UASHINGTON – Vance: Absurde që Zelensky mendon se SHBA-ja është në anën e Rusisë
UASHINGTON, 15 prill /ATSH/- JD Vance iu kundërpërgjigj deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky se zëvendëspresidenti, JD Vance po “i justifikonte disi” veprimet e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë, duke i quajtur komentet e tij “absurde”, sipas “Huffpost”.
“Për t’i dhënë fund luftës, duhet të kuptohen objektivat strategjikë të Rusisë dhe Ukrainës”, tha Vance në një intervistë për britaniken “UnHerd”.
“Kjo nuk do të thotë që po mbështesim moralisht kauzën ruse, ose mbështesim pushtimin në shkallë të plotë – por duhet të përpiqemi të kuptojmë se cilat janë linjat e tyre të kuqe strategjike – në të njëjtën mënyrë duhet të përpiqemi të kuptojmë se çfarë përpjekjesh po bëjnë ukrainasit për të dalë nga konflikti”, tha Vance.
Në një intervistë për “60 Minutes” të CBS të transmetuar të dielën, Zelensky kritikoi qasjen e Vance ndaj Rusisë.
“Më duket se zëvendëspresidenti Vance po justifikon disi veprimet e Putinit. Nuk mund të kërkosh diçka në mes. Ka një agresor dhe ka një viktimë. Rusët janë agresori dhe ne jemi viktima”, tha Zelensky, sipas CBS.
Vance i përshkroi deklaratat e fundit të Zelensky si “jo produktive”.
“Është disi absurde që Zelensky mendon se qeveria amerikane – e cila aktualisht po mban të gjithë qeverinë e tij dhe përpjekjet e luftës së bashku, është në anën e rusëve”, tha Vance.
Administrata Trump, megjithatë, shpesh herë i ka bërë jehonë pikave të bisedimeve ruse.
Presidenti Donald Trump fajësoi Zelensky dhe ish-presidentin Joe Biden për luftën në Ukrainë.
“Kjo është një luftë që nuk duhej lejuar kurrë të niste, dhe Biden mund ta ndalonte atë, dhe Zelensky mund ta ndalonte atë dhe Putini nuk duhet ta kishte filluar kurrë. Të gjithë janë fajtorë”, tha Trump.
Vance i bëri thirrje Evropës të mos mbështetet më te SHBA-ja për mbrojtjen e saj – duke thënë se shumica e vendeve evropiane nuk kishin ushtri që mund të siguronte mbrojtjen e tyre të arsyeshme. //a.i/
The post UASHINGTON – Vance: Absurde që Zelensky mendon se SHBA-ja është në anën e Rusisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.