Normal view

Tirana, mes tregjeve më të shtrenjta, qiratë e zyrave në kulla arrijnë deri në 40 euro/m²

30 July 2026 at 06:03

Çmimet e qirave të zyrave në Tiranë po vijojnë të rriten në segmentin premium, ku në disa prej projekteve më të mëdha ato arrijnë deri në 40 euro për metër katror në muaj.

Sipas të dhënave nga tregu i shitblerjes së pasurive të paluajtshme, nivelet më të larta të qirave regjistrohen në godinat e biznesit dhe kullat në zhvillim ose të sapopërfunduara në zonën e qendrës.

Konkretisht sipas të dhënave për Monitor, nga agjencia ndërkombëtare për pasuritë e paluajtshme “Colliers International Albania” në projektet pranë zonës së ish-Sheratonit (në fazë zhvillimi) çmimi maksimal i qirasë për zyra ka arritur 40 euro për metër katror, duke shënuar nivelin më të lartë në Tiranë.

Në komplekset e tjera, si “MET Tirana Building” çmimi ka arritur 33 euro për metër katror. Për 2025 çmimet e qirave për zyra, në këtë godinë varionin 20 deri 30 euro për metër katror. Ndërsa të kulla “Downtown One” çmimi maksimal zbret në 25 euro për metër katror nga 30 euro për metër katror që arriti në 2025.

Agjentët imobiliarë pohojnë se rritje të çmimeve janë shënuar në objektet si “ETC Business Toëer”, “Twin Towers” dhe “Ring Center”.

Stela Dhami nga agjencia imobiliare “Colliers Internacional Albania” thotë se rritja e kostove të ndërtimit, zhvlerësimi i euros, zhvillimet e reja urbane dhe kërkesa për standarde më të larta hapësirash pune janë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në ecurinë e çmimeve në këtë segment të tregut.

Në këto projekte, çmimet e qirasë mbeten më të lartat në treg për shkak të lokacionit, standardeve të ndërtimit, administrimit profesional dhe shërbimeve të përbashkëta që ofrohen, ndërsa një pjesë e tyre vijon të jetë ende në faza ndërtimi apo përfundimi.

Burime nga tregu imobiliar theksojnë se kërkesa për hapësira zyrash moderne mbetet e qëndrueshme, veçanërisht nga kompani që kërkojnë ambiente në godina të reja dhe në zona qendrore biznesi.

Ndërkohë, në pjesën tjetër të tregut të zyrave në Tiranë, qiratë mbeten më të ulëta dhe ndryshojnë sipas zonës dhe cilësisë së objektit, duke mos arritur nivelet e projekteve premium.

Tendenca rritëse e çmimeve për qiratë e zyrave në kulla pritet të sjellë një rritje të çmimit mesatar të qirasë për vitin 2026 për zonën e qendrës.

Në 6 mujori e dytë të 2025, sipas të dhënave të raportit të “Colliers Albania çmimet mesatare të qirave për ambientet e zyrave në zonat qendrore arritën 30 euro duke u barazuar me ato të Barcelonës dhe Pragës, dy tregje të konsoliduara në Europë.

Tirana u rendit jo vetëm ndër qytetet më të shtrenjta në rajon, por edhe më lart se disa qytete të Bashkimit Europian.

Në Tiranë çmimet e qirave tejkaluan kryeqytetet europiane, si: Portugalia që shënon vlera 29 euro apo Budapesti me çmime 25.5 euro dhe Bukureshti me çmime mesatare 20 euro për metër katror në muaj.

Çmimet e qirave për zyra në 2025 ishin më larta edhe sesa kryeqytetet e rajonit. Në zonat qendrore të Beogradit çmimet arritën 18 euro për metër katror në 6-mujorin e parë të 2025-s. Në Zagreb të Kroacisë çmimet janë 17.5 dhe në Sofje të Bullgarisë 16 euro për metër katror në muaj.

Tirana u pozicionua edhe ndër qytetet më të shtrenjta edhe për çmimet e qirave në zonat sekondare. Me një mesatare prej 19 euro për metër katror në muaj, kryeqyteti shqiptar në 2025 tejkaloi disa qytete të rajonit si Beogradi (15 euro), Zagrebi (13 euro) dhe Sofia (11 euro)./ D.Azo

 

https://monitor.al/cmimet-e-qirave-te-zyrave-ne-tirane-barazohen-me-barcelonen-si-po-ndikon-informaliteti/

 

 

The post Tirana, mes tregjeve më të shtrenjta, qiratë e zyrave në kulla arrijnë deri në 40 euro/m² appeared first on Revista Monitor.

e-Albania, shërbimet shtohen, por të moshuarit mbeten jashtë sportelit digjital

30 July 2026 at 06:01

Digjitalizimi i shërbimeve publike po zgjeron me shpejtësi bazën e përdoruesve mes moshave të reja dhe atyre aktive në punë, por po lë gjithnjë e më pas brezat e vjetër, duke thelluar atë që njihet si analfabetizmi digjital.

Të dhënat e fundit të INSTAT mbi shpërndarjen e individëve që ndër- veprojnë me autoritetet publike për shkarkimin apo printimin e formularëve zyrtarë në platformën qeveritare e-Albania, tregojnë për ndasi të fortë të strukturës së përdoruesve, ku grup-mosha mbi 55 vjeç ka peshën më të ulët nga totali i përdoruesve, edhe pse kjo përbën më shumë se 40 për qind të popullsisë së vendit

Gjatë vitit 2025, grup-moshat 25-34 vjeç dhe 35-44 vjeç përbëjnë 51 për qind të totalit të përdoruesve në E-albania në 2025.

Edhe grup-mosha 45-54 vjeç ka ruajtur një qëndrueshmëri të lartë, pasi përbën 23% të përdoruesve, çka tregon se popullsia aktive deri në prag të pensionit po arrin të përshtatet me shërbimet online. Ndërkohë, të rinjtë e moshës 16-24 vjeç mbajnë një peshë konstante prej rreth 15.4% të totalit të përdoruesve.

Shifrat zbulojnë një rënie dramatike të përdorimit të këtyre shërbimeve nga popullsia në prag pensioni dhe ajo pensioniste, duke konfirmuar vështirësitë e mëdha që këto fasha kanë për të përdorur platformat digjitale. Te grup-mosha 55-64 vjeç, pesha në shkarkimin e dokumenteve zyrtare është përgjysmuar brenda vitit, duke rënë nga 16.5% në vitin 2024 në vetëm 7.2% të totalit të përdoruesve në vitin 2025.

Situata mbetet edhe më kritike për të moshuarit e fashës 65-74 vjeç, të cilët përbëjnë vetëm 2.8% përdoruesve të E-albania në 2025. Ndërsa shërbimet bëhen ekskluzivisht online, moshat e vjetra po e gjejnë veten të përjashtuara apo të paafta për të kryer procedurat dhe duke u varur tërësisht nga ndihma e familjarëve ose e palëve të treta shpesh herë me kosto shumë të lartë për të siguruar qoftë edhe një certifikatë.

Me kalimin e plotë të shumë shërbimeve kryesore aplikuese në platformën e-Albania, të moshuarit nuk kanë më zgjedhje alternative. Kur një pjesë e tyre nuk ka mjetet ose njohuritë e mjaftueshme për të naviguar në sistem, ata thjesht nuk janë nga statistikat si përdorues direkte, duke ia deleguar këtë nevojë fëmijëve ose nipërve.

Kalimi drejt identifikimit të sigurt, përmes sistemeve më komplekse të hyrjes ose aplikacioneve celulare shpesh kërkon hapa që për këtë brez janë të ndërlikuar, si përdorimi i kodeve OTP (One-Time Password) nëpërmjet mesazheve ose e-mail-eve, të cilat rrisin barrierën e përdorimit.

Teksa moshat aktive në punë që trajnohen apo përdorin teknologjinë çdo ditë, pensionistët nga ana tjetër përballen me mungesë të pikave të asistencës publike apo kurseve të thjeshtëzuara për moshën e tretë, duke bërë që ritmi i përshtatjes së tyre të mos ndjekë dot përditësimet e platformave qeveritare./B.Hoxha

Burimi: INSTAT

The post e-Albania, shërbimet shtohen, por të moshuarit mbeten jashtë sportelit digjital appeared first on Revista Monitor.

Kredia e ndërmarrjeve shtetërore arrin vlerën më të ulët në pesë vjet

30 July 2026 at 06:00

Portofoli i kredisë së ndërmarrjeve shtetërore ka arritur vlerën më të ulët që prej vitit 2021.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit prill, vlera totale e portofolit për ndërmarrjet publike ishte më pak se 14.8 miliardë lekë, në rënie me 29.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky portofol vazhdon të dominohet nga kredia për sektorin energjetik, që përbën më shumë se 94% të vlerës totale të huasë së ndërmarrjeve publike. Afërsisht 5% e portofolit është kredi për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, kryesisht e ndërmarrjes së Tiranës.

Pjesa e sektorëve të tjerë në huanë e ndërmarrjeve publike është në vlera të papërfillshme.

Huamarrja e ndërmarrjeve shtetërore pranë bankave tregtare është përqendruar historikisht nga kreditë e kompanive të sektorit energjetik, kryesisht Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe ndërmarrjeve të grupit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë.

Në përgjithësi, këto kredi kanë pasur si qëllim kryesor blerjen e energjisë elektrike nga importi. Ato janë të siguruara me garanci sovrane nga qeveria shqiptare.

Megjithatë, një pjesë e madhe e këtyre kredive vitin e kaluar u rifinancuan nëpërmjet një marrëveshjeje me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që dha një hua për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

Kredia është e garantuar nga qeveria shqiptare dhe sipas regjistrit të borxhit kishte një vlerë të mbetur prej 45.75 milionë eurosh në fund të tremujorit të parë të këtij viti.

Projekti ka pasur synim të ristrukturimin e detyrimeve të OSHEE-së, duke i mundësuar kompanisë financimin indirekt të investimeve që klasifikohen si të gjelbra.

Ndërkohë, për shkak të kushteve më të favorshme hidrike, por edhe rënies së ndjeshme të çmimeve të energjisë në tregjet e huaja, nevojat për kredi të reja me qëllim financimin e importeve të energjisë duken të kenë qenë më të ulëta.

Rënia e vlerës së kredisë të ndërmarrjeve publike është ndikuar ndjeshëm edhe nga lëvizjet në kursin e këmbimit. Në pjesën më të madhe, portofoli i kredisë është në Euro dhe rënia e monedhës europiane në kursin e këmbimit me Lekun gjatë viteve të fundit ka ulur edhe vlerën e këtyre kredive.

Sipas të dhënave të raportuara nga Ministria e Financave, në regjistrin e borxhit publik, në fund të tremujorit të parë të këtij viti vlera e kredive të garantuara për kompanitë e sektorit energjetik ishte 6.35 miliardë lekë. Kjo shumë përbëhet gjithsej nga gjashtë kredi, të marrë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, te Raiffeisen Bank, Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe Tirana Bank. Kreditë në fjalë maturohen mes viteve 2026 dhe 2037./ E.Shehu

Burimi: BSH

The post Kredia e ndërmarrjeve shtetërore arrin vlerën më të ulët në pesë vjet appeared first on Revista Monitor.

Sondazhi i NDI-së: Rritet pesimizmi, një në katër qytetarë do të largohet nga Kosova

29 July 2026 at 15:33

Sondazhi i ri i NDI-së tregon se 38 për qind e qytetarëve besojnë se Kosova po shkon në drejtim të gabuar, ndërsa dëshira për emigrim është rritur nga 16 në 28 për qind krahasuar me fundin e vitit 2024. Tendenca është dukshëm më e theksuar te të rinjtë, ku gati gjysma e grupmoshës 18–24 vjeç deklarojnë se do të largoheshin nga vendi po ta kishin mundësinë.

 

NDI Zyra në Kosovë ka bërë një sondazh të ri, i realizuar me 1,200 qytetarë të rritur në gjithë Kosovën, ndërmjet 15 prillit dhe 5 majit 2026, i publikuar sot.

Rezultatet janë përcaktuar në bazë të gjinisë, rajonit dhe moshës, në përputhje me të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024.

Sipas gjetjeve kryesore, qytetarët e Kosovës janë bërë më pesimistë për drejtimin e vendit, ndërsa është rritur ndjeshëm përqindja e atyre që do të largoheshin përgjithmonë po ta kishin mundësinë. Kostoja e jetesës, çmimet e energjisë dhe papunësia paraqiten si shqetësimet kryesore, derisa sigurimi shëndetësor renditet në krye të prioriteteve konkrete të qytetarëve.

Sipas rezultateve, 38 për qind e të anketuarve mendojnë se gjërat në Kosovë po shkojnë në drejtim të gabuar. Vetëm 31 për qind vlerësojnë se vendi është në drejtimin e duhur, ndërsa 27 për qind nuk e shohin situatën as pozitivisht dhe as negativisht.

Krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, kur vetëm 24 për qind mendonin se Kosova po shkonte në drejtim të gabuar, kjo kategori është rritur për 14 pikë përqindjeje. Në të njëjtën periudhë, vlerësimi se vendi po ecën në drejtimin e duhur ka rënë nga 38 në 31 për qind.

Rreth 62 për qind e qytetarëve thonë se do të qëndronin në Kosovë, ndërsa 28 për qind do të zgjidhnin të shpërnguleshin përgjithmonë në një shtet tjetër. Tetë për qind nuk janë të sigurt.

Dëshira për t’u larguar është rritur ndjeshëm krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, kur këtë mundësi e zgjidhnin 16 për qind e qytetarëve. Në anën tjetër, përqindja e atyre që do të qëndronin ka rënë nga 67 në 62 për qind.

Tendenca është më e theksuar te të rinjtë. Rreth 44 për qind e grupmoshës 18–24 vjeç deklarojnë se do të largoheshin nga Kosova, krahasuar me 37.1 për qind të grupmoshës 25–34 vjeç dhe 31.5 për qind të atyre nga 35 deri në 44 vjeç.

Çmimet e mallrave konsiderohen si problemi më i madh për Kosovën gjatë vitit të ardhshëm, të përmendura nga 56.6 për qind e të anketuarve.

Në vendin e dytë janë çmimet dhe furnizimi me energji elektrike me 43.8 për qind, ndërsa papunësia renditet e treta me 40.2 për qind.

Korrupsioni është përmendur nga 18.1 për qind, siguria publike nga 14.7 për qind, dialogu me Serbinë nga 11.2 për qind dhe tensionet ndëretnike nga 7.8 për qind.

Rezultatet tregojnë se shqetësimet ekonomike dhe sociale kanë peshë dukshëm më të madhe sesa temat politike dhe të sigurisë.

Kur janë pyetur se cilat shpenzime janë më të vështira për t’u përballuar nga familjet e tyre, 62.3 për qind kanë përmendur faturat e shërbimeve publike.

Blerja e produkteve ushqimore është problem për 46.9 për qind të familjeve, ndërsa shpenzimet për kujdesin shëndetësor janë përmendur nga 29.8 për qind. Pagesat e kredive dhe borxheve paraqesin vështirësi për 20.8 për qind të të anketuarve.

Sigurimi shëndetësor është çështja më e rëndësishme konkrete për 58.3 për qind të qytetarëve.

Ai pasohet nga shërbimet cilësore në kujdesin parësor shëndetësor me 35.8 për qind dhe mbrojtja e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat me 35 për qind.

Përmirësimi i cilësisë në arsim është prioritet për 25.5 për qind, luftimi i dhunës ndaj grave për 14.2 për qind, pensionet për 12 për qind dhe mungesa e çerdheve për 10.8 për qind.

Pavarësisht pakënaqësive ekonomike dhe politike, 75.3 për qind e qytetarëve deklarojnë se demokracia është gjithmonë më e preferueshme se çdo formë tjetër e qeverisjes.

Megjithatë, 15 për qind mendojnë se në rrethana të caktuara një qeveri autoritare mund të jetë më e preferueshme, ndërsa 5.5 për qind thonë se për njerëzit si ata nuk ka rëndësi nëse regjimi është demokratik apo jodemokratik.

Korrupsioni konsiderohet kërcënimi më i madh për demokracinë nga 41.1 për qind e qytetarëve. Pas tij renditen pabarazia ekonomike me 37 për qind dhe mungesa e llogaridhënies së politikanëve me 33.3 për qind.

Dobësimi i sundimit të ligjit dhe mungesa e besimit në institucione janë përmendur nga nga 26.3 për qind, ndërsa përhapja e informatave të rreme ose mashtruese nga 20.3 për qind.

Duke bashkuar vlerësimet “mirë” dhe “shkëlqyeshëm”, Forca e Sigurisë së Kosovës gëzon nivelin më të lartë të besimit, me rreth 95 për qind. Policia e Kosovës arrin afërsisht 93 për qind, ndërsa KFOR-i rreth 91 për qind.

Institucionet fetare vlerësohen pozitivisht nga rreth 87 për qind, Gjykata Kushtetuese nga 76 për qind dhe pushteti lokal nga rreth 73 për qind.

Në fund të renditjes gjenden partitë politike, me vetëm rreth 40 për qind vlerësime “mirë” ose “shkëlqyeshëm”. Qeveria dhe ekzekutivi arrijnë rreth 53 për qind, ndërsa Kuvendi i Kosovës rreth 52 për qind.

Në një shkallë nga një deri në pesë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë vlerësimin mesatar 4.70, duke u renditur të parat. NATO-ja pason me 4.68, Gjermania me 4.51 dhe Mbretëria e Bashkuar me 4.41.

Bashkimi Evropian dhe Turqia kanë marrë vlerësim të njëjtë prej 4.29. Në fund të listës janë Kina me 1.35 dhe Rusia me 1.14.

Rreth 86 për qind pajtohen se SHBA-ja është mbështetësi më i madh i Kosovës, ndërsa 75 për qind e thonë të njëjtën për Bashkimin Evropian. Gjithashtu, 66 për qind besojnë se Kosova nuk mund t’ia dalë pa mbështetjen amerikane, ndërsa 68 për qind vlerësojnë se vendi nuk mund t’ia dalë pa mbështetjen e BE-së.

Për 64.9 për qind të qytetarëve, prania e më shumë grave mes kandidatëve kryesorë të një partie politike përbën faktor pozitiv në vendimin e tyre për votim.

Ky qëndrim është më i përhapur te gratë, me 73.3 për qind, por mbështetet edhe nga shumica e burrave, me 56.6 për qind. Vetëm 3.4 për qind në nivel të përgjithshëm e konsiderojnë përfaqësimin më të madh të grave si faktor negativ.

The post Sondazhi i NDI-së: Rritet pesimizmi, një në katër qytetarë do të largohet nga Kosova appeared first on Revista Monitor.

Lumenjtë humbasin cilësinë, dy basene zbresin në kategorinë më të ulët të ujërave

29 July 2026 at 14:00

Dy nga gjashtë basenet kryesore lumore në vend u klasifikuan në kategorinë më të ulët të cilësisë së ujërave sipërfaqësore gjatë vitit 2025, ndërsa një tjetër shënoi përkeqësim krahasuar me një vit më parë. Këto janë konkluzionet e Raportit Gjendjes në Mjedis 2025, të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM).

Basenet Ishëm-Erzen dhe Seman renditen në kategorinë “Gjendje e keqe”, ndërsa Shkumbini ka kaluar nga “Gjendje e mirë” në “Gjendje e moderuar”, duke reflektuar ndikimin e vazhdueshëm të shkarkimeve urbane të patrajtuara, aktivitetit industrial dhe presionit nga bujqësia.

Raporti vëren se cilësia e ujërave mbetet përgjithësisht e mirë në burimet dhe rrjedhat e sipërme të lumenjve, por përkeqësohet ndjeshëm në segmentet që kalojnë pranë qendrave të banuara. Sipas AKM-së, ndikimi i shkarkimeve urbane, industriale dhe bujqësore mbetet faktori kryesor që ul klasifikimin e shumë stacioneve të monitorimit.

Përkeqësimi më i theksuar evidentohet në basenin Ishëm-Erzen, i cili klasifikohet në Klasën V – Gjendje e keqe. Raporti identifikon si segmentet më problematike Lumin e Tiranës në stacionet Ura e Kamzës,

Lanabregas dhe Yrshek, si edhe Lumin Ishëm dhe Erzenin në Urën e Beshirit. Në këto pika monitorimi regjistrohen vlera të larta të Nevojës Biokimike për Oksigjen (NBO5), amoniakut dhe lëndëve ushqyese, tregues që sinjalizojnë ndotje të konsiderueshme nga shkarkimet urbane të patrajtuara. Vetë raporti thekson se “afër zonave të banuara impakti i shkarkimeve urbane të cilat derdhen direkt të patrajtuara sjell klasifikim me një ndotje të lartë”.

Edhe baseni i Semanit rezulton në Klasën V – Gjendje e keqe, duke u përkeqësuar krahasuar me vitin 2024, kur ishte klasifikuar në Klasën IV – Gjendje e varfër. Raporti lidh këtë rezultat kryesisht me gjendjen e lumit Gjanica në stacionin Ura e qytetit Fier, ku ndikimi i shkarkimeve urbane dhe industriale shoqërohet me nivele të larta të Nevojës Biokimike për Oksigjen, amoniakut dhe ortofosfateve, tregues të ndotjes së rënduar të ujërave.

Ndërkohë, Shkumbini shënoi përkeqësim gjatë vitit 2025, duke kaluar nga Klasa II – Gjendje e mirë në Klasën III – Gjendje e moderuar. Sipas raportit, ky ndryshim lidhet me përkeqësimin e disa treguesve të cilësisë, megjithëse pjesa më e madhe e parametrave vazhdon të mbetet brenda kufijve të lejuar.

Në anën tjetër, Vjosa dhe Drini vijojnë të ruajnë gjendjen më të mirë mjedisore ndër basenet e monitoruara. Raporti i klasifikon të dy në Klasën II – Gjendje e mirë, me tregues fizikë, kimikë dhe biologjikë që mbeten brenda standardeve të përcaktuara nga Direktivës Kuadër të Bashkimit Evropian për Ujin.

Gjetjet e raportit tregojnë se ndarja mes lumenjve të ruajtur dhe atyre që kalojnë pranë zonave të urbanizuara po bëhet gjithnjë e më e dukshme.

Ndërsa segmentet malore vijojnë të ruajnë cilësi të mirë të ujit, presioni nga shkarkimet e patrajtuara dhe aktivitetet ekonomike po rëndon gjendjen e disa prej baseneve më të mëdha të vendit, duke i larguar ato nga objektivat e kërkuara për arritjen e një statusi të mirë ekologjik.

The post Lumenjtë humbasin cilësinë, dy basene zbresin në kategorinë më të ulët të ujërave appeared first on Revista Monitor.

Agjencitë e reja do të kalojnë në filtër kostoje para se të krijohen

29 July 2026 at 13:00

Qeveria do të duhet të kryejë një analizë organizative, funksionale dhe buxhetore përpara se të krijojë, bashkojë, ndryshojë ose mbyllë një institucion varësie apo agjenci autonome.

Kërkesa përfshihet në ligjin nr. 63/2026 publikuar së fundmi në Fletoren Zyrtare dhe që hyn në fuqi në muajin gusht, i cili ndryshon kuadrin ligjor për organizimin e administratës shtetërore. Analiza duhet të argumentojë arsyet e ndryshimit institucional, të vlerësojë performancën e strukturës ekzistuese dhe të shqyrtojë format alternative për kryerjen e funksionit.

Në rastet kur propozohet një institucion apo agjenci e re, dokumentacioni duhet të shpjegojë pse funksionet nuk mund të kryhen në mënyrë efektive nga një strukturë e brendshme e ministrisë ose nga një institucion ekzistues.

Analiza duhet të përfshijë edhe ndikimin buxhetor, numrin e punonjësve, rreziqet dhe sfidat e alternativave të shqyrtuara. Departamenti i Administratës Publike do të japë mendim gjatë fazave të shqyrtimit dhe miratimit të ndryshimit institucional.

Ligji vendos gjithashtu kufizime të drejtpërdrejta për krijimin e institucioneve të varësisë. Një institucion i tillë nuk mund të krijohet kur funksioni administrativ mund të kryhet më mirë nga një strukturë e ministrisë ose Kryeministrisë, apo kur realizimi i tij kërkon një numër të vogël punonjësish. Numri minimal do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave.

Institucionet e varësisë mund të financohen nga buxheti i shtetit, tarifat ose të ardhura të tjera të ligjshme. Ligji përcakton se tarifat duhet të miratohen në çdo rast nga Këshilli i Ministrave, ndërsa akti i krijimit duhet të përmbajë mënyrën dhe burimet e financimit.

Ndryshimet kufizojnë edhe rastet kur një institucion mund të vendoset në varësi të Kryeministrit. Kjo lejohet për funksione që mbështesin kompetencat e tij kushtetuese ose për funksione horizontale që nuk i përkasin vetëm një ministrie.

Institucionet në varësi të Kryeministrit nuk duhet të kryejnë drejtpërdrejt zbatimin e ligjit, ofrimin e shërbimeve publike ose zbatimin e politikave që hartohen nga një ministri. Përjashtimi lejohet për sa kohë funksioni konsiderohet prioritet qeverisës sipas programit politik të Këshillit të Ministrave.

Ligji rishkruan edhe statusin e agjencive autonome, duke i lidhur ato me rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregjeve, sektorëve të ekonomisë dhe shërbimeve me interes publik. Ato do të kenë pavarësi funksionale për kompetencat rregullatore, ndërsa aktet e tyre mund të kundërshtohen vetëm në gjykatën kompetente administrative.

 

The post Agjencitë e reja do të kalojnë në filtër kostoje para se të krijohen appeared first on Revista Monitor.

Siguria rrugore, plan për uljen e kufijve të shpejtësisë dhe zgjerimin e kontrollit me kamera

29 July 2026 at 11:00

Qeveria synon të rishikojë kufijtë e shpejtësisë në rrjetin kombëtar dhe njëkohësisht do të zgjerojë monitorimin elektronik të drejtuesve të automjeteve, përmes kamerave dhe sistemeve inteligjente të lidhura me qendrën e kontrollit të trafikut.

Masat janë pjesë e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Rrugore 2026–2030 dhe planit të saj të veprimit publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare. Dokumenti parashikon gjatë periudhës 2027–2029 “vendosjen e kamerave të shpejtësisë dhe sinjalistikës tjetër inteligjente” në pika të përzgjedhura të rrjetit rrugor.

Pajisjet do të përdoren për monitorimin e shpejtësisë dhe do të integrohen me Qendrën e Kontrollit dhe Menaxhimit të Trafikut, sipas planit. Treguesi i përcaktuar për zbatimin e masës është numri i vendndodhjeve ku instalohen kamerat dhe sinjalistika inteligjente.

Autoriteti Rrugor Shqiptar është institucioni përgjegjës për zbatimin, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, strukturat përgjegjëse për transportin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Në të njëjtën periudhë, autoritetet do të rishikojnë edhe kufijtë ekzistues të shpejtësisë. Strategjia kërkon që ato të përshtaten sipas “Qasjes së Sistemit të Sigurt”, duke marrë parasysh karakteristikat e rrugës, mbrojtjen që ofrojnë automjetet dhe aftësinë e trupit të njeriut për të përballuar goditjen gjatë një aksidenti.

Dokumenti parashikon që kufijtë e rinj të lidhen me nivelin e rrezikut në secilin segment, ndërsa masat në zonat urbane do të përfshijnë qetësimin e trafikut dhe ndërhyrje pranë shkollave dhe zonave me lëvizje të lartë të këmbësorëve.

Plani kërkon gjithashtu monitorimin e “përqindjes së automjeteve që udhëtojnë brenda kufirit të shpejtësisë” në kushte trafiku të lirë. Ky tregues do të përdoret për të matur zbatimin e strategjisë dhe për të orientuar kontrollet policore dhe fushatat e sigurisë rrugore.

 

The post Siguria rrugore, plan për uljen e kufijve të shpejtësisë dhe zgjerimin e kontrollit me kamera appeared first on Revista Monitor.

Doganat referojnë në SPAK skemën e dyshuar me dokumente të falsifikuara që prek interesat e BE-së

29 July 2026 at 10:36

Doganat Shqiptare kanë referuar në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, një çështje që lidhet me përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, të paraqitura si të lëshuara nga autoritetet shqiptare, për realizimin e operacioneve fiktive të zhdoganimit dhe eksportit nga vendet e Bashkimit Europian.

“Dogana Shqiptare ka referuar në SPAK një çështje që lidhet me përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, të paraqitura si të lëshuara nga autoritetet shqiptare, për realizimin e operacioneve fiktive të zhdoganimit dhe eksportit nga vendet e Bashkimit Europian,” tha Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja.

Sipas tij, në skemën e dyshuar janë përdorur materiale të ngjashme me ato zyrtare të administratës doganore shqiptare.

“Duke qenë se në këtë skemë janë përdorur materiale të ngjashme me ato zyrtare të administratës doganore shqiptare, çështja është referuar në SPAK,” u shpreh Beja.

Për rastin është njoftuar edhe Zyra Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF.

“Njëkohësisht është njoftuar edhe Zyra Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF, me qëllim hetimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie, e cila cenon kryesisht interesat financiare të Bashkimit Europian,” tha ai.

Beja deklaroi gjithashtu se gjatë kësaj periudhe Dogana Shqiptare ka bërë publike disa raste të goditjes së paligjshmërisë në Portin e Durrësit, Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe në degë të tjera doganore.

Sipas tij, rastet janë evidentuar në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe kanë përfshirë shkelje në fushën doganore, si dhe raste të lidhura me trafikimin e mundshëm të lëndëve narkotike.

“Kemi parandaluar dhe goditur jo vetëm shkeljet në fushën doganore, por edhe raste që lidhen me trafikimin e mundshëm të lëndëve narkotike,” deklaroi ai.

“Në çdo rast janë kryer referimet përkatëse pranë organeve kompetente, si në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, ashtu edhe në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, sipas kompetencës,” shtoi Beja.

 

The post Doganat referojnë në SPAK skemën e dyshuar me dokumente të falsifikuara që prek interesat e BE-së appeared first on Revista Monitor.

Kafeja, gazi, perimet dhe peshku ishin produktet që u shtrenjtuan më shumë në qershor

29 July 2026 at 10:00

Çmimet e pjesës më të rëndësishme të produkteve bazë të konsumit, kafeja, perimet dhe bulmetit u rriten shumë më tepër se mesatarja e përgjithshme e çmimeve në muajin qershor 2026.

Limonët, kafeja e bluar, gazi i lëngshëm dhe vera shënuan rritjet më të forta në krahasim, ndërsa konservat e peshkut, sheqeri dhe birra u shitën më lirë se një vit më parë, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave për çmimet mesatare të konsumit për artikujt kryesore të shportës.

Nga 45 artikujt e analizuar, 28 shënuan rritje të çmimit, ndërsa 16 ulje të çmimit.

 

Limonët u shtrenjtuan me 23.5%, kafeja me 14.6%

Rritjen më të lartë vjetore e shënoi çmimi i limonëve. Një kilogram limonë kushtoi mesatarisht 253.6 lekë në qershor 2026, nga 205.4 lekë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Çmimi u rrit me 48.2 lekë për kilogram, ose 23.5%.

Kafeja e bluar ishte një tjetër produkt me rritje të ndjeshme. Çmimi për 100 gramë arriti në 169.2 lekë, nga 147.6 lekë një vit më parë, me 14.6% rritje.

Gazi i lëngshëm, që u shtrenjtua me 12.4%, si rrjedhojë e ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare nga lufta në Iran. Çmimi mesatar për litër ishte 64.4 lekë muajin e kaluar.

Vera u shtrenjtua me 11.2%. Një shishe 0.75 litra kushtoi mesatarisht 756.9 lekë, nga 680.8 lekë në qershorin e vitit të kaluar, ose 76.1 lekë më shumë.

 

Rritje mbi mesataren e peshkut, kastravecëve dhe specave dhe kosit

 Të dhënat e INSTAT tregojnë se çmimet e prodhimeve të stinës u rriten mbi mesataren e inflacioni 3.2 % në qershor 2026. Çmimi i kastravecëve u rrit me 9.9%, duke arritur në 97.6 lekë për kilogram. Specat u shtrenjtuan me 8%, duke arritur në 137 lekë për kilogram, nga 126.8 lekë një vit më parë.

Peshku i freskët kushtoi mesatarisht 923.1 lekë për kilogram, nga 851.8 lekë në qershor 2025 me rritje 8.4%.

Çmimi i kosit natyral u rrit me 6.9%, duke arritur në 192.5 lekë për kilogram në qershor 2026, ndërsa vezët u shtrenjtuan me 5.2%. Vaji i ullirit u shit mesatarisht me 839.2 lekë për litër, nga 798.9 lekë një vit më parë, duke shënuar rritje me 40.3 lekë ose 5%. Ullinjtë u shtrenjtuan me 4.5%, mollët me 4%, gjiza me 3.8% dhe mishi i derrit me 3.6%.

 

Mishi nuk ndalon rritjen

Në grupin e mishit, rritja më e lartë u regjistrua te mishi i derrit, çmimi i të cilit arriti në 687.1 lekë për kilogram, nga 663.4 lekë në qershor 2025, ose 3.6%.

Mishi i pulës u shtrenjtua me 2.1%, ndërsa mishi i qengjit, dashit dhe kecit kushtoi mesatarisht 2% më shumë se një vit më parë në qershor.

Me të njëjtën normë, prej 2%, u shtrenjtua edhe proshuta, ndërsa kremviçet u rritën me 1.9% dhe sallami me 0.8%. Çmimi i mishit të viçit mbeti i pandryshuar, në 1,235.8 lekë për kilogram.

 

Konservat e peshkut dhe sheqeri me uljen më të fortë

Rënien më të madhe të çmimit e shënuan konservat e peshkut. Çmimi mesatar për 100 gramë zbriti në 164.7 lekë, me një ulje 19.6% nga qershori 2025.

Sheqeri u lirua me 12.9%. Një kilogram kushtoi mesatarisht 90.6 lekë, nga 104 lekë në qershor 2025. Birra shënoi një ulje prej 8.9%, me çmimin mesatar për gjysmë litri dhe zbriti në 158.6 lekë.

Gjalpi u lirua me 3.8%. Çmimi i orizit ra me 3.5%, ndërsa ai i vajit të lulediellit me 2.5%. Rënie pati edhe për makaronat dhe pijet joalkoolike me gaz, me nga 1.8%, qumështin e freskët me 1.3%, patatet me 1.2% dhe portokallet me 1.1%. Djathi i bardhë u lirua me 0.7%, djathi kaçkavall me 0.6% dhe fasulet me 0.5%.

 

Eurodiezeli shtrenjtohet, benzina mbetet e qëndrueshme

Në grupin e karburanteve, eurodiezeli shënoi rritje të çmimit, ndërsa benzina mbeti pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë. Çmimi mesatar i eurodizelit u rrit nga 173.1 lekë në 180.1 lekë për litër, ose me 7 lekë dhe 4%. Benzina kushtoi mesatarisht 172.7 lekë për litër, nga 172.9 lekë në qershor 2025, me një rënie të papërfillshme prej 0.1%.

Çmimet në këtë grup u ndikuan nga lufta në Iran, ku për shkak të bllokimit të ngushticës së Hormuzit furnizimi me naftë i tregjeve globale nga lindja e mesme u vështirësua duke ndikuar në rritjen e çmimeve.



 

The post Kafeja, gazi, perimet dhe peshku ishin produktet që u shtrenjtuan më shumë në qershor appeared first on Revista Monitor.

Me pagën blen gjithmonë e më pak, fuqia blerëse bie me 170 euro nga 2020 në 2026

29 July 2026 at 06:03

Rritja e pagave në Shqipëri vijoi trendin pozitiv në terma nominalë, por kur korrigjohet për inflacionin, paga reale për punonjësit mbetet dukshëm më e ulët.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se hendeku mes pagës nominale dhe asaj reale është zgjeruar ndjeshëm nga viti në vit, duke reflektuar presionin e vazhdueshëm të çmimeve mbi të ardhurat.

Në tremujorin e parë të vitit 2026, paga mesatare mujore bruto arriti në 90,119 lekë, me rritje vjetore 9.6%. Në pesë vite paga nominale u rrit me 60%. Por e njëjta pagë, e matur me fuqinë reale blerëse, rezultoi në tre-mujorin e parë të këtij viti 73,822 lekë me rritje vjetore 7 për qind.

Hendeku ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale arriti në 16,297 lekë më shumë se 170 euro në tremujorin e parë 2026, me një zgjerim rreth 23 % nga e njëjta periudhë e 2025.

Paga reale mesatare mujore bruto është indeksuar me inflacionin (2020=100) nga INSTAT. Kjo do të thotë se me rreth 90 mijë lekë, një shqiptar blen sot të njëjtat mallra që në vitin 2020 i blinte me rreth 73,822 lekë.

Diferenca mes pagës nominale dhe asaj reale ka ndjekur një trajektore rritëse. Në fillim të vitit 2021, hendeku ishte vetëm 1,224 lekë. Ky diferencë u zgjerua ndjeshëm gjatë vitit 2022, duke kaluar mbi 6,600 lekë në fund të vitit, në një periudhë kur ekonomia u përball me rritje të fortë të çmimeve.

Në vitin 2023 dhe 2024, ndonëse pagat vijuan të rriten, edhe inflacioni mbeti një faktor i rëndësishëm, duke bërë që diferenca të thellohet më tej. Kulmi i këtij hendeku arriti këtë vit, pasi në tremujorin e parë të 2026, diferenca mes pagës nominale dhe reale arriti në 16,297 lekë, niveli më i lartë i regjistruar.

Ky zhvillim sugjeron se pagat po rriten, por fuqia për të blerë mallra dhe shërbime nuk po ndjek të njëjtin ritëm.

Duket se rritja e pagave në vetvete është bërë shkak për rritjen e çmimeve. Politika e pagave si në sektorin publik dhe atë privat nuk është mbështetur nga faktorët e produktivitetit por nga presionet në tregun e punës dhe nga emigrimi i fortë i punonjësve.

Rritja e pagave ka ushtruar presion për rritjen e konsumit në kohë që prodhimi vendas nuk ka ndjekur të njëjtin trend, duke u bërë shkak për inflacion.

Në këto zhvillime po goditen rëndë pensionistët ndaj të cilëve nuk ushtrohen politika të tjera përveç indeksimeve me inflacionin mesatar./ B.Hoxha

Burimi: INSTAT

The post Me pagën blen gjithmonë e më pak, fuqia blerëse bie me 170 euro nga 2020 në 2026 appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria, më e shtrenjtë se Europa edhe për veshjet

29 July 2026 at 06:01

Çmimet e veshjeve në Shqipëri kanë hyrë në një fazë të re shtrenjtimi, pasi sipas të dhënave të Eurostat vitin e kaluar ato kaluan mesataren e BE-së. Çmimet e veshjeve në vendin tonë ishin 5,5 për qind më të larta se mesatarja e BE-së vitin e kaluar.

Indeksi i çmimeve të veshjeve sipas fuqisë blerëse në vendin tonë shënoi 105.2 për qind në raport me mesataren BE=100. Me këtë rritje Shqipëria renditet ndër 11 vendet e Europës me çmimet me të larta te veshjeve sipas fuqisë blerëse.

Më të shtrenjta se Shqipëria janë vetëm vendet shumë të zhvilluara të tilla si Zvicra, Irlanda, Danimarka, Suedia, Finlanda, Norvegjia, etj. Një bluzë, një pallto që dikur konsideroheshin relativisht të lira në raport me Europën, tashmë po tejkalojnë çmimet e tregjeve më të zhvilluara.

Shqipëria ka kaluar nga një nivel çmimesh dukshëm më i ulët drejt një konvergjence të shpejtë. Rreth katër vite më parë, indeksi për veshjet ishte afërsisht në nivelin 96.5% e mesatares se BE-së.

Më pas, ato ranë edhe më poshtë në rreth 90.7 në vitin 2023. Në vitet pasuese, trendi u përmbys me shpejtësi. Indeksi u rikthye në 105.2 në 2025.

Të dhënat tregojnë se brenda një viti Shqipëria ka kaluar nga një treg relativisht i lirë për veshjet në një treg ku çmimet jo vetëm janë barazuar me mesataren e BE-së, por e kanë tejkaluar atë.

Sipas renditjes se Eurostat Shqipëria është nga më të shtrenjtat e Ballkanit dhe Europës për veshjet. Tradicionalisht, Mali i Zi ka pasur çmimet më të larta në rajon, ndërsa Maqedonia e Veriut më të ulëtat.

Para 10 vitesh Shqipëria ka qenë në pozicion te favorshëm me rreth 50% te mesatares se BE, por në vitet e fundit është zhvendosur, duke u bërë më e shtrenjta në Rajon më 2025, por edhe nga më të shtrenjtat në Europë.

Shqipëria nuk është prodhuese e veshjeve për tregun vendas, teksa shumica e mallrave vijnë nga jashtë. Krizave globale të viteve të fundit i ndikoi zingjirët e furnizimit të cilët ende nuk janë kthyer plotësisht në normalitet.

Gjithashtu ritja e të ardhurave të disponueshme në një segment të caktuar të popullsisë dhe ndryshimi i sjelljes së konsumatorit kanë nxitur një kërkesë më të lartë për marka dhe produkte me cilësi e çmim më të lartë.

Ndërkohë edhe kostot e brendshme janë rritur, si qiratë e dyqaneve, pagat, duke bërë që një pjesë e këtyre shpenzimeve të përfshihen në çmimet fundore.

Ndërsa Shqipëria afrohet ekonomikisht me Europën, çmimet po priren të barazohen më shpejt se të ardhurat. / B.Hoxha

Shqipëria shtrenjtohet më tej në 2025, çmimet e ushqimeve e kalojnë për herë të parë mesataren e BE

Nafta në Shqipëri kushton 10.5% më shumë se mesatarja europiane

Shqipëria e treta në Europë për çmimet e larta të bulmetit, 35.6% më shumë se mesatarja në 2025

Nga qumështi tek elektroshtëpiaket e nafta, produktet që i paguam më shtrenjtë se Europa në 2025-n

The post Shqipëria, më e shtrenjtë se Europa edhe për veshjet appeared first on Revista Monitor.

Depozitimet e parave në ATM u rritën me 125% në tremujorin e parë të vitit

29 July 2026 at 06:00

Depozitimi automatik i parasë në bankomate u rrit përsëri me ritme të shpejta në 3-mujorin e parë të vitit.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar-mars të këtij viti u regjistruan gjithsej 676 mijë depozitime të parasë cash në ATM. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë, numri i depozitimeve është rritur me 125%.

Vlera totale e depozitimeve për 3-mujorin e parë ka arritur në 33.4 miliardë lekë, në rritje me 146% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Edhe vitin e kaluar depozitimet e parasë cash në ATM shënuan një rritje të fortë, duke dëshmuar një tendencë drejt automatizimit edhe në shërbimet bankare që lidhen me paranë cash.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për vitin 2025 klientët e sistemit bankar kryen pothuajse 2.2 milionë depozitime të parasë në pajisjet ATM. Numri i depozitimeve u rrit me 109% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa vlera totale e depozitimeve arriti në 104.8 miliardë lekë, me një rritje prej gati 110% krahasuar me një vit më parë.

Edhe numri i bankomateve me funksionin depozitimit të parasë fizike po vazhdon të rritet, duke dëshmuar shtimin e investimeve për të automatizuar ofrimin e shërbimeve bankare.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i pajisjeve ATM që mundësojnë depozitimin e parasë cash në fund të marsit 2026 arriti në 454, nga 430 që ishte në fund të vitit të kaluar dhe 408 që kishte qenë në fund të tremujorit të parë të vitit të kaluar.

Rreth 40% e numrit të përgjithshëm të ATM-ve në vend ofrojnë shërbimin e depozitimit të parasë cash.

Sidomos duke pasur parasysh nivelin ende të lartë të përdorimit të parasë cash në transaksionet ekonomike në vendin tonë, shtimi i ATM-ve me funksion depozitimin e parasë ndihmon në lehtësimin e ofrimit të shërbimeve bankare dhe përdorimin e stafit njerëzor të bankave vetëm për ato raste ku ofrimi i shërbimit prej tyre është i domosdoshëm.

Përdorimi i teknologjive që i automatizojnë proceset e thjeshta operacionale është, mes të tjerash, edhe një mënyrë për të rritur eficiencën e bankave dhe për t’i angazhuar burimet njerëzore në procese më komplekse.

Në fund të muajit mars 2026, sektori bankar shqiptar ofronte gjithsej shërbim nëpërmjet 1147 ATM-ve aktive, në rritje me 8% krahasuar me një vit më parë.

Në vitet e fundit, rritja është nxitur sidomos nga ATM-të e vendosura në zonat turistike të vendit, që kanë si qëllim kryesisht ofrimin e shërbimit të tërheqjes së parasë cash për turistët e huaj.

Këto ATM zakonisht nuk ofrohen direkt nga bankat, por operohen sipas një modeli biznesi në partneritet me biznese të tjera, që zakonisht janë kompanitë që tregtojnë pajisjet ATM-të.

Në këtë partneritet, banka ofron infrastrukturën bazë të pagesave, pra, sistemin, kontabilizimin dhe paranë cash. Ndërkohë, institucionet financiare ofrojnë pajisjen ATM dhe mbulojnë kostot operacionale, si transportin, rimbushjen, siguracionin e parasë, si edhe mbajnë marrëdhëniet me bizneset për qiratë e vendosjes së ATM-ve, etj. Në fund, të ardhurat ndahen në bazë të kostove të secilës palë./ E.Shehu

 

The post Depozitimet e parave në ATM u rritën me 125% në tremujorin e parë të vitit appeared first on Revista Monitor.

Received — 28 July 2026 Revista Monitor

Alarm për blegtorinë në Kosovë: Konfirmohen raste të lisë së dhenve dhe dhive në katër komuna

28 July 2026 at 15:44

Janë konfirmuar raste të lisë së dhenve dhe dhive në katër komuna të Kosovës, duke ngritur shqetësime për përhapjen e sëmundjes në fermat blegtorale. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u ka bërë thirrje fermerëve që të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë.

 

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u ka bërë thirrje të gjithë fermerëve që mbajnë dele dhe dhi të rrisin vigjilencën dhe të zbatojnë masat e biosigurisë, pas konfirmimit të disa rasteve të sëmundjes Lija e Dhenve dhe Dhive (Sheep and Goat Pox) në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe Viti.

Sipas AUV-së, ekziston rreziku i përhapjes së mëtejshme të sëmundjes, prandaj fermerët duhet të respektojnë me përpikëri rekomandimet për parandalimin e saj.

Agjencia u ka kërkuar fermerëve që të mos lëvizin delet dhe dhitë nga fermat pa autorizimin e veterinerit zyrtar, të kufizojnë hyrjen e personave dhe automjeteve të paautorizuara në fermë, si dhe të shmangin kontaktin e kafshëve me tufat e fermave të tjera.

Po ashtu, AUV rekomandon pastrimin dhe dezinfektimin e rregullt të objekteve, pajisjeve dhe mjeteve të transportit, mbajtjen në izolim të kafshëve të sapoblera për një periudhë vëzhgimi dhe kontrollin e përditshëm të gjendjes shëndetësore të tufave.

Fermerët janë udhëzuar që në rast se vërejnë shenja si temperaturë të lartë, puçrra ose plagë në lëkurë, gojë, hundë apo gjinj, rrjedhje nga sytë ose hunda, mungesë oreksi, dobësi apo ngordhje, të njoftojnë menjëherë veterinerin privat ose inspektorët e AUV-së.

Agjencia ka theksuar se fermerët nuk duhet të tentojnë t’i trajtojnë apo t’i lëvizin kafshët e dyshuara pa udhëzimet e autoriteteve veterinare.

AUV thekson se bashkëpunimi i fermerëve është thelbësor për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe për të mbrojtur tufat në të gjithë vendin.

Sipas njoftimit, Lija e Dhenve dhe Dhive nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik, por është një sëmundje me ndikim ekonomik që mund të shkaktojë humbje të konsiderueshme për fermerët dhe sektorin blegtoral në vend.

Bashkëpunimi i fermerëve është vendimtar për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe për të mbrojtur tufat në të gjithë vendin. Lija e dhenve dhe lija e dhive nuk është sëmundje që transmetohet tek njerëzit, nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. Është sëmundje e karakterit ekonomik e cila shkakton humbje për ekonominë e fermerëve dhe të shtetit”.

The post Alarm për blegtorinë në Kosovë: Konfirmohen raste të lisë së dhenve dhe dhive në katër komuna appeared first on Revista Monitor.

Uji i Tragjasit për strategjikët, shpallet fituesi për fazën 4 të studim-projektimit

28 July 2026 at 14:56

Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka shpallur kompaninë fituese për procedurën e studim-projektimit të fazës së katërt të furnizimit me ujë të zonave bregdetare Draleos, Drimadhë dhe Dhërmi.

Kompania paraqiti një ofertë prej 18.2 milionë lekësh pa TVSH që përbën 87.5 për qind të fondit limit prej 20.8 milionë lekësh. Procedura nuk lidhet ende me ndërtimin e veprës, por me hartimin e projektit teknik që do të përcaktojë vazhdimin e linjës së transmetimit, rrjetin e shpërndarjes, depot e reja dhe veprat mbështetëse për zonën.

Faza IV vijon tri fazat e mëparshme të projektit, të cilat kanë marrë ujin nga burimi i Izvorit në Tragjas dhe kanë ndërtuar linjën e transmetimit deri në dalje të tunelit të Llogarasë. Sipas detyrës së projektimit, janë realizuar linjat TM 01, TM 02, TM 03 dhe TM 04, vepra e marrjes, stacionet e pompimit në Izvor dhe Dukat, si dhe strukturat për shuarjen e presionit përgjatë sistemit.

Kontrata e re duhet të japë zgjidhjen për shtrirjen e mëtejshme të ujit drejt Draleosit në Palasë, Drimadhës dhe Dhërmiut. Dokumenti kërkon që projektuesi të vlerësojë rrjetin dhe depot ekzistuese, t’i integrojë ato me një rrjet të ri shpërndarës dhe të përcaktojë nevojën për rezervuarë shtesë në secilën zonë.

Territori i përfshirë në projekt përkon me zonën Draleos–Drimadhë–Dhërmi, të shpallur si zonë investimesh strategjike për zhvillimin e turizmit ku në fakt janë zhvilluar disa nga ndërtimet rezidenciale me vila. Në dokumentacion, vazhdimi i linjës së transmetimit lidhet shprehimisht me mbulimin me ujë të “zonave të zhvillimit strategjik”.

Projekti duhet të marrë në konsideratë zgjerimin urban, rritjen e turizmit dhe nevojat e komuniteteve lokale. Sipas dokumentit, furnizimi aktual mbështetet te burimet ekzistuese, kapaciteti i të cilave bie pikërisht gjatë sezonit të verës, kur kërkesa për ujë rritet.

Zona e plazhit të Palasës furnizohet nga burimet Vurles, Leftia dhe Dhrikes, me kapacitet total nga 5 deri në 20 litra në sekondë. Drimadha dhe Dhërmiu furnizohen nga burimet e Vrisës, me kapacitet maksimal 40 litra në sekondë.

Në zonë ndodhet një depo akumuluese me kapacitet 2,000 metra kub për Palasën dhe një depo prej 700 metrash kub për Drimadhën dhe Dhërmiun. Detyra e projektimit kërkon vlerësimin e mjaftueshmërisë së tyre për sezonin e pikut dhe përcaktimin e depove të reja që mund të nevojiten.

Dokumenti evidenton gjithashtu mungesën e rrjeteve të mirëfillta shpërndarëse në disa segmente, zgjerimin e shpejtë të zonës dhe mungesën e rezervuarëve të mjaftueshëm për ruajtjen e ujit. Rrjeti ekzistues në Palasë duhet të azhornohet dhe të planifikohet në funksion të zhvillimit urban, ndërsa ai në Drimadhë dhe Dhërmi përshkruhet si pjesërisht i ri dhe pjesërisht i amortizuar.

Kompania fituese do të duhet të paraqesë dy variante për funksionimin e skemës hidraulike, të shoqëruara me analizë teknike dhe ekonomike. Varianti përfundimtar do të zgjidhet pas shqyrtimit në këshillin teknik. Puna përfshin rilevimin e të gjithë zonës, studimet topografike dhe gjeologo-inxhinierike, modelimin hidraulik, projektimin e linjës së transmetimit dhe rrjetit shpërndarës, depot, sistemin e klorinimit, furnizimin me energji dhe sistemet e monitorimit.

Projekti duhet të përfshijë gjithashtu dokumentacionin për lejen e ndërtimit, projektin e zbatimit, preventivin përfundimtar, vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe të dhënat për shpronësimet e mundshme. Afati i parashikuar për realizimin e shërbimit është gjashtë muaj. Në përfundim, projekti do të shërbejë si bazë teknike për financimin, lejet dhe zbatimin e fazës së katërt të sistemit të furnizimit me ujë.

 

The post Uji i Tragjasit për strategjikët, shpallet fituesi për fazën 4 të studim-projektimit appeared first on Revista Monitor.

Miliona euro pagesa nga buxheti për 2 miliardë euro kredi të papërdorura, investimet në pritje

28 July 2026 at 14:00

Shqipëria vijon të mbajë një nivel rekord të kredive të nënshkruara me kreditorët e huaj, por ende të patërhequra. Një situatë e tillë jo vetëm që po vonon realizimin e investimeve publike, por po krijon edhe kosto të drejtpërdrejta për buxhetin e shtetit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, vlera e borxhit të nënshkruar, por të patërhequr arriti në 1.96 miliardë euro, duke mbetur pranë nivelit rekord të fund-vitit 2025.

Në vitin 2020, kreditë e kontraktuara, por ende të pashfrytëzuara ishin vetëm 644 milionë euro, çka do të thotë se në vetëm gjashtë vjet kjo shumë është trefishuar.

Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e kësaj vlere lidhet me kreditorët shumëpalësh, të cilët përfaqësojnë rreth 1.37 miliardë euro, ndërsa kreditë dypalëshe arrijnë në rreth 592 milionë euro.

Edhe pse interesi mbi principalin zakonisht fillon të paguhet vetëm pasi fondet disbursohen, shumica e institucioneve financiare ndërkombëtare aplikojnë komisione angazhimi (commitment fees) mbi shumën e patërhequr.

Këto tarifa paguhen për faktin se kreditori mban fondet në dispozicion të huamarrësit, pavarësisht nëse ato përdoren ose jo.

Në praktikën e institucioneve si Banka Botërore, BERZH, Banka Evropiane e Investimeve apo banka zhvillimore dypalëshe, tarifat e angazhimit zakonisht variojnë nga 0.15% deri në 0.50% në vit, në varësi të marrëveshjes.

Bazuar në strukturën aktuale të portofolit të Shqipërisë, vetëm komisionet e angazhimit vlerësohet se mund t’i kushtojnë buxhetit të shtetit rreth 4-6 milionë euro në vit, ose afërsisht 400-600 milionë lekë.

Në këtë shumë nuk përfshihen komisionet administrative, kostot e monitorimit të projekteve, auditimet, njësitë e zbatimit dhe shpenzime të tjera operative që lidhen me mbajtjen aktive të marrëveshjeve të huasë që çojnë faturën për kreditë e patërhequra në mbi 10 milionë euro në vit.

Por, kostoja reale qëndron te fakti se fondet nuk hyjnë në ekonomi, projektet vonohen dhe efektet që ato duhet të kishin në rritjen ekonomike, punësim apo përmirësimin e infrastrukturës shtyhen në kohë.

Në të njëjtën kohë, shteti detyrohet të mbështetet më shumë te financimi i brendshëm për të ruajtur ritmin e investimeve, duke krijuar presion shtesë mbi burimet e buxhetit.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, investimet kapitale u realizuan mbi planin falë financimit të brendshëm, ndërsa financimi i huaj mbeti dukshëm nën objektiv me 75% të realizimit.

Investimet publike po mbështeten nga buxheti i shtetit, ndërkohë që fondet e kontraktuara nga kreditorët ndërkombëtarë vazhdojnë të mos disbursohen.

Vetë Ministria e Financave ka argumentuar më herët se një pjesë e mosrealizimit lidhet me vonesat në alokimin e fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, të cilat ishin përfshirë në planifikimin buxhetor, por nuk janë reflektuar ende në realizimin e investimeve.

Sa më gjatë të mbeten të pa-tërhequra kreditë, aq më gjatë zgjatet edhe periudha gjatë së cilës paguhen tarifa për fonde që nuk gjenerojnë ende asnjë përfitim ekonomik./ B.Hoxha

 

Burimi: Ministria e Financave

The post Miliona euro pagesa nga buxheti për 2 miliardë euro kredi të papërdorura, investimet në pritje appeared first on Revista Monitor.

Bypass-i i Tiranës avancon në 31%, Karakaçi: Po përmbyllim financimin për 13 kilometrat e mbetur

28 July 2026 at 13:33

Punimet në segmentin e parë të Bypass-it të Tiranës kanë arritur në 31%, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar po përgatit fazat e tjera të projektit 21-kilometërsh, që do të lidhë disa nga akset kryesore rrugore të vendit pa kaluar përmes kryeqytetit.

“Bypass-i ka rëndësi strategjike pasi bën ndërlidhjen me Korridorin Adriatiko-Jonian, Thumanë–Kashar dhe më pas me Kashar–Lekaj, si dhe me autostradën Tiranë–Durrës dhe autostradën e Elbasanit, duke shmangur hyrjen në Tiranë,” tha ministri Enea Karkaci gjatë inspektimit të punimeve.

Aktualisht janë në zbatim 8.2 kilometrat e parë të bypass-it, të ndarë në dy faza. Kontrata e parë mbulon një segment prej 4.2 kilometrash dhe është lidhur në shtator të vitit të kaluar.

“Realizimi fizik i punimeve është 31%, ndërsa ecuria ka qenë pozitive, pavarësisht terrenit problematik,” tha kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli. Sipas tij, edhe në fazën e dytë po kryhen punime gërmimi.

Kozeli tha se ARRSH planifikon të hapë procedurat edhe për rrugët lidhëse të fshatrave me bypass-in, si dhe për ndërlidhjen e aksit me autostradën dhe zonën e Kombinatit.

Një nga veprat kryesore të segmentit është ura mbi përroin e Limuthit, e cila është pranë përfundimit. Ura ka një gjatësi prej 53 metrash.

“Janë trajtuar të gjitha veprat e vogla dhe ura e Limuthit është pothuajse në përfundim. Ajo është projektuar për prurje me periudhë përsëritjeje një herë në 100 vjet, me qëllim shmangien e përmbytjeve,” tha inxhinieri i kompanisë nënkontraktore gjatë inspektimit të punimeve.

Për pjesën e mbetur prej rreth 13 kilometrash, autoritetet janë në fazën përmbyllëse të bisedimeve me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për sigurimin e financimit.

“Ky segment i parë prej 8 kilometrash është i rëndësishëm, pasi realizon lidhjen me aksin Kashar–Lekaj,” tha Karkaci. Sipas tij, dokumentacioni ligjor për Kashar-Lekaj është përmbyllur dhe pritet miratimi i projektit të zbatimit nga ARRSH përpara nisjes së punimeve.

Procedura për lidhjen e bypass-it me autostradën Tiranë–Durrës dhe me aksin e Elbasanit, deri në zonën e Bradasheshit, është gjithashtu e përfunduar. “Është bërë njoftimi i fituesit dhe jemi në pritje të nisjes së punimeve,” tha Kozeli.

 

The post Bypass-i i Tiranës avancon në 31%, Karakaçi: Po përmbyllim financimin për 13 kilometrat e mbetur appeared first on Revista Monitor.

Hetimi i Konkurrencës ndaj operatorëve celularë përfundon me detyrim për “politika sociale”

28 July 2026 at 13:30

Autoriteti i Konkurrencës njoftoi të hënën se ka mbyllur hetimin e thelluar ndaj Vodafone Albania dhe One Albania në tregun me pakicë të shërbimeve celulare. Në njoftimin zyrtar u bë ditur se, në përfundim të hetimit, ky institucion ka vendosur kushte dhe detyrime specifike që reflektojnë ankesat e konsumatorëve pranë Autoritetit.

Komisioni i Konkurrencës shprehet se vendimi synon korigjimin e shqetësimeve konkrete që kanë prekur konsumatorët dhe garantimin e çmimeve më të lira për shtresën e pensionistëve dhe studentëve, si dhe më shumë transparencë e mundësi zgjedhjeje për abonentët e të dy operatorëve.

Hetimi nuk provoi, sipas Komisionit të Konkurrencës, shkelje ligjore nga dy operatorët celularë; megjithatë, duke iu referuar vendimit final, hetimi ka evidentuar sjellje të ngjashme të dy operatorëve gjatë periudhës nën hetim 1 janar 2022- 18 nëntor 2025.

Sjellje e njëjtë, por nuk provohet koordinimi mes dy operatorëve

Sipas vendimit, nga analiza rezultoi se çmimet e paketave kanë pësuar rritje progresive dhe të përafërta në kohë; ndryshimet janë aplikuar në kategori të njëjta ose të ngjashme shërbimesh; janë konstatuar nivele të larta ngjashmërie në strukturën dhe përmbajtjen e ofertave. Këto elemente janë evidentuar në mënyrë të përsëritur gjatë periudhës hetimore dhe reflektojnë një nivel të lartë ngjashmërie në sjelljen tregtare të ndërmarrjeve në tregun përkatës.

Megjithatë, analiza ekonomike dhe juridike e kryer gjatë hetimit nuk arriti të provojë se kjo sjellje ka qenë rezultat i një koordinimi apo praktike të bashkërenduar ndërmjet ndërmarrjeve në kuptim të nenit 4 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Analiza kronologjike e ndryshimeve të çmimeve dhe strukturës së paketave tregon se, në disa raste, pas ndryshimeve të ndërmarra nga njëra ndërmarrje në lidhje me çmimet ose përmbajtjen e paketave, ndërmarrja tjetër ka reaguar brenda intervaleve të afërta kohore, duke aplikuar ndryshime të ngjashme në nivel çmimi dhe në strukturën e ofertës (minuta, internet, SMS, vlefshmëri, roaming etj.).

Megjithatë, gjatë hetimit nuk u administruan prova të drejtpërdrejta apo të tërthorta që të provojnë ekzistencën e kontakteve, komunikimeve, shkëmbimit të informacionit sensitiv tregtar apo të një mekanizmi koordinues ndërmjet ndërmarrjeve në lidhje me përcaktimin e çmimeve apo strategjive tregtare.

Në këto kushte, ngjashmëritë e konstatuara në reagimet tregtare të ndërmarrjeve janë vlerësuar në kontekstin e karakteristikave strukturore të tregut duopolistik dhe nivelit të lartë të transparencës së tij, ku operatorët monitorojnë vazhdimisht ofertat dhe sjelljen tregtare të njëri-tjetrit.

Hetimi evidentoi se ofertat e ndërmarrjeve paraqesin ngjashmëri në çmim dhe përmbajtje, përfshirë internetin, minutat kombëtare, vlefshmërinë e paketave dhe përfitimet roaming. Ky nivel i lartë ngjashmërie ndërmjet ofertave kufizon nivelin e diferencimit të paketave në treg; reflekton një nivel të kufizuar të presionit konkurrues ndërmjet ndërmarrjeve; paraqet karakteristika tipike të një tregu me strukturë të lartë përqendrimi. Megjithatë, analiza ekonomike dhe juridike e kryer gjatë hetimit nuk provoi se kjo ngjashmëri e ofertave është rezultat i një koordinimi apo praktike të bashkërenduar ndërmjet ndërmarrjeve.

Ndërkohë, gjatë hetimit, ndërmarrjet nuk paraqitën një metodologji të plotë dhe të standardizuar të analizës kosto–çmim për çdo ndryshim tarifor të aplikuar gjatë periudhës hetimore. Në veçanti, nuk u administrua një analizë e detajuar kosto–çmim për çdo paketë; nuk u evidentuan elemente të plota të justifikimit ekonomik për çdo rritje çmimi; konstatuan mungesa në dokumentimin e metodologjisë së përllogaritjes së kostove.

Pavarësisht këtij elementi, sërish Komisioni i Konkurrencës sërish ka gjykuar se mungesa e një metodologjie të plotë ekonomike apo e dokumentimit të detajuar të kostove, në vetvete, nuk përbën provë të mjaftueshme për ekzistencën e një praktike të bashkërenduar.

Sipas këtij institucioni, në tregje duopolistike me transparencë të lartë, si tregu me pakicë i shërbimeve celulare në Republikën e Shqipërisë, ndjekja e sjelljes së operatorëve konkurrentë dhe reagimi ndaj zhvillimeve të tregut mund të ndodhë si rezultat i përshtatjes së pavarur ndaj kushteve të tregut dhe monitorimit reciprok të operatorëve.

Në konkluzion, megjithëse gjatë periudhës 1 janar 2022 – 18 nëntor 2025 u evidentuan sjellje e rritje të përafërta në kohë të çmimeve; reagime të ngjashme tregtare ndërmjet operatorëve; ngjashmëri në strukturën dhe përmbajtjen e ofertave; mungesë e një metodologjie të plotë dhe të standardizuar kosto–çmim, Komisioni ka vlerësuar se nuk provohet ekzistenca e një praktike të bashkërenduar ndërmjet ndërmarrjeve Vodafone Albania dhe One Albania.

Për rrjedhojë, sjellja e konstatuar gjatë hetimit është vlerësuar si sjellje paralele tregtare në kushtet e një tregu me strukturë duopolistike dhe transparencë të lartë, e cila, në mungesë të provave mbi ekzistencën e koordinimit, komunikimit apo vullnetit të përbashkët ndërmjet ndërmarrjeve, nuk përbën praktikë të bashkërenduar apo abuzim me pozitën dominuese në kuptim të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Operatorët duhet të ofrojnë paketa të veçanta për studentët dhe pensionistët

Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës përcakton se brenda 90 ditëve, të dy operatorët duhet të ofrojnë paketa të veçanta më të favorshme për pensionistët dhe studentët 18–23 vjeç.

Vendosja e një detyrimi të tillë ngre pikëpyetje të mëdha lidhur me bazën ligjore ku është mbështetur Autoriteti i Konkurrencës për ta vendosur atë. As ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës”, as legjislacioni që rregullon komunikimet elektronike apo mbrojtjen konsumatore në përgjithësi nuk parashikon detyrime që ndërmarrjet të aplikojnë kushte lehtësuese ndaj shtresave të caktuara shoqërore.

Në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës citohet vetëm se, nga analiza e paketave tarifore të ofruara nga Vodafone Albania dhe One Albania rezultoi se gjatë periudhës objekt hetimi ndërmarrjet nuk ofronin paketa të dedikuara për 13 kategori të veçanta konsumatorësh, si pensionistët dhe studentët, me kushte tarifore të përshtatura me nevojat dhe aftësinë paguese të tyre. Gjithashtu, nga hetimi u konstatua një reduktim i ofertave me çmime të ulëta dhe orientimi i portofolit drejt paketave me çmime dhe përmbajtje më të larta, ndërkohë që paketat bazë me vlerë 500–600 lekë ofroheshin kryesisht nëpërmjet kanaleve digjitale.

Sipas vlerësimit të Autoritetit të Konkurrencës, këto zhvillime kufizojnë mundësitë e zgjedhjes për konsumatorët me konsum dhe aftësi paguese më të ulët, veçanërisht për kategoritë e pensionistëve dhe studentëve.

Në fakt, politikat e përkrahjes sociale janë atribut i institucioneve shtetërore dhe lehtësitë për shtresa të veçanta, në përgjithësi, sigurohen nëpërmjet subvencioneve shtetërore.

Gjithashtu, Autoriteti i Konkurrencës kërkon që paketa më e lirë duhet të jetë realisht e disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes, jo vetëm në aplikacione online apo kanale digjitale.

Ndërkohë, hetimi nuk ka marrë nën hetim një element shumë të rëndësishëm: tarifat shumë të larta standarde për njësi komunikimi të aplikuara nga operatorët celularë. Për këtë arsye, pothuajse të gjithë përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri, me parapagesë ose kontratë, përdorin paketa tarifore me çmime fikse.

Ekzistenca e tarifave standarde më të arsyeshme mund t’u përgjigjej më mirë nevojave specifike të përdoruesve me konsum më të ulët, duke paguar në varësi të nevojave të tyre komunikimit.

Gjithashtu, vendimi nuk përmban asnjë qëndrim lidhur me njërën nga çështje objekt të hetimit, praktikës së indeksimit periodik me inflacionin të çmimeve të shërbimeve celulare.

Përdoruesit nuk janë lejuar të marrin paketa më të lira pas përfundimit të kontratës?

Një masë tjetër e vendosur nga Autoriteti i Konkurrencës është që, pas përfundimit të kontratës, çdo abonent duhet të ketë të drejtë të kalojë në një paketë më të lirë, pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara.

Nga analiza e termave dhe kushteve kontraktore të Vodafone Albania dhe One Albania rezultoi se kontratat e pajtimtarëve nuk parashikojnë në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme disa të drejta dhe procedura me rëndësi për konsumatorët. Konkretisht, nuk pasqyrohet në mënyrë të shprehur e drejta e pajtimtarit, pas përfundimit të afatit kontraktor, për të kaluar lirisht nga një plan tarifor me çmim më të lartë në një plan tarifor me çmim më të ulët, sipas zgjedhjes së tij, pa penalitete apo kufizime të pajustifikuara.

Gjithashtu, dispozitat që rregullojnë bartjen e numrit nuk përcaktojnë në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme afatin brenda të cilit realizohet ky proces, si dhe kushtet dhe procedurat që duhet të ndiqen për përfundimin e tij.

Sipas vendimit, mungesa e një informacioni të plotë dhe transparent në dokumentacionin kontraktor krijon pasiguri për pajtimtarët dhe mund të ndikojë në ushtrimin efektiv të të drejtave të tyre për zgjedhjen e planit tarifor dhe ndryshimin e operatorit.

Nëse e marrim për të mirëqenë konkluzionin, kjo do të ishte një shkelje serioze dhe praktikë  arbitrare ndaj përdoruesve. Megjithatë, as për këtë shkelje Autoriteti i Konkurrencës nuk ka vendosur penalitete ndaj operatorëve.

Detyrime të tjera të vendosura ndaj operatorëve janë që çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo vlefshmëri të paketës duhet t’i njoftohet individualisht abonentit, qartë dhe të paktën 30 ditë përpara; çdo rritje çmimi duhet të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove dhe ky dokumentacion duhet të ruhet për pesë vjet; paketat e reja duhet të kenë diferencim real dhe të mos kufizojnë zgjedhjen e konsumatorit; kontratat tip duhet të marrin vlerësimin paraprak të Autoritetit të Konkurrencës për shmangien e klauzolave të padrejta; procedura dhe afati për bartjen e numrit nga një operator te tjetri duhet të shkruhen qartë dhe kuptueshëm në kontratë.

Në fakt, disa prej detyrimeve të vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës, si vlerësimi i paketave apo kushteve të kontratave, prekin çështje që janë në kompetencën e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), si rregullator sektorial. Veçanërisht shkeljet apo paqartësitë në dispozitat kontraktore janë edhe përgjegjësi e AKEP, që ka të drejtën dhe detyrimin ligjor të miratojë paraprakisht kontratat e shërbimit që lidhen me pajtimtarët.

Pavarësisht nga kjo, vendimi final nuk përmban asnjë rekomandim për AKEP.

Të gjitha detyrimet e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës do të monitorohen për një vit nga hyrja në fuqi e vendimit.

Në rast moszbatimi të një prej pikave të vendimit, Vodafone Albania dhe One Albania do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji.

 

Lexoni edhe:

Shpenzimi mesatar i shqiptarëve për shërbimet celulare u rrit për të pestin vit radhazi

 

 

Dy operatorët celularë fituan 35 milionë euro vitin e kaluar

 

 

 

The post Hetimi i Konkurrencës ndaj operatorëve celularë përfundon me detyrim për “politika sociale” appeared first on Revista Monitor.

Doganat fillojnë implementimin e sistemeve sipas kritereve të BE-së

28 July 2026 at 13:00

Administrata Doganore ka nisur zbatimin e një sistemi të ri doganor që synon harmonizimin e plotë me platformat e Bashkimit Europian, si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në Kapitullin 29 të negociatave.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar në Ministrinë e Financave për rezultatet e 6-mujorit të parë të vitit,, tha se marrëveshja me UNCTAD parashikon ndërtimin e një sistemi të ri teknologjik, i cili do të mbështesë të gjitha procedurat doganore dhe do të përdorë Inteligjencën Artificiale për analizën e riskut, klasifikimin tarifor dhe vlerësimin e vlerës doganore.

Sipas Bejës, moduli i parë, ai i eksporteve, synohet të vihet në funksion brenda dhjetorit të këtij viti. Pjesa më e madhe e sistemit pritet të implementohet gjatë vitit 2027, ndërsa përfundimi i të gjitha sistemeve është planifikuar deri në vitin 2030.

Modernizimi teknologjik është një nga katër piketat përmbyllëse të Kapitullit 29, krahas përafrimit të legjislacionit, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe administrative dhe aderimit në Protokollin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për eliminimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit. Sipas njoftimit, kjo e fundit është përmbushur.

Kodi i ri Doganor është harmonizuar me legjislacionin e BE-së dhe u është përcjellë shërbimeve europiane për dakordësinë përfundimtare. Doganat synojnë që drafti të miratohet nga Kuvendi gjatë muajit shtator, ndërsa aktet nënligjore janë miratuar dhe dispozitat zbatuese do të miratohen pas hyrjes në fuqi të Kodit.

Administrata Doganore po përgatit edhe një strukturë të re organizative. Sipas Bejës, modeli i ri synon të lehtësojë procedurat në pikat kufitare dhe të zhvendosë një pjesë më të madhe të kontrollit në fazën pas zhdoganimit.

Kontrollet “a posteriori” do të përdoren për të verifikuar nëse procedurat janë kryer saktë dhe nëse operatorët kanë përmbushur detyrimet doganore. Sipas njoftimit, kjo qasje synon të ulë presionin në kufi dhe të forcojë kontrollin ndaj evazionit dhe shmangies së detyrimeve.

Në muajin mars, Administrata Doganore iu nënshtrua një misioni monitorues nga vendet anëtare të BE-së dhe Komisioni Europian për aftësinë e saj për të zbatuar legjislacionin europian dhe për të përmbushur rolin e një kufiri hyrës dhe dalës të unionit. Beja e cilësoi raportin e këtij misioni si pozitiv dhe motivues.

The post Doganat fillojnë implementimin e sistemeve sipas kritereve të BE-së appeared first on Revista Monitor.

Qeveria krijon operator publik për bashkitë, jepen 69 milionë euro financim

28 July 2026 at 12:00

Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të krijojë një operator publik, i cili do të ofrojë shërbime që aktualisht janë përgjegjësi e pushtetit vendor. Për ngritjen dhe financimin e këtij operatori, qeveria i ka akorduar Fondit Shqiptar të Zhvillimit 6.5 miliardë lekë, ose rreth 69 milionë euro, nëpërmjet ndryshimeve të fundit në aktin normativ të buxhetit të vitit 2026.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi në një konferencë për mediat se operatori që do të krijohet nga FSHZH-ja do t’u ofrojë bashkive një gamë të gjerë shërbimesh, duke përfshirë menaxhimin e mbetjeve, blerjen e makinerive dhe realizimin e projekteve infrastrukturore.

Qeveria ka pranuar më herët se pushteti vendor, në shumë raste, nuk ka arritur të ofrojë me cilësinë e kërkuar shërbimet publike, për shkak të mungesës së kapaciteteve teknike dhe administrative.

Problemet me ofrimin e shërbimeve vendore janë evidentuar edhe pse burimet njerëzore dhe fondet për personelin në njësitë e vetëqeverisjes vendore janë rritur ndjeshëm pas reformës territoriale të vitit 2014.

Për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve, qeveria ka vendosur të krijojë pranë FSHZH-së një operator publik që do të marrë përsipër kryerjen e disa prej funksioneve të bashkive.

Krijimi i kësaj strukture mund të ngrejë pikëpyetje për ndërthurjen e kompetencave ndërmjet pushtetit qendror dhe atij vendor, pasi një pjesë e shërbimeve që pritet të ofrohen nga operatori janë përgjegjësi të drejtpërdrejta të bashkive.

Nëpërmjet ndryshimeve të mesvitit në buxhetin e vitit 2026, Fondit Shqiptar të Zhvillimit iu akorduan 6.5 miliardë lekë financim shtesë nga buxheti i shtetit dhe 1 miliard lekë të tjera nga financimet e huaja.

Sipas Ministrisë së Financave, fondet do të përdoren për projekte infrastrukturore, blerjen e makinerive dhe të autobusëve për bashkitë, si dhe për financimin e projekteve që kanë shënuar ritëm të lartë realizimi.

The post Qeveria krijon operator publik për bashkitë, jepen 69 milionë euro financim appeared first on Revista Monitor.

Ndërhyrja në rrugën Borsh-Çorraj, 2.5 mln euro për rikonstruksionin

28 July 2026 at 11:00

Bashkia Himarë hapi këtë të martë tenderin për rikonstruksionin e rrugës Borsh-Çorraj, me fond limit 249.9 milionë lekë, ose rreth 2.5 milionë euro. Projekti përfshin ndërhyrjen në një aks rreth 8.5 kilometra në Njësinë Administrative Lukovë dhe parashikohet të realizohet brenda 15 muajve.

Sipas dokumentacionit teknik, rruga është lidhja kryesore e fshatit Çorraj me Borshin, rrugën kombëtare SH8 dhe shërbimet publike të Bashkisë Himarë. Aksi u shërben gjithashtu banesave, parcelave bujqësore, kullotave dhe aktiviteteve ekonomike përgjatë zonës.

Gjendja aktuale e rrugës përshkruhet si e amortizuar dhe kryesisht e pashtruar, me shtresa çakëlli dhe materiale natyrore të degraduara. Dokumenti evidenton gropa, deformime, rrëshqitje lokale dhe disnivele, ndërsa në disa segmente kalimi është i mundur kryesisht me automjete të larta ose mjete me tërheqje të plotë, sidomos gjatë reshjeve.

Projekti nuk parashikon vetëm asfaltimin. Punimet përfshijnë zgjerimin e trupit të rrugës, ndërtimin e shtresave të reja, bankinave, kanaleve kulluese, tombinove dhe mureve mbajtëse, si dhe vendosjen e sinjalistikës horizontale e vertikale dhe elementeve të sigurisë rrugore.

Preventivi përmban rreth 28,450 metra kub gërmime dhe 33,120 metra katrorë shtresë binderi e asfaltobetoni. Parashikohen gjithashtu 42,320 metra katrorë shtresë çakëlli dhe stabilizanti, 18,400 metra vijëzim rrugor, 148 metra barriera metalike dhe 1,200 delinatorë.

Dokumentacioni e lidh investimin me përmirësimin e transportit të banorëve dhe të produkteve bujqësore e blegtorale. Sipas tij, një rrugë funksionale do të përmirësojë aksesin drejt Borshit dhe rrjetit kombëtar, si dhe do të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.

Zgjidhja e përzgjedhur ruan në pjesën më të madhe gjurmën ekzistuese. Sipas relacionit teknik, kjo alternativë kufizon ndërhyrjet në territor, redukton nevojën për shpronësime dhe shmang kostot më të larta që do të sillte hapja e një korridori të ri në terrenin kodrinor-malor.

 

The post Ndërhyrja në rrugën Borsh-Çorraj, 2.5 mln euro për rikonstruksionin appeared first on Revista Monitor.

❌