Normal view

Një liqen, dy narrativa, përshkallëzon kriza e mbetjeve në Kukës

28 April 2026 at 14:06

Moti i mirë ka hapur zyrtarisht sezonin turistik, dhe Kukësi, një nga portat natyrore drejt veriut dhe Kosovës, duhej të hynte në këtë periudhë me një nga asetet e tij më të rëndësishëm, liqenin. Por në vend të kësaj, sezoni i këtij viti po vijon me një krizë të përsëritur mjedisore.

Sipërfaqe të tëra të liqenit janë mbuluar nga mbetje plastike, në një panoramë që bie ndesh drejtpërdrejt me imazhin turistik që zona përpiqet të ndërtojë. Pikërisht në momentin kur vizitorët shtohen dhe vëmendja ndaj territorit rritet, ndotja bëhet më e dukshme, dhe më e pakontestueshme.

Megjithatë, edhe në këtë situatë, për të njëjtin liqen qarkullojnë dy narrativa që nuk përputhen.

Nga njëra anë, kanalet zyrtare të bashkisë Kukës, pamjet e fundit të publikuara prej saj (datë 24 prill) dhe kryetarit Albert Halilaj paraqesin një situatë të menaxhuar dhe nën kontroll sa i përket mbeturinave në liqenin e Fierzës.

Fotografi me një sipërfaqe ujore relativisht e pastër, ndërhyrje me varkë dhe mbishkrime që sugjerojnë për reagim në kohë. Por, nga ana tjetër, raportimet mediatike dhe publikimet e aktivistëve mjedisorë tregojnë një realitet tjetër.

Situata e ndotjes, ana perëndimore e qytetit, poshtë “Urës së Kukësit/Turizmit”/Bashkia Kukës.

Masa të dendura plastike që mbulojnë sipërfaqe të konsiderueshme të liqenit, veçanërisht në zonat ku derdhen përrenj dhe degë të lumenjve që e furnizojnë liqenin e Fierzës.

Ky kontrast nuk është thjesht estetik, por është thelbi për mënyrën se si duhet kuptuar kriza e mbetjeve në këtë liqen, raportuar vazhdimisht edhe me materiale të zgjeruara nga Citizens.al

Një liqen, dy pamje të papajtueshme

Raportimet e fundit dokumentojnë një “panoramë të rëndë mjedisore në Kukës”, ku liqeni shfaqet si një vendgrumbullim ujor i mbetjeve që vijnë nga rrjedha e sipërme dy degëve të Drinit.

Në pamjet e qarkulluara në media dhe rrjetet sociale, plastika krijon shtresa të vazhdueshme, duke bllokuar sipërfaqen dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në ekosistem.

Komunikimi publik i institucioneve duket sikur e shmang këtë panoramë të plotë. Ai zgjedh fragmente të realitetit që janë më të menaxhueshme vizualisht dhe politikisht. Një strategji komunikimi e njohur kjo në Shqipëri ku krizat edhe kur nuk mund të mohohen dot, kornizohen për t’u minimizuar.

Por raportimet e bëra nga aktivisti Arben Trota, kanë përmbysur qartësisht këtë kornizë. Përmes disa videosh të botuara në Facebook ai ka denoncuar për një situatë tejet të rëndë në Gostil, Shtiqën dhe anën e lumit Luma ku një valë e madhe mbetjesh janë grumbulluar në breg.

“S’është vetëm Ramhasi [zona qendrore përballë liqenit] i ndotur” bëri thirrjeTrota ndaj Bashkisë Kukës.

Ky denoncim u shoqërua së fundmi nga apeli publik i aktivistit mjedisor Lulzim Baumann, i cili operon në liqen përmes nismës së organizatës së tij Recycling Albania, në bashkëpunim edhe me bashkinë, duke përdorur një varkë për grumbullimin e mbetjeve në ujë.

Në një thirrje drejtuar Kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij në Kosovë, Albin Kurti, ai e ka përkufizuar situatën si një emergjencë rajonale.

Situata e ndotjes, ana lindore e qytetit, lugina e Lumit Luma/L.Baumann.

Megjithatë, në një vlerësim më të detajuar që Baumann bëri përmes telefonit për Citizens.al ai bëri një dallim të rëndësishëm: zyrtarisht nuk ka një përshkallëzim dramatik të situatës në të gjithë liqenin, por ndotja është përqendruar dhe intensifikuar në zona specifike, veçanërisht në Përbgreg, në luginën e Lumës.

Sipas tij, kjo është një dinamikë e përsëritur, e lidhur drejtpërdrejt me shtimin e hedhjeve të mbeturinave dhe kushtet natyrore.

Pas reshjeve të mëdha dhe fryrjes së Drini i Bardhë, masa të mëdha mbetjesh transportohen dhe depozitohen në këto zona, duke krijuar grumbullime të dendura.

Edhe pse ndërhyrjet me varkë kanë qenë të vazhdueshme, jo vetëm në pjesën qendrore të liqenit, por edhe në zona të tjera, përfshirë segmentet e Drini i Zi, ai pranoi kufizimet që ka kjo veprimtari mjedisore.

Luhatjet e nivelit të ujit e bëjnë shpesh të pamundur ndërhyrjen aty ku mbetjet i afrohen bregut nga era.

“Edhe sikur 10 varka të jenë aty, s’kemi çfarë t’u bëjmë pastaj,” theksoi Baumann, duke përshkruar një situatë ku kapacitetet aktuale përplasen me përmasën reale të problemit.

Në thelb, sipas tij, kjo nuk është më një çështje që mund të menaxhohet në nivel lokal. Edhe me përfshirjen e organizatave mjedisore dhe bashkisë, kapacitetet mbeten të pamjaftueshme përballë një fenomeni që ushqehet nga i gjithë pellgu i Drinit.

Problemi duket se qëndron te mungesa e një mekanizmi të koordinuar në nivel qeveritar dhe ndërkufitar, kryesisht me Kosovën.

Sepse, siç nënvizon Baumann, një bashki, apo një komunë në anën tjetër të kufirit, nuk mundet ta përballojë një krizë që prodhohet nga një sistem i tërë.

“Ne pastrojmë, ndërsa mbetje të reja vazhdojnë të vijnë,” mbetet përkufizimi më i thjeshtë dhe më i saktë i një cikli që, pa ndërhyrje strukturore, vazhdon të përsëritet.

Sipas tij, rreth 20 tonë mbetje në vit janë larguar nga liqeni përmes ndërhyrjeve të organizuara. Por kjo është vetëm një përpjekje për të menaxhuar pasojën, jo për të ndalur burimin.

Kërkesat janë të qarta, ndërhyrje e përbashkët Shqipëri-Kosovë, ndalim i hedhjeve dhe rrjedhjes së mbetjeve në lumenjtë e Drinit të Bardhë dhe po kështu të Drinit të Zi dhe zbatim real i ligjit për mjedisin.

Për aktivisten e mjedisit, Besjana Guri, e cila drejton qendrën “Lumi”, problemi nuk është i momentit, por problem strukturor.

“Kjo nuk është rastësi, por një dështim sistematik,” thotë ajo teksa e zgjeron hartën e krizës përtej Kukësit, duke përfshirë deltën e lumenjve kryesorë në Shqipëri: Ishëm, Drin, Vjosë, e Seman.

Sipas saj fenomeni përsëritet me të njëjtën logjikë, mbetje që i merr rrjedha, grumbullohen dhe zhvendosen, pa u ndalur kurrë në burim. Në këtë kuptim, liqeni i Fierzës dhe vetë kaskada e Drinit – që vijon në Koman, Vaun e Dejës e përtej – nuk janë përjashtime, por vetëm pika ku problemi bëhet i dukshëm.

Kriza që po përjeton Kukësi me liqenin buzë tij, është paralajmëruar vazhdimisht. Në disa raportime ndërkufitare, Citizens.al ka treguar sesi Drini i Bardhë dhe degët e tij funksionojnë si një sistem transporti për mbetjet në rajon.

Mbetjet e hedhura në Kosovë dhe Shqipëri përfundojnë në të njëjtin “vendgrumbullim” liqenin e Fierzës. Mungesa e koordinimit mes shteteve e bën të pamundur ndërhyrjen efektive.

Projektet pilote dhe aksionet sporadike nuk kanë arritur të krijojnë një mekanizëm të qëndrueshëm parandalimi.

Në këtë kontekst, çdo “foto e pastër” nga liqeni është, në rastin më të mirë, një moment i izoluar në një cikël të pandërprerë ndotjeje. Në rastin më të keq, propagandë e qartë që përpiqet të manipulojë realitetin.

Në këtë cikël, narrativa zyrtare rrezikon të bëhet pjesë e problemit, duke e paraqitur krizën si të menaxhueshme, në një kohë kur ajo dukshëm është jashtë kontrollit.

*Artikulli u përditësua me një koment të shtuar nga L.Baumann.

Lexoni gjithashtu:

The post Një liqen, dy narrativa, përshkallëzon kriza e mbetjeve në Kukës appeared first on Citizens.al.

“O gjysh, po na marrin ujin!” – Një histori nga Kurdaria për rezistencën

28 April 2026 at 12:07

Në Kurdari, konflikti për hidrocentralin “Doma” nuk është më thjesht një çështje projekti energjetik, por një përplasje e hapur mes komunitetit, institucioneve dhe vetë kompanisë.

Pas protestave para Kuvendit, padisë në gjykatë dhe tensioneve të përsëritura në terren, Rexhep Kuleni, një prej banorëve më të zëshëm, thotë se përballja ka hyrë në një fazë të re, rezistencës së përditshme për të mbrojtur ujin.

Në këtë realitet, zëri i tij nuk është thjesht një rrëfim personal, por një dritare për të kuptuar sesi një konflikt administrativ është shndërruar në një krizë të thellë të besimit ndaj shtetit.

“Erdhën ata, por ne s’i kemi lejuar të nisin punimet”, thotë në telefon Rexhep Kuleni nga fshati Kurdari i Klosit.

Aty ku lumi Lusa gjarpëron prej malit dhe zhurma e ujit është pjesë e përditshmërisë, Rexhepi, bashkë me banorët e tjerë, e kanë kthyer mbrojtjen e tij në një mision jete.

Rexhepi nuk është një figurë publike në kuptimin klasik, por për banorët e zonës ai është zëri që i mbledh, i organizon dhe i mban të bashkuar përballë një kërcënimi që e ndiejnë si personal: futjen e lumit në tuba.

“Kemi vetëm një aktmarrëveshje, me Zotin,” thotë me bindje ai duke theksuar se nuk ka vend për negociata.

Në fjalët e tij nuk ka retorikë politike, por një ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj tokës dhe njerëzve me të cilët ka ndarë jetën.

Rexhepi është një burrë i thjeshtë në dukje, me një histori pune që e ka lidhur fort me zonën. Gjatë periudhës së diktaturës ai ishte mekanik në Stacionin e Mekanikë-Traktorëve (SMT) të Kurdarisë e më tej ekonomist e llogaritar.

SMT-të ishin strukturat kryesore që shtynin përpara ekonominë bujqësore në fshatra gjatë asaj periudhe. Pikërisht falë përvojës së tillë, qoftë të punës në terren, por edhe të administratës në lidhje me procedurat dhe mënyrës sesi funksionon shteti, ai ka gëzuar respekt në zonë.  

Por sot, roli i tij ka ndryshuar, ai është organizator, ndërmjetës dhe, bashkë me komunitetin, kujdestar i publikes së përbashkët: ujit.

Përgjithësisht zgjohet herët, shpesh para orës gjashtë. Telefoni nuk i pushon, edhe ndërsa na shoqëron për në zonën ku parashikohet të ndërtohet hidrocentrali.

“Më merr dikush në telefon për këto probleme [të hidrocentraleve] dhe unë u jap rrugëzgjidhjet e mia”, shprehet Rexhepi.

Nisja e projektit në befasi, pa dakordësinë e banorëve, i ka lënë prej kohësh në gjendje alarmi.

Rexhepi tregon se si kompania erdhi fshehurazi, për ditë me radhë, pa lajmëruar banorët. Lajmi për projektin u përhap vetëm kur puna kishte nisur, ndërsa reagimi ishte i menjëhershëm.

“U detyruam të mobilizojmë kryetarët e fshatrave, popullin dhe arritëm që [kompaninë me makineritë] e nxorëm, e përzumë,” kujton ai në një rrëfim që duket se nuk ka triumf të tepruar, por një ndjesi të qartë se beteja vijon.

Edhe natën, thotë ai, njerëzit zgjohen nga shqetësimi se mos makineritë rikthehen teksa emri i kompanisë është bërë një lloj simboli frike.

“Na u bë ky ‘Doma’ sikur të jetë Hitleri,” shprehet ai, duke pasqyruar tensionin dhe ndjesinë e kërcënimit që përjetojnë banorët.

Për Rexhepin, kjo nuk është një çështje kompromisi: “Nuk ka kompromis… kundër jetës sime, kundër fëmijëve.”

Ai flet për borxhin ndaj brezave, për përgjegjësinë që kanë sot ndaj atyre që do të vijnë nesër.

“Do të na mallkojnë,” thotë ai, si një reflektim i sinqertë mbi pasojat.

Në bisedë e sipër, Rexhepi na tregon edhe ndikimin që ky projekt hidroenergjetik ka lënë te fëmijët.

“O gjysh, po na merr ujin ‘Doma’,” citon ai fjalët e nipërve dhe mbesave, fjali që sipas tij, duhet të dëgjohen jo vetëm nga kompania, por edhe nga institucionet, të cilat deri më tani nuk e kanë dëgjuar komunitetin.

“Uji është jeta, është frymëmarrja për ne,” thekson Rexhepi.

Sipas tij, ky rast tregoi se sa i bashkuar është komuniteti i Kurdarisë, përtej besimeve dhe përkatësive politike.

“Të gjithë banorët janë heronj sepse janë për një qëllim,” vijon ai duke shmangur protagonizmin, ndërsa sjell në vëmendje se aktmarrëveshja e vetme që kanë është ajo me Zotin.

Një marrëveshje e pashkruar për të mbrojtur ujin, tokën, ajrin dhe diellin.

Në një kohë kur vendimet shpesh merren larg komuniteteve, zëri i Rexhepit vjen si një kujtesë se për disa njerëz, lidhja me vendin nuk është thjesht çështje prone, por identitet.

Lexoni gjithashtu:

The post “O gjysh, po na marrin ujin!” – Një histori nga Kurdaria për rezistencën appeared first on Citizens.al.

❌