Normal view

Fadromat çajnë zonën e mbrojtur, Ministria i sheh si “punime brenda ligjit”

7 May 2026 at 16:17

Fadroma dhe makineri të rënda të ngarkuara me zhavorr kanë shënjuar disa rrugë në Peizazhin e Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë. Në terren nuk ka asnjë tabelë informuese apo logo të kompanive ndërtuese, përveç një autoboti të kompanisë Kastrati që sipas punëtorëve furnizon makineritë e rënda.

Të pyetur nga Citizens.al, punonjësit e pranishëm nuk pranuan të tregojnë kush i ka kontraktuar, ndërsa u shprehën se janë duke kryer punime provizore, rrethim të zonës “për të mbrojtur njerëzit që të mos hyjnë”.

“Kjo është një pronë private”, u shpreh një nga punonjësit me jelek pune fosforeshent, por pa logo. Pyetjes nëse këto punime janë për ndërtimin e një resorti, një prej punonjësve iu përgjigj me nënqeshje se po, por tanimë nuk jemi në këtë fazë.

Punimet në Peizazhin e Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë/Citizens.al

Të pranishëm në këtë zonë ishin edhe aktivistë të organizatës mjedisore PPNEA si dhe përfaqësues dhe aktivistë të organizatës ndërkombëtare “BirdLife Europe and Central Asia”.

“Kamionët vazhdojnë operojnë me ritme të jashtëzakonshme dhe për ne ky është një shqetësim i madh, pasi kjo është pikërisht zona që është targetuar dhe reklamuar nga Jared Kushner këtu e dy vite të shkuara tashmë, si pjesë e një mega resorti që do të ndërtojë në të gjithë vijën bregdetare të Zvërnecit dhe të Pishë-Poros”, u shpreh për Citizens.al Aleksandër Trajçe nga PPNEA.

Sipas Trajçes, në një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, veprime të tilla pa transparencë janë të paimagjinueshme.

“Sulmi i vazhdueshëm që i është bërë zonës duke filluar që me ndërtimin ilegal të aeroportit të Vlorës që filloi që në vitin 2021 dhe ja ku jemi sot në mes të ditës, ku praktikisht planet për resortet famëkeqe po fillojnë të konkretizohen në terren”, deklaroi Trajce.

Aktivistët shpalosën edhe një banderolë me mesazhin “Larg duart nga Narta”.

Banderola e shpalosur nga aktivistët mjedisorë/Citizens.al

Ariel Brunner, drejtues i organizatës ndërkombëtare “Birdlife Europe and Central Asia” tha për Citizens.al se po vëzhgojnë çfarë po ndodh në këtë zonë të mbrojtur të Deltës së Vjosës.

“Më duhet të them që jam i shokuar duke parë se çfarë po ndodh këtu. Po shohim një numër të madh buldozerësh që po hapin rrugë, me sa duket pa asnjë leje. Këtu nuk shohim asnjë tabelë që të tregojë kush janë këta njerëz dhe çfarë po bëjnë”, u shpreh Brunner.

Sipas tij, është kollaj të hamendësosh se bëhet fjalë për resortet luksoze turistike që janë planifikuar.

“Ajo që po shohim këtu është qartësisht e paligjshme sipas ligjit shqiptar dhe gjithashtu plotësisht e papajtueshme me legjislacionin e BE-së që Shqipëria pritet të zbatojë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Ariel Brunner.

Ndërsa i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të ndërhyjë dhe ti japë fund kësaj situate.

“Trashëgimia e popullit shqiptar dhe, në një kuptim më të gjerë, edhe e popujve europianë, që po shkatërrohet para syve tanë pa asnjë lloj ligjshmërie, qeverisjeje apo logjike”, deklaroi Brunner.

Përfaqësuesit e organizatave patën një takim edhe me ministrin e mjedisit, ku i kërkuan të veprojë mbi situatën, ndërsa kanë kërkuar edhe një takim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Sipas Aleksandër Trajces, kjo që po ndodh është vrull për të shkatërruar sa më shumë deri në mbylljen e negociatave për kapitullin e 27 (kapitulli i mjedisit për integrimin në BE).

“Mesazhi që investitorët kanë marrë me procesin e negociatave është që deri në fund të 2027, ju tashmë duhet të vazhdoni të ndërtoni, të operoni, të shkatërroni, pasi me mbylljen e kapitullit, këto gjëra nuk mund të ndodhin më”, deklaroi Trajçe.

Për Brunner, këto që po ndodhin nuk janë në përputhje me mbylljne e kapitullit 27.

“Shkatërrimi aktiv i këtyre zonave, në vend që të mbrohen, është një shkelje kaq flagrante saqë nuk e shoh si Komisioni Europian mund ta pranojë këtë”, deklaroi Areil Brunner për Citizens.al.

Ministri i Mjedisit: Pishë-Poro-Nartë kategori e pestë, lejohen aktivitetet turistike

Vija bregdetare e Pishë-Poro-Nartë/Citizens.al

Në një konferencë për shtyp, Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj i quajti ndërhyrjet në peizazhin e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë brenda parametrave ligjorë.

“Nuk është duke u zhvilluar asnjë degradim i zonës së mbrojtur Pishë-Poro-nartë. Zona është peizazh i mbrojtur kategoria V sipas legjislacionit të zonave të mbrojtura”, u shpreh ministri Japupaj.

Sipas ministrit Jaupaj ky lloj aktiviteti në bazë të ligjit për ndikimin në mjedis nuk ka nevojë për atë që quhet standarde, vendim të ndikimit në mjedis.

“Nga ana tjetër subjektet përkatëse kanë bërë të gjitha njoftimet pranë agjencisë rajonale të zonave të mbrojtura ku bëhet monitorimi i përditshëm i aktivitetet të survejimit gjeologjik dhe ju siguroj që nga raportet e fundit që kanë ardhur nga agjencia e zonave të mbrojtura, mund ta them me gjuhë popullore që nuk është prerë asnjë pemë”, deklaroi Jaupaj.

Ministri e quajti konfuzion dashakeqës lidhjen e zonës së Pishë-Poro-Nartës me zonën e mbrojtur të lumit të Vjosës.

“Lumi Vjosa është Park Kombëtar kategoria II, ndërsa Pishë-Poro-Nartë është Peizazh i Mbrojtur kategoria V, ku kategoria V është në fakt edhe kategoria më e ulët e mbrojtjes së zonave të mbrojtura, ku normalisht një pjesë e mirë e investimeve sa i takon edhe investimeve infrastrukturore në turizëm janë të lejuara nga legjislacioni i zonave të mbrojtura”, u shpreh ministri Jaupaj duke justifikuar punimet në këtë zonë.

Sipas ministrit punimet aty janë me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

“Është bërë vetëm rrethimi i një prone private për të bërë survejime gjeologjike”, deklaroi ministri Jaupaj. Deri më tani nuk ka asnjë leje të zbardhur për këto punime nga KKTU-ja dhe AZHT-ja.

Çfarë përfaqëson zona Pishë-Poro-Nartë

Makineritë në brendësi të Pishë-Poro-Nartë/Citizens.al

Zona Pishë-Poro-Nartë ndodhet në veri të Vlorës dhe është pjesë e kompleksit ligatinor të Nartës, pranë deltës së Vjosës. Ajo ka statusin “Peizazh i Mbrojtur”, që lejon vetëm ndërhyrje të kufizuara dhe kërkon procedura të rrepta ligjore dhe konsultim publik.

Zona është një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët në Shqipëri, me rreth 200–300 specie të regjistruara, përfshirë shpendë migratorë me rëndësi ndërkombëtare. Megjithatë, ajo ka qenë prej vitesh nën presion zhvillimi, përfshirë projektin e debatueshëm të Aeroportit të Vlorës dhe plane të tjera turistike në zonat përreth.

Së fundmi, janë ngritur shqetësime edhe për projekte të tjera të mëdha në bregdet dhe ligatina, ndërsa organizatat mjedisore kanë reaguar ndaj ndryshimeve ligjore që prekin zonat e mbrojtura dhe rolit të “investitorëve strategjikë”.

Lexo gjithashtu:

The post Fadromat çajnë zonën e mbrojtur, Ministria i sheh si “punime brenda ligjit” appeared first on Citizens.al.

❌