Normal view

Received — 28 July 2026 Revista Monitor

Alarm për blegtorinë në Kosovë: Konfirmohen raste të lisë së dhenve dhe dhive në katër komuna

28 July 2026 at 15:44

Janë konfirmuar raste të lisë së dhenve dhe dhive në katër komuna të Kosovës, duke ngritur shqetësime për përhapjen e sëmundjes në fermat blegtorale. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u ka bërë thirrje fermerëve që të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë.

 

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u ka bërë thirrje të gjithë fermerëve që mbajnë dele dhe dhi të rrisin vigjilencën dhe të zbatojnë masat e biosigurisë, pas konfirmimit të disa rasteve të sëmundjes Lija e Dhenve dhe Dhive (Sheep and Goat Pox) në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe Viti.

Sipas AUV-së, ekziston rreziku i përhapjes së mëtejshme të sëmundjes, prandaj fermerët duhet të respektojnë me përpikëri rekomandimet për parandalimin e saj.

Agjencia u ka kërkuar fermerëve që të mos lëvizin delet dhe dhitë nga fermat pa autorizimin e veterinerit zyrtar, të kufizojnë hyrjen e personave dhe automjeteve të paautorizuara në fermë, si dhe të shmangin kontaktin e kafshëve me tufat e fermave të tjera.

Po ashtu, AUV rekomandon pastrimin dhe dezinfektimin e rregullt të objekteve, pajisjeve dhe mjeteve të transportit, mbajtjen në izolim të kafshëve të sapoblera për një periudhë vëzhgimi dhe kontrollin e përditshëm të gjendjes shëndetësore të tufave.

Fermerët janë udhëzuar që në rast se vërejnë shenja si temperaturë të lartë, puçrra ose plagë në lëkurë, gojë, hundë apo gjinj, rrjedhje nga sytë ose hunda, mungesë oreksi, dobësi apo ngordhje, të njoftojnë menjëherë veterinerin privat ose inspektorët e AUV-së.

Agjencia ka theksuar se fermerët nuk duhet të tentojnë t’i trajtojnë apo t’i lëvizin kafshët e dyshuara pa udhëzimet e autoriteteve veterinare.

AUV thekson se bashkëpunimi i fermerëve është thelbësor për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe për të mbrojtur tufat në të gjithë vendin.

Sipas njoftimit, Lija e Dhenve dhe Dhive nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik, por është një sëmundje me ndikim ekonomik që mund të shkaktojë humbje të konsiderueshme për fermerët dhe sektorin blegtoral në vend.

Bashkëpunimi i fermerëve është vendimtar për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe për të mbrojtur tufat në të gjithë vendin. Lija e dhenve dhe lija e dhive nuk është sëmundje që transmetohet tek njerëzit, nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. Është sëmundje e karakterit ekonomik e cila shkakton humbje për ekonominë e fermerëve dhe të shtetit”.

The post Alarm për blegtorinë në Kosovë: Konfirmohen raste të lisë së dhenve dhe dhive në katër komuna appeared first on Revista Monitor.

Uji i Tragjasit për strategjikët, shpallet fituesi për fazën 4 të studim-projektimit

28 July 2026 at 14:56

Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka shpallur kompaninë fituese për procedurën e studim-projektimit të fazës së katërt të furnizimit me ujë të zonave bregdetare Draleos, Drimadhë dhe Dhërmi.

Kompania paraqiti një ofertë prej 18.2 milionë lekësh pa TVSH që përbën 87.5 për qind të fondit limit prej 20.8 milionë lekësh. Procedura nuk lidhet ende me ndërtimin e veprës, por me hartimin e projektit teknik që do të përcaktojë vazhdimin e linjës së transmetimit, rrjetin e shpërndarjes, depot e reja dhe veprat mbështetëse për zonën.

Faza IV vijon tri fazat e mëparshme të projektit, të cilat kanë marrë ujin nga burimi i Izvorit në Tragjas dhe kanë ndërtuar linjën e transmetimit deri në dalje të tunelit të Llogarasë. Sipas detyrës së projektimit, janë realizuar linjat TM 01, TM 02, TM 03 dhe TM 04, vepra e marrjes, stacionet e pompimit në Izvor dhe Dukat, si dhe strukturat për shuarjen e presionit përgjatë sistemit.

Kontrata e re duhet të japë zgjidhjen për shtrirjen e mëtejshme të ujit drejt Draleosit në Palasë, Drimadhës dhe Dhërmiut. Dokumenti kërkon që projektuesi të vlerësojë rrjetin dhe depot ekzistuese, t’i integrojë ato me një rrjet të ri shpërndarës dhe të përcaktojë nevojën për rezervuarë shtesë në secilën zonë.

Territori i përfshirë në projekt përkon me zonën Draleos–Drimadhë–Dhërmi, të shpallur si zonë investimesh strategjike për zhvillimin e turizmit ku në fakt janë zhvilluar disa nga ndërtimet rezidenciale me vila. Në dokumentacion, vazhdimi i linjës së transmetimit lidhet shprehimisht me mbulimin me ujë të “zonave të zhvillimit strategjik”.

Projekti duhet të marrë në konsideratë zgjerimin urban, rritjen e turizmit dhe nevojat e komuniteteve lokale. Sipas dokumentit, furnizimi aktual mbështetet te burimet ekzistuese, kapaciteti i të cilave bie pikërisht gjatë sezonit të verës, kur kërkesa për ujë rritet.

Zona e plazhit të Palasës furnizohet nga burimet Vurles, Leftia dhe Dhrikes, me kapacitet total nga 5 deri në 20 litra në sekondë. Drimadha dhe Dhërmiu furnizohen nga burimet e Vrisës, me kapacitet maksimal 40 litra në sekondë.

Në zonë ndodhet një depo akumuluese me kapacitet 2,000 metra kub për Palasën dhe një depo prej 700 metrash kub për Drimadhën dhe Dhërmiun. Detyra e projektimit kërkon vlerësimin e mjaftueshmërisë së tyre për sezonin e pikut dhe përcaktimin e depove të reja që mund të nevojiten.

Dokumenti evidenton gjithashtu mungesën e rrjeteve të mirëfillta shpërndarëse në disa segmente, zgjerimin e shpejtë të zonës dhe mungesën e rezervuarëve të mjaftueshëm për ruajtjen e ujit. Rrjeti ekzistues në Palasë duhet të azhornohet dhe të planifikohet në funksion të zhvillimit urban, ndërsa ai në Drimadhë dhe Dhërmi përshkruhet si pjesërisht i ri dhe pjesërisht i amortizuar.

Kompania fituese do të duhet të paraqesë dy variante për funksionimin e skemës hidraulike, të shoqëruara me analizë teknike dhe ekonomike. Varianti përfundimtar do të zgjidhet pas shqyrtimit në këshillin teknik. Puna përfshin rilevimin e të gjithë zonës, studimet topografike dhe gjeologo-inxhinierike, modelimin hidraulik, projektimin e linjës së transmetimit dhe rrjetit shpërndarës, depot, sistemin e klorinimit, furnizimin me energji dhe sistemet e monitorimit.

Projekti duhet të përfshijë gjithashtu dokumentacionin për lejen e ndërtimit, projektin e zbatimit, preventivin përfundimtar, vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe të dhënat për shpronësimet e mundshme. Afati i parashikuar për realizimin e shërbimit është gjashtë muaj. Në përfundim, projekti do të shërbejë si bazë teknike për financimin, lejet dhe zbatimin e fazës së katërt të sistemit të furnizimit me ujë.

 

The post Uji i Tragjasit për strategjikët, shpallet fituesi për fazën 4 të studim-projektimit appeared first on Revista Monitor.

Miliona euro pagesa nga buxheti për 2 miliardë euro kredi të papërdorura, investimet në pritje

28 July 2026 at 14:00

Shqipëria vijon të mbajë një nivel rekord të kredive të nënshkruara me kreditorët e huaj, por ende të patërhequra. Një situatë e tillë jo vetëm që po vonon realizimin e investimeve publike, por po krijon edhe kosto të drejtpërdrejta për buxhetin e shtetit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, vlera e borxhit të nënshkruar, por të patërhequr arriti në 1.96 miliardë euro, duke mbetur pranë nivelit rekord të fund-vitit 2025.

Në vitin 2020, kreditë e kontraktuara, por ende të pashfrytëzuara ishin vetëm 644 milionë euro, çka do të thotë se në vetëm gjashtë vjet kjo shumë është trefishuar.

Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e kësaj vlere lidhet me kreditorët shumëpalësh, të cilët përfaqësojnë rreth 1.37 miliardë euro, ndërsa kreditë dypalëshe arrijnë në rreth 592 milionë euro.

Edhe pse interesi mbi principalin zakonisht fillon të paguhet vetëm pasi fondet disbursohen, shumica e institucioneve financiare ndërkombëtare aplikojnë komisione angazhimi (commitment fees) mbi shumën e patërhequr.

Këto tarifa paguhen për faktin se kreditori mban fondet në dispozicion të huamarrësit, pavarësisht nëse ato përdoren ose jo.

Në praktikën e institucioneve si Banka Botërore, BERZH, Banka Evropiane e Investimeve apo banka zhvillimore dypalëshe, tarifat e angazhimit zakonisht variojnë nga 0.15% deri në 0.50% në vit, në varësi të marrëveshjes.

Bazuar në strukturën aktuale të portofolit të Shqipërisë, vetëm komisionet e angazhimit vlerësohet se mund t’i kushtojnë buxhetit të shtetit rreth 4-6 milionë euro në vit, ose afërsisht 400-600 milionë lekë.

Në këtë shumë nuk përfshihen komisionet administrative, kostot e monitorimit të projekteve, auditimet, njësitë e zbatimit dhe shpenzime të tjera operative që lidhen me mbajtjen aktive të marrëveshjeve të huasë që çojnë faturën për kreditë e patërhequra në mbi 10 milionë euro në vit.

Por, kostoja reale qëndron te fakti se fondet nuk hyjnë në ekonomi, projektet vonohen dhe efektet që ato duhet të kishin në rritjen ekonomike, punësim apo përmirësimin e infrastrukturës shtyhen në kohë.

Në të njëjtën kohë, shteti detyrohet të mbështetet më shumë te financimi i brendshëm për të ruajtur ritmin e investimeve, duke krijuar presion shtesë mbi burimet e buxhetit.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, investimet kapitale u realizuan mbi planin falë financimit të brendshëm, ndërsa financimi i huaj mbeti dukshëm nën objektiv me 75% të realizimit.

Investimet publike po mbështeten nga buxheti i shtetit, ndërkohë që fondet e kontraktuara nga kreditorët ndërkombëtarë vazhdojnë të mos disbursohen.

Vetë Ministria e Financave ka argumentuar më herët se një pjesë e mosrealizimit lidhet me vonesat në alokimin e fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, të cilat ishin përfshirë në planifikimin buxhetor, por nuk janë reflektuar ende në realizimin e investimeve.

Sa më gjatë të mbeten të pa-tërhequra kreditë, aq më gjatë zgjatet edhe periudha gjatë së cilës paguhen tarifa për fonde që nuk gjenerojnë ende asnjë përfitim ekonomik./ B.Hoxha

 

Burimi: Ministria e Financave

The post Miliona euro pagesa nga buxheti për 2 miliardë euro kredi të papërdorura, investimet në pritje appeared first on Revista Monitor.

Bypass-i i Tiranës avancon në 31%, Karakaçi: Po përmbyllim financimin për 13 kilometrat e mbetur

28 July 2026 at 13:33

Punimet në segmentin e parë të Bypass-it të Tiranës kanë arritur në 31%, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar po përgatit fazat e tjera të projektit 21-kilometërsh, që do të lidhë disa nga akset kryesore rrugore të vendit pa kaluar përmes kryeqytetit.

“Bypass-i ka rëndësi strategjike pasi bën ndërlidhjen me Korridorin Adriatiko-Jonian, Thumanë–Kashar dhe më pas me Kashar–Lekaj, si dhe me autostradën Tiranë–Durrës dhe autostradën e Elbasanit, duke shmangur hyrjen në Tiranë,” tha ministri Enea Karkaci gjatë inspektimit të punimeve.

Aktualisht janë në zbatim 8.2 kilometrat e parë të bypass-it, të ndarë në dy faza. Kontrata e parë mbulon një segment prej 4.2 kilometrash dhe është lidhur në shtator të vitit të kaluar.

“Realizimi fizik i punimeve është 31%, ndërsa ecuria ka qenë pozitive, pavarësisht terrenit problematik,” tha kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli. Sipas tij, edhe në fazën e dytë po kryhen punime gërmimi.

Kozeli tha se ARRSH planifikon të hapë procedurat edhe për rrugët lidhëse të fshatrave me bypass-in, si dhe për ndërlidhjen e aksit me autostradën dhe zonën e Kombinatit.

Një nga veprat kryesore të segmentit është ura mbi përroin e Limuthit, e cila është pranë përfundimit. Ura ka një gjatësi prej 53 metrash.

“Janë trajtuar të gjitha veprat e vogla dhe ura e Limuthit është pothuajse në përfundim. Ajo është projektuar për prurje me periudhë përsëritjeje një herë në 100 vjet, me qëllim shmangien e përmbytjeve,” tha inxhinieri i kompanisë nënkontraktore gjatë inspektimit të punimeve.

Për pjesën e mbetur prej rreth 13 kilometrash, autoritetet janë në fazën përmbyllëse të bisedimeve me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për sigurimin e financimit.

“Ky segment i parë prej 8 kilometrash është i rëndësishëm, pasi realizon lidhjen me aksin Kashar–Lekaj,” tha Karkaci. Sipas tij, dokumentacioni ligjor për Kashar-Lekaj është përmbyllur dhe pritet miratimi i projektit të zbatimit nga ARRSH përpara nisjes së punimeve.

Procedura për lidhjen e bypass-it me autostradën Tiranë–Durrës dhe me aksin e Elbasanit, deri në zonën e Bradasheshit, është gjithashtu e përfunduar. “Është bërë njoftimi i fituesit dhe jemi në pritje të nisjes së punimeve,” tha Kozeli.

 

The post Bypass-i i Tiranës avancon në 31%, Karakaçi: Po përmbyllim financimin për 13 kilometrat e mbetur appeared first on Revista Monitor.

Hetimi i Konkurrencës ndaj operatorëve celularë përfundon me detyrim për “politika sociale”

28 July 2026 at 13:30

Autoriteti i Konkurrencës njoftoi të hënën se ka mbyllur hetimin e thelluar ndaj Vodafone Albania dhe One Albania në tregun me pakicë të shërbimeve celulare. Në njoftimin zyrtar u bë ditur se, në përfundim të hetimit, ky institucion ka vendosur kushte dhe detyrime specifike që reflektojnë ankesat e konsumatorëve pranë Autoritetit.

Komisioni i Konkurrencës shprehet se vendimi synon korigjimin e shqetësimeve konkrete që kanë prekur konsumatorët dhe garantimin e çmimeve më të lira për shtresën e pensionistëve dhe studentëve, si dhe më shumë transparencë e mundësi zgjedhjeje për abonentët e të dy operatorëve.

Hetimi nuk provoi, sipas Komisionit të Konkurrencës, shkelje ligjore nga dy operatorët celularë; megjithatë, duke iu referuar vendimit final, hetimi ka evidentuar sjellje të ngjashme të dy operatorëve gjatë periudhës nën hetim 1 janar 2022- 18 nëntor 2025.

Sjellje e njëjtë, por nuk provohet koordinimi mes dy operatorëve

Sipas vendimit, nga analiza rezultoi se çmimet e paketave kanë pësuar rritje progresive dhe të përafërta në kohë; ndryshimet janë aplikuar në kategori të njëjta ose të ngjashme shërbimesh; janë konstatuar nivele të larta ngjashmërie në strukturën dhe përmbajtjen e ofertave. Këto elemente janë evidentuar në mënyrë të përsëritur gjatë periudhës hetimore dhe reflektojnë një nivel të lartë ngjashmërie në sjelljen tregtare të ndërmarrjeve në tregun përkatës.

Megjithatë, analiza ekonomike dhe juridike e kryer gjatë hetimit nuk arriti të provojë se kjo sjellje ka qenë rezultat i një koordinimi apo praktike të bashkërenduar ndërmjet ndërmarrjeve në kuptim të nenit 4 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Analiza kronologjike e ndryshimeve të çmimeve dhe strukturës së paketave tregon se, në disa raste, pas ndryshimeve të ndërmarra nga njëra ndërmarrje në lidhje me çmimet ose përmbajtjen e paketave, ndërmarrja tjetër ka reaguar brenda intervaleve të afërta kohore, duke aplikuar ndryshime të ngjashme në nivel çmimi dhe në strukturën e ofertës (minuta, internet, SMS, vlefshmëri, roaming etj.).

Megjithatë, gjatë hetimit nuk u administruan prova të drejtpërdrejta apo të tërthorta që të provojnë ekzistencën e kontakteve, komunikimeve, shkëmbimit të informacionit sensitiv tregtar apo të një mekanizmi koordinues ndërmjet ndërmarrjeve në lidhje me përcaktimin e çmimeve apo strategjive tregtare.

Në këto kushte, ngjashmëritë e konstatuara në reagimet tregtare të ndërmarrjeve janë vlerësuar në kontekstin e karakteristikave strukturore të tregut duopolistik dhe nivelit të lartë të transparencës së tij, ku operatorët monitorojnë vazhdimisht ofertat dhe sjelljen tregtare të njëri-tjetrit.

Hetimi evidentoi se ofertat e ndërmarrjeve paraqesin ngjashmëri në çmim dhe përmbajtje, përfshirë internetin, minutat kombëtare, vlefshmërinë e paketave dhe përfitimet roaming. Ky nivel i lartë ngjashmërie ndërmjet ofertave kufizon nivelin e diferencimit të paketave në treg; reflekton një nivel të kufizuar të presionit konkurrues ndërmjet ndërmarrjeve; paraqet karakteristika tipike të një tregu me strukturë të lartë përqendrimi. Megjithatë, analiza ekonomike dhe juridike e kryer gjatë hetimit nuk provoi se kjo ngjashmëri e ofertave është rezultat i një koordinimi apo praktike të bashkërenduar ndërmjet ndërmarrjeve.

Ndërkohë, gjatë hetimit, ndërmarrjet nuk paraqitën një metodologji të plotë dhe të standardizuar të analizës kosto–çmim për çdo ndryshim tarifor të aplikuar gjatë periudhës hetimore. Në veçanti, nuk u administrua një analizë e detajuar kosto–çmim për çdo paketë; nuk u evidentuan elemente të plota të justifikimit ekonomik për çdo rritje çmimi; konstatuan mungesa në dokumentimin e metodologjisë së përllogaritjes së kostove.

Pavarësisht këtij elementi, sërish Komisioni i Konkurrencës sërish ka gjykuar se mungesa e një metodologjie të plotë ekonomike apo e dokumentimit të detajuar të kostove, në vetvete, nuk përbën provë të mjaftueshme për ekzistencën e një praktike të bashkërenduar.

Sipas këtij institucioni, në tregje duopolistike me transparencë të lartë, si tregu me pakicë i shërbimeve celulare në Republikën e Shqipërisë, ndjekja e sjelljes së operatorëve konkurrentë dhe reagimi ndaj zhvillimeve të tregut mund të ndodhë si rezultat i përshtatjes së pavarur ndaj kushteve të tregut dhe monitorimit reciprok të operatorëve.

Në konkluzion, megjithëse gjatë periudhës 1 janar 2022 – 18 nëntor 2025 u evidentuan sjellje e rritje të përafërta në kohë të çmimeve; reagime të ngjashme tregtare ndërmjet operatorëve; ngjashmëri në strukturën dhe përmbajtjen e ofertave; mungesë e një metodologjie të plotë dhe të standardizuar kosto–çmim, Komisioni ka vlerësuar se nuk provohet ekzistenca e një praktike të bashkërenduar ndërmjet ndërmarrjeve Vodafone Albania dhe One Albania.

Për rrjedhojë, sjellja e konstatuar gjatë hetimit është vlerësuar si sjellje paralele tregtare në kushtet e një tregu me strukturë duopolistike dhe transparencë të lartë, e cila, në mungesë të provave mbi ekzistencën e koordinimit, komunikimit apo vullnetit të përbashkët ndërmjet ndërmarrjeve, nuk përbën praktikë të bashkërenduar apo abuzim me pozitën dominuese në kuptim të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Operatorët duhet të ofrojnë paketa të veçanta për studentët dhe pensionistët

Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës përcakton se brenda 90 ditëve, të dy operatorët duhet të ofrojnë paketa të veçanta më të favorshme për pensionistët dhe studentët 18–23 vjeç.

Vendosja e një detyrimi të tillë ngre pikëpyetje të mëdha lidhur me bazën ligjore ku është mbështetur Autoriteti i Konkurrencës për ta vendosur atë. As ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës”, as legjislacioni që rregullon komunikimet elektronike apo mbrojtjen konsumatore në përgjithësi nuk parashikon detyrime që ndërmarrjet të aplikojnë kushte lehtësuese ndaj shtresave të caktuara shoqërore.

Në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës citohet vetëm se, nga analiza e paketave tarifore të ofruara nga Vodafone Albania dhe One Albania rezultoi se gjatë periudhës objekt hetimi ndërmarrjet nuk ofronin paketa të dedikuara për 13 kategori të veçanta konsumatorësh, si pensionistët dhe studentët, me kushte tarifore të përshtatura me nevojat dhe aftësinë paguese të tyre. Gjithashtu, nga hetimi u konstatua një reduktim i ofertave me çmime të ulëta dhe orientimi i portofolit drejt paketave me çmime dhe përmbajtje më të larta, ndërkohë që paketat bazë me vlerë 500–600 lekë ofroheshin kryesisht nëpërmjet kanaleve digjitale.

Sipas vlerësimit të Autoritetit të Konkurrencës, këto zhvillime kufizojnë mundësitë e zgjedhjes për konsumatorët me konsum dhe aftësi paguese më të ulët, veçanërisht për kategoritë e pensionistëve dhe studentëve.

Në fakt, politikat e përkrahjes sociale janë atribut i institucioneve shtetërore dhe lehtësitë për shtresa të veçanta, në përgjithësi, sigurohen nëpërmjet subvencioneve shtetërore.

Gjithashtu, Autoriteti i Konkurrencës kërkon që paketa më e lirë duhet të jetë realisht e disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes, jo vetëm në aplikacione online apo kanale digjitale.

Ndërkohë, hetimi nuk ka marrë nën hetim një element shumë të rëndësishëm: tarifat shumë të larta standarde për njësi komunikimi të aplikuara nga operatorët celularë. Për këtë arsye, pothuajse të gjithë përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri, me parapagesë ose kontratë, përdorin paketa tarifore me çmime fikse.

Ekzistenca e tarifave standarde më të arsyeshme mund t’u përgjigjej më mirë nevojave specifike të përdoruesve me konsum më të ulët, duke paguar në varësi të nevojave të tyre komunikimit.

Gjithashtu, vendimi nuk përmban asnjë qëndrim lidhur me njërën nga çështje objekt të hetimit, praktikës së indeksimit periodik me inflacionin të çmimeve të shërbimeve celulare.

Përdoruesit nuk janë lejuar të marrin paketa më të lira pas përfundimit të kontratës?

Një masë tjetër e vendosur nga Autoriteti i Konkurrencës është që, pas përfundimit të kontratës, çdo abonent duhet të ketë të drejtë të kalojë në një paketë më të lirë, pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara.

Nga analiza e termave dhe kushteve kontraktore të Vodafone Albania dhe One Albania rezultoi se kontratat e pajtimtarëve nuk parashikojnë në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme disa të drejta dhe procedura me rëndësi për konsumatorët. Konkretisht, nuk pasqyrohet në mënyrë të shprehur e drejta e pajtimtarit, pas përfundimit të afatit kontraktor, për të kaluar lirisht nga një plan tarifor me çmim më të lartë në një plan tarifor me çmim më të ulët, sipas zgjedhjes së tij, pa penalitete apo kufizime të pajustifikuara.

Gjithashtu, dispozitat që rregullojnë bartjen e numrit nuk përcaktojnë në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme afatin brenda të cilit realizohet ky proces, si dhe kushtet dhe procedurat që duhet të ndiqen për përfundimin e tij.

Sipas vendimit, mungesa e një informacioni të plotë dhe transparent në dokumentacionin kontraktor krijon pasiguri për pajtimtarët dhe mund të ndikojë në ushtrimin efektiv të të drejtave të tyre për zgjedhjen e planit tarifor dhe ndryshimin e operatorit.

Nëse e marrim për të mirëqenë konkluzionin, kjo do të ishte një shkelje serioze dhe praktikë  arbitrare ndaj përdoruesve. Megjithatë, as për këtë shkelje Autoriteti i Konkurrencës nuk ka vendosur penalitete ndaj operatorëve.

Detyrime të tjera të vendosura ndaj operatorëve janë që çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo vlefshmëri të paketës duhet t’i njoftohet individualisht abonentit, qartë dhe të paktën 30 ditë përpara; çdo rritje çmimi duhet të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove dhe ky dokumentacion duhet të ruhet për pesë vjet; paketat e reja duhet të kenë diferencim real dhe të mos kufizojnë zgjedhjen e konsumatorit; kontratat tip duhet të marrin vlerësimin paraprak të Autoritetit të Konkurrencës për shmangien e klauzolave të padrejta; procedura dhe afati për bartjen e numrit nga një operator te tjetri duhet të shkruhen qartë dhe kuptueshëm në kontratë.

Në fakt, disa prej detyrimeve të vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës, si vlerësimi i paketave apo kushteve të kontratave, prekin çështje që janë në kompetencën e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), si rregullator sektorial. Veçanërisht shkeljet apo paqartësitë në dispozitat kontraktore janë edhe përgjegjësi e AKEP, që ka të drejtën dhe detyrimin ligjor të miratojë paraprakisht kontratat e shërbimit që lidhen me pajtimtarët.

Pavarësisht nga kjo, vendimi final nuk përmban asnjë rekomandim për AKEP.

Të gjitha detyrimet e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës do të monitorohen për një vit nga hyrja në fuqi e vendimit.

Në rast moszbatimi të një prej pikave të vendimit, Vodafone Albania dhe One Albania do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji.

 

Lexoni edhe:

Shpenzimi mesatar i shqiptarëve për shërbimet celulare u rrit për të pestin vit radhazi

 

 

Dy operatorët celularë fituan 35 milionë euro vitin e kaluar

 

 

 

The post Hetimi i Konkurrencës ndaj operatorëve celularë përfundon me detyrim për “politika sociale” appeared first on Revista Monitor.

Doganat fillojnë implementimin e sistemeve sipas kritereve të BE-së

28 July 2026 at 13:00

Administrata Doganore ka nisur zbatimin e një sistemi të ri doganor që synon harmonizimin e plotë me platformat e Bashkimit Europian, si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në Kapitullin 29 të negociatave.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar në Ministrinë e Financave për rezultatet e 6-mujorit të parë të vitit,, tha se marrëveshja me UNCTAD parashikon ndërtimin e një sistemi të ri teknologjik, i cili do të mbështesë të gjitha procedurat doganore dhe do të përdorë Inteligjencën Artificiale për analizën e riskut, klasifikimin tarifor dhe vlerësimin e vlerës doganore.

Sipas Bejës, moduli i parë, ai i eksporteve, synohet të vihet në funksion brenda dhjetorit të këtij viti. Pjesa më e madhe e sistemit pritet të implementohet gjatë vitit 2027, ndërsa përfundimi i të gjitha sistemeve është planifikuar deri në vitin 2030.

Modernizimi teknologjik është një nga katër piketat përmbyllëse të Kapitullit 29, krahas përafrimit të legjislacionit, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe administrative dhe aderimit në Protokollin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për eliminimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit. Sipas njoftimit, kjo e fundit është përmbushur.

Kodi i ri Doganor është harmonizuar me legjislacionin e BE-së dhe u është përcjellë shërbimeve europiane për dakordësinë përfundimtare. Doganat synojnë që drafti të miratohet nga Kuvendi gjatë muajit shtator, ndërsa aktet nënligjore janë miratuar dhe dispozitat zbatuese do të miratohen pas hyrjes në fuqi të Kodit.

Administrata Doganore po përgatit edhe një strukturë të re organizative. Sipas Bejës, modeli i ri synon të lehtësojë procedurat në pikat kufitare dhe të zhvendosë një pjesë më të madhe të kontrollit në fazën pas zhdoganimit.

Kontrollet “a posteriori” do të përdoren për të verifikuar nëse procedurat janë kryer saktë dhe nëse operatorët kanë përmbushur detyrimet doganore. Sipas njoftimit, kjo qasje synon të ulë presionin në kufi dhe të forcojë kontrollin ndaj evazionit dhe shmangies së detyrimeve.

Në muajin mars, Administrata Doganore iu nënshtrua një misioni monitorues nga vendet anëtare të BE-së dhe Komisioni Europian për aftësinë e saj për të zbatuar legjislacionin europian dhe për të përmbushur rolin e një kufiri hyrës dhe dalës të unionit. Beja e cilësoi raportin e këtij misioni si pozitiv dhe motivues.

The post Doganat fillojnë implementimin e sistemeve sipas kritereve të BE-së appeared first on Revista Monitor.

Qeveria krijon operator publik për bashkitë, jepen 69 milionë euro financim

28 July 2026 at 12:00

Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të krijojë një operator publik, i cili do të ofrojë shërbime që aktualisht janë përgjegjësi e pushtetit vendor. Për ngritjen dhe financimin e këtij operatori, qeveria i ka akorduar Fondit Shqiptar të Zhvillimit 6.5 miliardë lekë, ose rreth 69 milionë euro, nëpërmjet ndryshimeve të fundit në aktin normativ të buxhetit të vitit 2026.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi në një konferencë për mediat se operatori që do të krijohet nga FSHZH-ja do t’u ofrojë bashkive një gamë të gjerë shërbimesh, duke përfshirë menaxhimin e mbetjeve, blerjen e makinerive dhe realizimin e projekteve infrastrukturore.

Qeveria ka pranuar më herët se pushteti vendor, në shumë raste, nuk ka arritur të ofrojë me cilësinë e kërkuar shërbimet publike, për shkak të mungesës së kapaciteteve teknike dhe administrative.

Problemet me ofrimin e shërbimeve vendore janë evidentuar edhe pse burimet njerëzore dhe fondet për personelin në njësitë e vetëqeverisjes vendore janë rritur ndjeshëm pas reformës territoriale të vitit 2014.

Për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve, qeveria ka vendosur të krijojë pranë FSHZH-së një operator publik që do të marrë përsipër kryerjen e disa prej funksioneve të bashkive.

Krijimi i kësaj strukture mund të ngrejë pikëpyetje për ndërthurjen e kompetencave ndërmjet pushtetit qendror dhe atij vendor, pasi një pjesë e shërbimeve që pritet të ofrohen nga operatori janë përgjegjësi të drejtpërdrejta të bashkive.

Nëpërmjet ndryshimeve të mesvitit në buxhetin e vitit 2026, Fondit Shqiptar të Zhvillimit iu akorduan 6.5 miliardë lekë financim shtesë nga buxheti i shtetit dhe 1 miliard lekë të tjera nga financimet e huaja.

Sipas Ministrisë së Financave, fondet do të përdoren për projekte infrastrukturore, blerjen e makinerive dhe të autobusëve për bashkitë, si dhe për financimin e projekteve që kanë shënuar ritëm të lartë realizimi.

The post Qeveria krijon operator publik për bashkitë, jepen 69 milionë euro financim appeared first on Revista Monitor.

Ndërhyrja në rrugën Borsh-Çorraj, 2.5 mln euro për rikonstruksionin

28 July 2026 at 11:00

Bashkia Himarë hapi këtë të martë tenderin për rikonstruksionin e rrugës Borsh-Çorraj, me fond limit 249.9 milionë lekë, ose rreth 2.5 milionë euro. Projekti përfshin ndërhyrjen në një aks rreth 8.5 kilometra në Njësinë Administrative Lukovë dhe parashikohet të realizohet brenda 15 muajve.

Sipas dokumentacionit teknik, rruga është lidhja kryesore e fshatit Çorraj me Borshin, rrugën kombëtare SH8 dhe shërbimet publike të Bashkisë Himarë. Aksi u shërben gjithashtu banesave, parcelave bujqësore, kullotave dhe aktiviteteve ekonomike përgjatë zonës.

Gjendja aktuale e rrugës përshkruhet si e amortizuar dhe kryesisht e pashtruar, me shtresa çakëlli dhe materiale natyrore të degraduara. Dokumenti evidenton gropa, deformime, rrëshqitje lokale dhe disnivele, ndërsa në disa segmente kalimi është i mundur kryesisht me automjete të larta ose mjete me tërheqje të plotë, sidomos gjatë reshjeve.

Projekti nuk parashikon vetëm asfaltimin. Punimet përfshijnë zgjerimin e trupit të rrugës, ndërtimin e shtresave të reja, bankinave, kanaleve kulluese, tombinove dhe mureve mbajtëse, si dhe vendosjen e sinjalistikës horizontale e vertikale dhe elementeve të sigurisë rrugore.

Preventivi përmban rreth 28,450 metra kub gërmime dhe 33,120 metra katrorë shtresë binderi e asfaltobetoni. Parashikohen gjithashtu 42,320 metra katrorë shtresë çakëlli dhe stabilizanti, 18,400 metra vijëzim rrugor, 148 metra barriera metalike dhe 1,200 delinatorë.

Dokumentacioni e lidh investimin me përmirësimin e transportit të banorëve dhe të produkteve bujqësore e blegtorale. Sipas tij, një rrugë funksionale do të përmirësojë aksesin drejt Borshit dhe rrjetit kombëtar, si dhe do të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.

Zgjidhja e përzgjedhur ruan në pjesën më të madhe gjurmën ekzistuese. Sipas relacionit teknik, kjo alternativë kufizon ndërhyrjet në territor, redukton nevojën për shpronësime dhe shmang kostot më të larta që do të sillte hapja e një korridori të ri në terrenin kodrinor-malor.

 

The post Ndërhyrja në rrugën Borsh-Çorraj, 2.5 mln euro për rikonstruksionin appeared first on Revista Monitor.

Plani klimatik “hap derën” për rishikim taksash, tarifash dhe subvencionesh

28 July 2026 at 10:00

Shqipëria do të duhet të përshtatë instrumentet e saj fiskale dhe financiare me objektivat klimatike, sipas Planit Kombëtar të Përshtatjes, duke përfshirë rishikimin e taksave, subvencioneve dhe tarifave të shërbimeve publike.

Dokumenti e vendos mobilizimin e burimeve vendase si pjesë kryesore të strategjisë për të mbuluar hendekun financiar të planit.

“Forcimi i kontributeve vendase është thelbësor për shfrytëzimin e fondeve ndërkombëtare dhe sigurimin e qëndrueshmërisë”, thuhet në plan.

Sipas dokumentit, kjo mund të bëhet përmes “përshtatjes së instrumenteve financiarë me objektivat klimatikë”. Plani e specifikon se këto instrumente përfshijnë “tatimet, taksat dhe subvencionet”.

Masa nuk paraqitet si taksë e re konkrete, por si një drejtim politikash që mund të ndikojë mënyrën se si shteti mbledh të ardhura dhe shpërndan mbështetje publike.

Dokumenti kërkon gjithashtu “rishikimin dhe korrigjimin të tarifave të shërbimeve”. Ky rishikim, sipas planit, synon “të pasqyruar faktorët e jashtëm mjedisor” dhe “të krijuar një mjedis më me interes për investimet private në infrastrukturën e lidhur me përshtatjen”.

Në praktikë, kjo e lidh politikën klimatike me çmimet e shërbimeve publike, investimet private dhe mënyrën se si financohen projektet e adaptimit. Plani kërkon që Shqipëria të krijojë edhe “një instrument për shqyrtimin e buxhetimit të gjelbër”. Sipas dokumentit, çdo zë në buxhetin kombëtar do të klasifikohej “sipas rëndësisë së tij për shpenzimet e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike”. Ky proces do të ndahej në kategori “e lartë–mesatare–e ulët”.

Dokumenti parashikon edhe “prezantimit të një sistemi të Etiketimit të Buxhetit për Klimën”. Qëllimi i këtij sistemi është “të gjurmuar shpenzimet për përshtatje”.

Plani kërkon që edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit të përfshihet në monitorimin e këtyre shpenzimeve. Në dokument përmendet “përfshirjes nga Kontrolli i Shtetit e shpenzimeve të etiketuara si përshtatje në ciklin e tij vjetor të kontrollit”.

Qeveria synon gjithashtu “krijimit të një Fondi Kombëtar për Klimën”. Ky fond do të shërbente “për të bashkuar burimet publike”. Për bashkitë, plani parashikon “mobilizimit të buxheteve bashkiake” për të financuar ndërhyrje të vogla vendore për përshtatje. Dokumenti kërkon edhe “monitorimit dhe shfrytëzimit të sukseseve” për të demonstruar përdorimin efikas të fondeve. Kjo, sipas planit, “mund të ndihmojë në mobilizimin e më shumë fondeve”.

Për qeverinë, financimi vendas shihet si kusht për të tërhequr fonde ndërkombëtare. Plani thotë se mobilizimi efektiv i burimeve kërkon një strategji që kombinon “mobilizimin e burimeve vendase”, “qasjen e përmirësuar në financimin ndërkombëtar” dhe “angazhimin më të madh me sektorin privat”. Dokumenti përmend gjithashtu “zhvillimin e instrumenteve financiare novatore”. Këto masa nuk japin ende një faturë të drejtpërdrejtë për familjet apo bizneset.

Por ato tregojnë se zbatimi i planit klimatik nuk do të kufizohet te grantet dhe huatë ndërkombëtare. Ai do të kërkojë ndryshime në buxhetim, tarifa, subvencione dhe mënyrën se si shteti i jep përparësi investimeve publike. Në plan, kjo përmblidhet si nevojë për të rritur “kapacitetin përshtatës të vendit”./ N.Maho

 

The post Plani klimatik “hap derën” për rishikim taksash, tarifash dhe subvencionesh appeared first on Revista Monitor.

Ekonomia e Ballkanit, Shqipëria kampione në ndërtim, Serbia në teknologji informacioni

28 July 2026 at 06:03

Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nuk mbështeten në të njëjtët motorë zhvillimi. Disa vende kanë ruajtur një bazë relativisht të fortë industriale, të tjera varen më shumë nga tregtia, turizmi dhe shërbimet, ndërsa Shqipëria dallohet për peshën e lartë të bujqësisë dhe, veçanërisht, të ndërtimit.

Monitor ka përpunuar të dhënat e Eurostat dhe ka krahasuar strukturës e vlerës së shtuar bruto sipas aktivitetit ekonomik (pa përfshirë neto taksat e subvencionet) për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mesataren e Bashkimit Europian për vitin 2024 (të dhënat e fundit të disponueshme).

Modelet e rritjes në rajon ndryshojnë ndjeshëm jo vetëm nga njëri-tjetri, por edhe nga ekonomia mesatare e Bashkimit Europian.

Në BE, aktiviteti ekonomik është më i shpërndarë ndërmjet industrisë, shërbimeve profesionale, administratës publike, pasurive të paluajtshme dhe financave, ndërsa vendet e Ballkanit vijojnë të kenë një përqendrim më të madh në sektorë tradicionalë.

Krahasimi tregon se vendet e Ballkanit Perëndimor vijojnë të mbështeten më shumë në bujqësi, ndërtim, tregti dhe industri tradicionale, ndërsa Bashkimi Europian ka një peshë më të madhe të shërbimeve profesionale, financiare dhe aktiviteteve me bazë njohuritë.

 

Shqipëria, pesha më e lartë e ndërtimit

Shqipëria është vendi ku ndërtimi zë peshën më të lartë në ekonomi. Sipas të dhënave të grafikut, sektori gjeneron 13.8% të vlerës së shtuar bruto, më shumë se dyfishi i mesatares së Bashkimit Europian prej 5.5% dhe dukshëm mbi të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Pesha e ndërtimit në Shqipëri rezulton më e larta në Europë. Në Kosovë ky sektor përbën rreth 10% të ekonomisë, në Maqedoninë e Veriut 7.2%, ndërsa në Serbi 5.9%, Bosnjë-Hercegovinë, 5.6% dhe Malin e Zi luhatet rreth 5%.

Zgjerimi i shpejtë i ndërtimeve, i mbështetur nga investimet në banesa, struktura turistike dhe zhvillime të mëdha në zonat urbane e bregdetare, ka qenë një ndër burimet kryesore të rritjes ekonomike të Shqipërisë gjatë viteve të fundit.

Por mbështetja e tepruar te ndërtimi nuk përfaqëson domosdoshmërisht një model të qëndrueshëm zhvillimi në afat të gjatë.

Ndërtimi mund të krijojë punësim, të tërheqë kapital dhe të ushqejë sektorë të lidhur me të, por krijon më pak hapësirë për rritjen e produktivitetit, eksportet dhe inovacionin sesa industria e përpunimit, teknologjia apo shërbimet profesionale.

Pasi përfundon cikli i investimit, aftësia e tij për të prodhuar vazhdimisht vlerë të re është më e kufizuar.

Për më tepër, ky sektor ka shërbyer si një kanal për hyrjen e parave informale në vend, siç rezultoi edhe nga hetimet e fundit të SPAK-ut, duke qenë një nga faktorët kryesorë që ka fryrë çmimet e pasurive të paluajtshme dhe i ka bërë ato më pak të përballueshme për vendasit.

Veç ndërtimit, Shqipëria ka edhe peshën më të lartë të bujqësisë në rajon. Ky sektor gjeneron rreth 17-18% të vlerës së shtuar bruto, kundrejt më pak se 2% në BE. Diferenca tregon se një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë dhe e punësimit vazhdon të jetë e përqendruar në aktivitete me produktivitet relativisht të ulët.

Pavarësisht peshës së lartë të bujqësisë, Shqipëria ka çmime më të shtrenjta të ushqimeve sesa mesatarja e Bashkimit Europian, në një tregues të produktivitetit të ulët të sektorit.

Shqipëria shtrenjtohet më tej në 2025, çmimet e ushqimeve e kalojnë për herë të parë mesataren e BE

Industria zë rreth 12% të ekonomisë shqiptare, një nivel dukshëm më i ulët se mesatarja e BE-së dhe se vendet e tjera të rajonit. Pesha e saj është veçanërisht e vogël në krahasim me Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku pesha e industrisë luhatet mes 20-23%.

Ndërkohë, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore përbëjnë së bashku më shumë se një të pestën e ekonomisë, duke reflektuar rolin në rritje të turizmit dhe të konsumit në modelin ekonomik shqiptar.

Një tjetër dobësi e Shqipërisë është zhvillimi relativisht i ulët i ndërmjetësimit financiar. Financat dhe sigurimet kanë një peshë të vogël në vlerën e shtuar bruto të Shqipërisë, rreth 2%, më pak se në Serbi (6.2%), Malin e Zi (5.7%), Bosnjë-Hercegovinë (4.4%) dhe në mesataren e Bashkimit Europian (4.7%).

Pesha e ulët tregon jo vetëm përmasat e kufizuara të tregut financiar, por edhe varësinë e ekonomisë pothuajse tërësisht nga sistemi bankar. Tregjet e kapitalit, fondet e investimeve, sigurimet dhe instrumentet alternative të financimit vijojnë të jenë pak të zhvilluara.

Në kahun pozitiv, Shqipëria ka shënuar një zhvillim relativisht të mirë në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, së bashku me shërbimet administrative dhe mbështetëse.

Pesha e këtij grupi aktivitetesh në vlerën e shtuar bruto arriti në 8.4%, e dyta më e lartë në rajon pas Serbisë (9.4%) është afruar me mesataren e Bashkimit Europian (11.8%), duke treguar një zgjerim gradual të shërbimeve që kërkojnë më shumë njohuri, specializim dhe fuqi punëtore të kualifikuar.

 

Serbia ndërton një model më të orientuar drejt teknologjisë

Në kontrast me Shqipërinë, Serbia dallohet për zhvillimin e sektorit të informacionit dhe komunikimit. Ky aktivitet ka arritur të gjenerojë rreth 10% të vlerës së shtuar bruto, pesha më e lartë në Ballkanin Perëndimor dhe afërsisht dyfishi i mesatares së Bashkimit Europian. Për Shqipërinë ky tregues ësgtë vetëm 2.6%, më i ulëti në rajon, së bashku me Kosovën (2.5%).

Rritja e teknologjisë së informacionit e ka ndihmuar Serbinë të krijojë një model ekonomik më të orientuar drejt eksporteve të shërbimeve me vlerë të shtuar, punësimit të kualifikuar dhe investimeve në njohuri.

Ndryshe nga ndërtimi, sektori i teknologjisë mund të zgjerohet pa pasur nevojë për investime të mëdha në tokë dhe pasuri të paluajtshme. Ai ka gjithashtu potencial më të lartë për rritjen e produktivitetit, pagave, eksporteve dhe integrimin në zinxhirët ndërkombëtarë të shërbimeve.

Struktura e ekonomisë serbe është më e diversifikuar. Industria zë rreth një të pestën e vlerës së shtuar bruto (21.2%), dukshëm më shumë se në Shqipëri, ndërsa ndërtimi ka një peshë më të kontrolluar, prej rreth 6%.

Serbia ka gjithashtu një prani më të madhe të aktiviteteve financiare, të pasurive të paluajtshme dhe të shërbimeve profesionale. Bujqësia, megjithëse mbetet e rëndësishme, përbën vetëm rreth 4% të ekonomisë, shumë më pak se në Shqipëri.

 

Mali i Zi, ekonomia më e varur nga tregtia dhe turizmi

Mali i Zi ka modelin më të orientuar drejt shërbimeve të tregtisë, transportit, akomodimit dhe ushqimit. Së bashku, këto aktivitete zënë rreth një të tretën e vlerës së shtuar bruto, pesha më e lartë në rajon.

Mali i Zi ka peshën më të lartë të aktivitetit “Tregti, transport, akomodim, ushqim” në rajon, me 32.6% dhe shumë mbi mesataren e BE-së prej 18.9%. Kjo strukturë pasqyron varësinë e madhe të ekonomisë malazeze nga turizmi.

Në vitet me flukse të larta turistike, sektori sjell të ardhura, punësim dhe valutë, por një varësi e tillë e ekspozon vendin ndaj goditjeve të jashtme, ndryshimeve në kërkesën turistike dhe pasigurive ndërkombëtare.

Mali i Zi ka peshën më të ulët industriale në rajon, rreth 10-11%, ndërsa ndërtimi përbën afërsisht 5% të ekonomisë.

Aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe financat kanë një rol relativisht të rëndësishëm, të lidhur edhe me investimet e huaja në prona dhe zhvillimet turistike, me përkatësisht 5.7% dhe 7.5% të vlerës së shtuar bruto në ekonomi.

 

Kosova mbështetet te industria, tregtia dhe ndërtimi

Kosova ka një strukturë ku industria, tregtia dhe ndërtimi zënë pjesën më të madhe të ekonomisë. Industria gjeneron më shumë se një të pestën e vlerës së shtuar bruto (22.8%), ndër nivelet më të larta në Ballkanin Perëndimor.

Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor përbëjnë rreth një të katërtën e ekonomisë, ndërsa ndërtimi ka një peshë prej afërsisht 10%, e dyta më e larta në rajon pas Shqipërisë, por edhe në Europë.

Edhe bujqësia vijon të jetë relativisht e rëndësishme, me 9.3% të vlerës së shtuar. Në të kundërt, informacioni, komunikimi, financat dhe shërbimet profesionale mbeten më pak të zhvilluara se në rajon dhe në mesataren europiane, duke shfaqur një strukturë të ngjashme me Shqipërinë, me përjashtim të peshës shumë më të lartë që zë industria.

 

Maqedonia e Veriut, strukturë më e balancuar

Maqedonia e Veriut paraqet një strukturë relativisht më të shpërndarë ndërmjet industrisë, tregtisë, ndërtimit dhe shërbimeve. Industria zë rreth 21% ekonomisë, ndërsa tregtia, transporti, akomodimi dhe ushqimi kanë një peshë të ngjashme.

Ndërtimi përbën 7.2% të vlerës së shtuar bruto, më shumë se mesatarja e BE-së, por më pak se në Shqipëri dhe Kosovë.

Bujqësia ruan një peshë prej rreth 7%, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme janë relativisht të rëndësishme, me 11.6%, pesha më e lartë në rajon dhe mbi mesataren e bashkimit Europian prej 10.8%.

 

Bosnjë-Hercegovina ruan bazën industriale

Bosnjë-Hercegovina ka një nga peshat më të larta të industrisë në ekonominë e rajonit, me rreth 21% të vlerës së shtuar bruto. Vendi mbështetet në industrinë përpunuese, energjinë dhe aktivitetet që lidhen me eksportet drejt tregut europian.

Tregtia, transporti, akomodimi dhe ushqimi kanë gjithashtu një rol të madh, duke përbërë afro një të katërtën e ekonomisë. Bujqësia zë 5.4% të vlerës së shtuar bruto në ekonomi, ndërsa ndërtimi ka një peshë shumë më të ulët se në Shqipëri dhe Kosovë, në 5.4%.

“Tregti, transport, akomodim, ushqimi” sjell 24.7% të vlerës së shtuar në ekonomi, e treta më e lartë në rajon, pas Malit të Zi dhe Kosovës.

Megjithatë, shërbimet profesionale (5.5%) dhe financat (4.4%) nuk kanë arritur ende përmasat që kanë në ekonomitë më të zhvilluara të BE-së./ O.Liperi

The post Ekonomia e Ballkanit, Shqipëria kampione në ndërtim, Serbia në teknologji informacioni appeared first on Revista Monitor.

Paqja Fiskale, aplikimet për rinovimin e marrëveshjes për 2027 pritet të zgjasin 1 muaj

28 July 2026 at 06:01

Bizneset që do të kërkojnë të rinovojnë në vitin 2027 marrëveshjen e Paqes Fiskale pritet të kenë më shumë kohë në dispozicion për aplikimet, pasi afati i procedurës parashikohet të zgjatet.

Afati i zbatimit të marrëveshjes është 1 vjeçar, por mund të rinovohet deri në 2 herë. Edhe afati i zbatimit nëse marrëveshja rinovohet zgjat 1 vit.

Burime nga administrata tatimore bëjnë të ditur se, ndryshe nga viti i parë i zbatimit kur aplikimet u kufizuan në rreth 20 ditë, vitin e ardhshëm periudha e aplikimit pritet të zgjatet deri në rreth një muaj.

Në vitin e parë të zbatimit të ligjit “Për marrëveshjen e Paqes Fiskale”, aplikimet nisën më 15 Maj dhe përfunduan më 5 Qershor 2026, duke vendosur një afat të shkurtër për bizneset që të përfshiheshin në skemë.

Udhëzimi i Tatimeve: Aplikimet për Paqen Fiskale mbyllen më 5 Qershor, pas këtij afati do refuzohen

Sipas burimeve, për vitin e dytë të zbatimit të marrëveshjes, në vitin 2027 aplikimet parashikohen të hapen më 15 Maj dhe të përfundojnë më 15 Qershor, duke krijuar një periudhë rreth 30-ditore për dorëzimin e kërkesave.

Në kuadër të marrëveshjes, bizneset përfitojnë gjithashtu të drejtën për të korrigjuar pasqyrat financiare të tre viteve të mëparshme, ndërsa rivlerësimi aplikohet vetëm në vitin e parë të marrëveshjes.

Ekspertët kërkuan më herët shtyrje të afatit për aplikimet e marrëveshjes së Paqes Fiskale, pasi afatet e kufizuara të zbatimit mund të krijojnë vështirësi në implementimin e procesit.

Ndërkohë, përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në një takim me bizneset kanë sqaruar, si këtë vit çdo zgjatje e mëtejshme e afateve do të ndikonte në shkurtimin e periudhës minimale 1-vjeçare të zbatimit të marrëveshjes për tatimpaguesit.

Vetëm 2 ditë afat për aplikimin e Paqes Fiskale; Tatimet: Nuk do të ketë shtyrje

Por nga të dhënat paraprake mësohet se interesi i bizneseve ka qenë i ulët për lidhjen e marrëveshjes së Paqes Fiskale.

Ligji parashikon që në marrëveshjen e Paqes Fiskale mund të përfshihen bizneset me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë në vit, ndërsa përjashtohen subjektet ndaj të cilave është hapur procedim penal për evazion fiskal apo mashtrim tatimor.

Në këtë marrëveshje me afat 1-vjeçar (me të drejta rinovimi deri në 2 herë), biznesit me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë në vit, do t’i llogaritet parapagimi i tatimit mbi një bazë të tatueshme të rritur.

Pra biznesi nuk do të parapaguajë një tatim të çfarëdoshëm, por që do të llogaritet mbi bazën e tatueshme, e përbërë nga fitimi i tatueshëm i vitit të mëparshëm, plus 18% rritje. Nëse fitimi i vërtetë në fund të vitit tejkalon kufirin (duke llogaritur fitimin e vitit të mëparshëm plus një marzh shtesë prej 18%), mbi këtë shtesë do të paguhet 5%.

Në thelb, marrëveshja nuk e ndryshon normën e tatimfitimit që është 23% për bizneset me të ardhura neto mbi 14 milionë lekë, por rrit bazën e tatueshme, pasi tatimi do të llogaritet mbi fitimin e vitit të kaluar plus një marzhi shtesë prej 18%. Vetëm për fitimin që tejkalon këtë nivel të vlerësuar, paguhet një tatim shtesë 5%.

Në këmbim, bizneset do të përfitojnë moskryerje të kontrolleve tatimore për periudhën e zbatimit të marrëveshjes.

Përveç parapagimit të tatimit kundrejt moskontrollit tatimor për 1 vit, bizneset e mëdha që do të lidhin Marrëveshjen e Paqes Fiskale me administratën tatimore gjithashtu do të kenë mundësinë të rideklarojnë pasqyrat financiare të tre viteve të fundit, kundrejt tatimit 5%.

Tatimi 5% do të aplikohet për ndryshime të tilla si: rivlerësimi i gjendjes së parasë cash, fshirja e aktiveve apo detyrimeve fiktive, deklarimi i pasurive të patreguara më parë, rideklarimi i fitimeve të mbartura dhe shpërndarja e tyre si dividend.

Për të gjitha këto raste nuk do të ketë gjoba, interesa apo kamatëvonesa, me kusht që tatimpaguesi të deklarojë paraprakisht se do të përfitojë nga marrëveshja./D.Azo

 

The post Paqja Fiskale, aplikimet për rinovimin e marrëveshjes për 2027 pritet të zgjasin 1 muaj appeared first on Revista Monitor.

Shkolla nuk “vlen”, mbi 17 mijë persona me arsim të lartë nuk gjejnë punë, shumica të rinj

28 July 2026 at 06:00

Edhe pse tregu i punës në Shqipëri vijoi të përmirësohej gjatë vitit 2025, një pjesë e konsiderueshme e personave me arsim universitar mbeten jashtë tregut edhe pse janë në kërkim të punës.

Të dhënat e publikuara në raportin “Tregu i Punës 2025” të INSTAT tregojnë se 17,800 persona me arsim të lartë rezultonin të papunë, ndërsa pesha më e madhe e tyre i përket grup-moshave të reja, duke treguar vështirësitë që hasin të diplomuarit në gjetjen e një vendi pune pas përfundimit të studimeve.

Sipas statistikave, nga 17,800 të papunët me arsim të lartë në kërkim të punës, 5,370 janë të moshës 15-24 vjeç, ndërsa 4,323 i përkasin grup-moshës 25-29 vjeç. Në total, 9.693 persona, ose rreth 55% e të gjithë të papunëve me diplomë universitare, janë nën moshën 30 vjeç. Kjo tregon se sfida më e madhe është hyrjen e të rinjve të diplomuar në tregun e punës.

Grupi më i madh pas të rinjve është ai i moshës 25-54 vjeç, me 11.284 persona, ndërsa numri i të papunëve me arsim universitar mbi 55 vjeç mbetet shumë më i ulët.

Në total, INSTAT vlerëson se gjatë vitit 2025 në Shqipëri kishte 107.548 persona të papunë, nga të cilët 45,764 kishin arsim të mesëm, 43,984 arsim 8/9-vjeçar dhe 17.800 arsim të lartë. Kjo do të thotë se personat me diplomë universitare përbëjnë rreth 16.5% të të gjithë të papunëve në vend që duan të punojnë por nuk gjejnë punë.

Fakti që mbi gjysma e tyre janë të rinj nën 30 vjeç tregon se kalimi nga arsimi i lartë drejt punësimit vazhdon të jetë një nga hallkat më problematike të tregut të punës në Shqipëri, pavarësisht përmirësimit të përgjithshëm të treguesve të punësimit.

Arsyet kryesore lidhen me mospërputhjen mes diplomave dhe kërkesës reale të tregut. Ekonomia shqiptare vijon të gjenerojë më shumë vende pune në sektorë si shërbimet, turizmi, ndërtimi dhe tregtia, ndërsa shumë të diplomuar dalin nga universitetet me profile që nuk përkojnë gjithmonë me nevojat e bizneseve.

Një tjetër faktor është mungesa e përvojës, pasi të rinjtë me arsim të lartë shpesh hyjnë në treg me diplomë, por pa aftësitë teknike, digjitale, gjuhësore apo profesionale që kërkohen nga punëdhënësit.

Po ashtu, një pjesë e të diplomuarve përballen me pritshmëri më të larta për pagën dhe pozicionin, duke mos pranuar punë që nuk lidhen me profesionin apo që ofrojnë paga të ulëta dhe kjo e zgjat periudhën e papunësisë pas diplomimit.

Kryesore mbetet mungesa e lidhjes se arsimit me nevojat e tregut. Praktikat profesionale, orientimi i karrierës dhe bashkëpunimi me kompanitë nuk janë ende të mjaftueshme për ta bërë kalimin nga shkolla në punë më të shpejtë./ B.Hoxha

The post Shkolla nuk “vlen”, mbi 17 mijë persona me arsim të lartë nuk gjejnë punë, shumica të rinj appeared first on Revista Monitor.

Received — 27 July 2026 Revista Monitor

Autoriteti i Konkurrencës vendos detyrime ndaj operatorëve celularë

27 July 2026 at 15:15

Autoriteti i Konkurrencës, në përfundim të hetimit të thelluar ndaj Vodafone Albania dhe One Albania në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, nuk ka ndërmarrë penalitete ndaj operatorëve, por megjithatë ka vendosur kushte dhe detyrime specifike që reflektojnë ankesat e konsumatorëve pranë Autoritetit.

Sipas njoftimit të institucionit, vendimi i Komisionit të Konkurrencës synon korigjimin e shqetësimeve konkrete që kanë prekur konsumatorët dhe garantimin e çmimeve më të lira për shtresën e pensionistëve dhe studentëve, si dhe më shumë transparencë e mundësi zgjedhjeje për abonentët e të dy operatorëve.

Gjatë periudhës së hetuar u konstatuan rritje progresive dhe të përafërta të çmimeve, ngjashmëri e lartë ndërmjet paketave, reduktim i ofertave me çmime të ulëta dhe mangësi në dokumentimin e kostove që justifikojnë ndryshimet tarifore.

Për pasojë, Autoriteti i Konkurrencës vendosi masa si më poshtë:

• brenda 90 ditëve, të dy operatorët duhet të ofrojnë paketa të veçanta më të favorshme për pensionistët dhe studentët 18–23 vjeç;

• paketa më e lirë duhet të jetë realisht e disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes, jo vetëm në aplikacione online apo kanale digjitale;

• pas përfundimit të kontratës, çdo abonent duhet të ketë të drejtë të kalojë në një paketë më të lirë, pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara;

• çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo vlefshmëri të paketës duhet t’i njoftohet individualisht abonentit, qartë dhe të paktën 30 ditë përpara;

• çdo rritje çmimi duhet të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove dhe ky dokumentacion duhet të ruhet për pesë vjet;

• paketat e reja duhet të kenë diferencim real dhe të mos kufizojnë zgjedhjen e konsumatorit;

• kontratat tip duhet të marrin vlerësimin paraprak të Autoritetit të Konkurrencës për shmangien e klauzolave të padrejta;

• procedura dhe afati për bartjen e numrit nga një operator te tjetri duhet të shkruhen qartë dhe kuptueshëm në kontratë.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, vendimi korrigjon probleme konkrete të konsumatorit:ë, si mungesën e

informimit, vështirësinë për të zgjedhur një paketë më të lirë, aksesin e kufizuar në ofertat

ekonomike, paqartësitë kontraktore dhe mungesën e alternativave për shtresa me të ardhura të ulëta.

Të gjitha detyrimet e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës do të monitorohen për një vit nga hyrja në fuqi e vendimit.

Në rast moszbatimi të një prej pikave të vendimit, Vodafone Albania dhe One Albania do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

The post Autoriteti i Konkurrencës vendos detyrime ndaj operatorëve celularë appeared first on Revista Monitor.

Kreditë me probleme të institucioneve financiare u rritën në vitin 2025

27 July 2026 at 15:00

Raporti i kredive me probleme për institucionet financiare jobanka shënoi rritje vitin e kaluar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2025 ky raport u rrit në 14.2%, nga afërsisht 12% që kishte qenë një vit më parë. 

Raporti i kredive me probleme është pothuajse katër herë më i lartë krahasuar me nivelin mesatar të kredive me probleme të sektorit bankar, që në fund të vitit 2025 ishte 3.8%. 

Sipas Bankës së Shqipërisë, përkeqësimi i këtij treguesi është ndikuar paralelisht nga reduktimi i portofolit të kredisë, me 9.3%, por edhe nga rritja e vlerëa së kredive me probleme, me 7.4%.

Në fund të vitit 2025, portofoli i kredisë bruto për institucionet financiare jobanka ra në 53.2 miliardë lekë, 9% më pak krahasuar me vitin paraardhës.

Megjithatë, rënia është e lidhur kryesisht me zhvillime strukturore brenda sektorit. Institucioni financiar NOA vitin e kaluar u bashkua me Bankën Amerikane të Investimeve dhe kjo bëri që portofoli i kredisë së këtij institucioni të riklasifikohjet si kredi që i përket sektorit bankar. 

Pjesa më e madhe e portofolit të kredisë së insitutcioneve financiare jobanka mbahet nga subjektet e kredidhënies dhe mikrokredisë, me 73%. Më pas, renditet portofoli i qirasë financiare, me 26%, ndërkohë që pesha e portofolit faktoring mbetet mjaft e ulët, në 1%.

Aktiviteti me rritjen më të lartë gjatë vitit 2025 ka qenë qiraja financiare, me 1.52 miliardë lekë.

Efektin kryesor në rritjen e këtij portofoli e kanë dhënë subjektet “Porsche Leasing” dhe “Raiffeisen Leasing”. Pas largimit të subjektit “NOA”, aktiviteti i kredidhënies dominohet nga “Fondi Besa”. Ndërkohë, sa i përket aktivitetit të mikrokredisë, subjekti “Iutecredit” vijon të hfaqë rritjen më të lartë të portofolit të mikrokredisë.

Gjatë vitit 2025, institucionet financiare që ushtrojnë veprimtarinë e kreditimit kanë gjeneruar një fitim neto prej 3.1 miliardë lekësh.

Krahasuar me vitin paraardhës vërehet një rënie e ndjeshme prej 2.41 miliardë lekësh ose rreth 2.44%. Afërsisht gjysma e reduktimit të fitimit lidhet me sasinë e dividendit që merr subjekti “Tranzit” (aksionar i Bankës Amerikane të Investimeve), i cili këtë vit ka qenë më i ulët se vitet e kaluara. 

Edhe largimi i subjektit “NOA” nga grupi i këtyre institucioneve ka sjellë ndikim negativ që llogaritet në rreth 20% të rënies së rezultatit neto.

Në një masë më të vogël ka ndikuar edhe reduktimi i fitimeve të realizuara nga subjektet e mikrokredisë “ECFA” (Kredo Finance) dhe “IuteCredit”.

Kthimi mesatar nga aktivet për institucionet financiare që ushtrojnë veprimtaritë e kreditimit arriti në 4.7% (kundrejt 7.3% në vitin 2024), ndërsa kthimi mesatar nga kapitali zbriti në 21.4% (kundrejt 39% në vitin 2024).

Nga ana tjetër, rritja e stokut të kredive të këqija mund të jetë sinjal i rreziqeve në rritje për sektorin, në vijim të një cikli disavjeccar rritjeje të shpejtë të huadhënies, sidomos në segmentin e mikrofinancës. 

Vitin e kaluar, hyri në fuqi paketa rregullatore e Bankës së Shqipërisë që vendosi disa masa shtrënguese në praktikat e huadhënies së kredisë konsumatore për institucionet financiare jobanka.

Këto masa synonin të mbronin huamarrësit nga mbingarkesa me borxh, por edhe të ulnin rreziqet nga përkeqësimi i cilësisë aktiveve për institucionet financiare. 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

The post Kreditë me probleme të institucioneve financiare u rritën në vitin 2025 appeared first on Revista Monitor.

Mundësi investimi, rihapet ankandi i obligacioneve 15-vjeçare

27 July 2026 at 14:00

Ministria e Financave do të zhvillojë javën e ardhshme rihapjen e ankandit të obligacioneve 15-vjeçare. Shuma e obligacioneve që do t’u ofrohen për blerje investitorëve është 1.5 miliardë lekë.

Ankandi do të jetë rihapje e atij të muajit qershor, që pati shënuar një rritje të mëtejshme në yield-in e këtyre instrumenteve.

Kuponi dhe yield-i uniform i pranuar u rrit lehtë në 6.22%, nga 5.75% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, të muajit prill. Yield-i këtyre instrumenteve ka arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2024.

Në ankandin e fundit u vërejt një rënie e kërkesës së investitorëve. Shuma totale e kërkesave ishte rreth 1.41 miliardë lekë, pa plotësuar dot shumën e shpallur për financim prej 2 miliardë lekësh.

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, në ankandin e zhvilluar të mërkurën kuponi dhe yield-i uniform i pranuar u rrit lehtë në 6.22%, nga 5.75% që kishte qenë në ankandin e fundit, të muajit prill.

Yield-i këtyre instrumenteve ka arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2024.

Në ankand u vërejt një rënie e kërkesës së investitorëve. Shuma totale e kërkesave ishte rreth 1.41 miliardë lekë, pa plotësuar dot shumën e shpallur për financim prej 2 miliardë lekësh.

Yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare kanë shënuar një korrigjim në rritje duke filluar nga tremujori i dytë i vitit, pas një tendence në rënie të vazhdueshme prej afërsisht dy vjetësh.

Konflikti në Lindjen e Mesme dhe inflacioni kanë forcuar pritshmëritë për rritje të normave të interesit.

Sipas të dhënave nga INSTAT, në muajin qershor inflacioni arriti nivelin 3.2%, më i larti që prej fundit të vitit 2023.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë edhe në mbledhjen e fundit, në fillim të këtij muaji, vendosi ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%, me argumentimin se goditja e ofertës nga kriza në Lindjen e Mesme do të jetë kalimtare.

Por, rikthimi i shtrenjtimit të çmimeve të naftës gjatë muajit korrik ka krijuar premisa për rritje të mëtejshme të inflacionit në afatin e shkurtër, ndërsa një zgjidhje përfundimtare e konfliktit mes SHBA dhe Iranit nuk duket ende në horizont.

Nga ana tjetër, edhe inflacioni bazë, po shënon nivele të larta dhe në rritje. Në qershor, inflacioni bazë arriti në 3.54%, niveli më i lartë që prej vitit 2023.

Në këto kushte, gjasat për një rritje të afërme të normave të interesit duket se po shtohen.

Kjo pritet të ushtrojë presione rritëse mbi yield-et e titujve qeveritarë, sidomos të atyre me maturim më afatgjatë. Edhe për këtë arsye, ankandi i obligacioneve 15-vjeçare mund të jetë një alternativë e mirë për investitorët që kërkojnë të rrisin kthimet nga kursimet ose portofolet e tyre të investimeve.

Individët apo subjektet e interesuara për të investuar mund të marrin pjesë në ankandet e obligacioneve nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj.

Bankat e licencuara për këtë shërbim janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank. Shuma minimale e pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve është 300 mijë lekë.

Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand.

 

 

The post Mundësi investimi, rihapet ankandi i obligacioneve 15-vjeçare appeared first on Revista Monitor.

Bypass-i i Tiranës, ARRSH tenderon fazën 3 për rreth 16 mln euro

27 July 2026 at 13:00

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) hapi këtë të hëne procedurën e prokurimit për ndërtimin e segmentit Kashar – Nyja Vaqarr, Faza III, me fond limit prej rreth 1.5 miliardë lekësh (afërsisht 16 milionë euro) duke avancuar me projektin e të Bypass-it të Tiranës.

Sipas dokumenteve proejtki lidhet me zhvillimin e nyjës së Kasharit, e cila është konceptuar për t’i dhënë akses të drejtpërdrejtë rrjetit të autostradave zonës me rritjen më të shpejtë të aktiviteteve industriale dhe tregtare në periferi të Tiranës.

Aktualisht, bizneset dhe automjetet që operojnë në këtë zonë mbështeten kryesisht në rrugët dytësore përgjatë autostradës Tiranë–Durrës, duke krijuar ngarkesë të lartë trafiku.

Bypass-i i Tiranës do të lidhë dy korridoret kryesore të transportit, Korridorin Adriatiko-Jonian dhe Korridorin VIII, ndërsa synon të largojë trafikun transit nga qendra e kryeqytetit dhe të përmirësojë lëvizjen e mallrave dhe pasagjerëve.

Dokumentet teknike vlerësojnë se nevoja për ndërtimin e nyjës së re të Kasharit lidhet me zgjerimin e pritshëm të zonës industriale dhe tregtare, të favorizuar nga afërsia me Tiranën, Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe Portin e Durrësit. Projekti synon të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë me rrjetin kryesor rrugor, duke reduktuar varësinë nga infrastruktura ekzistuese lokale.

Nyja e re është projektuar si një interchange i tipit diamant, me dy rrethrrotullime të lidhura përmes një nënkalimi, të cilat komunikojnë me autostradën nëpërmjet rampave dhe me rrjetin lokal të rrugëve. Sipas projektit, kjo zgjidhje është përzgjedhur për të përballuar flukset e pritshme të trafikut dhe për të rritur kapacitetin e aksesit në zonë.

Bypass-i i Tiranës është pjesë e projekteve prioritare të transportit në Shqipëri dhe është përfshirë në Planin Kombëtar të Transportit, Planin e Përgjithshëm Kombëtar dhe Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkise Tiranë.

The post Bypass-i i Tiranës, ARRSH tenderon fazën 3 për rreth 16 mln euro appeared first on Revista Monitor.

Qiratë ditore e nisin verën me vrull, kërkesa u rrit me 23% në qershor

27 July 2026 at 12:00

Shqipëria hyri në sezonin veror me më shumë vizitorë sesa prona të reja për t’i strehuar të paktën në apartamente.

Në qershor, kërkesa për qira afatshkurtra u rrit me një ritëm më shumë se dy herë më të shpejtë se oferta, duke ngritur njëkohësisht zënien (prenotimet) dhe çmimet.

Sipas AirDNA, në qershor 2026 u regjistruan 284,329 net-qëndrimi në pronat e listuara në platformat e qirave ditore, 22.6% më shumë se një vit më parë. Në të njëjtën kohë, numri i pronave të disponueshme u rrit në 31,655, nga 28,972 në qershor 2025, ose me 9.26%.

Me kërkesën që po ecën dukshëm më shpejt se oferta, norma e zënies apo prenotimeve u ngjit në 58.89%, nga 55.47% një vit më parë. Kjo rritja prej 3.42 pikësh përqindjeje konfirmon edhe një herë trendin se tregu vazhdon të ketë “uri” për këtë segment akomodimi, duke e përthithur menjëherë pjesën e disponueshme.

Kjo lidhet sidomos me tipologjinë e turistit individual që po viziton Shqipërinë tre vitet e fundit, ku apartamentet po fitojnë dukshëm terren mbi strukturat hoteliere.

Edhe pronarët e këtyre njësive me qira ditore kanë përfituar nga ritmi i sezonit. Tarifa mesatare ditore arriti në 65.85 euro për natë, nga 62.43 euro në qershorin e kaluar, një rritje vjetore prej 5.48%.

Pamja 12-mujore është po aq e fortë. Në periudhën e mbyllur në qershor, numri mesatar i listimeve arriti në 28,074, 15.34% më shumë se një vit më parë. Netët e rezervuara u rritën me 17.93%, në 2.51 milionë, ndërsa të ardhurat e vlerësuara nga tregu arritën në 144.1 milionë euro, me një rritje prej 20.05%.

Tarifa mesatare për periudhën 12-mujore u rrit në 57.5 euro për natë, nga 56.5 euro, ndërsa norma mesatare e zënies u përmirësua lehtë në 54.49%, nga 54.1%.

Shqipëria ruajti gjithashtu ritmin më të shpejtë të zgjerimit të ofertës në grupin e vendeve të rajonit të përfshira në të dhënat e AirDNA. Rritja prej 15.34% ishte më e lartë se në Malin e Zi, me 10.04%, Rumani me 9.99%, Serbi me 8.49%, Slloveni me 6.61% dhe Bullgari me 4.96%. Për nga madhësia, tregu shqiptar mbetet i dyti në grup, pas Rumanisë.

Shqipëria kishte mesatarisht 28,074 listime mujore, kundrejt 34,384 në Rumani. Pas tyre renditeshin Mali i Zi me 21,902, Bullgaria me 18,678, Serbia me 15,333 dhe Sllovenia me 10,826.

Panorama e qershorit konfirmon edhe një herë një tendencë për të shkuar gjithmonë e më shumë tek apartamentet me qira ditore nga ana e atyre që e shohin një pronë si investim, teksa në të njëjtën kohë edhe rezervimet po i përgjigjen kësaj tendence.

 

The post Qiratë ditore e nisin verën me vrull, kërkesa u rrit me 23% në qershor appeared first on Revista Monitor.

Aksidentet rrugore rriten 6.8% në gjysmën e parë të vitit; kryeson Tirana

27 July 2026 at 11:19

Aksidentet rrugore në vend u rritën në qershor, ndërsa numri i tyre në gjysmën e parë të vitit u zgjerua me 6.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat paraprake të INSTAT tregojnë një kërcim të muajit të gjashtë të vitit ku edhe pasojat në plagosje dhe humbje jete kanë qenë më të larta.

Gjatë qershorit u regjistruan 132 aksidente, ku mbetën të vrarë ose të plagosur 186 persona, nga 107 aksidente dhe 140 të aksidentuar në të njëjtin muaj të vitit 2025.

Në periudhën janar-qershor 2026 u regjistruan 679 aksidente rrugore, nga 636 një vit më parë.

Numri i personave të vrarë dhe të plagosur arriti në 952, krahasuar me 883 në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.

Sipas INSTAT, 93.9% e aksidenteve të regjistruara në qershor ndodhën si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Grupmosha 35–44 vjeç përbënte peshën më të madhe të drejtuesve të përfshirë në aksidente, me 28% të totalit.

Tirana regjistroi numrin më të lartë të aksidenteve në vend gjatë gjashtëmujorit, me 277 raste dhe 345 persona të vrarë ose të plagosur. Pas saj renditen Lezha me 74 aksidente dhe Vlora me 67.

Një në katër aksidente ndodhi në intervalin 19:00–24:00, ndërsa dita me numrin më të lartë të rasteve ishte e marta, me 18.9% të totalit. E enjtja regjistroi incidencën më të ulët, me 7.6%.

INSTAT thekson se të dhënat janë paraprake dhe subjekt përditësimi.

The post Aksidentet rrugore rriten 6.8% në gjysmën e parë të vitit; kryeson Tirana appeared first on Revista Monitor.

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së mund të qëndrojnë në detyrë deri në 3 muaj pas mandatit

27 July 2026 at 11:00

Ligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë” do të lejojë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të qëndrojnë në detyrë edhe pas përfundimit të mandatit, për të mos shkaktuar bllokimin e vendimmarrjes.

Aktualisht, ligji nuk lejon që anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë pas përfundimit të mandatit të tyre.

Kjo ka shkaktuar dy herë në tetë vitet e fundit pamundësi të vendimmarrjes në Këshillin Mbikëqyrës, për shkak të vonesave në procedurat e zgjedhjes së anëtarëve të rinj.

Projektligji i ri i përgatitur nga Banka e Shqipërisë parashikon se anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës mund të vazhdojnë të ushtrojnë detyrën deri në emërimin e pasuesit të tyre, por jo më shumë se tre muaj pas përfundimit të mandatit. Kjo do të japë më shumë kohë për zgjedhjen e anëtarëve të rinj, pa bllokuar vendimmarrjen në Këshillin Mbikëqyrës.

Gjithashtu, projektligji përcakton se anëtari i emëruar për të plotësuar një vend vakant të krijuar si pasojë e përfundimit të parakohshëm të mandatit të anëtarit paraardhës, e ushtron funksionin për një mandat të plotë shtatëvjeçar.

Me ligjin aktual, anëtarët që zgjidhen si rezultat i përfundimit të parakohshëm të mandatit të një anëtari paraardhës nuk mund të kryejnë një mandat të plotë 7-vjeçar, por vetëm afatin e mbetur nga mandati i anëtarit të mëparshëm. Por, kjo kërkesë ligjore nuk është aplikuar gjithmonë në mënyrë uniforme nga Kuvendi.

Shembull është vetë Guvernatori aktual, Gent Sejko. Megjithëse ai u zgjodh anëtar i Këshillit Mbikëqyrës dhe Guvernator si rezultat i ndërprerjes së mandatit të anëtarëve të mëparshëm, Kuvendi i dha atij një mandat të plotë 7-vjeçar.

Banka e Shqipërisë është përballur dy herë me bllokim të vendimmarrjes në Këshillin Mbikëqyrës, si rezultat i përfundimit të mandatit të shumicës së anëtarëve dhe mungesës së kuorumit për vendimmarrje.

Rasti më i fundit ishte pikërisht mes fundit të vitit 2025 dhe fillimit të vitit 2026.

Mandati i gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, Luljeta Minxhozi, Artan Hoxha, Violeta Staka, Edlira Luçi, Ridvan Bode dhe Suela Popa, përfundoi në muajin dhjetor 2025.

Duke qenë se anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre pas përfundimit të mandatit dhe ligji kërkon që mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës zhvillohet me praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve të emëruar, vendimmarrja në këtë institucion u paralizua deri në muajin shkurt, kur Kuvendi zgjodhi anëtarët e rinj.

Një situatë e njëjtë ndodhi edhe në vitin 2018, para zgjedhjes së anëtarëve që u përfundoi mandati në fund të vitit 2025. Edhe në atë rast, numri i mandateve të përfunduara ishte gjashtë. Mosplotësimi në kohë i vendeve vakante e bllokoi për një kohë të shkurtër vendimmarrjen në Këshillin Mbikëqyrës.

 

 

The post Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së mund të qëndrojnë në detyrë deri në 3 muaj pas mandatit appeared first on Revista Monitor.

Eurostat: Shqipëria, e katërta në Europë për vdekjet nga ndotja e ajrit

27 July 2026 at 06:03

Megjithëse Shqipëria nuk ka një industri të zhvilluar në përmasat e ekonomive të mëdha europiane, ajo renditet ndër vendet me pasojat më të rënda shëndetësore nga ndotja e ajrit.

Me 129 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë, vendi është i katërti në Europë për vdekshmërinë që i atribuohet ekspozimit ndaj grimcave të imëta PM2.5, sipas të dhënave të fundit të Eurostat për vitin 2023.

Nivele më të larta se Shqipëria regjistrohen vetëm në Maqedoninë e Veriut, me 146 vdekje për 100 mijë banorë, Bosnjë-Hercegovinë, me 139, dhe Serbia, me 132.

Treguesi i Shqipërisë është më shumë se tri herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila në vitin 2023 ishte 41 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë.

 

Çfarë mat treguesi

Treguesi i Eurostat mat numrin e vdekjeve të parakohshme që mund t’i atribuohen ekspozimit ndaj grimcave të imëta në ajër, të njohura si PM2.5.

Këto grimca kanë diametër më të vogël se 2.5 mikrometra. Për shkak të përmasave shumë të vogla, ato mund të depërtojnë thellë në mushkëri dhe të shkaktojnë inflamacion ose përkeqësim të gjendjes së personave që vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe mushkërive.

Vdekjet e parakohshme janë ato që ndodhin përpara moshës së pritshme të vdekjes, e llogaritur sipas jetëgjatësisë në secilin vend, gjinisë dhe grupmoshës. Vlerësimet mbështeten në metodologjinë e Agjencisë Europiane të Mjedisit.

PM2.5 krijohen kryesisht nga djegia e lëndëve të ngurta për ngrohjen e banesave, aktivitetet industriale dhe transporti.

Ekspozimi nuk lidhet vetëm me praninë e industrisë së rëndë, por edhe me mënyrën e ngrohjes, cilësinë e karburanteve, moshën e automjeteve, djegien e mbetjeve dhe kushtet gjeografike që pengojnë shpërndarjen e ndotjes.

 

Ballkani mban barrën më të rëndë

Të dhënat tregojnë një ndarje të fortë mes Ballkanit dhe pjesës veriore e perëndimore të Europës.

Pas Shqipërisë renditet Kosova, me 121 vdekje për 100 mijë banorë. Mali i Zi regjistron 89 vdekje, ndërsa Kroacia 75. Edhe vendet fqinje të Bashkimit Europian paraqiten me nivele të larta: Bullgaria ka 104 vdekje për 100 mijë banorë, Greqia 98 dhe Rumania 74.

Në skajin tjetër të renditjes janë vendet nordike. Finlanda regjistron vetëm një vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë, Suedia dy, Estonia tri dhe Norvegjia katër. Në Islandë treguesi është zero.

Shqipëria ka një normë rreth 129 herë më të lartë se Finlanda, mbi gjashtë herë më të lartë se Portugalia dhe pothuajse pesë herë më të lartë se Gjermania.

 

Pse Maqedonia e Veriut ka nivelin më të lartë

Maqedonia e Veriut kryeson renditjen europiane me 146 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë.

Sipas OECD-së, përqendrimi mesatar vjetor i PM2.5 në këtë vend arriti në 22.3 mikrogramë për metër kub në vitin 2021, niveli më i lartë në Ballkanin Perëndimor dhe më shumë se katër herë mbi udhëzimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Burimet kryesore të ndotjes janë djegia e linjitit për prodhimin e energjisë, industria, automjetet e vjetra dhe të kontrolluara në mënyrë të pamjaftueshme, djegia e mbetjeve në mjedis të hapur dhe ngrohja e banesave.

Banka Botërore vlerëson se ngrohja e banesave është një nga burimet më të rëndësishme të ndotjes në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht gjatë dimrit. Në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, sektori rezidencial gjeneron pothuajse gjysmën e emetimeve të PM2.5.

Pozita gjeografike e qyteteve, sidomos e Shkupit, përkeqëson situatën, pasi kushtet atmosferike dhe terreni favorizojnë grumbullimin e ndotësve pranë sipërfaqes.

 

BE ka përgjysmuar vdekjet, por diferencat mbeten të mëdha

Në Bashkimin Europian, numri i vdekjeve të parakohshme që lidhen me PM2.5 ka rënë ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit.

Në vitin 2005, ndotja nga grimcat e imëta i atribuohej rreth 423,600 vdekjeve të parakohshme në BE. Numri ra në rreth 346,400 në vitin 2007, 286,600 në vitin 2018 dhe 182,400 në vitin 2023.

Pavarësisht përmirësimit në nivel europian, hendeku mes vendeve mbetet i gjerë. Vendet e Europës Juglindore dhe Lindore vazhdojnë të kenë një barrë shumë më të lartë shëndetësore se vendet nordike dhe ato të Europës Perëndimore.

 

Objektivi për vitin 2030

Treguesi lidhet me Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm SDG 11, që synon qytete dhe komunitete më të qëndrueshme, dhe konkretisht me uljen e ndikimit negativ mjedisor të qyteteve, duke i kushtuar vëmendje të veçantë cilësisë së ajrit.

Objektivi europian është që deri në vitin 2030 të reduktohen me të paktën 55%, në krahasim me vitin 2005, ndikimet shëndetësore të ndotjes së ajrit të shprehura përmes vdekjeve të parakohshme nga PM2.5.

Pragu i përcaktuar për BE-në është rreth 190,600 vdekje në vitin 2030. Me rreth 182,400 vdekje të regjistruara në vitin 2023, Bashkimi Europian në tërësi ka zbritur tashmë nën nivelin e synuar, por situata ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin.

 

 

The post Eurostat: Shqipëria, e katërta në Europë për vdekjet nga ndotja e ajrit appeared first on Revista Monitor.

❌