Normal view

A mund të filmohet dhe fotografohet vdekja?

28 September 2025 at 13:41

Nga Ermal Peçi 

Gjithçka nisi nga një foto që u bë virale. Dy personazhe të njohur të showbiz-it, Egli dhe Gjesti, përqafohen në një moment të thellë dhimbjeje, ndërsa turma përreth, me telefonat në dorë, filmon dhe fotografon. 

Ishte pamja më e qartë e një çmendurie kolektive. E një shoqërie që ka humbur ndjeshmërinë, turpin, dhe ka deformuar strukturën e vet sociale. 

Gjesti, këngëtar dhe fitues i një formati shumë të ndjekur si Big Brother VIP, qëndron i përkulur mbi varrin e vëllait të tij të vogël, humbur tragjikisht në një aksident. Sytë i ka të mbushur me lot, por gjen forcë për të qëndruar në këmbë, për t’u përqafuar me të dashurit. 

Por ajo çka e rrethon nuk është dhembje e përbashkët, por një mur telefonash të ngritur si armë ftohtë. Kamera ndezur. Regjistrime. Story. Foto për më vonë, për “arkivën” e rrjeteve. 

Dikur, vdekja ishte e shenjtë. Një moment që respektohej në heshtje, në përkulje, në dhembje të ndarë. 

Sot, edhe trishtimi ka nevojë për audiencë. Çdo ndjenjë dokumentohet. Çdo dhimbje shndërrohet në përmbajtje. 

Vdekja është kthyer në spektakël. Në vend të qetësisë kemi zoom dhe focus. Në vend të ngushëllimit, kemi xhirime. 

Po çfarë ndodhi me ne si shoqëri? 

Si përfunduam këtu, ku një varr bëhet sfond për një story? 

Ku sytë që dikur lotonin, tani fokusojnë? 

Ku respekti për një moment sakral zëvendësohet nga instinkti për të kapur një pamje, për ta bërë virale, për ta konsumuar si lajm? 

Kjo nuk është një çështje e momentit apo mungesë edukate nga disa të rinj. 

Kjo është pasqyra e një epoke që ka humbur busullën morale. 

Jetojmë në një kohë ku ndjenjat nuk përjetohen më, por dokumentohen. Dhimbja duhet të ekspozohet dhe humbja të transmetohet. 

Por në këtë garë për “përmbajtje”, kemi humbur një vlerë thelbësore: dinjitetin. 

Turma nuk ishte aty për të ndarë dhimbjen me Gjestin. Ishte aty për ta regjistruar atë. Për ta kapur, për ta shpërndarë. 

Në vend që ta ngushëllonin, e shënjestruan. Ironia më e madhe? Asnjë prej tyre nuk po shikonte me sy – shikonin vetëm përmes ekranit. Vetëm përmes objektivit. 

Vdekja nuk filmohet. Dhimbja nuk është performancë. Humbja nuk është spektakël. 

Sot më shumë se kurrë, kemi nevojë të rikthejmë njerëzoren në sjelljet tona. 

Të mësojmë të jemi të pranishëm, jo vetëm me kamera, por me zemër. Të kujtojmë se kur dikush qan, nuk duhet ta xhirojmë por të qëndrojmë pranë tij. Në heshtje. Me ndjeshmëri. Me shpirt. 

Gjesti, fatkeqësisht, nuk do ta harrojë kurrë këtë ditë, jo vetëm për dhimbjen që i solli jeta, por edhe për mungesën e njerëzores që e rrethoi. 

Por ajo që është edhe më trishtueshme është se as ne nuk duhet ta harrojmë – jo për hir të fotos, por për mësimin që ajo na jep: 

Ndoshta ka ardhur koha të ulim telefonin. Dhe të ngremë sytë. 

 

 

 

The post A mund të filmohet dhe fotografohet vdekja? first appeared on JavaNews.al.

Si po e shkatërron partia e Metës, PD-në dhe opozitën

26 September 2025 at 21:08

Nga Ermal Peçi

Në historinë e re politike shqiptare, pak janë formacionet që kanë krijuar një perceptim kaq negativ, thuajse universal, sa Partia e Ilir Metës – sot e ribranduar si “Partia e Lirisë”. Për shqiptarët, kjo parti është simboli më i pastër i asaj që duhet kapërcyer: një organizatë pa shtyllë kurrizore, pa ide, pa vizion për vendin. Një makineri pazari, e ndërtuar jo mbi besimin e qytetarëve, por mbi trukun e pushtetit dhe tregtinë e votës. Kjo parti nuk është ngritur për të ndryshuar Shqipërinë, por për të ruajtur privilegjet e një njeriu të vetëm dhe kastës që e rrethon.

Kur po shkruaja këtë shkrim mu rikujtuanjë nga fjalimet më të forta në parlament kundër LSI, Astrit Patozi, ish-deputeti i Partisë Demokratike në ato kohë, do ta simbolizonte LSI-në me një figurë mitologjike: kuçedrën Hidra. “I pret kokën dhe ajo nxjerr tre të tjera,” – thoshte Patozi. Një përshkrim brilant i një organizate që pavarësisht përpjekjeve për t’u ndëshkuar nga vota popullore apo për t’u izoluar politikisht, gjente gjithmonë mënyrën për t’u rikthyer në lojë, më e pangopur dhe më e rrezikshme se më parë.

Kjo është partia që nuk njeh moral, nuk ka memorie dhe nuk njeh turp. Ka qenë në qeveri me të gjithë dhe ka tradhtuar të gjithë. Ka qenë kundër reformave kur s’i interesonte, dhe “pro” kur i duhej pazari. Ka përfituar nga pushteti pa e ndarë kurrë përgjegjësinë për dështimet. Sot, kërkon të ringjallet në opozitë, duke u ngjitur sërish pas trupit të PD-së si një tumor politik që nuk e lë atë të shërohet.

Në fakt PD akoma edhe sot po paguan kostot e famshme të  videos famëkeqe Meta–Prifti? Një sekuencë e ftohtë e një pazari të ulët për tendera e poste, që ekspozoi pa dorashka fytyrën e vërtetë të një kaste politike që nuk punon për qytetarët, por për xhepat e vet. Ajo video, publikuar në janar 2011, ndezi revoltën qytetare dhe çoi në ngjarjet tragjike të 21 janarit, ku katër qytetarë mbetën të vrarë në bulevard. Por nuk përfundoi aty: rrëzimi moral dhe politik i PD-së nisi pikërisht nga koalicioni me këtë forcë që solli në qeveri Ilir Metën si numrin dy të shtetit. Ishte kjo aleancë që i ktheu shpinën elektoratit të djathtë, dhe që në thelb, hodhi gurin e parë drejt shkatërrimit të opozitës së ardhshme.

LSI-ja e Ilir Metës nuk ka qenë kurrë aleate natyrale e së djathtës dhe nuk ka se si të jetë për sa kohë ata mbajnë shallin e pionerit kudo. Në çdo qeverisje ku ajo ka qenë pjesë, ka funksionuar si një trup i huaj në organizmin politik të së djathtës. Që nga periudha kur ishte në koalicion me PD-në, ajo vepronte si minues i brendshëm, me korrupsionin apo anaksimin që ju bëri të djathtëve në qeverisje. Në terren, çdo strukturë e LSI-së bënte gjithçka për të rritur peshën e vet elektorale, duke gërryer hap pas hapi bazën tradicionale të PD-së. Dhe për këtë nuk ka nevojë për interpretime, është një realitet që çdo demokrat e ka ndjerë në kurriz.

Ironia më e madhe është se vetë Sali Berisha, më mirë se kushdo tjetër, e njeh fytyrën e vërtetë të Ilir Metës. Ai ka qenë dëshmitar, madje edhe viktimë e sjelljes së tij politike. Ka qenë ai që e ka akuzuar Metën për korrupsion, për kapje të shtetit, për tradhti politike. Por sot, i ngujuar në një realitet të ri politik dhe me një lëvizje të dëmtuar nga goditjet e njëpasnjëshme, Berisha duket se ndjen një borxh të pashlyer ndaj Metës, një lloj aleance e heshtur për të mbijetuar në një opozitë të çoroditur. Për këtë arsye, ai nuk e thotë dot atë që di: se ndjen një borxh të madh ndaj tij për sa kohë i futi 4 deputet në lista të sigurta me votat e demokratëve.

Berisha dhe Meta po përjetojnë një simbioz politike ku pavarësisht gjithçkaje po jetojnë një bashkëjetes për mbijetes, pavarësisht se Meta tashmë lëviz çdo fije politike nga qelia e tij.

Nëse opozita shqiptare do të ketë ndonjëherë një shans të vërtetë për të rikthyer besimin e qytetarëve, ajo duhet të shkëputet njëherë e mirë nga e kaluara dhe Partia e Ilir Metës është mishërimi i asaj të kaluare që duhet fshirë: e korrupsionit, e pazareve, e dhunës politike, e rrënimit moral.

PD nuk mund të rilindë duke mbajtur mbi supe peshën e një partie që ka punuar për ta fundosur. Demokratët nuk mund të bëhen pjesë e një opozite të rreme, që në vend që të sfidojë pushtetin, e përdor emrin e opozitës për të ruajtur pazaret e vjetra. Çdo votë që i jepet Partisë së Metës, është një votë më pak për të ardhmen e së djathtës.

Ka ardhur koha që demokratët ta thonë me zë të lartë: kjo lidhje e sëmurë duhet të marrë fund! Vetëm atëherë opozita do të jetë vërtet alternativë. Deri atëherë, do të jetë thjesht një teatrin grotesk, ku Hidra vazhdon të rritet, ndërsa Shqipëria ngelet peng e së shkuarës.

The post Si po e shkatërron partia e Metës, PD-në dhe opozitën first appeared on JavaNews.al.

Trupi pa shpirt fitues i PD-së së Berishës!

11 April 2025 at 21:35

Nga Ermal Peçi

Ajo çfarë ndodhi vetëm pak minuta më parë edhe riprezantimi i kandidatëve të Partisë Demokratike është një dëshmi tronditëse se kjo forcë politike ka humbur aftësinë për të reflektuar, për t’u vetërishikuar dhe mbi të gjitha – për të fituar. Në vend që të ishte një moment rilindjeje politike, ajo u kthye në një fotografi të trishtë: një trup pa shpirt. Një trup që ekziston, por që nuk frymëzon; që flet, por që nuk dëgjohet më.

Ajo që bie në sy në mënyrë dramatike është mungesa e një qasjeje meritokratike. PD ka zgjedhur t’u besojë sërish figurave të vjetra, disa prej të cilave janë konsumuar jo vetëm nga koha, por edhe nga kompromiset që kanë bërë me pushtetin dhe me vlerat që kjo parti pretendon se përfaqëson. Në vend të meritës, është shpërblyer bindja e verbër ndaj Sali Berishës – një lojalitet i pashoq politik, që në vend të jetë virtyt, është kthyer në kriter ekskluziv për përzgjedhjen.

Listës së sigurtë të deputetëve i mungojnë figurat që kanë qenë me demokratët në rrugë, në protesta, në betejat politike dhe institucionale. Janë lënë jashtë individë me përvojë të gjatë politike, me kontribute konkrete dhe me vizion modern për të ardhmen e vendit. Janë përjashtuar ata që nuk kanë kërkuar asnjëherë privilegje, por që kanë punuar për një PD të hapur, për një opozitë të denjë. Ky përjashtim i heshtur është një formë ndëshkimi për të gjithë ata që guxojnë të mendojnë ndryshe brenda një partie që ka ngrirë në kohë.

Në anën tjetër, aleatët politikë – që në shumicën e rasteve nuk përfaqësojnë më as veten e tyre – janë vendosur në pozicione të sigurta. Kjo nuk është fryma e një koalicioni të gjallë dhe strategjik, por një marrëveshje për mbijetesë personale. Është një ndarje kutish, jo një bashkim vlerash.

Ky është momenti kur shumë demokratë pyesin veten: “Kush jemi ne sot?” Dhe përgjigjja është alarmante. PD ka mbetur një trup formal, një makinë elektorale që nuk ka më motorin e saj kryesor – shpirtin demokrat. Shpirtin e garës së ndershme, të përfaqësimit të bazës, të përfshirjes së brezit të ri, të ideve që sfidojnë të vjetrën, jo që e ripërsërisin.

Në politikë, shpesh fiton jo ai që ka më shumë emra në listë, por ai që ka më shumë besim në zemrat e njerëzve. Dhe ky besim nuk ndërtohet mbi klientelizëm, nostalgji apo besnikëri ndaj një njeriu të vetëm. Ndërtohet mbi përfshirje, frymë dhe guxim për të ndryshuar.

Sot, PD-ja është një trup pa shpirt. Dhe një trup pa shpirt, nuk mund të jetë fitues. Mund të ekzistojë, por nuk mund të udhëheqë. Mund të garojë, por nuk mund të fitojë. Dhe nëse nuk ndodh një tronditje e thellë, jo vetëm në emra, por në mendësi, ajo rrezikon të mbetet gjithnjë një hijë e vetes që dikur ndezi shpresë në këtë vend.

The post Trupi pa shpirt fitues i PD-së së Berishës! first appeared on JavaNews.al.

Shqipëria Madhështore apo Shqipëria e Pazarit?

11 March 2025 at 13:16

Nga Ermal Peçi

Ka një ngërç në atë që duhet të paraqitet oferta opozitës apo në stanacionin politik që po prodhohet në Shqipëri. E vetmja që nuk ndryshon në realitetit tonë, janë politikanët, aktorët politik të cilët kanë 34 vite dhe aleancat e tyre të cilat në shumë raste kanë qenë të pamoralshme.

Një aleancë e tillë ishte ajo vitit 2013 ku thirrej në studio për Aleancën e Qelbësirave, ku Ilir Meta u bashkua me Edi Ramën për të vazhduar me degradimin politik-moral që prodhoi kjo dyshe të cilat Shqipëria po i vuan sot.

Sot Berisha shpalosi para shqiptarëve koalicionin e tij me sloganin “Shqipëria Madhështore”, një slogan i kopjuar nga fushata e Trump, “Make America Great Again” ose “Bëje Amerikën Përsëri të Madhe”. “Shqipëria Madhështore” ka bërë bashkë çamët me grekët, tezat e Vorio-Epirit dhe Partinë e Lirisë.

Në fakt të gjithë këta që unë përmenda nga emrat e “mëdhenj” të kësaj aleanca ka qenë të paktën njëherë bashkëpunëtor i Edi Ramës dhe ka bashkëqeverisur dhe ka qenë kundër Partisë Demokratike. Në të gjithë këta ish-bashkëpunëtor të Edi Ramës, njeriu i cili spikat për egërsinë që ka pasur nga 2013 deri në 2017-ën kundrejt anëtarëve të PD-së dhe më pas bashkëpunoi përsëri me Edi Ramën për të komplotuar me dosjen Mc Gonigal kundër ish-kryetarit të PD-së Lulzim Basha, e ka emrin Ilir Meta.

Tashmë të gjithë këta emra si Meta, Dule, Beleri dhe Idrizi do të jenë në lista të sigurta të PD-së, ku do të prodhojnë frymën për të bërë Shqipërinë Madhështore.
Po a mundet të prodhojnë frymë edhe moral figurat të cilat janë të konsumuar para opinionit publik dhe të deskretituar për marrëveshjet politike që ata kanë zhvilluar. A mundet të prodhojë frymë “Shqipëria Madhështore” kur i gjithë koualicioni është kundër SPAK por në fakt 80% e shqiptarëve është pro SPAK edhe e mbështesin punën e tij. A mundet që këto figura të mundin Edi Ramën, kur ishin po këta që i dhanë pushtetin, ishin po këta që miratonin çdo gjë që ai urdhëronte dhe janë po këta që ai i ka mundur me foto dhe pa asnjë program.

Në këtë panoramë politike dhe me këtë koalicion që Berisha ka bërë publike një gjë është e sigurtë se nga “Shqipëria Madhështore”, me Metën, Dulen, Idrizin dhe Belerin do të jetë Shqipëria e Pazarit sepse askush nga këta përfshi dhe Berishën nuk iu ka mbetur asnjë madhështi por vetëm Pazar, pazar të cilin e kanë bërë në kurriz të shqiptarëve.

❌