Normal view

Ligji i faljes, shuhen 410 mln euro detyrime në Tatime, përfituan 204 mijë biznese

By: Ornela
18 August 2026 at 12:44

Vijon procesi i fshirjes automatike të detyrimeve tatimore për tatimpaguesit përfitues, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 86/2025.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) deri 31 korrik 2026 janë fshirë ose shuar detyrime në vlerën 410 milionë euro për 204,413 tatimpagues, ndërsa procesi vijon për të gjithë përfituesit sipas ligjit.

Administrata tatimore, kujton tatimpaguesit se procesi i faljes mbyllet në 31 dhjetor 2026.

Ligji për fshirjen e detyrimeve tatimore, doganore dhe të pushtetit vendor po zbatohet në disa faza.

Fillimisht, nga data 10 qershor deri më 30 qershor 2026 u zbatua edhe faza e pagesave për përfitimin nga falja me kusht e detyrimeve tatimore, gjobave dhe kamatëvonesave, sipas ligjit nr. 86/2025.

Për periudhën 2015–2019 përfitohet fshirje e 50% të detyrimit principal, si dhe fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse 50% e mbetur paguhej njëherësh nga 10.06.2026 deri më 30.06.2026.

Për periudhën 2015–2019 përfitohet fshirje e 25% të detyrimit principal, si dhe fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave. Afati për të paguar 75% të principalit, me kushtin që të fshihet pjesa e mbetur paguhet nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026.

Për periudhën 2020–2024 përfitohet fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse paguhet 100% e detyrimit principal nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026.

The post Ligji i faljes, shuhen 410 mln euro detyrime në Tatime, përfituan 204 mijë biznese appeared first on Revista Monitor.

Dy javë leje, por sa ditë pushon vërtet? 6 fazat e pushimeve

By: Ornela
18 August 2026 at 12:37

Është verë, të paktën në hemisferën veriore, që do të thotë zyra më të zbrazëta dhe aeroporte më të mbushura. Në teori, pushimet janë koha kur njeriu shkëputet dhe çlodhet siç duhet. Në praktikë, përpara se të mbërrish te ai moment, duhet të kalosh nëpër disa faza. Dhe pastaj, edhe disa të tjera, përpara se të zhytesh sërish plotësisht në punë.

Faza e përgatitjes. Ke nevojë dëshpërimisht për pushime. Në dy ditët e fundit para nisjes, përpiqesh të mbyllësh punët më urgjente, përfshirë edhe rregullimin e tavolinës. U thua njerëzve të ekipit se ke besim të plotë tek ata dhe, në të njëjtën frymë, u thua të të kontaktojnë nëse del diçka, sado e parëndësishme. Rezultati është që ata nuk ndihen aspak të besuar.

Mendon të aktivizosh mesazhin automatik “jashtë zyrës”, por pastaj heq dorë: në fund të fundit, nuk është ndonjë problem i madh ta kontrollosh telefonin herë pas here. Teksa del nga zyra, të duket sikur po të zë një ftohje.

Faza “duhet të çlodhem me çdo kusht”. Ditët e para të pushimeve i trajton pothuajse si punë. Kalon shumë kohë duke pyetur modelet e inteligjencës artificiale për vende të pazbuluara, larg turmave. Në një mëngjes tipik, udhëton dy orë me makinë për të ngrënë mëngjes në një vend të rekomanduar nga ChatGPT, vetëm për të zbuluar se është mbyllur. Pastaj viziton një muze kushtuar artit të lashtë të konservimit të peshkut.

Në drekë pi verë dhe të zë gjumi. Kur zgjohesh, e mendon atë kohë të kaluar në gjumë si kohë që mund ta kishe përdorur për t’u çlodhur. Je jashtëzakonisht i vetëdijshëm se koha po kalon dhe ditët e lirisë po pakësohen. Merr një libër në dorë, por në vend që ta lexosh, shqetësohesh se mos ka mënyra edhe më çlodhëse për ta kaluar kohën e lirë. Për dikë që është me pushime, je çuditërisht i tensionuar.

Faza e shkëputjes. Ndërkohë, kontrollon emailin herë pas here dhe fut hundët në çështje ku nuk ka fare nevojë të ndërhysh. Të vijnë disa mesazhe në WhatsApp dhe dikush të kërkon të hysh në një telefonatë pune. Ndihesh njëkohësisht i bezdisur dhe i kënaqur.

“Nuk e bëni dot pa mua?” mendon. Pastaj, pothuajse menjëherë: “Nuk e bëni dot pa mua!”

Teksa fillon t’i ndash mesazhet mes atyre që duhen trajtuar menjëherë dhe atyre që mund të presin, kupton dalëngadalë se sa shumë nga gjërat që ndodhin çdo javë: a) nuk kanë fare nevojë për ty dhe b) nuk kanë ndonjë rëndësi afatgjatë.

Fillon të injorosh shumicën e mesazheve. Nëse është vërtet e rëndësishme, do të gjejnë një mënyrë të të kontaktojnë. Më në fund, aktivizon edhe mesazhin “jashtë zyrës”.

Faza e iluzioneve. Më në fund fillon të çlodhesh. Fle pak më gjatë në mëngjes. Nuk e sheh më telefonin aq shpesh. Kujton se pikërisht në atë moment, në zyrë po zhvillohet mbledhja javore e shitjeve dhe qesh me zë me sa e vogël të duket tani jeta jote e mëparshme.

 

Shumë shpejt, fillon të humbasësh pak lidhjen me realitetin. Mendon të transferohesh përfundimisht në vendin ku po kalon pushimet, duke harruar se po e shijon aq shumë pikërisht sepse moti është i bukur dhe ti nuk po punon.

Fillon të llogarisësh se sa shpejt mund të dalësh në pension. Fantazon për një punë në natyrë, ndoshta me kajak në det ose duke bërë diçka artizanale me mure guri.

Faza e motivimit. Fundi i pushimeve po afrohet me shpejtësi. Kupton se kajaku në det të shkakton flluska në duar dhe se gjërat që di të bësh më mirë nuk kanë shumë lidhje me muret prej guri.

Fillon t’u hedhësh sërish një sy emaileve, por vetëm atyre që kanë rëndësi. Madje fillon të ndiesh dëshirë për t’u kthyer në punë.

Tani e ke parë qartë se sa shumë kohë humbet me gjëra të parëndësishme dhe vendos që, sapo të kthehesh, do të jesh shumë më i rreptë me prioritetet. Ke edhe disa ide vërtet të mira për ta përmirësuar mbledhjen javore të shitjeve.

Faza e rikthimit te zakonet e vjetra. Kthehesh në zyrë plot energji. Dukesh dhe ndihesh më mirë se kolegët e tu. Pastaj zhvillon të njëjtën bisedë rreth 800 herë.

“Si kalove me pushime?”

“Shumë bukur.”

“Ku shkove?”

“Çfarë bëre atje?”

Shumë shpejt kupton se askush nuk është vërtet i interesuar se ku shkove, ndaj fillon të shpikësh përgjigje.

“Ku shkove?”

“Në Wakanda.”

“Çfarë bëre?”

“Vizituam minierat e vibraniumit.”

“Ah, gjithmonë kam dashur ta bëj këtë.”

Është bukur t’i shohësh sërish njerëzit. Është mirë të kesh një qëllim. Por shumë shpejt kthehesh te zakonet e vjetra.

Një kalendar bosh nuk të duket më si dëshmi se po vendos me zgjuarsi prioritetet, por si një ekspozim publik i faktit se ndoshta nuk je aq i domosdoshëm. Kështu që oraret fillojnë të mbushen përsëri.

Kur vijnë emailet, u përgjigjesh pa bërë dallim. Tavolina fillon të mbushet sërish me rrëmujë. Merr pjesë në mbledhjen javore të shitjeve dhe të kujtohet vagullt se dikur kishe pasur një ide për ta përmirësuar.

 

Pastaj kthehen edhe kolegët nga pushimet e tyre dhe i pyet si kaluan. Nuk po i dëgjon përgjigjet. Duken aq mirë, aq plot energji.

Dhe papritur të duket sikur po të zë sërish një ftohje.

Ke nevojë dëshpërimisht për pushime./ The Economist

The post Dy javë leje, por sa ditë pushon vërtet? 6 fazat e pushimeve appeared first on Revista Monitor.

Të rinjtë interes për blegtorinë, 414 aplikime për mbështetje nga Skema Kombëtare

By: Ornela
18 August 2026 at 12:10

 Interesi i të rinjve për blegtorinë duket se po rritet, ku janë të shumtë fermerët e rinj që kanë aplikuar për mbështetje financiare nga Skema Kombëtare për Bujqësinë 2026.

Nga Skema Kombëtare për Bujqësinë deri tani rezultojnë se kanë aplikuar për financime 414 fermerë të rinj.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR),  nga totali i aplikimeve nga fermerët e rinj, me fokus kryesisht në:

223 aplikime apo 54% e totalit janë për blerje kafshësh

164 aplikime apo 40% e tyre për makineri bujqësore

27 apo 6%  aplikime për strehim kafshësh

Sipas AZHBR, këto investime që synojnë forcimin e fermave, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe zhvillimin e një bujqësie më moderne e konkurruese.

Një nga masat e reja synon fermerët e rinj, të cilët do të mund të mbështeten me grant deri në 10 milionë lekë, ose rreth 10 mijë euro, kryesisht për investime në sektorin e blegtorisë.

Mbështetje e veçantë parashikohet edhe për ndërtimin e staneve, me grant deri në rreth 3 milionë lekë, ndërsa për pajisje dhe makineri bujqësore parashikohet mbështetje deri në 500 mijë lekë. Në këtë kategori përfshihen edhe pajisje si tankerët për ruajtjen e qumështit dhe vajit të ullirit.

Fondi në dispozicion nëpërmjet Skemës Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2026 është në vlerën e 2.5 mld lekëve.

Për 2026 skema kombëtare pati një sërë ndryshimesh. Krahasuar me vitin 2025 u rritën vlera e mbështetjes për blegtorinë dhe u përgjysmuan pragjet për numrin e kafshëve në fermë për përfitim të subvencioneve.

 

The post Të rinjtë interes për blegtorinë, 414 aplikime për mbështetje nga Skema Kombëtare appeared first on Revista Monitor.

Shtrenjtimi i sigurimit të detyrueshëm, kompanitë i rritën fitimet nga produkti me 22%

By: Ornela
18 August 2026 at 10:00

Shoqëritë e sigurimit i rritën fitimet nga sigurimi i detyrueshëm i mjeteve vitin e kaluar.

Të dhënat e raportit të mbikëqyrjes nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se bilanci i llogarisë teknike për produktin e sigurimit të përgjegjësive motorike ndaj palëve të treta ishte me fitim në vlerën e 1.26 miliardë lekëve ose rreth 13 milionë eurove. Fitimi nga ky produkt u rrit me 22% krahasuar me një vit më parë.

Sigurimi i detyrueshëm TPL solli 40% të fitimit neto të tregut të sigurimeve të Jo-Jetës vitin e kaluar.

Rritja e fitimeve erdhi nga zgjerimi i primeve të shkruara bruto dhe primeve të fituara, ndërkohë që raportet dëme/prime dhe shpenzime/prime pësuan rënie.

Raporti dëme/prime neto u ul në 41.45%, nga 42% që kishte qenë në vitin 2024. Ndërsa raporti mes shpenzimeve të marrjes në sigurim dhe dëmeve pësoi gjithashtu rënie në 24.74%, nga 26.7% që kishte qenë një vit më parë.

Duke filluar nga fillimi i vitit të kaluar, nisi zbatimi i rregullores së AMF-së “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Rregullorja parashikon se, në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit.

Aplikimi i primeve të diferencuara mbi këta faktorë rreziku solli një rritje të primit mesatar të sigurimit me 6% krahasuar me vitin 2024. Shtrenjtimi i primit mesatar vlerësohet se ka luajtur një rol të konsiderueshëm në rritjen e fitimeve e tregut të sigurimeve nga ky produkt.

Sigurimet e detyrueshme motorike kanë një peshë shumë të lartë në strukturën e primeve të shkruara bruto në sigurimet e Jo-Jetës. Për vitin 2025, sigurimi i brendshëm TPL solli më shumë se 58% të primeve të shkruara bruto të këtij tregu. Së bashku me Policën Kufitare dhe Kartonin Jeshil, produktet e detyrueshme motorike përbënin pothuajse 69% të primeve të shkruara bruto. Rrjedhimisht, edhe fitimi i këtyre produkteve ka një rëndësi përcaktuese në ecurinë e rezultatit total të tregut.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në total fitimi i tregut të sigurimeve të Jo-Jetës vitin e kaluar arriti vlerën e 3.14 miliardë lekëve ose 32.4 milionë eurove. Krahasuar me një vit më parë, fitimi i kompanive të sigurimit të Jo-Jetës u rrit me 56%./ E.Shehu

Burimi: AMF

The post Shtrenjtimi i sigurimit të detyrueshëm, kompanitë i rritën fitimet nga produkti me 22% appeared first on Revista Monitor.

Inceneratori i pa-ndërtuar i Tiranës, kompania nën sekuestro me fitim 8 mln euro në 2025

By: Ornela
18 August 2026 at 06:05

“Integrated Energy BV SPV”, shoqëria koncesionare e incineratorit të Tiranës, siguroi një fitim para taksave prej 792.3 milionë lekësh në vitin 2025 (mbi 8 milionë euro), pavarësisht se impianti për djegien e mbetjeve, për të cilin u lidh kontrata, nuk është ndërtuar.

Sipas pasqyrave financiare të vitit 2025, të ardhurat nga aktiviteti kryesor arritën në 1.5 miliardë lekë. Kompania thotë në raport se të ardhurat i ka nga përpunimi i mbetjeve.  Gjatë vitit 2025 janë pranuar dhe trajtuar mbetje nga bashkitë e qarkut dhe operatorë privatë me kontratë; sasia e trajtuar gjatë vitit ishte rreth 492,935 ton, sipas të dhnave zyrtare

Fitimi para tatimit përbënte rreth 53% të të ardhurave. Për çdo 100 lekë të ardhura, kompania gjeneroi afro 53 lekë fitim para taksave, një normë jashtëzakonisht e lartë për një kontratë të financuar në pjesën më të madhe nga pagesat publike për trajtimin e mbetjeve.

Pas pagesës së 119.6 milionë lekëve tatim, “Integrated Energy BV SPV” e mbylli vitin 2025 me një fitim neto prej 672.8 milionë lekësh gati 7 mln euro.

Koncesioni i mbetjeve në Tiranë i ka marrë rregullisht pagesat nga buxheti i shtetti, edhe pasi u vu në sekuestro dhe ndonëse ai kryen vetëm shërbimin e menaxhimit të mbetjeve dhe nuk e ka krer investimin e parashikuar për ndërtimin e inceneratorit. Në 2025-n, shoqëria mori 913 milionë lekë pagesa nga buxheti, ndërsa që nga 2017-a ka marrë gjithsej 8.4 miliardë lekë.

Rezultatet financiare marrin një peshë tjetër për shkak të historisë së kontratës dhe hetimeve penale. Koncesioni me vlerë të parashikuar investimi prej 128.2 milionë eurosh pa TVSH u dha në vitin 2017 për ndërtimin e landfillit, incineratorit, rehabilitimin e vend-depozitimeve ekzistuese dhe prodhimin e energjisë elektrike.

Por impianti industrial i incinerimit nuk u ndërtua. Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte konstatuar se Bashkia e Tiranës dhe institucionet shtetërore paguanin tarifën e plotë prej 29 eurosh për ton, ndonëse ajo përfshinte edhe procesin e incenerimit, i cili nuk kryhej.

Shoqëria ndodhet nën sekuestro preventive që prej korrikut 2023 dhe administrohet nga shteti. Sipas SPAK-ut, pronarët “de facto” të saj janë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, pavarësisht strukturës formale të pronësisë së regjistruar jashtë vendit.

Në korrik 2026, SPAK dërgoi për gjykim 12 persona dhe dy shoqëritë “Integrated Energy BV SPV” dhe “Integrated Technology Service”. Vetë kompania koncesionare akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Sipas SPAK-ut, nga fillimi i kontratës deri në vendosjen e sekuestros në vitin 2023, kompania siguroi 11.3 miliardë lekë të ardhura, ndërsa për ndërtimin e veprës u investuan vetëm 21 milionë euro. Prokuroria pretendon se shuma të mëdha u nxorën nga llogaritë përmes faturave fiktive, kompanive të krijuara brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe transfertave në para fizike. Vlera e identifikuar nga hetimi arrin në 1.28 miliardë lekë dhe 16.7 milionë euro.

Norma prej 53% e fitimit para taksave tregon se kontrata vijon të prodhojë fitime të mëdha, ndërsa vepra kryesore që duhet të justifikonte tarifën dhe investimin publik, incineratori nuk është ndërtuar tani pas 9 vitesh nga hyrja në fuqi e kontratës./ B.Hoxha

Burimi: QKB, pasqyrat financiare

The post Inceneratori i pa-ndërtuar i Tiranës, kompania nën sekuestro me fitim 8 mln euro në 2025 appeared first on Revista Monitor.

Shifrat e ILO, produktiviteti i punës në Shqipëri pësoi rënie në 2025, e fundit në Ballkan

By: Ornela
18 August 2026 at 06:01

Produktiviteti i punës pësoi në Shqipëri pësoi rënie vitin e kaluar, duke qëndruar në nivelin më të ulët në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), Prodhimi i Brendshëm Bruto për orë pune në Shqipëri vitin e kaluar vlerësohej në 18.7 dollarë ndërkombëtarë. Ky tregues është tkurrur me 4.1% krahasuar me vitin 2024 dhe hendeku me vendet fqinjë të rajonit është thelluar më tej.

Zakonisht, produktiviteti i punës matet si raport i vlerës së prodhimit me kohën e shpenzuar për ta prodhuar. Statistikat krahasuese përdorin si njësi matëse dollarin ndërkombëtar, njësi monetare hipotetike, që përdoret në funksion të paritetit të fuqisë blerëse.

Mes vendeve të rajonit, Shqipëria paraprihet nga Bosnje Hercegovina, me 26.3 dollarë për orë, Serbia, me 29.8 dollarë, Mali i Zi, me 31.1 dollarë dhe Maqedonia e Veriut, me 34 dollarë.

Statistikat e ILO nuk japin informacion për Kosovën.

Shqipëria renditet gjithashtu poshtë mesatares globale, që vlerësohet nga ILO në nivelin 23.3 dollarë për orë pune.

Faktorët kryesorë që përcaktojnë nivelin e produktivitetit janë investimet në teknologji dhe automatizim, inovacioni dhe cilësia e kapitalit njerëzor ose aftësitë e forcës së punës.

Por, një ndikim të madh në këtë tregues ka edhe struktura e ekonomisë dhe pesha në prodhim e atyre e sektorëve që zakonisht mundësojnë një vlerë më të madhe të shtuar për njësi kohë pune.

Shtetet me produktivitetin më të lartë të punës në Botë janë Irlanda, me 164.7 dollarë në orë e ndjekur nga Luksemburgu, me 159.5 dollarë në orë.

Të dhënat e ILO tregojnë se në përgjithësi ekonomitë që shfrytëzojnë një forcë pune më të kosto të ulët kanë edhe produktivitet më të dobët të punës.

Edhe në Shqipëri, kosto e ulët e krahut të punës dhe informaliteti i lartë nuk kanë krijuar shumë stimuj për të rritur produktivitetin në dekadat pas rënies së komunizmit. Për shkak të pagave të ulëta, ndërmarrjet kanë ndier pak presion për të investuar në automatizim, çka do të mundësonte rritje të prodhimit pa shtuar kostot e punës.

Rënia e peshës së fasonerisë në ekonomi dhe punësim mund të jetë një premisë për të orientuar ekonominë drejt sektorëve me produktivitet më të lartë.

Produktiviteti i ulët i punës kufizon mundësitë për rritje të pagës reale, ndaj përmirësimi i këtij treguesi është thelbësor për rritjen e mirëqenies së një vendi.

Nga ana tjetër, trysnia nga tregu i punës për rritjen e pagave (siç ka ndodhur në Shqipëri në vitet e fundit) mund të krijojë më shumë presione për nevojën e rritjes së produktivitetit të punës, në mënyrë që bizneset të arrijnë në ruajnë konkurrueshmërinë.

Megjithatë, të dhënat krahasuese të ILO-s tregojnë se vendi ynë nuk ka arritur përmirësime të rëndësishme në produktivitetin e punës. / E.Shehu

 

The post Shifrat e ILO, produktiviteti i punës në Shqipëri pësoi rënie në 2025, e fundit në Ballkan appeared first on Revista Monitor.

BB: Projekti i shëndetësisë humbi objektivat, kapacitetet e FSDKSH mes pengesave të reformës

By: Ornela
18 August 2026 at 06:00

Projekti i Bankës Botërore për përmirësimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri nuk arriti një pjesë të rëndësishme të objektivave me të cilat nisi në vitin 2015. Nga ana tjetër zbatimi u zgjat me 55 muaj përtej afatit fillestar dhe një nga shtyllat kryesore siç është rritja e aksesit financiar në shërbimet shëndetësore, u vlerësua si pothuajse e paarritur. Të paktën kështu vlerësohet në dokumentin final të Grupit të Pavarur të Vlerësimit, njësia e pavarur e vlerësimit e Bankës Botërore.

Raporti për projektin “Përmirësimi i Sistemit Shëndetësor në Shqipëri”, e vlerëson rezultatin përfundimtar si “Mesatarisht i Kënaqshëm”, pasi objektivat u reduktuan dhe u ndryshuan gjatë zbatimit. Vlerësimi për objektivat fillestarë ishte më i dobët: përmirësimi i efikasitetit të kujdesit në spitalet e përzgjedhura dhe menaxhimi i informacionit shëndetësor u vlerësuan “Modest”, ndërsa rritja e aksesit financiar në shërbimet shëndetësore mori vlerësimin “I papërfillshëm”.

“Projekti nuk kontribuoi në rritjen e aksesit financiar në shërbimet shëndetësore”, thuhet në raport. Sipas Grupit të Pavarur të Vlerësimit, nuk pati ulje të çmimeve mesatare për 10 barnat më të zakonshme me recetë dhe 10 barnat më të shtrenjta spitalore, ndërsa nuk u arrit as objektivi për rritjen e përqindjes së personave të varfër të përfshirë në sistemin e sigurimit shëndetësor nga 50% në 65%.

Komponenti i dedikuar për përmirësimin e financimit të shëndetësisë u hoq nga projekti në dhjetor 2018 për shkak të mungesës së progresit. Raporti thotë se nuk pati përparim në hartimin dhe zbatimin e një plani veprimi për organizimin e sigurimit shëndetësor, në përdorimin e pagesave të bazuara në performancë në kujdesin parësor apo në reformat e pagesave për spitalet.

 

Projektimi fillestar dhe kapacitetet e FSDKSH

Grupi i Pavarur i Vlerësimit e lidh një pjesë të problemeve me projektimin fillestar të projektit. “Ambicia dhe kompleksiteti i projektimit fillestar të projektit nuk ishin të përshtatshme me kapacitetet e vendit”, thuhet në raport, pas një periudhe të parë prej dy deri në tre vjetësh me progres të dobët. Projekti u ristrukturua për herë të parë në dhjetor 2018, duke reduktuar ndjeshëm objektivat dhe duke e zhvendosur fokusin drejt modernizimit të disa shërbimeve spitalore.

Në vlerësimin e cilësisë së projektit në momentin e nisjes, raporti jep notën “Mesatarisht i Pakënaqshëm”. Sipas dokumentit, Banka Botërore kishte identifikuar kufizime në kapacitetet e Ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë përvojën e kufizuar me operacione të mëdha të financuara nga Banka, mangësitë në teknologjinë e informacionit dhe në prokurime, por disa rreziqe u nënvlerësuan.

Veçanërisht problematik ishte komponenti i reformës së financimit. Raporti thotë se ai ishte projektuar pa kushtet e nevojshme institucionale, në një mjedis të karakterizuar nga kapacitete të dobëta të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndryshime në drejtim dhe rezistencë ndaj reformave të pagesave. Përfshirja e këtij komponenti pa një vlerësim paraprak të gatishmërisë institucionale cilësohet si një “mangësi themelore në projektim”.

Problemet u reflektuan edhe te prokurimet. Plani Master i Spitaleve, një element kyç i projektit, dështoi tri herë në procesin e prokurimit midis viteve 2016 dhe 2018 për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm dhe termave të referencës jo mjaftueshëm të detajuar, duke sjellë një vonesë prej më shumë se tre vjetësh. Tenderi për sistemin rajonal të informacionit spitalor u lançua në vitin 2019, por kontrata nuk u nënshkrua deri në mars 2021. Sistemi u bë funksional në të 11 spitalet rajonale vetëm në vitin 2025.

Afati fillestar i mbylljes së projektit ishte 28 shkurt 2021. Pas katër ristrukturimeve dhe financimit shtesë, ai u shty deri më 30 shtator 2025. Zgjatjet arritën në total 55 muaj, duke e çuar periudhën e zbatimit në 127 muaj, ose 10 vjet e shtatë muaj. Grupi i Pavarur i Vlerësimit e vlerësoi efikasitetin e projektit si “Modest”, duke përmendur kohëzgjatjen, dobësitë në projektim dhe gatishmëri, kufizimet institucionale dhe të prokurimeve, si edhe goditjet e jashtme, përfshirë tërmetin e vitit 2019 dhe pandeminë e COVID-19.

 

Projekti

Projekti u miratua në shkurt 2015. Angazhimi fillestar i Bankës Botërore ishte rreth 69.5 milionë dollarë dhe angazhimi i rishikuar rreth 68.5 milionë dollarë. Shuma faktike e disbursuar ishte rreth 61.8 milionë dollarë. Në vitin 2021 u miratua edhe financim shtesë prej 25 milionë eurosh, kryesisht për rindërtimin dhe rehabilitimin e strukturave shëndetësore të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019.

Pas ristrukturimit, rezultatet ishin më të forta. Raporti e vlerësoi si “Të konsiderueshme” arritjen e objektivit për modernizimin e shërbimeve të përzgjedhura spitalore dhe si “Të lartë” objektivin për rindërtimin e strukturave shëndetësore të dëmtuara nga tërmeti. Rreth 91% e fondeve të disbursuara gjatë gjithë projektit lidhen me periudhën pas ndryshimit të objektivave, çka peshoi në vlerësimin përfundimtar “Mesatarisht i Kënaqshëm”.

Sipas raportit, sistemi rajonal i informacionit spitalor u shtri në të 11 spitalet rajonale, u zhvilluan dhe vunë në përdorim 150 protokolle dhe udhëzime klinike dhe procesi i akreditimit u zgjerua përtej objektivave fillestarë. Në fund të projektit, raporti numëron 11 spitale rajonale, 22 spitale bashkiake dhe pesë spitale universitare të akredituara.

Investimet pas tërmetit përfshinë punime rindërtimi ose rehabilitimi në spitalet e Laçit, Kukësit, Krujës dhe Lezhës, si dhe në disa struktura të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Objektet e rehabilituara përfshinë masa për rezistencën ndaj tërmeteve dhe përshtatjen klimatike. Ky objektiv mori vlerësimin më të lartë të projektit, “I lartë”.

Gjithsesi , përdorimi i disa prej sistemeve të reja dixhitale mbeti nën objektiva. Për katër spitalet e para ku kishte të dhëna, 37.8% e pacientëve të shtruar regjistroheshin në sistemin rajonal të informacionit spitalor, kundrejt objektivit prej 40%, ndërsa për shtatë spitalet e tjera të përfshira më vonë nuk kishte të dhëna në dispozicion. Numri i përdoruesve të shërbimeve të mundësuara në mënyrë dixhitale ishte rreth 50,000, afërsisht gjysma e objektivit prej 100,000.

Grupi i Pavarur i Vlerësimit e vlerësoi performancën e përgjithshme të Bankës Botërore si “Mesatarisht të Kënaqshme”. Mbikëqyrja gjatë zbatimit mori vlerësimin “E kënaqshme”, ndërsa raporti vëren se sinjalet e hershme të problemeve, ngecja e prokurimeve, progresi thuajse zero në disa objektiva dhe paqëndrueshmëria institucionale, ishin të dukshme që nga viti 2016, por ristrukturimi i parë u formalizua më shumë se dy vjet më vonë.

“Ristrukturimi më i hershëm mund të shkurtojë periudhat e performancës së dobët dhe të ulë koston e korrigjimit të vonuar të kursit”, thuhet në pjesën e raportit kushtuar mësimeve të nxjerra nga projekti./ N.Maho

The post BB: Projekti i shëndetësisë humbi objektivat, kapacitetet e FSDKSH mes pengesave të reformës appeared first on Revista Monitor.

Biznese online me mijëra ndjekës në Instagram, por të paregjistruar, vetëm 2 mijë të rregullta

By: Ornela
17 August 2026 at 16:31

Pandemia Covid-19 duket se e ka shndërruar blerjen online nga një zgjedhje e pakicës në një zakon të përditshëm konsumi për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.

Për 2024, rreth 43% e blerjeve online janë kryer nga individë të mashës nga 16 deri 74 vjeç. Krahasuar me periudhën para pandemisë së Covid-19 blerjet online janë shtuar rreth 33%. Veshjet, këpucësh, aksesorët, e ndjekur nga ushqimi me porosi janë tipologjitë ku shitja realizohet masivisht nëpërmjet faqeve të rrjeteve sociale.

Në total në vend janë 2,016 biznese të regjistruara për tregti dhe shërbime online ku 68% e tyre ndodhen në Tiranë. 76% e këtyre bizneseve funksionojnë si persona fizikë dhe 23% e tyre janë entitete. Të dhënat për sektorin e tregtisë dhe shërbimeve online u publikuan në Planin Operacional për sektorin nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Pir pavarësisht zgjerimit të sektorit dhe rritjes së shitjeve online, ky sektor vijon të ketë informalitet të lartë. Tatimet gjithashtu njoftuan aksionin për kontrollin e këtij sektori ashtu siç është vepruar edhe me sektorë të tjerë më parë.

https://monitor.al/tatimet-aksion-per-shitjet-dhe-sherbimet-online-fokus-regjistrimi-dhe-deklarimi-i-xhiros/

Plani Operacioanl evidenton se katër janë tipologjitë kryesore të shitjeve online, përfshirë mes rrjeteve sociale, reklamat nëpërmjet portaleve, qendrave telefonike që kontaktojnë konsumatorët dhe operatorët postarë. Krahas tyre administrata tatimore ka identifikuar edhe risqet për secilën tipologji.

  1. Shitja Online e Mallrave Kanalet: E-commerce me shportë, Instagram/Facebook (porosi me mesazh), aplikacione celulare. Risku: Mijëra ndjekës dhe aktivitet i përditshëm, por të paregjistruar ose me qarkullim të deklaruar simbolik.
  2. Reklamimi Online Portalet: Njoftime shitjeje kundër pagesës (prona, automjete). Rrjetet sociale: Postime/stories me pagesë nga faqe me audiencë të madhe. Risku: Veprimtari ekonomike që pothuajse asnjëherë nuk shoqërohet me faturim te rregullt.
  3. Telemarketingu Modeli: Qendra telefonike kontaktojne konsumatoret per shitje produktesh, te kombinuar me reklamim ne rrjete sociale. Risku: Teleshitja me shpërndarje korrieri kundër pagesës në dorëzim, fshehje e qarkullimit.
  4. Operatoret Postare/Korrier Roli: Dorëzimi dhe arkëtimi ne dorëzim. Shërbime ndërmjetësimi shpërndarjeje. Dualiteti: Objekt i planit (për detyrimet fiskale) dhe partner të dhënash (evidenca e dërgesave mundëson rindërtimin e volumit të shitjeve).

5 risqet kryesore të sektorit online

1.Regjistrimi i tatimpaguesve/shitësve në Instagram dhe Facebook pa NIPT. BE/DAC7: platformat digjitale raportojnë identitetin dhe të ardhurat e shitësve.

2.Deklarimi i pasaktë i qarkullimit

Nëndeklarimi i shitjeve, veçanërisht kur pagesa kryhet në dorëzim (cash on delivery). CESOP: krijon mundësi për analizimin e pagesave ndërkufitare, përfshirë pragun prej mbi 25 pagesash për tremujor për një përfitues.

  1. Punonjësit e padeklaruar

Punësim i maskuar në platforma. ILO/OECD: rregullimi vendimtar.

4.Pagat e padeklaruara ose të nëndeklaruara

Rreziku i pagesave jashtë listëpagesës, përfshirë praktikën e “pagës në zarf”.

  1. Shmangia e regjistrimit në TVSH

Shmangie TVSH duke fshehur qarkullimin. Modeli britanik: subjekt i vetëm.

 

 

 

The post Biznese online me mijëra ndjekës në Instagram, por të paregjistruar, vetëm 2 mijë të rregullta appeared first on Revista Monitor.

Tatimet aksion për shitjet dhe shërbimet online, fokus regjistrimi dhe deklarimi i xhiros

By: Ornela
17 August 2026 at 15:18

Pas aksionit në sektorin e  ndërtimit dhe tregut të agjencive imobiliare, administrata tatimore zbatimin e Planit Sektorial do ta fokusojë për Tregtinë dhe Shërbimet Online

Plani Sektorial për Tregtinë dhe Shërbimet Online sipas Drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve është një iniciativë që synon forcimin e pajtueshmërisë tatimore, formalizimin e ekonomisë dixhitale dhe krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës për bizneset që ushtrojnë veprimtari në internet.

Plani mbështetet në analizën e zhvillimit të tregtisë elektronike në Shqipëri, e cila ka njohur rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit, si dhe në kuadrin ligjor dhe strategjik në fuqi, përfshirë Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027 dhe Planin Strategjik të Administratës Tatimore 2024–2028.

Në zbatim të planit do të identifikohen dhe analizohen risqet kryesore të sektorit, me fokus në:

* regjistrimin e tatimpaguesve;

* deklarimin e saktë të qarkullimit;

* përmbushjen e detyrimeve për TVSH;

* deklarimin e punonjësve dhe të pagave;

* respektimin e detyrimeve për faturimin elektronik.

Gjithashtu, plani parashikon përdorimin e analizës së riskut, shkëmbimin e të dhënave me institucione dhe operatorë të tjerë, si dhe ndërmarrjen e veprimeve të koordinuara për rritjen e pajtueshmërisë vullnetare dhe trajtimin e rasteve me risk të lartë.

Përmes këtij plani, Administrata Tatimore synon të mbështesë zhvillimin e një tregu online transparent dhe të formalizuar, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë dhe duke kontribuar në uljen e ekonomisë informale dhe rritjen e të ardhurave buxhetore.

Administrata Tatimore fton të gjithë tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në fushën e tregtisë dhe shërbimeve online të përmbushin detyrimet e tyre tatimore në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke kontribuar në formalizimin e ekonomisë, zhvillimin e një tregu transparent dhe krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës.

https://www.tatime.gov.al/shkarko.php?id=14669

 

Planin Operacional për sektorin e ndërtimit, me qëllim monitorimin dhe kontrollin e praktikave financiare në këtë sektor nisi në mesin e muajit Dhjetor.

Fillimisht, Plani Operacional për këtë sektor u zbatua mbi një fushatë informuese që zgjati 30 ditë. Pas përfundimit të saj tatimet nisën kontrollet për subjektet që nuk i ishin përgjigjur thirrjeve të administratës tatimore.

https://monitor.al/tatimet-nisin-kontrollin-per-ndertimin-kompanite-njoftohen-per-deklarimin-e-pagave-dhe-shitjeve/

 

 

The post Tatimet aksion për shitjet dhe shërbimet online, fokus regjistrimi dhe deklarimi i xhiros appeared first on Revista Monitor.

Punësimi i të huajve, udhëzimi i ri shkurton në 1 ditë afatin për miratimin e kërkesave

By: Ornela
17 August 2026 at 14:28

Ndryshojnë procedurat për punësimin e shtetasve të huaj. Udhëzimi i ri i përbashkët i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme që shfuqizon rregullat e miratuara në vitin 2023, shkurton afatet për miratimin online të kërkesës për punësim.

Sipas udhëzimit të ri të botuar në Fletoren Zyrtare, aplikimet për leje unike do të bëhen përmes platformës e-Albania, ndërsa Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), do të ketë vetëm 1 ditë pune për të dhënë një përgjigje nga 2 javë (10 ditë punë) që ishte afati i mëparshëm.

“Autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i AKPA së shprehet në sistemin elektronik online, me miratim paraprak/aprovim/kërkesë për plotësim dokumentacioni apo refuzim të kërkesës për miratim punësimi, brenda 1 (një) dite pune pas vlerësimit të aplikimit në sistemin e shërbimeve të punësimit, kontratës së punës/ofertës së punës (sipas formatit standard në shtojcën 1 dhe/ose dokumenteve të tjera të nevojshme)”, përcaktohet në udhëzimin e ri.

Udhëzimi i ri zgjeron edhe kategoritë e të huajve që përfshihen në procedurën e miratimit të punësimit, duke synuar një proces më të shpejtë dhe më të thjeshtë administrativ.

Udhëzimi i vitit 2023  përfshinte kryesisht punëmarrës, punëtorë sezonalë, ICT, të kualifikuar, vullnetarë, sportistë dhe shërbime kontraktuale.

Në udhëzimin e ri, shtohet edhe kategori të tjera, përfshirë të vetëpunësuarit, punonjësit ndërkufitarë, personat për formim profesional dhe punëtorët e shtëpisë.

 

Udhëzimi i ri për punësimin e të huajve

  1. Bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet autoriteteve shtetërore përgjegjëse që mbulojnë çështjet e kufirit dhe migracionit, dhe autoriteteve shtetërore përgjegjëse që mbulojnë çështjet e punësimit të të huajve, mbi zbatimin e procedurave të miratimit të lejes unike, për kategoritë e të huajve që kërkojnë miratim për punësim.
  2. Kërkesa për pajisje me leje unike ose për ripërtëritjen e saj, bëhet nëpërmjet platformës ealbania, drejtuar drejtorisë së kufirit dhe migracionit në rajonin ku kryhet aktiviteti.
  3. Për kategoritë e të huajve, punëmarrës, të vetëpunësuar, punonjës ndërkufitarë, për formim profesional, punëtorët e shtëpisë, punonjës stinorë, të transferuar brenda ndërmarrjes, punonjës me kualifikim të lartë, vullnetarë, sportistë dhe shërbime kontraktuale, kërkesa shqyrtohet fillimisht nga autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), që mbulon territorin ku i huaji kryen aktivitetin.
  4. Për shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe anëtarët e familjes së tyre, dhe shtetas të zonës Shengen, që nuk janë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe që janë me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë, shtetasit e njërit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, kërkesa trajtohet vetëm nga struktura vendore e kufirit dhe migracionit, ndërsa AKPA-ja i siguron të dhënat për këtë kategori të huajsh të punësuar, nëpërmjet sistemit elektronik.
  5. Autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i AKPA së shprehet në sistemin elektronik online, me miratim paraprak/aprovim/kërkesë për plotësim dokumentacioni apo refuzim të kërkesës për miratim punësimi, brenda 1 (një) dite pune pas vlerësimit të aplikimit në sistemin e shërbimeve të punësimit, kontratës së punës/ofertës së punës (sipas formatit standard në shtojcën 1 dhe/ose dokumenteve të tjera të nevojshme).
  6. Autoriteti përgjegjës qendror/rajonal i AKPAsë, miraton kërkesën për punësim nëse janë plotësuar kriteret e pikës 6, të nenit 74, të ligjit “Për të huajt”, të ndryshuar, kriteret dhe dokumentacionin sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 858, datë 29.12.2021, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe duke u bazuar në dokumentacionin e siguruar nëpërmjet konsultimit me sisteme të tjera informatike.
  7. Për ripërtëritjen e lejes unike, në rastet kur kërkohet miratimi për punësim, ndiqet e njëjta procedurë si në rastin e kërkesës për miratim për punësim për herë të parë, me përjashtim të shpalljes së vendit të lirë të punës
  8. Në rast se, miratimi për punësimin e një të huaji revokohet, autoriteti përgjegjës qendror/ rajonal i AKPA-së, shprehet në sistemin elektronik online për revokimin e miratimit për punësim.
  9. Autoriteti përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin dhe autoriteti përgjegjës qendror/ rajonal i AKPA-së, shkëmbejnë informacione për rastet kur ka ndryshim të kushteve të punësimit apo kur AKPA-ja refuzon të japë miratimin për punësimin e një të huaji.
  10. Verifikimi i dokumentacionit të paraqitur online për miratimin e lejes unike, bëhet nga autoriteti përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin.
  11. Drejtori i përgjithshëm i AKPA-së përcakton personat përgjegjës për aprovimin apo refuzimin e kërkesës në strukturën qendrore/rajonale.
  12. Udhëzimi i përbashkët i ministrit të Brendshëm dhe i ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr. 3, datë 11.1.2023, “Mbi bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet autoriteteve përgjegjëse të Ministrisë së Brendshme dhe autoriteteve përgjegjëse të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për përcaktimin e procedurave për miratimin e lejes unike”, shfuqizohet. 1
  13. Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

The post Punësimi i të huajve, udhëzimi i ri shkurton në 1 ditë afatin për miratimin e kërkesave appeared first on Revista Monitor.

Portugalia dhe Spanja, në qendër të krizës së strehimit në BE

By: Ornela
17 August 2026 at 13:36

Portugalia dhe Spanja po përballen me dy nga krizat më të rënda të strehimit në Bashkimin Europian, pasi rritja e popullsisë e nxitur nga emigracioni, burokracia dhe kostot e larta të ndërtimit kanë krijuar mungesa të mëdha banesash.

Këto mungesa po ushqejnë pakënaqësinë publike dhe tensionet politike në Europë, duke shtyrë lart çmimet dhe qiratë, duke i detyruar banorët të largohen nga lagjet e tyre dhe duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për shumë familje të përballojnë edhe një banesë modeste.

Presioni është veçanërisht i fortë në qytetet më të mëdha të Gadishullit Iberik.

Sipas një studimi të Bankës së Spanjës, Portugalia ndërtoi rreth 300 mijë banesa më pak nga sa kërkonte rritja e popullsisë gjatë periudhës 2021-2025. Ky deficit ishte i barabartë me 6.6% të numrit të përgjithshëm të familjeve në vend vitin e kaluar.

Në Spanjë, mungesa arriti në rreth 750 mijë banesa, ose 3.7% të numrit të familjeve.

Për krahasim, mesatarja e deficitit të banesave në Eurozonë ishte vetëm 0.5%. Portugalia dhe Spanja kanë gjithashtu ndër nivelet më të ulëta të banesave publike në Bashkimin Europian.

Guvernatori i Bankës së Portugalisë, Álvaro Santos Pereira, tha për Financial Times se problemi i përballueshmërisë së banesave mbetet shqetësues në disa rajone të vendit, veçanërisht në Lisbonë dhe Porto.

Ai pranoi se flukset e larta migratore kanë rritur numrin e familjeve rezidente, por theksoi se zgjidhja duhet të vijë kryesisht nga shtimi i ofertës së banesave të reja.

Portugalia ka përjetuar vitet e fundit një rritje të fortë të emigracionit, që ka përfshirë si emigrantë me të ardhura të ulëta nga Azia Jugore, ashtu edhe individë me të ardhura të larta që përfitonin nga skema e “vizave të arta”. Deri në ndryshimin e rregullave në vitin 2023, këto viza mund të merreshin edhe përmes blerjes së pronave.

Sipas Santos Pereira, situata ka nisur të përmirësohet. Banka e Portugalisë vlerëson se në vitin 2025 ndërtimi i banesave të reja pothuajse arriti ritmin e krijimit të familjeve të reja, pjesërisht edhe për shkak të ngadalësimit të emigracionit. Megjithatë, deficiti i grumbulluar gjatë viteve të mëparshme mbetet i lartë.

Kryeministri i qendrës së djathtë, Luís Montenegro, në pushtet që prej vitit 2024, ka shmangur retorikën kundër emigracionit të partive populiste të djathta, por ka shtrënguar rregullat e hyrjes dhe kushtet për lejet e përkohshme të qëndrimit.

Guvernatori i Bankës së Portugalisë kërkon që debati të zhvendoset nga kufizimi i kërkesës drejt rritjes së ofertës.

“Theksi duhet të vendoset te masat nga ana e ofertës, pasi mungesa e ofertës është në themel të deficitit të akumuluar”, tha ai.

Megjithatë, sektori i ndërtimit në Portugali ende nuk është rikuperuar plotësisht nga goditja e krizës së Eurozonës.

Manuel Maria Gonçalves, drejtues i Shoqatës Portugeze të Zhvilluesve dhe Investitorëve të Pronave, tha se gjatë asaj periudhe vendi humbi kompani, punonjës dhe kapacitete prodhuese.

Sipas tij, zhvilluesit janë të gatshëm të ndërtojnë, por rritja e kostove dhe burokracia e tepërt e bëjnë gjithnjë e më të vështirë realizimin me fitim të banesave të destinuara për shtresën e mesme. Për pasojë, investimet po orientohen më shumë drejt segmenteve më të shtrenjta, ku këto kosto mund të përthithen më lehtë.

Ai vlerësoi pozitivisht disa masa të miratuara këtë vit nga parlamenti portugez, përfshirë uljen e TVSH-së për punimet e ndërtimit dhe thjeshtimin e procedurave të lejeve, të cilat pritet të përmirësojnë leverdishmërinë ekonomike të projekteve të banimit.

Banka e Spanjës e ka matur deficitin e banesave duke krahasuar numrin neto të familjeve të reja të krijuara çdo vit me numrin e banesave për të cilat ishin miratuar leje ndërtimi dy vjet më parë, duke marrë parasysh kohën e nevojshme për ndërtim.

Nga ekonomitë e mëdha të BE-së, Gjermania rezultoi me ofertën më të mirë të banesave. Duke përdorur lejet e ndërtimit si tregues, vendi kishte një suficit të barabartë me 0.5% të numrit të familjeve në periudhën 2021-2025. Nëse llogaritja bëhet mbi bazën e banesave të përfunduara, megjithatë, Gjermania kishte një deficit të vogël prej 0.1%.

Në Spanjë dhe Portugali, një tjetër faktor që po zvogëlon stokun e banesave për rezidentët është përdorimi i apartamenteve për qira turistike afatshkurtra.

Zhvilluesit dhe organizatat e shoqërisë civile thonë se mungesa e banesave po detyron njerëzit të flenë në shtëpitë e miqve, të marrin me qira vetëm një dhomë në apartamente ku jetojnë disa familje dhe të përballojnë udhëtime gjithnjë e më të gjata drejt vendit të punës.

Në Lisbonë, një banor me pagë mesatare do të duhej të shpenzonte më shumë se 110% të të ardhurave mujore për të marrë me qira një apartament tipik me një dhomë gjumi në qendër të qytetit, niveli më i lartë në Europë sipas llogaritjeve të cituara nga Financial Times. Në Madrid dhe Barcelonë, kjo peshë arrin rreth 75% të të ardhurave.

Në Spanjë, strehimi është tashmë shqetësimi kryesor i votuesve, sipas institutit publik të sondazheve CIS.

Kryeministri Pedro Sánchez, i cili drejton një qeveri të majtë në pakicë, ka ndjekur një politikë relativisht të hapur ndaj emigracionit, që ka shtuar kërkesën për banesa. Popullsia e lindur jashtë Spanjës është rritur mesatarisht me 665 mijë persona në vit që prej vitit 2022.

Megjithatë, që prej rizgjedhjes në vitin 2023, Sánchez ka pasur hapësirë të kufizuar për të miratuar reforma të mëdha për strehimin, si për shkak të mungesës së shumicës parlamentare, ashtu edhe sepse qeveritë rajonale kanë kompetenca të gjera në këtë fushë.

Në prill, qeveria spanjolle miratoi një plan prej 7 miliardë eurosh për periudhën 2026-2030, që përfshin financim për rritjen e stokut të banesave publike dhe rehabilitimin e ndërtesave të zbrazëta.

 

Por zhvilluesit privatë argumentojnë se shkaqet kryesore të mungesës së banesave ndodhen diku tjetër.

Juan José Perucho, drejtues i kompanisë së madhe spanjolle të zhvillimit të pronave Ibosa, tha se ndër pengesat kryesore janë burokracia dhe betejat ligjore, të cilat bëjnë që sigurimi i lejeve për zhvillimin e trojeve të reja të zgjasë me vite.

Sipas tij, një faktor edhe më i rëndësishëm është rritja e shpejtë e numrit të emigrantëve në punë, të cilët kërkojnë banesa të përballueshme në të njëjtin segment të tregut.

“Si për shitjet, ashtu edhe për qiratë, po arrijmë në një pikë ku çmimet kanë arritur nivele që nuk janë më në përputhje me pagat e njerëzve”, tha Perucho./ Fionancial Times

The post Portugalia dhe Spanja, në qendër të krizës së strehimit në BE appeared first on Revista Monitor.

Jamie Dimon paralajmëron ministrin britanik të Financave kundër rritjes së taksave për bankat

By: Ornela
17 August 2026 at 13:01

Jamie Dimon, drejtuesi ekzekutiv i JPMorgan Chase, ka paralajmëruar ministrin britanik të Financave, John Healey, kundër krijimit të një mjedisi fiskal më armiqësor për bankat, ndërsa sektori financiar po përgatitet për një fushatë të gjerë lobimi përpara Buxhetit të tetorit, shkruan Financial Times.

Sipas personave të informuar mbi bisedën, drejtuesi i bankës amerikane i tha Healey-t, gjatë një telefonate të enjten, se taksat më të larta shpesh i shtyjnë vendet e punës drejt tregjeve të tjera. Ai solli si shembull rënien e ndjeshme të numrit të vendeve të punës në financë në Nju Jork, të cilën ia atribuoi pjesërisht barrës fiskale të qytetit.

Dimon, një nga figurat më me ndikim në financën globale, ishte ndër drejtuesit e bankave që lobuan me sukses kundër rritjes së taksave përpara Buxhetit të vitit të kaluar. Në atë kohë ai zhvilloi diskutime me ministren e atëhershme të Financave, Rachel Reeves, ndërsa JPMorgan po shqyrtonte planet për ndërtimin e një selie të re prej 3 miliardë paundësh në Canary Wharf, Londër.

Bankat mund të bëhen një objektiv tërheqës për Healey-n në Buxhetin e tetorit, pasi sektori ka realizuar fitime të larta vitet e fundit. Sindikatat kanë kërkuar rritjen e taksave ndaj bankave për të financuar një paketë mbështetëse për faturat e energjisë së familjeve.

Healey ende nuk ka shprehur një qëndrim publik për taksimin e bankave, por Dimon e bëri të qartë se një taksë e jashtëzakonshme mbi fitimet e bankave apo rritje më të gjera të taksave mbi pasurinë nuk do të mirëpriteshin, sipas një personi të informuar mbi bisedën.

Një tjetër person në dijeni të diskutimit tha se Dimon i kishte thënë Healey-t se e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar ishte nxitja e rritjes ekonomike dhe se kjo mund të arrihej vetëm “përmes politikave të mira”.

Sipas të njëjtit burim, komentet e tij për taksat nuk kishin të bënin vetëm me Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk kishin qenë tema kryesore e bisedës, e cila u përshkrua si “shumë miqësore”.

Dimon ishte ndër drejtuesit e parë të bankave që zhvilloi një telefonatë prezantuese me ministrin e ri të Financave, me kërkesë të ekipit të Healey-t. Drejtues të tjerë bankash pritet të zhvillojnë biseda të ngjashme javën e ardhshme.

Komentet private të Dimon pasojnë një paralajmërim publik që ai i kishte bërë muajin e kaluar kryeministrit Andy Burnham dhe ministrit të tij të Financave, duke thënë se taksa më të larta për bankat mund të sillnin “pasoja negative”.

“Do të ishte edhe një element tjetër negativ në listën e gjërave që duhet të marrësh parasysh”, tha Dimon, duke iu referuar mundësisë që qeveria të rriste taksën mbi bankat ose shtesën mbi tatimin e fitimit. Këto taksa u vendosën pas ndërhyrjes së qeverisë për shpëtimin e bankave të mëdha britanike gjatë krizës financiare të vitit 2008.

“Mund të tingëllojë mirë thirrja ‘taksoni bankat’, por vetëm nga kjo taksë shtesë aksionerët e mi kanë paguar 5 miliardë dollarë”, tha Dimon në podcast-in The Master Investor me Wilfred Frost. “Mendoj se masa të tilla sjellin pasoja negative.”

Një person i afërt me negociatat që Dimon zhvilloi me Reeves përpara Buxhetit të nëntorit të kaluar tha se kreu i JPMorgan vazhdimisht e vë theksin te ndikimi i taksave mbi bankat dhe do të kërkojë garanci se një qeveri e drejtuar nga Burnham do të mbështesë ndërtimin e selisë së re në Canary Wharf.

I pyetur nëse Dimon kishte kërcënuar më parë se do të anulonte projektin nëse bankat goditeshin nga taksa më të larta, burimi tha se fjala “kërcënim” do të ishte e tepruar.

“Por, sigurisht, çdo biznes merr parasysh mjedisin fiskal përpara se të marrë vendimin përfundimtar për një investim.”

JPMorgan bëri publike planet për ndërtesën e re në zonën Riverside të Canary Wharf një ditë pas Buxhetit të Reeves, duke theksuar se projekti do të varej nga “vazhdimësia e një mjedisi pozitiv biznesi në Mbretërinë e Bashkuar”.

Rregullat e vendosura pas krizës financiare të vitit 2008 bëjnë që bankat që operojnë në Mbretërinë e Bashkuar të paguajnë tashmë taksa shtesë. Këtu përfshihet një taksë mbi bilancet e tyre dhe një shtesë mbi fitimet, përveç tatimit standard mbi fitimin e korporatave.

Megjithatë, fitimet e bankave janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, të ndihmuara nga normat më të larta të interesit. Në City-n e Londrës ka shqetësime se kjo mund t’i bëjë bankat objektiv të një regjimi edhe më të rëndë fiskal.

Kongresi i Sindikatave, TUC, i ka kërkuar Healey-t të rrisë shtesën që paguajnë bankat, aktualisht në nivelin 3% mbi normën 25% të tatimit mbi fitimin, me qëllim financimin e masave për uljen e kostos së jetesës.

Megjithatë, disa drejtues të bankave janë shprehur tashmë hapur kundër çdo rritjeje të mëtejshme të barrës fiskale.

Drejtuesja e Santander, Ana Botín, i tha Financial Times në qershor se regjimi britanik i taksave mbi bankat “nuk ka kuptim ekonomik”.

“Nëse politikëbërësit po kërkojnë sektorë që realizojnë kthime jashtëzakonisht të larta, ka vende të tjera nga mund të fillojnë”, tha ajo.

Edhe ish-zyrtarë të lartë të administratës laburiste të Sir Keir Starmer i kërkuan këtë javë Healey-t të mos e dëmtojë rimëkëmbjen ekonomike përmes taksave më të larta ndaj biznesit ose një zgjerimi të fortë të huamarrjes publike.

Miles Celic, drejtues ekzekutiv i grupit lobues TheCityUK, tha se ministrat dhe zyrtarët duhet ta trajtojnë sektorin privat si partner në tërheqjen e investimeve dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

“Ata duhet t’i bëjnë gjërat bashkë me industrinë, jo t’ia imponojnë asaj”, tha Celic.

 

Ministria e Financave deklaroi se ministri “takohet rregullisht me përfaqësues të lartë të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, përfshirë sektorin e shërbimeve financiare”.

JPMorgan nuk pranoi të komentojë.

Financial Times

The post Jamie Dimon paralajmëron ministrin britanik të Financave kundër rritjes së taksave për bankat appeared first on Revista Monitor.

12 gushti shënoi rekordin e konsumit të energjisë në vend

By: Ornela
14 August 2026 at 16:02

Ditët e nxehta të këtij sezoni veror po shoqërohen me një fluks rekord të konsumit të energjisë elektrike, sipas një njoftimi në rrjetet sociale të Ministrisë të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. Ai shtoi se ndërkohë ekipet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes po përballen njëkohësisht me situata të vështira të krijuara nga zjarret pranë nënstacioneve dhe linjave të transmetimit.

Më 12 gusht 2026 u regjistrua *rekordi i ri i konsumit ditor, me rreth 27,809 MWh*, ose 5% më shumë se rekordi i mëparshëm i 13 gushtit 2025.

Edhe *mesatarja ditore e konsumit për periudhën 1–12 gusht 2026 ka arritur në 25,787 MWh, rreth 22% më shumë se mesatarja e gushtit 2025*.

Korriku dhe gushti 2026 kanë shënuar nivelet më të larta të konsumit përkatësisht me 26,488 MWh dhe 27,809 MWh.

“Përballë kësaj kërkese rekord dhe kushteve të vështira në terren, ekipet e energjisë vijojnë punën pa ndërprerje për të garantuar sigurinë dhe vijimësinë e furnizimit”, tha ministri.

The post 12 gushti shënoi rekordin e konsumit të energjisë në vend appeared first on Revista Monitor.

Rikthehet drafti: Anëtarësim me detyrim në Dhomën Kombëtare, tarifa deri në 70 mijë lekë/vit

By: Ornela
14 August 2026 at 15:53

Qeveria ka rikthyer sërish draftin për anëtarësimin e detyrueshëm të bizneseve në një Dho,ë Kombëtare, projekt që është kundërshtuar vazhdimisht nga bizneset.

Të gjitha subjektet tregtare aktive do të bëhen automatikisht anëtare të Dhomës Ekonomike Kombëtare, sipas projektligjit të ri “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare”, të hedhur për konsultim.

Projektligji përcakton se çdo subjekt tregtar me status aktiv në Regjistrin Tregtar, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, bëhet anëtar i Dhomës “ipso lege”, pra automatikisht. E njëjta gjë do të vlejë edhe për subjektet e reja që regjistrohen apo aktivizohen në Regjistrin Tregtar pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Anëtarësim me detyrim i bizneseve në Dhomën Ekonomike Kombëtare, tarifat deri 70 mijë lekë/vit

 

Nga anëtarësimi i detyrueshëm përjashtohen subjektet që kanë detyrim të regjistrohen ose anëtarësohen në dhoma, urdhra profesionalë apo organizime të tjera të krijuara me ligj të posaçëm. “Anëtarësimi në Dhomën Ekonomike Kombëtare “ipso lege”, nuk zbatohet për subjektet tregtare që janë të detyruara të regjistrohen ose të anëtarësohen në dhoma, urdhra profesionalë, organizata profesionistesh, shoqata biznesit, dhoma bilaterale ose multilaterale biznesi të krijuar me ligj të posaçëm”, thuhet në projekligj.

Anëtarësimi do të shoqërohet me një tarifë vjetore regjistrimi, e cila do të bëhet e detyrueshme pas përfundimit të periudhës tranzitore të parashikuar në ligj.

Për subjektet që nuk janë tatimpaguese të tatimit mbi fitimin, tarifa do të jetë 1,000 lekë në vit. Për bizneset e tjera, tarifa do të miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e Dhomës Ekonomike Kombëtare, në varësi të formës ligjore, madhësisë së ndërmarrjes, numrit të punonjësve dhe xhiros vjetore, por në çdo rast nuk do të mund të kalojë 70 mijë lekë në vit.

Për subjektet që regjistrohen për herë të parë në Regjistrin Tregtar, tarifa e vitit të parë do të jetë 1,000 lekë. Pas vitit të parë, ato do t’i nënshtrohen regjimit të përgjithshëm të tarifave.

“Periudha tranzitore” përkufizohet tashmë si periudha nga hyrja në fuqi e ligjit deri në përfundimin e mandateve të organeve ekzistuese të zgjedhura sipas ligjit aktual për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë. Gjatë kësaj periudhe, subjektet tregtare do të kenë statusin e anëtarit dhe do të gëzojnë të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia, por nuk do të jenë të detyruara të paguajnë tarifën vjetore të regjistrimit.

Tarifa do të paguhet nëpërmjet sistemit bankar, jo më vonë se 30 prill i vitit pasardhës, ndërsa procedurat e mbledhjes dhe derdhjes së saj do të përcaktohen me akt nënligjor të Këshillit të Ministrave.

Mosshlyerja e tarifës do të përbëjë kundërvajtje administrative dhe do të dënohet me gjobë, masa e së cilës do të përcaktohet me akt nënligjor.

Dhoma Ekonomike Kombëtare parashikohet të funksionojë si person juridik i së drejtës publike dhe të ketë një rol më të gjerë sesa dhomat aktuale të tregtisë. Ajo do të përfaqësojë interesat e sipërmarrjes, do të koordinojë dhomat sektoriale dhe do të ushtrojë edhe funksione publike të deleguara. Ndër të tjera, Dhoma do të ketë rol në identifikimin, verifikimin dhe përditësimin e kodeve NVE të bizneseve, do të ofrojë mbështetje për procedurat e regjistrimit në QKB, do të lëshojë certifikata origjine, “Carnet ATA” dhe “Carnet TIR”, si dhe do të kryejë analiza dhe studime ekonomike. Projektligji parashikon gjithashtu që Dhoma Ekonomike Kombëtare të ketë akses në Regjistrin Tregtar, Regjistrin e Lejeve, Licencave dhe Autorizimeve, për ushtrimin e funksioneve të saj publike dhe shkëmbimin e të dhënave me Qendrën Kombëtare të Biznesit.

 

Biznesi kundër

Projektligji është kundërshtuar prej kohësh nga dhomat dhe shoqatat kryesore të biznesit. Në vitin 2024, 19 shoqata biznesi dhe dhoma tregtie iu drejtuan qeverisë me një letër të përbashkët kundër anëtarësimit të detyrueshëm në Dhomën Ekonomike Kombëtare, duke argumentuar se ai cenon lirinë e organizimit të sipërmarrjes.

Kundërshtimet u përsëritën edhe gjatë konsultimit publik nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma Italiane e Tregtisë, FIAA dhe organizata të tjera. Dhoma Amerikane argumentonte se anëtarësimi i detyrueshëm binte ndesh me parimin kushtetues të lirisë së organizimit dhe se tarifa e regjistrimit mund të kthehej në një barrë të re financiare për biznesin.

FIAA ngrinte shqetësime edhe për ndikimin e qeverisë mbi strukturën e re, ndërsa 19 organizatat që firmosën letrën e përbashkët kërkonin që çdo biznes të kishte të drejtën të zgjidhte vetë nëse dhe në cilën organizatë dëshironte të anëtarësohej.

Kundërshtimi ndaj këtij modeli nuk është i ri. Edhe në vitin 2016, qeveria tentoi të vendoste anëtarësimin e detyrueshëm të bizneseve në një dhomë tregtie, por u tërhoq pas kundërshtimit të fortë të shoqatave të biznesit.

Në atë kohë, përfaqësuesit e sipërmarrjes e cilësuan skemën si një “taksë të fshehtë” dhe shprehën shqetësimin se një model i tillë do të rriste kontrollin e qeverisë mbi përfaqësimin e biznesit.

Në variantin e fundit të projektligjit, megjithatë, thelbësisht nuk ka ndryshuar pika që ka shkaktuar kundërshtimin kryesor: anëtarësimi mbetet “ipso lege”, pra automatik për shumicën e subjekteve tregtare, ndërsa tarifa vjetore arrin deri në 70 mijë lekë për bizneset që paguajnë tatim mbi fitimin.

 

Dhomat: Biznesi kundër qeverisë

 

 

Regjistrimi në Dhomën Ekonomike Kombëtare dhe tarifat

 

  1. Për qëllime të ofrimit dhe administrimit të shërbimeve publike të deleguara, të parashikuara në nenin 9 të këtij ligji, subjektet tregtare i nënshtrohen regjistrimit pranë Dhomës Ekonomike Kombëtare dhe duhet të paguajnë tarifën vjetore të regjistrimit.
  2. Tarifa vjetore e regjistrimit paguhet kundrejt përfitimit të shërbimeve dhe funksioneve publike të deleguara të ofruara nga Dhoma Ekonomike Kombëtare, sipas këtij ligji.
  3. Tarifa vjetore e regjistrimit bëhet e detyrueshme pas përfundimit të periudhës tranzitore të përcaktuar në nenin 2 pika 17. Pagesa e tarifës për këtë vit kryhet nëpërmjet sistemit bankar jo më vonë se data 30 prill e vitit pasardhës. Për vitet në vijim, tarifa vjetore e regjistrimit paguhet nëpërmjet sistemit bankar jo më vonë se data 30 prill e vitit pasardhës. Proçedurat dhe modalitetet për derdhjen dhe mbledhjen e tarifës vjetore të regjistrimit përcaktohen me akt nënligjor të Këshillit të Ministrave.
  4. Gjatë periudhës tranzitore e përcaktuar në nenin 2 pika 17 , subjektet tregtare gëzojnë statusin e anëtarit të Dhomës Ekonomike Kombëtare dhe të drejtat e detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia, pa qenë të detyruara për pagesën e tarifës vjetore të regjistrimit.
  5. Pas periudhës tranzitore e përcaktuar në nenin 2 pika 17 , subjektet tregtare që nuk janë subjekt i tatimit mbi fitimin sipas legjislacionit në fuqi do të paguajnë një tarifë vjetore regjistrimi në masën 1,000 (një mijë) lekë, në bazë vjetore.
  6. Pas periudhës tranzitore e përcaktuar në nenin 2 pika 17, tarifa vjetore për subjektet e tjera tregtare të ndryshme nga ato që referohen në pikën 5, do të miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e Dhomës Ekonomike Kombëtare, mbi bazën e kritereve të përcaktuara në statut, përfshirë formën ligjore, madhësinë e ndërmarrjes, numrin e punonjësve dhe xhiron vjetore, por në çdo rast nuk mund të tejkalojë shumën 70, 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë në vit.
  7. Pas periudhës tranzitore e përcaktuar në nenin 2 pika 17, tarifa vjetore e regjistrimit për subjektet që regjistrohen për herë të parë në Regjistrin Tregtar të këtij neni, është 1,000 (një mijë) lekë. Pas vitit të parë të regjistrimit, subjektet tregtare i nënshtrohen regjimit të tarifave vjetore sipas pikave 5 dhe 6 të këtij neni.
  8. Tarifat vjetore të miratuara nga Asambleja Kombëtare e Dhomës Ekonomike Kombëtare publikohen në faqen zyrtare të Dhomës Ekonomike Kombëtare.
  9. Mosshlyerja e tarifës vjetore të regjistrimit përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë sipas përcaktimeve me akt nënligjor në përputhje me ligjin nr. 10 279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”.

 

 

Neni 2- pika 17

“Periudha tranzitore” është periudha kohore që fillon nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në përfundimin e mandateve të organeve ekzistuese të zgjedhura sipas ligjit nr. 9640, datë 9.11.2006, “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”, të ndryshuar, gjatë së cilës kryhen masat organizative, administrative dhe zgjedhore për funksionimin e sistemit të ri të dhomave.

RENJK_1034_Projektligji_Final

 

The post Rikthehet drafti: Anëtarësim me detyrim në Dhomën Kombëtare, tarifa deri në 70 mijë lekë/vit appeared first on Revista Monitor.

Tatimet: Kemi kompensuar 111 mln lekë shoqëritë e transportit, Tiranēn e ka Bashkia

By: Ornela
13 August 2026 at 20:46

Drejtoria e Tatimeve njoftoi se ka përfunduar në 1 gusht 2026 procesi i aplikimit për kompensimin e transportit publik.

Administrata Tatimore po kryen kompensimin e 95 subjekte që kanë aplikuar për të përfituar nga skema e kompensimit për rritjen e çmimit të karburantit. Vlera totale e kompensimit për shoqëritë e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës arrin në 110.7 milionë lekë.

Tatimet sqarojnë se shifrat nuk përfshijnë kompensimin për shoqëritë e linjave qytetëse të Tiranës, i cili mbulohet nga Bashkia Tiranë.

Numri i subjekteve që kanë aplikuar për t’u kompensuar nga Bashkia e Tiranës pranë Administratës Tatimore është 20 për një vlerë prej 66.1 milion lekë.

Njê ditë më parë shoqëritë e transportit kryeqytetas u ankuan se nuk kishin marrë kompensimin e premtuar dhe paralajmêruan reduktim të linjave

Shoqatat e Transportit kërkojnë zgjatje të kompensimit, paralajmërojnë rishikim të numrit të mjeteve

 

 

The post Tatimet: Kemi kompensuar 111 mln lekë shoqëritë e transportit, Tiranēn e ka Bashkia appeared first on Revista Monitor.

MABCO kundërshton prishjen e koncesionit të Aeroportit të Vlorës, kërkon negociata me MIE

By: Ornela
12 August 2026 at 17:51

MABCO Constructions ka kundërshtuar zyrtarisht vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen e parakohshme të kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe i ka kërkuar qeverisë nisjen e negociatave në mirëbesim për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Në shkresën e depozituar më 10 gusht 2026 pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të bërë publike nga vetë kompania, kompania zvicerane e konsideron zgjidhjen e kontratës “të pabazuar” dhe argumenton se një pjesë thelbësore e rrethanave që kanë penguar përfundimin dhe vënien në operim të aeroportit nuk mund t’i atribuohen investitorit.

Ministria kishte njoftuar më 3 gusht zgjidhjen e parakohshme të kontratës, duke e lidhur vendimin, ndër të tjera, me mosrealizimin e datës së operimit brenda afatit kontraktor, mos përfundimin e punimeve, mosmbajtjen në fuqi të sigurimit të kontratës dhe mospagimin e penaliteteve. MIE ka konsideruar gjithashtu si pjesë të problematikave konfliktet mes ortakëve të shoqërisë koncesionare dhe marrëveshjen e huadhënies me Delphos Securities.

MABCO, që zotëron 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare Vlora International Airport, kundërshton këtë interpretim dhe pretendon se vonesat janë shkaktuar ose janë rënduar nga veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shqiptare.

Sipas kompanisë, Ministria ka qenë prej muajsh në dijeni të situatës dhe është informuar përmes më shumë se 90 shkresave, ku MABCO ka kërkuar ndërhyrjen e Autoritetit Kontraktues për rivendosjen e ligjshmërisë, zhbllokimin e administrimit të shoqërisë dhe krijimin e kushteve për vijimin normal të projektit.

Në argumentimin e saj, kompania i referohet edhe vendimit nr. 338 të Gjykatës së Lartë, të datës 26 maj 2026. Sipas MABCO-s, ky vendim ka konfirmuar se konflikti mes ortakëve të shoqërisë koncesionare nuk mund të shihet vetëm si një mosmarrëveshje tregtare private, por duhet të trajtohet edhe në raport me kontratën e koncesionit dhe interesin publik. Në këtë kuadër, MABCO pretendon se MIE kishte detyrimin pozitiv për të ndërhyrë kur konflikti mes ortakëve po pengonte realizimin e projektit.

 

MABCO: U pengua aksesi në kantier

Një pjesë e rëndësishme e kundërshtimit lidhet me aksesin në kantierin e Aeroportit të Vlorës.

 

MABCO pretendon se përfaqësuesit, punonjësit, inxhinierët dhe specialistët e saj janë penguar të hyjnë në kantier dhe se autoritetet nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për rivendosjen e aksesit.

Në dokument thuhet se më 18 dhe 19 maj 2026, rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të MABCO-s nuk u lejuan të hynin në kantier, ndonëse efektivë të Policisë së Shtetit ndodheshin fizikisht në zonë. Kompania pretendon se mosndërhyrja e policisë kontribuoi drejtpërdrejt në bllokimin e punimeve dhe në thellimin e vonesave.

MABCO argumenton gjithashtu se problemet me administrimin e shoqërisë koncesionare kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e projektit.

Kompania kundërshton administrimin e Vlora International Airport nga një administrator i emëruar me votën e ortakut që zotëron 2% të kuotave dhe pretendon se kjo situatë e ka përjashtuar aksionerin mazhoritar nga vendimmarrja dhe administrimi efektiv i projektit.

Sipas MABCO-s, kjo ka krijuar pengesa jo vetëm në qeverisjen e shoqërisë, por edhe në procese konkrete, si certifikimi i aeroportit, përditësimi i lejes së ndërtimit, pagesat, importi dhe instalimi i pajisjeve dhe koordinimi me operatorët dhe specialistët ndërkombëtarë.

 

Kompania thotë se ka vijuar financimin e projektit

 

MABCO kundërshton gjithashtu pretendimin se nuk ka marrë masa për përfundimin e aeroportit.

Në dokument thuhet se kompania kishte kontraktuar Munich Airport International për shërbime teknike dhe ekspertizë aeroportuale, duke financuar produkte teknike me vlerë mbi 1.5 milionë euro.

Pas ndërprerjes së këtij angazhimi në kushtet e konfliktit, më 22 janar 2026 MABCO angazhoi daa International, Dublin Airport Authority, për shërbime teknike, certifikim, ORAT dhe përgatitjen operative të aeroportit.

Sipas kompanisë, kjo marrëveshje vijon të financohet dhe operatori mbetet i gatshëm të kryejë funksionet e dakordësuara sapo të sigurohen kushtet ligjore, korporative dhe fizike për vijimin e punës.

 

MABCO pretendon gjithashtu se ka vijuar të kontraktojë dhe paguajë pajisje të domosdoshme për certifikimin dhe operimin e aeroportit, përfshirë sisteme sigurie aeroportuale, pajisje X-Ray, EDS dhe pajisje të tjera teknike.

Në shkresë argumentohet se edhe projekti fillestar i terminalit kishte ndryshuar gjatë zbatimit. Sipas dokumentacionit të cituar nga kompania, terminali ishte zgjeruar në rreth 22 mijë metra katrorë, duke përfshirë edhe një mezzanine prej rreth 5 mijë metrash katrorë dhe dy ura lidhëse për pasagjerët.

MABCO pretendon se kishte përgatitur edhe procedurat për modifikimin dhe zgjerimin e lejes së ndërtimit, por se procesi u bllokua nga konfliktet gjyqësore dhe administrative.

 

Sigurimi i kontratës dhe penalitetet

Një tjetër pikë e kundërshtimit lidhet me sigurimin e kontratës.

MIE ka përdorur ndër argumentet e saj faktin se sigurimi i kontratës nuk ishte mbajtur në fuqi. MABCO pretendon se ky fakt, në vetvete, nuk përbën shkak automatik për zgjidhjen e kontratës.

Kompania argumenton se, edhe nëse mosmbajtja në fuqi e sigurimit do të konsiderohej shkelje materiale, kontrata parashikon një afat prej 60 ditësh për korrigjimin e shkeljes. Sipas dokumentit, MIE e kishte njoftuar këtë pretendim vetëm më 16 korrik 2026, çka sipas MABCO-s do të thotë se afati për korrigjim nuk kishte përfunduar kur Ministria njoftoi zgjidhjen e kontratës.

 

MABCO kundërshton edhe penalitetet kontraktore të vendosura për vonesat.

 

Sipas kompanisë, kontrata përjashton pagesën e penalitetit në rast se data e operimit është penguar ose shtyrë si rezultat i një “Veprimi Material të Pafavorshëm Qeveritar”. MABCO pretendon se pikërisht kjo ka ndodhur në rastin e Aeroportit të Vlorës.

Kompania e konsideron zgjidhjen e njëanshme të kontratës nga MIE jo vetëm të pabazuar, por edhe një “Veprim Material të Pafavorshëm Qeveritar”, pasi sipas saj i heq koncesionarit të drejtat ekskluzive për të projektuar, ndërtuar, operuar dhe mirëmbajtur aeroportin dhe pritshmëritë ekonomike të lidhura me pjesën e mbetur të koncesionit.

 

Kërkon negociata, arbitrazhi mbetet vetëm si mundësi e hapur

 

Në përfundim të shkresës së 10 gushtit, MABCO nuk njofton drejtpërdrejt nisjen e një procedure arbitrazhi.

Kompania kërkon që mosmarrëveshja të trajtohet fillimisht nëpërmjet negociatave në mirëbesim, sipas mekanizmit të parashikuar në kontratën e koncesionit.

MABCO propozon që negociatat të zhvillohen brenda 15 ditëve pune nga marrja dijeni e shkresës dhe, në çdo rast, jo më vonë se 31 gusht 2026.

Kjo e dallon dokumentin e fundit nga një njoftim formal për arbitrazh. Kompania nuk thotë në shkresë se po nis një procedurë të tillë dhe as nuk përcakton një forum arbitrazhi.

Megjithatë, MABCO rezervon shprehimisht të gjitha të drejtat dhe mjetet juridike që i burojnë nga kontrata e koncesionit, legjislacioni shqiptar, e drejta ndërkombëtare dhe Marrëveshja Bilaterale ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.

Ky formulim e mban të hapur mundësinë që, nëse negociatat dështojnë, konflikti të kalojë në një fazë tjetër juridike, përfshirë potencialisht arbitrazhin ndërkombëtar. Por në këtë moment, shkresa e 10 gushtit nuk përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë apo një njoftim formal për arbitrazh.

Pak ditë më parë, “Monitor” kishte raportuar se referimi i MABCO-s te marrëveshja Shqipëri–Zvicër dhe përshkallëzimi i mosmarrëveshjes po e orientonin çështjen drejt një skenari të mundshëm arbitrazhi. Dokumenti i fundit e bën më të qartë se kompania, të paktën në këtë fazë, po kërkon fillimisht një zgjidhje përmes negociatave me qeverinë.

MABCO “zyrtarizon” kursin drejt arbitrazhit për Aeroportin e Vlorës pas lëvizjes së MIE

The post MABCO kundërshton prishjen e koncesionit të Aeroportit të Vlorës, kërkon negociata me MIE appeared first on Revista Monitor.

Qeveria ndryshon rregullat për tenderët e mbrojtjes, më pak përjashtime dhe procedurë e thjeshtuar

By: Ornela
11 August 2026 at 16:37

Qeveria po përgatit një kuadër të ri për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, që do të zëvendësojë ligjin e vitit 2020, me ndryshime që prekin më shumë se gjysmën e përmbajtjes së tij.

Projektligji i ri “Prokurimet nw fushwn e mbrojtjes dhe sigurisw” është hartuar pas komenteve të Komisionit Europian dhe vlerësimit të SIGMA-s, sipas të cilit kuadri shqiptar ishte ndërtuar sipas Direktivës europiane 2009/81/KE, por ishte vetëm pjesërisht i përafruar me të. Ndryshimet prekin që nga rastet kur tenderët e mbrojtjes mund të përjashtohen nga procedurat e zakonshme, deri te mënyra e konkurrimit, tenderët pa shpallje, ankimet dhe pavlefshmëria e kontratave.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është ngushtimi i rasteve që mund të përjashtohen nga zbatimi i ligjit.

Në ligjin aktual përjashtohen në mënyrë të përgjithshme, ndër të tjera, prokurimet që realizohen nëpërmjet agjencive të NATO-s ose organizatave ndërkombëtare, të gjitha prokurimet në rast krizash apo situatash ekstreme të sigurisë kombëtare, si dhe blerja e pajisjeve dhe mjeteve ushtarake, armëve, municioneve dhe materialeve luftarake.

Projektligji i ri i heq këto përjashtime të përgjithshme. Kontratat që ndjekin rregulla të posaçme të organizatave ndërkombëtare do të trajtohen sipas kushteve specifike të marrëveshjes përkatëse, ndërsa pajisjet ushtarake konsiderohen pjesë e objektit kryesor të ligjit dhe nuk mund të përjashtohen automatikisht nga rregullat e tij. Gjithashtu, ligji parashikon që aktet nënligjore nuk mund të krijojnë përjashtime të reja apo të zgjerojnë ato që përcaktohen në ligj.

Procedurë e thjeshtuar për kontratat me vlerë më të ulët

Një tjetër risi është krijimi i një procedure të thjeshtuar të prokurimit për kontratat me vlerë më të ulët.

Ligji i ri parashikon tri kategori kufijsh monetarë: kufirin e lartë, kufirin e ulët dhe një kufi të posaçëm për procedurën e thjeshtuar. Vlerat konkrete nuk përcaktohen në ligj, por do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, duke marrë në konsideratë edhe pragjet europiane.

Për kontratat nën kufirin e ulët monetar do të mund të përdoret procedura e thjeshtuar, një instrument që mungon në ligjin aktual. Për kontratat e tjera, procedurat kryesore mbeten ajo e kufizuar dhe negocimi me shpallje paraprake, ndërsa dialogu konkurrues do të përdoret për kontrata veçanërisht komplekse.

Tenderët pa shpallje, vetëm në raste të përcaktuara

Projektligji ruan mundësinë e negocimit pa shpallje paraprake, por kërkon që përdorimi i tij të argumentohet në urdhrin e prokurimit dhe më pas arsyetimi të bëhet pjesë e njoftimit të fituesit.

Kjo procedurë mund të përdoret, ndër të tjera, kur një tender i mëparshëm nuk ka marrë oferta, kur ofertat janë të papranueshme, kur ekziston një urgjencë e shkaktuar nga kriza, në raste ekstreme të paparashikueshme ose kur kontrata mund të realizohet vetëm nga një operator për arsye teknike apo për shkak të të drejtave ekskluzive.

Për punët dhe shërbimet shtesë, vlera e prokuruar në këtë mënyrë nuk mund të kalojë 50% të kontratës fillestare. Projektligji kërkon gjithashtu që këto punë apo shërbime të jenë teknikisht ose ekonomikisht të pandashme nga kontrata fillestare.

Marrëveshjet kuadër mund të zgjasin shtatë vjet

Ndryshime parashikohen edhe për marrëveshjet kuadër. Afati normal maksimal rritet nga pesë në shtatë vjet, ndërsa në rrethana të jashtëzakonshme mund të jetë edhe më i gjatë.

Përjashtimi duhet të lidhet me jetëgjatësinë e mallrave, instalimeve ose sistemeve dhe me vështirësitë teknike që mund të krijojë ndryshimi i furnizuesit. Në këto raste, autoriteti duhet të argumentojë pse marrëveshja ka nevojë për një afat më të gjatë.

Më shumë detyrime për publikimin

Projektligji forcon edhe disa prej kërkesave për publikimin e procedurave.

Për procedurën e kufizuar, dialogun konkurrues dhe negocimin me shpallje paraprake kërkohet njoftim publik. Autoriteti duhet të publikojë fituesin brenda pesë ditëve nga klasifikimi përfundimtar dhe nënshkrimin e kontratës brenda pesë ditëve nga lidhja e saj.

Megjithatë, për shkak të natyrës së sektorit, informacioni mund të mos publikohet kur cenon interesat e mbrojtjes dhe sigurisë, interesin publik, interesat legjitime tregtare ose konkurrencën. Informacioni i klasifikuar nuk mund të përfshihet në njoftimet publike.

Në praktikë, edhe aktualisht një pjesë e prokurimeve në këtë sektor bëhen publike. Ministria e Mbrojtjes njofton se informacioni që mund të bëhet publik për prokurimet sipas ligjit nr. 36/2020 publikohet në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik dhe në faqen e ministrisë.

Ndër procedurat e publikuara së fundmi është tenderi për infrastrukturën e Bazës Ajrore të Kuçovës, me fond limit rreth 732 milionë lekë pa TVSH, i klasifikuar në nivelin “konfidencial”. Procedura ishte hapur sipas ligjit aktual nr. 36/2020 dhe më pas rezulton e anuluar në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Operatorët do të mund të ankohen edhe kur tenderi anulohet

Një ndryshim me rëndësi për kompanitë pjesëmarrëse është zgjerimi i së drejtës së ankimit.

Ligji aktual nuk parashikon shprehimisht të drejtën e operatorit ekonomik për të kundërshtuar vendimin e autoritetit për anulimin e procedurës. Projektligji e shton këtë mundësi, krahas ankimeve për dokumentet e tenderit dhe vlerësimin apo klasifikimin e ofertave.

Rregullat për ankimet dhe mjetet juridike kanë qenë ndër pikat ku SIGMA kishte evidentuar mangësi në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian.

Kontratat mund të shpallen të pavlefshme, gjoba deri në 10%

Projektligji shton edhe rregulla më të hollësishme për pavlefshmërinë e kontratave.

Një kontratë mund të konsiderohet e pavlefshme, ndër të tjera, kur është lidhur pa njoftim paraprak në kundërshtim me ligjin ose kur shkeljet e procedurës së ankimit, të shoqëruara me shkelje të tjera, kanë ndikuar në mundësinë e një ofertuesi për të fituar kontratën.

Kërkesa për pavlefshmëri mund të bëhet brenda 30 ditëve në rastet kur është publikuar njoftimi përkatës dhe, në raste të tjera, deri në gjashtë muaj pas lidhjes së kontratës.

Megjithatë, për arsye mbizotëruese të interesit publik, sidomos për interesa të mbrojtjes ose sigurisë, Komisioni i Prokurimit Publik mund të vendosë që kontrata të vazhdojë të ketë efekt. Në këtë rast mund të vendosen masa alternative, përfshirë gjobë deri në 10% të vlerës së kontratës ose shkurtimin e kohëzgjatjes së saj.

Ligji i ri përbëhet nga 80 nene dhe, sipas relacionit, ndryshimet janë aq të gjera sa u vlerësua e pamjaftueshme ndërhyrja me amendime në ligjin ekzistues. Pas miratimit, ligji nr. 36/2020 do të shfuqizohet. Aktet nënligjore duhet të miratohen brenda gjashtë muajve dhe regjimi i ri do të fillojë të prodhojë efekte gjashtë muaj pas hyrjes së ligjit në fuqi.

The post Qeveria ndryshon rregullat për tenderët e mbrojtjes, më pak përjashtime dhe procedurë e thjeshtuar appeared first on Revista Monitor.

Dogana Shqiptare dhe AKEP, bashkëpunim për dërgesa postare më të shpejta dhe kontrolle më efikase

By: Ornela
7 August 2026 at 18:19

Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në një takim me përfaqësues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në vijim të kërkesës së këtij institucioni diskutuan për adresimin e çështjeve të ngritura nga operatorët e ofrimit të shërbimit postar.

Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, me synim formalizimin e mëtejshëm të tregut dhe rritjen e efektivitetit në luftën kundër informalitetit në fushën e dërgesave postare.

Një tjetër çështje e rëndësishme ishte zhvillimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit nga operatorët e postave të shpejta dhe Posta Shqiptare, me qëllim mundësimin e Njoftimit Para Mbërritjes për dërgesat postare, brenda vitit 2026. Ky mekanizëm synon të krijojë mundësi për një përpunim më të shpejtë dhe efikas të dërgesave, duke forcuar njëkohësisht analizën e riskut dhe kontrollet doganore.

Bashkëpunimi ndërinstitucional në këtë drejtim synon të krijojë një ekuilibër më të mirë mes lehtësimit dhe përshpejtimit të procedurave doganore dhe forcimit të kontrolleve, duke garantuar një menaxhim më efikas të dërgesave postare dhe duke kontribuar në luftën kundër kontrabandës, evazionit dhe informalitetit në fushën e tregtisë elektronike.

The post Dogana Shqiptare dhe AKEP, bashkëpunim për dërgesa postare më të shpejta dhe kontrolle më efikase appeared first on Revista Monitor.

Byrotë e Kreditit do të jenë private, do të ndërtojnë “notën” financiare të individëve dhe bizneseve

By: Ornela
7 August 2026 at 16:34

Byrotë e Kreditit që pritet të ngrihen në Shqipëri do të jenë subjekte private, të organizuara si shoqëri aksionare, dhe do të kenë të drejtë të mbledhin, përpunojnë dhe analizojnë informacion financiar për individët dhe bizneset, përfshirë të dhëna që shkojnë përtej kredive bankare.

Byroja e Kredisë do jetë private, informacioni do mblidhet me pagesë; Projektligji drejt finalizimit

Projektligji “Për Byrotë e Kreditit” i hedhur pwr konsultim, përcakton për herë të parë kuadrin e posaçëm për licencimin dhe funksionimin e këtyre subjekteve private, të cilat do të ofrojnë raporte kreditore dhe sisteme të renditjes kreditore, të njohura si “credit scoring”.

Modeli ndryshon nga Regjistri aktual i Kredive, i cili administrohet nga Banka e Shqipërisë. Relacioni argumenton se regjistrat publikë, të administruar nga bankat qendrore, kanë kryesisht funksione që lidhen me stabilitetin financiar dhe mbikëqyrjen, ndërsa nuk janë konceptuar për të ofruar shërbime tregtare të raportimit kreditor, analiza të sjelljes paguese apo modele të avancuara të pikëzimit kreditor.

Këto funksione, sipas projektligjit, do t’u kalojnë byrove private të kreditit, të cilat do të operojnë paralelisht me Regjistrin e Kredive të Bankës së Shqipërisë.

Sipas relacionit, në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, regjistrat publikë të kredive, të administruar nga bankat qendrore, kanë si funksion kryesor mbështetjen e stabilitetit financiar, monitorimin e ekspozimeve kreditore dhe vlerësimin e riskut sistemik në sektorin financiar. Aksesi i subjekteve raportuese në këta regjistra përbën një funksion dytësor, i cili u shërben atyre si një mekanizëm ndihmës për vlerësimin e riskut kreditor dhe mbështetjen e vendimmarrjes në procesin e kreditimit.

Megjithatë, regjistrat publikë të kredive nuk janë konceptuar për të ofruar shërbime tregtare të raportimit kreditor, përpunim të avancuar të informacionit kreditor, analiza të sjelljes paguese apo zhvillimin e modeleve të vlerësimit kreditor (credit scoring). Këto funksione ushtrohen nga byrotë private të kreditit, të cilat, në shumë juridiksione, operojnë paralelisht me regjistrat publikë të kredive dhe luajnë një rol plotësues në treg. Nëpërmjet grumbullimit, përpunimit dhe analizimit të informacionit kreditor nga burime të ndryshme, ato ofrojnë produkte dhe shërbime të specializuara që mbështesin institucionet financiare dhe përdoruesit e tjerë të autorizuar në vlerësimin e aftësisë paguese, administrimin e riskut kreditor dhe procesin e vendimmarrjes për dhënien e financimit.

Në këtë kontekst, paraqitet e nevojshme miratimi i një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për krijimin dhe funksionimin e byrove private të kreditit, i harmonizuar me praktikat dhe modelet më të mira të zhvilluara në vendet e Bashkimit Evropian, me qëllim krijimin e një sistemi modern, të besueshëm dhe efikas të raportimit dhe vlerësimit kreditor.

 

 

Kompani private, por me akses te një gamë e gjerë të dhënash

Një nga elementet më të rëndësishme të projektligjit është gama e institucioneve dhe subjekteve që mund të furnizojnë me informacion Byrotë e Kreditit.

Përveç bankave dhe institucioneve financiare jobanka, ofrues të të dhënave mund të jenë institucionet e pagesave, institucionet e parasë elektronike, shoqëritë e kursim-kreditit, kompanitë e sigurimit dhe Banka e Shqipërisë.

Por informacion mund të vijë edhe nga organet tatimore, njësitë e qeverisjes vendore dhe persona të tjerë juridikë që furnizojnë mallra ose shërbime nga të cilat lindin detyrime për pagesë.

Në këtë mënyrë, një subjekt privat mund të krijojë një panoramë shumë më të gjerë të sjelljes financiare të një individi ose biznesi, krahasuar me informacionin që aktualisht përmban Regjistri i Kredive.

Në historikun e një individi mund të përfshihen të dhëna për kërkesat dhe marrëveshjet e kredisë, detyrimet e prapambetura, përfundimin e marrëveshjeve, renditjen kreditore dhe vendime gjyqësore që lidhen me aftësinë kredimarrëse. Për bizneset mund të shtohen edhe të dhëna për performancën financiare dhe procedurat e falimentimit.

 

Banka e Shqipërisë mund t’u japë bazën fillestare

Projektligji parashikon një mekanizëm të posaçëm edhe për krijimin e bazës fillestare të informacionit të Byrosë.

Me kërkesë të Byrosë së Kreditit dhe mbi bazën e një marrëveshjeje, Banka e Shqipërisë mund t’i vërë në dispozicion subjektit privat informacionin kreditor që administron në Regjistrin e Kredive deri në datën e licencimit të Byrosë.

Transferimi do të bëhet sipas kushteve, kritereve dhe procedurave të përcaktuara në ligj dhe në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ky parashikim i jep Byrosë mundësinë që të mos e nisë aktivitetin nga zero, por të ndërtojë bazën fillestare mbi informacionin kreditor ekzistues.

 

Privati do të llogarisë edhe “credit score”

Një tjetër funksion që projektligji i jep Byrove private është llogaritja e renditjes kreditore ose “credit scoring”.

Në bazë të të dhënave të mbledhura, Byroja mund të hartojë një vlerësim të besueshmërisë financiare të individit apo biznesit, i cili mund të përfshihet në raportin kreditor që kërkon banka apo një përdorues tjetër i autorizuar.

Projektligji kërkon që modelet statistikore, matematikore ose algoritmike që do të përdoren për pikëzimin të mbështeten në kritere objektive, proporcionale, të verifikueshme dhe jodiskriminuese.

Parashikohen gjithashtu kërkesa për transparencë mbi metodologjinë dhe faktorët kryesorë që ndikojnë në vlerësimin kreditor.

Në praktikë, ky vlerësim mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në kushtet e financimit.

Relacioni vlerëson se individët dhe bizneset me histori të mirë financiare mund të kenë mundësi më të mëdha të negociojnë norma interesi më të favorshme dhe të marrin kredi më shpejt.

 

Të dhënat negative deri në pesë vjet

Fakti që informacioni do të administrohet nga subjekte private shoqërohet edhe me rregulla për kohën e ruajtjes së tij.

Të dhënat pozitive mund të ruhen deri në tre vjet nga përfundimi i marrëdhënies së kredisë ose kontratës përkatëse.

Të dhënat negative mund të ruhen deri në pesë vjet nga përmbushja ose shuarja e detyrimit.

Kjo nënkupton se edhe pasi një detyrim problematik është shlyer, informacioni negativ mund të vazhdojë të jetë pjesë e historikut të personit apo biznesit për disa vite.

 

Kush do t’i kontrollojë Byrotë private

Byrotë e Kreditit do të duhet të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit si shoqëri aksionare dhe të pajisen me licencë.

Licenca do të jepet për afat të pacaktuar. Projektligji vendos gjithashtu kufizime për pjesëmarrjen dhe kontrollin e këtyre shoqërive nga bankat dhe institucionet financiare jobanka.

Për pjesën që lidhet me përpunimin e të dhënave personale, mbikëqyrja do të kryhet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Projektligji parashikon gjithashtu se informacioni kreditor është konfidencial dhe se Byroja, ofruesit dhe përdoruesit e informacionit nuk mund ta përdorin ose zbulojnë atë jashtë rasteve të lejuara nga ligji.

 

Qytetari do të ketë të drejtë të kontrollojë dosjen

Personat për të cilët mbahet informacion do të kenë të drejtë të marrin raportin e tyre kreditor dhe të njihen me burimet prej nga kanë ardhur të dhënat.

Ata do të mund të shohin gjithashtu identitetin e përdoruesve që kanë kërkuar raport kreditor për ta. Informacioni duhet të vihet në dispozicion brenda pesë ditëve.

Në rast se të dhënat janë të pasakta ose të paplota, subjekti mund t’i kundërshtojë ato dhe të kërkojë verifikimin, korrigjimin ose, sipas rastit, fshirjen e tyre.

Në këtë mënyrë, projektligji krijon një model ku mbledhja dhe përpunimi tregtar i historikut kreditor dhe llogaritja e “notës” financiare do të kryhen nga kompani private, ndërsa shteti përcakton rregullat e licencimit, burimet e të dhënave dhe kufijtë për përdorimin e informacionit.

The post Byrotë e Kreditit do të jenë private, do të ndërtojnë “notën” financiare të individëve dhe bizneseve appeared first on Revista Monitor.

Faturat e papaguara mund të ekzekutohen në gjykatë pa paralajmërim dhe me kosto zero

By: Ornela
5 August 2026 at 20:34

Bizneset dhe individët që ushtrojnë një veprimtari ekonomike do të kenë një mjet më të shpejtë për të arkëtuar faturat e papaguara, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në ligjin “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”. Ligji i ri është botuar në Fletoren  Zyrtare dhe hyn në fuqi 15 ditë pas botimit.

Ndryshimet synojnë të përshpejtojnë arkëtimin e detyrimeve në transaksionet tregtare dhe të harmonizojnë legjislacionin shqiptar me Direktivën 2011/7 të Bashkimit Europian për luftën kundër pagesave të vonuara.

Një nga risitë më të rëndësishme është se kreditori nuk ka më detyrimin të dërgojë njoftime apo kujtesa për pagesë. Nëse ai ka përmbushur detyrimet kontraktore dhe ligjore, ndërsa debitori nuk ka paguar në afat, kamatëvonesa lind automatikisht.

Ligji përcakton gjithashtu se, kur detyrimi nuk kundërshtohet nga debitori, kreditori mund t’i drejtohet gjykatës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, duke përfshirë jo vetëm shumën e papaguar, por edhe kamatëvonesat dhe shpenzimet për rikuperimin e kredisë. Gjykata duhet të lëshojë urdhrin e ekzekutimit brenda 90 ditëve nga paraqitja e kërkesës, me kusht që deri në atë moment debitori të mos ketë kundërshtuar detyrimin ose elementët e procedurës.

Ndryshimet vendosin edhe kufij më të qartë për afatet e pagesës. Në marrëdhëniet mes subjekteve tregtare, afati kontraktor nuk mund të kalojë 60 ditë, përveç rasteve kur palët bien shprehimisht dakord ndryshe dhe kjo nuk dëmton kreditorin. Kur debitor është një autoritet publik, afati standard i pagesës është 30 ditë, i zgjatshëm deri në 60 ditë vetëm në raste të parashikuara në kontratë.

Ligji parashikon gjithashtu se procedurat e marrjes në dorëzim ose të kolaudimit të mallrave dhe shërbimeve nuk mund të përdoren për të zvarritur pagesat, pasi ato nuk mund të zgjasin më shumë se 30 ditë, përveç rasteve të përcaktuara shprehimisht në kontratë.

Dispozitat e reja do të zbatohen vetëm për kontratat dhe transaksionet tregtare të lidhura pas hyrjes në fuqi të ligjit. Për detyrimet ekzistuese të autoriteteve publike ndaj bizneseve do të vazhdojë të zbatohet legjislacioni në fuqi në momentin kur ato kanë lindur, ndërsa institucionet publike do të kenë një periudhë gjashtëmujore për t’u përshtatur me rregullat e reja të pagesave.

Kjo ndërhyrje ka qenë një prej kërkesave të Aleancës së profesionistëve të Lirë (APL).

The post Faturat e papaguara mund të ekzekutohen në gjykatë pa paralajmërim dhe me kosto zero appeared first on Revista Monitor.

❌