Normal view

Plakja e popullsisë nuk do të thotë domosdoshmërisht ekonomi më e dobët

By: Ornela
21 August 2026 at 14:45

Nga Andrew J. Scott, Project Syndicate

 

Tranzicioni demografik global, i karakterizuar nga ulja e shkallës së lindjeve dhe rritja e pritshmërisë së jetës, ka qenë një nga transformimet më me pasoja të shekullit të kaluar, me plakjen e popullsisë që ushqen një rrjedhë të vazhdueshme parashikimesh të zymta ekonomike. Nëse ekonomistët akademikë, organizatat ndërkombëtare dhe qeveritë kombëtare bien dakord për vetëm një gjë, është se një shoqëri në plakje çon pashmangshmërisht në sklerozë ekonomike.

Megjithatë, përvoja e 70 viteve të fundit ofron shumë pak mbështetje për këtë këndvështrim pesimist. Gjatë kësaj periudhe, rënia e lindshmërisë nuk e ka ngadalësuar rritjen e përgjithshme të PBB-së. Popullsia mund të jetë plakur dhe ritmet e shtimit të saj të jenë ngadalësuar, por ekonomitë nuk kanë ndjekur domosdoshmërisht të njëjtën trajektore.

Batuta e famshme e legjendës së bejsbollit Lawrence “Yogi” Berra — “Është e vështirë të bësh parashikime, sidomos për të ardhmen” — ia vlen të mbahet parasysh sa herë që shqyrtohen parashikime ekonomike afatgjata.

Për shembull, parashikimi i ndikimit të inteligjencës artificiale në rritjen ekonomike apo në borxhin publik shoqërohet me shumë pasiguri, duke qenë se kjo teknologji është shfaqur relativisht vonë dhe po evoluon me ritme shumë të shpejta.

Me ndryshimet demografike, situata është tjetër, sepse kemi një bazë të pasur të dhënash historike që na ndihmon të vlerësojmë pasojat e tyre ekonomike.

Në një studim të fundit me ekonomistin fitues të çmimit Nobel Daron Acemoglu dhe kolegët e tij në MIT, David Autor dhe Keelan Beirne, kemi analizuar dekada të tëra të dhënash mbi ndryshimet demografike në vende dhe rajone të ndryshme, për të kuptuar se si ndryshimet në normat e lindshmërisë dhe në strukturën e moshës së popullsisë ndikojnë në ecurinë ekonomike.

Rezultatet janë domethënëse. Në vende të ndryshme dhe në zonat e punësimit në SHBA, territoret me norma më të ulëta lindshmërie kanë shënuar rritje më të shpejtë të PBB-së për frymë ose të të ardhurave për person, ndërsa rritja e përgjithshme e PBB-së dhe e të ardhurave totale ka mbetur kryesisht e pandryshuar.

Ekonomitë duket se reagojnë në mënyrë sistematike ndaj rënies së lindshmërisë dhe rritjes së raportit mes punëtorëve më të moshuar dhe atyre më të rinj: rritet produktiviteti dhe investimi në kapital, ndërsa aktiviteti zhvendoset nga sektorët që mbështeten shumë te fuqia punëtore drejt eksporteve me teknologji të lartë.

Në themel të këtyre tendencave qëndron një ndryshim në drejtimin e inovacionit dhe patentave, drejt teknologjive që kursejnë punë, përfshirë automatizimin dhe teknologjitë e informacionit dhe komunikimit. Me fjalë të tjera, ndërsa tranzicioni demografik sjell më pak punonjës dhe një rritje më të ngadaltë të popullsisë, përparimi teknologjik rrit produktivitetin e atyre që mbeten në tregun e punës, duke kompensuar tkurrjen e fuqisë punëtore dhe duke mbështetur rritjen e PBB-së.

Reagimi teknologjik ndaj rënies së lindshmërisë është i ndryshëm nga historia e njohur e të ashtuquajturit dividend demografik.

Sipas qasjes tradicionale, në fazat e para të tranzicionit demografik, vendet përfitojnë nga fakti se kanë më pak fëmijë, ndërsa pesha e të moshuarve mbetet ende relativisht e ulët. Kjo rrit peshën e popullsisë në moshë pune dhe nxit rritjen ekonomike. Lindshmëria më e ulët mund ta përforcojë më tej këtë efekt, duke nxitur më shumë gra të hyjnë në tregun e punës dhe duke rritur investimet në arsim për çdo fëmijë.

Por ky përfitim është i përkohshëm. Nëse lindshmëria mbetet e ulët dhe jetëgjatësia rritet, pesha e të moshuarve në popullsi shtohet gradualisht, duke rritur edhe barrën ekonomike që zakonisht shoqërohet me plakjen e popullsisë.

Mekanizmi që identifikojmë ne tregon në një drejtim tjetër. Mungesa e fuqisë punëtore, sipas gjetjeve tona, mund të nxisë ndryshimin teknologjik dhe të gjenerojë rritje të produktivitetit që vazhdojnë edhe shumë kohë pasi efekti fillestar i dividendit demografik është shuar.

Kina duket se është një shembull i qartë. Vendi po kalon një nga tranzicionet demografike më të shpejta dhe më të thella në histori, ndërsa popullsia në moshë pune, 15–64 vjeç, parashikohet të bjerë nga një kulm prej rreth 1 miliard personash në afërsisht 300 milionë deri në vitin 2100.

Është e vështirë të mos shihet një lidhje mes kësaj tendence dhe përqafimit të jashtëzakonshëm të robotikës nga Kina. Numri i robotëve industrialë në vend u dyfishua mes viteve 2021 dhe 2024 dhe sot përbën rreth gjysmën e totalit botëror.

Sigurisht, ka arsye të forta për të pyetur nëse e kaluara mund të shërbejë plotësisht si udhërrëfyes për të ardhmen. Disa vende, përfshirë Kinën, përballen me ndryshime demografike shumë më të shpejta dhe më të thella se çdo gjë që kemi parë gjatë 70 viteve të fundit. Përshtatja teknologjike mund të zbusë një pjesë të madhe të presionit ekonomik që krijon kjo situatë, por ndoshta jo të gjithë.

Megjithatë, të shpërfillësh përvojën e 70 viteve të fundit kur parashikon 70 vitet e ardhshme do të thotë të rrezikosh që intuita të zëvendësojë analizën.

Shpesh, pesimizmi për plakjen e popullsisë duket se ushqehet po aq nga ajo që na sugjeron vetë fjala “plakje”, sa edhe nga analiza e ftohtë ekonomike. Është sikur ekonomia të ishte e destinuar të plakej bashkë me popullsinë, duke kaluar nga energjia e rinisë drejt dobësisë së moshës së tretë dhe, në fund, drejt rënies së pashmangshme.

Është e vërtetë se po hyjmë në një territor demografik të panjohur. Për shembull, pesha e amerikanëve mbi 65 vjeç parashikohet të rritet nga 17% në 29% gjatë 75 viteve të ardhshme.

Por kjo peshë u rrit më shumë se dyfish, nga 8% në 17%, gjatë 75 viteve të mëparshme, pa ngadalësuar rritjen ekonomike. Atëherë, pse duhet të supozojmë automatikisht se këtë herë do të jetë ndryshe?

Qoftë përmes teknologjisë që reagon ndaj mungesës së fuqisë punëtore, institucioneve që përshtaten me rritjen e jetëgjatësisë apo investimeve më të mëdha në kapital njerëzor, ekonomitë kanë treguar vazhdimisht se janë në gjendje të përshtaten me ndryshimet demografike.

Kjo aftësi për t’u përshtatur ka të ngjarë të luajë një rol shumë më të madh në formësimin e së ardhmes sonë ekonomike sesa supozimi i vjetruar se një shoqëri që plaket duhet domosdoshmërisht të prodhojë edhe një ekonomi që plaket.

 

Andrew J. Scott është profesor i Ekonomisë në London Business School dhe shkencëtar kryesor për ekonominë në Ellison Institute of Technology.

 

Copyright: Project Syndicate, 2026.www.project-syndicate.org

The post Plakja e popullsisë nuk do të thotë domosdoshmërisht ekonomi më e dobët appeared first on Revista Monitor.

Reformat në energji, ministri Karakaçi: Mundësuan disbursimin e 61 mln eurove fonde nga BE

By: Ornela
21 August 2026 at 14:11

Shqipërisë i hapet rruga për disbursimin e 61 mln eurove fonde nga Bashkimi Europian, pas përmbushjes së një sërë reformash në sektorin e energjisë deri më 30 qershor 2026.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi deklaroi për mediat se masat e realizuara në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të BE-së kanë sjellë edhe rezultate konkrete në sektor.

Ndër arritjet kryesore ai veçoi instalimin e mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme, miratimin e ligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike dhe masat për uljen e varfërisë energjetike.

“Gjatë kësaj periudhe kemi përmbushur një sërë masash kyçe, duke modernizuar kuadrin ligjor dhe duke e afruar Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian.

Kemi ngritur sistemin e garancive të origjinës për energjinë e rinovueshme, i cili u ofron konsumatorëve më shumë transparencë mbi burimin e energjisë që përdor.

Gjithashtu, kemi miratuar rregulla të reja për etiketimin e produkteve me ndikim në konsumin e energjisë, duke i ndihmuar qytetarët të bëjnë zgjedhje më të informuara dhe më efiçente, në përputhje me të gjitha standardet e Bashkimit Evropian.

Një nga hapat më të rëndësishëm ishte miratimi i Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike. Ky ligj forcon funksionimin e tregut të energjisë, rrit sigurinë e furnizimit dhe e afron vendin tonë me tregun evropian të energjisë.

Po ashtu, kemi harmonizuar legjislacionin për biokarburantet, kemi thjeshtuar procedurat për investimet në energjinë e rinovueshme dhe kemi avancuar zbatimin e paketës së integrimit të tregut të energjisë me Bashkimin Evropian.

Një tjetër arritje e rëndësishme është miratimi i Planit Kombëtar për adresimin e varfërisë energjetike, si dhe i kuadrit ligjor për komunitetet e energjisë, një masë e shumëpritur nga të gjithë vetëprodhuesit e energjisë. Këto masa krijojnë më shumë mundësi për qytetarët, bizneset dhe pushtetin vendor që të jenë pjesë aktive e tranzicionit energjetik.

Po aq domethënës është edhe fakti që ne kishim detyrim për të instaluar 600 mega kapacitete deri më datë 30 qershor 2026, kapacitete të energjisë së rinovueshme. Është fakt që tashmë ky kapacitet është instaluar dhe në Shqipëri kemi mbi 600 mega kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Kjo dëshmon qartë se reformat po shoqërohen me investime konkrete dhe rezultate të prekshme”.

Sipas ministrit Karakaçi, fondet do të mbështesin investimet, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian. Ministri tha se puna do të vijojë për përmbushjen e reformave të mbetura dhe modernizimin e mëtejshëm të sektorit energjetik.

“Miratimi i këtyre masave deri më 30 qershor 2026 i hap rrugën disbursimit të 61 milionë eurove në Buxhetin e Shtetit, në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të Bashkimit Evropian. Këto fonde do të mbështesin investimet, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian”, pohoi ai.

 

The post Reformat në energji, ministri Karakaçi: Mundësuan disbursimin e 61 mln eurove fonde nga BE appeared first on Revista Monitor.

Kursi i Euros e mbyll javën në rënie dhe me një minimum të ri pranë 92.5 lekëve

By: Ornela
21 August 2026 at 13:15

Kursi i këmbimit Euro-Lek e ka mbyllur edhe këtë javë në rënie, duke shënuar një rekord të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të premten me 92.53 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Rënia e kësaj jave e thellon tendencën e zhvlerësimit të Euros gjatë këtij viti. Që nga fillimi i vitit kalendarik, kursi Euro/Lek ka rënë me 4.4%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia e kursit ka arritur në 4.8%. Këto të dhëna tregojnë se rënia e kursit të Euros është shpëejtuar sidomos gjatë muajve të deritanishëm të këtij viti.

Rënia nisi që në tremujorin e parë, me një tendencë të pazakontë në raport me ecurinë historike të kursit në të këtë periudhë dhe u thellua me ritme më të shpejta gjatë sezonit veror, çka ishte pak a shumë e pritshme dhe në linjë me trajektoren sezonale.

Agjentët e këmbimit vlerësojnë se oferta e valutës në treg është e lartë dhe mund të hipotizohet se kjo i detyrohet kryesisht prurjeve nga turistët.

Në mungesë të statistikave për ecurinë aktuale, referenca në të dhënat e pjesës së parë të vitit në përgjithësi tregojnë një ofertë të lartë për valutë dhe rritje të këmbimeve valutore në tregun e brendshëm.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se vëllimi i tregtimit valutor në tregun e brendshëm arriti një rekord të ri historik në tremujorin e dytë të vitit. Vlera e këmbimeve valutore arriti në gati 4.5 miliardë euro, në rritje me rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Volumi i këmbimeve valutore madje kaloi edhe vlerat e regjistruar në tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Gjithashtu, statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente u tkurr në 228 milionë euro, në rënie me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, investimet e huaja direkte arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Ato u rritën me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e volumeve të këmbimit valutor dhe rrjedhimisht edhe forcimi i vazhdueshëm i Lekut ngelet e lidhur ngushtë me ecurinë e Bilancit të Pagesave.

Sipas saj, analiza e kombinuar e të dhënave të tregut valutor dhe atyre të bilancit të pagesave deri në tremujorin e parë rikonfirmoi lidhjen e ngushtë ndërmjet vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë.

Burimi: BSH

 

 

 

The post Kursi i Euros e mbyll javën në rënie dhe me një minimum të ri pranë 92.5 lekëve appeared first on Revista Monitor.

Çmimet e gazit në Europë arrijnë nivelin më të lartë që nga marsi, situata mund të përkeqësohet

By: Ornela
21 August 2026 at 13:00

Çmimet e gazit në Europë janë rritur me 130% gjatë vitit 2026, ndërsa rezervat e ulëta dhe rreziqet në furnizim e bëjnë kontinentin të cenueshëm përballë një dimri të kushtueshëm.

Kontratat e së ardhmes për gazin në tregun holandez TTF, treguesi kryesor i çmimeve të gazit në Europë, u rritën të enjten mbi 65 euro për megavat-orë, niveli më i lartë që nga marsi. Kjo e çon rritjen e çmimeve në më shumë se 130% që nga fillimi i vitit.

Rritja po ndodh në mesin e një tjetër vale të nxehti në Europë dhe temperaturat e larta janë një nga arsyet pse dimri i ardhshëm pritet të jetë i kushtueshëm.

Temperaturat rekord po rrisin kërkesën për energji elektrike, ndërsa thatësira dhe nxehtësia po kufizojnë prodhimin hidroenergjetik dhe atë bërthamor. Si rezultat, centralet me gaz po përdoren më shumë për të mbuluar mungesën, pikërisht në një periudhë kur Europa duhet të rrisë rezervat e gazit për dimër.

Çmimet mbeten ende shumë poshtë kulmit prej rreth 350 euro/MWh të arritur gjatë krizës energjetike të vitit 2022, të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës. Megjithatë, Europa po i afrohet dimrit me rezerva të ulëta dhe me pak hapësirë për të përballuar një tjetër goditje në furnizim.

 

Pse po rriten sërish çmimet e gazit në Europë

Rritja e çmimeve është përshpejtuar pikërisht në një moment të pafavorshëm.

Europa zakonisht shfrytëzon muajt e verës për të rimbushur rezervat e gazit, përpara se familjet të fillojnë t’i përdorin ato për ngrohje gjatë dimrit.

Këtë vit, rimbushja e rezervave është përplasur me një seri problemesh.

Ngushtica e Hormuzit mbetet praktikisht e mbyllur, Norvegjia ka zgjatur ndërprerjet në disa fusha të prodhimit të gazit, ndërsa thatësira ka reduktuar prodhimin e energjisë hidroelektrike dhe bërthamore.

Ndërkohë, centralet me gaz po plotësojnë një pjesë të këtij hendeku, pasi kërkesa për energji elektrike është rritur gjatë valës së të nxehtit. Kjo po rrit kërkesën për të njëjtin burim energjie që Europa duhet ta ruajë për dimër.

Rezultati është një treg me shumë pak hapësirë sigurie.

“Janë materializuar disa rreziqe negative nga ana e ofertës dhe nivelet e rezervave të gazit janë historikisht të ulëta përpara sezonit të ngrohjes”, tha Daniel Kral, ekonomist në Oxford Economics.

Oxford Economics pret të rishikojë në rritje parashikimin për çmimet e gazit në Europë në shtator, potencialisht drejt një mesatareje afër 60 euro/MWh gjatë tremujorit të katërt të vitit 2026 dhe tremujorit të parë të vitit 2027.

 

Europa është më e qëndrueshme, por jo e mbrojtur nga moti

 

Europa e ka ulur konsumin e gazit me rreth 15–20% krahasuar me vitin 2021. Industria ka reduktuar përdorimin e gazit, energjia e rinovueshme është zgjeruar dhe pompat e nxehtësisë kanë zëvendësuar një pjesë të ngrohjes me gaz.

Edhe furnizimi global me gaz natyror të lëngshëm, LNG, është rritur. Europa ka më shumë terminale importi dhe mund të tërheqë ngarkesa shtesë kur çmimet rriten. Kjo e bën një mungesë fizike të gazit shumë më pak të mundshme sesa gjatë krizës së viteve 2021–2022.

Megjithatë, konsumi më i ulët nuk e eliminon dobësinë kryesore të Europës.

Sipas Oxford Economics, lidhja mes temperaturave dhe kërkesës për gaz mbetet pothuajse e drejtpërdrejtë. Dimrin e kaluar, kur temperaturat ranë përkohësisht nën mesataren afatgjatë, kursimet e gazit në Europë krahasuar me nivelet para vitit 2021 u ngushtuan në vetëm 5–10%.

Europa e ka ulur nevojën normale për gaz, por nuk e ka eliminuar varësinë prej tij kur dimri është jashtëzakonisht i ftohtë.

Pikërisht për këtë arsye rezervat janë kaq të rëndësishme.

Rezervat janë amortizatori mes një dimri normal dhe një goditjeje në furnizim. Kur nivelet janë të larta, tregtarët mund të përballojnë një valë të ftohti pa garuar agresivisht për ngarkesa të reja. Kur rezervat janë të ulëta, çdo javë më e ftohtë se parashikimet kthehet në një garë për furnizim.

 

Shifra që kanë më shumë rëndësi

Rezervat europiane të gazit ishin vetëm rreth 57% të mbushura në fillim të gushtit.

Të dhënat e Gas Infrastructure Europe treguan se niveli ishte 57.1% më 1 gusht, niveli më i ulët për këtë periudhë të vitit në serinë historike.

Rregullat e BE-së vijojnë të synojnë një nivel rezervash prej 90%, megjithëse vendet tashmë kanë më shumë fleksibilitet për afatin kur duhet ta arrijnë këtë objektiv. Niveli mund të përmbushet në periudhën nga 1 tetori deri më 1 dhjetor, ndërsa kushtet e vështira të tregut lejojnë edhe më shumë fleksibilitet.

Brukseli u ka kërkuar gjithashtu vendeve të shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të këtij fleksibiliteti për ta ulur objektivin në 80%, kur kushtet e tregut e bëjnë më të vështirë mbushjen e rezervave.

Rezervat janë “depoja e ushqimit” energjetik të Europës për dimrin.

Gazi mund të kthehet në problem edhe për BQE-në

Në këtë pikë, rritja e çmimeve të gazit nuk është më vetëm një çështje energjetike.

Ajo shndërrohet në një problem inflacioni dhe më pas edhe në një çështje për Bankën Qendrore Europiane (BQE).

 

Çmimet me shumicë të gazit lëvizin më shpejt sesa faturat e familjeve, sepse kompanitë e energjisë shpesh i sigurojnë blerjet disa muaj më parë. Oxford Economics vlerëson se ndikimi maksimal i çmimeve me shumicë te konsumatori zakonisht ndihet rreth gjashtë muaj pas rritjes fillestare.

Por kjo mbrojtje dobësohet nëse çmimet mbeten të larta. Me skadimin e kontratave dhe rinovimin e tyre, çmimet me pakicë fillojnë gradualisht t’u afrohen niveleve të tregut me shumicë.

Ndikimi ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin.

Në Gjermani dhe Austri, kontratat me çmim fiks priren të jenë më afatgjata, duke e ngadalësuar transmetimin e rritjes. Në Francë, Itali dhe Spanjë, reagimi është më i shpejtë. Në Holandë, ndikimi te konsumatorët është pothuajse i menjëhershëm.

Italia është ndryshe, sepse kombinon transmetimin relativisht të shpejtë të çmimeve me një varësi të lartë nga gazi. Për këtë arsye, Oxford Economics e konsideron Italinë ekonominë e madhe europiane më të ekspozuar ndaj një goditjeje të çmimeve të gazit.

Kjo e bën rritjen e gazit jo vetëm një çështje të tregjeve të energjisë, por potencialisht edhe një çështje të politikës monetare.

Oxford Economics vlerëson se inflacioni i përgjithshëm në Eurozonë mund të jetë pranë 3.5% në gjysmën e dytë të vitit 2026, bazuar në çmimet aktuale të gazit me shumicë, krahasuar me pak mbi 3% në skenarin e tij bazë.

BQE-ja i ka rritur tashmë normat e interesit si përgjigje ndaj një goditjeje inflacioniste të nxitur nga energjia.

Tregjet presin gjerësisht edhe një tjetër rritje prej 0.25 pikë përqindje në shtator.

Projeksionet e vetë BQE-së të publikuara në qershor tregonin se inflacioni do të mbetej i lartë për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, duke arritur rreth 3.4% në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2026.

Një dimër më i ftohtë mund të krijojë kështu një kombinim të pakëndshëm për ekonominë europiane: rënie të fuqisë blerëse të familjeve dhe norma më të larta interesi./ Euronews

The post Çmimet e gazit në Europë arrijnë nivelin më të lartë që nga marsi, situata mund të përkeqësohet appeared first on Revista Monitor.

Ari dhe argjendi shënojnë rritje të fortë në gusht, ndërsa borxhi i SHBA-së shqetëson tregjet

By: Ornela
21 August 2026 at 11:41

Ari dhe argjendi janë rritur ndjeshëm gjatë gushtit, të mbështetur nga dobësimi i dollarit, rritja e borxhit publik amerikan dhe zbehja e pritshmërive për një tjetër rritje të normave të interesit nga Rezerva Federale, ndërsa investitorët janë rikthyer te asetet e sigurta.

Metalet e çmuara janë kthyer në një nga investimet me ecurinë më të mirë të muajit, duke rikuperuar një pjesë të humbjeve të pësuara më herët gjatë vitit. Rritja e argjendit ka qenë edhe më e fortë se ajo e arit.

Ari arriti një nivel rekord prej 5,598 dollarësh për ons më 28 janar, përpara se të pësonte një rënie të fortë gjatë vitit, duke zbritur në rreth 3,942 dollarë në fund të qershorit, ose rreth 30% më poshtë se kulmi.

Që prej atij niveli minimal, çmimi është rimëkëmbur, me pjesën më të madhe të rritjes të përqendruar në gusht. Në momentin e publikimit, ari tregtohej rreth 4,466 dollarë për ons. Çmimi është rritur me 11% vetëm gjatë gushtit dhe me 3.6% që nga fillimi i vitit.

Rritja e argjendit ka qenë edhe më e fortë.

Argjendi arriti një rekord historik prej 121.65 dollarësh për ons më 29 janar, përpara se të binte në rreth 54.7 dollarë në mes të korrikut, duke humbur rreth 55% nga niveli maksimal.

Që atëherë çmimi është rritur me rreth 20%, me pjesën më të madhe të rimëkëmbjes gjatë gushtit, dhe aktualisht tregtohet rreth 66 dollarë për ons. Argjendi është rritur me 16.5% këtë muaj, megjithëse vazhdon të jetë më shumë se 7% në rënie që nga fillimi i vitit.

Rritja e fundit e metaleve të çmuara u përshpejtua këtë javë, pasi Thesari amerikan dyfishoi madhësinë e riblerjeve të obligacioneve me maturim 10 deri në 30 vjet, në të paktën 4 miliardë dollarë për çdo operacion, duke filluar nga 9 shtatori, në përpjekje për të qetësuar tregun e tensionuar të obligacioneve.

Njoftimi erdhi vetëm pak orë përpara publikimit të të dhënave që konfirmuan se borxhi kombëtar i SHBA-së kishte kaluar për herë të parë 40 trilionë dollarë, rreth dy vjet më herët sesa parashikonte Zyra e Buxhetit e Kongresit Amerikan.

Norma e interesit e obligacioneve 30-vjeçare të Thesarit kishte arritur nivelin më të lartë që nga viti 2007, përpara se të binte pas lajmit për riblerjet. Dollari gjithashtu ra ndjeshëm, duke rikthyer në vëmendje të ashtuquajturin “debasement trade”, pra strategjinë e investimit që mbështetet te ideja se rritja e vazhdueshme e borxhit publik dobëson në kohë besimin te monedha.

Të dhënat e dobëta për punësimin dhe shitjet me pakicë në SHBA, së bashku me shifrat më të moderuara të inflacionit, i shtynë investitorët të ulin pritshmëritë për një rritje të normave të interesit në shtator.

Sipas të dhënave të CME FedWatch, probabiliteti i një rritjeje të normave në shtator ra nga mbi 50% në rreth një në tre./ Euronews

The post Ari dhe argjendi shënojnë rritje të fortë në gusht, ndërsa borxhi i SHBA-së shqetëson tregjet appeared first on Revista Monitor.

Mali i Zi ul sërish akcizën për naftën

By: Ornela
21 August 2026 at 11:28

Qeveria e Malit të Zi ka ulur sërish përkohësisht akcizën për karburantin diesel, me synimin për të frenuar rritjen e çmimeve me pakicë, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të ndikojnë zinxhirët globalë të furnizimit me naftë.

Nga 18 gushti, akciza për diesel-in ulet në 0.396 euro për litër, nga norma e zakonshme prej 0.440 euro për litër, bëri të ditur qeveria. Masa do të jetë në fuqi deri më 31 gusht.

Ministria e Energjisë njoftoi se, pavarësisht ndërhyrjes së qeverisë, çmimi me pakicë i diesel-it do të rritet me 0.06 euro, duke arritur në 1.88 euro për litër. Ndërkohë, çmimi i benzinës Eurosuper 98 do të rritet me 0.07 euro, në 1.80 euro për litër.

Këto çmime do të jenë në fuqi për periudhën 18–24 gusht. Për javën që nis më 25 gusht, çmimet do të përcaktohen mbi bazën e kuotimeve në bursat e mallrave për një periudhë shtatëditore dhe kursit të këmbimit dollar amerikan/euro.

Akciza e zakonshme për benzinën në Malin e Zi është 0.549 euro për litër.

Qeveria malazeze e uli për herë të parë përkohësisht akcizën e karburanteve në fund të marsit, për të zbutur efektin e rritjes së fortë të kostove globale të naftës pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme në fund të shkurtit.

Në atë kohë, akciza për Eurodiesel u përgjysmua në 0.22 euro për litër, ndërsa akciza për benzinat Eurosuper 98 dhe Eurosuper 95 u ul me 25%, në 0.41 euro për litër.

Që prej atëherë, qeveria i ka rishikuar disa herë akcizat për diesel-in dhe benzinën, në përpjekje për t’iu përshtatur luhatjeve të tregut global të naftës.

Në mars, qeveria vendosi gjithashtu të ndryshojë përkohësisht mënyrën e përcaktimit të çmimeve me pakicë të karburanteve, duke e shkurtuar periudhën e rishikimit nga 14 në 7 ditë. Kjo synon që çmimet në tregun vendas të reflektojnë më shpejt ndryshimet në kostot ndërkombëtare të naftës.

Burimi: SeeNews

The post Mali i Zi ul sërish akcizën për naftën appeared first on Revista Monitor.

Serbia do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 18 ose 25 tetor

By: Ornela
21 August 2026 at 11:19

Serbia do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 18 ose 25 tetor, ndërsa data përfundimtare pritet të vendoset në ditët në vijim, tha presidenti Aleksandar Vuçiç.

“Sa i përket listës ku do të jem pjesë, do të luftojmë për të fituar shumicën e votave. E dimë se nuk do të kemi shumicë në parlament nëse nuk sigurojmë 126 mandate”, tha Vuçiç në një intervistë televizive për transmetuespublik RTS të enjten në mbrëmje.

Në një tubim proqeveritar në Beograd më 27 qershor, Vuçiç kishte deklaruar se do të jepte dorëheqjen nga posti i presidentit brenda disa javësh, pasi më herët kishte lënë të kuptohej se mund të kandidonte për kryeministër. Të enjten ai nuk dha një afat se kur mund të largohej nga posti i kreut të shtetit.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Serbi duhet të zhvillohen deri në fund të dhjetorit 2027, ndërsa mandati i dytë dhe i fundit presidencial i Vuçiç përfundon në maj 2027.

Presidenti serb është përballur me presion në rritje për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme pas aksidentit tragjik në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Ngjarja shkaktoi një valë protestash kundër qeverisë dhe korrupsionit, të udhëhequra nga studentët, me kërkesa për përgjegjësi institucionale dhe që kanë sfiduar dominimin politik të Vuçiç.

Lëvizja studentore ka njoftuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme dhe shihet si rivali kryesor i Partisë Progresive Serbe (SNS), forcës politike në pushtet.

Vuçiç ka një karrierë të gjatë politike. Ai shërbeu si ministër i Informacionit në periudhën 1998–2000, gjatë qeverisjes së Slobodan Millosheviçit, u bë ministër i Mbrojtjes në vitin 2012, kryeministër në vitin 2014 dhe president në vitin 2017.

Qeveria aktuale e Serbisë, e drejtuar nga endokrinologu Djuro Macut, mori votëbesimin e parlamentit në prill të vitit të kaluar, pasi Milos Vuçeviç, kryetar i SNS-së, dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit mes protestave studentore.

Qeveria e Vuçeviçit ishte formuar në maj 2024, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të zhvilluara në dhjetor 2023.

SNS mban aktualisht 129 nga 250 vende në parlamentin serb dhe qeveris në koalicion me Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), e cila ka 18 mandate.

Serbia synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndërkohë që ruan marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Për të avancuar në procesin e integrimit europian, i cili ka ngecur vitet e fundit, vendi duhet të përafrojë politikën e jashtme me BE-në dhe të bëjë progres të qëndrueshëm në shtetin e së drejtës, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e medias, sipas Parlamentit Europian.

Burimi: SeeNews

The post Serbia do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 18 ose 25 tetor appeared first on Revista Monitor.

Kroacia, Plinacro pranë përfundimit të projektit 533 milionë euro për gazsjellësit

By: Ornela
21 August 2026 at 11:14

Operatori kroat i sistemit të transmetimit të gazit, Plinacro, bëri të ditur se ndërtimi i dy gazsjellësve të fundit kryesorë, pjesë e projektit prej 533 milionë eurosh për zgjerimin e infrastrukturës kombëtare të gazit, po ecën sipas planit.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Plinacro, Ivica Arar, punimet në segmentin Kozarac–Sisak do të përfundojnë dhe gazsjellësi do të hyjë në operim provë më 25 shtator.

Arar tha gjithashtu se punimet në gazsjellësin Bosiljevo–Sisak, një nga pjesët më të vështira teknikisht të projektit, po vijojnë sipas afateve, pavarësisht terrenit të vështirë.

Projekti financohet në kuadër të Mekanizmit të Rimëkëmbjes të Bashkimit Europian dhe përfshin ndërtimin e katër gazsjellësve kryesorë me një gjatësi totale prej 216 kilometrash.

Dy segmentet e tjera, Zlobin–Bosiljevo, me gjatësi 58 kilometra, dhe Zabok–Lucko, me gjatësi 36 kilometra, janë përfunduar sipas planit dhe brenda buxhetit të përcaktuar. Gazsjellësi Zlobin–Bosiljevo përfundoi në fillim të vitit 2025, ndërsa ai Zabok–Lucko u përfundua në qershor 2026.

Gazsjellësi i ri Kozarac–Sisak pritet të rrisë ndjeshëm sigurinë e furnizimit me gaz për zonën e qytetit të Sisakut. Me hyrjen e tij në operim provë, zona do të mund të furnizohet me gaz si përmes gazsjellësit ekzistues me presion 50 bar, të ndërtuar 45 vite më parë, ashtu edhe përmes gazsjellësit të ri me presion 100 bar, të vendosur në të njëjtin korridor.

Një rritje e mëtejshme e sigurisë dhe fleksibilitetit të furnizimit pritet deri në fund të vitit 2026, kur zona e Sisakut do të mund të marrë gaz në të dy drejtimet përmes sistemit të ri Bosiljevo–Sisak–Kozarac, si nga drejtimi i ri përmes Bosiljevos, ashtu edhe nga drejtimi ekzistues përmes Kozaracit.

Sipas Plinacro, përfundimi i projektit do të rrisë gjithashtu mundësinë e shfrytëzimit të kapaciteteve të terminalit të gazit natyror të lëngshëm, LNG, në ishullin Krk, do të forcojë sigurinë e furnizimit për konsumatorët vendas dhe do të përmirësojë efikasitetin e sistemit kroat të transmetimit të gazit.

Kapaciteti i transportit të gazit drejt Sllovenisë pritet të rritet në 1.5 miliardë metra kub në vit, ndërsa drejt Hungarisë në 3.5 miliardë metra kub në vit, në varësi të kushteve të presionit në sistem.

Terminali LNG në Krk nisi funksionimin në janar 2021. Ai furnizon me gaz natyror rrjetin kombëtar kroat të transmetimit, i cili është i lidhur me rrjetet e Sllovenisë dhe Hungarisë.

Burimi: SeeNews / Plinacro

The post Kroacia, Plinacro pranë përfundimit të projektit 533 milionë euro për gazsjellësit appeared first on Revista Monitor.

Oferta e parasë po shënon rritjen më të lartë historike

By: Ornela
21 August 2026 at 11:00

Rritja vjetore e ofertës së Lekut arriti nivelin më të lartë historik në mesin e këtij viti.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit qershor, rritja vjetore e agregatit monetar M2 ishte 15.9%, me ritme më të larta edhe krahasuar me rritjen prej 13.4% të fundit të vitit të kaluar. Kjo është njëkohësisht rritja më e lartë historike e treguesit në fjalë me bazë vjetore krahasimi. Agregati M2 po rritet me ritme dyshifrore që prej muajit mars 2025.

Agregati monetar M2 përbëhet nga paraja jashtë bankave dhe depozitat bankare në Lekë, të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë. Një rritje më e shpejtë e agregatit M2 tregon se në ekonomi po injektohen më shumë para në monedhën kombëtare.

Rritja e lartë e ofertës së parasë mund të shpjegohet me dy faktorë kryesorë: kreditimin me ritme të larta të ekonomisë dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor, për të frenuar forcimin e monedhës vendase.

Në fund të qershorit, teprica e kredisë për ekonominë arriti në 993 miliardë lekë, në rritje me 15 miliardë lekë krahasuar me majin. Me bazë vjetore, portofoli i kredisë për ekonominë është në rritje me 11.2%.

Normat e ulëta të interesit, ecuria e mirë e ekonomisë reale dhe e bilanceve të sektorit bankar kanë mbështetur rritjen me ritme të shpejta të kredisë, sidomos pas vitit 2024.

Ecuria pozitive ka vazhduar edhe në gjysmën e parë të këtij viti, pavarësisht disa masave frenuese të aplikuara nga Banka Qendrore mbi kreditë për pasuri të paluajtshme.

Ngadalësimi i rritjes së kredisë për shtëpi është kompensuar nga rritja e kredisë konsumatore dhe sidomos rritja më e shpejtë e kredisë për biznesin.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë po vazhdon ndërhyrjet në tregun valutor, me qëllim ngadalësimin e forcimit të Lekut.

Forcimi i Lekut po thellohet përsëri këtë vit, pasi u ngadalësua disi gjatë vitit 2025. Aktualisht, Euro këmbehet me 92.6 lekë, në nivelet më të ulëta të të gjitha kohërave. Kursi i Euros paraqitet në rënie me 4.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë rregullisht gjatë muajve të fundit, me qëllim për ta zbutur këtë tendencë. Për tremujorin e parë, blerjet arritën shifrën e 140 milionë eurove, ndërsa për tremujorin e dytë shifrat ende nuk janë bërë publike.

Ndërkohë, vitin e kaluar, sipas statistikave zyrtare, Banka Qendrore bleu shifrën rekord të 1 miliard e 27 milionë eurove në tregun e brendshëm valutor. Sasia e valutës së blerë është rritur me 10% krahasuar me një vit më parë. Vlera e përgjithshme e blerjeve përfshin ato të planifikuara, me qëllim rritjen e rezervës valutore, por edhe ato të lidhura me ndërhyrjet direkte në treg, me qëllim për të penguar rënien e mëtejshme të kursit të këmbimit.

Rritja e ofertës së parasë, nga ana tjetër, duket se më në fund është shoqëruar edhe me rritjen e inflacionit, që prej muajit qershor e ka kaluar  objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Rritja e muajve të fundit ka ardhur nga faktorë të ofertës, kryesisht rritjes së çmimit të karburanteve. Por, oferta e lartë e parasë mund të jetë një nga faktorët që po mbajnë të lartë inflacionin e brendshëm dhe inflacionin bazë, që ende dominon strukturën e inflacionit total në ekonomi.

Burimi: banka e Shqipërisë

The post Oferta e parasë po shënon rritjen më të lartë historike appeared first on Revista Monitor.

Kompensimi 10% i TVSH, Tatimet sqarojnë fermerët për paqartësitë në aplikim

By: Ornela
21 August 2026 at 10:25

Nga 1 korriku deri më deri më 31 dhjetor fermerët kanë afat të aplikojnë për kompensimin 10% të TVSH-së për furnizimet e kryera gjatë periudhës janar–qershor të vitit 2026.

Administrata tatimore ka sqaruar se si duhet të veprojnë fermerët nëse gjatë procesit të aplikimit hasin paqartësi apo problematika.

https://monitor.al/nisin-sot-aplikimet-ne-e-filing-per-kompensimin-e-tvsh-se-per-rreth-114-mije-fermere/

Një prej rasteve të ngritura lidhet me mosshfaqjen e faturave të muajit qershor 2026 në sistemin e e-Filing. Fermerët që kanë hasur këtë problem dhe kanë fshirë çështjen e krijuar më parë rrezikojnë të mos shohin më faturat në aplikimin e ri. Administrata Tatimore sqaron se për këto raste duhet t’i drejtohen Drejtorisë Rajonale Tatimore për verifikimet dhe ndërhyrjet e nevojshme. Ndërkohë fermerët kanë mundësi të aplikojnë sërish për faturat e pambuluara, nëse çështja e parë ka përfunduar dhe aplikimi i ri bëhet brenda afatit ligjor.

Për fermerët që nuk kanë përfshirë të gjitha faturat në aplikimin e parë, Tatimet sqarojnë se kërkesa e dorëzuar nuk mund të ndryshohet apo plotësohet më pas. Nëse çështja e parë ka statusin “Përfunduar”, ata mund të hapin një kërkesë të re dhe të përzgjedhin vetëm faturat për të cilat nuk kanë marrë kompensim. Ndërsa fermerët që përballen me probleme teknike në sistem duhet t’i drejtohen Drejtorisë Rajonale Tatimore ku janë të regjistruar. Për të përfituar kompensimin, kërkesa duhet të shoqërohet me dokumentacionin përkatës dhe numrin e llogarisë bankare.

Afati për aplikimet për furnizimet e periudhës janar–qershor 2026 është deri më 31 dhjetor 2026, ndaj fermerët duhet të kujdesen që të mos e humbasin këtë afat.

 

Si do të bëhen aplikimet për kompensimin e fermerëve përmes autofaturës

Cilat janë kushtet për të përfituar nga skema e kompensimit 10% të vlerës mbi mallrat dhe shërbimet e shitura?

Prodhuesit bujqësorë përfitojnë të drejtën e kompensimit kur:

-qarkullimi vjetor i tyre nuk tejkalon kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në;

-furnizojnë mallra apo shërbime me prejardhje nga puna e tyre;

-furnizimet kryhen ndaj personave të tatueshëm që nuk përfitojnë nga skema e kompensimit;

-janë pajisur me NIPT nga Administrata Tatimore, pa iu nënshtruar detyrimit për deklarim sipas nenit 106 të ligjit.

Çfarë është dhe si duhet ta kuptojmë vlerën e kompensimit?

Norma e kompensimit është 10% dhe aplikohet mbi çmimin pa TVSH të mallrave dhe shërbimeve të përcaktuara sipas shkronjës “dh” të nenit 145 të ligjit për TVSH-në.

Kompensimi mbulon TVSH-në e paguar prej prodhuesve bujqësorë, e përfshirë në çmimin e blerjes së mallrave dhe shërbimeve që u nevojiten për aktivitetin e tyre prodhues bujqësor.

Shuma e kompensimit llogaritet duke shumëzuar normën 10% me vlerën totale të produkteve dhe shërbimeve bujqësore të furnizuara nga prodhuesi bujqësor gjatë një periudhe gjashtëmujore.

Cila është mënyra e zbatimit të skemës së kompensimit?

Blerësi i produkteve bujqësore, personi i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në, i cili ushtron aktivitet si grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar, sipas legjislacionit në fuqi për turizmin, lëshon një faturë tatimore për shitësin, prodhues bujqësor, për çdo furnizim mallrash dhe shërbimesh të marrë prej tij. Vlera e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit, mbi të cilën aplikohet norma e kompensimit, sipas ligjit për TVSH.

Kompensimi i akorduar i paguhet prodhuesit bujqësor nga Administrata Tatimore. Për të përfituar këtë kompensim, prodhuesi bujqësor duhet të dorëzojë në Administratën Tatimore, nëpërmjet shërbimit postar ose në rrugë elektronike, një kërkesë për kompensim, të shoqëruar me kopje të faturave të lëshuara nga blerësi i mallrave dhe shërbimeve bujqësore, si dhe numrin e llogarisë së tij bankare.

Kërkesa për kompensim paraqitet:

deri më 31 dhjetor, për furnizimet e kryera gjatë periudhës janar–qershor të vitit përkatës;

deri më 30 qershor të vitit pasardhës, për furnizimet e kryera gjatë periudhës korrik–dhjetor të vitit paraardhës.

Administrata Tatimore kryen kompensimin brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.

 

Jam fermer i regjistruar dhe, për të përfituar kompensimin në masën 10%, kam aplikuar online sipas udhëzimit të publikuar. Gjatë aplikimit nuk m’u shfaqën faturat e muajit qershor 2026. Më pas e fshiva çështjen dhe e hapa përsëri, por tani nuk më shfaqet më asnjë faturë. Si mund të zgjidhet kjo problematikë, në mënyrë që të mos humbas të drejtën për të përfituar kompensimin që më takon?

Problemi i mosshfaqjes së faturave ka ardhur si rezultat i fshirjes së çështjes së krijuar më parë në sistem. Për zgjidhjen e kësaj problematike teknike, ju lutemi t’i drejtoheni Drejtorisë Rajonale Tatimore ku jeni i regjistruar, e cila do të kryejë verifikimet dhe ndërhyrjet e nevojshme, në mënyrë që aplikimi juaj për rimbursim të vijojë normalisht.

 

A mund të përfitoj kompensim nëse produktet ua shes individëve që nuk janë tatimpagues?

Jo. Ju nuk mund t’ua shisni produktet tuaja individëve që nuk janë të regjistruar si tatimpagues, pasi kjo është jashtë skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë.

Theksojmë se prodhuesit bujqësorë nuk lëshojnë vetë fatura tatimore.

Kur një prodhues bujqësor kërkon të lëshojë vetë fatura për individë të paregjistruar apo konsumatorë finalë, ai ka detyrimin të regjistrohet pranë QKB-së si tatimpagues për ushtrimin e aktivitetit privat, duke zbatuar rregullat ligjore si çdo tatimpagues tjetër në Republikën e Shqipërisë.

 

Kam aplikuar për përfitimin e kompensimit 10% për fermerët, por nuk kam përfshirë të gjitha faturat. A mund të korrigjoj kërkesën ekzistuese ose të paraqes një kërkesë tjetër online për faturat e mbetura? Nëse kjo nuk është e mundur, si mund të përfitoj kompensim edhe për faturat që nuk janë përfshirë në aplikimin e parë?

 

Një çështje e dorëzuar dhe e regjistruar me numër unik identifikimi në e-Filing nuk mund të ndryshohet apo plotësohet më pas. Megjithatë, brenda afatit të aplikimit (31.12.2026) dhe pasi çështja e parë të jetë me status “Përfunduar”, fermeri mund të aplikojë përsëri duke hapur një çështje të re online dhe të përzgjedhë vetëm faturat për të cilat nuk ka përfituar kompensim.

 

The post Kompensimi 10% i TVSH, Tatimet sqarojnë fermerët për paqartësitë në aplikim appeared first on Revista Monitor.

Monte dei Paschi paraqet oferta për Banco BPM dhe Banca Generali

By: Ornela
21 August 2026 at 09:55

Banka italiane Monte dei Paschi di Siena (MPS) ka paraqitur oferta për blerjen e Banco BPM dhe Banca Generali, me një vlerë të kombinuar prej rreth 34 miliardë eurosh, në një përpjekje për të forcuar pozicionin e saj përballë ofertës prej rreth 36 miliardë eurosh që Intesa Sanpaolo ka paraqitur për blerjen e MPS-së.

Sipas Reuters, oferta për Banco BPM e vlerëson bankën në rreth 25.3 miliardë euro, ndërsa ajo për Banca Generali në rreth 8.7 miliardë euro. Të dyja marrëveshjet parashikojnë shkëmbim aksionesh dhe jo pagesë në para.

Me këtë lëvizje, Monte dei Paschi po përpiqet të kalojë nga pozicioni i një banke që është objekt i një oferte blerjeje, në atë të një grupi që synon zgjerimin përmes blerjeve të tjera.

Intesa Sanpaolo kishte paraqitur në qershor ofertën e saj për MPS-në, por drejtuesit e Monte dei Paschi nuk e kanë mbështetur operacionin dhe po kërkojnë alternativa që do t’i lejonin bankës të ruante pavarësinë dhe të forconte praninë në tregun italian.

Nëse blerja e Banco BPM dhe Banca Generali do të realizohej, MPS do të krijonte një grup shumë më të madh financiar. Sipas bankës, grupi i kombinuar do të kishte një bilanc prej rreth 466 miliardë eurosh dhe më shumë se 810 miliardë euro aktive financiare.

MPS vlerëson gjithashtu se kombinimi i aktiviteteve mund të sillte rreth 2.6 miliardë euro sinergji vjetore, përmes uljes së kostove dhe rritjes së të ardhurave.

Megjithatë, realizimi i operacioneve mbetet i ndërlikuar.

Crédit Agricole, që zotëron rreth 29.3% të Banco BPM, kishte shprehur më herët kundërshtime ndaj një bashkimi mes Banco BPM dhe Monte dei Paschi. Kjo e bën mbështetjen e aksionerit francez një element të rëndësishëm për suksesin e ofertës.

Edhe për Banca Generali, miratimi nuk është i garantuar. Shoqëria kontrollohet në masën mbi 50% nga Assicurazioni Generali, ndaj qëndrimi i këtij grupi do të jetë vendimtar.

Monte dei Paschi duhet gjithashtu të sigurojë mbështetjen e aksionerëve të saj për strategjinë e re. Ndër aksionerët kryesorë janë Delfin, biznesmeni Francesco Gaetano Caltagirone dhe Ministria italiane e Ekonomisë.

Sipas Reuters, aksionerët e MPS-së pritet të votojnë mbi planin më 29 tetor, ndërsa përfundimi i operacioneve, nëse merren miratimet e nevojshme nga autoritetet dhe aksionerët, synohet deri në mesin e shkurtit 2027.

Lëvizja e Monte dei Paschi është pjesë e valës së konsolidimit në sektorin bankar italian. Vetëm pak vite më parë, MPS ishte shpëtuar nga shteti, ndërsa sot banka po përpiqet të ruajë pavarësinë dhe të rrisë përmasat e saj në një treg ku konkurrenca mes grupeve të mëdha bankare është intensifikuar ndjeshëm.

Burimi: Reuters

The post Monte dei Paschi paraqet oferta për Banco BPM dhe Banca Generali appeared first on Revista Monitor.

Vendet më të mira në botë për të jetuar jashtë në 2026

By: Ornela
21 August 2026 at 09:46

Renditja e re globale zbulon vendet më të mira për të ndërtuar një jetë jashtë vendit, ndërsa njerëzit që janë zhvendosur atje tregojnë pse i kanë zgjedhur.

Sondazhi Expat Insider 2026 i InterNations ka renditur 31 destinacione sipas cilësisë së jetës, lehtësisë për t’u përshtatur, mundësive për të punuar jashtë vendit, financave personale dhe elementeve praktike si strehimi dhe shërbimet dixhitale.

Në vendet që kryesojnë renditjen këtë vit, faktorët që kanë bërë diferencën më të madhe janë mikpritja dhe kostot e përballueshme. Shtatë nga dhjetë destinacionet e para renditen ndër vendet ku është më e lehtë të përshtatesh, ndërsa pesë prej tyre janë ndër më të mirat në botë për financat personale.

BBC ka folur me njerëz që jetojnë në pesë vendet e para të renditjes për të kuptuar pse janë zhvendosur atje, si janë përshtatur dhe çfarë duhet të dinë ata që po mendojnë të bëjnë të njëjtën zgjedhje.

 

Dhjetë vendet më të mira për të jetuar jashtë në 2026

Panamaja

Meksika

Tajlanda

Emiratet e Bashkuara Arabe

Brazili

Spanja

Singapori

Portugalia

Malajzia

Luksemburgu

 

  1. Panamaja

Panamaja kryesoi renditjen për të tretin vit radhazi, duke zënë vendin e parë si për punën jashtë vendit, ashtu edhe për financat personale. Rreth 87% e të huajve që jetojnë atje deklarojnë se janë të kënaqur me jetën jashtë vendit të tyre, krahasuar me 70% në nivel global, ndërsa 90% thonë se është e lehtë të gjesh banesë.

Ariel Barrionuevo u zhvendos nga Argjentina në bregdetin karaibik të Panamasë tetë vjet më parë. Shumë shpejt vuri re se flinte më mirë, zgjohej më i çlodhur dhe ndihej më i pranishëm në përditshmëri.

“E kuptova se kjo nuk ndodhte sepse isha me pushime, por sepse ky vend ka ritmin e vet”, tha Barrionuevo, i cili sot është drejtor i hotelit La Coralina Island House, në Isla Colón.

Një ditë e zakonshme për Barrionuevo-n përfshin një ndalesë pranë oqeanit, një shëtitje në kopshtin tropikal dhe dëgjimin e zogjve.

“Është një ritual i thjeshtë, por çdo ditë më kujton pse zgjodha të jetoj këtu”, tha ai.

Ai e konsideron jetën në Panama më të përballueshme se në Argjentinë dhe vlerëson stabilitetin e ekonomisë, që e bën më të lehtë planifikimin e jetës dhe të biznesit.

Reza Motalebpour, e cila u zhvendos këtë vit nga Kanadaja në Panama City, thotë se puna në distancë është e thjeshtë, falë internetit të besueshëm si në shtëpi, ashtu edhe në hapësirat e përbashkëta të punës.

Ajo ka gjetur të lehtë edhe përdorimin e sistemit bankar, veçanërisht për shkak se ekonomia përdor dollarin. Ndonëse kursi i këmbimit mund t’i bëjë kostot fillimisht të duken të larta për kanadezët, ajo thotë se faturat relativisht të ulëta të shërbimeve, kostot e sigurimeve dhe taksat mbi pronën bëjnë që kostoja e përgjithshme e jetesës të mbetet e favorshme.

Jeta në Panama nuk është pa vështirësi. Barrionuevo përmend vonesat në dërgesa dhe motin që mund të prishë shpejt planet në Isla Colón.

Megjithatë, ai thotë se zgjedhja e një ritmi më të ngadaltë është një vendim për të cilin nuk është penduar dhe mendon se edhe vizitorët apo ata që po mendojnë të zhvendosen atje duhet ta përqafojnë këtë mënyrë jetese.

Ai rekomandon një vizitë në Bluff Beach, blerjen e frutave të freskëta në tezgat buzë rrugës dhe kalimin e pasdites duke parë sërfistët në Paunch Beach.

“Erdha duke menduar se po zhvendosesha në një destinacion të bukur”, tha ai. “Kur e shoh sot, në të vërtetë po shkoja drejt një mënyre tjetër jetese, ku koha vlerësohet më shumë se shpejtësia, përvojat më shumë se zotërimet dhe lidhjet njerëzore më shumë se aktiviteti i pandërprerë.”

 

  1. Meksika

Meksika renditet e para për lehtësinë e përshtatjes dhe e dyta në renditjen e përgjithshme. Ajo vazhdon të jetë vendi ku të huajt e kanë më të lehtë të ndihen si në shtëpi.

Rreth 73% e atyre që jetojnë në Meksikë thonë se është e lehtë të krijojnë miqësi me vendasit, krahasuar me 39% në nivel global. Ndërkohë, dyfishi i mesatares botërore deklarojnë se rrethi i tyre shoqëror përbëhet kryesisht nga vendas.

“Kam krijuar miqësi më të mira jashtë vendit sesa kam pasur ndonjëherë në Çikago”, tha Kirsten Raccuia, e cila shkruan blogun Sand in My Curls.

Ajo dhe bashkëshorti i saj u zhvendosën në Puerto Vallarta në vitin 2022 dhe thonë se ndjenja e komunitetit, së bashku me koston më të ulët të jetesës, i ka bindur të qëndrojnë.

 

Sipas saj, tacos të rrugës kushtojnë rreth 1 dollar, ndërsa një operacion urgjent për apendicit, së bashku me qëndrimin në spital, i kushtoi më pak se 4 mijë dollarë, një çmim që do të ishte i paimagjinueshëm në SHBA.

Për ta përjetuar më mirë qytetin, Raccuia rekomandon mëngjesin në tregjet lokale të ushqimit dhe një vizitë në plazh të dielën, kur mblidhen familjet.

“Po, është zonë turistike, por është gjithashtu ajo që bëjnë vendasit”, tha ajo.

Ka megjithatë edhe një pikë të dobët: Meksika renditet në vendin e 25-të nga 31 vende për sigurinë, me 68% të të huajve që e vlerësojnë pozitivisht sigurinë personale, krahasuar me 81% në nivel global.

 

  1. Tajlanda

E treta në renditjen e përgjithshme, Tajlanda është vendi ku të huajt që jetojnë atje raportojnë nivelin më të lartë të kënaqësisë: 86% thonë se janë të kënaqur me jetën e tyre jashtë vendit.

Vendi mori gjithashtu vlerësimin më të lartë në sondazh për koston e jetesës, me 85% që e konsiderojnë pozitive, më shumë se dyfishi i mesatares globale.

Për ata që janë të gatshëm të përqafojnë kulturën tajlandeze dhe të respektojnë normat e saj, Tajlanda mund të jetë një vend shumë i kënaqshëm për të jetuar, thotë Bethan Jeentipraphet.

“Katër veta hëngrëm për një shumë të barabartë me rreth 1 paund”, kujton ajo për vaktin e saj të parë me ushqim rruge në Bangkok.

Nëna britanike e dy fëmijëve u zhvendos nga Devon në vitin 2024 së bashku me bashkëshortin e saj tajlandez, me planin për të qëndruar vetëm një vit.

“Brenda dy javësh e dija se nuk do të kthehesha”, tha ajo.

Ajo vlerëson gjithashtu sistemin arsimor të Tajlandës, i cili, sipas saj, e ka ndryshuar shumë djalin e saj.

“Respekti ka një peshë të madhe në kulturën tajlandeze dhe nxënësit këtu duket qartë se kanë shumë respekt për arsimin”, tha ajo. “Ai është një fëmijë krejtësisht tjetër.”

Aaron Henry, i cili u zhvendos nga Los Angeles 11 vjet më parë, thotë se Bangkok është modernizuar pa humbur kulturën e vet.

“Ka ruajtur elementet unike të kulturës tajlandeze, ndërsa, veçanërisht gjatë dekadës së fundit, është zhvilluar jashtëzakonisht shumë në kuzhinën ndërkombëtare, parqet cilësore, galeritë e artit dhe qendrat tregtare luksoze.”

Ai rekomandon eksplorimin e lagjeve Ari dhe Phra Khanong, që janë më pak turistike dhe ku qyteti mund të përjetohet më shumë si një vendas.

 

Jeentipraphet këshillon të sapoardhurit të bëjnë përpjekje për të kuptuar dhe respektuar zakonet vendase, që nga heqja e këpucëve përpara hyrjes në shtëpi deri te qëndrimi në këmbë gjatë himnit kombëtar, i cili luhet çdo ditë në hapësirat publike në orën 08:00 dhe 18:00.

“Për ata që janë të gatshëm të përqafojnë kulturën tajlandeze dhe të respektojnë normat e saj, Tajlanda mund të jetë një vend jashtëzakonisht shpërblyes për të jetuar.”

 

  1. Emiratet e Bashkuara Arabe

Me vlerësime shumë të larta për perspektivat e karrierës dhe për kushtet praktike të jetesës, ku përfshihen vizat dhe gjuha, Emiratet e Bashkuara Arabe e bëjnë relativisht të lehtë për të huajt të vendosen dhe të ndërtojnë karrierën e tyre.

InterNations e zhvilloi sondazhin në shkurt dhe mars 2026, para dhe pas shpërthimit të konfliktit SHBA-Iran, ndaj rezultatet pasqyrojnë vetëm pjesërisht ndikimin e tij.

Megjithatë, të huajt që vazhdojnë të jetojnë në Emirate thonë se, pavarësisht disa përshtatjeve, jeta e përditshme ka vazhduar kryesisht pa ndryshime.

“Jeta e përditshme në Dubai duket normale”, tha Michelle Sterling, konsulente imazhi që e ndan kohën mes Dubait dhe SHBA-së, por aktualisht preferon Dubain.

“Për mua, Dubai ofron një mënyrë jetese që ndihet më e sigurt, më komode dhe më e përballueshme.”

Nikita Oruganty, e cila u zhvendos nga Londra në Dubai në fillim të këtij viti për të punuar në komunikim, thotë se klima mikpritëse vazhdon ta bëjë vendin tërheqës.

“Ndërsa vende të tjera po e bëjnë më të vështirë zhvendosjen përmes rregullave të emigracionit, Emiratet i kanë mirëpritur gjithmonë të huajt”, tha ajo.

Ajo vlerëson gjithashtu mënyrën se si autoritetet kanë menaxhuar sigurinë dhe komunikimin gjatë periudhave të pasigurta.

“Kjo ndjenjë stabiliteti ka shumë rëndësi kur jeton jashtë vendit dhe familjen nuk e ke pranë.”

Për të parë jetën reale të banorëve, Oruganty sugjeron të kalohet të paktën një ditë larg versionit luksoz të qytetit: të udhëtosh me metro në orarin e pikut, të shëtisësh në lagjet tradicionale Bur Dubai dhe Deira, të kalosh Dubai Creek me abra, tragetin tradicional prej druri, dhe të hash në një restorant të vogël indian, filipinas ose libanez.

“Aty sheh versionin e përditshëm të Dubait, shumë më të zakonshëm sesa sugjeron imazhi i tij ndërkombëtar”, tha ajo.

Jashtë Dubait, britanikja Sharon Mckernan jeton prej tetë vitesh në Ras Al Khaimah dhe thotë se nuk është penduar për zgjedhjen.

“Më pëlqen ritmi i qetë dhe i thjeshtë i jetës”, tha ajo. “Nuk ka atë nxitimin e vazhdueshëm, ka më pak trafik dhe përgjithësisht më pak shqetësime të përditshme, çka na jep më shumë kohë familjare për ta kaluar pranë pishinës, në plazh apo duke eksploruar malet.”

 

Ajo ka konstatuar gjithashtu se shërbimi shëndetësor është i shpejtë dhe efikas dhe se ka qenë e lehtë të krijojë miqësi me njerëz nga e gjithë bota.

Për vizitorët, ajo sugjeron të shohin perëndimin nga Jebel Jais, mali më i lartë i Emirateve, ose të eksplorojnë Al Jazirah Al Hamra Heritage Village.

“Ai të tregon një anë tjetër të Emirateve, të ndryshme dhe relativisht të panjohur për shumicën”, tha ajo.

 

  1. Brazili

 

Për herë të parë këtë vit, Brazili hyri në pesëshen e parë të renditjes.

Vendi mori vlerësime të larta për lumturinë, lehtësinë e përshtatjes, mikpritjen e vendasve dhe kulturën. Shumë nga të huajt që jetojnë atje thonë se pikërisht ngrohtësia e njerëzve i bën të ndihen si në shtëpi.

“Mund të takosh dikë për herë të parë të enjten dhe të shtunën të jesh në shtëpinë e tij duke ngrënë churrasco”, tha Clint Manning, i cili u zhvendos nga Barbadosi në São Paulo për të zhvilluar biznesin e tij.

“Duke qenë nga Barbadosi dhe duke pasur atje një mënyrë jetese të ngjashme, më dukej shumë si shtëpia ime, vetëm në një shkallë shumë më të madhe.”

Chris Kohl e përshkruan kështu:

“Në vend që të më bënin të ndihesha i huaj, brazilianët më bënë të ndihesha sikur i përkisja atij vendi.”

Manning vëren se anglishtja nuk flitet gjerësisht në Brazil, gjë që ai e konsideron një avantazh.

“Për dikë që është vërtet i interesuar të mësojë gjuhën, është një përvojë fantastike, sepse detyrohesh të komunikosh në portugalisht nga nevoja”, tha ai.

“E mësova gjuhën rrjedhshëm shumë më shpejt sesa do ta kisha mësuar danishten apo gjermanishten në Danimarkë apo Gjermani.”

Për ta përjetuar më mirë São Paulo-n, ai rekomandon baret dhe padarias në Vila Madalena dhe Bela Vista, sushi në Liberdade, lagjja japoneze e qytetit, si dhe aktivitet fizik në Ibirapuera Park, një nga parqet urbane më të mëdha në Amerikën Latine.

Por më shumë se peizazhet apo atraksionet, të huajt që kanë jetuar atje thonë se janë vendasit ata që krijojnë ndjenjën më të fortë të përkatësisë.

“Ata ishin vërtet të interesuar dhe kureshtarë të më njihnin dhe më bënë të ndihesha i përfshirë që në fillim”, tha Chris Kohl, i cili jetoi në São Paulo për 12 vjet.

“Në vend që të më bënin të ndihesha i huaj, brazilianët më bënë të ndihesha sikur i përkisja atij vendi.”

BBC

The post Vendet më të mira në botë për të jetuar jashtë në 2026 appeared first on Revista Monitor.

Ligji i faljes, shuhen 410 mln euro detyrime në Tatime, përfituan 204 mijë biznese

By: Ornela
18 August 2026 at 12:44

Vijon procesi i fshirjes automatike të detyrimeve tatimore për tatimpaguesit përfitues, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 86/2025.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) deri 31 korrik 2026 janë fshirë ose shuar detyrime në vlerën 410 milionë euro për 204,413 tatimpagues, ndërsa procesi vijon për të gjithë përfituesit sipas ligjit.

Administrata tatimore, kujton tatimpaguesit se procesi i faljes mbyllet në 31 dhjetor 2026.

Ligji për fshirjen e detyrimeve tatimore, doganore dhe të pushtetit vendor po zbatohet në disa faza.

Fillimisht, nga data 10 qershor deri më 30 qershor 2026 u zbatua edhe faza e pagesave për përfitimin nga falja me kusht e detyrimeve tatimore, gjobave dhe kamatëvonesave, sipas ligjit nr. 86/2025.

Për periudhën 2015–2019 përfitohet fshirje e 50% të detyrimit principal, si dhe fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse 50% e mbetur paguhej njëherësh nga 10.06.2026 deri më 30.06.2026.

Për periudhën 2015–2019 përfitohet fshirje e 25% të detyrimit principal, si dhe fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave. Afati për të paguar 75% të principalit, me kushtin që të fshihet pjesa e mbetur paguhet nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026.

Për periudhën 2020–2024 përfitohet fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse paguhet 100% e detyrimit principal nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026.

The post Ligji i faljes, shuhen 410 mln euro detyrime në Tatime, përfituan 204 mijë biznese appeared first on Revista Monitor.

Dy javë leje, por sa ditë pushon vërtet? 6 fazat e pushimeve

By: Ornela
18 August 2026 at 12:37

Është verë, të paktën në hemisferën veriore, që do të thotë zyra më të zbrazëta dhe aeroporte më të mbushura. Në teori, pushimet janë koha kur njeriu shkëputet dhe çlodhet siç duhet. Në praktikë, përpara se të mbërrish te ai moment, duhet të kalosh nëpër disa faza. Dhe pastaj, edhe disa të tjera, përpara se të zhytesh sërish plotësisht në punë.

Faza e përgatitjes. Ke nevojë dëshpërimisht për pushime. Në dy ditët e fundit para nisjes, përpiqesh të mbyllësh punët më urgjente, përfshirë edhe rregullimin e tavolinës. U thua njerëzve të ekipit se ke besim të plotë tek ata dhe, në të njëjtën frymë, u thua të të kontaktojnë nëse del diçka, sado e parëndësishme. Rezultati është që ata nuk ndihen aspak të besuar.

Mendon të aktivizosh mesazhin automatik “jashtë zyrës”, por pastaj heq dorë: në fund të fundit, nuk është ndonjë problem i madh ta kontrollosh telefonin herë pas here. Teksa del nga zyra, të duket sikur po të zë një ftohje.

Faza “duhet të çlodhem me çdo kusht”. Ditët e para të pushimeve i trajton pothuajse si punë. Kalon shumë kohë duke pyetur modelet e inteligjencës artificiale për vende të pazbuluara, larg turmave. Në një mëngjes tipik, udhëton dy orë me makinë për të ngrënë mëngjes në një vend të rekomanduar nga ChatGPT, vetëm për të zbuluar se është mbyllur. Pastaj viziton një muze kushtuar artit të lashtë të konservimit të peshkut.

Në drekë pi verë dhe të zë gjumi. Kur zgjohesh, e mendon atë kohë të kaluar në gjumë si kohë që mund ta kishe përdorur për t’u çlodhur. Je jashtëzakonisht i vetëdijshëm se koha po kalon dhe ditët e lirisë po pakësohen. Merr një libër në dorë, por në vend që ta lexosh, shqetësohesh se mos ka mënyra edhe më çlodhëse për ta kaluar kohën e lirë. Për dikë që është me pushime, je çuditërisht i tensionuar.

Faza e shkëputjes. Ndërkohë, kontrollon emailin herë pas here dhe fut hundët në çështje ku nuk ka fare nevojë të ndërhysh. Të vijnë disa mesazhe në WhatsApp dhe dikush të kërkon të hysh në një telefonatë pune. Ndihesh njëkohësisht i bezdisur dhe i kënaqur.

“Nuk e bëni dot pa mua?” mendon. Pastaj, pothuajse menjëherë: “Nuk e bëni dot pa mua!”

Teksa fillon t’i ndash mesazhet mes atyre që duhen trajtuar menjëherë dhe atyre që mund të presin, kupton dalëngadalë se sa shumë nga gjërat që ndodhin çdo javë: a) nuk kanë fare nevojë për ty dhe b) nuk kanë ndonjë rëndësi afatgjatë.

Fillon të injorosh shumicën e mesazheve. Nëse është vërtet e rëndësishme, do të gjejnë një mënyrë të të kontaktojnë. Më në fund, aktivizon edhe mesazhin “jashtë zyrës”.

Faza e iluzioneve. Më në fund fillon të çlodhesh. Fle pak më gjatë në mëngjes. Nuk e sheh më telefonin aq shpesh. Kujton se pikërisht në atë moment, në zyrë po zhvillohet mbledhja javore e shitjeve dhe qesh me zë me sa e vogël të duket tani jeta jote e mëparshme.

 

Shumë shpejt, fillon të humbasësh pak lidhjen me realitetin. Mendon të transferohesh përfundimisht në vendin ku po kalon pushimet, duke harruar se po e shijon aq shumë pikërisht sepse moti është i bukur dhe ti nuk po punon.

Fillon të llogarisësh se sa shpejt mund të dalësh në pension. Fantazon për një punë në natyrë, ndoshta me kajak në det ose duke bërë diçka artizanale me mure guri.

Faza e motivimit. Fundi i pushimeve po afrohet me shpejtësi. Kupton se kajaku në det të shkakton flluska në duar dhe se gjërat që di të bësh më mirë nuk kanë shumë lidhje me muret prej guri.

Fillon t’u hedhësh sërish një sy emaileve, por vetëm atyre që kanë rëndësi. Madje fillon të ndiesh dëshirë për t’u kthyer në punë.

Tani e ke parë qartë se sa shumë kohë humbet me gjëra të parëndësishme dhe vendos që, sapo të kthehesh, do të jesh shumë më i rreptë me prioritetet. Ke edhe disa ide vërtet të mira për ta përmirësuar mbledhjen javore të shitjeve.

Faza e rikthimit te zakonet e vjetra. Kthehesh në zyrë plot energji. Dukesh dhe ndihesh më mirë se kolegët e tu. Pastaj zhvillon të njëjtën bisedë rreth 800 herë.

“Si kalove me pushime?”

“Shumë bukur.”

“Ku shkove?”

“Çfarë bëre atje?”

Shumë shpejt kupton se askush nuk është vërtet i interesuar se ku shkove, ndaj fillon të shpikësh përgjigje.

“Ku shkove?”

“Në Wakanda.”

“Çfarë bëre?”

“Vizituam minierat e vibraniumit.”

“Ah, gjithmonë kam dashur ta bëj këtë.”

Është bukur t’i shohësh sërish njerëzit. Është mirë të kesh një qëllim. Por shumë shpejt kthehesh te zakonet e vjetra.

Një kalendar bosh nuk të duket më si dëshmi se po vendos me zgjuarsi prioritetet, por si një ekspozim publik i faktit se ndoshta nuk je aq i domosdoshëm. Kështu që oraret fillojnë të mbushen përsëri.

Kur vijnë emailet, u përgjigjesh pa bërë dallim. Tavolina fillon të mbushet sërish me rrëmujë. Merr pjesë në mbledhjen javore të shitjeve dhe të kujtohet vagullt se dikur kishe pasur një ide për ta përmirësuar.

 

Pastaj kthehen edhe kolegët nga pushimet e tyre dhe i pyet si kaluan. Nuk po i dëgjon përgjigjet. Duken aq mirë, aq plot energji.

Dhe papritur të duket sikur po të zë sërish një ftohje.

Ke nevojë dëshpërimisht për pushime./ The Economist

The post Dy javë leje, por sa ditë pushon vërtet? 6 fazat e pushimeve appeared first on Revista Monitor.

Të rinjtë interes për blegtorinë, 414 aplikime për mbështetje nga Skema Kombëtare

By: Ornela
18 August 2026 at 12:10

 Interesi i të rinjve për blegtorinë duket se po rritet, ku janë të shumtë fermerët e rinj që kanë aplikuar për mbështetje financiare nga Skema Kombëtare për Bujqësinë 2026.

Nga Skema Kombëtare për Bujqësinë deri tani rezultojnë se kanë aplikuar për financime 414 fermerë të rinj.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR),  nga totali i aplikimeve nga fermerët e rinj, me fokus kryesisht në:

223 aplikime apo 54% e totalit janë për blerje kafshësh

164 aplikime apo 40% e tyre për makineri bujqësore

27 apo 6%  aplikime për strehim kafshësh

Sipas AZHBR, këto investime që synojnë forcimin e fermave, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe zhvillimin e një bujqësie më moderne e konkurruese.

Një nga masat e reja synon fermerët e rinj, të cilët do të mund të mbështeten me grant deri në 10 milionë lekë, ose rreth 10 mijë euro, kryesisht për investime në sektorin e blegtorisë.

Mbështetje e veçantë parashikohet edhe për ndërtimin e staneve, me grant deri në rreth 3 milionë lekë, ndërsa për pajisje dhe makineri bujqësore parashikohet mbështetje deri në 500 mijë lekë. Në këtë kategori përfshihen edhe pajisje si tankerët për ruajtjen e qumështit dhe vajit të ullirit.

Fondi në dispozicion nëpërmjet Skemës Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2026 është në vlerën e 2.5 mld lekëve.

Për 2026 skema kombëtare pati një sërë ndryshimesh. Krahasuar me vitin 2025 u rritën vlera e mbështetjes për blegtorinë dhe u përgjysmuan pragjet për numrin e kafshëve në fermë për përfitim të subvencioneve.

 

The post Të rinjtë interes për blegtorinë, 414 aplikime për mbështetje nga Skema Kombëtare appeared first on Revista Monitor.

Shtrenjtimi i sigurimit të detyrueshëm, kompanitë i rritën fitimet nga produkti me 22%

By: Ornela
18 August 2026 at 10:00

Shoqëritë e sigurimit i rritën fitimet nga sigurimi i detyrueshëm i mjeteve vitin e kaluar.

Të dhënat e raportit të mbikëqyrjes nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se bilanci i llogarisë teknike për produktin e sigurimit të përgjegjësive motorike ndaj palëve të treta ishte me fitim në vlerën e 1.26 miliardë lekëve ose rreth 13 milionë eurove. Fitimi nga ky produkt u rrit me 22% krahasuar me një vit më parë.

Sigurimi i detyrueshëm TPL solli 40% të fitimit neto të tregut të sigurimeve të Jo-Jetës vitin e kaluar.

Rritja e fitimeve erdhi nga zgjerimi i primeve të shkruara bruto dhe primeve të fituara, ndërkohë që raportet dëme/prime dhe shpenzime/prime pësuan rënie.

Raporti dëme/prime neto u ul në 41.45%, nga 42% që kishte qenë në vitin 2024. Ndërsa raporti mes shpenzimeve të marrjes në sigurim dhe dëmeve pësoi gjithashtu rënie në 24.74%, nga 26.7% që kishte qenë një vit më parë.

Duke filluar nga fillimi i vitit të kaluar, nisi zbatimi i rregullores së AMF-së “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Rregullorja parashikon se, në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit.

Aplikimi i primeve të diferencuara mbi këta faktorë rreziku solli një rritje të primit mesatar të sigurimit me 6% krahasuar me vitin 2024. Shtrenjtimi i primit mesatar vlerësohet se ka luajtur një rol të konsiderueshëm në rritjen e fitimeve e tregut të sigurimeve nga ky produkt.

Sigurimet e detyrueshme motorike kanë një peshë shumë të lartë në strukturën e primeve të shkruara bruto në sigurimet e Jo-Jetës. Për vitin 2025, sigurimi i brendshëm TPL solli më shumë se 58% të primeve të shkruara bruto të këtij tregu. Së bashku me Policën Kufitare dhe Kartonin Jeshil, produktet e detyrueshme motorike përbënin pothuajse 69% të primeve të shkruara bruto. Rrjedhimisht, edhe fitimi i këtyre produkteve ka një rëndësi përcaktuese në ecurinë e rezultatit total të tregut.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në total fitimi i tregut të sigurimeve të Jo-Jetës vitin e kaluar arriti vlerën e 3.14 miliardë lekëve ose 32.4 milionë eurove. Krahasuar me një vit më parë, fitimi i kompanive të sigurimit të Jo-Jetës u rrit me 56%./ E.Shehu

Burimi: AMF

The post Shtrenjtimi i sigurimit të detyrueshëm, kompanitë i rritën fitimet nga produkti me 22% appeared first on Revista Monitor.

Inceneratori i pa-ndërtuar i Tiranës, kompania nën sekuestro me fitim 8 mln euro në 2025

By: Ornela
18 August 2026 at 06:05

“Integrated Energy BV SPV”, shoqëria koncesionare e incineratorit të Tiranës, siguroi një fitim para taksave prej 792.3 milionë lekësh në vitin 2025 (mbi 8 milionë euro), pavarësisht se impianti për djegien e mbetjeve, për të cilin u lidh kontrata, nuk është ndërtuar.

Sipas pasqyrave financiare të vitit 2025, të ardhurat nga aktiviteti kryesor arritën në 1.5 miliardë lekë. Kompania thotë në raport se të ardhurat i ka nga përpunimi i mbetjeve.  Gjatë vitit 2025 janë pranuar dhe trajtuar mbetje nga bashkitë e qarkut dhe operatorë privatë me kontratë; sasia e trajtuar gjatë vitit ishte rreth 492,935 ton, sipas të dhnave zyrtare

Fitimi para tatimit përbënte rreth 53% të të ardhurave. Për çdo 100 lekë të ardhura, kompania gjeneroi afro 53 lekë fitim para taksave, një normë jashtëzakonisht e lartë për një kontratë të financuar në pjesën më të madhe nga pagesat publike për trajtimin e mbetjeve.

Pas pagesës së 119.6 milionë lekëve tatim, “Integrated Energy BV SPV” e mbylli vitin 2025 me një fitim neto prej 672.8 milionë lekësh gati 7 mln euro.

Koncesioni i mbetjeve në Tiranë i ka marrë rregullisht pagesat nga buxheti i shtetti, edhe pasi u vu në sekuestro dhe ndonëse ai kryen vetëm shërbimin e menaxhimit të mbetjeve dhe nuk e ka krer investimin e parashikuar për ndërtimin e inceneratorit. Në 2025-n, shoqëria mori 913 milionë lekë pagesa nga buxheti, ndërsa që nga 2017-a ka marrë gjithsej 8.4 miliardë lekë.

Rezultatet financiare marrin një peshë tjetër për shkak të historisë së kontratës dhe hetimeve penale. Koncesioni me vlerë të parashikuar investimi prej 128.2 milionë eurosh pa TVSH u dha në vitin 2017 për ndërtimin e landfillit, incineratorit, rehabilitimin e vend-depozitimeve ekzistuese dhe prodhimin e energjisë elektrike.

Por impianti industrial i incinerimit nuk u ndërtua. Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte konstatuar se Bashkia e Tiranës dhe institucionet shtetërore paguanin tarifën e plotë prej 29 eurosh për ton, ndonëse ajo përfshinte edhe procesin e incenerimit, i cili nuk kryhej.

Shoqëria ndodhet nën sekuestro preventive që prej korrikut 2023 dhe administrohet nga shteti. Sipas SPAK-ut, pronarët “de facto” të saj janë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, pavarësisht strukturës formale të pronësisë së regjistruar jashtë vendit.

Në korrik 2026, SPAK dërgoi për gjykim 12 persona dhe dy shoqëritë “Integrated Energy BV SPV” dhe “Integrated Technology Service”. Vetë kompania koncesionare akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Sipas SPAK-ut, nga fillimi i kontratës deri në vendosjen e sekuestros në vitin 2023, kompania siguroi 11.3 miliardë lekë të ardhura, ndërsa për ndërtimin e veprës u investuan vetëm 21 milionë euro. Prokuroria pretendon se shuma të mëdha u nxorën nga llogaritë përmes faturave fiktive, kompanive të krijuara brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe transfertave në para fizike. Vlera e identifikuar nga hetimi arrin në 1.28 miliardë lekë dhe 16.7 milionë euro.

Norma prej 53% e fitimit para taksave tregon se kontrata vijon të prodhojë fitime të mëdha, ndërsa vepra kryesore që duhet të justifikonte tarifën dhe investimin publik, incineratori nuk është ndërtuar tani pas 9 vitesh nga hyrja në fuqi e kontratës./ B.Hoxha

Burimi: QKB, pasqyrat financiare

The post Inceneratori i pa-ndërtuar i Tiranës, kompania nën sekuestro me fitim 8 mln euro në 2025 appeared first on Revista Monitor.

Shifrat e ILO, produktiviteti i punës në Shqipëri pësoi rënie në 2025, e fundit në Ballkan

By: Ornela
18 August 2026 at 06:01

Produktiviteti i punës pësoi në Shqipëri pësoi rënie vitin e kaluar, duke qëndruar në nivelin më të ulët në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), Prodhimi i Brendshëm Bruto për orë pune në Shqipëri vitin e kaluar vlerësohej në 18.7 dollarë ndërkombëtarë. Ky tregues është tkurrur me 4.1% krahasuar me vitin 2024 dhe hendeku me vendet fqinjë të rajonit është thelluar më tej.

Zakonisht, produktiviteti i punës matet si raport i vlerës së prodhimit me kohën e shpenzuar për ta prodhuar. Statistikat krahasuese përdorin si njësi matëse dollarin ndërkombëtar, njësi monetare hipotetike, që përdoret në funksion të paritetit të fuqisë blerëse.

Mes vendeve të rajonit, Shqipëria paraprihet nga Bosnje Hercegovina, me 26.3 dollarë për orë, Serbia, me 29.8 dollarë, Mali i Zi, me 31.1 dollarë dhe Maqedonia e Veriut, me 34 dollarë.

Statistikat e ILO nuk japin informacion për Kosovën.

Shqipëria renditet gjithashtu poshtë mesatares globale, që vlerësohet nga ILO në nivelin 23.3 dollarë për orë pune.

Faktorët kryesorë që përcaktojnë nivelin e produktivitetit janë investimet në teknologji dhe automatizim, inovacioni dhe cilësia e kapitalit njerëzor ose aftësitë e forcës së punës.

Por, një ndikim të madh në këtë tregues ka edhe struktura e ekonomisë dhe pesha në prodhim e atyre e sektorëve që zakonisht mundësojnë një vlerë më të madhe të shtuar për njësi kohë pune.

Shtetet me produktivitetin më të lartë të punës në Botë janë Irlanda, me 164.7 dollarë në orë e ndjekur nga Luksemburgu, me 159.5 dollarë në orë.

Të dhënat e ILO tregojnë se në përgjithësi ekonomitë që shfrytëzojnë një forcë pune më të kosto të ulët kanë edhe produktivitet më të dobët të punës.

Edhe në Shqipëri, kosto e ulët e krahut të punës dhe informaliteti i lartë nuk kanë krijuar shumë stimuj për të rritur produktivitetin në dekadat pas rënies së komunizmit. Për shkak të pagave të ulëta, ndërmarrjet kanë ndier pak presion për të investuar në automatizim, çka do të mundësonte rritje të prodhimit pa shtuar kostot e punës.

Rënia e peshës së fasonerisë në ekonomi dhe punësim mund të jetë një premisë për të orientuar ekonominë drejt sektorëve me produktivitet më të lartë.

Produktiviteti i ulët i punës kufizon mundësitë për rritje të pagës reale, ndaj përmirësimi i këtij treguesi është thelbësor për rritjen e mirëqenies së një vendi.

Nga ana tjetër, trysnia nga tregu i punës për rritjen e pagave (siç ka ndodhur në Shqipëri në vitet e fundit) mund të krijojë më shumë presione për nevojën e rritjes së produktivitetit të punës, në mënyrë që bizneset të arrijnë në ruajnë konkurrueshmërinë.

Megjithatë, të dhënat krahasuese të ILO-s tregojnë se vendi ynë nuk ka arritur përmirësime të rëndësishme në produktivitetin e punës. / E.Shehu

 

The post Shifrat e ILO, produktiviteti i punës në Shqipëri pësoi rënie në 2025, e fundit në Ballkan appeared first on Revista Monitor.

BB: Projekti i shëndetësisë humbi objektivat, kapacitetet e FSDKSH mes pengesave të reformës

By: Ornela
18 August 2026 at 06:00

Projekti i Bankës Botërore për përmirësimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri nuk arriti një pjesë të rëndësishme të objektivave me të cilat nisi në vitin 2015. Nga ana tjetër zbatimi u zgjat me 55 muaj përtej afatit fillestar dhe një nga shtyllat kryesore siç është rritja e aksesit financiar në shërbimet shëndetësore, u vlerësua si pothuajse e paarritur. Të paktën kështu vlerësohet në dokumentin final të Grupit të Pavarur të Vlerësimit, njësia e pavarur e vlerësimit e Bankës Botërore.

Raporti për projektin “Përmirësimi i Sistemit Shëndetësor në Shqipëri”, e vlerëson rezultatin përfundimtar si “Mesatarisht i Kënaqshëm”, pasi objektivat u reduktuan dhe u ndryshuan gjatë zbatimit. Vlerësimi për objektivat fillestarë ishte më i dobët: përmirësimi i efikasitetit të kujdesit në spitalet e përzgjedhura dhe menaxhimi i informacionit shëndetësor u vlerësuan “Modest”, ndërsa rritja e aksesit financiar në shërbimet shëndetësore mori vlerësimin “I papërfillshëm”.

“Projekti nuk kontribuoi në rritjen e aksesit financiar në shërbimet shëndetësore”, thuhet në raport. Sipas Grupit të Pavarur të Vlerësimit, nuk pati ulje të çmimeve mesatare për 10 barnat më të zakonshme me recetë dhe 10 barnat më të shtrenjta spitalore, ndërsa nuk u arrit as objektivi për rritjen e përqindjes së personave të varfër të përfshirë në sistemin e sigurimit shëndetësor nga 50% në 65%.

Komponenti i dedikuar për përmirësimin e financimit të shëndetësisë u hoq nga projekti në dhjetor 2018 për shkak të mungesës së progresit. Raporti thotë se nuk pati përparim në hartimin dhe zbatimin e një plani veprimi për organizimin e sigurimit shëndetësor, në përdorimin e pagesave të bazuara në performancë në kujdesin parësor apo në reformat e pagesave për spitalet.

 

Projektimi fillestar dhe kapacitetet e FSDKSH

Grupi i Pavarur i Vlerësimit e lidh një pjesë të problemeve me projektimin fillestar të projektit. “Ambicia dhe kompleksiteti i projektimit fillestar të projektit nuk ishin të përshtatshme me kapacitetet e vendit”, thuhet në raport, pas një periudhe të parë prej dy deri në tre vjetësh me progres të dobët. Projekti u ristrukturua për herë të parë në dhjetor 2018, duke reduktuar ndjeshëm objektivat dhe duke e zhvendosur fokusin drejt modernizimit të disa shërbimeve spitalore.

Në vlerësimin e cilësisë së projektit në momentin e nisjes, raporti jep notën “Mesatarisht i Pakënaqshëm”. Sipas dokumentit, Banka Botërore kishte identifikuar kufizime në kapacitetet e Ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë përvojën e kufizuar me operacione të mëdha të financuara nga Banka, mangësitë në teknologjinë e informacionit dhe në prokurime, por disa rreziqe u nënvlerësuan.

Veçanërisht problematik ishte komponenti i reformës së financimit. Raporti thotë se ai ishte projektuar pa kushtet e nevojshme institucionale, në një mjedis të karakterizuar nga kapacitete të dobëta të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndryshime në drejtim dhe rezistencë ndaj reformave të pagesave. Përfshirja e këtij komponenti pa një vlerësim paraprak të gatishmërisë institucionale cilësohet si një “mangësi themelore në projektim”.

Problemet u reflektuan edhe te prokurimet. Plani Master i Spitaleve, një element kyç i projektit, dështoi tri herë në procesin e prokurimit midis viteve 2016 dhe 2018 për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm dhe termave të referencës jo mjaftueshëm të detajuar, duke sjellë një vonesë prej më shumë se tre vjetësh. Tenderi për sistemin rajonal të informacionit spitalor u lançua në vitin 2019, por kontrata nuk u nënshkrua deri në mars 2021. Sistemi u bë funksional në të 11 spitalet rajonale vetëm në vitin 2025.

Afati fillestar i mbylljes së projektit ishte 28 shkurt 2021. Pas katër ristrukturimeve dhe financimit shtesë, ai u shty deri më 30 shtator 2025. Zgjatjet arritën në total 55 muaj, duke e çuar periudhën e zbatimit në 127 muaj, ose 10 vjet e shtatë muaj. Grupi i Pavarur i Vlerësimit e vlerësoi efikasitetin e projektit si “Modest”, duke përmendur kohëzgjatjen, dobësitë në projektim dhe gatishmëri, kufizimet institucionale dhe të prokurimeve, si edhe goditjet e jashtme, përfshirë tërmetin e vitit 2019 dhe pandeminë e COVID-19.

 

Projekti

Projekti u miratua në shkurt 2015. Angazhimi fillestar i Bankës Botërore ishte rreth 69.5 milionë dollarë dhe angazhimi i rishikuar rreth 68.5 milionë dollarë. Shuma faktike e disbursuar ishte rreth 61.8 milionë dollarë. Në vitin 2021 u miratua edhe financim shtesë prej 25 milionë eurosh, kryesisht për rindërtimin dhe rehabilitimin e strukturave shëndetësore të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019.

Pas ristrukturimit, rezultatet ishin më të forta. Raporti e vlerësoi si “Të konsiderueshme” arritjen e objektivit për modernizimin e shërbimeve të përzgjedhura spitalore dhe si “Të lartë” objektivin për rindërtimin e strukturave shëndetësore të dëmtuara nga tërmeti. Rreth 91% e fondeve të disbursuara gjatë gjithë projektit lidhen me periudhën pas ndryshimit të objektivave, çka peshoi në vlerësimin përfundimtar “Mesatarisht i Kënaqshëm”.

Sipas raportit, sistemi rajonal i informacionit spitalor u shtri në të 11 spitalet rajonale, u zhvilluan dhe vunë në përdorim 150 protokolle dhe udhëzime klinike dhe procesi i akreditimit u zgjerua përtej objektivave fillestarë. Në fund të projektit, raporti numëron 11 spitale rajonale, 22 spitale bashkiake dhe pesë spitale universitare të akredituara.

Investimet pas tërmetit përfshinë punime rindërtimi ose rehabilitimi në spitalet e Laçit, Kukësit, Krujës dhe Lezhës, si dhe në disa struktura të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Objektet e rehabilituara përfshinë masa për rezistencën ndaj tërmeteve dhe përshtatjen klimatike. Ky objektiv mori vlerësimin më të lartë të projektit, “I lartë”.

Gjithsesi , përdorimi i disa prej sistemeve të reja dixhitale mbeti nën objektiva. Për katër spitalet e para ku kishte të dhëna, 37.8% e pacientëve të shtruar regjistroheshin në sistemin rajonal të informacionit spitalor, kundrejt objektivit prej 40%, ndërsa për shtatë spitalet e tjera të përfshira më vonë nuk kishte të dhëna në dispozicion. Numri i përdoruesve të shërbimeve të mundësuara në mënyrë dixhitale ishte rreth 50,000, afërsisht gjysma e objektivit prej 100,000.

Grupi i Pavarur i Vlerësimit e vlerësoi performancën e përgjithshme të Bankës Botërore si “Mesatarisht të Kënaqshme”. Mbikëqyrja gjatë zbatimit mori vlerësimin “E kënaqshme”, ndërsa raporti vëren se sinjalet e hershme të problemeve, ngecja e prokurimeve, progresi thuajse zero në disa objektiva dhe paqëndrueshmëria institucionale, ishin të dukshme që nga viti 2016, por ristrukturimi i parë u formalizua më shumë se dy vjet më vonë.

“Ristrukturimi më i hershëm mund të shkurtojë periudhat e performancës së dobët dhe të ulë koston e korrigjimit të vonuar të kursit”, thuhet në pjesën e raportit kushtuar mësimeve të nxjerra nga projekti./ N.Maho

The post BB: Projekti i shëndetësisë humbi objektivat, kapacitetet e FSDKSH mes pengesave të reformës appeared first on Revista Monitor.

Biznese online me mijëra ndjekës në Instagram, por të paregjistruar, vetëm 2 mijë të rregullta

By: Ornela
17 August 2026 at 16:31

Pandemia Covid-19 duket se e ka shndërruar blerjen online nga një zgjedhje e pakicës në një zakon të përditshëm konsumi për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.

Për 2024, rreth 43% e blerjeve online janë kryer nga individë të mashës nga 16 deri 74 vjeç. Krahasuar me periudhën para pandemisë së Covid-19 blerjet online janë shtuar rreth 33%. Veshjet, këpucësh, aksesorët, e ndjekur nga ushqimi me porosi janë tipologjitë ku shitja realizohet masivisht nëpërmjet faqeve të rrjeteve sociale.

Në total në vend janë 2,016 biznese të regjistruara për tregti dhe shërbime online ku 68% e tyre ndodhen në Tiranë. 76% e këtyre bizneseve funksionojnë si persona fizikë dhe 23% e tyre janë entitete. Të dhënat për sektorin e tregtisë dhe shërbimeve online u publikuan në Planin Operacional për sektorin nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Pir pavarësisht zgjerimit të sektorit dhe rritjes së shitjeve online, ky sektor vijon të ketë informalitet të lartë. Tatimet gjithashtu njoftuan aksionin për kontrollin e këtij sektori ashtu siç është vepruar edhe me sektorë të tjerë më parë.

https://monitor.al/tatimet-aksion-per-shitjet-dhe-sherbimet-online-fokus-regjistrimi-dhe-deklarimi-i-xhiros/

Plani Operacioanl evidenton se katër janë tipologjitë kryesore të shitjeve online, përfshirë mes rrjeteve sociale, reklamat nëpërmjet portaleve, qendrave telefonike që kontaktojnë konsumatorët dhe operatorët postarë. Krahas tyre administrata tatimore ka identifikuar edhe risqet për secilën tipologji.

  1. Shitja Online e Mallrave Kanalet: E-commerce me shportë, Instagram/Facebook (porosi me mesazh), aplikacione celulare. Risku: Mijëra ndjekës dhe aktivitet i përditshëm, por të paregjistruar ose me qarkullim të deklaruar simbolik.
  2. Reklamimi Online Portalet: Njoftime shitjeje kundër pagesës (prona, automjete). Rrjetet sociale: Postime/stories me pagesë nga faqe me audiencë të madhe. Risku: Veprimtari ekonomike që pothuajse asnjëherë nuk shoqërohet me faturim te rregullt.
  3. Telemarketingu Modeli: Qendra telefonike kontaktojne konsumatoret per shitje produktesh, te kombinuar me reklamim ne rrjete sociale. Risku: Teleshitja me shpërndarje korrieri kundër pagesës në dorëzim, fshehje e qarkullimit.
  4. Operatoret Postare/Korrier Roli: Dorëzimi dhe arkëtimi ne dorëzim. Shërbime ndërmjetësimi shpërndarjeje. Dualiteti: Objekt i planit (për detyrimet fiskale) dhe partner të dhënash (evidenca e dërgesave mundëson rindërtimin e volumit të shitjeve).

5 risqet kryesore të sektorit online

1.Regjistrimi i tatimpaguesve/shitësve në Instagram dhe Facebook pa NIPT. BE/DAC7: platformat digjitale raportojnë identitetin dhe të ardhurat e shitësve.

2.Deklarimi i pasaktë i qarkullimit

Nëndeklarimi i shitjeve, veçanërisht kur pagesa kryhet në dorëzim (cash on delivery). CESOP: krijon mundësi për analizimin e pagesave ndërkufitare, përfshirë pragun prej mbi 25 pagesash për tremujor për një përfitues.

  1. Punonjësit e padeklaruar

Punësim i maskuar në platforma. ILO/OECD: rregullimi vendimtar.

4.Pagat e padeklaruara ose të nëndeklaruara

Rreziku i pagesave jashtë listëpagesës, përfshirë praktikën e “pagës në zarf”.

  1. Shmangia e regjistrimit në TVSH

Shmangie TVSH duke fshehur qarkullimin. Modeli britanik: subjekt i vetëm.

 

 

 

The post Biznese online me mijëra ndjekës në Instagram, por të paregjistruar, vetëm 2 mijë të rregullta appeared first on Revista Monitor.

❌