Normal view

Censura e institucioneve ushqen kancerin e lajmeve të rreme (dhe Besa duhet të vlejë edhe për mediat)

9 August 2026 at 09:15

Nga Carlo Bollino

Në vendet e Bashkimit Europian, ku Shqipëria po përgatitet të anëtarësohet, një nga sfidat më të mëdha që lidhet me lirinë e shtypit është lufta ndaj kancerit të dezinformimit. Të ashtuquajturat “fake news”, ose lajmet e rreme, përhapen lehtësisht në rrjetet sociale dhe shpërndahen me shpejtësi maramendëse falë algoritmeve që i bëjnë më të dukshme lajmet me më shumë klikime. Kjo do të thotë se, sa më i rremë të jetë një lajm, aq më shumë lexohet dhe, për pasojë, aq më shumë shpërndahet. Kështu krijohet një qark i shkurtër informativ, ku e pavërteta mbizotëron mbi të vërtetën. Është një mekanizëm në dukje pervers, por pikërisht për këtë arsye nuk mund të zgjidhet me një logjikë konvencionale.

Instinkti i parë për të frenuar këtë përhapje të informacionit të rremë është, në fakt, ai i vendosjes së kufizimeve mbi qarkullimin e lajmeve, sikur më pak lajme të nënkuptonin automatikisht lajme më cilësore. Por tregu i informacionit nuk funksionon si çdo treg tjetër, ku pakësimi i mallit në qarkullim ia rrit vlerën. Me lajmet ndodh pikërisht e kundërta. Ja pse përpjekja që po bëjnë shumë institucione shqiptare për të kufizuar informacionin në dispozicion të gazetereve rrezikon të prodhojë si pasojë të parë, dhe shkatërruese, pikërisht përhapjen edhe më të madhe të kancerit të lajmeve të rreme.

Rregullorja e re e firmosur nga kryetari i GJKKO-së, e cila vendos një formë të fshehtë të censurës paraprake ndaj gazetarëve që duan të ndjekin dhe dokumentojnë seancat e zhvilluara në gjykatën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është vetëm shembulli më i fundit i një mentaliteti kufizues që, në vend ta frenojë, po e përhap edhe më shumë në Shqipëri qarkullimin e lajmeve të rreme.

E njëjta metodë zbatohet prej kohësh edhe nga qeveria dhe ministritë. Komunikimi institucional, i kufizuar në njoftime zyrtare dhe në konferenca të rralla për shtyp, nuk mjafton për të përmbushur nevojat e gazetarëve, të cilët, për të mos gabuar, kanë nevojë të njohin në detaje çështjet për të cilat raportojnë. Por zëdhënësit e të gjitha institucioneve, nga SPAK-u te Prokuroria e Përgjithshme, nga Doganat te bashkitë, nga Kryeministria te çdo ministri apo institucion tjetër shtetëror, nuk janë të autorizuar t’u përgjigjen pyetjeve. Funksioni i tyre i vetëm duket se është të shkruajnë dhe të shpërndajnë në WhatsApp njoftime për shtyp sipas porosive të eprorëve, të cilat, në shumicën e rasteve, janë aq të përgjithshme sa nuk shpjegojnë asgjë.

Janë të gjithë zëdhënës pa zë. Në të njëjtën mënyrë sillen edhe shumica e ministrave dhe drejtuesit e institucioneve. Askush nuk jep përgjigje dhe, për pasojë, askush nuk sqaron.

Marrëdhënia mes gazetarëve dhe institucioneve shqiptare bazohet mbi një mosbesim absolut, ku Rregullorja-Bani përbën vetëm shembullin më të dukshëm, sepse, ndryshe nga institucionet e tjera, GJKKO-ja e ka vënë këtë mosbesim me shkrim. Gazetarët shihen si një kërcënim për sigurinë e institucioneve, dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndë. Nuk do të ishim korrektë nëse nuk do të bënim edhe ne gazetarët një autokritikë. Për shumë prej nesh (por jo për të gjithë!!!), të shpikësh është shumë më e lehtë sesa të verifikosh, dhe shpesh ai që shpik një lajm nuk e bën këtë vetëm për mungesë informacioni, por edhe nga keqdashja. E bën sepse kështu ia kërkon botuesi i tij, ose partia e tij, ose financuesi i tij. Këta lloj “gazetarësh” janë përhapësit e kancerit, por heshtja e institucioneve, që refuzojnë t’u përgjigjen kujtdo, u ofron atyre alibinë për të vazhduar të gënjejnë.

Në demokracitë liberale, nga Shtetet e Bashkuara deri te Bashkimi Europian, tashmë është kuptuar se e vetmja pengesë e mundshme kundër përhapjes së fake news është t’u kërkohet ndihmë gazetarëve profesionistë, të cilët në shumë raste ngarkohen të verifikojnë lajmet që qarkullojnë përmes një pune të mirëfilltë hetimore (fact checking). Me pak fjalë, gazetarët seriozë ‘’perdoren’’ nga institucionet për t’i ndihmuar ato të luftojnë kundër gazetarëve të rremë: njësoj siç ndodh me hakerët e mirë, të përfshirë në luftën kundër hakerëve të këqij. Në Shqipëri, përkundrazi, institucionet nuk bëjnë asnjë dallim. Për to, ne gazetarët jemi të gjithë të kalbur, të gjithë të këqij, të gjithë genjeshtarë. Në Rregulloren e Banit thuhet shprehimisht se gazetarët, pa asnjë dallim, renditen në vendin e fundit në shkallën e përparësisë ndër ata që kanë të drejtë të ndjekin një proces gjyqësor.

Rezultati është se censura po bëhet forma normale me të cilën administrohet komunikimi publik dhe shumë pak skandalizohen për këtë, deri në atë pikë sa disa media nuk e kanë kuptuar ende sa e rëndë është Rregullorja e GJKKO-së, kundër së cilës janë shprehur tashmë të gjitha shoqatat vendase dhe ndërkombëtare të gazetarëve, ndërkohë që edhe OSBE-ja ka nisur një proces verifikimi. Ka edhe raste ekstreme, kur disa furçaxhinj të maskuar si gazetarë mbrojnë censurën. Por, për fat të mirë, ata përbëjnë një pakicë aq qesharake, sa nuk vlejnë as për statistikë.

Institucionet harrojnë se, pa pasur akses në detajet e lajmeve, edhe gazetari më i mirë ose më i ndershëm rrezikon të bëhet prodhues i fake news. Nëse gazetarëve u mohohet qasja te e vërteta, është e natyrshme që ata të gabojnë dhe, pa dashje, të përhapin të pavërteta. Ky paragjykim ndaj dobësisë së rolit tonë është tashmë aq i rrënjosur, saqë në analizën e tij të gjatë mbi origjinën e protestës së Flamingove, edhe Kryeministri (dikur gazetar) ka harruar të përmendë mediat. Ai nuk i përmend kurrë as kur kuptoi se ndër shkaqet e pakënaqësisë kishte qenë mungesa e komunikimit me popullin.

Ja pra, zoti Kryeministër: në atë proces komunikimi duhet të ishim të përfshirë edhe ne gazetarët. Prandaj, nëse procesi i transparencës nuk ka funksionuar, kjo nuk ka ndodhur vetëm sepse deputetët, drejtorët apo ministrat nuk flasin me qytetarët, por edhe sepse nuk flasin me gazetarët.

Le të rifillojë Besa edhe nga këtu.

Rregullorja e GJKKO-së si paradhoma e një diktature

5 August 2026 at 18:23

Nga Carlo Bollino

Neni 22 i Kushtetutës parashikon qartazi: “Liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.” Mjaftojnë këto 24 fjalë për të rrëzuar si antikushtetuese 125 faqet e Rregullores së re dhe 552 faqet e Komentarit (“me të drejtat e autorit të rezervuara”), që kryetari i komanduar i GJKKO-së, Erion Bani, ka publikuar në faqen e internetit të gjykatës për të vendosur masa censure të papranueshme në një vend demokratik, ndaj medias, ndaj avokatëve, dhe deri diku edhe ndaj prokurorëve.

Kam 45 vjet që ushtroj profesionin e gazetarit, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe nuk më ka ndodhur kurrë të dëgjoj nga kryetari i një gjykate të shpallë parimin se gazetarëve nuk u njihet asnjë kompetencë për të përmbushur detyrën e tyre institucionale për të informuar, siç lexohet në këto dokumente. Përkundrazi, gazetarëve, në çdo demokraci, u garantohet një akses i privilegjuar në burime, dokumente dhe vende që shpesh, për arsye sigurie, diskrecioni ose fshehtësie, janë të ndaluara për pjesën tjetër të publikut. Dhe kjo jo sepse gazetari duhet të gëzojë përparësi të padrejta, por sepse është vetë profesioni i tij që e detyron dhe i jep mundësinë të shkojë atje ku qytetarëve të tjerë mund t’u ndalohet hyrja: sepse gazetari shkon atje në emër të të gjithëve, për të informuar të gjithë. Edhe ata që “mbeten jashtë”.

Por, në diktatin e tij me frymë sovjetike, Bani injoron rolin kushtetues të gazetarëve, madje edhe atë të avokatëve, pasi ndër kufizimet absurde që synon të vendosë, është edhe ndalimi për ta (domethënë për mbrojtësit e të pandehurve) që të hyjnë në sallën e gjyqit duke mbajtur me vete telefonin celular. Aspekti qesharak i Rregullores është se Bani, duke e konsideruar veten qartazi si mbajtësin e vetëm të konceptit të Drejtësisë, synon t’ua ndalojë edhe prokurorëve të SPAK-ut mbajtjen e telefonave celularë në sallën e gjyqit. Ndërsa me Nenin 77 i Rregullores ofrohet si favor mbajtja e një laptopi. Sipas këtij neni, “Prokurorët, të pandehurit, viktimat dhe avokatët që marrin pjesë në një seancë gjyqësore mund të mbajnë me vete dhe të përdorin vetëm kompjuterë portativë (laptopë) për ushtrimin e funksioneve të tyre procedurale, për aq kohë sa përdorimi i tyre nuk cenon rendin, solemnitetin ose zhvillimin e rregullt të seancës gjyqësore.” Gazetarët nuk merren fare në konsideratë. Po si mundet një gazetar të ndjekë debatin e një procesi gjyqësor dhe të raportojë në kohë reale në redaksi, pa mundur të përdorë një telefon celular për të komunikuar ose një laptop për të mbajtur shënime

Por Bani e shpjegon këtë në Komentarin e tij: mediat nuk janë palë në procesin gjyqësor dhe, për këtë arsye, atyre nuk u rezervohet asnjë privilegj dhe asnjë akses preferencial. Madje, ato penalizohen. “Në rastet kur salla e gjykimit nuk ka vende të mjaftueshme për sistemimin e të gjithë të interesuarve për të ndjekur seancën, vendos për lejimin e pjesëmarrësve në sallë, sipas kësaj radhe përparësie: i) subjektet në gjykim; ii) familjarët dhe iii) përfaqësuesit e medias” (neni 65). Pra, gazetarët edhe një herë në vendin e fundit. Sipas Banit, kur nuk ka vend për të gjithë, disa gazetarë mbeten jashtë sallës për t’u lënë vend subjekteve të tjera të procesit. Po kush e informon pastaj opinionin publik?

Ashtu siç ndalohen telefonat celularë, neni 76 i Rregullores ndalon natyrisht edhe praninë në sallën e gjyqit të aparateve fotografike, kamerave televizive, regjistruesve dhe çdo pajisjeje tjetër elektronike. Bani dëshiron ta kthejë profesionin e gazetarit mbrapa në kohën e stilolapsit, megjithëse neni 22 i Kushtetutës (shumë më modern se kryetari i gjykatës) parashikon se, përveç shtypit, ekzistojnë edhe radioja dhe televizioni, pra media elektronike, liria e të cilave duhet të garantohet po njësoj. Por si mund të bëjë informim një gazetar i radios ose i televizionit nëse nuk mund të regjistrojë zëra ose të xhirojë video?

Kjo censurë paraprake, e vendosur në atë që duhet të ishte tempulli i Drejtësisë së Re, justifikohet nga Bani “për garantimin e sigurisë, rendit dhe solemnitetit të seancës gjyqësore”. I fiksuar pas këtyre tre elementeve, të cilat i përsërit qindra herë në 677 faqet e analizës së tij “me të drejtat e autorit të rezervuara”, Bani harron Kushtetutën, lirinë e informimit, rolin e shtypit dhe, mbi të gjitha, detyrimin që edhe vetë Bani ka për të dhënë llogari para popullit dhe ligjit për mënyrën se si administron Drejtësinë. E cila nuk është një pronë e tij personale, por një e mirë kolektive që atij i është deleguar për ta administruar në mënyrë të përkohshme dhe të kushtëzuar, jo sikur të ishte pushteti absolut i një sovrani.

Në emër të vlerave, sigurisht themelore, si siguria, rendi dhe solemniteti i seancës gjyqësore, Erjon Bani fshin një parim tjetër jo më pak të rëndësishëm të një procesi gjyqësor: transparencën! Të censurosh mediat, duke i penguar ato të marrin pjesë dhe të regjistrojnë fazat e një procesi që mund të çojë në privimin e një personi nga e mira e çmuar e lirisë, është një akt i papërshkrueshëm arrogance, dhe qartësisht antidemokratik. Duke ndjekur të njëjtat parime që Erjon Bani zbaton në Rregulloren e tij, çdo institucion shtetëror, duke filluar nga qeveria, mund të ndihet i lirë t’i mohojë shtypit aksesin dhe informacionin, duke i kategorizuar gazetarët në rolin e armiqve potencialisht të rrezikshëm.

Kjo nuk është më një drejtësi moderne dhe as një demokraci evropiane, por është paradhoma e një diktature të re.

A është anarkia e popullit që propozon protesta, më e mirë se Shqipëria e sotme?

6 July 2026 at 20:41

Nga Carlo Bollino

Tashmë protesta e flamingove ka ndryshuar fytyrë dhe është shndërruar në një revolucion të vogël provincial, të udhëhequr nga një grup anarkistësh, antisistem dhe utopistësh, që propozojnë anarkinë popullore në vend të shtetit. Plani për krijimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar është provuar tashmë 16 vjet më parë në malet e Dukatit dhe, sipas vetë pranimit të atij që e ka ideuar, ka qenë një eksperiment i dështuar. Sot, po i njëjti ideator, i cili pretendon se ka shkruar një “libër virtual” prej 1.500 faqesh, të frymëzuar nga një filozofi e lartë “që jo të gjithë mund ta kuptojnë” dhe që e quan veten “Kryendrituri”, është hedhur në këtë aventurë të re duke pretenduar të eksportojë në shkallë kombëtare modelin (e dështuar) të Kuvendit të Dukatit.

Çdo qytetar është i lirë të shkruajë librat që dëshiron, të luajë rolin e revolucionarit antiglobalist dhe të ndjekë projektet e tij utopike, por nuk ka të drejtë ta bëjë këtë në kurriz të shtetit.

Njerëzit që mblidhen në bulevard (tashmë shumë më pak se në ditët e para) shprehin shqetësime dhe pakënaqësi reale: shëndetësinë, arsimin, punësimin, çmimet, emigracionin, kullat, oligarkët, median, Ramën, Berishën, ndotjen, pensionet, administratën shtetërore, burokracinë, deputetët, drejtësinë, kriminalitetin, korrupsionin dhe ligjin zgjedhor. Për pothuajse të gjitha këto jemi dakord. Por pyetja që duhet bërë është: cila është zgjidhja që propozon revolucioni i Kryendriturit?

Ai propozon të fshihen institucionet ekzistuese dhe pushteti t’i delegohet popullit për 12 muaj! Duke injoruar Kushtetutën, ligjet e vendit, marrëdhëniet ndërkombëtare, konventat dhe procedurat, Kryendrituri mendon të ulë përtokë në shesh 300 delegatë të popullit, të cilët askush nuk e di mirë se si do të zgjidhen (propozimi më origjinal ka qenë ai i përzgjedhjes me short, si në Athinën e lashtë), dhe, ashtu siç bëri dikur në livadhet e Dukatit, t’u besojë atyre detyrën për të zgjedhur një qeveri teknike, puna e së cilës do të kontrollohet nga populli i bulevardit, i gatshëm të thirret sa herë që qeveria gabon. Gabon sipas kujt?

Kjo formë primitive, anarkike dhe e frikshme e demokracisë duhet të jetë më e mirë se ajo që është zgjedhur deri tani nga 1 milion e 400 mijë shqiptarë, të cilët vetëm 13 muaj më parë votuan për Edi Ramën dhe Sali Berishën. Por sa janë këta revolucionarë që u shfaqën te papritur dhe pretendojnë t’i imponojnë vullnetin dhe planin e tyre rebel një vendi të tërë? Janë 500? 5.000? Edhe sikur të ishin 15.000! Sërish mbeten një grimcë në krahasim me shumicën e popullsisë që nuk i ka zgjedhur.

Kjo është pyetja themelore: sa janë ata që e duan këtë formë kaq të çuditshme dhe komike qeverisjeje kolektive për Shqipërinë e re? Madje edhe Enver Hoxha, në dhjetor të vitit 1945, organizoi zgjedhje të përgjithshme për të simuluar një formë demokracie. Rebelët e udhëhequr nga Kryendrituri, përkundrazi, nuk duan t’i nënshtrohen votës së popullit: duan vetëm të vendosin dhe të bërtasin nga mikrofona duke kërkuar burg dhe vetëm burg! Dhe kjo është arrogante, e papranueshme dhe, njëkohësisht, e frikshme.

Sot nuk ka analist që të mos kujtojë një parim themelor të demokracisë: format e pushtetit ndryshohen përmes votës, jo me histerinë e disa të ekzaltuarve që bërtasin përpara celularit e më pas e postojnë histerinë e tyre në rrjetet sociale. Britma të ekzagjeruara, qesharake, pak të besueshme dhe që, pikërisht për këtë arsye, nuk krijojnë solidaritet, por vetëm bezdi dhe ankth. Janë çliruar frenat dhe tani të shash këdo është bërë moda e kësaj vere. Por kjo nuk është politikë.

Edhe sheshi i Beogradit, i lindur si një revolucion qytetar kundër qeverisë së Beogradit, u organizua në një parti dhe tani do të garojë në zgjedhjet e përgjithshme.

Kryendriturit e bulevardit nuk kanë zgjidhje tjetër nëse duan të fitojnë besueshmëri: le të organizohen në një parti dhe të respektojnë vendin dhe institucionet duke u bërë gati për të kaluar si të gjithë nëpërmjet verdiktit të Sovranit Kështu si po veprojnë nuk janë më demokratikë se politikanët që kundërshtojnë. Përkundrazi: sot për sot duken më të këqij.

Platforma politike surreale e protestës, a duhen marrë seriozisht propozimet e organizatorëve?

28 June 2026 at 20:06

Nga Carlo Bollino

Sa më shumë i dëgjon dhe lexon platformat e tyre politike surreale, aq më shumë të lind dyshimi: a duhen marrë vërtet seriozisht koordinatorët e kësaj proteste apo jo? Fakti që në grupin drejtues, i cili tashmë është bërë publik, mungojnë plotësisht emra nga bota akademike, shkenca, ekonomia, letërsia dhe drejtësia, ngre jo pak pikëpyetje mbi nivelin e përfaqësimit dhe prestigjin e këtyre organizatorëve. Është e vërtetë, shumë prej tyre janë aktivistë të shoqërisë civile, njerëz që prej vitesh kanë përfituar financime, edhe ndërkombëtare, për të kryer analiza, kërkime, propozime dhe studime. Por a është e mundur që asnjëri prej tyre të mos jetë në gjendje të artikulojë tani një projekt ndryshimi për vendin që të jetë të paktën disi i besueshëm dhe, mbi të gjitha, i realizueshëm?

Përshtypja që krijohet duke lexuar propozimet e tyre është se protesta, në të vërtetë, ka përfunduar në duart e një grupi revolucionarësh radikalë, ndoshta të ndershëm, por krejtësisht utopistë dhe të shkëputur nga realiteti, plotësisht të paaftë për të propozuar një rrugë politike dhe institucionale konkrete, që mund të realizojë atë ndryshim që kaq shumë protestues e kërkojnë me sinqeritet.

Pas planit të Dritan Goxhajt, i cili propozonte krijimin e një Asambleje Tranzitore me 101 anëtarë të përzgjedhur me short, sipas modelit të Athinës së lashtë, sot në Facebook është publikuar një thirrje për t’u bërë pjesë e Kuvendit Kombëtar Qytetar, i përbërë nga 150 anëtarë: për t’u regjistruar mjafton t’u shkruash organizatorëve në WhatsApp! Thirrja për t’u regjistruar shoqërohet me një plan që duket se është hartuar nga Edviol Kryendrituri (Kulluri), specialist i arteve marciale, i cili thotë për veten se ka lexuar mbi 700 libra. Në fund kuptohet se idetë e tij dhe ato të Goxhajt, ish-luftëtar i UÇK-së, nuk janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra dhe se të njëjtat propozime janë dëgjuar edhe gjatë intervistave që koordinatorët e ndryshëm kanë filluar më në fund të japin për t’u bërë të njohur. Pra, plani i protestës po merr formë.

Në versionin më të fundit të planit të Kullurit lexohet shprehimisht:

“Për të zgjidhur problemin e vazhdimësisë dhe përfaqësimit të vërtetë e të fuqishëm të Protestës Kombëtare të Qershorit 2026 propozoj krijimin e institucioneve të reja shoqërore si më poshtë:
Kuvendi Kombëtar Qytetar është institucioni shoqëror që garanton ruajtjen, zbatimin dhe fuqizimin e vullnetit të popullit, cilësisht e pa devijime. Vullneti popullor i shprehur në mënyrë direkte gjatë Protestave të Mëdha Kombëtare të Qershorit 2026 dha pëlqimin që të krijojë tre institucione të reja shoqërore për të garantuar ndryshimin e sistemit shoqëror-politik dhe nisjen e një rendi të ri më përparimtar dhe popullzhvillues. Këto tre institucione të reja janë:
Kuvendi Kombëtar Qytetar
Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit Kombëtar Qytetar
Mbledhja e Përgjithshme e Popullit Shqiptar.”

Detajet e këtij plani mund t’i lexoni në Shqiptarja.com, por thelbi është se Kuvendi Kombëtar, i cili ka edhe detyrën të përzgjedhë anëtarët e qeverisë teknike që do të duhej të zëvendësonte qeverinë Rama pas dorëheqjes së saj, mblidhet një herë në vit. Kuvendi zgjedh nga radhët e tij një Këshill Ekzekutiv me 21 anëtarë, kompetencat e të cilit janë fare të paqarta, pavarësisht emrit. Në rast se institucionet e reja “devijojnë nga vullneti i shprehur i popullit”, atëherë thirret Mbledhja e Përgjithshme e Popullit Shqiptar, emër pompoz me të cilin në fakt nënkuptohet protesta në shesh. Me pak fjalë, protestat shndërrohen në instrumentin institucional me të cilin synohet të kontrollohet Shqipëria e Re.

Natyrisht nuk shpjegohet në asnjë moment se si do të funksiononin praktikisht këto organizma imagjinarë, kush do t’i zgjidhte anëtarët e tyre, kush do t’i drejtonte dhe çfarë legjitimiteti konkret institucional do të kishin. Të hysh në absurditetin e këtij mekanizmi do të thotë, në fakt, t’i japësh atij kredibilitet, por unë nuk besoj se ekziston ndonjë figurë intelektuale me një minimum njohurish historike, politike dhe kushtetuese që mund ta konsiderojë këtë si një plan serioz. Të paktën jo një plan për t’u zbatuar në një vend si Shqipëria, e cila ndodhet në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ka një trupë legjislative dhe kushtetuese tashmë të konsoliduar e të integruar me normat ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, ka institucionet e veta plotësisht legjitime. Nuk jemi në Rusinë e sovjetëve pas revolucionit dhe as në “Republikën Esperantiste të Ishullit të Trëndafilave”, një “shtet” utopik i krijuar nga disa të rinj radikalë italianë në vitin 1968 mbi një platformë në det të hapur pranë brigjeve emiliane, të cilët mendonin se mund të krijonin kështu vendin e tyre ideal si formë rebelimi dhe lirie ndaj qeverisë së Romës. Në Netflix, mund të njiheni me historinë e tij argëtuese.

Këtu jemi në Shqipëri, në zemër të Evropës moderne, dhe realiteti është krejt tjetër. Duke filluar nga një pyetje themelore: kush e autorizon sot një grup protestuesish/koordinatorësh të flasë në emër të popullit, duke vendosur të përmbysë një sistem të mbështetur nga 1.4 milionë shqiptarë, të cilët vetëm një vit më parë votuan për dy liderë politikë si Edi Rama dhe Sali Berisha, ndërsa sot revolucionarët do t’i donin në burg?

Sheshi ka të drejtën e plotë të kërkojë dorëheqjen e Edi Ramës dhe të qeverisë në detyrë, por pas kësaj kërkese ekziston vetëm një rrugë institucionale dhe legjitime që “revolucioni” ka të drejtë të kërkojë: zgjedhjet e parakohshme. Gjithçka tjetër është përmbysje e rendit kushtetues.

Të imagjinosh rrëzimin e një qeverie dhe më pas t’ia besosh Shqipërinë një aventure të papërcaktuar, ku drejtimi i vendit t’u deloegohet organizmave popullorë me frymë marksiste-populiste, të frymëzuar nga një gjuhë që qëndron në mes të bolshevikëve pas vitit 1917, demokracive popullore të stilit Enver Hoxha dhe sistemeve të Kinës maoiste, kjo është thjesht marrëzi.

Nëse ”revolucioni” dëshiron të ndjekë rrugën e tij paqësore dhe konstruktive për të ndryshuar vërtetë dicka, le të respektojë institucionet ekzistuese, të marrë pjesë në zgjedhje të përgjithshme me një forcë të vetën politike dhe vetëm nëse do të marrë shumicën e votave të nevojshme do të ketë të drejtën të flasë në emër të popullit dhe të ndryshojë ligjet e Kushtetutën. Të pretendosh ta bësh këtë përpara se të ndodhë kjo, duke përdorur vetëm sheshin si instrument legjitimimi, i ngjan shumë ëndrrës (deri tani paqësore) të një grushti shteti.

Alternativa tjetër është të mos i marrim seriozisht këtë organizatorë, ta lëmë që protesta të shfryjë me marshimet e saj gjithnjë e më të zbrazëta dhe të përgatitemi, si të gjithë, për të shkuar me pushime.

Një protestë pa liderë, çfarë pjese të popullit përfaqëson? Një referendum mund ta sqaronte këtë pikëpyetje

9 June 2026 at 18:23

Nga Carlo Bollino

Kemi hyrë në javën e dytë të protestave dhe një pyetje mbetet ende pa përgjigje: kush e përfaqëson realisht këtë lëvizje? Sa pjesë e vendit e mbështet atë? Kjo pyetje bëhet e domosdoshme përballë ndikimit të jashtëzakonshëm që protesta po prodhon në opinionin publik ndërkombëtar dhe ne imazhi te vendi. Këtu nuk bëhet fjalë as për të mbrojtur protestuesit, as për t’i kritikuar ata. Por në një demokraci, numrat kanë rëndësi. Madje janë vetë themeli i sistemit demokratik. Pikërisht për këtë arsye, numërimi i protestuesve nuk është thjesht një spekulim gazetaresk: është një detyrim politik. Sa janë realisht dhe çfarë pjese të popullit përfaqësojnë? Nëse në shesh janë 2 mijë, 5 mijë apo 10 mijë vetë, kjo ka rëndësi, por nuk është vendimtare. Ata do të mbeteshin gjithsesi një pakicë e vogël krahasuar me mbi 1.4 milion shqiptarë që në zgjedhjet e fundit votuan partitë tradicionale (prej të cilëve rreth 850 mijë vetëm Partinë Socialiste), kundër të cilave protestuesit janë rreshtuar hapur.

Pyetja më e rëndësishme është një tjetër: sa shqiptarë të tjerë e mbështesin në heshtje këtë lëvizje? Sondazhet, të paktat që qarkullojnë, tregojnë se shumica janë kundër tyre. Duhet të bëhen të tjera, edhe pse një sondazh, për të qenë vërtet i besueshëm, duhet të respektojë rregulla pavarësie, transparence dhe barazie, standarde që vetëm një sistem shtetëror demokratik dhe transparent mund t’i garantojë plotësisht. Po sikur kjo pyetje t’u shtrohej qytetarëve përmes një referendumi? A nuk do të ishte kjo mënyra më serioze për të kuptuar realisht se çfarë duan shqiptarët?

Pakicat kanë të drejtë të shprehen dhe natyrisht edhe të protestojnë. Por nuk do të ishte e drejtë që një pakicë, vetëm sepse është shumë e zhurmshmem, simpatik dhe e organizuar mirë, të kushtëzojë imazhin e një vendi të tërë. Dhe sot nuk ka asnjë dyshim se kjo protestë po prek imazhin e Shqipërisë.
Rrjetet sociale janë të mbushura me pamje të të rinjve shqiptarë që protestojnë kudo, një lumë postimesh, disa madje edhe të manipuluara, ku imazhet e molotovëve të Berishës montohen me sfond sloganet paqësore për flamingot. Këto pamje, të parë përmes lentes zmadhuese të postimeve dhe të deep fake-ve të mashtruesve, shpesh të padallueshëm nga realiteti, e deformojnë dhe e zmadhojnë çdo gjë. Një mik italian, duke e ditur se jetoj në Tiranë, më pyeti: “Po ti, nuk ke frikë të qarkullosh? Janë bllokuar rrugët? Gjen ende ushqime në supermarkete?”

Protesta paqësore për flamingot, e parë përmes rrjeteve sociale, tashmë duket si një revolucion popullor kërcënues, me qindra mijëra shqiptarë në shesh që po paralizojnë vendin. Në realitet janë shumë, shumë më pak. Por kujt i intereson më kjo? Çfarë ndikimi do të prodhojë ky perceptim i ekzagjeruar dhe alarmues mbi sezonin e afërt turistik, i cili mbetet e vetmja industri vërtet e lulëzuar e vendit tonë?

Është e vërtetë: protestat për flamingot pëlqehen nga ambientalistët në mbarë botën. Dhe nëse shtohet fakti se ata që perceptohen si kërcënim janë familja Trump, petrodollarët arabë dhe superfuqie izraelite, atëherë stuhia perfekte është e garantuar. Por a ka vërtet lidhje Shqipëria me gjithë këtë? A është vërtet ky një vend që meriton famë botërore për kulturën e tij ambientaliste? Sepse përçmon paranë dhe luksin? Apo sepse është anti-amerikan, ose akoma më absurde, si filo-palestinez? Apo mos po krijohet thjesht një qark i shkurtër mes asaj që mendon një pjesë e opinionit publik ndërkombëtar dhe asaj që manifeston vetëm një pjesë e vogël e opinionit publik shqiptar? Por sa e madhe dhe sa përfaqësuese është kjo pjesë?

Sot krijohet përshtypja se të dalësh në shesh për të mbrojtur flamingot po bëhet, për shumë shqiptarë të diasporës, edhe një provë krenarie në vendet ku jetojnë, sepse më në fund përkatësia e tyre kombëtare është kthyer në një simbol pozitiv dhe madje në modë. Është njerëzore, madje edhe e bukur. Por kur kjo modë fillon të shndërrohet në imazhin kolektiv të një vendi të tërë, atëherë duhet rikthyer këmbët në tokë dhe ky fenomen duhet rivendosur në përmasat e tij reale.

Në shumë vende të Europës liberale-demokratike, populizmi ka arritur herë pas here të shndërrohet në forcë qeverisëse. Por kur kjo ka ndodhur, nuk ka qenë zhurma e shesheve ajo që e ka përcaktuar, por forca e votës elektorale. Nëse kjo lëvizje e të rinjve shqiptarë dhe e shoqërisë civile ka vërtet baza të forta në popullsi dhe në vend, është e drejtë që ta masë veten. Por duhet ta bëjë si të gjithë të tjerët: përmes kutive të votimit.

Atëherë le të organizohen në një forcë politike zyrtare dhe vetëm më pas të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, zgjedhje të parakohshme apo edhe një referendum, i cili gjithsesi do të shërbente për t’u numëruar dhe për të kuptuar peshën reale të mbështetjes së tyre. Sot jemi shumë larg një situate të tillë: organizatorët e protestës as nuk njihen ende. Ata mbeten të fshehur në hije nga frika dhe flitet për mbledhje anonime në ËhatsApp për të shmangur identifikimin. Studentët e dhjetorit 1990 dilnin në shesh me emër dhe mbiemër, duke sfiduar një diktaturë të përgjakshme, jo Edi Ramën! Pikërisht historia e lëvizjes studentore të 36 viteve më parë duhet të shërbejë si mësim për të rinjtë e sotëm: atëherë protestuesit nuk arritën të organizonin një forcë të tyren politike dhe Sali Berisha përfitoi për të marrë gjithë meritën dhe frytet e guximit të tyre. Sot rrezikojnë të pësojnë të njëjtin fat, ndërsa shkaba Berisha tashmë po fluturon mbi kokat e tyre.
Është bukur të shohësh të rinjtë që protestojnë në vend që të largohen nga vendi. Por të kërkosh të spastrosh një klasë të tërë politike pa pasur guximin të dalësh hapur, pa vënë fytyrën dhe emrin, e mbi të gjitha pa një projekt politik, rrezikon të mbetet thjesht populizëm, tani per tani i mire vëtëm per postime në rrjetet sociale.

“Drejtësi me çdo kusht” e SPAK-ut dhe një mësim që vjen nga Shtetet e Bashkuara

26 May 2026 at 18:35

Nga Carlo Bollino

Ka një film me titullin “Mauritanian”, i cili rrëfen odiseun tragjik gjyqësor të Mohamedou Ould Slahi, një inxhinier me origjinë nga Mauritania, i cili në vitin 2002 u arrestua dhe u burgos në Guantanamo deri në vitin 2016, sepse dyshohej se kishte rekrutuar në Gjermani njërin prej atentatorëve të Kullave Binjake. Akuza mbështetej mbi një sinjalizim anonim, të cilit CIA zgjodhi t’i besonte dhe, edhe pse nuk dispononte asnjë provë të sigurt, por vetëm disa indicie, arriti të siguronte arrestimin e tij.

Në mbrojtje të Mohamedou Ould Slahi-t u rreshtua vetëm një avokate amerikane e të drejtave te njeriut, e cila zhvilloi një betejë ligjore që zgjati 14 vite dhe u përqendrua mbi një kërkesë të vetme, por themelore: të merrte nga autoritetet amerikane dosjen gjyqësore të klientit të saj. Pra, të mund të lexonin ajo dhe i pandehuri provat mbi të cilat mbështetej arrestimi, qoftë edhe vetëm për të provuar pafajësinë e tij, një dosje që, me mijëra pretekste ligjore, vazhdonte t’u mohohej.

Reforma në drejtësi e vendosur në Shqipëri në kushte emergjence rrezikon të përsërisë të njëjtat gabime të drejtësisë emergjente të miratuar në shtete të tjera, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke ndjekur rrëfimin e filmit, në fakt, është e pamundur të mos të vijë ndër mend beteja, në disa aspekte shumë e ngjashme, që për një vit zhvilluan fillimisht Ilir Meta dhe më pas Erion Veliaj, si edhe Ilir Beqaj dhe shume te tjere: të fitonin të drejtën për të lexuar dosjen e tyre gjyqësore dhe, rrjedhimisht, për të njohur provat që SPAK kishte mbledhur kundër tyre.

Rasti i Erion Veliajt është emblematik: fillimisht iu mohua qasja në dosje me argumentin se mjaftonte që ajo të ishte në dispozicion të avokatit të tij. Më pas iu njoh e drejta për të pasur një kopje, por vetëm në format dixhital; ndërkohë iu mohua e drejta për ta lexuar, pasi në qeli ndalohet përdorimi i kompjuterit. Më në fund, pas muajsh beteje, iu dorëzuan në qeli 60 mijë faqe të printuara të dosjes, por iu la në dispozicion vetëm një javë kohë për t’i lexuar. Dhe tani duket se po i mohohet edhe qasja në provat dixhitale, të cilat janë pjesë përbërëse e dosjes. Gjëra të tilla, pra.

Askush nuk ka ndërmend të bëjë një paralelizëm, fatmirësisht të pamundur, mes drejtësisë së Guantanamos dhe drejtësisë shqiptare, por në atë refuzim kokëfortë për të treguar provat, si në Shqipërinë e sotme ashtu edhe në Amerikën e atyre viteve, mund të dallohet e njëjta formë drejtësie. Një drejtësi “me çdo kusht”, ku të drejtat e të pandehurit zhduken përballë nevojës për të qetësuar zemërimin e opinionit publik, i cili, që prej kohës së revolucionit francez, ka një nevojë të dëshpëruar për të parë gijotinën në veprim kundër pushtetit.

“Amerika kërkon drejtësi për 11 shtatorin dhe dikush duhet të paguajë”, shpjegon një nga personazhet e filmit, ndërsa në ekran shfaqen skena protestash të qytetarëve amerikanë, pra “populli”, që kërkonin dënimin me vdekje të përgjegjësve për atentatin tragjik ndaj Kullave Binjake. “Po, dikush duhet të paguajë, por jo çdokush”, i përgjigjet një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë, i ngarkuar me organizimin e procesit kundër Mohamedou Ould Slahi-t.

Ashtu siç u pa më parë me “Mani Pulite” në Itali, edhe historia e Guantanamos dëshmon se drejtësia me çdo kusht nuk funksionon. Siç kujton filmi në titrat përmbyllëse, nga 780 të burgosur të mbajtur pa gjyq në superburgun e ngritur në ishullin e Kubës, pas shumë vitesh paraburgimi, vetëm 8 persona u dënuan realisht nga një gjykatë amerikane. Sepse në Amerikë, edhe në ato vite të urrejtjes së verbër, gjykatat vazhdonin të ishin të pavarura dhe të ndara nga prokurorët, madje edhe nga ata të Guantanamos, të cilët gëzonin mbështetjen e plotë dhe kompetencat e plota të dhëna nga Shtëpia e Bardhë pas 11 shtatorit. Një ndarje mes gjyqtarëve dhe prokurorëve që sot, fatkeqësisht, ende nuk shihet në Shqipëri.

Mes qindra të pafajshmëve të liruar nga Guantanamo ishte edhe inxhinieri Mohamedou Ould Slahi, i cili e fitoi betejën e tij vetëm kur provat kundër tij u bënë publike dhe u zbulua se, si shumë të tjerë, kishte kaluar 14 vite në burg vetëm në emër të urrejtjes dhe të një koncepti të gabuar të drejtësisë. Gjyqtarët amerikanë patën lirinë dhe guximin ta pranonin këtë dhe e liruan. Në Shqipëri, a do të kishte ndodhur e njëjta gjë?

Sot, fatkeqësisht, në Shqipëri ndihet një atmosferë “drejtësie me çdo kusht”. Nuk janë vetëm të pandehurit që ketu nuk kanë të drejtë të lexojnë provat e mbledhura kundër tyre, por edhe gazetarëve u mohohet kjo e drejtë, madje edhe në fazën publike të procesit. Si pasojë, as opinioni publik nuk është i lirë të njohë të gjitha provat e mbledhura realisht nga SPAK, por vetëm ato që mbrojtja ose akuza zgjedhin të publikojnë, duke i nxjerrë fshehurazi.

Seancat gjyqësore janë të mbyllura për kamerat, siç nuk ndodh në asnjë tribunal europian, duke qenë se proceset duhet të jenë publike. Ndërkohë, të pandehurit e pranishëm në sallë, edhe kur akuzohen për vepra jo të rrezikshme, poshtërohen dhe mbahen të mbyllur në kafaz, pikërisht siç ndodhte në Guantanamo.

Paradoksi është se e vetmja pjesë e procesit e cila vërtet duhet të ishte sekrete sot është publike, pra pjesë hetimore, duke detyruar dëshmitarë dhe të pandehur ende të lirë të parakalojnë përpara kamerave, të cilave u lejohet të qëndrojnë nga mëngjesi deri në mbrëmje në hyrje të SPAK-ut, të përdorura njësoj si romakët përdornin dikur furkat kaudine.

“Guantánamo e ka dobësuar pozicionin tonë moral në botë”, ka pranuar ish-presidenti amerikan Barack Obama. Dikush duhet ta shtrojë që sot pyetjen: si do të gjykohen pas 10 vitesh Shqipëria dhe drejtësia e SPAK-ut?

Drejtësia e Robespierre apo ajo e Beccaria-s? Pas skenës së Ilir Metës në kafaz, në cilën anë janë SPAK dhe Shqipëria?

29 April 2026 at 17:29

Nga Carlo Bollino

Fytyra e zbehtë, e dobësuar dhe e plakur e Ilir Metës brenda kafazit prej xhamit të gjykatës speciale, teksa bërtet me mikrofonin e fikur si një peshk në akuarium, ka tronditur opinionin publik shumë më tepër se mijëra pretenca publike kundër SPAK-ut të artikuluara në dy vite nga Belo Këlliçi dhe Sali Berisha. Ish-presidenti i Republikës, i transformuar në një hije njerëzore pas një viti e gjysmë paraburgimi, është një imazh i papranueshëm për çdo qytetar, edhe për kundërshtarët e tij politikë. Të mësosh më pas se mbi atë të paraburgosur të rraskapitur, “drejtësia” vazhdon të ushtrojë tortura prej nëntë muajsh, duke i kufizuar orarin e ajrit apo duke i mohuar ushtrimet në palestër, si ndëshkim pasi ka dhënë një intervistë telefonike të paautorizuar, e shndërron vetë konceptin e drejtësisë në urrejtje dhe hakmarrje.

Ilir Meta nuk është një i dënuar që po vuan dënimin. Është një i pafajshëm në pritje të gjykimit, njësoj si Erion Veliaj, Ilir Beqaj dhe dhjetëra të burgosur të tjerë që SPAK i konsideron tashmë fajtorë pa pasur ende asnjë vendim gjykate. Të burgosurit e kësaj drejtësie të re kanë qenë deri tani të padukshëm për opinionin publik, sepse me një tjetër shkelje flagrante të Kodit të Procedurës Penale dhe të vetë direktivave të KLGJ-së, seancat zhvillohen me dyer të mbyllura në vend që të jenë publike. Gazetarët mund të jenë të pranishëm, por nuk kanë të drejtë të regjistrojnë, filmojnë apo fotografojnë. Një seri ndalimesh të paimagjinueshme në çdo gjykatë të Bashkimit Europian. Vetëm dje, për herë të parë dhe pas shumë presionesh, televizioneve iu lejua të regjistronin minutat e para të seancës me Ilir Metën, dhe ish-presidenti u rishfaq më në fund në publik duke treguar transformimin e tij tronditës.

Ato pak minuta pamjesh zbuluan anën tjetër të drejtësisë së re, që nuk lidhet vetëm me gjendjen fizike të një të paraburgosuri. Prania e tij brenda kafazit të xhamit me policin në krah, është një turp më vete: është para së gjithash një degradim moral dhe një poshtërim që asnjë njeri nuk duhet ta përjetojë, aq më pak një i pafajshëm në pritje të gjykimit e që nuk është as një vrasës, as një terrorist. Brenda atij kafazi i paraburgosuri mund të flasë, por askush nuk e dëgjon nëse gjyqtari nuk pranon t’i ndezë mikrofonin, një absurditet tjetër në çdo gjykatë europiane. Gjatë seancës ai është i ndarë fizikisht nga avokati i tij dhe nuk mund të konsultohet me të, siç ka të drejtë. Dhe, edhe kur mikrofonët janë të ndezur, sistemi audio i super-sallës së re, që ka kushtuar miliona euro, funksionon keq: zëri i kujtdo që flet (gjyqtar, prokuror, avokat apo i pandehur) dëgjohet aq ulët sa, edhe sikur të kishte kamera të ndezura, nuk do të mund të regjistrohej asnjë audio.

Kësaj i shtohet vështirësia për të aksesuar dosjet që përmbajnë provat, themeli i çdo procesi. Gazetarëve, që përfaqësojnë opinionin publik, kjo e drejtë u mohohet edhe në fazën kur dosja duhet të jetë publike. Por paradoksi është se për një kohë të gjatë kjo e drejtë u është mohuar edhe vetë të pandehurve: Erion Veliaj dhe vetë Ilir Meta kanë zhvilluar një betejë gati njëvjeçare për të fituar të drejtën për të lexuar të gjithë dokumentacionin e mbledhur nga SPAK kundër tyre, i cili u ishte mohuar.

Në historinë e së drejtës ekzistojnë dy mënyra të kundërta për të konceptuar drejtësinë: ajo e Maximilien Robespierre, i cili në emër të revolucionit francez pohonte se drejtësia nuk duhet të kursejë asnjë metodë për të ndëshkuar pushtetin; dhe ajo e italianit Cesare Beccaria, që në të njëjtën kohë mbështeste pikërisht të kundërtën. Robespierre justifikon terrorin si formë të drejtësisë politike. Beccaria refuzon dhunën e Shtetit përveç rasteve kur është rreptësisht e nevojshme dhe proporcionale. Robespierre sakrifikon garancitë në emër të rezultatit. Beccaria i konsideron garancitë thelbin e drejtësisë. Robespierre kërkon procese të shpejta që prodhojnë shembuj. Beccaria kërkon procese të drejta që shmangin abuzimet. Robespierre mbron shtetin nga qytetarët. Beccaria mbron qytetarët nga shteti.

Në fund, në të gjithë Europën liberale ka mbizotëruar modeli i Beccarias, që ka frymëzuar kodet penale moderne të botës së qytetëruar. SPAK dhe Shqipëria, në cilën anë qëndrojnë?

Por historia ofron edhe një mësim tjetër. Shumë e krahasojnë atë që po ndodh këto vite me SPAK me periudhën e ”Mani Pulite” në Itali. Gjyqtarët italianë shiheshin si “të mirët” që luftonin kundër të korruptuarve “të këqij”, dhe kjo i dha prokurorisë së Milanos një mbështetje të jashtëzakonshme popullore, duke u falur edhe gabimet që ajo bëri. Pastaj disa “të këqij”, të vënë me shpatulla pas muri, u vetëvranë: dikush në qeli, dikush në shtëpi një ditë para arrestimit. Dhe perceptimi publik u përmbys menjëherë. “Të mirët” nisën të duken edhe ata pak “të këqij”, ndërsa “të këqijtë” treguan anën e tyre të brishtë dhe njerëzore. Brenda pak muajsh Mani Pulite përfundoi. Drejtësia humbi sepse e teproi, dhe për shkak të këtij gabimi fatal, korrupsioni u rikthye të triumfojë.

Seancat e GJKKO duhet të jenë të hapura edhe për kamerat dhe televizionet, mjaft me një ndalim që shkel Kodin

25 April 2026 at 19:27

Nga Carlo Bollino

Ka diçka thellësisht të shtrembëruar në mënyrën se si drejtësia shqiptare interpreton sot konceptin e “procesit publik”. Nuk është një çështje teknike, por një nyje politike dhe demokratike që lidhet me raportin mes institucioneve dhe qytetarëve. Sepse a mund të quhet vërtet publik një proces nëse kamerat mbeten jashtë sallës?

Kodi i Procedurës Penale nuk lë hapësirë për interpretime arbitrare. Neni 339 është shumë i qartë: “Seanca gjyqësore është publike, përndryshe quhet e pavlefshme”. Nuk është një rekomandim, por një parim i detyrueshëm, shkelja e të cilit sjell madje pavlefshmërinë e procesit. Dhe neni 340 përcakton në mënyrë taksative rastet e vetme kur mund të bëhet përjashtim nga parimi i publicitetit: mbrojtja e moralit, sekretet shtetërore, siguria e dëshmitarëve, rendi i seancës, prania e të miturve ndër të pandehurit. Asnjë nga këto kushte, sot, nuk justifikon një ndalim të përgjithshëm të xhirimeve televizive.

Megjithatë, realiteti është ndryshe. SPAK dhe GJKKO vazhdojnë të pengojnë praninë e kamerave në sallë, duke zbatuar një urdhër të vjetër që daton nga periudha e Covid-it, kur ndalimi i grumbullimit të kameramanëve mund të kishte një justifikim shëndetësor. Por sot? Sot ai ndalim është kthyer në një mbetje burokratike (ose një alibi) që shkel hapur ligjin.

Paradoksi është se nuk janë vetëm gazetarët që kërkojnë të xhirojnë seancat me kamera, por vetë të pandehurit. Erion Veliaj, Ilir Meta dhe Sali Berisha (tre figura qendrore të politikës shqiptare aktualisht të pandehur) kanë kërkuar të gjithë që seancat e tyre të transmetohen live në ekrane televizive. Një kërkesë që, përtej interesave individuale, forcon një parim: drejtësia duhet të jetë e dukshme dhe transparente.

Mohimi i xhirimeve televizive (ashtu si edhe mohimi i kopjeve të dosjeve për gazetarët) do të thotë ta shndërrosh procesin publik në një sekret. Do të thotë të kufizosh aksesin e qytetarëve në atë që ndodh në sallat e drejtësisë. Publiciteti i procesit i parashikuar nga kodi, në shekullin XXI nuk mund të kufizohet në disa karrige në sallë: ai duhet të kalojë edhe përmes mediave, që janë zgjatimi natyror i së drejtës së qytetarëve për t’u informuar.

Vazhdimi i zbatimit të një ndalimi të nxjerrë në kohën e Covid-it për të justifikuar një kufizim të përhershëm është një abuzim. Është një shtrembërim i ligjshmërisë që rrezikon të minojë vetë besueshmërinë e drejtësisë. Nëse ligji imponon publicitetin e proceseve, çdo pengesë e pajustifikuar kthehet në shkelje dhe abuzim.

Ka ardhur momenti për ta zgjidhur këtë nyje. Ai ndalim duhet të shfuqizohet.

Transparenca nuk është një favor i dhënë nga prokurori apo nga gjykatat për të cilën duhet dakordësi edhe nga të gjithë të pandehurit, por një e drejtë e garantuar nga ligji në favor të opinionit publik. Dhe kur kjo e drejtë kufizohet pa arsye, nuk është vetëm informacioni që goditet: është besimi i qytetarëve në shtetin e së drejtës.

Një proces që nuk mund të shihet është një proces që rrezikon të mos besohet. Dhe një drejtësi që nuk besohet është një drejtësi që humbet forcën e saj.

Liberalizimi i shpifjes? Ja si standardet e BE-së përgënjeshtrojnë Gonzaton

26 March 2026 at 08:50

Nga Carlo Bollino

Parlamenti shqiptar ka miratuar pak javë më parë një ndryshim të kodit penal që parashikon dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët profesionistë. Megjithatë sot perfaqesuesi i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, e konsideron ende një porosi të paplotësuar të Brukselit. “Negociatat po ecin përpara, por ka ende punë. Specifikisht në çështjen e dekriminalizimit të shpifjes, objektivi më i lartë për BE mbetet dekriminalizimi i plotë në linjë me standardet e BE”, tha Gonzato ndër të tjera. Kutpohet kështu që në Bruksel nuk mjafton që në Shqipëri gazetarët profesionistë të jenë të lirë të shpifin, por duhet ta bëjnë këtë edhe media-killerët, politikanët dhe qytetarët e zakonshëm. Midis të gjitha emergjencave që po përjetojmë, është befasuese që Gonzato vendos në krye të listës pikërisht liberalizimi i shpifjes, një produkt që në Shqipëri gjendet me bollëk përtej çdo kufiri të tolerueshëm. Nga mëngjesi deri në darkë jemi të rrethuar nga shpifjet dhe nuk kam dijeni për askënd (as gazetar, as politikan) që të jetë ndëshkuar seriozisht për këtë.

Gonzato citon standardet e Bashkimit Evropian, por janë pikërisht këto standarde që e përgënjeshtrojnë. Midis 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, vetëm në dy vendet shpifja është dekriminalizuar plotesisht: Romania dhe Malta. Është e vërtetë që Këshilli i Evropës ka shtyrë prej vitesh drejt dekriminalizimit të plotë, por fakti që asnjë shtet nuk e ka bërë këtë duhet të thotë diçka. Debati që po zhvillohet në shumë vende të BE, ku edhe pse konsiderohet vepër penale, asnjë gazetar nuk është arrestuar ndonjëherë për shpifje, është më i thjeshtë nga sa e paraqet Gonzato: Brukseli kërkon të mbrojë lirinë e shtypit, jo lirinë për të shpifur. Dhe në Shqipëri gazetarët e vërtetë tashmë janë të mbrojtur. Këmbëngulja e Gonzatos, që imagjinojmë vjen si sugjerim i Brukselit, për të nxitur anarkinë në fushën e dezinformimit, duket e tepruar dhe jashtë vendit.

Shpifja në vetvete konsiston në përhapjen e një akuze të rreme ndaj dikujt dhe nuk kuptohet si kjo mund të shndërrohet në një vlerë për t’u mbrojtur. Problemi i vërtetë lind kur një kallëzim për shpifje përdoret edhe kur shpifja nuk ekziston, dhe kështu ai kallëzim i rremë bëhet një instrument për të penguar lirinë e shprehjes. Por sot emergjenca e vërtetë në Shqipëri janë fushatat e baltës, të shndërruara në një armë brutale që përdoret nga politika për të intimiduar kundërshtarët, jo numeri i kallzimet kundër shpifes.

Ka diçka kontradiktore dhe të sëmurë në pretendimet evropiane që e konsiderojnë si shprehje të liberalizmit instrument të tmerrshëm të shpifjes, të përdorur më parë nga Stalini, Enver Hoxha dhe çdo diktator tjetër për të legjitimuar persekutimet e tyre. Çfarë ka demokratike në njollosjen me të pavërteta të imazhit dhe integritetit të një individi, dhe pse Brukseli synon të mbrojë këtë sjellje? Shpifje ketu ka sa të duash, nuk ka nevojë të mbrohet edhe më shumë.

Në Shqipëri mungojnë shumë gjëra që në Evropë janë me bollëk, por sigurisht nuk mungon shpifja, e cila këtu qarkullon me tepri si në pak vende të tjera. Në televizione, në mitingje politike, në debatet parlamentare, në rrjetet sociale dhe në shtyp, populli shqiptar përmbytet nga shpifjet deri në pikën që opinioni publik nuk arrin më të kuptojë çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme, dhe ky është kërcënimi i vërtetë për qëndrueshmërinë demokratike të vendit. Gonzato shqetësohet që ky lumë balte të lihet i lirë të rrjedhë, por bën dy gabime: gabimi i parë është se, nëse synohet liberalizimi i shpifjes, duhet fillimisht të rregullohet tregu i medias edhe online, duke bere trasparenca mbi pronaret dhe duke asgjësuar killerët, gjobaxhinjtë dhe të gjithë ata që i financojnë, duke filluar nga politikanët. Gabimi i dytë është se liberalizimi i shpifjes është realizuar tashmë nga reforma e hartuar nga ekspertët e Bashkimit Evropian, e cila u ka dhënë superfuqi një Prokurorie speciale pa kontroll dhe ka zbrazur nga gjyqtarë e prokurorë gjykatat e zakonshme, duke i lënë qytetarët e thjeshtë në një vend pa Drejtësi. Nëse një qytetar që ndihet i shpifur në Shqipëri sot do të donte të padiste një politikan, një fqinj apo një gazetar, duhet të përgatitet të presë vite për të marrë drejtësi për shpifjen e pësuar. Koha e pritjes për një vendim përfundimtar në një proces penal është mbi 5 vjet dhe për një proces civil mund të arrijë edhe 8 ose 10 vjet. Ndërkohë shpifësi ka gjithë kohën për t’u hakmarrë më tjeter shpifje ndaj tij për faktin që ka kërkuar drejtësi.

Shqipëria duket se është bërë laboratori për eksperimente sociale që Bashkimi Evropian nuk arrin t’i testojë në vendet e tij anëtare, si një landfill ku hidhen materiale misterioze që askush tjetër nuk i do.

Unë jam gazetar dhe flas si viktimë e shpifjes, një vepër që e vuaj prej vitesh për shkak të një partie politike që, pasi më ka përndjekur pa ndërprerje që nga viti 1994 për shkak të profesionit tim, më ka shpallur madje një ditë më parë “kryemafiozi numër 1 i mediave shqiptare”. Drejtësia, tek e cila kam bërë vazhdimisht apel dhe që vazhdoj ta përdor si mburojën e vetme për t’u mbrojtur, nuk më ka mbrojtur kurrë sa duhet. Shpifësit, megjithëse nuk kanë mundur kurrë të paraqesin prova për akuzat e tyre pikërisht sepse janë thjesht shpifje, vazhdojnë pa u shqetësuar të më linçojnë. Cila është pra urgjenca për të dekriminalizuar një vepër që tashmë në 95% të rasteve mbetet pa ndëshkim?

Ambasadori Silvio Gonzato është një diplomat me fat, sepse ndryshe nga shumë kolegë të tij nuk e ka provuar në lëkurën e vet një fushatë të vërtetë shpifjeje të prodhuar në Shqipëri. Është një shpifje pa kufij, pa turp, e egër, e pandalshme, e vazhdueshme. I uroj të mos e përjetojë kurrë dhe, nëse një ditë do t’i ndodhë, edhe ndoshta do të ndiejë nevojën për t’u mbrojtur nga Shteti. Por kur kjo nuk do të mund të ndodhë “sepse shpifja e pësuar nuk përbën më vepër penale”, nuk do të ketë të drejtë të protestojë: duhet të jetë i lumtur dhe të falënderojë që jeton në Shqipëri, e kthyer ndërkohë në ishullin e lumtur të shpifësve, i vetmi vend në botë që ka pranuar standardet më të mira të Bashkimit Evropian. Si në kohën e Enverit, kur stalinistët e huaj vizitonin Shqipërinë e uritur dhe të terrorizuar dhe duartrokisnin të kënaqur për sa i bukur ishte Njeriu i ri.

Protestat dështojnë sepse urrejtja e Sali Berishës nuk është ajo e shqiptarëve

11 February 2026 at 20:22

Nga Carlo Bollino

Fraza më zbavitëse brenda fjalimit të zakonshëm dhe monoton që Sali Berisha mbajti në protestën e së martës në mbrëmje, ishte ajo për grushtin e shtetit. “Përpjekja e parë për grusht shteti ka dështuar – tha ai – dhe tani, falë jush, ka dështuar edhe përpjekja e dytë për grusht shteti”. Dhe në fakt, Edi Rama është ende në vendin e tij, do të vinte natyrshëm të shtohej. Por gjëja komike është se Berisha nuk i referohej përpjekjes së tij për ta rrëzuar Ramën nga pushteti, por një grushti shteti tjeter që, sipas tij, do ta kishte tentuar vetë Edi Rama. Por kundër kujt? Të kërkosh logjikë në ato që thotë Berisha është njësoj si të mendosh të notosh në shkretëtirë. Ndërsa të gjithë bashkëmoshatarët e tij në Ballkan dhe në pjesën tjetër të Europës janë në pension, Sali Berisha, me delirin e tij, këmbëngul të mbajë peng opozitën, duke u ankuar madje se qeveria socialiste nuk bie. Dhe nuk e di (ose bën sikur nuk e di) se, nëse nuk bie, kjo ndodh mbi të gjitha falë tij.

Pamjet nga droni tregojnë qartë se numri i militantëve të mbledhur të martën në mbrëmje në bulevard ka rënë të paktën me një të tretën krahasuar me dy javë më parë. Nëse në protestën e parë Ramës i kishte mbetur vetëm një kilometër, tani kilometrat në dispozicion të tij janë bërë dy. Një protestë që zbrazet në vend që të rritet, është një sinjal shumë negativ për Sali Berishën dhe partinë e tij. Por në mungesën e plotë të logjikës që vazhdon të frymëzojë veprimtarinë e tyre, nuk duket se kjo shqetëson askënd. Do t’u mjaftonte të sillnin në mendje se protestat e Lulzim Bashës ishin shumë më të mbushura se këto që organizon sot Sali Berisha, dhe megjithatë nuk mjaftuan as për të rrëzuar qeverinë, as për të fituar zgjedhjet.

E kuptoj frustrimin e një opozite që prej 12 vitesh humbet vazhdimisht dhe beson se të bërtasë në rrugë është e vetmja gjë që i ka mbetur. Por përpara se të bërtasë, duhet të pyesë veten pse është gjithnjë e më e vetmuar në këtë gjest ekstrem. A beson vërtet se opinioni publik shqiptar, i rrethuar nga dhjetëra televizione, qindra faqe interneti, mijëra blogerë dhe analistë të rrjeteve sociale, nuk është mjaftueshëm i informuar për të kuptuar çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon në vend? Shqiptarët dinë gjithçka shumë mirë!! Problemi është se zhgënjimi ndaj qeverisë Rama, edhe pse ekziston, nuk është aq i madh sa t’i shtyjë të zhgënjyerit të zgjedhin Sali Berishën. Sepse shumica dërrmuese e vendit e konsideron Berishën dhe grupin ekstremist që e rrethon si më të këqij se Rama dhe ministrat e tij.

Nëse shumë shqiptarët nuk aprovojnë mbrojtjen parimore të Belinda Ballukut (e cila thjesht duhet të japë dorëheqjen, siç kanë bërë shumë ministra të tjerë para saj, pa e shndërruar këtë çështje në një psikodramë), askush nuk është dakord me reagimin e sulmit ndaj policëve me bomba molotov apo përpjekjen për të djegur Kryeministrinë me fishekzjarre. Zemërimi dhe urrejtja që ushqejnë Sali Berisha dhe rrethi i tij ”magjik” nuk janë të njëjtat me ato të popullit.

Nëse populli do ta urrente qeverinë ashtu siç e urren Berisha, nëse do të ndihej vërtet i vjedhur në zgjedhje, ose nëse do të besonte se drejtohet nga një narkoshtet, atëherë do të dilte vetë në shesh pa pritur datat e PD-së, do të marshonte vetëm, do të protestonte me ditë dhe javë të tëra dhe në fund do të fitonte. Sepse vetëm protestat spontane me dhjetëra mijëra qytetarë janë uragani i vërtetë që mund ta kërcënojë Edi Ramën, jo “uragani” i rremë i militantëve të paguar me orë që Sali Berisha thërret çdo dy javë. E aq më pak konferencat e tij të pafundme për shtyp, të thirrura çdo ditë sikur të kishte ndonjë lajm të madh për të shpallur, por që në fakt janë gjithmonë të njëjtat gënjeshtra që përsërit prej dhjetë vitesh, sepse Sali Berisha nuk është në gjendje të rinovohet as në shpifjet e tij.

Protestat partiake nuk kanë rrëzuar kurrë asnjë qeveri, siç e dëshmon historia tragjike e 21 janarit, dhe këtë Sali Berisha e di shumë mirë. Prandaj është e qartë se për të protesta është vetëm një mënyrë për të ekzistuar, një instrument për të mbijetuar politikisht. Por a është e drejtë që mbijetesa e tij politike të vërë në rrezik jetën e policëve?

Cinicizmi me të cilin Berisha përmbys akuzat, duke fajësuar policët pse janë mbrojtur nga bombat molotov të tij, është i turpshëm. Janë të turpshme gënjeshtrat se policët janë plagosur vetë. Është e turpshme shpikja se snajperët e policisë kanë qëlluar mbi kater demonstruesit, ashtu siç bënë dikur të tijtë. Ndërsa krenaria me të cilën mediat e tij, të financuara me para të pista, tregojnë jehonën e këtyre bombave molotov në mediat e huaja, në prag të sezonit turistik, është një akt thellësisht antikombëtar.

Që Berisha është gati për çdo kompromis në luftën e tij për të rimarrë pushtetin, kjo dihet. Por Shteti nuk mund t’i japë edhe një herë imunitet. Përpjekja e vetme për grusht shteti në Shqipërinë moderne është ajo e 14 shtatorit 1998, kur Berisha shkaktoi një kryengritje të armatosur, për të cilën parashikohet burgim i përjetshëm, por për të cilën SPAK-u nuk pati guximin të hetojë, duke pretenduar në mënyrë të rreme se vepra ishte parashkruar. Sot, hedhja e bombave molotov ndaj policëve nuk është më një protestë e zhurmshme: është një tentativë vrasjeje që nuk mund të mbetet pa u ndëshkuar.

Nëse Berisha vazhdon të gëzojë këtë imunitet të padurueshëm përballë çdo krimi të kryer në emër të etjes së tij për pushtet, atëherë askush nuk ka të drejtë të skandalizohet nëse Belinda Balluku nuk shkarkohet. E vetmja Drejtësi që meriton respekt, ne fakt, është ajo që është vërtet e barabartë për të gjithë.

Protestat dështojnë sepse urrejtja e Sali Berishës nuk është ajo e shqiptarëve

11 February 2026 at 18:21

Nga Carlo Bollino

Fraza më zbavitëse brenda fjalimit të zakonshëm dhe monoton që Sali Berisha mbajti në protestën e së martës në mbrëmje, ishte ajo për grushtin e shtetit. “Përpjekja e parë për grusht shteti ka dështuar – tha ai – dhe tani, falë jush, ka dështuar edhe përpjekja e dytë për grusht shteti”. Dhe në fakt, Edi Rama është ende në vendin e tij, do të vinte natyrshëm të shtohej. Por gjëja komike është se Berisha nuk i referohej përpjekjes së tij për ta rrëzuar Ramën nga pushteti, por një grushti shteti tjeter që, sipas tij, do ta kishte tentuar vetë Edi Rama. Por kundër kujt? Të kërkosh logjikë në ato që thotë Berisha është njësoj si të mendosh të notosh në shkretëtirë. Ndërsa të gjithë bashkëmoshatarët e tij në Ballkan dhe në pjesën tjetër të Europës janë në pension, Sali Berisha, me delirin e tij, këmbëngul të mbajë peng opozitën, duke u ankuar madje se qeveria socialiste nuk bie. Dhe nuk e di (ose bën sikur nuk e di) se, nëse nuk bie, kjo ndodh mbi të gjitha falë tij.

Pamjet nga droni tregojnë qartë se numri i militantëve të mbledhur të martën në mbrëmje në bulevard ka rënë të paktën me një të tretën krahasuar me dy javë më parë. Nëse në protestën e parë Ramës i kishte mbetur vetëm një kilometër, tani kilometrat në dispozicion të tij janë bërë dy. Një protestë që zbrazet në vend që të rritet, është një sinjal shumë negativ për Sali Berishën dhe partinë e tij. Por në mungesën e plotë të logjikës që vazhdon të frymëzojë veprimtarinë e tyre, nuk duket se kjo shqetëson askënd. Do t’u mjaftonte të sillnin në mendje se protestat e Lulzim Bashës ishin shumë më të mbushura se këto që organizon sot Sali Berisha, dhe megjithatë nuk mjaftuan as për të rrëzuar qeverinë, as për të fituar zgjedhjet.

E kuptoj frustrimin e një opozite që prej 12 vitesh humbet vazhdimisht dhe beson se të bërtasë në rrugë është e vetmja gjë që i ka mbetur. Por përpara se të bërtasë, duhet të pyesë veten pse është gjithnjë e më e vetmuar në këtë gjest ekstrem. A beson vërtet se opinioni publik shqiptar, i rrethuar nga dhjetëra televizione, qindra faqe interneti, mijëra blogerë dhe analistë të rrjeteve sociale, nuk është mjaftueshëm i informuar për të kuptuar çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon në vend? Shqiptarët dinë gjithçka shumë mirë!! Problemi është se zhgënjimi ndaj qeverisë Rama, edhe pse ekziston, nuk është aq i madh sa t’i shtyjë të zhgënjyerit të zgjedhin Sali Berishën. Sepse shumica dërrmuese e vendit e konsideron Berishën dhe grupin ekstremist që e rrethon si më të këqij se Rama dhe ministrat e tij.

Nëse shumë shqiptarët nuk aprovojnë mbrojtjen parimore të Belinda Ballukut (e cila thjesht duhet të japë dorëheqjen, siç kanë bërë shumë ministra të tjerë para saj, pa e shndërruar këtë çështje në një psikodramë), askush nuk është dakord me reagimin e sulmit ndaj policëve me bomba molotov apo përpjekjen për të djegur Kryeministrinë me fishekzjarre. Zemërimi dhe urrejtja që ushqejnë Sali Berisha dhe rrethi i tij ”magjik” nuk janë të njëjtat me ato të popullit.

Nëse populli do ta urrente qeverinë ashtu siç e urren Berisha, nëse do të ndihej vërtet i vjedhur në zgjedhje, ose nëse do të besonte se drejtohet nga një narkoshtet, atëherë do të dilte vetë në shesh pa pritur datat e PD-së, do të marshonte vetëm, do të protestonte me ditë dhe javë të tëra dhe në fund do të fitonte. Sepse vetëm protestat spontane me dhjetëra mijëra qytetarë janë uragani i vërtetë që mund ta kërcënojë Edi Ramën, jo “uragani” i rremë i militantëve të paguar me orë që Sali Berisha thërret çdo dy javë. E aq më pak konferencat e tij të pafundme për shtyp, të thirrura çdo ditë sikur të kishte ndonjë lajm të madh për të shpallur, por që në fakt janë gjithmonë të njëjtat gënjeshtra që përsërit prej dhjetë vitesh, sepse Sali Berisha nuk është në gjendje të rinovohet as në shpifjet e tij.

Protestat partiake nuk kanë rrëzuar kurrë asnjë qeveri, siç e dëshmon historia tragjike e 21 janarit, dhe këtë Sali Berisha e di shumë mirë. Prandaj është e qartë se për të protesta është vetëm një mënyrë për të ekzistuar, një instrument për të mbijetuar politikisht. Por a është e drejtë që mbijetesa e tij politike të vërë në rrezik jetën e policëve?

Cinicizmi me të cilin Berisha përmbys akuzat, duke fajësuar policët pse janë mbrojtur nga bombat molotov të tij, është i turpshëm. Janë të turpshme gënjeshtrat se policët janë plagosur vetë. Është e turpshme shpikja se snajperët e policisë kanë qëlluar mbi kater demonstruesit, ashtu siç bënë dikur të tijtë. Ndërsa krenaria me të cilën mediat e tij, të financuara me para të pista, tregojnë jehonën e këtyre bombave molotov në mediat e huaja, në prag të sezonit turistik, është një akt thellësisht antikombëtar.

Që Berisha është gati për çdo kompromis në luftën e tij për të rimarrë pushtetin, kjo dihet. Por Shteti nuk mund t’i japë edhe një herë imunitet. Përpjekja e vetme për grusht shteti në Shqipërinë moderne është ajo e 14 shtatorit 1998, kur Berisha shkaktoi një kryengritje të armatosur, për të cilën parashikohet burgim i përjetshëm, por për të cilën SPAK-u nuk pati guximin të hetojë, duke pretenduar në mënyrë të rreme se vepra ishte parashkruar. Sot, hedhja e bombave molotov ndaj policëve nuk është më një protestë e zhurmshme: është një tentativë vrasjeje që nuk mund të mbetet pa u ndëshkuar.

Nëse Berisha vazhdon të gëzojë këtë imunitet të padurueshëm përballë çdo krimi të kryer në emër të etjes së tij për pushtet, atëherë askush nuk ka të drejtë të skandalizohet nëse Belinda Balluku nuk shkarkohet. E vetmja Drejtësi që meriton respekt, ne fakt, është ajo që është vërtet e barabartë për të gjithë.

Ndryshimet në Kod nuk i shpëtojnë shpifësit profesionistë nga gjyqet penale

29 January 2026 at 22:08

Nga Carlo Bollino

Parlamenti ka miratuar ditët e fundit një ndryshim në Kodin Penal që, në pamje të parë, i mbron gazetarët nga ndjekja penale për shpifje. Shpifja, edhe në Shqipëri (ashtu si në shumë vende të Bashkimit Evropian), është krim i parashikuar si në Kodin Civil ashtu edhe në Kodin Penal. Kodi Penal nuk parashikon arrest për shpifësit, por vetëm gjobë, e cila gjithsesi mund të arrijë deri në 3 milionë lekë (të rinj). Kodi civil parashikon vetëm një dëmshpërblim. Me përhapjen e rrjeteve sociale, shpifja është kthyer në një krim me rëndësi të madhe, por në Shqipëri ajo është edhe më e përhapur, pasi përveç ushtrisë së “hejtersave” online (shpesh anonimë), në shumë raste i bashkohen edhe gazetarë që shkruajnë në mediat tradicionale. I nxitur nga Bashkimi Evropian, Parlamenti shqiptar ka vendosur ta depenalizoje këtë vepër vetëm për gazetarët, një vendim delikat i marrë në emër të lirisë së shtypit.

Ndryshimi i miratuar ngre disa çështje që dua t’i theksoj, pas mbi 40 vitesh përvojë në profesionin e gazetarit, të ushtruar në vende të ndryshme të botës, dhe sidomos si viktimë tashmë prej më shumë se tridhjetë vitesh e shpifjeve me origjinë politike të pësuara këtu në Shqipëri për shkak të profesionit tim.

Së pari, e kundërshtoj kategorikisht idenë se shpifja dhe liria e informacionit janë e njëjta gjë, apo se janë në ndonjë mënyrë të lidhura me njëra-tjetrën. Në fakt është e kundërta: liria e informacionit është viktima kryesore e shpifjes, sepse gazetari i vërtetë kërkon të vërtetën, e cila shpesh është e vështirë për t’u gjetur dhe edhe më e vështirë për t’u publikuar, ndërsa shpifja është shpesh një gënjeshtër e qëllimshme, që qarkullon shumë më lirshëm. Në media, pra, është shumë më e lehtë të publikohen shpifje sesa të vërteta.

Çështja e dytë është se ndryshimi i futur në Kodin Penal mbron vetëm figurën e “gazetarit”, e cila në Shqipëri nuk rregullohet nga asnjë ligj dhe as nuk identifikohet nga ndonjë regjistër apo urdhër profesional, siç ndodh për profesione të tjera, për shembull avokatët apo mjekët. Këtu, në fakt, çdokush mund të fshihet pas etiketës “gazetar”, edhe gjobaxhinj vulgarë apo ish-funksionarë partie, të cilët në një vend liberal nuk do të kishin asgjë të përbashkët me profesionin e gazetarit. Pak ditë më parë, një fotoreporter i njohur italian (Fabrizio Corona) u dënua në Itali për të hequr nga faqja e tij në YouTube disa video shpifëse, pikërisht me argumentin se, duke mos qenë gazetar i regjistruar në një urdhër profesional, ai nuk po ushtronte asnjë të drejtë për informim. Si do të munden gjyqtarët shqiptarë të dallojnë një gazetar të vërtetë shqiptar nga një shpifës i maskuar si gazetar?

Megjithatë, duhet thënë se ndryshimi i futur në Kodin Penal nuk i shpëton të gjithë shpifësit. Për të përfituar nga ky “imunitet”, gazetari duhet të provojë dy gjëra që shpifësit profesionistë (ndryshe nga gazetarët e vërtetë) nuk i bëjnë kurrë:

se ka bërë çdo përpjekje për të verifikuar bazueshmërinë e akuzës;

në prani të një përgënjeshtrimi nga ana e të akuzuarit, se e ka publikuar atë ose madje ka fshirë artikullin apo deklaratën shpifëse.

Shpifësit që e bëjnë këtë si profesion (dhe pak rëndësi ka nëse janë apo jo të maskuar si gazetarë), përkundrazi, sillen saktësisht në mënyrë të kundërt dhe, në përvojën time të gjatë si viktimë e shpifjeve në Shqipëri, i njoh shumë mirë.

Shpifësit profesionistë:

Nuk i verifikojnë kurrë akuzat e tyre; edhe kur kanë dokumente në dorë, i interpretojnë sipas interesit të tyre; nuk dëgjojnë kurrë versionin e viktimës dhe, në rastin më të mirë, përsërisin mekanikisht akuzat e bëra nga lideri i tyre politik kundër “armikut” të radhës. Me Kodin e ri, këto sjellje nuk do të mjaftojnë për t’i shpëtuar procesit penal.

Shpifësit profesionistë nuk publikojnë kurrë asnjë përgënjeshtrim, sepse përndryshe shpifja (apo gjoba) humbet efektivitetin ose sepse lideri politik nga i cili marrin urdhra ua ndalon këtë. Me Kodin e ri, mjafton të mos publikohet përgënjeshtrimi për të përfunduar nën ndjekje penale.

Ndryshe nga shpifësit profesionistë, gazetarët e vërtetë, përpara se të publikojnë një akuzë, përpiqen të verifikojnë bazueshmërinë e saj, tentojnë të interpretojnë saktë dokumentet, kërkojnë versionin e viktimës, distancohen nga deklaratat në dukje shpifëse të politikanëve dhe, në prani të një përgënjeshtrimi, e marrin atë në konsideratë dhe e publikojnë. Ndryshimi i ri i Kodit Penal, pra, mbron vetëm gazetarët “në mirëbesim”, të cilët, duke u sjellë në mënyrë korrekte, edhe nëse gabojnë duke publikuar lajme të pasakta, dëshmojnë se qëllimi i tyre ishte vetëm informimi, pa ndonjë qëllim tjetër.

Për fat të mirë, fyerjet me të cilat zakonisht gazetarët e rremë shoqërojnë shpifjet e tyre nuk do të gëzojnë asnjë imunitet: Kodi Penal (neni 119) nuk është ndryshuar dhe fyerja vazhdon të mbetet vepër penale për të gjithë, me një dënim që mund të arrijë deri në 3 milionë lekë (të rinj). Pikërisht sjellja kriminale (pra e dënueshme nga Kodi Penal) e profesionistëve të shpifjes e ka shtyrë Sali Berishën dhe klanin e tij politik t’i mbrojnë ata, duke tentuar në Parlament të depenalizoje jo vetëm shpifjen, por edhe fyerjen pa vendosur asnjë kusht, të dyja mjete që Berisha dhe partia e tij i përdorin bashkë me ”gazetarë të familjes” prej dekadash si armë të përditshme politike.

Së fundi, ka edhe një pikë tjetër për t’u sqaruar: a do të mjaftonte procesi civil për t’u mbrojtur nga shpifja dhe fyerja? Përgjigjja është JO. Dhe jo sepse Kodi Civil nuk i parashikon fyerjen dhe shpifjen si shkelje, por sepse drejtësia civile është aq e ngadaltë dhe e bllokuar nga mungesa kronike e gjyqtarëve, saqë një proces zgjat zakonisht shumë vite. Dhe në pritje të vendimit, shpifësit profesionistë, sapo marrin vesh se janë paditur, i përdorin ato vite pritjeje për t’u hakmarrë, duke u hedhur në shpifje dhe fyerje të tjera, pa i lënë viktimës asnjë mbrojtje.

Ndryshimet në Kodin Penal përbëjnë pra një hap përpara të Shqipërisë drejt legjislacionit evropian, i cili ofron mbrojtje më të madhe për gazetarët e vërtetë dhe nuk u jep asnjë avantazh shpifësve profesionistë, për të cilët, në të vërtetë, do të nevojitej edhe dënimi me burg, dënim që jo rastësisht Sali Berisha arriti ta heqë nga Kodi Penal 14 vite më parë. Një lëvizje që synonte t’u dhuronte një imunitet të fortë për të mbrojtur kriminelët e partisë nga përdorimi i shpifjes dhe fyerjes kundër qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë.

Arben Ahmetaj te Syri, si pentito apo si shejtan budalla?

9 January 2026 at 19:40

Nga Carlo Bollino   

Për herë të katërt që nga fillimi i arratisjes së tij, ish-zv. kryeministri Arben Ahmetaj ka mbajtur monologun e radhës përpara mikrofonit dashamirës të çimpekës. Si edhe herët e tjera, as kësaj radhe nuk bëhej fjalë për një intervistë, sepse nuk u bë asnjë pyetje. E megjithatë, pyetje për t’u bërë kishte plot, për shembull: Ku i kishte gjetur 93 mijë eurot e shpenzuara sipas SPAK në korrik të vitit 2018 duke luajtur bixhoz në kazinonë e Maltës, në një kohë kur si ministër fitonte vetëm 2 mijë euro në muaj? 

Ahmetaj, megjithatë, kishte përgatitur një listë pikash për t’i thënë, dhe çimpeka thjesht ia rikujtonte. Më shumë një sufler sesa një gazetar. Por deri këtu nuk ka pse të çuditet kush, duke qenë se çimpeka pretendon se të bësh ”informim” në shërbim të Sali Berishës është gazetari e pavarur. Madje mezi pret që Sali Berisha të fitojë zgjedhjet, për t’u shndërruar më në fund në një media qeveritare. 

Ajo që duhet të habisë, përkundrazi, është fakti që një ish-ministër i Financave, ish-zëvendëskryeministër dhe madje ish-drejtor i përgjithshëm i Tatimeve, zgjedh si avokat mbrojtës një media nën hetim për evazion fiskal dhe pastrim parash. Nëse këto janë parimet që e kanë frymëzuar edhe kur ishte në pushtet, atëherë akuzat për korrupsion të ngritura nga SPAK bëhen edhe më të besueshme. 

Por problemi sot është të kuptohet sa i besueshëm është Arben Ahmetaj në monologët e tij televizivë. Verifikimi i parë që prokuroritë perëndimorë bëjnë për të testuar besueshmërinë e një të penduari është të vërtetojnë se ai ka pranuar plotësisht të gjitha përgjegjësitë e veta. Një i penduar që e akuzon veten vetëm pjesërisht për krimet e kryera, rrëzohet. Një i penduar që vetëshpallet i pafajshëm dhe përpiqet të shfrytëzojë statusin e tij si i pandehur vetëm për të mbrojtur veten dhe për të akuzuar të tjerët, nuk është i besueshëm. Pra, Arben Ahmetaj nuk është i penduar dhe, për rrjedhojë, nuk është i besueshëm. 

Nuk është i besueshëm edhe për një arsye tjetër: Ai ka qenë në qeveri pa ndërprerje nga shtatori 2013 deri në korrik 2022 dhe në ato nëntë vite nuk e kemi dëgjuar kurrë të denoncojë asnjë parregullsi, asnjë abuzim, asnjë korrupsion, asnjë lidhje mes qeverisë dhe krimit. Dhe nëse i ka parë dhe nuk i ka denoncuar, do të thotë se ka përfituar edhe ai prej tyre dhe ka qenë bashkëpunëtor. 

Akuzat e tij televizive kanë filluar vetëm pas ngritjes së akuzave ndaj tij nga SPAK, kur tashmë ishte në arrati nga vendi. Gjatë arratisjes ka filluar të bëjë edhe “investigime”, por pesha e këtyre investigimeve është e njëjtë me peshën e një hetimi që mund të bëjë një qytetar i lirë që, duke mos pasur çfarë të bëjë, rri gjithë ditën në internet në kërkim të skandaleve. Janë sigurisht denoncime të dobishme, por nuk kanë vlerën e shtuar që ka vetëm një denoncim që vjen nga brenda sistemit. Me pak fjalë, Arben Ahmetaj, kur denoncon historinë e çuditshme të ishullit fiskal “Durana”, dinamikat financiare të “Kajo”-s apo infiltrime të mundshme ruse në Porto Romano, shfaqet si një bloger i zakonshëm, i verbuar nga urrejtja, që hedh akuza që meritojnë të verifikohen, por jo si një ministër i penduar që e njeh të vërtetën. 

Do të ishte më serioze, në fakt, nëse do të denonconte “skandalet” që e përfshijnë atë vetë, nëse do të pranonte se ka qenë bashkëpunëtor apo madje ideatori i tyre, si për shembull formula e diskutueshme e partneritetit publik-privat (PPP), për të cilën çuditërisht nuk thotë kurrë asnjë fjalë. Për Arben Ahmetajn, të gjitha koncesionet e miratuara me firmën e tij janë plotësisht të ligjshme, ashtu si edhe procedurat e rindërtimit pas tërmetit, shpenzimet në kohën e Covid-it, për të mos folur për privatizimet që ka drejtuar kur ishte ministër dhe çdo akt tjetër të nënshkruar gjatë nëntë viteve në qeveri. Sikur të thoshte se, sipas Arben Ahmetajt, korrupsioni i Edi Ramës ka filluar vetëm ditën kur e shkarkoi si zëvendëskryeministër dhe vendosi në vend të tij Belinda Ballukun, ndaj së cilës përqendron edhe akuzat e tij. Madje, sipas Ahmetajt, edhe ndikimet e krimit në zgjedhje kanë filluar vetëm pasi ai u përjashtua nga politika. Ai nuk flet për asnjë skandal të periudhave të mëparshme dhe çimpeka nuk guxon të bëjë asnjë pyetje për këto tema. Kështu, nuk duket shejtan budalla vetëm i intervistuari, por edhe intervistuesi. 

Arben Ahmetaj është shumë i kujdesshëm jo vetëm për të mbrojtur veten, por edhe për të thënë vetëm ato gjëra që përputhen me vijën politike të Sali Berishës. E bën këtë kur shmang përmendjen e oligarkëve miq të Berishës (denoncon abuzime në koncesionin Thuman-Kashar, por harron të akuzojë botuesin Bashkim Ulaj që e ka fituar atë, sepse Ulaj financon edhe familjen Berisha), dhe e bën këtë kur akuzon armiqtë e “familjes”, ndër të cilët, natyrisht, jam edhe unë, i vetmi botues mes qindra pronarë televizionesh, gazetash dhe faqesh online, që jam gjithmonë në shënjestër shpifjes të klanit Berisha. Ndoshta kjo është prova e papritur se 99% e mediave te tjera janë më të lidhura me Berishën sesa me qeverinë: dhe provë më të madhe demokracie dhe pluralizmi se kjo nuk ka. 

Të paktën në rastin tim, megjithatë, kam provën se Arben Ahmetaj gënjen. Përralla që më përket mua, e përsëritur në mikrofonin e çimpekës që tundte kokën i kënaqur, dhe e treguar para Ahmetajt mijëra herë edhe nga Berisha, është se Edi Rama do të më kishte dhuruar një truall mbi të cilin kam ndërtuar redaksinë e Report TV, duke u paguar ish-pronarëve të shpronësuar në kohën e komunizmit 2.9 milionë euro. Natyrisht, kjo është e pavërtetë. Këta 2.9 milionë euro janë paguar si detyrim ligjor për një sipërfaqe prej 9.500 metrash katrorë, për të cilën ish-pronarët kishin fituar të drejtën e kompensimit, por jo të drejtën e kthimit, nje truall që vetëm kufizohet me truallin që unë kam marrë me qira nga shteti pas një gare publike dhe për të cilin, pra, nuk jam pronar. Për rrjedhojë, Rama nuk më ka dhuruar absolutisht asgjë, dhe nëse një ditë do të privatizoja truallin e Report-it për t’u bërë pronar, unë do të duhej t’i paguaja shtetit vlerën e tij të tregut, rreth 1.3 milionë euro. Ku është dhurata? Nëse do të kishte pronarë legjitimë që e pretendojnë, shteti do t’ua kalonte atyre pagesën time. Kështu e parashikon ligji, dhe duke qenë se nuk mund të besoj që një ish-ministër i Ekonomisë të mos e njohë këtë ligj, e kuptoj se Arben Ahmetaj, vetëm për t’i bërë qejfin Berishës për hapësirën televizive që i ofron për monologët e tij të maskuar si “intervista ekskluzive”, është gati të thotë çdo mashtrim, mjafton të jetë i dobishëm për propagandën. 

Megjithatë një këshillë të pakërkuar e kam: Në epokën e rrjeteve sociale do të ishte më mirë që Arben Ahmetaj t’i bënte monologët e tij në Facebook dhe jo te Syri i evazionit fiskal dhe parave të pista: Do të ishte më i besueshëm, mund të gënjente më pak, do të kishte rritur numri i dëgjuesve, por mbi të gjitha do të tregonte më shumë dinjitet. 

POST SCRIPTUM – Pasi fyerjeve që më ka rezervuar zëvendëskryeministrja në detyrë Belinda Balluku gjatë komunikimeve me vartësit e saj, tani një tjetër zëvendëskryeministër socialist më sulmon duke kopjuar argumentet e përdorura nga lideri i opozitës. Por nuk jam i surprizuar pse ky është çmimi (dhe prova) i vërtetë i të qënit gazetar i pavarur./ Shqiptarja.com 

 

Tmerri kot i opozitës nga ‘Diella’, një dobësi që shumica nuk ishte e detyruar ta shfrytëzonte

20 September 2025 at 11:37

Nga Carlo Bollino

Dje qeveria bëri betimin para Presidentit të Republikës dhe, siç pritej, “Diella” nuk ishte e pranishme. Pra, formalisht, si ministre nuk ekziston. Duhet të mjaftojë kjo për të qetësuar ankthin e opozitës dhe panikun e analistëve të saj, të cilët me të vërtetë besuan se gjatë ceremonisë së organizuar në sallonin e Presidencës do të materializohej një avatar digjital në gjendje të trondiste planet revolucionare të Sali Berishës dhe çetës së tij parlamentare.

Edi Rama është një provokator, dhe nuk ka dyshim që t’i japësh fjalën “Diellës” në parlament para ministrave dhe deputetëve të vërtetë, ishte një provokim ekstrem, ndoshta me synime spektakolare, por që opozita mund ta trajtonte pikërisht si të tillë. Ashtu siç vepruan 47 krerët e shteteve dhe qeverive të mbledhur në Tiranë me rastin e samitit të Komunitetit Politik Europian, kur Edi Rama i habiti duke i përshëndetur me avatarët e tyre fëmijë, të krijuar si “Diella” nga inteligjenca artificiale. Të gjithë qeshën dhe madje duartrokitën për këtë ide origjinale. Nuk shpërtheu asnjë sherr, asnjë nuk u ofendua.

“Ministrja Diella” është një ide dhe deri më tani asgjë më shumë edhe pse publikohet nga mediat botërore pikërisht për origjinalitetin e saj. Rama e ka imagjinuar me shpresën për të automatizuar sistemet e tenderimeve duke ia besuar ato inteligjencës artificiale, për t’i larguar nga diskrecioni njerëzor dhe rrjedhimisht nga korrupsioni. Po të funksiononte, do të ishte një lëvizje gjeniale dhe opozita duhej të gëzohej, sepse lufta kundër korrupsionit qeveritar ka qenë gjithmonë një nga misionet e saj politike të shpallura në çdo gjuhë. Por atëherë, pse e kundërshton? Në të vërtetë, “Diella”, si çdo formë e inteligjencës artificiale, do të vazhdojë të përdorë vetëm informacionet e dhëna nga “trajnerët” e saj njerëzorë, dhe prandaj nëse ata trajnerë janë të korruptuar, të korruptuara do të jenë edhe vendimet e “Diellës”. Për fat të mirë, inteligjenca artificiale nuk ka arritur ende autonominë nga njeriu. Nga ky këndvështrim, pra, do të ndryshojë pak në krahasim me situatën aktuale. Por, nëse ska ndryshime, përse ministrja virtuale i tremb kaq shumë Berishën dhe milicët e tij?

E vërteta është se çfarëdo që të bëjë Rama, Berisha e kundërshton pa u ndalur as për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Rama e di mirë këtë dhe luan me të si macja me miun: e manipulon, e përul, e lë të flasë me vete. Nëse kjo tregon nivelin shumë të ulët ku ka rënë opozita – e dënuar të mbetet pakicë për sa kohë Berisha do të jetë ai që e delegjitimon – kjo nuk do të thotë që Rama dhe shumica e tij duhet të përfitojnë. Përkundrazi, forca e kartonave, që gjithmonë ka karakterizuar çdo demokraci liberale dhe nuk duhet të skandalizojë kur e përdor edhe Partia Socialiste, duhet të përdoret për të forcuar europianizmin e vendit.

Përballë shfaqjes së shëmtuar të servirur edhe një herë nga Berisha dhe madje nga “i moderuari” Gazmend Bardhi, kundër fjalimit të regjistruar të “Diellës” dhe që me dhunë në sallë kërkon të meritojë emërimin si kryetar grupi, Partia Socialiste duhej të reagonte me qetësinë që karakterizon të fortët, dhe jo me impulsivitetin që zbulon të dobëtit. Maratona parlamentare për programin qeveritar do të përfundonte matematikisht me miratimin e tij nga 83 deputetët socialistë, dhe për këtë arsye anulimi i saj në përgjigje të protestave të PD-së nuk ishte një avantazh që Edi Rama kishte nevojë ta përfitonte. Dhe mjafton kjo për ta konsideruar një gabim.

Edi Rama duhej në vend të kësaj t’u urdhëronte të vetëve të merrnin fjalën, secili për 10 minuta siç e parashikon rregullorja, dhe të vazhdonin në mënyrë legjitime seancën për insedimin e shumicës së re, duke injoruar britmat e kundërshtarëve. Do të ishte një rast edhe për të dëgjuar zërin e deputetëve të rinj, të përzgjedhur nga vetë Rama për t’i dhënë politikës një fytyrë të re, por që fatkeqësisht debutuan në parlament në mënyrën më të vjetër të mundshme.

Forca e qeverisë së katërt Rama mund të shfaqet ose duke imponuar vetëm ligjin e kartonat, ose duke treguar njëfarë tolerance diplomatike, si ajo me të cilën demokristianët italianë qeverisën për 40 vjet: do t’i takojë kryeministrit të vendosë. Por e ka gabim opozita nëse e konsideron “Diellën” një akt arrogance. Përkundrazi, ministrja virtuale është e brishtë sepse, ndryshe nga ministrat realë, mund të klonohet nga cilido, pikërisht falë inteligjencës artificiale, e cila nuk është monopol i askujt.

Nëse Berisha dhe çeta e tij rebele do të përdornin trurin dhe kulturën në vend të dhunës dhe kërcënimeve, do të kishin paraqitur në sallë një tjetër “Diellë” opozitare, e aftë me të njëjtin imazh dhe të njëjtën zë si ajo socialiste, të kundërshtonte qeverinë dhe avatarin e saj. Një përballje virtuale, në emër të politikës, do t’i kishte kthyer dinjitetin Parlamentit të Shqipërisë dhe do të kishte treguar më në fund një fytyrë të re të kësaj opozite që ka shumë më shumë nevojë për ide dhe metoda moderne sesa qeveria dhe udhëheqësi i saj mjeshtëror.

The post Tmerri kot i opozitës nga ‘Diella’, një dobësi që shumica nuk ishte e detyruar ta shfrytëzonte first appeared on JavaNews.al.

Zoti Berisha në aferën “Partizani” si “barinjtë gënjeshtarë” të Ezopit: Kur gënjen një herë, askush nuk të beson më

30 June 2025 at 17:59

Ja provat që SPAK ia kundërvë Berishës dhe dhëndrit të tij, dhe të paktën një fakt për të cilin të dy po gënjejnë 100%

Nga Carlo Bollino

Odisea e gjatë e klubit “Partizani” ka hyrë më në fund në një sallë gjyqi, ku do të përcaktohet nëse ai spekulim ndërtimor që pasuroi familjen e vajzës së Kryeministrit, u mundësua apo jo nga pushteti i të atit. Ndryshe nga sa ka pretenduar për vite me radhë propaganda e Berishës (përveç Sali Berishës i akuzuar për korrupsion, në të njëjtin proces është nën hetim për pastrim parash edhe dhëndri i tij, ambientalist e ndërtues), procesi nuk vë në diskutim pronësinë e tokës, por të drejtën e Jamarbër Malltezit për t’i përfituar ato toka në kthim pronësie (së bashku me trashëgimtarët e tjerë), edhe pse mbi ato toka ngrihej kompleksi më i madh sportiv i kryeqytetit, që nuk mund të shembej për t’i lënë vendin 19 kullave.

Procesi përqendrohet pra mbi procedurat që Sali Berisha, sapo erdhi në pushtet në vitin 2005, vuri në lëvizje për t’i mundësuar dhëndrit të tij të realizonte atë spekulim ndërtimor që nuk e kishte tentuar kurrë për sa kohë në pushtet ishin socialistët. Vetëm kaq mjafton për të legjitimuar dyshimet e Prokurorisë.

Pastaj vijnë faktet. Jo vetëm që qeveria e Berishës firmosi një sërë VKM-sh dhe ndryshime ligjore që, edhe pse nuk përmendin me emër Jamarbër Malltezin si përfitues, ishin të domosdoshme për të përfunduar projektin e ndërtimit të tij. Por Berisha ka bërë shumë më tepër: ai mobilizoi ministrat e tij dhe nivelet më të larta të ushtrisë për të përshpejtuar ato procedura që përndryshe, pa presionet politike dhe ndryshimet ligjore, nuk do të kishin qenë të mundshme kurrë. Sali Berisha nuk kishte nevojë të firmoste personalisht aktet që u urdhëronte ministrave të tij të realizonin, mjaftonte një fjali, si një vrasës që gjithmonë mban doreza për të mos lënë gjurmë në vendin e krimit.

E megjithatë, në një moment nervozizmi, një firmë e la: nënshkroi një urdhër për inspektim disiplinor nga Departamenti Antikorrupsion i Këshillit të Ministrave ndaj Batalionit Mbështetës, komandanti i të cilit, gjeneral Vladimir Qirjazi, refuzontetë nënshkruante dorëzimin e Kompleksit “Partizani” te trashëgimtarët, pasi e konsideronte procedurë të paligjshme. Berisha firmosi urdhrin për inspektim dhe ajo firmë mbeti një provë e padiskutueshme në dosjen gjyqësore.

Pjesën tjetër të “punës së pisët” ia delegoi si gjithmonë njerëzve të tij: në këtë rast, zbatuesi i urdhrit ishte Oerd Bylykbashi, atëherë drejtues i Departamentit Antikorrupsion të qeverisë. Njeriu i besuar i Berishës zgjodhi të dërgonte për inspektim në zyrën e gjeneralit ”rebel” jo një inspektor të zakonshëm, por pikërisht një prej ish-pronarëve (në marrëveshje me Malltezin), i cili do të përfitonte nga procedura që po hetohej. Një konflikt interesi i pastër, që nuk habiti as Berishën e as Bylykbashin: kështu funksiononte shteti kur në pushtet ishte “doktori”. Gjeneral Qirjazi i konsideronte të paligjshme procedurat që i kishin urdhëruar të kryente për favor të Jamarbër Malltezit: pas inspektimit të porositur nga Berisha dhe të kryer nga ortaku i dhëndrit, gjenerali u shkarkua nga detyra. Pasardhësi i tij, Xhemal Gjunkshi, firmosi letrat për tre ditë. Si shpërblim, u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe më pas deputet i Partisë Demokratike.

Sapo u kthye nga Kosova në vitin 2005, Argita Berisha deklaroi një gjendje financiare prej rreth 35 mijë dollarësh në bankë. I ati sapo ishte bërë Kryeministër, pas tetë vitesh opozitë. Megjithëse me atë shumë të vogël në bankë, bashkëshorti i saj u hodh në ndërtimin e një kompleksi të tërë pallatesh mbi tokën e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ku fillimisht zotëronte vetëm disa dhjetëra metra katrorë. Kur projekti i spekulimit ndërtimor, i favorizuar nga vjehrri, u zhbllokua, ai u bë pronar i pothuajse gjysmës së të gjithë investimit, duke i kthyer në mënyrë “magjike” ato 35 mijë dollarë në dhjetëra milionë euro. Nëse kjo është një aferë korruptive dhe një rast i pastrimit të parave, apo jo, do ta përcaktojë procesi i saponisur.

Që nga dita e parë e hetimeve, Sali Berisha dhe familja e tij janë paraqitur si viktima të një komploti politik, një akuzë që e kanë përsëritur edhe sot në prag të procesit. Në listën e akuzave, kanë përfshirë prapë si papagaj dhe një që më prek drejtpërdrejt: sipas tyre, unë kam paguar vetëm 1 euro për t’u bërë pronar i një toke 4.120 metra katrore që familja e Malltezit ia kishte dhuruar Bashkisë së Tiranës për të ndërtuar një gjimnaz dhe ku, falë ”katër VKM-ve të personalizuara”, kam ndërtuar selinë e televizionit Report. Si dëshmitar dhe protagonist i drejtpërdrejtë i kësaj historie, e di mirë që kjo është një genjeshtër e madhe, për të cilën Malltezi është tashmë i pandehur përballë Gjykatës Penale të Tiranës.

Unë në fakt nuk jam pronar i tokës (madje as i godinës së televizionit që kam ndërtuar me paratë e mia mbi të sepse kështu e parashikon ligji), por vetëm qiramarrës; toka nuk është dhuruar kurrë nga Malltezi, as për bujari as me vakëf siç pretendon, sepse ai asnjëherë nuk ka qenë pronar i saj; gjimnazi nuk është projektuar kurrë; dhe katër VKM-të nuk janë të personalizuara, por procedura burokratike të parashikuara po nga ligji për të gjithë njëlloj. Kështu që si dëshmitar i drejtpërdrejtë (unë po që jam viktimë e shpifjes politike!), mund të deklaroj se Berisha dhe Malltezi po gënjejnë 100%, të paktën për këtë pikë. Dhe për pjesën tjetër?

Ezopi, fabulisti i lashtë grek që besohet të ketë jetuar midis shekujve VII dhe VI p.e.s., na ka lënë një fabul me titullin “Barinjtë gënjeshtarë”. Është historia e famshme e barinjve që çdo mbrëmje bërtisnin “ujku, ujku” për të mashtruar fshatarët. Derisa një natë ujqërit erdhën vërtet, por askush nuk i besoi më dhe ujqërit shkatërruan tërë kopenë e tyre të pambrojtur. Ja, ky është morali i Ezopit që i përshtatet për mrekulli Sali Berishës: kur kapesh duke gënjyer një herë, nuk të beson më askush, edhe sikur të thuash të vërtetën.

The post Zoti Berisha në aferën “Partizani” si “barinjtë gënjeshtarë” të Ezopit: Kur gënjen një herë, askush nuk të beson më first appeared on JavaNews.al.

Duhet kallëzim penal dhe dëmshpërblim ndaj Shtetit edhe për rekurset e rreme në KQZ

5 June 2025 at 20:23

Nga Carlo Bollino

Duke parashikuar me kohë, ashtu si të gjithë, humbjen zgjedhore të 11 majit, Partia Demokratike, që përpara se të votohej, kishte premtuar se do të bënte të paktën 200 ankesa kundër legjitimitetit të votimit. Si normistë komunistë, plani i PD-istëve u respektua, dhe KQZ u përmbyt nga dhjetëra e dhjetëra ankesa. Por pyetja tani është: sa nga këto ankesa janë të bazuara? Legjenda e “trenit bullgar” dhe e 130.000 fletëve të vjedhura është tashmë zbuluar si një mashtrim. KQZ ka rinumëruar sot 233 kuti në 11 qarqe, duke treguar se ato mjëra fletë të pavotuara, që sipas PD-së ishin përdorur për të manipuluar rezultatin, ndodheshin në vendin e tyre. Ashtu siç e kishin parashikuar të gjithë, askush nuk i kishte prekur.

Tani që shpifja e “trenit bullgar” ka rënë, PD ka arritur të marrë nga dy anëtarët e saj në KAS (gjykata zgjedhore që në teori duhet të jetë e pavarur, por që në realitet emërohet nga partitë) vendimin për të rinumëruar të gjitha kutitë e qarkut të Tiranës. Ëndrra e Berishës nuk është të përmbysë rezultatin, por të marrë të paktën një mandat nga Agron Shehaj, të cilin ai ia hoqi koalicionit të PD-së për më pak se 1500 vota. Një objektiv i parealizueshëm, sepse nëse me të vërtetë numëruesit e PD-së kanë pranuar në heshtje që t’i vidhen 1500 vota partisë së tyre për t’ia dhënë partisë ”Mundësia” të Agron Shehajt, i cili nuk kishte asnjë numërues, skandali do të ishte më shumë brenda shtëpisë së Berishës sesa tek ajo socialiste.

Në të vërtetë, që tani mund të parashikohet se edhe nga ky rinumërim, i gjatë dhe i kushtueshëm, nuk do të ketë asnjë surprizë. Mjafton të krahasohen, ashtu siç kam bërë unë, rezultatet e Vorës dhe të Njësisë 10 në Tiranë, ku më 11 maj u votua me sistemin elektronik dhe prandaj votat u numëruan nga kompjuteri dhe jo nga numëruesit, me votat e numëruara me dorë në pjesën tjetër të qarkut të Tiranës.

Në qendrat e votimit ku është votuar me sistemin elektronik, PS-ja ka marrë 55.3% (64.5% në Vorë dhe 49% në Njësinë 10), PD-ja 29.9% (26.4% në Vorë dhe 32.3% në Njësinë 10), dhe Mundësia 4.7% (2.4% në Vorë dhe 6.4% në Njësinë 10). Në pjesën tjetër të qarkut ku votat janë numëruar me dorë dhe që tani do të numërohen për herë të dytë (duke përjashtuar rezultatet e Vorës dhe të Njësisë 10), PS-ja ka marrë 48%, PD-ja 34.6% dhe Mundësia 4.9%.

Shifrat flasin qartë: pikërisht atje ku është votuar në mënyrë elektronike, pra pa asnjë mundësi për të ndryshuar rezultatin, PD-ja ka marrë edhe më pak vota sesa në zonat ku është votuar manualisht. “Mundësia” e Agron Shehajt ka marrë thuajse të njëjtin numër votash si në zonat ku është votuar elektronikisht, ashtu edhe në ato ku është votuar me dorë. Partia Socialiste, e cila po e shijon me buzëqeshje këtë spektakël qesharak të inskenuar nga Berisha, ka marrë 55% me votim elektronik dhe vetëm 48% me votim manual. Pra, as rezultati i PS-së nuk tregon se është favorizuar nga numërimi me dorë, përkundrazi.

Si me thënë që ai që mund të dyshohet për manipulim të numërimit është pikërisht Berisha, i cili në fakt akuzon të tjerët.

A nuk mjaftonte ky krahasim i thjeshtë për t’i sugjeruar KAS-it se rinumërimi në Tiranë i kërkuar nga Partia Demokratike nuk ka asnjë bazë logjike, por është thjesht pjesë e “planit demokrat” për të bërë zhurmë dhe për të inskenuar atë ”masakër zgjedhore” të ëndërruar nga Berisha, që në realitet të gjithë e dinë se nuk ka ndodhur?

Por në këtë pikë lind pyetja: kush po e paguan këtë spektakël? Pse Shteti (pra taksapaguesit) duhet të mbajë mbi supe koston e rinumërimeve të kota, që i shërbejnë vetëm Sali Berishës për të ushqyer gënjeshtrat e tij dhe për të shmangur dorëheqjen nga partia? Ashtu siç ekziston vepra penale e kallëzimit të rremë për denoncimet penale të pavërteta, po ashtu edhe rekurset e rreme kundër rezultateve zgjedhore duhet të konsiderohen vepër penale.

Një rinumërim votash është i nevojshëm kur dyshimet për manipulim bazohen në prova konkrete, por kur është vetëm pjesë e një plani propagandistik dhe më pas verifikohet se denoncimi ishte pa bazë, ai që e ka kërkuar duhet të dënohet dhe të paguajë nga xhepi i vet shpenzimet e mbuluara nga Shteti. Për të ndëshkuar politikisht gënjeshtrat e tij kujdesen, si gjithmonë, vetë zgjedhësit.

The post Duhet kallëzim penal dhe dëmshpërblim ndaj Shtetit edhe për rekurset e rreme në KQZ first appeared on JavaNews.al.

Berisha i mposhtur nga urrejtja që vetë kultivoi

30 May 2025 at 10:24

Nga Carlo Bollino

Sali Berisha urren Shtetin në çdo formë të tij. Urren SPAK-un, urren Kuvendin, urren Policinë e Shtetit, urren KQZ-në, urren KAS-in, urren Gjykatën Kushtetuese, urren Gjykatën e Lartë, urren kryetarët e bashkive përveç atyre të PD-së, urren çdo institucion publik, urren kundërshtarët e tij politikë. Por urren edhe institucionet private, duke filluar nga mediat, përveç atyre që kontrollon vetë. Urren biznesmenët, ose të paktën ata që nuk e paguajnë. Urren ambasadorët. Urren shqiptarët që nuk e votojnë.

Ky plak i mbaruar ushqehet me urrejtje, kultivon urrejtje, shpërndan urrejtje. Këtë e ka bërë gjithmonë, urren hapur pa asnjë ndjenjë turpi, dhe po të kthehemi pas në vite, urrente po kaq fort edhe kur ishte në pushtet, thjesht që atëherë e bënte fshehurazi, duke përdorur institucionet që kontrollonte. Kur është në opozitë, urren personalisht, haptazi, dhe i detyron të urrejnë hapur edhe shërbëtorët e tij: deputetët, gazetarët, drejtuesit e partisë, familjarët apo militantët.

Eshtë kjo politikë e bazuar në urrejtje ajo që u mund më 11 maj. Por Berisha nuk e kupton. Dhe në vend që të reflektojë dhe të ndryshojë strategji, komenton disfaten elektorale të shkaktuar nga urrejtja e tij, duke shpërndarë edhe më shumë urrejtje. Me sa duket është krenar që urrejtja e tij nuk ndryshon kurrë.

Në komunikimin publik që pasoi disfatën e 11 majit, Sali Berisha imponoi të njëjtin gjuhë si edhe më parë: përdor të njëjtat argumente, të njëjtat akuza, të njëjtat shpifje, të njëjtat gënjeshtra, pa pikë fantazie. Sigurisht, tani përqendrohet tek “masakra zgjedhore” dhe “farsa elektorale”, terma edhe këto të konsumuara përtej masës. I kishte përdorur që në 1994, pastaj në 1997, në 2001, pastaj në 2013, në 2017, në 2021 dhe tani i përserit me të njëjtin përçmim si gjithmonë. Vetëm se tani nuk i beson më askush.

Monotonia dhe përsëritja në politikë janë një mallkim që vret cdo lider që e përdor, sepse lodhin këdo tjetër. Sali Berisha dhe betejat e tij të rreme i kanë lodhur të gjithë, dhe kjo duket nga numri i pjesëmarrësve në protestat e tij, nga numri i ndjekësve në rrjetet sociale dhe sidomos nga numri i atyre që e votojnë.

Sot ka filluar sërish të tregojë “përallën” për qeverinë teknike (si gjithmonë, pa mundur ta marrë pushtetin me vota, shpreson ta marrë në tavolinë), dhe së shpejti me siguri do të rikthehet me mosbindje civile, e ndoshta edhe me bojkot të Kuvendit të ri. Èshtë bërë aq i parashikueshëm në gjithçka që thotë dhe bën, sa është kthyer në një meme. Dhe memet, nëse nuk të bëjnë të qeshësh, fshihen me një klik. Memet nuk lenë gjurmë.

Beteja “për votën e lirë” që ky 81-vjeçar i etur për pushtet pretendon se ka nisur, është vetëm hipokrizia e radhës e një politikani në fund të karrierës që në jetën e vet ka shkelur votën e lirë i pari, dhe qindra herë të tjera. Dhe tani kërkon ta ringjallë në mënyrë paradoksale këtë justifikim qesharak dhe të konsumuar, vetëm për të arsyetuar humbjen e radhës.

Sali Berisha, që urren çdo institucion të shtetit demokratik, duket se dashuron vetëm një shtet që fatmirësisht nuk ekziston më. Ai dashuron në kujtime shtetin e tij personal të dikurshëm, ku kishte prokurorë të korruptuar, gjykatës të nënshtruar, kriminelë bashkëpunëtorë, gazetarë të bindur, institucione publike të kapura, polici të dhunshme, një KQZ të gatshme të certifikonte manipulimet e tij, madje edhe ambasadorë amerikanë që e quanin “burrë shteti” pas masakrës së 21 janarit dhe të tjerë që mbulonin manipulimet zgjedhore të vitit 1996 në emër të Italisë. Ato kohë kanë marrë fund për Shqipërinë, jo vetëm për Sali Berishën.

Por Berisha vazhdon të dashurojë edhe ata pak shërbëtorët e pakuptimtë që ende e rrethojnë, burra pa dinjitet, si “budallai i familjes” që janë bërë miliarderë duke përfituar nga puna dhe pushteti i të tjerëve. Berisha rrethohet me mediokër, të vetmit që e durojnë, sepse në mediokritetin e tyre nuk kanë asnjë alternativë.

Por pikërish këta mediokër janë ata që i largojnë votuesit, sepse ndryshe nga sa mendon Sali Berisha, shqiptarët nuk janë më ata naivët e vitit 1992 që si përvojë të vetme kishin një regjim gjakatar e shtypës. Sot shumica e popullit shqiptar është emancipuar, ka udhëtuar, ka lexuar, është arsimuar dhe ka mësuar të dallojë njerëzit. Më e rëndësishmja, shqiptarët janë të lodhur nga urrejtja, që në 45 vitet e komunizmit ishte arma kryesore e diktatorit për të sunduar vendin, dhe që sot Sali Berisha po e rikthen si trashëgiminë e vetme të historisë së tij politike.

Eshtë pikërish kjo arsyeja pse Sali Berisha humbi zgjedhjet. Presionet e vetme që kanë ndikuar votën nuk janë ato të policisë, administratës apo krimit, siç pretendon propaganda e pashpresë e PD-së, por presionet që Sali Berisha ushtron çdo ditë mbi inteligjencën dhe dëshirën për paqe të popullit shqiptar.

The post Berisha i mposhtur nga urrejtja që vetë kultivoi first appeared on JavaNews.al.

Në krah të “narkoshtetit të Ramës”, 52 liderët e Europës. Berisha mbetet i vetmuar

16 May 2025 at 20:23

Nga Carlo Bollino

Nuk ka krahasim më domethënës për të përshkruar situatën aktuale politike sesa ajo mes dy fotografive të marra sot në Tiranë: në njërën, 52 liderët e Europës të mbledhur rreth Edi Ramës në një konferencë ndërkombëtare; në tjetrën, një grup i vogël militantësh, të thirrur nga Sali Berisha, për të protestuar kundër rezultatit të zgjedhjeve, vetëm disa qindra metra më tutje. Edhe një herë, sheshi i thirrur nga kjo opozitë mbeti bosh, dhe ky është treguesi më i qartë, përtej çdo gënjeshtre, që rezultati i zgjedhjeve ishte i drejtë. Votimi që doli nga kutitë pasqyron humnerën e mbështetjes që ndan këto dy forca politike. Sali Berisha është një lider i mbaruar dhe i vetmuar, i cili ka fundosur në vetminë e votave edhe Partinë Demokratike që dikur ishte një forcë dominuese. Populli, në emër të të cilit Berisha pretendon ende të flasë, e ka braktisur. Në protestën e sotme, organizuar për të denoncuar të ashtuquajturën “masakër zgjedhore”, nuk ishin më as militantët e tij.

Për vite me radhë, Berisha ka përdorur gënjeshtrën si armën e tij kryesore politike, por tashmë askush nuk i beson më. Në fund të fundit, është viktimë e vetvetes. Gënjeshtra e tij e fundit u tha në prag të votimeve të 11 majit, kur u betua para mbështetësve se që nga dita pas zgjedhjeve, ai do të ishte kryeministri i ri i vendit. Një premtim që binte ndesh me çdo parashikim dhe që u kundërshtua nga pesë sondazhe të pavarura. Një premtim që duhej besuar vetëm si akt besimi, si një gjest i fundit dashurie. Por rezultati i votimit tregoi se edhe këtë herë Berisha kishte gënjyer. Edhe besimi u tradhtua.

Prej pesë ditësh ai përpiqet të ngjitet mbi një mal pasqyrash, duke gënjyer sërish, duke deklaruar se vota është vjedhur, se ka “plot prova” të cilat nuk i tregon, se premtimi i tij ishte i ndershëm dhe se Edi Rama nuk do të gëzojë kurrë mandatin e katërt si kryeministër. Askush nuk i beson më. Të parët që e përgënjeshtruan ishin vetë liderët e të gjithë Europës, të mbledhur sot në Tiranë duke uruar Edi Ramën për suksesin elektoral. Nga Macron te Merz, nga Meloni te Von der Leyen, të gjithë ishin aty. Dhe përtej kordonit të sigurisë së ngritur nga policia, Sali Berisha, me një megafon në dorë dhe pa zë, bërtiste përpara pak pasuesve të mbetur, premtimin e tij të rremë më të fundit.

Fotoja e grupit në këtë samit politikisht të paharrueshëm për Shqipërinë e vogël do të hyjë në histori. Ndërsa imazhi i Berishës me megafonin do të harrohet shpejt. Bashke me shpifjet e tij, ato të përsëritura edhe sot, kur, pa qenë as në listën e folësve zyrtarë, foli vetëm në një nga sesionet e mbyllura, të një forumi të së djathtës botërore të mbledhur në Bruksel. Në fund të punimeve, u votuan 5 rezoluta, por nuk pati asnjë fjali as për Shqipërinë dhe as për denoncimet e Berishës. Me një anglishte të pasigurt dhe duke lexuar me vështirësi nga një iPad, interpretoi vajtimin e tij para partive “motra”, duke iu lutur për mbështetje për të “zbuluar masakrën zgjedhore” të kryer nga Edi Rama. Një masakër, sipas tij, e realizuar nga një Shqipëri që Rama e ka kthyer në një “narkoshtet”. Një narkoshtet në të cilin, ndërkohë, kishin mbërritur të gjithë liderët e Europës, të gjithë gjoja bashkëpunëtorë të narkomafies, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, dhe Presidenten e Komisionit europian, Ursula Von der Leyen, të tre, ndër përfaqësuesit më të rëndësishëm të së djathtës europiane. Të gjithë ishin sot në Tiranë me Edi Ramën, ndërsa Sali Berisha ishte vetëm në Bruksel.

Prandaj ato dy foto të vendosura përballë njëra-tjetrës tregojnë dy fytyrat e realitetit tonë. Tregojnë Shqipërinë e vjetër, tashmë pa zë, dhe Shqipërinë e së ardhmes. Sali Berisha le të dorëzohet: gënjeshtrat e tij nuk mashtrojnë më askënd.

The post Në krah të “narkoshtetit të Ramës”, 52 liderët e Europës. Berisha mbetet i vetmuar first appeared on JavaNews.al.

Zoti Berisha, je ti ai që më përzure si gazetar, por ndryshe nga Becchetti, nuk ia faturova kostot shqiptarëve

17 April 2025 at 17:34

Nga Carlo Bollino

Ja historia e vërtetë e Sali Berishës, e marrëdhënies së tij me lirinë e mendimit dhe me mua. Jam mësuar me sulmet e tij vulgare që prej 32 vitesh, por ai nuk ka të drejtë të flasë për lirinë e shtypit, e aq më pak të japë shembuj të pavarësisë editorial.

Dje, Sali Berisha, ndoshta në një moment deliri demence të shkaktuar nga mosha, guxoi të krahasojë emrin tim me atë të një sipërmarrësi italian, Francesco Becchetti, i dënuar më 23 shkurt 2022 nga Gjykata e Tiranës me 17 vite burg, i gjykuar në mungesë për vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës, krijimin e skemave mashtruese me qëllim përfitimi të paligjshëm si dhe pastrim parash. Bashkë me Becchettin u dënuan rëndë edhe familjarë dhe bashkëpunëtorë të tij. Duke qenë se unë jam me të vërtetë garantist, kujtoj se ky është një dënim në shkallë të parë dhe se për të gjykuar fajësinë e Becchettit duhet pritur përfundimi i të gjitha shkallëve të gjykimit. Por krahasimi i bërë nga Berisha midis historisë sime dhe asaj të Becchettit është gjithsesi një turp që meriton një përgjigje.

Duke folur para një grupi të vogël militantësh të njësisë 5 të Tiranës, Berisha deklaroi: “Po Beketi, u kujtohet ju? Beketi, një investitor që ndërtoi përveç të tjerash edhe një televizion. Ai televizion nuk ishte as televizion kombëtar. Ai ishte një televizion që prodhonte disa emisione, kritikonte qeverinë, kritikonte opozitën, sepse ishte një italian që donte të tregonte se po bënte një media të pavarur. Nuk ishte Bolino ai. Jo mor jo, ai ishte e kundërta e Bolinos. Se nuk pranonte të bëhej skllav i Edi Ramës. Ky e merr dhe e përzë si gangster atë.”

Nuk është hera e parë që Berisha mbron Becchettin: ai e bën që kur sipërmarrësi italian (më pas edhe botues i Agon Channel) bleu për 150.000 euro një “pikturë” të vendosur në ankand nga Liri Berisha në një nga darkat e saj të famshme bamirësie, të organizuara kur Berisha ishte kryeministër, dhe kush donte të bënte biznes me qeverinë, duhej të jepte një kontribut për familjen. Berisha, për ta shpërblyer, i vuri në dispozicion instrumentin më të çmuar që kishte krijuar, më të fuqishëm madje se qeveria e tij: drejtësinë. Francesco Becchetti fitoi kështu një proces në Apel (më 24 mars 2009) dhe më pas në Gjykatën e Lartë (më 7 mars 2011) që dënonte kompaninë prestigjioze italiane EnelPower të dëmshpërblente sipërmarrësin mik të qeverisë me një shumë marramendëse prej 440 milionë eurosh për një konflikt të lidhur me ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, të cilin Becchetti as që e kishte ndërtuar ndonjëherë. Për shkak të atij vendimi, të konsideruar nga Roma dhe kancelaritë evropiane si “skandaloz”, jo vetëm ENEL, por edhe shumë kompani të rëndësishme italiane hoqën Shqipërinë nga lista e vendeve ku ia vlente të investoje.

Me të njëjtën metodë, të cilën Berisha duket se e respekton, Becchetti përdori koncesionin e hidrocentralit të Kalivaçit (një vepër fantazmë, edhe më e keqe se inceneratori i Tiranës) për të fituar gjithashtu arbitrazhe ndërkombëtare kundër Deutsche Bank gjermane dhe në fund kundër qeverisë shqiptare. Në të vërtetë, Berishës nuk i intereson aspak që taksapaguesit shqiptarë rrezikojnë të vidhen nga arbitrazhet e fituara nga Becchetti, për të cilat kontribuan edhe disa dëshmi “të pavarura” nga disa gazetarë të Syri.net, televizioni i familjes Berisha: për të ka rëndësi vetëm përdorimi i atyre vendimeve të çmendura për të sulmuar qeverinë.

Por çështja nuk është kush është Becchetti. Çështja është kush jam unë dhe me ç’të drejtë guxon Sali Berisha të më konsiderojë më keq se Becchetti.Gjëja e parë që duket se demenca i ka fshirë nga kujtesa këtij njeriu, është se jam unë ai që u “përzura si gangster” nga Shqipëria kur ai ishte në pushtet, pikërisht sepse doja të tregoja se si ndërtohet një media e pavarur. Nuk kam ditur ndonjëherë që ky ishte edhe qëllimi i Becchettit. Ishte vera e vitit 1995 kur Berisha urdhëroi dëbimin tim nga vendi, por ndryshe nga Becchetti, i cili kaloi përmes një procesi gjyqësor, dëbimi im u vendos personalisht nga Berisha, i këshilluar nga bashkëpunëtori i tij kriminal Bashkim Gazidede dhe nga drejtori i policisë Agim Shehu: pa gjyq dhe pa shpjegim.

Dallimi i dytë i madh është se unë, ndryshe nga Becchetti, nuk e kam paditur shtetin shqiptar duke kërkuar një dëmshpërblim për padrejtësinë e pësuar. Do të thotë se nuk kam kërkuar që shqiptarët të paguajnë për fajet e Berishës. Dhe nuk ka asnjë dyshim se unë kam pësuar një padrejtësi. Arkiva ime e 32 viteve të jetuara në Shqipëri e tregon pa asnjë hije dyshimi se Berisha më dëboi vetëm sepse nuk e duronte dot pavarësinë time si gazetar, që vetëm për këtë konsiderohesha opozitar. Edi Rama nuk kishte ende asnjë lidhje as me mua as me pushtet, lideri i opozitës Fatos Nano e kishte mbyllur në burg, dhe Berisha zotëronte 100% të pushteteve publike. Po prapë unë isha armik. Si e dëshmojnë dokumentet e Ministrisë së Jashtme italiane, të gjithë zyrtarët e lartë të së cilës negociuan me njerëzit e Berishës për rikthimin tim, konstatuan se ndaj meje “autoritetet shqiptare nuk kishin ngritur asnjë akuzë për krime apo sjellje të tjera të paligjshme”, dhe se dëbimi im ishte i lidhur në mënyrë të padiskutueshme me profesionin tim si gazetar.

Por ka më shumë. Në një komunikim të një zyrtareje të lartë italiane që kishte marrë pjesë në negociata, saktësohej se edhe Bashkimi Evropian në atë kohë ishte i alarmuar nga shkeljet e përsëritura të të drejtave të njeriut nga qeveria e Sali Berishës, dhe se “rasti Bollino” padyshim bënte pjesë në to. Këtë mund ta dëshmojnë edhe ndërmjetësuesit e Komunitetit të “Sant Egidio”, që dhanë kontributin e tyre të çmuar për të gjetur një marrëveshje, dhe që në fund arritën vërtet një kompromis: unë mund të rikthehesha në Shqipëri me kusht që të dorëhiqesha nga drejtimi i “Gazeta Shqiptare”, gazeta që Sali Berisha e urrente dhe për të cilën prej vitesh përpiqej të krijonte një klimë kriminalizimi me fushatat e tij shpifëse. Unë e pranova, por Berisha nuk e mbajti fjalën. Këtë e tregojnë dokumentet e nënshkruara nga policia kufitare (qe bej publike sot për hërë te pare), në të cilat çdo herë që hyja në vend (me një leje speciale të dhënë nga Partia Demokratike!!) thuhej se mund të qëndroja “vetëm tre ditë”. Sikur të isha gangster!!

Sali Berisha jo vetëm që më dëboi, sepse sipas tij bëja opozitë ndaj qeverisë, por u përpoq gjithashtu të shpronësonte edhe “Gazeta Shqiptare”, duke vendosur se kush duhej ta drejtonte redaksinë pas meje, që edhe kjo gazetë të bëhej zëdhënëse e partisë së tij. Një plan që dështoi vetëm falë reagimit të guximshëm të kolegëve shqiptarë që punonin aty, të gatshëm t’i vinin zjarrin redaksisë më mirë sesa të dorëzonin pavarësinë e saj.

Kjo është historia e vërtetë e Sali Berishës, e marrëdhënies së tij me lirinë e mendimit dhe me mua. Jam mësuar me sulmet e tij vulgare që prej 32 vitesh, por ai nuk ka të drejtë të flasë për lirinë e shtypit, e aq më pak të japë shembuj të pavarësisë editoriale. Vetëm pak muaj pas dëbimit tim, Sali Berisha dhe Partia demokratike organizuan zgjiedhjet politike të 1996, dëshmi e një manipulimi spektakolar që ka mbetur në historinë e shëmtuar të vendit. Një vit pas dëbimit tim, Sali Berisha, duke përfituar nga kryengritjet pas falimentimit të firmave piramidale që prapë ai vetë i kishte krijuar, vendosi censurë në media dhe hartoi një listë të zezë gazetarësh që duheshin “goditur në rrugë”: për këtë arsye u fut në listën botërore të armiqve të lirisë së shtypit. Fakti që sot ai përmend me krenari ato vite, duke më treguar ende si armikun për t’u goditur, tregon se nuk ka ndryshuar kurrë.

Sa për Francesco Becchettin, i uroj atij dhe Shqipërisë që të bëhet drejtësi e vërtetë. Por fakti që mbrohet nga Sali Berisha është më shumë një tregues faji, sesa provë pafajësie.

The post Zoti Berisha, je ti ai që më përzure si gazetar, por ndryshe nga Becchetti, nuk ia faturova kostot shqiptarëve first appeared on JavaNews.al.

Përgjimet e Veliajt si Dosja 184! Çfarë do të kishin dëgjuar prokurorët nëse do të përgjonin edhe Berishën gjatë zgjedhjeve apo pas arrestimit?

7 April 2025 at 12:56
Nga Carlo Bollino 

Përgjimet telefonike të bëra ndaj Erion Veliajt ndërsa ndodhej në qelinë e burgut të Durrësit, kujtojnë ato të realizuara me urdhër të prokurorit Besim Hajdarmataj ndaj socialistëve të angazhuar në fushatën elektorale në Dibër në vitin 2016. Historiku i dosjes së famshme 184, e dorëzuar nga vetë prokurori tek Partia Demokratike dhe më pas e publikuar në faqet e gazetës gjermane Bild, i ngjan si dy pika uji dosjes me përgjimet e Erion Veliajt që përfundoi në faqet online të Syri dhe të një portal hibrid që është vegla e klaneve të ndryshme. Në të dyja rastet, prokurorët që i kishin autorizuar dëgjuan biseda me shkelje etike, por nuk konstatuan asnjë vepër penale, dhe vetëm për këtë arsye, ato përgjime duhej të mbeteshin të mbyllura në sirtaret e Drjtësisë.

Por, përkundrazi, të dyja dosjet u bënë publike në të njëjtën mënyrë (pra mediatikisht), dhe si për rastësi, të dyja i shërbyen më shumë Partisë Demokratike në fushatën e saj politike sesa gjykatave. I vetmi ndryshim është se përgjimet e Hajdarmatajt të botuara ishin transkriptuar në mënyrë të plotë, me të gjitha zërat e përfshirë në bisedë, gjë që e bënte përmbajtjen më të qartë. Ndërsa në përgjimet ndaj Erion Veliajt të pergatitura nga SPAK, gjenden vetëm disa fraza të shkëputura dhe jo e gjithë biseda, çka vë seriozisht në dyshim edhe vlerën e tyre gjyqësore.

Nuk ka qytetar apo gazetar në botë që nuk ëndërron të dëgjojë bisedat telefonike të komshiut apo të një politikani, dhe pikërisht për këtë arsye, kjo superfuqi që shkel privatësinë në mënyrë kaq të rëndë, i është besuar ekskluzivisht nga ligji filtrit dhe ndjesisë së përgjegjësisë së një gjyqtari. Në demokracitë liberale, prej vitesh diskutohet mbi përdorimin gazetaresk të përgjimeve: Cilat dhe kur mund të publikohen? Nëse ka mendime të ndryshme për përdorimin e përgjimeve që përbëjnë prova penale, askush nuk ka dyshim se përgjimet që nuk përbëjnë prova për ndonjë krim duhet të mbeten sekrete. E megjithatë, edhe nga ato që publikohen, duhet të hiqen pjesët “jo të rëndësishme” ose ato që përfshijnë qytetarë që nuk kanë asnjë lidhje me hetimin penal. Pra përgjimet duhet të anonimizohen si në fakt bëhen edhe në gjykata shqiptare apo KLSH kur botojnë vendimet e tyre.

Në rastin e dosjes 184, ashtu si në rastin e përgjimeve të Erion Veliajt, ky parim themelor i civilizimit juridik u shkel brutalisht. Nuk është për t’u habitur që mbrapa kësaj dhune, bashkë me ndonjë përfaqësues të drejtësisë, qëndron gjithmonë Partia Demokratike, lideri i së cilës, Sali Berisha, nuk ka treguar asnjëherë në jetën e tij ndonjë respekt për të drejtat e njeriut, e aq më pak për të drejtat e kundërshtarëve të tij politikë. Ai dhe gazetarët e tij përdorin vetëm urrejtjen si instrument vlerësimi, duke iu bindur një instinkti pothuajse shtazor që i përket epokave më të errëta të historisë njerëzore. Por a është normale që edhe drejtësia — dhe në veçanti drejtësia e re — të bëjë të njëjtin gabim?

Kur u Zublikua dosja 184, e përbërë ekskluzivisht nga përgjime të eksponentëve socialistë të angazhuar në fushatë, u ngrit pyetja: çfarë do të kishte dëgjuar prokuroria nëse do të përgjonte edhe telefonatat e eksponentëve të Partisë Demokratike të mobilizuar në të njëjtën fushatë? Do të kishte dëgjuar biseda ndryshe dhe më shumë etike? Të njëjtën pyetje e bëj edhe sot: çfarë do të kishte dëgjuar SPAK nëse do të përgjonte telefonatat e Sali Berishës apo të dhëndrit të tij ditët pas arrestimit? Duke pasur parasysh se në publik u lëshuan në një linçim të pakontrolluar ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe gazetarëve, çfarë thoshin në telefon gjatë bisedave që i konsideronin private dhe konfidenciale? Vleresonin SPAK-un dhe kërkonin që media të mos përfshihej në mbrojtjen e familjeve të e tyre? Nëse vëllai apo gruaja e Erion Veliajt nuk duhej të flisnin me gazetarët, çfarë ka thënë Argita në telefon me gjithë gazetarët dhe bashkëpunëtorët, para se të bënte dhjetëra e dhjetëra dalje në të gjitha televizionet shqiptare? Çfarë ka thënë Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi në telefon para se të publikonte sulmet, shantazhet, konferencat, mitingjet ndaj Drejtësisë së re?

Për fat të keq, nuk mund t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje, sepse ashtu si Hajdarmataj zgjodhi të përgjonte vetëm eksponentët socialistë atëherë, edhe sot SPAK ka zgjedhur të përgjojë vetëm Erion Veliajn. Askush nuk e ka shkelur privatësinë telefonike të PD-së atëherë, ashtu siç askush nuk e ka shkelur sot privatësinë telefonike të familjes Berisha. Ose të paktën këto përgjime nuk janë bërë publike nga askush.Edhe një herë një dopio standard i prokurorisë ka favorizuar të njëjtën palë politike. Prandaj moralistët që pushtojnë studiot televizive dhe mediat online, përfshirë ato të financuar nga donatorët pa asnjë trasparencë, në vend që të japin leksione mbi etikën, më mirë të reflektojnë mbi njëanshmërinë e një pjese të drejtësisë që është shumë më e rrezikshme dhe më e rëndë se sa njëashmëria e të akuzuarit. Apo, në të kundërtën,  të heshtin fare.

The post Përgjimet e Veliajt si Dosja 184! Çfarë do të kishin dëgjuar prokurorët nëse do të përgjonin edhe Berishën gjatë zgjedhjeve apo pas arrestimit? first appeared on JavaNews.al.

❌