Nga Prishtina, Fatos Shala
Kosova voton sot në zgjedhjet parlamentare, të tretat brenda 18 muajsh. Qytetarët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të parakohshme, më shumë se dy milionë shtetas të Kosovës do të kenë mundësinë që t’u kthehen kutive të votimit të dielën.
Zgjedhjet e reja po mbahen pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin brenda afateve kushtetuese. Për qytetarët është hera e tretë brenda më pak se një viti e gjysmë që dalin për zgjedhje parlamentare.
Në garën e 7 qershorit marrin pjesë 22 parti politike dhe tri koalicione parazgjedhore.
Lëvizja Vetëvendosje hyn në zgjedhje në koalicion me tri subjekte të vogla – Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane – ndërsa tri partitë kryesore opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, garojnë të vetme.
Ekipet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve veçse e kanë shpërndarë materialin zgjedhor të shtunën në mëngjes. Bartja u bë nën masa të rrepta sigurie.
Kryesuesi i KQZ, Kreshnik Radoniqi, ka votuar qysh në hapje të vendvotimeve, e pas hedhjes së votës ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta ushtrojnë të gjithë të drejtën për të votuar.
Ai po ashtu u ka bërë thirrje këshillave të vendvotimit dhe ekipeve të numërimit, që të respektojnë ligjin dhe rregullat e KQZ-së gjatë procesit.
“Për këtë ditë KQZ-ja ka qenë e angazhuar që nga shpallja e ditës së zgjedhjeve për përgatitjet dhe të gjitha përgatitjet gati kanë përfunduar. Pas kësaj dite fillon edhe numërimi në të gjitha qendrat komunale të numërimit. Në ora 7 ka filluar procesi zgjedhor dhe besoj se në të gjithë territorin ka filluar procesi në orën 7”, ka thënë ai për mediat.
Radoniqi ka thënë se për personat që nuk dinë shkrim-lexim nuk kanë ndryshuar rregullat nga zgjedhjet e kaluara. Vitin e kaluar ka pasur ankesa nga këta qytetarë të cilëve nuk u lejohet asistenca në kutitë e votimit.
Kurse, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se materiali është shpërndarë në të 38 komunat.
“Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm (të shtunën), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë shpërndarjen e materialeve zgjedhore, përfshirë fletëvotimet dhe materialet e tjera të ndjeshme zgjedhore, siç janë listat përfundimtare të votuesve dhe vulat”, ka thënë ai.
Me vendim të KQZ-së, për zgjedhjet e së dielës janë shtypur 1 milion e 778 mijë e 300 fletëvotime, prej të cilave 1 milion e 605 mijë janë të destinuara për votim të rregullt, 19 mijë e 450 për votim me kusht, 13 mijë e 500 fletëvotime rezervë, si dhe 3 mijë e 500 për votimin e personave me nevoja të veçanta.
Fletëvotimet dhe materialet e tjera që janë vendosur në qendrat komunale të numërimit në secilën komunë, do të shpërndahen në secilën qendër votimi e vendvotim të dielën para orës 7 të mëngjesit, kur nis votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Janë 949 qendra të votimit, me gjithsej 2.550 vendvotime në të gjithë Kosovën.
“Gjatë mëngjesit të ditës së diel do të shpërndahen për në qendrat e votimit, të cilat do të hapen në orën 07:00, për të filluar procesin e votimit. Dorëzimi i materialeve nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve në Qendrat Komunale është bërë si zakonisht në përcjellje të Policisë së Kosovës dhe natyrisht se ruajtja e tyre do të bëhet nga zyrtarët policorë”.
Një ditë para zgjedhjeve, autoritetet e sigurisë kanë bërë të ditura masat e ndërmarra, në mbështetje të zhvillimit të sigurt të procesit të zgjedhjeve të parakohshme. Organi i akuzës ka aktivizuar rreth 100 prokurorë, ndërkaq policë janë angazhuar shumëfish më shumë. Por, në një komunikatë të përbashkët të Policisë dhe Zyrës së Kryeprokurorit, është alarmuar për ndërhyrjet nga jashtë.
I gjithë procesi zgjedhor i së dielës do të monitorohet nga rreth 16 mijë e 600 vëzhgues të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Koalicioni i organizatave qeveritare, “Demokracia në Veprim” do t’i ketë në terren 550 vëzhgues. Eugen Cakolli nga ky koalicion, ka thënë se përveç vëzhguesve, do të jetë edhe një ekip me rreth 100 persona për përpunimin dhe analizimin e të dhënave, mbi të cilat do të raportohet gjatë ditës.
Për organizimin e këtij procesi, Qeveria në detyrë e Kosovës miratoi kërkesën e KQZ-së për ndarjen e rreth 10.9 milionë eurove. Për krahasim, zgjedhjet e dhjetorit kishin një buxhet të planifikuar prej 11.5 milionë eurosh, ndërsa shpenzimet reale, sipas raporteve të KQZ-së, arritën në rreth 7.4 milionë.
Zgjedhjet e 7 qershorit po mbahen pasi Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk arriti ta zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues. E ai Kuvend doli pasi prej zgjedhjeve të rregullta të shkurtit 2025, Kuvendi nuk arriti ta zgjidhte Qeverinë e re. 7 qershori e vë Kosovën mes dy opsionesh, zgjidhje për tri institucionet ose vazhdim të krizës.
The post Kosova voton sot, për herë të tretë brenda 18 muajsh appeared first on Revista Monitor.