Normal view

Pse nuk duhet njohur Palestina

27 September 2025 at 13:56

Nga Ben Blushi

Njohja e Palestinës nga Franca dhe Britania ka ngritur një pyetje themelore mbi moralin e popujve.

Pyetja është kur e meriton një popull të ketë shtetin e vet ?

Bota ka ende shumë popuj që nuk kanë shtet, megjithëse kanë luftuar më shumë se palestinezët, megjithëse kanë rezistuar më gjatë se ata, megjithëse nuk ia kanë zaptuar askujt tokën sic kanë bërë arabët palestinezë për shekuj dhe megjithëse nuk kanë krijuar organizata terroriste që vrasin fëmijë duke lozur në oborr.

Në 80 vitet e fundit palestinezët kanë bërë cdo gjë keq.

Ata kanë qenë armiqtë më të mëdhenj të shtetit të tyre.

Në vitin 1947 ata refuzuan formulën e OKB për krijimin e dy shteteve,Palestinës dhe Izraelit dhe shkuan në një luftë guerrile të cilën e humbën.

Më pas shkuan sërish në luftë në vitin 1967 me ndihmën e shteteve të tjera arabe dhe humbën përsëri.

Në vitin 2000 e refuzuan marrëveshjen e Paqes së Presidentit Klinton, sipas të cilës Izraeli dhe Amerika e njihnin shtetin palestinez dhe po ti mbledhësh refuzimet palestineze, del se Izraeli e ka refuzuar më pak shtetin e Palestinës se vetë palestinezët.

Duke kaluar nga dështimi në dështim palestinezët humbën me rradhë kohën, tokën,financat, ushtarët, aleatët dhe shpresën.

Mjafton të shohësh shifrat e rritjes demografike të këtyre dy popujve për të kuptuar si janë sjellë ata me veten.

Në vitin 1947 gjithë territori palestinez kishte 2 milion banorë.

Nga këta 1.4 milion ishin arabë dhe 600 mijë ishin hebrenj.

Sot numrat janë përmbysur.

Palestina ka rreth 5 milion banorë, ndërsa Izraeli 10 milion.

Në 80 vjet Izraeli, ky shtet i krijuar nga emigrantë që erdhën nga Evropa pasi ishin masakruar dhe shpronësuar nga Hitleri, krijoi në shkretëtirë bujqësinë më të përparuar në planet,ndërtoi ushtrinë më inteligjente që kemi parë deri sot, është lider i padiskutueshëm në AI dhe ka një ekonomi që prodhon 600 miliard dollarë në vit, disa herë më të madhe se të shumë vendeve evropiane që sot po njohin Palestinën dhe dy herë më të madhe se Irani, megjithëse nëntoka e tij e thatë nuk pikon asnjë gram naftë.

Ndërkaq Gaza dhe West Bank,ku jetojnë 5 milion palestinezë nuk bëjnë dot më shumë se 15 miliardë dollarë ekonomi në vit dhe kjo përpara luftës.

Duke parë këto numra nuk ka nevojë të jesh ekonomist, për të kuptuar se cfarë ka bërë në 80 vjet një popull dhe cfarë ka bërë populli tjetër.

Por nuk mbaron këtu.

Krahasimi i standarteve të demokracisë së këtyre dy popujve është edhe më i dhimbshëm.

Izraeli është një demokraci e fortë, aty shtypi është i lirë, shumica e gazetave janë kundër qeverisë, populli del cdo javë në protestë, parlamenti funksionin, zgjedhjet mbahen cdo katër vjet dhe gjykatat mezi po presin ta burgosin kryeministrin në detyrë, me dyshimin se gruaja e tij ka marrë shpërblim disa dhurata të shtrenjta.

Nga ana tjetër palestinezët kanë njëzet vjet që nuk bëjnë zgjedhje.

Dhe një herë që votuan zgjodhën Hamasin, i cili natyrisht nuk lejon më zgjedhje që nga dita që ka marrë pushtetin.

Pyetja është pse ky ndryshim?

Pse dy popuj që jetojnë në një vend, që ushqehen nga e njëjta tokë, që pinë të njëjtin ujë dhe që lagen nga një det ndryshojnë kaq shumë.

Si ka mundësi që Izraeli u kthye në një superfuqi ekonomike për 80 vjet, ndërsa palestinezët nuk prodhuan dot as demokraci dhe as ekonomi për të njëtën periudhë kohe?

Ata që duan të justifikojnë palestinezët thonë se Izraeli i ka penguar të zhvillojnë ekonominë dhe demokracinë.

Për ironi të fatit zgjedhjet e fundit në territoret palestineze janë zhvilluar në vitin 2005 kur izraelitët u larguan nga Gaza dhe ia lanë palestinezëve.

Që atë ditë aty nuk janë bërë më zgjedhje dhe prandaj është e cuditshme të mendosh se palestinezët shkojnë në kutitë e votimit vetëm kur janë të pushtuar.

Kur janë të lirë ata nuk i duan zgjedhjet.

Pikërisht kjo është kriza e vërtetë e Gazës që asnjë njohje nuk e zgjidh dot.

Pamundësia e palestinezëev për tu qeverisur vetë.

Paaftësia e tyre për të njohur demokracinë si instrument bashkëjetese.

A e meritojnë palestinezët shtetin në këto kushte?

A duhet të ketë shtet një popull që në vend të institucioneve të zgjedhura, pranon të qeveriset nga një grup terrorist i armatosur?

A është gjithë Gaza Hamas?

A e duan palestinezët Hamasin?

Për fat të keq po.

Në dy vitet e fundit miliona izraelitë kanë protestuar kundër luftës, por asnjë palestinez nuk ka kundërshtuar Hamasin

Të rinjtë palestinezë që kapërcejnë tela me gjemba për të vrarë vajza izraelite në koncert, nuk janë rebeluar kurrë kundër Hamasit.

Ata që sakrifikojnë jetën për të masakruar civilë izralelitë të pafajshëm mund të kishin rrezikuar për tu ngritur kundër Hamasit.

Por kjo nuk ka ndodhur.

Palestinezët e adhurojnë Hamasin.

Terroristët ata i shpallin martirë.

Në Gaza nuk ka asnjë parti, asnjë lider dhe asnjë grup politik që e kundërshton Hamasin.

Prandaj njohja e Palestinës pa kushte është një shpërblim që populli palestinez nuk e meriton.

Popujt duhet të mbajnë përgjegjësi për aktet e tyre.

Ne shqiptarët i sollëm komunistët në pushtet me vota dhe për 45 vjet nuk bëmë asgjë për ti rrëzuar.

Komunistët na dhunuan dhe ne iu nënshtruam dhunës.

Sikur, larg qoftë, komunistët shqiptarë të kishin dhunuar edhe një popull tjetër, ne do ishim njëlloj përgjegjës ,sic janë përgjegjës gjermanët që e sollën Hitlerin në pushtet dhe ia dhanë fëmijët ushtarë për të pushtuar botën.

Sot gjermanët ia njohin vetes këtë ultësirë morale dhe jetojnë me kokën ulur që me votat e tyre krijuan një përbindësh.

Por nga ky kriter moral nuk mund të përjashtohen palestinezët.

Hamasi është përbindëshi i tyre.

Ata e lindën këtë mostër dhe prandaj duhet të jenë njëlloj përgjegjës si gjermanët.

Në emër të moralit, palestinezëve u duhet vënë si kusht zhdukja e mostrës që krijuan.

Shfarosja e Hamasit nuk mund të jetë vetëm detyrë e Izraelit, por e vetë palestinezëve.

Atyre ju takon mos ia japin fëmijët ushtarë, atyre ju takon të mos i strehojnë terroristët, atyre u takon ti nxjerrin vrasësit e pamëshirshëm përfundimisht nga zemra.

Palestinezët duhet të kalojnë një proces ekzorcizmi, duhet të nxjerrin djallin nga shpirti.

Vetëm nësë e bëjnë këtë akt civil mund të fitojnë të drejtën për të patur shtetin e tyre.

Prandaj gabohet kush beson se cështja e Palestinës ka lidhje vetëm me Izraelin.

Qeveria e Izraelit kanë bërë shumë gabime, ushtria e saj ka vrarë qytetarë të pafajshëm, gra pleq dhe fëmijë të pambrojtur prandaj shumë njerëz me të drejtë besojnë se ndëshkimi i merituar për këtë vend është të ketë fqinj një përbindësh si Hamasi që kafshon cdo ditë.

Njohja e Palestinës është ndëshkim për Izraelin që po vret pa u ndalur, por ndëshkimi i dikujt nuk mund të jetë dhurata e dikujt tjetër.

Palestinezët nuk e meritojnë shtetin që po ju falet, sepse nuk kanë bërë asgjë për ta merituar atë.

Njohjet perëndimore rrezikojnë të krijojnë një Goliath të ri në kufi të Izraelit, një shtet të egër që kërcënon dhe lufton pa pushim.

Por Goliathi mitik ka qenë palestinez, megjithëse nuk ka qenë arab dhe ndoshta të kesh fqinj një përbindësh është destini i Izraelit që sot nuk i ngjan fare Davidit, bariut të varfër hebre që shpëtoi popullin e vet duke vrarë Goliathin.

Ata që duan ti amnistojnë palestinezët nga të gjitha fajet e tyre, thonë madje se Goliathi dhe Davidi kanë ndrruar vendet.

Tani Davidi i dobët është palestinez dhe Goliathi i tmerrshëm është izraelit.

Mirëpo zgjidhja nuk gjendet te legjendat e riciklueshme.

Cështja e Palestinës nuk ka të bëjë vetëm me Izraelin por me moralin e kohës

Palestina nuk është gati për të bashkëjetuar me pjesën tjetër të botës së qytetëruar.

Kjo është cështja.

Palestina nuk është gati për të bashkëjetuar me ne.

Palestina nuk është gati për të jetuar si ne.

The post Pse nuk duhet njohur Palestina first appeared on JavaNews.al.

Çfarë republike është Shqipëria sot

22 August 2025 at 11:30

Nga Ben Blushi

Ballkani ka vetëm republika parlamentare,por ato nuk janë të gjitha njëlloj.

Serbia është një Republikë Ushtarake.

Ajo kërkon vazhdimisht konflikt.

Dikur Serbia ka qenë një Republikë Fshatare dhe kjo është një nga arsyet pse serbët nuk u konvertuan në Islam.

Gjatë pushtimit osman shumica e fshatarëve serbë ishin mbarështruesit kryesorë të derrave në Europë dhe nëse do konvertoheshin duhet të linin punën sepse Kurani e ndalon mishin e derrit.

Nuk e njoh serbishten por besoj se ky popull ka më pak arsye se cdo popull të shajë popujt e tjerë o derr, sepse ata kanë fituar shumë nga kjo kafshë e dashur.

Ndërkaq Kosova është një Republikë Romantike.

Ajo ende nuk ka një qëllim ekonomik,por ka vetëm qëllime nacionale.

Asaj i duhet të egzistojë.

Ajo jeton ende me stresin se do ti rrëmbëjnë territore dhe kjo e pengon të përqëndrohet te objektivat e saj tregtare që sidoqoftë janë të kufizuar.

Turqia është pothuajse një Republikë Fetare.

Feja ka mbajtur të bashkuar gjithë ata popuj që përbëjnë Turqinë dhe sot ajo e mbron Republikën turke që ka qenë disa herë në buzë të greminës por gjithmonë ka shpëtuar duke e varur flamurin në majë të minaresë.

Nga ana e saj Greqia është një Republikë Detare.

Ndoshta më e madhja në planet sepse sot qarkullon gati 25 per qind të mallrave të botës me flotën e saj madhështore,i vetmi art praktik që i ka mbetur nga lashtësia e saj atëherë kur gjithë Greqia ishte e ndarë në disa republika të vogla.

Ndërsa Kroacia, është një Republikë Gjermanike.

Ustashët që ishin kukullat e Hitlerit në Ballkan, e larguan me forcë nga tradita e saj liberale veneciane duke e detyruar të ndjekë disiplinën e fortë gjermanike e cila nuk ndërton dot asnjëherë Republika Tregtare por përkundrazi i vret ato sa herë mundet.

Nëse nesër do kishte sërish një konflikt në Evropë, në cdo rast Kroacia do rreshtohej me Gjermaninë dhe ustashët e përgjumur do nxirrnin armët kundër fqinjëve, romëve dhe hebrenjve të cilët dikur i zhdukën me dhunë.

Mali i Zi është një Republikë Turistike por duke qenë shumë e vogël, nuk ka mundësi të luajë rol të madh në rajon.

Kjo Republikë në det, është gjithë kohën e kërcënuar mes rrymave properëndimore dhe prolindore prandaj duke qenë një varkë e vogël lëkundet lehtë dhe mund të mbytet papritmas.

Ndërkaq, Maqedonia është një Republikë Plastike.

E gjendur mes Greqisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Serbisë ajo i ngjan një sanduici që merr gjithnjë formën e bukës që e rrethon.

Për shkak të trysnisë që i vjen nga jashtë, Maqedonia herë pas here ndryshon emrin, pastaj kushtetutën dhe nuk është cudi në të ardhmen të lëshojë territore nëse kjo i kërkohet me forcë.

Sikur Shqipëria të mos sillej si një Republikë Tregtare të cilës nuk i intereson shumë cfarë ndodh pas saj, ajo mund ti ndizte kollaj 30 për qind të banorëve të Maqedonisë, për ti ndryshuar hartën këtij shteti plastik.

Po ne cfarë Republike jemi?

Para disa kohësh kam shkruar se vitet e fundit Shqipëria po merr formën e një Republike Tregtare cka nuk është keq, madje është shumë mirë.

Sa më shumë lexoj histori aq më shumë bindem se ky është destini jonë që në kohën kur anijet e Romës vinin në brigjet tona për tu furnizuar.

Ahmet Zogu ishte i pari që kuptoi se Shqipëria mund të funksiononte si një Republike Tregtare.

Mbreti Zog ndoshta nuk e dinte cfarë po bënte, por nevoja e tij për tu shkëputur nga Ballkani dhe Orienti, dhe për tu orientuar nga deti ishte e dukshme këmbëngulëse dhe e qëllimshme.

Zogu e hapi vendin për hebrenjtë, hoqi ferexhetë, forcoi monedhën, mori arkitektët më të mirë italianë të kohës, krijoi një kastë tregtare të shkathët,hapi tregun,ndërtoi bankën, fali tokë për investime dhe dha shumë koncesione tek të huajt.

Paratë dhe energjitë që Zogu harxhonte për shkëlqim, për famë, për fotografi, martesa e tij glamour, veshja dhe makinat, nevoja për të kapur lajme në shtypin ndërkombëtar, më shumë se një mani për të rënë në sy, ishte një mënyrë për ta bërë më joshës projektin naiv të Republikës Tregtare që ai e kishte në kokë, pa e formuluar dot.

Sikur ekonomia anemike e Shqipërisë ta kishte ndihmuar dhe Lufta e Dytë Botërore të mos na sillte komunizmin si një shpërblim për 500 vjet prapambetje, ndoshta Zogu do kishte ndërtuar Republikën Tregtare të Shqipërisë 100 vjet më parë.

Po të kishte pasur më shumë kohë, Ahmet Zogu do i kishte bërë një shërbim të madh vendit duke korruptuar Partinë Komuniste sic bënë para dhe pas tij të gjitha vendet e Perëndimit me metoda gjysëmdemokratike.

Por në vitin 1939 Europa e vrau Republikën Tregtare të Ahmet Zogut dhe e pushtoi me ushtri.

Ushtarët evropianë e mbytën në djep Republikën tonë të Parë Tregtare, tani sapo jemi futur tek e dyta.

Por cfarë është Republika Tregtare ?

Qëllimi kryesor i një Republike Tregtare është të shkëlqejë, aq sa nganjëherë ajo duket sikur mendon më shumë për të huajt se për vendasit.

Republika Tregtare kërkon të jetë gjithë kohën një vitrinë lluksi, një avangardë në ndërtim dhe në organizime kulturore,në samite të mrekullueshme, tolerante me të gjitha racat,me të gjitha kombet, sidomos me të gjitha fetë, një hub, pra një zonë e lirë për piktorët, artistët,arkitektët, për start upet, një vend i mbushur me festivale dhe koncerte në cdo stinë, joshës për ata që bëjnë trend në tregjet ndërkombëtare, të cilët e vizitojnë atë shpesh nga deti dhe nga ajri duke kërkuar të sigurojnë aty një copë tokë për vete, ose për biznes.

Por që të jesh Republikë Tregtare duhet të plotësosh patjetër një kusht.

Duhet të kesh det.

Megjithatë jo të gjithë ata që kanë det mund të bëhen Republika Tregtare.

Libani ka qenë një Republikë Tregtare, por Izraeli që ka dalje në det njëjlloj si Libani, nuk ka qenë dhe nuk do jetë ndoshta dot kurrë një Republikë Tregtare.

Arabia Saudite ka më shumë det se Dubai por ajo nuk do jetë asnjëherë një Republikë Tregtare sepse ka një profil thellësisht prodhues.

Ajo prodhon naftë dhe nuk ka klas.

Dubai nuk prodhon pothuajse asgjë.

Ai vetëm shërben, mikpret investitorë për taksa të ulëta,ndërton në mënyrë futuriste, garanton siguri kursimesh, nuk pyet nga i fiton paratë, shet lluks, pushime të paharrueshme dhe mundësi kontaktesh fantastike për biznes, art dhe sport.

Republika Tregtare e bazon zhvillimin ekonomik tek tregtia dhe jo tek prodhimi, prandaj ato mbajnë një monedhë të fortë sepse tregtarët e saj duan të blejnë lirë jashtë vendit, mallrat që ua shesin të huajve që vijnë pa pushim të vizitojnë Republikën e tyre.

Republika Tregtare mban taksa më të ulëta se gjithë fqinjët e vet për tu marrë atyre paratë.

Republikat Tregtare nuk kanë fe.

Ato nuk janë më një produkt evropian dhe as i krishterë sic kanë qenë dikur.

Ato mund të jenë aziatike si Singapori, mund të jenë latine si Panamaja, mund të jenë muslimane si Libani dhe Dubai, prandaj mund të jenë edhe ballkanike si Shqipëria.

Republikat Tregtare nuk kushtëzohen nga forma e rregjimit.

Hong Kongu është pjesë e një vendi jo demokratik si Kina.

Dubai është një monarki dhe nuk është fare republikë.

Aty njerëzit nuk votojnë për ata që qeverisin.

Pra demokracia nuk është detyrimisht një kusht për një Republikë Tregtare, por në të kundërt siguria është kushti jetik.

Duke i renditur këto elementë duket sikur flasim pak për Shqipërinë.

Shqipëria pothuajse nuk prodhon dhe taksat nuk i ka shumë të larta.

Ajo vetëm ndërton, gatuan, blen dhe shet.

Bashkë me betonin, historia, dielli, uji, malet dhe gjellët janë pasuria e saj më e madhe.

Shqipëria ka sot monedhën më të fortë në histori, ndoshta që nga koha e Mbretësirë para 100 vitesh, cka favorizon tregtarët që blejnë, më shumë se prodhuesit që shesin dhe kjo politikë duket e qëllimshme.

Shqipëria po investon shumë në turizëm,në transport dhe është një vend shumë i hapur për të huajt qofshin turistë, punëtorë krahu apo tregtarë nga të gjitha anët e botës.

Shqipëria ndërton shumë ,ndoshta më shumë se kushdo në Evropë dhe duke marrë parasysh madhësinë dhe popullsinë që ka kuptohet se ndërton për të huajt që mund të vijnë nesër.

Nga ana tjetër ajo po largohet me shpejtësi dhe kokëfortësi nga konfliktet me komshinjtë, madje deri në atë pikë saqë duket sikur interesat e shqiptarëve që jetojnë në vende të tjera po i injoron në dobi të interesave të veta tregtare.

Ballkani i hapur është një ilustrim.

Megjithëse Kosova u corr duke bërtitur se Ballkani i hapur i dëmtonte interesat e saj, sërish Shqipëria nuk u tërhoq dhe nënshkroi bashkë me Serbinë dhe Maqedoninë për të hapur kufinjtë dhe për të taksuar më pak qarkullimin e mallrave, një gjest tipik i një Republike Tregtare që takson më pak miellin dhe më shumë gjakun, sepse i pari shitet, kurse i dyti jo.

Sot, një biznesmen nga Dubai për Shqiperinë, ka më shumë rëndësi se gjithë qeveria serbe.

Një autobuz turistësh nga Anglia ka më shumë peshë se cdo i cmendur në Bosnje.

Një grup kinezësh në kafenetë e Tiranës sjell më shumë të ardhura se një qytet nga Kosova dhe cfarë mendon Bullgaria për integrimin e Shqipërisë nuk bën më asnjë lajm, ndryshe nga 30 vjet më parë kur vizita e një bullgari me kostum ishte një ngjarje kombëtare që festohej në bulevard.

Tani Republika e Tregtare e Shqipërisë shikon vetëm xhepat e saj.

Ajo është një Republikë agresivisht egoiste dhe kështu duhet të vazhdojë të jetë.

Edhe konflikti i fundit me Greqinë ishte konflitk i një Republike Tregtare që grindet me një Republikë tjetër Tregtare.

Grindja për Bashkinë e Himarës nuk ndodhi për shkaqe nacionaliste por për arsye ekonomike, tregtare.

Shqipëria nuk mund të pranonte që lejen për hotelet, për plazhet dhe shezlonat t’ia përcaktonte një Republikë rivale Detare dhe ka të drejtë.

Nëse Himara do kishte qenë në Mallakastër apo në Dibër, asnjë konflikt nuk do ndodhte me Greqinë.

Prandaj Shqipëria nuk veproi si një Republikë Nacionaliste por si një Republikë Tregtare.

Ajo mbrojti me forcë, me polici dhe gjykata detin e vet, pra në një kuptim ekonominë e vet duke i shkuar parimit se, raison d’etat, pra e drejta e shtetit, prevalon mbi të drejtat e njeriut.

Por nëse Republika Tregtare e Shqipërisë ka një rrezik ai vjen nga Europa.

Europa është gjithnjë kundër Republikave Tregtare.

Franca e Napoleonit shkatërroi në fillim Republikën e mrekullueshme tregtare të Venecias.pastaj Italia u bashkua duke mbledhur mbetjet e të gjitha republikave të veta tregtare përfshi Venecian, Genovën, Pisën dhe Napolin.

Pak më vonë u bashkua Gjermania e cila shkatërroi me sukses republikat tregtare të Amsterdamit, Antverpit dhe Hamburgut.

Bashkimi Evropian vitet e fundit shkatërroi me sukses republikat e mbetura tregtare të Maltës dhe Qipros.

Kësaj të fundit ia mori të gjitha kursimet mbi 100 mijë dollarë brenda një natë cka është një nga aktet më mizorë financiarë në historinë moderne.

Dhe të mendosh se këtë e bëri me pretendimin se do ta shpëtonte Qipron nga falimentimi.

Ishte sigurisht një gënjeshtër e sajuar nga urrejtja e pangopur gjermane ndal lirive të tepruara financiare.

Qëllimi i vërtetë ishte zhdukja e modelit ekonomik të Qipros bankat e të cilës mblidhnin para nga gjithë bota pa pyetur cfarë pasaporte ke.

Ne sa kemi nisur të negociojmë me Europën dhe kërkësa kryesore e saj është formalizimi ekstrem, kontrolli i rreptë i tregut, i bankave dhe i të ardhurave.

Për emigrantët shqiptarë është më kollaj të cojnë kursimet në Tajëan sesa ti sjellin në Shqipëri.

Europa nuk i lejon sepse ajo mendon se bankat janë kasaforta, celësin e të cilave e ka gjithmonë ajo.

Por kur ne të kemi mbaruar negociatat, për pesë vjet, e sigurt është se Europa nuk do jetë më kjo që është sot.

Forca të reja politike po lindin të cilat do kërkojnë ta ndryshojnën këtë model ekonomik duke i dhënë pak më shumë fuqi vendeve antare.

Europa do kuptojë se periferia e saj nuk mund të sillet si veriu i ngurtë.

Këtu ka më shumë diell ,njereëzit vishen me rroba të lehta dhe era e detit i fluturon paratë nga xhepat.

Shqipëria ka qenë historikisht mes Lindjes dhe Perëndimit dhe ky lloj hub-i mund të funksionojë në të ardhmen si cepi apo më saktë si kepi i një lirije më të madhe financiare.

Prandaj them se ndoshta këtë herë mund të kemi pak fat.

Mund ta shijojmë Republikën tonë Tregtare për disa vjet sepse sic thonë marinarët e vjetër, era duket e ngohtë dhe mund ta shtyjë anijen tonë në ujëra më të qeta.

The post Çfarë republike është Shqipëria sot first appeared on JavaNews.al.

Pse nuk i kuptoj biznesmenët e Shqipërisë

4 August 2025 at 21:49

Nga Ben Blushi

Njoh shumë nga biznesmenët e Shqipërisë.

Janë manipulatorë të admirueshëm.

Ata kanë një teknikë marramendëse për të t’i nxjerrë paratë nga xhepi.

Me të njëjtën shpejtësi ia marrin paratë dhe shtetit.

Deri këtu i kuptoj.

Ajo që nuk kuptoj është se pse këmbëngulin për të na i marrë paratë vetëm ne, dy milion shqiptarëve që jetojmë bashkë me ta në të njëjtin diell?

Pse nuk bëjnë asgjë për ta zgjeruar tregun tonë të vogël?

Para disa ditësh bëra një shkrim ku thosha se e vetmja mundësi për të shpëtuar universitetet shqiptare është që të thithim studentë nga shtete të tjera.

Natyrisht nga vende të mëdha si India, Kina, Vietnami, Burma, Filipinet, Indonezia, Malazia, Bangladeshi, Pakistani etj.

Këto vende kanë më shumë se 5 miliardë banorë dhe çojnë nëpër shkolla 500 milion fëmijë në vit dhe më shumë se 100 milionë prej tyre përfundojnë në shkollë të lartë.

Dhjetë vjet më vonë këto numra do dyfishohen.

Natyrisht studentët e pasur të këtyre vendeve do shkojnë në Amerikë, në Londër, në Pekin dhe në Berlin.

Të varfërit do mbeten në universitetet lokale që nuk e kënaqin më shtresën e mesme.

Fëmijët e kësaj shtrese kërkojnë pak më shumë. Ata duan të dalin jashtë, të marrin dilploma evropiane, të njohin vende të reja.

Nëse nuk shkojnë dot në Londër, gëzohen po të shkojnë në Pragë, në Beograd, në Zagreb pse jo dhe në Tiranë.

Për një kinez nga provinca, një indian nga fshati apo një bangladeshas që e ka babain pronar të një punishteje të vogël do ishte e njëjta gjë si në Tiranë dhe në Ljubjanë apo Bratislavë.

Për ta Shqipëria është Evropë dhe Mesdhe, njëlloj si Italia dhe Greqia.

Këtu dielli është poaq i shndritshëm, deti është poaq i bukur, por jeta është më e lirë, ushqimi më i mirë dhe njerëzit më të dashur.

Këto janë avantazhet tona që biznesmenët kokëfortë të Shqipërisë nuk i marketojnë fare.

Kokëfortësia e tyre është provinciale.

Ata kanë vendosur t’ia falin studentët e varfër të botës Serbisë, Cekisë, Sllovakisë dhe t’u marrin para vetëm studentëve të varfër shqiptarë.

Çfarë nacionalizmi dembel.

Shqipëria ka një kapacitet akomodues për 250 mijë deri në 300 mijë studentë në vit.

15 vjet më parë ne kishim afro 190 mijë studentë gjithsej.

Sot kemi pak më shumë se gjysmën e kësaj shifre pra rreth 110 mijë që do të thotë se auditoret janë gjysëm bosh, bashkë me konviktet dhe qytetet e vogla që krijojnë ekonomi nga universitetet.

Imagjinoni për një çast sikur në Shqipëri të vijnë çdo vit një qind mijë studentë të huaj dhe secili prej tyre të harxhojë vetëm dhjetë mijë dollarë.

Janë një miliardë dollarë në vit.

Me pak mundim, me shumë marketing, kjo shifër mund të trefishohej për disa vjet.

Universitet mund t’i sillnin vendit më shumë se turizmi që duke u sforcuar sjell afro 4 miliardë euro në vit.

Me kaq të ardhura pikëpyetjet për cilësinë e universiteteve tona do shuheshin rrugës, sepse qindra profesorë gjermanë, italianë anglezë, amerikanë do punonin në Shqipëri me shumë qejf.

Dhjetë vjet më parë kjo përpjekje do ishte e pamundur.

Shqipëria e parë me lupën e google, ishte një vend ku digjeshin goma pas zgjedhjeve dhe ku turistët rriheshin nëpër plazhe.

Sot është ndryshe.

Sherret tona politike nuk vrasin më njerëz në bulevard, por përfundojnë në gjykatë si në cdo vend normal.

Turistët nuk grabiten në rrugë dhe aftësia e vendit për të bashkëjetuar me të huajt është rritur disa herë.

Ne mikpresim me mirë se serbët, gatuajmë më mirë se kroatët, dhe qeshim më shumë se sllovenët.

Nga 100 kritere që e klasifikojnë një vend si normal, plotësojmë më shumë se 90.

Dhe nga dhjetë kritere që e klasifikojnë një vend si mikpritës plotësojmë të paktën nëntë plus.

Prandaj familja e një fëmije në Pakistan, në Indonezi apo në Indi do paguante kursimet e jetës për ta sjellë fëmijën në një parajsë të varfër evropiane, ku nëse nuk të mësojnë si në Londër të respektojnë më mirë se aty.

Dhe kjo nuk është pak.

Ne nuk e kuptojmë dot se popujt që dikur kanë qenë koloni paguajnë për t’ua respektuar ngjyrën.

Taksa e ngjyrës sot në Londër është shumë e lartë, në Amerikë po rritet shumë, kurse në Shqipëri është akoma zero.

Përveç diellit dhe detit, targa jonë evropiane, e parë nga largësia e Azisë dhe Afrikës është malli më i vyer që kemi.

Një kinez, një vietnamez apo një bangladeshas nuk na dallon dot nga italianët, nga belgët dhe nga grekët siç nuk dallojmë ne dot një fëmijë nga Laosi nga një fëmijë nga Kamboxhia.

Për ta ne jemi e njëjta gjë.

Nëse biznesmenët e Shqipërisë bashkë me shtetin do hapnin agjensi në Azi dhe në Afrikë për të rekrutuar studentë, tregu jonë i vogël do kthehej me shpejtësi në një treg ndërkombëtar.

Por nëse nuk e bëjmë ne do ta bëjnë serbët, do ta bëjnë sllovenët dhe kroatët

Por e njëjta gjë vlen edhe për ndërtuesit e Shqipërisë të cilët unë nuk i kuptoj fare.

Ata kanë një fiksim të egër.

Ata duan të na i shesin shtëpitë që ndërtojnë vetëm neve, shqiptarëve të Shqipërisë.

Shqipëria ndërton me inat dhe me vrull më shumë se çdo vend tjetër në Evropë për frymë, por askush nuk e di kush do i blejë pallatet dhe vilat e saj të panumërta.

Shqiptarët që mund të blenin u ngopën dhe tani po mendohen të shesin.

Gjithmonë kam besuar se biznesmenët e Shqipërisë do tërhiqnin blerës suedezë, polakë, hollandezë, finlandezë, gjermanë, danezë, ukrainas dhe rusë për të blerë prona në det, por kjo nuk po ndodh.

Askush nuk u thotë këtyre popujve pa det dhe pa diell, se ka një vend në Mesdhe që shet apartamente më lirë se në Itali, në Greqi dhe Portugali e ndoshta edhe më lirë se në Mal të Zi.

Imagjinoni një norvegjez që jeton në mes të mjegullës, i ulur në divanin e vet, duke parë një reklamë që tregon se mund të blesh një shtëpi në Vlorë apo Sarandë për çerekun e çmimit që do e blente në Santorini apo në Majorka.

Ndërtuesit shqiptarë nuk harxhojnë asnjë lek marketing për t’i ngacmuar fantazinë norvegjezit që shikon shiun në dritare.

Shteti duhet t’i detyrojë kompanitë tona të reklamojnë në tregje ndërkombëtare.

Kjo është taksa e tyre e suksesit: të blejnë kohë televizve në televizonet evropiane për të reklamuar Shqipërinë.

Shpenzimet për marketing ndërkombëtar duhet të jenë një detyrim që shteti duhet t’ua kërkojë me çdo kusht kompanive shqiptare të ndërtimit, univesiteteve jo publike dhe klinikave estetike e spitaleve private.

Këto tre shërbime low cost mund ta bëjnë tregun tonë ndërkomëbtar.

Ne mund t’i japim diploma fëmijëve aziatikë, mund t’i rregullojmë dhëmbët pensionistëve evropianë dhe mund t’u shesim shtëpi të mrekullueshme në det shtresës së mesme evropiane.

Pasthirrmat pa gjini, që mendojnë se një herë jemi, një herë nuk jemi qendra e botës, duhet ta kuptojnë se ky nuk është turp, as ulje, as nënshtrim.

Është biznes.

Serbia harxhon më shumë se 55 milionë dollarë marketing në vit vetëm nga taksat.

Kroacia dyfish, më shumë se 100 milionë.

Me një buxhet të harmonizuar mes shtetit dhe kompanive private ne mund t’i kapnim këto shifra marketingu të domosdoshëm.

Ne prodhojmë jo keq, por shesim shumë keq.

Serbia që do futet shumë shpejt në garën e universiteteve low cost, nuk na konkuron dot në tregun imobiliar sepse një shtëpi në Serbi nuk ka asnjë vlerë në krahasim me një apartament në Shëngjin.

E njëjta llogjikë vlen për futbollin tonë të shkatërruar.

Sikur të kisha mundësi do bleja një klub futbolli në provincë, do ta ristrukturoja dhe do i lutesha shtetit të më ndihmonte t’ia shisja një arabi.

Rishitja e aseteve të ngordhura është super biznes.

Arabët janë sot njerëzit më të uritur në planet, për të investuar në sport.

Ata blejnë shkëlqimin e futbollit evropian.

Sauditët dhe Katari por më vonë edhe të tjerët, po blejnë me rradhë të gjitha klubet më të mëdha të Evropës.

Natyrisht ne nuk mund t’ia shesim klubin e Peqinit një fondi saudit për 100 milion euro, as ekipin e Laçit një kuvajtjani për 70 milion euro.

Për fat të keq këto klube nuk vlejnë as sa bonusi i një goli të Cristiano Ronaldos në Arabi.

Ato nuk kanë asnjë vlerë.

Ajo që ka vlerë është përkatësia jonë evropiane.

Ne nuk shesim makinën, shesim targën.

Të blesh Vllazninë nuk ka ndoshta asnjë përfitim financiar sot, por me pak investime ky klub mund të luajë me Milanin në Champions League, me Liverpoolin apo me Parisin.

Kjo do ishte një blerje prestigji për fondet e lira arabe dhe do t’i ngopte sa duhet deliret e tyre.

Arabët mund të blejnë Ronaldon për një paketë totale 1 miliard euro, por nuk e çojnë dot këtë idhull me 500 milion ndjekës në instagram, të luajë cdo javë me Juventusin, me Chelsea apo me Realin e Madridit dhe Barcelonën.

Por ekipet shqiptare e kanë këtë mundësi.

Bashkitë e qyteteve tona duhet të gjejnë blerës për ekipet e tyre të rrënuara në Arabi në Kinë dhe kudo ku ka fonde të lira.

Kryetarët e Bashkive duhet të jenë biznesmenë, në vend që të jenë hidraulikë dhe zjarrfikës.

Çdo gjë që është në Mesdhe shitet. Ky është tregu më i shtrenjtë i botës.

Ata duhet t’i shesin klubet e tyre të futbollit qoftë edhe për 1 euro me kusht që të investohen.

Atëherë Peqini mund të luajë me Realin në grupe, Elbasani me Interin dhe Dinamo me Arsenalin.

Imagjinoni çfarë do ndodhte në këto qytete sikur futbolli dhe universitetet të gjallëroheshin me investime të huaja.

Çfarë qyteti do ishte Shkodra me pesë mijë studentë të huaj.

Tregu i qirave do shpërthente, restorantet e vogla do lulëzonin,pedagogët do paguheshin më shumë, bicikletat e dashura do dyfishoheshin, ndërsa stadiumi ku ekipi i Vllaznisë i blerë nga një arab mendjemadh do luante çdo javë me Romën, me Fenerbahcen, me Dortmundin dhe Marsejën apo me Manchester United do digjej në flakë.

Gjithë qyteti do merrte zjarr sa herë arabi të këpuste tespijet e çmendura pas një goli.

Sepse janë evropiane ekipet tona tona mund të luajnë me kë të duan, të gëzojnë çdo pronar arab që investon duke blerë lojtarë dhe ta çojnë në Manchester të haje darkë si i barabartë me Pep Guardiolën e përkëdhelur apo në Stamboll me Jose Mourinon grindavec.

Ky është çmimi i prestigjit evropian që në Shqipëri është ende low cost.

E kush nuk do ta paguante një çmim kaq të lirë?

Çështja është se askush nuk e di, sepse askujt nuk i thuhet.

Arabët nuk e dinë që klubet tona shiten për një copë bukë, siç nuk e dinë indianët që mund të studjojnë në universitetet tona me një mijë dollarë në muaj.

Ne bëjmë muhabet, por nuk bëjmë marketing.

Shqipëria vazhdon të jetë një thesar i mbuluar me kujdes nga biznesmenët e saj mendjengushtë.

Ata duhet të kuptojnë se ka ardhur koha për të zgjeruar tregun tonë të vogël.

Ka ardhur koha për të shitur lirë gjërat e shtrenjta që nuk duhen.

The post Pse nuk i kuptoj biznesmenët e Shqipërisë first appeared on JavaNews.al.

Pse duhet të marrim studentë nga Kina, Nigeria, Vietnami!

22 July 2025 at 14:54

Nga Ben Blushi

KU MUND T’I GJEJNË STUDENTËT UNIVERSITETET TONA

Gati një vit më parë isha i ftuar për një bisedë me studentë të gjuhë letërsisë në Universitetin e Korcës. Nuk ishin më shumë se 12 nxënës.

Njëzet vjet më parë, në atë degë studionin disa qindra djem dhe vajza që besonin se një diplomë mund të të sigurojë një punë të mirë.

Po sot kjo nuk është më e vërtetë.

Jo të gjithë janë të bindur se një diplomë universitare mjafton për të të siguruar punë.

Dhe cështja për shumë familje është, a ja vlen ta cosh fëmijën në shkollë të lartë?

A i kthen paratë e investuara në arsim cdo lloj dege dhe cdo lloj shkolle?

Kam frikë se jo.

Të kushtëzuar nga komplekset sociale, familet kursejnë për ti cuar fëmijët në shkolla të larta, por këto para që mund të investoheshin diku tjetër, në shumicën dërrmuese të rasteve nuk kthehen më.

Për fat të mirë shumë prindër po e kuptojnë këtë.

Shumë shpejt njerëzit do fillojnë të heqin dorë nga diplomat.

Të kesh një diplomë nuk do të thotë se ke edhe një punë të garantuar, apo një punë të paguar mirë.

Në tregun shqiptar një hidraulik fiton më shumë se një jurist.

Një elektricist fiton më shumë se një mësues.

Një kuzhinjer fiton më shumë se një biolog.

Një agjent imobiliar fiton më shumë se një ekonomist.

Ndërtuesi i një brigade me dhjetë veta, fiton më shumë se një arkitekt.

Nëse një famije i duhen të paktën 50 mijë euro në katër vjet, për të mbajtur një fëmijë në universitet, për të edukuar një elektricist duhen dhjetë herë më pak dhe mundësia që ai të kthejë mbrapsht investimin, është shumë më e shpejtë.

Në përgjithësi arsimi në gjithë botën është në krizë dhe për më pak se një dekadë përparimet teknologjike jo vetëm do mbyllin shumë vende pune por do mbyllin edhe laboratorët që bëjnë njerëzit gati për punë : vetë universitet.

Shqipëria nuk do bëjë përjashtim.

Nëse në dhjetë vitet e ardhshme nuk vjen në pushtet ndonjë qeveri ultra e majtë, që merr para nga taksat për të lehtësuar dramat sociale,shumica e universiteteve do mbyllen.

Thonë që universitetet private janë pak më mirë.

Derisa mbeten të hapura duhet të jenë pak më mirë.

Megjithatë shumë shpejt edhe ato do rrudhen sic janë rrudhur.

Zgjidhja e parë e fëmijëve shqiptarë sot janë universitet e huaja, zgjedhja e dytë janë ato private dhe zgjedhja e tretë janë universitetet publike.

Por shumë shpejt familjet shqiptare do jenë përballë një dileme shumë të madhe:

Pse i duhet një diplomë fëmijës tim?

Unë vetë, nëse do kthehesha 40 vjet përpara natyrisht nuk do zgjidhja më degën që kam zgjedhur gjuhë letërsi, e cila nuk më mësoi asgjë, por ndoshta nuk do zgjidhja të shkoja fare në Universitet.

Jeta më ka mësuar më shumë gjëra se shkolla.

Puna më ka mësuar se shkolla nuk të mëson të punosh.

Shumica e njerëzve që i mbaruan shkollat në fund të viteve 1990 nuk i përdorën asnjëherë diplomat e tyre.

Ata bënë punë të tjera që mund ti bënin edhe pa diplomë.

Sot mund të jetosh shumë më mirë duke i investuar kostot e shkollimit diku tjetër, në një start up apo në një biznes familjar apo në turizëm apo në bujqësi.

Atëherë si zgjidhet kriza e universiteteve?

Unë besoj se asnjë reformë që nuk zgjeron tregun nuk mjafton.

Integrimi i Shqipërisë në BE do ti shkatërrojë edhe më keq universitetet tona.

Si një vend antar i BE, fëmijët shqiptarë mund të studjojnë gratis në cdo vend europian që do të thotë se kostot që paguan sot një familje për të cuar djalin apo vajzën në Gjermani do jenë dy herë më të ulëta.

Kjo do t’ia marri edhe kafshatën e fundit universiteteve tona publike por edhe atyre private.

Shqipëria do e ketë të garantuar arsimin e fëmijëve të vet, por do rrezikojë mbylljen e universiteteve të veta.

Sa herë flas me miq, që administrojnë universitete private, ju them se e vetmja rrugë që ata ti mbajnë hapur bizneset e tyre është hapja e tregut ndaj të huajve.

Universitetet tona janë pjesa më e izoluar e shoqërisë. Edhe ekipet e varfra të futbollit kanë të huaj pa folur për restorantet, shërbimet, bankat apo kompantë.

Cuditërisht universitetet duken si laborarorë të pastër etnik.

Aty ka vetëm shqiptarë që nuk mësojnë.

Natyrisht Shqipëria nuk mund të joshë dot studentë gjermanë, as belgë, as sllovenë ndoshta as turq.

Por nisur nga vendodhja gjeografike, klima dhe kostot e ulëta të jetesës, Shqipëria mund të kthehej në një hub të lirë evropian për mijëra studentë kinezë, indianë, pakistanezë, bangladeshas, irakenë, egjiptianë, vietnamezë etj.

Të gjitha këto vende cojnë cdo vit në universitet e tyre më shumë se 200 milion studentë. Ndoshta edhe më shumë.

Në të gjitha këto vende që kanë një popullsi sa gjysma e botës, afro 4 miliardë njerëz, shtresa e mesme po rritet me shpejtësi. Gjithmonë e më shumë njerëz po dalin nga varfëria në Kinë në Indi, në Egjipt në Nigeri dhe në Vietnam ku ekonomia po lulëzon.

Kjo do të thotë se në dhjetë apo njëzet vitet që do vijnë, familjet do cojnë edhe më shumë fëmijë në shkolla të larta.

Por kaq shumë fëmijë nga familjet e mesme kineze, indiane dhe pakistaneze që ëndërrojnë të shkollohen në Evropë, nuk shkojnë dot në Londër, as në Paris dhe as në Berlin apo në Amerikë që po mbyllet si treg universitar.

Përvec politikave izolacioniste në këto vende, kostot janë shumë më të larta dhe kuotat shumë të kufizuara.

Por një pjesë e tyre mund të vinin në Shqipëri, si në një vend evropian.

Unë habitem se si univesitetet private harxhojnë ende para për të reklamuar në tregun e vogël shqiptar, kur duhet të hapnin agjensi rekrutimi në Kinë, në Indi apo në Pakistan apo në Egjipit.

Ky duhet të ishte një biznes kombëtar. I ndihmuar nga shteti. I udhëhequr nga shteti.

Qeveria mund ti eksplorojë këto tregje fillimisht për të mbushur universtetet publike që sot po japin shpirt.

Është më mirë që universitet tona të mbahen me paratë e kinezëve dhe indianëve sesa me taksat tona.

Nga 200 milion studentë aziatikë që shkojnë cdo vit në shkollë të lartë qoftë edhe 0.1 për qind të vinin në Shqipëri janë dy herë më shumë se gjithë numri i studentëve shqiptarë në total.

Shteti mund të kthehej në një agjensi për të mbledhur studentë nga vende të tjera përmes marrëveshjesh dypalëshe.

Imagjinoni sikur Universiteti i Korcës që po vdes, të ishte një destiacion për studentë kinezë.

Universiteti i Gjirokastës për vietnamezë, Vlora për egjiptainë, që meqë ra fjala po mbajnë në këmbë sot industrinë tonë tonë të peshkimit, apo Elbasani për indianë.

Ky migrim arsimor, nuk gjallëron vetëm universitetet por mund kthehet në ekonomi për vetë qytetet tona të mpakura.

Prandaj them se nëse duam Universitet duhet të gjejmë studentë, sepse megjithëse mësues ka, nxënës do ketë gjithmonë e më pak.

The post Pse duhet të marrim studentë nga Kina, Nigeria, Vietnami! first appeared on JavaNews.al.

A do prishet Muri i Berlinit në Tiranë

11 July 2025 at 19:03

Nga Ben Blushi

Sikur të isha një guidë turistike do i tregoja turistëve një mur që ndan dy rrugë në mes të Tiranës, siç ndante dikur Muri i Berlinit kapitalizmin nga komunizmi.

Muri për të cilin po flas ndan dy nga rrugët kryesore të Tiranës, rrugën e Bogdanëve dhe rrugën e Ambasadave.
Dikur këto akse paralele ishin të bashkuara dhe njerëzit që jetonin në këtë zonë kalonin nga njëra te tjetra me lehtësinë që kalohet nga dhoma e bukës në dhomën e pritjes.

Kur ambasadat e huaja u vendosën në rrugën Skënderbeu, që u quajt rruga e Ambasadave, shteti komunist e rrethoi këtë hapësirë me mure të larta sepse natyrisht shqiptarët nuk mund të komunikionin me perëndimorët që ishin armiq të socializmit.

Kështu rruga e Bogdanëve u nda nga motra e vet binjake, me të cilën kishte jetuar gjithë jetën në të njëjtën lagje.
Por kur Muri origjinal i Berlinit ra, Shqipëria u hap dhe njerëzit humbën interesin për të hyrë në ambasada, muri sërish nuk lëvizi nga vendi.

I shtyrë nga kurioziteti për të kuptuar se pse Muri i Berlinit të Tiranës është ende në këmbë, pyeta dhe më në fund e kuptova arsyen.

Është komike.

Murin e Berlinit të Tiranës e mban në këmbë Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë.
Pas atij muri, një drejtori me një emër ingranazhesh duralumini, DSHTD, nëse nuk jam gabim, ka ndërtuar një magazinë.
Brenda kësaj magazine ka vërtet disa zyra me duralumin dhe shumë sende të ndryshkura që mund te jëtë stola, krevatë portativë, abazhurë apo pajisje të vjetra që dikur i shërbenin trupit të huaj diplomatik.

Disa muaj më parë, banorët e rrugës së Bogdanëve, bashkë me minibashkinë i kërkuan zyrtarisht Ministrisë së Jashtme, ta hiqte pjesërisht atë pengesë dhe të hapte një shteg këmbësorësh për fëmijët, turistët dhe diplomatët.
MInistria e Jashtme dha shpresë dhe të gjithë u gëzuan se dy rrugët që komunizmi i ndau për 50 vjet mund të bashkoheshin.
Bizneset fërkuan duart dhe diplomatët u kënaqën, se nga një rrugë, do bëheshin me dy.

Por ajo që ndodhi është e padëgjuar dhe meriton një çmim, nëse në botë jepen çmime për ata që sajojnë pengesa që nuk mund të imagjinohen.
Në vend që të hapte një shteg për të lejuar këmbësorët të kalonin nga ana tjertër, DSHTD, hapi një portë hekuri dhe i vuri një dryn.

Që nga dita që ajo portë është aty, nuk është hapur asnjëherë.
Asnjë nga banorët nuk e ka kaluar dot pragun e saj dhe diplomatët e tregojnë me gisht sa herë duan të tallen me Ministrinë tonë të Jashtme.
Njerëzit që zgjohen herët thonë se çdo mëngjes, punonjësit e DSHTD, e përdorin portën për nevojat e veta.
E hapin kur të duan, e mbyllin kur të duan.

Pra nëse më parë shkonin në punë vetëm nga njëra anë e murit, nga rruga e Ambasadave, tani mund të kalojnë edhe nga ana tjetër, nga rruga e Bogdanëve sepse ju bije më shkurt.

Pas këtij inovacioni të ingranazhit diplomatik,unë e humba shpresën se muri i Berlinit të Tiranës mund të prishej, por kur pashë se shteti po shemb me shumë të drejtë, gardhet e privatëve, mendova se ndoshta duhet t’i kujtoj se përveç gardheve të gipsit, të teneqeve dhe plastikave prej kaucuku ka edhe një gardh burokratik që duhet shembur.

Kështuqë nëse do isha një guidë turistike, pasi t’i lija turistët me gojë hapur me këtë histori të çuditshme që lidh komunizmin me kapitalizmin dhe urbanizimin me kaosin prej duralumini do t’i coja te oborri i MInistrisë së Jashtme si demonstrues paqësorë.

Ndoshta atëherë dikush do t’i dëgjonte dhe do tia jepte çelësin e Murit të Berlinit qytetarëve të Tiranës.

A do prishet Muri i Berlinit në Tiranë

The post A do prishet Muri i Berlinit në Tiranë first appeared on JavaNews.al.

Dita e fitores mbi fashizmin dhe gjyshërit e mi! Pse Europianët e përçmojnë 9 majin

9 May 2025 at 17:18

NGA BEN BLUSHI

Në arkivin e familjes tonë shkëlqen një fotografi e gjyshit dhe gjyshes time, Dhimitër dhe Mynever Shuteriqi me armë dhe me uniformë partizane në malet e Elbasanit në verën e vitit 1944. Në këtë fotografi duken dy të rinj të dashuruar, të bindur se shumë shpejt do i mundin gjermanët.

Disa muaj më vonë kjo ndodhi. Gjermanët u larguan nga Shqipëria në nëntor 1944 dhe në maj të vitit 1945 ushtria e tyre kapitulloi.

Sikur gjyshja dhe gjyshi im të ishin ende sot, do ta festonin Fitoren mbi Nazizmin si ditën më të rëndësishme të jetës së tyre të mbushur me kujtime lufte.

Bashkë me ta, miliona europianë, rusë dhe amerikanë do festonin atë që ka hyrë në histori si VE Day, apo Victory of Europe Day. Por për fat të keq vendet që fituan luftën, pra aleatët e dikurshëm, po e festojnë të ndarë VE Day, apo 80 vjetorin e fitores mbi fashizmin.

Europa Perëndimore festoi dje në 8 maj, kurse Rusia po e feston sot në 9 maj. Amerika pothuase nuk e feston fare këtë datë, sepse merret me punë të tjera. Kjo ngatërresë e qëllimshme datash më mbush me shpresë, se mund të jemi europianë shumë shpejt, sepse të bëhesh qesharak nuk konsiderohet më një mëkat në Europë.

Ndarja e fitores në dy pjesë, në 8 dhe 9 maj, ngjan fiks si estrada e partive të vjetra shqiptare, të cilat e fitojnë çlirimin e vendit tonë në dy data të ndryshme, në 28 dhe 29 nëntor. Por nëse në Shqipëri politikanët zihen kur u largua nga Shkodra gjermani i fundit hipur mbi bicikletën me goma të shpuara të një pianisti të njohur, europianët dhe rusët shkojnë edhe më larg.

Ata grinden për një minutë. Dhe ja pse. Gjermania kapitulloi të enjten e datës 8 Maj 1945 në ora 23.01, kur hyri në fuqi Akti i Dorëzimit që u nënshkrua në Berlin, por meqë kjo datë në Moskë ishte 00.01, Rusia feston një ditë më vonë në 9 maj, sic po ndodh edhe sot, kurse Europa feston një ditë më parë në 8 maj, siç ndodhi dje.

Gjatë kohës së komunizmit, vendet e Europës i festonin këto data çlirimi sipas kampeve ku bënin pjesë. Gjermania Perëndimore, Anglia dhe Franca festonin në 8 maj. Gjermania Lindore, Çekia dhe Polonia bashkë me Rusinë në 9 maj.

Sot Gjermania e feston fitoren mbi nazizmin në 8 maj, Çekia po ashtu, meqë ka hyrë në Bashkimin Europian, por edhe Ukraina që dikur festonte 9 majin ka kaluar në hemisferën e 8 majit. Pra për një minutë mbi orën 12 të natës, rusët dhe europianët e kanë ndarë kontinentin në dysh sikur të mos u mjaftonin 50 vitet e Luftës së Ftohtë.

Ky tempizëm qesharak, bëhet i dhimbshëm kur kujton se amerikanët, pa të cilët Europa Perëndimore nuk do ishte cliruar dot, lanë 400 mijë ushtarë të vrarë, ndërsa rusët që cliruan gjithë Lindjen deri në Berlin më shumë se 20 milion. Megjithatë, siç e kanë zakon që i shkojnë inatit deri në fund, europianët dhe rusët e kanë thelluar hendekun prej 1 minuti edhe më shumë. Distanca e tyre tani nuk është më kaq pak.

Sot VE Day ka marrë një simbolikë tjetër që lidhet me luftën në Ukrainë. Europianët e përçmojnë 9 majin si festën e një vendi pushtues që ka sulmuar Ukrainën njëlloj si Gjermania Europën 80 vjet më parë. Nëse Europa e feston fitoren kryesisht me nxënës shkollash që ndezin qiri nëpër kisha, Rusia ka nxjerrë në rrugë ushtrinë, tanket, dronët dhe raketat balistike për të treguar forcën e saj.

Duket sikur Rusia po i thotë Europës se nëse një ditë qeveritë do i shtypin popujt, sic ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo do vijë prapë për ta çliruar Europën nga udhëheqësit e saj të mbrapshtë.

Uroj shumë që kjo ditë mos vijë kurrë. Për fat të mirë Shqipëria nuk është futur në betejën një minutëshe mes 8 dhe 9 majit dhe nuk e ka shpallur ditë pushimi asnjërën nga këto dy data.

Shqipërisë i mjafton karamboli i 28 dhe 29 nëntorit, megjithatë e etur për të shënuar rekorde absurditeti Shqipëria ka bërë dicka tjetër. Disa qytete kanë ngritur buste të kolaboracionistëve të nazistëve, gjë që në Europë nuk ka ndodhur askund. Për ata që nuk e dinë, bashkëpuntorët janë quajtur në fjalorin politik kuislingë, sipas Vidkun Quisling që ishte kryeministri norvegjez që ju nënshtrua gjermanëve në vitin 1943.

Nëse sot, qoftë edhe në cepin më të humbur të Norvegjisë do ngrihej një bust i Kuislingut, me përmasat e një filxhani, ai vend do thyhej në mes, pa folur këtu se cfarë mund ti ndodhte një politikani që do guxonte ta rehabilitonte këtë tradhtar.

Por në Shqipëri ka ndodhur ajo që nuk mund të ndodhte as në Norvegji, as në Francë, as në Gjermani dhe as në Rusi. Nevoja për të mbledhur vota nga turpi ka nxjerrë nga varret e historisë kuislingët shqiptarë që kryetarët e neveritshëm të disa provincave i kanë ngritur në peidestal me nderime të posacme.

Sa e turpshme. Dashuria e Shqipërisë për tradhtarët është dicka që nuk mbaron me vdekjen e tradhtarëve. Ka gjithmonë njerëz që jetojnë duke i tregtuar tradhtarët, duke shkruar libra për ta, duke shitur bustet e tyre të shtrembra dhe duke spërkatur festat kombëtare me hirin e tyre të zi.

Megjithëse kundër kësaj shëmtije kam shkruar një libër, gjysëm të ndaluar, që quhet Kandidati, unë pothuajse e kam humbur shpresën se dikush do ti rrëzojë këto buste që kanë ngritur kokat e tyre të turpëruara mbi horizontin e qyteteve tona. Helmi i historisë së shtrembëruar i ka mpirë shkollat, ndërsa nevoja për vota vazhdon t’i mbrojë tradhtarët nga turpi. Megjithatë në emër të modeleve të shpresës, po postoj këtë foto të gjyshërve të mi, që duken aq të bukur dhe aq të lirë, atëherë kur kuislingët prej bronzi i shërbenin pushtuesve duke i spiunuar të rinjtë që luftonin dhe bënin dashuri në mal.

Kjo është Dita e Fitores së tyre.

The post Dita e fitores mbi fashizmin dhe gjyshërit e mi! Pse Europianët e përçmojnë 9 majin first appeared on JavaNews.al.

Kush e rrëmbeu Zelenskyn dhe Hashim Thaçin?

13 March 2025 at 17:50

Nga Ben Blushi

Rrëmbimi i Zelenskyt nga Evropa i ngjan shumë rrëmbimit që ju bë Hashim Thaçit në kohën kur po shkonte të firmoste një marrëveshje paqeje me Serbinë, në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020.

Por megjithëse u rrëmbyen nga të njëjtit rrëmbyes, Zelensky dhe Hashim Thaçi nuk ngjajnë fare me njëri- tjetrin.

I pari është duke humbur luftën me gjithë mbështetjen e gjithë botës, kurse i dyti e fitoi luftën megjithëse nuk kishte mbështetjen e gjithë botës.

Edhe si karaktere ata të dy nuk ngjajnë fare.

Zelensky ka qenë një komedian i shpifur që kërcente në haremet e Rusisë, kurse Hashim Thaçi ishte një luftëtar që doli në mal me armë dhe drejtoi një lëvizje çlirimtare, derisa e shpalli vendin e vet të pavarur.

Pikërisht sepse nuk ngjajnë fare si karaktere, njëri është në burg pasi fitoi, kurse tjetri është i lirë dhe vazhdon të kërcejë edhe pse po humb.

Por përveç ndryshimeve karakteriale dhe politike të dy presidentëve, atij të Kosovës dhe të Ukrainës, pak a shumë gjithçka tjetër është njëlloj dhe ja pse.

Të dy u rrëmbyen nga Evropë kur ishin gati të firmosnin një marrëveshje paqeje në zyrën e Donald Trump.

Në vitin 2020, Hashim Thaçi u pengua të shkonte në Amerikë dhe jo rastësisht Jack Smith, njeriu që ka dashur të dënojë me burg Donald Trump, ishte prokurori që ngriti akuzën ndërkohë që Hashim Thaçi ishte në Vjenë duke pritur avionin që do ta çonte në Washington.

Por sigurisht Jack Smithi nuk ishte vetëm.

Pas tij ishin evropianët, gjermanët, francezët, holandezët të cilët e burgosën Hashin Thaçin sepse menduan se ai po i bënte një favor Donadl Trumpit duke i dhuruar një marrëveshje paqeje mes Serbisë dhe Kosovës, në prag të zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.

Hashim Thaçi u akuzua në 26 tetor 2020 në kulmin e fushatës presidenciale në Amerikë dhe u arrestua në 5 nëntor, dy ditë pasi Joe Biden kishte fituar zgjedhjet kundër Donald Trump.

Pra në fillim e penguan të bëhej bashkëpunëtor i Donald Trump dhe pastaj e ndëshkuan si bashkëpunëtor të tij.

Duke parë çfarë ndodhi këto ditë, është edhe më e qartë se Zelensky u rrëmbye me dëshirën e vet nga evropianët, të cilët e bindën të mos nënshkruante dhe të përdorte çdo truk për të sabotuar marrëveshjen e negociuar nga Trump, çka ai e bëri me sukses.

Por meqë Zelensky dhe Hashim Thaçi nuk kanë të njëjtin plan, sepse njëri do ta vazhdojë luftën dhe tjetri do ta mbyllë i pari shkoi në Zyrën Ovale dhe e shkatërroi marrëveshjen për të cilën kishte rënë dakord, kurse i dyti është sot në burg sepse do ta nënshkruante marrëveshjen për të cilën kushte rënë dakord.

Sikur Hashim Thaçi të kishte dëgjuar evropianët sot me siguri do ishte i lirë si Zelensky.

Çështja është se të dyja këto raste që ngjajnë si dy pika uji, Evropa ka kërkuar me çdo kusht vazhdimin e konfliktit si në Ukrainë po ashtu edhe në Kosovë.

Për shkakun e tyre, Ukraina vazhdon, ndërsa Kosova mund të shpërthejë nëse i lihet në dorë një grupi luftënxitësish, të cilët po bërtasin gjithë ditën se Rusia kërkon t’i pushtojë ndërkohë që kjo as nuk duket në horizont dhe as ka ndonjë shans të ndodhë.

Paniku qesharak i evropianëve bëhet edhe më mizor kur propozojnë një plan me katër pika për mbylljen e luftën në Ukrainë, një plan të cilit i mungon pika e parë.

Negociatat me palën tjetër. Me Rusinë.

Kjo është e jashtëzakonshme.

Një plan si ky nuk është parë as në filmat e komunizmit shqiptar kur armiqtë e huaj mundeshin çdo ditë pa shkrepur asnjë armë, jo sepse armiqtë ishin të dobët, por sepse ata nuk e kishin fare në plan të sulmonin Shqipërinë siç e dhe u provua.

Komunistët shqiptarë e përdorën frikën nga pushtimi perëndimor për të na nënshtruar për 50 vjet.

Sot evropianët po bëjnë të njëjtën duke u futur në psikozën e Enver Hoxhës që ndërtoi bunkerë për t’u mbrojtur nga një armik që nuk erdhi asnjëherë.

Nuk është për të qeshur, por sot shteti gjerman po inkurajon prodhimin e bunkerëve të gatshëm, të cilët njerëzit po i fusin në oborret e shtëpive me bindjen se rusët do t’i sulmojnë nesër.

Nxitimi i tyre përveçse rrit çmimin e bunkerëve shton njëkohësisht dhe taksat.

Ndërkohë askush nuk e shpjegon se pse rusët do pushtojnë Evropën.

Kryeministri polak tha para dy ditësh se 140 milion rusë po bëhen gati të pushtojnë 500 milion evropianë.

Vetëm kjo fjali mjafton për të kuptuar se sa qesharake është e gjitha.

140 milion banorë të një vendi relativisht të varfër si Rusia, që ka humbur qindra mijëra ushtarë, që detyrohet të marrë ushtarë borxh në Korenë e Veriut, një shtet i lodhur për shkak të sanksioneve rraskapitëse, mbylljes hermetike, largimit të bankave dhe kompanive perëndimore, sekuestrimit të aseteve, një shtet me një buxhet më të vogël se Italia, jo vetëm nuk ka arsye por nuk kanë as fuqi të pushtojnë me radhë Gjermaninë, Francën dhe pastaj Anglinë dhe nëse të gjitha këto pushtime i mbaron deri të premten, ushtarët e skuqur rusë mendohet se mund ta kalojnë weekendin në Spanjë edhe në Portugali.

Në fund të fundit pse do ta pushtonte Rusia Evropën?

Këtë nuk e thotë askush. Askush nuk thotë kush është arsyeja që Rusia do çmendej dhe do pushtonte gjithë këto vende rresht njëra pas tjetrës sikur të ishin fshatra të boshatisur në Siberi.

Akoma më keq askush nuk e thotë se kjo është plotësisht e pamundur. 140 milion njerëz nuk pushtojnë dot 500 milion, jo vetëm sepse numerikisht kjo nuk mund të ndodhë por edhe sepse në këtë moment Rusia do ishte e vdekur pasi gjithë bota, përfshi edhe Amerikën, Japoninë, Indinë, Turqinë dhe Arabinë do bëhej me Evropën.

Kjo do ishte një luftë mes Rusisë dhe Botës në të cilën përfundimi dihet. Çështja është se lufta në Ukrainë ka mbetur bunkeri fundit i liderëve evropianë të cilët janë futur aty për tu mbrojtur nga popujt e tyre.

Për t’u mbrojtur nga papunësia, pabarazia, inflacioni, emigracioni, çmimet e larta dhe rënia ekonomike. Ukraina është një sebep për të qeverisur keq, në pamundësi për të qeverisur mirë. Nëse lufta në Ukrainë mbaron, të gjitha çështjet e tjera hapen.

Popujt evropianë të cilëve u thuhet, nuk kemi çfarë bëjmë, mos kërkoni më shumë se jemi në luftë, do kërkojnë paga më të larta, pensione më të mira, çmime më të ulëta dhe punësim.

Përfundimi i luftës në Ukrainë do i rrëzonte me radhë shumicën e qeverive të sotshme evropiane. Kjo është arsyeja pse Zelensky u rrëmbye dhe ju morr Donald Trumpit nga zyra si një aktor profesionist për të vazhduar të luajë rolin kryesor në këtë komedi të dhimbshme.

Ndryshe nga Zelensky, Hashim Thaçi nuk e pranoi këtë rol. Nëse do ta pranonte do ishte akoma president i Kosovës duke shkuar çdo javë në Bruksel aty ku thirren të gjithë ata që nuk duhet të mbarojnë asnjë punë. Sidoqoftë në fund të kësaj historie me luftë një gjë është e sigurt : luftë nuk do ketë.

Për të paktën tre arsye.

E para se Amerika nuk do.

E dyta sepse Rusia nuk mundet.

Dhe e treta sepse Evropa është frikacake.

Një eksperiment llogjik se ç’mund të ndodhë me Ukrainën

1 March 2025 at 15:20

THINK OF IT

Megjithëse Donald Trump nuk ka shumë fantazi letrare, nganjëherë i nis postimet e veta bombastike, me togfjalëshin Think of It, që në shqip do ishte mendo sikur, pra mendo sikur të ndodhte kështu.

Atëherë le të bëjmë një eksperiment llogjik që nis me Think of It.

Mendo sikur nesër lufta mes Ukrainës dhe Rusisë përfundon me një armëpushim i cili si fillim

ndalon vrasjet dhe bombardimet në të dy anët.

Rusia merr përsipër të tërhiqet ushtarakisht nga territoret që ka pushtuar me kushtin që Ukraina të heqë dorë nga antarësimi në NATO, duke e sanksionuar neutralitetin e saj në Kushtetutë.

Pakicat ruse në Ukrainë, të cilat janë afro 8 milion banorë, apo më shumë se 17 për qind të popullsisë, fitojnë një lloj autonomie kushtetuese bashkë me të drejtën e vetos, se Ukraina nuk mund të antarësohet as në BE as në NATO pa miratimin e tyre.

Rusia njeh reparacionet e luftës, pra dëmet që i ka shkaktuar Ukrainës gjëtë pushtimit dhe del garant se do rindërtojë zonat e shkatërruara dhe godinat që ka hedhur në erë.

Europa dhe Amerika i heqin sanksionet Rusisë dhe Ukraina hyn në një fazë rindërtimi me kosto të përbashkëta të përballuara nga Europa, Amerika, Rusia dhe shumë vende të tjera.

6 milion ukrainas që kanë emigruar rikthehen ne shtëpitë e tyre duke cliruar nga një barrë financiare edhe vetë Europën që sot paguan për qëndrimin, strehimin dhe ushqimin e tyre.

Ukraina mban zgjedhje të lira, të cliruara nga dyshimet e ndërhyrjes ruse dhe blerjes së opinionit publik me fondet e USAID që sot financon më shumë se 90 për qind të gazetave, portaleve dhe televizoneve të këtij vendi me paratë e taksapaguesve amerikanë.

Një pjesë e madhe e nëntokës së pasur të Ukrainës fillon edhe shfrytëzohet nga kompanitë e mëdha amerikane dhe europiane duke krijuar siguri, pavarësi, mirëqenie, taksa, vende pune dhe të ardhura, në një vend pothuajse të shkatërruar nga lufta, ku sot në 100 veta, 22 nuk punojnë sepse papunësia është 22 për qind.

Qytetarët europiane çlirohen nga rritja me tre herë e çmimeve të energjisë që nga dita kur për shkak të luftës, refuzuan të furnizohen nga Rusia me gaz, naftë dhe energji elektrike.

Rusia dhe Ukraina bëjnë një marrëveshje afatgjatë mossulmimi me garanci amerikane dhe europiane dhe ndoshta edhe kineze të nënshkruara bashkarisht.

Rusia hap dyert për kompanitë amerikane dhe europiane të cilat mund të shfrytëzojnë rezervat më të mëdha të botës në një territor prej 17 milion kilometrash katrorë, që është pothuajse sa gjithë sipërfaqja e Amerikës dhe Europës së bashku.

NATO dhe Rusia arrijnë një marrëveshje të qëndruershme carmatimi duke u kthyer nga armiq në partnerë dhe duke negociuar eventualisht antarësimin e Rusisë në NATO dhe ndoshta më vonë edhe në Bashkimin Evropian.

Armët bërthamore reduktohen dhe shkatërrohen gradualisht dhe asnjë vend i botës nuk lejohet të pasurojë më uranium.

Think of it

Nëse Rusia antarësohet në Bashkimin Evropian ky Union do ishte më i madhi që ka parë ndonjëherë historia.

Bashkimi Europian me Rusinë do arrinte një popullsi më të madhe se 600 milion banorë dhe një sipërfaqe që do shtrihej nga Portugalia deri në ishullin Sakhalin përballë Japonisë.

Në gjithë këtë treg gjigand do kishte shumë lëvizje mallrash, shumë transaksione, shumë mirëqenie, shumë shpikje të reja dhe shumë më shumë vende pune se ç’ofron Europa sot për popujt e vet.

Evropa e sotme, e trembur dhe e terrorizuar do qetësohej nga paniku, herë pas here i shtirur, se Rusia kërkon ta pushtojë dhe vetë Rusia dhe shpëtonte nga paranoja se europianët e rinj duan ta shkatërrojnë duke përfunduar një projekt kolonizimi që Napoleon Bonaparti dhe Hitleri nuk ia arritën dot.

Liderët e dobët europianë, që ndryshe nga Napoleoni dhe Hitleri kërcënohen të humbin pushtetin cdo katër vjet, nuk do ëndërronin kurrë ta pushtonin Rusinë, pasi ajo do ishte pjesë e tyre njëlloj si Gjermania apo Franca.

Në këto kushte edhe Amerika, Europa dhe Kina e Rusia do ulnin shpenzimet e çmendura për armë dhe do investonin më shumë për teknologji, arsim, shëndetësi, infrastrukturë, demografi,dhe bashkëpunim.

Demokracia, të cilën evropianët e duan aq shumë dhe në emër të së cilës akuzojnë gjithë ata që nuk mendojnë si ata, do ishte një state of art edhe në Rusi, pra një gjendje e përhershme e shoqërisë e cila do respektonte opozitën, do garantonte shtypin e pavarur dhe do mbante zgjedhje të lira siç ndodh kudo në Europë.

Vendet e Europës Lindore do shpëtonin nga kërcënimi rus dhe Lituania, Letonia, Estonia bashkë me Finlandën do i mbanin kufinjtë të hapur, pa patur frikë se do pushtoheshin nga një aleat siç ndodh sot me Hollandën dhe Belgjikën që nuk flenë me frikën se në mëngjes do pushtohen nga Gjermania megjithëse kjo ka ndodhur dikur.

Bashkimi i Madh Evropian do ishte një kooperativë popujsh, nga rusët deri te shqiptarët, të cilët pavarësisht nga madhësia, janë të barabartë në të drejta politike dhe kanë peshë të njëjtë vote në vendimet që merren në tryezën e përbashkët.

Kur të votohej për Parlamentin Europian, një herë në katër vjet, do votohej njëkohësisht në Berlin, në Paris, në Athinë, në Oslo, në Moskë, në Prishtinë dhe në Tiranë dhe vota e monitoruar nga kaq shumë sy nuk do manipulohej dot sepse kjo ndërhyrje të nxjerr automatikisht jashtë Unionit.

Paqja me Rusinë do ta qetësonte Ballkanin duke e bërë më të lehtë integrimin në Europë të popujve që jetojnë në këtë zonë, përfshi shqiptarë, serbë, boshnjakë, maqedonas dhe malazezë, të cilët janë ndarë dhe janë vrarë sa herë Europa dhe Rusia kanë dashur.

Shqiptarët dhe serbët, do gjenin shumë më lehtë një marrëveshje, në kushtet kur Europa dhe Rusia janë bashkë dhe nga ky mirëkuptim asnjë popull nuk do fitonte më shumë se shqiptarët të cilët kanë humbur sa herë kanë patur Rusinë kundër.

Bota do ndahej në tre blloqe të mëdha, Amerika, Europa e Madhe dhe Kina.

Në kuptimin strategjik, Rusia do shkëputej nga aleanca e sotme me Kinën dhe Evropa e Madhe do shpëtonte nga varësia ushtarake dhe politike e Amerikës duke u bërë një superfuqi e barabartë me dy të tjerat.

Europa e Madhe, brenda të cilës do përfshihej edhe Ukraina edhe Rusia, do kishte një sipërfaqe më të madhe se Amerika dhe Kina së bashku dhe një popullsi dy herë më të madhe se Amerika dhe dy herë më të vogël se Kina.

Pra Europa e Madhe do ishte superfuqia me masën optimale,Optimum Superpoëer, as shumë e madhe as shumë e vogël, por shumë e fortë, shumë e pasur dhe shumë e ditur.

Demokratizimi i Rusisë dhe përfshirja e saj në Europën e Madhe do mbyllte shpejt edhe shumicën e konflikteve të sotshme të botës, aty ku Rusia con armë, para dhe mbështetje politike për të balancuar ndërhyrjet e Perëndimit në këto zona.

OKB do clirohej nga kundërshtia e përhershme, e përvitshme dhe e përjetshme e 5 antarëve të saj me të drejtë vetoje, Amerikës, Rusisë, Kinës, Francës dhe Anglisë dhe do kthehej në një qeverisje me qëllime globale siç edhe është konceptuar.

Pa mbështetjen e Rusisë, Irani do demokratizohej menjëherë, ajatollahët do binin nga pushteti, vendi do hiqte dorë nga armët bërthmore, marrëdhëniet me Izraelin do normalizoheshin dhe çështja palestineze mund të zgjidhej pa gjak.

Terroristët islamikë të gjithë botës, të furnizuar herë nga Irani,herë nga Rusia herë nga Amerika do zhdukeshin nga faqja e dheut dhe në përgjithësi Islami do zbutej duke kërkuar një lider në një botë të rigrupuar, një lider që mund të ishte Arabia Saudite apo Turqia, apo të dyja bashkë.

Korea e Veriut dhe Korea e Jugut mund të bashkoheshin, sic ndodhi 35 vjet më parë me dy Gjermanitë, të cilat u bashkuan kur Ronald Regani i tha Gorbacovit, Mr President Tear this Wall, Rrëzoje këtë Mur, dhe kur ky i fundit pranoi, me garancinë se NATO nuk do shkonte kurrë në Ukrainë, pra në kufi me Rusinë, siç për fat të keq ndodhi.

Në shumë vende të Afrikës, duke nisur nga Sudani, Mali, Burkina Fasso, Libia dhe Republika Qendrore Afrikane, do pushonin luftërat civile të nxitura nga mercenarët rusë të cilët kanë shkaktuar sa e sa grushte shteti duke nxitur rebelimin e ish kolonive të varfëra europiane.

Luftërat në botë, të cilat në qind për qind të rasteve nxiten nga Amerika, Rusia dhe Europa do pushonin për një kohë të pacaktuar.

Think of It

A janë rusët dhe ukrainasit europianë?

A janë kufinjtë e Europës kulturorë, gjeografikë, fetarë apo etnikë?

A është krijuar Europa Moderne njëlloj nga Balzaku dhe nga Dostojekvsi, nga Nicja dhe nga Tolstoi, nga Gëtja dhe nga Pushkini, nga Pasternaku dhe nga Remarku, nga Mozarti, nga Verdi dhe nga Cajkovski, nga Goja, nga Picasso dhe nga Chagalli, nga Bertrand Rusell, nga Kandinsky, nga Kazanzaqis, nga Kamyja dhe Kundera,nga Sartri, nga Saramago dhe nga Solzhenicini?

Think of It.

Mendo se sikur Ukraina dhe Rusia të jenë bashkë në Europë dhe në NATO.

Në fund të fundit a është kjo ajo që donte Ukraina?

A është kjo arsyeja arsyeja pse deri tani aty janë vrarë gati 200 mijë njerëz?

A është mbrojtja nga Rusia arsyeja pse u krijua NATO?

Mendo sikur një ditë armikun ta kesh mik.

Mendo se si u ulën në një tryezë Gjermania dhe Franca që i vranë njëri-tjetrit disa herë më shumë njerëz se Rusia Ukrainës dhe anasjelltas.

Mendo sikur kjo të ndodhte prapë.

Think of it.

Think of it, sepse rruga tjetër do ishte një luftë mes NATO-s dhe Rusisë në Ukrainë.

Think of it, sepse, meqë edhe Shqipëria është antare e NATO-s në fushat e pafundme të Ukrainës do shkonin edhe fëmijët e Shqipërisë për të luftuar.

Think of It.

Për cfarë do luftonin fëmijët tanë me helmetat e NATO-s mbi kokë?

Prandaj Think of It.

Nëse nuk doni t’i çoni fëmijët në Ukrainë,

Think of It.

 

Çfarë kemi arritur në 112 vjet (një ilaç kundër pesimizmit)

28 November 2024 at 15:00

Nga Ben Blushi

E di që shumëkujt mund t’i duket e habitshme por nuk ka asnjë vend në Europë që ka arritur më shumë se ne në 112 vjet.

Ja një llogari e thjeshtë e gjërave që një shekull më parë na mungonin, ndërkohë që gjithë të tjerët i kishin.

Ne kishim armë po nuk kishim ushtri.
Kishim roje po nuk kishim polici.
Shisnim dhe blenim po nuk kishim monedhë.
Kishim kursime po nuk kishim bankë.
Kishim bagëti po nuk kishim bujqësi.
Lëviznim po nuk kishim rrugë.
Këndonim po nuk kishim opera.
Mësonim po nuk kishim shkolla.
Lexonim po nuk kishim libra.
Shkruanim po nuk kishim alfabet.
Plakeshim po nuk kishim pensione.
Sëmureshim po nuk kishim spital.
Ziheshim po nuk kishim gjykata.
Shaheshim po nuk kishim gazetë.
Vrisnim po nuk kishim prokurorë.
Vidhnim po nuk kishim burg.
Udhëtonim po nuk kishim tren.
Vraponim po nuk kishim sport.
Ankoheshim po nuk kishim parti.
Kishim armiq po nuk kishim fuqi.
Faleshim po nuk kishim libra të shenjtë në shqip.
Shkonim në det po nuk kishim turizëm.
Peshkonim por nuk kishim flotë.
Martoheshim po nuk bënim divorc.
Punonim po nuk kishim sigurime.
Pinim ujë po nuk kishim ujësjellës.
Prodhonim po nuk kishim fabrika.
Kishim miq po nuk kishim hotele.
Kishim pyje po nuk ngroheshim.
Kishim minerale po nuk i nxirrnim.
Bënim fëmijë po nuk kishim çerdhe.
Tregonim përralla po nuk kishim letërsi.
Kishim lumenj po nuk kishim energji elektrike.
Transportonim po nuk kishim makina.
Qeveriseshim po nuk votonim.
Conim letra po nuk kishim postë.
Vizatonim po nuk kishim pikturë.
Ëndërronim po nuk kishim kinema.
Vallëzonim po nuk kishim koncerte.
Imitonim po nuk kishim teatër.
Recitonim po nuk kishim salla.
Infektoheshim po nuk kishim vaksina.
Kishim prona po nuk kishim kadastër.
Studionim po nuk kishim universitet.
Çmendeshim po nuk kishim çmendinë.
Mbeteshim jetimë po nuk kishim jetimore.
Vuanim nga zemra po nuk kishim mjekë.
Kishim dritare po nuk kishim xhama.
Zbukuroheshim por nuk kishim pasqyrë.
Kishim diell po nuk kishim dritë.
Lindnim po nuk numuroheshim.
Vdisnim po nuk kishim shpresë.
Ishim krenarë po nuk kishim himn.
Kishim komshinj po nuk kishim kufinj.
Kishim flamur po nuk kishim shtizë.
Kishim atdhe po nuk kishim shtet.
Uronim po nuk kishim festa.
Kishim dimër po nuk kishim Nëntor.
Ishim shqiptarë po nuk kishim Shqipëri.
Gëzuar të gjithëve 28 Nëntorin.

Historia e Kongresit të Manastirit dhe stërgjyshi im Simon Shuteriqi

23 November 2024 at 12:35

Nga Ben Blushi

116 vjet më parë, në vitin 1908, aty nga ora 12 paradite, e datës 20 nëntor, që binte e premte, në një shtëpi trekatëshe në Manastir të Maqedonisë, Luigj Gurakuqi nxori një dërrasë të zezë dhe filloi të shkruante me shkumës shkronjat e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Disa prej këtyre shkronjave ai vetë nuk i njihte, por Gjergj Fishta i rrinte afër duke e ndihmuar, Ndre Mjeda e shikonte si një nxënës të dobët, ndërsa Mit’hat Frashëri mbante qetësinë në një sallë të mbushur plot me burra të habitur. Nxënësit që po ndjekin këtë mësim nuk janë fëmijë, por janë disa zotërinj të mbledhur nga gjithë zonat ku jetojnë shqiptarë në Perandorinë Osmane, të cilët kanë ardhur në Manastir si delegatë të një Kongresi që ka për qëllim të unifikojë gjuhën shqipe e cila deri atë ditë shkruhej me të paktën dhjetë alfabete të ndryshëm.

Këta burra të veshur trashë, që kishin arritur deri aty hipur mbi kuaj dhe mushka dhe që flisnin me dialekte të ndryshme, ishin nga shqiptarët më të ditur të asaj kohe.

Meqë atëherë nuk kishte selfie, as gazeta me tirazh të lartë dhe as televizor apo internet, ata e kaluan ditën e parë për të njohur njëri-tjetrin dhe ditën e dytë u ulën të vendosin se çfarë rruge do ndiqnin për të përcaktuar alfabetin e gjuhës shqipe.

Në vitin 1908, gjuha shqipe kishte kohë që shkruhej, por çështja ishte me çfarë shkronjash do vazhdonte të shkruhej. Pra Kongresi ishte një Betejë për Shkronja dhe kongresmenët kishin përpara dy mundësi.

Ose të hartonin një alfabet të ri, ose të bazoheshin tek alfabetet e krijuara më parë. Kongresi i shkoi rrugës së dytë, pra të gjente një të mesme mes tre alfabeteve që ishin më në modë.

Alfabeti i parë i rëndësishëm ishte ai i familjes Frashëri, që mbrohej me këmbëngulje nga Mit’hat Frashëri. Ky burrë i cili në vitin 1908 mbante skeptrin e familjes më të shquar shqiptare, mbronte variantin e Alfabetit që ishte krijuar në vitin 1879 në Stamboll, nga babai i tij Abdyl Frashëri dhe xhaxhai Sami Frashëri, me të cilin shkroi xhaxhai tjetër i madh, Naim Frashëri.

Alfabeti i dytë ishte ai i shoqërisë Bashkimi të Shkodrës, e cila në vitin 1899 kishte propozuar një alfabet më latin se alfabeti i Stambollit. Me këtë alfabet shkroi Gjergj Fishta dhe shumica e klerikëve të ndritur të veriut. Vetë Gjergj Fishta kishte ardhur në Manastir si përfaqësues i Shkodrës dhe tani ishte përballë Mit’hat Frashërit, njeriut që drejtonte Kongresin.

Por këta dy burra kishin përballë edhe një të tretë, që ishte edhe më luftarak se ata. Ky ishte një prift i shkurtër me mustaqe, shumë kokërfortë, një poet i mrekullueshëm dhe një rebel i gatshëm të shkatërronte një parti për një shkronjë. Ky ishte Ndre Mjeda. Pasi kishte qenë anëtar i shoqërisë Bashkimi, ishte zënë me Gjergj Fishëtn dhe priftërinjtë e tjerë dhe ishte larguar duke krijuar alfabetin e vet bashkë me vëllain Lazrin, që ishte dhe ai prift.

Kështu ishin rreshtuar palët në Kongresin e Manastirit në mes të nëntorit 1908.

Por klima jashtë Kongresit ishte edhe më e ndezur. Shumë njerëz që nuk donin asnjë nga tre alfabetet apo që nuk ishin ftuar fare, mezi prisnin që ata të dështonin.

Kundërshtari më i zhurmëm dhe natyrisht më zevzeku ishte Faik Konica, i cili nuk mori pjesë në Kongres, me pretekstin se ishte ftuar me vonesë. Duke e njohur, me siguri, organizatorët ia kanë çuar ftesën me qëllim shumë vonë, në mënyrë që ai mos vinte, sepse prezenca e tij tekanjoze mund ta kishte prishur atë Kongres, të cilin Faik Konica e quajti një mbledhje xhonturqish.

Por edhe pa pjesëmarrjen e Faik Konicës, Kongresi ishte i mbushur me çudira.

Askush nuk e beson dot se si debatet më të ashpra, u krijuan për disa bashkëtingëllore dyshe dhe sidomos për shkronjën dh. Imagjinoni sot, sikur burrat e ndritur të Shqipërisë të mblidhen dhe të zihen për një shkronjë. Por në vitin 1908 kur nuk kishte Shqipëri, grindjet ishin më artistike dhe shumë më të dobishme.

Mit’hat Frashëri donte një alfabet me disa gërma greke. Ndre Mjeda ishte kundër gërmave të përbëra dh, sh, ll, gj,nj, xh dhe nëse do zgjidhej varianti i tij, sot fjalën Shqipëri do ta shkruanim Skipëri meqë ai nuk e njihte as gërmën q. Ndre Mjeda nuk përdorte asnjë bashkëtingëllore dhe alfabeti i tij ishte i gjithi diakritik, pra me shenja sipër dhe poshtë shkronjave, siç i përdorin francezët dhe gjermanët. Y-ja e tij ishte një “ü” me dy pika lart, kurse xh ishte dz dhe fjalën xhind ai e shkruante dzind.

Ndërsa Gjergj Fishta ishte për një latinizim më të madh të alfabetit duke këmbëngulur që gërmat greke të Sami Frashërit të eleminoheshin dhe po ashtu edhe shenjat e Ndre Mjedës. Nëse Gjergj Fishta do ishte sjellë si Faik Konica dhe nuk do kishte shkuar në Manastir, sot nuk do e kishim gërmën sh dhe fjalën shtet do ta shkruanim stet me një gërmë greke në fillim.

Në thelb, beteja ishte mes dy varianteve të gjuhës shqipe.

Atij toskë, që ishte gjuha që shkruante Naim Frashëri dhe atij gegë, që ishte gjuha që shkruante Gjergj Fishta. Kongresi i Manastirit ishte një përballje mes dy poetësh që u takuan në vitin 1908 në Manastir dhe meqë njëri kishte vdekur në vitin 1900 dhe tjetri ishte gjallë, u gjet një kompromis.

Në vend të një alfabeti, Kongresi i Manastirit miratoi dy alfabete, që kishin të përbashkëta 27 shkronja dhe të ndryshme 9 shkronja. Jehona e këtyre nëntë shkronjave që po të bashkohen krijojnë një zhurmë të tmerrshme dhëshzhxhnjthgjc, i ka lënë pa gjumë për një javë burrat më të ndritur të kombit.

Natyrisht i pari që u miratua, ishte Alfabeti i Stambollit, nga i cili nuk hiqte dorë Mit’hat Frashëri, dora e fortë e Kongresit dhe i dyti ishte Alfabeti i Shkodrës, të cilin Gjergj Fishta, mendja e Kongresit, e kërkonte edhe për arsye praktike. Ai i botonte veprat e veta në shtypshkronja që vinin nga Perëndimi dhe nuk i njihnin gërmat greke që përdorte Sami Frashëri dhe gjithe Toskëria.

Ndryshe nga Kongresi i Manastirit, koha vendosi që ky i dyti do ishte alfabeti që pothuajse kemi sot.

Por fakti që Kongresi miratoi njëkohësisht dy alfabete do të thotë që debatet kanë qenë të forta dhe kanë rrezikuar ta mbyllin Kongresin pa një alfabet unik. Prandaj mesa duket u gjet një zgjidhje oportuniste. Por për shkak të betimit që i kishin bërë njëri-tjetrit, delegatët nuk folën publikisht mbi mosmarrëveshjet që patën dhe zgjedhjen e dy alfabeteve në vend të njërit.

Njëri prej 32 delegatëve ishte edhe stërgjyshi im nga nëna, Simon Shuteriqi, ndoshta delegati më i ri i Kongresit të Manastirit.

Në vitin 1908 ai ishte vetëm 25 vjeç, me një kravatë me vija të trasha, që sot do ishte vintage, me një këmishë të bardhë me jakë të rrumbullakët që është ende shumë në modë dhe me një kapele të zezë si ajo që mbanin të krishterët në Peradorinë Osmane. Mustaqet e tij të gjata, sytë e ulur poshtë dhe një ballë i vrenjtur tregojnë një njeri të fiksuar pas detajeve, siç edhe ishte Simon Shuteriqi.

Nuk e di kush i ka vendosur numra delegatëve, por në foton zyrtare të Kongresit, ai mban numrin 21, një numër që ka shoqëruar familjen tonë, në gëzime dhe hidhërime, deri ditët e fundit.

Për fat të keq ai nuk i shkroi kujtimet e tij për Kongresin e Manastirit, sepse ishte nën betim. Kishte dhënë fjalën të mos fliste. Simon Shuteriqi e mori alfabetin e Manastirit dhe një vit më vonë, në vitin 1909, hapi dhe drejtoi bashkë me Luigj Gurakuqin, Normalen e Elbasanit, shkollën që përgatiste mësues.

Ai i respektoi në mënyrë të çuditshme dhe shumë besnike vendimet që u morën në Manastir dhe kjo duket nga mënyra se si e ka përdorur gërmën sh, që ka qenë dhe një nga shkaqet e mospajtimit të madh të Manastirit.

Simon Shuteriqi e firmosi si S. Suteriqi vendimin e Kongresit të Manastirit në 1908, pra pa i vendosur një sh mbiemrit të tij, ndërsa në vitin 1922, i drejtohet mikut të tij Fan Nolit si Shenjtëri, pra me gërmën sh, të alfabetit të dytë të Kongresit.

Deri në vitin 1911 Simon Shuteriqi botoi dy libra. Njërin për jetën e dajës së vet Konstantin Kristoforidhit, të cilin e shkroi me alfabetin e Naim Frashërit, kurse tjetrin, një abetare për fëmijë që e shkroi me alfabetin e Gjergj Fishtës.

I kam gjetur me vështirësi këto dy këto botime dhe te “Jetëshkrimi i Kristoforidhit”, fjalën shqip ai e ka shkruar me një s greke, siç e shkruante Sami Frashëri, ndërsa tek abetarja e tij, fjalën shqip e shkruan siç e shkruajmë ne sot, me gërmën sh.

Abetarja e Simon Shuteriqit i ka të gjitha bashkëntingëlloret dyshe për të cilat Kongresi i Manastirit debatoi për një javë, edhe sh, edhe dh, edhe nj, edhe ll, edhe rr, edhe gj, edhe th, edhe xh edhe zh. Ajo është një Abetare e bukur, e vogël, me shumë përshkrime kafshësh dhe frutash, e cila mund ta lumturonte çdo fëmijë 100 vjet më parë, kur nuk kishte as lodra dhe as filma të animuar.

Librat e Simon Shuteriqit janë botuar në shtypshkronjën tregtare të Manastirit në vitin 1911.

Dy vjet më vonë, në vitin 1913, serbët e morën Manastirin dhe i vunë emrin e shëmtuar Bitola, për ta fshirë nga historia jonë. Bashkë me qytetin, ne humbëm edhe shtëpinë e Kongresit të Alfabetit ku çdo vit, në nëntor, do ishte bërë një pelegrinazh i madh, frymëzues, i ngjashëm me atë që bëhet në Vlorë gjatë përkujtimit të Pavarësisë.

Shtëpia e Manastirit dhe shtëpia e Vlorës do ishin shtëpitë më të famshme të Shqipërisë sepse aty u bë Shqipëria, atëherë kur Shqipëri nuk kishte.

Aty do kisha shkuar sot, për t’i bërë një homazh Simon Shuteriqit, stërgjyshit tim, delegatit më të ri të Kongresit të Manastirit, kravatën me vija të të cilit do doja ta mbaja kur flisja në parlament, për punët e Shqipërisë.

❌