishte një veprim i guximshëm për atë kohë: të vendosje një gazetar të ri, pa përvojë të madhe e pa lidhje me partinë, në krye të organit të saj zyrtar. Aty shihej qartë besimi i Nanos tek e reja dhe tek ndryshimi.

Në ato muaj, Nano solli një frymë që më pas nuk është parë shpesh në politikën shqiptare — frymën e lirisë që buron nga kultura, jo nga pushteti. Ai e donte shtypin si vend debati, jo si megafon partie; dhe opozitën si kontroll demokratik, jo si armik.
Por shumë shpejt gjithçka ndryshoi. Në verën e vitit 1993, Fatos Nano u arrestua me akuza politike. Ishte një akt hakmarrjeje që shënoi një kthesë të errët për vendin. Ai u burgos, por nuk u thye. Nga burgu dërgonte letra plot reflektim, humor dhe këshilla për miqtë e tij në parti. Fillonin me fjalët “I dashur vëlla” dhe mbylleshin me ndonjë batutë të hollë që vetëm ai dinte ta bënte.
Dy ditë pas arrestimit të tij, më morën edhe mua nga zyra e gazetës dhe më dërguan në burgun 313, bashkë me disa funksionarë të tjerë të Partisë Socialiste. Për mua zgjati pak, por për të zgjati vite. Burgosja e tij u bë simbol i mungesës së drejtësisë dhe i politikës së hakmarrjes që mbolli tranzicioni.

Kur doli nga burgu pas gati katër vjetësh, Nano ishte më i pjekur dhe më i qartë në vizionin e tij. Ai e reformoi Partinë Socialiste dhe në vitin 1997 e ktheu sërish në pushtet. Historia i dha të drejtë: nuk kishte qenë armik i shtetit, por një njeri që kishte paguar me lirinë e vet për idenë e lirisë.
Për ata që e njohën nga afër, Fatos Nano do të mbetet njeriu i dialogut, i kulturës dhe i ironisë së zgjuar — asaj që nuk të fyen, por të bën të mendosh. Ai e dinte kufirin e pushtetit dhe besonte se një vend ecën përpara vetëm kur njerëzit mund të flasin lirshëm, edhe për ata që nuk i duan.
Sot, kur emri i tij kalon nga lajmet në histori, ajo që mbetet është fryma që la pas: kujtimi se edhe në kohë burgimesh, mund të ketë liri. Dhe se kjo frymë, më shumë se çdo pushtet, është ajo që i jep kuptim politikës.
Lamtumire i dashur kryetar!

The post Fatos Nano dhe fryma e lirisë në një kohë burgimesh first appeared on JavaNews.al.

Ëndrrat e një nate vjeshte

28 October 2025 at 08:19

Nga Thoma Gëllçi

Sali Berisha, kryetari i përjetshëm i Partisë Demokratike, është një rast unik në Shqipëri: një përzierje midis monumentit historik dhe pajisjes së karikueshme politike. Kur ai u ul për herë të parë në kolltukun e PD-së, Ramiz Alia ishte ende president, komunizmi sapo kishte ndërruar emër dhe njerëzit s’kishin mbaruar ende radhën për vajguri. Që atëherë kanë kaluar tridhjetë e pesë vjet, gjatë të cilëve Amerika ka ndërruar shtatë presidentë, nga Bushi i vjetër e deri te Donald Trump; Greqia ka ndërruar dymbëdhjetë kryeministra, Italia plot shtatëmbëdhjetë, Serbia pesëmbëdhjetë, Maqedonia trembëdhjetë, ndërsa PD-ja vetëm një — dhe ai s’është në qeveri, por në mendjet tona, çdo ditë nga një konferencë shtypi. Dhe megjithëse 82-vjeç, deklaroi se do të kandidojë për një mandat tjetër për kryetar i PD-së, për ta udhëhequr atë në pesë vitet e ardhshme, duke synuar që pas katër vjetësh të fitojë zgjedhjet dhe të jetë kryeministri i ri i Shqipërisë.

Njerëzit ndërrojnë flokët, dhëmbët, madje edhe fe, por PD-ja s’e ka ndërruar kurrë kryetarin. Edhe kur ka eksperimentuar duke paraqitur ndonjë figurant, dihej nga të gjithë që kryetari real i partisë ishte Sali Berisha. Kanë ndryshuar vetëm vitet, fotoja në pasaportë dhe toni i zërit. Ai që dikur fliste për pluralizëm, tani flet për “ringritje”. Ai që dikur thoshte “poshtë komunizmi”, tani thotë “poshtë rilindja” — por me të njëjtin zë, të njëjtin shikim, të njëjtin dorëshkrim në deklarata. Por sot nuk përdor më atë makinën e shkrimit që ndoshta ia dhuroi Ramizi për të shkruar programin e fjalimit që do të mbante para studentëve protestues si i dërguar i presidentit Alia.

Një natë, pas gjithë këtyre viteve, Doktori Berisha po bënte një gjumë të trazuar. Një gjumë që nuk të çlodh, por të zbulon ëndrra që nuk do të doje t’i shihje. Ëndrra e parë ishte e tillë sa që rrotullohej në krevat dhe nxirrte zëra të pakuptimtë: Jorida Tabaku, e zgjedhur kryetare e Bashkisë së Tiranës.

Skena ishte e tmerrshme — njerëzit brohorisnin “Jorida, Jorida!”, dhe ai shikonte i mpirë sesi, pas fitores, ajo ftonte të rinjtë e PD-së për një takim në seli. Një rreth i ri, energjik, me njerëz që s’kishin lindur ende në 1991. Një brez pa frikë, pa kujtime, pa fraksione, pa borxhe — pra, një brez i rrezikshëm. Djersa e ftohtë i përshkoi shpinën. U zgjua. Pa orën — tre e mëngjesit. “Faleminderit Zot që ishte ëndërr,” pëshpëriti. “Në këtë parti, ëndrrat duhen kontrolluar mirë që të mos dalin.”

Por gjumi është gjumë: nuk të pyet. Sapo u kthye në anën tjetër, një ëndërr tjetër i ra mbi kokë, edhe më e keqe se e para. Këtë herë në garë ishte Ilir Alimehmeti. Fushata e tij kishte fituar me rezultat plebishitar. Bashkia e Tiranës ishte fituar nga demokratët dhe kryetar ishte zgjedhur Ilir Alimehmeti!

Turma e mbledhur te selia duartrokiste dhe brohoriste: “Doktori! Doktori!” Një moment u kënaq sepse kujtoi se thirrjet ishin për të, por kur pa në tribunë, ishte doktor Ilir Alimehmeti. Pastaj ëndrra u shua. Akoma më keq — në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, ku Alimehmeti zgjidhej njëzëri kryetar i PD-së. Njëzëri! Pa debat, pa sherre, pa “grupe pune”. Një tmerr demokratik! Berisha u ngrit në këmbë, kapi jastëkun si flamur dhe tha me zë të lartë: “Jo! Jo pa luftë! Jo pa protestë!”

I doli gjumi. “O Zot, shyqyr që ishte ëndërr,” tha për herë të dytë, por menjëherë trupi iu vu në një alarm të madh: po sikur ky aktori Florian Binaj, që kishte vendosur ta mbështeste në kandidaturën për kryetar të Bashkisë së Tiranës, papritur të fitonte?! Ç’do të bëhej?!

Dhe si çdo udhëheqës që ka frikë nga ëndrra, vendosi të mos flinte më. U ul në tavolinë dhe filloi të hartonte planin e shpëtimit. Në asnjë mënyrë nuk duhej që pushteti i kryetarit të Partisë Demokratike të rrezikohej! Një fitore e Binajt për kryetar bashkie do të nxirrte një figurë të re për kreun e PD-së. Apo s’janë të rrezikshëm këta aktorët? Aq më tepër ata komikët! Ja, shiko rastin e Zelenskit — nuk kënaqen me role dytësore dhe duan patjetër të jenë në rolin kryesor.

Mori një letër, një laps blu dhe filloi të shkruante:

“Zgjedhjet u vodhën. Do ngrihemi në protesta të fuqishme! Në protestat më të mëdha që ka bërë ndonjëherë Partia Demokratike që nga viti 1990! Dhe tani kemi një shkak: kemi raportin e grupit monitorues të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet që u bënë më 11 maj.

Nuk u ngritëm në verë për protesta se ishte vapë.

Nuk u ngritëm në vjeshtë se filluan shkollat.

Nuk u ngritëm në tetor se kisha ditëlindjen — edhe unë, edhe shoku Ramiz.

Dhe në nëntor do të respektojmë muajin e pavarësisë.

Por ama në dhjetor do të bëjmë namin! Të gjithë në protesta!

Tani që doli raporti i OSBE-së, do ngrihemi në dimër — dimri është stina e revolucioneve!”

Fjalët i dilnin vetvetiu. E imagjinonte veten në tribunë, me turmën që brohoriste:

“Faqja 14 e raportit! Zgjedhjet ishin të lira, por nuk ishin të ndershme!”

“Faqja 25! U përdorën mjete shtetërore atje ku s’përdorëshin dot mjete të tjera!”

Demokratët e Librazhdit ishin dashuruar me faqen 4. Ata të Fierit ngriheshin për faqen 6. Shkodra, Tropoja dhe Korça bashkoheshin në një manifestim biblik për faqen 9, ku OSBE shkruante: “Procesi u zhvillua përgjithësisht qetë, por me shqetësime.” Të gjithë pensionistët e Shqipërisë, të cilëve pensioni s’u dilte as për ilaçe, ishin ngritur në këmbë dhe lexonin faqen 12 të raportit: “Qeveria garantoi zgjedhje të lira, por përdori mjetet e saj për zgjedhje”; shoferët s’e kishin më hallin e çmimeve të karburantit, por gjithçka sillej rreth punës së medias në fushatën zgjedhore, e cila “në përgjithësi ishte e ekuilibruar, por pati edhe raste kur nuk ishte e ekuilibruar”; të sëmurët që vuanin nga mungesa e ilaçeve në spitale ishin të gjithë në këmbë dhe lexonin në kor rekomandimet për zgjedhjet e ardhshme!

Sa më shumë shkruante, aq më shumë e ndjente veten të frymëzuar. Në letër, Shqipëria po ngrihej në këmbë.

“Do të bllokojmë Parlamentin e hajdutëve!” – shkruante.

“Do të mbushim bulevardin me flamuj blu dhe nuk do të lëvizim derisa të bjerë qeveria!”

E ndërsa e përfytyronte atë valë njerëzish që lexonin raportin e OSBE-së, në kokë i vinte melodia e vjetër e “Demokracia fiton”.

Në atë gjendje mes gjumit dhe realitetit, nuk dihej më nëse po shkruante deklaratën për shtyp apo testamentin politik. Sepse, si çdo profet i lodhur nga epokat, Sali Berisha tashmë s’fliste më për pushtet, por për mision. Ai ishte bërë një qenie metafizike që lëviz midis realitetit dhe kujtesës, midis 1991-shit dhe çdo viti pas tij.

Kur drita e mëngjesit u përhap, ai u ndje më mirë. Ishte fitues. Kishte përballuar dy ëndrra dhe një raport OSBE-je pa u dorëzuar, si dhe kishte shkruar një fjalim që do të ngrinte masat në revolucion. Turmat e njerëzve të revoltuar, të ardhur nga çdo anë e Tiranës dhe nga gjithë qytetet e Shqipërisë, do të bllokonin rrugët dhe sheshet! Parlamenti i hajdutëve, i deputetëve ilegjitimë, i votave të vjedhura, do të bllokohej!

U ngrit, u la, u rrua, veshi këmishën e bardhë, kostumin blu dhe kravaten e kuqe — shenjat e një dite të madhe.

Në pasqyrë pa veten dhe buzëqeshi. “Ende këtu,” tha me zë të ulët. “Historia mund të ketë ndryshuar, por unë jam pjesë e saj që s’shkruhet kurrë me fund.”

Në dalje, mori telefonin dhe i tha sekretarës me ton solemn:

“Lajmëro anëtarët e kryesisë për mbledhje nesër në mëngjes. Lajmëro edhe mediat. Sot s’e bëjmë dot, se në dhjetë fillon seanca e Parlamentit dhe do të jemi në Parlament.”

Dhe doli.

Në rrugë, njerëzit kalonin me ritmin e zakonshëm të Tiranës, të pavetëdijshëm se po shihnin një njeri që kishte parë të gjithë presidentët e botës të vinin e të iknin. Një monument që ecën vetë, një bust që flet, një “kohë politike” që s’ka kaluar ende.

Në xhep mbante raportin e OSBE-së si libër të shenjtë, por në zemër mbante bindjen se do të mbetej gjithmonë kryetar — qoftë edhe në ëndërr, qoftë edhe pas ëndrrës. Dhe ndoshta, në fund të fundit, kjo ishte ajo që e trembte më shumë: se Shqipëria zgjohej çdo mëngjes, por ai ende flinte.

Epilog

Edi Rama u zgjua atë mëngjes i lagur nga djersa, sikur të kishte fjetur nën projektorët e ndonjë ekspozite të vetes së vet. Zemra i rrihte fort, sytë i kishin marrë një ndriçim të çuditshëm, si dritat e Galerisë së Arteve pas ndonjë ekspozite ku mungon publiku. Kishte parë një ëndërr. Një ëndërr të frikshme. Jo për ndonjë krizë ekonomike, as për ndonjë raport të OSBE-së — por për diçka shumë më të paimagjinueshme: Sali Berisha kishte dhënë dorëheqjen.

Në ëndërr, një konferencë shtypi që zgjati vetëm tre minuta. Berisha, me zë të qetë e pa mikrofon që fishkëllente, njoftonte: “E dashur Parti Demokratike, e kam çuar misionin tim deri në fund. Është koha të zgjidhet dikush i ri.”

Dhe e mbylli.

Kaq mjaftoi që ëndrra të kthehej në makth. Një grup të rinjsh po flisnin se si duhet të rinovohej politika e Shqipërisë. Dhe, në atë qetësi të rrezikshme, një e vërtetë i plasi si rrufe në tru: në të gjithë Evropën, politikani i vetëm që kishte qëndruar 25 vjet në pushtet, ishte ai vetë.

Në atë moment u zgjua.

“O Zot! Shyqyr që ishte ëndërr,” tha dhe u ngrit të shkonte në Parlament!

The post Ëndrrat e një nate vjeshte first appeared on JavaNews.al.

Mbyllja që forcon demokracinë dhe kartoni i shumicës që e zbraz nga kuptimi

26 October 2025 at 09:51

Nga Thoma Gëllçi

Në Shtetet e Bashkuara, qeveria federale është mbyllur që nga 1 tetori 2025, sepse Kongresi nuk arriti të miratojë ligjet e nevojshme të buxhetit për vitin fiskal 2026. Pra, për 26 ditë me radhë, qeveria më e fuqishme në botë është ndalur pjesërisht, mijëra zyra janë mbyllur, punonjësit federalë nuk paguhen, dhe shumë shërbime publike po funksionojnë vetëm në minimum. Kjo është mbyllja e dytë më e gjatë në historinë amerikane, pas asaj të viteve 2018–2019. Arsyeja kryesore është përplasja mes republikanëve dhe demokratëve për mënyrën si do të shpenzohen paratë publike: republikanët duan të shkurtojnë programet sociale dhe shëndetësore, ndërsa demokratët kërkojnë të ruajnë ndihmat për shtresat më të varfra dhe të zgjatin kreditë tatimore që ulin kostot e sigurimit shëndetësor për qytetarët.

Edhe pse presidenti amerikan Donald Trump duket si njeriu më i fuqishëm në botë, që mund të bëjë ç’të dojë, në fakt ai ka përballë një sistem që i thotë: “Ndal, deri këtu!”
Në dukje, kur qeveria mbyllet, duket sikur shteti ka dështuar. Por në të vërtetë ndodh e kundërta — kjo tregon se pushteti nuk është në duart e një njeriu të vetëm. Çdo vendim duhet të kalojë nëpër debat, kundërshti dhe marrëveshje. Në Shtetet e Bashkuara, pushteti është ndarë në mënyrë që asnjë parti, edhe nëse ka shumicën, të mos mund të vendosë gjithçka vetë. Për të miratuar buxhetin apo ligje të rëndësishme, duhet të bisedojë dhe të gjejë një marrëveshje me opozitën. Nëse nuk e bën këtë, ligjet nuk kalojnë dhe qeveria mund të mbyllet, siç ndodhi edhe këtë herë.

Kjo është pjesë e qëllimshme e sistemit amerikan: askush nuk ka “dorë të lirë” mbi shtetin. Ky lloj kontrolli siguron që vendimet të mos merren vetëm nga një grup, por të kalojnë përmes debateve, përplasjes së ideve dhe kërkimit të kompromisit.
Në këtë mënyrë, pushteti nuk bëhet pronë e një partie, por mbetet i përbashkët.

Në Shqipëri ndodh e kundërta: kur një parti fiton zgjedhjet, ajo merr pothuajse gjithçka në dorë — qeverinë, parlamentin, institucionet dhe shpesh edhe kontrollin e informacionit. Opozita mund të flasë sa të dojë, por në fund vendos shumica, me ngritjen e kartonëve jeshilë. Kështu, çdo gjë kalon shpejt e pa pengesa, por edhe pa debat të vërtetë.

Pra, në Amerikë sistemi është ndërtuar që pushteti të ndalet kur duhet, ndërsa në Shqipëri është ndërtuar që të mos ndalet kurrë — dhe pikërisht aty qëndron ndryshimi midis një demokracie që frymon dhe një që rri në rresht.

Në Shqipëri, pas çdo zgjedhjeje parlamentare, njeriu që fiton – “njeshi”, siç e quajnë shpesh – bëhet praktikisht i plotfuqishëm. Ai kontrollon qeverinë, shumicën parlamentare, institucionet vartëse dhe shpesh edhe pjesë të drejtësisë e të administratës publike. Kur qeveria përgatit buxhetin, ai shkon në Kuvend si një formalitet.

Diskutimet në komisione ose në seancë plenare mund të zgjasin 24 apo 48 orë, por janë më shumë një maratone retorike sesa një përballjeje reale idesh. Deputetët e opozitës flasin për t’u dëgjuar në media, deputetët e mazhorancës lexojnë tekstet e përgatitura për të mbrojtur “sukseset e qeverisë”, dhe në fund, gjithçka përmbyllet me ngritjen e kartonëve jeshilë. Asnjë presje nuk ndryshohet nga buxheti i paraqitur. Ajo që qeveria ka vendosur që në fillim, ajo bëhet ligj. Parlamenti është thjesht një dekor, një skenë që i jep ngjyrë procedurës, por jo përmbajtje. Kjo është arsyeja pse shumë shqiptarë ndihen të përjashtuar nga politika – sepse e kuptojnë se, pavarësisht debateve, vendimi është marrë që në fillim.

Në sistemin amerikan, një ngërç i tillë si ky i tetorit 2025 mund të duket i lodhshëm dhe me pasoja për njerëzit e zakonshëm, por në thelb është një formë e kontrollit demokratik. Ai tregon se qeveria nuk mund të shpenzojë paratë publike pa miratimin e të dy palëve. Kjo mbyllje është pasojë e mungesës së kompromisit, por në të njëjtën kohë është edhe dëshmi e nevojës për kompromis. Ajo detyron palët të negociojnë, të dëgjojnë njëra-tjetrën, të kërkojnë pika të përbashkëta. Demokracia, në thelb, është arti i të jetuarit me mosmarrëveshje, jo i shuarjes së tyre me forcë. Nëse një palë do të kishte fuqinë absolute për të kaluar çdo gjë që dëshiron, nuk do të kishte më demokraci, por vetëm sundim shumice.

Në Shqipëri, mbyllja e qeverisë është e paimagjinueshme, sepse sistemi është ndërtuar mbi idenë se stabiliteti është më i rëndësishëm se balanca e pushteteve. Qeveria e ka shumicën, shumica e ka parlamentin, parlamenti i ka duartrokitjet. Dhe kështu, çdo buxhet kalon pa vështirësi, çdo ministër i qeverisë është i sigurt se fondet e tij do të miratohen pa kundërshti, çdo institucion që duhet të mbikëqyrë shpenzimet publike është i varur nga e njëjta forcë politike që i shpërndan ato. Kjo gjeneron një kulturë politike ku kompromisi shihet si dobësi, dhe ku opozita trajtohet si zhurmë, jo si pjesë e domosdoshme e procesit.

Nëse do të donim të mësonim diçka nga Amerika, do të ishte pikërisht kjo: një demokraci e vërtetë nuk matet me shpejtësinë me të cilën kalon ligjet, por me cilësinë e debateve që paraprijnë miratimin e tyre. Më mirë një qeveri që ndalon përkohësisht punën sepse po kërkon zgjidhje të balancuara, sesa një qeveri që ecën pa asnjë pengesë drejt vendimeve të parapërcaktuara. Mbyllja amerikane është e dhimbshme për punonjësit e shtetit, për familjet që presin paga dhe për qytetarët që varen nga shërbimet publike, por është edhe një provë se shteti nuk është pronë e askujt. Në Shqipëri, mungesa e një mekanizmi të tillë e bën buxhetin – dhe politikën në tërësi – pronë të një njeriu dhe të partisë së tij.

Prandaj, sado e çuditshme të duket, një mbyllje si ajo amerikane është simptomë e një sistemi që funksionon. Ajo tregon se pushteti nuk është mur i pakalueshëm, por mekanizëm që mund të ndalet, të sfidohet dhe të detyrohet të dëgjojë. Kur çdo gjë kalon pa zë, me duartrokitje të sinkronizuara dhe kartonë jeshilë në rresht, nuk kemi më debat, por regji. Në atë pikë, qeveria mund të jetë hapur, por demokracia është ajo që ka fikur dritat.

The post Mbyllja që forcon demokracinë dhe kartoni i shumicës që e zbraz nga kuptimi first appeared on JavaNews.al.

Mbi Zgjedhjet Parlamentare në Republikën e Shqipërisë – maj 2025

24 October 2025 at 20:20

Nga Thoma Gëllçi

1. Hyrje

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve (ODIHR) vlerëson se zgjedhjet në Shqipëri u zhvilluan në një atmosferë të përgjithshme qetësie dinamike, ku tensioni ishte i lartë, por i menaxhuar me profesionalizëm të papërgatitur.

Procesi ishte i hapur dhe gjithëpërfshirës, përveç atyre që mbetën jashtë.

Transparenca u sigurua në nivele të kënaqshme, ndonëse askush nuk ishte në gjendje të shihte qartë se çfarë po ndodhte.

2. Kuadri ligjor dhe administrativ

Legjislacioni shqiptar ofron bazë të fortë për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, me disa boshllëqe të vogla që mund të mbushen me kreativitet institucional.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve demonstroi pavarësi të plotë në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë.

Vendimmarrjet ishin të balancuara: herë në favor të njërës palë, herë në favor të së njëjtës.

Sistemi elektronik funksionoi me efikasitet, përveç rasteve kur nuk funksionoi, gjë që dëshmon gatishmërinë për përmirësim të vazhdueshëm.

3. Fushata zgjedhore

Fushata ishte e gjallë, konkurruese dhe e barabartë, me përjashtim të mungesës së barazisë dhe konkurrencës.

Përfshirja e burimeve shtetërore u vu re në mënyrë të kufizuar dhe të gjerë njëkohësisht.

Kandidatët e opozitës patën mundësi të barabarta për t’u ankuar, por jo për t’u dëgjuar.

Fushata karakterizohej nga një gjuhë e moderuar agresive dhe një debat civil i mbushur me fyerje të kulturuara.

Shumica e mediave ofruan hapësirë të barabartë për palët, megjithëse raportimi ishte dukshëm asimetrik në favor të ekuilibrit.

4. Dita e votimit

Dita e zgjedhjeve u zhvillua në mënyrë të qetë, të organizuar dhe spontane.

Procesi u vëzhgua në mënyrë profesionale nga vëzhgues që, ndonëse nuk panë çdo shkelje, u siguruan se ajo ndodhi me rregull.

Në disa qendra, votimi filloi me vonesë për shkak të hapjes në kohë.

Sekretësia e votës u respektua gjerësisht, me përjashtim të rasteve kur u bë publike me dëshirë të votuesit apo të kryetarit të qendrës.

Atmosfera ishte miqësore, edhe pse ndonjëherë shoqërohej me britma për bufat e kënetës apo kreun e organizatës kriminale të narkoshtetit.

5. Numërimi dhe shpallja e rezultateve

Procesi i numërimit ishte transparent dhe i paqartë.

Komisionerët u përpoqën të sigurojnë saktësinë përmes gabimeve të rastësishme të shpërndara në mënyrë të drejtë mes partive.

Në disa raste, rezultatet u shpallën përpara përfundimit të numërimit, çka tregon efikasitet të lartë parashikimi.

Në të tjera raste, u vonuan, për të ruajtur suspensen demokratike.

Në fund, të gjitha partitë pranuan rezultatin në të gjitha zonat ku ato kishin fituar dhe e quajtën të paligjshëm aty ku kishte fituar kundërshtari.

6. Roli i institucioneve shtetërore

Institucionet shtetërore luajtën rol aktiv në ruajtjen e neutralitetit të qeverisë ndaj vetvetes.

Policia e Shtetit mbajti rendin dhe qetësinë, ndërsa përgjonte çdo rast potencial shqetësimi për rendin dhe qetësinë.

Administrata publike u tregua e kujdesshme që të mos përfshihej politikisht, përveç rasteve kur u përfshi për të ruajtur vendin e punës institucionalisht.

7. Rekomandime paraprake

•          Të përmirësohet kuadri ligjor në mënyrë që çdo palë të ndjehet fituese, pavarësisht rezultatit.

•          Të sigurohet që të gjitha partitë të kenë akses të barabartë në burime të pabarabarta.

•          Të shmanget përdorimi i presionit mbi votuesit, përveç rasteve kur ata nuk binden dot ndryshe.

•          Të forcohet pavarësia e institucioneve përmes varësisë më efikase nga qeveria.

•          Të garantohen standardet ndërkombëtare, duke i përshtatur në versionin lokal të tyre.

Misioni vlerëson se zgjedhjet përfaqësuan një progres të dukshëm në rrugën e gjatë drejt standardeve që ende nuk janë arritur dhe që kanë shumë rrugë për t’u bërë.

Procesi reflektoi përkushtim ndaj demokracisë formale dhe një kuptim të thellë të fleksibilitetit të saj.

Zgjedhjet shënuan hapa të mëdhenj në drejtimin e duhur, edhe pse rruga çoi diku tjetër. Procesi u vlerësua si i lirë në frymë, por i kontrolluar me përpikmëri në praktikë. Pati sukses të dukshëm në mënyrën se si arriti rezultate të pabarabarta me efikasitet të barabartë. Përparimi ishte i ndjeshëm, sidomos në fushat ku u bë një hap prapa për të krijuar iluzionin e ecjes përpara. Në përfundim, Shqipëria tregoi se demokracia mund të ecë shpejt — edhe kur qëndron në vend.

Misioni mbetet i gatshëm të kthehet për të vëzhguar edhe herën tjetër të njëjtin sukses.

The post Mbi Zgjedhjet Parlamentare në Republikën e Shqipërisë – maj 2025 first appeared on JavaNews.al.

Arti delikat i vetëshkatërrimit

1 October 2025 at 22:16

Nga Thoma Gëllçi

Demokracia është shpikja më madhështore e njeriut, pas rrotës dhe rakisë. Dhe ashtu si rrota dhe rakia, edhe ajo mund të të çojë përpara, ose mund të të rrokullisë poshtë një përrua ku s’të gjen më njeri. Ajo na jep lirinë e madhe — të zgjedhim. Dhe, meqë jemi kaq të mençur, shpesh zgjedhim pikërisht atë që do ta shkatërrojë vetë lirinë tonë.

Është një spektakël i çuditshëm: populli e voton njeriun që i thotë hapur: “Do t’ju mbyll gojën sapo të më jepni pushtetin.” Dhe populli, me entuziazëm, thotë: “Bravo! Ja ku janë çelësat e shtëpisë, e mos harro të na mbyllësh edhe dritaret!” Ka diçka madhështore në këtë lloj sjelljeje kolektive. Të tjera sisteme qeverisjeje nuk e ofrojnë dot: vetëm demokracia është kaq zemërgjerë, sa të të japë lirinë për t’ia prerë qafën vetes.

Në një mbretëri, të paktën ke një fajtor të qartë: mbretin. Në një diktaturë, e di se kush të shtyp: diktatori. Kurse në demokraci? Aty e ke luksin të fajësosh veten. “Ne e zgjodhëm këtë fat,” thua me krenari, ndërsa numëron taksat, çmimet e rritura dhe premtimet e pambajtura. Nuk është për t’u habitur që popujt e dashurojnë kaq shumë demokracinë: ajo është i vetmi sistem ku rrihesh vetë dhe pastaj duartroket për shijen e shkopit.

Shumica, thonë, ka gjithmonë të drejtë. Kjo është shakaja më e madhe se çdo komedi që kam parë ndonjëherë. Ishte një kohë kur shumica mendonte se toka ishte e sheshtë, se shiu vinte nga perënditë e zemëruara dhe se çdo shtrigë duhej djegur. Shumica është një orkestër që luan gjithnjë me dy nota: frikë dhe entuziazëm. Por, s’ka ndonjë zgjidhje tjetër. Kjo është orkestrën e vetme që luan simfoninë e madhe të demokracisë.

Demokracia është një gjë e brishtë. Është si një qengj që rritet mes ujqve. Të gjithë admirojnë pafajësinë e qengjit, por më shpesh admirojnë edhe shijen që ka mishi i tij Dhe qengji, për habi, ua jep vetë thikën në dorë.

Por këtu fshihet edhe bukuria e saj e madhe. Demokracia nuk është një dhuratë që e merr dhe e vendos mbi raft. Është një fëmijë që duhet ushqyer, edukuar dhe mbrojtur çdo ditë. Po ta lësh vetëm, rritet i brishtë dhe herët a vonë vjen dikush ta grabisë. Po ta dorëzosh te të paaftët dhe maskarenjtë, ata e kthejnë në turmë të verbër që ecën drejt greminës me brohoritje patriotike.

Në fund të fundit, demokracia është si një anije qe nuk ka shumë timona por ka shume timoniere. Çdokush ka të drejtë të drejtojë. Por tragjedia është kur, në momentin më kritik, timonin e kap ai që nuk di të lexojë as busullën, por ka kurajon të thotë: “Une e di rrugën.”

The post Arti delikat i vetëshkatërrimit first appeared on JavaNews.al.

Gazetaria në Tiranë

29 September 2025 at 17:17

Nga THOMA GËLLÇI 

Në katin e sipërm të kullës me xhama të shndritshëm, aty ku shkëlqimi i logove shuhej vetëm kur fikeshin dritat e qytetit, qendronte pronari i Televizionit të Madh. Shikonte nga dritarja detin e betonit nëpër Tiranë dhe mundohej të numëronte se sa shtresa betoni ishin meritë e tij. Ishte mëngjes dhe dielli sapo kishte dalë mbi Dajt dhe edhe gazetarët e tij ishin futur në zyra në pritje të direktivave që do të lexoheshin në mbledhjen e mëngjesit. Pronari e dinte që duhet të priste. Kush do ishte i pari? Ra telefoni. 

Ishte ministri i financave: 

– O vëlla, si je? Sot hapeni me doganat dhe tatimet. Rekorde historike. Shifrat tona janë si avion. Dhe kujdes, bjeri pak atij të energjisë, se e ka tepruar me ato dritat, sikur ka shpikur diellin. 

Pronarit i shkoi mendja menjëherë tek një anije me ca furnizime që i kishte ardhur dje në port si dhe ca bilance dyshe që duheshin mbuluar. Buzëqeshi dhe shënoi: Lajm kryesor – Doganat dhe tatimet zbukurojnë Shqipërinë. 

Pas pak, një SMS tjetër: 

“Ku je figurë? Vendi po ndriçon. Dritat tona shihen qe nga satelitet Albania 1 dhe Albania 2 . Jepini fort! Edhe nëse mundesh, nxirre financën me ndonjë shifër që s’kuptohet, se i pëlqen të fluturojë kot.” 

Ishte ministri i energjisë. Pronari ngriti vetullat: kompania e tij kishte fituar tenderin për importin e energjisë. Shënim i dytë: Edicion special – Shqipëria, Las Vegas i Ballkanit. 

Ende pa hequr dorën nga telefoni, ra një tjetër thirrje. Ministrja e infrastrukturës, me zë të mbushur me entuziazëm: 

– Bos, rruga e re është magji! Më e lëmuar se xhami i zyrës tënde. Bëje lajm, që të mos mbetet në hije nga ato dritat. Dhe mos i lini arsimit shumë hapësirë, se ajo ka qejf të nxjerrë nxënësit në lajme si yje të Hollivudit. 

Pronari psherëtiu lehtë: kompania e tij kishte edhe një kontratë për asfaltim. Shënoi: Titull – Autostrada që i lë pa frymë shoferët. 

Më pas, ministrja e arsimit me një SMS të gjatë, me emoji lapsash e fletoreje: 

“Nxjerrim nxënësit kampionë në matematikë. Jepni me bujë, harrojini rrugët dhe dritat. Shkollat na nxjerrin faqebardhë. Edhe, nëse keni mundësi, bëni ndonjë kronikë ku rruga e re shihet e boshatisur, se nuk na ha njeri bukën ne.” 

Pronari kujtoi furnizimin e librave të rinj për shkollat, ku kishte dorë edhe ndërmarrja e tij. Shënim i radhës: Reportazh – Shqipëria, Finlanda e re ne arsim. 

Nga parlamenti vinte një tjetër mesazh: 

– Jepni seancën tonë maratonë, bos, është historike! Dhe për ata të qeverisë, bjeri pak, se duken sikur janë të përjetshëm. 

Nga presidenca: 

– Kujdes, mos harroni takimet e presidentit. Është kombëtar! Dhe nxirreni parlamentin sa më bosh në kamera. 

Nga bashkia: 

– Kronikë për pemët e mbjella! 12 plepa të rinj, transformim ekologjik. Dhe për kryeministrin, mos i jepni shumë, se ia morëm lajmet me pemë. 

Pronari shfletoi shënimet dhe kuptoi se kjo ishte ndermrrja me e veshtire e tij. Edhe disidentet ne regjimet diktatorjale kishin me pak halle. 

Në redaksi nisi puna: cilin lajm të jepnin më parë? Gazetarët shikonin njëri-tjetrin, redaktorët përplaseshin me titujt. 

“Ah tha pronari, pse s’kemi sot ndonje lajm nga kryeministri! Kjo do na e zgjidhte hallin se cili lajm duhet te jepej i pari”  

Dikush tha: 

– Po sikur t’i japim të gjitha bashkë? Të ndajmë ekranin në ne copa? 

Kështu ndodhi. Në edicionin e mbrëmjes, ekrani i Televizionit të Madh u nda si mozaik. Në njërën anë ministri i financave shpallte Shqipërinë superfuqi ekonomike dhe thumbonte kolegun e energjisë; në tjetrën ministri i energjisë shndritte si neon dhe tallte shifrat e financës; më poshtë ministrja e infrastrukturës tregonte rrugën e re që shkëlqente si pasarelë, duke nënvizuar se nxënësit e arsimit mund të mësonin vetëm mbi asfaltin e saj; në cepin tjetër, nxënësit shqiptarë fitonin Olimpiadën e Matematikës duke bërë llogaritje me sy mbyllur dhe njëri prej tyre shkruante në dërrasë: “rrugët kanë gropa”. Dhe në sfond, një kornizë më e vogël ku shfaqej parlamenti që debatonte, presidenti që fjaloste e kryebashkiaku që mbillte plepa. 

Publiku u hutua. Në kafenetë e qytetit, njëri betohej se vendi ishte bërë Zvicër, tjetri se ishte bërë Dubai, një i tretë këmbëngulte se ishte bërë Finlandë. Askush nuk binte dakord, por të gjithë thoshin të njëjtën gjë: 

– Po e ka thene Televizioni . 

Në redaksi, një gazetar i ri, me bllok në dorë dhe sytë plot entuziazëm, guxoi të thoshte: 

– Po sikur të bëjmë një reportazh nga jeta e popullit? Të tregojmë si jetojnë njerëzit në të vërtetë, sa paguajnë, çfarë ndjejnë… 

Redaksia shpërtheu në të qeshura. Dikush u përkul mbi tavolinë nga gazi, një tjetër fshinte lotët me shaminë e mikrofonit. Edhe pronari, që nuk qeshte kurrë kot, tundej mbi kolltuk me të qeshura të shtrënguara. 

– Djalo, – tha më në fund, duke marrë frymë, –Shko na sill një kafe. 

Djali uli kokën dhe u largua. 

 

The post Gazetaria në Tiranë first appeared on JavaNews.al.

Dy anët e një logjike të helmuar

28 September 2025 at 09:52

Nga THOMA GËLLÇI 

Ka disa ide që duhej të ishin hedhur në varr bashkë me kohët e errëta, por ja që njerëzimi i mban si qeni kockën e qelbur. Njëra prej tyre është kjo: disa popuj meritojnë shtet, të tjerët jo. Disa e trajtojne shtetesine si të blesh biletë për në stadium, por roja të thotë: “Nuk hyn dot sot, se s’të shoh të qytetëruar.” Roja gjithmonë ka një listë justifikimesh në xhep: “nuk keni institucione”, “nuk dini të vetëqeveriseni”, “jeni pak prapa me modën e start-up-eve.” E njëjta këngë që u këndua për afrikanët, indianët e Amerikës, armenët — dhe gjithmonë përfundoi në gjak. 

Sot kjo logjikë rimerret me kostum të ri. Njëra palë thotë me ton profesori: “Palestina nuk është gati për shtet.” Ndërkohë, Hamas e Ajatollahët bërtasin si në pazarin e gjese se gjalle: “Izraeli nuk duhet të ekzistojë!” Dy zëra që duken kundër, por këndojnë në të njëjtin kor: kush duhet zhdukur i pari! 

Kosova është shembulli i fresket. Për dekada Beogradi predikonte se shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet, ndaj duheshin mbajtur me kujdestar. Kujdestar që i rrihte, ua shkatërronte shkollat, institucionet e jetën. Pastaj, kur gjërat shpërthyen, tha: “Ja, e shihni që nuk dinë të qeverisen!” Ironi më të madhe nuk ka: pas gjithë asaj dhune, Kosova sot është shtet. Jo perfekt, por më mirë shtet i lodhur se i nënshtruar. 

Kjo farsë bëhet edhe më qesharake kur vishet me petka të shenjta. Nuk eshte e papritur qe  një Torquemada i ri, jo në kështjellat e Kastiljes, por në bulevarde në Tiranë, ndan çmime për popujt: 

— “Çmimi për më të padenjtët për shtet, palestinezët!” 

— “Çmimi për më të padëshiruarit, izraelitët!” 

— “Çmimi për ata që nuk dinë të qeverisen, shqiptarët e Kosovës!” 

Historia ka një zakon të keq: i çon këto fraza drejt gropës së përbashkët. Srebrenica, Ruanda, Auschwitz, Kosova. Çdo gjë nis me fjalë të bukura a të egra, por mbaron me kufoma. 

Pastaj dalin edhe “ekspertët e ekonomisë morale” që numërojnë miliardat dhe start-up-et si të ishin kupat e futbollit: kush ka më shumë, meriton shtet. Në fakt, ky është kolonializëm i vjetër me gjuhë të re. Afrikanëve u thoshin: “Nuk dini të qeveriseni, prandaj do t’ju qeverisim ne.” Indianëve të Amerikës: “Nuk punoni tokën siç duhet, prandaj është e jona.” Hebrenjve: “S’keni dhënë ekonomi moderne, prandaj duhet t’ju përjashtojmë.” Përfundimi gjithmonë një: genocid. 

Sot disa thonë: “Palestinezët nuk dinë të qeverisen.” Po kjo është e njëjta notë që këndoi Hitleri kur shpalli popujt “degjeneruar”, apo teoritë e apartheidit në Afrikën e Jugut: “zezakët nuk dinë demokraci, prandaj kontrollohen nga të bardhët.” E njëjta këngë, vetëm me instrumente të ndryshme. 

Por shteti nuk fitohet as me PBB, as me teknologji, as me parlament të lustruar. Hebrenjtë nuk e fituan shtetin sepse ishin më të pasur, por sepse kishin të drejtën njerëzore për vetëvendosje. Shqiptarët e 1912-s nuk kishin industri apo demokraci të plotë, por ngritën shtetin e tyre sepse nuk pranonin më të jetonin të shkelur. 

Në fund, maska bie: nën fjalët e moralit fshihet racizmi i vjetër që ndan popujt në “të qytetëruar” dhe “të paaftë.” Disa përdorin statistika të ftohta, të tjerët slogane të nxehta, por të gjithë shkojnë në të njëjtin destinacion: mohimin e ekzistencës. Njëra thotë: “S’je mjaftueshëm i zhvilluar.” Tjetra thotë: “Je i papastër, zhduku.” Dy rrugë të ndryshme, por që të çojnë në të njëjtën humnerë. 

 

 

The post Dy anët e një logjike të helmuar first appeared on JavaNews.al.

Revolucioni i butonit OFF

24 September 2025 at 21:17

Nga Thoma Gellci 

Në një botë ku çdo sekondë online kthehet në fitim për dikë tjetër, shkëputja nga interneti është bërë më shumë se luks: është akt lirie, pothuajse revolucionar. Duket e çuditshme ta themi, por sot të fikësh telefonin është njësoj si të shkulësh barrikadën e Bastijës. Vetëm se këtë herë nuk ka topa dhe pushkë, por njoftime, reklama dhe algoritme që të ndjekin deri në shtrat. 

Shekujt e kaluar kanë parë lëvizje të mëdha për liri. Grekët e lashtë shpikën demokracinë për të mos qenë skllevër të tiranëve. Revolucioni Francez solli parullën e famshme “Liri, Barazi, Vëllazëri” për të rrëzuar aristokracinë. Ne, njerëzit e shekullit XXI, duket se kemi mbetur me një mision më modest: të arrijmë të shohim një film pa ndërprerje reklame. Dhe kjo luftë, për habi, duket më e ashpër se ajo e Waterloo-së. 

E pabesueshme, por kështu është. Çdo sekondë që kalojmë online është e përkthyer në monedhë, grafika dhe “insights” për dikë që nuk e njohim kurrë. Çdo klikim është një votë e pavullnetshme për të pasuruar kompani që as nuk mund ta shqiptojmë saktë emrin. Në kohën e Cezarit, perandori blinte besnikërinë e legjioneve me denarë. Sot, një korporatë blen vëmendjen tonë me video maceje dhe receta gatimi, por edhe me një furnizim të pafund memesh, shalësh dhe trupash të zhveshur që klikohen, shpërndahen dhe shumëfishohen në TikTok, Instagram dhe Facebook. 

Kjo është arsyeja pse dalja offline merr ngjyrime heroike. Nuk është më një pushim, por një gjest disidence. Të shëtisësh pa marrë celularin është si të shpallësh pavarësinë personale. Është ekuivalenti modern i themelimit të një republike të vogël, ku mbreti i vetëm është mendja jote dhe e vetmja taksë është numri i hapave që arrin të bësh. 

Dhe e dini çfarë? Historia do të na gjykojë. Një ditë, historianët do të shkruajnë: “Në shekullin e njëzet e një, njerëzit luftuan jo për bukë, as për tokë, por për të fikur Wi-Fi-n një orë pa ndjerë faj.” Dhe kushdo që ka provuar të fikë celularin për të ngrënë darkë pa ndërprerje e di se kjo është një betejë po aq e madhe sa ajo e Termopileve. 

Në Shqipëri kjo histori merr edhe një kthesë të veçantë. Te ne, nuk janë vetëm kompanitë e mëdha që na gllabërojnë vëmendjen. Këtu propaganda kryesore është ajo politike. Në vend të reklamave për detergjentë, shfaqen videomesazhe me liderë që shesin premtime si të ishin fustane në “outlet” – ose për të “share” dhe telendisur kundërshtarin. Në çdo cep të rrjetit, qeveritarë dhe opozitarë konkurrojnë për sekondat tona me të njëjtën etje që korporatat globale konkurrojnë për klikime. Nëse në SHBA “like”-u shitet për reklamë, në Shqipëri “like”-u është armë për pushtet – për ta mbajtur apo për ta marrë atë. Çdo video, çdo postim, çdo status nuk është vetëm informacion: është një gur i hedhur në fushën e betejës. 

Nuk është e rastësishme që liderët e sotëm matin fuqinë jo më me vota, por me ndjekës në Facebook. Ja disa shembuj që flasin vetë: Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka 411 mijë ndjekës; kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, 121 mijë; ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, 151 mijë. Dhe në mes të tyre qëndron krenar Edi Rama i Shqipërisë me 1.6 milionë ndjekës – shumë më tepër se Greqia, Maqedonia e Veriut apo Gjermania. Nëse vazhdon kështu, Shqipëria do të bëhet vendi i parë në botë ku një kryeministër do të ketë më shumë ndjekës ne Facebook sesa banorë. Një arritje për Guinness, por një tragjikomedi për demokracinë. 

Kush guxon të fikë telefonin në mes të kësaj fushate të pafundme virtuale, bën një akt që është më shumë se pushim – është refuzim i lojës. Është sikur të thuash: “Sot nuk më blen dot asnjë slogan.” Në këtë vend, ku çdo debat politik kthehet në maratonë lajmesh, thjesht të ecësh në bulevard pa dëgjuar zërin e ndonjë kryetari partie është një luks i barabartë me një arratisje drejt Alpeve. 

Dhe ja ku vjen ironia më e madhe: politikanët shqiptarë, që shfaqen si trima në çdo ekran, do të trembeshin më shumë nga një popull që del offline sesa nga një protestë para Kryeministrisë. Sepse protesta u jep lajme, por heshtja dixhitale u heq audiencën. Dhe ç’është politika pa audiencë? Një fjalim i kotë para karrigeve bosh. 

E pikërisht këtu nis edhe revolucioni i butonit “OFF”. Nuk ka nevojë për molotovë, as për gaz lotsjellës, as për barrikada. Një shtypje e vogël mbi ekranin e telefonit mjafton për t’i shpallur luftë propagandës, reklamës dhe manipulimit. Dhe ndoshta, një ditë, kur historia e këtij vendi të rishkruhet, do të thuhet se ndryshimi i madh nisi jo nga sheshi i protestave, por nga momenti i parë kur qytetarët filluan të fikin telefonin – dhe të ndezin mendjen. 

 

The post Revolucioni i butonit OFF first appeared on JavaNews.al.

❌
❌