Normal view

Baraba u lirua, Shabani u kryqëzua

13 December 2025 at 17:38

Nga Ermal Peçi

Në çdo epokë, shoqëritë që nuk guxojnë të përballen me pushtetin, shpikin një fajtor të vogël për të shpëtuar fajtorët e mëdhenj. Sot, ky ritual quhet Endri Shabani.

Prej ditësh, ai shëtitet nëpër sheshet mediatike si një figurë e njollosur, një njeri mbi të cilin duhet hedhur guri i parë. Jo sepse ka ndërtuar sistemin, por sepse është më i lehtë për t’u kryqëzuar. Kryqëzimi i të dobëtit është gjithmonë më i sigurt se përballja me arkitektin.

Le të jemi të hapur, unë vet jam drejtuar me një letër publike Endri Shabanit për një takim që ai pat mohuar për Bashën dhe kam pasur qëndrimet e mia kundër narrativës së tij politike por kjo smë bën të hedh helëm në këtë moment kundër tij.

Shabani nuk ka asnjë faj për sistemin politik që është prodhuar deri më sot në Shqipëri. Ky sistem nuk u ndërtua nga emra të rinj, por nga dy qendra pushteti që kanë komanduar vendin për tri dekada.

Përplasja mes Shabanit dhe Lapajt për një mandat nuk është tradhti, por papjekuri politike e të dyve, paaftësi për të ndarë shapin nga sheqeri. Media, natyrisht, nuk e thotë këtë. Media ushqehet me dramë, jo me shkaqe.

Ajo që nuk thuhet është thelbësorja: sistemi është i mbyllur, i kontrolluar dhe i dirigjuar. Berisha dha urdhrin që të firmosej për Shabanin. Rama e miratoi. Ka kaq. Kaq e thjeshtë dhe kaq brutale. Nëse nuk do të ishte Shabani, do të ishte një tjetër emër. Sistemi nuk varet nga individët; individët konsumohen nga sistemi.

Pse askush nuk thotë që avokatin e popullit nuk mund të japin kurrë një partie që udhëhiqet nga një Non Grata.

Prandaj është hipokrizi e pastër ta paraqesësh Endri Shabanin si “fajtorin e madh”. Ai nuk ka ndërtuar ligjet zgjedhore, nuk ka kapur institucionet, nuk ka kthyer politikën në pronë private. Ai thjeshtë u lodh nga një lojë politike dhe pa të udhës për të ju kthyer profesionit të tij.

Nëse ka zemërim, le të drejtohet aty ku duhet. Merruni me Berishën dhe Ramën. Me dyshën që kontrollon mekanizmin. Me dyshen që ka polarizuar shoqerinë dhe na bënë të shikojmë njëri tjetrin si armiq. Merruni me faktin se si Berisha tallet me demokratët dhe i poshtëron. Avokati i popullit nuk rritë as pagat, nuk jep as tendera, nuk ndan as interesa, kështu mos i jepni peshën që nuk e ka.

Endri Shabani është një qytetar që ka tentuar të mbijetoj politikisht brenda një sistemi që të rinjtë nuk i do. Një i ri që u lodh dhe kërkoj të eci profesionalisht duke marr mbi supe e kostot morale të lëvizjes së tij. Kryqëzimi i tij nuk është drejtësi. Është alibi për ata që kanë ndërtuar këtë batak.

Koha po tregon se sa herë që shoqëria zgjedh të godasë individin e dobët, në vend të pushtetit të fortë, sistemi fiton edhe një herë.

The post Baraba u lirua, Shabani u kryqëzua first appeared on JavaNews.al.

Oerd, nuk rrëzove Bashën, rrëzove demokratët!

9 December 2025 at 14:48

Nga Ermal Peçi

Oerd, ti thua se në 2021 u gjende në anën e duhur të historisë. Shkruan për ideale, amanete dhe energji demokratike. Mirë bën. Por vjen një moment kur secili duhet të ulet përballë llogarisë së ftohtë: çfarë prodhoi rruga që zgjodhët? Çfarë ndërtuat? Ku është sot Partia Demokratike?

Historia nuk ha metafora. Historia do fakte dhe fakti është ky: Më 9 shtator 2021 nuk ia bëtë Bashës. Ia bëtë demokratëve.

Ju e goditët një parti që ende kishte marrëdhënie korrekte me SHBA-në, që e respektonte SPAK-un dhe që po përpiqej të ndërtonte një opozitë perëndimore, jo tribale.
Ju i mësuat demokratëve se individët janë më të rëndësishëm se institucioni. Pikërisht aty filloi rrëshqitja.

Lulzim Basha kishte dy parime të panegociueshme: Të mos vinte PD-në kundër SHBA-ve. Ishte koha e urave, jo e luftës me partnerin strategjik.
Të mos sulmonte SPAK-un. Të mos përdorte drejtësinë si armë. Të mos digjte institucione në emër të një individi dhe sot të dyja këto shtylla janë shembur.

Ky është realiteti, Oerd. Jo kujtimet. PD sot është më e dobët se kurrë. Le të heqim emocionet dhe interesat personal. Le të shohim numrat, aty ku mbarojnë iluzionet: 300 mijë vota më pak nga 2021. Asnjë qytet i madh i fituar.Asnjë aleat strategjik.
Asnjë vizion, asnjë plan, vetëm mbijetesë.

Kjo nuk është PD që ëndërruan studentët e dhjetorit.
Nuk është PD e 1992-shit. As e ringritjes së ’97-s.
Kjo është një PD e tkurrur, e frikësuar nga e vërteta dhe largimi i Bashës nuk ju fuqizoi por ju paralizoi.

Premtuat rilindje. Sollet përçarje.
Premtuat bashkim. Sollet fise, krahina dhe fraksione.
Premtuat betejë me Ramën. Sollet luftë civile brenda PD-së dhe mbi të gjitha: SHBA ju ka kthyer shpinën.

Partia që dikur ishte forca më proamerikane në Ballkan, sot në Uashington shihet si një enigmë e trishtë.
Kur një parti humbet SHBA-në, humbet oksigjenin politik.
Armiku i demokratëve sot nuk është jashtë, është brenda shtëpisë suaj.

Mund të shpikni sa armiq të doni: Bashën, Bejkon, Flutra Açkën, Alibeajn, Pampurin apo kë të doni. Mund të ndërtoni mite, fantazma dhe pseudo-tradhtarë. Demokratët e kanë kuptuar: Armikun e PD-së e krijuat ju me ndihmën e Ramës, duke e bërë PD-në të papërdorshme.

Ju e mbajtët Ramën në pushtet sepse keni thyer opozitën, jo mazhorancën. Demokracia nuk ndërtohet me mitingje, por me parime. PD-ja sot nuk drejtohet as me statut, as me kolegjialitet por me improvizim, frikë dhe servilizëm.
9 shtatori i 2021-shit, dita kur ju dolët kundër, nuk do të mbahet mend si dita e lirisë, por si dita kur PD humbi rrugën:
Humbi idealin euroatlantik.
Humbi busullën morale.
Humbi bazën urbane.
Humbi 300 mijë vota.
Humbi veten.

E vërteta është e thjeshtë:PD sot është e dobët sepse ju e bëtë të dobët dhe një fjali në fund: Ju mund të shkruani pafund për idealet e ’90-s por studentët atëherë luftuan për liri, për Perëndim, për demokraci.
Sot PD lufton për të shkuarën, jo për Shqipërinë.
Deri sa kjo të ndryshojë, Ramën në pushtet nuk e mban as Basha, as amerikanët, as askush tjetër.
E mbani ju. Kjo është e vërteta.

The post Oerd, nuk rrëzove Bashën, rrëzove demokratët! first appeared on JavaNews.al.

Në asnjë vend normal deklaratat antikombëtare në media nuk trajtohen si opinione të vlefshme

2 December 2025 at 16:16

Nga Ermal Peçi

E dëgjova disa herë me vëmendje emisionin dhe deklaratat e Olsi Jazexhiut në studion Arnautistan të gazetarit Mustafa Nano. Ajo që prita të ishte një debat i kujdesshëm, u shndërrua në një breshër të ftohtë fjalësh mbi flamurin, pavarësinë dhe sakrificën tonë.

Me një qetësi që të mpin, Jazexhiu deklaroi: “Ju arnautët keni 28 Nëntorin, unë si otomanist e kam ditë zie.” E kur Nano i kujtoi se kjo festë është edhe e tij, ai tha: “Jo.”
Shqiptar në gjak, por i otomanizuar në mendim, ai e sheh shtetin shqiptar si një gabim historik dhe idealizon një perandori që i ka pushtuar mendjen ashtu siç pushtoi dikur tokat tona.

Për të, Shqipëria e sotme është “provincë e Europës”, ndërsa Perandoria Osmane një horizont romantik që shtrihet nga Egjipti në Serbi. Por kjo nuk është thjesht nostalgji për osmanët. Është mohim i themeleve mbi të cilat u ngrit shteti shqiptar. Është tallje me ata që sakrifikuan gjithçka për vendin tonë, me ata që e ngritën flamurin mbi gërmadhat e pushtimeve, me ata që zgjodhën lirinë përpara nënshtrimit.

Të relativizosh pushtimin osman nuk është debat historik, është përdhosje. Në të njëjtën logjikë, nesër mund të na dalin dashnorë të pushtimit italian, grek, serb… mund të na shesin Esat Pashë Toptanin si hero e jo si tradhtar, mjafton që dikush të ketë një “përjetim emocional”. Por historia është fakt, jo emocion, dhe faktet janë të pakundërshtueshme: ky komb ka paguar me gjak çdo centimetër të lirisë së tij.

Nga Skënderbeu tek Ismail Qemali. Nga Dedë Gjo’ Luli tek Isa Boletini, deri te Abdyl Frashëri, ideologu i Lidhjes së Prizrenit dhe një sërë figurash të tjera janë gurët që mbajnë shtëpinë shqiptare në këmbë.

Problemi nuk është ai vetë. Problemi është platforma që e ngre lart, sikur ai po fliste për recetën e byrekut apo për gatimet turke që i pëlqejnë aq shumë, dhe jo për ditën kur një popull vendosi të mos ishte pronë e askujt. Në asnjë vend serioz nuk tolerohet tallja me simbolet kombëtare, aq më pak me ditën kur u fitua liria.

Deklaratat e tij nuk meritojnë debat, por ato meritojnë distancim. Jo non grata për personin, por non grata për idenë e rrezikshme se nënshtrimi është më i mirë se liria, se pavarësia ishte një gabim, se 28 Nëntori është ditë zie se ne u distancuam nga osmanët.

Në asnjë vend normal, në asnjë demokraci funksionale, një deklaratë e tillë nuk trajtohet si opinion i vlefshëm. Në Shqipëri, 28 Nëntori nuk është datë për diskutim, është gur themeli i ekzistencës sonë.

Është dita kur ky popull tha “mjaft”. Dita kur shqiptarët vendosën të jenë shtet, jo pronë. Kush e fyen këtë ditë, fyen gjakun që na ndërtoi lirinë.

The post Në asnjë vend normal deklaratat antikombëtare në media nuk trajtohen si opinione të vlefshme first appeared on JavaNews.al.

Nëntori i Braktisjes së Berishës

18 November 2025 at 09:42

Nga Ermal Peçi

Sot, në bulevardin që dikur Sali Berisha e shihte si oborrin e tij personal, ndodhi një nga skenat më groteske të karrierës së tij: një protestë e thirrur me zë të lartë, por e mbajtur përballë një publiku imagjinar, sepse njerëzit realë… nuk erdhën. Ironia është se kjo ndodhi pikërisht kur qeveria e Edi Ramës është e zhytur në korrupsion deri aty sa edhe vetë korrupsioni ka filluar të skuqet nga turpi. Po ja që edhe me Ramën të rënë në batak, Berisha nuk mbledh dot më ashklat e dikurshme të turmave të tij.

Bulevardi sot ngjante si ditë pushimi për opozitën: disa grupe të shpërndara, disa pankarta të mërzitura, një zhurmë e fikur. Ishte si të shikoje një ndejë ku askush nuk ka ardhur, por organizatori këmbëngul të vallëzojë vetëm për të mos pranuar realitetin. Mungesa e njerëzve nuk ishte thjesht numër; ishte akt akuze. Sot mungoi besimi dhe në politikë kjo është më vdekjeprurëse se çdo dosje e SPAK-ut.

Pse e braktisën qytetarët Berishën? Arsyet janë aq të dukshme sa s’pretendojnë më shpjegim, por le t’i themi me zë:

E para, sepse njerëzit kuptuan saktë se këto protesta nuk janë për Shqipërinë, por për Saliun. Janë një tentativë për t’i futur vendit hallet e tij personale në qafë. Një njeri nga korridori komentoi: “Na thërret për drejtësi, por për cilën drejtësi? Atë që i duhet atij?” Kjo është pyetja që po i shkatërron protestat shumë më fort sesa mungesa e turmave.

E dyta, PD-ja që mban në duar Berisha është një muze politik në lëvizje. As figurë të re, as vizion, as shpresë – veçse disa fishekzjarre të mykura që nuk ndezin dot më. Sot u duk qartë: është një parti që proteston nga inercia, jo nga ideja.

E treta, qytetarët janë lodhur nga loja cinike, “zgjidh mes Ramës dhe Berishës”. Kur njerëzit duhet të zgjedhin mes dy të këqijave, zakonisht zgjedhin… divanin dhe këtë sot e provuan me pjesëmarrjen.

Sot nuk dështoi protesta.Sot u ekspozua falimenti personal i Berishës.

Ai nuk ngjit më. Nuk frymëzon. Nuk frikëson. Nuk emocionon. Madje, e vetmja gjë që arrin të ngjallë, është një pyetje kolektive: “Po ky akoma?”

Edhe kur qeveria Rama kërkon vetëm një shkrepëse për të shpërthyer, Berisha nuk arrin dot t’i ndezë qytetarët. Kur nuk arrin ta kapitalizojë zemërimin popullor në një moment të artë, atëherë problemi nuk është populli, problemi je ti.

Ky është dështimi më i madh i tij: kur shoqëria është e zemëruar me qeverinë, por jo aq sa të vijë pas teje. Atëherë nuk ke humbur betejën; ke humbur kredibilitetin.

Sot qytetarët dhanë një mesazh brutal në thjeshtësinë e tij: Sot nuk u braktis protesta, por sot u braktis Berisha.

Ky është Nëntori i braktisjes së tij dhe për të, ky nuk është fundi i rrugës, është vetëm fillimi i zbrazëtisë.

The post Nëntori i Braktisjes së Berishës first appeared on JavaNews.al.

Kur ‘barazia gjinore’ përdoret për të fshehur korrupsionin

7 November 2025 at 09:21

Nga Ermal Peçi

Në një vend ku 60% e popullsisë nuk arrin dot të mbulojë shpenzimet e muajit, lajmi i ditës është “ligji për barazinë gjinore”. Në një Shqipëri ku çdo javë një tender 20-milionësh euro zhduket si avull, ne po debatojmë për kuotat e grave në borde, për fjalinë “ai/ajo” në dokumente dhe për “ndryshimin kulturor” që do të sjellë një nen ligji. Ato që prodhon “Rilindja Kineze” as në Netflix nuk do t’i gjeje, një skenar kaq absurd.

Nëse do të kishte ndonjë arsye për t’u protestuar sot në Tiranë, nuk do të ishte për “të drejtën e trupit”, por për vjedhjen e shtetit. Për faktin që numri dy i qeverisë është në dosjet e SPAK-ut. Për faktin që paratë publike që duhet të ishin në spitale, në rrugë, në shkolla, janë shndërruar në vila, makina luksi, dashnore dhe pushime në Dubai. Por jo. Shqiptarët kanë mësuar të protestojnë për çdo gjë tjetër, veçse për atë që ua vjedh jetën.

Barazia gjinore është temë serioze, por kur përdoret si perde tymi për të mbuluar korrupsionin, ajo bëhet tallje. Është si të flasësh për “të drejtat e grave” në një vend ku gratë paguhen 40% më pak, ku pushteti i grave është fasadë për pushtetin e burrave që firmosin pas tyre, dhe ku “ministrja” është thjesht zgjatim i urdhrave nga lart. Kjo nuk është barazi, është dekor politik. Një “bythë mediatike” për të zhvendosur vëmendjen nga dosjet e SPAK-ut që rrotullohen rreth Ramës dhe Berishës.

E vërteta është se këtu s’jemi as afër një shoqërie që kupton realisht çfarë është barazia gjinore. Shqipëria mbetet një shoqëri thellësisht patriarkale, ku burrat flasin për “emancipimin e grave”, ndërsa gratë u shërbejnë kafenë. Ku në fshat gruaja nuk ka tokë, në qytet nuk ka zë dhe në politikë nuk ka pushtet real. Në një shoqëri të tillë, axhenda të importuara si “identitetet gjinore” apo “neutraliteti gjuhësor” nuk pijnë ujë, sepse nuk janë të lidhura me realitetin tonë.

Prandaj kjo zhurmë për “barazinë gjinore” është më shumë një instrument për të shmangur thelbin: korrupsionin, padrejtësinë, pabarazinë ekonomike. Nëse do të kishte ndonjë protestë që do ta ndiente ky popull, do të ishte për taksat që i zhduken çdo vit.

Në fund, Shqipëria nuk ka mungesë ligjesh për barazi, por mungesë morali për drejtësi. Sa kohë që njerëzit do të dalin në shesh për “merakun e bythës”, por do të heshtin për miliardat që na vjedhin, barazia e vetme që do të kemi është ajo e varfërisë.

The post Kur ‘barazia gjinore’ përdoret për të fshehur korrupsionin first appeared on JavaNews.al.

Gazment Bardhi, heroi i rremë i propagandës

5 November 2025 at 22:04

Nga Ermal Peçi

Në Shqipëri, e vërteta politike shpesh mbetet e fshehur nën atë që unë e quaj “Pushteti i Thashethemeve”: të gjithë e shohin, por pak guxojnë ta përmendin. Dokumentet e SPAK nuk lënë vend për dyshim: personi që kallëzoi për Tunelin e Llogarasë Belinda Ballukun ishte vetë Lulzim Basha, jo ndonjë “hero i ri opozitar” që shfaqet në rrjetet sociale dhe pretendon të marrë meritat e tjerëve apo rolin e gazetarit.

Por kjo e vërtetë nuk u tha, sepse u zhyt nën gardhin e propagandës, si të pushtetit, ashtu edhe të PD-së. Publikut i shitet një histori tjetër: se Balluku “ ka blerë deputetët e Bashës”, ndërkohë që askush nuk flet për faktin se kallzimi në SPAK u mundësua pikërisht nga Basha, që hapi portën për prokurorinë dhe lejoi nisjen e hetimit ndaj numrit dy të qeverisë.

Më cinike është loja me imazhet e heronjve: Gazment Bardhi shitet si ai që po lufton më fort Ballukun, ndërkohë që dokumentet tregojnë qartë se ai nuk kishte rol aktiv. Bardhi shkoi në SPAK vetëm pas një muaji, duke u përpjekur të marrë një pjesë të meritat që nuk i takonin. Berisha sëbashku me deputetët e tjerë të PD-së heshtën strategjikisht, duke mos guxuar të pranojnë se kallzimi origjinal nuk vinte prej tyre.

Mediat dhe propagandistët politikë e dinë shumë mirë si të krijojnë trillime, të shpikin heronj sipas skenarëve që i shërbejnë politikës dhe të manipulojnë opinionin publik. Ndërkohë, Basha vepron në heshtje, duke përdorur mjete penale dhe jo teatrin mediatik që shpesh nuk çon askund. Ai e di se lufta reale për të shkatërruar një sistem të tillë nuk bëhet me batuta, retorikë boshe apo gjysëm të vërteta , por me fakte dhe dokumente që nuk mund t’i falsifikosh.

Në këtë spektakël cinik, publiku mbetet i hutuar, legjendat mbushin ekranet, dhe dokumentet presin heshtur të flasin. Por kush lexon mes rreshtave e kupton qartë: Basha nuk ka shitur demokratët as qytetarlt dhe as kauzat e tyre por të tjerë janë ata që krijuan farsën mediatike dhe mashtruan publikun duke bërë pazar me demokratët dhe qytetarët. Në fund, historia politike nuk do t’i harrojë lojtarët e propagandës, ata që shfrytëzuan mashtrimet për të fituar pikë ; ndërsa ata që vepruan me përgjegjësi, edhe në heshtje, do të mbeten mbi kaosin dhe do të mbajnë mbi supe dinjitetin që askush nuk mund t’ua marrë.

The post Gazment Bardhi, heroi i rremë i propagandës first appeared on JavaNews.al.

Të ligët

28 October 2025 at 21:51

Nga Ermal Peçi

Transformimet e thella në realitetin tonë social-mediatik dhe politik duket se ka dhënë efektet e para. Nevojat ekonomike kanë ndikuar mbi konceptet morale dhe tashmë nuk ka më as turp, as etikë, as një grimë ndershmëri në gjuhën publike të këtyre kohëve. Ulërijnë, shajnë, shpifin, bërtasin për “të vërtetën” dhe “drejtësinë”, por po t’i shohësh në sy, sheh një boshllëk moral që të ftoh gjakun. Këta janë të ligët, ata që nuk ndihen keq kur baltosin, por ndihen të rrezikuar kur dikush thotë të vërtetën.

Këta janë njerëzit që flasin për “moral”, por e kanë shitur ndërgjegjen për një karrige, për një vend pune, për një favor të vogël që i mban gjallë në sistem. Kanë mbyllur sytë përballë padrejtësisë, kanë heshtur kur vidheshin pasuritë e përbashkëta, kanë nënshkruar çdo kompromis për pak rehati dhe tani flasin me zë të lartë për “drejtësinë e munguar” apo standartet e shkelura.

Në fakt, nuk janë kundër padrejtësisë. Janë kundër drejtësisë. Drejtësia i tremb. U hap dosjet, u prish pazaret, u shkul rrënjët e korrupsionit që u ka dhënë frymë për vite. Këta njerëz jetojnë me korrupsionin si me oksigjenin dhe pa të ata nuk marrin dot frymë. Ndaj edhe çdo herë që SPAK apo një prokuror i ndershëm guxon të veprojë, ata ngrihen në kor: “E dirigjon politika, është selektive, është sulm ndaj lirisë!”

Por çfarë lirie mbrojnë këta? Lirinë për të vjedhur pa u ndëshkuar? Lirinë për të bërë pazar me ndërgjegjen? Lirinë për të dal në krah të politikanëve të cilët e katandisën Shqipërinë në këtë gjëndje? Apo lirinë për të sharë e baltosur çdo njeri që s’bëhet pjesë e pazarit të tyre?

Janë të njëjtët që për vite kanë ngrënë në sofrën e pushtetit, e sot bëjnë sikur janë opozitarë moralë. Të njëjtët që kanë përfituar nga çdo qeveri, çdo sistem, çdo “drejtues” që u ka dhënë një copë pushtet. Sot, kur fryma e drejtësisë po u fryn në qafë, dalin në televizione me fjalorin e baltës dhe me nervat e atij që e di se fundi po afrohet.

Gjuha e tyre është e dhunshme sepse janë të zhveshur nga e vërteta. Sa më shumë ndihen të zbuluar, aq më shumë ulërijnë. Sa më shumë u afrohet drita, aq më fort bëjnë marrëveshje në errësirë për ta fikur atë dritë. Kanë frikë nga pasqyra, sepse në të nuk shohin më maskën e moralistit, por fytyrën e njeriut që ka heshtur, që ka mbyllur sytë, që ka pranuar të jetë pjesë e pazarit.

Të ligët nuk janë thjesht ata që vjedhin. Të ligët janë ata që mohojnë faktet. Të ligët janë ata që manipulojnë të vërtetën. Të ligët janë ata që gënjejnë pa iu plasur cipa. Të ligët janë ata që deformojnë atë që shkruhet e bardha mbi të zezë. Të ligët janë ata që e shesin Shqipërinë për interesat e tyre meskine.

Ky vend, për fat të keq, ka njerëz që shesin moral, por jetpjnë çdo ditë në amoralitet. Njerëz që flasin për liri, por nuk e durojnë dot drejtësinë.

Drejtësia dhe shoqëria nuk mund të ndalen nga të ligët, sepse edhe kur bërtasin më fort, është shenjë e frikës që i përpin. Ndoshta, për herë të parë pas shumë vitesh, frika është në anën e tyre dhe e drejta, më në fund, në anën tonë sepse e vërteta vonon por nuk harron dhe siç thoshte e Fishta i madh “Por i urti kurr nuk ngutet, Prej burrnís e jo prej tutet”.

The post Të ligët first appeared on JavaNews.al.

Të quash Luigj Gurakuqin “makiavelist” në mes të Shkodrës, është guxim apo mosdije?

26 October 2025 at 19:27

Nga Ermal Peçi

U mendova gjatë nëse duhej ta shkruaja këtë editorial apo jo. Shkaku ishte një aktivitet i organizuar nga legalisët në Shkodër, ku në një fragment dokumentari mbi Mbretin Zog, u hodh një akuzë befasuese: Luigj Gurakuqi dhe Fan Noli, si “makiavelistë politikë”.
Aty, në mes të Shkodrës, kjo fjalë më tingëlloi jo vetëm si provokim, por si një akt që kërkon ose guxim të madh historik, ose mosdije të thellë për historinë e Shqipërisë.

Në një qytet që e ka rritur dhe nderuar figurën e Gurakuqit, ta vendosësh në bankën e të akuzuarve është e pakta një keqkuptim i madh me kujtesën kombëtare.

Luigj Gurakuqi nuk ishte i përsosur, ashtu siç nuk është asnjë figurë historike, por ai ishte një nga ata njerëz që sakrifikoi jetën për idenë e një Shqipërie të lirë e moderne. Një njeri që jetoi me idealin e arsimit, të kulturës dhe të shtetit kombëtar; që përktheu, shkroi, arsimoi e luftoi për një komb që sapo po merrte frymë.

Nëse këto janë cilësitë e një “makiavelisti”, atëherë duhet të rishkruajmë gjithë fjalorin politik të njerëzimit.

Në takimin e legalistëve në Shkodër, ku morën pjesë Princ Leka II dhe dhjetëra familje shkodrane, ndodhi ajo që ndodh shpesh në politikën shqiptare: historia u përdor si armë.

Nuk është hera e parë që emra si Noli, Gurakuqi apo Avni Rustemi rivihen në “gjyq” sipas interesave të ditës.
Ndryshe nga polemikat politike, historia kërkon drejtësi, jo hakmarrje.

Nuk mund të flasësh për Gurakuqin pa përmendur Nolin e 1924-ës dhe Mbretin Zog që konsolidoi shtetin modern shqiptar. Ata ishin në anë të ndryshme të barrikadës, por të gjithë punuan, secili në mënyrën e vet, për të njëjtin qëllim: Shqipërinë.
Të zgjedhësh njërin dhe të përbuzësh tjetrin do të thotë të mos kuptosh asnjërin dhe më keq akoma, të mohosh historinë.

Makiavelizmi në politikën shqiptare moderne është bërë një mjet që shpërblen dinakërinë, por nuk mund të përdoret për të përkufizuar një epokë ku idealizmi ishte oksigjeni i jetës publike.

Nëse “makiavelizmi” nënkupton pragmatizëm politik e ndonjëherë kompromis të dhimbshëm për interesin e shtetit, atëherë po të gjithë, nga Noli tek Zogu, kanë pasur momente të tilla. Shteti nuk ndërtohet vetëm me ëndrra, por me zgjedhje të vështira.

Ta reduktosh Gurakuqin në një intrigant është fyerje ndaj një jete të përkushtuar ndaj arsimit, gjuhës dhe pavarësisë kombëtare. Ai nuk luftoi për pushtet, por për një Shqipëri që të kishte mendimtarë, jo vetëm komandantë dhe kjo ishte e filozofia e Rilindjes në thelb, të cilën historia e shpërbleu me respekt të përjetshëm.

Sot është koha për t’i zbardhur e jo për t’i baltosur figurat tona.
Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për një histori të çliruar nga pasionet partiake dhe trashëgimitë e verbra të ndasive.
Noli ishte reformator e poet, Gurakuqi mendje e ndritur dhe viktimë e pasioneve politike, ndërsa Zogu, me gjithë autoritarizmin e tij, ishte njeriu që vendosi themelet e administratës shtetërore.

Të gjithë ishin të nevojshëm dhe të gjithë kanë vendin e tyre në historinë tonë.
Historia nuk është pronë e partive, as e mbretërve, as e republikanëve. Është pronë e kujtesës sonë kolektive. Të flasësh për të kërkon kulturë, përgjegjësi dhe guxim për ta parë të vërtetën siç është, jo siç do ta donim.

Të quash Luigj Gurakuqin “makiavelist” në mes të Shkodrës është një ftesë për debat, por debat që duhet bërë me dokumente, jo me legjenda.
Koha historike na ka treguar se Kombi që nuk njeh drejt historinë e vet, është i destinuar ta përjetojë përsëri, në formën më të keqe të saj.

The post Të quash Luigj Gurakuqin “makiavelist” në mes të Shkodrës, është guxim apo mosdije? first appeared on JavaNews.al.

Kur Dodiku dorëzohet, Berisha mbetet peng i vetes

20 October 2025 at 18:37

Nga Ermal Peçi

Ka njerëz që mendojnë se mund t’i rezistojnë pafundësisht realitetit. Milorad Dodik ishte një prej tyre. Për vite me radhë ai sfidoi SHBA-në, BE-në dhe vetë strukturën shtetërore të Bosnjës, duke ndërtuar një sistem paralel pushteti mbi retorikën e ndarjes dhe nacionalizmit. Por ditët e fundit treguan se edhe më të fortët, kur përballen me presionin e realpolitikës ndërkombëtare, në fund detyrohen të përkulen.

Dodik, i shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, pranoi të tërhiqet nga posti i presidentit të Republikës Serbe. Ky ishte një akt i diktuar jo nga reflektimi, por nga izolimi. Nga frika se çdo hap tjetër do ta çonte drejt një fundi politik të pashmangshëm. Shtetet e Bashkuara u përgjigjën menjëherë duke hequr sanksionet ndaj disa bashkëpunëtorëve të tij, një sinjal i qartë se rruga e vetme drejt normalizimit është dorëzimi, jo përplasja.

Në të njëjtën logjikë, nuk është e vështirë të shohësh paralelizmin me Sali Berishën edhe ai, si Dodiku, është shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe. Edhe ai ka zgjedhur ta interpretojë ndëshkimin ndërkombëtar si një komplot kundër tij, duke ndërtuar një realitet paralel ku çdo kritikë është armik, çdo kundërshtar tradhtar dhe çdo fakt—një pjesë e një konspiracioni global kundër “liderit historik”.

Por ndryshe nga Dodiku, i cili më në fund e kuptoi se përplasja me Perëndimin nuk të çon askund, Berisha vazhdon të luftojë me hijet e së shkuarës. Ai po udhëheq një betejë që nuk ka më terren, një opozitë që është më shumë tribunë personale se alternativë politike. Çdo ditë që kalon, ai izolohet më shumë, jo vetëm nga ndërkombëtarët, por edhe nga vetë shoqëria që kërkon diçka përtej mitologjisë të së kaluarës.

Pasojat janë të dukshme. Partia Demokratike, dikur shtylla e vetme e qendrës së djathtë, është sot më e vogël se kurrë. Ajo nuk përfaqëson më energjinë e shpresës, por ngjashëm me një klub nostalgjik, endet mes sharjeve dhe mllefeve. Berisha e mori vulën e partisë jo përmes një procesi politik të ndershëm, por përmes një skenari të orkestruar ku përfshihej edhe pushteti që ai pretendon se e lufton. Ish-deputeti Ferdinand Xhaferraj e tha hapur: “Vula nuk iu dha nga gjykata, por nga Rama.” Kjo e vërtetë, e hidhur por e qartë, tregon se Berisha është sot më shumë një instrument i sistemit sesa sfidues i tij.

Në vend që të ndërtojë opozitë, ai po shkatërron çdo mundësi për rilindje të saj. Herë e mban peng PD-në duke e përdorur si mburojë ndaj drejtësisë, herë kërkon marrëveshje të fshehta me Ramën për të fituar pak kohë politike. Një ditë bën thirrje për revolucion, ditën tjetër kërkon paqe për interes personal. Në këtë pingpong politik, PD po tretet, ndërsa Berisha po shndërrohet në simbolin e një opozite që jeton vetëm për të mbijetuar.

Ndërkohë, asgjë nuk ka ndryshuar në raportin e tij me SHBA-të. Non grata mbetet aty, Trump as nuk e di në ekziston një adhurues i flakët përtej oqeanit i cili ka krijuar një mur me deklarata që mund t’i bien e ta zënë brenda. Për Berishën, si për Dodikun, fajin e kanë gjithmonë të tjerët dhe asnjëherë ata sepse ata janë engjëjt e politikës që do shpëtojnë demokracitë me mënyra totalitare.

Historia e Dodikut është një paralajmërim i qartë: askush nuk i shpëton realitetit. Mund të sfidosh një herë, dy herë, por në fund, kur bota mbyll derën, nuk ka më as rrugë, as dritë në fund të tunelit.

Berisha ende beson se mund të fitojë duke luajtur jashtë rregullave. Por siç tregoi Bosnja, në politikë si në jetë, kush s’e pranon realitetin, bëhet peng i vetes.

The post Kur Dodiku dorëzohet, Berisha mbetet peng i vetes first appeared on JavaNews.al.

A mund të harrohet Dritëroi?

15 October 2025 at 10:38

Nga Ermal Peçi

Më 13 tetor, një dritë ndizet çdo vit në kujtesën tonë kombëtare, dritë që mban emrin Dritëro Agolli. Ai që për dekada u quajt “shkrimtari i popullit”, “poeti i njerëzve të thjeshtë”, “njeriu që dinte të fliste me tokën dhe qiellin njësoj”. Dritëroi nuk shkroi për t’u lexuar në podiume, por për t’u ndjerë në shpirt. E megjithatë, sa shpesh ndodh që e kujtojmë vetëm me një status në rrjete sociale?

Të hënën që lamë pas, në “N’Dritëro Book”, një hapësirë që e ka kthyer kujtimin në frymë, u mblodhën miq, bashkëkohës, lexues dhe admirues të tij dhe madje u pi verë dhe raki e mirë! U lexuan poezi, u risollën kujtime dhe, në mes të zërit poetik të mbrëmjes, pati një heshtje që foli më shumë se çdo fjalë. Ishin ata që e kishin njohur nga afër, shokët e vjetër të Dritëroit, që nuk i ndalën dot lotët kur në ekran u shfaq fytyra e tij.

Dritëroi nuk ishte thjesht një shkrimtar, ishte një kujtim i gjallë i një Shqipërie që, edhe pse e mbytur në komunizëm, ai me natyrën dhe penën e tij i dha mesazhe të qenësishme shoqerisë, si romani “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo”.

Por a mjafton kjo? A mjafton një mbrëmje poetike për të mbajtur gjallë një emër si Dritëro Agolli? A nuk është detyrim moral i shtetit që figurat e mëdha të letërsisë shqiptare të mos lihen vetëm në kujtesën e miqve dhe të nipërve, por të kthehen në institucione kujtese e kulture për brezat që vijnë?

Kujtimi i Dritëroit nuk është luks, është detyrë. Është borxh që shlyhet me respekt, me aktivitete, me hapësira që frymojnë kulturë, me libra që ribotohen e lexohen në shkolla. Dritëroi ishte dhe mbetet njeriu që i dha zë shpirtit shqiptar, që përktheu dashurinë, dhimbjen dhe ironinë tonë kombëtare në vargje që nuk plaken.

Është e dhimbshme që shpesh kujtohemi për njerëzit e mëdhenj vetëm kur dikush organizon diçka private, në një qoshe ku dashuria për letërsinë jeton ende. Në fakt kur shteti duhet të jetë i pari që organizon, nxit dhe kujton, sepse nëse harrojmë Dritëronë dhe të ngjashmit e tij, kë do të kujtojmë?

Dritëroi na la veprat e tij si testament për një shoqëri, por na la edhe çdo fjalë të tij, si të ishte një gur në themelin e shpirtit tonë kombëtar.

The post A mund të harrohet Dritëroi? first appeared on JavaNews.al.

Plaku i hileve…

6 October 2025 at 12:58

Nga Ermal Peçi

Para dhjetë vitesh nuk do ta kisha quajtur kurrë Sali Berishën “Plaku i Hileve”. Përkundrazi, në çdo tryezë do të thoja me bindje se ai ishte i vetmi burrë shteti që kishte prodhuar Shqipëria në këto dekada demokracie. Kjo ndjesi vinte nga mënyra si e lexoja politikën e asaj kohe, nga mungesa e alternativave reale, por edhe nga filtrat e informacionit që nuk të lejonin të shihje përtej hijes së gjatë të tij.

Sot, Berisha nuk është më as burrë shteti, as udhëheqës opozite, as zë i një epoke që lamë pas. Ai është kthyer në një siluetë politike që endet si fantazmë mbi rrënojat e një partie që dikur ishte forca më e madhe opozitare në vend. Është thjesht Plaku i Hileve – një figurë që nuk lëshon pushtetin, por as nuk prodhon më ide, energji apo vizion për të ardhmen.

Ai e ka kthyer Partinë Demokratike në një bunker ideologjik, ku hyrja është e ndaluar për çdo mendim ndryshe, për çdo të ri që guxon të sfidojë sistemin, për çdo zë që nuk është klonuar nga hijet e së shkuarës. PD nuk frymon më, sepse është e marrë peng prej tij. Është një kuti e mbyllur me çelës nga brenda, ku Berisha flet me veten dhe një grusht njerëzish që i përulen si klerikë një figure që nuk pyet më për realitetin, por vetëm për kontrollin.

Për të mbajtur gjallë këtë iluzion pushteti, Berisha ka shpikur trukun e radhës: bën sikur dëgjon Agron Shehajn për zgjedhjet vendore në Tiranë dhe për një kandidat “apolitik”. Ai e di shumë mirë që kjo nuk është garë, por alibi. Ai e di se do të humbasë. Por e sheh këtë betejë si mundësi për të justifikuar ekzistencën e vet politike dhe për të zgjatur zvarritjen e tij. Nuk ka strategji. Nuk ka ofertë reale për qytetarët. Nuk ka vizion.

Kandidatët që shfaqen janë ose figura që karrierën politike ia detyrojnë atij, ose emra tërësisht të shkëputur nga realiteti i Tiranës. Më shumë ngjajnë me gurë shahu të vendosur për të ruajtur balancën e brendshme të kontrollit sesa me sfidues seriozë të Manastirliut.

Dhe ky është mashtrimi më i madh: Berisha nuk po bën garë për Tiranën – po bën garë për veten. Për të fituar kohë. Për të krijuar një pretekst të ri pse ende nuk e ka rrëzuar Edi Ramën nga pushteti – ashtu siç premtoi me zjarr.

Që prej vitit 2021, Partia Demokratike ka humbur vazhdimisht terren. Në katër vite, ka rënie nga 21 % deri 40% të votës në rang kombëtar. Berisha vetë nuk ka mbajtur asnjë premtim. Dhe kjo parti po bëhet gjithnjë e më e izoluar, më hermetike. E megjithatë, Plaku i Hileve nuk pranon të japë llogari. Nuk hap debat të brendshëm. Nuk kërkon analizë. Nuk merr përgjegjësi. Hesht. Fsheh. Mohon. Dhe në këtë mënyrë, po e vret PD-në – ditë pas dite, votë pas vote.

Ajo që dikur ishte një forcë opozitare e frikshme, sot është një kafaz zhurmash, ku dëgjohet vetëm zëri i Berishës – por që askush nuk do ta dëgjojë më.

Berisha nuk ka më asnjë kanal komunikimi me Perëndimin. Shpallja “non grata” nga SHBA dhe më pas nga Britania e Madhe nuk janë thjesht goditje personale – janë një alarm politik: opozita shqiptare nuk mund të mbështetet mbi një figurë të izoluar ndërkombëtarisht.

Ky është fundi më i hidhur për një politikan që dikur fliste për idealin, por sot është peng i pushtetit. Që dikur fliste për Amerikën, por sot është përjashtuar prej saj. Nuk po largohet me dinjitet – po zvarrit një agoni që po i kushton Shqipërisë jo vetëm një opozitë të fortë, por edhe shpresën për ndryshim.

Në vend që të ishte udhëheqësi që do t’i hapte rrugën një brezi të ri, ai zgjodhi të ishte pengmarrësi i fundit i një partie që meritonte më shumë.

Të jesh kritik ndaj Berishës nuk është të jesh kundër PD-së. Përkundrazi. Është detyrë morale për këdo që ende beson se Shqipëria meriton një opozitë reale, moderne, të pastër dhe me sy nga e ardhmja.

Në fund të ditës, Plaku i Hileve nuk lufton më për Shqipërinë – ai lufton vetëm për veten. Dhe kjo është lufta më e kotë, më bosh, më e trishtë që mund të bëjë një njeri politik.

The post Plaku i hileve… first appeared on JavaNews.al.

A mund të filmohet dhe fotografohet vdekja?

28 September 2025 at 13:41

Nga Ermal Peçi 

Gjithçka nisi nga një foto që u bë virale. Dy personazhe të njohur të showbiz-it, Egli dhe Gjesti, përqafohen në një moment të thellë dhimbjeje, ndërsa turma përreth, me telefonat në dorë, filmon dhe fotografon. 

Ishte pamja më e qartë e një çmendurie kolektive. E një shoqërie që ka humbur ndjeshmërinë, turpin, dhe ka deformuar strukturën e vet sociale. 

Gjesti, këngëtar dhe fitues i një formati shumë të ndjekur si Big Brother VIP, qëndron i përkulur mbi varrin e vëllait të tij të vogël, humbur tragjikisht në një aksident. Sytë i ka të mbushur me lot, por gjen forcë për të qëndruar në këmbë, për t’u përqafuar me të dashurit. 

Por ajo çka e rrethon nuk është dhembje e përbashkët, por një mur telefonash të ngritur si armë ftohtë. Kamera ndezur. Regjistrime. Story. Foto për më vonë, për “arkivën” e rrjeteve. 

Dikur, vdekja ishte e shenjtë. Një moment që respektohej në heshtje, në përkulje, në dhembje të ndarë. 

Sot, edhe trishtimi ka nevojë për audiencë. Çdo ndjenjë dokumentohet. Çdo dhimbje shndërrohet në përmbajtje. 

Vdekja është kthyer në spektakël. Në vend të qetësisë kemi zoom dhe focus. Në vend të ngushëllimit, kemi xhirime. 

Po çfarë ndodhi me ne si shoqëri? 

Si përfunduam këtu, ku një varr bëhet sfond për një story? 

Ku sytë që dikur lotonin, tani fokusojnë? 

Ku respekti për një moment sakral zëvendësohet nga instinkti për të kapur një pamje, për ta bërë virale, për ta konsumuar si lajm? 

Kjo nuk është një çështje e momentit apo mungesë edukate nga disa të rinj. 

Kjo është pasqyra e një epoke që ka humbur busullën morale. 

Jetojmë në një kohë ku ndjenjat nuk përjetohen më, por dokumentohen. Dhimbja duhet të ekspozohet dhe humbja të transmetohet. 

Por në këtë garë për “përmbajtje”, kemi humbur një vlerë thelbësore: dinjitetin. 

Turma nuk ishte aty për të ndarë dhimbjen me Gjestin. Ishte aty për ta regjistruar atë. Për ta kapur, për ta shpërndarë. 

Në vend që ta ngushëllonin, e shënjestruan. Ironia më e madhe? Asnjë prej tyre nuk po shikonte me sy – shikonin vetëm përmes ekranit. Vetëm përmes objektivit. 

Vdekja nuk filmohet. Dhimbja nuk është performancë. Humbja nuk është spektakël. 

Sot më shumë se kurrë, kemi nevojë të rikthejmë njerëzoren në sjelljet tona. 

Të mësojmë të jemi të pranishëm, jo vetëm me kamera, por me zemër. Të kujtojmë se kur dikush qan, nuk duhet ta xhirojmë por të qëndrojmë pranë tij. Në heshtje. Me ndjeshmëri. Me shpirt. 

Gjesti, fatkeqësisht, nuk do ta harrojë kurrë këtë ditë, jo vetëm për dhimbjen që i solli jeta, por edhe për mungesën e njerëzores që e rrethoi. 

Por ajo që është edhe më trishtueshme është se as ne nuk duhet ta harrojmë – jo për hir të fotos, por për mësimin që ajo na jep: 

Ndoshta ka ardhur koha të ulim telefonin. Dhe të ngremë sytë. 

 

 

 

The post A mund të filmohet dhe fotografohet vdekja? first appeared on JavaNews.al.

Si po e shkatërron partia e Metës, PD-në dhe opozitën

26 September 2025 at 21:08

Nga Ermal Peçi

Në historinë e re politike shqiptare, pak janë formacionet që kanë krijuar një perceptim kaq negativ, thuajse universal, sa Partia e Ilir Metës – sot e ribranduar si “Partia e Lirisë”. Për shqiptarët, kjo parti është simboli më i pastër i asaj që duhet kapërcyer: një organizatë pa shtyllë kurrizore, pa ide, pa vizion për vendin. Një makineri pazari, e ndërtuar jo mbi besimin e qytetarëve, por mbi trukun e pushtetit dhe tregtinë e votës. Kjo parti nuk është ngritur për të ndryshuar Shqipërinë, por për të ruajtur privilegjet e një njeriu të vetëm dhe kastës që e rrethon.

Kur po shkruaja këtë shkrim mu rikujtuanjë nga fjalimet më të forta në parlament kundër LSI, Astrit Patozi, ish-deputeti i Partisë Demokratike në ato kohë, do ta simbolizonte LSI-në me një figurë mitologjike: kuçedrën Hidra. “I pret kokën dhe ajo nxjerr tre të tjera,” – thoshte Patozi. Një përshkrim brilant i një organizate që pavarësisht përpjekjeve për t’u ndëshkuar nga vota popullore apo për t’u izoluar politikisht, gjente gjithmonë mënyrën për t’u rikthyer në lojë, më e pangopur dhe më e rrezikshme se më parë.

Kjo është partia që nuk njeh moral, nuk ka memorie dhe nuk njeh turp. Ka qenë në qeveri me të gjithë dhe ka tradhtuar të gjithë. Ka qenë kundër reformave kur s’i interesonte, dhe “pro” kur i duhej pazari. Ka përfituar nga pushteti pa e ndarë kurrë përgjegjësinë për dështimet. Sot, kërkon të ringjallet në opozitë, duke u ngjitur sërish pas trupit të PD-së si një tumor politik që nuk e lë atë të shërohet.

Në fakt PD akoma edhe sot po paguan kostot e famshme të  videos famëkeqe Meta–Prifti? Një sekuencë e ftohtë e një pazari të ulët për tendera e poste, që ekspozoi pa dorashka fytyrën e vërtetë të një kaste politike që nuk punon për qytetarët, por për xhepat e vet. Ajo video, publikuar në janar 2011, ndezi revoltën qytetare dhe çoi në ngjarjet tragjike të 21 janarit, ku katër qytetarë mbetën të vrarë në bulevard. Por nuk përfundoi aty: rrëzimi moral dhe politik i PD-së nisi pikërisht nga koalicioni me këtë forcë që solli në qeveri Ilir Metën si numrin dy të shtetit. Ishte kjo aleancë që i ktheu shpinën elektoratit të djathtë, dhe që në thelb, hodhi gurin e parë drejt shkatërrimit të opozitës së ardhshme.

LSI-ja e Ilir Metës nuk ka qenë kurrë aleate natyrale e së djathtës dhe nuk ka se si të jetë për sa kohë ata mbajnë shallin e pionerit kudo. Në çdo qeverisje ku ajo ka qenë pjesë, ka funksionuar si një trup i huaj në organizmin politik të së djathtës. Që nga periudha kur ishte në koalicion me PD-në, ajo vepronte si minues i brendshëm, me korrupsionin apo anaksimin që ju bëri të djathtëve në qeverisje. Në terren, çdo strukturë e LSI-së bënte gjithçka për të rritur peshën e vet elektorale, duke gërryer hap pas hapi bazën tradicionale të PD-së. Dhe për këtë nuk ka nevojë për interpretime, është një realitet që çdo demokrat e ka ndjerë në kurriz.

Ironia më e madhe është se vetë Sali Berisha, më mirë se kushdo tjetër, e njeh fytyrën e vërtetë të Ilir Metës. Ai ka qenë dëshmitar, madje edhe viktimë e sjelljes së tij politike. Ka qenë ai që e ka akuzuar Metën për korrupsion, për kapje të shtetit, për tradhti politike. Por sot, i ngujuar në një realitet të ri politik dhe me një lëvizje të dëmtuar nga goditjet e njëpasnjëshme, Berisha duket se ndjen një borxh të pashlyer ndaj Metës, një lloj aleance e heshtur për të mbijetuar në një opozitë të çoroditur. Për këtë arsye, ai nuk e thotë dot atë që di: se ndjen një borxh të madh ndaj tij për sa kohë i futi 4 deputet në lista të sigurta me votat e demokratëve.

Berisha dhe Meta po përjetojnë një simbioz politike ku pavarësisht gjithçkaje po jetojnë një bashkëjetes për mbijetes, pavarësisht se Meta tashmë lëviz çdo fije politike nga qelia e tij.

Nëse opozita shqiptare do të ketë ndonjëherë një shans të vërtetë për të rikthyer besimin e qytetarëve, ajo duhet të shkëputet njëherë e mirë nga e kaluara dhe Partia e Ilir Metës është mishërimi i asaj të kaluare që duhet fshirë: e korrupsionit, e pazareve, e dhunës politike, e rrënimit moral.

PD nuk mund të rilindë duke mbajtur mbi supe peshën e një partie që ka punuar për ta fundosur. Demokratët nuk mund të bëhen pjesë e një opozite të rreme, që në vend që të sfidojë pushtetin, e përdor emrin e opozitës për të ruajtur pazaret e vjetra. Çdo votë që i jepet Partisë së Metës, është një votë më pak për të ardhmen e së djathtës.

Ka ardhur koha që demokratët ta thonë me zë të lartë: kjo lidhje e sëmurë duhet të marrë fund! Vetëm atëherë opozita do të jetë vërtet alternativë. Deri atëherë, do të jetë thjesht një teatrin grotesk, ku Hidra vazhdon të rritet, ndërsa Shqipëria ngelet peng e së shkuarës.

The post Si po e shkatërron partia e Metës, PD-në dhe opozitën first appeared on JavaNews.al.

Trupi pa shpirt fitues i PD-së së Berishës!

11 April 2025 at 21:35

Nga Ermal Peçi

Ajo çfarë ndodhi vetëm pak minuta më parë edhe riprezantimi i kandidatëve të Partisë Demokratike është një dëshmi tronditëse se kjo forcë politike ka humbur aftësinë për të reflektuar, për t’u vetërishikuar dhe mbi të gjitha – për të fituar. Në vend që të ishte një moment rilindjeje politike, ajo u kthye në një fotografi të trishtë: një trup pa shpirt. Një trup që ekziston, por që nuk frymëzon; që flet, por që nuk dëgjohet më.

Ajo që bie në sy në mënyrë dramatike është mungesa e një qasjeje meritokratike. PD ka zgjedhur t’u besojë sërish figurave të vjetra, disa prej të cilave janë konsumuar jo vetëm nga koha, por edhe nga kompromiset që kanë bërë me pushtetin dhe me vlerat që kjo parti pretendon se përfaqëson. Në vend të meritës, është shpërblyer bindja e verbër ndaj Sali Berishës – një lojalitet i pashoq politik, që në vend të jetë virtyt, është kthyer në kriter ekskluziv për përzgjedhjen.

Listës së sigurtë të deputetëve i mungojnë figurat që kanë qenë me demokratët në rrugë, në protesta, në betejat politike dhe institucionale. Janë lënë jashtë individë me përvojë të gjatë politike, me kontribute konkrete dhe me vizion modern për të ardhmen e vendit. Janë përjashtuar ata që nuk kanë kërkuar asnjëherë privilegje, por që kanë punuar për një PD të hapur, për një opozitë të denjë. Ky përjashtim i heshtur është një formë ndëshkimi për të gjithë ata që guxojnë të mendojnë ndryshe brenda një partie që ka ngrirë në kohë.

Në anën tjetër, aleatët politikë – që në shumicën e rasteve nuk përfaqësojnë më as veten e tyre – janë vendosur në pozicione të sigurta. Kjo nuk është fryma e një koalicioni të gjallë dhe strategjik, por një marrëveshje për mbijetesë personale. Është një ndarje kutish, jo një bashkim vlerash.

Ky është momenti kur shumë demokratë pyesin veten: “Kush jemi ne sot?” Dhe përgjigjja është alarmante. PD ka mbetur një trup formal, një makinë elektorale që nuk ka më motorin e saj kryesor – shpirtin demokrat. Shpirtin e garës së ndershme, të përfaqësimit të bazës, të përfshirjes së brezit të ri, të ideve që sfidojnë të vjetrën, jo që e ripërsërisin.

Në politikë, shpesh fiton jo ai që ka më shumë emra në listë, por ai që ka më shumë besim në zemrat e njerëzve. Dhe ky besim nuk ndërtohet mbi klientelizëm, nostalgji apo besnikëri ndaj një njeriu të vetëm. Ndërtohet mbi përfshirje, frymë dhe guxim për të ndryshuar.

Sot, PD-ja është një trup pa shpirt. Dhe një trup pa shpirt, nuk mund të jetë fitues. Mund të ekzistojë, por nuk mund të udhëheqë. Mund të garojë, por nuk mund të fitojë. Dhe nëse nuk ndodh një tronditje e thellë, jo vetëm në emra, por në mendësi, ajo rrezikon të mbetet gjithnjë një hijë e vetes që dikur ndezi shpresë në këtë vend.

The post Trupi pa shpirt fitues i PD-së së Berishës! first appeared on JavaNews.al.

Shqipëria Madhështore apo Shqipëria e Pazarit?

11 March 2025 at 13:16

Nga Ermal Peçi

Ka një ngërç në atë që duhet të paraqitet oferta opozitës apo në stanacionin politik që po prodhohet në Shqipëri. E vetmja që nuk ndryshon në realitetit tonë, janë politikanët, aktorët politik të cilët kanë 34 vite dhe aleancat e tyre të cilat në shumë raste kanë qenë të pamoralshme.

Një aleancë e tillë ishte ajo vitit 2013 ku thirrej në studio për Aleancën e Qelbësirave, ku Ilir Meta u bashkua me Edi Ramën për të vazhduar me degradimin politik-moral që prodhoi kjo dyshe të cilat Shqipëria po i vuan sot.

Sot Berisha shpalosi para shqiptarëve koalicionin e tij me sloganin “Shqipëria Madhështore”, një slogan i kopjuar nga fushata e Trump, “Make America Great Again” ose “Bëje Amerikën Përsëri të Madhe”. “Shqipëria Madhështore” ka bërë bashkë çamët me grekët, tezat e Vorio-Epirit dhe Partinë e Lirisë.

Në fakt të gjithë këta që unë përmenda nga emrat e “mëdhenj” të kësaj aleanca ka qenë të paktën njëherë bashkëpunëtor i Edi Ramës dhe ka bashkëqeverisur dhe ka qenë kundër Partisë Demokratike. Në të gjithë këta ish-bashkëpunëtor të Edi Ramës, njeriu i cili spikat për egërsinë që ka pasur nga 2013 deri në 2017-ën kundrejt anëtarëve të PD-së dhe më pas bashkëpunoi përsëri me Edi Ramën për të komplotuar me dosjen Mc Gonigal kundër ish-kryetarit të PD-së Lulzim Basha, e ka emrin Ilir Meta.

Tashmë të gjithë këta emra si Meta, Dule, Beleri dhe Idrizi do të jenë në lista të sigurta të PD-së, ku do të prodhojnë frymën për të bërë Shqipërinë Madhështore.
Po a mundet të prodhojnë frymë edhe moral figurat të cilat janë të konsumuar para opinionit publik dhe të deskretituar për marrëveshjet politike që ata kanë zhvilluar. A mundet të prodhojë frymë “Shqipëria Madhështore” kur i gjithë koualicioni është kundër SPAK por në fakt 80% e shqiptarëve është pro SPAK edhe e mbështesin punën e tij. A mundet që këto figura të mundin Edi Ramën, kur ishin po këta që i dhanë pushtetin, ishin po këta që miratonin çdo gjë që ai urdhëronte dhe janë po këta që ai i ka mundur me foto dhe pa asnjë program.

Në këtë panoramë politike dhe me këtë koalicion që Berisha ka bërë publike një gjë është e sigurtë se nga “Shqipëria Madhështore”, me Metën, Dulen, Idrizin dhe Belerin do të jetë Shqipëria e Pazarit sepse askush nga këta përfshi dhe Berishën nuk iu ka mbetur asnjë madhështi por vetëm Pazar, pazar të cilin e kanë bërë në kurriz të shqiptarëve.

❌