Normal view

Received — 30 June 2026 Revista Monitor

Ndryshon buxheti 2026, rialokohen rreth 17 mld lekë; Malaj: Shtesë për pensionet, pagat, mbrojtjen

By: Ornela
30 June 2026 at 17:15

Ndryshon buxheti i vitit 2026. Nëpërmjet një akti normativ të miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ministri i Financave Petrit Malaj njoftoi se ndryshimet në buxhet janë rezultat i ecurisë pozitive të ekonomisë gjatë periudhës janar–maj.

“Më konkretisht, përmes këtij akti mundësohet indeksimi i pensioneve me 2.7%, duke nisur nga data 1 korrik 2026. Fondi shtesë për këtë masë është 872 milionë lekë. Ndërkohë, nga viti i ardhshëm indeksimi i pensioneve do të kryhet në muajin prill.

Po ashtu, përmes Aktit Normativ do të dyfishohet pagesa për fëmijët me aftësi të kufizuara, me një financim shtesë prej 750 milionë lekësh. Nga kjo masë do të përfitojnë 10,720 fëmijë, ndërsa ajo do të hyjë në fuqi më 1 korrik 2026.

Akti parashikon gjithashtu mbështetje edhe për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara. Shteti do të mbulojë pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për ta, me një efekt financiar prej 2 miliardë lekësh.

Sektori i shëndetësisë do të përfitojë 1.5 miliardë lekë, ose rreth 15 milionë euro fonde shtesë, për barnat e onkologjikut.

Përmes këtij akti normativ do të mundësohet edhe rritja e pagave për mjekët dhe personelin e shërbimit të urgjencës.

Gjithashtu, do të alokohen fonde shtesë për 1,250 punonjës zjarrfikës, të cilët do të përfitojnë pagesa për orët shtesë të punës.

Për sektorin e mbrojtjes do të alokohen 10.3 miliardë lekë shtesë, me synimin për ta çuar financimin në nivelin 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Po ashtu, do të rritet shuma e Garancisë Sovrane nga 3 miliardë lekë në 5 miliardë lekë, ndërsa fusha e veprimit të saj do të zgjerohet, duke përfshirë jo vetëm fermerët, por edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, pohoi ministri i Financave.

Ministri Malaj bëri të ditur se do të parashikohen pagesa për orët shtesë edhe për efektivët e Policisë së Shtetit. Këto do të rregullohen me akte të tjera normative, në përmbushje të kërkesave të Ministrisë së Brendshme.

 

 

 

The post Ndryshon buxheti 2026, rialokohen rreth 17 mld lekë; Malaj: Shtesë për pensionet, pagat, mbrojtjen appeared first on Revista Monitor.

Received — 24 June 2026 Revista Monitor

Tatimet: Si të ankoheni nëse nuk keni përfituar nga ligji i faljes

By: Ornela
24 June 2026 at 19:07

Tatimpaguesit që kanë marrë njoftim nga Administrata Tatimore se nuk plotësojnë kushtet për të përfituar nga Ligji për Faljen e Detyrimeve kanë të drejtë të kërkojnë rishikimin e rastit të tyre.

Për këtë, ata duhet të paraqesin një kërkesë ose ankesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, të shoqëruar me dokumentacionin përkatës provues, sipas rastit.

Administrata Tatimore bën me dije se çdo kërkesë e paraqitur do të shqyrtohet.

Në rast se konstatohet se tatimpaguesi i plotëson kushtet e përcaktuara në ligj, do të ndërmerren veprimet e nevojshme për të reflektuar përfitimet e parashikuara nga Ligji për fshirjen ose shuarjen e detyrimeve tatimore të papaguara.

The post Tatimet: Si të ankoheni nëse nuk keni përfituar nga ligji i faljes appeared first on Revista Monitor.

Received — 22 June 2026 Revista Monitor

Falja, Tatimet: Bizneset të verifikojnë situatën financiare

By: Ornela
22 June 2026 at 18:14

Tatimet njoftuan se falja me kusht e detyrimeve tatimore të papaguara ka nisur.

Tatimpaguesit që janë njoftuar përmes pop-up në llogaritë e tyre në e-Filing mund t’u drejtohen Drejtorive Rajonale Tatimore për verifikimin e situatës së tyre financiare.

Kanë mbetur edhe 9 ditë për të përfituar nga masat lehtësuese të parashikuara në ligj

Për detyrimet e periudhës 2015–2019, pagesa e 50% të detyrimit kryesor mundëson fshirjen e 50% të mbetur, si dhe faljen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave.

Kujtojmë se për të përfituar nga ligji, deklaratat e padorëzuara deri më 31.12.2024 duhet të dorëzohen brenda datës 30 Qershor 2026, sipas njoftimit.

The post Falja, Tatimet: Bizneset të verifikojnë situatën financiare appeared first on Revista Monitor.

Received — 18 June 2026 Revista Monitor

Mbyllet procesi automatik i fshirjes së gjobave tatimore, fshihen 91.6 mln euro për 105 mijë biznese

By: Ornela
18 June 2026 at 17:32

Administrata Tatimore njofton se ka realizuar me sukses procesin automatik të fshirjes/shuarjes pa kusht të detyrimeve tatimore të papaguara për kategoritë e parashikuara në ligj, në kuadër të zbatimit të ligjit nr. 86/2025, “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”,

Nga ky proces kanë përfituar 105,409 tatimpagues, ndërsa vlera totale e detyrimeve të fshira/shuara arrin në rreth 91.6 milionë euro, e ndarë në dy kategori kryesore:

– 70.5 milionë euro i përkasin gjobave administrative të vendosura nga inspektorët tatimorë për detyrime të papaguara që lidhen me periudha tatimore deri më 31 dhjetor 2014 dhe me datë kontabilizimi deri më 31.12.2024, ku kanë përfituar 13,667 tatimpagues.

– Ndërkohë, 21.1 milionë euro i përkasin gjobave të tjera administrative, përfshirë gjobat për dorëzim të vonuar të deklaratave, që lidhen me periudha tatimore deri më 31 dhjetor 2024 dhe me datë kontabilizimi deri më 30.06.2026, me kusht që deklaratat përkatëse të kenë statusin “e dorëzuar”. Nga kjo kategori kanë përfituar 96,302 tatimpagues.

Në përputhje me përcaktimet e ligjit, nuk kanë përfituar tatimpaguesit e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose që janë në proces hetimi apo gjykimi për vepra penale në fushën e tatimeve dhe doganave. Gjithashtu, nuk janë përfshirë në procesin e fshirjes/shuarjes detyrimet tatimore për të cilat ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të Administratës Tatimore.

Ky proces përbën një nga hapat e rëndësishëm në zbatimin e masave të parashikuara nga ligji nr. 86/2025, pas përfundimit të procesit të kompensimit automatik të tepricave kreditore me detyrimet tatimore të papaguara.

Administrata Tatimore mbetet e angazhuar për zbatimin e plotë të masave të parashikuara në ligj, duke garantuar transparencë, korrektësi dhe trajtim të barabartë për të gjithë tatimpaguesit, përfundon njoftimi.

The post Mbyllet procesi automatik i fshirjes së gjobave tatimore, fshihen 91.6 mln euro për 105 mijë biznese appeared first on Revista Monitor.

Received — 17 June 2026 Revista Monitor

Do të rritet taksa e pasurive të paluajtshme, do të bëhet 0.1 – 0.2% e vlerës së tregut të ndërtesës

By: Ornela
17 June 2026 at 16:58

Është hedhur për konsultim projektigji për “PËR TAKSËN MBI PASURINË E PALUAJTSHME”, i cili synon reformimin  dhe përmirësimin e mëtejshëm të politikave dhe administrimit të saj duhet të shtohen, për t’i shërbyer eventualisht konsolidimit financiar të bashkive.

Në thelb, reformimi synon taksë mbi pasurinë e paluajtshme të bazuar në vlerën e tregut.

Drafti parashikon se për të gjitha njësitë e ndërtesave që përfshihen në kategorinë ‘ndërtesa për banim’, shkalla e taksës mund të variojë nga 0,1% (zero presje një për qind) deri në 0,2% (zero presje dy për qind); Sot taksa është sa 0.05% e vlerës për shtëpi banimi, duke rezultuar automatikisht me rritje.

Sipas relacionit, nisur nga struktura aktuale e legjislacionit, kompleksiteti i rregullimit të taksës mbi pasurinë e paluajtshme, të bazuar në vlerën e tregut, si dhe përvojave nga vendet e tjera, hartimi i një projektligji vetëm për taksën mbi pasurinë e paluajtshme është vlerësuar si opsioni më i përshtatshëm.

Në mënyre të përmbledhur, ndryshimet dhe risitë kryesore të pasqyruara në projektligjin “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” synojnë :

₋              Kalimin nga një sistemi taksimi i bazuar në vlerë për ndërtesat dhe një sistem i thjeshtë taksimi i bazuar mbi sipërfaqen (area based) për tokën, në një sistem modern taksimi që takson si ndërtesat ashtu dhe tokën, duke e bazuar në vlerën e tregut të këtyre pasurive të paluajtshme;

₋              Të zgjerojnë bazën tatimore duke shtuar kategoritë e pasurive të paluajtshme që taksohen dhe rritur numrin e pasurive të paluajtshme të regjistruara në kadastrën fiskale;

₋₋             Të përmirësojnë barazinë dhe minimizojnë kostot e administrimi të taksës së pasurisë përmes standardizimit të proceseve dhe mbështetjes nga niveli qendror;

₋              Të ofrojnë në vazhdimësi vlera të përditësuara të pasurive të paluajtshme, pra një bazë të drejtë për taksimin, sigurojnë qëndrueshmërinë dhe forcojnë gjithmonë e më shumë legjitimitetin e të gjithë sistemit në sytë e taksapaguesve;

₋              Të përmirësojnë efektivitetin e mbledhjes së taksës;

₋              Të rregullojnë aspekte të parregulluara dhe optimizojnë disa prej proceseve kryesore të punës;

₋              Të mbrojnë personat ose familjet me të ardhura të ulëta;

₋              Të rrisin transparencën dhe lehtësojnë ushtrimin e të drejtave dhe përmbushjen e detyrimeve nga taksapaguesit, përmes publikimit të një game të gjere informacioni;

₋              Të vendosin një nivel të përshtatshëm taksimi për kategori të ndryshme të pronave, të përafruar me vendet e rajonit;

₋              Të qartësojnë rregullat mbi rimbursimin e detyrimeve tatimore, ankimin dhe njoftimin e akteve;

₋              Të forcojnë autonominë financiare të pushtetit vendor përmes krijimit të një burimi më të qëndrueshëm, më të drejtë dhe më të parashikueshëm të të ardhurave, duke fuqizuar kështu bashkitë dhe rritur në mënyrë të ndjeshme investimet dhe shërbimet për qytetarët dhe bizneset; si dhe

₋              Të kenë ndikime të tjera indirekte pozitive mbi ekonominë.

Elementët dhe politikat kryesore të projektligjit të propozuar janë shtjelluar së bashku me nenet përkatëse në mënyre të detajuar në pikën VI të këtij relacioni shoqërues.

Në ketë kuadër, kalimi në një sistem taksimi të bazuar në vlerën e tregut dhe përmirësimi i mëtejshëm i politikave të administrimit të taksës së pasurisë, synojnë jo vetëm rritjen e të ardhurave, por edhe krijimin e një sistemi më të drejtë, më transparent, më efikas dhe më të besueshëm të taksimit të pasurisë. Sipas parashikimeve të FMN-së, pas implementimit të reformës, të ardhurat e gjeneruara nga kjo taksë mund të arrijnë nivelet e 0,7 – 1 % të PBB-së.

 

Niveli i taksave

Këshilli Bashkiak i çdo Bashkie cakton shkallët e taksës për të gjitha kategoritë e taksimit, brenda intervaleve të mëposhtme të shkallëve të taksës:

  1. a) Për të gjitha parcelat që përfshihen në kategorinë ‘tokë bujqësore-blegtorale’, shkalla e taksës mund të variojë nga 0,05% (zero presje zero pesë për qind) deri në 0,15% (zero presje pesëmbëdhjetë për qind);
  2. b) Për të gjitha parcelat që përfshihen në kategorinë ‘tokë pyjore’, shkalla e taksës mund të variojë nga 0,05% (zero presje zero pesë për qind) deri në 0,15% (zero presje pesëmbëdhjetë për qind);
  3. c) Për të gjitha parcelat që përfshihen në kategorinë ‘tokë truall’, shkalla e taksës mund të variojë nga 0,075% (zero presje zero shtatëdhjetë e pesë për qind) deri në 0,175% (zero presje njëqind e shtatëdhjetë e pesë për qind);

ç) Për të gjitha parcelat që përfshihen në kategorinë ‘tokë me përdorime të tjera’, shkalla e taksës mund të variojë nga 0,075% (zero presje zero shtatëdhjetë e pesë për qind) deri në 0,175% (zero presje njëqind e shtatëdhjetë e pesë për qind);

  1. d) Për të gjitha njësitë e ndërtesave që përfshihen në kategorinë ‘ndërtesa për banim’, shkalla e taksës mund të variojë nga 0,1% (zero presje një për qind) deri në 0,2% (zero presje dy për qind);
  2. dh) Për të gjitha njësitë e ndërtesave që përfshihen në kategorinë ‘ndërtesa për veprimtari ekonomike’, shkalla e taksës mund të variojë nga 0,15% (zero presje pesëmbëdhjetë për qind) deri në 0,25% (zero presje njëzet e pesë për qind).
  3. Shkalla e taksës për ndërtesën e papërfunduar është 30% (tridhjetë përqind) e shkallës së taksës së kategorisë përkatëse të taksimit ku është klasifikuar ndërtesa e papërfunduar.
  4. Këshilli Bashkiak i çdo Bashkie miraton shkallët e zbatueshme të taksës, jo më vonë se data 31 janar e vitit tatimor. Shkallët e miratuara të taksës i dërgohen Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga dita e miratimit të tyre dhe në çdo rast jo me vonë se data 7 shkurt e vitit tatimor.
  5. Nëse Bashkia nuk dërgon shkallët e taksës, brenda afatit të përcaktuar në pikën 3, të këtij neni, zbatohet shkalla e fundit e taksës e përcaktuar nga Këshilli Bashkiak, në përputhje me pikën 1 të këtij neni.
  6. Në rast se shkalla e taksës për 1 (një) apo më shumë kategori nuk është caktuar ndonjëherë, zbatohet shkalla më e ulët e taksës, në përputhje me pikën 1, të këtij neni, për atë ose ato kategori.

 

 

 

The post Do të rritet taksa e pasurive të paluajtshme, do të bëhet 0.1 – 0.2% e vlerës së tregut të ndërtesës appeared first on Revista Monitor.

Received — 16 June 2026 Revista Monitor

Tatimet sqarojnë disa nga pyetjet kryesore të bizneseve për ligjin e faljes

By: Ornela
16 June 2026 at 09:08

Drejtoria e Tatimeve ka publikuar një informacion me pyetjet më të shpeshta nga bizneset për ligjin e faljes, i cili është në process zbatimi.

 

 

Si dhe kur kryhet pagesa për të përfituar fshirjen 50% apo 25% të principalit dhe gjobave e kamatëvonesave?

Ky konsiderohet përfitim me kusht për detyrimet tatimore të papaguara që i përkasin periudhës 2015–2019:

  1. Për të përfituar nga shuarja e 50% të detyrimit tatimor të papaguar, duhet të paguani me 1 këst të vetëm, nga data 10.06.2026 deri më 30.06.2026, pjesën e mbetur prej 50% të detyrimit principal të papaguar të çdo tatimi përkatës.
  2. Për të përfituar nga shuarja e 25% të principalit të papaguar, duhet të paguani nga data 10.06.2026 deri më 31.12.2026 vlerën e 75% të detyrimit principal të papaguar të çdo tatimi përkatës.

Në të dy rastet e mësipërme, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.

Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk falet detyrimi principal.

⚠ Nuk përfitojnë tatimpaguesit që janë të dënuar me vendim të formës së prerë ose janë në hetim apo proces gjyqësor për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, para ose gjatë zbatimit të ligjit.

Kam gjoba dhe interesa për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, por kam paguar detyrimin principal. A përfitoj nga ligji?

Po, kur detyrimi tatimor (principali) rezulton 0 lekë, falen gjobat dhe kamatëvonesat që i përkasin periudhës deri më 31.12.2024, për çdo lloj tatimi, përfshirë edhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

A falet detyrimi principal për periudhat 2020–2024?

Për periudhat 2020–2024 nuk falet detyrimi principal, por falen gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që tatimi për periudhën përkatëse të paguhet i plotë (100% e principalit) nga data 10.06.2026 deri më 31.12.2026.

Kam një masë bllokimi të llogarive bankare për shkak të mospagesës në kohë të detyrimeve tatimore. Pas kryerjes së procedurave të kompensimit dhe/ose pagesave me kusht, nëse rezultoj pa detyrime, a duhet të bëj kërkesë për zhbllokim të llogarive bankare apo bankat do të njoftohen nga vetë Administrata Tatimore?

Në vijim të zbatimit të procedurave të shuarjes/fshirjes së detyrimeve tatimore të papaguara, Administrata Tatimore do të identifikojë periodikisht tatimpaguesit që rezultojnë pa detyrime tatimore dhe do të procedojë me heqjen e masave shtrënguese, përfshirë zhbllokimin e llogarive bankare.

Megjithatë, me qëllim përshpejtimin e procedurës administrative, tatimpaguesi mund të paraqesë një kërkesë për heqjen e masave shtrënguese përmes sistemit e-Filing, pasi të ketë verifikuar se nuk rezulton me detyrime tatimore të papaguara. Paraqitja e kërkesës mundëson shqyrtimin në kohë të situatës tatimore dhe ndërmarrjen e veprimeve përkatëse për heqjen e masave të vendosura.

Kam një vendim gjyqësor të formës së prerë, i cili është në favor të Administratës Tatimore dhe unë, si tatimpagues, kam ushtruar të drejtën e rekursit. Si kryhet procedura e heqjes dorë nga rekursi? Cilat janë veprimet që duhet të kryej për t’u tërhequr?

Referuar ligjit, nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve tatimore tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore për të cilat ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të Administratës Tatimore, sipas legjislacionit në fuqi.

Tatimet fillojnë pagesat për përfitimin nga falja me kusht e detyrimeve tatimore

Tatimet: Afat deri më 30 qershor 2026 për deklaratat e padorëzuara, përfitohet falja e gjobave

The post Tatimet sqarojnë disa nga pyetjet kryesore të bizneseve për ligjin e faljes appeared first on Revista Monitor.

Received — 13 June 2026 Revista Monitor

Nafta zbret në 183 lek/litër

By: Ornela
13 June 2026 at 12:09

Çmimi i naftës është ulet dhe me 5 lekë/litër gjatë ditës së sotme.

Bordi i Transparencës njoftoi se në datë 13 Qershor 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 183 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 171 lekë/litër.
✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 170 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 158 lekë/litër.
🗓Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 13 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
⚠Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
🛢 Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Gazoili për peshkim – çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, ne nenin Neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: …“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit.  Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” te Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizes i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjise së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 88 lekë.

The post Nafta zbret në 183 lek/litër appeared first on Revista Monitor.

Received — 12 June 2026 Revista Monitor

Pastrimi i parave dhe turizmi çojnë euron në një tjetër nivel minimal rekord; Si ra 31% nga 2016-a

By: Ornela
12 June 2026 at 14:49

Euro ka shënuar një tjetër nënçmim gjatë ditës së sotme në tregun e brendshëm valutor, duke zbritur për herë të parë nën 95 lekë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 94.96 lekë, ose -0.09 lekë më pak se një ditë më parë.

Për periudhën nga 1 janar deri në 12 qershor, euro është këmbyer mesatarisht me 95.95 lekë, me një rënie prej në 1.4% në krahasim me 97.3 që ishte për vitin 2025.

Teksa rënia e monedhës së përbashkët ka nisur që nga viti 2016, nënçmimi ka qenë më i fortë që nga 2023-shi.

Në 2015-n, një euro u këmbye mesatarisht me 139.7 lekë, teksa monedha e përbashkët ishte luhatur në kufijtë mes 138-140 lekëve për gjashtë vite radhazi.

Në 2016-n, euro dha sinjalet e para të rënies, që në atë kohë ekspertët e lidhën me dy faktorë. Së pari, kultivimin masiv të kanabisit në vend dhe së dyti orientimin e investimeve dhe një pjesë të këtij fluksi të parave nga tregtimet e paligjshme drejt ndërtimit.

Euro nisi të zbriste gradualisht, për të arritur në gati 119 lekë në vitin 2022.

Nga viti 2023, rënia ishte dhe më e fortë, me monedhën e përbashkët që u nënçmua me 10 lekë brenda vitit, rënia më e madhe vjetore historike, duke zbritur në 108.75 lekë. Me ritme të larta ishte nënçmimi dhe në 2024-n, me -8.1 lekë. Në 2025-n dhe pjesën e parë të 2026-s, nënçmimi i euros ka vijuar, ndonëse me ritme më të ngadalta (shiko grafikun).

Në krahasim me vitin 2015, përpara se të niste rënia e fortë, monedha e përbashkët është zhvlerësuar me gati 44 lekë, ose 31%.

Aktorët e tregut pohojnë se përshpejtimi i nënçmimit të euros nga viti 2023 lidhet me dy faktorë kryesorë:

Së pari, ndërtimi mori përmasa më të mëdha gjatë viteve të fundit, e konstatuar kjo dhe nga niveli i lartë i sipërfaqes së lejeve që u dhanë për ndërtim për banesa, që arritën rekordin prej gati 2 milionë metra katror në 2024-n.

Tirana pritet të ketë një bum tjetër ndërtimesh, sipërfaqja e lejeve arrin rekord 1.9 mln m² në 2024

Ndërtimi rezulton të jetë përdorur si një mjet për pastrimin e parave, nisur nga fakti që pas vitit 2016 në treg u futën shumë kompani ndërtimi që nuk justifikonin burimet e të ardhurave, një temë që u trajtua gjerësisht nga Monitor që në vitin 2018.

Firma me xhiro “zero” po ndërtojnë pallate milionëshe në Tiranë

Si paratë e krimit po zhvlerësojnë kursimet e shqiptarëve

Kjo po vërtetohet dhe zyrtarisht. Vetëm sot SPAK ka goditur një nga organizatat më të mëdha kriminale në Shqipëri, duke lëshuar masë sigurie për 20 persona të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe në pastrimin e parave. Ky rrjet i strukturuar siguronte fitime miliona euroshe nga shitja e lëndëve narkotike në Europë dhe më pas i investonte ato në ekonominë shqiptare, me fokus të veçantë në sektorin e ndërtimit.

Përmes biznesmenëve dhe eksponentëve të përfshirë, organizata kishte arritur të siguronte tendera me vlera të larta dhe leje për ndërtimin e kullave dhe resorteve luksoze, kryesisht në bregdetin e jugut të vendit. Si rezultat i aksionit, 15 prej të dyshuarve u lanë në arrest me burg, ndërsa 5 të tjerë në arrest shtëpie, përfshirë edhe emra që operonin nga jashtë shtetit apo që zotëronin kompani që përdoreshin si mbulesë. Krahas arrestimeve, autoritetet kanë sekuestruar miliona euro pasuri të bazuara mbi këto investime në ndërtim dhe resorte të reja.

Edhe Agjencia e Inteligjencës Financiare ka cituar shpesh në raportet e saj ndërtimin, si sektor me risk të lartë ku mund të pastrohen paratë.

Pastrimi i parave, si po i ndikon çmimet e pasurive të paluajtshme “kapitali në hije”

Ndonëse INSTAT nuk e raporton më të plotë sipërfaqen e lejeve të ndërtimit, pasi për ndërtesat mbi 7 kate lejet jepen nga Këshilli Kombëtar i territorit, që nuk jep informacion për sipërfaqet, po vetëm për lejet, ritmi i tyre pritet të jetë edhe më i lartë, bazuar në të ardhurat që po arkëtohet në buxhet nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë.

Katërfishimi i të ardhurave nga taksa lokale zbulon përmasat e frikshme që po merr ndërtimi

Sipërfaqja e lejeve rritet me 12.5%, përmasat reale janë më masive; Priten mbi 3.7 mld euro ndërtime

Së dyti, një tjetër faktor i rëndësishëm janë turistët, të cilit po sjellin gjithnjë e më shumë valutë, teksa vendi është kthyer në një destinacion turistik. Banka e Shqipërisë raportoi në bilancin e pagesave se vetëm në tre muajt e parë të vitit, shpenzimet e të huajve që kanë udhëtuar në Shqipëri arritën në total 1 miliard e 4 milionë euro, ndërsa gjatë 2025-s, shpenzimet totale i kaluan 5 miliardë euro.

Aktorët e tregut pohojnë se pikërisht kombinimi i këtyre dy faktorëve vitet e fundit ka ndikuar në rënien e euros në nivelin më ulur historik.

Të huajt shpenzuan më shumë se 1 miliard euro në Shqipëri për tremujorin e parë

Burimi: BSH

Burimi: BSH

The post Pastrimi i parave dhe turizmi çojnë euron në një tjetër nivel minimal rekord; Si ra 31% nga 2016-a appeared first on Revista Monitor.

Received — 7 June 2026 Revista Monitor

Kosova voton sot, për herë të tretë brenda 18 muajsh

By: Ornela
7 June 2026 at 09:01

Nga Prishtina, Fatos Shala

Kosova voton sot në zgjedhjet parlamentare, të tretat brenda 18 muajsh. Qytetarët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të parakohshme, më shumë se dy milionë shtetas të Kosovës do të kenë mundësinë që t’u kthehen kutive të votimit të dielën.

Zgjedhjet e reja po mbahen pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin brenda afateve kushtetuese. Për qytetarët është hera e tretë brenda më pak se një viti e gjysmë që dalin për zgjedhje parlamentare.

Në garën e 7 qershorit marrin pjesë 22 parti politike dhe tri koalicione parazgjedhore.

Lëvizja Vetëvendosje hyn në zgjedhje në koalicion me tri subjekte të vogla – Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane – ndërsa tri partitë kryesore opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, garojnë të vetme.

Ekipet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve veçse e kanë shpërndarë materialin zgjedhor të shtunën në mëngjes. Bartja u bë nën masa të rrepta sigurie.

Kryesuesi i KQZ, Kreshnik Radoniqi, ka votuar qysh në hapje të vendvotimeve, e pas hedhjes së votës ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta ushtrojnë të gjithë të drejtën për të votuar.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje këshillave të vendvotimit dhe ekipeve të numërimit, që të respektojnë ligjin dhe rregullat e KQZ-së gjatë procesit.

“Për këtë ditë KQZ-ja ka qenë e angazhuar që nga shpallja e ditës së zgjedhjeve për përgatitjet dhe të gjitha përgatitjet gati kanë përfunduar. Pas kësaj dite fillon edhe numërimi në të gjitha qendrat komunale të numërimit. Në ora 7 ka filluar procesi zgjedhor dhe besoj se në të gjithë territorin ka filluar procesi në orën 7”, ka thënë ai për mediat.

Radoniqi ka thënë se për personat që nuk dinë shkrim-lexim nuk kanë ndryshuar rregullat nga zgjedhjet e kaluara. Vitin e kaluar ka pasur ankesa nga këta qytetarë të cilëve nuk u lejohet asistenca në kutitë e votimit.

Kurse, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se materiali është shpërndarë në të 38 komunat.

“Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm (të shtunën), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë shpërndarjen e materialeve zgjedhore, përfshirë fletëvotimet dhe materialet e tjera të ndjeshme zgjedhore, siç janë listat përfundimtare të votuesve dhe vulat”, ka thënë ai.

Me vendim të KQZ-së, për zgjedhjet e së dielës janë shtypur 1 milion e 778 mijë e 300 fletëvotime, prej të cilave 1 milion e 605 mijë janë të destinuara për votim të rregullt, 19 mijë e 450 për votim me kusht, 13 mijë e 500 fletëvotime rezervë, si dhe 3 mijë e 500 për votimin e personave me nevoja të veçanta.

Fletëvotimet dhe materialet e tjera që janë vendosur në qendrat komunale të numërimit në secilën komunë, do të shpërndahen në secilën qendër votimi e vendvotim të dielën para orës 7 të mëngjesit, kur nis votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Janë 949 qendra të votimit, me gjithsej 2.550 vendvotime në të gjithë Kosovën.

“Gjatë mëngjesit të ditës së diel do të shpërndahen për në qendrat e votimit, të cilat do të hapen në orën 07:00, për të filluar procesin e votimit. Dorëzimi i materialeve nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve në Qendrat Komunale është bërë si zakonisht në përcjellje të Policisë së Kosovës dhe natyrisht se ruajtja e tyre do të bëhet nga zyrtarët policorë”.

Një ditë para zgjedhjeve, autoritetet e sigurisë kanë bërë të ditura masat e ndërmarra, në mbështetje të zhvillimit të sigurt të procesit të zgjedhjeve të parakohshme. Organi i akuzës ka aktivizuar rreth 100 prokurorë, ndërkaq policë janë angazhuar shumëfish më shumë. Por, në një komunikatë të përbashkët të Policisë dhe Zyrës së Kryeprokurorit, është alarmuar për ndërhyrjet nga jashtë.

I gjithë procesi zgjedhor i së dielës do të monitorohet nga rreth 16 mijë e 600 vëzhgues të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Koalicioni i organizatave qeveritare, “Demokracia në Veprim” do t’i ketë në terren 550 vëzhgues. Eugen Cakolli nga ky koalicion, ka thënë se përveç vëzhguesve, do të jetë edhe një ekip me rreth 100 persona për përpunimin dhe analizimin e të dhënave, mbi të cilat do të raportohet gjatë ditës.

Për organizimin e këtij procesi, Qeveria në detyrë e Kosovës miratoi kërkesën e KQZ-së për ndarjen e rreth 10.9 milionë eurove. Për krahasim, zgjedhjet e dhjetorit kishin një buxhet të planifikuar prej 11.5 milionë eurosh, ndërsa shpenzimet reale, sipas raporteve të KQZ-së, arritën në rreth 7.4 milionë.

Zgjedhjet e 7 qershorit po mbahen pasi Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk arriti ta zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues. E ai Kuvend doli pasi prej zgjedhjeve të rregullta të shkurtit 2025, Kuvendi nuk arriti ta zgjidhte Qeverinë e re. 7 qershori e vë Kosovën mes dy opsionesh, zgjidhje për tri institucionet ose vazhdim të krizës.

 

 

 

The post Kosova voton sot, për herë të tretë brenda 18 muajsh appeared first on Revista Monitor.

Received — 6 June 2026 Revista Monitor

Nafta ulet me 2 lekë për litër

By: Ornela
6 June 2026 at 12:51

Çmimi i naftës është ulur sot me dy lekë për litër.

Bordi i Transparencës njofyoi se në datë 6 Qershor 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:

✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 190 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 178 lekë/litër.

✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 173 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 161 lekë/litër.

🗓Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 6 ora 14.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

⚠Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

🛢 Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

 

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

Gazoili për peshkim – çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, ne nenin Neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: …“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit.  Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” te Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizes i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjise së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 95 lekë.

The post Nafta ulet me 2 lekë për litër appeared first on Revista Monitor.

Received — 5 June 2026 Revista Monitor

Shpallet fituesi i garës për ndërtimin e aksit rrugor Milot–Balldren

By: Ornela
5 June 2026 at 15:43

Ministri i Infrastrukturës dhe i Energjisë Enea Karakaçi ka bërë të ditur në një dalje për mediat se është shpallur fituesi i garës për ndërtimin e aksit rrugor Milot–Balldren. Kompania që ka marrë më shumë pikë në vlerësimin e Komisionit ka rezultuar Salillari me të cilën tashme pritet te lidhet dhe kontrata.

Ministri tha se ky është  një aks i shumëpritur, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, i cili do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve në të gjithë veriun e vendit.

Ky është një aks i rëndësishëm, pjesë e korridorit adriatiko-jonian dhe ndërlidh veriun e Shqipërisë me pjesët e tjera të Shqipërisë. Procedura ka qenë jo e lehtë pasi ka pasur disa tentativa të mëparshme, që nuk kanë rezultuar të suksesshme, tha ministri, por pa thënë emrin e fituesit. Fituesi nuk është i shpallur ende as në sistem.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka tentuar disa herë të japë këtë këtë segment me koncesion por që për arsye të  ndryshme nuk është finalizuar deri tani.

Vlera e koncesionit sipas publikimit të procedurës ishte 364 milionë euro pa TVSH për një kohëzgjatje kontrate 35 vjet.  “Gjurma e propozuar e rrugës “Milot-Balldre” fillon në nyjen e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre” thuhej në dokumentin e MIE për shpalljen e tenderit

 

Projekti i rrugës

Në dokumentet e ministrisë kur u shpall tenderi sqarohet se segmenti ekzistues i rrugës që shërben për drejtimin nga Miloti në Balldre dhe zonat përreth, është me dy drejtime (vajtje-ardhje). Rruga ekzistues ka një gjatësi më të madhe nga propozimi i ri, parametra teknik të lëvizjes në këtë rrugë janë të një niveli shumë të ulët.

Kjo rrugë kalon nëpër qytetin e Lezhës, me trafik shumë të rënduar dhe rrjedhimisht, ka kohë më të gjatë udhëtimi dhe konsum më të madh karburanti etj. Seksionet e rrugës ekzistuese funksionojnë brenda kapacitetit të tyre, por në periudha të ndryshme sidomos gjatë sezonit veror mbingarkohet jashtë kapacitetit, si efekt i frekuentimit të plazheve që ndodhen në këtë zonë (plazhi i Shëngjinit, plazhi i Tales, plazhi i Velipojës) dhe portit të Shëngjinit.

“Sipas parashikimit të kërkesës së trafikut, kapaciteti do të tejkalohet së shpejti, duke rritur numrin e automjeteve në qarkullim, duke sjell pamundësinë e përballimit te këtij kapaciteti nga rruga ekzistuese. Autostrada e re do të shtrihet nga Miloti në Balldre, si vazhdim i autostradës Kashar-ThumanëMilot, duke përmirësuar këtë pjesë nga rrugë kategoria “C” në autostradë të kategorisë “A”.

Aksi Milot-Balldre që parashikohet në këtë studim është i gjatë rreth 17 km. Seksioni i propozuar plotëson karakteristikat e një autostrade të kategorisë A.

Ky aks do të ketë një karrexhatë dyfishe me nga dy korsi, me një ndarëse korsish dhe korsi të emergjencës, bankine, tunel me dy tuba, vepra arti të mëdha mbi lumin Mat dhe lumin Drin, vepra arti të vogla, rrugët paralele të kategisë F2, nyjet në disnivel bashkë me rrugët lidhëse, rrugë alternative pa pagesë të kategorisë “C” në një distancë jo më pak se 1 km nga aksi kryesor, si dhe operimin dhe mirëmbajtjen e Infrastrukturës së Operimit përfshirë kabinat, sistemin e portave të automatizuara për lejimin e hyrje daljeve në Rrugë, sensorët e trafikut dhe elementet e tjera matëse, sistemin elektronik për mbledhjen e Tarifave dhe të monitorimit të trafikut, serverat e nevojshëm për mbajtjen dhe përpunimin e të dhënave të trafikut dhe të arkëtimeve përkatëse, si dhe çdo element tjetër të nevojshëm për realizimin e shërbimit të mundësimit të aksesit në Rrugë të Përdoruesve, arkëtimin e Tarifës, kontrollin e trafikut dhe ofrimin e ndihmës për Përdoruesit, parandalimin e shkeljeve, duke përfshirë reagimin në rast ndërhyrjesh urgjente” thuhet në dokument.

The post Shpallet fituesi i garës për ndërtimin e aksit rrugor Milot–Balldren appeared first on Revista Monitor.

Nafta sot ulet me 3 lekë për litër

By: Ornela
5 June 2026 at 11:13

Pasi e rriti dje me 4 lekë lekë për litër Bordi i Transparencës sot në mbledhjen e radhës vendosi ta ulë me 3 lekë për litër.

Sipas njoftimit zyrtar:

✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 192 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 180 lekë/litër.

✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 172 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 160 lekë/litër.

🗓Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 5 ora 13.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

⚠Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

🛢 Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Gazoili për peshkim – çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, ne nenin Neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: …“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit.  Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” te Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizes i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjise së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 96 lekë.

The post Nafta sot ulet me 3 lekë për litër appeared first on Revista Monitor.

Received — 4 June 2026 Revista Monitor

Miratohet nisja e negociatave për heqjen e roaming me BE, së shpejti tarifa të njëjta kur udhëtoni

By: Ornela
4 June 2026 at 15:56

Këshilli Europian njoftoi sot miratimin e hapjes së negociatave për heqjen e tarifave roaming mes Bashkimit Europian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Vendimi në fjalë i hap rrugën Komisonit Europian për të nisur negociatat individuale me secilin prej shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Heqja e tarifave roaming nënkupton se abonentët e shërbimeve celulare në Shqipëri dhe vendet e tjera të Rajonit do të përdorin numrat e tyre në vendet e Bashkimit Europian me të njëjtat tarifa si në vendin e tyre.

Bashkimi Europian u bë hapësira e parë e përbashkët që vendosi heqjen e tarifave roaming, sipas parimit roam like at home, duke filluar nga muaji qershor 2017. Modeli i Bashkimit Europian u zbatua edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që, me koordinimin dhe ndërmjetësimin e Komisionit Europian, në vitin 2019 ndërmorën një proces të ngjashëm.

Heqja e tarifave roaming mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk ka një afat të përcaktuar kohor dhe ecuria e tij do të varet nga negociatat që do të zhvillohen me secilin vend të rajonit.

Ky proces do të kërkojë edhe ndryshime ligjore në secilin prej këtyre vendeve.

Qeveria shqiptare ka përgatitur disa ndryshime në ligjin “Për komunikimet elektronike”, që, mes të tjerash, do të krijojnë bazën ligjore për rregullimin e roaming mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Pritet që ndryshimet ligjore të miratohen këtë vit.

Tarifat roaming mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nuk janë ligjërisht të rregulluara, por që prej vitit 2023, me ndërmjetësimin e Komisionit Europian, 38 operatorë të shërbimeve celulare të BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor arritën një marrëveshje për uljen e tarifave roaming të internetit.

Nga dy operatorët celularë shqiptarë, vetëm One Albania u bë pjesë e marrëveshjes, por sidoqoftë edhe Vodafone Albania ofron tarifa të ngjashme preferenciale për përdorimin e shërbimeve të kompanive të tjera të grupit Vodafone në BE.

Operatorët që u bënë pjesë e marrëveshjes ranë dakord për vendosjen e një niveli maksimal të çmimit të shitjes me pakicë 18 euro/GB (gigabajt) duke filluar nga 1 tetori 2023, ndërsa që nga fillimi i këtij viti çmimi tavan është ulur në 14 euro/GB.

Marrëveshja parashikon edhe një etapë të tretë, që do t’i ulë çmimet në 9 euro/GB, duke filluar nga viti 2028.

Marrëveshja u ka mundësuar përdoruesve të telefonisë celulare nga Shqipëria çmime më të ulëta të përdorimit të internetit gjatë kohës kur ndodhen në vendet e Bashkimit Europian, si edhe, anasjellas, edhe turistëve të huaj të përdorin internetin me çmime më të lira në Shqipëri.

Përdoruesit e telefonisë celulare të të dyja kompanive celulare shqiptare kanë sidoqoftë në dispozicion paketa komunikimi në roaming me kosto edhe më të ulët, kundrejt një çmimi fiks.

Marrëveshja për uljen e tarifave të internetit në roaming me vendet e BE-së ndoqi marrëveshjen e arritur në vitin 2019, për uljen deri në  heqjen e plotë të tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Prej fundit të qershorit 2021, përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë komunikojnë gjatë udhëtimeve në vendet e tjera të rajonit pa kosto shtesë dhe me të njëjtat tarifa të planit kombëtar përkatës.

 

The post Miratohet nisja e negociatave për heqjen e roaming me BE, së shpejti tarifa të njëjta kur udhëtoni appeared first on Revista Monitor.

Tatimet sqarojnë pyetjet kryesore për paqen fiskale

By: Ornela
4 June 2026 at 15:55

Teksa kanë mbetur edhe dy ditë afat për të përfituar nga marrëveshja e paqes fiskale, tatimet kanë publikuar një material informues, lidhur me pyetjet kryesore që kanë bizneset lidhur me këtë proces.

 

A mund të aplikoj për Paqen Fiskale duke kërkuar vetëm ndryshimin e elementeve të veçanta të pasqyrave financiare?

Aplikimi për Paqen Fiskale kryhet duke konsideruar fillimisht vlerësimin e fitimit të tatueshëm në masën 18% krahasuar me një vit më parë.

Nëse në formularin e aplikimit për Marrëveshjen e Paqes Fiskale, tatimpaguesi ka zgjedhur se do të kryejë rideklarim të pasqyrave financiare, këtij vlerësimi i shtohet edhe ndryshimi i elementeve të veçanta të pasqyrave financiare.

Kam nënshkruar një Marrëveshje të Paqes Fiskale për vitin 2026, në të cilën është dakordësuar rritja e fitimit të tatueshëm në masën 18%. Vitin e ardhshëm, a mund të riaplikoj përsëri duke kërkuar edhe ndryshimin e elementeve të veçanta të pasqyrave financiare?

Aplikimi për ndryshimin e elementeve të veçanta të pasqyrave financiare mund të kryhet vetëm 1 herë dhe vetëm gjatë vitit 2026. Në vitet vijuese mund të aplikohet vetëm për vlerësimin e fitimit të tatueshëm.

Si paguhen këstet e Tatimit mbi të Ardhurat e Korporatave (TAK) apo Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi (TAPB), kur kam nënshkruar Marrëveshjen e Paqes Fiskale për vitin 2026?

Afati për pagesën e kësteve mujore, sipas kalendarit të përcaktuar në marrëveshjen e dakordësuar, është dita e fundit e çdo muaji.

Nëse ndryshoj elementet e veçanta të pasqyrave financiare për vitet 2023, 2024 apo 2025, sipas marrëveshjes së dakordësuar për vitin 2026, a do të më gjenerohen gjoba dhe kamatëvonesa si pasojë e ndryshimit të deklaratave tatimore përkatëse?

Ligji parashikon mosaplikimin e dënimeve administrative. Gjobat dhe kamatëvonesat që mund të gjenerohen në sistem si rezultat i ndryshimit të deklaratave do të trajtohen dhe sistemohen nga Drejtoria Rajonale Tatimore përkatëse.

Nëse në datën 7 qershor kryej aplikimin për Marrëveshjen e Paqes Fiskale për vitin 2026, brenda cilës datë do të më dërgohet drafti i marrëveshjes?

Afati për aplikim për Marrëveshjen e Paqes Fiskale është data 5 qershor 2026. Aplikimet e paraqitura pas kësaj date do të refuzohen dhe nuk do të trajtohen.

Nëse aplikoj dhe dakordësohem për Marrëveshjen e Paqes Fiskale për vlerësimin e fitimit të tatueshëm dhe rritjen e tij me 18%, si do të kryhet shpërndarja, përllogaritja dhe pagesa e kësteve?

Fitimi i tatueshëm llogaritet sipas formulës: fitimi i vitit paraardhës × 1.18.

Rritja prej 18% shpërndahet në këstet paraprake për periudhën e mbetur të vitit, nga qershori deri në dhjetor 2026, si dhe për periudhën janar–mars 2027. Pagesa kryhet në baza mujore, brenda ditës së fundit të çdo muaji.

Gjatë vitit për të cilin kam nënshkruar Marrëveshjen e Paqes Fiskale, a do të monitorohem nga Administrata Tatimore?

Administrata Tatimore ruan të drejtën e monitorimit administrativ nga zyra gjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë së marrëveshjes. Gjithashtu, është detyrë e tatimpaguesit të respektojë dhe të përmbushë detyrimet që lidhen me TVSH-në, tatimin në burim, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, etj.

Kam lidhur një marrëveshje për pagesën me këste të detyrimeve të papaguara, e cila përfundon në dhjetor 2026, dhe i kam paguar rregullisht detyrimet sipas kësaj marrëveshjeje. A mund të aplikoj për Marrëveshjen e Paqes Fiskale 2026?

Një nga kushtet për të përfituar nga Paqja Fiskale është që tatimpaguesi të mos ketë detyrime tatimore të papaguara në momentin e aplikimit. Për rrjedhojë, tatimpaguesi që ka ende detyrime të pashlyera nuk mund të përfitojë nga Paqja Fiskale, edhe nëse për këto detyrime ka lidhur një marrëveshje për pagesën me këste.

Tatimet kujtojnë: Edhe dy ditë për paqen fiskale, dokumentet

 

Vetëm 2 ditë afat për aplikimin e Paqes Fiskale; Tatimet: Nuk do të ketë shtyrje

The post Tatimet sqarojnë pyetjet kryesore për paqen fiskale appeared first on Revista Monitor.

Tatimet kujtojnë: Edhe dy ditë për paqen fiskale, dokumentet

By: Ornela
4 June 2026 at 11:27

Administrata Tatimore ka njoftuar të gjithë tatimpaguesit e regjistruar si person fizik ose entitet se aplikimi për lidhjen e Marrëveshjes së Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026 mund të kryhet online në sistemin “e-filing”, nga data 15.05.2026 deri më 05.06.2026.
Të drejtën për të aplikuar e ka çdo tatimpagues që është subjekt i detyrimit të Tatimit mbi të Ardhurat e Korporatave dhe Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi dhe që plotëson njëkohësisht kushtet e mëposhtme:

  1. ushtron veprimtari ekonomike në Republikën e Shqipërisë;
  2. gjatë vitit tatimor paraardhës ka realizuar të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë;
  3. nuk ka detyrime tatimore të papaguara ose të padeklaruara;
  4. nuk është në proces ankimi administrativ;
  5. nuk është subjekt i procedimeve penale për vepra në fushën tatimore;
  6. nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrim tatimor, pastrim të produkteve të veprës penale ose fshehje të ardhurash;
  7. nuk është subjekt hetimi nga Administrata Tatimore;
  8. nuk realizon projekte koncesionare.

Tatimpaguesit që plotësojnë kushtet e mësipërme paraqesin kërkesën online në sistemin “e-filing”, në rubrikën “Çështjet e mia” – “Pyetje e përgjithshme”, duke vendosur titullin “Aplikim për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” dhe duke ngarkuar dokumentacionin e mëposhtëm:

  1. Formularin e aplikimit të plotësuar (shtojca nr. 1);
  2. Vërtetim për personin juridik, administratorët dhe pronarët përfitues, që nuk janë në proces procedimi penal për vepra penale në fushën tatimore (nga Prokuroria);
  3. Dëshmi penaliteti për personin juridik, administratorët dhe pronarët përfitues, që vërteton se nuk ka vendim të formës së prerë për mashtrim tatimor ose pastrim parash;
  4. Vërtetim që nuk është në proces ankimi administrativ (nga Drejtoria e Apelimit Tatimor);
  5. Vetëdeklarim që nuk realizon projekte koncesionare;
  6. Vetëdeklarim se nuk ka dijeni për procedime penale në fushën tatimore.

Pas verifikimit të kushteve ligjore, sipas Ligjit nr. 84/2025 “Për marrëveshjen e paqes fiskale” dhe udhëzimit përkatës në zbatim të tij, vendimmarrja mbi aplikimin do t’i komunikohet tatimpaguesit në mënyrë elektronike në llogarinë e tij në sistemin “e-filing”, brenda 5 ditëve kalendarike, por jo më vonë se data 10.06.2026.
Brenda 5 ditëve nga komunikimi i vendimmarrjes, por jo më vonë se data 15.06.2026, dokumenti i nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i tatimpaguesit duhet të dorëzohet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, zyrtarisht ose përmes sistemit “e-filing”.
Tatimpaguesit që, në formularin e aplikimit, kanë deklaruar se do të kryejnë rideklarim të pasqyrave financiare për një ose disa vite tatimore, pas lidhjes së marrëveshjes dhe kryerjes së rideklarimeve/korrigjimeve përkatëse, duhet që brenda datës 30.06.2026:

  • Të kryejnë pagesën e tatimit për çdo vit tatimor për të cilin është ndryshuar deklarata tatimore;
  • Të dorëzojnë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore të juridiksionit formularin e aplikimit për rideklarimin e elementeve të veçanta të aktiveve, detyrimeve apo kapitaleve të veta të pasqyrave financiare vjetore, sipas shtojcës nr. 2 të udhëzimit përkatës;
  • Të dorëzojnë pasqyrat financiare të rideklaruara;
  • Të paraqesin çdo sqarim të nevojshëm mbi ndryshimet e reflektuara në zërat e pasqyrave financiare.

Administrata Tatimore njofton se fton të gjithë tatimpaguesit që plotësojnë kushtet ligjore dhe janë të interesuar të përfitojnë nga kjo marrëveshje, të aplikojnë brenda afatit 05.06.2026, pasi aplikimet e paraqitura pas këtij afati nuk do të pranohen.

Shtojca nr.1 Formular aplikimi për Marrëveshjen e Paqes Fiskale

Shtojca nr.2 Formular aplikimi për rideklarimin e pasqyrave financiare

Vetëm 2 ditë afat për aplikimin e Paqes Fiskale; Tatimet: Nuk do të ketë shtyrje

The post Tatimet kujtojnë: Edhe dy ditë për paqen fiskale, dokumentet appeared first on Revista Monitor.

Received — 3 June 2026 Revista Monitor

BERZH ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë, efekt pozitiv nga zhvendosja e turizmit

By: Ornela
3 June 2026 at 17:45

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka ulur lehtë parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë këtë vit. Në raportin e qershorit, ekonomia vendase pritet të rritet me 3.4% këtë vit, me një rishikim në ulje prej 0.1 pikë përqindje në krahasim me vlerësimin e muajit shkurt.

Shqipëria renditet në listën e vendeve ku ushqimet dhe energjia zënë një peshë të rëndësishme në shportën konsumatorë, sidomos ushqimi, që zë rreth 40%, duke e bërë atë të prekshme ndaj presioneve inflacioniste, ndonëse zhvlerësimi i euros ka ndikuar pozitivisht tek çmimet. BERZH parashikon se Shqipëria mund të përfitojë pozitivisht nga zhvendosja e turistëve si rrjedhojë e Luftës.

Sipas raportit, Rritja ekonomike në Shqipëri u ngadalësua nga 4.0% në vitin 2024 në 3.8% në vitin 2025. Administrata publike, pasuritë e paluajtshme, TIK-u dhe ndërtimi ishin nxitësit kryesorë të rritjes, ndërsa industria dhe bujqësia u tkurrën, të ndikuara nga forcimi i lekut, kërkesa e dobët e jashtme dhe rritja e pagave, që rënduan mbi konkurrueshmërinë.

Nga ana e kërkesës, rritja u mbështet nga konsumi qeveritar dhe eksportet e shërbimeve, ndërsa eksportet e mallrave ranë. Deficiti i llogarisë korrente u ngushtua ndjeshëm në 0.7% të PBB-së, i ndihmuar nga turizmi dhe remitancat e forta, ndërsa investimet e huaja direkte mbetën përgjithësisht të pandryshuara dhe të përqendruara në pasuri të paluajtshme dhe ndërmjetësimin financiar. Turizmi mbeti i fortë edhe në tremujorin e parë të vitit 2026, ndërsa konsumi i familjeve vijoi të përfitonte nga rritjet e pagës minimale.

Inflacioni, në 2.6% në mars 2026, ka qëndruar brenda objektivit të bankës qendrore, ndërsa goditjet nga çmimet e karburanteve janë zbutur pjesërisht nga ulja e akcizave dhe kufizimet e çmimeve. Norma bazë e interesit e bankës qendrore ka mbetur e pandryshuar që nga mesi i vitit 2025, në 2.5%.

Deficiti fiskal u rrit në 1.8% të PBB-së në vitin 2025, por mbeti nën pritshmëri, ndërsa borxhi publik ra në 53% të PBB-së në fund të vitit.

Rritja ekonomike pritet të arrijë në 3.4% në vitin 2026 dhe 3.5% në vitin 2027, e mbështetur nga investimet dhe reformat në kuadër të negociatave të anëtarësimit në BE. Presionet mbi konkurrueshmërinë e jashtme, rreziqet klimatike dhe luhatjet e çmimeve të energjisë, të lidhura me konfliktin në Lindjen e Mesme, përbëjnë rreziqe negative. Megjithatë BERZH thotë se këto efekte  mund të zbuten pjesërisht nga zhvendosja e flukseve turistike nga disa vende më pranë konfliktit.

The post BERZH ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë, efekt pozitiv nga zhvendosja e turizmit appeared first on Revista Monitor.

Received — 31 May 2026 Revista Monitor

Tendenca globale e “etheve të vendeve bosh”

By: Ornela
30 May 2026 at 22:02

Mediat amerikane dhe britanike po flasin gjithashtu për një fenomen të ri të quajtur “Blue Dot Fever”, (ethet e vendeve bosh në stadium) që lidhet me rënien e kërkesës për koncerte dhe numrin e madh të vendeve të pambushura në arena, për shkak të çmimeve të larta të biletave dhe kostove të udhëtimit.

Disa nga rastet më të përfolura:

Zayn Malik anuloi të gjitha datat e turneut në SHBA dhe disa koncerte në Britani pas një shtrimi në spital për shkak të një sëmundjeje të paspecifikuar.

LeAnn Rimes shtyu disa koncerte të turneut “30 Years of Blue” për shkak të një “sëmundjeje të rëndë”, që më vonë rezultoi të ishte COVID-19 dhe laringit.

Dolly Parton anuloi koncertin rezidencial në Las Vegas për shkak të problemeve shëndetësore dhe trajtimeve mjekësore.

Colter Wall anuloi pjesën e mbetur të turneut dhe njoftoi një pauzë të pacaktuar nga muzika live duke deklaruar se po përballet me probleme të shëndetit mendor.

Meghan Trainor anuloi turneun “Get in Girl Tour”, zyrtarisht për të balancuar jetën familjare dhe projektet e reja muzikore, megjithëse mediat amerikane spekuluan edhe për shitje të dobëta biletash.

Post Malone shtyu nisjen e turneut të tij për të përfunduar albumin e ri, ndërsa mediat e industrisë përmendën edhe kërkesë më të dobët nga publiku.

The Pussycat Dolls anuluan shumicën e datave të turneut të rikthimit në Amerikën e Veriut. Media amerikane e lidhi këtë me fenomenin e quajtur “Blue Dot Fever”, pra numrin e lartë të biletave të pashitura në Ticketmaster.

Morrissey anuloi disa koncerte gjatë muajve të fundit për shkak të problemeve shëndetësore dhe reagimeve ndaj medikamenteve.

Scorpions anuluan turneun në Indi për shkak të problemeve shëndetësore të anëtarëve të grupit.

HAUSER njoftoi anulimin e të gjitha koncerteve të planifikuara për vitin 2026 për shkak të një problemi shëndetësor që kërkon trajtim të menjëhershëm.

Sipas The Times, fenomeni i “Blue Dot Fever” (vende bosh në stadium) lidhet me pikat blu që tregojnë biletat e pashitura në faqen e platformës së njohur Ticketmaster. Në thelb, kjo do të thotë se nuk ka mjaftueshëm blerës për biletat e këtyre koncerteve, duke i bërë turnetë e artistëve financiarisht të paqëndrueshme.

Edhe artistët shumë të suksesshëm shpesh humbasin para gjatë turneve dhe duhet të gjejnë mënyra për të financuar shfaqjet përtej të ardhurave të drejtpërdrejta nga shitja e biletave.

“The Times” ka vënë në dukje se në natën e parë të turneut të Post Malone, faqja tregonte “pika blu në të gjithë sektorët e sallës”.

Fansat pretenduan se shumë bileta në turneun e Meghan Trainor kishin mbetur të pashitura përpara se ajo ta anulonte, ndërsa edhe “vendimi i dhimbshëm” i Pussycat Dolls është lidhur me shitjet më të ulëta.

Edhe çmimet e biletave janë një problem. Sipas “Fortune”, çmimi mesatar i biletave në SHBA, ku shumë artistë kanë anuluar më së shumti koncerte, është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, nga 115 dollarë (84 paund) vitin e kaluar në 144 dollarë (106 paund) në vitin 2026. Në vitin 2020, ai ishte 82 dollarë (60 paund).

E njëjta prirje vlen edhe në këtë anë të Atlantikut: të dhënat tregojnë se mes viteve 1996 dhe 2025, çmimi mesatar i biletave të koncerteve në Mbretërinë e Bashkuar u rrit me 521%.

Njerëzit thjesht mund të mos jenë të gatshëm ose në gjendje të paguajnë. Dhe nëse mendoni se çmimet e fryra të biletave mund ta kompensojnë këtë mungesë, platforma e të dhënave muzikore AndR pretendon se: “Nga një biletë prej 100 dollarësh [73 paund], artisti përfiton mesatarisht vetëm 8.16 dollarë [6 paund], më pak sesa tarifat që paguhen për shitjen e biletës”.

Për më tepër, rritja e çmimeve të karburanteve pas konfliktit me Iranin do të thotë se turnetë, të cilët varen nga avionët, trenat dhe automjetet për të transportuar artistët nga një vend në tjetrin, po përballen me tkurrje të mëtejshme të fitimeve, që edhe më parë ishin minimale.

Në SHBA, muzikantët po konkurrojnë për të ardhurat e konsumatorëve përballë eventeve të mëdha si Kupa e Botës FIFA 2026, biletat e së cilës janë cilësuar si “zhvatëse”.

 

Edhe Kanye West anulon koncertin në Indi

Kanye West ka anuluar koncertin e tij të parë në Indi, që ishte planifikuar të mbahej më 23 maj në Nju Delhi, vetëm pak ditë para zhvillimit të eventit.

Sipas “The Economic Times”, organizatorët thanë se vendimi u mor pas direktivave të sigurisë nga autoritetet, ndërsa njoftuan se të gjithë blerësit e biletave do të rimbursohen. Edhe “Times of India” raportoi se anulimi lidhej me shqetësimet e sigurisë të ngritura nga qeveria indiane.

Në deklaratën e organizatorëve thuhej se siguria e fansave, artistit dhe publikut mbetej përparësi, sidomos në kushtet e situatës së tensionuar në kryeqytet.

“India Today” shkroi se ky ishte anulimi ose shtyrja e dytë e koncertit të Ye në Indi. Shfaqja ishte planifikuar fillimisht për më herët gjatë vitit, por ishte zhvendosur për shkak të tensioneve gjeopolitike dhe rajonale.

Sipas mediave indiane, koncerti konsiderohej një nga eventet muzikore më të shumëpritura të vitit, ndërsa fansave u është premtuar rimbursim i plotë i biletave. Organizatorët kanë lënë të hapur mundësinë e shtyrjes së koncertit për në muajin tetor.

Sipas Moneycontrol, biletat për koncertin e Kanye West në Nju Delhi kushtonin nga 7,500 rupi indiane deri në 30,000 rupi (rreth 80 deri në 320 euro), pa përfshirë taksat.

Përveç arsyeve zyrtare të sigurisë, në rrjetet sociale pati edhe diskutime se koncerti mund të mos kishte shitur mjaftueshëm bileta. Kjo lidhet me debatin më të gjerë për të ashtuquajturën “Blue Dot Fever”, fenomeni ku shumë vende të pashitura shfaqen si pika blu në hartat e biletave. Megjithatë, shitjet e dobëta nuk janë konfirmuar zyrtarisht si shkak i anulimit.

Anulimi në Indi vjen në një periudhë kur reperi amerikan, i njohur tashmë si Ye, po përballet me vështirësi edhe në vende të tjera. Koncerte apo festivale të lidhura me të janë anuluar ose vënë në diskutim në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Poloni dhe Zvicër, mes polemikave për deklaratat e tij dhe çështjeve të sigurisë, sipas “El Pais”.

The post Tendenca globale e “etheve të vendeve bosh” appeared first on Revista Monitor.

Received — 30 May 2026 Revista Monitor

Nafta ulet edhe me 2 lekë për litêr

By: Ornela
30 May 2026 at 11:12

Ćmini i naftês êshtê ulur sot edhe me dy lekê pér litér, duke zbritur në 185 lekë.

Bordi i Transparencës njoftoi se  në datë 29 Maj 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:

✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 185 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 173 lekë/litër.

✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 173 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 161 lekë/litër.

🗓Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 29 ora 13.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

⚠Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

🛢 Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

 

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

Gazoili për peshkim – çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, ne nenin Neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: …“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit.  Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” te Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizes i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjise së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 90 lekë.

The post Nafta ulet edhe me 2 lekë për litêr appeared first on Revista Monitor.

Tatimet, kompanitë e transportit të aplikojnë për kompensimin e naftës, totali 250 mln lekë

By: Ornela
30 May 2026 at 09:16

Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar se në zbatim të vendimit të Qeverisë, shoqëritë e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës përfitojnë kompensim financiar në masën 50 lekë/litër karburanti për konsumet e periudhës mars–maj 2026.

Vlera totale e kompensimit financiar të parashikuar për këtë masë mbështetëse është 250,000,000 lekë.

Aplikimet paraqiten pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse pas datës 10 të muajit pasardhës.

Afati i fundit për pranimin e kërkesave është data 1 gusht 2026.

Tatimet kanë ftuar subjektet që plotësojnë kriteret të aplikojnë brenda afateve ligjore për të përfituar kompensimin financiar.

Në fillim të majit, Qeveria shqiptare miratoi masën e subvencionimit për sektorin e transportit publik, në një përpjekje për të lehtësuar kostot e operatorëve në një periudhë të karakterizuar nga rritja e çmimeve të hidrokarbureve.

Masa përfshin transportin qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas dhe synon të stabilizojë funksionimin e këtij shërbimi jetik për lëvizjen e qytetarëve.

Sektori i transportit është ndër më të ekspozuarit ndaj luhatjeve të çmimeve të karburanteve, duke ndikuar drejtpërdrejt në strukturën e kostove dhe marzhet e fitimit të operatorëve.

Rritja e vazhdueshme e shpenzimeve operative ka shtuar presionin mbi kompanitë, të cilat në disa raste kanë sinjalizuar nevojën për rishikim të tarifave.

Në prill, operatorët e transportit publik reduktuan ndjeshëm kapacitetin në formë proteste ndaj rritjes së çmimit të naftës, duke detyruar qeverinë që të premtonte kompensimin e tyre.

Bllokohet transporti publik, operatorët drejt reduktimeve të tjera nëse s’marrin kompensim

Rikthehet normaliteti në transport, operatorët do të marrin subvencion për naftën

Shoqatat e transportit, kërkojnë zgjatjen dhe me 3 muaj të periudhës së kompensimit të naftës, letra

Rikthehet normaliteti në transport, operatorët do të marrin subvencion për naftën

The post Tatimet, kompanitë e transportit të aplikojnë për kompensimin e naftës, totali 250 mln lekë appeared first on Revista Monitor.

Received — 27 May 2026 Revista Monitor

Nis rimbursimi për familjet me fëmijë në ngarkim, 34,263 individë përfitues

By: Ornela
27 May 2026 at 21:26

Administrata Tatimore ka njoftuar nisjen e rimbursimit për 34,263 individë që kanë deklaruar 1 ose 2 fëmijë në ngarkim në Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave për vitin 2025 dhe kanë rezultuar me tatim të mbipaguar.

Sipas njoftimit, procesi i rimbursimit bazohet në të dhënat e DIVA 2025 dhe përfshin individët që, pas deklarimit vjetor të të ardhurave personale, kanë rezultuar se kanë paguar më shumë tatim se detyrimi real. Shumat përkatëse do t’u kthehen qytetarëve në llogaritë bankare të deklaruara prej tyre.

Rimbursimi shihet si një lehtësi fiskale për familjet me fëmijë, duke synuar të mbështesë mirëqenien e tyre dhe të kthejë te qytetarët tatimin e mbipaguar. Administrata Tatimore thekson se përfitimi lidhet me deklarimin korrekt të të ardhurave dhe të fëmijëve në ngarkim.

Procesi synon gjithashtu të nxisë deklarimin e saktë dhe të rrisë efikasitetin e administrimit tatimor, duke e bërë sistemin më transparent dhe më të orientuar drejt shërbimit ndaj qytetarëve.

Pagesat do të kryhen për individët përfitues në llogaritë bankare të deklaruara, ndërsa qytetarët që kanë plotësuar saktë deklaratën dhe kanë rezultuar me tatim të mbipaguar do të përfitojnë kthimin e shumës përkatëse.

The post Nis rimbursimi për familjet me fëmijë në ngarkim, 34,263 individë përfitues appeared first on Revista Monitor.

❌