Normal view

Nikoll Lesi: Nxirreni nga qelia e paraburgimit Ilir Metën

13 May 2026 at 13:00

Nga Nikoll Lesi

Çështja e Ilir Meta është kthyer tashmë jo vetëm në debat juridik, por edhe politik, institucional dhe njerëzor. Pas afro 18 muajsh në paraburgim, pyetja që shtrohet publikisht nuk është më vetëm nëse ai është fajtor apo jo — sepse këtë e vendos vetëm gjykata — por nëse masa e sigurisë po respekton standardet e proporcionalitetit, të drejtave të njeriut dhe prezumimit të pafajësisë.

Në çdo shtet demokratik, paraburgimi duhet të jetë masë përjashtimore dhe jo dënim i parakohshëm. Vetë jurisprudenca e Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka theksuar vazhdimisht se zgjatja e tepërt e paraburgimit pa një arsyetim konkret dhe të vazhdueshëm cenon lirinë individuale dhe prezumimin e pafajësisë. Sidomos kur bëhet fjalë për persona publikë, ish-zyrtarë të lartë apo figura politike, drejtësia duhet të jetë dyfish e kujdesshme që të mos krijojë perceptimin e “dënimit pa vendim”.

Argumenti kryesor i avokatëve të Metës është se ai nuk paraqet rrezik arratisjeje, nuk mund të prishë prova në të njëjtën masë si në fillim të hetimit dhe se një masë më e butë, si arresti shtëpiak apo detyrimi për paraqitje, do të ishte e mjaftueshme për të garantuar procesin.

Nga ana tjetër, SPAK dhe gjykata argumentojnë se masa e sigurisë lidhet me rrezikun procedural, ndikimin e mundshëm në hetim dhe peshën e akuzave. Por sa më shumë zgjatet paraburgimi, aq më i fortë bëhet debati publik mbi proporcionalitetin e tij.

Një element që po ndikon fort në opinion është edhe mënyra e trajtimit publik të Metës gjatë seancave gjyqësore — pamjet në kafaz xhami, izolimi fizik dhe tensioni politik që shoqëron çdo dalje të tij. Aq me tepër që ish-presidenti ka deklaruar se keqtrajtohet në burg, duke i mohuar çdo të drejtë ligjore e kushtetuese prej administratës së burgjeve.

Ky është krim ligjor, si ndaj ish-presidentit ashtu ndaj çdo qytetari të Republikës, kur ka diferencim të hapur në paraburgim.

Për mbështetësit e Metës, kjo shihet si poshtërim politik dhe jo thjesht procedurë sigurie.

Por në fund, demokracitë maten jo nga mënyra si trajtojnë qytetarin e zakonshëm, por edhe nga mënyra si trajtojnë kundërshtarët politikë apo figurat e forta të sistemit. Pikërisht këtu nis debati real: a po përdoret paraburgimi si domosdoshmëri procedurale apo po perceptohet nga një pjesë e opinionit si një formë ndëshkimi para vendimit përfundimtar?

Në aspektin juridik dhe human, pas një periudhe kaq të gjatë paraburgimi, kërkesa për rivlerësim të masës së sigurisë duket legjitime. Nëse nuk ekziston më një rrezik konkret procedural, një masë alternative si arresti shtëpiak mund të konsiderohej nga gjykata pa cenuar procesin penal.

Por duket se një dorë e fshehtë e mban si hakmarrje në qeli, kur fare mirë pas gjithë kësaj kohe paraburgimi, Ilir Meta mund të gjykohej i lirë dhe bile gjyqi të ishte i hapur për publikun, pasi nuk flitet se ka vrasje apo grupe kriminale që mund ta shikojnë dhe prishin provat. Eshtë thjesht një gjyq me akuza korrupsioni, siç ka ndodhur në Francë, ku ish-presidenti francez u mbajt një natë në qeli dhe me pas gjykohet në gjëndje të lirë.

Gjykata dhe Prokuroria duke e mbajtur në qeli vetëm sa rrisin, me dashje apo dashje, idenë se Ilir Metën e mban dikush tjetër në qeli, pra politikisht, por e verteta nuk është se ka ndërhyrje nga PS, por thjesht një dëshirë spakore apo e gjyqtarit për tu bërë lajm se ne “nuk falim njeri”.

Po pse në Francë ish-presidenti francez hetohet në gjëndje të lirë? A nuk janë profesionistë prokurorët dhe gjyqtarët francezë? Apo rasti kur Trumpi ishte jo president dhe e hetuan në gjëndjen të lirë.

Ndaj Ilir Meta duhet liruar dhe nëse gjykata i jep vendim të formës së prerë, pas gjykimit, se ka kryer krim ligjor të futet jo në qeli, por në fund të dheut!

Pak fjalë për rrethimin e news24 dhe paralelizmin me djegien e redaksisë së Koha Jonë

9 August 2025 at 11:00

Nga Nikoll Lesi

Sot policia e shtetit nuk ka lejuar hyrjen e punonjësve dhe gazetarëve të news24 dhe mediave të tjera të Irfan Hysenbelliut në një ndertesë që është shtetrore.

Kjo historia e përplasjes së shtetit me news24 për këtë godinë shtetrore të dhënë me qera për shumë vite, ka kohë që thuhet nga mediat e Irfanit si inat qeveritar.

Një gazetar i njohur, opozitar, me mori në celular sot, fill pas kësaj ngjarje dhe me pyeti se “A ngjason ky rrethim i news24 me rrethimin e redaksisë së gazetës KOHA JONE natën e 3 marsit 1997?”.

Dhe iu përgjigja shkurt: JO!

Me pas kolegu i mirë mbylli celularin. Shikova nëse e ka publikuar përgjigjen time, dhe vërej se jo.

Meqënëse me pyeti miku im koleg, që punon për një media të Partisë Demokratike, me duhet të shpjegohem për publikun, edhe si botues i gazetës me të madhe të pavarur në historinë e medias shqiptare, gazetës KOHA JONE.

Përplasja e sotme polici-news24 ose me saktë polici-pronar media nuk ka të bëjë me zhurmën se shteti po dhunon median e lirë apo bërtimat e disave nga selia Blu apo edhe të mikes time të mirë, ish-deputetes Dhurata Çupi e cila tha se ”Heshtja sot për News 24 është heshtje për çdo media që mund të jetë nesër në të njëjtin fat. Prandaj duhet reagim shoqëror”.

Me lejoni ta them që të mos keqkuptohem nga ata që nuk lexojnë kurrë deri në fund një shkrim: Kurrsesi nuk jam dakort me hakmarrjet apo ndëshkimet qeveritare, kushdo që të jetë në pushtet!

E në këtë rast duhet një sqarim nga strukturat përgjegjëse shtetrore nëse ka patur lajmërim me shkrim ndaj kompanisë mediatike, ose me saktë ndaj pronarit të news24, etj zotit Irfan Hysenbelliu për lirimin e zyrave shtetrore të dhëna, dikur, me qera?

Ndërsa godina mbetet pronë e qeverisë dhe çdo qeveri e di se si e menaxhon pronën e saj!

Prapë pak fjalë për Irfan Hysenbelliun. Po e bëj se prapë ka disa që nuk durojnë deri në fund, të lexojnë!

Irfani, që është pronar i news24 dhe disa mediave të rëndësishme në vend, mbetet një nga pronarët mediatikë dashamirës dhe njerëzor me punonjësit e medias së tij. Njeri inisiatorë, kërkues dhe asnjëherë i kënaqur nga arritjet e tij të mëdha në jetë.

Por e verteta mbetet një; shteti e ka pronë të tij godinën e news24. Dhe ka një plan për ta kthyer në një objekt prodhimi ushtarak.

A ishte me paramendim qeveritar rimarrja e godinës, pra mbyllja e kontratës së qerasë, apo jo; kjo ha debat. Sikurse thuhet se kontrata e qirasë kishte mbaruar dhe ministria nuk ia ka ripërtërirë.

Dhe e bëri ligjërisht!

Ku është dhuna në këtë rast?!

Të lajmërova, mos hyjë brenda dhe nuk të lejojë!

Nëse ishte godinë private, atëhere dal dhe unë të dera e news24 me kolegët kundra Edi Ramës. Nëse i kanë hequr liecensen televizionit kanë të drejtë gazetarët e news24, jo vetëm të protestojnë, por edhe të hyjnë në kryeministri.

Shumë mirë, Irfani i famshëm, si ndërtues dhe mbetet një nga ndërtuesit me cilësorë në Tiranë, mund të kishte ndërtuar një godinë private për mediat e tij.

Nëse bashkia apo qeveria nuk do ti kishin dhënë leje ndërtimi për një godinë private mediatike, atëhere ka të drejtë Irfani. Nëse AMA, pra indirekt qeveria, do ti kishin hequr licensën e televizionit, atëhere ka të drejtë Irfani.

Ndaj krahasimi me rrethimin e djegien e plotë të redaksisë së gazetës KOHA JONE me 3 mars 1997 nuk ka asnjë krahasim me ngjarjen e sotme te news24.

Shumica e di, por sidomos rinia e sotme, e cila atëhere nuk kishte lindur, duhet t’ju them se ishte policia e shtetit, sherbimi sekret shtetror (SHIK) dhe Garda e Republikës me 3 mars 1997 që hynë me forcë në orën dy të natës në zyrat e gazetës KOHA JONE; qëlluan me automatik muret, dogjën me napalm kompjutera, tavolina; gjithçka. Morën me vete me dhunë gazetarin Zamir Dule që flinte në zyrat e KOHA JONE. Rrëmbyen shoferin e gazetës Anesti Nikolla. I dërguan me dhunë në komisariatin numër tre dhe i rrahen në qelitë e tyre. Zamir Dulen e sakatuan dhe nuk u bë më njeri, derisa ndërroi jetë në Korçë.

Zyrat e shkrumbuara të KOHA JONE sollën që gazeta për 42 ditë të mos dilte në treg.

Ishte shteti, autori. Dhe kjo e vertetuar nga gjykata e lartë pas 19 viteve nga ngjarja, në dhjetor 2016, u pranua se redaksia e gazetës më të madhe shqiptare u shkatërrua nga shteti.

Të mos përmend përplasjen e madhe me kryeministrin Fatos Nano ndër vitet 2003-2005, që çfarë nuk bëri ndaj gazetës KOHA JONE. Të gjitha poshtërsitë e botës!

Natyrisht që dhuna shtetrore ka forma e nuanca të ndryshme, në kohë të ndryshme.

Jam krejt i qartë për këtë!

Por doja ta sqaroja kolegun tim që bëri krahasim të pakrahasueshëm.

The post Pak fjalë për rrethimin e news24 dhe paralelizmin me djegien e redaksisë së Koha Jonë first appeared on JavaNews.al.

Zelenski u soll si “garipi i lagjes”, Trump duhet ta nxirrte me shpulla nga Shtëpia e Bardhë

3 March 2025 at 13:45

Nga Nikoll Lesi

Ajo që Bota shikoi live nga Shtëpia e Bardhë kur Presidenti ukrainas Zelenski u soll si “garip lagje” ndaj Presidentit Trump dhe ndaj SHBA, e cila e ka ndihmuar me qindra miliardë dollarë gjatë kohës së luftës, meritonte që Zelenski të nxirrej me “shpulla” nga Trumpi. Presidenti ukrainas kishte shkuar për të firmosur Marrëveshjen me SHBA, ajo ishte përpiluar nga dyja palët dhe do firmosej në mënyrë simbolike, që ishte si parakusht Sigurie të shtetit të Ukrainës prej shtetit me të fuqishëm të botës.

Ajo që ndodhi ishte e paparashikuar. Nuk kishte pse live të flitej me atë mënyrë, sepse takimet parapërgatiten nga stafet përkatëse. Ka një gjuhë diplomatike të kujdesshme e cila ruhet edhe kur shtërngon nervat.

Më 19 shkurt të këtij viti në një postim në platformën e tij Truth Social, Presidenti Trump tha për zotin Zelensky: “Ai refuzon të mbajë zgjedhje, gëzon popullaritet të ulët në anketimet ukrainase dhe e vetmja gjë ku është treguar i suksesshëm është ta manipulojë Biden-in. Një diktator pa zgjedhje, Zelensky është më mirë të veprojë me shpejtësi apo nuk do të ketë më shtet”.

Por me sa duket Zelenski shkoi në Shtëpinë e Bardhë për ti kthyer përgjigjen e kësaj akuze. Pa përkrahjen e ndërhyrjen e Uashingtonit, Ukraina nuk gjen dot paqe, ndaj një sjellje e tillë pa asnjë etikë diplomatike, aq me tepër pa sjellje mirënjohje ndaj SHBA tregon se Ukraina humbi mbrëmë prej Zelenskit. Siç shkroi pas takimit, deputeti i parlamentit të Ukrainës, Alexander Dubinsky, se Presidenti Zelenski duhet shkarkuar, jo vetëm se është i paligjshëm, por edhe se shkatërroi marrëdhëniet me SHBA.

Ndonëse Trump nënvizoi, ndër të tjera, se “Ai ofendoi Shtetet e Bashkuara në Zyrën Ovale. Ai mund të vijë përsëri kur të jetë gati për paqe”, por pak gjasa ka që Zelenski të pranohet më në Shtëpinë e Bardhë, veçse nëse kërkon falje publike.

Zelenski e dogji shansin që iu dha për të mbetur në histori si njeriu që bëri luftën, por edhe paqen.

Atë e pret një Europë që fërkon duart nga sherri live, por një Europë pa unitet prej konflikteve të brendshme dhe që nuk ka takat të mbrojë Ukrainën, nëse SHBA tërhiqet.

Ukraina, pas kësaj sjellje të Presidentit të tyre, rrezikon të mbetet e vetme përballë Rusisë.

Po me selinë e PS, ç’patët?!

8 October 2024 at 11:35

Nga Nikoll Lesi

Mbrëmë demonstrata e PD mbaroi pas afro 4 orësh djegie dhe shkatërrime nëpër kryeqytet. Pothuaj i njëjti skenar si dikur kur kishin Lulzim Bashën në krye. Edhe ai i sorollaste nëpër Tiranë derisa protestuesit nuk kishin më frymë dhe iknin.

Edhe atëherë bërtisnin sa herë hidhnin molotov se “Rama u rrëzua”!

Gaz Bardhi dhe Flamur Noka ecën mbrëmë nëpër Tiranë, edhe mes makinave, duke zbatuar një skenar të thurur keq nga Berisha.

Në të vertetë Berishën kot e mbajnë në arrest shtëpie, ai është më i begatë për Ramën, i lirë dhe jo të rrijë majë dritares për natë.

Edhe Salianji nuk ishte për burg. Ai ka thënë diçka që nuk vërtetohet, por deputeti atë detyrë ka, të denoncojë, ndonëse e mira e do që të kesh fakte të pakontestueshme. Por jetojmë në një Shqipëri që do akoma vite për demokratizim.

Për Berishën e kam bindjen se nuk është Rama që e mban aty, janë amerikanët.

Opozita fjalën dhe protestën ka, ndaj këto nuk duhet t’ia kufizojë asnjeri. Ndaj reagimi i mbrëmshëm mbetet disi i ligjshëm, por aspak efektiv për opozitën. Edi Rama ka shumicën e qytetarëve, ndaj prapë do t’i fitojë zgjedhjet në vitin 2025.

E pse?

Sepse Berisha nuk heq dorë nga lidershipi në PD. Ai në vend që të hapë partinë e ka mbyllur deri te Gaz Bardhi, të cilin aty e ka patur. Pra nuk kanë shtuar numra.

PD-ja duhej të dilte me një emër nga radhët e saj për kryeministër. Nuk kishte pse Berisha deklaronte se “unë jam kandidati për kryeministër”. Që këtu filmi mbaroi!

Edhe akuza se Rama kërkon mandatin e katërt, bie. Pse Berisha nuk po kërkon mandat të katërt?! Ai ka qenë president, bile fuqiplotë dhe djegëshpues. Ka qenë dy herë kryeministër dhe kërkon mandat të katërt.

Pra të dy, Rama dhe Berisha, duan mandat të katërt ku duket hapur se Rama prapë do të jetë kryeminisëtr në vitin 2025 e pas.

Pse?

Sepse Berisha gabon. Ai duhej të gjente një kandidat të besueshëm për kryeministër. Bile pak a shumë të thoshte se kjo do të jetë qeveria ime, por jo unë më!

Të thoshte se Luçiano Boçi, Gaz Bardhi, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj, Edi Paloka, Tomor Alizoti, Dhurata Çupi, Oerd Bylykbashi, etj. do të jenë qeveria e re demokrate e Shqipërisë.

Dhe në këtë rast mund të zgjonte pjesën gri të votuesve, që ta votoni këtë qeveri të re.

Por Berisha tha “do jem unë”!

Atëherë shumica thotë; më mirë Edi Ramën!

Edhe një pyetje: Pse dogjët vendqëndrimet në stacionet e autobusëve? Po me reklamat ç’patët? Ato janë pronë private.

E fundit, por jo pak kryesore: Pse sulmuat selinë qendrore të PS?! Nëse justifikimi juaj mund të jetë se “aty gatuhen krimet e Edi Ramës”, nuk ngjet aspak pasi ju preket “Mekën” apo “Selinë e Shenjtë” të socialistëve, selinë e tyre. Pas kësaj edhe socialistët që nuk do të votonin PS, për një mijë arsye, tani janë zgjuar, janë acaruar, janë gati për betejë me PD e tkurrur.

Gabim i madh ata që e ideuan djegien e selisë qendrore të PS. As në vitin e mbrapshtë, 1997 apo në shtator 1998, askush nga demokratët nuk shkoi të digjte Selinë Qendrore të PS. Keni thyer një KOD që ishte i pashkruar mes partive, keni sulmuar një parti politike.

Keni zgjuar “luanin” socialist! Ata janë “ushtri e kuqe” si dikur kur Hitleri iu sulmoi Moskën. Edhe Hitleri iu preku Moskën, ndaj e pësoi.

Nëse doni të rrëzoni Ramën dhe të keni qeverinë teknike ngrini në protestë paqësore 100 mijë veta dhe ditë-natë para kryeministrisë. Por nëse iu vinë 100 mijë veta! E mbani mend vitin 2004 dhe 2005? Asokohe kishte besim, frymëzim popullor kundër qeverisë socialiste; kishte njerëz të rinjë Saliu.

Ndaj e rrëzuam kryeministrin e PS, isha dhe unë mes jush, demokratë, sepse mu ngjall besimi për një qeverisje më të mirë, atëkohë. Nuk kemi djegur asgjë në atë vit, e mundëm me besim, shpresë dhe vota PS-në e Fatos Nanos.

Kjo është zgjidhja e jo duke djegur e shkatërruar sepse vetëm sa acaroni qytetarët.

❌