Normal view

Liderët e kontinetit mblidhen në Tiranë, ja axhenda e tyre

By: user7
16 May 2025 at 10:16

Në Tiranë mbahet sot Samiti i gjashtë të Komunitetit Politik Europian, një ngjarje që zhvillohet për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor. Samiti do të mbahet në Sheshin “Skënderbej”, ku do të marrin pjesë liderët e 47 vendeve evropiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve më të larta ndërkombëtare.

Pjesëmarrës më Samit do të jenë kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, kreu i NATO-s Mark Rutte, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Samiti do të bashkëdrejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Tema e samitit është: “Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, ndërsa diskutimet do të përqendrohen në tri tryeza të rrumbullakëta që do të trajtojnë çështje të sigurisë, konkurrencës ekonomike dhe fuqizimit të të rinjve, përballë sfidave si lufta në Ukrainë, mbrojtja evropiane dhe transformimi teknologjik.

Punimet do të përmbyllen me një konferencë për shtyp të përbashkët mes kryeministrit Rama dhe homologes së tij nga Danimarka, Mette Frederiksen, vendi ku do të mbahet samiti i radhës.

Tryeza e parë do të fokusohet në sigurinë e Evropës dhe qëndrueshmërinë demokratike, duke trajtuar çështje të rëndësishme si mbështetja për Ukrainën në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe sfida afatgjata si mbrojtja e institucioneve demokratike nga ndërhyrjet e huaja dhe përforcimi i kapaciteteve të mbrojtjes së përbashkët evropiane.

Tryeza e dytë do të trajtojë forcimin e konkurrueshmërisë dhe sigurisë ekonomike, me fokus në inovacionin, infrastrukturën digjitale, qëndrueshmërinë energjetike dhe autonominë strategjike për mbrojtjen e zinxhirëve kritikë të furnizimit dhe balancimin e objektivave klimatike me fuqinë industriale.

Tryeza e tretë do të fokusohet në dinamikat komplekse të migracionit, mobilitetit dhe fuqizimit të të rinjve, në një epokë të shënuar nga inteligjenca artificiale dhe përshpejtimi i ndryshimeve teknologjike.

AXHENDA E PLOTË E SAMITIT

10:00 – Mbërritje

11:00 – Ceremonia e hapjes

11:30 – Foto familjare

11:45 – Seanca e parë plenare

13:00 – Dreka zyrtare

14:30 – Tryeza tematike

15:45 – Takime dypalëshe midis Kryetarëve të Delegacioneve

17:30 – Seanca plenare mbyllëse

18:30 – Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryeministren e Danimarkës (pritesi i radhës)

The post Liderët e kontinetit mblidhen në Tiranë, ja axhenda e tyre appeared first on Lapsi.al.

Lista e liderëve që janë sot në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik Europian

By: user7
16 May 2025 at 08:27

Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian mbahet sot në Tiranë në Sheshin Skënderbej, ku do të marrin pjesë liderët e 47 vendeve evropiane, së bashku me drejtuesit e institucioneve më të larta ndërkombëtare.

Pjesë e samitit do të jenë edhe kryeministri britanik Keir Starmer, i cili mbërriti një ditë më parë në kuadër të vizitës zyrtare, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, kreu i NATO-s Mark Rutte, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Lista me liderët dhe zyrtarët që do të marrin pjesë:

1. Antonio Costa, Presidenti i Këshillit Evropian
2. Robert Abela, kryeministri i Maltës
3. Albert II, princ i Monakos
4. Ilham Aliyev, presidenti i Azerbajxhanit
5. Luca Beccari, Ministër i Punëve të Jashtme, Bashkëpunimit Ekonomik Ndërkombëtar dhe Telekomunikacionit të San Marinos
6. Alain Berset, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës
7. Ilie Bolojan, Presidenti i Përkohshëm i Rumanisë
8. Nikos Christodoulides, president i Qipros
9. Zeljka Cvijanovic, kryetare e presidencës së Boshnjes dhe Hercegovinës
10. Bart De Wever, Kryeministri i Belgjikës
11. Rexhep Tayip Erdogan, president i Turqisë
12. Xavier Espot Zamora, kryeministër i Andorës
13. Petr Fiala, kryeministër i Republikës Çeke
14. Robert Fico, kryeministër i Sllovakisë
15. Mette Frederiksen, kryeministre e Danimarkës
16. Luc Frieden, kryeministri i Luksemburgut
17. Kristrún Mjöll Frostadóttir, kryeministre e Islandës
18. Jonas Gahr Støre, kryeministri i Norvegjisë
19. Robert Golob, kryeministri i Sllovenisë
20. Brigitte Haas , kryeministre e Lihtenshtajnit
21. Rosen Zhelyazkov, kryeministri i Bullgarisë
22. Kaja Kallas, Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian
23. Karin Keller-Sutter, Presidente e Konfederatës Zvicerane
24. Irakli Kobakhidze, kryeministri i Gjeorgjisë
25. Ulf Kristersson, kryeministri i Suedisë
26. Emmanuel Macron, presidenti i Francës
27. Giorgia Meloni, kryeministre e Italisë
28. Friedrich Merz, kancelari i Gjermanisë
29. Roberta Metsola, presidente e Parlamentit Evropian
30. Kristen Michal, kryeministër i Estonisë
31. Hristijan Mickoski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut
32. Jakov Milatoviç, president i Malit të Zi
33. Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë
34. Petteri Orpo, kryeministër i Finlandës
35. Vjosa Osmani, presidente e Kosovës
36. Gintautas Paluckas, kryeministër i Lituanisë
37. Nikol Pashinyan, kryeministër i Armenisë
38. Andrej Plenković, kryeministër i Kroacisë
39. Mark Rutte, Sekretari i Përgjithshëm i NATO
40. Maia Sandu, presidente e Moldavisë
41. Dick Schoof, kryeministër i Holandës
42. Evika Siliņa, kryeministre e Letonisë
43. Feridun Sinirlioglu, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së
44. Keir Starmer, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar
45. Christian Stocker, kancelari i Austrisë
46. Pedro Sanchez, kryeministër i Spanjës
47. Konstantinos Tassoulas, president i Greqisë
48. Donald Tusk, kryeministër i Polonisë
49. Ursula Von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian
50. Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë
51. Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës

The post Lista e liderëve që janë sot në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik Europian appeared first on Lapsi.al.

Rihapja legjendare e Notre Dame bashkon liderët botërorë

By: user7
7 December 2024 at 12:29

Katedralja ikonë e Notre Dame e Francës do të rihapë zyrtarisht dyert e saj të shtunën për herë të parë që kur një zjarr shkatërrues pothuajse shkatërroi monumentin 861-vjeçar në 2019. Restaurimi, një arritje në vetëm pesë vjet për një strukturë që iu deshën gati dy shekuj për t’u ndërtuar, shihet si një moment triumfi për presidentin francez Emmanuel Macron. Shumë udhëheqës botërorë, personalitete dhe adhurues do të mblidhen në mbrëmje për të shënuar këtë moment të rrallë uniteti në sfondin e ndarjeve dhe konflikteve globale.

Presidenti i zgjedhur i SHBA Donald Trump, zonja e parë e Amerikës Jill Biden, Princi William i Britanisë, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, do të jenë sot në Paris. Në ceremoninë e rihapjes së dyerve të Notre Dame do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Ndër liderët evropianë që kanë konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen e tyre janë: Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, presidenti italian Sergio Mattarella, presidenti polak Andrej Duda, presidenti kroat Zoran Milanoviç, presidenti bullgar Rumen Radev, presidenti estonez Alar Karis, presidenti finlandez Alexander Stubb, presidenti lituanez Gitanas Nauseda dhe presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou.

Në listë përfshihen edhe emrat e kryeministrit armen Nikol Pashinyan, presidentes gjeorgjiane Salome Zurabishvili, kryeministrit serb Milos Vuçeviç dhe kryeministrit holandez Dick Schoof. Bëhet me dije se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nuk do të marrë pjesë.

Në ceremoni nuk do të mungojnë as pjesëtarët e familjeve të ndryshme mbretërore evropiane. Prezent do jenë çifti mbretëror belg, Philippe dhe Mathilde, dhe Princi Albert i Monakos. Pjesëmarrës pritet të jenë edhe siaa liderë të shteteve afrikane: Presidenti kongolez Denis Sassou Nguesso, Presidenti i Republikës Demokratike të Kongos Félix Tshisekedi, Brice Oligarchy Ngouma i Gabonit dhe Faure Gnassingbé i Togos. Afro 170 peshkopë nga Franca dhe jashtë vendit do të marrin pjesë, së bashku me priftërinjtë nga të 113 famullitë e dioqezës së Parisit.

Në vend që të nisej nga oborri i katedrales siç ishte planifikuar fillimisht dhe për shkak të erërave të forta që parashikoheshin të shtunën në mbrëmje në Paris, pallati presidencial francez dhe dioqeza e Parisit thanë të premten se e gjithë ceremonia e hapjes do të mbahet brenda Notre Dame.

Ndërkohë siguria do të jetë e rreptë gjatë gjithë fundjavës, duke i bërë jehonë masave të marra gjatë Olimpiadës së Parisit në fillim të këtij viti. Île de la Cité – ishulli i vogël në lumin Seine që është shtëpia e Notre Dame, do të jetë e mbyllur për turistët dhe jorezidentët, me akses të kufizuar për të ftuarit dhe ata që jetojnë në ishull. Zonat e shikimit publik përgjatë bregut jugor të Seine do të strehojnë 40,000 spektatorë, të cilët mund të ndjekin festimet në ekrane të mëdha.

Për shumë njerëz, rilindja e Notre Dame nuk është vetëm një arritje franceze, por një arritje globale, pas rihapjes, katedralja do të mirëpresë 15 milionë vizitorë në vit, nga 12 milionë para zjarrit. Pas zjarrit të vitit 2019, gati 1 miliard dollarë donacione u derdhën shpejt nga e gjithë bota, duke dëshmuar për apelin universal të Notre Dame.

The post Rihapja legjendare e Notre Dame bashkon liderët botërorë appeared first on Lapsi.al.

Samiti për Klimën në Azerbajxhan/ Dhjetëra liderë botërorë nisin fjalimet

By: user7
12 November 2024 at 09:15

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke vendosur kështu edhe tonin për negociatat dyjavore.

Ndër të tjera, pritet të flasë edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Përfaqësues nga pothuajse 200 shtete po marrin pjesë në samitin, i njohur si COP29, në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, i cili filloi dje.

Ata do të diskutojnë se si të frenohet kriza klimatike dhe të zbuten pasojat e saj, të cilat përfshijnë përmbytjet më të shpeshta dhe të rënda, ciklonet, zjarret në pyje, valët e të nxehtit dhe thatësirat.

Samiti synon gjithashtu të adresojë angazhimet e reja financiare për vendet e varfra që janë veçanërisht të prekura nga ndryshimet klimatike.

Disa liderë ndërkombëtarë kanë vendosur të mos jenë në konferencë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentin brazilian Lula da Silva, vendi i të cilit do të marrë presidencën e COP në 2025.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ndërkohë anuloi udhëtimin e tij në Baku për shkak të rënies së koalicionit të tij qeverisës javën e kaluar.

The post Samiti për Klimën në Azerbajxhan/ Dhjetëra liderë botërorë nisin fjalimet appeared first on Lapsi.al.

Putin: Po formohet një rend i ri botëror

By: user 5
7 November 2024 at 18:53

Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë një deklaratë të fortë gjatë fjalimit të tij në forumin e Valdait që po mbahet në rajonin turistik të Soçit në Detin e Zi.

“Para syve tanë, po formohet një rend botëror krejtësisht i ri. Fuqitë e reja po ngrihen, popujt po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për interesat e tyre, për vetëvlerësimin, origjinalitetin dhe identitetin e tyre dhe po insistojnë gjithnjë e më shumë në arritjen e qëllimeve të zhvillimit dhe drejtësisë”, tha lideri rus.

Deklarata e Putin vjen vetëm dy ditë pasi Donald Trump u zgjodh presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara dhe njoftimit të Macron në Forumin Ekonomik, se Bashkimi Evropian po përgatitet për krijimin e një ushtrie, për të shmangur varësinë nga SHBA.

The post Putin: Po formohet një rend i ri botëror appeared first on Lapsi.al.

Projekti Botëror për Gjyqësorin: Shqipëria në vendin e 89-të për sundimin e ligjit

24 October 2024 at 09:58

Projekti Botëror për Gjyqësorin ka publikuar indeksin global ku vërehet se Shqipëria renditet në vendin e 89 në botë nga 142 shtete. Kështu, Shqipëria renditet krah Ukrainës e cila është në luftë, dhe një vend më lart se ne, në vendin e 88.

Gjithashtu sipas renditje, Serbia gjendet në vendin e 94, ndërsa Mali i Zi në vendin e 56 në botë dhe Kosova në vendin e 58. Ndërkohë, Maqedonia ndodhet në vendin e 67 dhe Bosnja në vendin e 71.

Projekti Botëror për Gjyqësorin vlerëson 142 vende dhe juridiksione në mbarë botën. Sipas këtij projekti, vlerësohet se për të shtatën vit radhazi, sundimi i ligjit ka rënë në shumicën e vendeve. Raporti thekson tendencat veçanërisht shqetësuese në besimin në zgjedhje dhe tranzicionet demokratike në nivel global.

“Këtë vit, sundimi i ligjit u dobësua përsëri në shumicën e vendeve të anketuara (57%). Megjithatë, të dhënat e Indeksit thonë gjithashtu se recesioni global i sundimit të ligjit po ngadalësohet dhe se përparimi është i mundur.

Përqindja e vendeve ku sundimi i ligjit po gërryhet është zvogëluar për të tretin vit radhazi dhe janë shfaqur disa fusha të dukshme përmirësimi. Për herë të parë në pesë vjet, më shumë vende u përmirësuan sesa ranë në faktorin e indeksit që mat mungesën e korrupsionit. Këtë vit, korrupsioni ra në gati tre të pestat (59%) të vendeve.

Shumica e vendeve kanë përmirësuar gjithashtu sigurimin e drejtësisë penale efektive. Në përgjithësi, rënia e drejtësisë civile është ngadalësuar në mënyrë të konsiderueshme që nga kulmi i pandemisë globale, megjithëse problemet me ofrimin e drejtësisë civile në kohë dhe të pavarur kanë vazhduar të përhapen”, thuhet në raport.

The post Projekti Botëror për Gjyqësorin: Shqipëria në vendin e 89-të për sundimin e ligjit appeared first on Lapsi.al.

❌