Normal view

Shkarkimet e aplikacioneve ranë sërish në vitin 2025

17 January 2026 at 10:10

Por shpenzimet e përdoruesve arritën thuajse 156 miliardë dollarë

 

Sipas raportit vjetor të shoqërisë së analizave Appfigures, në vitin 2025, ekonomia e abonimeve ndihmoi në rritjen e të ardhurave të aplikacioneve mobile, pavarësisht se shkarkimet (download) e aplikacioneve ranë për të pestin vit me radhë.

Në vitin 2025, shkarkimet globale të të gjitha aplikacioneve mobile dhe të lojërave mobile nëpërmjet App Store dhe Google Play arritën rreth 106.9 miliardë, 2.7% më pak krahasuar me vitin e mëparshëm. Shpenzimet e konsumatorëve, ndërkohë, u rritën me 21.6%, duke arritur rreth 155.8 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë.

Të dhënat tregojnë se zhvilluesit e aplikacioneve, profesionistët e marketingut dhe editorët ia kanë dalë mbanë të bindin përdoruesit të bëjnë blerje brenda aplikacionit ose  të aktivizojnë abonimet, edhe pse numri i përdoruesve të rinj që shkarkojnë aplikacione ka qenë në rënie.

Raporti pasqyron edhe largimin e vazhdueshëm nga lojërat mobile, si burimin kryesor të të ardhurave për ekonominë e aplikacioneve. Në vitin 2025, përdoruesit shpenzuan 72.2 miliardë dollarë për lojëra në pajisje mobile, ose rreth 46% të shpenzimeve totale për aplikacione mobile.

Ndërsa kjo shifër është rritur me 10% krahasuar me vitin e mëparshëm, shpenzimet për aplikacionet mobile që nuk lidhen me lojërat u rritën gjithashtu.

Sipas Appfigures, shpenzimet për aplikacionet që nuk lidhen me lojërat u rritën me 33.9% krahasuar me një vit më parë, duke arritur 82.6 miliardë dollarë në vitin 2025.

Edhe pse përdoruesve mund të mos u pëlqejë fakti që thuajse të gjithë aplikacionet tani përfshijnë blerje in-app (brenda aplikacionit) ose një model abonimi të integruar, kjo ka ofruar një rrugë më të qëndrueshme për zhvilluesit e aplikacioneve.

Ndër të tjera, kalimi te pagesat e vazhdueshme për aplikacionet ka ndihmuar në nxitjen e një ekosistemi biznesesh që i shërbejnë ekosistemit të aplikacioneve mobile.

Me rritjen e të ardhurave, shkarkimet u tkurrën sërish në vitin 2025.

Pasi arritën një rekord historik prej 135 miliardësh në vitin 2020 gjatë pandemisë, shkarkimet regjistruan rënie. Shifra e  këtij viti, 106.9 instalime,  është në rënie krahasuar me 109.8 miliardë në vitin 2024 dhe vjen pas rritjes më të ngadaltë të shkarkimeve midis viteve 2023 dhe 2024, kur instalimet ranë me 3.3%.

Shkarkimet e lojërave për pajisje mobile regjistruan rënien më të madhe këtë vit. Në vitin 2025, lojërat për pajisjet mobile u shkarkuan 39.4 miliardë herë, me rënie 8.6% me bazë vjetore, pas një rënie prej 6.6% nga viti 2023 në 2024.

Shkarkimet e aplikacioneve jo lojëra mbetën të pandryshuara, duke regjistruar një rritje të lehtë prej 1.1% me bazë vjetore, dhe duke arritur 67.4 miliardë. / TechCrunch

 

 

 

 

 

The post Shkarkimet e aplikacioneve ranë sërish në vitin 2025 appeared first on Revista Monitor.

❌