Normal view

Pse duhet të bëjmë një film ndërkombëtar për Skënderbeun

21 August 2026 at 09:54

Nga Ben Blushi

Më shumë se 50 milion euro fitime i ka sjellë filmi Odisea Greqisë gjatë këtij sezoni turistik.
Plazhet ku janë xhiruar skenat e filmit janë plot, biletat e kinemave janë stërshitur, veprat e Homerit janë ribotuar në qindra gjuhë, kurse ishujt grekë janë mbushur me turistë që sillen si Odisea majë varkave me vela.
Por përveç fitimeve, filmi i Kristofer Nolan ka rritur vetëbesimin e popullit grek i cili në vitin 2008 kreu vetëvrasjen financiare më të përgjakshme të kohëve moderne.
Atëherë kur grekët kishin më shumë nevojë, Odisea doli nga deti dhe i fshiu plagët që politikanët i shkaktuan vendit të tyre.
Në dy muajt e fundit çdo faqe instagrami, çdo revistë autoritare dhe çdo mendje influente e këtij planeti ka përdorur kutin e lashtësisë greke për t’ju treguar ndjekësve të vet çfarë është e drejtë dhe çfarë nuk është.
Duket sikur Greqia është bërë prapë qendra e botës.
Ajo ka rillindur vetëm nga një film duke zbuluar mallin më të rrallë të kohës që jetojmë : entuziazmin.
Duke parë efektin që kjo ngjarje ka patur mbi populliin grek shumë shtete kanë menduar t’ia japin borxh heronjtë e tyre Hollivudit.
Me pak fjalë t’i luten të bëjë filma për ta.
Kush nuk do donte një film si Odisea për një viking me fytyrën e futbollistit Haaland që shkon në Amerikë me lundrën e muskujve, apo për ndonjë eksplorator sypatrembur që zbulon kontinente të reja duke përdorur pasqyrat e oqeanit si semafor.
Norvegjezët dhe portugezët me siguri po mbajnë rradhë në Hollywood, pa folur për tarzanët e Indisë dhe samurait e Japonisë. Odisea i ka hutuar të gjithë.
Ai provoi se bota e sotshme ka nevojë për heronj të cilët mund të zbusin vështirësitë e jetës së përditshme.
Popujt gjejnë më shumë frymëzim tek heronjtë e dikurshëm sesa tek futbollistët e pasur, modelet anoreksike dhe polikanët e mërzitshëm.
Në këto kushte dhe ne duhet të bëjmë llogaritë tona.
Ne nuk kemi një Odise, por kemi një legjendë që mund të kthehej në një super film me përmasa ndërkombëtare.
Ky është pa dyshim Skënderbeu.
Ai nuk ka famën e heronjve të Trojës dhe nuk përfaqëson udhëtarin që can detet për t’u kthyer te gruaja, por në ditët kur jetojmë simbolika e Skënderbeut është shumë e fortë.
Ndryshe nga Odisea, Skënderbeu nuk ishte pushtues por mbrojtës.
Njëlloj si në kohën e tij, turma të egra po kapërcejnë dete, furtuna dhe dallgë për të arritur në brigjet e Evropës.
Ata nuk vijnë me ushtri, as me armë por vijnë si hordhi.
Në rrëmujë e sipër rrëzojnë qeveri, heqin njerëz nga puna, ndryshojnë median dhe debatin e përditshëm bashkë me zakonet e vendasve.
Qyteti spanjoll i Ceutës është fotografia e së nesërmes.
Brenda një dite aty shkuan me not 70 mijë marokenë për t’u kujtuar 450 milion evropianëve çfarë do të ndodhë kur emigrantët e paligjshëm të bëhen 70 milion.
Natyrisht Skërderbeu nuk e ndalon dot këtë dyndje, por as Odisea nuk bind dot miliona evropianë të divorcuar të kthehen te gratë.
Mirëpo simboli i heroit tonë kombëtar është më i nevojshëm se kurrë për evropianët e dëshpëruar.
Skënderbeu arriti para 600 vitesh atë që ata nuk po e arrijnë dot sot.
Ai pengoi hordhitë të merrnin Vjenën, Romën dhe Parisin.
Skënderbeu nuk kishte polici, as dronë, as nëndetëse dhe as radarë.
Kishte vetëm nja dhjetë mijë shqiptarë që e ndiqnin me sy mbyllur sikur të ishte perëndi.
Ky është filmi që i duhet Evropës sot.
Historia e Skënderbeut, Mbajtësit të Hordhive, Penguesit të Madh.
Kushdo që mendon se ky film do ishte shumë i kushtueshëm e ka gabim.
Ja vlen të sakrifikosh një rrugë dhe tre ura për t’i dhënë një regjisori të madh ndërkombëtar një buxhet të përafërt me Odisenë.
Populli do ishte shumë i lumtur të paguante nga taksat e veta, ndërkohë që një fushatë mbarëkombëtare për të mbledhur fonde për filmin Skëderbeu do mobilizonte 7 milion shqiptarë të shpërndarë në gjithë botën.
Sikur secili të dhuronte mesatarisht 10 dollarë, do bëheshin 70 milion dollarë, pa folur për qindra oligarkë që do kishin mundësi të dëshmonin patriotizmin e tyre estetik në këtë ankand krenarije.
Me siguri ata do shkëlqenin si tepsi bakri kur të shikonin emrin e tyre në listën e producentëve të një filmi hollivudian që me një kombinim donacionesh publike dhe private do mblidhte lehtësisht 150 milion dollarë.
Odisea i Nolan ka kushtuar 250 milion dhe deri tani ka arkëtuar më shumë se 1 miliard.
Ky do ishte filmi i dytë për Skënderbeun.
I pari është krijuar në vitin 1953 nga rusët.
Enver Hoxha ia kërkoi si nder Stalinit që vuri vetëm një kusht : rolin e Skënderbeut do ta luante një shoku i tij me emrin Akaki Horava, që për fat të keq ishte tullac.
I destinuar të barazojë llogaritë mes superfuqive, Skënderbeu që ishte sovjetik herën e parë, mund të jetë amerikan herën e dytë.
Në fund të fundit kjo është natyra e tij e dyfishtë : edhe i krishterë edhe mysliman, edhe Gjergj edhe Skënder, edhe lindor edhe perëndimor.
Në këtë mënyrë qeveritë tona do mburreshin me të drejtë se lanë pas monumentin kulturor më të madh të të gjitha kohërave.
Por përveç një Skënderbeu të luajtur nga një aktor i madh modern, përmes këtij filmi do fitonim edhe shumë heronj që koha i ka tretur pa ju krijuar një portret që mbahet mend.
Magjia e kinemasë do krijonte fytyrën e vuajtur të Donika Kastriotit që priti kthimin e Skënderbeut nga luftërat më gjatë se Penelopa, të Mamicës inteligjente që është zhubrosur aq keq nga silikoni elektoral i mitingjeve tona, të Hamzait të përkëdhelur që tradhëtoi xhaxhain e vet pët t’u bërë mbret dhe të Aranit Komnenit, Agamemnonit tonë me nëntë vajza që e kishte Skënderbeun dhëndër.
Ne nuk i kemi imazhet e tyre në kujtesën tonë.
Hollywoodi mund të na i krijonte me galerinë e aktorëve të mëdhenj.
Atëherë kinematë e botës do tejmbusheshin, Kruja do bëhej qyteti më i vizituar mbi tokë, vendet ku ka luftuar Skënderbeu do ktheheshin në pelegrinazh dhe Shqipëria do ju dukej njerëzve si një tokë heronjsh, kurse ne do kishim Skënderbeu Game of Thrones, muzeun më të madh të historisë sonë në një film.
Por përfitimet e këtij projekti nuk janë vetëm financiare.
Ne kemi nevojë për Skënderbeun, sa ç’kanë nevojë grekët për Odiseun.
Shqiptarët jetojnë më mirë se 100 vjet më parë dhe shumë më mirë se 30 vjet më parë, por prapë nuk jetojnë mirë.
Shembujt pozitivë janë shumë pak, modelet e këqija trimfojnë kudo.
Nëse je i mirë humb, nëse je i keq fiton.
Kush beson se jeton mirë si shqiptar, jeton keq si evropian.
Prandaj kemi nevojë më shumë se kurrë për Skëndërbeun.
Për të na dhënë pak besim.
Pak vetëbesim se nuk jemi një popull kamarierësh që i nxjerrin thikën turistëve në plazh, por jemi një popull heronjsh.

Pse duhet të bashkohemi me Kosovën dhe gjysmën e Maqedonisë

13 August 2026 at 10:01

Nga Ben Blushi

Deklarata e Sekretarit Amerikan Marko Rubio, se shtetet që nuk prodhojnë dot ilace dhe anije nuk do egzistojnë, duhet t’i ketë vënë në panik nja 40 vende të botës që kanë më pak se 3 milion banorë.

Nga gjithë këto shtete, gjysma nuk kanë det dhe prandaj nuk kanë pse prodhojnë anije, kurse gjysma tjetër që kanë det nuk prodhojnë as anije dhe as ilace.

Megjithëse nuk është kërcënim, deklarata e Marko Rubios është paralajmërim.

Duket sikur koha e shteteve të vegjël që u krijuan në dy qind vitet e fundit nga gërmadhat e perandorive po skadon.
Në vitiin 1900 bota kishte vetëm 77 shtete nga 195 që ka sot. Evropa kishte vetëm 24 shtete nga 44 që janë sot, kurse Afrika kishte vetëm tre shtete nga 54 sot.

Por tani që ka më shumë shtete bota ka më shumë lufëtra, më shumë konflikte dhe më shumë pasiguri.

Kush lexon librin e mrekullueshëm të Stefan Zweig, Bota e Djeshme, e kupton sa të qetë ishin evropianët që jetonin në një rend pa shtete të vogla.

Por edhe pa e lexuar Zaeigun, shtetet e mëdha janë të bindura se shtetet e vogla kanë lindur vetëm për një arsye: për tua nxirë jetën shteteve të mëdha.

Kështu mendojnë turqit kur shohin hartën e Ballkanit, gjermanët kur shohin hartën e Evropës dhe rusët kur shohin hartën e Azisë.

Pa dyshim kështu mendojnë edhe amerikanët sa herë ju duhet të ulen në tavolinën e NATO-s bashkë me dhjetëra shtete lilipute të cilat kanë më pak armë se shoqata e gjuetarëve të Teksasit.

Prandaj duke dëgjuar Marko Rubion mu duk sikur po dëgjoja një njeri që e ka humbur durimin.

Amerika e thotë hapur se duhet të aneksojë Kanadanë, Rusia po e gëlltit Ukrainën me shpejtësinë e një hipopotami, kurse Kina mezi po pret ta fshijë Taiwanin nga faqja e dheut.

Kur të mbarojë kjo fazë, gjuetija e shteteve të mëdha do vazhdojë sipas doktrinës Rubio : kush nuk ka ilace vdes, kush nuk ka anije mbytet.

Dhe nëse kjo recetë e frikshme kthehet në doktrinë, cdo njeri që jeton në Shqipëri duhet të jetë në panik.

Shqipëria konsumon 5000 ton ilace në vit, por 90 për qind të tyre i blen jashtë. Me këto ritme as për 100 vitet e ardhshëm ne nuk do prodhojmë dot ilacet që na duhen.

Sipas kritereve të Marko Rubios nuk duhet të ezgistojmë.

Atëherë si do mbijetojmë?

Si mund të bëhemi një shtet pak më i madh që t’i shpëtojmë gllabërimit nga perandoritë që prodhojnë ilace dhe anije?

Ndryshe nga qindra vende të vogla të botës ne kemi një mundësi.

Kjo mundësi është të sillemi si vendet e mëdha. Me pak fjalë të gllabërojmë vende të tjera para se të gllabërohemi vetë.

E di që shumë njerëz nuk do ta gëlltisin dot këtë që po them.

Kombi ynë romantik e ka kthyer dorëzimin pa kushte në një medalje teneqeje.

Ne jemi edukuar të besojnë se duke mbetur të vegjël u bëmë më të mirë, ndërkohë që fqinjët që na morrën territore u bërë të këqinj.

Asnjëra nuk është e vërtetë.

Bota nuk njeh shtete të mira dhe shtete të këqija, por shtete të mëdha dhe shtete të vogla.

Gjermanët ishin shumë te këqinj, por meqë mbetën të mëdhenj tani janë të mirë.

Në Luftën e Dytë Botërore japonezët ishin shumë të këqinj tani janë shumë të mirë.

Të mëdhenjtë kanë gjithnjë të drejtë, kurse të vegjëlit e kanë gabim edhe kur kanë të drejtë.

Prandaj meqë nuk prodhojmë dot as ilace dhe as anije, për t’u bërë të mëdhenj ne duhet të bëjmë dicka tjetër. Së pari të bashkohemi me Kosovën.

Ky është i vetmi opsion që zgjidh dy ngërce njëkohësisht:
Edhe hallin e Kosovës edhe hallin e Shqipërisë.

Sipas kritereve të Marko Rubios, Kosova është aq e pashpresë saqë nuk mbijeton dot.
Madje ajo është aq e vogël saqë jo vetëm nuk prodhon dot as anije dhe as ilace, por nuk zgjidh dot asnjë krizë.
Kosova po thyen rekord botëror duke shkuar në zgjedhje katër herë për dy vjet.
Nuk ka president, nuk ka qeveri, nuk ka parlament. Asnjë pushtues nuk do ta qeveriste dot më keq.
Megjithëse ndërkombëtarët nuk e duan bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, njerëzit që e sabotojnë këtë projekt jetojnë kryesisht në Kosovë.

Ndryshe nga njëzet vjet përpara, shumica e kosovarëve nuk e do bashkimin me Shqipërinë.
Ata mendojnë se ne nuk jemi sa duhet të purifikuar, të ndershëm dhe nuk e mbrojmë sa duhet natyrën tonë.
Po të pyeteshin me referendum, 65 për qind e kosovarëve do refuzonin të jetonin në një shtet të cilin, sipas tyre, e drejton mafia në bashkëpunim me grekët.

Mënyra si na shohin kosovarët i ngjan fabulës së vëllait të vogël që nuk do të jetojë në një shtëpi me vëllain e madh sepse kur ishin këmbëzbathur, i madhi vodhi një palë këpucë për të dy.

Por nëse do e merrnim seriozisht paralajmërimin e Marko Rubios edhe Kosova edhe Shqipëria duhet të nguten.

Bashkimi e shpëton Shqipërinë nga mallkimi i shtetete të vogla, kurse Kosovën nga falimentimi i sigurt dhe kërcënimi i përditshëm i Serbisë.

Ndërkaq mundësia jonë për t’u bërë një shtet pak më i madh nuk mbaron në Kosovë.
Maqedonia është një opsion i hapur.
Evropa nuk ka pasur kurrë një shtet më të panevojshëm se ky.
Maqedonia është një sajesë që u krijua atëherë kur mbetjet e saj jugosllave nuk mund t’i ngjiteshin askujt.
Jugosllavia u prish me një kusht : asnjë copë e saj nuk duhej t’i bashkohej një shteti fqinjë.
Kështu Maqedonia u bë shtet nga halli.
Natyrisht ne nuk e pushtojmë dot Maqedoninë, por duhet të lutemi cdo ditë që ky shtet të prishet nga brenda dhe gjysma e saj të bashkohet me Shqipërinë.

Por edhe në këtë rast ka një pengesë : shqiptarët e Maqedonisë.
Ndryshe nga kosovarët që mendojnë se ne nuk jemi shumë të pastër moralisht, shqiptarët e Maqedonisë mendojnë se ne nuk jemi sa duhet islamikë. Për fat te keq islamizmi ekstrem i shqiptarëve të Maqedonisë është faktori kryesor që e mban këtë shtet në këmbë.

Të gjitha partitë shqiptare atje janë një dështim i komanduar me sukses nga maqedonasit.
Përpjekjet e tyre nuk kanë sjellë asnjë përparim të matshëm dhe për fat të keq shqiptarët e Maqedonisë kanë jetuar më mirë në Jugosllavi se sot.
Atëherë ishin laikë të varfër, sot janë islamikë të mjerë.
Islami radikal që i largon ata nga Shqipëria tani po bëhet edhe politik.

Duket paradoksale, por deshqiptarizmi i Islamit tradicional po i mëson shqiptarët e Maqedonisë të vendosin fenë para kombit dhe Maqedoninë që e ushqen Islamin, para Shqipërisë që nuk e ushqen.
Prandaj mundësia për ti shpëtuar paralajmërimit të Marko Rubios kalon nga shfarosja politike e kinse puritanëve kosovarë që na shohin si të ndotur dhe maqedonasve islamikë që na shohin si myslimanë të papastër.
Nëse eskimezët e Groenlandës janë interes strategjik i Amerikës atëherë edhe shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë duhet të jenë interes strategjik i Shqipërisë.

Shqipëria duhet të ketë një politikë të re kombëtare për këto dy shtete. Miratimi pa kushte i defekteve të vëllait të vogël nuk është më politikë. Infektimi i tyre ideollogjik është i barabartë me tolerimin e ndotjes së ujërave të lumit ku pi ujë. Cështja është se nuk kemi shumë kohë. Nëse ne nuk lëvizim do lëvizin ata. Kinse puritanët e Kosovës dhe islamikët e Maqedonisë do përpiqen të na bëjnë si vetja. Dhe provën gjenerale kanë 70 ditë që e shfaqin në Bulevardin e Tiranës.

Odisea i Matt Damon dhe Odisea i Bekim Fehmiut

28 July 2026 at 21:29

Nga Ben Blushi

Dy ditët e fundit pashë dy Odise.

Atë të Matt Damon që po përmbyt kinematë e botës dhe Odisean e aktorit kosovar Bekim Fehmiu të xhiruar në vitin 1968 nga italianët.

Me një sy të shpejtë, versioni i ri ngjan me bagazhin e një kamioni të mbushur me emigrantë që zihen me njëri-tjetrin ndërsa ndiqen nga policia, kurse varianti i vjetër i ngjan një varke që lundron ne det të hapur ndërsa pasagjerët e saj vuajnë nga kujdesi i tepërt i perëndive.

Si në cdo veprimtari të paligjshme edhe në filmin e ri problemi më i dukshëm janë burrat.

Ankthi i pandërprerë i shokëve të Odisesë është linja që përshkon filmin nga fillimi deri në skenën e fundit që mbaron si episodi i paxhiruar i filmit Titanik, kur Odisea dhe Penelopa largohen me anije për të shijuar dashurinë e tyre në vende të panjohura.

Duket sikur në përfundim të xhirimeve rregjisori është bërë pishman dhe pasi ka folur me gruan në telefon ajo i është lutur që atë zymtësi dhe ankth ta mbyllë me një skenë romantike që i përcjell spektatorët në shtëpi me një shije pak më të ëmbël në gojë.

Pra filmi mbaron me një happy end standard që është gjetja më e konsumuar e kinemasë amerikane.

Por derisa të vish te ky happy end që zgjat vetëm dy minuta, ke kaluar tre orë ankth dhe errësirë të sajuar me efekte kompjuterike të cilat i kanë bërë plazhet e Mesdheut të duken si peisazhe tropikale që Hollivudi i përdor për filmat me Tarzanin.

Aktorët që shoqërojnë Odisenë mund të jenë pasqyra reale e kohës sonë, kur burrat torturohen në trafik, rrudhen në punë, plaken në vetmi, sëmuren nga divorcet dhe lënë gjithë kursimet e jetës në spitale të tmerrshme, por ata nuk kanë asnjë lidhje me monotoninë lineare të banorëve të Mesdheut para tre mijë vitesh.

Në atë kohë njerëzit kishin shumë frikë por nuk kishin stres.

Kurse aktorët e Kristofer Nolan kanë edhe frikë edhe stres.

Ata nuk kanë asnjë çast qetësije, asnjë pushim, asnjë gëzim. Ata nuk e shijojnë diellin, kripën dhe shoqërinë e perëndive të mrekullueshme që në atë epokë kanë qenë shumë të pranishme në jetën e njerëzve duke krijuar njëkohësisht pasiguri dhe siguri.

Perënditë e Odisesë së ri jo vetëm nuk janë njerëzore dhe shpëtimtare por janë një katalog sëmundjesh epidemike të kohës sonë. Ato janë stresi, paniku i përhershëm, pasiguria, vetmia dhe errësira e shpirtit të dënuar nga urbanizmi i jetës së përditshme.

Edhe vetë Kali i Trojës, simboli më i madh teknologjik i Epokës së Bronzit, në filmin e Kristofer Nolan i ngjan një makine të ditëve tona që duket sikur ka dalë nga varrezat e hekurishteve të kontintentit amerikan dhe rastësisht është gjendur në një plazh mesdhetar.

Kali i Trojës nuk ishte vetëm një dhuratë por ishte një shpikje dhe kjo është arsyeja pse trojanët e morën për të kuptuar si funksiononte ajo makinë lufte që ka shërbyer si tanku i parë në histori. Njëlloj si në tank aty u fshehën luftëtarët duke detyruar armiqtë e tyre t’i marrin në shtëpi pa e ditur se ata janë brenda.

Kristofer Nolan nuk e trajton Kalin e Trojës si një shpikje të Odiseut por si një mbetje ushtarake.

Mirëpo makina e përdorur e Kalit të Trojës nuk është asgjë para deformimit të grave që shfaqen në këtë film sikur sapo kanë dalë nga puna.

Aktoret ngjajnë me shitëset e supërmarketeve amerikane ku shoferët e kamionave të mbushur me mallra konsumi ndalojnë për t’u furnizuar, për të ngrënë ndonjë hamburger të ftohtë dhe për të shkuar në tualetin e shpifur të banalitetit të rrugëve.

Nuk besoj se ka ndonjë film tjetër që i ka shëmtuar gratë më shumë.

Megjithatë çështja nuk është se gratë e Odisesë janë të shëmtuara. Çështja është se ato duken si gratë nevrastenike të kohës sonë që dalin nga fabrikat kapitaliste, që janë gjithë kohën të bezdisura dhe prandaj ngacmojnë cdo njeri që ju del përpara me fjalorin e dhunshëm të instagramit.

Problemi nuk është se Helena është e zezë por sepse ajo nuk ka klas. Për atë zhubravitje me shenjë në faqe nuk ja vlen të bësh asnjë luftë.

Helena duket si një kamariere zevzeke që gjithë kohën shan klientët pasi përcmon burrin e vet idiot, ndërkohë që shtriga Circe ngjan si një pastruese motelesh diku mes Teksasit dhe Arizonës, Kalipso është një mësuese e lodhur nga braktisja e një adoleshenti të llastuar, kurse Penelopa jo vetëm nuk është inteligjente, por mban mbi lëkurë të gjitha rrudhat e vanitetit që ju krijohen grave angleze nga rutina e cajit të pasdites.

Odisea është një histori e mbushur me eros. Por pikërisht erosi është elementi që i mungon aktoreve të Kristofer Nolan.

Ky është një film pa asnjë puthje në kohën kur njerëzit shkonin në luftë për një puthje.

Seicilës prej këtyre grave i mungon tharmi, pra tërheqja e fortë për të cilën Odisea sakrifikon jetën duke udhëtuar njëzet vjet nga një grua tek tjetra.

Odisea është udhëtimi i cdo burri në botën e misterëshme të grave. Gjatë këtij udhëtimi ai shijon, provon, teston dhe mëson derisa kupton se çfarë do.

Odisea është historia e një burri që pasi njeh një shtrigë djallëzore si Circja, një bukuri të pavdekshme si Kalipso dhe një lolitë qumështore si Nausika zgjedh të jetojë me gruan e vet të zakonshme dhe të vdekshme.

Drejt saj e con erosi, vdekja dhe kujtimet.

Por ndryshimi i grave të filmit të vjetër të viteve 60, me ato të filmit të ri është edhe më i thjeshtë : të parat janë më të bukura, me sensuale por më të ngathëta, kurse të dytat janë të shëmtuara, të egra dhe shumë histerike. Aktoret e Odisesë së ri mezi presin të mbarojë xhirimi për të pirë një antidepresiv që ju është djersitur në xhep nga dielli i fortë i Mesdheut që ato i bën me dhimbje koke.

Fytyrat e tyre kanë një shqetësim që gratë tre mijë vjet më parë nuk e kanë njohur. Është shqetësimi i karrierës, i punës, i shpejtësisë së jetës, i avionave, lëvizjeve, cmimit të bukurisë, plakjes plastike, kozmetikave të skaduara dhe potencës së dyshimtë të burrave. Gratë e Homerit nuk i kanë patur këto halle. Ato ishin shtëpiake, nuk i jepnin makinave, nuk kishin tik tok dhe zbukuroheshin me produkte natyralë vaj, bimë, gjallesa deti, gjethe të lagura nga vesa dhe puthje të gjata.

Por shëmtija e grave nuk është asgjë para deformimit virtual që Kristofer Nolan ju ka bërë përbindëshave të bukur mitologjikë.

Në vitet 60 filmat nuk bëheshin me kompjuter dhe përbindëshat ishin aktorë të zmadhuar me lente. Megjithatë Polifemi italian është shumë më i vërtetë se kakzozi i verdhë që kishte sajuar Kristofer Nolan. Ky gjarpër kaucuku me dy këmbë të cilit në asnjë cast nuk iu duk organi mitologjik që ka ndryshuar letërsinë e botës, pra syri i vetëm, është një shpifësirë. Aty filmi ngjan me një lojë fëmijësh ku epërsia teknologjike vret krijesën e saj.

Përbindëshat e Odisesë nuk kanë ekzistuar. Ato ishin metaforat e vështirësive të jetës dhe prandaj ishin të bukura, në harmoni me natyrën dhe kishin tipare njerëzore. Duket sikur Kristofor Nolan ka besuar vërtet se ato qenije kanë ekzistuar dhe arsyet e këtij keqkuptimi duhen kërkuar në fëmijërinë e leximeve të tij të cekëta.

Mua më vjen keq pse ka zhdukur sirenat e detit që simbolizojnë dhe sot joshjen vrastare, por pikërisht kjo zhdukje e ka bërë vuajtjen e Matt Damon të duket shumë artificiale. Ky cast magjik i mbushur me muzikë hyjnore gjatë të cilës Odisea është i lidhur me litarë kalon shumë shpejt, megjithëse ky është momenti kur Odisea testohet si burrë dhe jo si luftëtar dhe as si prijës.

Për fat të keq Kristofer Nolan e ka zhveshur Odisenë jo vetëm nga burrëria, por edhe nga të gjithë tiparet e tij dalluese që janë madhështia, dinakëria, egërsia dhe maskuliniteti.

Matt Damon nuk është as madhështor, as dinak, as obsesiv, as i egër dhe as mashkullor.

Portreti i tij ka gjurmët e të gjitha halleve të burrave të shekullit tonë që Odisea nuk i njihte. Ai mendon për spektatorët, për rrudhat e fytyrës, për dietën, për ekologjinë trupore, për yndyrën e tepërt, për palestrën e famës së shpejtë, për cmimet Oscar, por asnjë cast nuk mendon për natyrën, për dashurinë, për dhimbjen, për vetminë dhe lavdinë pas vdekjes.

Matt Damon është një Odise që nuk mendon. Ai nuk ka shpirt, nuk ka egërsi, nuk ka forcë, nuk ka seks.

Ai është fake.

Në krahasim me Bekim Fehmiun, Matt Damon duket si një balerin plastik që ka frikë të hidhet mbi dallgët e kohës. Në asnjë cast mendja e tij dinake nuk thotë dicka të zgjuar, nuk zgjidh një krizë, nuk krijon një befasi dhe nuk shkakton një furtunë.

Matt Damon nuk është asnjëherë shkaku. Ai është pasoja e vendimeve që marrin forcat e tjera.

Në të kundërt Bekim Fehmiu është shkaku i tragjedisë së vet. Troja, gratë, luftërat, tradhëtitë, vuajtjet dhe aventurat janë të gjitha pasojë e veprimeve të tij. Odisea kërkon të ndëshkohet për atë që ka bërë dhe i mbijeton ndëshkimeve duke ndryshuar vendimet e perëndive.

Odisea i Bekim Fehmiut i sfidon perënditë.

Kjo është arsyeja pse ai i mbijetoi historisë. Sepse i detyroi perënditë ta kthenin në shtëpi kur e kutpuan se ai ishte i pathyeshëm.

Matt Damon nuk ka asnjë nga këto cilësi. Ai duket si një Odise i penduar. Nëse do i jepej një mundësi tjetër ai nuk do bënte më asgjë nga gjërat që ka bërë. Prandaj në fund ikën me gruan në një muaj mjalti duke hedhur poshtë jetën që ka bërë.

Pikërisht këtu ndryshon me Bekim Fehmiun. Bekimi nuk shfaq asnjë pendesë. Ai është kokëfortë, i vendosur dhe e ka shijuar jetën e vet. Ai nuk ka asnjë pishman. Do bënte cdo gjë që ka bërë pa ndryshuar asgjë.

Ndryshe nga Matt Damon, Bekim Fehmiu luan, qesh, dashuron, tradhëton, rrëzohet, ngrihet dhe niset drejt aventurës së re.

Ai nuk ka frikë.

Prandaj Bekim Fehmiu është Odisea më i vërtetë që kemi parë.

Ai është Odisea.

Mjerimi i botuesve shqiptarë

14 February 2026 at 16:51

Nga Ben Blushi

Pata mundësi të ndjek një seancë parlamentare ku disa botues ishin thirrur të jepnin mendime për ligjin e librit dhe pas dy orësh të mërzitshme nuk kuptova asgjë.

Pra nuk kuptova nëse botuesit ishin pro ligjit, kundër ligjit, apo kishin disa propozime për ta ndryshuar ligjin.

Por kur u pa qartë se botuesit kishin shkuar në takim pa asnjë qëllim, ata arritën sidoqoftë një fitore të vogël megjithëse as këtë nuk e kishin qëllim.

Me tekstin e tyre jashtë kontekstit, ata i hutuan deputetët dhe kështu një seancë që duhet të përmirësonte ligjin e librit u kthye në një muhabet ku u fol për gjithçka, përfshi edhe për facebookun tim.

Meqë i njoh prej vitesh botuesit e Shqipërisë, kam arritur të kuptoj se nuk ka asgjë që ata e urrejnë më shumë se njëri-tjetrin.

Por edhe pse nuk honepsen fare, ata bashkohen gjithmonë në një pikë: që tregu i librit të mbetet informal.

Informaliteti është arma e tyre, pushteti mbi shtetin dhe diktati mbi shkrimtarët.

Ata e kanë kthyer kaosin në normë, rrëmujën në rregull dhe errësirën e shifrave në një abazhur me të cilën vënë në gjumë shkrimtarët.

Disa ditë më parë u detyrova të akuzoj publikisht një ish botuesen time për vjedhje.

Presioni natyrisht bëri efekt dhe pas dy ditësh ajo i përmbysi shifrat që më kishte raportuar dhe i korrektoi jo me një, as me dy, por me dhjetë herë.

Pra pranoi se më kishte vjedhur dhjetë fish.

Dhe meqë unë u ankova se sistemi i shitjes së librit i jep mundësi botuesve t’i vjedhin shkrimtarët, deputetët i pyetën botuesit në seancën e hapur.

Siç e prisja, njëri prej tyre, me sigurinë e një eprori, pra jo vetëm të shefit të botuesve por edhe të shefit të vetë shkrimtarëve, tha se çështja e vjedhjes nuk është fare çështje pasi kjo zgjidhet me kontratë.

Me pak fjalë botuesi tha se çdo shkrimtar mund të kontrollojë depot, mund të numërojë tirazhet, të bëjë roje te shtypshkronja, të presë kur furgonat me libra dalin që aty, t’i shkruajë letra tatimeve, pastaj kur të gjithë këto përpjekje dështojnë, të bëjë një xhiro nga Prishtina në Sarandë duke pyetur sa libra janë shitur.

Kështu, me tundjen e kokës së botuesve dhe me uljen e kokës së deputetëve, ky muhabet u mbyll dhe ligjit të librit nuk iu bë asnjë përmirësim.

Për fat të keq askush nuk pyeti si ndodh në Francë, në Itali, në Slloveni apo në Finlandë ku botuesit dhe shkrimtarët nuk akuzojnë njëri-tjetrin për vjedhje, sepse marrëdhënien e tyre të shëndoshë e garanton shteti.

Për formalizimin e tregut nuk u fol fare sepse kjo temë nuk u intereson botuesve dhe askush nuk tha se cdo libër i shitur pa faturë fiskale ka dy përfitues dhe dy humbës.

Sa herë një libër shitet pa faturë dy veta kanë vjedhur dy të tjerë.

Botuesi dhe shitësi kanë vjedhur autorin dhe shtetin.

Kaq e thjeshtë është.

Sikur të isha në atë seancë do t’i bëja vetëm një pyetje deputetëve që u hutuan nga marifetet e botuesve dhe i trajtuan shkrimtarët si prodhues zarzavatesh që kanë ngatërruar plehun kimik.

A e dinë ata kush ka qenë botuesi i Naim Frashërit ?

Po botuesi i De Radës?

Po botuesi i Migjenit kush ka qenë?

Asnjeri nuk e di dhe nuk ka pse ta dijë.

Botuesit e tyre koha i ka mbuluar me pluhur.

Njerëzit lexojnë shkrimtarët bashkë me librat e tyre.

Kur një shkrimtar shkruan keq fajin nuk e ka as shteti as botuesi por shkrimtari vetë.

Shkrimtarë pa botues ka, por botues pa shkrimtarë nuk mund të ketë.

Homeri nuk kishte botues dhe ndoshta prandaj i rezistoi kohës.

Por për fat të keq në Shqipëri është krijuar një sindikatë botuesish që kanë më shumë të drejta se shkrimtarët.

Ata dalin në televizor nga mëngjesi në darkë, ata flasin për shkrimtarët, ata janë kritikë, taktikë, teknikë, shitës, shtypës, lidhës, zgjidhës, tregtarë dhe xhandarë.

Ata pyeten kur ndryshojnë ligjet, ata pyeten sa ta bëjmë tvsh e librit, atyre ju merret mend si do jetë qendra e librit, sa para do harxhohen aty, kujt do t’i jepen ato, ata japin nota, vendosin kuota, vlerësime, fjalime dhe ata i bëjnë gjyqin shkrimtarëve.

Ata janë tregtarë që sillen si pronarë dhe akuzojnë shkrimtarët se pse nuk shiten më shumë libra.

Për hir të së vërtetës shkrimtarët shqitarë nuk shkruajnë më keq se shkrimtarët grekë, serbë apo maqedonas por shiten shumë më keq se ata.

Botuesit e Shqipërisë dinë të shesin, por nuk dinë të marketojnë ç’ka do të thotë se nuk dinë as të shesin.

Kohët kanë ndryshuar. Dikur shitej sot marketohet.

Por atë pjesë të kostos së një libri që duhet të shkojë për marketing botuesit e përdorin për të dalë në televizor vetë dhe kështu nuk shesin shkrimtarët por mendimet e tyre.

Ata e trajtojnë marrëdhënien me shkrimtarin si një marrëdhënie tregtare kur nuk duhet dhe nuk mund të jetë kështu.

Duam apo nuk duam Shqipëria që kemi sot nuk është prodhim i tregtarëve por i shkrimtarëve.

Rilindja që e krijoi këtë vend nga vjershat, nuk ishte një aktivitet tregtar, por ishte një aktivitet kulturor që më vonë u bë dhe politik.

Kështuqë Shqipëria i ka një borxh edhe më të madh shkrimtarëve.

Sikur brenda kësaj jave të mallkuar të mos e kisha kapur ish botuesen time në flagrancë duke më vjedhur dhe sikur nja dy botues të tjerë, që i kam miq, mos ma shpifnin duke folur kaq shëmtuar për shkrimtarët, nuk do isha futur në këtë tunel interesash të ngushta.

Por meqë jam mësuar të zihem edhe me deputetët edhe me botuesit duhet të them dicka për të dy palët.

Çështja e librit në Shqipëri nuk është një problem tregtar.

Çështja e librit është një problem kombëtar.

Kur dikush kërkon të shërojë një pandemi, ai flet me mjekët dhe shkencëtarët dhe jo me tregtarët e ilaceve.

Kështu është edhe puna e librit sot.

Shqipëria është përballë një pandemie.

Kjo pandemi quhet injorancë.

Sipas statistikavë zytare ne jemi vendi i fundit në Evropë për lexim librash, i fundit në Evropë për librari për frymë, jemi një vend ku 80 për qind e njerëzve pranojnë se nuk kanë lexuar asnjë libër për pesë vitet e fundit.

Praktikisht jemi vendi më injorant në Evropë aktualisht.

Dhe nëse sëmundjet e trupit shërohen me ilace, injoranca, që është sëmundja e sëmudjeve të një shoqërie, shërohet vetëm me lexim.

Me libra.

Prandaj cështja e librit nuk duhet trajtuar si një allishverish i botuesve por si një krizë me përmasa kombëtare.

Meqë i njoh shumë mirë botuesit, sic njoh shumë mirë dhe deputetët, e di poaq mirë se ku përfundon shartimi i këtyre dy racave.

Zakonisht askund.

Vjen një ditë kur ata sillen njëlloj dhe bëjnë të vetmen punë që dinë të bëjnë : të flasin shumë pa thënë asgjë.

Dikur kisha një botues i cili pasi shiti 30 mijë kopje vetëm nga një libër i imi, si për t’i vënë një qershi tortës së nderit që i kisha bërë, më kërkoi ta bëja deputet.

E bëra dhe që atë ditë u cmend.

Kjo histori mu kujtua kur pashë seancën për librin në kuvend.

Botuesit u përpoqën të cmendin deputetët dhe pothuajse ia arritën.

Si vidhen shkrimtarët nga botuesit prej silikoni

6 February 2026 at 15:01

Nga Ben Blushi

Nuk do isha marrë me xhunglën e shitjes së librit nëse botuesja që kam patur deri para disa muajsh nuk do më kishte vjedhur në një mënyrë spektakolare dhe shumë të trashë.
Më shumë se fyerja që ndjeva kur mora raportin e saj vjetor, më acaroi mungesa totale e kujdesit që tregoi kur më vodhi.
Me pak fjalë, nuk u hidhërova se po vidhesha por sepse njeriu që po më vidhte nuk bëri asnjë përpjekje për të më bindur se nuk po më vidhte.
Por kjo marrëdhënie kaq e shëmtuar dhe e pështirë nuk lind vetëm nga karakteri i deformuar i botueses sime, që ka një emër derrkuci plastik, por nga një anomali shqiptare.
Ligji i jep asaj mundësi të vjedhë.
Dhe ajo e bën pa u merakosur fare se unë mund ta kap për sa kohë që ligji nuk e kap.
E gëzuar që ka vjedhur një autor, ajo shtrydh silikon nga dhjami i një shkrimtari, në një vend me dy milion banorë, 80 për qind e të cilëve kanë pesë vjet që nuk lexojnë asnjë libër, sipas statistikave zyrtare.
Me këto përmasa vjedhja e dhjamit bëhet edhe më tragjike.
Por vjedhja që botuesit i bëjnë shkrimtarëve ka një aleat të madh. Ky është shteti.
Në gati njëzet vjet që botoj, kam njohur disa botues dhe pavarësisht se me të gjithë kam pasur kontrata të shkruara, marrëdhënien me ta e kam bazuar kryesisht mbi besimin.
Në ndonjë rast botuesit e mi kanë qenë delirantë, në ndonjë rast kaotikë, në ndonjë rast edhe kaotikë edhe delirantë, por kjo sjellje që na ka dëmtuar të dy palëve njëlloj,nuk më ka shtyrë asnjëherë të dyshoj se dikush prej tyre po më vjedh.
Edhe sot nuk besoj se ata më kanë vjedhur, megjithëse po të donin mund ta bënin sepse këtë ua lejon shteti.
Një fshatar i mirë që shet patate apo një prodhues i vetmuar patkonjsh e di në cdo rast sa mall prodhon dhe sa shet.
Ai i mat patatet me kile, kurse patkonjtë nuk mund të jenë asnjëherë më shumë se kuajt e fshatit.
Kurse libri nuk matet dot me kile dhe autori asnjëherë nuk e di sa është shtypur dhe sa është shitur.
Unë dëgjoj çdo ditë me dhjetëra ankesa nga shkrimtarë të ndryshëm, marrëdhënia e të cilëve me botuesit i ngjan një gjelle të kripur me lot.
Sa më shumë që tregu i librit zvogëlohet aq më të pamëshirshëm bëhen botuesit edhe kur qëllon që janë burra apo gra shumë më të mira sesa derrkucja plastike që më ra mua në hise.
Por për fat të keq edhe ligji i ri për librin, që po diskutohet në parlament nuk e mbron autorin dhe nuk i jep atij asnjë mundësi të mbrohet.
Edhe kur je i sigurt që je vjedhur nuk mbledh dot asnjë provë që je vjedhur, sepse infrastruktura e librit mungon.
Libri sot nuk ka ku shitet sepse libraritë janë zhdukur.
Shqipëria është e fundit në listën e leximit të vendeve europiane dhe po ashtu në listën e librarive për frymë.
Në gjithë vendin nuk ka më shumë se pesë librari në të cilat shiten vetëm libra dhe jo camcakiza, coca cola, fanta, topa dhe cadra plazhi.
Përveç Tiranës që ka vetëm një librari moderne, në qytetet e mëdha si Korca, Elbasani, Shkodra, Vlora dhe Fieri libraritë ku dikur shiteshin libra janë një kujtim i njerëzve mbi 60 vjec.
Ng Vlora deri në Sarandë ku pushojnë nja 1 milion njerëz nuk ka asnjë librari.
Të thuash që shqiptarët nuk lexojnë është e padrejtë, por të thuash që ata pengohen të lexojnë është shumë e vërtetë.
Mungesa e librarive e ka kthyer Panairin e Librit në një dyqan të madh ku njerëzit vijnë një herë në vit dhe blejnë libra me shumicë.
Aty kuptohet sa shumë vuajnë shqiptarët për të gjetur një libër.
Në qytetet e vogla të blesh një libër është një torturë. Aty libri nuk shkon kurrë.
Në këto kushte botuesit shesin cdo ditë e më pak dhe natyrisht për të kompensuar humbjet e tyre ia hedhin peshën vertebrës më të dobët : shkrimtarit.
Askush nuk e beson, por në listën e fitimeve të librit ai që e shkruan fiton më pak nga gjithë të tjerët.
Autorët marrin më pak se shteti, se shitësi, se shtypësi dhe botuesi dhe të katër këto kollona të industrisë së librit shkrimtari i mban mbi shpinë.
Por kur këto katër palë që ta nxijnë jetën duke të hipur sipër edhe të vjedhin me rradhë, tortura bëhet edhe më e padurueshme.
Natyrisht ligji i librit nuk mund të rregullojë këto marrëdhnëie tregtare, por ai mund të bëjë dicka tjetër : të mbrojë autorët nga vjedhja.
Në Evropë kjo marrëdhënie mbrohet kollaj.
Si të gjiithë mallrat që shiten në një supermarket leximi i procesit të shitjes së një libri në kasën fiskale të librarisë, i raportohet njëkohësisht tre palëve : shtetit që merr tatimin, botuesit dhe autorit.
Pra një veprim kaq i thjeshtë fiskal i shpëton shkrimtarët e Shqipërisë nga kalërimi i derrkuceve plastike që për të ta bërë jetën edhe më pa shije dalin cdo javë në televizor duke folur për librat e tu që as i kuptojnë dhe as i kanë lexuar.
Kjo pjesë është edhe më e shpifur. Të vidhesh pa u lexuar.
Mua më ka ndodhur, por si mua edhe shumë shkrimtarëve të tjerë.
Megjithëse prej kohësh nuk kam asnjë dëshirë t’i tregoj qeverisë çfarë të bëjë apo çfarë të mos bëjë, besoj se ky shtet i ka një borxh shkrimtarëve të vet.
T’i shpëtojë nga derrkucet që shëmtohen me silikon të vjedhur nga dhjami i tyre prej pleshti.

Si janë përdorur fetë nga burrat kundër grave

25 December 2025 at 17:07

Nga Ben Blushi

Gjatë bisedës që pata në Korcë për promovimin e romanit Jam Musliman fola edhe për karakterin shumë mashkullor të feve.

Të gjjtha fetë por sidomos Krishtërimi dhe Islami, janë përdorur nga burrat për të nënshtruar gratë.

Librat e shenjtë thonë se gratë duhet të mbulohen dhe të ulin shikimin për të frenuar epshin e burrave kurse burrave nuk ju kërkohet ky frenim.

Nëse të dyja gjinitë janë njëlloj të ekspozuara ndaj deshirës së trupit atëherë sic mbulohen gratë duhet të ishin mbuluar dhe burrat që të mos ndjellin epshin e grave.

Imagjinoni sikur kjo kërkesë fetare të ishte kthyer në zakon dhe burrat të ulnin sytë sa herë shikonin nje grua, sa shumë dhunë, dhimbje dhe vrasje do ishin shmangur nga historia e njerëzimit e mbushur me aq shumë krime që burrat i kanë bërë grave.

Për fat të keq fetë ia kanë dhënë burrave të drejtën për të vendosur mbi gratë.

Edhe Krishtërimi dhe  Islami i kanë të gjjthë profetët meshkuj dhe asnjë profet i madh nuk është grua.

Këta profetë merrnin më shumë se një grua dhe shumë shpesh i trajtonin ato si skllave pavaresisht nga mosha e tyre.

Kjo praktikë ndiqet dhe sot në shumë vende sic ndodh edhe në romanin tim Jam Mysliman që tregon se si një burrë 70 vjec u martua me një vajzë 12 vjece.

Në këtë linjë mashkullore ka ecur edhe caktimi i njerëzve që duhet të rregullonin marrëdhënien mes Zotit dhe njerëzve. Klerikët janë të gjithë burra.

Asnjë prift nuk është grua dhe asnjë imam nuk është grua.

Sa ndryshe do ishte raporti i njeriut me besimin sikur Papa të ishte një zonjë, apo sikur Peshkopët të ishin gra, apo sikur nëpër xhami ezani të këndohej nga zëri i bukur i grave.

Fetë do ishin më të bukura dhe shumë më paqësore.

Gratë do kishin fituar më shumë të drejta shekuj më parë.

Por kjo nuk ka ndodhur.

Burrat kanë mbajtur monopolin e punëve të Zotit duke përdorur Perëndinë për të dominuar familjen e tyre.

Ky aspekt mashkullor i feve është pa dyshim një nga më të errëtit.

Mjafton kaq për të kuptuar sesi fetë janë orientuar nga interesat e ngushta tokësore dhe aspak nga interesat e shoqërive ku kanë lindur.

Vetë Zoti është vizatuar si një misogjen që i ka dhënë më shumë të drejta burrave se grave dhe kjo është pranuar për fat të keq nga vetë gratë.

Që ditën e parë kur ka krijuar gruan nga një brinjë e burrit, Zoti ka vendosur të mbajë anën e burrave.

Mjafton kaq për të kuptuar se edhe vetë Zoti është krijesë e imagjinatës së burrave.

Zotin e kanë krijuar burrat duke i dhënë atij tiparet e tyre të ashpra dhe pandjeshmërinë e tyre.

Që herët në lashtësi burrat i janë përveshur skalitjes së imazhit të Zotit që ka jo vetëm tipare mashkullore por edhe mendësi mashkullore.

Zoti që krijon një grua nga brinja e një burri në të vërtetë shkon në drejtim të kundërt me ligjet e natyrës e cila ka vendosur se burri krijohet pra lind nga një grua.

Gjatë debatit në Korcë një nga të ftuarat më tha se në fenë e krishterë ka shenjtore.

Është e vërtetë.

Por ato bëhen të tilla vetëm pas vdekjes.

Nëse nuk vdesin gratë nuk i shërbejnë Kishës si model.

Ben Blushi rikujton 9 dhjetorin e ’90-s: Do isha o i alkoolizuar ose në burg! Protesta e studentëve, këpucët mbeten në baltë si…

8 December 2025 at 16:50

Nga Ben Blushi 

35 vjet më parë në 9 dhjetor 1990 në mëngjes po shkoja në Fakultetin ku studjoja kur pashë për herë të parë një protestë. 

Ishin rreth 200 studentë që kishin zbritur nga konviktet e Tiranës dhe kishin bllokuar rrugën e Elbasanit. 

Ne qëndruam në kryqëzimin e Liceut për disa orë pa lëvizur, derisa dikush shtiu me armë në ajër dhe u shpërndamë me vrap pa ditur ku do shkonim. 

Ato ditë kishte rënë shi pa pushim dhe shumë prej atyre që vrapuan për t’i ikur policisë ju mbetën këpucët në baltën mes ambasadës italiane dhe amerikane. 

Kjo është metafora më e dhimbshme e Shqipërisë së asaj kohe. 

Shqipëria Komuniste ishte një fushë me baltë në mes të Perëndimit. 

Balta ishte simboli i zhytjes, kurse këpucët simboli i lirisë për t’i ikur zhytjes. 

Për fat unë arrita t’i shpëtoj këpucët e mia të shtrembëra të cilat më çuan në një shtëpi të panjohur ku mbeta derisa policia iku dhe rruga u hap. 

Të nesërmen shkova në Qytetin Studenti si qindra studentë që për katër ditë bënë të mundur diçka që e kisha menduar të pamundur. 

U vendos që Shqipëria të kishte më shumë se një parti politike dhe në ditën e katërt kjo parti u krijua. 

Shumë miq të mi nuk erdhën asnjëherë te Qyteti Studenti. 

Ata i kishin prindërit komunistë ose familjet nuk i linin për shkak të frikës. 

As unë nuk kisha shumë arsye të isha aty. 

Familja ime ishte komuniste. 

Gjyshi im nga mamaja kishte ardhur nga Franca të luftonte kundër fashizmit në vitin 1942. 

Vëllai i tij ishte vrarë në një demonstratë dhe sot është në varrezën e dëshmorëve të Elbasanit. 

Gjyshja ime kishte dalë partizane 18 vjeç. 

Ata vinin nga familje të mesme. 

U bënë komunistë duke besuar se ky rend do ta mbronte Shqipërinë nga pushtimet e huaja dhe mjerimi. 

Gjyshi im nga babai ishte një shofer me gjashtë fëmijë. 

Ngiste një makinë italiane që komunizmi ia zëvendësoi me një kamion rrakazhdraka me të cilën shpërndau fruta të ëmbla Korçe derisa kishte fuqi. 

Nuk u bë asnjëherë komunist dhe nuk tha kurrë se makina e vjetër ishte më e mirë se makina e re. 

Na donte shumë për të na e vënë jetën në rrezik për një ingranazh makine. 

Babai im erdhi student në Tiranë si djali i parë mes gjashtë fëmijëve. 

Ai u bë komunist si një njeri të cilit ai sistem i kishte dhënë diçka që nuk e kishte. 

Komunizmi i dha një shtëpi në Tiranë ku ai shkroi libra dhe bëri filma të mrekullueshëm. 

Ne nuk ishim një familje e privilegjuar siç nuk ishim një familje e persekutuar. 

Komunizmi nuk na kishte marrë asnjë pronë sepse nuk kishim dhe nuk na kishte futur njeri në burg. 

Si të gjitha sistemet që qeverisin përmes nënshtrimit, komunizmi i ndante njerëzit në dy kategori. 

Në ata që hanë mirë dhe ata që hanë keq. 

Familja ime bënte pjesë tek të dytët. 

Kur isha dhjetë vjeç cohesha në ora 4 të natës për të blerë një gjysëm pako gjalpë që e kisha aq qejf dhe një shishe qumësht që nuk e pija. 

Pasdite mbaja rradhë për të blerë vajgurin me erë peshku që ndizte sobat ku thaheshin rrobat, bashkë me lagështinë e këpucëve që kapeshin me gozhdë. 

Shkoja në plazh me tren dhe tre muaj jetoja te gjyshërit e mi në Korçë bashkë me shtatë veta në një dhomë e një kuzhinë. 

Privilegji më i madh që kam patur ishte se mund të lexoja libra të ndaluar që ishin me shumicë në shtëpinë time. 

Veset e adoleshëncës i kisha të gjitha me tepri dhe kënaqësia që merrja nga mosndëshkimi i tyre më dukej si shkalla më e lartë e disidencës. 

Unë nuk jetoja mirë por nuk jetoja keq. 

Për të gjitha këto arsye unë nuk kisha shumë arsye të shkoja në Qytetin Studenti në 9 dhjetor 1990. 

Çudija më e madhe është që askush nga familja ime nuk më tha pse shkoja në një vend ku po përmbysej sistemi tek i cili ata kishin besuar. 

Sikur sot të krijohej një parti politike, pas rrëmujave në rrugën e Elbasanit, siç ndodhi në dhjetor 1990, nuk e di sa i qetë do isha t’i lija fëmijët e mi atje. 

Babai im s’e bëri kurrë. 

Jo vetëm kur shkova në Qytetin Studenti për të rrëzuar partinë ku ai ishte anëtar por edhe kur shkova të punoja në gazetën e parë opozitare në Shqipëri. 

Nga sytë e njerëzve që njoha ato ditë, kuptova se kisha tre defekte të papranueshme. 

Kisha lindur në Tiranë dhe vija nga një familje komuniste nga jugu. 

Për shumë nga studentët dhe gazetarët e asaj kohe isha armiku perfekt. 

Unë isha tipi i njeriut që duhej mundur. 

Disa muaj më vonë mbarova Universitetin dhe qeveria e fundit komuniste më emëroi mësues në fshatin më të ashpër të Shqipërisë, në Iballë të Pukës. 

Iballa bllokohet gjashtë muaj nga bora. 

Aty shkoi Migjeni për t’u kuruar nga tuberkulozi kurse unë natyrisht nuk shkova asnjëherë sepse komunizmi ra. 

Nëse ai sistem barbar do vazhdonte, me siguri do isha kthyer që andej i alkoolizuar ose në burg. 

Në këtë nënyrë përfitova nga rënia e Komunizmit. 

Nuk u bëra mësues por një njeri i lirë. 

Që atëherë jam bindur se komunizmi vdiq në dhjetor 1990. 

Komunistë mund të ketë, por komunizmi ka vdekur. 

Prandaj habitem sot se sa shumë njerëz mallkojnë ata që nuk i duan si komunistë. 

Ti thuash dikujt je komunist është si t’i thuash një të pasuri je kulak. 

Problemi i Shqipërisë sot nuk janë as komunistët dhe as demokratët. 

Problemi i Shqipërisë janë idiotët. 

Dhe idiotët mund të jenë dhe komunistë dhe demokratë sepse janë idiotë. 

 

 

 

 

 

 

 

 

The post Ben Blushi rikujton 9 dhjetorin e ’90-s: Do isha o i alkoolizuar ose në burg! Protesta e studentëve, këpucët mbeten në baltë si… first appeared on JavaNews.al.

Si lindi Shqipëria nga shkronjat dhe Kongresi i Manastirit

22 November 2025 at 11:48

Nga Ben Blushi  

Sot është dita e Kongresit të Manastirit i cili në nëntor të vitit 1908 vendosi që gjuha shqipe të shkruhej me një alfabet të vetëm. 

Historia e atyre ditëve të Kongresit të Manastirit është një sintezë e historisë së Shqipërisë. Në tavolinën e delegatëve që vendosën se me çfarë alfabeti do shkruhej gjuha shqipe ishin tre mundësi.  

Një alfabet me shkronja latine, një alfabet me shkronja greke dhe një alfabet me shkronja arabe.  Për këtë arsye Kongresi i Manastirit nuk ishte një takim gjuhëtarësh, por një parlament. 

Ai parlament vendosi që Shqipëria të shkonte me Perëndimin.  

Në atë kohë nuk kishte Europë, nuk kishte BE dhe as institucione.  Shqipëria nuk ishte shtet i pavarur dhe i vetmi institucion që përcaktonte përkatësinë në një bashkësi politike ishte gjuha.  

Prandaj vendimi i Kongresit të Manastirit është akti i parë pro evropian që ka marrë elita shqiptare që nga vdekja e Skënderbeut.  Që të kuptohet sa i guximshëm ishte ky vendim duhet kujtuar se vetë Turqia, vendi që na kishte pushtuar për 500 vjet e ndryshoi alfabetin e vet nga arab në latin në vitin 1928, 20 vjet më vonë se Shqipëria.  

Në një kuptim provinca udhëhoqi edhe Perandorinë e saj. Siç ndodh edhe sot dhe siç nuk mund të mos ndodhte, në Kongresin e Manastirit kishte një pakicë që kërkonte që shqipja të shkruhej me alfabet arab.  

Këta ishin islamikët shqiptarë, mbeturina të të cilëve ka ende sot nëpër Shqipëri. Për fat të mirë aty u ndanë myslimanët dhe islamikët.  

Shumë hoxhallarë të ndritur dhe patriotë myslimanë u bashkuan me Gjergj Fishtën, Mit’hat Frashërin, Luigj Gurakuqin dhe Ndre Mjedën për të votuar pro shkronjave latine.  Myslimanët zgjodhën Shqipërinë, islamikët zgjodhën Islamin.  

Të parët zgjodhën Perëndimin, të dytët Lindjen.  

Imagjinoni për një çast sikur islamikët të kishin fituar. Ndoshta Shqipëri nuk do kishte, gjuha shqipe do ishte një variant arab dhe gjithë kultura jonë do ishte primitive e deformuar dhe shumë e varfër.  

Mund të mos kishim fare letërsi, art dhe filma.  Në vend të shqiponjës, në flamur do kishim një syre nga Kurani, siç vërtet ka pasur shumë islamikë që e kanë kërkuar me zell të madh.  

Kongresi i Manastirit e ndau Shqipërinë nga Perandoria Osmane që është fatkeqësia më e madhe e historisë sonë.  

Të gjithë ata që thonë se Perandoria Osmane na shpëtoi nga asimilimi sepse nuk u bëmë grekë apo serbë janë islamikë të mjerë. Kjo është një tezë e shëmtuar që justifikon pushtimin dhe ata që janë me pushtimin janë edhe më të këqij se vetë pushtuesit.  

E kundërta është e vërtetë.  

Shqipëria u copëtua padrejtësisht nga fqinjët serbë dhe grekë sepse u konsiderua një Turqi e vogël e cila e humbi luftën bashkë me Perandorinë Osmane.  

Kur rrëzohen, Perandoritë thyhen si copa pasqyrash të mëdha, duke marrë me vete dhe vazot e vogla përreth.  

Ky është rasti jonë.  

Ne ramë bashkë me vetratën dhe u thërrmuam. Nëse nuk do kishte ndodhur kështu, sot Kosova do ishte Shqipëri bashkë me gjysmën e Maqedonisë, Janinën, dhe një pjesë të Malit të Zi.  

I humbëm këto territore si bashkëpunëtorë të një Perandorie humbëse dhe primitive e cila e shkretoi Shqipërinë në mënyrën barbare. Evropa e pranoi dhe e certifikoi ndarjen tonë duke na paragjykuar padrejtësisht si osmanë.  

Kjo është e vërteta e hidhur e historisë sonë.  

Stërgjyshi im nga nëna, Simon Shuteriqi ishte njëri nga 50 delegatët e Kongresit të Manastirit.  Kur mendoj se ai ishte një djalë 25 vjeçar që votoi kundër Perandorisë Osmane mbushem me krenari.  

Një vit më vonë turqit ia morën hakun dhe e sakatuan në Elbasan, kur zbuluan se ai ishte pjesë e një shoqërie sekrete që po organizohej për të marrë armët kundër tyre. 

Duke rikujtuar të parët e mi më vjen mirë të them se gjithmonë kemi zgjedhur të jemi në anën e duhur të historisë.  

Kemi qenë gjithmonë kundër pushtuesve. Kjo është dhe dita për t’i kërkuar shtetit shqiptar të bëjë ç’mos për ta marrë në administrim godinën e Kongresit të Manastirit që ndodhet e rrënuar në Bitola të Maqedonisë.  

Ajo godinë na takon. Aty është historia jonë. Aty është muzeu i qëndresës sonë.  Aty do punoja si ciceron për t’i mësuar të rinjve se si Shqipëria lindi nga shkronjat. 

 

 

 

The post Si lindi Shqipëria nga shkronjat dhe Kongresi i Manastirit first appeared on JavaNews.al.

Për Fatos Nanon

1 November 2025 at 13:33

Nga Ben Blushi

Fatos Nano i ngjan atij timonierit të shpenguar që luante me drejtimin e erës duke e lënë përkohësisht në duar të tjera drejtimin e anijes.

Sa herë bëhej pishman ai grindej me ata që u kishte lënë timonin, kacafytej dhe plagosej dhe e merrte anijen prapë për ta lënë prapë dhe për ta rimarrë prapë.

Pasioni më i fortë i jetës së tij ishte të rifitonte me vështirësi atë që humbte me lehtësi.

Ai e ushtronte demokracinë si kaprico, inatin si shaka, humorin si detyrë, debatet si punë, largimin si pushtet dhe pushimin mes largimeve si fillim.

Fatos Nano kishte një aftësi të rrallë për të krijuar armiq të cilët pasi i mundte i bënte miq dhe një talent të madh për t’ia vështirësuar jetën vetes deri në mundim.

Meqë harxhonte shumicën e forcave për të qetësuar furtunat që krijonte vetë, koha që i mbetej për punë të tjera ishte gjithmonë e pamjaftueshme.

Me siguri iku duke menduar se dha më shumë se sa mori dhe se po të kthehej pas do e drejtonte anijen në ujëra të tjera.

Ai merr me vete një pjesë të kujtimeve tona por ajo që do mbahet mend gjjthmonë është se ai e la Shqipërinë shumë më mirë se ç’e gjeti sa herë koha e thirri për të vendosur.

The post Për Fatos Nanon first appeared on JavaNews.al.

Pse fiton Kombëtarja e Shqipërisë

12 October 2025 at 15:09

Nga Ben Blushi

Me rastin e fitores së Kombëtares ndaj Serbisë po ribotoj këtë shkrim që besoj i shkon kësaj dite.

Shqiptarët luajnë futboll prej gati 100 vitesh, por asnjëherë ata nuk kanë fituar kaq shpesh dhe kaq lehtësisht, si kohët e fundit. Lojtarë të mëdhenj, ndoshta edhe më të mëdhenj se këta që luajnë sot, Shqipëria ka patur disa, por ekip të madh, nuk ka patur asnjëherë.

Futbolli i ditëve tona nuk është vetëm sport. Historia nuk njeh asnjë ekip të madh që ka fituar, kur vendi që përfaqëson është i izoluar, është i pushtuar apo vuan nga krizat. Nëse 11 lojtarët e Shqipërisë do kishin luajtur për Afganistanin që është një vend anormal, nuk do kishin fituar dot kaq shumë. Nëse të njëjtët lojtarë do kishin veshur bluzat e Ukrainës, ndërkohë që baballarët dhe vëllezërit gjakosen në luftë, nuk do kishin shkuar dot në Kampionatin Evropian.

Zakonisht Kombëtaret vrapojnë me hapin e kombit. Historia e futbollit provon se ajo që ndodh jashtë fushës ndikon shumë në fushë. Arsyet josportive janë po aq të rëndësishme sa arsyet sportive për të fituar. Po kush janë këto arsye në rastin e Kombëtares së Shqipërisë?

Në vitet 50’ deri në vitet 90’, kur Shqipëria ishte një vend i mbyllur, sportistët, si të gjithë shqiptarët kishin kompleks ndaj të huajve. Kufizimet në ushqim, veshje, teknologji, art, në lëvizje si dhe ndalimet e pronës private dhe fjalës së lirë i detyronin shqiptarët të ishin inferiorë në përgjithësi. Cdo shqiptar besonte se cdo i huaj ishte më i lirë, më i ushqyer, më i fortë, më i shpejtë, më inteligjent dhe më i pasur se ai. Me këtë mentalitet hynin në fushë edhe futbollistët e atyre viteve. Ata luanin të bindur se do mundeshin. Ata ishin të burgosur brenda fanellës që mbronin. Ajo fanellë nuk u kujtonte kombin që donin, por shtetin që nuk donin. Ai shtet u kishte ndaluar cdo gjë të cilën kundërshtarët e tyre e kishin. Kur ata dilnin jashtë, hutoheshin, sepse vendi i tyre ishte një ferr në krahasim me vendet ku shkonin për të luajtur. Dalja jashtë këtij ferri ishte traumatike dhe u bënte më keq, se mirë. Nëse në fushë ishin të barabartë me futbollistët e huaj, jashtë fushës ishin fatalisht të pabarabartë.

Sot natyrisht është ndryshe. Shqiptarët i kanë kapërcyer komplekset e izolimit. Më shumë se 1 milion jetojnë jashtë dhe pavarësisht nga punët që bëjnë, janë të barabratë me ata të huaj që bëjnë të njëjtën punë. Në Shqipëri vijnë të paktën 5 milion të huaj që ushqehen, vishen dhe jetojnë si ne. Nëpër lokale janë të barabartë, në hotele janë të barabartë, në konsum janë të barabartë, në gjuhë janë të barabartë, në mëkate dhe inate janë të barabartë. Barazia jashtë stadiumit ndihmon stadiumin.

Shqipëria sot është në përgjithësi një vend normal. Ajo është shumë më e hapur se Shqipëria e viteve 80, më e kamur se Shqipëria e viteve 90 dhe më e qetë se Shqipëria e viteve 2000. Duke u pasuruar shqiptarët kanë mësuar si ti bëjnë më pak dëm vetes. Në mes të viteve 90’ ne kishim një Kombëtare të mirë e cila fatkeqësisht mundej gjithmonë në minutëtn e fundit. Aq e shpeshtë u bë kjo rastësi, saqë u kthye në rregull. Dhe meqë u kthye në rregull përsëritej. Ne mundeshim gjithmonë edhe kur shënonim të parët. Lojtarët nuk besonin se mund të fitonin edhe kur ishin në avantazh, prandaj e lëshonin lojën në fund sikur iu humbte durimi.

Por jashtë stadiumit edhe Shqipërisë së atyre viteve i kishte sosur durimi. Megjithëse e hapur ndaj botës, Shqipëria që doli nga komunizmi ishte shumë e varfër dhe shumë e egër. Kombëtarja ishte një mix futbollistësh që kishin ikur si emigrantë dhe kur ktheheshin këtu, gjenin një vend të tmerrshëm, të ashpër dhe të ndarë në copa nga viti 1997. Kush mund tu kërkonte atyre të qëndronin në fushë kur gjithë vendi po binte sic edhe ra? Prandaj Kombëtarja vetëm mundej edhe kur fitonte.
Si rregull, kur vendet vuajnë, Kombëtaret munden sepse humori i vendit ndikon tek lojtarët dhe gjithë ambjenti sportiv. Kombëtarja e Spanjës doli kampione e Botës atëherë kur Spanja arriti zhvillimin më të madh ekonomik në Evropë, në vitin 2010. Suksesi i saj nuk ishte vetëm sportiv. Gjermania doli kampione e Botës në 2014, kur udhëhiqte gjithë botën me eksportet e saj dhe teknologji. Më parë kishte dalë kampione në vitin 1974 dhe 1990 kur e kishte marrë veten nga rrënimi i luftës dhe ishte kthyer në një superfuqi. Sot Gjermania e ngathët dhe e futur në recesion nuk do dilte dot kurrë Kampione e Botës edhe nëse do kishte marrë borxh 11 lojtarë luftarakë shqiptarë. Njëlloj ka ndodhur edhe me Francën, Italinë, Kroacinë, Greqinë apo Kombëtare të tjera më të vogla. Kur vendet janë mirë, me shëndet ekonomik dhe optimizëm, kombëtaret shkëlqejnë.

Por në rastin e Kombëtares sonë ka edhe një arsye tjëtër, të ndryshme nga rregullat që ndikojnë te Kombëtaret e tjera.
Në historinë e Botës nuk ka asnjë Kombëtare që furnizohet nga tre shtete fqinje si kjo Kombëtare që furnizohet njëkohësisht nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Kjo që nuk ndodh askund, ndodh në Shqipëri. Prandaj kjo është një kombëtare e cuditshme si përbërje, e panjohur si rast dhe unike si eksperiment. Kombëtaret e mëdha të botës kanë futbollistë nga ish kolonitë e tyre apo nga emigrantët që janë natyralizuar. Por ama një belg që flet frengjisht nuk luan për Francën sepse ai nuk kërkon që Belgjika të bashkohet me Franëcn, një austriak nuk luan për Gjermaninë sepse asnjë nga këto dy vende nuk do që Austria të jetë Gjermani dhe asnjë argjentinas nuk luan për Spanjën sepse këto janë dy vende të ndryshme që flasin të njëjtën gjuhë.

Ndërsa Kombëtarja e Shqipërisë është unike në planet sepse luan për një shpagim historik. Tifozët kërkojnë nga ajo të bëjë drejtësi historike duke i mundur armiqtë në fushë. Kombëtarja është një ushtri e vogël shqiptarësh të bashkuar në një qëllim : të korrigjojë historinë duke vrapuar pas një topi. Ajo bashkon në fushë copat e një vendi të ndarë para 100 vitesh. Prandaj mbledh kaq shumë pasion, nerv, djersë, gjak, lot, energji, demografi, skenografi, koreografi, arkitekturë patriotike dhe epsh për revansh kombëtar. Ajo është e vetmja kombëtare që ka për himn, këngë për njerëz që janë vrarë 30 vjet më parë duke luftuar me armë për ndryshimin e historisë. Këto këngë që vijnë nga lufta dhe ndoshta shkojë drejt luftës, njihen më mirë, këndohen më shumë dhe eksitojnë më fort se vetë himni i Shqipërisë.

Sepse Kombëtarja nuk është vetëm e Shqipërisë.

Kjo është arsyeja që mijëra tifozë kosovarë e braktisin kombëtaren e tyre që përfaqson një shtet dhe ndjekin kombëtaren e Shqipërisë që përfaqëson një komb. Kombëtarja e Shqipërisë është në fakt Kombëtarja e tre shteteve, ose më saktë kombëtarja që mund të shkatërrojë dy shtetet ku shqiptarët nuk do donin të ishin. Kosovën dhe Maqedoninë. Patriotizmi, pra nevoja për një shtet të përbashkët, është trajneri kryesor i Kombëtares. Ai e drejton, e zbut, e ngut, e ngre, e bashkon, e ndërsen, e zmadhon, e harbon, e tërbon, e shkul, e ul, e ngul,e sul dhe e vërsul. Kombëtarja luan dhe fiton në një fushë jeshile që shqiptarëve u duket gjithmonë e kuqe. Bashkimi është fusha e saj. Kundërshtarët janë armiqtë e saj. Topi është arma e saj. Përbërja është shpirti i saj. Nëse Kombëtarja do kishte vetëm futbollistë nga Shqipëria ajo nuk do kishte patur kurrë këtë sukses dhe këtë përkrahje. Shqipëria do kishte një ekip por jo një Kombëtare, por historia kërkon që shqiptarët të kenë dhe ekip dhe Kombëtare.

Kjo është arsyeja që Kombëtarja fiton dhe do fitojë. Edhe nëse ndonjëherë humb. Prapë fiton.

The post Pse fiton Kombëtarja e Shqipërisë first appeared on JavaNews.al.

Një histori e shkurtër e romanit tim të ri

11 October 2025 at 13:54

Nga Ben Blushi  

Isha në shtypshkronjë për të korrektuar variantin përfundimtar të romanit tim të ri që del në fillim të muajit nëntor. 

Është herët për të treguar më shumë për përmbajtjen, por për të qetësuar dyshimet e mia ia dhashë dorëshkrimin dy shkrimtarëve dhe tre botuesve. 

Shkrimtari i parë tha se ky roman e ndan letërsinë shqipe në dy pjesë : para dhe pas tij. 

Shkrimtari i dytë tha duhet ta botosh patjetër dhe me cdo sakrificë. 

Botuesja e parë më tha nuk e botoj dot sepse nuk më lë ai lart.  

Në fillim mendova se ai lart ishte Zoti, por më vonë mora vesh se ishte burri i saj. 

Botuesja e dytë e lexoi deri në mes dhe u tmerrua aq shumë sa nuk lexoi dot gjysmën tjetër. 

Botuesi i tretë më tha nuk kam frikë. Jam ateist. 

Zgjodha të tretin. 

Nuk e di a do më duhet një i katërt. 

The post Një histori e shkurtër e romanit tim të ri first appeared on JavaNews.al.

Na duhet një brez i çmendur

4 October 2025 at 19:34

Nga Ben Blushi

Para disa ditësh isha në një Universitet dhe pyeta studentët nëse e dinin se çfarë gjenerate janë.

U habita shumë që askush nuk e dinte se 20 vjeçarët e sotshëm që kanë lindur mes viteve 1997 dhe 2012 quhen gjenerata Z.

Përpara tyre ka pasur disa gjenerata si, Silent Generation, e viteve 1928-1945, Baby Boomers e viteve 1946-1964, Gjenerata X e njerëzve që kanë lindur mes viteve 1965-1980, Gjenerata Y e viteve 1981-1996, Gjenerata Z e viteve 1997-2012 dhe e fundit gjenerata Alfa të lindur pas vitit 2013.

Pra në 100 vitet e fundit njerëzimi ndahet në gjashtë gjenerata.

Gjeneratat janë kategori shkencore,kulturore dhe historike.
Psh gjenerata Silent, e Heshtura, ka lindur pasi makinat zevëndesuan kuajt, por para se televizorët të hynin nëpër shtëpi dhe ndoshta prandaj quhen të heshtur.

Ata ishin një brez i qetë që i bindej prindërve më shumë se sa gjeneratat e tjera që erdhën më pas, megjithëse në këtë brez mund të gjesh njerëz të urtë si Joe Biden por edhe ikona seksi si Elvis Presly që siç thonë e kishte shumë frikë babain e vet.
Pas tyre erdhën baby boomers pra gjenerata e fëmijëve të shumtë që lindën pas luftërave botërore kur popullsia e botës sidomos ajo e Perëndimit u pakësua shumë.

Ky brez entuziast që mendoi se luftërat botërore nuk i kishin rregulluar mirë punët e botës përfshin dy njerëzit që po e lënë krejt botën pa gjumë pa e qetësuar dot Donald Trumpin dhe Vladimir Putinin.

Ndërsa Gjenetara X, 1965 -1980, lindi pas ndarjes së Europës mes komunizmit dhe kapitalizmit, por shumë përpara se celularët të ishin pjesë e jetës sonë të përditshme.

Ky brez të cilit i përkas, kaloi gati gjysmën e jetës në komunizëm, jo vetëm pa celularë në xhep por edhe pa telefona shtëpije që komunizmi i ndalonte, nga frika se këto pajisje i përhapin lajmet e këqija me shpejtësi duke rritur pesimizmin që është karaktestika kryesore e kësaj gjenerate të egër.

Ndërsa gjenerata Z, e studentëve të sotshëm 20 vjeçarë ka ardhur në jetë bashkë me facebook dhe yotube që u shpikën në vitin 2005.
Kjo gjeneratë që nuk e kupton se si mund të jetohet pa celular dhe pa laptop, beson se ndërprerja e instagramit vetëm për një ditë i shkakton botës më shumë trauma se lufta në Ukrainë.

Në përgjithësi gjeneratat ndahen me 25 vjet nga njëra tjetra.
Në këtë mënyrë prindërit dhe fëmijët nuk përplasen.

Në asnjë rast ata nuk janë pjesë e të njëjtës gjeneratë sepse fëmijët duhet të rregullojnë atë që prindërit e kanë bërë keq, ose nuk e kanë bërë dot fare.

Mirëpo gjeneratat nuk ndahen vetëm nga mosha.

Në shumë raste ato ndahen nga shenja që lënë në histori.

Nëse do përpiqesha të bëja një dallim mes brezave që kanë bërë historinë moderne të Shqipërisë ato do ishin tre.
Gjerenata e parë është ajo e Pavarësisë.

Për hir të së vërtetës kjo është një gjeneratë shumë mashkullore që nuk lejoi asnjë grua të merrte rol në punët e vendit, por që duke bashkuar një grusht burrash në vitin 1912 e shpalli Shqipërinë të pavarur nga Pushtimi Osman që zgjati 500 vjet.

Kjo gjeneratë në krye të së cilës shkëlqejnë Ismail Qemali dhe Ahmet Zogu, qeverisi për 33 vjet dhe e la Shqipërinë shumë më mirë se c’e gjeti.

Megjithëse në atë kohë mosmarrëveshjet zgjidheshin me armë, ata votonin, organizonin zgjedhje të lira dhe shanin njëri-tjetrin sa të donin nëpër gazetat e ditës.

Ata filluan të ndërtojnë kapitalizmin duke e tërhequr me qerre nëpër mocalet që mbulonin gjysmën e Shqipërisë dhe me siguri do t’ia dilnin nëse fashizmi nuk do t’ua kishte marrë pushtetin për tia dhënë komunistëve të gjeneratës tjetër.

Gjenerata e dytë e rëndësishme është ajo e të rinjve që e çliruan Shqipërinë nga nazifashizmi në vitin 1944 dhe që u bënë komunistë.
Kjo gjeneratë që ishte shumë më femërore dhe seksi se të gjitha gjeneratat përpara saj dhe ndoshta prandaj pati pëlqim masiv, mund të quhet Gjenerata Antifashiste.

Me gjithë gabimet qe bëri më vonë, duke fshirë pluralizmin, pronën private dhe shtypin e lirë ky brez e qeverisi Shqipërinë për 45 vjet.
Është një debat i madh, nëse kjo gjeneratë e la Shqipërinë më mirë apo më keq se ç’e gjeti në vitin 1944.
Unë them se e la më keq.

Gjyshërit e mi që i përkasin këtj brezi nuk më kundërshtojnë dot sepse nuk janë më.

Megjithatë nëse do t’ia njihja një meritë që shkëlqen,është se ata bënë arsimin dhe universitetet ku studjuan gjeneratat që erdhën pas tyre.

Gjenerata e tretë me ndikim në historisë tonë moderne është ajo e vitit 1990 që mund të quhet Gjenerata e Demokracisë.

Ky brez që nuk njihte as pronën private dhe as lirinë po e qeveris Shqipërinë prej 35 vitesh.

Kur flas për qeverisje nuk kam parasysh vetëm drejtimin e shtetit, por të ekonomisë, të kapitalit, të bankave, të tregut, të medias, të artit, të sportit dhe të parasë.

Këta njerëz që sot janë mes 50 dhe 70 vjec, kanë bërë gjëra që prindërit e tyre nuk dinin ti bënin dhe që fëmijët e tyre nuk duhet t’i bëjnë.

Ky brez do e lërë Shqipërinë shumë më mirë se ç’e gjeti dhe kjo është medalja e tij më e vlefshme.

Për fat të mirë kjo gjeneratë ka arritur gjithshka në 35 vjet me përjashtim të një gjëje.

Ajo nuk di akoma kujt do tia lërë Shqipërinë.

Cilit brez?

Cilës gjeneratë?

Këto pyetje më shkonin në kokë kur u flisja studentëve 20 vjeçarë të cilët as vetë nuk e dinin cilës gjenerate i përkasin.

Kur i shikoja të ulur duke dëgjuar leksionet e mia për jetën, uroja që të ishin pak më të çmendur.

Kur them më të çmendur kam parasysh njerëz që rebelohen, që organizohen, që ndryshojnë rregullat, që kundërshtojnë, që bëjnë gabime dhe nuk heqin dorë, që mbrojnë mendimet e tyre edhe kur ja fusin kot, që përcmojnë shumicën e gjërave që janë krijuar para tyre, që janë gjithmonë të pakënaqur, që bëjnë aventura, që janë të guximshëm, që arrijnë të kuptojnë çfarë kanë bërë keq prindërit dhe që në asnjë moment nuk mendojnë se prindërit kanë bërë çdo gjë mirë.

Pakënqësia i lind brezat, uria i ushqen, kurse etja për gjëra të panjohura i rrit.

Gjenerata X të cilës i përkas ishte gjithë kohën e pakënaqur.
Koha tregoi se ishte dhe e palodhur

Shqipëria e sotme është pothuajse 70 për qind produkt i këtij brezi të egër, të pangopur, dhe deri diku të pamëshirshëm.

Ky brez shkatërroi çdo gjë që kishin bërë prindërit dhe përveç respektit nuk i dha atyre asnjë pushtet.

Askund në Evropë, as në Perëndim, as në Lindje, nuk ka patur një gjeneratë që trashëgoi një vend më të varfër dhe e rindërtoi nga e para për 35 vjet.

Kjo do të thotë të jesh i çmendur.

Nuk e shpjegoj dot nga lindi kjo fuqi, jo uri për të shkatërruar çdo gjë dhe për të ribërë çdo gjë, por pa këtë furi Shqipëria do ishte një vend i varfër ish komunist çka nuk është më.

Tani që kanë kaluar 35 vjet kjo gjeneratë pret një brez tjetër poaq të çmendur për t’ia lënë Shqipërinë në dorë.

Unë shpresoj shumë se ky brez po vjen për të rregulluar çdo gjë që prindërit e kanë bërë keq ose nuk e kanë bërë dot.

Kjo që pritet të vijë do jetë gjenerata e katërt e rëndësishme e Shqipërisë, Gjenerata Evropiane.

Ajo duhet ta fusi Shqipërinë në Evropë.

Jam i bindur që ky brez do vijë herët apo vonë, por çështja është a do jetë aq i çmendur?

Uroj shumë që po.

Shqipëria është produkt i gjeneratave të çmendura të cilat bëjnë gabim vetëm kur përtojnë të çmenden.

The post Na duhet një brez i çmendur first appeared on JavaNews.al.

Pse nuk duhet njohur Palestina

27 September 2025 at 13:56

Nga Ben Blushi

Njohja e Palestinës nga Franca dhe Britania ka ngritur një pyetje themelore mbi moralin e popujve.

Pyetja është kur e meriton një popull të ketë shtetin e vet ?

Bota ka ende shumë popuj që nuk kanë shtet, megjithëse kanë luftuar më shumë se palestinezët, megjithëse kanë rezistuar më gjatë se ata, megjithëse nuk ia kanë zaptuar askujt tokën sic kanë bërë arabët palestinezë për shekuj dhe megjithëse nuk kanë krijuar organizata terroriste që vrasin fëmijë duke lozur në oborr.

Në 80 vitet e fundit palestinezët kanë bërë cdo gjë keq.

Ata kanë qenë armiqtë më të mëdhenj të shtetit të tyre.

Në vitin 1947 ata refuzuan formulën e OKB për krijimin e dy shteteve,Palestinës dhe Izraelit dhe shkuan në një luftë guerrile të cilën e humbën.

Më pas shkuan sërish në luftë në vitin 1967 me ndihmën e shteteve të tjera arabe dhe humbën përsëri.

Në vitin 2000 e refuzuan marrëveshjen e Paqes së Presidentit Klinton, sipas të cilës Izraeli dhe Amerika e njihnin shtetin palestinez dhe po ti mbledhësh refuzimet palestineze, del se Izraeli e ka refuzuar më pak shtetin e Palestinës se vetë palestinezët.

Duke kaluar nga dështimi në dështim palestinezët humbën me rradhë kohën, tokën,financat, ushtarët, aleatët dhe shpresën.

Mjafton të shohësh shifrat e rritjes demografike të këtyre dy popujve për të kuptuar si janë sjellë ata me veten.

Në vitin 1947 gjithë territori palestinez kishte 2 milion banorë.

Nga këta 1.4 milion ishin arabë dhe 600 mijë ishin hebrenj.

Sot numrat janë përmbysur.

Palestina ka rreth 5 milion banorë, ndërsa Izraeli 10 milion.

Në 80 vjet Izraeli, ky shtet i krijuar nga emigrantë që erdhën nga Evropa pasi ishin masakruar dhe shpronësuar nga Hitleri, krijoi në shkretëtirë bujqësinë më të përparuar në planet,ndërtoi ushtrinë më inteligjente që kemi parë deri sot, është lider i padiskutueshëm në AI dhe ka një ekonomi që prodhon 600 miliard dollarë në vit, disa herë më të madhe se të shumë vendeve evropiane që sot po njohin Palestinën dhe dy herë më të madhe se Irani, megjithëse nëntoka e tij e thatë nuk pikon asnjë gram naftë.

Ndërkaq Gaza dhe West Bank,ku jetojnë 5 milion palestinezë nuk bëjnë dot më shumë se 15 miliardë dollarë ekonomi në vit dhe kjo përpara luftës.

Duke parë këto numra nuk ka nevojë të jesh ekonomist, për të kuptuar se cfarë ka bërë në 80 vjet një popull dhe cfarë ka bërë populli tjetër.

Por nuk mbaron këtu.

Krahasimi i standarteve të demokracisë së këtyre dy popujve është edhe më i dhimbshëm.

Izraeli është një demokraci e fortë, aty shtypi është i lirë, shumica e gazetave janë kundër qeverisë, populli del cdo javë në protestë, parlamenti funksionin, zgjedhjet mbahen cdo katër vjet dhe gjykatat mezi po presin ta burgosin kryeministrin në detyrë, me dyshimin se gruaja e tij ka marrë shpërblim disa dhurata të shtrenjta.

Nga ana tjetër palestinezët kanë njëzet vjet që nuk bëjnë zgjedhje.

Dhe një herë që votuan zgjodhën Hamasin, i cili natyrisht nuk lejon më zgjedhje që nga dita që ka marrë pushtetin.

Pyetja është pse ky ndryshim?

Pse dy popuj që jetojnë në një vend, që ushqehen nga e njëjta tokë, që pinë të njëjtin ujë dhe që lagen nga një det ndryshojnë kaq shumë.

Si ka mundësi që Izraeli u kthye në një superfuqi ekonomike për 80 vjet, ndërsa palestinezët nuk prodhuan dot as demokraci dhe as ekonomi për të njëtën periudhë kohe?

Ata që duan të justifikojnë palestinezët thonë se Izraeli i ka penguar të zhvillojnë ekonominë dhe demokracinë.

Për ironi të fatit zgjedhjet e fundit në territoret palestineze janë zhvilluar në vitin 2005 kur izraelitët u larguan nga Gaza dhe ia lanë palestinezëve.

Që atë ditë aty nuk janë bërë më zgjedhje dhe prandaj është e cuditshme të mendosh se palestinezët shkojnë në kutitë e votimit vetëm kur janë të pushtuar.

Kur janë të lirë ata nuk i duan zgjedhjet.

Pikërisht kjo është kriza e vërtetë e Gazës që asnjë njohje nuk e zgjidh dot.

Pamundësia e palestinezëev për tu qeverisur vetë.

Paaftësia e tyre për të njohur demokracinë si instrument bashkëjetese.

A e meritojnë palestinezët shtetin në këto kushte?

A duhet të ketë shtet një popull që në vend të institucioneve të zgjedhura, pranon të qeveriset nga një grup terrorist i armatosur?

A është gjithë Gaza Hamas?

A e duan palestinezët Hamasin?

Për fat të keq po.

Në dy vitet e fundit miliona izraelitë kanë protestuar kundër luftës, por asnjë palestinez nuk ka kundërshtuar Hamasin

Të rinjtë palestinezë që kapërcejnë tela me gjemba për të vrarë vajza izraelite në koncert, nuk janë rebeluar kurrë kundër Hamasit.

Ata që sakrifikojnë jetën për të masakruar civilë izralelitë të pafajshëm mund të kishin rrezikuar për tu ngritur kundër Hamasit.

Por kjo nuk ka ndodhur.

Palestinezët e adhurojnë Hamasin.

Terroristët ata i shpallin martirë.

Në Gaza nuk ka asnjë parti, asnjë lider dhe asnjë grup politik që e kundërshton Hamasin.

Prandaj njohja e Palestinës pa kushte është një shpërblim që populli palestinez nuk e meriton.

Popujt duhet të mbajnë përgjegjësi për aktet e tyre.

Ne shqiptarët i sollëm komunistët në pushtet me vota dhe për 45 vjet nuk bëmë asgjë për ti rrëzuar.

Komunistët na dhunuan dhe ne iu nënshtruam dhunës.

Sikur, larg qoftë, komunistët shqiptarë të kishin dhunuar edhe një popull tjetër, ne do ishim njëlloj përgjegjës ,sic janë përgjegjës gjermanët që e sollën Hitlerin në pushtet dhe ia dhanë fëmijët ushtarë për të pushtuar botën.

Sot gjermanët ia njohin vetes këtë ultësirë morale dhe jetojnë me kokën ulur që me votat e tyre krijuan një përbindësh.

Por nga ky kriter moral nuk mund të përjashtohen palestinezët.

Hamasi është përbindëshi i tyre.

Ata e lindën këtë mostër dhe prandaj duhet të jenë njëlloj përgjegjës si gjermanët.

Në emër të moralit, palestinezëve u duhet vënë si kusht zhdukja e mostrës që krijuan.

Shfarosja e Hamasit nuk mund të jetë vetëm detyrë e Izraelit, por e vetë palestinezëve.

Atyre ju takon mos ia japin fëmijët ushtarë, atyre ju takon të mos i strehojnë terroristët, atyre u takon ti nxjerrin vrasësit e pamëshirshëm përfundimisht nga zemra.

Palestinezët duhet të kalojnë një proces ekzorcizmi, duhet të nxjerrin djallin nga shpirti.

Vetëm nësë e bëjnë këtë akt civil mund të fitojnë të drejtën për të patur shtetin e tyre.

Prandaj gabohet kush beson se cështja e Palestinës ka lidhje vetëm me Izraelin.

Qeveria e Izraelit kanë bërë shumë gabime, ushtria e saj ka vrarë qytetarë të pafajshëm, gra pleq dhe fëmijë të pambrojtur prandaj shumë njerëz me të drejtë besojnë se ndëshkimi i merituar për këtë vend është të ketë fqinj një përbindësh si Hamasi që kafshon cdo ditë.

Njohja e Palestinës është ndëshkim për Izraelin që po vret pa u ndalur, por ndëshkimi i dikujt nuk mund të jetë dhurata e dikujt tjetër.

Palestinezët nuk e meritojnë shtetin që po ju falet, sepse nuk kanë bërë asgjë për ta merituar atë.

Njohjet perëndimore rrezikojnë të krijojnë një Goliath të ri në kufi të Izraelit, një shtet të egër që kërcënon dhe lufton pa pushim.

Por Goliathi mitik ka qenë palestinez, megjithëse nuk ka qenë arab dhe ndoshta të kesh fqinj një përbindësh është destini i Izraelit që sot nuk i ngjan fare Davidit, bariut të varfër hebre që shpëtoi popullin e vet duke vrarë Goliathin.

Ata që duan ti amnistojnë palestinezët nga të gjitha fajet e tyre, thonë madje se Goliathi dhe Davidi kanë ndrruar vendet.

Tani Davidi i dobët është palestinez dhe Goliathi i tmerrshëm është izraelit.

Mirëpo zgjidhja nuk gjendet te legjendat e riciklueshme.

Cështja e Palestinës nuk ka të bëjë vetëm me Izraelin por me moralin e kohës

Palestina nuk është gati për të bashkëjetuar me pjesën tjetër të botës së qytetëruar.

Kjo është cështja.

Palestina nuk është gati për të bashkëjetuar me ne.

Palestina nuk është gati për të jetuar si ne.

The post Pse nuk duhet njohur Palestina first appeared on JavaNews.al.

Çfarë republike është Shqipëria sot

22 August 2025 at 11:30

Nga Ben Blushi

Ballkani ka vetëm republika parlamentare,por ato nuk janë të gjitha njëlloj.

Serbia është një Republikë Ushtarake.

Ajo kërkon vazhdimisht konflikt.

Dikur Serbia ka qenë një Republikë Fshatare dhe kjo është një nga arsyet pse serbët nuk u konvertuan në Islam.

Gjatë pushtimit osman shumica e fshatarëve serbë ishin mbarështruesit kryesorë të derrave në Europë dhe nëse do konvertoheshin duhet të linin punën sepse Kurani e ndalon mishin e derrit.

Nuk e njoh serbishten por besoj se ky popull ka më pak arsye se cdo popull të shajë popujt e tjerë o derr, sepse ata kanë fituar shumë nga kjo kafshë e dashur.

Ndërkaq Kosova është një Republikë Romantike.

Ajo ende nuk ka një qëllim ekonomik,por ka vetëm qëllime nacionale.

Asaj i duhet të egzistojë.

Ajo jeton ende me stresin se do ti rrëmbëjnë territore dhe kjo e pengon të përqëndrohet te objektivat e saj tregtare që sidoqoftë janë të kufizuar.

Turqia është pothuajse një Republikë Fetare.

Feja ka mbajtur të bashkuar gjithë ata popuj që përbëjnë Turqinë dhe sot ajo e mbron Republikën turke që ka qenë disa herë në buzë të greminës por gjithmonë ka shpëtuar duke e varur flamurin në majë të minaresë.

Nga ana e saj Greqia është një Republikë Detare.

Ndoshta më e madhja në planet sepse sot qarkullon gati 25 per qind të mallrave të botës me flotën e saj madhështore,i vetmi art praktik që i ka mbetur nga lashtësia e saj atëherë kur gjithë Greqia ishte e ndarë në disa republika të vogla.

Ndërsa Kroacia, është një Republikë Gjermanike.

Ustashët që ishin kukullat e Hitlerit në Ballkan, e larguan me forcë nga tradita e saj liberale veneciane duke e detyruar të ndjekë disiplinën e fortë gjermanike e cila nuk ndërton dot asnjëherë Republika Tregtare por përkundrazi i vret ato sa herë mundet.

Nëse nesër do kishte sërish një konflikt në Evropë, në cdo rast Kroacia do rreshtohej me Gjermaninë dhe ustashët e përgjumur do nxirrnin armët kundër fqinjëve, romëve dhe hebrenjve të cilët dikur i zhdukën me dhunë.

Mali i Zi është një Republikë Turistike por duke qenë shumë e vogël, nuk ka mundësi të luajë rol të madh në rajon.

Kjo Republikë në det, është gjithë kohën e kërcënuar mes rrymave properëndimore dhe prolindore prandaj duke qenë një varkë e vogël lëkundet lehtë dhe mund të mbytet papritmas.

Ndërkaq, Maqedonia është një Republikë Plastike.

E gjendur mes Greqisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Serbisë ajo i ngjan një sanduici që merr gjithnjë formën e bukës që e rrethon.

Për shkak të trysnisë që i vjen nga jashtë, Maqedonia herë pas here ndryshon emrin, pastaj kushtetutën dhe nuk është cudi në të ardhmen të lëshojë territore nëse kjo i kërkohet me forcë.

Sikur Shqipëria të mos sillej si një Republikë Tregtare të cilës nuk i intereson shumë cfarë ndodh pas saj, ajo mund ti ndizte kollaj 30 për qind të banorëve të Maqedonisë, për ti ndryshuar hartën këtij shteti plastik.

Po ne cfarë Republike jemi?

Para disa kohësh kam shkruar se vitet e fundit Shqipëria po merr formën e një Republike Tregtare cka nuk është keq, madje është shumë mirë.

Sa më shumë lexoj histori aq më shumë bindem se ky është destini jonë që në kohën kur anijet e Romës vinin në brigjet tona për tu furnizuar.

Ahmet Zogu ishte i pari që kuptoi se Shqipëria mund të funksiononte si një Republike Tregtare.

Mbreti Zog ndoshta nuk e dinte cfarë po bënte, por nevoja e tij për tu shkëputur nga Ballkani dhe Orienti, dhe për tu orientuar nga deti ishte e dukshme këmbëngulëse dhe e qëllimshme.

Zogu e hapi vendin për hebrenjtë, hoqi ferexhetë, forcoi monedhën, mori arkitektët më të mirë italianë të kohës, krijoi një kastë tregtare të shkathët,hapi tregun,ndërtoi bankën, fali tokë për investime dhe dha shumë koncesione tek të huajt.

Paratë dhe energjitë që Zogu harxhonte për shkëlqim, për famë, për fotografi, martesa e tij glamour, veshja dhe makinat, nevoja për të kapur lajme në shtypin ndërkombëtar, më shumë se një mani për të rënë në sy, ishte një mënyrë për ta bërë më joshës projektin naiv të Republikës Tregtare që ai e kishte në kokë, pa e formuluar dot.

Sikur ekonomia anemike e Shqipërisë ta kishte ndihmuar dhe Lufta e Dytë Botërore të mos na sillte komunizmin si një shpërblim për 500 vjet prapambetje, ndoshta Zogu do kishte ndërtuar Republikën Tregtare të Shqipërisë 100 vjet më parë.

Po të kishte pasur më shumë kohë, Ahmet Zogu do i kishte bërë një shërbim të madh vendit duke korruptuar Partinë Komuniste sic bënë para dhe pas tij të gjitha vendet e Perëndimit me metoda gjysëmdemokratike.

Por në vitin 1939 Europa e vrau Republikën Tregtare të Ahmet Zogut dhe e pushtoi me ushtri.

Ushtarët evropianë e mbytën në djep Republikën tonë të Parë Tregtare, tani sapo jemi futur tek e dyta.

Por cfarë është Republika Tregtare ?

Qëllimi kryesor i një Republike Tregtare është të shkëlqejë, aq sa nganjëherë ajo duket sikur mendon më shumë për të huajt se për vendasit.

Republika Tregtare kërkon të jetë gjithë kohën një vitrinë lluksi, një avangardë në ndërtim dhe në organizime kulturore,në samite të mrekullueshme, tolerante me të gjitha racat,me të gjitha kombet, sidomos me të gjitha fetë, një hub, pra një zonë e lirë për piktorët, artistët,arkitektët, për start upet, një vend i mbushur me festivale dhe koncerte në cdo stinë, joshës për ata që bëjnë trend në tregjet ndërkombëtare, të cilët e vizitojnë atë shpesh nga deti dhe nga ajri duke kërkuar të sigurojnë aty një copë tokë për vete, ose për biznes.

Por që të jesh Republikë Tregtare duhet të plotësosh patjetër një kusht.

Duhet të kesh det.

Megjithatë jo të gjithë ata që kanë det mund të bëhen Republika Tregtare.

Libani ka qenë një Republikë Tregtare, por Izraeli që ka dalje në det njëjlloj si Libani, nuk ka qenë dhe nuk do jetë ndoshta dot kurrë një Republikë Tregtare.

Arabia Saudite ka më shumë det se Dubai por ajo nuk do jetë asnjëherë një Republikë Tregtare sepse ka një profil thellësisht prodhues.

Ajo prodhon naftë dhe nuk ka klas.

Dubai nuk prodhon pothuajse asgjë.

Ai vetëm shërben, mikpret investitorë për taksa të ulëta,ndërton në mënyrë futuriste, garanton siguri kursimesh, nuk pyet nga i fiton paratë, shet lluks, pushime të paharrueshme dhe mundësi kontaktesh fantastike për biznes, art dhe sport.

Republika Tregtare e bazon zhvillimin ekonomik tek tregtia dhe jo tek prodhimi, prandaj ato mbajnë një monedhë të fortë sepse tregtarët e saj duan të blejnë lirë jashtë vendit, mallrat që ua shesin të huajve që vijnë pa pushim të vizitojnë Republikën e tyre.

Republika Tregtare mban taksa më të ulëta se gjithë fqinjët e vet për tu marrë atyre paratë.

Republikat Tregtare nuk kanë fe.

Ato nuk janë më një produkt evropian dhe as i krishterë sic kanë qenë dikur.

Ato mund të jenë aziatike si Singapori, mund të jenë latine si Panamaja, mund të jenë muslimane si Libani dhe Dubai, prandaj mund të jenë edhe ballkanike si Shqipëria.

Republikat Tregtare nuk kushtëzohen nga forma e rregjimit.

Hong Kongu është pjesë e një vendi jo demokratik si Kina.

Dubai është një monarki dhe nuk është fare republikë.

Aty njerëzit nuk votojnë për ata që qeverisin.

Pra demokracia nuk është detyrimisht një kusht për një Republikë Tregtare, por në të kundërt siguria është kushti jetik.

Duke i renditur këto elementë duket sikur flasim pak për Shqipërinë.

Shqipëria pothuajse nuk prodhon dhe taksat nuk i ka shumë të larta.

Ajo vetëm ndërton, gatuan, blen dhe shet.

Bashkë me betonin, historia, dielli, uji, malet dhe gjellët janë pasuria e saj më e madhe.

Shqipëria ka sot monedhën më të fortë në histori, ndoshta që nga koha e Mbretësirë para 100 vitesh, cka favorizon tregtarët që blejnë, më shumë se prodhuesit që shesin dhe kjo politikë duket e qëllimshme.

Shqipëria po investon shumë në turizëm,në transport dhe është një vend shumë i hapur për të huajt qofshin turistë, punëtorë krahu apo tregtarë nga të gjitha anët e botës.

Shqipëria ndërton shumë ,ndoshta më shumë se kushdo në Evropë dhe duke marrë parasysh madhësinë dhe popullsinë që ka kuptohet se ndërton për të huajt që mund të vijnë nesër.

Nga ana tjetër ajo po largohet me shpejtësi dhe kokëfortësi nga konfliktet me komshinjtë, madje deri në atë pikë saqë duket sikur interesat e shqiptarëve që jetojnë në vende të tjera po i injoron në dobi të interesave të veta tregtare.

Ballkani i hapur është një ilustrim.

Megjithëse Kosova u corr duke bërtitur se Ballkani i hapur i dëmtonte interesat e saj, sërish Shqipëria nuk u tërhoq dhe nënshkroi bashkë me Serbinë dhe Maqedoninë për të hapur kufinjtë dhe për të taksuar më pak qarkullimin e mallrave, një gjest tipik i një Republike Tregtare që takson më pak miellin dhe më shumë gjakun, sepse i pari shitet, kurse i dyti jo.

Sot, një biznesmen nga Dubai për Shqiperinë, ka më shumë rëndësi se gjithë qeveria serbe.

Një autobuz turistësh nga Anglia ka më shumë peshë se cdo i cmendur në Bosnje.

Një grup kinezësh në kafenetë e Tiranës sjell më shumë të ardhura se një qytet nga Kosova dhe cfarë mendon Bullgaria për integrimin e Shqipërisë nuk bën më asnjë lajm, ndryshe nga 30 vjet më parë kur vizita e një bullgari me kostum ishte një ngjarje kombëtare që festohej në bulevard.

Tani Republika e Tregtare e Shqipërisë shikon vetëm xhepat e saj.

Ajo është një Republikë agresivisht egoiste dhe kështu duhet të vazhdojë të jetë.

Edhe konflikti i fundit me Greqinë ishte konflitk i një Republike Tregtare që grindet me një Republikë tjetër Tregtare.

Grindja për Bashkinë e Himarës nuk ndodhi për shkaqe nacionaliste por për arsye ekonomike, tregtare.

Shqipëria nuk mund të pranonte që lejen për hotelet, për plazhet dhe shezlonat t’ia përcaktonte një Republikë rivale Detare dhe ka të drejtë.

Nëse Himara do kishte qenë në Mallakastër apo në Dibër, asnjë konflikt nuk do ndodhte me Greqinë.

Prandaj Shqipëria nuk veproi si një Republikë Nacionaliste por si një Republikë Tregtare.

Ajo mbrojti me forcë, me polici dhe gjykata detin e vet, pra në një kuptim ekonominë e vet duke i shkuar parimit se, raison d’etat, pra e drejta e shtetit, prevalon mbi të drejtat e njeriut.

Por nëse Republika Tregtare e Shqipërisë ka një rrezik ai vjen nga Europa.

Europa është gjithnjë kundër Republikave Tregtare.

Franca e Napoleonit shkatërroi në fillim Republikën e mrekullueshme tregtare të Venecias.pastaj Italia u bashkua duke mbledhur mbetjet e të gjitha republikave të veta tregtare përfshi Venecian, Genovën, Pisën dhe Napolin.

Pak më vonë u bashkua Gjermania e cila shkatërroi me sukses republikat tregtare të Amsterdamit, Antverpit dhe Hamburgut.

Bashkimi Evropian vitet e fundit shkatërroi me sukses republikat e mbetura tregtare të Maltës dhe Qipros.

Kësaj të fundit ia mori të gjitha kursimet mbi 100 mijë dollarë brenda një natë cka është një nga aktet më mizorë financiarë në historinë moderne.

Dhe të mendosh se këtë e bëri me pretendimin se do ta shpëtonte Qipron nga falimentimi.

Ishte sigurisht një gënjeshtër e sajuar nga urrejtja e pangopur gjermane ndal lirive të tepruara financiare.

Qëllimi i vërtetë ishte zhdukja e modelit ekonomik të Qipros bankat e të cilës mblidhnin para nga gjithë bota pa pyetur cfarë pasaporte ke.

Ne sa kemi nisur të negociojmë me Europën dhe kërkësa kryesore e saj është formalizimi ekstrem, kontrolli i rreptë i tregut, i bankave dhe i të ardhurave.

Për emigrantët shqiptarë është më kollaj të cojnë kursimet në Tajëan sesa ti sjellin në Shqipëri.

Europa nuk i lejon sepse ajo mendon se bankat janë kasaforta, celësin e të cilave e ka gjithmonë ajo.

Por kur ne të kemi mbaruar negociatat, për pesë vjet, e sigurt është se Europa nuk do jetë më kjo që është sot.

Forca të reja politike po lindin të cilat do kërkojnë ta ndryshojnën këtë model ekonomik duke i dhënë pak më shumë fuqi vendeve antare.

Europa do kuptojë se periferia e saj nuk mund të sillet si veriu i ngurtë.

Këtu ka më shumë diell ,njereëzit vishen me rroba të lehta dhe era e detit i fluturon paratë nga xhepat.

Shqipëria ka qenë historikisht mes Lindjes dhe Perëndimit dhe ky lloj hub-i mund të funksionojë në të ardhmen si cepi apo më saktë si kepi i një lirije më të madhe financiare.

Prandaj them se ndoshta këtë herë mund të kemi pak fat.

Mund ta shijojmë Republikën tonë Tregtare për disa vjet sepse sic thonë marinarët e vjetër, era duket e ngohtë dhe mund ta shtyjë anijen tonë në ujëra më të qeta.

The post Çfarë republike është Shqipëria sot first appeared on JavaNews.al.

Pse nuk i kuptoj biznesmenët e Shqipërisë

4 August 2025 at 21:49

Nga Ben Blushi

Njoh shumë nga biznesmenët e Shqipërisë.

Janë manipulatorë të admirueshëm.

Ata kanë një teknikë marramendëse për të t’i nxjerrë paratë nga xhepi.

Me të njëjtën shpejtësi ia marrin paratë dhe shtetit.

Deri këtu i kuptoj.

Ajo që nuk kuptoj është se pse këmbëngulin për të na i marrë paratë vetëm ne, dy milion shqiptarëve që jetojmë bashkë me ta në të njëjtin diell?

Pse nuk bëjnë asgjë për ta zgjeruar tregun tonë të vogël?

Para disa ditësh bëra një shkrim ku thosha se e vetmja mundësi për të shpëtuar universitetet shqiptare është që të thithim studentë nga shtete të tjera.

Natyrisht nga vende të mëdha si India, Kina, Vietnami, Burma, Filipinet, Indonezia, Malazia, Bangladeshi, Pakistani etj.

Këto vende kanë më shumë se 5 miliardë banorë dhe çojnë nëpër shkolla 500 milion fëmijë në vit dhe më shumë se 100 milionë prej tyre përfundojnë në shkollë të lartë.

Dhjetë vjet më vonë këto numra do dyfishohen.

Natyrisht studentët e pasur të këtyre vendeve do shkojnë në Amerikë, në Londër, në Pekin dhe në Berlin.

Të varfërit do mbeten në universitetet lokale që nuk e kënaqin më shtresën e mesme.

Fëmijët e kësaj shtrese kërkojnë pak më shumë. Ata duan të dalin jashtë, të marrin dilploma evropiane, të njohin vende të reja.

Nëse nuk shkojnë dot në Londër, gëzohen po të shkojnë në Pragë, në Beograd, në Zagreb pse jo dhe në Tiranë.

Për një kinez nga provinca, një indian nga fshati apo një bangladeshas që e ka babain pronar të një punishteje të vogël do ishte e njëjta gjë si në Tiranë dhe në Ljubjanë apo Bratislavë.

Për ta Shqipëria është Evropë dhe Mesdhe, njëlloj si Italia dhe Greqia.

Këtu dielli është poaq i shndritshëm, deti është poaq i bukur, por jeta është më e lirë, ushqimi më i mirë dhe njerëzit më të dashur.

Këto janë avantazhet tona që biznesmenët kokëfortë të Shqipërisë nuk i marketojnë fare.

Kokëfortësia e tyre është provinciale.

Ata kanë vendosur t’ia falin studentët e varfër të botës Serbisë, Cekisë, Sllovakisë dhe t’u marrin para vetëm studentëve të varfër shqiptarë.

Çfarë nacionalizmi dembel.

Shqipëria ka një kapacitet akomodues për 250 mijë deri në 300 mijë studentë në vit.

15 vjet më parë ne kishim afro 190 mijë studentë gjithsej.

Sot kemi pak më shumë se gjysmën e kësaj shifre pra rreth 110 mijë që do të thotë se auditoret janë gjysëm bosh, bashkë me konviktet dhe qytetet e vogla që krijojnë ekonomi nga universitetet.

Imagjinoni për një çast sikur në Shqipëri të vijnë çdo vit një qind mijë studentë të huaj dhe secili prej tyre të harxhojë vetëm dhjetë mijë dollarë.

Janë një miliardë dollarë në vit.

Me pak mundim, me shumë marketing, kjo shifër mund të trefishohej për disa vjet.

Universitet mund t’i sillnin vendit më shumë se turizmi që duke u sforcuar sjell afro 4 miliardë euro në vit.

Me kaq të ardhura pikëpyetjet për cilësinë e universiteteve tona do shuheshin rrugës, sepse qindra profesorë gjermanë, italianë anglezë, amerikanë do punonin në Shqipëri me shumë qejf.

Dhjetë vjet më parë kjo përpjekje do ishte e pamundur.

Shqipëria e parë me lupën e google, ishte një vend ku digjeshin goma pas zgjedhjeve dhe ku turistët rriheshin nëpër plazhe.

Sot është ndryshe.

Sherret tona politike nuk vrasin më njerëz në bulevard, por përfundojnë në gjykatë si në cdo vend normal.

Turistët nuk grabiten në rrugë dhe aftësia e vendit për të bashkëjetuar me të huajt është rritur disa herë.

Ne mikpresim me mirë se serbët, gatuajmë më mirë se kroatët, dhe qeshim më shumë se sllovenët.

Nga 100 kritere që e klasifikojnë një vend si normal, plotësojmë më shumë se 90.

Dhe nga dhjetë kritere që e klasifikojnë një vend si mikpritës plotësojmë të paktën nëntë plus.

Prandaj familja e një fëmije në Pakistan, në Indonezi apo në Indi do paguante kursimet e jetës për ta sjellë fëmijën në një parajsë të varfër evropiane, ku nëse nuk të mësojnë si në Londër të respektojnë më mirë se aty.

Dhe kjo nuk është pak.

Ne nuk e kuptojmë dot se popujt që dikur kanë qenë koloni paguajnë për t’ua respektuar ngjyrën.

Taksa e ngjyrës sot në Londër është shumë e lartë, në Amerikë po rritet shumë, kurse në Shqipëri është akoma zero.

Përveç diellit dhe detit, targa jonë evropiane, e parë nga largësia e Azisë dhe Afrikës është malli më i vyer që kemi.

Një kinez, një vietnamez apo një bangladeshas nuk na dallon dot nga italianët, nga belgët dhe nga grekët siç nuk dallojmë ne dot një fëmijë nga Laosi nga një fëmijë nga Kamboxhia.

Për ta ne jemi e njëjta gjë.

Nëse biznesmenët e Shqipërisë bashkë me shtetin do hapnin agjensi në Azi dhe në Afrikë për të rekrutuar studentë, tregu jonë i vogël do kthehej me shpejtësi në një treg ndërkombëtar.

Por nëse nuk e bëjmë ne do ta bëjnë serbët, do ta bëjnë sllovenët dhe kroatët

Por e njëjta gjë vlen edhe për ndërtuesit e Shqipërisë të cilët unë nuk i kuptoj fare.

Ata kanë një fiksim të egër.

Ata duan të na i shesin shtëpitë që ndërtojnë vetëm neve, shqiptarëve të Shqipërisë.

Shqipëria ndërton me inat dhe me vrull më shumë se çdo vend tjetër në Evropë për frymë, por askush nuk e di kush do i blejë pallatet dhe vilat e saj të panumërta.

Shqiptarët që mund të blenin u ngopën dhe tani po mendohen të shesin.

Gjithmonë kam besuar se biznesmenët e Shqipërisë do tërhiqnin blerës suedezë, polakë, hollandezë, finlandezë, gjermanë, danezë, ukrainas dhe rusë për të blerë prona në det, por kjo nuk po ndodh.

Askush nuk u thotë këtyre popujve pa det dhe pa diell, se ka një vend në Mesdhe që shet apartamente më lirë se në Itali, në Greqi dhe Portugali e ndoshta edhe më lirë se në Mal të Zi.

Imagjinoni një norvegjez që jeton në mes të mjegullës, i ulur në divanin e vet, duke parë një reklamë që tregon se mund të blesh një shtëpi në Vlorë apo Sarandë për çerekun e çmimit që do e blente në Santorini apo në Majorka.

Ndërtuesit shqiptarë nuk harxhojnë asnjë lek marketing për t’i ngacmuar fantazinë norvegjezit që shikon shiun në dritare.

Shteti duhet t’i detyrojë kompanitë tona të reklamojnë në tregje ndërkombëtare.

Kjo është taksa e tyre e suksesit: të blejnë kohë televizve në televizonet evropiane për të reklamuar Shqipërinë.

Shpenzimet për marketing ndërkombëtar duhet të jenë një detyrim që shteti duhet t’ua kërkojë me çdo kusht kompanive shqiptare të ndërtimit, univesiteteve jo publike dhe klinikave estetike e spitaleve private.

Këto tre shërbime low cost mund ta bëjnë tregun tonë ndërkomëbtar.

Ne mund t’i japim diploma fëmijëve aziatikë, mund t’i rregullojmë dhëmbët pensionistëve evropianë dhe mund t’u shesim shtëpi të mrekullueshme në det shtresës së mesme evropiane.

Pasthirrmat pa gjini, që mendojnë se një herë jemi, një herë nuk jemi qendra e botës, duhet ta kuptojnë se ky nuk është turp, as ulje, as nënshtrim.

Është biznes.

Serbia harxhon më shumë se 55 milionë dollarë marketing në vit vetëm nga taksat.

Kroacia dyfish, më shumë se 100 milionë.

Me një buxhet të harmonizuar mes shtetit dhe kompanive private ne mund t’i kapnim këto shifra marketingu të domosdoshëm.

Ne prodhojmë jo keq, por shesim shumë keq.

Serbia që do futet shumë shpejt në garën e universiteteve low cost, nuk na konkuron dot në tregun imobiliar sepse një shtëpi në Serbi nuk ka asnjë vlerë në krahasim me një apartament në Shëngjin.

E njëjta llogjikë vlen për futbollin tonë të shkatërruar.

Sikur të kisha mundësi do bleja një klub futbolli në provincë, do ta ristrukturoja dhe do i lutesha shtetit të më ndihmonte t’ia shisja një arabi.

Rishitja e aseteve të ngordhura është super biznes.

Arabët janë sot njerëzit më të uritur në planet, për të investuar në sport.

Ata blejnë shkëlqimin e futbollit evropian.

Sauditët dhe Katari por më vonë edhe të tjerët, po blejnë me rradhë të gjitha klubet më të mëdha të Evropës.

Natyrisht ne nuk mund t’ia shesim klubin e Peqinit një fondi saudit për 100 milion euro, as ekipin e Laçit një kuvajtjani për 70 milion euro.

Për fat të keq këto klube nuk vlejnë as sa bonusi i një goli të Cristiano Ronaldos në Arabi.

Ato nuk kanë asnjë vlerë.

Ajo që ka vlerë është përkatësia jonë evropiane.

Ne nuk shesim makinën, shesim targën.

Të blesh Vllazninë nuk ka ndoshta asnjë përfitim financiar sot, por me pak investime ky klub mund të luajë me Milanin në Champions League, me Liverpoolin apo me Parisin.

Kjo do ishte një blerje prestigji për fondet e lira arabe dhe do t’i ngopte sa duhet deliret e tyre.

Arabët mund të blejnë Ronaldon për një paketë totale 1 miliard euro, por nuk e çojnë dot këtë idhull me 500 milion ndjekës në instagram, të luajë cdo javë me Juventusin, me Chelsea apo me Realin e Madridit dhe Barcelonën.

Por ekipet shqiptare e kanë këtë mundësi.

Bashkitë e qyteteve tona duhet të gjejnë blerës për ekipet e tyre të rrënuara në Arabi në Kinë dhe kudo ku ka fonde të lira.

Kryetarët e Bashkive duhet të jenë biznesmenë, në vend që të jenë hidraulikë dhe zjarrfikës.

Çdo gjë që është në Mesdhe shitet. Ky është tregu më i shtrenjtë i botës.

Ata duhet t’i shesin klubet e tyre të futbollit qoftë edhe për 1 euro me kusht që të investohen.

Atëherë Peqini mund të luajë me Realin në grupe, Elbasani me Interin dhe Dinamo me Arsenalin.

Imagjinoni çfarë do ndodhte në këto qytete sikur futbolli dhe universitetet të gjallëroheshin me investime të huaja.

Çfarë qyteti do ishte Shkodra me pesë mijë studentë të huaj.

Tregu i qirave do shpërthente, restorantet e vogla do lulëzonin,pedagogët do paguheshin më shumë, bicikletat e dashura do dyfishoheshin, ndërsa stadiumi ku ekipi i Vllaznisë i blerë nga një arab mendjemadh do luante çdo javë me Romën, me Fenerbahcen, me Dortmundin dhe Marsejën apo me Manchester United do digjej në flakë.

Gjithë qyteti do merrte zjarr sa herë arabi të këpuste tespijet e çmendura pas një goli.

Sepse janë evropiane ekipet tona tona mund të luajnë me kë të duan, të gëzojnë çdo pronar arab që investon duke blerë lojtarë dhe ta çojnë në Manchester të haje darkë si i barabartë me Pep Guardiolën e përkëdhelur apo në Stamboll me Jose Mourinon grindavec.

Ky është çmimi i prestigjit evropian që në Shqipëri është ende low cost.

E kush nuk do ta paguante një çmim kaq të lirë?

Çështja është se askush nuk e di, sepse askujt nuk i thuhet.

Arabët nuk e dinë që klubet tona shiten për një copë bukë, siç nuk e dinë indianët që mund të studjojnë në universitetet tona me një mijë dollarë në muaj.

Ne bëjmë muhabet, por nuk bëjmë marketing.

Shqipëria vazhdon të jetë një thesar i mbuluar me kujdes nga biznesmenët e saj mendjengushtë.

Ata duhet të kuptojnë se ka ardhur koha për të zgjeruar tregun tonë të vogël.

Ka ardhur koha për të shitur lirë gjërat e shtrenjta që nuk duhen.

The post Pse nuk i kuptoj biznesmenët e Shqipërisë first appeared on JavaNews.al.

Pse duhet të marrim studentë nga Kina, Nigeria, Vietnami!

22 July 2025 at 14:54

Nga Ben Blushi

KU MUND T’I GJEJNË STUDENTËT UNIVERSITETET TONA

Gati një vit më parë isha i ftuar për një bisedë me studentë të gjuhë letërsisë në Universitetin e Korcës. Nuk ishin më shumë se 12 nxënës.

Njëzet vjet më parë, në atë degë studionin disa qindra djem dhe vajza që besonin se një diplomë mund të të sigurojë një punë të mirë.

Po sot kjo nuk është më e vërtetë.

Jo të gjithë janë të bindur se një diplomë universitare mjafton për të të siguruar punë.

Dhe cështja për shumë familje është, a ja vlen ta cosh fëmijën në shkollë të lartë?

A i kthen paratë e investuara në arsim cdo lloj dege dhe cdo lloj shkolle?

Kam frikë se jo.

Të kushtëzuar nga komplekset sociale, familet kursejnë për ti cuar fëmijët në shkolla të larta, por këto para që mund të investoheshin diku tjetër, në shumicën dërrmuese të rasteve nuk kthehen më.

Për fat të mirë shumë prindër po e kuptojnë këtë.

Shumë shpejt njerëzit do fillojnë të heqin dorë nga diplomat.

Të kesh një diplomë nuk do të thotë se ke edhe një punë të garantuar, apo një punë të paguar mirë.

Në tregun shqiptar një hidraulik fiton më shumë se një jurist.

Një elektricist fiton më shumë se një mësues.

Një kuzhinjer fiton më shumë se një biolog.

Një agjent imobiliar fiton më shumë se një ekonomist.

Ndërtuesi i një brigade me dhjetë veta, fiton më shumë se një arkitekt.

Nëse një famije i duhen të paktën 50 mijë euro në katër vjet, për të mbajtur një fëmijë në universitet, për të edukuar një elektricist duhen dhjetë herë më pak dhe mundësia që ai të kthejë mbrapsht investimin, është shumë më e shpejtë.

Në përgjithësi arsimi në gjithë botën është në krizë dhe për më pak se një dekadë përparimet teknologjike jo vetëm do mbyllin shumë vende pune por do mbyllin edhe laboratorët që bëjnë njerëzit gati për punë : vetë universitet.

Shqipëria nuk do bëjë përjashtim.

Nëse në dhjetë vitet e ardhshme nuk vjen në pushtet ndonjë qeveri ultra e majtë, që merr para nga taksat për të lehtësuar dramat sociale,shumica e universiteteve do mbyllen.

Thonë që universitetet private janë pak më mirë.

Derisa mbeten të hapura duhet të jenë pak më mirë.

Megjithatë shumë shpejt edhe ato do rrudhen sic janë rrudhur.

Zgjidhja e parë e fëmijëve shqiptarë sot janë universitet e huaja, zgjedhja e dytë janë ato private dhe zgjedhja e tretë janë universitetet publike.

Por shumë shpejt familjet shqiptare do jenë përballë një dileme shumë të madhe:

Pse i duhet një diplomë fëmijës tim?

Unë vetë, nëse do kthehesha 40 vjet përpara natyrisht nuk do zgjidhja më degën që kam zgjedhur gjuhë letërsi, e cila nuk më mësoi asgjë, por ndoshta nuk do zgjidhja të shkoja fare në Universitet.

Jeta më ka mësuar më shumë gjëra se shkolla.

Puna më ka mësuar se shkolla nuk të mëson të punosh.

Shumica e njerëzve që i mbaruan shkollat në fund të viteve 1990 nuk i përdorën asnjëherë diplomat e tyre.

Ata bënë punë të tjera që mund ti bënin edhe pa diplomë.

Sot mund të jetosh shumë më mirë duke i investuar kostot e shkollimit diku tjetër, në një start up apo në një biznes familjar apo në turizëm apo në bujqësi.

Atëherë si zgjidhet kriza e universiteteve?

Unë besoj se asnjë reformë që nuk zgjeron tregun nuk mjafton.

Integrimi i Shqipërisë në BE do ti shkatërrojë edhe më keq universitetet tona.

Si një vend antar i BE, fëmijët shqiptarë mund të studjojnë gratis në cdo vend europian që do të thotë se kostot që paguan sot një familje për të cuar djalin apo vajzën në Gjermani do jenë dy herë më të ulëta.

Kjo do t’ia marri edhe kafshatën e fundit universiteteve tona publike por edhe atyre private.

Shqipëria do e ketë të garantuar arsimin e fëmijëve të vet, por do rrezikojë mbylljen e universiteteve të veta.

Sa herë flas me miq, që administrojnë universitete private, ju them se e vetmja rrugë që ata ti mbajnë hapur bizneset e tyre është hapja e tregut ndaj të huajve.

Universitetet tona janë pjesa më e izoluar e shoqërisë. Edhe ekipet e varfra të futbollit kanë të huaj pa folur për restorantet, shërbimet, bankat apo kompantë.

Cuditërisht universitetet duken si laborarorë të pastër etnik.

Aty ka vetëm shqiptarë që nuk mësojnë.

Natyrisht Shqipëria nuk mund të joshë dot studentë gjermanë, as belgë, as sllovenë ndoshta as turq.

Por nisur nga vendodhja gjeografike, klima dhe kostot e ulëta të jetesës, Shqipëria mund të kthehej në një hub të lirë evropian për mijëra studentë kinezë, indianë, pakistanezë, bangladeshas, irakenë, egjiptianë, vietnamezë etj.

Të gjitha këto vende cojnë cdo vit në universitet e tyre më shumë se 200 milion studentë. Ndoshta edhe më shumë.

Në të gjitha këto vende që kanë një popullsi sa gjysma e botës, afro 4 miliardë njerëz, shtresa e mesme po rritet me shpejtësi. Gjithmonë e më shumë njerëz po dalin nga varfëria në Kinë në Indi, në Egjipt në Nigeri dhe në Vietnam ku ekonomia po lulëzon.

Kjo do të thotë se në dhjetë apo njëzet vitet që do vijnë, familjet do cojnë edhe më shumë fëmijë në shkolla të larta.

Por kaq shumë fëmijë nga familjet e mesme kineze, indiane dhe pakistaneze që ëndërrojnë të shkollohen në Evropë, nuk shkojnë dot në Londër, as në Paris dhe as në Berlin apo në Amerikë që po mbyllet si treg universitar.

Përvec politikave izolacioniste në këto vende, kostot janë shumë më të larta dhe kuotat shumë të kufizuara.

Por një pjesë e tyre mund të vinin në Shqipëri, si në një vend evropian.

Unë habitem se si univesitetet private harxhojnë ende para për të reklamuar në tregun e vogël shqiptar, kur duhet të hapnin agjensi rekrutimi në Kinë, në Indi apo në Pakistan apo në Egjipit.

Ky duhet të ishte një biznes kombëtar. I ndihmuar nga shteti. I udhëhequr nga shteti.

Qeveria mund ti eksplorojë këto tregje fillimisht për të mbushur universtetet publike që sot po japin shpirt.

Është më mirë që universitet tona të mbahen me paratë e kinezëve dhe indianëve sesa me taksat tona.

Nga 200 milion studentë aziatikë që shkojnë cdo vit në shkollë të lartë qoftë edhe 0.1 për qind të vinin në Shqipëri janë dy herë më shumë se gjithë numri i studentëve shqiptarë në total.

Shteti mund të kthehej në një agjensi për të mbledhur studentë nga vende të tjera përmes marrëveshjesh dypalëshe.

Imagjinoni sikur Universiteti i Korcës që po vdes, të ishte një destiacion për studentë kinezë.

Universiteti i Gjirokastës për vietnamezë, Vlora për egjiptainë, që meqë ra fjala po mbajnë në këmbë sot industrinë tonë tonë të peshkimit, apo Elbasani për indianë.

Ky migrim arsimor, nuk gjallëron vetëm universitetet por mund kthehet në ekonomi për vetë qytetet tona të mpakura.

Prandaj them se nëse duam Universitet duhet të gjejmë studentë, sepse megjithëse mësues ka, nxënës do ketë gjithmonë e më pak.

The post Pse duhet të marrim studentë nga Kina, Nigeria, Vietnami! first appeared on JavaNews.al.

A do prishet Muri i Berlinit në Tiranë

11 July 2025 at 19:03

Nga Ben Blushi

Sikur të isha një guidë turistike do i tregoja turistëve një mur që ndan dy rrugë në mes të Tiranës, siç ndante dikur Muri i Berlinit kapitalizmin nga komunizmi.

Muri për të cilin po flas ndan dy nga rrugët kryesore të Tiranës, rrugën e Bogdanëve dhe rrugën e Ambasadave.
Dikur këto akse paralele ishin të bashkuara dhe njerëzit që jetonin në këtë zonë kalonin nga njëra te tjetra me lehtësinë që kalohet nga dhoma e bukës në dhomën e pritjes.

Kur ambasadat e huaja u vendosën në rrugën Skënderbeu, që u quajt rruga e Ambasadave, shteti komunist e rrethoi këtë hapësirë me mure të larta sepse natyrisht shqiptarët nuk mund të komunikionin me perëndimorët që ishin armiq të socializmit.

Kështu rruga e Bogdanëve u nda nga motra e vet binjake, me të cilën kishte jetuar gjithë jetën në të njëjtën lagje.
Por kur Muri origjinal i Berlinit ra, Shqipëria u hap dhe njerëzit humbën interesin për të hyrë në ambasada, muri sërish nuk lëvizi nga vendi.

I shtyrë nga kurioziteti për të kuptuar se pse Muri i Berlinit të Tiranës është ende në këmbë, pyeta dhe më në fund e kuptova arsyen.

Është komike.

Murin e Berlinit të Tiranës e mban në këmbë Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë.
Pas atij muri, një drejtori me një emër ingranazhesh duralumini, DSHTD, nëse nuk jam gabim, ka ndërtuar një magazinë.
Brenda kësaj magazine ka vërtet disa zyra me duralumin dhe shumë sende të ndryshkura që mund te jëtë stola, krevatë portativë, abazhurë apo pajisje të vjetra që dikur i shërbenin trupit të huaj diplomatik.

Disa muaj më parë, banorët e rrugës së Bogdanëve, bashkë me minibashkinë i kërkuan zyrtarisht Ministrisë së Jashtme, ta hiqte pjesërisht atë pengesë dhe të hapte një shteg këmbësorësh për fëmijët, turistët dhe diplomatët.
MInistria e Jashtme dha shpresë dhe të gjithë u gëzuan se dy rrugët që komunizmi i ndau për 50 vjet mund të bashkoheshin.
Bizneset fërkuan duart dhe diplomatët u kënaqën, se nga një rrugë, do bëheshin me dy.

Por ajo që ndodhi është e padëgjuar dhe meriton një çmim, nëse në botë jepen çmime për ata që sajojnë pengesa që nuk mund të imagjinohen.
Në vend që të hapte një shteg për të lejuar këmbësorët të kalonin nga ana tjertër, DSHTD, hapi një portë hekuri dhe i vuri një dryn.

Që nga dita që ajo portë është aty, nuk është hapur asnjëherë.
Asnjë nga banorët nuk e ka kaluar dot pragun e saj dhe diplomatët e tregojnë me gisht sa herë duan të tallen me Ministrinë tonë të Jashtme.
Njerëzit që zgjohen herët thonë se çdo mëngjes, punonjësit e DSHTD, e përdorin portën për nevojat e veta.
E hapin kur të duan, e mbyllin kur të duan.

Pra nëse më parë shkonin në punë vetëm nga njëra anë e murit, nga rruga e Ambasadave, tani mund të kalojnë edhe nga ana tjetër, nga rruga e Bogdanëve sepse ju bije më shkurt.

Pas këtij inovacioni të ingranazhit diplomatik,unë e humba shpresën se muri i Berlinit të Tiranës mund të prishej, por kur pashë se shteti po shemb me shumë të drejtë, gardhet e privatëve, mendova se ndoshta duhet t’i kujtoj se përveç gardheve të gipsit, të teneqeve dhe plastikave prej kaucuku ka edhe një gardh burokratik që duhet shembur.

Kështuqë nëse do isha një guidë turistike, pasi t’i lija turistët me gojë hapur me këtë histori të çuditshme që lidh komunizmin me kapitalizmin dhe urbanizimin me kaosin prej duralumini do t’i coja te oborri i MInistrisë së Jashtme si demonstrues paqësorë.

Ndoshta atëherë dikush do t’i dëgjonte dhe do tia jepte çelësin e Murit të Berlinit qytetarëve të Tiranës.

A do prishet Muri i Berlinit në Tiranë

The post A do prishet Muri i Berlinit në Tiranë first appeared on JavaNews.al.

Dita e fitores mbi fashizmin dhe gjyshërit e mi! Pse Europianët e përçmojnë 9 majin

9 May 2025 at 17:18

NGA BEN BLUSHI

Në arkivin e familjes tonë shkëlqen një fotografi e gjyshit dhe gjyshes time, Dhimitër dhe Mynever Shuteriqi me armë dhe me uniformë partizane në malet e Elbasanit në verën e vitit 1944. Në këtë fotografi duken dy të rinj të dashuruar, të bindur se shumë shpejt do i mundin gjermanët.

Disa muaj më vonë kjo ndodhi. Gjermanët u larguan nga Shqipëria në nëntor 1944 dhe në maj të vitit 1945 ushtria e tyre kapitulloi.

Sikur gjyshja dhe gjyshi im të ishin ende sot, do ta festonin Fitoren mbi Nazizmin si ditën më të rëndësishme të jetës së tyre të mbushur me kujtime lufte.

Bashkë me ta, miliona europianë, rusë dhe amerikanë do festonin atë që ka hyrë në histori si VE Day, apo Victory of Europe Day. Por për fat të keq vendet që fituan luftën, pra aleatët e dikurshëm, po e festojnë të ndarë VE Day, apo 80 vjetorin e fitores mbi fashizmin.

Europa Perëndimore festoi dje në 8 maj, kurse Rusia po e feston sot në 9 maj. Amerika pothuase nuk e feston fare këtë datë, sepse merret me punë të tjera. Kjo ngatërresë e qëllimshme datash më mbush me shpresë, se mund të jemi europianë shumë shpejt, sepse të bëhesh qesharak nuk konsiderohet më një mëkat në Europë.

Ndarja e fitores në dy pjesë, në 8 dhe 9 maj, ngjan fiks si estrada e partive të vjetra shqiptare, të cilat e fitojnë çlirimin e vendit tonë në dy data të ndryshme, në 28 dhe 29 nëntor. Por nëse në Shqipëri politikanët zihen kur u largua nga Shkodra gjermani i fundit hipur mbi bicikletën me goma të shpuara të një pianisti të njohur, europianët dhe rusët shkojnë edhe më larg.

Ata grinden për një minutë. Dhe ja pse. Gjermania kapitulloi të enjten e datës 8 Maj 1945 në ora 23.01, kur hyri në fuqi Akti i Dorëzimit që u nënshkrua në Berlin, por meqë kjo datë në Moskë ishte 00.01, Rusia feston një ditë më vonë në 9 maj, sic po ndodh edhe sot, kurse Europa feston një ditë më parë në 8 maj, siç ndodhi dje.

Gjatë kohës së komunizmit, vendet e Europës i festonin këto data çlirimi sipas kampeve ku bënin pjesë. Gjermania Perëndimore, Anglia dhe Franca festonin në 8 maj. Gjermania Lindore, Çekia dhe Polonia bashkë me Rusinë në 9 maj.

Sot Gjermania e feston fitoren mbi nazizmin në 8 maj, Çekia po ashtu, meqë ka hyrë në Bashkimin Europian, por edhe Ukraina që dikur festonte 9 majin ka kaluar në hemisferën e 8 majit. Pra për një minutë mbi orën 12 të natës, rusët dhe europianët e kanë ndarë kontinentin në dysh sikur të mos u mjaftonin 50 vitet e Luftës së Ftohtë.

Ky tempizëm qesharak, bëhet i dhimbshëm kur kujton se amerikanët, pa të cilët Europa Perëndimore nuk do ishte cliruar dot, lanë 400 mijë ushtarë të vrarë, ndërsa rusët që cliruan gjithë Lindjen deri në Berlin më shumë se 20 milion. Megjithatë, siç e kanë zakon që i shkojnë inatit deri në fund, europianët dhe rusët e kanë thelluar hendekun prej 1 minuti edhe më shumë. Distanca e tyre tani nuk është më kaq pak.

Sot VE Day ka marrë një simbolikë tjetër që lidhet me luftën në Ukrainë. Europianët e përçmojnë 9 majin si festën e një vendi pushtues që ka sulmuar Ukrainën njëlloj si Gjermania Europën 80 vjet më parë. Nëse Europa e feston fitoren kryesisht me nxënës shkollash që ndezin qiri nëpër kisha, Rusia ka nxjerrë në rrugë ushtrinë, tanket, dronët dhe raketat balistike për të treguar forcën e saj.

Duket sikur Rusia po i thotë Europës se nëse një ditë qeveritë do i shtypin popujt, sic ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo do vijë prapë për ta çliruar Europën nga udhëheqësit e saj të mbrapshtë.

Uroj shumë që kjo ditë mos vijë kurrë. Për fat të mirë Shqipëria nuk është futur në betejën një minutëshe mes 8 dhe 9 majit dhe nuk e ka shpallur ditë pushimi asnjërën nga këto dy data.

Shqipërisë i mjafton karamboli i 28 dhe 29 nëntorit, megjithatë e etur për të shënuar rekorde absurditeti Shqipëria ka bërë dicka tjetër. Disa qytete kanë ngritur buste të kolaboracionistëve të nazistëve, gjë që në Europë nuk ka ndodhur askund. Për ata që nuk e dinë, bashkëpuntorët janë quajtur në fjalorin politik kuislingë, sipas Vidkun Quisling që ishte kryeministri norvegjez që ju nënshtrua gjermanëve në vitin 1943.

Nëse sot, qoftë edhe në cepin më të humbur të Norvegjisë do ngrihej një bust i Kuislingut, me përmasat e një filxhani, ai vend do thyhej në mes, pa folur këtu se cfarë mund ti ndodhte një politikani që do guxonte ta rehabilitonte këtë tradhtar.

Por në Shqipëri ka ndodhur ajo që nuk mund të ndodhte as në Norvegji, as në Francë, as në Gjermani dhe as në Rusi. Nevoja për të mbledhur vota nga turpi ka nxjerrë nga varret e historisë kuislingët shqiptarë që kryetarët e neveritshëm të disa provincave i kanë ngritur në peidestal me nderime të posacme.

Sa e turpshme. Dashuria e Shqipërisë për tradhtarët është dicka që nuk mbaron me vdekjen e tradhtarëve. Ka gjithmonë njerëz që jetojnë duke i tregtuar tradhtarët, duke shkruar libra për ta, duke shitur bustet e tyre të shtrembra dhe duke spërkatur festat kombëtare me hirin e tyre të zi.

Megjithëse kundër kësaj shëmtije kam shkruar një libër, gjysëm të ndaluar, që quhet Kandidati, unë pothuajse e kam humbur shpresën se dikush do ti rrëzojë këto buste që kanë ngritur kokat e tyre të turpëruara mbi horizontin e qyteteve tona. Helmi i historisë së shtrembëruar i ka mpirë shkollat, ndërsa nevoja për vota vazhdon t’i mbrojë tradhtarët nga turpi. Megjithatë në emër të modeleve të shpresës, po postoj këtë foto të gjyshërve të mi, që duken aq të bukur dhe aq të lirë, atëherë kur kuislingët prej bronzi i shërbenin pushtuesve duke i spiunuar të rinjtë që luftonin dhe bënin dashuri në mal.

Kjo është Dita e Fitores së tyre.

The post Dita e fitores mbi fashizmin dhe gjyshërit e mi! Pse Europianët e përçmojnë 9 majin first appeared on JavaNews.al.

Kush e rrëmbeu Zelenskyn dhe Hashim Thaçin?

13 March 2025 at 17:50

Nga Ben Blushi

Rrëmbimi i Zelenskyt nga Evropa i ngjan shumë rrëmbimit që ju bë Hashim Thaçit në kohën kur po shkonte të firmoste një marrëveshje paqeje me Serbinë, në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020.

Por megjithëse u rrëmbyen nga të njëjtit rrëmbyes, Zelensky dhe Hashim Thaçi nuk ngjajnë fare me njëri- tjetrin.

I pari është duke humbur luftën me gjithë mbështetjen e gjithë botës, kurse i dyti e fitoi luftën megjithëse nuk kishte mbështetjen e gjithë botës.

Edhe si karaktere ata të dy nuk ngjajnë fare.

Zelensky ka qenë një komedian i shpifur që kërcente në haremet e Rusisë, kurse Hashim Thaçi ishte një luftëtar që doli në mal me armë dhe drejtoi një lëvizje çlirimtare, derisa e shpalli vendin e vet të pavarur.

Pikërisht sepse nuk ngjajnë fare si karaktere, njëri është në burg pasi fitoi, kurse tjetri është i lirë dhe vazhdon të kërcejë edhe pse po humb.

Por përveç ndryshimeve karakteriale dhe politike të dy presidentëve, atij të Kosovës dhe të Ukrainës, pak a shumë gjithçka tjetër është njëlloj dhe ja pse.

Të dy u rrëmbyen nga Evropë kur ishin gati të firmosnin një marrëveshje paqeje në zyrën e Donald Trump.

Në vitin 2020, Hashim Thaçi u pengua të shkonte në Amerikë dhe jo rastësisht Jack Smith, njeriu që ka dashur të dënojë me burg Donald Trump, ishte prokurori që ngriti akuzën ndërkohë që Hashim Thaçi ishte në Vjenë duke pritur avionin që do ta çonte në Washington.

Por sigurisht Jack Smithi nuk ishte vetëm.

Pas tij ishin evropianët, gjermanët, francezët, holandezët të cilët e burgosën Hashin Thaçin sepse menduan se ai po i bënte një favor Donadl Trumpit duke i dhuruar një marrëveshje paqeje mes Serbisë dhe Kosovës, në prag të zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.

Hashim Thaçi u akuzua në 26 tetor 2020 në kulmin e fushatës presidenciale në Amerikë dhe u arrestua në 5 nëntor, dy ditë pasi Joe Biden kishte fituar zgjedhjet kundër Donald Trump.

Pra në fillim e penguan të bëhej bashkëpunëtor i Donald Trump dhe pastaj e ndëshkuan si bashkëpunëtor të tij.

Duke parë çfarë ndodhi këto ditë, është edhe më e qartë se Zelensky u rrëmbye me dëshirën e vet nga evropianët, të cilët e bindën të mos nënshkruante dhe të përdorte çdo truk për të sabotuar marrëveshjen e negociuar nga Trump, çka ai e bëri me sukses.

Por meqë Zelensky dhe Hashim Thaçi nuk kanë të njëjtin plan, sepse njëri do ta vazhdojë luftën dhe tjetri do ta mbyllë i pari shkoi në Zyrën Ovale dhe e shkatërroi marrëveshjen për të cilën kishte rënë dakord, kurse i dyti është sot në burg sepse do ta nënshkruante marrëveshjen për të cilën kushte rënë dakord.

Sikur Hashim Thaçi të kishte dëgjuar evropianët sot me siguri do ishte i lirë si Zelensky.

Çështja është se të dyja këto raste që ngjajnë si dy pika uji, Evropa ka kërkuar me çdo kusht vazhdimin e konfliktit si në Ukrainë po ashtu edhe në Kosovë.

Për shkakun e tyre, Ukraina vazhdon, ndërsa Kosova mund të shpërthejë nëse i lihet në dorë një grupi luftënxitësish, të cilët po bërtasin gjithë ditën se Rusia kërkon t’i pushtojë ndërkohë që kjo as nuk duket në horizont dhe as ka ndonjë shans të ndodhë.

Paniku qesharak i evropianëve bëhet edhe më mizor kur propozojnë një plan me katër pika për mbylljen e luftën në Ukrainë, një plan të cilit i mungon pika e parë.

Negociatat me palën tjetër. Me Rusinë.

Kjo është e jashtëzakonshme.

Një plan si ky nuk është parë as në filmat e komunizmit shqiptar kur armiqtë e huaj mundeshin çdo ditë pa shkrepur asnjë armë, jo sepse armiqtë ishin të dobët, por sepse ata nuk e kishin fare në plan të sulmonin Shqipërinë siç e dhe u provua.

Komunistët shqiptarë e përdorën frikën nga pushtimi perëndimor për të na nënshtruar për 50 vjet.

Sot evropianët po bëjnë të njëjtën duke u futur në psikozën e Enver Hoxhës që ndërtoi bunkerë për t’u mbrojtur nga një armik që nuk erdhi asnjëherë.

Nuk është për të qeshur, por sot shteti gjerman po inkurajon prodhimin e bunkerëve të gatshëm, të cilët njerëzit po i fusin në oborret e shtëpive me bindjen se rusët do t’i sulmojnë nesër.

Nxitimi i tyre përveçse rrit çmimin e bunkerëve shton njëkohësisht dhe taksat.

Ndërkohë askush nuk e shpjegon se pse rusët do pushtojnë Evropën.

Kryeministri polak tha para dy ditësh se 140 milion rusë po bëhen gati të pushtojnë 500 milion evropianë.

Vetëm kjo fjali mjafton për të kuptuar se sa qesharake është e gjitha.

140 milion banorë të një vendi relativisht të varfër si Rusia, që ka humbur qindra mijëra ushtarë, që detyrohet të marrë ushtarë borxh në Korenë e Veriut, një shtet i lodhur për shkak të sanksioneve rraskapitëse, mbylljes hermetike, largimit të bankave dhe kompanive perëndimore, sekuestrimit të aseteve, një shtet me një buxhet më të vogël se Italia, jo vetëm nuk ka arsye por nuk kanë as fuqi të pushtojnë me radhë Gjermaninë, Francën dhe pastaj Anglinë dhe nëse të gjitha këto pushtime i mbaron deri të premten, ushtarët e skuqur rusë mendohet se mund ta kalojnë weekendin në Spanjë edhe në Portugali.

Në fund të fundit pse do ta pushtonte Rusia Evropën?

Këtë nuk e thotë askush. Askush nuk thotë kush është arsyeja që Rusia do çmendej dhe do pushtonte gjithë këto vende rresht njëra pas tjetrës sikur të ishin fshatra të boshatisur në Siberi.

Akoma më keq askush nuk e thotë se kjo është plotësisht e pamundur. 140 milion njerëz nuk pushtojnë dot 500 milion, jo vetëm sepse numerikisht kjo nuk mund të ndodhë por edhe sepse në këtë moment Rusia do ishte e vdekur pasi gjithë bota, përfshi edhe Amerikën, Japoninë, Indinë, Turqinë dhe Arabinë do bëhej me Evropën.

Kjo do ishte një luftë mes Rusisë dhe Botës në të cilën përfundimi dihet. Çështja është se lufta në Ukrainë ka mbetur bunkeri fundit i liderëve evropianë të cilët janë futur aty për tu mbrojtur nga popujt e tyre.

Për t’u mbrojtur nga papunësia, pabarazia, inflacioni, emigracioni, çmimet e larta dhe rënia ekonomike. Ukraina është një sebep për të qeverisur keq, në pamundësi për të qeverisur mirë. Nëse lufta në Ukrainë mbaron, të gjitha çështjet e tjera hapen.

Popujt evropianë të cilëve u thuhet, nuk kemi çfarë bëjmë, mos kërkoni më shumë se jemi në luftë, do kërkojnë paga më të larta, pensione më të mira, çmime më të ulëta dhe punësim.

Përfundimi i luftës në Ukrainë do i rrëzonte me radhë shumicën e qeverive të sotshme evropiane. Kjo është arsyeja pse Zelensky u rrëmbye dhe ju morr Donald Trumpit nga zyra si një aktor profesionist për të vazhduar të luajë rolin kryesor në këtë komedi të dhimbshme.

Ndryshe nga Zelensky, Hashim Thaçi nuk e pranoi këtë rol. Nëse do ta pranonte do ishte akoma president i Kosovës duke shkuar çdo javë në Bruksel aty ku thirren të gjithë ata që nuk duhet të mbarojnë asnjë punë. Sidoqoftë në fund të kësaj historie me luftë një gjë është e sigurt : luftë nuk do ketë.

Për të paktën tre arsye.

E para se Amerika nuk do.

E dyta sepse Rusia nuk mundet.

Dhe e treta sepse Evropa është frikacake.

Një eksperiment llogjik se ç’mund të ndodhë me Ukrainën

1 March 2025 at 15:20

THINK OF IT

Megjithëse Donald Trump nuk ka shumë fantazi letrare, nganjëherë i nis postimet e veta bombastike, me togfjalëshin Think of It, që në shqip do ishte mendo sikur, pra mendo sikur të ndodhte kështu.

Atëherë le të bëjmë një eksperiment llogjik që nis me Think of It.

Mendo sikur nesër lufta mes Ukrainës dhe Rusisë përfundon me një armëpushim i cili si fillim

ndalon vrasjet dhe bombardimet në të dy anët.

Rusia merr përsipër të tërhiqet ushtarakisht nga territoret që ka pushtuar me kushtin që Ukraina të heqë dorë nga antarësimi në NATO, duke e sanksionuar neutralitetin e saj në Kushtetutë.

Pakicat ruse në Ukrainë, të cilat janë afro 8 milion banorë, apo më shumë se 17 për qind të popullsisë, fitojnë një lloj autonomie kushtetuese bashkë me të drejtën e vetos, se Ukraina nuk mund të antarësohet as në BE as në NATO pa miratimin e tyre.

Rusia njeh reparacionet e luftës, pra dëmet që i ka shkaktuar Ukrainës gjëtë pushtimit dhe del garant se do rindërtojë zonat e shkatërruara dhe godinat që ka hedhur në erë.

Europa dhe Amerika i heqin sanksionet Rusisë dhe Ukraina hyn në një fazë rindërtimi me kosto të përbashkëta të përballuara nga Europa, Amerika, Rusia dhe shumë vende të tjera.

6 milion ukrainas që kanë emigruar rikthehen ne shtëpitë e tyre duke cliruar nga një barrë financiare edhe vetë Europën që sot paguan për qëndrimin, strehimin dhe ushqimin e tyre.

Ukraina mban zgjedhje të lira, të cliruara nga dyshimet e ndërhyrjes ruse dhe blerjes së opinionit publik me fondet e USAID që sot financon më shumë se 90 për qind të gazetave, portaleve dhe televizoneve të këtij vendi me paratë e taksapaguesve amerikanë.

Një pjesë e madhe e nëntokës së pasur të Ukrainës fillon edhe shfrytëzohet nga kompanitë e mëdha amerikane dhe europiane duke krijuar siguri, pavarësi, mirëqenie, taksa, vende pune dhe të ardhura, në një vend pothuajse të shkatërruar nga lufta, ku sot në 100 veta, 22 nuk punojnë sepse papunësia është 22 për qind.

Qytetarët europiane çlirohen nga rritja me tre herë e çmimeve të energjisë që nga dita kur për shkak të luftës, refuzuan të furnizohen nga Rusia me gaz, naftë dhe energji elektrike.

Rusia dhe Ukraina bëjnë një marrëveshje afatgjatë mossulmimi me garanci amerikane dhe europiane dhe ndoshta edhe kineze të nënshkruara bashkarisht.

Rusia hap dyert për kompanitë amerikane dhe europiane të cilat mund të shfrytëzojnë rezervat më të mëdha të botës në një territor prej 17 milion kilometrash katrorë, që është pothuajse sa gjithë sipërfaqja e Amerikës dhe Europës së bashku.

NATO dhe Rusia arrijnë një marrëveshje të qëndruershme carmatimi duke u kthyer nga armiq në partnerë dhe duke negociuar eventualisht antarësimin e Rusisë në NATO dhe ndoshta më vonë edhe në Bashkimin Evropian.

Armët bërthamore reduktohen dhe shkatërrohen gradualisht dhe asnjë vend i botës nuk lejohet të pasurojë më uranium.

Think of it

Nëse Rusia antarësohet në Bashkimin Evropian ky Union do ishte më i madhi që ka parë ndonjëherë historia.

Bashkimi Europian me Rusinë do arrinte një popullsi më të madhe se 600 milion banorë dhe një sipërfaqe që do shtrihej nga Portugalia deri në ishullin Sakhalin përballë Japonisë.

Në gjithë këtë treg gjigand do kishte shumë lëvizje mallrash, shumë transaksione, shumë mirëqenie, shumë shpikje të reja dhe shumë më shumë vende pune se ç’ofron Europa sot për popujt e vet.

Evropa e sotme, e trembur dhe e terrorizuar do qetësohej nga paniku, herë pas here i shtirur, se Rusia kërkon ta pushtojë dhe vetë Rusia dhe shpëtonte nga paranoja se europianët e rinj duan ta shkatërrojnë duke përfunduar një projekt kolonizimi që Napoleon Bonaparti dhe Hitleri nuk ia arritën dot.

Liderët e dobët europianë, që ndryshe nga Napoleoni dhe Hitleri kërcënohen të humbin pushtetin cdo katër vjet, nuk do ëndërronin kurrë ta pushtonin Rusinë, pasi ajo do ishte pjesë e tyre njëlloj si Gjermania apo Franca.

Në këto kushte edhe Amerika, Europa dhe Kina e Rusia do ulnin shpenzimet e çmendura për armë dhe do investonin më shumë për teknologji, arsim, shëndetësi, infrastrukturë, demografi,dhe bashkëpunim.

Demokracia, të cilën evropianët e duan aq shumë dhe në emër të së cilës akuzojnë gjithë ata që nuk mendojnë si ata, do ishte një state of art edhe në Rusi, pra një gjendje e përhershme e shoqërisë e cila do respektonte opozitën, do garantonte shtypin e pavarur dhe do mbante zgjedhje të lira siç ndodh kudo në Europë.

Vendet e Europës Lindore do shpëtonin nga kërcënimi rus dhe Lituania, Letonia, Estonia bashkë me Finlandën do i mbanin kufinjtë të hapur, pa patur frikë se do pushtoheshin nga një aleat siç ndodh sot me Hollandën dhe Belgjikën që nuk flenë me frikën se në mëngjes do pushtohen nga Gjermania megjithëse kjo ka ndodhur dikur.

Bashkimi i Madh Evropian do ishte një kooperativë popujsh, nga rusët deri te shqiptarët, të cilët pavarësisht nga madhësia, janë të barabartë në të drejta politike dhe kanë peshë të njëjtë vote në vendimet që merren në tryezën e përbashkët.

Kur të votohej për Parlamentin Europian, një herë në katër vjet, do votohej njëkohësisht në Berlin, në Paris, në Athinë, në Oslo, në Moskë, në Prishtinë dhe në Tiranë dhe vota e monitoruar nga kaq shumë sy nuk do manipulohej dot sepse kjo ndërhyrje të nxjerr automatikisht jashtë Unionit.

Paqja me Rusinë do ta qetësonte Ballkanin duke e bërë më të lehtë integrimin në Europë të popujve që jetojnë në këtë zonë, përfshi shqiptarë, serbë, boshnjakë, maqedonas dhe malazezë, të cilët janë ndarë dhe janë vrarë sa herë Europa dhe Rusia kanë dashur.

Shqiptarët dhe serbët, do gjenin shumë më lehtë një marrëveshje, në kushtet kur Europa dhe Rusia janë bashkë dhe nga ky mirëkuptim asnjë popull nuk do fitonte më shumë se shqiptarët të cilët kanë humbur sa herë kanë patur Rusinë kundër.

Bota do ndahej në tre blloqe të mëdha, Amerika, Europa e Madhe dhe Kina.

Në kuptimin strategjik, Rusia do shkëputej nga aleanca e sotme me Kinën dhe Evropa e Madhe do shpëtonte nga varësia ushtarake dhe politike e Amerikës duke u bërë një superfuqi e barabartë me dy të tjerat.

Europa e Madhe, brenda të cilës do përfshihej edhe Ukraina edhe Rusia, do kishte një sipërfaqe më të madhe se Amerika dhe Kina së bashku dhe një popullsi dy herë më të madhe se Amerika dhe dy herë më të vogël se Kina.

Pra Europa e Madhe do ishte superfuqia me masën optimale,Optimum Superpoëer, as shumë e madhe as shumë e vogël, por shumë e fortë, shumë e pasur dhe shumë e ditur.

Demokratizimi i Rusisë dhe përfshirja e saj në Europën e Madhe do mbyllte shpejt edhe shumicën e konflikteve të sotshme të botës, aty ku Rusia con armë, para dhe mbështetje politike për të balancuar ndërhyrjet e Perëndimit në këto zona.

OKB do clirohej nga kundërshtia e përhershme, e përvitshme dhe e përjetshme e 5 antarëve të saj me të drejtë vetoje, Amerikës, Rusisë, Kinës, Francës dhe Anglisë dhe do kthehej në një qeverisje me qëllime globale siç edhe është konceptuar.

Pa mbështetjen e Rusisë, Irani do demokratizohej menjëherë, ajatollahët do binin nga pushteti, vendi do hiqte dorë nga armët bërthmore, marrëdhëniet me Izraelin do normalizoheshin dhe çështja palestineze mund të zgjidhej pa gjak.

Terroristët islamikë të gjithë botës, të furnizuar herë nga Irani,herë nga Rusia herë nga Amerika do zhdukeshin nga faqja e dheut dhe në përgjithësi Islami do zbutej duke kërkuar një lider në një botë të rigrupuar, një lider që mund të ishte Arabia Saudite apo Turqia, apo të dyja bashkë.

Korea e Veriut dhe Korea e Jugut mund të bashkoheshin, sic ndodhi 35 vjet më parë me dy Gjermanitë, të cilat u bashkuan kur Ronald Regani i tha Gorbacovit, Mr President Tear this Wall, Rrëzoje këtë Mur, dhe kur ky i fundit pranoi, me garancinë se NATO nuk do shkonte kurrë në Ukrainë, pra në kufi me Rusinë, siç për fat të keq ndodhi.

Në shumë vende të Afrikës, duke nisur nga Sudani, Mali, Burkina Fasso, Libia dhe Republika Qendrore Afrikane, do pushonin luftërat civile të nxitura nga mercenarët rusë të cilët kanë shkaktuar sa e sa grushte shteti duke nxitur rebelimin e ish kolonive të varfëra europiane.

Luftërat në botë, të cilat në qind për qind të rasteve nxiten nga Amerika, Rusia dhe Europa do pushonin për një kohë të pacaktuar.

Think of It

A janë rusët dhe ukrainasit europianë?

A janë kufinjtë e Europës kulturorë, gjeografikë, fetarë apo etnikë?

A është krijuar Europa Moderne njëlloj nga Balzaku dhe nga Dostojekvsi, nga Nicja dhe nga Tolstoi, nga Gëtja dhe nga Pushkini, nga Pasternaku dhe nga Remarku, nga Mozarti, nga Verdi dhe nga Cajkovski, nga Goja, nga Picasso dhe nga Chagalli, nga Bertrand Rusell, nga Kandinsky, nga Kazanzaqis, nga Kamyja dhe Kundera,nga Sartri, nga Saramago dhe nga Solzhenicini?

Think of It.

Mendo se sikur Ukraina dhe Rusia të jenë bashkë në Europë dhe në NATO.

Në fund të fundit a është kjo ajo që donte Ukraina?

A është kjo arsyeja arsyeja pse deri tani aty janë vrarë gati 200 mijë njerëz?

A është mbrojtja nga Rusia arsyeja pse u krijua NATO?

Mendo sikur një ditë armikun ta kesh mik.

Mendo se si u ulën në një tryezë Gjermania dhe Franca që i vranë njëri-tjetrit disa herë më shumë njerëz se Rusia Ukrainës dhe anasjelltas.

Mendo sikur kjo të ndodhte prapë.

Think of it.

Think of it, sepse rruga tjetër do ishte një luftë mes NATO-s dhe Rusisë në Ukrainë.

Think of it, sepse, meqë edhe Shqipëria është antare e NATO-s në fushat e pafundme të Ukrainës do shkonin edhe fëmijët e Shqipërisë për të luftuar.

Think of It.

Për cfarë do luftonin fëmijët tanë me helmetat e NATO-s mbi kokë?

Prandaj Think of It.

Nëse nuk doni t’i çoni fëmijët në Ukrainë,

Think of It.

 

❌