Normal view

Received — 30 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Protesta për Zvërnecin në ditën e 61-të në Tiranë

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Qytetarë e aktivistë u mblodhën edhe pasditen e sotme në kryeqytet, në protestën e 61-të kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec, me kërkesat për largimin e qeverisë dhe klasës së vjetër politike.

Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë ku mbahen fjalimet në foltoren e improvizuar.

Kërkesat, veç anulimit të projektit në Zvërnec, janë edhe politike, përfshirë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në sistemin politik.

Ata kërkojnë ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe shfuqizimin e igjit për investitorët strategjikë, Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Aktivisti Edison Lika tha se nis rrugëtimi i muajit të tretë dhe të pandalshëm të protestës, me mision dorëheqjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Lika tha se pesë kërkesat e tyre janë të panegociueshme dhe lexohen çdo ditë nga qytetarët, kurse mendimet e shprehura nga podiumi janë të lira.

“Ky mikrofon i protestës është një akt lirie për çdo qytetar që të shprehë mendimin e tij të lirë. Kurse 5 pikat tona dihen se kush janë dhe që lexohen çdo ditë në këtë protestë dhe janë të panegociueshme”, tha ai.

Një i ri tha nga foltorja se protesta nuk bëhet për interesat personale të gjithsecilit, por për një Shqipëri të re, që duhet të ndryshojë.

Një prej aktivistëve të protestës njoftoi se Diaspora do të jetë pjesë e protestës kombëtare të 1 gushtit në bulevard, duke apeluar që të gjithë shqiptarët dhe emigrantët t’i bashkohen sheshit atë ditë.

(vijon…)

Protesta për Zvërnecin në ditën e 61-të në Tiranë, foto: Florian Abazaj
1 nga 11

 

/r.e/

The post Protesta për Zvërnecin në ditën e 61-të në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌