Normal view

Paraburgimi/ Ilir Meta ndëshkohet në qeli për telefonatën me gazetaren

By: user 4
2 July 2025 at 20:51

Ish-Presidenti i Republikës, ish-Kryeministër dhe aktualisht kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është thirrur para një komisioni disiplinor në paraburgim për t’u ndëshkuar. Në një mesazh në rrjetet sociale njoftohet se ndaj tij po përdoren masa represive, që shkojnë përtej çdo kufiri të arsyes.

Në një letër publike drejtuar “miqve” të tij, Meta njofton se është thirrur sërish përpara një Komisioni Disiplinor, për një “shkelje të rëndë” – një intervistë televizive e dhënë për gazetaren Aida Tançica në MCN, përmes telefonit të avokatit Kujtim Cakrani.

“Herën e parë më thanë që fola pas orës 20:00. Tani më thërrasin sepse nuk duan të flas me gazetarët. Çfarë dallkaukësh! Mirë që ping-pongun ma kanë ndaluar, por tani duan të më ndalojnë edhe fjalën,” shkruan Meta.

Por përveç komunikimit me telefonata, për Metën është kufizuar edhe takimi me familjen. Sipas tij, pas 20 ditësh pa takim, iu lejua të shihte vetëm tre nga katër anëtarët e familjes – motrën dhe dy vajzat – ndërsa djali i tij Besi, u la jashtë derës, për shkak të një rregulli të ri që lejon vetëm tre vizitorë njëherësh.

“Për 8 muaj i kam takuar të katërt, sot jo. Kur rregullorja kthehet në vegël presioni, nuk është më rregull, por hakmarrje e organizuar” thotë Meta.

Në këtë atmosferë që ai e përshkruan si të mbytur nga censura dhe kontrolli, Meta paralajmëron një formë të re komunikimi: letra të hapura. “Nesër, letra e parë do t’i drejtohet zotit Arben Ahmetaj,” njofton ai, duke lënë të kuptohet se në mungesë të konferencave për shtyp, do të flasë me stilin e vjetër – atë të pusullave nga burgu të personalizuara.

Meta është arrestua në tetor të vitit të kaluar për disa çështje që hetohen prej 6 vitesh, por pak ditë më parë SPAK kërkoi zgjatjen e hetimeve që nënkupton burgosjen e mëtejshme të një prej politikanëve më të ashpër në opozitë.

Mesazhi i plotë i Ilir Metës

Të dashur miq,
Sot u thirra sërish para një Komisioni Disiplinor, si gjyq ushtarak, për një gabim “shumë të rëndë”: Dje dhashë një intervistë në mesditë për gazetaren Aida Tancica në MCN TV, nga telefoni i Avokatit tim, Kujtim Cakrani.
Kur herën e parë fola me gazetaren Beti Njuma, më thanë ke shkelur rregulloren se ke folur pas orës 20:00, ndërkohë sot u thirra nga “Disiplina” për arsyen e vërtetë, se nuk duan të komunikoj me gazetarët.
Çfarë dallkaukësh! Mirë që ping-pongun ma kanë ndaluar, por tani duan të më ndalojnë edhe lirinë e fjalës.
Nuk mbaron me kaq.
Po sot, më në fund pas 20 ditësh, më lanë të takohesha me motrën dhe dy nga tre fëmijët. U mërzita fillimisht kur në takim pashë vetëm motrën dhe dy vajzat, por jo djalin.
Më sqaruan se Besi po priste jashtë se rregullorja nuk lejon më shumë se 3 veta në takim, kur ndërkohë gjatë 8 muajve, në një takim në javë që kam bërë me familjarët, siç do i paraburgosur tjetër, i kam takuar të 4-ët bashkë.
Në këto kushte, kur masat represive përforcohen çdo ditë me “risi”, kam vendosur të realizoj një formë të re komunikimi me publikun, me letra të hapura.
Nesër, letra e parë e hapur, do të jetë për Z. Arben Ahmetaj.

The post Paraburgimi/ Ilir Meta ndëshkohet në qeli për telefonatën me gazetaren appeared first on Lapsi.al.

Tedi Blushi: SPAK fsheh emrin e personit që firmosi kontratat e lobimit të LSI

By: user 4
2 July 2025 at 15:39

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka dalë sot në një deklaratë të ashpër për mediat, duke akuzuar SPAK-un për manipulim të qëllimshëm dhe fshehje faktesh në çështjen e lobimit të ish-LSI-së në SHBA. Ai theksoi se Ilir Meta nuk ka pasur asnjë lidhje me kontratat dhe pagesat e kryera nga partia në kohën kur ai ishte President i Republikës dhe jo kryetar partie.

“SPAK të tregojë emrin kush i pagoi faturat nga LSI,” deklaroi prerë Blushi, duke kërkuar zbardhjen e personit konkret që ka nënshkruar marrëveshjen me kompaninë lobuese GSIS.

Në vijim të fjalës së tij, Blushi kujtoi se kontrata është miratuar me vendim të Kryesisë së LSI dhe është firmosur nga një zyrtar i kësaj partie, jo nga Meta. Ai përmendi edhe faktin që, sipas SPAK-ut, ekzistojnë fatura të dërguara nga GSIS dhe të paguara nga LSI, por këto nuk përputhen me deklarimet në KQZ.

“Në rast se pretendimi që ngre SPAK-u është i vërtetë, padyshim që kemi të bëjmë me veprime të paligjshme… por ai, ajo apo ata që i kanë bërë këto vepra, janë pikërisht ata që edhe mbrohen sot qëllimisht dhe politikisht nga SPAK,” tha Blushi, duke nënvizuar se përgjegjësit nuk po përmenden sepse, sipas tij, janë kthyer tashmë në aleatë të pushtetit.

Blushi akuzoi gjithashtu SPAK-un se po bashkëpunon me media dhe gazetarë të caktuar për të shpërndarë informacione të rreme. Ai solli në vëmendje një seancë në Gjykatën Kushtetuese, ku – sipas tij – prokurori i SPAK, Bledar Maksuti, ka pranuar që “gazetarët, para se të publikojnë një material me natyrë sekrete, marrin leje në SPAK nëse duhet ta botojnë ose jo”.

Sipas Blushit, ky pohim e shndërron SPAK-un “në kryeredaktorin e të gjithë gazetarëve” dhe përforcon bindjen e Partisë së Lirisë se ky institucion është i kapur politikisht dhe po përdoret për të sulmuar Ilir Metën.

DEKLARATA E PLOTË

Në funksion të transparencës maksimale me opinionin publik dhe në vijim të procesit të premtuar për çmontimin e të gjitha akuzave farsë dhe politike të ngritura ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, sot do të nxjerrim në dritë të diellit përpjekjen politike dhe kriminale të SPAK, që e dënojmë me forcë, për të përfshirë gjoja Z. Meta në të ashtëquajturën çështjen e lobimit nga ish-LSI.

Duke i kujtuar mbarë opinionit publik, se tanimë zyrtarisht ka rënë plotësisht poshtë, si e pavërtetë dhe e fabrikuar, çdo dyshim dhe akuzë politike e ngritur për gjoja një pagesë të supozuar të z.Meta apo ish-LSI prej 1 milion USD për lobim në SHBA për një foto me Presidentin Trump, që më pas u reduktua në akuzën prej 100 mijë USD të paligjshme, në momentin e arrestimit dhe që rezultoi, siç e faktuar edhe autoritetet amerikane, vetëm një pagesë e ligjshme 15 mijë USD për “McKeon Group” të deklaruar sipas ligjit nga ish-LSI, po sqarojmë edhe një çështje tjetër që SPAK qëllimisht nuk e sqaron.

Në faqen 103, të vendimit të datës 26 Maj 2025, për marrjen të pandehur të Z. Meta, SPAK bën me dije se ka mbërritur një letërporosi nga SHBA lidhur me kontratën që ish-LSI ka patur me kompaninë GSIS Llc, një marrëveshje zyrtare, e miratuar me vendim të Kryesisë së ish-LSI, e firmosur nga një titullar i kësaj partie, pra jo nga Z. Meta që në atë kohë ka qenë President i Republikës dhe jo Kryetar i LSI, dhe e depozituar sipas ligjeve shqiptare dhe atyre amerikane.

Po në faqen 103, SPAK shkruan ndër të tjera se drejtori ekzekutiv i GSIS ka çertifikuar të gjithë informacionin dhe të dhënat e aktivitetit të kompanisë janë të vërteta dhe korrekte, në përputhje me rregullat federale dhe i ka përcjellë Departamentit të Drejtësisë së SHBA, dokumenacionin lidhur me pagesat e faturave që LSI ka bërë për GSIS.

Në pikën 3, po në faqen 103 të shkruar nga vetë SPAK, ndër të tjera thuhet se SPAK disponon faturat që GSIS i ka dërguar LSI-së dhe faturat që LSI ka paguar, një shumë e madhe, që sipas SPAK nuk korrespondon me shumat që janë depozituar në KQZ, sipas ligjit nga kjo parti.

Partia e Lirisë dhe Presidenti Meta sot po i ridrejtohen publikisht SPAK, që qëllimisht nuk do të zbardhë të vërtetën e lobimit:

Kujt në LSI, emër dhe mbiemër, ia ka çuar këto fatura GSIS? Sepse ky është edhe personi kyç që SPAK e fsheh qëllimisht.

Në rast se ky pretendim që ngre SPAK-u është i vërtetë, pra që janë bërë pagesa për llogari të LSI, tek kjo kompani apo tek një kompani tjetër, nuk ka rëndësi, të cilat nuk janë raportuar në KQZ, dhe të cilat nuk janë miratuar në kryesinë e LSI, e cila ka patur statutin e vet dhe aty mereshin vendimet për shpenzimet dhe për cdo gjë, padyshim që kemi të bëjmë me veprime të paligjshme, padyshim që kemi të bëjmë me vepra penale dhe padyshim që ai, ajo apo ata që i kanë bërë këto vepra, janë pikërisht ata që edhe mbrohen sot qëllimisht dhe politikisht nga SPAK duke mos i dhënë të plota faktet për mediat.

Kujt i kanë shkuar këto para?

Kujt ja kanë çuar këto fatura?

SPAK-u e fsheh qëllimisht dhe arsyeja është vetëm politike, për të mbajtur në ajër dhe në tym që këtu duhet të jetë Presidenti Meta, gjë që është 100% e pavërtetë, siç rezultoi çështja me McKeon Group.

Sepse është ky person që sot fshihet dhe merret në mbrojtje nga SPAK që jo vetëm ka qenë në dijeni të këtyre faturave marramendëse, por edhe nëse s’ka urdhëruar apo kërkuar realizimin e këtyre pagesave, këto fatura ia ka bërë të ditura personit në LSI që ka marrë këtë vendim, e ky as mund të ishte dhe as mund të jetë Ilir Meta dhe këtë SPAK-u e di shumë mirë, por përdoret politikisht për t’ia lënë këtë përgjegjësi Ilir Metës, duke fshehur provat dhe faktet.

Pra SPAK në këtë rast jo vetëm që nuk heton, por fsheh fakte dhe emra me qëllime të pastra politike për të fajësuar Ilir Metën, se këtë komandë ka marrë nga “Ramaduro”.

Në këtë mënyrë, SPAK edhe mbron me porosi të Ramës personat përgjegjës të cilët të kapur në veprime të paligjshme kanë kaluar në shërbim të Ramës e kundër Partisë së Lirisë, që nga 21 nëntori 2023. Janë ata që para Konvetës së 27 prillit 2024 Presidenti Meta i cilësonte publikisht, si fraksioni i “Dumanit dhe Adrianit”.

Por edhe si në rastin e “McKeon Group” edhe këto manipulime do të sqarohen, ndaj SPAK shtyn pafund hetimet se gjyqi në themel nuk mund të jetë i mbyllur.

Por edhe dokumentat nga SHBA nuk mund të fshihen për një kohë të gjatë.

Tanimë është e qartë se SPAK nuk e bën publik personin apo personat kyç në çështjen e lobimeve sepse funksionon si organizatë kriminale duke vazhduar të shpërndajë dizinformacione në televizionet dhe mediat e blera me paratë e pista të inceneratorëve, si dhe nëpërmjet gazetarëve mercenarë që shkruajnë e raportojnë mashtrimet që u ofron SPAK.

Historia e lobimit është kjo, që t’i bën marrëveshje me një kompani, caktohet një person që e firmos, kjo depozitohet në KQZ, depozitohet edhe në FARA, në Departamentin e Drejtësisë në Amerikë dhe njëkohësisht ngarkon dhe personin, i cili e zbaton, pra klauzolë për klauzolë.

Sepse nuk merret Kryetari i Partisë me këto detaje por ka persona të tjerë, ka persona përgjegjës.

Dhe SPAK-u ne na fsheh qëllimisht, në vlerësimin se u bënë 3 vjet, kujt ia ka çuar kjo kompani këto fatura, një personi, se nuk mund t’ja u cojë dhjetëra mijë anëtarëve të LSI.

Kujt ja ka cuar? Këtë gjë SPAK-u na e fsheh.

Cila është arsyeja?

Mbulimi i së vërtetës dhe hedhja në tregun mediatik nëpërmjet mediave të regjimit dhe që paguhet me paratë e pista të inceneratorëve të lajmeve të rreme dhe fund e krye të pavërteta.

Po si faktohet që është SPAK që përdor gazetarët për të shpërndarë të pavërteta, dizinformacione dhe lajme të rreme.

Duke mbrojtur ligjshmërinë kontrollin dhe sekustrimin e telefonave të gazetarit Elton Qyno, përfaqësuesit e SPAK, në datën 9 prill 2025 artikuluan një deklaratë të paprecedentë gjatë seancës në Gjykatën Kushtetuese, e cila kompromenton jo vetëm gazetarët e keqpërdorur të kronikës, por edhe vetë SPAK-un.

Prokurori i SPAK Bledar Maksuti, i caktuar nga Altin Dumani për çështjen Qyno, u shpreh para trupit gjykues se gazetarët, para se të publikojnë një material me natyrë sekrete, marrin leje në SPAK nëse duhet t’a botojnë ose jo materialin. Kjo tregon se çdo material sekret që publikohet në media merr miratimin e SPAK-ut. Ky pohim e vizaton SPAK-un si kryeredaktorin e të gjithë gazetarëve, si filtrin që jep ‘OK’ ose jo për publikimin e një materiali në media.

Deklarata tërhoqi vëmendjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kryetarja e Kushtetueses Holta Zaçaj e pyeti prokurorin e SPAK nëse kishte ndonjë bazë ligjore apo praktikë që gazetarët duhet të marrin leje në SPAK kur duan të publikojnë një informacion sekret për një çështje të SPAK-ut.

Maksuti u përgjigj se nuk kishte një bazë ligjore për të detyruar gazetarët, por këmbënguli se këta të fundit pyesin vetë SPAK-un për publikimin e informacioneve, nëse i informacioni që duan të publikojnë ‘i prish punë’ SPAK-ut.

The post Tedi Blushi: SPAK fsheh emrin e personit që firmosi kontratat e lobimit të LSI appeared first on Lapsi.al.

❌