Normal view

Për protestën, opozitën, për një pis e për shumë pisa të bërë nga vetë Rama

12 August 2026 at 14:45

Nga Martin Leka

Para disa ditësh, në një nga protestat e fundit, dikush nxori në podium një fëmijë të vogël. Një vajzë. Dhe, siç ndodh rëndom në këto lloj “spektaklesh” me keq se amatoreskë, nje nga drejtuesit e protestës, si në një skenar sa grotesk aq dhe mediokër e cinik, iu drejtua me një pyetje që në pamje të parë dukej e pafajshme:

– Çfarë do t’i thoje një turisti në Gjermani që do të vizitonte Shqipërinë?

Përgjigjja e vogëlushes ishte e shkurtër si në skenar shkruar:

– Do t’i thoja që Shqipëria është shumë pis, prandaj mos shko në Shqipëri!

Nuk e di nëse ajo vajzë e vogël e kuptonte çfarë po thoshte. Me siguri nuk ishte fjali e saj, ia kishin mësuar. Do ja ketë mësuar një pis!
Në një protestë që pretendohet se bëhet për Shqipërinë, për qytetin, për mjedisin, për të ardhmen, fëmijës i mësohet të thotë se Shqipëria është “shumë pis” dhe se turisti duhet të mos vijë.

Kaq mjafton për të kuptuar shumëçka për “Shqipërinë e re” dhe për të ashtuquajturin “Revolucion” të të ashtuquajturve Flamingo!

Sepse një protestë mund të jetë e drejtë ose e gabuar. Mund të ketë kauzë ose të mos ketë. Mund të kundërshtohet një qeveri, një kryeministër, një vendim apo një politikë. Kjo është pjesë e demokracisë dhe duhet respektuar.

Por kur mllefi dhe urrejtja politike bëhet aq e madhe sa për të goditur Edi Ramën je gati të godasësh edhe Shqipërinë, atëherë kemi të bëjmë me diçka tjetër.

Kemi të bëjmë me një deformim të kauzës.

Protesta nisi si një reagim ambientalist, pas një incidenti të rëndë me tërheqjen zvarrë të një banori nga roje private në Zvërnec. Një çështje konkrete, e kuptueshme dhe legjitime për t’u diskutuar e protestuar.

Por pak nga pak, kauza u zhvendos. Kauza ra.

Nga mjedisi te Edi Rama. Nga kauza mjedisore tek akuza politike, tek Qeveria, tek Rama e madje edhe tek Berisha, që dukshëm ngjall diskutime per mënyrën dhe seriozitetin.

Nga një incident konkret te kërkesa për rrëzimin e qeverisë.

Nga një ngjarje konkrete tek dorëheqja e Kryeministrit.

Nga Zvërneci i mbrojtur tek burgosja e Ramës e Berishës.

Nga protesta qytetare te kërkesa që në shumë raste ngjan si kopje e retorikës së opozitës shqiptare. Kësisoj, do të ishte më dinjitoze që podiumin e improvizuar e të ndotur me turli lloj fjalori mediokër e banal, organizatorët, folësit e gazetarët e televizionit informativ t’ia linin Sali Berishës dhe Parties Demokratike. Kauza është e njëjtë: Raaaama jepe dorheeeeqjen, qeveri teknike, përgatitje për zgjedhje të reja. Këto duan protestuesit, këto do dhe Berisha. Veçse Berisha është politikan i sprovuar dhe shume më dinjitar se ata që shohin ëndrra se duke bërtitur e mallkuar Ramën, do ti zëne vendin atij dhe Saliut. E kotë.
Dhe mjafton të dëgjosh disa prej fjalimeve të dy ditëve të fundit për të kuptuar se ku ka përfunduar protesta.

“Edi Rama ka marrë fund.”

“Ramovic, tradhtar i shitur.”

“Vdekje Edi Ramës.”

“Rama burg i përjetshëm.”

“Arrestoni Ramën.”

“Rama është pushtues, gjakpirës i shqiptarëve.”

“Revolucioni kërkon gjak.”

“Do të hedhim në Lanë.”

Dhe shumë të tjera, disa aq vulgare sa nuk ia vlen as të përsëriten.

Këtu nuk kemi më një debat për mjedisin.

Kemi mllef politik.

Kemi urrejtje.

Kemi protagonizëm absurd.

Kemi njerëz që dalin në një podium dhe duket se besojnë se sa më e madhe të jetë sharja, aq më e madhe është edhe e vërteta që po thonë.

Nuk është kështu.

Një demokraci nuk bëhet më e mirë duke zëvendësuar një pushtet me një turmë të zemëruar.

Nuk pastrohet Shqipëria duke i thënë një fëmije se është “shumë pis” dhe se turistët nuk duhet të vijnë këtu.

Po kush po e përdor fëmijën, fëmijët dhe jo vetëm ata?

Ky është ndoshta momenti më i trishtuar i gjithë kësaj historie.

Fëmijët nuk duhet të bëhen rekuizita politike.

Fëmija është viktima e parë e të rriturve që duan ta përdorin pafajësinë e tij për një kauzë politike.

Të përdorësh një fëmijë për të përcjellë një mesazh politik është gati gati kriminale.

Ta mësosh e ta mëkosh atë të flasë keq për vendin e vet, për t’i shërbyer një urrejtjeje ndaj kryeministrit, është diçka kriminale.

Sepse Shqipëria nuk është Edi Rama.

Rama mund të kritikohet. Mund të kundërshtohet. Mund të votohet ose të mos votohet. Mund të gjykohet politikisht, madje edhe ashpër.

Por Shqipëria është më e madhe se Edi Rama.

Dhe kjo është ajo që disa prej protestuesve duket se e kanë harruar.

Ironia është se në këtë protestë flitet shumë për “pisllëkun”.

Por pisllëku nuk është vetëm ai fizik.

Ka edhe pisllëk politik.

Ka pisllëk moral.

Ka pisllëk intelektual.

Ka edhe pisllëk fonetik.

Dhe kur një njeri që pretendon se po mbron Shqipërinë del në podium dhe i thotë vendit të vet “pis”, vetëm sepse nuk i pëlqen kryeministri, atëherë duhet të pyesim veten se kush po e ndot kë.

A është Shqipëria “pis” apo është bërë pis mënyra se si disa njerëz flasin për Shqipërinë?

Nga protesta vjen dhe një paradoks i madh.

Shumë prej atyre që sot shajnë Edi Ramën, sipas të dhënave dhe historive publike që qarkullojnë prej vitesh, janë njerëz që kanë përfituar në një mënyrë apo tjetër nga ky pushtet. Madje janë të bërë prej vetë Edi Ramës.

Janë privilegjuar prej tij.

Kanë marrë poste e ofiqe vetëm falë tij.

Janë bërë pjesë e sistemit që sot pretendojnë se e urrejnë.

Janë pasuruar prej tij.

Dhe disa, në raste edhe më flagrante, janë “të bërë” ekskluzivisht nga vetë Edi Rama. Emrat i dini të gjithë. Shpresoj ti dijë dhe Rama!

Këta janë paradoksi më i madh i kësaj historie që e zbulon protesta.

Në Shkodër dikur një burrë fisnik përdorte një shprehje të rëndë, por shumë domethënëse: “bythgjerët” – për ata që duan të ulen në dy karrige. Si këta që përmendëm.

Ndoshta sot kjo shprehje do të duhej t’u shkonte për shtat pikërisht atyre që dje ishin pranë pushtetit, përfituan prej tij, u ngritën prej tij, dhe sot, kur nuk kanë më të njëjtin përfitim, shfaqen si revolucionarë e Flamingo të orës së fundit.

Këta nuk janë kundërshtarët e Ramës dhe ai nuk shqetësohet prej tyre.

Një demokraci ka nevojë për kundërshtarë të fortë.

Ka nevojë për opozitë.

Ka nevojë për kauza të pastra, jo për urrejtje të paketuar si kauzë.

Sepse në fund, Shqipëria nuk është as e Ramës, as e Berishës, as e protestuesve.

Është e të gjithëve.

Dhe pikërisht për këtë arsye, ndoshta ka ardhur koha që të pastrohet jo vetëm rruga, sheshi, mali apo qyteti.

Ka ardhur koha të pastrohet edhe protesta nga pisllëku i urrejtjes.

Pse koordinatori i protestës, Shkëlqim Hajdari, kishte në kokë kapelen e Trump?!

18 October 2025 at 20:01

Nga Martin Leka

Manifestimin e protestës së djeshme e bëri madhështor numri i lartë i pjesmarrësve, ardhur nga trojet e jashtë tyre. Erdhën nga Prishtina e Tirana, Gjakova e Vlora, Prizreni e Shkodra, Deçani e Gjirokastra, Klina e Korça, Tetova e Ulqini, Mitrovica e Durrësi. Kavaja e Gostivari, Elbasani e Struga, Drenica e Presheva, Përmeti e Medvegja, shqiptarë nga Gjermania e Zvicra, Amerika e Kanadaja, Anglia e Italia, Norvegjia, Suedia e Australia…

Të gjitha organizatat që dolën nga lufta heroike e UÇK-së me përfaqësuesit e tyre me dhe pa uniforma dhe me një disiplinë ushtarake, krijuan emocion e krenari të skajshme.
Pjesmarrja në protestë e kryekomunarit të Prishtinës Përparim Rama, e Ramiz Lladrovcit, deputetë nga të gjitha partitë shqiptare në Kosovë (përveç atyre të VV), intelektualë e qytetarë pa dallime partiake ishin risia dhe nderi i protestës

Nga Maqedonia e Veriut, përveç nderit dhe simbolikës që shfaqi Ali Ahmeti, u përfaqësua gjithë faktori politik atje (përveç “Vlen”-it).
Nga Tirana ishte gjithë faktori politik e patriotik, qytetarë e student, të rinj e të moshuar, shkrimtarë e aktorë. Ishte Mediu, Leskaj, Açka, Bakiu, Xhaferri (përveç Berishës e çetës së idhujtarëve të tij)
Pas kësaj panorame të thjeshtë, nuk është e vështirë të dalësh në një konkluzion që sado i thjeshtë për ta interpretuar, po kaq i vështirë bëhet për ta kuptuar.

Pa e moderuar aspak fjalën, kemi dy politika shqiptare, të cilat nuk kanë themel ideologjik apo doktrinë për të krijuar ndasi mes shqiparësh. Kemi Lëvizjen Vetvendosje në Kosovë përfaqësuar nga Albin Kurti dhe zgjatimin e politikës së tij në Maqedoninë e Veriut përmes Vlen-it, të cilat për efekte meskine e shumë egoiste, përfshirë edhe “garën” për të qenë lideri i hapësirës shqiptare, nuk u përfaqësuan në një protestë për një kauzë që shkon përtej emrave të ish-udhëheqësve të UÇK Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, të cilët po martirizohen nga gjykata që vetë ngritën e që ka dalë jashtë juridiksionit për të cilin u ngrit. Për fat të keq, kësaj politike ju bashkua edhe Sali Berisha me PD-në e tij, edhe pse pas protestës, nuk ngurroi të bënte një lloj reflektimi, ndoshta duke parë lumin e njerëve në shesh dhe bashkimin e gjithë faktorit shqiptar. Por, delja e zezë nuk lyhet me bojë flokësh.

Nga një analizë e ftohtë faktesh, duket se politika shqiptare në këtë rast përbëhet nga dy botë. Një e madhe dhe një e vogël. Një Perëndimore dhe një Lindore.

VV plus Vlen plus PD e Berishës përbëjnë boshtin Lindor.
Opozita në Kosovë plus BDI në Maqedoninë e Veriut plus PS e faktorë të tjerë në Shqipëri përbëjnë boshtin Perëndimor alias pro SHBA-Trump. (Për kujtesë, ish-Presidenti Hashim Thaçi u “rrëmbye” nga Gjykata e Hagës që ngriti Kosova(?!) rrugës për tu takuar me Trump në Shtëpinë e Bardhë).

Prej këtu, dalim në një detaj të protestës, që përbën edhe një simbolikë domethënëse: Kapelja e Trump mbahej nga koordinatori i protestës dhe nje ish Kryeprokuror Shkëlqim Hajdari. Mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, por në gjeopolitikën e sotme dhe në përpjekjet e Presidentit të SHBA për të shuar luftëra e konflikte, një kapele me mbishkrimin e tij, tregon besimin e patundur të popullit shqiptar në gjithë hapësirat e tij tek SHBA dhe Trump se pastërtia e luftës së UÇK dhe liderëve të saj do të vlerësohet dhe kërkon mbështetjen e Perëndimit, të SHBA e TRUMP.

The post Pse koordinatori i protestës, Shkëlqim Hajdari, kishte në kokë kapelen e Trump?! first appeared on JavaNews.al.

Dy pleq që po tallen me botën

16 August 2025 at 14:40

Nga Martin Leka

Me shpresë se do të ndalej lufta në Ukraine, me shpresë se do të ndalej vrasja e fëmijëve, burrave e grave të Ukrainës, me shpresë se agresori-Rusia dhe krimineli i akuzuar i luftës-Putin do të ndaleshin në tragjedinë e filluar tre vjet e gjysmë më parë, gjithë bota i ktheu sytë nga samiti i Alaskës mes Trump e Putin.

Themi shpresë, sepse na ka mbetur si artefakt apo na është bërë si tatuazh në gjuhë “shpresa vdes e fundit”. Në fakt, botës po i vdes shpresa pak nga pak. Pa e kuptuar.

Po e nisim kuptimin e kësaj nga takimi.

Një i akuzuar si kriminel lufte që del nga strofulla e izolimit dhe viziton një vend perëndimor pas tre vjet e gjysëm, pritet nga presidenti i shtetit më të fuqishëm të botës me një përulje e veneracion të habitshëm. Kur Trump të shohë pamjet e takimit, me siguri do të duhej të skuqej. Ndoshta. Ka duartrokitur tre herë Vladimir Putinin teksa i afrohej. I ka buzëqeshur dhe i ka mbajtur dorën nën dorë mbi tapetin e kuq dhe i ka ofruar makinën më të sigurtë në botë bashkë me të. Si të ishte jo një kriminel lufte i akuzuar e me një mandat arresti ndërkombëtar, por si një “hero”.

Trump duhet ta dijë sa fëmijë ukrainas janë vrarë e sa fëmijë ukrainas janë rrëmbyer. 19.546 sipas “Ukrainska Pravda”, mbi 35.000 sipas New York Post e 744.000 sipas të dhënave ruse. Trump duhet ta dijë se janë vrarë 13.580 civilë ukrainas (prej të cilëve 716 fëmijë). Ose duhet ta dijë numrin 43.000 të ushtarëve të vrarë ukrainas e 370.000 të plagosur apo numrin 122.883 ushtarë rusë të vrarë (mendohet se kjo shifër mund të jetë midis 200-250.000) apo mbi 1 milion ushtarë të plagosur.

Gjithë kjo tragjedi njerëzore, e bën aq cinike deklaratën e agresorit Putin për “Ukraina komb vëlla”, ashtu siç duhet të bëjë Trumpin me turp për pritjen që i rezervoi agresorit. As Trump as Putin nuk ju përgjigjën pyetjeve të gazetarëve, por sot Trumpin duhet ta pyesin nëse pas shtrëngimit të ngrohtë të duarve me Putinin, a i kishte mbetur në duar gjak nga dora e gjakatarit?!…

Dje u zhgënjyen të gjithë, ukrainasit e gjithë bota. Ai që premtoi pushimin e luftës për 24 orë, bëri vetëm një “show” për veten e për “mikun” e tij agresor. Si Trump, edhe Putin shmangën Evropën dhe ajo që ende mbetet mister, shmangën Zelenskin, duke tentuar për marrëveshje për Ukrainën pa Ukrainën. Thjeshtë të dy pleqtë i bënë elozhe njëri-tjetrit (kujto Putin që tha se lufta nuk do të kishte filluar nëse Trump do të rizgjidhej president?!) duke e kthyer samitin në një shfaqje të dobët teatrale ku spektatorët pasi dalin nga shfaqja pyesin njëri tjetrin: si e kishte titullin drama?

Alaska, për fat të keq, rezultoi me një fitore të qartë të njërit, plakut më të ri, Putin. Ai fitoi rikuperimin e imazhit, për të cilin ka tre vjet e gjysmë që përpiqet. Tani ai nuk do ketë nevojë dëshpëruese për ti rënë numrit të telefonit të Kim Jong Un të mos ndihet i izoluar nga bota. Mund ti bjerë direkt Trump-it…

The post Dy pleq që po tallen me botën first appeared on JavaNews.al.

Zgjedhjet. E vjetra që nuk ikën, e reja që nuk duket

4 May 2025 at 20:27

Nga Martin Leka

Shtatë ditë nga 11 Maji, gjithnjë e më tepër po bëhet i qartë rezultati i zgjedhjeve, pavarësisht dëshirave tona.

Projeksioni, jo vetëm i sondazheve publike, i ka përcaktuar pa asnjë ekuivok fituesit dhe humbësit. Dhe ata dihen.

Edhe një javë do vazhdojmë me rutinën e përditëshme: 200 euro minimum jetik, rroga minimale 500 euro, rroga mesatare 1250 euro, kartën e konsumatorit, taksat zero kaq e aq muaj… Rrena madhështore!

Nga ana tjetër afërsisht të tilla premtime. Plus Shqipëria në Bashkimin Evropian. Mos qoftë rrenë kjo e fundit…

Një tjetër veprimtare që mbështet ish burrin, tregonte se i ka të sigurta votat që do dhe kërkon për të. Llogaria e saj është shumë më keq se shumëzimi 7 X 7 bëjnë 42. Sepse zonja fliste me statistika: vetëm në Tiranë ka 120 mijë votues skraparlinj e 400 mijë dibranë. Tani llogariteni vetë përmasën e rrenës dhe se sa votues duhet të ketë Shqipëria, 10, 15 apo 20 milion banorë(?!), nëse vetëm në Tirane nga dy rrethe periferike kemi 520 mijë votues…

Ndërsa turet e vizitat e liderëve apo kandidatëve për deputetë nëpër bizneset fasone janë manuali më i shëmtuar politik për një teatër grotesk.

E lëmë teatrin e vazhdojmë me folklorin. Edi Rama e hapi fushatën elektorale në sheshin “Skënderbej” ku qartazi shihej personalizimi me emrin e tij që në sloganin final. Pamë gjithashtu këngë e instrumenta folklorikë. Menjëherë PD e Sali Berishës e anatemoi PS dhe Edi Ramën për folklorizëm. Mirëpo nuk zgjati shumë dhe “plasi në Kuçovë”. Sali Berisha mblodhi të vetët në miting atje dhe shihej i mallëngjyer me këngën burimore që i kushtohej atij vetë dhe LaCivita-s: -O shkrepi dielli/ Shkrepi drita/ Seç na vjen LaCivita/ O doktor, doktor Berisha/ Ngriji lart ata dy gishta… Ndotje akustike dhe e vetë tallavasë.

Mund të vazhdonim me pafund shembuj të ngjashëm stigmash e gafa që qarkullojnë pafund rrjeteve sociale e jo vetëm. Jo vetëm të liderëve politikë, por edhe të enturazhit që i ndjek nga pas.

Më të fundit ishin varietetë orale të dhunës, lëshuar nga një deputet intelektual e diplomat me thirrje kanibaleske që askush nuk i merr seriozisht, përveç ndonjë “trimi” që i rri pas prapanicës “madhështorit” dhe që i duket vetja sikur e ha të gjallë… mishin.

Përtej këtyre, fushata ka qenë e qetë krahasimisht me të mëparshmet, me shpresë se s’do ta prishim surin e keq edhe këto 7 ditë të mbetura.

Ajo që reflektohet e dominon në këto zgjedhje është transformimi i politikës. Nga politika si art kolektiv, është shndrruar në art individual. Më saktë e pa stërhollime, partitë janë kryetarët. I dominojnë, pa përjashtim. Të vjetra e të reja. Partitë tashmë nuk njihen më me emra, njihen me kryetarët. Janë partia e Kryetarit. Të gjitha. Të vjetra e të reja. Partitë kanë humbur esencën e tyre, demokracinë e brendshme. Partitë duken se kanë humbur qasjen perspective. Nuk mund të themi nëse është koha e shkuar e largët, e shkuar e afërt apo e tanishme, por kjo gjendje duket e pashëndetëshme për demokracinë. Apo më keq, nuk e dimë ç’lloj regjimi do të lindë nga një demokraci me parti që pjell vetëm kryetarë.

Në këtë peizazh politik, kur një javë përpara zgjedhjeve rezultati dihet, dallojnë qartë dy silueta: një lider i fortë e një problematik. E ndonjëherë edhe në invers. Edi Rama dhe Sali Berisha.

I pari bëhet gati pas një jave të thyejë rekordin e vet. Me arritjet e mosarritjet, me qartësitë dhe turbullirat, me korrupsion të qeverisjes dhe bashkëpunëtorë të afërt në burg, me një politikë të jashtme efektive dhe me një administratë të paaftë e drejtues të saj që institucionet që drejtojnë i kanë si çiflig të tyre, me një ekonomi që statistikisht ka rritje por që paradoksalisht në vendin që qeveris pothuajse asgjë nuk prodhohet veç turistëve, me një hendek që shtohet mes të pasurve e të varfërve, udhëheqësi i djathtë i të majtës do të jetë pas një jave Kryeministri i Shqipërisë për herë të katërt rresht, si asnjëherë më parë.

I dyti bëhet gati të jetë i dyti. Edhe ky do të thyejë rekordin e vet. Të humbjeve. Mund të mbetej me atë pak histori po të dinte të tërhiqej në kohë nga politika. Me një parti që e shkatërroi dhe e përçau vetë, me bashkëpunëtorët më të afërt që i shpalli armiq, me të kaluarën që e ndjek nga pas si hije dhe me të tashmen me të cilën nuk po përshtatet, me drejtimin pa vizion dhe i paaftë të krijojë frymën e ndryshimit, me damkën e “non grata”-s nga SHBA e Britania e Madhe, ai rimori Partinë Demokratikë me dhunë dhe kësaj makine të gatshme siç ishte Partia Demokratike, në vend ti shtonte kuti shpejtësie, i shtoi frenat. I duhet për makiazh dikush nga Amerika dhe gjeti të duhurin, njeriun afër Trump. Por LaCivita i solli vetëm një kapele në këmbim të kushedi se sa qindramijë apo million dollarë. Strategjia e tij rezultoi e pakonstektualizuar me realitetin shqiptar dhe sidomos me realitetin në të cilin ndodhet parti e Sali Berishës.

Nga ana tjetër, partitë e reja duhen vlerësuar më së shumti për kurajon dhe guximin për të garuar, ndoshta do të jenë një farë e hedhur që të mos lënë djerrë tokën politike ku ato po mbillen. Në fund të javës, prognoza: do kemi të vjetrën që nuk ikën dhe të renë që nuk duket…

The post Zgjedhjet. E vjetra që nuk ikën, e reja që nuk duket first appeared on JavaNews.al.

A është demokracia rend i mirë edhe kur prodhon idiotë?

2 March 2025 at 20:23

Nga Martin Leka

Qysh kur në Zyrën Ovale ndodhi ajo që çuditi botën, përplasja verbale midis Donald Trump e JD Vance me Volodymyr Zelensky, janë shtruar shumë pyetje nga shumë njerëz, përfshirë të mëdhenj e të vegjël. Që nga politikanë amerikanë, demokratë e republikanë, senatorë e kongresmenë, e më tej udhëheqës e kryetarë shtetesh, kryeministra e liderë organizatash nacionale e transnacionale. Nga të gjitha kontinentet.

Duhej të ishte një marrëveshje për partneritet ekonomik mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës për mineralet, por u shndrrua në një shfaqje të shëmtuar aspak diplomatike. Ku dy të fortët, Trump, dhe si të mos mjaftonte ky i vetëm, dhe zëvendësi i tij JD Vance, ju sulën verbalisht një presidenti në luftë tej çdo parashikimi edhe në skenarët më të kualifikuar të një regjisori hollivudian.

Pra, si të mos mjaftonte konflikti trevjeçar mes Rusisë sulmuese dhe Ukrainës së sulmuar dhe kur bota pret me ankth ditën e përfundimit të kësaj lufte, hapet një “vatër e re lufte” nga ai që u premtoi amerikanëve dhe botës para zgjedhjeve në Amerikë se “do ta pushonte luftën Rusi-Ukrainë për 24 orë”. Kjo vatër e re lufte i pati fillesat ditë më parë. Filloi me një “chok” kur Trump e cilësoi presidentin ukrainas Zelensky “diktator” dhe vazhdoi me disa përkëdhelje dashurore për Vladimir Putin, diktatorin dhe agresorin mbi ukrainasit.

Me tej, vazhdoi me përjashtimin nga bisedimet për paqe të Ukrainës. Trump dhe Putin dërguan delegacionet e tyre në këto bisedime, me në krye kryediplomatët respektivë. Pra. Trump e kërkon paqen me agresorin pa pyetur fare për viktimën. A mund të quhet kjo një paqe e drejtë?!… Por jo vetëm kaq. Në bisedime për paqen u shmang edhe një kontinent, Evropa. Le të supozojmë për një çast: nëse për arsye koniukture po e marrim për të mirëqenë një mungesë (që mund të ishte vetëm e përkohshme) të Ukrainës në këto bisedime, pse u shmang Evropa si një garanci për Ukrainën në bisedime, kur dihet botërisht kontributi i saj si aleate dhe kontributore e ndihmës ushtarake dhe morale?!

Ai që duket si përfituesi më i madh nga sulmi verbal që i’u bë presidentit-hero të Ukrainës në Zyrën Ovale është pikërisht Putini, dhelpra që rrinte e vështronte debatin nga Kremlini. U duk qartë në gjuhën fyese të përdorur ndaj presidentit ukrainas nga ndihmësit, zëdhënësit e mediat e tij menjëherë pas debatit në Shtëpinë e Bardhë e daljes prej saj të Zelenskit. Vetëm para disa orësh, Ministri i Jashtëm rus Lavrov sulmoi ashpër Zelenskin me gjuhë gjarpëri: “Eshtë bërë një “nazist i pastër” dhe një tradhëtar i popullit”. Deklaratat e kryediplomatit rus vijnë pikërisht në kohën kur udhëheqësit evropianë u mblodhën në Londër dhe shprehën njëzëri mbështetjen e tyre për Zelenskin.

Bota në fakt është nën ankth që pas ardhjes së një tregtari e një miliarderi në Shtëpinë e Bardhë. Flitet për ndryshim të rendit botëror e gjithfarë lloj hipotezash se çdo të ndodhë me rendin global. Sherri në Zyrën Ovale, ku kamerat për herë të parë u lanë hapur në një transmetim direkt si në një “big brother”, tregoi se presidenti amerikan nuk e ka harruar telefonatën e presidencës së parë me Zelenskin ku i kërkoi atij të dhëna e informacion për djalin e rivalit të tij Joe Biden, kërkesë që mori refuzimin e presidentit ukrainas. Ndoshta këtu e ka zanafillën e vet një marrëdhënie tensioni mes Trump dhe Zelenskit e që kulmoi me tentativën për poshtërimin e tij në Zyrën Ovale. Mllefi i zëvëndëspresidentit JD Vance u duk qartë kur ky i doli në ndihmë shefit të tij në agresivitetin verbal ndaj Zelenskit kur i përmendi takimin me zëvëndëspresidenten Harris në Pensilvani gjatë zgjedhjeve.

Gjithçka ndodhi në Zyrën Ovale, u duk si një përpjekje për të poshtëruar presidentin e një populli që prej më shumë se 1100 ditësh nuk fle ose fle zgjuar nga agresioni rus. Zelenski është përfaqësues i një populli e vendi të madh, me një kredibiletet të jashtëzakonshëm për shkak të qëndresës ndaj një sulmi barbar e të pajustifikuar të një pushtuesi. Nisur nga ky rast, imagjinata jonë shkon tek shqiptarët. Kosova është një rast për precedent nisur nga ngjarjet e viteve te fundit. Pyetja që shtrohet në këtë rast është e thjeshtë, por mister mbetet përgjigja. Çdo të ndodhë me Albin Kurtin në një rast të ngjashëm në Zyrën Ovale?

Shumë analiza nga autorë, diplomatë e media prestigjioze kanë shprehur opinionet, analizat e pikpamjet e tyre pas debatit shokues mes Trump e Zelenskit. Bota është ndarë në pro e kundra. Por ai që duket indiferent dhe hesht është pikërisht ai prej të cilit duhet të shqetësohet “tregtari i 25 përqindëshit taksë”. Ky është Xi dhe Kina. Ndërkohë, Evropa ka filluar të shkundet pas një gjumi letargjik jo të shkurtër. Një tjetër Donald, por polak, i kujtoi Evropës atë që ajo e kishte harruar: rolin e saj si fuqi globale. Në Samitin e kësaj të diele në Londër, Donald Tusk, kryeministri polak, dha një leksion me një fjali ironike: “Kjo që po ndodh është një paradoks, 500 milionë evropianë u kërkojnë 300 milionë amerikanëve ti mbrojnë nga 140 milionë rusë”. Siç e thamë, po flitet shumë për “një Rend të Ri Global”. Kjo realizohet mbi bazë aleancash të reja. Sa për rendin demokratik, ndoshta bota perëndimore duhet ti rikthehet përsosjes së sistemit të saj të demokracisë. Sepse ndonjëherë, demokracia prodhon edhe idiotë!

Saliu doli. Alibia ra. Rama fërkon duart

27 November 2024 at 12:44

Nga Martin Leka

Sali Berishës do ti duhet të marrë sot me vete dy flamujt e PD që nxirrte çdo natë në ballkonin e banesës dhe megafonin, ndoshta për ti patur si relike të një periudhe gati njëvjeçare në arrest shtëpie. Nuk do ti duhet të mbajë konferenca online dhe as dalje në skype. Nuk do di duhet as të bëjë shëtitjen e përditshme në taracën e tij.

Sali Berisha do të pritet si hero blu në selinë me të njëjtën ngjyrë, nga militantët e vet. Ca të tjerë, përfshi udhëheqës të partisë, do do bëjnë sikur gëzohen e do të bërtasin fort nga marazi pse doli, thjeshtë për ti rënë në sy Saliut t’u shkruajë emrin në listën për deputetë të ardhshëm. Madje këtyre do tu duhet të çirren më fort se militantët, sa tu mbajë rryli i fytit.

Sali Berisha fitoi një betejë. Kjo duhet thënë. Por luftën e ka përpara.

Ka një luftë me veten. Luftë me gjithë trashëgiminë e vet politike 33 vjeçare në demokraci, shtuar dhe shumë vjet të tjera trashëgimi në diktaturën e Hoxhës si anëtar dhe udhëheqës i vogël i PPSH.

Ka një luftë me Lulzim Bashën, Enkelejd Alibeajn, Dash Shehin e të tjerë që nuk i’u bashkuan atij “në ditët e tij të kjametit”.

Ka një luftë me shumë parti të reja, të cilat nuk e duan dhe nuk e qasin berishizmin në asnjë lloj forme dhe mënyre, siç nuk duan e qasin as qeverinë e Edi Ramës.

Ka një luftë me të gjithë bashkëluftëtarët, të cilëve zor se do t’ua harrojë se i kishte kundër dhe zor se nuk do t’u kujtojë si çekan në kokë se “unë jam baba i Zenit”.

Ka një luftë të madhe me “non gratën” nga SHBA e MB, të cilën vështirë se do të mund ta fitojë.

Por, luftën dhe betejën finale, Sali Berisha dhe trashëgimia e tij politike e ka me Edi Ramën.

Ai që u gëzua më shumë për lirimin nga arresti shtëpiak i Sali Berishës duket të jetë Edi Rama.

Në çdo analizë të arësyeshme, një fushatë elektorale (e cila do dhe fare pak kohë të fillojë) me liderin e partisë kryesore opozitare në kushte arresti dhe me liderin e partisë së dyte opozitare në burg, do ta bënte fushatën elektorale të pabarabartë dhe të cënueshme, si në planin e brendshëm, ashtu edhe atë ndërkombëtar. Një fitore, e pritshme, e Edi Ramës në kushtet e mësipërme, do ta bënte mandatin e tij të katër një “fitore si të Pirros”.

Përfundimisht, Sali Berisha dhe Partia Demokratike nuk ka më alibi për të zhvlerësuar procesin zgjedhor.

(PS: I mërzituri më i madh nga lirimi i Sali Berishës duhet të jetë prodhuesi i bluzave “FREE BERISHA”)   

SPAK mund ta zhdukë “leninizmin” nga klasa politike

3 November 2024 at 13:28

Nga Martin Leka

Ai, SPAK-u, ka në dorë ligjin dhe terma rreth tij. Por përtej kësaj, ky organizëm kushtetues duket se ka në dorë edhe të ardhmen prosperitive të vendit.

Në shkollën e mesme, një ndër lëndët, që quheshin shoqërore, kishim dhe lëndën “marksizëm-leninizëm”. Ishte një libër i kuq. Ajo që na kishte mbetur në mendje nga ky libër, ishte postulati i famshëm që përbënte gjithë doktrinën bolshevike, leninizmin: “Kur themi Partia, nënkuptojmë Lenini, kur themi Lenini, nënkuptojmë Partia”.

Siç mund ta shikoni, fjala “partia” është shkruar me të madhe dhe është gabim. Atëherë, nëse do ta shkruaje me “p” të vogël, mësuesi do ta rrethonte “P” me laps të kuq dhe përveçse do të ishte gabim drejtshkrimor, do të ishte dhe gabim parimor. Sepse partia atëherë ishte emër i përveçëm.

Pa u futur në terma të politikës akademike, po thjeshtohemi në terrenin praktik shqiptar, të njohur nga të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht intelektit të tyre.

Partitë kryesore shqiptare janë kthyer praktikisht parti leniniste. Janë parti të liderëve të tyre.

Partia Demokratike është parti berishiste. Leniniste. Eshtë parti e Sali Berishës. Pa atë, edhe aq sa është rrudhur, do të ishte minore, po aq sa partia e Nard Ndokës. Edhe vetë demokratët, kush nën zë e kush me zë, e dinë dhe e thonë. Në protestën kundër krimit të shtunen në Shkodër, pyetjes së një gazetari anëtar i strukturave të Partisë Demokratike se pse ke dalë sot në protestë, një grua ju përgjigj: “kam dalë se jam demokrate e flaktë, nuk ju tradhëtoj ju kurrë”, ndërkohë që në sfond dëgjoheshin dy zëra si të cjerrë që bërtisnin emrin Berisha. Për më tepër, në një protestë që ishte një marshim kundër krimit makabër të pak ditëve më parë e që duhej të kishte mesazhe të forta, mesazhi më i artikuluar ishte lirimi i Sali Berishës. Partia dhe “Lenini” janë një!

Partia e Lirisë, ish- Lëvizja Socialiste për Integrim, është parti e atij që e themeloi. Leniniste. Eshtë parti e Ilir Metës. E themeloi dhe ndikoi politikën jo vetëm në atë pak anëtarësi, por edhe më tepër se kaq, falë pragmatizmit në bazë interesi (jo politik) në politikën qeveritare. Herë me Berishën kundër Nanos e herë me Ramën kundër Berishës e herë kundër Ramës me Saliun, kjo parti është bërë lavjerrësi që e luan lideri sipas oreksit e midesë së tij. Meta e krijoi, iku president e ja la gruas, la presidencën e i mori gruas partinë. “Lenini” dhe partia janë një!

Partia “Socialiste” sot është partia e Edi Ramës. Leniniste. Në forume flet Rama e pas tij mbledhja mbyllet. Në debate, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk del asnjë ministër. Ministrat janë mbyllur në një tunel e dëgjojnë liderin. Presin, më kot, ndonjë lajmës tu thotë ndonjë porosi nga shefi nëse duhet të flasin. Dhe nëse flasin, nuk ka shans të mos e kenë një fjali për prolog e epilog “nën udhëheqjen e Edi Ramës apo sic ka thënë Edi Rama”… Pra, bëhen kopje e keqe e liderit të tyre. Sepse partia dhe “Lenini” janë në simbiozë e nuk ka shans të jenë njëri pa tjetrin.

Përtej këtyre partive, në skenën politike shqiptare janë shfaqur disa parti që drejtohen nga disa të rinj. Këto parti, edhe pse ndaj tyre ka një nihilizëm të theksuar, edhe pse sot janë të reja e të vogla, mund të bëjnë një ndryshim të madh e të jenë një shembull kundër doktrinës leniniste.

Në ndihmë të një ndryshimi të madh e të pritshëm, na shfaqet SPAK, I votuar edhe nga “leninistët”,  i cili nuk ka lidhje me doktrinat politike, por vetëm më ligjin. Po si dhe në ç’mënyrë?

SPAK ka nën arrest shtëpiak e akuzë për korrupsion kryetarin e PD, politikan e lider partie prej më shumë se 30 vitesh, Sali Berisha. SPAK ka nën arrest me burg për korrupsion ish-presidentin e kryetarin e ish-Lëvizjes Socialiste per Integrim, sot partia e Lirisë, Ilir Meta, politikan prej më shumë se 30 vitesh. SPAK ka të dënuar me burg, në arrest dhe nën akuzë dhjetra bashkëpunëtorë të kryeministrit Rama përfshirë ish-zëvëndësin e tij, ministra, deputetë, kryetarë bashkishë e dhjetëra zyrtarë të tjerë, për të cilët Rama ka përgjegjësi, në mos juridike, morale e politike padiskutim.

SPAK, duke përdorur vetëm gjuhën dhe forcën e ligjit, do mund t’i heqë opozitës së Berishës e Metës, (përfshirë Adriana Kalanë) arësyen e protestës së përjavëshme para Bashkisë së Tiranës…

SPAK mund ti heqë protestuesve të përnatshëm arësyen për të dalë në rrugicë poshtë ballkonit të Salës…

SPAK vetëm me forcën e ligjit mund të shkulë leninizmin nga politika shqiptare.

V.O (Nuk është çudi që vetë Edi Rama, para zgjedhjeve, mund ti heqë opozitës kauzën e saj, atë të mosbindjes (të ashtuquajtur) civile)

O Sali, o hero! Edi Rama ty të do…

8 October 2024 at 12:23

Nga Martin Leka

Nuk kisha dyshim se protesta e djeshme e thirrur nga partia e Sali Berishës do të ishte ndryshe, por në fakt, ajo i tejkaloi pritshmëritë e mia: ishte shumë më keq se ajo që kisha menduar. Domethënë, “të keqen e protestive të Lulzim Bashës”.

Më tej, nuk ka nevojë për analizë, sepse tashmë “skaneri” i partisë së Doktorit e jep të qartë epikrizën: vetë Doktori është i sëmurë! Dhe shërimi i vetëm është heqja e licensës së Doktorit, që do të thotë çlirimi i PD nga drejtimi për mbi tre dekada.

Lidershipi i kësaj partie nuk motivon më. Ka rënë në stanjacion. Ka vetëm inflacion. Nuk frymëzon më. Nuk bind më. Nuk ka ide. Nuk ka risi. Eshtë e vjetër në metoda sa vetë udhëheqësi i saj.

Ajo çfarë ndodhi dje në protestë, krahasuar me pritshmëritë dhe premtimin e Sali Berishës, është një dështim i madh. I cili ska nevojë për shumë analiza e refleksione. Pa ikur nga drejtimi Sali Berisha, “siç ka qenë do të jetë” edhe Partia Demokratike.

Dje ishte thjeshtë një shëtitje e zhurmshme nëpër rrugët e Tiranës. Nëse disa moderatorë apo gazetarë militantë nuk do ta dramatizonin protestën në ekran dhe nëse nuk do të kishtë molotovë, protesta do të na kujtonte shetitjet e famshme të kohës së Hoxhës nëpër bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pa makina. Herë hërë, kur Gaz Bardhi ndalonte të shkruante ndonjë mesazh ne telefon, protestuesit ngjanin sit ë ishin punëtorë sezonalë, ditorë që rrinë në shesh se mos dikush i kërkon për bojaxhi se do të lyejë shtëpinë, hidraulik se dikujt i është prishur saraçineska apo dikush kërkon një murator…

U prishëm e shkatërruan disa stacione autobusi. Sot në atë stacion mund te bjerë shi. Aty mund të jetë duke pritur një qytetar që jo vetëm ska makinë, por as lekë për të blerë një çadër. Dhe ti mendon se do kesh votën e tij pas 8 muajsh?!

U dogjën kazanë plehrash dhe platforma reklamash nëpër qytet. Nesër do të zëvëndësohen me të reja. Do ti paguajmë të gjithë me taksat tona. Do të paguajnë edhe vetë ata që i dogjën e shkatërruan.

Ajo që e pësoi (dhe njëkohësisht fitoi) më shumë ishte selia e PS. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë të dhunohej nga partia tjetër kjo që ndodhi dje. Me siguri, ky veprim i militantëve të PD në rastin më të keq nuk ka qenë ide e Berishës dhe në rastin më të mirë, ky do të jetë penduar shumë sot. Sepse është dhunuar kodi i vetë demokracisë dhe pluralizmit. As në vitin e mbrapshtë ‘97, as në ’98 kur tutmat ishin totalisht emotive e të pakontrolluara, selitë e partive nuk u prekën.

Ky ishte edhe shërbimi më i madh që partia e Sali Berishës, përmes militantëve të Gaz Bardhit, i bënë PS dhe Edi Ramës.

Dje, mitingashët e PD brohoritën “O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do”!

Sot, socialistët e Edi Ramës brohorasin: “O Sali, o hero, Edi Rama ty të do”!

❌